Fondacioni Frutex & Golden Eagle ka njoftuar se ditëve të fundit janë raportuar disa raste shqetësuese, ku persona të panjohur janë paraqitur në mënyrë të rreme në emër të fondacionit dhe në emër të pronarit të kompanisë Frutex LLC, z. Shaqir Palushi.
Sipas informatave të deritanishme, këta persona kanë kontaktuar organizata dhe individë të ndryshëm, duke ofruar kinse ndihma humanitare, të cilat janë kushtëzuar me pagesë paraprake.
Fondacioni thekson se këto veprime nuk kanë asnjë lidhje me Frutex & Golden Eagle dhe se bëhet fjalë për tentativa mashtrimi.
Raportohet se kontaktimet janë bërë përmes këtyre numrave të telefonit:
+381 62 9247041
+381 61 1553871
Fondacioni Frutex & Golden Eagle distancohet plotësisht nga këto veprime dhe u bën thirrje qytetarëve, organizatave dhe institucioneve që të tregojnë kujdes, të mos kryejnë asnjë pagesë dhe të raportojnë rastet e tilla tek organet kompetente.
Po ashtu, fondacioni kërkon nga mediat që ky paralajmërim të publikohet dhe të shpërndahet edhe në rrjetet sociale, me qëllim të informimit sa më të gjerë të publikut dhe parandalimit të rasteve të ngjashme në të ardhmen.
“Serbofob”, “persekutim i serbëve”, “kriminelët shqiptarë” e të tjera, janë disa nga shprehjet që paraqiten në shkrime ku përmendet Kosova në disa nga mediat dhe kanalet në rrjete sociale që shpërndajnë narrativët rusë online, në prag të zgjedhjeve në Kosovë.
Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, disa media dhe kanale në rrjete sociale me përmbajtje proruse janë mbushur me mesazhe që e përshkruajnë Kosovën si vend të korruptuar, të dirigjuar nga Perëndimi dhe armiqësor ndaj serbëve.
Thuajse në të gjitha postimet ku përmendet Kosova, shtetësia e saj mohohet: emrit të saj i vihen thonjëzat, apo quhet “kuazi-shtet” e “shtet i ashtuquajtur”.
Në artikuj e shkrime të publikuara nga fillimi i dhjetorit, u jepet zë thirrjeve ndaj serbëve të Kosovës që si alternativë të vetme politike ta shohin Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në vend, me lidhje të dëshmuara me Beogradin.
Përveç mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe RT, tituj e postime në lidhje me Kosovën, dhe në veçanti me zgjedhjet e fundvitit, janë shpërndarë edhe në kanalet proruse në platformën sociale Telegram.
Sipas ekspertëve, shumë prej këtyre kanaleve shpërndajnë dhe zmadhojnë narrativët, duke ”ndikuar sidomos te elektorati serb në veri të Kosovës”.
Dezinformimi apo përmbajtja manipuluese, sipas tyre, bëhet edhe më e rrezikshme me përfshirjen e inteligjencës artificiale.
Çfarë u tha për Kosovën?
Radio Evropa e Lirë ka përcjellë dhe ka analizuar përmbajtjet në lidhje me Kosovën dhe me zgjedhjet në disa media ruse, si Sputnik e RT, por edhe në kanale pro-Kremlinit në Telegram, si “Balkanar” dhe “Për Serbinë në rusisht”.
Më 21 dhjetor 2025, kanali “Balkanar” publikoi një shkrim, ku thuhej se “nëse demokracia matet me numrin e kriminelëve në fletëvotime, atëherë sistemi politik i Kosovës shfaqet si lider evropian”.
Shkrimi i referohej një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), sipas të cilit 28 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në vepra penale.
Megjithatë, shkrimi nuk paraqiti ndonjë analizë krahasuese me shtetet e Evropës, por tha se raporti ka treguar “fytyrën e vërtetë të demokracisë më të re në Evropë”.Një ditë më herët, më 20 dhjetor, i njëjti kanal shkroi se “Dialogu me serbët ka përfunduar - Çështja e Kosovës tani zgjidhet me buxhetin amerikan për mbrojtje”.
Shkrimi kritikoi administratën amerikane që ka kërkuar, në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar në dhjetor, zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, në shkurt të vitit 2023.
Autoritetet amerikane po e transformojnë çështjen e sovranitetit të Serbisë nga një çështje negociatash, në një ligj të detyrueshëm për të gjithë politikën e jashtme amerikane”, u tha në postim.
Postimi në kanalin “Balkanar” më 20.12.2025
Ndërkaq, më 19 dhjetor, një postim tjetër tha se “Në ‘Kosovë’, autoritetet treguan se marrëdhëniet me publikun janë më të rëndësishme për to sesa veprimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftimin e shkeljes së të drejtave të serbëve”, pa paraqitur ndonjë provë lidhur me këto pretendime.
Postimi iu referua hapjes së një ure të re për këmbësorë që lidh Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.
Kanali “Balkanar” është i lidhur me rrjetin e njohur propagandistik rus “Pravda”, i cili, veç tjerash, poston përmbajtje edhe në gjuhën shqipe.
Postimi në portalin Pravda në shqip më 26.12.2026
Sipas një raporti të publikuar në qershor nga platforma e verifikimit të fakteve Hibrid.info, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë edhe për audiencën shqipfolëse, përmes faqeve të ndryshme në internet, “të maskuara si portale informative”.
Në një postim të datës 26 dhjetor, portali Pravda në gjuhën shqipe e quajti kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, “serbofob” i cili “bën mashtrime antiserbe”.
“Të gjitha 10 mandatet”: Fushata politike e Listës Serbe e shtyrë nga RT e Sputnik
Ndërkohë, në vijën editoriale të mediave ruse në gjuhën serbe dhe të mediave serbe pro-Kremlinit, Lista Serbe shfaqet si instrument i “unitetit” dhe si opsion i vetëm “i sigurt” për votën serbe.
