Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

Pasojat e përmbytjeve në vend/ Ministri i Bujqësisë për ABC News: Hidrovorët dhe kanalet kulluese janë në kapacitet të plotë

7 January 2026 at 14:31

SHQIPËRI- Reshjet e dendura të shiut dhe vërshimi i ujërave kanë shkaktuar probleme edhe në tokat bujqësore.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Andis Salla, në një komunikim me “Money Report” në ABC News  u shpreh se ekipet e punës janë në terren dhe po punojnë për përballimin e situatës.

Ai theksoi se hidrovorët dhe kanalet kulluese kanë qenë në funksion të plotë, por prurjet kanë qenë të shumta.

“Do bëjmë ndërhyrjet e nevojshme. Jemi në terren së bashku me ekipin e Ministrisë së Bujqësisë, Emergjencat Civile.

Në tokat bujqësore jemi duke ndërhyrë në disa argjinatura dhe në disa kanale kulluese.

Hidorvorët janë në kapacitet të plotë, kanë funksionuar gjatë gjithë kohës për thithjen e ujit. Po monitorojmë situatën në terren”, tha ai.

Ai theksoi se pas qetësimit të situatës do të verifikohen edhe dëmet në terren.

“Kanë qenë në pastrim nga bordet e kullimit, por reshjet kanë bërë që disa kanale të dalin nga shtrati.

Ne jemi në fazën e përballimit të situatës, pastaj do evidentojmë dëmet e shkaktuara ndaj bujqësisë.

Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë janë në terren për të përballuar situatën dhe pasi të tërhiqen ujërat do të shikojmë pasojat”, tha ai./abcnews.al

Masivi shkëmbor bie në rrugë, bllokohet aksi Gjirokastër-Tepelenë

7 January 2026 at 14:07

GJIROKASTËR– Bllokohet sërish aksi rrugor, që lidh Gjirokastrën me Tepelenën.

Një masiv shkëmbor është shkëputur nga shpati i malit duke rënë në rrugë.

Bllokimi ka rënë në zonën që njihet si “Shkalla e Zezë”./abcnews.al

Trafikoi automjetin e vjedhur në Gjermani/ Sekuestrohet “BMW M-8” me vlerë 140 mijë euro

7 January 2026 at 13:51

Policia vijon operacionin “Stolen Line” kundër trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit. Me rastin e fundit, shkon në 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit.

Në Vorë u sekuestrua një automjet tip BMW M-8, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani. Për rastin u procedua penalisht blerësi dhe drejtuesi i mjetit në momentin e ndalimit.

Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim shqiptari nga Kosova, rreth 42 vjeç, i dyshuar se ka trafikuar automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen. Policia po punon për kapjen e tij.

Vrau mikun që t’i vidhte paratë/ Gjykata dënon me 25 vite burg Isuf Hasën

7 January 2026 at 12:41

Gjykata e shkallës së parë Tiranë ka dënuar me 25 vite burgim të pandehurin Isuf Hasa, i cili vrau mikun e tij Xhemal Meta që ti vidhte një shumë parash. Ai u cilësua fajtor për akuzën “vjedhja me pasojë vdekjen”.

Ngjarja ndodhi në fshatin Shëngjergj të Tiranës në datë 13 Janar 2025.

Viktima humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të forta në kokë, të cilat u shkaktuan nga mjete të forta si çekiçi.

Dy vëllezërit shqiptarë që po “çmendin” meraklinjtë e motorëve unikë artizanal

7 January 2026 at 12:23

Nga Londra, në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, vjen historia frymëzuese e Gazmend dhe Bujar Muharremit, dy vëllezër shqiptarë që kanë kthyer një pasion rinor në një biznes unik ndërkombëtar. Auto Fabrica, kompania e tyre e specializuar në ndërtimin artizanal të karrocerive dhe motoçikletave me porosi, sot është një emër i njohur në botën e dizajnit dhe mjeshtërisë së motorëve.
Gjithçka nisi thjesht, në një garazh në vitin 2011, si një ide për të ndërtuar një motoçikletë që nuk ekzistonte në treg dhe që vetë ata nuk mund ta përballonin financiarisht. Por ajo që dukej e pamundur, u kthye në mision jete.

