Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

NJË URIM PËR VITIN E RI

31 December 2025 at 13:52


Poezi nga: W. H. Auden
Përktheu: Agron Shala

Në këtë ditë të cilën tradita na ka caktuar
për të bërë bilancin e jetës sonë,
përshëndetje për të gjithë ju, mikroorganizma:
baktere, viruse,
aerobë dhe anaerobë.
Gëzuar Vitin e Ri
të gjithëve për të cilët ektoderma ime
është si Toka e Mesme për mua.

Për krijesa të përmasave tuaja ofroj
zgjedhje të lirë vendbanimi,
prandaj vendosuni në atë zonë
që ju përshtatet më mirë, në pellgjet
e poreve të mia, ose në pyjet tropikale
të nënsqetullave dhe ijëve,
në shkretëtirat e parakrahëve të mi,
ose në pyjet e freskëta të lëkurës së kokës.

Ndërtoni koloni: unë do t’ju ofroj
ngrohtësi dhe lagështi të mjaftueshme,
sebumin dhe lipidet që ju nevojiten,
me kusht që të mos më bezdisni
me praninë tuaj,
por të silleni si mysafirë të mirë,
pa shpërthyer në akne,
infeksion të shputave apo lungë.

A ndikon gjendja ime e brendshme
në sipërfaqet ku ju banoni?
A shënojnë çrregullimet e paparashikueshme shpirtërore
rënien time të shpejtë
nga ditët kur mendja është e kthjellët
dhe vijnë mendimet e rëndësishme,
tek ato ditë të hidhura kur s’ndodh asgjë,
askush nuk më thërret në telefon dhe bie shi?

Më pëlqen të mendoj se krijoj
një botë jo të pamundur,
por Eden nuk mund të jetë:
lojërat e mia, veprimet e qëllimshme,
mund të kthehen në katastrofa për ju.
Po sikur të ishit krijesa fetare,
si do t’i arsyetonit dramat tuaja
dhe vuajtjet e pamerituara?

Me çfarë mitesh do t’i shpjegonin priftërinjtë tuaj
uraganet që ndodhin
dy herë në çdo njëzet e katër orë
sa herë që vishem ose zhvishem
kur, kapur pas keratinës,
qytete të tëra treten
dhe zhduken në hapësirë, ose nga përmbytja
që djeg për vdekje kur lahem?

Pastaj, herët a vonë, do të vijë
një Ditë Apokalipsi,
kur lëkura ime bëhet
tepër e ftohtë, tepër e ndyrë për ju,
tunduese për grabitqarë
të një lloji më të egër, dhe unë
zhvishem nga justifikimet dhe aureola,
i shkuar, i nënshtruar ndaj gjykimit.

__________

Lexo po ashtu nga: W. H. Auden
- Epitaf për një tiran
- 1 shtator 1939

Shkrimtarët e famshëm dhe Viti i Ri

31 December 2025 at 13:00


Nga: Esther Lombardi
Përkthimi: Telegrafi.com

Festa e Vitit të Ri ka të bëjë me reflektimin mbi vitin që po kalon dhe planifikimin për vitin që vjen. Mblidhemi me miq të rinj dhe të vjetër, dhe përcaktojmë objektivat që mund të zgjasin deri përtej janarit - ose jo. Një mënyrë e mrekullueshme që njerëzimi ka zbuluar për të përkujtuar natën e ndërrimit të viteve, është duke shkruar për këtë festë vjetore, duke krijuar thënie si ato të cituara më poshtë.

Siç e thotë Sir Walter Scott:

Çdo moshë ka menduar se viti i porsalindur / Është koha më e përshtatshme për gëzim festiv.

Prandaj, festoni Vitin tuaj të Ri duke lexuar këto thënie nga autorë të famshëm, si John Burroughs dhe Mark Twain, të cilat eksplorojnë gjithçka, që nga tradita e lashtë e caktimit të objektivave të përkohshme, te rëndësia e fillimit të çdo viti - dhe madje çdo dite - me një qasje të re ndaj jetës.

Siç thotë T.S. Eliot në [poemën] Litël-Giding [Little Gidding]:

Fjalët e vitit të kaluar i përkasin gjuhës së vitit të kaluar / Dhe fjalët e vitit të ardhshëm presin një zë tjetër. / Dhe të mbarosh diçka do të thotë të fillosh.

Thënie për objektivat e Vitit të Ri

Tradita më e njohur e Vitit të Ri në Shtetet e Bashkuara është ajo e përcaktimit të objektivave për vitin që vjen, duke i premtuar vetes të hajë më pak ëmbëlsira apo të ushtrojë rregullisht, e për ta thyer atë premtim vetëm disa muaj më vonë - siç shprehet në mënyrë të famshme Helen Fielding në Ditarin e Brixhit Xhonsit [Bridget Jones's Diary]:

Mendoj se, teknikisht, objektivat e Vitit të Ri nuk mund të priten të fillojnë më 1 janar, apo jo? Sepse, meqë është një zgjatim i natës së Vitit të Ri, duhanpirësit tashmë janë duke pirë duhan dhe nuk mund të pritet të ndalen, papritmas pas goditjes së mesnatës, me aq shumë nikotinë në sistem. Gjithashtu, dieta në Ditën e Vitit të Ri nuk është ide e mirë, pasi nuk mund të hash në mënyrë të arsyeshme, por në të vërtetë duhet të kesh liri të konsumosh çfarëdo që është e nevojshme, moment pas momenti, për të lehtësuar dhimbjen e kokës nga nata e mëparshme. Mendoj se do të ishte shumë më e arsyeshme që objektivat, në përgjithësi, të fillonin më 2 janar.

Disa, si André Gide, gjithashtu i qasen idesë së objektivave me humor:

Por, a mund të përcaktosh ende objektivat kur je mbi dyzet vjeç? Jetoj sipas shprehive njëzetvjeçare.

Të tjerët, si Ellen Goodman, i qasen me goxha optimizëm ndryshimit të vërtetë:

E kalojmë 1 janarin duke ecur nëpër jetën tonë, dhomë pas dhome, duke bërë një listë të punëve për t’u kryer, të të çarave për t’u rregulluar. Ndoshta këtë vit, për ta balancuar listën, duhet të ecim nëpër dhomat e jetës sonë ... jo duke kërkuar për të metat, por për potencialin.

Disa herë gjatë karrierës së tij, si shkrimtar dhe folës publik, Mark Twain i përshkroi këto objektiva me një dozë përçmimi. Ai shkroi në mënyrë të famshme:

Viti i Ri është një institucion i padëmshëm vjetor, pa ndonjë dobi të veçantë për askënd, përveçse një kurban për pijanecë të shthurur, vizita miqësore dhe vendime të rreme.

Në një tjetër rast, Twain shkroi:

Dje, të gjithë pinë purot e tyre të fundit, pinë pijen e fundit dhe thanë sharjen e fundit. Sot, ne jemi një komunitet i devotshëm dhe shembullor. Pas tridhjetë ditësh, do t’i kemi fërfëlluar në erë reformimet tona dhe do të kemi shkurtuar më tepër se kurrë më parë mangësitë tona të vjetra.

Oscar Wilde, nga ana tjetër, e mori konceptin me një rezervë dhe shkroi me humor:

Objektivat e mira janë thjesht çeqe që burrat nxjerrin nga një bankë ku nuk kanë llogari.

Thënie për nismat e reja

Shkrimtarët e tjerë besojnë në traditën që Dita e Vitit të Ri është një fillim të ri ose një faqe e bardhë - sipas fjalëve të një shkrimtari, një letër e re ose një faqe bosh - dhe siç e thotë G.K. Chesterton:

Qëllimi i Vitit të Ri nuk është të kemi një vit të ri. Është të kemi një shpirt të ri dhe një hundë të re; këmbë të reja, një shtyllë të re kurrizore, veshë të rinj dhe sy të rinj. Nëse një njeri i caktuar nuk cakton objektivat për Vitin e Ri, ai nuk do t’i caktojë kurrë objektivat. Nëse një njeri nuk fillon asgjë nga e para, ai sigurisht nuk do të bëjë asgjë të dobishme.

Shkrimtarët e tjerë e shohin fillimin e ri pak më të lehtë se Chestertoni, si John Burroughs, i cili njëherë tha:

Një vendim që kam marrë, dhe përpiqem gjithmonë ta mbaj, është ky: Të ngrihem mbi gjërat e vogla.

Ose, Benjamin Franklin, i cili dikur shkroi:

Ji gjithmonë në luftë me veset e tua, në paqe me fqinjët e tu, dhe le të të gjejë çdo Vit i Ri si një njeri më i mirë.

Anaïs Nin e çon edhe një hap më tej, duke thënë se çdo ditë është një objektiv i ri:

Nuk kam objektiva për Vitin e Ri. Zakoni i bërjes së planeve, i kritikës, miratimit dhe formësimit të jetës sime, është ngjarje tepër e përditshme për mua.

Për kalimin e kohës

Disa shkrimtarë përqendrohen drejtpërdrejt në idenë e kalimit të kohës, në reflektimet e tyre për traditat e festimit të Vitit të Ri. Për shembull, Charles Lamb shkroi:

Nga të gjithë tingujt e të gjitha kambanave ... më solemne dhe prekëse është tingëllima që shoqëron fundin e Vitit të Vjetër.

Shkrimtari Thomas Mann gjithashtu e vlerësonte solemnitetin e kalimit të kohës dhe pavlefshmërinë e “zileve dhe fishekzjarrëve” njerëzorë për të festuar ndryshimin e një sekonde me tjetrën - për të cilën koha nuk interesohet aspak:

Koha nuk ka ndarje për të shënuar kalimin e saj, nuk ka kurrë stuhi apo bori që lajmërojnë fillimin e një muaji apo viti të ri. Edhe kur fillon një shekull i ri, jemi vetëm ne, vdekatarët, që u biem kambanave dhe qëllojmë me pistoleta.

Dy poezi të shkurtra për Ditën e Vitit të Ri

Edith Lovejoy Pierce përshkroi në mënyrë poetike ditën e parë të vitit, si më poshtë:

Do ta hapim librin. Faqet e tij janë bosh. Ne do t’i shkruajmë fjalët në to. Libri quhet “Mundësi” dhe kapitulli i tij i parë është “Dita e Vitit të Ri”.

Edgar Guest dhe Thomas Hood, nga ana tjetër, shkruan secili nga një poezi të shkurtër dedikuar kalimit nga viti i vjetër në të riun:

Me fat Vitin e Ri! Ma mundëso të
të mos sjell lot në asnjë sy,
kur ky Vit i Ri të ketë marrë fund.
Le të thuhet se kam qenë mik,
kam jetuar, dashuruar dhe punuar këtu,
dhe nga kjo krijova një vit të lumtur.
- Edgar Guest

Dhe ju, që jeni përballur me goditjen e fatkeqësive,
dhe jeni përkulur përdhe nga furia e tyre;
ju për të cilët dymbëdhjetë muajt që sapo kaluan
ishin po aq të ashpër sa një juri paragjykuese -
megjithatë, një dolli për të Ardhmen! dhe bashkohuni në këngën tonë,
për të ledhatuar keqardhjet e kujtimeve,
dhe pasi kemi marrë një sprovë të re të kohës,
të brohorasim me shpresën për një dymbëdhjetëshe më të mirë.

/Telegrafi/

Viti 2025 ishte viti kur u lodhëm nga fama - për hir të famës

31 December 2025 at 11:03


Nga: Nadia Khomami / The Guardian (titulli: 2025 was the year we grew tired of celebrity for celebrity’s sake)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur Katy Perry dhe pesë gra të tjera u nisën në hapësirë me raketën Blue Origin të Jeff Bezosit, me siguri prisnin të përshëndeteshin si pioniere. Kthejeni mendjen te prilli, kur ngjarja po mbulohej gjerësisht nga mediat. Ekuipazhi, që përfshinte gjithashtu të fejuarën e atëhershme të Bezosit, Lauren Sánchez, dhe prezantuesen e CBS-it, Gayle King, ishte në hapësirë për rreth 11 minuta gjatë të cilëve Perry këndoi një version të What a Wonderful World të Louis Armstrongut dhe zbuloi listën e këngëve për turneun e saj Lifetimes. Pas kthimit, ylli i popit puthi tokën dhe tregoi një margaritar para kamerës - një homazh për vajzën e saj, Daisy.

Eh, flasim për rënie me këmbë në tokë. Në vend që të përshëndetej si një hap gjigant për feminizmin e shekullit XXI, udhëtimi u kthye në një dështim kolosal të marrëdhënieve me publikun. Në një kohë të problemeve ekonomike, u tall si gjë e pakuptimtë, si një shëtitje luksi për super të pasurit e shkëputur nga realiteti. Kishte aq shumë meme tallëse dhe opinione ironike, saqë më vonë Perry pranoi se ndihej “e rrahur dhe e lënduar” nga fakti që ishte kthyer në një “pinjatë njerëzore”. “E marr me mirësjellje dhe u dërgoj dashuri”, tha ajo, “sepse e di që ka shumë njerëz që po vuajnë në shumë mënyra dhe interneti është vërtet një vendgrumbullim mbeturinash për të paqëndrueshmit dhe të pashërueshmit”.

Por, reagimi ndaj Blue Origin-it pasqyroi një ndryshim më të gjerë kulturor. Siç thotë shprehja tashmë virale e Kourtney Kardashianit: “Kim, ka njerëz që po vdesin”. Po zhduket toleranca e publikut për promovimin e famës si qëllim më vete. Në një botë të mbushur me pasiguri ekonomike, tronditje politike, luftëra dhe degradim mjedisor, a është për t’u habitur që gjithnjë e më shumë duam që ata që kanë platforma të mëdha t’i përdorin ato për diçka më shumë sesa për vetëpromovim?

Sigurisht, dasma e Jeff Bezosit në Venecie, këtë verë - me kosto të vlerësuar në rreth 37 milionë paundë [afro 43.4 milionë euro] - ishte jashtëzakonisht glamuroze, dhe çdo personazh i famshëm që vlente një qindarkë ishte i ftuar. Pamë fotot e Leonardo DiCaprios, Oprah Winfreyt, Ivanka Trumpit dhe Kardashianeve teksa hipnin në taksi ujore për të vizituar lagunën veneciane. Dikur këto imazhe do të kishin ngjallur zili ose aspiratë; tani nxisin zemërim dhe ushqejnë narrativa të stilit “haje të pasurin”.

Yjet dikur ishin figura të largëta, jeta e të cilëve funksiononte si arratisje. Mediat sociale e kanë zvogëluar atë distancë, duke i sjellë yjet në të njëjtat faqe, kriza dhe biseda si të gjithë të tjerët. Tani, kur ata duken indiferentë, kjo lexohet si përçmim.

Merrni rastin e Sydney Sweeney, reklama e së cilës për xhinset American Eagle shkaktoi një nga debatet më të mëdha në kulturën pop këtë vit. Në të, biondina me sy të kaltër - yll i [serialit] Euphoria - paraqitet si dikush me “xhinse madhështore” [Great Jeans] - lojë fjalësh me “gjene” [gene] - për të cilën kritikët thanë se evokonte eugjenikën dhe supremacinë e bardhë. Edhe Donald Trumpi u përfshi, duke e cilësuar si “reklamën më të nxehtë”, pasi u raportua se Sweeney ishte regjistruar si votuese republikane në Floridë, disa muaj para zgjedhjes së tij. Shumë vetë e panë heshtjen e Sweeneyt si bashkëfajësi. “Mendoj se kur kam një çështje për të cilën dua të flas, njerëzit do të më dëgjojnë”, tha aktorja në nëntor.

Kaluan disa javë dhe Sweeney më në fund pranoi se duheh të kishte adresuar polemikën rreth reklamës. Ajo gjithashtu foli kundër “urrejtjes dhe përçarjes”. Interpretimi bujar është se iu desh një kohë për të gjetur përgjigjen e duhur, por cinikët mund të vërejnë se pendesa përkoi me daljen e dobët në arkëtim të filmit të saj të fundit, Christy.

Drejtuesit e filmave mund të falen për besimin se thjesht një emër i famshëm në titull mund të tërheqë njerëzit në kinema - në fund të fundit, kjo ka qenë mënyra që nga lindja e Holivudit. Por, përvoja e Sweeneyt flet gjithashtu për një rikthim më të gjerë në industrinë e filmit. Këtë sezon, filmat që kanë protagonistë emrat si Margot Robbie, Dwayne Johnson, Julia Roberts, Keanu Reeves dhe Daniel Day-Lewis kanë pasur vështirësi në kthimin e investimeve. Një postim i njohur në Reddit ka thënë se kjo ndodhi “thjesht sepse sistemi i yjeve nuk ekziston më dhe një emër i vetëm nuk mjafton për të bindur dikë që të shkojë në kinema”. Në vend të kësaj, rezonuan filmat që sfiduan strukturat ekzistuese të pushtetit dhe që kishin një kastë solide, si Sinners i Ryan Cooglerit, një film vampirësh i rrënjosur në historinë afrikano-amerikane, apo One Battle After Another i Paul Thomas Andersonit për një revolucionar në pension dhe vajzën e tij me origjinë të përzier që përballen me shtetin.

Duket se nuk mjafton më të çmosh famën. Edhe Taylor Swift, e cila ndërtoi karrierën mbi ndjeshmërinë emocionale, u përball me reagime të vakëta kur albumi i saj më i fundit, The Life of a Showgirl, i dha përparësi këngëve për shoubizin dhe burrërisë së të fejuarit të saj mbi çështjet madhore. Akuza se Swifti ishte e shkëputur nga ankthet e botës më të gjerë, u thelluan kur ajo dështoi të sfidonte administratën Trump për përdorim - në rrjetet sociale - të fragmenteve nga albumi i saj (për dallim nga muzikantët e tjerë si Sabrina Carpenter dhe Olivia Rodrigo, që kundërshtuar publikisht përvetësimet e ngjashme politike).

Vitin e kaluar, Swifti ishte në listën e personazheve të famshëm që përdoruesit e rrjeteve sociale u inkurajuan t’i bllokonin sepse nuk kishin komentuar publikisht për konfliktin Izrael-Gazë. Ndoshta një ndjenjë kaq e fortë qëndron pas rritjes së numrit të artistëve që janë ndier të fuqizuar për të folur për shkallën e vdekjes dhe vuajtjes në Gazë gjatë 12 muajve të fundit. Por, ka gjithashtu pasoja të mundshme për ata që bëjnë deklarata politike - dhe jo vetëm për Lindjen e Mesme. Pezullimi i prezantuesit amerikan Jimmy Kimmel (për komentet rreth vrasjes së Charlie Kirkut) tregoi se institucionet e fuqishme janë të gatshme të veprojnë kundër figurave publike që i sfidojnë ato.