Më 23 dhjetor 2025, RT publikoi shkrimin me titullin: “Gjuriq: Serbët duhet të votojnë… është e rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të gjitha 10 mandatet”.
Postimi në Russia Today, më 23 dhjetor 2025.
E njëjta thirrje u pasqyrua edhe nga Sputnik, ndërsa në të njëjtin cikël raportimesh, kjo media shtetërore ruse publikoi edhe lajme për fushatën në terren të Listës Serbe.
Në asnjërin nga lajmet e publikuara nga këto media ruse nuk përmenden parti të tjera garuese në zgjedhje, shqiptare apo serbe.
Përveç Listës Serbe, subjektet tjera politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Aleanca Kosovare, parti e formuar në qershor të këtij viti me mbështetjen e deputetit në Kuvendin e Serbisë, Zharko Ristiq.Kuvendi i Kosovës ka 120 vende, prej të cilave 10 janë të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.
Të 10 mandatet tradicionalisht janë fituar nga Lista Serbe, përveç në zgjedhjet e fundit, në shkurt të këtij viti, kur një vend e fitoi politikani Nenad Rashiq.
Zyrtarë të Listës Serbe, në deklarime publike, e kanë quajtur Rashiqin “një serb të përshtatshëm për Prishtinën” dhe që “nuk përfaqëson serbët”.
Këto deklarata u postuan edhe në kanalet ruse, në javën e fundit para zgjedhjeve.
Postimi i portalit Sputnik më 21.12.2025
Kanalet që shërbejnë si “shumëzues narrativësh”
Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thotë për Radion Evropa e Lirë se mediat si RT Balkan dhe Sputnik Srbija, në rastin e Kosovës “nuk janë aq burim primar informacioni, sa janë ‘shumëzues narrativësh’”, sepse përmbajtjet e tyre riprodhohen nga tabloidët apo portalet në Serbi, dhe pastaj “depërtojnë e qarkullojnë në veri të Kosovës dhe në mediat lokale”.
Sipas saj, në momente të ndjeshme si zgjedhjet, këto media e kornizojnë situatën përmes dy boshtesh: “viktimizimi i komunitetit serb në Kosovë” dhe “armiqësimi i Perëndimit (BE/NATO)”, narrativë që, thotë ajo, më pas “përvetësohen nga aktorë lokalë… ‘influencerë’” e të tjerë.
Loshaj paralajmëron se ndikimi nga shpërndarja e narrativit rus “nuk është linear… por potencialisht kumulativ”, sepse narrativët synojnë të mbivendosen mbi “pakënaqësitë ekzistuese, ndjenjën e diskriminimit, frikës dhe mosbesimit”.
Ajo shton se, gjatë periudhave zgjedhore, këto rrëfime shndërrohen në instrument politik, duke synuar “të delegjitimojnë proceset demokratike, dhe të ulin besimin në institucionet zgjedhore e në partnerët ndërkombëtarë”.
“Propaganda si ushqim për inteligjencën artificiale”
Abit Hoxha, profesor asistent në Universitetin e Agderit dhe në Universitetin e Stavangerit në Norvegji, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë nga rrjetet që shpërndajnë dezinformata apo përmbajtje manipuluese nuk kanë patjetër shënjestër lexuesin njeri.
“Karakteristikë e Pravda-s është që nuk është rrjet, nuk është lëvizje. Është njëfarë organizimi, sipas të gjitha gjasave prej disa personave të mençur, që e kanë gjetur një 'loop hole' (një vrimë) në sistem, dhe nuk janë direkt të përfshirë në dezinformata, sikur, për shembull, Sputnik-u”, shprehet Hoxha.
Sipas profesorit që merret me studimin e medias, demokracisë dhe së fundmi ndikimin e inteligjencës artificiale në shoqëri, rrjete të tilla “po japin materiale për ushqimin e inteligjencës artificiale”.
Në anën tjetër, studiuesja Loshaj thotë se teknologjitë e reja, veçanërisht inteligjenca artificiale, e rrisin ritmin dhe shtrirjen e dezinformimit.
“[Ato mundësojnë] prodhimin masiv dhe të shpejtë të përmbajtjeve të sinkronizuara në gjuhë lokale, imitimin e stilit vendor për rritje të besueshmërisë, krijimin e ‘deepfake’-ve audio e video, dhe automatizimin e rrjeteve të llogarive false, që simulojnë mbështetje artificiale publike, sidomos në periudha zgjedhore”, thotë ajo.Mediat ruse, si RT dhe Sputnik, janë të sanksionuara në Kosovë, në bazë të sanksioneve amerikane dhe evropiane që iu vunë Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022.
Megjithatë, qasja e tyre online nuk ka mundur të bllokohet tërësisht.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë janë të detyruar t’i bllokojnë faqet e internetit të mediave ruse, në përputhje me sanksionet, por se “për shkak të natyrës dinamike të internetit, disponueshmëria e këtyre ueb-faqeve mund të ndryshojë”./Radio Evropa e Lirë/
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar me fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës.
“Gjatë kësaj fushate kam takuar mijëra qytetarë. Kam pasur biseda të këndshme, por edhe të rënda. Megjithatë, një takim nuk do ta harroj kurrë. Një pensionist më tha: “Unë nuk kërkoj luks. Dua vetëm të mos detyrohem që të zgjedh mes ilaçeve dhe ushqimit”. Ky nuk është rasti i vetëm që e kam dëgjuar në këto takime. Sepse, kjo është përditshmëria e shumë familjeve në Kosovë. Frikë nga e tashmja dhe nga e ardhmja. Unë e di çfarë do të thotë ta presësh fundin e muajit. E di çfarë do të thotë t’i numërosh shpenzimet. Të mendosh për faturat, për ushqimin, për shkollën e fëmijëve. Dhe pikërisht për këtë arsye unë dhe Partia Demokratike e Kosovës po e kërkojmë besimin tuaj, votën tuaj. Sepse, ju kuptojmë dhe kemi përgjigje për ju, kemi zgjidhje për ju. Ne nuk premtojmë mrekulli. Por premtojmë vendime të drejta dhe të ndjeshme në xhepin e qytetarit”, ka thënë Hamza.
