Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Syla: Traumat dhe sëmundjet kardiovaskulare mbeten emergjencat më të rënda në QKUK

29 December 2025 at 10:04


Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, mjeku i emergjencës, Naser Syla ka theksuar rëndësinë e trajtimit të menjëhershëm të rasteve emergjente, duke apeluar që ato të mos neglizhohen nga pacientët apo familjarët e tyre.

Sipas Sylës, çdo pacient që paraqitet në Klinikën Emergjente i nënshtrohet menjëherë procesit të triazhit dhe trajtohet pa vonesa, varësisht nga gjendja shëndetësore. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se emergjencat më të rënda dhe më urgjente vazhdojnë të jenë traumat.

“Emergjencat që kërkojnë trajtim të menjëhershëm nuk duhet të neglizhohen. Edhe pse në momentin që pacienti vjen në Klinikë i bëhet triazhimi dhe merret menjëherë në trajtim, emergjencat më të mëdha janë traumat”, ka deklaruar Syla.

Ai ka sqaruar se çdo lloj traume, qoftë si pasojë e aksidenteve në komunikacion, lëndimeve të ndryshme, përdorimit të armëve të zjarrit apo rënieve nga lartësia, kërkon intervenim sa më të shpejtë dhe profesional, pasi koha është faktor vendimtar në shpëtimin e jetës dhe parandalimin e pasojave afatgjata.

Përveç traumave, sipas Sylës, një numër shumë i madh i pacientëve kërkojnë ndihmë emergjente edhe për sëmundjet kardiovaskulare, të cilat përbëjnë një barrë të konsiderueshme për Klinikën Emergjente.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com


“Aksidente, plagosje e vetëvrasje”,  Syla: Numri i rasteve në Klinikën Emergjente po rritet nga viti në vit

28 December 2025 at 14:52


Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla ka bërë të ditur se numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë po shënon rritje të vazhdueshme.

Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti Klinika Emergjente ka trajtuar 99 mijë e 17 pacientë, ndërsa deri në fund të vitit pritet që ky numër ta kalojë shifrën prej 100 mijë pacientësh, çka, sipas Sylës, është jashtë çdo kontrolli.



“Çdo klinikë në fund të vitit i nxjerr statistikat e veta. Në Klinikën e Emergjencës i kemi pas 99,017 pacientë dhe ky numër do ta kalojë edhe 100 mijë deri në fund të vitit. Kjo është jashtë çdo kontrolli dhe shumë shqetësuese”, ka deklaruar Syla.

Ai ka theksuar se ndryshe nga vendet evropiane, ku numri i rasteve të referuara në nivelin terciar po bie nga viti në vit, në Kosovë po ndodh e kundërta.

Sipas tij, niveli terciar përveç trajtimit profesional, duhet të ketë rol edukativ dhe të fokusohet në përgatitjen e kuadrove të reja mjekësore, si specializantë dhe studentë.

“Te ne numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme, gjë që tregon mbingarkesë të sistemit shëndetësor”, ka shtuar ai.

Syla ka bërë të ditur se rritje është shënuar edhe në numrin e aksidenteve të komunikacionit.

Gjatë këtij viti janë regjistruar 7 mijë e 207 raste, krahasuar me 6 mijë e 894 raste sa ishin vitin e kaluar.

Po ashtu, në rritje është edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë emergjente për sëmundje kardiovaskulare, si dhe numri i të plagosurve.

Siç tha Syla këtë vit janë trajtuar 111 të plagosur, ndërsa vitin e kaluar ky numër ishte 101.

Një tjetër shqetësim serioz, sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, është rritja e rasteve të tentim-vetëvrasjeve.

“Edhe për numrin e personave që kanë tentuar vetëvrasje janë diku 450 raste në krahasim me vitin e aluar që ka qenë 402 raste”, ka thënë Syla.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

- YouTube www.youtube.com

"Mes jetës dhe vdekjes na ndan një fije e hollë", mjeku i Emergjencës Naser Syla në podcastin "Shëndeti në rend të parë"

28 December 2025 at 09:38


“Jeta dhe vdekja shpesh ndahen nga një fije shumë e hollë”, kështu e përshkruan realitetin e përditshëm drejtori i Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili flet për sfidat, emocionet dhe barrën e madhe profesionale që mbajnë mjekët e emergjencës.

Syla i ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka thënë se çdo rast që referohet apo që vjen për trajtim në spital, e sidomos në emergjencë, është një rast që kërkon kujdes akut dhe reagim të menjëhershëm.

- YouTube www.youtube.com

Megjithatë, siç tha ai Klinika e Emergjencës përballet vazhdimisht me mbingarkesë.

“Për fat të keq, përveç rasteve që realisht kërkojnë tretman akut, kemi edhe shumë raste që nuk janë emergjente, gjë që na vështirëson punën dhe krijon vonesa”, thekson ai.

