Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

Posta e Maqedonisë promovoi pullën postare me figurën e Alija Izetbegoviqit

26 December 2025 at 22:49


Posta e Maqedonisë ka promovuar sot pullën postare me figurën e Alija Izetbegoviqit

Skender Asani, anëtar i Bordit të Filaterisë së RMV-së, tha se kjo pullë është një nderim për një politikan me vizion, i cili u përball me pushtuesit serbë për të mbrojtur popullin boshnjak nga asimilimi.

Ai shtoi se edhe më herët janë promovuar pulla postare me figura historike që kanë qenë në mbështetje të popujve të vegjel dhe kundër tendencave për krijimin e Serbisë së Madhe.

Drejtori i Postës, Orhan Kurtishi, tha se janë shtypur 6 mijë kopje të pullës, të cilat janë shpërndarë në të gjitha pikat postare në vend dhe janë në shitje.

“Është figurë politike, është figurë e pa zëvendësueshme për komunitetin boshnjak, gjithashtu edhe për rajonin. Byroja e filaterisë ka publikuar 6 mijë kopje të pullës postare e cila do të ketë vlerë prej 36 denarë dhe mund të blehet në të gjitha pikat e shitjes postare", tha Kurtishi.

Alija Izetbegoviq ishte kundërshtar i komunizmit dhe dy herë u burgos nga regjimet i ish-Jugosllavisë. Ai ishte kryetar i Partisë së Aksionit Demokratik dhe President i Bosnjes dhe Hercegovinës.

Gjorgjievski: Deri në prill 40 kamionë të rinj për “Higjienën Komunale”

26 December 2025 at 22:12


Dyzet kamionë të rinj për “Higjienën Komunale” do të furnizohen deri në prill, njoftoi kryetari i Qytetit Të Shkupit Orce Gjorgjievski. Disa prej tyre do të blihen përmes furnizimit publik, për të cilin janë siguruar mjete në Buxhetin e Qytetit të Shkupit, ndërsa një pjesë përmes Bankës Botërore.

“Do t’i furnizojmë deri në prill në dy faza (nga njëra anë, ne vetë do të kryejmë një furnizim publik përmes “Higjienës Komunale”, për të cilën kemi ndarë mjete në buxhet, dhe nga ana tjetër, Ministria e Transportit përmes Bankës Botërore). Ky është tashmë lajm për qytetin, do të furnizojmë kamionë që do të kursejnë në karburant, në shërbime, të cilët do t’i plotësojnë plotësisht nevojat e banorëve të Shkupit”, tha sonte Gjorgjievski në ditarin qendror të lajmeve në televizionin “Sitel”.

Gjorgievski kujtoi se në “Higjienën Komunale” kishte vetëm 16 kamionë funksionalë dhe se tani ka rreth 40 deri në 50 kamionë, por për shkak të vjetërsisë së automjeteve dhe defekteve të shpeshta, numri i automjeteve funksionale po zvogëlohet çdo ditë.
Sipas tij, situata me mbeturinat në Shkup është shumë më e mirë se më parë, por ai megjithatë thotë se ekziston një përqindje e vogël e popullsisë neglizhente për shkak të së cilës vuan e gjithë popullsia. Në periudhën e kaluar, siç theksoi ai, janë dhënë qindra paralajmërime dhe gjoba.

Deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm pritet të normalizohet situata edhe me transportin publik kur duhet të mbërrijnë autobusët e rinj. Ai e pranon se ende ka mangësi në disa vende të caktuara, por që problemet po tejkalohen. Ai thotë se furnizimet për disa pjesë nuk janë paguar dhe se kjo ishte një nga sfidat me të cilat u përballën që në fillim.

“Prandaj kishte shumë autobusë që ishin jofunksionalë dhe shumë kamionë nga “Higjiena Komunale” që ishin jofunksionalë”, tha Gjorgjievski.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

DAP: Deri më 30 nëntor të këtij viti, nga tatimet dhe kontributet janë mbledhur 3,97 miliardë euro

26 December 2025 at 21:32


Deri më 30 nëntor të këtij viti, në buxhetin e shtetit nga tatimet dhe kontributet janë mbledhur 3,97 miliardë euro, që është për 268 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova.

Siç informoi ajo, ka rritje të të ardhurave nga tatimet prej 6,5% dhe rritje të kontributeve prej 8,7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shtoi se trendi i rritjes, krahasuar me vitin e kaluar, vazhdon edhe në dhjetor, por ende janë në zhvillim e sipër arkëtimet dhe pagesat nga llogaritë e tatimeve.