Ai ka premtuar rritje 50% të pagave, që puna të shpërblehet me dinjitet. Rritje 50% e pensioneve dhe ndihmave sociale, sepse, siç ka thënë Hamza, askush nuk duhet të jetojë në pasiguri.
Hamza ka thënë se pensioni më i ulët do të jetë 250 euro.
“0% TVSH për produktet esenciale, që shporta e familjes të jetë më e përballueshme. 0% TVSH për energjinë elektrike, që fatura të mos jetë barrë. Ulje të tatimit në të ardhura, që më shumë para të mbeten tek ju. Këto janë vendime që ua ndryshojnë jetën. Por, këto ndodhin vetëm nëse ju dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Në prag të përmbylljes së fushatës zyrtare zgjedhore, Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar një vlerësim analitik me gjetjet kryesore nga vëzhgimi i fushatës, me qëllim ofrimin e një pasqyre reale mbi zhvillimet në terren, mesazhet e komunikuara dhe nivelin e gjithëpërfshirjes së procesit për qytetarët.
Drejtuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu, ka deklaruar se fushata zgjedhore, në përgjithësi, është zhvilluar në një ambient të qetë dhe pa incidente serioze të sigurisë. Sipas tij, ka pasur konkurrencë aktive politike, aktivitete të rregullta dhe pjesëmarrje qytetare në të gjithë vendin, por vëzhgimi ka evidentuar edhe disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës.
Sipas DnV-së, gjatë fushatës është shënuar nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar. Pjesëmarrja ka luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizimit, nga qindra deri në mbi një mijë pjesëmarrës. Aktivitetet kanë qenë kryesisht të kombinuara, me pjesëmarrje të mesme dhe të gjerë në prezantimet e listave, të zhvilluara kryesisht në ambiente të mbyllura. Vëzhgimi ka treguar përqendrim të aktiviteteve në qendrat urbane dhe komunat me peshë më të madhe elektorale, ndërsa komunat më të vogla kanë qenë më pak të ekspozuara.
Kryeziu ka theksuar se fushata ka qenë e përqendruar tek liderët partiakë dhe kandidatët për kryeministër, ndërsa kandidatët për deputetë kanë pasur rol dytësor. Sipas tij, personalizimi dhe centralizimi i fushatës ka kufizuar paraqitjen programore të kandidatëve, me takime pa praninë e liderëve që kanë qenë kryesisht të vogla.
Sa i përket përfaqësimit dhe gjithëpërfshirjes, Kryeziu ka vlerësuar se këto mbeten sfida serioze. Gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara si folëse, mesatarisht vetëm një në pesë, ndërsa në shumë aktivitete nuk ka pasur asnjë grua folëse. Në listat zgjedhore, përfaqësimi i grave ka mbetur kryesisht në nivelin minimal ligjor prej 30%, duke reflektuar përmbushje formale të kërkesave ligjore, por jo domosdoshmërisht angazhim politik për fuqizimin e tyre. Të rinjtë, ndonëse aktivë në mobilizim dhe logjistikë, kanë pasur hapësirë të kufizuar në role vendimmarrëse, ndërsa personat me aftësi të kufizuara kanë qenë pothuajse të padukshëm si në audiencë ashtu edhe në përfaqësim.
Sipas Kryeziut, diskursi politik gjatë fushatës është përqendruar kryesisht në çështje ekonomike, sociale dhe të sigurisë, me theks në punësim, paga, mirëqenie sociale, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe anëtarësim në NATO. Çështja e rritjes së pagave dhe fuqizimi i skemave sociale ka dominuar mesazhet e pothuajse të gjitha subjekteve politike, pavarësisht profileve ideologjike.
Sa i përket tonit dhe gjuhës së fushatës, Kryeziu ka bërë të ditur se ajo ka variuar nga pozitive dhe motivuese deri te kritikuese dhe polarizuese, ndërsa përdorimi i gjuhës fyese dhe diskriminuese ka qenë dukshëm më i ulët, me përjashtim të disa rasteve të izoluara, kryesisht nga akterë jashtë garës direkte zgjedhore.
DnV ka vlerësuar se përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale ka rritur edhe rrezikun për dezinformim. Sipas Kryeziut, komunikimi politik është zhvilluar kryesisht përmes takimeve direkte, rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale, duke rritur shtrirjen dhe ndërveprimin me qytetarët, por njëkohësisht duke sjellë sfida si thjeshtimi i diskursit politik dhe reduktimi i debatit substancial.
Një shqetësim i veçantë, sipas DnV-së, mbetet pabarazia e garës. Kryeziu ka thënë se edhe gjatë kësaj fushate ka pasur ndërhyrje dhe cenim të integritetit zgjedhor përmes shfrytëzimit të resurseve publike për përfitime elektorale, duke përmendur si shembull vendimin e Qeverisë për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët disa ditë para zgjedhjeve, të cilin e ka cilësuar si rast klasik të shfrytëzimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
Sa i përket administrimit zgjedhor, Kryeziu ka vlerësuar se puna e trupave menaxhuese ka qenë përgjithësisht e rregullt dhe më transparente, ndonëse me raste tensionimi në mbledhjet e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), veçanërisht lidhur me votimin jashtë vendit dhe akreditimin e vëzhguesve. Ndërkohë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pasur rol kyç në ruajtjen e integritetit të procesit, duke trajtuar ankesat me paanshmëri dhe profesionalizëm. Deri më tani janë dorëzuar 20 ankesa, prej të cilave janë marrë 7 vendime: 4 dënuese dhe 3 refuzuese.