Ekziston gjithashtu rreziku që të famshmit të rrëshqasin në aktivizëm performativ. Në [platformën] Substack-un e saj të ri, Charli xcx së fundmi reflektoi mbi përgjegjësinë e artistit ndaj publikut. “Disa njerëz duket se kanë krijuar një lidhje midis famës dhe përgjegjësisë morale të cilën unë në të vërtetë kurrë nuk e kam kuptuar”, tha ajo. Ndërkohë, Jennifer Lawrence ka thënë se barra nuk duhet të bjerë mbi artistët për të rregulluar problemet e botës. Por, në një kohë kur shumë njerëz kanë humbur besimin në institucionet që dikur formësuan moralin publik - nga liderët politikë te mediat - nuk është për t’u çuditur që të famshmit po shihen si ata që duhet të mbushin boshllëkun. Në vitin 2025, njerëzit nuk i duan të famshmit e tyre në hapësirë - ata duan të dinë për çfarë qëndrojnë ata këtu në tokë. /Telegrafi/

“Shqipëria e Re” në dokumentet arkivore gjermane: Strategjia naziste në tokat shqiptare

31 December 2025 at 09:38


Nga: Xhezair Zaganjori

Në artikujt e mëparshëm, bazuar kryesisht në dokumentacionin arkivor të Ministrisë së Jashtme gjermane (Auswärtiges Amt), dokumentacion që në atë kohë konsiderohej “tepër sekret”, kemi parë se në prill 1939, Rajhu gjerman ishte krejt indiferent ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Drejtori i përgjithshëm politik i kësaj ministrie, Ernst Woermann, që kishte pritur po atë ditë ambasadorin shqiptar në Berlin, diplomatin e shquar Rauf Fico, u shkruante më 5 prill 1939 shefave të tij se i thashë ambasadorit që “... ai duhej ta dinte se marrëdhëniet gjermano-italiane janë tepër të ngushta ...” dhe se “Gjermania nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Adriatik ...”, pasi aty do të jetë prezente Italia ... Po ashtu, ambasadori gjerman në Tiranë, Pannwitz, udhëzohej nga zëvendësministri i Jashtëm i tij, Ernst von Weizswcker që “... të mos bënte asnjë veprim që do të vinte në dyshim pëlqimin tonë të pakufizuar për veprimet e italianëve në Shqipëri”. Jo vetëm kaq, por me 15 prill 1939, numri dy i Rajhut gjerman, Hermann Göring, do t’i niste një telegram Mussolinit në emër të Hitlerit, përmes të cilit i dërgonte “... Urimet më të përzemërta për rregullimin e problemit shqiptar (albanische Angelegenheit)”.

Kjo indiferencë e Hitlerit në Ballkan do të ndryshonte rrënjësisht dy vjet më vonë. Nxitur fillimisht nga dështimet e operacionit ushtarak italian kundër Greqisë dhe më pas nga zhvillimet politike në Jugosllavi, ku më 27 mars 1941, ushtarakë jugosllave të mbështetur nga Britania detyruan princin regjent Pavël, që kishte nënshkruar dy ditë më parë (25 mars) një Pakt Bashkëpunimi me Fuqitë e Boshtit, ta lëshonte fronin mbretëror jugosllav, për t’ia kaluar atë Princit Pjetri i II, me argumentin se tashmë ai kishte mbushur moshën madhore 18 vjeç. Natyrisht që princi i ri ishte i orientuar nga bashkëpunimi me Forcat Aleate. Këtë veprim Hitleri e konsideroi si grusht shteti, ndaj duke shtyrë edhe sulmin kundër ish-Bashkimit Sovjetik, urdhëroi përgatitjen për të ndërmarrë pas rreth 10 ditësh, më 6 prill 1941, operacionin ushtarak Fushata Ballkanike (Balkanfelzug), përmes të cilit u pushtuan Jugosllavia dhe Greqia. Në këtë operacion, forcat gjermane u mbështetën edhe nga trupa të disa prej aleatëve të tjerë në koalicionin e Boshtit Qendror, konkretisht Italia, Bullgaria dhe Hungaria.

Përveç sa më sipër, interesi gjerman në Ballkan, e veçanërisht ndaj Shqipërisë, do të shtohej dukshëm në periudhën në vijim. Faktor vendimtar ishte suksesi i Forcave Aleate në Afrikën e Veriut si dhe zbarkimi i forcave anglo-amerikane në Sicili (10 korrik - 17 gusht 1943) përmes Operacionit Husky. Në këtë situatë, Hitleri krijoi bindjen se pas kapitullimit të shpejtë të Italisë, duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik të Shqipërisë pranë Kanalit të Otrantos, si dhe boshllëkun që do krijohej nga largimi trupave italiane, Forcat Aleate do të zbarkonin në bregdetin shqiptar për të ndërmarrë nga aty veprime ushtarake kundër Vermahtit. Për këto arsye, Rajhu gjerman mendoi të marrë masa urgjente për të vënë nën kontroll sa më të plotë vijën bregdetare shqiptare, në një kohë që situata në Shqipëri nuk njihej mire. Për arritjen e këtij qëllimi, në ndryshim nga Italia që në periudhën prill 1939 - shtator 1943, e ktheu Shqipërinë thjeshtë në koloni, fillimisht nën petkun e protektoratit e më pas në atë të Bashkimit Personal nën kurorën e Victor Emmanuelit III, Gjermania planifikoi e zbatonte një strategji të tillë që formalisht bazohej në rishpalljen, rikrijimin e garantimin e një shteti të pavarur shqiptar, i cili duhej të drejtohej nga një qeveri që do të ishte “bashkëpunuese e miqësore” me Rajhun, pra duhej të ishte një qeveri kukull apo kuislinge, ashtu siç ishte vepruar edhe në disa prej territoreve evropiane të pushtuara nga Vermahti.

Sigurisht që qeveria hitleriane në asnjë rast nuk mund të bashkëvepronte për këtë qëllim me forcat komuniste, të cilat Hitleri i luftonte kudo pa hezitim, ndaj objektivi kryesor i “gjuetisë apo joshjes” së saj për bashkëpunim do të ishin kryesisht shtresat intelektuale e forcat nacionaliste, të cilat ishin të prirura apo më të ekspozuara të ëndërronin me idealizëm bashkimin kombëtar. Në këtë grup duhej të bënin pjesë veçanërisht intelektualët e nacionalistët e shumtë që kishin kundërshtuar me forcë që në fillim pushtimin italian, e që pikërisht për këtë arsye ishin lënë pa punë, përndjekur e internuar nga qeveria e Mussolinit. Nga ana tjetër, duket qartë se në rastin e Shqipërisë, përveç forcave nacionaliste brenda kufijve të përcaktuara nga Konferenca e Londrës me 1913 (Shqipëria e Vjetër), do të kërkohej bashkëpunim i veçantë sidomos me forcat nacionaliste të trojeve shqiptare të lëna jashtë shtetit amë nga kjo konferencë, të cilat me ndihmën e Gjermanisë duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë, duke krijuar kështu në vitin 1943, me emrin joshës, të ashtuquajturën Shqipëri e Re. Duhej “punuar” që banorët e këtyre trojeve t’i shihnin gjermanët si çlirimtarë të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë mund të tentohej të garantohej edhe besnikëria e shtresave intelektuale dhe forcave nacionaliste shqiptare brenda e jashtë vendit.

FUQITË ALEATE

Nxitimi i udhëheqjes naziste në këtë drejtim imponohej edhe nga rritja e vazhdueshme e simpatisë së shqiptarëve ndaj Forcave Aleate, të cilat sigurisht që kishin shumë interes të kishin një mbështetje sa më të gjerë morale e praktike në luftën kundër Boshtit Qendror. Kjo konstatohet edhe në deklaratat e rëndësishme që tri Fuqitë Aleate kryesore bënë për Shqipërinë në dhjetor 1942, kohë kur realisht, pas fitoreve në frontin sovjetik dhe zbarkimit të parë të suksesshëm anglo-amerikan në Afrikën e Veriut (8 nëntor 1942), fillon furishëm kundërofensiva e tyre ndaj Boshtit.

Kështu, më 10 dhjetor 1942, sekretari amerikan i Shtetit, Cordel Hull, do të bënte një deklaratë, në të cilën thuhet se, “Qeveria e ShBA-së nuk është e pavëmendshme ndaj rezistencës së vazhdueshme të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë. Përpjekjet e forcave të ndryshme guerile që veprojnë ndaj armikut të përbashkët në Shqipëri janë për t’u admiruar e vlerësuar shumë. Qeveria dhe populli amerikan mezi presin të vijë dita që t’u japin ndihmë ushtarake efektive këtyre burrave trima, që duan ta përzënë pushtuesin nga vendi i tyre”. Më 17 dhjetor, Sekretari i Shtetit të Britanisë, Anthony Iden, bëri gjithashtu një deklaratë të përafërt në Dhomën e Komuneve, duke theksuar se, “Qeveria e Madhërisë së Tij shpreh simpatinë e thellë për shqiptarët, një popull që ka qenë ndër viktimat e para të agresionit fashist. Prandaj, ne dëshirojmë që Shqipëria të çlirohet nga zgjedha italiane dhe të rishpallë pavarësinë”. Më 19 dhjetor 1942 bëri një deklaratë edhe qeveria sovjetike, ku thuhej se “Bashkimi Sovjetik solidarizohet plotësisht me luftën kurajoze për liri të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë dhe nuk njeh asnjë pretendim të imperialistëve italianë ndaj Shqipërisë ... Qeveria sovjetike është e sigurt se lufta për pavarësi e popullit shqiptar do të bashkohet me luftën e popujve të tjerë të Ballkanit ndaj pushtuesve italo-gjermanë”. Pavarësisht nuancave, duket qartë se në thelb, në të tria deklaratat e Fuqive Aleate synohet që edhe në Shqipëri të zgjerohej më tej simpatia e mbështetja sa më e gjerë popullore kundër Fuqive të Boshtit Qendror, e veçanërisht kundër Italisë Fashiste e Gjermanisë naziste. Kjo vëmendje e shtuar e Forcave Aleate ndaj Shqipërisë do të kishte impakt edhe në territoret shqiptare. Jo me kot, mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Shqipëri, Francesco Jacomoni, do t’i thoshte në fillim të shkurtit 1943, konsullit gjerman në Tiranë, se kohët e fundit është rritur së tepërmi “armiqësia e shqiptarëve kundër Italisë, sepse besimi i tyre në fitoren e Boshtit ka humbur gjithnjë e më shumë terren. Tashmë në Shqipëri në modë është dëgjimi i Radio Londrës”.

Por, siç theksuam, në korrik-gusht 1943, Hitleri ishte i detyruar të zbatonte strategjinë e re për Shqipërinë, me fokus kryesor ndalimin e zbarkimit të Forcave Aleate në bregdetin shqiptar. Në zbatim të këtyre ideve është edhe telegrami sekret që ministri i Jashtëm, Joachim Ribbentrop, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Hitlerit, i dërgon Ambasadës gjermane në Romë më 21 gusht 1943 (pra katër ditë pas zbarkimit Aleat në Sicili), me porosinë që ai (telegrami) t’i jepej konsullit të përgjithshëm gjerman në Tiranë, Martin Schliep. Ndër të tjera, Ribbentropi i kërkonte Schliepi t’i raportojë me hollësi lidhur me: a) Situatën politike në Shqipëri, duke dhënë mendim se kush mund ta drejtonte në një të ardhme të afërt qeverinë e re shqiptare, e cila “duhet të ketë objektiva të qarta”; b) Si paraqitet gjendja për realizimin e misionit kryesor të ardhjes së trupave gjermane, që është kontrolli dhe siguria e bregdetit shqiptar; c) Shqiptarët të qetësohen politikisht me argumentin se misioni i ushtarëve gjermanë është kalimtar; d) Të jepej mendimi se si do të organizohej deklarimi i pavarësisë së Shqipërisë së Re dhe i qeverisë së saj, e cila “duhet të ishte pozitive” ndaj Rajhut. Për këtë qëllim duhej gjetur ndonjë personalitet shqiptar, që me mbështetjen politike e ushtarake gjermane, të merrte në dorë drejtimin e vendit; e të tjerë.

“BASHKËPUNIMI AKTIV”

Dy ditë më vonë, në përgjigje të telegramit të mësipërm, konsulli Schliep do të shprehej skeptik lidhur me “bashkëpunimin aktiv” me shqiptarët në këtë fazë, ndaj propozon që fillimisht të dërgohej sa më shpejt për këtë qëllim në Kosovë bashkëpunëtori i tij në konsullatë, Franz von Scheiger, i ardhur vetëm një muaj më parë në Tiranë. Ai shton se Scheiger e njihte mjaft mirë terrenin gjeografik dhe situatën politike e ekonomike në hapësirën shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Kishte qenë në këto troje si oficer i ushtrisë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kishte qëndruar aty edhe me mbarimin e kësaj lufte, duke u marrë me studimin e historisë, gjuhës e kulturës shqiptare. Fliste shumë mirë shqip dhe kishte kontakte me personalitete të jetës politike, shkencore e kulturore shqiptare. Në vitin 1923 kishte punuar edhe si atashe tregtar në ambasadën e parë gjermane në Tiranë. Mbi bazën e këtij propozimi, që në fund të gushtit 1943 Scheiger do të shkonte menjëherë me mision të veçantë në Kosovë, me detyrën që përmes premtimeve të ndihmës gjermane për realizimin e pavarësisë dhe bashkimit kombëtare, të rekrutonte sa më shumë figura të jetës politike e shoqërore të Shqipërisë së Re. Ai do të lëvizte kryesisht në këmbë, me uniformë ushtarake, aparat marrës-dhënës (Funkgerate) dhe sipas disa autorëve gjermanë, kishte me vete edhe rreth gjashtë kilogramë monedha ari.

ÇËSHTJA SHQIPTARE

Paralelisht me këto masa, në fund të gushtit 1943, në Shtabin Qendror të Hitlerit në Berlin do të bëheshin disa ndryshime mjaft të rëndësishme të karakterit organizativ. Ndër të tjera, ambasadori Karl Ritter, i afërt me Ribbentropin dhe drejtues i rëndësishëm i Ministrisë së Jashtme gjermane (kishte marrë pjesë në përgatitjen e Anshlusit me Austrinë në mars 1938; marrëveshjen famëkeqe të Munihut të 30 shtatorit 1938 për t’i dorëzuar Hitlerit krahinën e Sudetlandit; Marrëveshjen Molotov-Ribbentrop të 24 gushtit 1939 për ndarjen e Polonisë dhe të territoreve të tjera në Evropën Veriore, e të tjerë), duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare gjatë diskutimit të saj në Shtabin Qendror. Po kështu, në këtë shtab do të paraqitej për çështjen shqiptare edhe diplomati e oficeri i lartë gjerman, Franz von Sonnleithner (një vit më vonë, më 20 gusht 1944, ky oficer i lartë do të ishte i pranishëm, por pa u dëmtuar, në atentatin me shpërthimin e bombës me kurdisje që iu bë Hitlerit në Berlin, në një dhomë ku ai dhe disa anëtarë të Shtabit të tij po diskutonin planet e Vermahtit). Përveç sa më sipër, më 24 gusht 1943, Hitleri do të emëronte austriakun dhe diplomatin nazist, Hermann Neubacher, si të dërguar të veçantë të Rajhut për Evropën Juglindore, me zyrë qendrore në Beograd, por që duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare.

Me këtë cilësi, Neubacheri do të mbërrinte në Beograd më 8 shtator 1943 dhe të nesërmen, më 9 shtator, do t’u përgjigjej me një telegram sekret disa çështjeve të ngritura një ditë më parë nga Ribbentrop, të cilat i ishin përcjellë nga Berlini, përmes ambasadorit Karl Ritter. Në këtë përgjigje, ndër të tjera Neubacher thekson: “1) Nesër do nisem nga Beogradi në Tiranë, pasi aeroporti është tashmë në dorën tonë, pavarësisht hezitimit të kryekomandantit të trupave italiane për të dorëzuar armët. Megjithatë, për siguri ka shkuar aty sot edhe një kompani parashutistësh. Parashutistë të tjerë do të jenë aty nesër. Kam rënë dakord me Gjeneralin von Weich për të qenë në çdo moment i gatshëm për të na mbështetur në rast nevoje ...; 2)Sot bisedova me disa shqiptarë të besueshëm mbi situatën politike në vend. Ata ishin entuziastë dhe e vlerësonin ardhjen tonë si moment historik për kombin e tyre. Gjithashtu mbështesnin ... deklaratën time se suksesi i kombit shqiptar mund të garantohet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të sinqertë me ne ...; 3) Për shkak të deklaratës së bërë nga komandanti i forcave gjermane në Ballkan që menjëherë pas pushtimi edhe në Shqipëri e Malin e Zi, i gjithë pushteti ekzekutiv të merret në dorë nga ushtria gjermane, pasi diskutova edhe me Gjeneralin von Weichs ... unë rekomandoj që këto dy raste duhen trajtuar në mënyra të ndryshme. Në Shqipëri duhet të heqim dorë nga krijimi i mjaft mekanizmave ushtarakë, duke ua lënë shumicën e tyre pushtetit vendas. Parulla politike “Shqipëria e Pavarur” nuk duhet të cenohet nga skema politike e zakonshme e krijimit të administratës sonë ushtarake ...; 4) Për arsye politike jam kundër idesë që për sigurinë, trupat gjermane të bashkëpunojnë me forcat bullgare (bëhet fjalë për zonën e Mitrovicës e Podujevës - shënimi ynë). Kam vënë në dukje se ky bashkëpunim duhet të bëhet me forcat shqiptare ...; 5) Von Scheiger ka mbërritur sot nga Kosova në Beograd. Nesër do më shoqërojë mua me aeroplan për në Tiranë”.

Ndërkaq, në Itali ishin bërë mjaft ndryshime. Vetëm pas pesë ditëve nga fillimi i zbarkimit aleat në Sicili, më 15 korrik 1943, Këshilli Fashist italian do të shkarkonte Mussolinin, i cili do të izolohej (internohej) më pas me urdhër të Victor Emmanuelit. Kryeministër i Qeverisë fashiste do të bëhej Mareshali Pietro Badoglio, i cili do të hynte menjëherë në bisedime për armëpushim me Forcat Aleate (anglo-amerikane), fillimisht në rrugë diplomatike në Lisbonë të Portugalisë e më pas në nivel ushtarak, në fshatin apo qytezën siciliane Kasibile, në jug të Sirakuzes. Në këtë qytezë do të nënshkruhej më 3 shtator 1943 edhe Marrëveshja e Armëpushimit e Kasibiles (Waffenstillstand von Cassibile). Fillimisht u vendos që kjo të mbahej e fshehtë. Megjithatë, ajo do bëhej e njohur zyrtarisht vetëm pesë ditë më vonë, më 8 shtator 1943, përmes një deklarate të bërë në orën 18.00 në Radio “Algier” nga Kryekomandanti i Forcave Aleate, gjenerali amerikan Dweit Eisenhower dhe pak më vonë, më 19:42, edhe nga kryeministri Badoglio. Përveç armëpushimit, marrëveshja parashikonte edhe daljen e Italisë nga Koalicioni i Boshtit Qendror. Për këto arsye, shpesh 8 shtatori 1943 konsiderohet si dita e kapitullimit të Italisë Fashiste.

Hitleri do të reagonte menjëherë. Pasi pushtoi që të nesërmen më 9 shtator Shqipërinë, një ditë më vonë, më 10 shtator 1943, me operacionin e koduar “Çështja e Boshtit” (Unternehmen Achse) pushtoi Romën dhe Italinë Veriore, nën drejtimin e Divizionit Elitë të komanduar nga gjenerali i njohur gjerman, Erwin Rommel. Po ashtu, më 12 shtator 1943, ai urdhëroi zhvillimin e Operacionit “Eiche” për të liruar nga izolimi Mussolinin. Ai do të takonte menjëherë Hitlerin dhe nën “regjinë” e tij, më 23 shtator do të formonte qeverinë e re kukull, të “Republikës Sociale Italiane”. Kjo qeveri do të binte formalisht me 25 prill 1944. Tri ditë më vonë, më 28 prill, Mussolini dhe e dashura e tij, Claretta Petacci, do të kapeshin të maskuar në afërsi të kufirit, duke ikur me kamion ushtarak drejt Gjermanisë. Të dy u ekzekutuan menjëherë nga partizanet italiane.

Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri situata ishte kaotike. Menjëherë pas kapitullimit të Italisë, që në darkën e 8 shtatorit, shefi i Shtabit Koordinues të Vermahtit në Ballkan, Gjenerali Hans Bessek, nxitoi t’i kërkonte komandantit të trupave italiane në vendin tonë, Gjeneralit Ezio Rosi, dorëzimin dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të të gjithë ushtarëve dhe oficerëve italianë që ndodheshin në Shqipëri. Gjenerali italian do të hezitonte në fillim, por më pas u detyrua të jepte pëlqimin dhe kështu, më 9 shtator 1943, trupa të shumtë gjermane nga Jugosllavia e Greqia marshuan drejtë Shqipërisë, duke vënë menjëherë nën kontroll të posaçëm bregdetin dhe aeroportet shqiptare. Fati i ushtarëve italianë do të ishte mjaft dëshpërues. Pjesa më e madhe e tyre do të dorëzonin armët dhe do të izoloheshin nga forcat gjermane. Një pjesë tjetër e konsiderueshme do t’i drejtohej Sarandës, me shpresën se do ta kishin më të lehtë për të kaluar në Itali. Shumica e tyre do të dorëzonin edhe armët te forcat partizane, me mendimin se do të ndihmoheshin prej tyre për të kaluar në anën tjetër të Otrantos. Me urdhër të Hitlerit u dha porosia që raste të tilla të identifikoheshin sa më shpejt dhe personat përgjegjës të pushkatoheshin. Kjo tragjedi e ushtarëve italianë do të përbënte më vonë edhe një prej akuzave me të cilat u ballafaquan në Procesin e Nurembergut disa nga drejtuesit nazistë (Procesi për masakrat në Evropën Juglindore). Së fundi, një pjesë e vogël e trupave italiane do t’u bashkoheshin partizaneve, duke krijuar Batalion “Antonio Gramshi”.

Gjatë gjithë kësaj periudhe intensive, diplomacia naziste po vepronte me shpejtësi edhe në Shqipëri. Burimi kryesor i informacionit e bashkëpunimit të tyre për krijimin e qeverisë së re shqiptare ishin kontaktet që kishin në këtë kohë veçanërisht me Xhafer Devën, që vinte nga një familje patriote prej Mitrovicës së Kosovës, i cili kishte studiuar në Kolegjin Amerikan të Stambollit, si dhe me Vehbi Frashërin, djalin e patriotit e nacionalistit të njohur shqiptar Mehdi Frashëri. Sipas disa autorëve gjermanë, që të dy (Deva dhe Frashëri), prej kohësh kishin kontakte me autoritetet naziste, ndaj kishin fituar edhe statusin “V-Person” (Vertrauensperson), që do të thotë ishin të besuar për shërbimin informativ të Rajhut gjerman.

Në këtë drejtim duhet të ketë luajtur rol të rëndësishëm edhe punonjësi i Konsullatës gjermane në Tiranë, Franz von Scheiger, përmendur më sipër. Pikërisht këta persona duhet t’u kenë propozuar autoriteteve naziste të vënë në “krye të punëve në Shqipëri” Mehdi Frashërin, që megjithëse në këtë kohë ishte 71 vjeç, dallohej si jurist i shquar (delegati shqiptar në Lidhjen e Kombeve dhe Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921, ku u riafirmuan pavarësia e shtetit shqiptar dhe kufijtë e përcaktuara në Londër më 1913), e person me integritet, që sipas Neubacherit, “në qëndrimet e tij nuk ishte tërhequr apo ndikuar as nga ofiqet, as nga paraja dhe as nga kërcënimet e italianëve”. Ai kishte bërë thirrje për rezistencë të armatosur ndaj pushtimit italian dhe kishte kundërshtuar në vazhdimësi sundimin e tyre në Shqipëri. Ai mendonte se shqiptarët duhej të vepronin shpejt, pasi me rrëmbimin e sovranitetit nga Italia Fashiste, pas luftës, territoret shqiptare do të shërbenin si plaçkë tregu për vendet fqinje. Për këto arsye, Qeveria e Mussolinit e kishte marrë Frashërin në Itali dhe e mbante nën mbikëqyrje (lëvizje të kufizuara) në hotelin “Viktoria” të Romës. Mehdiun e shoqëronte aty vajza e tij, Mediha Frashëri.

Këto ide përcillen qartë në telegramin e Karl Ritterit në Berlin më 11 shtatorit 1943, për ambasadorin gjerman në Romë, ku thuhet: “1) Personaliteti politik shqiptar Mehdi Frashëri është parashikuar të luajë rol të rëndësishëm në Qeverinë e Re shqiptare. Para disa kohësh është marrë nga italianët jashtë Shqipërisë dhe mbahet nën mbikëqyrje në Romë, në hotelin ‘Viktoria’. Nuk e dimë nëse vazhdon të jetë aty. Duhet ta gjeni sa më shpejt dhe ta dërgoni me aeroplan në Tiranë. Për efekt sigurie të shoqërohet nga një person. Në Tiranë ta dorëzoni z. Frashëri tek i dërguari i posaçëm Hermann Neubacher, te konsulli i përgjithshëm Martin Schliep, ose te majori Franz von Scheiger; 2) Për qëllime politike e ushtarake, në Shqipëri na duhen shuma të mëdha parash në monedhë shqiptare. Ndaj përpiquni të merrni sa më shumë kartëmonedha shqiptare që ndodhen në Banka di Roma, për t’i dërguar ato sa më shpejt me aeroplan në Tiranë. Nëse është e mundur, të dërgohen me të njëjtin aeroplan me të cilin do të fluturojë Mehdi Frashëri, por megjithatë, ai nuk duhet të ketë fare dijeni për dërgesën e këtyre parave ...”!

Berlini, në një telegram të dytë drejtuar Ambasadës në Romë, kërkon “të bëhet ç’është e mundur për të marrë sa më shumë bankënota shqiptare për t’i dërguar në Tiranë ... dhe për të siguruar sa më mirë në ‘Banka di Roma’ makinerinë që prodhon kartëmonedhat shqiptare, në mënyrë që të kemi mundësinë ta përdorim sa më parë. Nëse këtë makineri do të duhet ta përdorim më vonë në Tiranë, varet nga zhvillimet në Shqipëri”.

Në vijim të dy telegrameve të mësipërme, më 16 shtator 1943 afër mesnatës, Ambasada gjermane në Romë vë në dijeni ambasadorin Ritter se: “1) ... nesër paradreke, më 17 shtator, nën shoqërimin e një oficeri gjerman dhe një punonjësi të ambasadës sonë, Mehdi Frashëri do niset me aeroplan për në Tiranë. Atje do ta dërgojmë menjëherë tek i dërguari i posaçëm Neubacher, ose konsulli Schliep ...; 2) Marrja e arit dhe bankënotave u realizua sot me sukses përmes një aksioni të befasishëm nga një Komando SS, në praninë edhe të një zyrtari nazist të shërbimit me jashtë. Nga ky aksion u morën këto vlera: a) Bankënota shqiptare në prerje të ndryshme në vlerë prej 120.513.902 franga ari; b)Monedha ari në 23 thasë të vegjël, në vlerë monetare prej 435.070 franga ari; c) Lingota Ari në 49 arka (losen Barren) dhe 29 kuti më të vogla (Kistchen Barren) që sipas dokumenteve italiane, kanë një vlerë prej rreth 7.627.756.90 franga ari”.

Siç dihet, bankënotat u dërguan që të nesërmen me aeroplan në Tiranë, së bashku me Mehdi Frashërin. Ari u dërgua në Berlin. Ai u gjet nga Aleatet në Kriporet e Merkersit, në Berlin në maj 1945.

SHPALLJA E PAVARËSISË

Duke u kthyer sërish në angazhimet e Neubacherit si i dërguar i veçantë i Rajhut për Evropën Juglindore, rikujtojmë se me këtë cilësi ai mbërriti në kryeqytetin jugosllav më 8 shtator 1943, ditën kur Eisenhower dhe Badoglio bënë të njohur Armëpushimin e Kasibiles. Një ditë më vonë, më 9 shtator 1943, Neubacher informonte ambasadorin Ritter në Shtabin Qendror nazist se në Shqipëri do të shkonte të nesërmen më 10 shtator, i gatshëm për të zbatuar planin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj me trojet e tjera shqiptare, përpunuar nga Shtabi Qendror në Berlin me vullnetin dhe dijeninë e Hitlerit dhe Goebbelsit (biseda e tyre mbi këtë temë ndodhet e zbardhur si dokument në Keesigs Archiv der Gegenwart). Në fakt, për arsye teknike, fluturimi u shty për datën 11 shtator. Në këtë ditë, shoqëruar nga majori Franz von Scheiger, Neubacher u nis me aeroplanin “Heinkel III” nga Beogradi, për të shkuar për herë të parë në Shqipëri (Tiranë). Aeroplani shoqërohej edhe nga tre aeroplanë të tjerë gjermanë JU52, në të cilët ishin të gatshëm 60 ushtarakë të Divizionit Brandenburg.

Sipas Neubacherit, me një aeroplan tjetër gjerman, Storch kishte mbërritur po atë ditë në Tiranë nga Mitrovica edhe Xhafer Deva. Detyrat imediate të Neubacherit në Shqipëri do të ishin krijimi i një Komiteti Kombëtar me cilësinë e Qeverisë së Përkohshme, e cila duhej të shpallte sa më shpejt pavarësinë e Shqipërisë së Re. Pas këtij hapi, Komiteti Kombëtar duhej të mblidhte Asamblenë Kombëtare të shtetit shqiptar. Me të mbërritur në Tiranë, Neubacheri mori menjëherë informacion mbi çështjen e krijimit të Komitetit Kombëtar. Sipas këtij informacioni, mbi këtë çështje paraqiteshin dy grupime kryesore, njëri i përfaqësuar nga Ibrahim Bej Biçaku, i cili kishte studiuar në Vjenë (ishte djali i patriotit të madh shqiptar Aqif Pasha i Elbasanit), ndërsa grupin tjetër e përfaqësonte Xhafer Deva. Mes tyre kishte mosmarrëveshje të shumta lidhur me funksionimin e këtij mekanizmi.

Pas shumë diskutimeve, më 14 shtator, dy grupimet ranë dakord që Komiteti Kombëtar të përbëhej nga “20 figura të njohura politike të respektuara në popull” dhe se në krye të këtij Komiteti të vihej Ibrahim Bej Biçaku, i cili do të ishte kështu njëkohësisht edhe kryeministër i kësaj Qeverie Provizore. Ministër i Brendshëm do të ishte Xhafer Deva. Po në këtë ditë, pra më 14 shtator 1943, Komiteti Kombëtar, përmes një deklarate të shkruar nga Neubacher e të miratuar edhe në Shtabin Qendror në Berlin, shpalli pavarësinë e Shqipërisë së Re, e cila do të përfshinte në territorin e saj edhe Kosovën, trojet shqiptare në Serbi e Maqedoni, si dhe Çamërinë. Në darkë, një delegacion i këtij Komiteti u prit nga Neubacher në Konsullatën gjermane në Tiranë, i cili i paraqiti atij lutjen që Shqipëria e Re të njihej sa më parë nga Rajhu. Neubacher kujton se ai u premtoi ta bënte shpejt këtë, gjë që shkaktoi “entuziazëm te delegacioni shqiptar”. Por, ai kujton gjithashtu me cinizëm se “kjo lumturi për këtë ditë historike u ndërpre kur bashkëshortja e konsullit të përgjithshëm, si mikpritëse, hapi dy shishe shampanjë, të cilat u pritën me padurim nga baballarët e etur të kombit shqiptar”. Të nesërmen, më 15 shtator, Neubacheri do të nisej për në Beograd dhe pasi përgatiti raportin për zhvillimet në Shqipëri, më 16 shtator u nis për në Shtabin Qendror në Berlin. Sipas tij, Hitleri u kënaq shumë për këto zhvillime pozitive në “cepin e fundit romantik të Evropës”.

Nga Berlini, Neubacheri do të kthehej shpejt në Beograd dhe prej aty, me datë 20 shtator 1943 do t’i dërgonte Ribbentropit këtë telegram: “Sapo mbërrita në Beograd, u informova nga bashkëpunëtorët e mi në Tiranë se këto ditë ka arritur kulmin propaganda komuniste dhe ajo angleze kundër Komitetit Kombëtar. Javën që kaloi, në Shqipërinë e Mesme janë hedhur me parashutë disa oficerë britanikë. Konstatohet gjithashtu një rritje e dukshme e simpatizantëve anglofile në qytetet shqiptare. Në këto rrethana, Qeveria e Re shqiptare ka shumë nevojë për mbështetjen tonë”.

KOMITETI KOMBËTAR

Më pas, Neubacheri do të nisej në Shqipëri dhe informacioni i mësipërm do të plotësohej më tej 5 ditë më vonë, pra më 25 shtator 1943, përmes një telegrami relativisht të gjatë, që ai i nis nga Tirana ambasadorit Ritter në Berlin. Aty thuhet: “1)Për shkak të humbjeve në fronte të ndryshme në Evropë, në Shqipërinë e Vjetër, veçanërisht në qytete, mbisundojnë aktualisht vlerësimet jo të mira për trupat gjermane. Shumica e tyre shpresojnë për një zbarkim të shpejtë të Trupave Aleate në Shqipëri. Për këto arsye ne na kanë dalë shumë vështirësi në komunikim, biles edhe me simpatizantët tanë të shtresës së lartë të popullsisë, të cilët, për shkak të emrit të familjes dhe të pronave që kanë, ndikojnë shumë në mbështetjen sa më të gjerë që i duhet dhënë Komitetit Kombëtar ... Sot kisha një bisedë të gjatë mbi këtë temë me Mehdi Frashërin, i cili më paraqiti të njëjtat shqetësime ... Mehdi Frashëri ka ardhur nga Roma me besimin që së bashku me miqtë e tij me influencë në Shqipëri, të krijojë një qeveri kombëtare, por kohët e fundit është tërhequr pak, sepse ndjehet i zhgënjyer nga situata e përgjithshme e luftës në Evropë. Në këtë çështje mund të ketë megjithatë njëfarë lehtësimi, pasi ekziston mendimi se zbarkimi i mundshëm i Trupave Aleate në Shqipëri nuk mund të bëhet të paktën deri në fund të këtij viti (1943); 2) Situata e brendshme në Shqipëri është përkeqësuar ditët e fundit edhe për shkak të shpërbërjes anarkike të divizioneve italiane. Një bandë komuniste sulmoi pak ditë më parë në afërsi të Krujës trupat gjermane. Prandaj e udhëzova edhe një herë z. von Scheiger të angazhohet me të gjitha forcat për të përgatitur mbajtjen e Asamblesë Kombëtare që është parashikuar të organizohet më 4 tetor 1943. Nëse do të ketë pengesa për këtë qëllim nga armiqtë tanë, do të detyrohemi ta shtyjmë atë për më vonë”.

Po më 25 shtator 1943, Neubacher do të niste nga Tirana për Ambasadorin Ritter edhe një telegram tjetër, në të cilin thekson se “së bashku me gjeneralin Geib dhe konsullin e përgjithshëm Schliep takuam mbrëmë me 24 shtator ora 21:00 Presidentin e Komitetit Kombëtar Shqiptar, i cili drejton Qeverinë Provizore. Atij i dorëzova deklaratën me shkrim të Qeverisë së Rajhut në mbështetje të Komitetit Kombëtar. Kryeministri Biçaku e pranoi me kënaqësi deklaratën, duke vënë në dukje simpatinë e shqiptarëve ndaj Gjermanisë së Re dhe Fyhrerit të saj”. Telegrami është i shkurtër e tepër formal, por Neubacheri vë në dukje manipulimin dhe situatën qesharake rreth paraqitjes së tij “dinjitarëve shqiptarë”. Sipas tij, në procesin e paraqitjes së dokumenteve të tillë ka formalitete që vlerësohen shumë më tepër në vendet e Lindjes sesa në Perëndim. Ndaj ky telegram duhej rishtypur, duhej qepur me spango në një dosje serioze dhe duhej vulosur. Zonjusha Lützen, në Konsullatë, u përpoq të sajonte diçka, por pa sukses. Megjithatë, u gjet një “zgjidhje”. Në fund të deklaratës u shënua se kopja origjinale e këtij dokumenti do të ruhej në arkivën e Konsullatës gjermane në Tiranë. Ky argument iu përcoll me gojë edhe palës shqiptare dhe ... çështja u mbyll. Megjithatë, risqarojmë se deklarata e mësipërme nuk shoqërohej me njohjen zyrtare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë e Re. Ky veprim do të bëhej vetëm më 12 korrik 1944.

ASAMBLEJA KOMBËTARE

Siç kishte parashikuar edhe Neubacheri në telegramin e tij të datës 25 shtator, dërguar në Berlin, punimet e Asamblesë Kombëtare nuk filluan me 4 tetor, por u shtynë për më vonë. Praktikisht, punimet e saj u zhvilluan nga 16 deri më 23 tetor 1943, në Pallatin e Mbretëror (sot Pallati i Brigadave). Asambleja kishte rreth 250 delegatë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Neubacheri përshkruan me hollësi punimet e Asamblesë, duke vënë në dukje ndër të tjera se që në fillim, si kryetar të saj zgjodhi studiuesin e shquar elbasanas dhe patriotin shqiptar, Lef Nosi, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Më pas, Asambleja deklaroi mbështetjen për Fuqitë e Boshtit si dhe anuloi të gjitha aktet ligjore të miratuara gjatë pushtimit italian, që vinin në kundërshtim me interesat e vendit. Me detyrën e kryetarit të shtetit u zgjodh Këshilli i Lartë i Regjencës me karër persona, të cilët duhet të përfaqësonin katër besimet kryesore në Shqipëri. Konkretisht, si Kryetar i Parë u zgjodh Mehdi Frashëri i besimit bektashi, i cili pavarësisht hezitimeve për pranimin e kësaj detyre, i “mallëngjyer” u detyrua të dorëzohej nga “thirrjet e zjarrta” të pjesëmarrësve në Asamble. Tre të tjerët ishin Lef Nosi i besimit ortodoks, Pater Anton Harapi i besimit kristian dhe patrioti dibran Fuat Dibra i besimit mysliman. Kryetari i Regjencës parashikohej të ishte me rrotacion njëvjeçar, por praktikisht në këtë funksion qëndroi vetëm Mehdi Frashëri, pasi Lef Nosi dhe Fuat Dibra ishin shumë të sëmurë (Fuat Dibra do të ndërronte jetë në fund të shkurtit 1944), ndërsa dijetari i shquar e atdhetari Pater Anton Harapi fillimisht nuk mori pjesë për arsye se priste pëlqimin e Vatikanit për këtë detyrë, gjë që iu dha më 13 janar 1944. Megjithatë, ai do të deklaronte sërish se nuk do ta ushtronte në asnjë rrethanë detyrën e kryetarit të Regjencës, pasi në këtë funksion do t’i duhej të konfirmonte përfundimisht rastet e dënimit me vdekje nga gjykatat e vendit, gjë që binte në kundërshtim me besimin kristian.

