Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

Tajvani goditet nga një tërmet i fuqishëm 7.0 ballë

By: Rovena
27 December 2025 at 18:31

Një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Tajvanin, ka njoftuar Shërbimi Meteorologjik i Tajvanit.

Tërmeti me thellësi 73 kilometra u ndje në Tajvanin verior dhe dridhi ndërtesat në kryeqytetin Taipei, njoftoi agjencia meteorologjike, duke e klasifikuar tërmetin si të kategorisë katër, që do të thotë se mund të ketë dëme të vogla.

Qeveria e Taipeit tha se nuk u raportuan dëme të mëdha menjëherë pas tërmetit.

Më shumë se 3,000 shtëpi në Yilan mbetë-n për pak kohë pa energji elektrike.

Ndryshe, Tajvani është i prirur ndaj tërmeteve.

Kjo pasi ai ndodhet pranë kryqëzimit të dy pllakave tektonike.

Më shumë se 100 persona humbën jetën në një tërmet në Tajvanin jugor në vitin 2016, ndërsa një tërmet me magnitudë 7.2 ballë vrau më shumë se 2,000 persona në vitin 1999.

Aksident në aksin Qafë Plloçë – Pogradec/ Makina përplas një person me biçikletë

By: Rovena
27 December 2025 at 17:57

Një aksident ka ndodhur në aksin Qafë Plloçë – Pogradec, mjeti përplas një shtetas me biçikletë. I dëmtuari është transportuar drejt spitalit ku po merr ndihmën mjekësore.

Mësohet se i dëmtuari ka qenë edhe nën efektin e alkoolit, çka mund të ketë sjellë edhe aksidentin. Policia në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave./abcnews.al

Stuhia e fortë godet SHBA/ Anulohen mijëra fluturime

By: Rovena
27 December 2025 at 17:53

Mijëra fluturime janë anuluar ose kanë pësuar vonesa në Shtetet e Bashkuara, ndërsa rajoni verilindor po përgatitet për një stuhi të fortë dimërore, në kulmin e sezonit të udhëtimeve për festat.

Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve FlightAware, deri të premten në mbrëmje janë anuluar rreth 1.600 fluturime, ndërsa 7.400 të tjera kanë pësuar vonesa. Aeroportet më të prekura janë John F. Kennedy, Newark Liberty dhe LaGuardia, që shërbejnë zonën e New Yorkut.

Probleme me fluturimet janë raportuar gjithashtu në Boston, Chicago dhe Toronto në Kanada. Nga kompanitë ajrore, JetBlue ka anuluar 229 fluturime, Delta Air Lines 241, ndërsa Republic Airways dhe Southwest Airlines kanë anuluar përkatësisht 180 dhe 151 fluturime. Edhe American Airlines dhe United Airlines kanë anuluar rreth 100 fluturime secila.

Aeroportet u kanë bërë thirrje udhëtarëve, përmes rrjeteve sociale, që të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre me kompanitë ajrore përpara udhëtimit.Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, u ka kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme. Ajo theksoi se, në rast se udhëtimi është i domosdoshëm, qytetarët duhet të planifikojnë me kujdes, të lëvizin ngadalë dhe të lënë më shumë kohë për të mbërritur në destinacion në mënyrë të sigurt. Paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe nga guvernatorët e New Jersey dhe Connecticut.

 

Ukrainasit publikuan pamje nga aksionet në Krime dhe Donetsk, shkatërrohen sistemet e radarëve rusë

By: Rovena
27 December 2025 at 17:28

Dronët ukrainas kryen një sulm të koordinuar ndaj disa objektivave ushtarake ruse në territoret e okupuar të rajonit të Donetskut dhe në Krim, njoftuan Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Sistemeve të Papilotuar (SBS) të ushtrisë ukrainase.

Operacioni, i udhëhequr nga operatorët e dronëve të SBS-së, kishte për qëllim dobësimin e kapaciteteve komanduese, logjistike dhe të spiunazhit të Rusisë në disa lokacione kyçe.

Sipas raportit të Shtabit të Përgjithshëm, forcat mbrojtëse ukrainase goditën në orët e hershme të mëngjesit disa njësi logjistike dhe speciale ruse. Forcat e Sistemeve të Papilotuar publikuan një video që tregon sulmet, duke njoftuar se ato u kryen nga Qendra e tyre e 1-rë e Veçantë, me ndihmën e dy njësi të tjera nën komandën e Robert “Hungari” Brovdit.