Pas paralajmërimeve për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve, DnV ka bërë thirrje që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat për të mos cenuar integritetin e procesit. Në Ditën e Zgjedhjeve, DnV do të angazhojë rreth 600 vëzhgues dhe do të informojë publikun për gjetjet nga terreni përmes katër konferencave për media. Zgjedhjet do të vëzhgohen sipas metodës PVT, e bazuar në parime statistikore, që mundëson vlerësimin e procesit të votimit dhe numërimit në një mostër përfaqësuese në nivel vendi.
Bedri Hamza në tubimin përmbyllës ka thënë se Kosova ka kaluar shumë. Por, sipas tij, gjithmonë kemi ditur të bëhemi bashkë kur ka qenë më së vështiri.
“Sot, sfida jonë nuk është më mbijetesa, por drejtimi. Drejtimi kah do të shkojmë si shtet, si shoqëri. E para që duhet të bëjmë është ta themi edhe një herë se pa unitet nuk ka stabilitet. E pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë. Ndërsa, pa qeverisje të mirë, nuk ka paga më të larta, as çmime më të ulëta, as siguri për familjet tona. Prandaj këto zgjedhje duhet t’i shërbejnë bashkimit tonë rreth një qëllimi të përbashkët: një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se ky bashkim fillon me një hap të thjeshtë: të dielën, dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës.
Hamza ka thënë se në këto zgjedhje, secila votë ka peshë.
“Çdo dalje në votim është një vendim për të ardhmen e familjes suaj. Për fëmijët tuaj. Për prindërit tuaj. Për Kosovën që duam”, ka thënë ai.
Në një kohë kur politika shpesh prodhon figura të shkëputura nga realiteti i përditshëm, profili i Jeta Dida Bujarit theksohet për një arsye thelbësore: ajo vjen nga arsimi.
Jo vetëm si profesion, por si trashëgimi familjare, si kulturë pune dhe si përgjegjësi e trashëguar brez pas brezi.
Jeta Dida Bujari është brezi i tretë i mësimdhënësve në familjen e saj.
Ky fakt nuk është thjesht fakt biografik e trivial, por nënvizon bazën mbi të cilën është ndërtuar formimi i saj profesional, etik dhe publik. Në familjen Dida, arsimi nuk ka qenë kurrë vetëm punë, por mision.
Gjyshi i saj, Sedat Dida, dhe gjyshja Nadire Dida ishin pedagogë që kontribuuan në edukimin e brezave të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Në një periudhë të vështirë historike, arsimi ishte mjet mbijetese dhe ndërtimi shoqëror.
Babai i saj, profesor Agron S. Dida, është një nga emrat më të respektuar të Fakultetit Elektroteknik, i njohur për përkushtimin akademik dhe ndikimin në formimin e shumë inxhinierëve në Kosovë.
Nëna e saj, Kimete Dida, me më shumë se 45 vjet përvojë si mësimdhënëse dhe drejtoreshë në shkollat e Prishtinës, ka edukuar gjenerata nxënësish dhe ka kontribuar edhe përmes teksteve mësimore që janë përdorur gjerësisht në sistemin arsimor.
Në këtë ambient u formua edhe Jeta Dida Bujari. Arsimi për të nuk ishte zgjedhje rastësore, por vazhdimësi e natyrshme.
Si pianiste dhe pedagoge, ajo ka punuar drejtpërdrejt me të rinjtë, duke i formuar jo vetëm profesionalisht, por edhe si individë me disiplinë, përgjegjësi dhe ndjeshmëri kulturore.
Pika kulmore e angazhimit të saj profesional është drejtimi i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Gjatë kohës si drejtoreshë, Jeta Dida Bujari ka dëshmuar aftësi të larta menaxheriale dhe organizative.
Ajo ka punuar për përmirësimin e kushteve të punës, ngritjen e standardeve pedagogjike, zgjerimin e bashkëpunimeve institucionale dhe afirmimin e shkollës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Nën udhëheqjen e saj, shkolla është shndërruar në një institucion model, me aktivitete të shumta kulturore, pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare dhe suksese të vazhdueshme të nxënësve.
Ky angazhim nuk ka qenë vetëm administrativ, por thellësisht pedagogjik, i bazuar në njohjen nga brenda të sfidave që përballin nxënësit dhe mësimdhënësit.
Pikërisht kjo përvojë e gjatë dhe e drejtpërdrejtë në arsim e bën Jeta Dida Bujarin një zë të besueshëm në debatin publik për politikat arsimore.
Ajo nuk flet për arsimin nga teoria apo nga distanca institucionale, por nga përvoja e përditshme në klasë, në drejtim dhe në menaxhim.
E renditur sot si kandidatja femër me më së shumti vota në Kosovë dhe ndër 10 kandidatët me numrin më të lartë të votave në nivel qendror, mbështetja që ajo gëzon shihet si reflektim i këtij formimi të qëndrueshëm dhe i një përfaqësimi për të cilin, qytetarët kanë bindje dhe mirënjohje të plotë.
Kandidatura e Jeta Dida Bujarit për Kuvendin e Kosovës nuk është shkëputje nga arsimi, por vazhdimësi e tij në një nivel tjetër.
Ajo synon ta çojë përvojën, dijen dhe etikën e punës nga shkolla në politikë, duke e parë përfaqësimin publik si shërbim, jo si privilegj.
Në një shoqëri që kërkon cilësi, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri, trashëgimia arsimore e Jeta Dida Bujarit nuk është vetëm e kaluar.
Ajo është këmbëngulje për mënyrën se si mund të ndërtohet e ardhmja e shtetit tonë.
Kandidati i Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është digjitale, duke theksuar rolin kyç të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e vendit.
Gjatë një diskutimi të mbajtur sot në DeepSpace Prishtinë, Abdixhiku tha se teknologjia përfaqëson një mundësi reale për Kosovën që të bëjë një kapërcim të madh zhvillimor dhe të zërë hapin me vendet evropiane.