ASH e Ziadin Selës nesër mbledh kuvendin e pestë të partisë në Shkup

26 December 2025 at 20:49


Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka njoftuar se të shtunën më 27 dhjetor në Shkup di të mbledh kuvendin e pestë të partisë pas vendimit për largim nga koalicioni me AKI-në.

Nga ana tjetër kryertari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjatë një emisioni një ditë më parë paralajmëroi bashkimin e ASH-së me VLEN-in dhe përfshirjen e saj në qeveri.

Kuvendi i së shtunës nuk dihet nëse do të diskutohet edhe kalimi i ASH-së në VLEN dhe përfshirja e saj në qeverisjen e vendit.

Ndërkohë Ziadin Sela edhe më tej vazhdon të pret për vulat e partisë në procesin mes tij dhe Arben Taravarit ndërsa në zgjedhjet e fundit thuhet se Sela ka regjistruar në subjekt të ri politik.

Gashi: Bisedimet për Kodin Zgjedhor duhet të fillojnë në janar

26 December 2025 at 20:10


Takimi i parë i përfaqësuesve të partive parlamentare dhe ekspertëve për Kodin Zgjedhor duhet të mbahet në gjysmën e dytë të janarit.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në një intervistë për Agjencinë lajmeve të Maqedonisë deklaroi se kjo është rënë dakord në takimin e djeshëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare me ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov në Kuvend.

Diskutuam nevojën për miratimin sa më të shpejtë dhe me cilësinë më të lartë të Kodit të ri Zgjedhor. Iniciuam një grup pune. Dhe natyrisht, Qeveria reagoi. Me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, ne e thirrëm atë koordinim dhe na thanë se janë në fazën përfundimtare të tekstit të Kodit Zgjedhor, tha Gashi.

Sipas Gashit, koordinatorët e grupeve parlamentare janë pajtuar që Kodi Zgjedhor të miratohet me konsensus, por nuk specifikoi afatin kohor për miratimin e tij.

“Diskutuam përbërjen e grupit, kush do të marrë pjesë, çfarë formati, ku do të zhvilloheshin bisedimet, etj. Megjithatë, për shkak se Ministria e Drejtësisë është udhëheqëse e këtij procesi dhe ata po propozojnë ligjin, do t’u bëjnë thirrje partive politike të propozojnë nga dy përfaqësues secila, por jo vetëm ata të organizuar në grupe parlamentare dhe ata që nuk janë të organizuar në grupe parlamentare, si dhe deputetët e pavarur. Pra, na duhet një konsensus i plotë në procesin e miratimit të Kodit Zgjedhor. Ne ramë dakord për këtë. Dhe pasi të kemi tekstin e propozuar prej tyre, do të dimë saktësisht nëse është plotësisht i ri, apo është ndryshuar apo në çfarë drejtimi apo sa përqind e tekstit është ndryshuar, kështu që partitë politike do të kenë vërejtjet e tyre në lidhje me atë tekst, në mënyrë që bisedimet të fillojnë të harmonizohen me njëra-tjetrën, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje përfundimtare”, deklaroi Gashi.

Kryetari i Kuvendit thotë se ideja është që bisedimet të fillojnë menjëherë në janar dhe qëndrimet të harmonizohen me dinamikë të shtuar.

MASH: Nxënësit që janë në mjekim spitalor afatgjatë, mund të përfshihen në mësim online të organizuar nga mësuesi i tyre

26 December 2025 at 19:30


Në gjysmëvjetorin e parë shkollor, 35 fëmijë që ndodhen në mjekim afatgjatë janë përfshirë në procesin mësimor, informuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga shtatori ka nisur zbatimi i zgjidhjes së re sistematike, sipas së cilës nxënësit që mungojnë nga mësimi më shumë se tri javë për shkak të mjekimit spitalor, mund të vazhdojnë shkollimin përmes: përfshirjes online, përdorimit të materialeve dhe detyrave të dërguara nga mësuesi dhe mësimit individual të organizuar nga mësuesi, varësisht nga gjendja e nxënësit.

Në bashkëpunim me shoqatën “SANO” tashmë janë trajnuar166 mësimdhënës në 83 shkolla, ndërsa mbi 800 nxënës kanë marrë pjesë në trajnime për komunikim dhe mbështetje të shokëve të tyre të sëmurë.

“Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka pasur një sfidë të madhe për të ndërmarrë hapa historikë në përgatitjen e një dokumenti formal që u mundëson nxënësve në trajtim afatgjatë përfshirjen në mësim. Byroja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje këshillimore për mësimdhënësit, me qëllim forcimin e kompetencave të tyre dhe garantimin që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë procesit arsimor”, tha Milka Trimçevska, Byroja për zhvillimin e Arsimit.

“Pas një beteje dhjetëvjeçare, falë Ministrisë së Arsimit dhe ministres, sot të gjithë fëmijët që janë në trajtim shëndetësor kanë mundësi të mësojnë. Bëhet fjalë për mësim online dhe asnjë fëmijë nuk do të përjashtohet nga arsimi”, tha Marija Vuk, SANO.

Zoran Trajçevski, drejtor i ASHMAA-së edhe në pesë vitet e ardhshme

26 December 2025 at 18:51


Zoran Trajçevski do ta udhëheq Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) edhe në pesë vitet e ardhshme, pasi mori mbështetje nga Këshilli i ASHMAA për mandat të ri.

Shërbimi për shtyp i ASHMAA pasdite kumtoi se Këshilli i ASHMAA sot në mbledhje ka vendosur në periudhën e ardhshme pesë vjeçare Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale ta udhëheq Zoran Trajçevski, i cili është në këtë detyrë nga viti 2014.

Trajçevski u zgjodh drejtor i ASHMAA- së mbledhjen e 12-të të Këshillit të Agjencisë, të mbajtur më 7 tetor të vitit 2014, ndërsa paraprakisht ishte drejtor i Agjencisë për Komunikime Elektronike

Spasovski: Në vendet fqinje për kartonin e gjelbër paguajnë deri në 10 euro, ndërsa tek ne paguhet 5.500 denarë

25 December 2025 at 22:39


Koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së dhe deputet, Oliver Spasovski, në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje deputetësh, i drejtoi pyetje ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, lidhur me çmimin e lartë të kartonit të gjelbër për automjetet, i cili u nevojitet qytetarëve për udhëtime jashtë vendit.

Pyetja kishte të bënte me mbrojtjen e palëve të treta dhe pasurisë së tyre nga pasojat e aksidenteve në komunikacion, përkatësisht me detyrimin ligjor të pronarëve të mjeteve motorike që, gjatë regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve, të kenë sigurim – pra sigurim të brendshëm për territorin e shtetit.

Spasovski theksoi se këtë pyetje e ka parashtruar edhe me shkrim më 12 shkurt të këtij viti, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje nga ministrja.

“Kjo është një pyetje që edhe qytetarët e Maqedonisë ia parashtrojnë vetes si një nga temat e rëndësishme. Ajo lidhet me mbrojtjen e palëve të treta dhe pasurisë së tyre nga pasojat e aksidenteve në komunikacion, si pronarë të mjeteve motorike që janë të detyruar, sipas ligjit, të kenë sigurim gjatë regjistrimit dhe kontrollit teknik të automjeteve – përkatësisht sigurim të brendshëm për territorin e shtetit. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që të gjithë ata që udhëtojnë jashtë vendit kanë detyrim të sigurojnë, përkatësisht të blejnë sigurim për jashtë vendit ose të ashtuquajturin karton i gjelbër i sigurimit. Ata nuk blejnë vetëm një vërtetim ndërkombëtar për sigurimin e automjetit, por bëjnë edhe zgjerim të sigurimit me vlefshmëri edhe për jashtë vendit. Ky dokument ende është i domosdoshëm për hyrje me mjete motorike në cilindo shtet të Evropës dhe aktualisht, për automjetet e udhëtarëve, kushton rreth 5.500 denarë me vlefshmëri prej një viti. Çmimi i kartonit të gjelbër në vendet e rajonit është dukshëm më i ulët se çmimi në Maqedoni dhe arrin 5 ose 10 euro, të cilat paguhen së bashku me regjistrimin dhe me sigurimin e policës për sigurim të brendshëm. Pyetja ime është nëse planifikohet një qasje tjetër lidhur me sigurimin e kartonit të gjelbër, përkatësisht ulja e çmimit të tij, pasi ekzistojnë disa mënyra dhe mekanizma për të arritur uljen e çmimit të kartonit të gjelbër", tha Spasovski.

Spasovski pyeti se a mendon Ministria e Financave lehtësim financiar të kësaj procedure.