Në rajonin e Donetskut u godit një vendkomandimi dhe zona e vendosjes së Brigadës së 14-të të Posaçme të Forcave të Armatosura Ruse (GRU) në Berdyansk, e cila u përshkrua nga Shtabi i Përgjithshëm si një “koncentrim i personelit”.

Gjithashtu u shkatërrua një magazinë në Kachkarsk, e identifikuar si “magazinë logjistike e Regjimentit të 228-të të Këmbësorisë Motorizuese ruse”. Në Truzhenka u godit një bazë për riparimin e pajisjeve ushtarake, përkatësisht një “magazinë karburanti dhe lubrifikantësh që i përket brigadës së veçantë logjistike ruse”.

Në Krim të okupuar, dronët e SBS-së synuan dy objektiva ushtarake. Njëri prej tyre ishte sistemi radarik Nebo-SVU, i cili në pamjet e publikuara shihet i mbuluar me kupolë mbrojtëse.

Sulmi i dytë dëmtuar vendin ku ishin vendosur anijet e shpejta të zbarkimit të Flotës së Detit të Zi të Rusisë, dhe pamjet tregojnë momentin e goditjes së njërit prej anijeve.

VIDEO/ Aksident masiv në Japoni mes 67 automjeteve, raportohet për të vdekur

By: Rovena
27 December 2025 at 17:08

Një aksident masiv në një autostradë në Japoni, i shkaktuar nga moti me dëborë, përfshiu 67 automjete, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 26 të tjerëve.

Policia e autostradës së prefekturës Gunma tha se aksidenti në autostradën Kan-etsu filloi me një përplasje midis dy kamionëve në qytetin Minakami, rreth 160 kilometra në veriperëndim të Tokios.

Përplasja fillestare bllokoi pjesë të autostradës dhe veturat që vinin nga pas tyre nuk ishin në gjendje të frenonin në sipërfaqen me dëborë. Një zjarr shpërtheu në skajin më të largët të aksidentit, duke u përhapur në 20 automjete, disa prej të cilave u dogjën plotësisht.

Zjarri u shua rreth shtatë orë më vonë, tha policia.

Një grua 77-vjeçare nga Tokio vdiq në një veturë dhe një trup u nxor më vonë nga ulësja e shoferit të një kamioni të djegur. Nga 26 të plagosurit, pesë janë në gjendje të rëndë.

Një paralajmërim për reshje të dendura bore hyri në fuqi të premten vonë, kur shumë japonezë filluan pushimet e fundvitit. Pjesë të autostradës mbetën të mbyllura për hetime policore, largim dhe pastrim të rrënojave.

🚨🇯🇵 MASSIVE PILEUP ON JAPAN EXPRESSWAY: OVER 50 VEHICLES CRASH, 1 DEAD, 26 INJURED

Chaos hit Japan’s Kanetsu Expressway hard in Minakami, Gunma Prefecture.

More than 50 cars and trucks smashed into each other in a fiery wreck that killed at least one person and hurt 26 others.… pic.twitter.com/TIVdsP1bAi

— Mario Nawfal (@MarioNawfal) December 26, 2025

Histori mrekullie Krishtlindjesh në Peru/ Një spital realizon me sukses ndarjen e dy vajzave binjake siameze

By: Rovena
27 December 2025 at 16:49

Një histori shprese dhe mrekullie vjen nga Peruja, pikërisht në prag të festave të fundvitit. Një spital në kryeqytetin Lima ka njoftuar ndarjen me sukses të dy vajzave binjake të lindura të bashkuara, një ndërhyrje jashtëzakonisht e rrallë dhe e ndërlikuar, që mjekët e kanë cilësuar si një “mrekulli”.

Binjaket Ailani dhe Alif Palacios Picon erdhën në jetë më 5 tetor te këtij viti në qytetin Huanuco, në pjesën qendrore-lindore të vendit. Ato lindën para kohe dhe të bashkuara në shtyllën kurrizore, me organe të kompromentuara.

Tre ditë pas lindjes, foshnjat u transferuan në Institutin Kombëtar të Shëndetit të Fëmijëve San Borja, në Lima, ku një ekip i specailizuar mjekësh nisi menjëherë përpjekjet për stabilizimin e tyre.

