Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja! Gjykata e Posaçme dërgon për gjykim Amar Shkëmbin dhe Bledar Polovinën

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:50

GJKKO ka vendosur kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovina. Ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Shkozetit.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorit Adnan Xholi dhe vendosi kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Shkozetit.

Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca, teksa në ditët në vijim do hidhet shorti për të përcaktuar treshen e gjyqtarëve që do shqyrtojë dosjen penale në themel.

Amar Shkëmbi ishte shpallur në kërkim nga SPAK për këtë ngjarje, ndërsa u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar për llogari të autoriteteve shqiptare.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se Shkëmbi, së bashku me Bledar Polovina, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, dhe Ariol Halilaj kanë vepruar në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” në ngjarjen e regjistruar në 1 nëntor 2019 ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe i plagosur Arjan Ndoja si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me emrin “Rrumi i Shijakut”.

Në të njëjtën çështje penale janë edhe të pandehurit Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.

SHBA akuzon Rusinë për përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në Ukrainë

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:37

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Rusinë të hënën për “përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pashpjegueshëm” të luftës së saj gati katërvjeçare në Ukrainë, në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të shtyjë përpara negociatat drejt paqes.

Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, veçoi lëshimin nga Rusia javën e kaluar të raketës balistike “Oreshnik”, e aftë për mbajtje bërthamore, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, një aleate e NATO-s.

Ajo tha  në një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit se SHBA-ja e dënon “numrin tronditës të viktimave” në konflikt dhe i ka dënuar sulmet gjithnjë e më intensive të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj civile.

Ukraina kishte kërkuar mbledhje pas bombardimit rus gjatë natës së enjtes së kaluar, kur  përdoren qindra dronë dhe dhjetëra raketa, përfshirë raketën e re dhe të fuqishme hipërsonike “Oreshnik” e cila u përdor nga Moska për herë të dytë, si një paralajmërim i qartë për aleatët e Kievit nga NATO.

Sulmi i përmasave të mëdha ndodhi disa ditë pasi Ukraina dhe aleatët e saj raportuan përparim të madh drejt një marrëveshjeje si të mbrohet vendi nga represioni i mëtejmë rus, në rast se arrihet një marrëveshjeje paqeje e udhëhequr nga SHBA-ja.

Sulmi përkoi gjithashtu me një ftohje të re të marrëdhënieve mes Moskës dhe Washingtonit, pasi Rusia dënoi sekuestrimin nga SHBA-ja të një cisterne nafte në Atlantikun e Veriut. Ai ndodhi në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për një paketë të ashpër sanksionesh që synon të gjymtojë ekonomikisht Rusinë.

Moska nuk dha asnjë sinjal publik se është e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj maksimaliste ndaj Ukrainës. Ndërkohë, ambasadori rus në OKB fajësoi të hënën Ukrainën për bllokimin diplomatik.

Udhëheqësit evropianë e dënuan përdorimin e raketës “Oreshnik”.

Shoqata e Gjyqtarëve kundër projektligjit: Me emërimin e kryetarëve pa garë po merrni kompetencat e KLGJ

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:34

Nisma ligjore e PS, relakson pozicionet e kryetarëve të komanduar të gjykatave dhe prokurorive, të cilët do të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve del kundër kësaj dispozite duke thënë se po i merren kompetencat KLGJ.

Dy projektligje të propozuara nga deputeti socialit Olsi Komici që synojnë të bëjnë disa korrigjime të reformës në drejtësi, kamë sjellë reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Nisma ligjore e Komicit, relakson pozicionet e kryetarëve të komanduar të gjykatave dhe prokurorive, të cilët do të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028.

Por, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve del kundër këtij propozimi duke thënë se po shmanget gara për postet drejtuese në Gjykata. Më tej në reagim thuhet se me një dispozitë të tillë, po tentohet të uzurpohet pushteti që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve. Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thuhet në reagim, duke theksuar se çuditërisht kjo dispozitë shtrihet vetëm tek gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme.