Ai theksoi se në botën digjitale koha përshpejtohet dhe se një brez i ri, i vendosur dhe i pajisur me dije moderne, mund të sjellë ndryshim të madh për vendin. Sipas tij, rinia dhe njohuritë e reja përbëjnë përparësinë më të madhe të Kosovës.
Abdixhiku prezantoi gjithashtu planin e LDK-së për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit, si dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit (ICT), me synim krijimin e vendeve të reja të punës, ndërtimin e një ekonomie moderne dhe funksionalizimin e shtetit në epokën digjitale.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka nisur fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të PDK-së.
“Është kënaqësi që sonte po takohemi edhe një herë. Që po bëhemi bashkë edhe një herë, në fund të kësaj fushate të mrekullueshme. Të kësaj fushate plot entuziazëm dhe energji. Të kësaj fushate plot ide për zhvillim, për punë e angazhim, për të bërë Kosovën vend më të mirë. Një Kosovë çfare e meritojmë të gjithë ne. Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për ta përmbyllur fushatën tonë, por edhe për ta hapur një kapitull të ri për Kosovën. Një kapitull të unitetit. Një kapitull të zhvillimit dhe të dinjitetit. Një kapitull ku secili qytetar ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i sigurt për të ardhmen”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se janë bashkë për tu pajtuar me një vendim të përbashkët për të ardhmen e Kosovës.
“Për një vendim që nuk merret në këtë skenë. Por, merret të dielën. Një vendim që merret nga ju, kur të dilni dhe të votoni për numrin 130. Një vendim për një qeveri që i dëgjon qytetarët dhe punon për ta”, ka thënë ai.
Një delegacion gjashtëanëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i udhëhequr nga Yunus Emre (Turqi, SOC), do të qëndrojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor, për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gjatë vizitës, delegacioni do të zhvillojë takime me liderë dhe përfaqësues të partive kryesore politike, përfshirë edhe partitë që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, si dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryetarin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, njofton Dukagjini.
Po ashtu, janë planifikuar takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe media. Delegacioni do të vëzhgojë procesin e votimit më 28 dhjetor.
Gjatë misionit, delegacioni do të ketë mbështetje ligjore nga një ekspert i Komisionit të Venecias, organi i Këshillit të Evropës që përbëhet nga ekspertë të pavarur juridikë.
A six-member team from PACE, headed by @yunusemrechp, arrives in Kosovo* today as part of the Assembly's observation of the early elections to the Kosovo* Assembly.
Stan by for their preliminary conclusions on Monday afternoon.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar projektligjin e ri, të quajtur “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, me qëllim mbështetjen e demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit.
Dokumenti, i depozituar në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë.
Sipas raportit të Kongresit, korrupsioni, sidomos në nivelet e larta politike, mbetet pengesa kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit.
Në seksionin 5, projektligji parashikon sanksione ndaj individëve dhe subjekteve që kërcënojnë stabilitetin dhe sundimin e ligjit, si dhe raporte të detyrueshme mbi ndikimet malinje të Rusisë dhe Kinës, përfshirë fushata dezinformimi dhe kërcënime kibernetike.
Shqipëria përmendet si një nga vendet që përballet me sfida në prokurimet publike, institucionet e pavarura dhe proceset zgjedhore.
Në seksionin 6, kërkohet krijimi i programeve kombëtare anti-korrupsion në secilin vend të Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i strategjive ekzistuese për të luftuar korrupsionin politik dhe administrativ, duke përfshirë mbikëqyrjen e prokurimeve publike, mbrojtjen e informacionit dhe infrastrukturën kibernetike. Media e pavarur konsiderohet një partner i rëndësishëm në zbardhjen e korrupsionit, dhe për këtë arsye Kongresi nxit trajnimin e gazetarëve investigativë.
Një pjesë e rëndësishme është edhe “Iniciativa e Liderëve të Rinj të Ballkanit” në seksionin 9, e cila synon zhvillimin e liderëve të rinj në biznes, teknologji, qeverisje dhe gazetari. Po ashtu, projektligji promovon programe arsimore dhe shkëmbime me SHBA-në, përfshirë universitetet./Euronews Albania
Sot është duke u zhvilluar procesi i votimit për shtetasit e Kosovës në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit.
Gjatë ditës së sotme, 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht, kanë të drejtë vote në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë për media nga KQZ, nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00, nga gjithsej 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89 për qind, apo 7,079 votues.
Nga këto të dhëna më së shumti votues kanë votuar në Konsullatën e Kosovës në Dyseldorf të Gjermanisë (2,231 votues) e pasur nga Ambasada e Kosovës në Cyrih të Zvicrës (2,114 votues). E treat është Konsullata e Kosovës në Shtutgart ku kanë votuar 1,631 votues.
Sipas njoftimit zyrtar, në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në konsullatën e Kosovës në Stamboll. Ndërkaq, në orën 19:00, qendrat e votimit do të mbyllen në disa shtete evropiane, përfshirë: Gjermaninë, Zvicrën, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.
Votimi në ambasadën e Kosovës në Londër do të përfundojë në orën 20:00, ndërsa në orën 01:00 të ditës pasuese, gjithnjë sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit do të përmbyllet në katër përfaqësi diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada./Telegrafi/
Rriten me 25% çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura për kategorinë e autoveturave, kamionët, kamionçinat dhe furgonët.
Çmimet e referencës përdoren për zhdoganimin e automjeteve të përdorura me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve që përdorin Doganat si: “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., të cilat pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane.
Rritja parashikohet në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, ‘Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore’”, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit, për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë (2,000 euro) në 250 mijë lekë (2,500 euro), duke shënuar një rritje prej 25%.
Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë (3,250 euro) në 406 mijë lekë (4,060 euro), ose rreth 25% më shumë.