Pas javësh ekzaminimesh të detajuara dhe rezonancash magnetike, një ekip multidisiplinar prej më shumë se 16 mjekësh, infermierësh dhe teknikësh ndërmori ndërhyrjen vendimtare.

Operacioni zgjati mbi tre orë dhe u ndoq me tension të lartë nga familjarët dhe stafi mjekësor.

“Ato lindën si binjake të bashkuara dhe kishin organe të komprometuara. Sot, falë punës së një ekipi multidisiplinar, po shohim këtë mrekulli të Krishtlindjes, një akt dashurie. I shohim të shëndetshme, në rikuperim, edhe pse procesi vazhdon”, tha Zulema Tomas Gonzales, drejtore e spitalit.

Për babanë e tyre, Menelio Palacios, ky ishte momenti që kishte pritur që nga dita e lindjes së vajzave.

“Doja t’i shihja të ndara, jo më të shtrira bashkë. Më parë qanin, mërziteshin, por tani janë të ndara dhe të lumtura. Gjithçka falë mjekëve dhe kirurgëve që e realizuan këtë qëllim”, tha babai, Menelio Palacios.

Autoritetet shëndetësore në Peru e kanë cilësuar rastin si një arritje të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh lindjen e parakohshme dhe kompleksitetin e gjendjes shëndetësore të binjakeve.

Goditet celula e Hamasit në Itali, sekuestrohen 8 milionë euro

By: Rovena
27 December 2025 at 16:33

Autoritetet italiane kanë kryer një operacion të madh të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Gjenovës kundër një qelize të dyshuar terroriste të lidhur me Hamasin.

Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza zbatuan masa paraprake kundër nëntë të dyshuarve, të cilët të gjithë do të liheshin në paraburgim, dhe urdhëruan sekuestrimin e aseteve me vlerë më shumë se tetë milionë euro.

Hetuesit i akuzojnë të dyshuarit se janë pjesë e organizatës Hamas dhe e financojnë atë në mënyrë aktive.

Sipas hetimit, fondet e mbledhura nuk ishin menduar kryesisht për qëllime humanitare, por u përdorën për të mbështetur aktivitetet kriminale të lëvizjes, duke përfshirë sulmet kundër civilëve. Rreth shtatë milionë euro u dërguan në Gaza dhe në Territoret Palestineze për të përforcuar strategjinë e armatosur të grupit.

Në qendër të skemës janë disa shoqata, përfshirë Shoqatën Përfituese të Solidaritetit me Popullin Palestinez (ABSPP), me seli në Gjenova. Mohammad Hannoun, i treguar si figura kryesore e celulës italiane, thuhet se ka menaxhuar mbledhjen e fondeve duke devijuar mbi 71% të donacioneve.

Për t’iu shmangur kontrolleve bankare ndërkombëtare, të dyshuarit dyshohet se krijuan akronime të reja, të tilla si shoqata “Kupola e Artë”.

Ndryshe, hetimi, i cili filloi pas sulmit të 7 tetorit 2023, përfitoi nga bashkëpunimi me autoritetet e Holandës dhe Izraelit, duke lejuar monitorimin e flukseve financiare dhe përgjimin e komunikimeve.

Ndër përfituesit e drejtpërdrejtë të fondeve ishin figura të shquara si Osama Alisawi, ish-ministër i qeverisë së Hamasit në Gaza.

Paratë u përdorën gjithashtu për të mbështetur familjet e terroristëve të përfshirë në sulme vetëvrasëse, duke garantuar kështu vazhdimësinë logjistike dhe ideologjike të strukturës kriminale

Ukrainë/ Nisin hetime për një skemë blerjeje votash nga deputetët

By: Rovena
27 December 2025 at 16:08

Agjencitë kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë thanë se po hetojnë akuza për blerje votash nga anëtarë të parlamentit dhe se shërbimet e sigurisë po pengonin përpjekjet për të kryer kontrolle.

Hetimi, i lajmëruar më 27 dhjetor, ishte më i fundit në një seri hetimesh nga dy agjencitë, Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës, që kanë tronditur politikën e brendshme në Ukrainë.

Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit e njohur si SAPO tha se hetuesit e saj kishin identifikuar me dyshim “një grup kriminal të organizuar” që përfshinte deputetë aktualë në Verhovna Rada, parlamentin ukrainas.