Më pas, Asambleja Kombëtare zgjodhi Qeverinë e Re që do të zëvendësonte Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm. Kryeministër do të ishte patrioti Rexhep Mitrovica, ndërsa Xhafer Deva mbetej ministër i Brendshëm. Ministër i Ekonomisë u zgjodh Ago Agaj, ministër i Jashtëm Bahri Omari, sekretar Shteti - Vehbi Frashëri. Në fund u ra dakord që Asambleja Kombëtare të kthehej në Kuvend Kombëtar. Meqë Lef Nosi u caktua në Regjencë, Kryetar i Kuvendit u zgjodh patrioti korçar Idhomene Kosturi, i cili shumë shpejt, më 5 nëntor 1943, do të vritej në rrugë nga një i ri i cili, sipas procesit gjyqësor, e kishte marrë këtë “detyrë” prej njësitit gueril të qytetit të Durrësit. Neubacheri vë në dukje se punimet e Asamblesë ishin të suksesshme dhe u zhvilluan në një atmosferë të qetë, me përjashtim të një incidenti të datës 18 tetor që shkaktoi një konfuzion të shkurtër. Ai sqaron se bëhet fjalë për një grup partizanësh që nga distanca qëlluan me një top italian në drejtim të Pallatit Mbretëror ku ishte Asambleja. Megjithatë, sipas tij, “shpejt ndërhynë ushtarët gjermanë, të cilët rikthyen menjëherë rendin e qetësinë”. Duke pasur parasysh këto zhvillime, më 30 nëntor 1943, Victor Emmanueli do të hiqte vetë dorë nga titulli Mbret i Shqipërisë.

Megjithëse u bënë gjithë këto ndryshime dhe u krijuan Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë së Re, lidhja dhe varësia nga autoritetet pushtuese gjermane ishte jo vetëm shumë e madhe, por edhe e shumëfishtë. Kur e kërkonin interesat e tyre të drejtpërdrejta, ata ushtronin çdo ditë pushtet ekzekutiv në të gjitha nivelet. Të paktën katër autoritete gjermane paraqiteshin njëkohësisht si më të rëndësishmet, pa pasur aspak raporte hierarkike mes tyre. a) Martin Schliep ishte konsull i përgjithshëm, por praktikisht ishte ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, pavarësisht se nga ana formale këtë titull do ta merrte më 12 korrik 1944; b) Neubacheri ishte i dërguar i posaçëm i Rajhut gjerman në Evropën Juglindore, me fokus të posaçëm menaxhimin e situatës në Shqipëri; c) Gjenerali Josef Fitzthum, që nga tetori 1943 vepronte si i pavarur në funksionin e të dërguarit special të Himmlerit, për të drejtuar në Shqipëri shërbimin e trupave SS dhe të Gestapos; d) Sipas protokollit nazist, përgatitur nga Komanda Supreme e Forcave të Armatosura gjermane, pas pushtimit të një vendi, një nga gjeneralët e trupave pushtuese duhej të kryente edhe detyrën e komandantit të përgjithshëm ushtarak, si autoriteti më i lartë ekzekutiv në atë hapësirë territoriale. Kështu u vendos edhe për Shqipërinë.

Megjithatë, pas ndërhyrjes së Neubacherit, për të shmangur çdo keqkuptim rreth “autoritetit e pavarësisë” së institucioneve të sapokrijuara në Shqipërinë e Re, Berlini zyrtar, siç kishte vepruar më parë edhe në Kroaci e Sllovaki, bëri përjashtimin për ta emërtuar formalisht këtë funksion jo më si “Komandanti i Përgjithshëm Ushtarak në Shqipëri”, por vetëm si “Gjenerali gjerman për Shqipërinë”. Këtë detyrë do ta kryenin me radhë në vendin tonë, fillimisht gjenerali i Korpusit 21, Paul Bader, dhe më pas gjenerali i Trupave Tankiste, Gustav Fehn, dhe gjenerali i Artilerisë Theodor Geib. Ishte pikërisht ky autoritet i forcave pushtuese gjermane që duhej të paraqiste në vazhdimësi pranë “Qeverisë miqësore” kërkesat dhe interesat e Vermahtit gjerman. E, në këto kërkesa e interesa përfshiheshin edhe miratimi i akteve ligjore, mbështetja financiare, krijimi i gjykatave speciale, lëshimi i urdhrave për autoritetet vendore e të tjerë. Nuk duhet harruar këtu veçanërisht organizimi i grabitjes së pasurive nëntokësore të Shqipërisë, ashtu siç kishin bërë edhe italianët.

Pavarësisht se gjermanët thoshin zyrtarisht se ishin kalimtarë dhe u interesonte vetëm siguria e bregdetit, praktikisht ato ishin shumë të interesuar edhe te mineralet e Shqipërisë së Re, veçanërisht për kromin, bakrin, hekurin, boksitet, minierat e Trepçës etj. Arkitekti dhe miku i ngushtë i Hitlerit, Albert Speer, tashmë ministër i Armatimit, kërkonte me ngulm veçanërisht krom, pasi i duhej sa më parë për prodhimin e aeroplanëve luftarakë, tankeve, nëndetëseve, anijeve dhe artilerisë së rëndë. Dhe, kjo duhej organizuar e kontrolluar veçanërisht nga forcat ushtarake gjermane, aq më tepër që terreni malor i vendit “u krijonte mundësinë partizanëve të vështirësonin apo edhe të pengonin transportin e qetë e të shpejtë të mineraleve në drejtim të porteve shqiptare”. Kjo “ndërthurje” interesash përmes dirigjimit aspak të sinqertë të pushtuesve gjermane, duket qartë edhe në telegramin e Neubacherit, që më 31 janar 1944 dërgon nga Beogradi në Shtabin Qendror në Berlin. Aty thuhet se “përmes goditjeve të forta, terrori komunist në Shqipëri është zvogëluar shumë. Marshimi i ministrit të Brendshëm, Xhaver Deva, me rreth 1500 kosovarë në drejtim të Prizrenit, Shkodrës dhe Tiranës, synon eliminimin e tyre. Këtë aksion të ‘Frontit Nacional’ kundër bandave terroriste në Shqipërinë e Jugut e kemi mbështetur ne me armë e municione. Aksione të tjera të ‘Forcave Nacionale’ në Veri dhe në Lindje të Shqipërisë kanë dëmtuar rëndë kundërshtarët tanë komunistë”. Dhe, masakrat e trupave të Xhafer Devës do të ndodhnin menjëherë, fillimisht në Shkodër (ku sipas Neubacherit një pjesë e mirë e komunistëve arritën të shpëtojnë për shkak se ishin strehuar në Misionin Katolik të qytetit), e më pas në Tiranë. Pas një atentati të dështuar kundër Xhafer Devës në Tiranë më 3 shkurt 1944, ku mbeti i vrarë një prej nipave të tij që e shoqëronte, të nesërmen herët në mëngjes, më 4 shkurt 1944, forcat e tij do të vrisnin në sytë e familjarëve 84 qytetarë tiranas (!). Ky terror në kryeqytet do t’u bënte përshtypje negative edhe vetë ushtarakëve gjermanë, shumë prej të cilëve kujtojnë se gjatë gjithë shkurtit deri në fillim të marsit të këtij viti (1944) në sheshin “Skënderbej” qëndronte një trekëndësh për varjen e kundërshtarëve dhe thuajse çdo ditë në mëngjes “kishte aty kufoma të gjakosura, saqë vendi përreth dukej si kasaphanë”.

Të gjitha këto nxitën revoltë e pakënaqësi jo vetëm në popull, por edhe në vetë qeverinë kuislinge. Mehdi Frashëri si kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës filloi të ketë mosmarrëveshje të shumta me Xhafer Devën për shkak të qëndrimeve ekstremiste të këtij të fundit. Nga ana tjetër, Deva e akuzonte Frashërin si të pabesë, që nuk e mban fjalën e dhënë.

Në këto kushte, vetëm një muaj e gjysmë nga telegrami i 31 janarit, me kërkesën e ambasadorit Ritter në Berlin, me datë 16 mars 1944, Neubacheri detyrohet të nisë një telegram të dytë, ku përshkruan shkaqet e intensifikimit të luftës kundër forcave gjermane në Shqipëri. Duke radhitur argumentet kryesore, në këtë telegram thuhet se shkaqet e kësaj situate të re janë “a) Forcimi i veprimtarisë së Misionit Ushtarak Britanik, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare Vlorë-Sarandë. Këtu duhet shtuar se edhe në pjesë të tjera të territorit shqiptar, kanë arritur të depërtojnë përmes detit trupa agjentësh britanikë, duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë Kanalin e Otrantos. Edhe përmes ajrit kanë arritur të depërtojnë në Shqipëri agjentë të tjerë britanikë e me sa duket, edhe oficerë e agjentë amerikanë e rusë; b) Përmes agjentëve të mësipërm është bërë e mundur që bandat shqiptare të furnizohen sërish me armë, municione dhe me ar; c) Rritja e propagandës armike, për shkak edhe të zbarkimit të afërt të Forcave Aleate; d) Sukseset ushtarake në Frontin Sovjetik. Të gjitha këto kanë bërë që forcat komuniste të shpejtojnë drejtë veriut të vendit, duke kontrolluar aktualisht territorin deri në rrugën Elbasan- Strugë ... Avancimi i mëtejshëm i tyre në drejtim të veriut në hapësirën Mat-Dibër për momentin kundërshtohet nga trupat zogiste ... Në Berat ka luftime mes komunistëve dhe grupeve nacionale. Në hapësirën e Tiranës së Jugut mbetet shumë aktive banda e komanduar nga drejtuesi tashmë i njohur Myslim Peza... Mes grupeve nacionaliste vazhdon të ketë mosmarrëveshje”.

Duhet theksuar megjithatë, se në fillim të prillit 1944 ka një zhvillim interesant, falë angazhimit të Vehbi Frashërit. Si kudo në territoret e pushtuara, për të financuar qëndrimin dhe aktivitetin e trupave në vendin tonë, Qeveria gjermane u përgatit të prekë edhe arin shqiptar që ishte grabitur prej tyre në Romë më 16 shtator 1943. Për këtë qëllim ato i imponuan Qeverisë shqiptare një marrëveshje të nënshkruar më 28 dhjetor 1943. Por, menjëherë do të ndërhynte pranë autoriteteve gjermane Vehbi Frashëri, duke i bindur të tërhiqeshin nga kjo ide. Kështu, më 6 prill 1944, Vehbi Frashëri do të nënshkruante në Berlin një marrëveshje të re mbi këtë çështje me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme gjermane, Emil Wiehl. Përmes saj u ra dakord që ari të mos përdorej nga gjermanët, por t’i kalonte Bankës Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, “ruajtja e tij duhej të vazhdonte të bëhej në kryeqytetin gjerman, deri në përfundim të luftës”. Ky rregullim i ri shërbeu jo vetëm për ta mbajtur këtë sasi ari të paprekur, por edhe për trajtimin më vonë të kësaj çështjeje, bazuar në parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare. Në kushtet e kësaj anarkie e mungese të “kontrollit” mbi territorin shqiptar, Heinrich Himmlerit, kryekomandantit të trupave elitë SS, të njohura për bëmat çnjerëzore e famëkeqe në Gjermani e më gjerë (veçanërisht në kampet naziste të përqendrimit), i lind ideja të krijojë edhe në Shqipëri një divizion të veçantë SS, me rekrutë vendas, të cilët do t’i kishte në çdo moment në dispozicion për të shtypur apo luftuar egërsisht kundërshtarët e Vermahtit gjerman.

Dhe, për këtë qëllim, u mendua me djallëzi rekrutimi i kosovarëve, si zgjidhja më e mirë e më e lehtë, pasi ata, duke qenë në dekada në kushtet e sundimit serb, mund të gënjeheshin e manipuloheshin më shpejt përmes evidentimit të ndjenjave nacionaliste, përmendur edhe më sipër. Neubacheri thotë në kujtimet e tij se fillimisht ai ishte kundër kësaj ideje, sepse vlerësonte se krijimi këtij divizioni do të pritej keq nga shumica e shqiptarëve, pasi praktikisht binte në kundërshtim me statusin dhe premtimet që i ishin bërë Qeverisë së Shqipërisë së Re. Megjithatë, Himmleri arrin të marrë me shkrim pëlqimin e Hitlerit. U vendos që kjo trupë rekrutësh kosovarë të quhej Divizioni i Armatosur Malor 21 SS, “Skënderbeu”. Qendra e tij do të ishte në Prizren dhe formalisht aktiviteti duhej të zhvillohej brenda territorit të Shqipërisë së Re. Për propagandë, këtë element u përpoq të “sqarojë” edhe Konsulli i Përgjithshëm gjerman në Tirane, Martin Schliep, kur me 28 qershor 1944 do të deklaronte se “ky Divizion do të ketë aktivitet vetëm në territorin shqiptar”. Ky prononcim bëhej në fakt në mbështetje të “përgjigjes” që qeveria shqiptare i kishte dhënë për këtë çështje në mes të qershorit 1944 një deklarate të kryekomandantit të Forcave Amerikane në Mesdhe, gjeneralit Henry Maitland Wilson. Konkretisht, që në fillim të qershorit ai kishte deklaruar se “... Qeveria e Tiranës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, po shkel neutralitetin e saj duke rekrutuar trupa për të mbështetur operacionet ushtarake të Vermahtit në Ballkan”. Qeveria Shqiptare do të reagonte menjëherë, por pa argumente konkrete, duke vënë në dukje thjeshtë se, ajo “asnjëherë nuk do të rekrutonte trupa për të mbështet ushtrinë gjermane ... dhe se veprimet me natyrë mbrojtëse ... kundër terroristëve komunistë, janë bërë në funksion të ushtrimit të të drejtës së vetëmbrojtjes”.

Sipas Neubacherit, Qeveria shqiptare mendonte t’i përdorte më vonë këto trupa si bërthamë për krijimin e forcave të policisë dhe ushtrisë kombëtare. Por, si gjermanët, ashtu edhe qeveria shqiptare “nuk patën aspak fat” me divizionin SS. Ato nuk i ndihmoi as spekulimi me emrin e Skënderbeut. Në librin e tij me titull “Në mbështetje të Gjermanisë” të autorit Hans Neulen, thuhet ndër të tjera se megjithëse në fillim në këtë divizion u regjistruan disa mijëra kosovarë, shumica, pasi merrnin uniformën, armatim të ri e municione (që u interesonin shumë), largoheshin menjëherë në këmbë përmes maleve, në drejtim të vendbanimeve të tyre. Pjesa e mbetur arriti të bënte ndonjë aksion sporadik, shpesh në bashkëpunim me trupat gjermane, pa u dalluar shumë në luftime. Po në këtë libër citohet edhe raporti i një ushtari gjerman që luftonte në front të parë (deutsche Frontsoldat) i cili, duke iu referuar luftëtarëve të Divizionit “Skënderbeu”, vë në dukje se “kanë më shumë frikë nga një kuti e hedhur konservash, që ka pasur më parë mish derri, se sa nga një granate dore” të cilën, me sa duket, ua kalonin njëri-tjetrit si të ishte lodër.

Për sa më sipër, vihet re edhe në debatin për çështjen e statusit të Shqipërisë së Re, temë të cilën e kishte për shumë zemër veçanërisht Mehdi Frashëri. Duke pasur mirë parasysh eksperiencën e Konferencës së Paqes së vitit 1919, në të cilën ai vetë kishte marrë pjesë me shumë sukses si delegat i shtetit shqiptar, Mehdiu insistonte vazhdimisht pranë autoriteteve gjermane që Shqipëria e Re të njihej shtet neutral si nga Boshti Qendror ashtu edhe nga Fuqitë Aleate. Sipas tij, kjo do të shmange edhe copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe do i krijonte Shqipërisë mundësinë që si vend i pushtuar, të merrte pjesë në Komisionin Aleat për Italinë, duke kërkuar prej saj reparacione. Këtë çështje, Neubacheri ia paraqiti me telegram z. Ritter në Berlin që më 8 tetor 1943. Aty thuhet se “z. Mehdi Frashëri ka ardhur dy herë tek unë me lutjen që Qeveria e Rajhut të marrë parasysh njërin prej dy varianteve të mëposhtme lidhur me neutralitetin e Shqipërisë: 1) Sipas variantit të parë, Gjermania dhe Aleatët duhet të njohin zyrtarisht neutralitetin e shtetit shqiptar, gjë që do të thotë se për të dyja palët Shqipëria nuk do të konsiderohet si zonë lufte. Për këtë variant i thashë z. Frashëri se ne e kemi krejt të pamundur të bëjmë realitet këtë ëndërr kaq të bukur të shqiptarëve ...: 2) Sipas variantit të dytë, për të qetësuar propagandën armike, Mehdi Frashëri propozon gjetjen e ndonjë formulimi përmes të cilit indirekt do të jepej karakteri neutral i Shqipërisë së Pavarur. Sipas tij, ky formulim duhej të përshtatej sa më mirë me konceptin gjerman ‘nicht kriegfuhrend’ (jo palë ndërluftuese) në luftën aktuale. Lidhur me këtë variant i thashë se e kuptoj rëndësinë politike të këtij formulimi për propagandën armike, pasi ju keni frikë se Gjermania do ju tërheqë edhe ju në frontin e luftës. Por, unë ju garantoj se Gjermania në asnjë mënyrë as që e mendon të përdorë ushtarë shqiptarë kundër armiqve të saj”. Mirëpo, Mehdi Frashëri nuk i ndahej kësaj teme.

Ndaj, në janar 1944, ai i drejtohet sërish Neubacherit duke theksuar me forcë interesin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Gjermanisë mbi këtë çështje. Frashëri vë në dukje ndër të tjera se “praktikisht Shqipëria ndodhet në një neutralitet relativ, pasi vlerëson se trupat gjermane kanë ardhur aty thjeshtë për nevojat e tyre ushtarake, që të mbrohen nga një zbarkim i mundshëm i aleatëve në bregdetin shqiptar. Sipas tij, shqiptarët i trajtojnë gjermanët si miq, pavarësisht se vetë janë neutralë në luftën që ka shpërthyer mes fuqive evropiane ... Kjo do të thotë se nëse armiqtë e Gjermanisë vijnë dhe e sulmojnë atë me njësi të rregullta ushtarake, Shqipëria do të qëndrojë asnjanëse”. Sipas Neubacherit, me këto qëndrime Mehdi Frashëri kërkon “të jetë inovativ e të shpikë norma të së drejtës ndërkombëtare”, pasi e krahason rastin aktual të Shqipërisë me atë të Egjiptit në vitin 1922. Më konkretisht, bëhet fjalë për lëvizjen çlirimtare në Egjipt të viti 1919, për t’u çliruar nga protektorati britanik i vendosur në vitin 1914. Britania ishte fillimisht kundër kësaj lëvizjeje. Megjithatë, pas bisedimeve të fshehta me nacionalistë egjiptianë, përmes një deklaratë të njëanshme të Britanisë bërë më 28 shkurt 1922, njihej pavarësia e Egjiptit dhe neutraliteti i tij, me kushtin që ky shtet të respektonte disa “interesa jetike” të britanikëve aty, mes të cilëve ishte prezenca ushtarake dhe hapja e kontrolli e Kanalit të Suezit. Pra, neutraliteti i Egjiptit do të ishte i kushtëzuar, apo thënë ndryshe, relativ.

