Policia e Kosovës të mërkurën njoftoi se ka gjetur një person pa shenja jete në një veturë.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në ora 15:00.
“Autostrada ‘Ibrahim Rugova’, Prishtinë. Është raportuar se në një pushimore është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa arma me një karikator e cila dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruar. /Telegrafi/
Të mërkurën në qendër të qytetit të Podujevës një person ka shtënë me kallashnikov dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me armën në duar.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në ora 13:29, ndërkaq është cilësuar si ‘vrasje e mbetur në tentativë’.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, por nuk janë goditur”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale.
Në raportin policor bëhet e ditur se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Fushë Kosovë, 28.01.2026, 18:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare të personave të huaj për përfitime personale”, thuhet në raport.
Në konsultim me prokurorin është kontrolluar prona e të dyshuarve ku gjatë kontrollit është sekuestruar një telefon, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Janë bërë 27 vjet nga masakra që u bë në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.
Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.
Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët do të ketë në pjesën më të madhe të territorit.
Në zonën e jugut reshjet në periudha afatshkurtra me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave.
Në zonën e Alpeve, verilindje mbi 900-1000 metër dhe juglindje në lartësitë mbi1000-1100 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar kryesisht në juglindje.
Era do të fryjë me drejtim juglindja - jugperëndimi me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 15 m/s.
Të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës janë ndaluar të dalin në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.
Kapiteneria e Portit Vlorë bën me dije se vendimi merret për shkak të përkeqësimit të kushteve meteorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë këtyre datave.
“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 28-29.01.2026 duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, ju bëjmë me dije se:
Kapiteneria e portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 datë 28.01.2026 deri në datë 29.01.2026 në orën 06:00.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin e Kapitenerisë së Vlorës. /euronewsl.al/
Gjeni i letrave shqipe, Ismail Kadare u përjetësua përmes një statuje në vendin ku konsumonte kafenë çdo ditë dhe që për të shërbente si vendtakim për të gjithë admiruesit që donin të kishin një kujtim me të.
Bashkudhëtarja e jetës së tij, Helena Kadare, kujtoi me mall Ismailin teksa konsumoi kafenë prapë veprës.
Ndërkaq, i pranishëm ishte edhe Bujar Hudhri, botuesi i veprave të shkrimtarit Ismail Kadare.
“Kurrë skam qenë aq i emocionuar sa sot… në këtë hapësirë që Kadare e pëlqente shumë, nuk ka tavolinë e karrige ku nuk jem ulur. Dimër e verë, në çdo kohë. E shoh këtë monument si një prani. Kadare do të jetë tashmë i pranishëm në jetën tonë në përjetësi”, u shpreh Bujar Hudhri.
Me idenë e aktorit Timo Flloko dhe mbështetjen e miqve të familjes Kadare, skulptura e derdhur në bronz u realizua nga Henri Nimami.
Miqtë dhe familjarët kujtuan në këtë përvjetor shkrimtarin e lirë që me veprën e tij u shndërrua në përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe nëpër botë. /tch/
Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka arritur t’i lokalizojë dhe arrestojë dy persona, të kërkuar me urdhër-arrest gjyqësor të cilët ndodheshin në arrati.
Policia ka arrestuar L.K, mashkull 30 vjeç, i dënuar për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Lëndim i lehtë trupor” me 1 vit e 8 muaj burgim, si dhe L.M mashkull, 27 vjeçar, i dënuar për veprën penale “Vrasje në tentativë” me 3 vite burgim, përfshirë edhe periudhën e arrestit shtëpiak 6 muaj.
“Pas arrestimit të dy personat janë dërguar për vuajtje të dënimit konform vendimeve gjyqësore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka njoftuar nisjen e hetimeve lidhur me shoqërimin e një 14-vjeçari gjatë protestës së zhvilluar të shtunën nga opozita.
Sipas burimeve të Euronews.al AMP do të shqyrtojë të gjithë relacionin e shoqërimit të minorenit në komisariat, përfshirë kushtet e mbajtjes dhe respektimin e procedurave ligjore.
Në kuadër të hetimeve, do të marren në pyetje policët që kryen shoqërimin për të verifikuar veprimet e tyre dhe për të siguruar që të drejtat e të miturit të jenë respektuar.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, është mbyllur për publikun seanca e së mërkurës në rastin ku Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh.
Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Berisha propozoi të mbyllet seanca për arsye se do të deklarohen ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Berisha.
“Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se me shumicë votash, trupi gjykues aprovoi propozimin e Berishës, andaj seanca e sotme u mbyll.
Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.
Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.
Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.
Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.
Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.
Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.
Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ka marr vendim për rishikimin e kurrikulave lëndore/programeve mësimore për arsimin fillor (1-5) dhe arsimin e mesëm të ulët (6-9).
Nagavci në një postim në Facebook shkruan se ky proces do të mundësojë edhe zhvillimin dhe ofrimin e teksteve shkollore cilësore, burimeve të tjera mësimore që mbështesin procesin e të nxënit, lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe peshës së çantës.