Në vitin 2012, në Londër, lindi zyrtarisht Auto Fabrica, fillimisht një projekt i vogël, personal, që me kalimin e kohës la të fliste vetëm puna.
“Auto Fabrica është më shumë se punë, është identitet dhe mënyrë jetese,” shprehet Gazmendi. Çdo projekt konceptohet, dizajnohet, prototipohet dhe prodhohet nga zero, tërësisht me dorë, pa manuale apo formula të gatshme.

“Vështirësia më e madhe është fakti që gjithçka nis bosh. Duhet menduar, dizajnuar, testuar dhe ribërë disa herë,” tregojnë vëllezërit.
Sot, pas 13 vitesh në tregun britanik, Auto Fabrica numëron 26 prototipe të pashoqe. Pas lançimit të Type 1, bazuar në Kaëasaki, pasoi Type 2 mbi Yamaha, me një qëllim të qartë: të ndërtohej një motoçikletë që bashkon estetikën me funksionalitetin.

Vlerësimet për punën e tyre nisën të përhapen në mbarë botën, duke i bërë të njohur për stilin dallues, dizajnin dhe imazhin unik. Blerës të motorëve të tye unik të punuar totalisht në mënyrë artizanale janë kryesisht persona të pasur e “të fiksuar”, mes të cilëve dhe yje të kinemasë botërore.

Viti 2025, më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji

7 January 2026 at 12:20

Viti 2025 ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji, me një verë të shënuar nga një valë e fortë të nxehti dhe një fillimdimri të vonuar e jashtëzakonisht të butë, njoftoi sot Instituti Meteorologjik Norvegjez.

Si një tjetër tregues i çrregullimeve klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore, termometri arriti në 4,0 gradë Celcius më 22 dhjetor në Longyearbyen, kryeqendra e arkipelagut të Svalbardit në zemër të Arktikut, më shumë se në Sevilje (3,0 gradë Celcius)  apo Ankara (1,0 gradë Celsius) në të njëjtën ditë.

“Është një vit rekord”, deklaroi klimatologu Hans Olav Hygen nga Instituti Meteorologjik Norvegjez.

“Shumë zona të Norvegjisë përjetuan një verë jashtëzakonisht të nxehtë, me një valë të fortë të nxehti në korrik. Kjo, sigurisht, ndikon në bilancin e gjithë vitit. Për më tepër, para Krishtlindjeve pamë një fund vjeshte dhe një fillim dimri relativisht të butë”, shtoi ai.

Në shkallë kombëtare, temperaturat mesatare vitin e kaluar rezultuan 1,6 gradë Celcius mbi normalen (mesatarja e periudhës 1991–2020) dhe 2,8 gradë Celcius mbi nivelet e periudhës paraIndustriale (1871–1900), sipas Institutit

Përmbytjet/ Rama: Në gatishmëri kudo në terrenet e vështirësuara, pa ndërprerje 24 orë

7 January 2026 at 10:38

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e përmbytjeve në vend. Ai thekson se strukturat shtetërore janë në gatishmëri kudo në terrenet ku janë raportuar problematika.

Më tej, Rama apeloi tek drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

Reagimi i Ramës:

“Në gatishmëri kudo në terrenet e vështirësuara, pa ndërprerje 24 orë
Është rritur intensiteti i reshjeve të shiut në juglindje të vendit, ndërsa në orët e para të mëngjesit shiu ka pushuar në veri.
Reshje dëbore ka pasur në Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fierzë.
Akset që kanë pasur probleme të rrugës:
Në Rajonin Verior
Bajram Curri-Valbonë
Dushaj-Lekbibaj
Sopot-Kam
Qafe Mali-Fierze
Ura e Fanit
Rëshen-Shpal
Shpal-Fushë Arrëz
Hani i Hotit-Dogana Vermosh
Sevaster-Kalivaç
Kukes-Shishtavec.
Shpal-K/Hadroj.
Kukes-Krume
Skuraj-Burrel
Peshkopi-Vasije
Në Rajonin Jugor
Lazart
Kardhiq-Delvinë
Lekël-Këlcyrë
Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore”, shkruan Rama.