"I kam të gjitha analizat, si dhe ndryshimet ligjore në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, të cilat kanë marrëveshje të veçanta me disa shtete, ku mund të hyhet me marrëveshje bilaterale pa karton të gjelbër. Në fakt, Maqedonia ka një marrëveshje të tillë bilaterale me Slloveninë, një nga shtetet e rralla ku as targat maqedonase dhe as ato sllovene nuk kanë nevojë të paraqesin karton të gjelbër.Prandaj pyes nëse Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, planifikon ndryshime të caktuara në çmimin e kartonit të gjelbër, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve të mos paguajnë një çmim kaq të lartë dhe të kenë lëvizje normale jashtë vendit, ashtu siç është zgjidhur kjo çështje te fqinjët tanë. Nëse shohim, secili prej shteteve përreth nesh paguan 5 ose 10 euro së bashku me sigurimin e brendshëm dhe, në këtë mënyrë, qytetarët mund të lëvizin edhe jashtë shtetit të tyre, përkatësisht në rajon dhe më gjerë", u shpreh Spasovski.

52 vjeçari nga Gostivari mashtrohet përmes një aplikimi të rremë për kredi, i merren 2.000 euro

25 December 2025 at 22:01


Të mërkurën në ora 15:30 në Stacionin Policor në Gostivar, një 52-vjeçar nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se në periudhën prej 25.10.2025 deri më 31.10.2025 është mashtruar nga një person për shumën prej 2.000 euro.

Sipas denoncimit, ai në një rrjet social ka vërejtur një reklamë nga një bankë e huaj, pas së cilës përmes një linku ka aplikuar për kredi, ndërsa pas një kohe përmes rrjeteve sociale ka filluar komunikimin me një person i cili është prezantuar si përfaqësues i bankës dhe i cili i ka kërkuar dokumentacion dhe llogari transaksioni.

Siç është denoncuar, pas një kohe i është thënë se gjithçka është në rregull dhe se transferimi i kredisë do të realizohet pasi ai të paguajë para për disa provizione.

Gjithashtu, sipas denoncimit, pasi i ka paguar paratë, e nuk e ka marrë kredinë, përsëri ka kontaktuar personin i cili ka tentuar sërish ta vë në lajthitje. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Before yesterdayMain stream

Kondarko: Në vend të Bekim Salit, mandati i deputetit i kalon Zeqirja Tairit

25 December 2025 at 21:26


Pas emërimit të Bekim Sali, për zëvendëskryeministër është liruar një mandat në Kuvend.

Në vend të tij funksionin do ta marrë Zeqirja Tairi. KShZ-ja ka vërtetuar mandatin e Tairit, duke e dorëzuar për miratim në Kuvend.

“Bekim Sali deputet në Kuvend, i zgjedhur nga lista e kandidatëve për deputetë në njësinë e parë zgjedhore, e dorëzuar nga Koalicioni VLEN, iu ndërpre mandati i deputetit. Sipas procedurës së zbatuar, konstatojmë se deputeti i Kuvendit bëhet kandidati Zeqirja Tairi nga lista e kandidatëve për deputetë në Kuvend në njësinë e parë zgjedhore të Koalicionit VLEN. KShZ-ja në përputhje me kodin zgjedhor jep vërtetimin për deputet, i cili iu dha kandidatit Tairi. Vendimi i tillë i dorëzohet Kuvendit për ta vërtetuar mandatin e deputetit për kandidatin në fjalë.”, deklaroi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.

Në Shkup u protestua për zhvendosjen e fabrikës "Usje", qytetarët ankohen për ndotje të ajrit

25 December 2025 at 20:40


Qytetarët në Shkup kanë protestuar sot duke kërkuar zhvendosjen e fabrikës ‘Usje’ jashtë qytetit, pasi e njëjta po e ndot qytetin.

Petar Keramitiçev nga “Stop për Usjen” tha se muajt e fundit e kanë hulumtuar punën e fabrikës dhe kanë arritur në përfundime se ‘Titan’ është kompani ndërkombëtare që nuk përballet për herë të parë me probleme të tilla.

“Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Amerikë dhe në Egjipt. Bëhet fjalë për një mafie që gjen mënyra ligjore për ta justifikuar atë që bën. Këtu kemi të bëjmë me kapital të huaj dhe drejtorë që po i helmojnë fëmijët tanë”, tha Keramitçiev.

