Gazeta e njohur “Washington Post” njoftoi të mërkurën shkurtime të mëdha të vendeve të punës, të cilat pritet të reduktojnë ndjeshëm disa fusha të mbulimit në gazetën e njohur 150-vjeçare. Humbjet e vendeve të punës prekën kryesisht njësitë e sportit, librave dhe podkasteve, si dhe zyrat e huaja, ekipet e biznesit dhe ato kombëtare. Një zëdhënës i Post konfirmoi se gazeta po ndërmerr “veprime të…
Java e 23-të e Serie A ka përfunduar me fitoren e qartë 3-0 të Milanit ndaj Bolognës. Kampionati do të rifillojë të premten, më 6 shkurt, me ndeshjen Verona-Pisa, e cila shënon fillimin e javës së 24-të. Në prag të këtij raundi të ardhshëm, Gjyqtari Sportiv ka zyrtarizuar pezullimin e gjashtë futbollistëve. Asnjë trajner nuk do të ndalet në ndeshjet e ardhshme. Më poshtë paraqitet kuadri i plotë i…
Forcat gjermane morën komandën e trupave të NATO-s në Lituani të mërkurën, ndërsa aleanca forcon praninë e saj në vendet kufitare me Rusinë.
Brigada e 45-të e Armatosur e Ushtrisë Gjermane, e njohur si “Brigada e Lituanisë”, mori drejtimin e grupit multinacional të betejës nga forcat lituaneze në një ceremoni të zhvilluar në Kaunas.
Brigada do të udhëheqë njësitë nga Belgjika, Republika Çeke, Luksemburgu, Holanda dhe Norvegjia, si dhe trupat gjermanë dhe lituanezë.
Ky është vendosja e parë e përhershme jashtë vendit për Ushtrinë Gjermane që nga Lufta e Dytë Botërore. Brigada e Lituanisë u aktivizua në maj të vitit 2025 dhe pritet të arrijë një forcë prej 5,000 ushtarësh kur të jetë plotësisht formuar.
Sekretari parlamentar gjerman për Mbrojtjen, Sebastian Hartmann, gjatë ceremonisë tha se pritet që brigada të jetë e vendosur plotësisht brenda dy vjetësh.
Forcat e NATO-s kanë forcuar praninë e tyre në anën lindore të aleancës pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022./mxh
Ky vit qenka plot lajme të mira, veçanërisht për Cardi B dhe Stefon Diggs.
Ky i fundit la të kuptohet se një fejesë e mundshme është në plan.
Gjatë një konference për shtyp të Super Bowl 2026, të hënën ai u pyet nëse Cardi B do ta merrte unazën e saj pasi ai të fitonte të tijën në ndeshjen e madhe të së dielës.
“Është në planet e mia, ndoshta, apo jo? Apo jo?” u përgjigj ai me të qeshur.
“Por fillimisht duhet ta marr unë timen,” shtoi Stefon Diggs, skuadra e të cilit do të përballet me Seattle Seahawks në Super Bowl LX të dielën.
Edhe pse Cardi B ende nuk ka komentuar mbi deklaratat, gjërat duket se po shkojnë shumë mirë për çiftin.
Në një moment tjetër gjatë eventit, ai foli për paraqitjen e fundit të Cardi B në “Saturday Night Live”.
“Nuk di shumë për muzikën, por e di që ajo është një nga më të mirat,” tha ai për People.
“Dua ta shoh të vazhdojë të rritet dhe të bëhet versioni më i mirë i vetes. E di që është gati të nisë turneun, kështu që ka shumë punë përpara,” shtoi sportisti.
Turneu i Cardi B po afrohet, dhe ai nuk ka ndërmend ta lërë të vetëm. Gjatë asaj periudhe ai do të jetë në pushim, dhe kjo do të jetë hera e parë që do të marrë pjesë në kaq shumë koncerte.
Ai paralajmëroi se do të jetë mbështetësi më i madh i saj, madje që tani ka filluar të mendojë për shprehjet e pankartave që do të krijojë për të.