Reshjet në Korçë, situatë e qetë me problematika të izoluara

7 January 2026 at 08:56

Reshjet e rëna gjatë natës në Qarkun Korçë kanë shkaktuar problematika të izoluara, por situata paraqitet përgjithësisht e qetë.

Në Bashkinë Korçë, ka prezencë uji pranë banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll, ndërsa rruga për në fshatin Denas është e pakalueshme.

Në Bashkinë Pogradec është konstatuar një rrëshqitje dheu në fshatin Dardhas, ndërhyrjet për rikthimin e kalueshmërisë janë në zhvillim.

Në aksin Lozhan-Moglicë janë pastruar rënie gurësh dhe rrëshqitje dheu, dhe qarkullimi vijon normalisht me kufizime të përkohshme.

Një çarje në argjinaturën e përroit Oshticë (Bilisht) do të ndërhyhet sapo të ulen prurjet, ndërsa lumi Dunavec monitorohet vazhdimisht.

Furnizimi me energji është prekur për disa abonentë, por grupet e OSHEE-së janë në terren për rikthim. Të gjitha strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri dhe situata po monitorohet.

Situata në Fier/ Rriten prurjet e lumit Vjosë, strukturat operacionale në gatishmëri

7 January 2026 at 08:35

Situata në qarkun Fier paraqitet e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të shiut me intensitet mesatar deri në të lartë që kanë rënë gjatë natës.

Sipas strukturave vendore të Mbrojtjes Civile dhe Sallës Operative në Fier, deri në këto momente nuk janë raportuar problematika apo emergjenca. Akset rrugore janë të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje.

Po ashtu dhe hidrovorët ndodhen në gatishmëri pune.

Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin mbeten në kuota normale. Ndërkohë, niveli i prurjeve në lumin Vjosë ka arritur në 6.1 metra në Urën e Mifolit, në krahun e Fierit, me një tendencë në rritje.

Pas komunikimit me Drejtorinë e Emergjencave Civile në Bashkinë Fier, është kërkuar kalimi në gatishmëri i strukturave operacionale, si dhe njoftimi i banorëve, njësive ekonomike dhe blegtorëve që ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë për të treguar kujdes dhe për të ndjekur udhëzimet.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet.

JD Vance ishte “skeptik” ndaj operacionit për kapjen e Nicolas Maduros

7 January 2026 at 08:19

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se fillimisht dyshonte se SHBA-të mund ta realizonin operacionin për të kapur udhëheqësin venezuelas Nicolás Maduro, pa viktima amerikane.

“Mendoj se të gjithë ne ishim disi skeptikë”, tha Vance për “The Scott Jennings Show”, duke kujtuar informimin e tij mbi planin disa javë më parë.

“A mund ta bësh vërtet këtë – të shkosh në një vend të huaj, të mos kthesh asnjë amerikan të vdekur dhe në fakt, e di, të marrësh këtë narkoterrorist të akuzuar”, shtoi ai.

Vance i tha Jennings se misioni u ekzekutua “në përsosmëri” dhe parashikoi se rrëzimi i Maduros do të çojë në gaz dhe energji më të lirë për amerikanët.

“Më e rëndësishmja, kjo do të thotë që ne kemi më shumë kontroll mbi burimet e energjisë që ekzistojnë në botë, për të arritur rezultate më të mira ekonomike për popullin tonë dhe për t’i përdorur ato burime energjie si levë për të arritur paqe dhe prosperitet më të madh”, tha ai.