Por, këtij propozimi të Frashërit, Neubacheri i bën një ndryshim esencial, që është njëkohësisht edhe cinik. Ai e përcakton jo neutralitetin, por sovranitetin e Shtetit të ri Shqiptar si “sovranitet relativ”, duke vënë në dukje se pavarësisht që trupat gjermane trajtohen nga shqiptarët si miq ... sovraniteti i Qeverisë shqiptare ka një kufizim të rëndësishëm, që do të thotë se ushtria gjermane do të detyrohej t’i kundërvihej çdo qeverie që bashkëpunon me armiqtë e saj. Sigurisht që përmes këtij sqarimi, Neubacheri indirekt donte të vinte në dukje se çdo interes ushtarak gjerman në Shqipërinë e Re ka përparësi absolute ndaj çdo të drejte sovrane të shtetit shqiptar. Këtë mesazh do të përcillte në qershor 1944 edhe Ribbentropi, kur u informua mbi përgjigjen e Qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së gjeneralit amerikan Watson lidhur me krijimin e Divizionit SS “Skënderbeu”, përmendur më sipër. I nervozuar nga kjo përgjigje, ai do të theksonte se me këtë qëndrim Qeveria shqiptare ka shkuar shumë larg, dhe se “... nuk mund të imagjinohet që një qeveri e një vendi që falënderon Rajhun gjerman për politikën bujare dhe mbështetjen e pavarësisë së tij, të hyjë në kontakte me armiqtë tanë, duke u shprehur edhe kundër nesh”. Mehdi Frashëri do të përpiqej sërish edhe në vijim të tregonte me veprime se Qeveria shqiptare ishte e pavarur dhe jo vegël në duar të gjermanëve. Ai shfrytëzoi për këtë qëllim krizën qeveritare të periudhës maj-qershor 1944. Lidhur me këtë krizë, Neubacheri do të njoftonte Berlinin zyrtar nga Athina më 27 maj 1944.

Aty thuhet se “Shqipëria po përjeton një krizë qeveritare. Këshilli i Lartë i Regjencës po bashkëpunon ngushtësisht edhe me drejtuesin e zogistëve, Abaz Kupi, kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjoni, dhe me udhëheqësin dibran, Fiqiri Dine. Të gjithë së bashku kanë lidhur një pakt antikomunist. Nga ana tjetër, kryeministri shumë i dobët e tepër i sëmurë, Rexhep Mitrovica nuk mund të qëndrojë më në detyrë. Ka gjithashtu një lëvizje të fortë kundër ministrit të Brendshëm, Xhafer Deva”. Pak ditë më vonë, Rexhep Mitrovica do të jepte dorëheqjen dhe pas tij edhe Xhafer Deva. Më 18 korrik 1944 u krijua kabineti i ri qeveritar me kryeministër Fiqiri Dinen. Mehdi Frashëri, si kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës, nuk u konsultua dhe nuk vuri aspak në dijeni mbi këto zhvillime autoritetet gjermane. I indinjuar nga ky veprim, më 21 korrik 1944 Neubacheri do të merrte në telefon ambasadorin gjerman në Tiranë, Schliep, duke theksuar se “pa Vermahtin nuk do të kishte një shtet të ri shqiptar dhe se me krijimin e Kabinetit të Ri nuk mund të vihej Rajhu para faktit të kryer. Pa mbështetjen gjermane, asnjë qeveri shqiptare nuk do të kishte autoritet, mundësi e aftësi për ushtrimin e funksioneve”. Në këto kushte, vetëm pas rreth një muaji, më 29 gusht 1944, Fiqiri Dine do të jepte dorëheqjen. Pas tij, më 6 shtator 1944 do të krijohej sërish një Kabinet i Ri, me kryeministër Ibrahim Bej Biçakun. Atij s’i mbetej gjë tjetër veçse të vepronte si “likuidatori i një shoqërie tregtare të falimentuar” (konkurs Verwalters). “Shqipëria e Re” nuk mund të qeverisej më ... /Gazeta “Panorama”/

Yesterday — 30 December 2025Main stream

"Gjermania thërret": Gjykimi për tradhti i fashistit "Lord Haw-Haw"

30 December 2025 at 14:30


Me theksin e tij të rremë anglez, drejtuesi misterioz i radios transmetonte për në Mbretërinë e Bashkuar nga një stacion gjerman, duke përhapur thashetheme dhe ekzagjerime në ditët e para të Luftës së Dytë Botërore.

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Tre ditë përpara dorëzimit pa kushte të Gjermanisë - në Ditën e Fitores në Evropë [VE Day], në maj të vitit 1945 - korrespondenti i luftës nga BBC-ja, Wynford Vaughan-Thomas, foli nga një studio radioje në Hamburg, në të njëjtin mikrofon dhe gjatësi valore në të cilat disa javë më parë ishte transmetuar propaganda naziste. “Sonte nuk do të dëgjoni mendimet mbi lajmet nga William Joycei. Sepse z. Joyce, Lordi Haw-Haw për shumicën prej nesh në Britani, ka qenë shumë i pafat për ta ndërprerë karrierën e tij të transmetimit ... Kjo është BBC-ja që thërret të gjithë dëgjuesit e përvuajtur në Britani, të cilët për gjashtë vjet janë detyruar të durojnë tonet helmuese të z. Joyce”. Duke kërkuar në tavolinën e Joyceit, Vaughan-Thomas gjeti orarin e tij për 10 prill 1945: “Në fund të tij ndodhet pika e lavdishme: ora 14:50 deri 15:10, ‘një pauzë për të mbledhur mendjen’”.

- Lexo po ashtu: Një mësim nga historia, për luftën e suksesshme kundër propagandës

Joyce kishte ikur nga qyteti i shkatërruar nga lufta, disa javë më parë, me dokumente false - i dëshpëruar dhe me shpresën për t’i shpëtuar kapjes nga forcat aleate të cilat po përparonin. Në incizimin e tij të fundit, ai tingëllon i dehur dhe i mundur: “Gjithmonë kam shpresuar dhe besuar se, në fund të fundit, do të kishte një aleancë ... midis Anglisë dhe Gjermanisë. Epo, për momentin kjo duket e pamundur. Mirë. Nëse nuk mund të ketë, atëherë vetëm mund të them se e gjithë puna ime ka qenë e kotë”. Incizimi, i marrë nga një regjistrues i arrestuar nazist, mund të mos jetë transmetuar kurrë. Si nazist i përkushtuar deri në fund, ai e mbylli me fjalët: “Es lebe Deutschland [rroftë Gjermania], Heil Hitler dhe lamtumirë”.

William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte propagandist nazist në radio(Getty Images)

Ishte një fund i turpshëm për një njeri që ishte bërë emër i njohur në çdo shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar, pasi shpërtheu lufta në shtator 1939. Qytetarët britanikë prisnin që Hitleri të niste menjëherë një sulm shkatërrimtar, por kur kjo nuk ndodhi, qetësia e tensionuar u pagëzua si Lufta e Rreme. Në ato ditë të para, rreziku kryesor në frontin e brendshëm nuk ishin sulmet ajrore, por lëndimet e kyçeve. Për të penguar bombarduesit gjermanë, qeveria vendosi një errësirë të detyruar. Deri në Krishtlindje të vitit 1939, një sondazh i Gallup-it zbuloi se një e pesta e popullsisë së vendit kishte rënë nga shkallët, ishte përplasur në errësirë apo kishte pësuar dëmtime të tjera, kryesisht të lehta. Vdekjet në rrugë pothuajse u dyfishuan, derisa racionimi i karburantit uli qarkullimin. Vendet e argëtimit u mbyllën dhe tubimet u ndaluan, ndaj në mbrëmje njerëzit kishin pak zgjedhje përveçse të qëndronin në shtëpi dhe të dëgjonin radion.

Shumëkush nuk ishte i kënaqur me programin e mërzitshëm të BBC-së, me buletine të shkurtra ku kishte pak gjëra për të raportuar, njoftime të mërzitshme publike dhe gjëra shtesë si recitalet me organo të Sandy MacPhersonit. Më tutje, në valët e radios, dëgjuesit e shqetësuar gjenin diçka më të gjallë: një burrë misterioz që transmetonte përmes valëve të mesme në Reichs-Rundfunk-Gesellschaft (RRG) - e nacionalizuar nga nazistët. Me theks të ekzagjeruar, nazal dhe të klasës së lartë angleze, ai prezantohej me shprehjen e njohur: “Gjermania thërret, Gjermania thërret”.

Lord Haw Haw, transmetimi i fundit më 1945

Kritiku i radios në The Daily Express, Jonah Barrington, e quajti atë “Lord Haw-Haw”, dhe kjo nofkë mbeti. Qëllimi i Barringtonit ishte ta përqeshte propagandistin nga Gjermania, por rezultoi se shumë dëgjuesve u pëlqente efekti tronditës i aktit të ri të shëmtuar të Haw-Hawit. Stili i tij ishte të argëtonte, ndërkohë që minonte moralin e audiencës britanike duke përhapur dyshime përmes thashethemeve gjysmë të besueshme, ekzagjerimeve dhe talljes. Në një transmetim, ai fliste për “panikun dhe konfuzionun ... që po përhapeshin çdo orë” në Britani. “Çudia e vetme është se populli i këtij ishulli të dënuar vonoi kaq shumë për të kuptuar se në çfarë pozicionesh i kishin futur politikanët e tyre”, tha ai.

Në një tjetër, Haw-Hawi tallte frikën e njerëzve për rrezikun e bombave gjermane. Ai tha: “Ministria Britanike e Dezinformimit ka zhvilluar një fushatë sistematike për të frikësuar gratë dhe vajzat britanike për rrezikun e plagosjes nga copëzat e bombave gjermane. Gratë kanë reaguar ndaj këtyre sugjerimeve dhe alarmeve duke kërkuar nga kapelapunuesit e tyre që kapelat e pranverës dhe verës t’i bëjnë nga llamarina shumë e hollë”. Nuk duket shumë gazmore sot, por ndoshta duhej të ishe aty për ta kuptuar.

William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw (në të majtë), me Bashkimin Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Oswald Mosley(Getty Images)

Në kulmin e transmetimeve të tij, gjashtë milionë britanikë e ndiqnin çdo natë pas lajmeve të orës 21:00. Profesori Tom Harrisson, ish-këshilltar i Ministrisë Britanike të Informacionit, i tha BBC-së në vitin 1975 se, ndërsa shumë njerëz nuk i kuptonin ulërimat në gjermanisht të figurave naziste si Goering dhe Hitler, Haw-Hawi ishte “në disa mënyra ... disi qetësues, sepse nuk tingëllonte dhe aq keq. Ndoshta armiku nuk do të ishte aq i tmerrshëm”.

William Joyce, i njohur si Lord Haw-Haw, ishte zhvendosur në Gjermani një muaj para shpërthimit të luftës, bashkë me gruan e tij të dytë, Margaret, gjithashtu fashiste. Duke pasur frikë nga internimi në Angli, ai rinovoi pasaportën britanike duke pretenduar rrejshëm se ishte shtetas britanik nga lindja. Ky doli të jetë një gabim fatal.

Transmetimi i Lordit Haw-Haw ku tallet me kapelat e grave

Në fakt, Joyce kishte lindur në Bruklin në vitin 1906, ishte zhvendosur në Irlandë në moshën trevjeçare dhe ishte rritur në qarkun Goluei. Si adoleshent gjatë Luftës së Pavarësisë së Irlandës, ai veproi si korrier për inteligjencën ushtarake britanike. Kjo sjellje bëri të mos ketë shumë miq në Irlandë, dhe pas përfundimit të luftës, familja u shpërngul për një jetë të re në Angli.

Si i ri, ai u tërhoq nga ideologjitë ekstreme të djathta që po përhapeshin në Evropë, dhe në vitin 1932 iu bashkua Bashkimit Britanik të Fashistëve të udhëhequr nga Sir Oswald Mosley. Ai e fitoi reputacionin si orator i zjarrtë dhe u emërua drejtor i propagandës së partisë. Por, vala u kthye kundër partisë, duke kulmuar në Betejën e Kejbël-Stritit në vitin 1936, kur këmishëzinjtë e Mosleyt u sulmuan dhe u zmbrapsën nga hebrenjtë dhe punëtorët irlandezë në lindje të Londrës. Joyce, i dëbuar, krijoi Lidhjen e tij Nacionalsocialiste, por duke mos gjetur atdhe mikpritës për antisemitizmin e tij të egër, shpejt ndjeu se po e thërriste Gjermania.

Arrestimi i Lordit Haw-Haw

Nën luftën e fjalëve të Joseph Goebbelsit, programet në anglisht u transmetuan drejt Britanisë. Të përbërë nga fashistët britanikë dhe gjermanë që flisnin anglisht, RRG-ja transmetonte propagandë që promovonte mënyrën naziste të jetës dhe nxirrte në pah problemet shoqërore britanike. Mendohet se zëri i parë i Lord Haw-Hawit ishte në fakt ai i një gjermani, Wolf Mittler, por disa javë pas shpërthimit të luftës, fashisti llafazan Joyce e gjeti punën e ëndrrave të tij.

Transmetimet e Joyceit fituan njëfarë respekti edhe mes atyre që përçmonin mesazhin e tij. Kritiku dhe autori Harold Hobson i shkroi The Times-it më 29 dhjetor 1939, duke lavdëruar transmetimin e Haw-Hawit në prag të Krishtlindjes për ngritjen e “ngazëllimit festiv”, me talljen e tij se racionimi i kishte kufizuar britanikët në “çerek kile gjalpë në javë”. Hobsoni shtoi se BBC-ja mund ta kishte hedhur lehtësisht poshtë këtë pretendim duke përmendur se Haw-Hawi nuk kishte përfshirë atë që merrnin gjermanët - gjë që, me shumë gjasë, ishte edhe më pak.

Por, shpejt, shakaja e Lord Haw-Hawit nuk ishte më aq qesharake. Pushtimi i Danimarkës dhe Norvegjisë më 9 prill 1940 u pa si pika e kthesës, kur e ashtuquajtura Lufta e Rreme e Britanisë përfundoi dhe nisi lufta e vërtetë. Ndërkohë, perceptimi publik për BBC-në ndryshoi ndjeshëm, ndërsa kjo e fundit u rikrijua si një burim jetik informacioni për njerëzit në frontin e brendshëm dhe në forcat e armatosura. Haw-Hawi u bë gjithnjë e më i parëndësishëm dhe, në kohën e transmetimit të tij të fundit të dehur në prill 1945, loja kishte përfunduar si për të ashtu edhe për regjimin nazist.

Dokumentar për tradhtinë e Lordit Haw-Haw

Ndërsa forcat aleate përparonin në Gjermani, Joyce dhe gruaja e tij planifikuan të iknin drejt Suedisë për të kaluar më pas në Irlandën neutrale. Ata arritën vetëm deri në portin baltik të Flensburgut, pranë kufirit të Gjermanisë me Danimarkën. Me identitete false, u vendosën në një fshat aty pranë dhe ndonjëherë bisedonin me ushtarët britanikë të cilët nuk kishin asnjë ide se kush ishin ata. Por, një ditë, fati i Joyceit mori fund kur hasi dy oficerë britanikë ndërsa po mblidhte dru.

Njëri prej tyre, Geoffrey Perry, i tregoi BBC-së se si nisën të flisnin me këtë “figurë shumë të çuditshme, që dukej si endacak”. Kolegu i tij vërejti se ai “tingëllonte tmerrësisht si William Joyce”. Pas një bisede të këndshme për drurët halorë dhe gjetherënës, Perry tha se ishte i sigurt për dy gjëra: ishte Joyce dhe kishte armë. Kur i panjohuri ngriti një trung me të dyja duart, Perry e shfrytëzoi momentin e tij. Para se burri të kishte mundësi të reagonte, ai e pyeti: “Nuk je ti vallë, rastësisht, William Joyce”? Perry i tha BBC-së se çfarë ndodhi më pas: “Dhe, dora e tij u shkoi drejt xhepit. Mendova se po kërkonte armën. Nxora pistoletën time, e drejtova poshtë dhe qëllova”. Plumbi i oficerit e qëlloi Joycein në të pasmet. Një ironi e bukur është se Perry ishte hebre dhe kishte lindur në Gjermani: vetëm pasi ishte zhvendosur në Britani në vitet 1930, ai kishte ndryshuar emrin nga Horst Pinschewer.

Joycei u soll në Angli i plagosur dhe u akuzua për tradhti të lartë. Por, si mund të akuzohej një irlandezo-amerikan për tradhti ndaj Britanisë? Fati i Joyceit u vulos nga aplikimi i nxituar për pasaportën të cilën e kishte bërë në prag të luftës.

I fotografuar në robëri, në maj 1945, Lordi Haw-Haw më vonë u var për tradhti të lartë(Getty Images)

Juristi më i lartë britanik i kohës, Sir Hartley Shawcross, i tha BBC-së në vitin 1975 se Joyce “e kishte veshur veten me flamurin britanik” dhe kishte qenë nën mbrojtjen e Kurorës Britanike, gjë që nënkuptonte se ishte akt tradhtie ndihma që ai ia kishte dhënë armikut të Britanisë gjatë luftës. Juristët e tjerë nuk u pajtuan, si Sir John Foster QC, i cili e përshkroi akuzën për tradhti të lartë si “gjueti gjaku”. Ai tha në të njëjtin dokumentar: “Ai u shpall fajtor mbi bazën e një pasaporte që kishte marrë në mënyrë të rreme, gjë që sipas mendimit tim nuk nënkuptonte ndonjë mbrojtje nga ana e Kurorës dhe për rrjedhojë as ndonjë besnikëri nga William Joyceit”.

Megjithatë, Joyce u dënua për tradhti të lartë për shkak se “kishte mbajtur anën e armiqve të Mbretit” duke transmetuar në emër të tyre ndërmjet 18 shtatorit 1939 dhe 2 korrikut 1940 - data kur skadoi pasaporta e tij britanike dhe ai u bë shtetas gjerman. Rasti kaloi në disa shkallë apelimi, por vendimi mbeti i njëjtë. Ai nuk u pendua deri në fund. Në mëngjesin e 3 janarit 1946, u ekzekutua me varje në burgun “Wandsworth” në Londër. U varros në një varr pa shenjë në territorin e burgut.

Tridhjetë vjet më vonë, pas një fushate të gjatë nga vajza e tij Heather, eshtrat e Joyceit u zhvarrosën dhe u rivarrosën në qarkun Goluei. Njeriu që lindi si amerikan, jetoi si gjerman dhe vdiq si tradhtar britanik, u varros më në fund si irlandez. /Telegrafi/

Kujdes, rusët e kuptojnë ndryshe paqen!

30 December 2025 at 10:51


Nga: James Kirchik / Politico
Përktheu: Jorgji Kote

Në periudhën e Luftës së Ftohtë kishte një rregull të mirë bazë: Kur një organizatë kishte në emërtimin e saj fjalën “Paqe“ kjo do të thoshte se ajo ishte një organ ose grup organesh të Bashkimit Sovjetik. Fillimet e kësaj dukurie janë në “Kongresin Botëror të Intelektualëve për Mbrojtjen e Paqes“ të mbledhur në vitin 1948 në Breslau, Poloni. Kjo veprimtari masive e sponsorizuar nga Bashkimi Sovjetik dhe regjimi i tij marionetë në Poloni u zhvillua vetëm dy muaj pas vendosjes së bllokadës sovjetike mbi Berlinin Perëndimor, e cila vazhdoi gati një vit (qershor 1948 - maj 1949). Ndër emrat e shquar të të huajve perëndimorë të pranishëm në atë takim ishin kritiku kulturor francez Julien Benda, dramaturgu gjerman Bertolt Brecht dhe shkrimtari amerikan Howard Fast. Folësit lavdëruan BS-në dhe forca të tjera “progresive“ si kampionë të paqes, ndërsa shtetet perëndimore u etiketuan si “luftënxitës“.