Anëtarët e grupit, sipas SAPO-s, kanë marrë përfitime të paligjshme në këmbim të votave të tyre në parlament.

Por, detaje të mëtejshme mbi këto akuza nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit, e njohur si NABU, tha se hetuesit e saj po pengoheshin teksa tentonin të hynin në ndërtesat administrative të përdorura nga deputetët.

Agjencia e ngarkuar me sigurimin e deputetëve, Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes, i mohoi akuzat, duke i thënë shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se rojet thjesht po verifikonin identitetin e hetuesve.

“Fakti është se punonjësit e NABU-s po përpiqen të sjellin persona të panjohur ose të pakuptueshëm në territorin e regjimit, në territorin e institucionit shtetëror”, tha zëdhënësi i shërbimit, Oleksiy Morozov.

Të themeluara në vitin 2015 si pjesë e reformave gjithëpërfshirëse që synonin çrrënjosjen e korrupsionit të rrënjosur prej kohësh, të dyja agjencitë kanë ndërtuar reputacion për kryerjen e hetimeve politikisht të ndjeshme, si dhe për luftën për të ruajtur pavarësinë e tyre nga entitete të tjera të zbatimit të ligjit.

Një hetim mbi ryshfete në sektorin e energjisë, përfshirë financimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për infrastrukturën e rrjetit elektrik, doli në pah publikisht muajin e kaluar, kur zyrtarët kundër korrupsionit bastisën zyra në Kiev.

Ky hetim, i cili është ende në proces e sipër, çoi përfundimisht në shkarkimin nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të Andriy Yermak, shefit të tij të kabinetit prej kohësh dhe një figure kyçe ndërmjetëse në negociatat e paqes me Shtetet e Bashkuara. Shkarkimi i Yermakut erdhi në një moment të vështirë për Zelenskyyn. Akuzat i kanë njollosur reputacionin e tij brenda vendit dhe kanë shtuar presionin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, diçka që presidenti ukrainas e ka kundërshtuar për shkak të ligjit ushtarak dhe luftës së gjithanshme të Rusisë kundër Ukrainës./REL

Yesterday — 26 December 2025Main stream

Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

By: Rovena
26 December 2025 at 21:46

Ajo punoi në qendrën sekrete të Bletchley Park dhe kontribuoi në fitoren e Aleatëve, duke thyer kodin famëkeq “Enigma”.

Ruth Bourne, një nga gratë që luajtën një rol kyç në deshifrimin e komunikimeve sekrete të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në Londër në moshën 99-vjeçare.

Bourne ishte pjesë e ekipit të fshehtë të Bletchley Park, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Londrës, ku u thyen kodet e koduara me makinën “Enigma”. Ky operacion i klasifikuar, i njohur si programi “Ultra”, ndihmoi forcat aleate të parashikonin lëvizjet e ushtrisë gjermane dhe të fitonin beteja vendimtare gjatë luftës.

Edhe Italia fashiste u godit drejtpërdrejt nga ky aktivitet: shumë autokolona detare që niseshin drejt Libisë me trupa dhe furnizime për frontin e Afrikës së Veriut u interceptuan falë informacionit të siguruar në Bletchley Park.

E lindur më 23 maj 1926 në Salford, pranë Mançesterit, dhe e rritur në Birmingham, Ruth Bourne vinte nga një familje hebraike. Ajo u regjistrua vullnetare në Marinën Mbretërore Britanike dhe, në moshë shumë të re, u përzgjodh për një mision tepër sekret. Në vitin 1944, ende pa mbushur 18 vjeç, punoi me “bombën e Turingut”, një pajisje llogaritëse e projektuar nga matematikani i shquar Alan Turing, e aftë të çkodonte mesazhet gjermane.

Pas përfundimit të luftës, pjesëmarrësit në programin “Ultra” u detyruan të ruanin heshtjen për dekada. Vetëm në vitet ’70 u bë publik roli i tyre. Në vitin 2009, qeveria britanike i nderoi me një medalje përkujtimore për kontributin e dhënë në fitoren ndaj nazizmit.

FOTOLAJM/ Pasojat e sulmit amerikan në Nigeri

By: Rovena
26 December 2025 at 21:20

Mbrëmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një sulm ajror ndaj luftëtarëve të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë, në koordinim me qeverinë nigeriane.