Të paktën 24 oficerë sigurie venezuelas u vranë gjatë bastisjes ushtarake amerikane të kryer të premten vonë në mbrëmje dhe deri të shtunën në mëngjes, të quajtur “Operacioni Absolute Resolve”, për të kapur Maduron dhe për ta sjellë atë në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për drogë, thanë zyrtarët të martën.

Gruaja e Maduros, Celia Flores, u kap gjithashtu dhe u soll në Amerikë. Maduro dhe Flores u deklaruan të pafajshëm të hënën për akuzat federale për trafik droge, gjatë paraqitjes së tyre të parë në gjykatë që kur u kapën nga shtëpia e tyre në Karakas në një operacion ushtarak amerikan të shtunën.

Prokurori i Përgjithshëm Venezuelës, Tarek William Saab, tha se “dhjetëra” zyrtarë dhe civilë vdiqën në sulm dhe u zotua të hetojë atë që ai e quajti një “krim lufte”, megjithëse nuk sqaroi nëse vlerësimi i tij i referohej vetëm venezuelasve.

Qeveria e Kubës tha të dielën se 32 oficerë ushtarakë dhe policorë kubanë të stacionuar në Venezuelë u vranë gjithashtu.

Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, tha të hënën se zyrtarët amerikanë besojnë se Kuba po i nënvlerëson humbjet e saj.

Pentagoni tha se gati 200 personel amerikan morën pjesë në operacion. Disa u plagosën, por asnjë nuk u vra, dhe zyrtarët nuk kanë dhënë detaje mbi lëndimet. /Telegrafi/

BE: Evropa e gatshme të zotohet për garanci ligjërisht dhe politikisht detyruese për Ukrainën

7 January 2026 at 08:05

Udhëheqësit evropianë që morën pjesë në takimin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Paris kanë premtuar garanci “ligjërisht dhe politikisht detyruese” për Ukrainën, tha presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.

Në një postim në platformën amerikane X, Costa e përshkroi takimin si “produktiv dhe të rëndësishëm” për avancimin e mbështetjes së koordinuar për Ukrainën.

“Ne jemi gati të angazhohemi për një sistem garancish politikisht dhe ligjërisht detyruese që do të aktivizohet sapo të hyjë në fuqi një armëpushim. BE-ja do të kontribuojë në përpjekjet për të siguruar garancitë e sigurisë që Ukraina ka nevojë për çdo marrëveshje për një paqe afatgjatë”, tha ai.

Costa shtoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, do të mbulojë nevojat e saj financiare për dy vitet e ardhshme përmes kredisë prej 90 miliardë eurosh të rënë dakord dhjetorin e kaluar dhe do ta ndihmojë përmes misioneve civile dhe ushtarake në terren.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi takimin si një shfaqje të fortë uniteti me vendet anëtare të BE-së, aleatët e NATO-s dhe partnerët.

“Deklarata jonë e përbashkët dërgon një mesazh të qartë. Ne qëndrojmë kolektivisht pranë Ukrainës dhe një e ardhme e sigurt, e mbrojtur dhe e begatë është përpara”, shkroi ajo në X.

Më herët sot, presidenti francez Emmanuel Macron priti në Pallatin Elysee një samit të nivelit të lartë të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” për Ukrainën, duke bashkuar vendet që e mbështesin Ukrainën dhe janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie nëse arrihet një armëpushim me Rusinë.

Reshje të dendura në Vlorë/ Dëmtohen banesa dhe çahen rrugët, Vjosa del nga shtrati

7 January 2026 at 07:52

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga, si dhe janë dëmtuar dy banesa. Fatmirësisht, banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.
Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë pranë urës.

Niveli i ujit ka arritur në rreth 7 metra.

Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar të kenë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet. Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Reshjet e shiut/ Disa familje të përmbytura në fshatin Adriatik të Kurbinit

7 January 2026 at 07:30

Disa familje të përmbytura në fshatin Adriatik të Kurbinit. Prurjet e mëdha nga reshjet e dendura të së martës sollën situatë të rënduar në Adriatik, nga dalja prej shtratit të kanaleve kulluese. Ndonëse dy hidrovoret në këtë fshat punojnë me kapacitet të plotë, ujërat kanë dalë mbi fushat e kësaj zone, duke izoluar disa familje.

Pjetër Preni, kryeplaku i këtij fshati, ka thënë se janë më shumë se 20 familje të përmbytura, disa të tjera janë të rrethuara nga uji.

Ndërsa një banor tregon se neglizhenca e institucioneve prej 30 vitesh ka sjellë një situatë të tillë. Disa familje janë të bllokuara nga prania e ujit.
Kryetari i Njësisë Administrative të Fushë-Kuqes ndodhet pranë banorëve të fshatit.

Nëse reshjet vijojnë, pritet përkeqësim i situatës në Adriatik të Kurbinit.

Parashikimi i motit/ Reshjet e shiut prezente, si do vijojnë temperaturat përgjatë ditës

7 January 2026 at 07:15
Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit.
Në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kurbin, Durrës, Tiranë, Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Përmet reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë deri në orët mëngjesit. Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, hera-herës shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në orët e pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes reshjet e shiut pritet të fitojnë intensitet deri të lartë kryesisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Tropojë, Fushë Arrëz, Durrës, Tiranë, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë,Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe stuhive.
Në orët e mbrëmjes në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet mesatar ndërsa në verilindje në lartësitë mbi 600-800 metër dhe juglindje në lartësitë mbi 700-900 metër kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Mjegull e dendur / mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.
Era do të fryjë me drejtim juglindje –jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.
Valëzimi në det i forcës 4-5 ballë.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

7 January 2026 at 07:00

Dashi

Sot Hëna të fton të ngadalësosh ritmin, edhe pse Marsi brenda teje të nxit të veprosh. Kjo është një ditë për të menduar më shumë përpara se të ndërmarrësh veprime të nxituara, sidomos në dashuri. Lidhjet afatgjata mund të kenë nevojë për më shumë mirëkuptim. Nëse ndihesh i pavlerësuar, mos reagosh menjëherë – qetësia është arma më e mirë sot. Në punë, shmang polemikat dhe sqarimet e nxituara: Mërkuri në pozicion të pafavorshëm sjell keqkuptime. Një shëtitje në natyrë ose pranë perëndimit të diellit mund të të ndihmojë të rifitosh qartësi. Mos i detyro gjërat të ndodhin – lëri të piqen në kohën e duhur.

Demi

Venusi të mbron dhe të mbështet emocionalisht – sot është një ditë për të shijuar gjërat e vogla: një përqafim, një fjalë e ngrohtë, një kujtim që kthehet. Në dashuri, mund të ndodhë një afrim ose një deklaratë e papritur – është moment i mirë për të falur ose për të dashuruar më lirshëm. Në punë, kujdes me ofertat që duken shumë të bukura për të qenë të vërteta. Përdor këtë ditë për të planifikuar dhe jo për të vendosur. Shëndeti përmirësohet nëse i lejon vetes pak më shumë heshtje dhe kontakt me natyrën. Vlerëso emocionet që të vijnë – ndonjë mesazh nga e kaluara mund të mbajë një domethënie të veçantë.

Binjakët

Hëna në pozicion kritik mund të sjellë tensione, veçanërisht në komunikim. Rrezikon të keqkuptohesh ose të keqinterpretohesh, sidomos nga njerëz të afërt. Në dashuri, mos thuaj fjalë që mund të lëndojnë – edhe nëse ke të drejtë. Shmang debatet e panevojshme. Në punë, mund të shfaqet një mundësi interesante, por edhe ndonjë përplasje me kolegët ose eprorët. Saturni të kërkon disiplinë dhe maturi. Në aspektin shëndetësor, do të të bëjë mirë ndonjë aktivitet i lehtë apo një moment për meditacion. Mos merr vendime të mëdha sot – prit derisa emocionet të qetësohen.

