Bluzat në shishet e shampanjës, shkaku i zjarrit vdekjeprurës në Zvicër?
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Zvicren në orët e para të Vitit të Ri, pasi një zjarr shkatërrues shpërtheu në një bar në vendpushimin e njohur skish Crans-Montana. Si pasojë e flakëve, 40 persona humbën jetën, ndërsa 119 të tjerë u plagosën, shumë prej tyre në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve zvicerane, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga fishekzjarrë ose qirinj dekorativë të vendosur mbi shishe shampanje, të cilat ndodheshin shumë pranë tavanit të lokalit. Flakët, sipas hetimeve paraprake, janë përhapur me shpejtësi, duke mos u lënë kohë klientëve të reagojnë.
Prokurorja e Përgjithshme e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, deklaroi në një konferencë për shtyp se hetimi do të fokusohet në disa elementë kyç: materialet e përdorura në ambient, masat e sigurisë kundër zjarrit, kapacitetin real të barit dhe numrin e personave që ndodheshin brenda në momentin e shpërthimit të flakëve.
“Çdo gjë na çon drejt përfundimit se zjarri nisi nga fishekzjarrë ose qirinj të ndritshëm të vendosur mbi shishe shampanje, shumë afër tavanit. Nga aty, flaka u përhap pothuajse menjëherë,” u shpreh Pilloud.
Ajo shtoi se hetimi do të përcaktojë nëse do të ketë ndjekje penale, duke theksuar se, nëse konstatohet përgjegjësi dhe personat përkatës janë ende gjallë, do të hapen procedura ligjore ndaj tyre.
Një nga pronarët e barit ka deklaruar për mediat lokale se lokali ishte inspektuar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe se, sipas tij, gjithçka ishte kryer në përputhje me rregulloret në fuqi. Megjithatë, autoritetet po verifikojnë çdo detaj në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, procesi i identifikimit të viktimave vijon. Komandanti i policisë, Frédéric Gisler, theksoi se ky është prioriteti absolut i autoriteteve. Deri tani, 113 të plagosur janë identifikuar zyrtarisht, përfshirë 71 shtetas zviceranë, 14 francezë, 11 italianë, si dhe qytetarë nga vende të tjera evropiane. Identifikimi i gjashtë personave të tjerë është ende në proces, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se shifrat mund të ndryshojnë.
Presidenti i rajonit Valais, Mathias Reynard, bëri të ditur se shumë nga të plagosurit vijojnë të luftojnë për jetën, ndërsa rreth 50 persona janë transferuar ose pritet të transferohen në qendra të specializuara evropiane për trajtimin e djegieve të rënda.
Mes të plagosurve ndodhet edhe futbollisti 19-vjeçar francez Tahirys Dos Santos, siç konfirmoi klubi i tij FC Mertz. I riu ka pësuar djegie të rënda dhe është transportuar me helikopter drejt Gjermani-s për trajtim të specializuar.
Situata mbetet dramatike edhe për familjarët e personave të zhdukur. Mes tyre është edhe Achille Barosi, një 16-vjeçar italian, i cili kishte hyrë në bar rreth orës 01:30 për të marrë xhaketën dhe telefonin, por prej asaj kohe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.
“Nuk e dimë nëse është ende gjallë,” tha tezja e tij, Francesca, duke shtuar se Achille ishte një talent i ri në pikturë dhe kishte nisur studimet në një shkollë arti në Milano.
Autoritetet zvicerane po përdorin metodën e “Identifikimit të Viktimave të Fatkeqësive”, një proces kompleks ku përfshihen specialistë mjeko-ligjorë, mjekë, dentistë dhe hetues, me qëllim identifikimin sa më të shpejtë dhe të saktë të viktimave.
The post Bluzat në shishet e shampanjës, shkaku i zjarrit vdekjeprurës në Zvicër? appeared first on iconstyle.al.