Sot, pak orë para protestës, nga “Titan Usje” njoftuan se puna e tyre kontrollohet vazhdimisht nga Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, institucioni kompetent për të gjitha instalimet me Leje Ekologjike të Integruar të Tipit A, ndërsa kontrolli i fundit është kryer më 18 dhjetor të këtij viti, kur inspektimi ka konstatuar sërish se nuk ka devijime nga kufijtë ligjorë të lejuar.

Nga kompania theksuan se “Titan Usje” është kapacitet industrial me sistem shumë efikas dhe kompleks të filtrimit.

“Janë plotësisht të pasakta pretendimet se kompania i çaktivizon filtrat. Filtrat janë pjesë e pandashme e linjës së prodhimit, përkatësisht kur punojnë furrat, detyrimisht punojnë edhe filtrat”, thanë nga “Usje”.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.

Gashi-Filkov: Në gjysmën e dytë të janarit do të fillojnë përgatitjet për ndryshimet e Kodit Zgjedhor

25 December 2025 at 20:00


Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare, zhvilluan takim pune me Ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, në të cilin u diskutua Kodi Zgjedhor.

Palët u pajtuan që deri në gjysmën e dytë të janarit, Ministria e Drejtësisë të formojë grup pune që do të fillojë përgatitjen e një Kodi Zgjedhor, i cili do të përfshijë dy përfaqësues të partive politike dhe deputetë të pavarur.

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, informoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor u përgatitën nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.Ato përfshinë disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Kodi Zgjedhor është një zgjidhje ligjore që ka pësuar rreth 40 ndryshime që nga miratimi i tij, duke përfshirë edhe këto zgjedhje, të cilat, për shkak të qasjes së tyre të pjesshme, krijojnë mospërputhje në të gjithë ligjin.

Ky proces do të zhvillohet në Kuvend, ku pritet të zhvillohet përmes një dialogu konstruktiv midis të gjitha partive politike të interesuara, si dhe publikut ekspert, dhe ku pritet të finalizohet me një konsensus politik nga të gjithë deputetët.

Iseni: Deri në gjysmën e vitit 2026, i gjithë territori i vendit do të jetë i monitoruar me kamera të sigurisë

25 December 2025 at 19:21


Zëvendësministri i Punëve të Brendëshme, Astrit Iseni, për Lajm Tv paralajmroi zgjerimin dhe modernizimin e sistemit të kamerave të sigurisë, me synim që çdo rrugicë në Shkup të mbulohet me kamera, ndërsa më pas, ky sistem të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas planit të MPB-së, Iseni tha që deri nga mesi i vitit 2026, kamerat e reja pritet të vendosen në të gjithë vendin, duke mos u kufizuar vetëm në qytetet e mëdha.

“Në Shkup do të mundohemi që çdo rrugicë të ketë kamerë. Përveç kësaj, aktualisht po planifikojmë modernizimin e kamerave, pasi me ato që kemi tani nuk mund t`i shohim të gjitha veprat penale apo shkeljet që kryhen. Për momentin, nga kamerat mund të marrim vetëm disa informacione, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, parkimi i parregullt apo kalimi në semafor të kuq. Ne, si ministri, mundohemi ta zhvillojmë më tej këtë sistem dhe kapacitetet njerëzore kompetente, dhe normalisht do të përpiqemi që brenda vitit të ardhshëm, 2026, diku nga gjysma e vitit, këto kamera të vendosen në të gjithë shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe të mos mbeten vetëm në qytetet e mëdha”, tha Iseni.

Klekovski: Nga 1 janari do të rritet çmimi i shërbimeve shëndetësore

25 December 2025 at 18:40


Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski, njoftoi se nga 1 janari do të rritet çmimi i shërbimeve shëndetësore.

Participimi nga 40 denarë shtrenjtohet në 60 denarë. Kontrolli specialistik nga 380 denarë rritet në 720 denarë. Paketa e përgjithshme e urgjencës do të ketë rritjen më të madhe, nga 780 denarë në 2.450 denarë.

Drejtori i Fondit Shëndetësor paralajmëroi gjithashtu masa ndëshkuese në rast të tejkalimit të kuotave për përshkrimin e antibiotikëve dhe barnave për uljen e ankthit. Përveç kësaj, do të intensifikohen kontrollet për keqpërdorimet e pushimeve mjekësore.