Gaforrja

Sot je nën ndikimin pozitiv të Hënës dhe kjo të jep ndjeshmëri të shtuar, intuitë të mprehtë dhe një lidhje më të fortë me njerëzit që ke pranë. Në dashuri, është e lehtë të ndjesh se çfarë kërkon partneri, ose nëse je vetëm, të kapësh sinjale të vogla por të qarta nga dikush që të intereson. Kujdes mos idealizosh shumë – ruaj këmbët në tokë. Në punë, ndihesh më i gatshëm për të shprehur idetë dhe për të përfshirë të tjerët në projektet e tua. Një iniciativë e vjetër mund të rifillojë. Shëndeti përmirësohet me gjumë të mirë dhe kujdes ndaj vetes. Sot, ndjesitë janë të rëndësishme – beso instinktit, por ruaj kthjelltësinë.

Luani

Sot ndihesh i fuqishëm, por njëkohësisht i shqetësuar. Dielli në shenjën tënde të jep dritë dhe karizëm, por Hëna sjell një ndjenjë padurimi dhe tensioni të brendshëm. Në dashuri, ndjenjat janë të forta, por mund të bëhesh kërkues ose posesiv pa dashje. Kujdes të mos humbasësh ndjeshmërinë ndaj nevojave të partnerit. Në punë, idetë janë të shumta dhe frymëzuese – por pa zbatim praktik, mbeten thjesht ide. Bëhu më selektiv me kë i ndan projektet. Në aspektin personal, të duhet një orë për veten, larg telefonit dhe detyrimeve. Mos harro që edhe luani ka nevojë për pushim për të ruajtur madhështinë e tij.

Virgjëresha

Sot është një ditë për qartësi mendore dhe reflektim. Më shumë se kurrë, ke nevojë të kuptosh çfarë po ndodh brenda teje. Në dashuri, është momenti për të komunikuar qetësisht: nëse ka keqkuptime, është dita për t’i sqaruar. Në punë, mund të zgjidhësh një çështje që të tjerët e shmangin – ke mendje të kthjellët dhe je praktik. Shëndeti ndikohet pak nga stresi i akumuluar – mos harro pushimet e vogla gjatë ditës. Sot mund të ndjesh një lloj tërheqjeje nga bota – dëshirën për të kuptuar më thellë veten. Mos e refuzo këtë ndjesi – është pjesë e procesit tënd të rritjes.

Peshorja

Sot do të të kërkohet të gjesh ekuilibrin, ashtu siç të mëson vetë shenja jote. Horoskopi të paralajmëron se mund të përfshihesh në diskutime familjare ose profesionale që kërkojnë diplomaci. Venusi ndodhet në një aspekt të mirë: në dashuri hapet një dritare ëmbëlsie, sidomos për ata që kanë kaluar kohë me tensione. Kartat e tarotit nxjerrin “Drejtësinë”: mendo mirë fjalët dhe veprimet. Në punë, është momenti për të vendosur kufij të shëndetshëm. Ke dhënë shumë, tani është radha jote të marrësh. Shëndeti është i mirë, por ki kujdes me gjumin: ëndrrat e turbullta mund të tregojnë ankth të fshehur.

Akrepi

Hëna nxit anën tënde më të thellë dhe të ndjeshme, i dashur Akrep. Horoskopi për sot parashikon një të mërkurë me reflektime të rëndësishme. Në dashuri, nëse po jeton një marrëdhënie të komplikuar, mund të ndjesh nevojën për të sqaruar gjërat. Për beqarët, e kaluara mund të rikthehet, por pyes veten nëse ia vlen vërtet të hapësh ato dyer sërish. Kartat e tarotit nxjerrin “Djallin”: bëj kujdes me tundimet apo me gjëra që duken shumë perfekte për të qenë të vërteta. Në punë, është koha për të luajtur me strategji. Një ofertë mund të fshehë një çmim për t’u paguar. Shëndeti ka nevojë për pastrim emocional: lëre pas atë që nuk të shërben më.