Thashethemet për një romancë mes tyre filluan në shkurt të vitit 2025, por lidhjen e bënë zyrtare pak muaj më vonë në Instagram.
Pak kohë më vonë ata njoftuan se ishin në pritje të një fëmije, një djalë i cili lindi në nëntor të vitit të shkuar.
Cardi aktualisht është në proces divorci me reperin Offset, me të cilin ka tre fëmijë./mxh
Babai i Nicola Peltz, Nelson Peltz, ka folur shumë pak për konfliktin mes vajzës së tij, dhëndrit dhe pjesës tjetër të familjes Beckham.
Gjatë një interviste në eventin WSJ Invest Live në Florida, ai u pyet për Nicola-n.
Në vend që t’i jepte më shumë material medieve mbi konfliktin, vendosi të përgjigjej me humor:
“A ka dalë familja ime kohët e fundit në medie? Nuk e kam vënë re fare.”
Ai shtoi se kishte vetëm një këshillë për dhëndrin dhe vajzën pas gjithë skandalit dhe ajo ishte heshtja.
“Këshilla ime është të qëndroni sa më larg medieve,” tha ai.
Duke marrë parasysh se konflikti u bë publik pikërisht nga dhëndri i tij në rrjetet sociale, zbatimi i kësaj këshille tashmë duket i pamundur.
“Vajza ime dhe familja Beckham janë një histori krejt tjetër dhe nuk është për t’u trajtuar këtu sot. Por mund t’ju them se vajza ime është e mrekullueshme, dhëndri im Brooklyn është i mrekullueshëm dhe dëshiroj shumë që ata të kenë një martesë të gjatë dhe të lumtur së bashku.”
Konflikti mes çiftit dhe familjes Beckham mori gjithë vëmendjen pak javë më parë, kur Brooklyn vendosi të fliste publikisht për disa nga dramat që përfliteshin prej kohësh.
Ai konfirmoi thashethemet që qarkullonin, madje nuk hezitoi të përmendte të tjera ngjarje, ku fajtorë kryesorë bëri Victoria-n dhe David-in.
Sipas tij, prindërit kurrë nuk e kishin dashur Nicola-n dhe gjithmonë ishin përpjekur të shkatërronin martesën mes tyre. Kjo ishte arsyeja kryesore pse nuk dëshironte të pajtohej me ta.
Që prej atij rrëfimi, shumë pak njerëz jashtë familjes kanë folur mbi ngjarjen, por familja Beckham ende nuk ka reaguar.
E vetmja gjë që mund të themi është se Brooklyn nuk mbështetet nga asnjë prej familjarëve, të paktën këtë kanë treguar daljet e fundit të tyre, ku vëllezërit dhe motra e tij janë shfaqur shumicën e kohës krah prindërve./mxh
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë një bisede përmes video-konference, të zhvilluar të mërkurën, në prag të përvjetorit të katërt të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas transmetimit të televizionit shtetëror rus, Putin tha se marrëdhëniet Moskë-Pekin përbëjnë një faktor të rëndësishëm stabilizues në një kohë trazirash në rritje në skenën globale. Ai vlerësoi gjithashtu partneritetin e ngushtë energjetik mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si strategjik dhe me përfitime të ndërsjella.
Nga ana e tij, Presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se Kina dhe Rusia duhet të hartojnë një “plan të madh” për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat, sipas tij, po ecin në drejtimin e duhur. Ai bëri thirrje për intensifikimin e kontakteve në nivelet më të larta dhe për forcimin e bashkëpunimit praktik në fusha të ndryshme.
Kina dhe Rusia shpallën një partneritet strategjik “pa kufij” pak ditë para se Moska të niste ofensivën ushtarake në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, një bashkëpunim që ka marrë rëndësi të shtuar në kontekstin e tensioneve globale dhe izolimit të Rusisë nga Perëndimi./mxh
“The Devil Wears Prada”, rikthehet pas njëzet vitesh dhe pritet të publikohet më 1 maj. Aktorët kanë punuar prej muajsh, dhe tani që xhirimet përfunduan, Meryl Streep ndihet më e lumtur dhe jo pa arsye.