Për automjetet me cilindratë nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë (4,000 euro) në 500 mijë lekë (5,000 euro), me një rritje prej 25%.
Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet nga 500 mijë lekë (5,000 euro) në 625 mijë lekë (6,250 euro), që përfaqëson një rritje prej 25%.
Ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë (10,000 euro).
Rritja prej 25% është miratuar edhe për çmimet e referencës për kategorinë e mjeteve si kamionçina, furgonë dhe kamionë.
Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e referencës për zhdoganim rritet nga 400 mijë lekë (4,000 euro) në 500 mijë lekë (5,000 euro), ose 25% më shumë.
Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 600 mijë lekë (6,000 euro) në 750 mijë lekë (7,500 euro), duke shënuar një rritje prej 25%.
Për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës rritet nga 850 mijë lekë (8,500 euro) në 1,062,500 lekë (10,625 euro), ose rreth 25% më shumë.
Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion lekë (10,000 euro) në 1,250,000 lekë (12,500 euro), me një rritje prej 25%.
Për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion lekë (12,000 euro) në 1.5 milion lekë (15,000 euro), duke reflektuar gjithashtu një rritje prej 25%.
Ishte
UDHËZIM Nr. 3, datë 23.1.2018 PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE
Për autoveturat:
Deri 1400 cc: jo më pak se 130,000 lekë (1,300 euro)
Mbi 1400–1900 cc: jo më pak se 200,000 lekë (2,000 euro)
Mbi 1900–2500 cc: jo më pak se 325,000 lekë (3,250 euro)
Mbi 2500–3000 cc: jo më pak se 400,000 lekë (4,000 euro)
Mbi 3000–4500 cc: jo më pak se 500,000 lekë (5,000 euro)
Mbi 4500 cc: jo më pak se 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Kamionçina, furgona dhe kamionë:
Deri në 1.5 tonë: 400,000 lekë (4,000 euro)
1.5–3.5 tonë: 600,000 lekë (6,000 euro)
3.5–10 tonë: 850,000 lekë (8,500 euro)
10–15 tonë: 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Mbi 15 tonë: 1,200,000 lekë (12,000 euro)
Bëhet
UDHËZIMI Nr. 26, datë 17.12.2025 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 3, DATË 23.1.2018, “PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE”
Për autoveturat:
deri në 1400 cc: 162,500 lekë (1,625 euro)
mbi 1400–1900 cc: 250,000 lekë (2,500 euro)
mbi 1900–2500 cc: 406,000 lekë (4,060 euro)
mbi 2500–3000 cc: 500,000 lekë (5,000 euro)
mbi 3000–4500 cc: 625,000 lekë (6,250 euro)
mbi 4500 cc: 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Për kamionçina, furgona dhe kamionë:
deri në 1.5 tonë: 500,000 lekë (5,000 euro)
1.5–3.5 tonë: 750,000 lekë (7,500 euro)
3.5–10 tonë: 1,062,500 lekë (10,625 euro)
10–15 tonë: 1,250,000 lekë (12,500 euro)
mbi 15 tonë: 1,500,000 lekë (15,000 euro)
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Në një tubim madhështor, u prit me plot entuziazëm në Gjilan, Kryeminstri Albin Kurti.
Ndërsa foli për punët e mira në këtë mandat të tij, veçoi ndërtimin e Stadiumit të qytetit dhe Kompleksin e Banesave për çiftet e reja e familjet në nevojë.
Ai shpalosi para qytetarëve të Gjilanit edhe disa nga zotimet e tij për këtë komunë.
Gjilani do të ketë hekurudhën, e cila lidhet me Prizrenin, Ferizajn e Bujanocin, si dhe do të përfitojë ujë të pijshëm me ndërtimin e Digës së Firajës.
Nga Gjilani i Agim Ramadanit, siç e quajti, Kurti u zotua për ushtri të fortë dhe shtet të sigurt, duke investuar 1 miliard euro për fabrikën e dronëve “Made in Kosova”.
Ai i falenderoi qytetarët e Gjilanit që nuk lëshuan pe.
Gjatë fushatës zgjedhore që nisi më 17 dhjetor në Kosovë, një pakartë e madhe e Listës Serbe dominon rrugët e Mitrovicës së Veriut, pas rikthimit të kësaj partie në pushtet në komunat veriore më 5 dhjetor. Një kontrast ky me kryeqytetin, Prishtinën, ku shihen shumë më pak pankarta zgjedhore dhe rrugët janë mbushur kryesisht me pemë të Vitit të Ri, drita festive dhe tregjet e fundvitit, të cilat kanë zëvendësuar mesazhet politike.
Kosova zhvillon zgjedhjet e përsëritura parlamentare të dielën, më 28 dhjetor, vetëm dhjetë muaj pas zgjedhjeve të fundit të rregullta, të cilat u pasuan nga dy tentativa të dështuara për formimin e qeverisë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mbi dy milionë qytetarë që jetojnë në Kosovë janë certifikuar për të votuar. Shumë prej votuesve janë të rinj. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë është nën moshën 30 vjeç, gati një e treta është nën 18 vjeç.
Popullsi e re me të ardhme të bllokuar
Pavarësisht strukturës demografike të rinjtë mbeten ndër grupet më të zhgënjyera në vend. Dhjetë muaj bllokadë politike kanë thelluar frustrimin tek të rinjtë shqiptarë në jug të Kosovës dhe kanë forcuar apatinë tek shumë të rinj nga komuniteti serb në veri.
Të rinjtë shqiptarë në Prishtinë i thanë DW-së se ndihen të zhgënjyer, por ende presin ndryshim, ndërsa të rinjtë në Mitrovicën e Veriut shprehen indiferentë, duke thënë se nuk i ndjekin fare zgjedhjet dhe ndihen të shkëputur nga jeta politike. Megjithatë, pavarësisht nivelit të interesimit apo të përfshirjes, sfidat me të cilat përballen të rinjtë mbeten pothuajse të njëjta.