“Sistemi do t’i mbrojë gjithashtu mjekët nga presioni për të përshkruar terapi të gatshme, sepse e dimë që ndonjëherë presioni vjen nga qytetarë që duan të marrin një ilaç pavarësisht nëse është i përshtatshëm për indikacionin e tyre. Forcimi i ndërgjegjësimit publik është gjithashtu i rëndësishëm. Për ne, më kritiku është përdorimi i Sumamed, i cili duhet të jetë një antibiotik për vijën e fundit të mbrojtjes, dhe vitin e kaluar patëm një rritje prej 23 për qind në përdorimin e tij”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.

Mjegull në qafat malore Strazhë, Pletvar dhe Krushevë

24 December 2025 at 22:45


Dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës së dendur është vërejtur në qafat malore Strazhë dhe Pletvar, ku dukshmëria është deri në 50 metra, si dhe në Krushevë, ku është rreth 70 metra, njofton NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, por në rrugë të lagështa. Në disa rrugë që kalojnë nëpër prerje dhe gryka, janë të mundshme rrëshqitje të vogla dheu.

NP “Rrugët e Maqedonisë” u bën apel shoferëve që të ngasin me kujdes, të respektojnë sinjalistikën e vendosur të trafikut dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Ekipet e kujdestarisë së kompanisë janë vazhdimisht në terren dhe po i mbajnë të gjitha rrugët të kalueshme. Për informacione më të hollësishme, përdoruesit e rrugës mund të telefonojnë në numrin e telefonit të kujdestarisë 02 25 61 502

Ahmeti: Para një viti e gjysmë Maqedoninë e lash me kryeministër shqiptar

24 December 2025 at 22:15


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në emisionin “Debat në Shenja”, tha se nuk të bën përfaqësues të shqiptarëve dhe misionar të shqiptarëve të qenit në pushtet, por deklaroi se shpallja e tij si lider të shqiptarëve është epiteti i thënë nga shumë personalitete si atyre kombëtare edhe atyre ndërkombëtare.

“Për mua është një nder që u bëhet shqiptarëve të RMV-së dhe unë nuk kam bërë ndonjë si të them brifing me gjeneralin e NATO-s Klark që mua ai më emërtoi legjendë e gjallë. Është e vërtetë që unë kam mbijetuar nëpër shumë ngjarje të mëdha të historisë kombit shqiptar të shekullit 20 e fillim shekullit 21”, tha Ahmeti.

Ai tha se nuk është e rëndësishme se si ai ndjehet, por e rëndësishme është si e vlerësojnë shqiptarët.

“Maqedoninë e kam gjet me shqiptarë të pushtuar e kam gjet me shqiptarë me shqiptarë të diskriminuar, e kam gjet me të vrarë për flamur, e kam gjet me të vrarë për arsim të lartë dhe Marrëveshja e Ohrit vendosi gurthemelin e shtetësisë të shqiptarëve, dhe kjo marrëveshje nuk do të bëheshte pa kryengritje të shqiptarëve pa luftarët e UÇK-së. Sot, shqiptarët i kanë vlerat e veta këtu por këto vlera dhe ky gjak i derdhur duhet të mbrohet nga çdo shqiptarë jo vetëm nga agta të cilët organizuan ndryshimin e statusin politik e juridik, jo vetëm nga pjesëtarët e UCK-së”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti tha se ai para një viti e gjysmë Maqedoninë e ka lënë me kryeministër shqiptar.

Toshkovski: "Safe City" do të ketë disa tolerime për km/orë, do të veprohet sikur me radarët policorë

24 December 2025 at 21:29


Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi sot disa nga tolerancat që do t'i ketë projekti "Safe City".

"Këto tolerime do të jenë identike me ato që tashmë zbatohen nga radarët e tjerë policorë. Kjo do të thotë tolerancë prej 6 kilometra në orë për shpejtësi deri në 100 km/orë, 8 kilometra në orë për shpejtësi mbi 100 km/orë dhe 12 kilometra në orë për shpejtësi mbi 200 km/orë", tha Toshkovski.

Ministri Toshkovski sqaroi se toleranca e përmendur vlen ekskluzivisht për kundërvajtje në komunikacion, por nuk aplikohet në rastet kur kryhet vepër penale e lidhur me trafikun.

Sistemi “Safe City” do t’i përpunojë edhe automjetet zyrtare në rastet kur ato nuk veprojnë në kuadër të veprimeve operative të arsyetuara.