Po ashtu, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve thotë se projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata.

Deklarata e plotë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë është një njohur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, si pjesë e një pakete ndryshimesh të ligjeve të reformës në drejtësi, të dërguar nga ana e Kuvendit, për konsultim. Në parim, Shoqata është shprehur gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe çdo institucion tjetër në përmirësimin e kuadrit ligjor që normon statusin e magjistratëve si dhe organizimin dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë dhe të qeverisjes së tyre. Megjithatë, kjo Shoqatë thekson se çdo ndryshim normativ duhet të jetë i kujdesshëm, të mos bjerë ndesh me parimet themelore të shtet ndërtimit, si ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit, si dhe duhet të synojë perfeksionimin e ligjeve bazë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe jo të zhbëjë sukseset e arritura deri tani në këtë drejtim.

Shoqata konstaton se në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të paraqitur nga ana e Kuvendit, ndër të tjera, prezantohet edhe një normë e cila vlerësohet si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese. Konkretisht bëhet fjalë për nenin 12 të këtij projektligji, që synon të shtojë nenin 170/3 në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë thekson se një dispozitë e tillë, së pari, tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave. Në nenin 147/a, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës, parashikohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve. Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme. Së treti, projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata, si dhe faktin se për një periudhë prej gati gjashtë vitesh gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit janë drejtuar nga zëvendëskryetarët, të cilët kanë ushtruar funksionet e kryetarit në detyrë. Kjo gjë e bën jo vetëm të panevojshëm caktimin e kryetarëve të gjykatave nga ana e Kuvendit, por sjell edhe cenimin e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Shoqata sjell në vëmendje se edhe tentativa të ngjashme për miratimin e normave të tilla me karakter ad personam kanë dështuar pasi janë përballur me gjykimin kushtetues. Përmendim këtu vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është shfuqizuar, ndër të tjera, neni 161, pika 3, e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dispozitë e cila synonte të ndërpriste mandatin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë si dhe të kryetarëve të gjykatave të tjera. Në këto rrethana, Shoqata fton Kuvendin e Republikës së Shqipërisë që të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës, duke dëmtuar arritjet e realizuara përmes ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili është në përfundim të procesit të reformimit si dhe që të mbajë në konsideratë jurisprudencën udhërrëfyese të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ajo është në çdo moment e hapur për të bashkëpunuar dhe ofruar kontributin e saj në përmirësimin e procesit të ligjbërjes.

113 vjet Polici e Shtetit, Proda: Besoni te ne! Jemi ajo që bëjmë, jo ajo që flitet përmes përbaltjes

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:27

Policia e Shtetit feston 113-vjetorin.

“Gjatë këtyre 113 vite 231 punonjës dhanë gjithçka për të mirën e  shtetit. Sot e përmot ata janë krenaria e vendit tonë. Për këtë rrugëtim 113 vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra. Viti që lamë pas tregoi vendosmërinë dhe guximin tonë. Uljen e kriminalitetin dhe menaxhimin e sezonit turistik. Të gjitha këto janë dëshmi që Policia e Shtetit nuk stepet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë për qytetarin dhe ligjin. Kjo tregon që Policia e Shtetit nuk dorëzohet kurrë.

Ne nuk jemi perfektë, por jemi përditë në sfidë me situatat dhe veten. Mos harroni kolegë sakrificën e përditshme, ju jeni atje kur asnjë tjetër nuk është, në diel shi e dëborë. Ju jeni telefonata e parë e çdo problemi. Jeni modestë në misionin tuaj, por gjithmonë prezentë. Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se koordinimi me partnerët ndërkombëtar janë baza e suksesit tonë. Ne jemi ajo që bëjmë jo ajo që flitet për ne përmes sulmeve e përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra djemve e grave që sakrifikojnë përditë”, tha Ilir Proda.