Tani mediat kanë publikuar foto që tregojnë pasojat e këtij sulmi.

Sulmi, sipas raportimeve, e habiti popullsinë vendase.

Fshati Jabo ishte një nga zonat e goditura nga sulmet amerikane. Balira Sa’idu thotë se sulmet “ndryshuan gjithçka”.

“Duhet të mendoj për dasmën time, por tani jam në panik. Sulmet kanë ndryshuar gjithçka. Familja ime është e frikësuar dhe as nuk e di nëse është e sigurt të vazhdoj me planin e dasmës në Jabo”, tha ajo.

Aliyu Garba është një udhëheqës tradicional në fshat.

Ai thotë se mbeturinat nga sulmet ishin shpërndarë përreth dhe disa banorë nxituan në vendngjarje përpara se të mbërrinin forcat e sigurisë.

Bilanci i ekonomisë 2025/ Nunaj: Pa vizion afatgjatë, ekonomia shqiptare mbetet në tranzicion

By: Rovena
26 December 2025 at 20:31

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e një vizioni afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.

Ajo theksoi se politikat publike në Shqipëri janë të pjesshme dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, duke penguar mbylljen e tranzicionit 35-vjeçar. Sipas Nunajt, pa një strategji të qartë se ku duhet të jetë ekonomia shqiptare pas 10 vitesh dhe pa fokus te sektorë të qëndrueshëm si industria dhe bujqësia, vendi rrezikon të mbetet i orientuar vetëm drejt planeve afatshkurtra dhe me mirëqenie të ulët për qytetarët.

“Ne i kemi politikat publike të zhvilluara në mënyrë parciale, të pjesshme, ose të shkëputura nga njëra-tjetra. Nëse ne duam të kemi një ekonomi të zhvilluar dhe ta mbyllim këtë tranzicionin e gjatë 35-vjeçar ne duhet ta ndajmë mendjen se ku duhet ta çojmë ekonominë shqiptare pas 10 vitesh. Kush është sektori që duam të investojmë?

Ne nuk flasim për Shqipërinë, si një vend i vogël, por që ka potenciale dhe ne këto potenciale nuk i marrim fare në konsideratë dhe qytetarët që ngelen në Shqipëri janë ata që janë më pak të kualifikuar dhe bëjnë punë më pak të kualifikuara, që do të thotë bëjnë punë më pak të paguara dhe mirëqenia e tyre nuk rritet. Nëse ne nuk përcaktojmë ekonominë shqiptare dhe se ku do të jemi pas 10 vitesh dhe jo të mbështetmi te sektorë të paqëndrueshëm, por kryesisht në industri dhe në sektorin e bujqësisë, atëherë ne gjithmonë do të jemi në plane të shkurtra 3-4 apo 5-vjeçare dhe asnjëherë në këtë rast nuk do të jemi vizionarë për ekonominë tonë”, tha Nunaj./abcnews.al

“Turizmi, lokomotiva e rritjes ekonomike gjatë këtij viti”, eksperti rendit problematikat

By: Rovena
26 December 2025 at 20:21

Eksperti i ekonomisë Enio Civici ka analizuar rolin e turizmit në ekonominë shqiptare, duke theksuar se gjatë këtij viti ky sektor ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e shërbimeve, ndërtimit dhe punësimit.

I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Civici u ndal te ndikimi pozitiv i turizmit në rritjen ekonomike, ndërsa vuri në dukje se pesha e lartë e këtij sektori në ekonomi lidhet kryesisht me të ardhurat që vijnë nga jashtë dhe jo me prodhimin e brendshëm, duke e bërë të nevojshme një vështrim më të gjerë mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të zhvillimit ekonomik.

“Edhe shërbimet, edhe ndërtimi edhe punësimi janë udhëhequr këtë vit vetëm nga një sektor që është turizmi. Sa mirë dhe i fuqishëm është ky sektor në këto momente dhe sa mirë i bën ekonomisë sonë, duke e ndihmuar dhe udhëhequr në rritje, është edhe një alarm i madh për të ardhmen.