Ai ndalet edhe te perceptimi publik, ku shpesh në media raportohet se “dikush vdiq në spital” apo “vdiq në emergjencë”, duke u krijuar, siç thotë ai një lloj “kronike e zezë”.

“Duhet ta kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: asnjë njeri i shëndoshë nuk vjen në spital. Në emergjencë vijnë pacientë me trauma të rënda, në gjendje kritike. Asnjë mjek, pavarësisht specializimit, nuk mund të luajë rolin e Zotit. Roli ynë primar është të ndihmojmë, të luftojmë me të gjitha mjetet për ta shpëtuar jetën e pacientit”, shprehet Syla.

Ai flet edhe për ndjenjat që përjeton një mjek emergjence. Sipas tij, ka dy anë të forta emocionale: suksesi dhe humbja.

“Kur arrin ta shpëtosh një pacient, ajo ndjenjë është e papërshkrueshme. Është një kënaqësi shpirtërore, një ndjenjë madhështore. Por rastet që përfundojnë me vdekje janë jashtëzakonisht të rënda emocionalisht, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj, aksidente trafiku apo lëndime në punë. Aty ndjen një zhgënjim të thellë, sepse ke dhënë maksimumin dhe sërish nuk ke arritur ta nxjerrësh pacientin nga gjendja kritike”, thotë ai.

Edhe pse ka mbi 30 vjet përvojë në mjekësinë emergjente, Syla pranon se ka raste që e tronditin thellë.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/

Dallimi mes alergjive nga viruset, flet alergologu Ylli Ahmetaj

15 December 2025 at 16:04


Alergologu Ylli Ahmetaj, gjatë podcastit “Shëndeti në rend”, i mbështetur nga United Hospital ka sqaruar dallimet kryesore mes reaksioneve alergjike dhe infeksioneve virale apo bakteriale, duke theksuar se këto dy gjendje shpesh ngatërrohen për shkak të simptomave të ngjashme.

Ahmetaj shpjegon se reaksionet alergjike zakonisht manifestohen me simptoma të ngjashme me ftohjen, si lotimi i syve, teshtima, kollitja, kruarja e veshëve dhe, në disa raste, vështirësi në frymëmarrje, varësisht nga shkalla e alergjisë.

Në raste më të rralla, mund të shfaqen edhe ndryshime në lëkurë, si skuqje në formë urtikarie.

Megjithatë, dallimi kryesor mes alergjive dhe infeksioneve qëndron te temperatura.

“Reaksionet alergjike kryesisht manifestohen në formë vazomotorike, me lotim, teshtima dhe kollë më të shprehura, por pa temperaturë. Nga momenti që shfaqet temperatura, atëherë mund të anojmë drejt infeksioneve virale apo bakteriale”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas tij, temperatura është një indikator shumë i rëndësishëm për ta bërë dallimin e saktë mes alergjive dhe sëmundjeve infektive, pasi reaksionet alergjike nuk shoqërohen me rritje të temperaturës trupore.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

“Diagnoza e hershme kërkon kujdes” – Shkëndije Nuza: Mënyra e komunikimit me pacientin është po aq thelbësore sa zbulimi i kancerit

8 December 2025 at 11:16


Radiologia Shkëndije Nuza gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", nga United Hospital ka folur për një nga sfidat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në mjekësi: komunikimin me pacientin në momentet kur ekziston dyshimi për kancer.

Ajo ka theksuar se roli i radiologut nuk është vetëm identifikimi i ndryshimeve në trupin e pacientit, por edhe mënyra se si këto informata përcillen, duke ruajtur profesionalizmin dhe ndjeshmërinë.



“Po ta diagnostikosh në fazën e hershme dhe vet pacientit t’i thuash që je me kancer... duhet të gjesh mënyrën se si duhet t’i thuash pacientit”, ka thënë Nuza, duke theksuar se një komunikim i tillë duhet të bëhet me shumë kujdes.

Sipas saj, përgjegjësia e radiologut është të shpjegojë me qartësi çdo ndryshim të vërejtur në trupin e pacientit, por pa nxjerrë përfundime përfundimtare pa prova laboratorike. Ajo thekson se procesi diagnostikues është i strukturuar dhe kërkon respektim të rreptë të procedurave.

“Radiologu ka për detyrë që t’ia sqarojë ndryshimin në trupin e pacientit. Kur t’i thuash pacientit që duhet të bëjë biopsi dhe pyetja e parë që vjen është ‘a është kancer’, nuk mund t’i thuash pacientit që është kancer përderisa është mikroskopi ai që e vendos se cili lloj është dhe çfarë lloji është”, ka shpjeguar ajo.

Nuza nënvizon se vetëm analiza mikroskopike – pra biopsia – e konfirmon natyrën e qelizave dhe përcakton llojin e saktë të sëmundjes. Deri atëherë, radiologët bazohen në imazhe dhe ndryshime që mund të sugjerojnë shumëçka, por nuk mund të përdoren për një diagnozë përfundimtare.