Homazhe pranë memorialit të dëshmorëve të Policisë së Shtetit

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:17

Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, u zhvillua sot një ceremoni përkujtimore në memorialin e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda së bashku me familjarë të Dëshmorëve të Policisë, vendosën kurora me lule, në memorialin përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të rënë në krye ose për shkak të detyrës.

Drejtori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen e pakufishme dhe ndërimet më të larta, për veprën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëkohësisht Dëshmorë të Atdheut, gjaku i të cilëve qëndron në flamurin kombëtar dhe në themelet e kombit.

Proda u shpreh gjatë ceremonisë se “sakrifica sublime dhe emri i secilit prej ish-kolegëve të rënë gjatë përballjes me krimin, janë motive të forta pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për t’i ruajtur të denja simbolin kombëtar, jetën dhe pronën e çdo qytetari.”

Policia e Shtetit shënon 113-vjetorin e themelimit, si një nga institucionet kyçe për rendin dhe sigurinë publike në vend.

Pasojat e përmbytjeve në Durrës/ Mbi 1 mijë pako ndihma ushqimore e industriale shpërndarë nga rezervat e shtetit

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:13

Bashkia Durrës po vijon shpërndarjen e ndihmave për qytetarët e prekur nga përmbytjet e fundit. Aktualisht, rreth 1,250 pako ushqimore dhe industriale janë shpërndarë nga rezervat e shtetit, ndërsa rreth 2,500 pako të tjera ushqimore nga Shoqata Katar do të shpërndahen nesër.

Shoqata Islamike Relief po bashkëpunon me autoritetet lokale për të ofruar ndihma shtesë me pako industriale dhe ushqimore.

Ndërkohë situata e tokave bujqësore mbetet e rënduar:

  • Bashkia Durrës: 900 ha në Sukth dhe 50 ha në Katund i Ri janë nën ujë.
  • Bashkia Shijak: 600 ha nën ujë.
  • Bashkia Krujë: 250 ha nën ujë.

Banesat e përmbytura gjithashtu po evidentohen nga grupet e punës, megjithëse procesi është penguar nga prania e ujit në disa zona. Aktualisht janë regjistruar:

  • Shijak: 43 banesa të përmbytura
  • Krujë: 18 banesa të përmbytura

Bashkia Durrës apelon për qytetarët që të respektojnë udhëzimet e emergjencës dhe të bashkëpunojnë me ekipet lokale gjatë shpërndarjes së ndihmave.

Dëborë e ngrica në akset e Shkodrës, rrugët janë të kalueshme, apel shoferëve për të përdorur zinxhirë

By: Fax Web
13 January 2026 at 11:11

Ne akset Koplik-Bogë, Dedaj- Razëm dhe kryesisht ne Bogë- Theth ka qenë mot i kthjellët por me temperatura nën zero nga – 3° në Koplik deri në -18° ne Qaf Thorë.

Rrugët janë të kalueshme por duhet të zbatohen me rigorozitet rregullat e qarkullimit,  sinjalistika dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Ne Qafe Thorë nuk ka pasur aktivizim te rrezikshëm te ortekëve. Po punohet  për pastrim e dëborës që ka sjelle era dhe në kriposje.

Gjithashtu kriposja po bëhet dhe në aksin e Bërdicës për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.

Për herë të parë në 25 vjet, një qytet në Afrikën e Veriut mbulohet nga reshjet e dëborës

By: Fax Web
13 January 2026 at 10:57

Banorët në një qytet të Afrikës së Veriut kanë përjetuar reshje të konsiderueshme bore për herë të parë në afërsisht 25 vjet, ndërsa pamjet tregojnë vendasit me veshje të trasha të jashtme duke u argëtuar në rrugët e mbuluara me borë.

Sipas mediave të huaja, më 7 janar 2026, qyteti maroken verilindor i Oujdas regjistroi dy centimetra borë në qendër të qytetit, ndërsa fshatrat përreth panë deri në 10 centimetra.