“Kur automjetet zyrtare veprojnë në kuadër të angazhimit të tyre operativ, ato nuk do të përfshihen. Kur nuk veprojnë, do të përfshihen. Kjo do të thotë se çdo automjet i ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve, MPB-së, Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nuk do të jetë pjesë e sistemit, nëse kjo justifikohet sipas qëllimit të veprimit të tyre brenda detyrës zyrtare. Por nëse veprimet e tyre zyrtare nuk e justifikojnë shpejtësinë e lartë, sigurisht që do të ndëshkohen. Sistemi do të shqiptojë gjobë vetëm nëse bëhet fjalë për drejtim të parregullt të automjetit motorik jashtë nevojave reale të institucioneve”, deklaroi Toshkovski.

Sipas tij, nëse nuk ka arsye të arsyetuar për vozitje të shpejtë, gjobat do të vlejnë edhe për automjetet zyrtare.

“Kur një automjet zyrtar përdoret në kuadër të veprimeve operative, atëherë ai nuk mund të trajtohet sipas respektimit strikt të rregullave të komunikacionit në kuadër të sistemit Safe City. Por kur një automjet zyrtar, për shembull nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, siç pati një rast që qarkulloi në media, drejtohet nga kushdo qoftë, ai duhet t’i respektojë rregullat e komunikacionit, sepse përdorimi i tij nuk është në përputhje me rregullat e posaçme të përcaktuara nga MPB-ja apo nga legjislacioni”, shtoi Toshkovski.

Festat shtetërore, qytetarët e Maqedonisë në vitin 2026 do të kenë shtatë fundjava të zgjatura

24 December 2025 at 20:48


Në vitin 2026, qytetarë e Maqedonisë i presin 7 fundjava të zgjatura, me gjithë festat fetare, numri arrin në 10 fundjava të zgjatura.

Programi për ditët jo pune dhe festat zyrtare në vitin 2026 do t'ju lejojë të planifikoni fundjavat tuaja në kohë.

Në vitin 2026, do të ketë gjithsej 7 fundjava të zgjatura për të gjithë qytetarët, dhe për qytetarët e besimit ortodoks do të ketë edhe tre të tjera, pra gjithsej 10.

Më poshtë është lista e ditëve jo pune dhe festave zyrtare:

Për të gjithë qytetarët:

1 Janar (e Enjte), Viti i Ri
7 Janar (e Mërkurë), Krishtlindjet ortodokse
20 Mars (e Premte), Bajrami i madh
13 Prill (e Hënë), dita e dytë e Pashkëve sipas kalendarit ortodoks
1 Maj (e Premte), Dita e Punëtorëve
24 Maj (e Diel) "Shën Kirili dhe Metodi" - ditë jo pune është 25 Maj (e Hënë)
2 Gusht (e Diel), Dita e Republikës - ditë jo pune është 3 Gusht (e Hënë)
8 Shtator (e Martë), Dita e Pavarësisë
11 Tetor (e Diel), Dita e Kryengritjes Popullore - ditë jo pune është 12 Tetor (e Hënë)
23 Tetor (E premte), Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase
8 Dhjetor (E martë), “Shën Klementi i Ohrit”

Për qytetarët e besimit ortodoks:

6 Janar (E martë), Nata e Krishtlindjeve

19 Janar (E hënë), Epifania

10 Prill (E premte), E Premtja e Madhe, e premtja para Pashkëve

29 Maj (E premte), Pentekosti, e premtja para Pentekostit

28 Gusht (E premte), Ngritja e Virgjëreshës së Bekuar Mari

Për qytetarët e besimit katolik:

6 Prill (E hënë), Pashkët, dita e dytë e Pashkëve

1 Nëntor (E diel), Dita e Gjithë Shenjtorëve

25 Dhjetor (E premte), dita e parë e Krishtlindjeve katolike

Për besimtarët e fesë islame:

27 Maj (E mërkurë), Kurban Bajrami

Për qytetarët shqiptarë:

22 Nëntor (E diel), Dita e Alfabetit Shqip

Për qytetarët serb:


27 Janar (e Martë), Shën Sava

Për qytetarët që i përkasin komunitetit rom:

8 Prill (e Mërkurë), Dita Ndërkombëtare e Romëve

Për qytetarët që i përkasin komunitetit vlleh:

23 Maj (e Shtunë), Dita Kombëtare e Vllehëve

Për qytetarët që i përkasin komunitetit hebraik:

21 Shtator (e Hënë), Jom Kipur, dita e parë e Jom Kipur

Për qytetarët që i përkasin komunitetit boshnjak:

28 Shtator (e Hënë), Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve

Për qytetarët që i përkasin komunitetit turk:

21 Dhjetor (e Hënë), Dita e Mësimit të Gjuhës Turke

Durmishi: Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale, do të respektojmë vendimin për të cilin do të bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit

24 December 2025 at 20:02


Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi tha sot se shporta qeveritare e konsumit nuk do të publikohet në janar, siç u paralajmërua disa ditë më parë, ai shtoi se edhe rritja e pagës minimale nuk mund të bëhet aktualisht pasi kompanitë kanë pasur produktivitet të ulët.