Shqetësimi i saj më i madh gjatë punës ishin takat e larta, të cilat kishte qenë e detyruar t’i vishte për 16 javë. E lodhur nga kjo, ajo me humor tha se kishte filluar të dyshonte nëse po vuante nga PTSD.
Shpejgim: PTSD është një çrregullim psikologjik që shfaqet pas përjetimit të një ngjarjeje traumatike dhe shoqërohet me ankth, kujtime të forta dhe stres të vazhdueshëm.
“Si një person që ka mbajtur pozicionin e saj për 20 vite, ajo ruajti stilin, por e përshtati, ashtu siç bëjmë me kohën,” i tha Streep revistës Vogue për gardërobën e personazhit të saj në vitin 2026.
“Por pothuajse kisha PTSD nga veshja e takave të larta për 16 javë. Ndihem sikur duhet të më vlerësojnë me Medaljen e Lirisë,” u shpreh ajo me humor.
Më tej, ajo foli për rikthimin tek garderoba ikonike e Miranda Priestly-t. Sipas saj, veshjet nuk kishin ndryshuar thuajse fare, jo sepse ishin të vjetra, por sepse stili kishte qëndruar i njëjtë, thjesht i ishte përshtatur kohës. Këtë eksperiencë ajo e përshkroi si të ishte duke provuar disa rroba të së shkuarës me shpresën se sërish do t’i bënin.
“Ishte si të kërkoje në dollap dhe të gjeje diçka, duke menduar: ‘A më bën akoma?’”/mxh
Beyoncé raportohet se ka humbur mbi 12 milionë ndjekës në Instagram, ndërsa bashkëshorti i saj, reperi i njohur Jay-Z, mbi 100 mijë ndjekës, pas publikimit të dokumenteve të reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein.
Emri i Jay-Z përmendet në këto dokumente, të cilat përfshijnë edhe një deklaratë të paprovuar nga një grua që pretendon se është sulmuar seksualisht nga producenti i diskredituar Harvey Weinstein në rezidencën e Jeffrey Epstein në Florida, ndërsa Jay-Z dyshohet se ka qenë i pranishëm.
Sipas një formulari të FBI-së të datës korrik 2019, gruaja emri i së cilës ngelet anonim në dokumente ka deklaruar se ngjarja e pretenduar ka ndodhur në vitin 1996. Ajo ka pohuar se ishte “rrëmbyer” nga banesa e saj nga një person i panjohur dhe më pas ishte zgjuar në prani të Harvey Weinstein dhe Shawn Carter (Jay-Z), ndërsa Weinstein dyshohet se e ka sulmuar seksualisht. Këto akuza nuk janë verifikuar dhe nuk përbëjnë prova penale.
Dokumentet e publikuara nuk përmbajnë akuza zyrtare apo ngritje padish ndaj Jay-Z, dhe përmendja e emrit të tij nuk nënkupton fajësi.
Por pas publikimit të këtyre materialeve, në rrjetet sociale janë shtuar reagimet dhe spekulimet mbi ndikimin në imazhin publik të reperit i cili së bashku me bashkëshorten janë spekuluar gjithmonë për teori të ndryshme konsipirative. Raportohet se disa figura të njohura dhe marka të mëdha mund të kenë hequr ndjekjen ndaj tij. Aktualisht, Jay-Z ka rreth 1 milion ndjekës në Instagram.
Ndërkohë, Beyoncé, Lindsay Lohan, Diddy, Ivanka Trump dhe Kris Jenner vazhdojnë ta ndjekin reperin. Në rrjet janë përhapur gjithashtu spekulime se Kim Kardashian, Rihanna, Apple Music dhe NFL mund të kenë hequr ndjekjen, megjithëse nuk është e qartë nëse këto llogari e kanë ndjekur më parë apo nëse vendimi lidhet drejtpërdrejt me publikimin e dokumenteve.