Thuhet se reshjet e borës kanë ndodhur gjatë një valë të ftohti që solli një rënie të ndjeshme të temperaturave në pjesë të Afrikës së Veriut, të nxitura nga një sistem i fuqishëm me presion të ulët dhe masa e ajrit të ftohtë.

1 miliard lekë shtesë për Mbrojtjen Civile, investime dhe kompensime nga zjarret e përmbytjet

By: Fax Web
13 January 2026 at 10:03

Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ka rritur ndjeshëm mbështetjen financiare për Sistemin e Mbrojtjes Civile dhe menaxhimin e emergjencave, duke parashikuar fonde të posaçme për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore në buxhetin e vitit 2026.

Në zbatim të ligjit nr. 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh në formën e transfertës së kushtëzuar, i cili ndahet në 500 milionë lekë për investime dhe 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve të prekur nga zjarret apo përmbytjet.

Paralelisht, 1.5 miliard lekë do të përdoren për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa 300 milionë lekë janë dedikuar për projekte në digat dhe rezervuarët.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, fondet e parashikuara synojnë rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës, garantimin e kompensimit për familjet e prekura, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen.

Ministria thekson se mbetet e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të Sistemit të Mbrojtjes Civile dhe në koordinimin ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një reagimi më të shpejtë dhe më efikas ndaj emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.

Lumi Seman çan argjinaturën/ 20 banesa të përmbytura

By: Fax Web
13 January 2026 at 09:02

Lumi Seman ka çarë argjinaturën në zonën e Dernenasit, njësia administrative Libofshë.

Si pasojë, rreth 20 banesa janë përmbytur, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore janë vënë nën ujë.

Në terren kanë mbërritur eskavatorë dhe mjete të rënda, të cilat po punojnë intensivisht për të reduktuar dëmet dhe për të stabilizuar argjinaturën.

Rama: Presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë

By: Fax Web
13 January 2026 at 08:58

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe ku po merr pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu DhabiSustainability Week 2026” (ADSË).

Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga sisja e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që organizohet nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i Ekzekutivit është i pranishëm në këtë event me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilin e cilëson “një mik të madh të Shqipërisë”.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

SHBA u bën thirrje urgjente qytetarëve amerikanë: Largohuni menjëherë nga Irani

By: Fax Web
13 January 2026 at 08:57

Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët amerikanë që ndodhen në Iran, duke i ftuar të “largohen menjëherë” nga vendi.

Thirrja vjen si pasojë e përshkallëzimit të protestave në mbarë Iranin, rritjes së dhunës dhe bllokimit të aksesit në internet.

Njoftimi u publikua të hënën, në një kohë kur Irani po hyn në javën e tretë të protestave antiqeveritare. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut dhe raportimeve mediatike, situata ka sjellë qindra viktima dhe mijëra persona të arrestuar.

Autoritetet amerikane kanë theksuar se kushtet e sigurisë janë përkeqësuar ndjeshëm dhe se qytetarët e SHBA-së përballen me rreziqe serioze, përfshirë vështirësi në komunikim dhe lëvizje për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet iraniane.

 

113-vjetori i Policisë së Shtetit, mijëra aksione e sakrifica në shërbim të vendit dhe qytetarëve

By: Fax Web
13 January 2026 at 08:54

Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit, një ditë për të kujtuar dhe vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e brezave të tërë të punonjësve të policisë për të garantuar siguri për qytetarët shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e efektivëve të Policisë së Shtetit në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu nënvizon se në këtë 113-vjetor, me mijëra burra e gra në uniformë, mijëra aksione, mijëra sakrifica me një mision të vetëm, në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Më 13 janar të vitit 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit duke ngarkuar për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin. Halim Gostivari do të ishte drejtori i parë i Policisë së Shteti. Ndërsa më 3 qershor 1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare”.