"Nuk ka asnjë mundësi për rritje intervenuese të pagës minimale, pasi produktiviteti është i ulët dhe kompanitë nuk do ta përballojnë. Për festat nuk do të ketë masa, sepse çmimet e ushqimit nuk janë rritur, deklaroi Durmishi.

Ai tha se metodologjia e re për shportën qeveritare të konsumit është e gatshme, u është dorëzuar sindikatave dhe punëdhënësve që para zgjedhjeve dhe tani po presin vërejtje prej tyre.

“A kanë kritika, a kanë propozime, a pajtohen apo jo. Ajo metodologji është gjithëpërfshirëse, bazohet në institucione relevante, ku nuk e konteston shportën minimale sindikale të sindikatave, por ne kemi bërë një metodologji më konkrete, e cila më saktë do të tregojë sa është një shpenzim, një shportë mesatare e konsumit për një familje, familje katëranëtarëshe”, tha Besar Durmishi.
Ministri Durmishi tha se nuk do të ketë Shportë të Vitit të Ri, as masa për kufizimin e çmimeve, sepse çmimet nuk janë rritur.
“Ne, kur kishte sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, sollëm masa që ishin zgjidhje afatshkurtra. Kështu që, diçka e tillë deri më tani, ja edhe para dy ditësh dhe sot jam në kontakt me drejtorin e Inspektoratit të Tregut, deri më tani nuk kemi informacione se ka diçka të tillë apo sjellje devijuese ose rritje të çmimeve, konkretisht për ato produkte që përdoren më shumë gjatë festave”, deklaroi Durmishi.

Ai edhe një herë e përsëriti qëndrimin se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale dhe do të respektojë gjithçka që do të bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit.

Gjykata Kushtetuese hapi procedurë për vendimin e qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

24 December 2025 at 19:22


Gjykata Kushtetuese hapi procedurë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas Kushtetueses, me këtë vendim Qeveria dhe Kuvendi kanë vepruar në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve pasi janë përzier në punën e pushtetit gjyqësor. Kjo, siç theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

“Shumica e gjyqtarëve vlerësojnë se me atë ligj, ndërhyhet në pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ…Për uljen e pagave të gjyqtarëve ekzistojnë standarde të pranuara ndërkombëtare”, deklaroi Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Me këtë, nënkuptohet që Gjykata Kushtetuese në fazën e ardhshme mund të marrë vendim për shfuqizimin ose anulimin e ndryshimeve ligjore dhe rikthimin e neneve që parashikojnë paga më të larta për gjyqtarët dhe prokurorët në vlerë prej mbi 15.000 denarësh.

Ndërkohë Gjykata hapi procedurë edhe për kontestimin e neneve që kanë të bëjnë me publikimin e aktgjykimeve. Shumica e gjyqtarëve vlerësuan se gjykatat mund t’i publikojnë vendimet gjyqësore edhe nëse ata nuk janë të plotfuqishme.

Ndër temat më të nxehta në Gjykatën Kushtetuese ishte vendimi për nenet kontestuese të Kodit Penal që kanë të bëjnë me shpërdorimin zyrtar. Kushtetuesja, e ka shtyrë diskutimin meqë Kuvendi e ka njoftuar se kanë filluar procedurën në bazë të rekomandimeve që kanë marrë ma herët.

Ndërkohë vendimin për rritjen lineare të pensioneve, pensionistet duhet të presin pas janarit të vitit të ardhshëm, meqë sot nuk u sigurua shumica pasi gjysma e gjyqtarëve mendojnë se rritja lineare duhet të shfuqizohet dhe gjysma tjetër, duhet të mbetet në fuqi.

Nga ana tjetër, gjyqtarët hodhën poshtë iniciativën që kontestonte përllogaritjen e çmimit të rrymës në bazë të katër blloqeve. Pra, në fuqi mbeten rregullat e njëjta juridike.

❌
❌