“Këto janë procedura të cilat hap pas hapi duhet t’i ndjekësh”, ka thënë radiologia, duke theksuar rëndësinë e protokolleve dhe të komunikimit etik me pacientët.

Për më shumë shikoni të plotë "shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Sfidat e arsimit gjithëpërfshirës në Kosovë – pedagogu Arben Zabeli ngre shqetësimet

22 October 2025 at 17:00


Pedagogu special dhe trajneri për arsimin gjithëpërfshirës, Arben Zabeli, ka folur hapur për sfidat dhe boshllëqet në sistemin arsimor të Kosovës lidhur me përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, Zabeli vuri në pah mangësitë strukturore dhe praktike që përballen çdo ditë mësimdhënësit dhe nxënësit me nevoja të veçanta në institucionet arsimore të vendit.



“Realisht ka vështirësi të mëdha, duke filluar nga përgatitja e mësimdhënësve, terreni, vizitat, trajnime të ndryshme dhe puna që më ka rastisë në të gjitha komunat”, u shpreh Zabeli.

Ai theksoi se në shumë komuna mungojnë trajnimet bazike për arsimin gjithëpërfshirës, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e përkrahjes që marrin nxënësit me nevoja të veçanta.

Sipas tij, shumë shkolla nuk janë të njohura me konceptin e planit individual të zhvillimit, një dokument kyç për përshtatjen e mësimdhënies sipas nevojave të secilit nxënës.

“Jam edhe trajner dhe më rastisë në shumë shkolla që nuk e dinë as konceptin e planit individual, që është një dokument shumë i rëndësishëm për pranimin e nxënësve me nevoja të veçanta”, shtoi Zabeli.

Një tjetër shqetësim madhor që ai ngriti ishte mungesa e vlerësimeve pedagogjike, një proces thelbësor për identifikimin dhe kategorizimin zyrtar të nevojave të veçanta të nxënësve.

“Me rregullat, me udhëzimet administrative dhe me ligjet e Kosovës, asnjë nxënës nuk mund të quhet me nevoja të veçanta arsimore nëse nuk është i vlerësuar nga ekipet komunale për vlerësim”, shpjegoi ai.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Kujdesi ndaj lëndimeve në kokë, çfarë duhet të dini sipas Petrit Mulakut

8 October 2025 at 19:00


Në një episod të fundit të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, doktor Petrit Mulaku ka theksuar rëndësinë e vlerësimit të menjëhershëm mjekësor në rastet e lëndimeve në kokë, sidomos kur ato ndodhin si pasojë e rrëzimeve nga lartësia apo goditjeve me mjete të forta ose të topitura.

“Sigurisht që çdo lëndim në kokë, veçanërisht ato që ndodhin nga një rrëzim i fortë apo nga ndonjë goditje me mjet të topitur, duhet të paraqiten menjëherë në repartin e emergjencës për vlerësim profesional”, thekson Mulaku.



Ai thekson se qytetarët duhet të jenë të informuar për disa simptoma të rëndësishme që mund të tregojnë për lëndime të brendshme të trurit, të cilat shpesh nuk janë të dukshme menjëherë.

“Mirëpo njerëzit e thjesht duhet t’i dinë disa simptoma të cilat vijnë si rezultat i lëndimeve të brendshme në kokë, lëndimeve të trurit. Një lëndim i kokës i cili shoqërohet me vjellje është shenjë që ka ndodh një gjakderdhje, apo me humbje të vetëdijes është shenjë e një lëndimi të brendshme, apo konvulzion apo edhe enjte, etj. por nëse një fëmijë është rrëzuar në një pjesë të butë, jo beton, jo dru por në një pjesë të butë e nuk ka vjellë, nuk ka humb vetëdijen dhe gjendjen e përgjithshme”, ka thënë Mulaku.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

"Në fund të çdo tuneli ka një shpresë", mjeku ligjorë Naim Uka flet për jetën dhe energjinë pozitive

26 September 2025 at 17:19



Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, profesori i njohur i mjekësisë ligjore, Naim Uka ndau reflektime të thella dhe emocionale mbi jetën, vdekjen dhe rëndësinë e shpresës në përballje me sfidat njerëzore.

Duke folur nga përvoja e tij si mjek ligjor, profesion ku përballja me vdekjen është e përditshme, Uka theksoi se pikërisht kjo afërsi me përfundimin e jetës i jep atij një vlerësim më të madh për vetë jetën.

“Jeta vlen shumë më tepër se ne që e vlerësojmë. Kush tjetër përveç mjekut ligjor di të vlerësojë jetën, kur për çdo ditë ballafaqohet me vdekjen? ”, tha ai.



Sipas Ukës, përvoja e punës me raste të vështira dhe shpesh të dhimbshme nuk e ka bërë pesimist, përkundrazi: ka zgjedhur të shpërndajë energji pozitive kudo që shkon.