Pra sektori që po na ushqen tani është edhe sektori më i paqëndrueshëm në gjithë historinë e ekonomisë botërore, sepse lidhet direkt me ngjarje që nuk kanë të bëjnë me të. Krahas lavdërimit të sektorit të turizmit si lokomotiva e të pestë nënsektorëve më të rëndësishëm, nga ana tjetër duhet të ngremë alarmin dhe të themi që një ekonomi kaq e dobët strukturalisht nuk mund të jetë kaq e varur vetëm nga sektor i cili nuk është i lidhur me prodhimin tonë të brendshëm, lidhet me të ardhurat që vijnë nga jashtë”, tha eksperti./abcnews.al

Bilanci i ekonomisë 2025/ Ekspertët: Rritja ekonomike nuk po përkthehet në mirëqenie për familjet shqiptare

By: Rovena
26 December 2025 at 20:12

Ekonomia shqiptare ka shfaqur stabilitet në treguesit makroekonomikë vitet e fundit, por kjo rritje nuk është reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së familjeve.

Kështu u shprehën ekspertët e ekonomisë të ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës, të cilët theksuan se, pavarësisht të dhënave pozitive në nivel kombëtar, shpërndarja e rritjes ekonomike mbetet problematike dhe ndikimi në të ardhurat e qytetarëve ka qenë i kufizuar, duke e bërë vitin 2025 një periudhë ende të vështirë për ekonominë familjare.

Teuta Nunaj: Në nivelin makro ka qenë një ekonomi e qëndrueshme dhe në nivelin familja ka qenë një ekonomi që nuk ka përcjellë mirëqenie për familjarët.

Enio Civici: Nga pikëpamja makro ekonomike Shqipëria më në fund ka arritur që të 3-4 vitet e fundit një lloj stabiliteti sa u takon të dhënave të mëdha, atyre që duhen për të parashikuar politika publike. Ndërsa në aspektin e ekonomisë që ndjejnë njerëzit mendoj po ashtu që ka qenë një vit i vështirë për transmetimin e kësaj rritjeje ekonomike në rritje të të ardhurave apo të portofolit të familjeve shqiptare. Nuk mendoj se vitit 2025 është karakterizuar nga një vit ku familjet shqiptare janë ndjerë më mirë financiarisht.

Ergis Sefa: Nuk është çështja vetëm te rritja ekonomike, është rritje për kë? Si shpërndahet kjo rritje ekonomike? Mund të kesh një rritje ekonomike të madhe dhe shpërndahet në pak duar, ndërkohë që mund të kesh një rritje ekonomike më të vogël dhe shpërndahet ashtu siç duhet. Kjo është e gjithë diferenca. Siç thanë edhe kolegët në nivelin tonë të mirëqenies, duhet që nivelin makroekonomik ta zbresim tek individi dhe tek qytetarët./abcnews.al

Lideri i opozitës ruse dënohet me gjashtë vjet burgim

By: Rovena
26 December 2025 at 19:34

Kritiku i Vladimir Putinit, Sergei Udaltsov është dënuar me gjashtë vjet burgim për terrorizëm nga një gjyakatë në Rusi të enjten, raportoi “The Guardian”. Udhëheqësi i lëvizjes së Frontit të Majtë që kundërshton Putinin dhe është i lidhur me Partinë Komuniste, u arrestua vitin e kaluar.

Sipas faqes ruse të lajmeve Mediazona, akuzat kundër tij rrjedhin nga një artikull që Udaltsovi postoi në internet në mbështetje të një grupi tjetër aktivistësh rusë të akuzuar për formimin e një organizate terroriste. Këta aktivistë u dënuan këtë muaj me dënime që varionin nga 16 deri në 22 vjet burgim.

Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij si të sajuara. Të enjten, ai e cilësoi vendimin si të turpshëm dhe tha se do të hynte në grevë urie.

Ai ishte një figurë e shquar e opozitës gjatë protestave masive të viteve 2011-12 në Rusi, të shkaktuara nga raportet për manipulim të gjerë të zgjedhjeve parlamentare. Në shkurt të vitit 2012, ai mori pjesë në një takim që presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev zhvilloi me figura të ndryshme të opozitës.

Në dhjetor 2023, një gjykatë në Moskë e dënoi Udaltsovin me 40 orë punë të detyruar për shkelje të procedurave që lidhen me organizimin e një tubimi pasi u ndalua në Sheshin e Kuq, ku u përpoq të shpaloste një flamur me imazhin e diktatorit sovjetik Josef Stalin, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, Tass.