Ndërkohë, më 1949, viti i parë i provave bërthamore sovjetike, në Paris u mblodh “Komiteti Botëror i Luftëtarëve të Paqes“ ndërsa në Hotel “Waldorf - Astoria“ në Nju-Jork, bastion i proletariatit siç thuhej atëherë me ironi, u zhvillua Konferenca e Kulturës dhe e Shkencës për Paqe Botërore. “Atdheu ynë është për paqen dhe miqësinë mes popujve“, deklaroi Alexander Fadejew, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Sovjetikë - një besim ky i kundërvihej veprimeve të dhunshme nëpërmjet të cilave BS-ja betononte sundimin e saj mbi Evropën Qendrore dhe Lindore.

Duke e reklamuar veten si “partizanë të paqes“ sovjetikët dhe simpatizantët e tyre në Perëndim, krijuan një diktonomi cinike sipas të cilës, kushdo që i kundërshtonte ata, në mënyrë indirekte favorizonte luftën. Në fund të fundit, cili njeri, cili vend mund të kundërshtonte diçka fisnike si paqja? Mirëpo, ky krim gjuhësor shfrytëzohej për të fshehur krime shumë më të prekshme dhe më të rënda, mbasi kur sovjetikët promovonin me të madhe dashurinë e tyre për paqen, ata ushtronin dhunë ose kërcënime për pushtim territoresh dhe nënshtrimin e popujve.

Sot, Rusia po ecën sipas të njëjtit model dhe bën propozime për paqe, të cilat janë të ngjashme me kërkesat e njëanshme që Putini bënte përpara agresionit kundër Ukrainës. E, megjithatë, Qeveria e presidentit Trump i përdor ato si pikënisje ujdish dhe duke i bërë presion Ukrainës që ta pranojë atë paqe.

Në këtë kontekst, na vjen në ndihmë historiku i përpjekjeve të mëparshme të Moskës për “Paqe“. Asnjë organizatë tjetër në BS nuk ka qenë aq e shquar sa Këshilli Botëror i Paqes i krijuar në Paris (World Peace Council - WPC). Nisma më spektakolare e WPC-së ishte “Apeli i Stokholmit“ ku kërkohej ndalimi i përdorimit të armëve atomike. Sipas pohimeve të ndryshme, atë apel e nënshkruan 600 milionë vetë në gjithë botën dhe me siguri të gjithë të rriturit në Bashkimin Sovjetik. Franca e përzuri WPC-në qysh në vitin 1951 me arsyetimin se ajo nismë ishte ndërmarrë nga një fuqi e huaj komuniste. Atëherë ai grup u fut në zonën sovjetike të Vjenës, ku ministri i Brendshëm austriak i akuzoi se e gjithë kjo “nuk ka të bëjë me paqen“. Kur edhe atje ata u bënë të padëshirueshëm, ata shkuan në Finlandën asnjanëse ku WPC qëndroi deri në përfundimin e konfliktit Lindje-Perëndim.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lufta më shkatërrimtare e njerëzimit, miliona njerëz ishin të gatshëm t’i bashkoheshin kryqëzatës sovjetike për paqe. Gjatë gjithë viteve 1950-’60, në të gjithë botën lindën organizata, të cilat nën flamurin e paqes artikulonin fraza të njëjta mbi paqen si edhe WPC-ja. Ato i quanin manovrat e NATO-s si luftënxitëse, ndërkohë që me retorika justifikonin dhe mbronin invazionet sovjetike kundër shteteve sovrane si “garanci për paqe“. Në ShBA funksiononin “Liga Amerikane për Paqe dhe Demokraci“, “Kryqëzata Amerikane e Paqes“, “Mobilizimi Amerikan për Paqe“, “Komiteti Kombëtar për Fitoren e Paqes“ dhe dhjetëra organizata të tjera “paqebërëse“ në një linjë, e cila nuk kishte asnjë dallim nga ajo vija e MPJ-së sovjetike. Shumë nga pjesëmarrësit atje ishin komunistë dhe simpatizantë, edhe pse shumë prej tyre kishin qëllime të mira ose ishin idealistë që besonin lehtë gjithçka.

Atyre që tregonin me gisht hipokrizinë e një perandorie të ndërtuar dhe të sunduar nëpërmjet përdorimit të forcës brutale ushtarake, duke deklaruar pa fund dëshirën e saj për “paqe“ sovjetikët dhe aleatët e tyre në Perëndim e kishin në majë të gjuhës përgjigjen për ta: “Një nga mësimet bazë të marksizmit është se kapitalizmi çon detyrimisht në imperializëm dhe në luftë. Ndaj dhe mposhtja e kapitalizmit është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme“. Mbështetja për lëvizjet e armatosura revolucionare në vendet jo komuniste (siç bënë sovjetikët në Nikaragua deri në Angolë) apo invazioni në vendet komuniste që donin të devijonin (si në Çeki dhe në Hungari), nuk janë gjë tjetër veçse një mjet për të vendosur në mënyrë parandaluese paqen (këtë e quajnë ndryshe edhe luftë preventive). Një gazetë komuniste hungareze e përshkruante kështu këtë fakt: “Brenda lëvizjes së paqes, ne nuk mund të lejojmë asnjë shenjë pacifizimi të dëmshëm”.

Në vitin 1954, Ministria Sovjetike e Mbrojtjes jepte të njëjtin argument se: “Kur luftojnë për paqen, komunistët nuk janë pacifistë dhe nuk kufizohen vetëm te paqja dhe te propaganda paqësore. Ata përfaqësojnë idenë se për shmangien e një lufte duhet doemos të shkatërrohet imperializmi. Qëndrimet borgjeze pacifike ndaj luftës, duke theksuar tmerret e luftës dhe urrejtjen ndaj të gjitha luftërave janë të huaja për ta. Komunistët janë kundër luftërave imperialiste, mbasi ato janë luftëra kundër revolucionare, por ata janë në favor të luftërave çlirimtare, antiimperialiste dhe revolucionare“

Një hipokrizi e tillë e hapur është e njohur për të gjithë për ata që e kanë lexuar romanin distopik të Orwellit, “1984“, ku fjalia “Lufta është baras me paqen“ simbolizon një shembull paradigmatik të “të folurit të dyfishtë“ totalitar. Komunistët dhe simpatizantët kishin divizën e tyre: Çdo veprim ushtarak i BS-së quhej antiimperialist, ndërsa çdo akt ushtarak i vendeve perëndimore gjykohej si “imperialist“. Vetëmohimi i kërkuar për të bërë një gjimnastikë të tillë mendore shpjegon si BS-ja dhe mbështetësit e saj rrëshqitën me lehtësi duke e cilësuar Gjermaninë naziste si fontanën e fashizmit, por duke nënshkruar Traktatin e mossulmimit me Berlinin dhe tre vite më vonë me luftën kundër tij.

Nuk është rastësi që Ofensiva për “Paqe“ në vitet e para të Luftës së Ftohtë filloi kur BS-ja nuk kishte ende potencial kërcënimi bërthamor. Vala tjetër e madhe e “Paqes“ ndodhi në fillim të viteve ‘80, kur presidenti Ronald Reagan u shpreh për përmbysjen e komunizmit dhe ndërprerjen e bashkekzistencës paqësore me të. Fushëbeteja u bë Evropa Perëndimore, ku pati debate të ashpra mbi planin për stacionimin e raketave me rreze të mesme veprimi “Pershing 2” në përgjigje të vendosjes së raketave ruse “SS 20“. “New Jork Times” në vitin 1983 njoftonte me titull të madh se qeveritë e Danimarkës dhe të Zvicrës arritën të zbulonin sovjetikë të veshur me petkun e diplomatit, por të cilët ishin oficerë të KGB-së që bënë përpjekje për t’u infiltruar në Grupet në Perëndim që ishin kundër stacionimit të raketave “Pershing“.

Debati më i ashpër ndodhi në Gjermaninë Perëndimore, ku Partia e Gjelbër akuzoi komunistët se kishin sabotuar përpjekjet për organizimin e një demonstrate të madhe kundër Reaganit dhe NATO-s gjatë Samitit të kësaj të fundit në Bon. Frytet e këtij infiltrimi u panë edhe në rezolutën e kësaj ngjarjeje: Ajo dënonte politikën e jashtme amerikane, por heshte për agresionin sovjetik kundër Afganistanit dhe vendosjen e Ligjit të Luftës në Poloni gjatë sundimit të Juntës Ushtarake atje, përfaqësuesi i të cilës u shfaq edhe në një konferencë të Këshillit Botëror të Paqes. Politika e jashtme e heshtur sovjetike u shfaq edhe në sloganin e lëvizjes së paqes kundër raketave “Pershing”: ”Jo më raketa të reja në Evropë“.

Ky shfrytëzim i përpjekjeve njerëzore për paqe që ka vijuar për dekada të tëra tregon se sa shumë ndryshon kuptimi i fjalës paqe. Në shoqëritë e lira kuptimi i saj është i qartë: jo luftë. Por, për burrat në Kremlin, ”Paqja“ është koncept subjektiv që i përfshin të gjitha qëllimet e saj, për aq kohë sa aty nuk përmendet fjala “dhunë”

Disidenti sovjetik, Vladimir Bukowski, në vitin 1982 shkruante: ”Ndoshta ideologët bolshevikë kanë qenë të vetëdijshëm qysh në fillim se sa armë e fuqishme është tundimi nga paqja - se sa lehtë mund të besojnë njerëzit dhe sa iracionalë mund të bëhen, për aq kohë sa te ata krijohet qoftë edhe shpresa më e vogël se paqja është afër”.

Lufta e Ftohtë tani mund të konsiderohet vërtet e kaluar, por zhvillimet më të fundit tregojnë se besimi me lehtësi dhe irracionaliteti ndaj iluzionit rus ka vazhduar të përhapet më tej.

Kështu, presidenti Donald Trump e quajti veten ”President i Paqes“ dhe qeveria e tij menjëherë ndërmori dy hapa për ta formalizuar këtë vetëvlerësim. Fillimisht, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Instituti amerikan për Paqe do të quhet “Donald J. Trump Institute of Peace“ duke vlerësuar kësisoj “Ujdibërësin më të madh në historinë e kombit tonë“. Edhe më domethënëse ishte publikimi i strategjisë së re amerikane. Ajo thekson meritat e mëdha të Donald Trump si paqebërës, por, ndërkohë, kuptimi i saj mbi “Paqen” është shqetësues, mbasi ngjason shumë me konceptin rus mbi paqen.

Në radhë të parë, në Strategjinë e re amerikane, Rusia nuk konsiderohet më si kërcënim. Një kontrast i madh ky me këndvështrimin e vetë Trumpit gjatë presidencës së tij të parë, ku në strategjinë e atëhershme të sigurisë kombëtare 2017 shkruhej “Rusia po kërkon të formojë një botë në kundërshtim me vlerat dhe interesat amerikane, me synimin të dobësojë ndikimin amerikan në botë dhe të na ndajë nga aleatët dhe partnerët tanë; ajo “kërkon të varrosë fuqinë, ndikimin, interesat, sigurinë dhe mirëqenien amerikane”. Strategjia Kombëtare e Sigurisë 2017 e akuzonte Rusinë për programin e saj të armatimit, e cila synonte të minonte legjitimitetin e demokracive dhe për këtë qëllim “Rusia do të ndërmarrë masa subversive për të dobësuar besueshmërinë dhe angazhimin amerikan për Evropën, të minojnë unitetin transatlantik dhe të dobësojnë institucionet dhe regjimet evropiane”.

Ndërsa, në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, administrata e presidentit Trump bën thirrje për “t’i dhënë fund perceptimit dhe realitetit për NATO-n si një aleancë përherë në zgjerim”, duke i dhënë kështu fund 35 vjetëve të mbështetjes dypartiake amerikane për zgjerimin e Aleancës Atlantike me vende demokratike evropiane, të cilat plotësojnë kriteret e anëtarësimit. Gjithashtu, administrata amerikane fajëson aleatët tanë demokratikë më shumë sesa shtetin agresor për mungesën e paqes në Ukrainë. Sigurisht që “një pjesë e madhe e shumicës evropiane duan paqe”, thotë dokumenti. Mirëpo, problemi tani shtrohet se për çfarë lloj “paqeje” bëhet fjalë? Sepse një sondazh i zhvilluar në fillim të muajit dhjetor nga një revistë franceze zbuloi se 80 përqind e evropianëve nuk besojnë se Rusia kërkon me të vërtetë paqe, ndërsa 61 përqind duan që vendet e tyre të vijojnë dhe të shtojnë mbështetjen ndaj Ukrainës.

Nga ana e tyre, liderët evropianë shprehen me një kuptim më të sofistikuar të fjalës “Paqe”, duke argumentuar se çdo “ujdi për një paqe që nuk përfshin garancitë e sigurimit për Ukrainën do të ishte thjesht një pauzë për frymëmarrje derisa Putini ta ndjejë veten të përgatitur për të sulmuar sërish.

Të gjitha këto ngjarje përbëjnë një sfond të rëndësishëm për të kuptuar zinxhirin e ngjarjeve që janë zhvilluar muajt e kaluar, duke përfshirë edhe propozimin më të fundit të Administratës amerikane për “Planin e Paqes” për përfundimin e luftës në Ukrainë. Më 20 nëntor të vitit të kaluar në media rrodhi informacioni mbi këtë plan me 28 Pika. I përgatitur me kujdes nga Steve Witkoff, një zhvillues i pasurive të patundshme në Nju-Jork dhe president i klubeve të golfit me inpute nga shefi i tij emëror, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe dhëndëri i presidentit, Jared Kushner, ky propozim pranonte kërkesat kryesore ruse dhe shkelte shumë vija të kuqe ukrainase. Në këmbim të përfundimit të armiqësive midis tyre, kjo marrëveshje do t’i jepte Rusisë më shumë territor se sa ka pushtuar, zyrtarisht do ta ndalonte Ukrainën të hynte ndonjëherë në NATO, do të vendoste një tavan në madhësinë e ushtrisë së saj, do të parandalonte ushtarë nga vendet e NATO-s të stacionoheshin në tokën ukrainase, do të zhbllokonte miliarda euro të aseteve ruse të depozituara në bankat perëndimore dhe, kryesorja, do të hiqte sanksionet ekonomike ndaj Moskës të vendosura qysh në vitin 2014 pas aneksimit prej saj të Krimesë.

Në këmbim për të gjitha këto “të mira” nga Rusia, Ukraina do të kishte disa garanci të paqarta sigurie që nuk ishin më shumë se një e “rënë në shpatulla”.

Përshtypja se Witkoffit kishte rënë viktimë e kuptimit rus të fjalës “Paqe” u përforcua nga një telefonatë e tij më 14 tetor me homologun rus, e cila rrodhi e zbardhur te “Bloomberg” në nëntor të vitit të kaluar. Witkoffi i kishte thënë Yuri Ushakovit, këshilltari më i lartë i Putinit për politikën e jashtm,e se “Federata Ruse ka dashur gjithmonë një plan paqeje”, diçka e çuditshme ta thuash për një vend që në mënyrë të paprovokuar ka sulmuar ushtarakisht fqinjin e tij 11 vjet më parë. “Unë e besoj këtë. I tregova edhe presidentit që e besoj atë”. Witkoff i kishte sugjeruar Ushakovit që Putini ta telefononte Trumpin përpara se ky i fundit të takonte presidentin Zelensky më 17 Tetor; Ushakov e zbatoi sugjerimin e Witkoffit dhe më 16 Tetor Trump foli mbi dy orë në telefon me Putinin. Të nesërmen, Trumpi refuzoi t’i dërgonte Ukrainës raketat e fuqishme “Tomahawk” që ai kishte lënë të kuptonte se do t’ia dërgonte disa ditë më parë dhe i bëri presion Zelenskyt që t’i dorëzonte tokat që rusët aktualisht nuk i kanë nën kontroll. Dy ditë pas rrjedhjes se transkriptit të telefonatës së Witkoffit, Putini e mbrojti atë nga akuzat si pro-rus, duke thënë se “Witkoffi është njeri inteligjent”. Mirëpo, ashtu si “Paqe” edhe fjala “ Inteligjent” në rusisht ka kuptim të ndryshëm.

Rusët kanë kohë që i konsiderojnë afaristët amerikanë të tipit Witkoff si objektiva të lehtë. Pavarësisht të gjitha sulmeve të tyre kundër të këqijave të kapitalizmit, shpesh liderët sovjetikë janë rreshtuar në një vijë me afaristët perëndimorë, duke kundërshtuar kryesisht gjithçka që pengon tregtinë Lindje-Perëndim. Në fakt, AFL-CIO (Federata Amerikane e Punës dhe Kongresi i Organizatave Industriale) ka kontribuar shumë më tepër për të përmbysur komunizmin në Evropën Lindore se sa “Fortune 500”. Afërsia ndërmjet kapitalizmit shtetëror dhe Kremlinit u bë edhe më e theksuar pas shembjes së komunizmit, kur Rusia u kthye në një sindikatë kriminale, duke u hequr si ekonomi kombëtare.

Putini e di mirë se afaristët nuk njihen për merakun e tyre mbi moralin, mbasi fitimi i parave për ta ka epërsi mbi koncepte të tilla abstrakte si “paqja”. Ndaj, edhe Kremlini i drejtohet mentalitetit të administratës së presidentit Trump, e cila ngjason me mentalitetin e bordit të një korporate, duke evidentuar përfitimet ekonomike që do të ketë ShBA-ja (dhe afaristët, sidomos), nëse konflikti do të përfundojë sipas kushteve ruse. Mirëpo, suksesi për çdo lloj ujdie kërkon domosdoshmërisht heqjen e sanksioneve ruse.

Në zbatim të këtij objektivi, Witkoffi i ka anashkaluar kanalet normale diplomatike, shpesh duke refuzuar të bashkërendohet me aleatët evropianë; kjo mbasi, sipas tij, përdorimi i metodave të sigurta është “i bezdisshëm” për të. Ishte pikërisht kjo pakujdesia e treguar me sigurinë operacionale që shkaktoi interceptimin dhe rrjedhjen e telefonatës së tij me Ushakovin.

Ndryshe nga teoria e paqes demokratike, pohimi i vërtetë empirik se demokracitë nuk shkojnë në luftë kundër njëra-tjetrës si edhe nocioni se vendet që bëjnë tregti nuk luftojnë kundër njeri-tjetrit është një ide e vjetër absurde, e cila empirikisht nuk është e vërtetë. Ajo është pjesë e besimit amerikan (dhe më shumë e republikanëve) se vendi qeveriset më mirë si biznes, një broçkull që shkon deri te obsesioni për fitime e Trumpit në vitet ‘80 kur ai premtonte në fushatat presidenciale të Ross Perotit, Steve Forbesit, Herman Cainit dhe Carly Fiorinas se mund t’i jepte fund me një dorë Luftës së Ftohtë “brenda një ore”. Ashtu si tradita e politikës së jashtme “realiste” prej nga ajo vjen, edhe ky këndvështrim teknokratik i një mendjeje të vetme racionaliste nuk ka vend për moral ose ideologji në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe as për t’u joshur nga mundësia që kur Putini të ligjërojë pafund mbi pandashmërinë e popujve të Rusisë dhe Ukrainës, ai ka seriozisht dhe është gati të sakrifikojë qindra mijra të rinj për ta realizuar atë ide.