“Mundohem të shpërndajë energji pozitive me vetë faktin që çdo ditë e prekim vdekjen. E megjithatë, çdo njeri, në çdo profesion, ndonjëherë arrin në një tunel pa dritë – por ka gjithmonë një pikë shprese në fund të atij tuneli. Duhet vetëm ta kërkojmë”, shtoi ai. Kush tjetër pos mjekut ligjor di të inkurajojë të tjerët përballë sfidave të jetës, kur çdo ditë e përjeton fundin e saj? ”, tha ndër të tjera Uka.

- YouTube youtu.be

Arbër Peci: Ushqimi gjatë shtatzënisë ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës

20 September 2025 at 11:14


Trajneri i njohur i fitnesit, Arbër Peci, gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, foli me theks të veçantë për rëndësinë e ushqyerjes gjatë shtatzënisë dhe ndikimin që ajo ka në shëndetin mendor e fizik të fëmijës.

Sipas Pecit, gjatë shtatzënisë trupi i gruas prodhon nivele të larta të estrogjenit, hormon ky esencial për zhvillimin e një organizmi të ri brenda trupit të nënës.

Megjithatë, ai paralajmëron se destabilizimi i hormoneve, i kombinuar me zakone të këqija ushqimore, mund të ketë pasoja serioze si për nënën ashtu edhe për fëmijën.

“Gjatë shtatzënisë, trupi prodhon shumë estrogjen. Estrogjeni i duhet trupit për të zhvilluar një organizëm tjetër brenda organizmit aktual. Destabilizimi i hormoneve ndikon në gjendjen emocionale, sidomos kur gjithë këtë gjendje e shoqërojmë me ushqime ku shumica e nënave e bëjnë këtë gabim dhe shtojnë shumë peshë gjatë shtatzënisë, e humbin kontrollin”, tha ai.



Peci theksoi rëndësinë e vetëdijes dhe maturisë gjatë kësaj periudhe, duke nënvizuar se oreksi i shtuar nuk duhet të jetë justifikim për konsum të tepruar të ushqimeve të pashëndetshme.

Ai shton se ushqimi i balancuar dhe i shëndetshëm është një gur themeli për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës që lind.

“Nëse ke shumë uri, ha, por hani ushqime të shëndetshme, sepse aty fillon gjithçka edhe për fëmijën. Ndodh që fëmija çrregullohet në barkun e nënës dhe kur del në jetë është i çrregulluar, edhe psikikisht”, theksoi Peci.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për sëmundje si autizmi, të cilat, sipas tij, në disa raste mund të lidhen me mungesën e kujdesit gjatë shtatzënisë, si në aspektin hormonal ashtu edhe në atë ushqimor.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

"Palestra si strehë emocionale", Arbër Peci flet për fuqinë e komunitetit në luftën kundër depresionit

18 September 2025 at 12:39


Gjatë episodit të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i cili mbështetet nga United Hospital, trajneri i njohur i fitnesit, Arbër Peci ka ndarë pikëpamjet e tij mbi rëndësinë e komunitetit që krijohet në palestër, veçanërisht për ata që përballen me sfida të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi.

“Gjatë depresionit shumë njerëz janë të demotivuar, nuk kanë energji dhe hapi i parë që ndikon pozitivisht në zbutjen e depresionit është fillimi i një palestre”, tha Peci.



Sipas tij, përfshirja në një rutinë fizike përveç përfitimeve fizike, luan një rol thelbësor në përmirësimin e gjendjes emocionale dhe mendore.

Peci theksoi se prania e një komuniteti mbështetës në ambientin e palestrës është shpesh shtytja që i duhet dikujt për të mos u ndjerë vetëm në përballjen me vështirësitë.

“Kish me qenë shumë mirë nëse kishin me pas dikë që i mbështet, edhe pse në palestër siç e dimë janë të gjithë njerëz të mirë, pozitiv shkaku i prodhimit të hormoneve, dhe nuk hezitojnë me i ndihmu njëri-tjetrit”, tha ai.

Trajneri vlerësoi faktin që aktiviteti fizik nxit prodhimin e hormoneve të lumturisë, si endorfina dhe serotonina, duke krijuar një atmosferë pozitive mes anëtarëve të palestrës.

“Aty krijohet një komunitet që ta ofron një ndjesi shumë të mirë për të kaluar fazën e ankthit dhe depresionit”, përfundoi Peci.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

"Trupi në lëvizje, mendja në paqe", Arbër Peci: Aktivitetet ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit

17 September 2025 at 13:01


Gjatë episodit të fundit të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, trajneri i njohur i fitnesit, Arbër Peci ka ndarë mendimet e tij mbi ndikimin e aktivitetit fizik në përmirësimin e shëndetit mendor, duke veçuar disa ushtrime specifike që ndihmojnë në uljen e ankthit dhe depresionit.

Sipas Pecit, ushtrimet kardio janë ndër më efikaset kur bëhet fjalë për lehtësimin e simptomave të ankthit.