Nepotizimi dhe përkatësia etnike
Për Qendresë Sadikun nga Prishtina, nepotizmi është një nga burimet kryesore të zhgënjimit. "Kjo është diçka që jo vetëm e shqetëson çdo banor të komunës, por edhe i demoralizon dhe i dekurajon nga puna, përpjekja dhe angazhimi në çdo formë. Ajo që të rinjtë kanë nevojë janë mundësi reale, jo vetëm fjalë që thuhen para zgjedhjeve,” thotë ajo.
Shqetësime të ngjashme kanë edhe të rinjtë në veri të Kosovës. Jovan M., student nga Leposaviqi, thekson se përkatësia politike është një nga pengesat kryesore.
"Ky problem është i përhapur dhe nuk lidhet vetëm me një opsion politik, por ekziston brenda vetë institucioneve të Kosovës,” thotë ai.
Jetë mes frikës, stagnimit dhe pasigurisë
Ndërsa Prishtina është e mbushur me atmosferë festive, verë të ngrohtë, drita dhe festa të Vitit të Ri, jeta në veri duket krejt ndryshe. Për shumë të rinj serbë, dhjetori është thjesht një tjetër muaj i mbushur me tension dhe pasiguri. Përtej politikës ata përballen me mungesë aktivitetesh kulturore e sociale, pak mundësi për zhvillim personal dhe një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie.
"Skenat që sheh çdo ditë në rrugë nuk janë skena të një jete normale. Ka prani të tepruar të forcave të armatosura të policisë në rrethana të zakonshme, baza policore dhe procedura që nuk përkojnë me funksionimin normal të përditshëm,” shpjegon Jovani. Sipas tij, ky realitet ushqen frikë, ankth dhe tërheqje nga angazhimi — sidomos tek të rinjtë.
Premtime boshe dhe përfshirje simbolike
Analistë politikë nga komunitetet shqiptare dhe serbe pajtohen se zgjedhjet vështirë se do ta ndryshojnë ndjeshëm gjendjen e të rinjve.
Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) në Mitrovicën e Veriut, thotë se premtimet politike rrallëherë shndërrohen në veprime konkrete.
"Kur bëhet fjalë për përpjekjet për të përmirësuar gjenden e të rinjve dhe për t'i inkurajuar ata të përfshihen, gjithçka zakonisht përfundon me premtime parazgjedhore. Në praktikë, nuk ka asgjë konkrete për përmirësimin e statusit të të rinjve,” thotë Radakoviq.
Një vlerësim të ngjashëm jep edhe Rina Kadiri, drejtoreshë programi në organizatën Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), e cila thekson se të rinjtë në Kosovë mbeten të margjinalizuar në mënyrë strukturore, pavarësisht peshës së tyre demografike.
"Duke marrë parasysh përqindjen e lartë të të rinjve në raport me popullsinë e përgjithshme, ata mbeten të margjinalizuar dhe të integruar në mënyrë të pamjaftueshme në shoqëri,” thotë Kadiri. "Nuk u ofrohen mjaftueshëm mundësi për përfshirje dhe zhvillim të plotë shoqëror, gjë që kontribuon në migrim dhe mungesë të qytetarisë aktive.”
Si mund të përmirësohet gjendja e të rinjve?
I pyetur se çfarë mund ta përmirësojë realisht gjendja e të rinjve, Radakoviq nuk sheh shumë shpresë vetëm te institucionet. Ai thekson më shumë rolin e zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
"Përmirësimi duhet të vijë përmes angazhimit në biznes: startup-e, qendra inovacioni dhe iniciativa në fushën e IT-së, teknologjive të internetit dhe inteligjencës artificiale,” thotë ai.
Kadiri, ndërkohë, thekson nevojën për një qasje më sistematike dhe të bazuar në të drejta.
Rezistencë ndaj apatisë politike
Pavarësisht zhgënjimit të përhapur, disa të rinj ende përpiqen t'i rezistojnë apatisë politike.
"Duhet ta pranoj se nuk kam pritje të larta nga këto zgjedhje,” thotë Jovani nga Leposaviqi.
Ndërsa për Qendresë Sadikun, mesazhi për politikanët mbetet i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: "Duhet të ndalojnë së na mashtruari me premtime që nuk realizohen."/Deutsche Welle
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, së bashku me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza, kanë mbajtur tubimin e radhës zgjedhor në Mitrovicë.
Në këtë tubim, Hamza ka shpalosur programin e PDK-së për zgjedhjet parlamentare, i cili përfshin uljen e çmimeve, rritjen e pagave në sektorin publik, rritjen e pensioneve për 50 për qind, si dhe masa konkrete për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Duke folur për programin dhe kandidaturën e Bedri Hamzës, Ismaili ka theksuar se vizioni i tij dhe i Partisë Demokratike të Kosovës ofron drejtim të qartë për zhvillim ekonomik, stabilitet politik dhe mirëqenie sociale.
“Me Bedri Hamzën, Kosova ecë përpara me zhvillim, mirëqenie e stabilitet”, ka thënë Ismaili.
Ai ka shtuar se tubimi në Mitrovicë dëshmon mbështetjen për një qeverisje që synon të bashkojë shoqërinë dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për sfidat ekonomike dhe sociale të vendit.
“Në Mitrovicë na bashkoi vullneti për të punuar për jetë më të mirë në Kosovë. Me Bedri Hamzën, Kosova ecë përpara me zhvillim, mirëqenie e stabilitet”, ka shkruar ai në rrjetet e tij sociale.
Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka folur për armatosjen e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, gjatë një interviste në Euronews Albania.
Ai thekson se këto zhvillime po rrisin ndjeshëm kapacitetet ushtarake dhe nivelin e sigurisë së vendit.