Deri tani, as Beyoncé dhe as Jay-Z nuk kanë reaguar publikisht lidhur me këto pretendime./mxh
Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se ndjen keqardhje për emërimin e Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar atë se ka gënjyer në mënyrë të përsëritur për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Duke folur në Parlament, Starmer tha se zbulimi se një ministër kabineti kishte rrjedhur informacione të ndjeshme në kulmin e krizës financiare të vitit 2008 ishte “tej mase zemërues”. Sipas tij, Mandelson kishte tradhtuar vendin, Parlamentin dhe Partinë Laburiste, duke fshehur për vite me radhë thellësinë e marrëdhënies së tij me Epstein.
Kryeministri konfirmoi se materialet lidhur me këtë çështje i janë referuar policisë dhe se tashmë ka nisur një hetim penal për dyshime mbi shpërdorim detyre. Ai shtoi se ka urdhëruar përgatitjen e një projektligji për heqjen e titullit fisnik të Mandelson dhe për masa më të gjera ligjore ndaj anëtarëve të diskredituar të Dhomës së Lordëve.
Starmer bëri të ditur gjithashtu se, me miratimin e Mbretit Charles, Mandelson është hequr nga lista e Këshilltarëve të Kurorës, duke argumentuar se ai ka dëmtuar rëndë reputacionin e këtij institucioni.
Ndërkohë, liderja e opozitës, Kemi Badenoch, pyeti kryeministrin nëse kishte dijeni për vazhdimin e miqësisë së Mandelson me Epstein edhe pas dënimit të këtij të fundit. Starmer u përgjigj se ajo që nuk dihej ishte “thellësia dhe shtrirja reale” e kësaj marrëdhënieje, e cila, sipas tij, ishte keqinterpretuar qëllimisht për vite me radhë.
Autoritetet britanike po hetojnë akuzat se Mandelson ka rrjedhur informacione të ndjeshme për tregjet financiare drejt Epstein. Pas shpërthimit të skandalit, Mandelson ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe është larguar edhe nga Partia Laburiste, duke deklaruar se e bëri këtë për të shmangur “turpërime të mëtejshme”.
Skandali u thellua pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi lidhjet e ngushta të Mandelson me Epstein, përfshirë mesazhe dhe pretendime për përfitime financiare, duke shkaktuar një nga krizat më të forta politike për qeverinë britanike muajt e fundit./mxh
Presidenti rus Vladimir Putin po abuzon me bisedimet për armëpushim për të vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë. Kështu deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Anitta Hipper.
Sipas saj, nuk ka asnjë palë që dëshiron më shumë paqen sesa Ukraina, ndërsa Bashkimi Evropian po punon vazhdimisht për arritjen e saj përmes mbështetjes së vazhdueshme politike, ushtarake dhe financiare. Hipper theksoi se BE-ja është donatori kryesor për Ukrainën, duke kontribuar deri tani rreth 193 miliardë euro, si dhe duke u angazhuar për garanci sigurie përmes të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetshmëve”.
“Putin mund ta përfundojë këtë luftë menjëherë, por nuk po tregon asnjë shenjë se dëshiron ta bëjë këtë. Ai po keqpërdor edhe diskutimet për armëpushim për të sulmuar vazhdimisht infrastrukturën civile dhe për të vrarë civilë të pafajshëm”, u shpreh Hipper.
Deklaratat vijnë në të njëjtën ditë kur negociatorë nga Ukraina dhe Rusia nisën një raund të dytë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Bisedimet zhvillohen pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy akuzoi Rusinë se ka shfrytëzuar një armëpushim të përkohshëm për energjinë, të mbështetur nga SHBA, për të grumbulluar municione dhe për të ndërmarrë sulme masive, përfshirë një sulm me numër rekord raketash balistike më 3 shkurt.