Udaltsov ishte burgosur në vitin 2014 dhe ishte dënuar me 4.5 vjet burgim për akuza që lidhen me rolin e tij në organizimin e një demonstrate të vitit 2012 kundër Putinit që u shndërrua në trazira. Ai u lirua në vitin 2017.

Shefi i NATO-s, Rutte: Të mos harrojmë se Evropën dhe NATO nuk i përbën vetëm BE

By: Rovena
26 December 2025 at 18:56

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, beson se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëhet plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, pavarësisht qëndrimit të marrë për këtë çështje nga qeveria e presidentit amerikan, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen, tha Rutte për dpa në një intervistë të fundit.

“Jam absolutisht i bindur se SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s. Nuk ka asnjë dyshim. Pritshmëritë janë rritur. Në të vërtetë, ne duam të shpenzojmë më shumë, Evropa do të marrë më shumë përgjegjësi”, tha ai.

Ish-kryeministri i Holandës theksoi samitin e NATO-s në Hagë në muajin qershor, ku të gjithë aleatët ranë dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

“Mendoj se kjo është ende një nga fitoret më të mëdha të politikës së jashtme të presidentit Trump, këto 5 për qind, një përkushtim i qartë ndaj prodhimit më të madh”, tha Rutte dhe shtoi se “shtatëdhjetë e pesë për qind e ndikimit ekonomik është ende jashtë BE-së”.

Duke pranuar rëndësinë e BE-së, ai vuri në dukje se 23 vendet e BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e ndikimit të përgjithshëm ekonomik të aleancës. “Shtatëdhjetë e pesë për qind është ende jashtë BE-së”, tha ai, duke iu referuar anëtarëve të NATO-s si Britania, Norvegjia, Kanadaja dhe SHBA-ja.

Tajlanda bombardon zonën kufitare me Kamboxhian

By: Rovena
26 December 2025 at 18:29

Tajlanda kreu sulme ajrore në një zonë kufitare të diskutueshme me Kamboxhian, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët vazhduan bisedimet për t’i dhënë fund luftimeve.

Forcat Ajrore Tajlandeze thanë se kishin goditur një “pozicion të fortifikuar ushtarak” kamboxhian pasi civilët ishin larguar nga zona.

Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias akuzoi Tajlandën për “sulme pa dallim” kundër shtëpive të civilëve dhe për plagosjen e disa personave. Luftimet shpërthyen përsëri në fillim të këtij muaji, pasi një armëpushim i brishtë në korrik i dha fund përleshjeve të ashpra kufitare pesë ditëshe.

Të paktën 41 persona janë vrarë dhe pothuajse një milion janë zhvendosur që kur rifilluan armiqësitë. Të dyja vendet kanë fajësuar njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit.

Që atëherë, luftimet janë përhapur në pothuajse çdo provincë përgjatë kufirit prej 800 kilometrash. Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias tha se sulmet e së premtes ndodhën në provincën veriperëndimore Banteay Meanchey. Deri në 40 bomba u hodhën nga aeroplanët luftarakë F-16.

Tajlanda tha se aksioni kishte për qëllim kontrollin e fshatit Nong Chan dhe se u “krye në mënyrë efikase dhe të suksesshme”. Kjo ndodhi ndërsa negociatorët tajlandezë dhe kamboxhianë zhvilluan ditën e tretë të bisedimeve në një pikë kontrolli kufitar. Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul tha se sapo të dyja palët të bien dakord për kushtet e njëra-tjetrës, mund të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi.

SHBA-të dhe Kina janë përpjekur gjithashtu të ndërmjetësojnë një armëpushim të ri.

Ndryshe, mosmarrëveshja midis Tajlandës dhe Kamboxhias daton më shumë se një shekull më parë dhe ka pasur përleshje sporadike, me ushtarë dhe civilë të vrarë nga të dyja palët gjatë viteve. Por në maj, tensionet u përshkallëzuan pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përleshje.

Dhe më 24 korrik, situata u përshkallëzua në mënyrë dramatike pas një sulmi me raketa nga Kamboxhia në Tajlandë, i cili u pasua nga sulme ajrore tajlandeze. Kjo shkaktoi pesë ditë luftimesh të ashpra, të cilat lanë dhjetëra ushtarë dhe civilë të vdekur.

❌
❌