Yesterday — 12 January 2026Main stream

Ndodh edhe kjo! Morrat ndërpresin gjyqin kundër “bosit” nga Elbasani

By: Fax Web
12 January 2026 at 20:00

Nga Cedric Lagast dhe Chris Verhaeghe, GVA

Procesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda kundër kriminelit shqiptar të drogës Franc Gergely (33 vjeç) në Bruksel është pezulluar. Jo sepse një avokat kërkoi përjashtimin e gjyqtares apo për shkak të ndonjë gabimi procedural, por për shkak të pranisë së… morrave të shtratit në sallë.

Procesi ka të bëjë me vrasjen brutale të Ardit Spahiut, e kryer në mes të ditës, në rrugë, në Bruksel më 27 nëntor 2021.

LEXO EDHEGjyqi për vrasjen e shqiptarit në Belgjikë/ “Koka” e klanit nga Elbasani: Jam agjent imobiliar!

Sipas prokurorisë federale, vrasja ishte një larje hesapesh mes dy klaneve mafioze, dhe shtatë persona po gjykohen në ndërtesën ‘Justitia’. Këto janë ish-ndërtesat e NATO-s në Evere.

Të hënën në mëngjes, një nga anëtarët e jurisë vuri re se një morr shtrati i ishte ngjitur në krah. Kur seanca rifilloi pas pushimit të drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi ta pezullojë procesin për 24 orë, “në mënyrë që të merren masa”.

“Kjo shkon shumë larg”, tha gjykatësja Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet vazhdimisht sistemi i drejtësisë.

“Nuk dua të vë në rrezik anëtarët e jurisë, avokatët, të pandehurit apo këdo tjetër.”

Gjykata u rekomandoi të gjithë të përfshirëve që t’i lajnë rrobat në 60 gradë ose t’i vendosin në frigorifer.

Nuk është e qartë se çfarë masash do të mund të marrë tani drejtësia. Lufta kundër morrave të shtratit është një proces që kërkon shumë punë.

Zhvendosja e procesit në një sallë tjetër rezulton gjithashtu e pamundur. Salla e gjykatës së jurisë në Pallatin e Drejtësisë në Bruksel, në sheshin Poelaert, nuk është e disponueshme, ashtu si edhe salla solemne e gjykatës së apelit në Bruksel.

Salla e gjykatës së jurisë në godinën gjyqësore në Nivelles është e mbyllur prej një viti, sepse ndërtesa është në gjendje të keqe. Ndërtesa ‘Justitia’ në Evere përdoret për shumë procese të tjera.

Kështu, edhe procesi kundër baronit të drogës Flor Bressers duhej të zhvillohej aty, por ai proces është pezulluar pas kërkesave të reja për përjashtim të gjyqtarëve.

Temperatura deri në – 10 °C/ IGJEO: Shtim i sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës, ngricat do të…

By: Fax Web
12 January 2026 at 19:41

Reshje të shumta dëbore kanë mbuluar pjesën më të madhe të veriut të vendit, juglindjen dhe zonat malore.

Sot,12 janar 2026, temperaturat në vend janë tepër të ulëta, deri në -18 gradë Celsius në Lurë të Dibrës.

Ndërkohë, sipas asaj që raporton Instituti i Gjeoshkencave, sipas llogaritjeve hidrologjike, si rezultat i reshjeve të rëna Lumi Drin- Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Ndërkohë në pjesë të tjera të vendit, si pasojë e temperaturave të ulëta në Veri, Lindje dhe Juglindje të territorit, ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.

TEMPERATURA DHE NGRICA
Sot pasdite (e hënë, dt. 12) dhe nesër (e martë, dt. 13) si pasojë e temperaturave të ulëta në Veri, Lindje dhe Juglindje të territorit, ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.
RESHJET
Sot pasdite (e hënë, dt. 12) dhe nesër (e martë, dt. 13) nuk priten reshje (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
TEMPERATURA
Nesër (e martë, dt. 13) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 2 / 10 °C
në vendet e ulëta: -2 / 10 °C
në vendet malore: -10 / 4 °C
ERA
Sot pasdite (e hënë, dt. 12) dhe nesër (e martë, dt. 13) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

VIDEO/ Edi Rama në Abu Dhabi, pjesëmarrës në “Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”

By: Fax Web
12 January 2026 at 19:35

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Përmes një postimi në Facebook, ai bën me dije se është ftuar për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Abu Dhabi – Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).

Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

Kartat janë zbrazur në mënyrë të mistershme/ Thyhet sistemi i sigurisë në BKT, “avullojnë” paratë e qytetarëve

By: Fax Web
12 January 2026 at 19:25

Një numër klientësh të Bankës Kombëtare Tregtare janë përballur me një surprizë të pakëndshme, teksa kartat e tyre janë zbrazur në mënyrë të mistershme.

Portali “Kapitali” ka identifikuar një sërë rastesh ku kartat rezultojnë të jenë përdorura në shtete të ndryshme.

Në një rast, karta e një qytetari rezultonte të ishte përdorur në Bullgari duke bërë blerje për një shumë të konsiderueshme me mijëra euro.

Në një tjetër rast, paratë ishin marrë në Itali, e kështu me radhë. Pas këtyre informacioneve, Kapitali iu drejtua BKT-së zyrtarisht për të mësuar se çfarë ka ndodhur.

Banka pranoi se kartat janë klonuar nga një automat në Tiranë, ku autorët e vjedhjes kishin instaluar një kamera. BKT-së thotë se ky fenomen ka zgjatur vetëm një orë dhe pastaj thyerja e sigurisë është diktuar nga stafi i saj, ndaj sipas Bankës numri i kartave është që janë klonuar është i vogël.

Ndërkohë BKT bën të ditur gjithashtu se qytetarët që kanë rënë pre e vjedhjes do të rimbursohen plotësisht.

Kapitali nuk arriti të provojë përmasat e fenomenin në mënyrë të pavarur. Por fakti që arriti të identifikojë disa raste brenda një kohë të shkurtër tregon se fenomeni mund të jetë më i madh nga sa pranon vetë banka.

Gjithsesi përtej përmasave, thyerja e sigurisë në bankën më të madhe të vendit përbën një shqetësim, i cili ngre edhe një herë nevojën për investime masive në sigurinë kibernetike nga sektori bankar, veçanërisht në epokën e dixhitalizimit. /Kapitali

Shkrumbohet banesa në Gjirokastër, zjarrfikësit shpëtojnë të moshuarën

By: Fax Web
12 January 2026 at 19:10

Një apartament në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës, ngjarja është raportuar rreth orës 17:49 nga Policia e Shtetit, pasi zjarri kishte përfshirë katin e parë të një pallati.

Menjëherë në vendngjarje është nisur një automjet zjarrfikës me efektivët përkatës.
Gjatë ndërhyrjes u konstatua se brenda banesës ndodhej një e moshuar, 83 vjeçe, Çevi Jonuzi, e cila ishte e asfiksuar dhe e pamundur të dilte vetë nga banesa e përfshirë nga flakët.

 

Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë me shpejtësi, duke bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarës dhe transportimin e saj drejt urgjencës për marrjen e ndihmës së parë.

Operacioni vijoi me neutralizimin e flakëve dhe vendosjen e zjarrit nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në banesat përreth.

Si pasojë e zjarrit, banesa pësoi dëme materiale.

I ftohti redukton minutazhin e “Foltores”, Berisha: Duke bllokuar drejtësinë, Rama po bën “grusht shteti”

By: Fax Web
12 January 2026 at 19:08

Edhe këtë të hënë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj u rikthyen në sheshin para Kryeministrisë për “foltore-protestën” e rradhës.

Njësoj si herët e shkuara, por me minutazh të reduktuar edhe për shkak të kushteve meteorologjike, foltorja nisi me fjalime nga eksponentë të Opozitës, qytetarë ndërsa u mbyll me fjalën e kreut të PD, Sali Berisha.