Shigjetari

Sot mendja jote do të jetë e ndezur dhe krijuese, Shigjetar. Horoskopi ditor të shikon plot ide dhe dëshirë për të vepruar, por yjet të këshillojnë të mos nxitosh. Në dashuri, është një ditë pozitive për çiftet: rikthehet harmonia edhe në gjërat e vogla. Për beqarët, një takim i rastësishëm mund të ndezë një shkëndijë. Kartat e tarotit nxjerrin “Rrotën e Fatit”: diçka mund të ndryshojë papritur. Në punë, përpiqu të mos shpërqendrohesh nga shumë stimuj: zgjidh një drejtim dhe ndiqe. Shëndeti është i mirë, por ki kujdes me lodhjen mendore.

Bricjapi

Qielli yt është i qëndrueshëm, por Saturni të bën pak më të ashpër me veten. Horoskopi për sot të sugjeron të heqësh dorë nga perfeksionizmi: jo gjithçka duhet të jetë nën kontroll. Në dashuri, lirohu pak më shumë: ai që të do, ka nevojë të të shohë edhe të brishtë. Kartat e tarotit nxjerrin “Botën”: një cikël përfundon dhe një tjetër fillon. Në punë, është një ditë e mirë për të finalizuar një projekt ose për të kërkuar një njohje që e meriton. Shëndeti është i mirë nëse nuk e mbingarkon veten me përgjegjësi të panevojshme. Një banjë e ngrohtë, një çaj me erëza, një moment vetëm për veten – mund të bëjnë mrekulli.

Ujori

Sot do të jetë një ditë zgjimi shpirtëror për ty, Ujor. Horoskopi ditor të fton të dëgjosh intuita të befasishme: ajo që sot duket si një ide e çmendur, sot mund të bëhet revolucion. Në dashuri, përpiqu të komunikosh më mirë: ai që është pranë teje ka nevojë për qartësi. Kartat e tarotit nxjerrin “Të Marrin”: lëre veten të udhëhiqet nga autenticiteti yt, por mos humb kontaktin me realitetin. Në punë, është momenti për të eksploruar horizonte të reja. Mund të ndjesh një thirrje për të ndryshuar rrugë ose për të nisur një udhëtim të ri. Shëndeti përmirësohet nëse i përkushtohesh aktiviteteve krijuese apo artistike.

Peshqit

Ti sot do të jesh si një radar emocional i ndjeshëm. Horoskopi për ditën tregon një e mërkurë ku ndjenjat flasin më fort se arsyeja. Në dashuri, ai që të do mund të ndihet i mbingarkuar nga intensiteti yt: menaxhoje me kujdes. Nëse je vetëm, ki kujdes nga iluzionet. Kartat e tarotit nxjerrin “Yllin”: një dëshirë e thellë mund të realizohet së shpejti, por fillimisht zemra duhet pastruar. Në punë, ndiq instinktin, por mos harro anën praktike. Ke shumë për të dhënë, por duhet më shumë strukturë. Shëndeti ndikohet nga energjitë e të tjerëve: mbrohu me meditim ose me kontakt me ujin.

Yesterday — 6 January 2026Main stream

I ftohti “mbërthen” Skocinë, shkollat mbahen të mbyllura

6 January 2026 at 14:43

Qindra shkolla në Skocinë veriore do të mbeten të mbyllura për të dytën ditë të martën për shkak të një paralajmërimi të vazhdueshëm për borë dhe akull.

Agjencia e motit e Mbretërisë së Bashkuar, Met Office, ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për borë për pjesë të mëdha të Skocisë verilindore dhe veriore, ndërsa parashikuesit paralajmërojnë deri në 15 centimetra borë.