Sipas Meçollarit, blerja e sistemeve të reja ushtarake nënkupton që Kosova do të jetë në gjendje të projektojë fuqinë e saj përtej kufijve.
“Blerja e sistemeve do të thotë që Kosova do të jetë në gjendje të projektojë fuqinë ushtarake përtej kufijve të saj, ky sistem godet më larg se kufiri i saj, ushtarakisht.
Kjo nuk është lëvizja e fundit. Kosova në dy vitet e fundit ka lëvizur mirë në pikëpamje të mbrojtjes. Armatimi ushtarak që po merr po e çon në forcën të armatosur. Ka disa veprime në FSK të cilat po rrisin kapacitete në mënyrë të ndjeshme.
Marrëdhëniet kryesore në fushën ushtarake janë dy: SHBA dhe Turqia.
Lëvizjet që po bëhen në Kosovë janë të tilla që forca e armatosur po rrit ndjeshëm nivelin e sigurisë. Rasti i Banjskës ndryshoi skemën e sigurisë së Kosovës. Kur vjen puna të Serbia, Vuçiç është problematik në arenën ndërkombëtare. Ai edhe mund të largohet, por largimi i tij nuk do e zgjidhë problemin me Kosovën”, tha Artur Meçollari.
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese dhe një ndër problemet e rënda shoqërore në Kosovë. Çdo vit, qindra gra, vajza dhe anëtarë të tjerë të familjes përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka regjistruar disa raste të dhunës në familje si në Gjakovë e Drenas. Një burrë në Drenas u raportua se në vazhdimësi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Kurse një rast tjetër në Gjakovë, i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë është dërguar në mbajtje për dhunë në familje.
Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit të dhunës në familje, bazuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 61 raste të reja gjatë periudhës 19-26 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesa dërrmuese e rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, gjithsej me 52 raste. Po ashtu janë trajtuar edhe raste të rënda penale, përfshirë dhunim me 4 raste dhe vepra të tjera penale. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe 6 kërkesa për urdhër mbrojtje, kërkesa për urdhër mbrojtje Emergjente, Aktvendime të ndërprera, seanca gjyqësore, këshilla juridike etj.
Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga dukuritë shqetësuese në shoqërinë tonë. Kështu thonë sociologët, duke i bërë të ditur ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve dhe masat që duhen ndërmarrë.
Sipas sociologut Lavdim Konushevci, shumë raste lidhen me familje të reja që kanë vështirësi në menaxhimin e konflikteve dhe tensioneve.
Ai thekson se ndaj dhunuesve të përsëritur, veçanërisht atyre me histori të veprave penale, shteti duhet të aplikojë masa më të ashpra ndëshkuese përmes ligjeve në fuqi.
Sipas Policisë, gjatë periudhës janar-tetor janë raportuar 2429 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 1897 viktima janë femra, kurse 527 meshkuj.
Gjatë një jave, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit trajtoi 52 raste të dhunës në familje./RTK
Mëngjesi i së premtes e ka gjetur detin në zonën e plazhit të vjetër dhe në Zvërnec, të tërhequr pas.
Një pjesë e rërës, poshtë tij, ka dal në sipërfaqe, duke të dhuruar një imazh të veçantë.
Zbatica shkaktohet gjatë 24 orëve e 50 minutave si pasojë e ndikimit të forcës tërheqëse të Hënës.
Por ajo sigurisht mund të shkaktohet edhe nga forca tërheqëse e diellit, por për shkak të largësisë së madhe, ndikimi i Diellit në formimin e fazave të detit është me i vogël se ai i Hënës.
Baticat dhe Zbaticat këto lëkundje ritmike vertikale të ujit të detit botërorë quhen me një emër të përbashkët fazat e detit.
Forcat Speciale Shqiptare kanë zhvilluar një ushtrim të përbashkët me Forcat Speciale të SHBA-së.
Kështu ka njoftuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ky ushtrim, sipas Kingjit, ishte i bazuar në skenare reale për testimin e gatishmërisë së dislokimin emergjent (EDRE), me qëllim forcimin e aftësive, ndërveprueshmërisë dhe besimin mes Aleatëve të NATO-s për t’iu përgjigjur krizave.
“Zall-Herr – Forcat Speciale Shqiptare dhe Forcat Speciale të SHBA-së, gjatë zhvillimit të stërvitjes së përbashkët, e bazuar në skenare reale për testimin e gatishmërisë së dislokimin emergjent (EDRE), me qëllim forcimin e aftësive, ndërveprueshmërisë dhe besimin mes Aleatëve të NATO-s për t’iu përgjigjur krizave”, ka shkruar ai.
Bashkëpresidenti i ALDE-s dhe eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka shprehur mbështetje të qartë për Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidatin e saj për Kryeministër, Bedri Hamza, duke theksuar se Kosovës i duhet një lidership i fortë, i përgjegjshëm dhe thellësisht i orientuar drejt vlerave europiane.
Në një deklaratë publike me video, Kyuchyuk u shpreh se ka bashkëpunuar nga afër me lidershipin e PDK-së dhe se e njeh përkushtimin e tyre ndaj vlerave europiane, forcimit të institucioneve demokratike dhe përgjegjësisë ekonomike.
Sipas tij, këto janë parakushte thelbësore për përparimin e Kosovës dhe afrimin e saj me Bashkimin Europian.
“Bedri Hamza përfaqëson seriozitet, përvojë dhe llojin e lidershipit që i duhet Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj europiane,” deklaroi Kyuchyuk, duke shtuar se pret me interes bashkëpunimin e ardhshëm në kuadër të familjes politike europiane.
Në fund, bashkëpresidenti i Alliance of Liberals and Democrats for Europe i uroi suksese PDK-së dhe Bedri Hamzës në zgjedhjet e ardhshme, duke rikonfirmuar mbështetjen e liberalëve europianë për një Kosovë të zhvilluar, demokratike dhe të integruar në Europë.