Ashtu siç ndodh edhe në një ekip me afaristë kokëfortë të cilët rrahin gjoksin për aftësitë e tyre të forta negociuese, Trumpi, Witkoffi dhe Kushneri po ushtrojnë trysni në mënyrë aspak proporcionale mbi viktimën e konfliktit, ndërkohë që po e lejojnë agresorin “ta kalojë lumin pa u lagur”. Në rastin më të mirë, ato duket se besojnë që të dy vendet janë fajtorë në të njëjtën masë dhe se ShBA-ja nuk duhet të mbajë anë midis një demokracie të lidhur me Perëndimin (pavarësisht nga defektet e saj) dhe një kundërshtari të vjetër antiamerikan.

“Ai duhet ta dijë se do të bjerë kokëposhtë”, i tha Witkoff gazetarit Tucker Carlson, për Zelenskyn, duke rënë dakord me pohimin se Ukraina do ta humbasë luftën, diçka e çuditshme për një diplomat amerikan që flet kështu duke krijuar shqetësime për edhe për dhënien e miliarda dollarëve ndihma ushtarake të ShBA-së. Këto deklarata ilustrojnë në mënyrë të dhimbshme mungesën e përvojës diplomatike të Witkoffit dhe besimin e tij te narrativa ruse se pengesë për paqen na qenka Zelensky. Përpara bisedimeve të paqes në fillim të muajit dhjetor, Putini vlerësoi takimin e tij me Witkoffin dhe Kushnerin, sepse veprimet e vendeve evropiane “synojnë vetëm një gjë: të bllokojnë tërësisht këtë proces paqeje”.

Që Witkoff duhet jetë ai tip njeriu që i merr si të mirëqena fjalët e diktatorit, kjo u duk sheshit qysh në fillimet e administratës së re amerikane. Në intervistën e tij me Carlson në mars, Witkoffi diskutoi mbi një takim që ai kishte zhvilluar me Putinin për të diskutuar paraprakisht një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës. Witkoffi kishte propozuar një ndërprerje 30-ditore të sulmeve ruse ndaj objekteve energjetike ukrainase, të cilin Putini e formalizoi gjatë bisedës telefonike me Trumpin gjashtë ditë më vonë. “Ishte diçka e fisshme prej tij të më pranonte dhe të më priste mua” i tha Witkoffi, Carlsonit, për presidentin rus të cilin Witkoffi e lavdëroi se kishte qenë “ i sjellshëm” me mua, edhe pse në fakt Putini e detyroi atë të priste plot tetë orë!

Por, ajo çka i ka lënë më shumë mbresa Witkoffit nga takimi me liderin rus ishte hendeku i thellë midis një burracaku keqbërës të portretizuar nga media perëndimore dhe Putini i vërtetë që Witkoffi ka njohur gjatë takimeve ballë për ballë me të. Në fakt, të gjitha provat që Witkoffi donte dhe kishte nevojë të kuptonte kornizën “e fisshme” mendore të ish-oficerit të KGB-së, ishte dhurata e Putinit me një portret të Trumpit dhe lutja e tij për presidentin pas dështimit të atentatit kundër tij gjatë korrikut 2024.

Për fat të keq, nuk ka transkript të kësaj bisede, por edhe nëse do të kishte një të tillë, ne nuk do të mund të mbështeteshin tek ajo mbasi Witkoffi, duke injoruar çdo protokoll dhe logjikën diplomatike, nuk pranoi të merrte me vete një përkthyes nga Departamenti i Shtetit. “Është një lloj lidhje të cilën ne kemi mundur ta rivendosim në një fjalë të thjeshtë që quhet komunikim, për të cilën, siç e dini shumë njerëz, thonë se unë nuk duhet ta bëja sepse Putini është njeri i keq”, ka shpjeguar më vonë Witkoffi. “Mirëpo, unë nuk e shoh Putinin si njeri të keq”.

Ashtu si edhe presidenti të cilit ai i shërben, Witkoffi shfaq besim të verbër gjatë bisedave me një kundërshtar. Kur Witkoffi i referohet në mënyrë sarkastike një fjale të thjeshtë si “komunikim”, ai po krijon një njeri kashte, si krijesë e MAGA-s, duke pohuar se edhe vetë kritikët e politikës së jashtme të Trumpit janë kundër diplomacisë. Por, problemi këtu nuk është se po bisedohet me një kundërshtar, por se këto bisedime po bëhen si qëllim në vetvete. Ja, më konkretisht për çështjen në fjalë, lidhur me ndalimin e bombardimeve ruse mbi objektet energjetike ukrainase për një afat 30-ditor që Witkoffi pretendon se e siguroi nga Putini. Në fakt, rusët e kanë shkelur atë me dhjetëra herë dhe kjo mjafton për të treguar se sa “burrë i mirë” është Putini.

Sot, Këshilli Botëror i Paqes është praktikisht jashtë funksionit, por misioni, taktikat dhe retorika e tij vazhdojnë. Llomotitjet e pareshtura të Kremlinit për “paqe” kanë të njëjtin qëllim që kishin edhe gjatë Luftës së Ftohtë: të zbutin Perëndimin me qëllim që t’i hapin rrugën agresionit dhe ekspansionit të mëtejshëm rus. Duke përfituar nga frika perëndimore ndaj një Lufte të Tretë Botërore (një model tjetër sovjetik që Trumpi dhe shokët e tij e propaganduan gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016), ajo shpreh një dëshirë vetëm në dukje për paqe, por në realitet nënkupton kërcënim për luftë.

Dikur naivët që ranë preh e këtij mentaliteti ishin nga e majta, ndërsa sot viktima të sofizmave gjuhësore ruse të epokës sovjetike po bëhen gjithmonë e më shumë sektorë në rritje të së djathtës. Të dyja palët vuajnë sepse nuk arrijnë të kuptojnë natyrën e vërtetë të regjimit në Kremlin, i cili mbështetet në dhunë dhe në kërcënim të përhershëm për mbijetesë.

Ndaj, të pranosh “ Paqen” sipas kushteve të Moskës, do të thotë t’i lejosh rusët të bëjnë ç’tu dojë qejfi.

Before yesterdayMain stream

Pse gratë në Spartë duhej të mësonin të zhveshura (ndërsa burrat shikonin)

29 December 2025 at 13:43


Historiani Andrew Bayliss paralajmëron komentuesit modernë që të mos e barazojnë me “çlirim” arsimin e detyrueshëm për gratë në Spartë.

Nga: Harry Sidebottom / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Spartanët gëzojnë një imazh të lartë në imagjinatën popullore moderne: të guximshëm dhe të bindur, i paramendojmë si luftëtarë të pathyeshëm për liri, me aftësi për fraza të zgjuara të denja për një film të Clint Eastwoodit. Por, realiteti, siç e thekson Andrew Bayliss në hyrje të historisë së tij interesante, Sparta: Ngritja dhe rënia e një superfuqie të lashtë [Sparta: The Rise and Fall of An Ancient Superpower], është shumë më i vështirë për t’u rindërtuar. Përveç disa qindra vargjeve të poetëve Tirteu dhe Alkman, të gjitha burimet tona të lashta janë shkruar nga grekë të tjerë, zakonisht athinas. Siç ka thënë Tukididi, detyra e këtyre të jashtmëve bëhej edhe më e vështirë nga fshehtësia maniake e spartanëve. Një pengesë tjetër ishte ideologjia spartane se qyteti i tyre ishte i pandryshueshëm, gjë që e bën të vështirë ndërtimin e një narrative historike.

Por, mbretëria spartane nuk ka qenë gjithmonë një fuqi ndërkombëtare. Ngjarja që e shtyu në këtë drejtim ishte pushtimi i Mesenisë fqinje në mesin e shekullit të shtatë para Krishtit (edhe pse mungesa e burimeve e bën këtë disi të paqartë). Ky aneksim i dha Spartës një territor shumë më të madh se cilido qytet tjetër grek i përçarë nga grindjet e brendshme. Kryesorja, spartanët i ulën mesenianët, grekë si ata, në statusin e helotëve - zakonisht të përkthyer si “bujq të lidhur me tokën”, megjithëse “skllevër” mund të jetë term më i përshtatshëm.

Puna e helotëve ua mundësoi spartanëve të ndërtonin sistemin e tyre të ashpër dhe pederast të edukimit shtetëror, agoge, dhe të përkushtoheshin tërësisht për të qenë luftëtarë gjatë gjithë kohës. Ky sistem shërbeu edhe për të zgjidhur një debat, kur aleatët e Spartës u ankuan se po siguronin më shumë trupa për ushtrinë sesa vetë spartanët. Mbreti spartan, Agesilau, urdhëroi ushtarët e tij të uleshin: pastaj, për një nga një, kërkoi që të ngriheshin të gjithë ata që merreshin me ndonjë zanat - nga poçarët te farkëtarët. Pas pak, thuajse të gjithë aleatët ishin në këmbë, ndërsa spartanët ishin ende ulur. “Shihni”, tha Agesilau, “se sa më shumë ushtarë dërgojmë ne krahasuar me ju”.

Gratë spartane, në sytë e grekëve të tjerë, ishin më të çuditshme. Ato nuk kishin frikë të qortonin burrat publikisht, zakonisht për qyqarllëk. Kur djemtë nuk po tregonin zellin e pritur luftarak, një nënë spartane ngrinte fustanin dhe pyeste nëse donin të ktheheshin aty nga kishin ardhur. Gratë ndiqnin versionin e tyre të agogesë dhe mund të zotëronin prona dhe toka. Më të pasurat madje dërgonin skuadra qerresh për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

Megjithatë, siç tregon Bayliss, kjo nuk duhet kurrsesi të çojë komentuesit modernë në përfundimin se gratë spartane ishin veçanërisht të “çliruara”. Ato ishin në thelb si makina për riprodhim. Agogeja e tyre ishte ndërtuar për t’i bërë të afta fizikisht dhe të shëndetshme për të lindur brezin tjetër të luftëtarëve spartanë; ishte e detyrueshme, dhe disa elementë të ushtrimeve, sipas burimeve të mëvonshme, kryheshin lakuriq teksa burrat qytetarë shikonin. (Plutarku pohon se kjo i nxiste burrat spartanë të martoheshin nga “nevoja dashurore”.) Është e njohur se një burrë spartan mund t’ia huazonte gruan e tij një qytetari tjetër për të pasur fëmijë. Asgjë në burimet tona nuk sugjeron se gruaja kishte ndonjë të drejtë fjale në këtë marrëveshje.

Përveç fuqisë së luftëtarëve të saj, Sparta ishte veçanërisht e papërshtatshme për t’u bërë superfuqi, duke mbajtur që në fillim farat e rënies së vet. Sparta kishte dy mbretër, nga dy dinasti të ndryshme; ata shpesh grindeshin dhe përdoreshin nga qytetarët e pakënaqur për të sabotuar njëri-tjetrin - madje ndonjëherë për t’i përmbysur. Këshilli i pesë eforëve (magjistratëve kryesorë) ndërrohej çdo vit. Kështu, zbatimi i një strategjie të qëndrueshme afatgjate ishte i pamundur.

As në zonën e saj brenda Peloponezit, Sparta nuk ishte e sigurt. Kurrë nuk arriti ta nënshtronte rivalin e saj lokal - qytetin e Argosit që u bë qendër e kundërshtimit. Ekzistenca e helotëve gjithashtu shtonte pasiguri në politikën e jashtme. Nga njëra anë ishte argumenti se, meqë helotët kryenin punën duke u dhënë kohë spartanëve për t’u përkushtuar për të qenë ushtarët më të mirë në botë, Sparta do të duhej ta përdorte avantazhin e saj ushtarak për të ndërtuar një perandori. Nga ana tjetër, spartanët ishin plotësisht të vetëdijshëm se helotët i urrenin, donin “t’i hanin të gjallë”, prandaj qytetarët duhej të rrinin në shtëpi për t’i mbajtur nën kontroll.

Por, problemi më i madh i Spartës ishte veçantia e saj. Ishte e lehtë të humbje statusin e qytetarit nëse dështoje në sprovat e agogesë, ose tregoje frikë në betejë. Nga ana tjetër, ngritja e të tjerëve në statusin e qytetarit ndodhte rrallë dhe vetëm në raste emergjencash të mëdha ushtarake. Kështu, me kalimin e kohës, numri i spartanëve ra me shpejtësi. Fillimisht, zyrtarët spartanë besonin se pas ndarjes së tokës së Mesenisë, kishin nëntë mijë homojojë (qytetarë elitarë). Në betejën e Platesë më 479 para Krishtit, morën pjesë pesë mijë. Në Mantinea, më 418 para Krishtit, ishin vetëm pak më shumë se dy mijë dhe në Leuktra, më 371 para Krishtit, më pak se një mijë.

Dëmtues edhe më i madh për jetëgjatësinë e Spartës ishte zakoni i trashëgimisë së barabartë. Tokat e një qytetari duhej të prodhonin mjaftueshëm për të kontribuar në “mes” [darka e përbashkët e ushtarakëve]. Nëse një spartan kishte disa fëmijë, pas dhënies së pajës për vajzat ishte e mundshme që djemtë nuk do të trashëgonin tokë të mjaftueshme për të ruajtur statusin apo qytetarinë. Pasi Epaminonda nga Teba çliroi mesenianët më 369 para Krishtit - pavarësisht përpjekjeve për reforma radikale në shekullin III para Krishtit - Sparta mori fund si fuqi e madhe. Në kohët romake, ajo u shndërrua në një qytet turistik, një version “Diznilendi” i vetes së saj të dikurshme.

Bayliss ofron një rrëfim tradicional politik dhe ushtarak, të shkruar me një gjuhë të lexueshme, dhe të informuar nga një lexim i ndjeshëm i burimeve të lashta dhe nga një njohje e thellë e studimeve moderne. Megjithatë, një kritikë e vogël i drejtohet botuesit. Lexuesit që duan të mësojnë më shumë për Spartën - dhe Bayliss do t’i frymëzojë shumë për ta bërë këtë - nuk shërbehen mirë me shënimet fund të librit, të cilat rrallëherë përmendin ndonjë studim bashkëkohor, ndërsa bibliografia e përzgjedhur është tepër e shkurtër. Shumë shpesh botuesit tremben se mos i frikësojnë lexuesit, duke i nënvlerësuar ata. Duhet t’u besojnë më shumë - ka apetit të mjaftueshëm për dije më të thella. /Telegrafi/

In Memoriam: Brigitte Bardot (1934-2025) - biondja që revolucionarizoi kinemanë franceze

29 December 2025 at 12:01


Nga: Sam Woodhouse / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Brizhit Bardo [Brigitte Bardot], e cila ka vdekur në moshën 91-vjeçare, fshiu nga kinemaja përshkrimin e ndrojtur të grave në kinemanë e viteve ’50 të shekullit XX, duke u bërë mishërim i një epoke të re të çlirimit seksual.

Në ekran ajo ishte një përzierje franceze e hijeshisë lozonjare dhe sensualitetit kontinental. Një botim e quajti “princesha e zymtësisë dhe kontesha e joshjes”, por ishte një imazh të cilin ajo vazhdimisht e urrente.

E prezantuar pamëshirshëm si një seks-simbol i hedonizmit, ajo ishte e zhgënjyer në ambicien e saj për t’u bërë aktore serioze. Më në fund, e braktisi karrierën e saj për të bërë fushatë për mirëqenien e kafshëve.

Vite më vonë, reputacioni i saj u dëmtua kur bëri fyerje homofobike dhe u gjobit disa herë për nxitje të urrejtjes racore. Djali i saj gjithashtu e paditi për dëmtim emocional, pasi ajo tha se do të kishte preferuar të “lindte një qen të vogël”.

Ishte një plagë në kujtesën e një ikone, e cila - në kulmin e saj - vuri bikinet, dëshirën femërore dhe kinemanë franceze në hartë.

Ndihmoi që bikinet të pranoheshin në shoqërinë e viteve ’50 të shekullit XX: Foto bardhezi për fotografët e Festivalit të Kanës më 1953(Lido/Shutterstock)

Brizhit Ana-Mari Bardo [Brigitte Anne-Marie Bardot] lindi në Paris më 28 shtator 1934.

Ajo dhe motra e saj, Marie-Jeanne, u rritën në një apartament luksoz në lagjen më të pasur të qytetit.

Prindërit e saj katolikë ishin të pasur dhe të devotshëm dhe kërkonin standarde të larta nga fëmijët e tyre.

Miqësitë e vajzave kontrolloheshin rreptësisht. Kur ato thyen vazon e preferuar të prindërve, u ndëshkuan me rrahje.

Bardo, më 1946: Prindërit e saj donin që ajo të bëhej balerinë(Roger Viollet via Getty Images)

Me gjermanët që pushtonin Parisin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bardo kalonte shumicën e kohës në shtëpi, duke kërcyer me disqe gramafoni.

E ëma e inkurajoi interesin e saj dhe e regjistroi në klasa baleti që në moshën shtatëvjeçare.

Mësuesi i saj në Konservatorin e Parisit e përshkroi si një nxënëse të shkëlqyer, dhe ajo vazhdoi të fitonte çmime.

Jeta si vajzë e re

Por, ajo e ndiente jetën klaustrofobike. Në moshën 15-vjeçare, ka thënë më vonë, “po kërkoja diçka, ndoshta një përmbushje të vetvetes”.

Një mik i familjes e bindi të pozonte për kopertinën e revistës Elle - revista kryesore e grave në Francë, dhe fotografitë shkaktuan sensacion.

Fotografitë e Bardos në kopertinat e revistave, riformësuan modën dhe konceptin e bukurisë (foto e vitit 1955)(Bettmann Archive/Getty Images)

Në atë kohë, gratë me stil kishin flokë të shkurtër, aksesorë të kombinuar me kujdes, dhe xhaketa të qepura me veshje të mëndafshta nate.

Flokët e Brizhitës vareshin në supe. Me trupin e hollë dhe atletik të një balerine, ajo nuk i ngjante aspak modeleve të tjera.

E fotografuar në një seri veshjesh rinore dhe moderne, ajo u bë mishërimi i një stili të ri jeune fille (vajzë e re).

Në moshën 16-vjeçare, ajo u perceptua si vajza më e famshme në kopertinat e Parisit.

Fotot e saj tërhoqën vëmendjen e regjisorit të filmit Marc Allegret, i cili i dha urdhër ndihmësit të tij, Roger Vadim, ta gjente atë.

Bardo përqafon Roger Vadimin, ndërsa ai është ulur në një tavolinë duke punuar në shtëpinë e tyre, më 1952: Ajo e dashuronte marrëzisht regjisorin aspirant Vadim(QUINIO/Gamma-Rapho via Getty Images)

Provat në ekran nuk ishin të suksesshme, por Vadimi - gjashtë vjet më i vjetër - e mori nën kujdes, fillimisht si favorite, pastaj si të fejuarën e tij.

Ata filluan një lidhje intensive, por kur prindërit e Bardos zbuluan lidhjen, kërcënuan ta dërgonin në Angli.