Ndërkohë, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga administrata amerikane për arritjen e një kompromisi mes Kievit dhe Moskës, palët mbeten ende larg marrëveshjes për pikat kyçe të konfliktit, i cili nisi me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022./mxh
Rusia do të veprojë me kujdes dhe përgjegjësi pas skadimit të traktatit të ri START me Shtetet e Bashkuara, që kufizon arsenalet bërthamore strategjike të dy vendeve. Kështu deklaroi për gazetarët ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Sipas Ushakov, Presidenti Vladimir Putin ka theksuar se traktati START skadon më 5 shkurt dhe se Moska i kishte propozuar Uashingtonit që më 22 shtator 2025 zgjatjen për një vit të kufijve kryesorë sasiorë, si një masë vullnetare vetëpërmbajtjeje. Megjithatë, Rusia ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga pala amerikane.
Putin ka nënvizuar se, në këto rrethana, Rusia do të veprojë në mënyrë të matur dhe të përgjegjshme, duke u bazuar në një analizë të thelluar të situatës së përgjithshme të sigurisë.
Ndërkohë, Kremlini bën të ditur se Moska mbetet e hapur për zgjidhje të negociuara, me qëllim garantimin e stabilitetit strategjik.
Deklaratat u bënë në Moskë, ndërsa marrëveshja START, e cila ka qenë një nga shtyllat kryesore të kontrollit të armëve bërthamore mes Rusisë dhe SHBA-së, pritet të skadojë brenda pak orësh./mxh
Një përplasje tragjike mes një varke me shpejtësi që transportonte emigrantë dhe një anije të rojës bregdetare greke pranë ishullit të Kios ka lënë të paktën 15 persona të vdekur. Incidenti ndodhi të martën vonë në ngushticën e Kios, afër fshatit Vrontados. Autoritetet greke deklaruan se varka e emigrantëve po kryente manovra të rrezikshme dhe se ishte në ndjekje në momentin e përplasjes…
Zyrtarë libianë njoftuan të mërkurën se Seif al-Islam Gadhafi, djali i ish-udhëheqësit të fuqishëm libian Moammar Gadhafi, u vra me armë zjarri në rezidencën e tij në qytetin perëndimor libian të Zintanit. Seif besohet se po kërkonte një kthim në jetën publike në një vend ende thellësisht të ndarë mes qeverive rivale dhe grupeve të armatosura. Ai ishte djali i dytë më i madh i sundimtarit të…
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 është duke e realizuar auditimin “Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) në Universitetin e Prishtinës”.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të ZKA-së.
“Auditimi do të vlerësojë menaxhimin dhe administrimin e platformës SEMS, si dhe nëse kjo platformë siguron mbështetje efektive dhe të sigurt për funksionet kryesore të Universitetit të Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës ka krijuar platformën SEMS për t’ju ofruar shërbime elektronike studentëve që nga procesi i aplikimit për studime deri te pajisja me diplomë. SEMS është në përdorim që nga viti 2012 dhe funksionon në të gjitha njësitë akademike të UP-së duke mbuluar gjithsej 14 fakultete. SEMS ka rol kyç në efikasitetin dhe transparencën e menaxhimit akademik dhe administrativ të UP- së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së një shoqate të re të prokurorëve, e cila mëngjesin e sotëm shprehu solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve dhe kërkoi që të mos ketë ulje pagash.
Në reagimin e tij, Rama thekson se shoqata në fjalë nuk është ende e regjistruar sipas ligjit, ndonëse brenda afatit për regjistrim, ndërsa e cilëson të pabazë pretendimin për “ulje pagash”.
“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar ‘që të mos ulen pagat’”, shkruan Rama, raporton euronews.
Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një interpretim absurd të situatës, pasi kategoria më e privilegjuar e piramidës së pagave në shtet po paraqitet si e diskriminuar. Ai sqaron se, në këtë rast, “ulje page” po konsiderohet fakti që pagat nuk rriten aq sa kërkojnë shoqatat e gjyqtarëve.
“Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur”, thekson Rama, duke e quajtur këtë arsyetim të pabesueshëm, por fatkeqësisht real.
Kryeministri nënvizon se nuk ka pasur asnjë tentativë për uljen e pagave të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe se qeveria, përkundrazi, ka treguar vëmendje të shtuar ndaj sistemit të drejtësisë. Ai përmend si shembull punën e nisur prej gati një viti për ndërtimin e një Poli Drejtësie, që sipas tij do të ofrojë kushtet më të mira të punës në rajon.