Lideri i Opozitës e nisi fjalimin e tij duke përshëndetur protestat masive në Iran ndërsa shtoi më tej se, viti 2026 do të jetë viti i triumfit.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se, po e çon vendin drejt një grusht shteti duke mbrojtur zëvendësen e tij, Belinda Balluku.

Berisha: “Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve të pamposhtur në këtë shesh, që përcillni nga ky shesh, nga ky bulevard mesazhin e shpresës, mesazhin e fitores në të katër anët e Shqipërisë.

Të dashur miq, viti 2026 do shkruhet me germa të arta në muret e kohës si viti i anti-diktaturave. Si viti kur popujt e autokracive arritën t’i përmbytin njëra pas tjetrës ato.

Prej dy javësh, rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera të Iranit janë të mbushur me opozitarë të guximshëm, trima, të cilët pavarësisht nga masakrat, breshëritë e ajatollahëve obskuranistë, ecin të sigurtë drejt fitores.

Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë. Asgjë nuk mund të ndalë vrullin e tyre, guximin e tyre, hovin e tyre, pa triumfuar. Dhe ne këtu vijmë sepse kemi këtë besim. Sepse besojmë në idealet tona të drejta. Dhe se besojmë se këto ideale do triumfojnë së shpejti.

Ne kemi përballë sot regjimin më karikaturial, më të turpshëm, më të dekompozuar në Europë dhe në botë.
Regjimin, që kudo që ta prekësh, rrjedh vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje të shqiptarëve. Regjimin, i cili mbahet në këmbë me mashtrime, me propagandë, me trillime. Regjimin që pret nga ne qytetarët t’i japim ndëshkimin që meriton.

Miqtë e mi, Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit. Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë. Ai, një një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju.

Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton”.

Kujtojmë se më 24 janar, PD organizon protestën e rradhës kombëtare, ndaj Berisha ftoi qytetarët ti bashkohen asaj.

Berisha: “Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike. Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali”.

 

Mesditën e sotme, gjatë një konference për shtyp, Berisha do të shprehej se, qëllimi kryesor i opozitës shqiptare dhe Partisë Demokratike është rrëzimi i këtij regjimi të korruptuar dhe se gëzohet mbështetja e plotë e faktorit ndërkombëtar, përfshi edhe SHBA-të.

I pyetur për strategjinë e opozitës, ai tha:

“Strategjia e opozitës është rrëzimi i këtij regjimi. Opozita ka besim të madh se do ngrihet, të ringrihet, e ta rrëzojë këtë regjim”.

Kurse për bashkëpunimin me faktorin opozitar, dhe qëndrimin larg të disa prej krerëve të këtyre partive, ai shtoi:

“Do bashkëveprojë dhe bashkëpunojë, gjithashtu me shumë e shumë faktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare, që duan ta përzënë një minutë e më parë këtë të keqe kriminale”.

Fondet për parandalimin e fatkeqësive natyrore, Rama: 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve

By: Fax Web
12 January 2026 at 19:02

Teksa situata me përmbytjet në vend ka ardhur në përmirësim, kryeministri Edi Rama, në një postim të fundit në rrjetet sociale, publikon shifrat lidhur me fondet e parashikuara për mbrojtjen civile dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.

Sipas kreut të qeverisë, 1.5 miliardë lekë do të shkojnë për financimin e projekteve për parandalimin e fatkeqësive natyrore ndërsa 300 milionë për financimin e projekteve për digat dhe rezervuarët.

Rama shton se, 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve dhe 500 milionë të tjera për investime.

Nën hashtagun “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, Rama shkruan:

“Fondet e parashikuara për mbrojtjen civile synojnë rritjen e sigurisë përballë fatkeqësive natyrore, garantimin e kompensimit për qytetarët e prekur, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen”.

❌
❌