Ai përmend ushtrime si vrapimi, çiklizmi, noti dhe ecja në shkallë, të cilat ndikojnë direkt në aktivizimin e sistemit kardiovaskular dhe rritjen e qarkullimit të gjakut.

“Në fitness ka ushtrime kardio që nënkupton ushtrime të vazhdueshme e të pandërperë që janë çiklizmi, shkallët në fitnes, vrapimi, noti. Këto ndikojnë në uljen e nivelit të ankthit aty për aty. Në momentin që trupi aktivizohet fuqishëm pandërprerë rritet qarkullimi i gjakut në trup që mundëson që truri me pas më shumë oksigjen dhe materie ushqyese...”, tha Peci.

Sipas Pecit, shumë njerëz e keqkuptojnë qëllimin e stërvitjes fizike, duke e reduktuar atë vetëm në formësim trupi, pamje të jashtme apo si mjet për të ndarë momente në rrjetet sociale.

Por ndikimi i vërtetë dhe më i thellë i aktivitetit fizik është tek gjendja emocionale dhe mendore e individit.

“Aktiviteti fizik nuk është siç e shohin shumica me formësu një trup ose thjesht mu duk bukur, ose me bo foto e me tregu që po ushtron. Në realitet ai ka ndikime shumë të mëdha në gjendjen shpirtërore shkaku që gjatë aktiviteteve fizike trupi prodhon hormone të ndryshme natyrale, të prodhuara nga vet organizmi. Zakonisht këtë ndjesinë që dikush e përjeton e krahasojë me atë që shumica e të tjerëve e kërkojnë në droga të ndryshme, e cila në realitet është e përkohshme", ka thënë Peci.

Për më shumë shikoni episodin e plotë të podcastit "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Fitnesi si terapi për ankthin dhe depresionin – Arbër Peci në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

16 September 2025 at 17:00


Në episodin e radhës të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, i ftuar ishte trajneri i fitnesit, Arbër Peci, i cili ndau me publikun një perspektivë mbi rolin që luan aktiviteti fizik në përballjen me ankthin dhe depresionin.

Sipas Pecit, fitnesi nuk është vetëm për të formësuar trupin, por ka ndikim të thellë në mirëqenien mendore dhe emocionale të individit.

Ai shpjegoi se gjatë ushtrimeve fizike, trupi prodhon hormone të lumturisë, si endorfina dhe serotonina që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes shpirtërore.

- YouTube www.youtube.com

“Aktiviteti fizik nuk është si e shohin shumica, vetëm për me formëzu trupin. Ai ka ndikime të mëdha në shpirt, sepse gjatë ushtrimeve trupi prodhon hormone që krijojnë ndjenjë kënaqësie dhe lumturie. Kjo ndjenjë është natyrale dhe shumë më e fuqishme sesa ajo që vjen nga substancat e dëmshme si droga”, tha Peci.

Ai e krahasoi ndjesinë pozitive që përjeton trupi gjatë dhe pas aktivitetit fizik me efektet afatshkurtra që japin drogat, duke theksuar se kënaqësia që vjen nga fitnesi është më e pastër, më e qëndrueshme dhe pa pasoja negative.

Peci u shpreh se ndjenja e përkatësisë dhe inkurajimi nga të tjerët është një faktor kyç në ruajtjen e motivimit dhe vetëbesimit.

Gjatë podcastit, trajneri dha edhe këshilla praktike për ushqyerjen e shëndetshme, rëndësinë e gjumit të rregullt dhe lidhjen e tyre të ngushtë me shëndetin mendor.

Ai ndau edhe histori të vërteta të personave që kanë përmirësuar gjendjen e tyre psikologjike përmes një jete aktive dhe të disiplinuar. /Telegrafi/

"Vajza duke mbajtur barkun e nënës", Shpend Haxhibeqiri tregon një nga rastet me të tronditëse që ka trajtuar në karrierë

13 September 2025 at 09:56


Në podcastin “Shëndeti në Rend të Parë”, mbështetur nga United Hospital, Shpend Haxhibeqiri, specialist i psikiatrisë forenzike, rrëfeu një nga rastet më të vështira që ka trajtuar në karrierë.

Rasti ka ndodhur në Prizren, ku një grua humbi jetën pasi burri i saj e theri 12 herë — duke lënë pas një skenë të tmerrshme.

Sipas tij, ajo që e bën situatën edhe më të dhimbshme është përfshirja e vajzës së çiftit.

Haxhibeqiri tha se kur vajza ndërhyri duke e mbajtur barkun e nënës së vet, babai e therë edhe vajzën në dorë — pikërisht mbi barkun e nënës.



Ai pranoi se edhe pse kishte ndjesinë e neverisë ndaj veprimeve, detyra profesionale e detyronte të qëndronte larg paragjykimeve dhe të kryente ekspertizën me objektivitet të plotë.