Në fund të reagimit, Rama ngre edhe një pyetje publike për shoqatën e re të prokurorëve, lidhur me problematika të tjera serioze në sistemin e drejtësisë.
“Po për shkelmimin e vazhdueshëm si askund në Evropë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, përfundon ai. /euronews.al/
Prokuroria Themelore në Prishtinë bën të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës në Prishtinë për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhet se më datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.
“Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë sot se ndër problemet kryesore është rritja e numrit të aksidenteve me fatalitet.
Hoxha i cili ishte i pranishëm në prezantimin e raportit vjetor për vitin 2025 të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë tha se nga viti 2000 deri më sot Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 persona në trafik.
Hoxha theksoi se një nga prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës do të jetë siguria në trafik, ku nevojitet mbështetja e komunave dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
“Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por, që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha Hoxha, raporton kp.
Në fund pjesëtarë të policisë së Kosovës u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani po merr pjesë në “World Governments Summit”, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjersa ka folur për vizionin e Kosovës drejt së ardhmes.
E para e shtetit theksoi se ekonomia globale po kalon një nga transformimet më të thella ndër breza, ndërsa para rikujtoi se shteti i Kosovës doli nga një luftë gjenociale me vuajtje të mëdha dhe se çdo diskutim mbi rritjen e gjeneratës së ardhshme duhet të nisë me një kuptim të së kaluarës sonë.
“Për Kosovën, çdo diskutim mbi rritjen e gjeneratës së ardhshme duhet të nisë me një kuptim të së kaluarës sonë dhe të qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të popullit tonë. Sepse vetëm 26 vite më parë, kur ne ishim fëmijë, Kosova doli nga një luftë gjenocidale me vuajtje të mëdha, infrastrukturë të shkatërruar dhe një ekonomi që duhej rindërtuar nga hiçi.
80% e popullsisë sonë u zhvendos dhe u bë refugjate, shtëpitë tona u rrafshuan me tokën, dhe njerëzit tanë vajtuan humbjen e të dashurve në një luftë që la pas aq shumë dhimbje. Megjithatë, Kosova u ringrit nga hiri. Ne të gjithë u kthyem në atdhe, edhe pse shtëpitë tona ishin shkatërruar plotësisht.
Ne rindërtuam gjithçka. Rindërtuam shtëpitë tona, por rindërtuam edhe shpirtin tonë me një qëndrueshmëri të palëkundur. Dhe brenda një brezi të vetëm, Kosova është shndërruar në ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajonin tonë, një rezultat i njohur vazhdimisht nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare”, tha ajo.
Osmani potencoi para të pranishmeve se Kosova nuk është më një histori rreziku, por një vend me potencial të jashtëzakonshëm.
“Kosova sot nuk është më një histori rreziku... Nuk është më një vend i brishtë apo i prekur nga konflikti, por një vend me potencial të jashtëzakonshëm. Kosova, pa shumë zhurmë ka kaluar një prag historik. Themelet janë të forta, trajektorja është e qartë dhe mundësia është reale.
Ky transformim nuk ndodhi rastësisht. Ai ndodhi si rezultat i zgjedhjeve që bëmë. Ne zgjodhëm hapjen, zgjodhëm partneritetet dhe zgjodhëm ta ankorojmë të ardhmen tonë në një botë bashkëpunimi dhe aleancash të qëndrueshme. Por, mbi të gjitha, ky transformim ndodhi falë qëndrueshmërisë së popullit tonë. Sepse, në fund të fundit, suksesi ekonomik i çdo vendi varet në masë të madhe nga kapitali i tij njerëzor, nga njerëzit e tij”, tha ajo.
Osmani tregoi më tej se Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë dhe kjo është një avantazh strategjik.
“Nga themelues që kanë ndërtuar platforma teknologjike rajonale dhe ndërkombëtare, te inxhinierë të rinj softuerësh dhe dizajnerë produktesh që punojnë për tregje globale nga qytetet e Kosovës, talenti ynë në fushën e TIK-ut tashmë po konkurron në nivel ndërkombëtar. Ata na frymëzojnë vazhdimisht. Janë të guximshëm, kureshtarë dhe të lidhur globalisht.
