Degjeneron protesta pro-kurde në Belgjikë, gjashtë të plagosur
Gjashtë persona u plagosën me thikë, teksa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike, gjatë një demonstrate të komunitetit kurd në qytetin e Antwerpit në Belgjikë, mbrëmjen e së enjtes.
Ngjarja ndodhi pranë sheshit ‘Opera’, ku rreth 50 protestues ishin mbledhur për të kërkuar mbrojtje për kurdët që jetojnë në verilindje të Sirisë. Sipas policisë, protesta kishte qenë fillimisht paqësore.
Demonstrata nisi rreth orës 18:00 (me orën lokale) dhe po i afrohej fundit, kur situata u përshkallëzua rreth orës 19:20. Katër nga të plagosurit u gjetën pranë sheshit Opera, ndërsa dy të tjerë u lokalizuan në zona të afërta, përkatësisht në Rooseveltplaats dhe në rrugën Sint-Elisabethstraat. Të gjashtë personat kishin plagë të shkaktuara nga thika.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur oficerët e policisë neutralizojnë një të dyshuar, ndërsa në vendngjarje shihen flamuj kurdë dhe të PKK-së. Zëdhënësi i Policisë së Zonës së Antwerp-it, Wouter Bruyns, bëri të ditur për median belge ‘De Morgen’ se dy persona janë arrestuar. Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit ishin përzier mes protestuesve gjatë tubimit.
Forcat e policisë ndodhen tashmë në vendngjarje për të monitoruar demonstratën dhe arritën të ofrojnë ndihmën e parë menjëherë pas incidentit, deri në mbërritjen e ambulancave. Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi identitetin apo motivet e mundshme të të dyshuarve.
“Një hetim i plotë po zhvillohet në vendngjarje, përfshirë analiza forenzike. Policia po u kërkon me këmbëngulje kalimtarëve të largohen nga zona”, deklaroi Bruyns, duke shtuar se për momentin nuk mund të ndahen detaje të tjera.
Organizatorët e protestës thanë se tubimi kishte qenë paqësor deri në momentin kur shpërtheu dhuna. Orhan Kilic, zëdhënës i organizatës kurde NavBel, e cilësoi sulmin si të motivuar politikisht. “Kjo lidhet drejtpërdrejt me çështjen kurde dhe me sulmet xhihadiste ndaj kurdëve në Siri. Është qartësisht e motivuar politikisht”, tha Kilic për DeMorgen. “Prej kohësh shohim organizata dhe individë me frymëzim islamik që na sulmojnë verbalisht, dhe tani duket se kjo ka kaluar edhe në dhunë fizike”.
Ndërkohë, tensionet në verilindje të Sirisë janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët dhe aleate kryesore të SHBA-së në luftën kundër ISIS-it, po përballen me sulme të intensifikuara nga forcat e qeverisë siriane. SDF kontrollon territore të rëndësishme dhe të pasura me naftë, gjë që e bën rajonin strategjik dhe konfliktin edhe më të ndërlikuar.
Autoritetet belge kanë deklaruar se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse sulmi ka qenë i organizuar apo i lidhur me tensionet politike dhe etnike ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Degjeneron protesta pro-kurde në Belgjikë, gjashtë të plagosur appeared first on Sinjali.