“Ka ndodhur në Prizren, ku ka vdekur një grua pasi e ka vrarë burri i saj diku pas 12 ose 147 therjeve...për mu çka ka qenë tragjike që vajza ka ndërhyrë në skenën e krimit. Duke e mbajtur barkun e nënës së vet, e babai i saj në këtë rast e ka therë edhe vajzën në dorë mbi barkun e nënës. Ai për mua ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për ta akceptuar dhe për të biseduar me palën pa marrë parasysh që ai ishte një alkoolist kronikë, pasi kur ndërhyn fëmiu ose kur hyn personi i tretë në rast ish dasht të ndalet, e gjitha ajo sasi e gjakut pas 12 therjeve, për mu ka qenë jashtëzakonisht e vështirë...e kam pas për detyrë të bashkëbisedoj me të, kam pas neveri ndaj veprimeve që i ka ndërmarrë...pa marrë parasysh ne e kemi kryer edhe këtë ekspertizë pa ndonjë telashe...", tha Haxhibeqiri.

- YouTube www.youtube.com

Ekzaminimi psikiatrik i Naim Murselit – flet Shpend Haxhibeqiri

12 September 2025 at 10:10


Specialisti i psikiatrisë forenzike, Shpend Haxhibeqiri, gjatë podacstit "Shëndeti në rend të parë" e mbështetur nga United Hospital ka treguar për mënyrën se si u zhvillua ekspertiza psikiatrike ndaj Naim Murselit – i dyshuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Murseli.

Haxhibeqiri u shpreh se vlerësimi ndaj Murselit ishte një proces kompleks, për të cilin ekipi ka punuar me kujdes maksimal brenda kufijve ligjorë të afateve kohore.



“Armiku jonë më i madh është koha, kemi tentua brenda dy jave me m'shel vlerësimin për të njëjtin, por na është dukur që i njëjti ka diçka për të thënë dhe i kemi pritur momentet se sa është i interesuar që të bashkëpunoj, të bashkëbisedoj me ne dhe të njëjtit i kemi bërë kërkesë gjykatës që para afatit ligjorë që ta na jep një shtytje edhe për dy javë. E kemi shty edhe për dy javë dhe brenda afatit ligjor e kemi përfundu ekspertizën tonë”, tha ai.

Sipas tij, për shkak të natyrës së ndjeshme të rastit dhe presionit mediatik, u vendos që ekzaminimet të mos zhvilloheshin gjatë natës, siç është diskutuar fillimisht, për të shmangur interpretimet e gabuara nga publiku apo media.

“Kemi qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm por disa gjëra nuk mundeni me i kontrollu. Ne kemi bisedu ‘a e çojmë natën me i bë ekzaminimet’, por për arsye se një medium i caktuar, tentojnë të na njollosin kemi thënë ‘nëse e çojmë natën’, thonë ‘pse po e çoni natën e krejt i keni çu ditën’, edhe e kemi çu në pikë të ditës në orën 10:00, dikush e ka fotografua e u bë kiamet. Ai ishte për ne pacient si secili tjetër”, ka thënë Haxhibeqiri.

Sipas Haxhibeqirit, publikimi i parakohshëm i ekspertizës ishte i papërshtatshëm edhe për shkak të gjendjes së pacientit, pasi sipas tij, marrëdhënia mes pacientit dhe psikiatrit është shumë e ndjeshme në kontekstin forenzik.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

"74 therje", dëshmia që erdhi pas 72 ditësh heshtje – rrëfimi i psikiatrit Shpend Haxhibeqiri për një rast tronditës

11 September 2025 at 16:01



Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, psikiatri forenzik Shpend Haxhibeqiri ndau me publikun një nga rastet më komplekse dhe të ndjeshme që ka trajtuar gjatë karrierës së tij.

Bëhet fjalë për një pacient të nacionalitetit serb, i cili ishte i dyshuar për një vrasje brutale me 74 therje, por që nuk kishte pranuar të fliste për krimin për 72 ditë me radhë.



“Rasti ka ndodhur në vitin 2016. Fillimisht ishte kryer një ekspertizë nga kolegët, por gjyqtari i çështjes, Burim Ademi, kishte kërkuar një super-ekspertizë me 37 pyetje të detajuara. Njëra prej tyre ishte: ‘Sa kanë qenë dhimbjet shpirtërore të viktimës deri në momentin e vdekjes? Pasi viktima kishte pësuar 74 therje”, tha Haxhibeqiri.

Ai shpjegoi se pacienti, në momentin e pranimit kishte inskenuar një lëndim të lehtë duke pretenduar se ishte therur nga e dashura.

Por gjatë qëndrimit të tij në institut për 70 ditë, Haxhibeqiri tha se pacienti nuk kishte treguar asnjë detaj mbi ngjarjen, pavarësisht se nuk po i jepej asnjë terapi.