Po aq të rëndësishme janë gratë që po udhëheqin ndryshimin në teknologji dhe inovacion. Nismat e themeluara për të fuqizuar vajzat dhe gratë e reja në programim dhe aftësi digjitale kanë ndihmuar në hapjen e dyerve për një brez të ri zhvilluese, inxhiniere dhe lidere teknologjie, të cilat sot janë pjesë e forcës në rritje të sektorit të TIK-ut.
Ne po investojmë në një brez që është i sigurt në vetvete, i aftë dhe i pajisur me shkathtësi; një brez që mendon në mënyrë kritike, përshtatet shpejt dhe i shndërron idetë në ndikim real. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të rinjtë në Kosovë të mos përgatiten vetëm për vendet e punës së sotme, por të fuqizohen për të formësuar mundësitë e së nesërmes”, tha ajo.
“Përgjegjësia jonë, veçanërisht si ekonomi të gjeneratës së ardhshme, nuk është vetëm të përshtatemi apo të adoptojmë inteligjencën artificiale, por ta bëjmë atë të funksionojë për njerëzit, jo në vend të tyre. Të sigurohemi që ajo ta forcojë gjykimin njerëzor, jo ta zëvendësojë atë. Të sigurohemi që ajo t’i shërbejë shoqërisë, jo ta kontrollojë atë.
Kështu do të formësohet e ardhmja: jo nga ata që shpikin makinat më të shpejta, por nga ata që mendojnë edhe për përafrimin e inteligjencës, qoftë artificiale apo njerëzore, me qëllimin, me etikën dhe me të mirën e përbashkët”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës më tej tha se Kosova po pozicionohet si një vend i besueshëm për të investuar.,
“Prandaj po mbështesim krijimin e një mjedisi ku bizneset tona janë të sigurta në vetvete, të orientuara drejt tregjeve të jashtme dhe të gatshme të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë me botën”, tha ajo.
E para e shtetit tha se asnjë ekonomi në zhvillim nuk e ndërton e vetme këtë të ardhme dhe se partneritetet strategjike janë thelbësore për rritjen e gjeneratës së ardhshme.
“Për Kosovën, partneritetet nënkuptojnë përafrim me partnerët globalë, integrim në tregjet globale dhe bashkëpunim të thellë me aleatët në të gjitha sektorët. Ato nënkuptojnë ndërtimin e urave mes sipërmarrësve tanë dhe botës. Ato nënkuptojnë rritje të përbashkët.
Sepse, në fund të fundit, ekonomitë e gjeneratës së ardhshme nuk përcaktohen nga vendi ku nisin, por nga drejtimi që zgjedhin të ndjekin. Dhe Kosova ka vendosur. Ne zgjedhim reformën. Ne zgjedhim inovacionin. Ne zgjedhim partneritetin. Dhe ne zgjedhim të ardhmen. Dhe presim me padurim ta ndërtojmë këtë të ardhme së bashku me ju. Dhe jemi gati ta ndërtojmë atë tani”, u shpreh e para e shtetit. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Anzhej Frangesh.
Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin konstruktiv të partnerëve ndërkombëtarë në proceset e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Ne diskutuam edhe për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-së për forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hamza.
Kryetari i PDK-së më tej theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe për procese të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt rezultateve konkrete, në funksion të stabilitetit afatgjatë dhe integrimit euroatlantik të vendit. /Telegrafi/
Korporata Energjetike e Kosovës thekson se që nga 19 dhjetori, ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për plot 31 ditë.
KEK njofton se ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.
Tutje bëhet e ditur se standardi operativ i KEK që nga paslufta ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese 2 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B.
“Një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent”, thuhet në njoftim.
KEK më tej bën të ditur se nga 19 dhjetori ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm, me 5 njësi gjeneruese.
“Për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë 3 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend. /Telegrafi/