Lexoni të plotë postimin:
Vendim për rishikimin e kurrikulave lëndore/ programeve mësimore për arsimin fillor (1–5) dhe arsimin e mesëm të ulët (6–9)
Po fillojmë procesin e rishikimit të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor (klasat 1–5) dhe arsimin e mesëm të ulët (klasat 6–9). Me këtë proces të përditësimit dhe modernizimit në përputhje me Kornizën Kurrikulare dhe kurrikulat bërthamë, synojmë ngritjen e rezultateve të nxënësve, zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të tyre.
Rishikimi i kurrikulave dhe programeve mësimore me qëllim rritjen e cilësisë së tyre, koherencës dhe harmonizimit me dokumentet startegjike ashtu si dhe nevojave bashkëkohore, është thelbësor për të garantuar arritje më të mira të nxënësve. Ky proces do të mundësojë edhe zhvillimin dhe ofrimin e teksteve shkollore cilësore, burimeve të tjera mësimore që mbështesin procesin e të nxënit, lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe peshës së çantës.
Mbesim të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit përmes politikave të qëndrueshme, zhvillimit të kurrikulave bashkëkohore dhe ofrimit të teksteve shkollore cilësore, me qëllim krijimin e një sistemi arsimor që i përgjigjet nevojave të nxënësve, mësimdhënësve dhe zhvillimit afatgjatë të shoqërisë sonë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është raportuar i zhdukur në Skenderaj.
Rasti ka ndodhur të martën.
“Skenderaj 27.01.2026-09:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij”, thuhet në raport.
Bordi i Paqes ka publikuar pranimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare të Paqes dhe Stabilitetit, në nivel global.
Ky hap vjen si rezultat i angazhimit të Shqipërisë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe integritetit territorial, duke kontribuar kështu në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Në një postim të Bordit të Paqes, në X thuhet: “Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si një anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje.
The Board of Peace welcomes Albania as a founding member of our growing international organization. pic.twitter.com/0YoSxTGksA — Board of Peace (@BoardOfPeace) January 28, 2026
Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar një shtetas malazez pasi dyshohet se ka vjedhur dy qen gjuetie.
Rasti ka ndodhur në fshatin Sharban të Prishtinës.
“Sharban, Prishtinë 28.02.2025-07:10. Më 26.01.2026 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Malit të Zi pasi që dyshohet se i kishte vjedhur dy qenë gjuetie viktimës mashkull kosovar”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Nxënësit në Kosovë po rriten në një realitet ku inteligjenca artificiale dhe teknologjia digjitale janë pjesë e përditshme e jetës së tyre, prandaj sistemi arsimor duhet t’i përgatisë ata për ta kuptuar dhe përdorur këtë teknologji në mënyrë të përgjegjshme.
Kështu ka deklaruar Samir Shahini, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komuna e Prishtinës.
Duke folur në “Përballje Podcast”, Shahini theksoi se nxënësit sot janë të rrethuar vazhdimisht nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale, por shpesh pa udhëzime të mjaftueshme se si ta përdorin atë në mënyrë kritike.
“Nxënësit tanë jetojnë çdo ditë me teknologji. Nëse ata kanë qasje në internet, tabela digjitale dhe platforma online, atëherë duhet t’i mësojmë edhe si ta kuptojnë inteligjencën artificiale dhe si ta filtrojnë përmbajtjen që konsumojnë”, tha Shahini shkruan Telegrafi.
Ai bëri të ditur se Prishtina ka nisur pilotimin e përfshirjes së temave që lidhen me inteligjencën artificiale dhe edukimin medial në shkolla, pa pritur vendime nga niveli qendror, duke e parë këtë si një domosdoshmëri për përgatitjen e nxënësve për të ardhmen digjitale.
Sipas Shahinit, qëllimi i këtyre iniciativave është që nxënësit të mos jenë vetëm konsumues pasivë të teknologjisë, por përdorues të vetëdijshëm dhe kritikë, të aftë të dallojnë informacionin e saktë nga ai i manipuluar.
Ai shtoi se kryeqyteti synon të shërbejë si model për komunat e tjera në Kosovë, duke testuar praktika të reja arsimore që mund të shtrihen më pas në nivel vendi. /Telegrafi/
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të mërkurën do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
SHMU njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut do të bëhen prezentë në orët e mesditës me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare, ndërkaq pas orëve të mesditës reshjet e shiut do të shtrihen në të gjithë vendin me intensitet të ulët deri mesatar.
Ndërsa në veriperëndim dhe jugperëndim reshjet e shiut hera-herës fitojnë intensitet deri të lartë në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet deri mesatar, ndërsa në verilindje-lindje në lartësinë mbi 800-900 metra dhe në juglindje në lartësitë mbi1000-1100 metër reshje dëbore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim juglindja - jugperëndimi me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 20 m/s.