“Në çdo pyetje, përgjigja e tij ishte: ‘Nuk më kujtohet’. Situata filloi të sqarohej kur morëm ndihmë nga një mjek i mjekësisë ligjore, i cili na ndihmoi të kuptojmë më mirë se si kishte ndodhur krimi”, shpjegoi doktori.

Momenti kyç ndodhi në ditën e 72-të, kur ekipi mjekësor vendosi të përballej drejtpërdrejt me pacientin, në një përpjekje të fundit për të arritur në një rrëfim të sinqertë.

“I thamë: ‘Nuk na intereson çka thotë gjykata, neve na intereson shpirti yt me u qetësu’. Pas një bisede të gjatë dhe të ndjeshme, në ditën e 74-të ai pranoi të fliste për herë të parë”.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Shpend Haxhibeqiri: Jo çdo krim kryhet nga persona me çrregullime mendore

11 September 2025 at 14:57



Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialisti i Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, ka hedhur dritë mbi keqkuptimet e zakonshme që lidhen me pacientët që trajtohen në psikiatri forenzike dhe lidhjen e tyre me kriminalitetin.

Sipas Haxhibeqirit, ekziston një perceptim i gabuar në publik që personat që kryejnë vepra penale dhe më pas përfundojnë në institucione të shëndetit mendor janë automatikisht të rrezikshëm apo të sëmurë mendorë.



Ai thekson se realiteti është shumë më kompleks.

“Shpesh thonë për pacientët tonë këta janë të rrezikshëm, por jo nuk është e vërtetë. Pacientët tanë në momentin e kryerjes së veprës ka pas shumë faktorë të cilët kanë ndikuar në kryerjen e veprës, por ne kemi shumë pacientë të tjerë të cilëve iu është kryer ekspertiza dhe nuk kanë pas asnjë diagnozë, asnjë çrregullim, Pra nuk do të thotë çdo herë që ai që ka kryer krimin është person i sëmurë”, ka thënë ai.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:

- YouTube www.youtube.com

Antibiotikët shpëtimtarë dhe rrezik i heshtur, mjeku familjar tregon pse me raste preferohet të pritet 48 orë

30 August 2025 at 17:30

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, mysafir ishte specialisti i mjekësisë familjare, Nexhbedin Sadiki.

Ai foli edhe për rëndësinë e antibiotikëve, por edhe për rreziqet e mëdha që vijnë nga përdorimi i tyre i pakontrolluar.

Doktori e quajti zbulimin e antibiotikëve një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, që ka shpëtuar miliarda jetë në më shumë se një shekull.

Por, nga ana tjetër, ai paralajmëroi se keqpërdorimi i tyre po krijon sëmundje të reja dhe rezistencë, duke e bërë trajtimin e infeksioneve gjithnjë e më të vështirë.

Sadiki tregoi se praktika më e shëndetshme është që, në rastet e infeksioneve të lehta, të pritet të paktën 48 orë për të parë nëse organizmi e lufton vetë sëmundjen, përpara se të jepen antibiotikë.

“Nëse japim antibiotikë pa pasur nevojë, futemi në një rreth vicioz ku çdo herë duhet të përdorim barna më të forta, deri në pikën kur nuk kemi më çfarë të ofrojmë”, theksoi ai.

Sipas tij, antibiotikët duhet të përdoren vetëm kur janë të domosdoshëm dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e mjekut.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e laboratorëve dhe analizave të shpejta, që ndihmojnë mjekun të marrë vendimin e duhur për trajtimin.

Për më shumë ndiqni podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

 

The post Antibiotikët shpëtimtarë dhe rrezik i heshtur, mjeku familjar tregon pse me raste preferohet të pritet 48 orë appeared first on Telegrafi.

Rëndësia e kontrolleve shëndetësore, mjeku Sadiki: Të paktën çdo gjashtë muaj, është njësoj sikur veturën që e çoni në servis

27 August 2025 at 12:47

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, mjeku familjar Nexhbedin Sadiki ka folur për ndikimin e mënyrës së jetesës moderne në shëndetin afatgjatë, duke u ndalur veçanërisht te përdorimi i tepruar i teknologjisë dhe mungesa e kontrolleve të rregullta shëndetësore.

“Mos harroni, shumica janë orëtar sot. Shumica jemi me telefon në dorë, hapësira e shikimit nuk është më e madhe se ajo e një ore. Të gjithë janë të fokusuar në shkronja të vogla, dhe mos u çudisni që 20 ose 30 vjet më vonë, ata që sot janë 15, 16 apo 20 vjeç, në moshën 40-45 do të përballen me tension të lartë, ashtu si njëri nga pacientët e mi sot”, theksoi Sadiki.

Ai tregoi një shembull konkret nga përvoja e tij me pacientë që nuk kanë bërë vizita të rregullta mjekësore.

“Pacienti erdhi me tension 160 me 70, ndoshta edhe 100. Por ai tensionin e kishte edhe vitin e kaluar – vetëm se nuk kishte ardhur për vizitë. Nuk kishte qenë as te ndonjë mjek tjetër para meje”.