Me mot të keq të vazhdueshëm, të gjitha shkollat ​​në Aberdeenshire janë të mbyllura, me dhjetëra të mbyllura edhe në Aberdeen. Në Moray, një numër i madh shkollash dhe çerdhesh janë gjithashtu të mbyllura, raportoi kanali skocez STV.

Gjithashtu, shkollat ​​në Shetland dhe Orkney do të mbeten të mbyllura për shkak të motit.

Autoritetet paralajmëruan se kushtet e drejtimit të automjeteve mund të bëhen të rrezikshme.

Kushtet e këqija të motit ndërprenë transportin në të gjithë Skocinë të hënën, ndërsa Hekurudha Kombëtare tha se shërbimet e trenave në Skocinë veriore do të ndërpriten deri në fund të ditës së martë.

Dekretohet ligji për rivlerësimin/ Tatimi për shitjen e banesave ulet në 5 për qind nga 15 që është aktualisht

6 January 2026 at 14:11

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Dekreti i kreut të shtetit mban datën 6 janar 2026. Ligji i ri parashikon uljen nga 15 në 5 për qind të tatimit për shitjen e banesave.

Ky hap do t’u japë mundësi qytetarëve të rivlerësojnë pasuritë e tyre, si dhe të paguajnë më pak tatim në shitjen e pronave.

Nga janari deri në dhjetor të 2026 i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme./abcnews.al

VIDEO/ Shembet masivi i dheut, bllokohet aksi Tepelenë–Gjirokastër

6 January 2026 at 12:39

Aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër është bllokuar në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, pas rënies së një masivi shtufor në rrugë.

Ngjarja ka shkaktuar radhë të gjata automjetesh në të dyja anët e aksit.

Në vendngjarje kanë shkuar Policia Rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore, të cilët po punojnë për të evakuuar balten dhe shkëmbin që pengon qarkullimin.

Dhunuan me sende të forta 34-vjeçarin, arrestohen babë e bir në Gramsh

6 January 2026 at 12:30

Një konflikt i dhunshëm në Gramsh ka përfunduar me tre persona të arrestuar në flagrancë, pas një ngjarjeje që ka ndodhur mbrëmjen e 4 janar 2026.

Sipas policisë, një 51 vjeçar dhe djali i tij, 27-vjeçar kanë goditur me sende të forta dhe me grushte një 34 vjeçar, për motive të dobëta. i lënduari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia gjeti një thikë në vendin e ngjarjes.

Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkohë,  34-vjeçari akuzohet për “Kanosje” dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Materialet procedurale i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.

 

 

Moti i keq “paralizon” Durrësin/ Gjysma e qytetit pa energji elektrike, nisin evakuimet

6 January 2026 at 10:42

DURRËS– Paralizohet qyteti i Durrësit si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut.. Prezenca e ujit është pothuajse në të gjithë qytetin.

Gazetari i ABC News, Leonidha Musa, raporton se nga reshjet është përmbytur nënstacioni elektrik në Spitallë dhe gjysma e qytetit ka mbetur pa energji elektrike.

Po ashtu rrëshqitje raportohen edhe në pjesën e Kodërvilës.

Grupe pune nga Tirana kanë ardhur në Durrës për të ndihmuar shtabin e emergjencave të Durrësit.

Mjete të shumta zjarrfikëse të Durrësit, Shijakut, Portit dhe nga kryeqyteti janë në terren.

Gjithashtu edhe të pajisura me pompa thithëse për të ndërhyrë në banesat që janë përmbytur.

Mbi 8 familje në Kenetë, Spitallë dhe Shijak janë evakuuar.

Situata aktualisht raportohet të jetë shumë e rëndë.

Rrugët janë totalisht të pakalueshme pasi dhjetëra makina kanë pësuar defekte në rrugë për shkak të pranisë së madhe të ujit./abcnews.al

❌
❌