Mjeku Sadiki apeloi që të paktën çdo gjashtë muaj të bëhen kontrolle shëndetësore bazike.

“Është njësoj sikur veturën që e çoni në servis çdo gjashtë muaj – edhe trupi ka nevojë për kontroll dhe mirëmbajtje”.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:

 

The post Rëndësia e kontrolleve shëndetësore, mjeku Sadiki: Të paktën çdo gjashtë muaj, është njësoj sikur veturën që e çoni në servis appeared first on Telegrafi.

“Nga lindja deri në pleqëri – mjeku i familjes, njeriu që ju ndjek gjithë jetën”, flet doktor Nexhbedin Sadiki

25 August 2025 at 10:59

Në episodin e radhës të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, specialisti i mjekësisë familjare, Nexhbedin Sadiki, ndau përvojat dhe mendimet e tij rreth rolit të rëndësishëm që luan mjeku i familjes në sistemin shëndetësor dhe në jetën e përditshme të pacientëve.

Sadiki e përshkroi mjekun e familjes si figurë kyçe që qëndron në vijën e parë të kujdesit shëndetësor, duke trajtuar një spektër të gjerë problemesh – që nga sëmundjet akute të përditshme, tek menaxhimi i gjendjeve kronike e komplekse.

Ai theksoi se ndryshe nga specialistët që fokusohen në një fushë të ngushtë, mjeku i familjes ndjek pacientin në të gjitha etapat e jetës së tij dhe e njeh atë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Njohja afatgjatë me pacientin na ndihmon të marrim vendime më të mira, më të personalizuara. Po ashtu, krijohet një besim që është i pazëvendësueshëm në kujdesin shëndetësor”, tha Sadiki.

Ai ndau një shembull kuptimplotë të përfshirjes së mjekut të familjes në ciklin jetësor të pacientit: “Mjeku familjar ju përcjell para se të vendosni që të lindni. Dy të rinj vijnë për këshilla, bëjnë analizat, kontrollojnë për sëmundje të trashëguara, planifikojnë shtatzëninë në mënyrë të sigurt. Pastaj lind fëmija, dhe pas kontrolleve fillestare në maternitet, ai ndiqet nga mjeku i familjes. Në librezën e fëmijës shënohet emri i mjekut familjar, i cili do ta përcjellë gjatë gjithë rritjes së tij”.

Për të qenë një mjek familjar i mirë, sipas Sadikit, kërkohen tre cilësi bazë: koncentrim, kohë dhe durim.

Ai thekson se vetëm përmes këtyre aftësive mund të ndërtohet një marrëdhënie e qëndrueshme me pacientët dhe të ofrohet kujdes cilësor, i personalizuar dhe afatgjatë.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:

 

The post “Nga lindja deri në pleqëri – mjeku i familjes, njeriu që ju ndjek gjithë jetën”, flet doktor Nexhbedin Sadiki appeared first on Telegrafi.

Kujdesi i dhëmbëve të përhershëm nis në moshën 6-vjeçare – stomatologia Albanë Krasniqi apelon prindërit për vëmendje

23 August 2025 at 15:03

Stomatologia Albanë Krasniqi, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i cili është i mbështetur nga United Hospital ka dhënë një mesazh të qartë dhe të rëndësishëm për të gjithë prindërit: kujdesi ndaj dhëmbëve të përhershëm duhet të fillojë që në moshën 6-vjeçare.

Krasniqi theksoi rëndësinë e vëzhgimit të dhëmbëve të fundit, të njohur në terminologjinë stomatologjike si “6-shat”, të cilët janë dhëmballët e parë të përhershëm që shfaqen në gojën e fëmijëve.

“I apeloj prindërit që në moshën 6-vjeçare t’i shikojnë gjithmonë dhëmbët e fundit, pasi dhëmballat dalin ndër dhëmbët e parë në harkun e dhëmbëve, përveç dhëmbëve përpara që dalin të përhershëm”, u shpreh Krasniqi.

Sipas saj, shumë prindër gabimisht i ngatërrojnë këta dhëmbë me dhëmbët e qumështit dhe nuk e kuptojnë se ato janë dhëmbë të përhershëm, të cilët duhet të mbrohen me kujdes të veçantë që nga dalja e tyre.

“Kemi shumë raste, siç njihet në stomatologji, të ‘6-shit’ i cili e ka filluar daljen e tij në moshën 6-vjeçare, ose 6 vjet e gjysmë, ndonjëherë edhe më herët. Prindërit duhet që të kujdesen që fëmijët t’i mbrojnë këta dhëmbë me masa preventive duke bërë pastrimin e tyre rregullisht”, shtoi ajo.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”: 

 

 

The post Kujdesi i dhëmbëve të përhershëm nis në moshën 6-vjeçare – stomatologia Albanë Krasniqi apelon prindërit për vëmendje appeared first on Telegrafi.

❌
❌