Bardo e shtrirë në bar, në një pamje nga filmi “Nusja është shumë e bukur” [La mariée est trop belle] i vitit 1956: Roger Vadim ndihmoi gruan e tij adoleshente të niste karrierën kinematografike(S.N. Pathe Cinema/Getty Images)

Roger Vadim, “ujku i egër” i saj

Si kundërpërgjigje, ajo u përpoq t’ia merrte jetën vetes, por u zbulua dhe u ndalua në çastin e fundit.

Brizhita ishte e mahnitur pas regjisorit aspirant.

Atij i dukej si një “ujk i egër”.

“Ai më shikonte, më frikësonte, më tërhiqte dhe unë nuk e dija më ku isha”, shpjegoi ajo më vonë.

Bardo dhe Vadim, duke qëndruar pranë altarit, gjatë ceremonisë së tyre të martesës në dhjetor të vitit 1952(Hulton Archive/Getty Images)

Nën një presion të tillë, prindërit e saj u dorëzuan, por ia ndaluan çiftit të martohej deri sa Brizhita të mbushte 18 vjeç.

Sapo ky prag u kapërcye, çifti u martua.

Të bëhesh ikonë

Vadimi filloi ta formësonte Bardon në yllin që ai besonte se ajo mund të bëhej.

Ai ia shiti fotografitë e martesës së tyre revistës Paris-Match dhe e udhëzoi se si të sillej në publik.

Ai e ndihmoi gruan e tij të re të gjente role të vogla në një duzinë filmash të parëndësishëm, shpesh duke luajtur tema dashurie të një femre tërheqëse, por të pafajshme.

Por, deri në vitin 1956, ajo ishte kryesisht e famshme për pozimin me bikini - deri atëherë një veshje e ndaluar në Spanjë, Itali dhe pjesën më të madhe të Amerikës, për shkak se ishte në kufirin e skajshëm të mirësjelljes - dhe për popullarizimin e modelit të flokëve “koshere” [beehive].

Pastaj erdhi shpërthimi dhe roli që e bëri yll.

Atë vit, filmi debutues i Vadimit, Dhe Zoti krijoi gruan [Et Dieu... créa la femme] u shfaq në Paris. Ai dështoi financiarisht në Francë, por shkaktoi trazira në Shtetet e Bashkuara.

Bardo në plazh, në një skenë nga filmi “Dhe Zoti krijoi gruan”, veshur me një fustan pjesërisht të hapur nga fundi, që hapet për t’ia zbuluar kofshën, ndërsa qëndron pranë një burri të shtrirë me fytyrën poshtë(Marka/Universal Images Group via Getty Images)

Në një vend të mësuar me aktoren Doris Day, Bardo ishte një sensacion.

Personazhi i saj ndjek dëshirat e veta seksuale, pa turp, ashtu si burrat. Ajo vallëzon zbathur në një gjendje transi, me lëkurën që i shkëlqen nga djersa dhe me flokë të lëshuar lirshëm.

Mungesa e saj e frenimit bëri që rendi shoqëror të shembet; jashtë kinemasë, reagimi ishte po aq i fortë.

Filozofja ekzistencialiste Simone de Beauvoir e çmoi si ikonë të “lirisë absolute” - duke e ngritur Brizhitën në statusin e një filozofie.

Por, u mobilizua shumica morale amerikane. Filmi u ndalua në disa shtete dhe gazetat e dënuan si të degjeneruar.

Për publikun, Bardo u bë e pandashme nga personazhi që luante. Paris-Match e etiketoi si “imorale nga koka te këmbët”.

Dhe, kur ajo iku me aktorin tjetër të filmit, Jean‑Louis Trintignant, imazhi i saj si libertine e shfrenuar u bë i pashmangshëm.

Brizhit Bardo, në një plazh shkëmbor, në një pamje nga filmi “Manina, vajza në bikini” [Manina, la fille sans voiles] me regji të Willy Rozierit, më 1958(Atlantis Films/Pictorial Parade/Courtesy of Getty Images)

Ajo u divorcua nga Vadimi, i cili reagoi ashtu siç vetëm një francez mund të reagojë.

“Preferoj të kem një grua të tillë”, tha ai, “duke e ditur që është e pabesë, sesa të zotëroj një grua që më do vetëm mua dhe askënd tjetër.”

Ai vazhdoi të punonte sërish me Bardon dhe më vonë jetoi me aktore Catherine Deneuve dhe u martua me aktoren Jane Fonda.

Një nënë e pavullnetshme

Në vitin 1959, Brizhita - pas disa lidhjesh dashurie - u martua me aktorin Jacques Charrier, me të cilin luajti në filmin Babeta shkon në luftë [Babette s'en va-t-en guerre].

Çifti pati një djalë, Nicolasin, por Bardo e urrente shtatzëninë e saj: e godiste vazhdimisht veten në bark dhe i lutej një mjeku për morfinë që të shkaktonte abort.

“E shikoja barkun tim të sheshtë dhe të hollë në pasqyrë si një mik të dashur mbi të cilin isha gati të mbyllja kapakun e arkivolit”, ka thënë ajo më vonë.

Brizhit Bardo, veshur me këmishë nate, duke mbajtur djalin e saj: Bardo më vonë u padit nga i biri për dëmtim emocional(AFP via Getty Images)

Pas divorcit të pashmangshëm, Nicolasi nuk e pa nënën e tij - për dekada.

Ai e paditi Bardon për dëmtim emocional kur ajo botoi një autobiografi në të cilën shprehej se do të kishte preferuar të “lindte një qen të vogël”.

Brizhita ishte tani aktorja më e paguar në Francë, dhe disa sugjeronin se ajo kishte më shumë vlerë për tregtinë e jashtme sesa industria franceze e makinave.

Por, ajo donte të merrej seriozisht si aktore. “Nuk kam pasur shumë mundësi për të aktruar”, ankohej ajo, “kryesisht më është dashur të zhvishem”.

Ajo filloi të tërhiqte vëmendjen e regjisorëve më të respektuar të Evropës, duke marrë lëvdata për dramën e fuqishme të Valës së Re të regjisorit Jean-Luc Godard, Neveria [Le Mépris].

Por, cilësia e përgjithshme e veprave të saj ishte e përzier, veçanërisht kur e sprovoi veten jashtë Francës dhe në Holivud.

Një martesë e tretë, me një plejboj milioner gjerman, u pasua nga një sërë dashnorësh - ndonëse, në mënyrë të pazakontë, ajo refuzoi aktorin Sean Connery.

Bardo u lodh nga imazhi i saj si seks-simbol dhe hoqi dorë nga aktrimi për të bërë fushatë për mirëqenien e kafshëve(Bettmann Archive/Getty Images)

Ajo realizoi dhjetëra disqe muzikorë, përkrah kantautorëve Serge Gainsbourg dhe Sacha Distel.

Me Gainsbourgun incizoi këngën provokuese Të dua ... as unë nuk të dua [Je T’aime ... Moi Non Plus], ndonëse iu lut atij të mos e publikonte.

Një vit më vonë, ai e incizoi sërish atë këngë me aktoren britanike Jane Birkin. Kënga u bë hit i madh në gjithë Evropën, ndërsa versioni i Bardos qëndroi i pazbuluar për 20 vjet.

Aktiviste për të drejtat e kafshëve

Pas gati 50 filmash, më 1974 njoftoi se po tërhiqej për t’ia kushtuar jetën mirëqenies së kafshëve.

“Ia dhashë bukurinë dhe rininë time burrave”, tha ajo. “Kafshëve do t’ua jap tash mençurinë dhe përvojën time”.

Brizhit Bardo duke parë një nga 50 ujqërit hungarezë që shpëtoi(Philippe Caron/Sygma/Getty Images)

Ajo mblodhi tre milionë franga për të themeluar Fondacionin “Brigitte Bardot”, duke nxjerrë në ankand bizhuteritë dhe kujtimet e saj filmike.

Bardot - ose B.B., siç njihej në Francë - bëri fushatë kundër therjes vjetore të fokave në Kanada dhe zemëroi disa bashkëkombës të saj duke dënuar ngrënien e mishit të kalit.

Ajo u bë vegjetariane, sulmoi qeverinë kineze për “torturimin” e arinjve dhe shpenzoi qindra-mijëra për një program sterilizimi të qenve endacakë në Rumani.

Brizhit Bardo duke mbajtur dy pankarta teksa protestonte kundër tregtisë së gëzofit(Sygma via Getty Images)

Një fund i trazuar për një jetë të trazuar

Në vitet e mëvonshme, ajo u ndoq disa herë penalisht për urrejtje racore.

Ajo kundërshtoi mënyrën se si besimet islame dhe hebraike therin kafshët për ushqim.

Por, mënyra se si ajo e shprehu kritikën e saj ishte e pafalshme dhe - në fakt - e paligjshme.

Në vitin 1999, ajo shkroi se “atdheu im është pushtuar nga një mbipopullim i të huajve, veçanërisht myslimanëve”. Kjo e çoi Bardon drejt një gjobe të madhe.

Ajo vazhdoi të kritikonte martesat ndër-racore dhe të fyente burrat homoseksualë të cilët, sipas fjalëve të saj, “tundin të pasmet, ngrenë gishtat e vegjël në ajër dhe me zëra të hollë si kastratët ankohen për vuajtjen që ua kanë shkaktuar ata heteroseksualë të tmerrshëm”.

Ajo ishte aq shpesh në gjykatë saqë, në vitin 2008, prokurori deklaroi se ishte “lodhur” duke e ndjekur penalisht.

Bardo jashtë Pallatit Elize(Gilles BASSIGNAC/Gamma-Rapho via Getty Images)

Në vitet ’60 të shekullit XX, Brizhit Bardo u zgjodh si fytyra zyrtare e Marianës - emblemës së lirisë franceze.

Më pas, vetë ajo u bë ikonë: një grua e bukur, e çliruar, moderne, e cila refuzoi të përshtatej me stereotipat e vjetruar.

Pas tri martesash të dështuara dhe disa tentativash për vetëvrasje, ajo hoqi dorë nga qendra e vëmendjes për të bërë fushatë kundër mizorisë ndaj kafshëve. Për habinë e saj, magjepsja e mediave ndaj saj vazhdoi, edhe kur fama u kthye në nam të keq.

Ajo ka lënë pas bashkëshortin e saj të katërt, Bernard d’Ormale - ish‑këshilltar i politikanit të ndjerë të ekstremit të djathtë, Jean‑Marie Le Pen.

Dhe, në një fund të trazuar për një jetë të trazuar, pikëpamjet politike të Bardos bënë që ajo t’i kalonte vitet e fundit në një gjysmë izolim, duke u përballur me akuza për urrejtje racore në gjykata. /Telegrafi/

MBI DASHURINË

29 December 2025 at 10:52


Poezi nga: Gary Snyder
P
ërktheu: Fadil Bajraj

Dhemb të duash
Dhemb të mos duash
Dhemb më së shumti të dështosh në dashuri.
Lindja nuk është asgjë për të dashur.
Mençuria, gjenialiteti, shkelen.
Ata i shikojnë sall paratë.
Paratë i shkatërrojnë vëllezërit,
Paratë i shkatërrojnë prindërit
Shkaktojnë luftëra dhe vrasje,
Çka është edhe më keq,
Paratë na vrasin ne të dashuruarve.

Parashikimet e mia për mënyrën se si konflikti global mund të zhvillohet në vitin 2026

29 December 2025 at 10:35


Nga: Robert Fox / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Ka diçka ambivalente në lidhje me sezonin e festave, pasi zakonisht nxit një shpërthim parashikimesh gazetareske për gjëra të këqija që priten në Vitin e Ri - më shumë telashe, murtaja dhe luftëra më të këqija. Një pikë ngushëllimi është se gazetarët, në përgjithësi, janë profetë të dobët. Kështu që, në frymën e paqartë të sezonit, le të hedhim një vështrim mbi vendet dhe rastet që mund të nxisin përplasje më të gjera, madje edhe një luftë rajonale apo një përballje globale.

Nuk parashikoj një luftë në Evropë apo diku tjetër - të llojit të zymtë të Mark Ruttes, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s - “në shkallën e luftërave të etërve dhe gjyshërve tanë”. Çfarëdo që po përgatitet, nuk do të jetë asgjë si luftërat e mëdha të shekullit XX.

Nuk do të ketë ndalim në intensitetin e luftimeve dhe të dhunës që po shohim tani në Ukrainë, Sudan, Ruandë dhe Kongo, si dhe në Jemen. Përballja mes Tajlandës dhe Kamboxhias duket po aq e tensionuar, si gjithmonë, dhe shpërthimet e tmerrshme të trazirave civile dhe masakrave në Mianmar po përshkallëzohen, ndërsa junta ushtarake manipulon zgjedhjet këtë pranverë.

Një shkëndijë e rastësishme në disa nga këto konflikte mund të jetë shkak i një përplasjeje më të gjerë. Siç paralajmëroi Rutte, duhet të jemi të përgatitur për luftë, për ta parandaluar atë.

Vladimir Putini ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë të luftojë për një fitore të plotë në Ukrainë, dhe nëse Evropa dëshiron luftë, ai është gati. Ai ka gjasa të provokojë aleatët evropianë të NATO-s dhe BE-së në disa pika - veçanërisht në Baltik, Atlantikun e Veriut dhe nëpërmjet Ballkanit. Kjo mund të përfshijë përdorimin e incidenteve me flamur të rremë përreth enklavës së Kaliningradit, rripit midis Polonisë dhe Lituanisë. Kjo nënkupton një maskim të një incidenti kufitar si akt agresioni nga një aleat i NATO-s - siç kanë qenë, në muajt e fundit, ndërhyrjet e fshehta ruse në patrullat kufitare me Norvegjinë dhe Estoninë.

Duke marrë parasysh përmirësimin e qëndrueshëm të shërbimeve të nëndetëseve ruse, të vendosura nga Gadishulli Kola, me siguri do të shtohen patrullat shqetësuese të nëndetëseve ruse, për të testuar konceptin e ri të NATO-s për sigurinë dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm në Atlantik [Atlantic Bastion]. Ato do të shoqërohen me më shumë vëmendje në ujërat e brendshme britanike si dhe në Baltik - nga anijet dhe nëndetëset e shërbimit të zbulimit dhe sabotimit GUGI, veçanërisht anija e tyre kryesore, Yantar.

Kremlini do të përpiqet të na provokojë, ndërkohë që Amerika e Trumpit sillet mirë me Moskën dhe grindet me aleatët evropianë. Ai do të joshet të veprojë përpara se NATO-ja evropiane të fillojë punën për riarmatim. Një përçarje midis ShBA-së dhe një aleati themelues të NATO-s, Danimarkës - për shkak të Grenlandës - është mundësi tepër e mirë për t’u humbur.

Zona e dytë madhore e rrezikut për Shtetet e Bashkuara është vetë kontinenti amerikan, ku Trumplandi ka rimarrë hegjemoninë në strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, duke ringjallur pretendimin kontinental të presidentit Monroe të vitit 1823. Nuk është vetëm çështje e ndryshimit të regjimit në Venezuelë, për të cilin Trumpi duket se është i vendosur. Çdo ndërhyrje amerikane në Venezuelë rrezikon të përsërisë gabimet e bëra me pushtimin e Irakut në vitin 2003. Siç tha ish-gjenerali dhe sekretari i shtetit, Colin Powell, nëse prish diçka në këto aksione, atëherë do të përballesh me problemin. Do të ishte e domosdoshme të reformoheshin dhe të menaxhoheshin forcat e sigurisë dhe administrata publike, përndryshe vendi do të përfundonte në një luftë civile shumëvjeçare, si në Irak.

Veprimi në Venezuelë do të përshpejtonte paqëndrueshmërinë në zhvillim në të gjithë rajonin, nga Ekuadori deri në Kolumbi dhe Guajanë. Pas retorikës së ekzagjeruar të Trumpit, elementi kyç është nafta dhe synimi i ShBA-së për t’u bërë fuqia dominuese globale e naftës. Kjo me siguri do të shqetësojë fuqitë e mëdha të OPEC-ut dhe Kinën - një akter i madh në Amerikën Latine.

Rajoni i katërt, Lindja e Mesme, është fuçi baruti për përshkallëzim lufte - nga Kurdistani në Veri deri në Gadishullin Arabik, Sudan dhe Somali përtej Afrikës subsahariane. Gaza mbetet pikë e ndezur, ashtu si Jemeni dhe Sudani. Në Jemenin e Jugut dhe në Sudan, përfaqësuesit e dy fuqive më të mëdha të Gjirit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, janë në luftë të hapur. Regjimi i brishtë në Iran mund të zgjedhë momentin për të sulmuar - drejtpërdrejt Izraelin ose përmes përfaqësuesve të vet nga Siria e deri te milicia RSF në Darfur dhe më tej.

“Nuk ka ndjenjë sigurie në gjithë Sudanin”, thotë Pasquale Ferrara, që ka hartuar për vite me radhë politikën italiane për rajonin, “por një sasi të madhe armësh”. Luftimet në kufijtë e Ruandës dhe në Republikën Demokratike të Kongos kanë pasoja strategjike, për shkak të garës për minerale të rralla dhe kadmium mes agjentëve të Kinës, ish-grupit Wagner të Rusisë dhe bandave të fuqishme të krimit të organizuar.

Në Azinë Jugore dhe Juglindore - skenari im i pestë rajonal - disa përballje kanë potencial për konflikt. Pakistani dhe India vështrojnë njëri-tjetrën mbi Kashmir dhe Afganistan, dhe India përballet me Kinën përgjatë kufirit të tyre malor. Kamboxhia dhe Tajlanda nuk janë plotësisht në paqe, çfarëdo që të thotë Donald Trump, megjithëse është pak e mundur që problemi të përhapet.

Zona e gjashtë e shqetësimit të madh për konflikt duhet të jetë Kina. Në vitin 2025, Xi Jinping dhe regjimi i tij janë bërë mjeshtër botërorë të artit strategjik të paqartësisë, duke tejkaluar Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin. Vitin tjetër, Xi mund të llogarisë se Donald Trumpi është tepër i shpërqendruar nga Venezuela, Ukraina, Gaza dhe egoja e tij për të reaguar me kohë, nëse Kina do të provonte një veprim vendimtar kundër Tajvanit, në mënyrë të hapur ose të fshehtë.

Një përpjekje në kohë të gabuar dhe e dështuar për të marrë Tajvanin, do të provokonte reagim të fuqishëm nga të gjithë akterët e mëdhenj rajonalë të mëdhenj, përfshirë Indinë dhe Japoninë, Australinë dhe Amerikën. Në një skenar më të keq, rrezikohet një përballje vërtet globale.

Rreziqet për luftë dhe konflikt nuk janë vetëm çështje gjeografie të gjashtë rajoneve të brishta, apo të mjeteve të vjetra të luftës dhe diplomacisë. Ekzistojnë edhe mënyrat më pak të dukshme - zakonisht të papublikuara të sulmit, përmes krimeve kibernetike, informacionit dhe ndikimit, një aspekt i sigurisë dhe qëndrueshmërisë për të cilin Mbretëria e Bashkuar, për shembull, duket se është tmerrësisht e papërgatitur. Qeveritë tona thjesht nuk duan të mendojnë për këtë, dhe aq më pak ta bëjnë këtë në mënyrë të hapur apo transparente. Mendoni për dëmin e shkaktuar nga sulmi kibernetik ndaj Jaguar Land Rover, që tani besohet se është vepër e një përfaqësuesi rus - një humbje prej 1.5 miliardë paundë [vlera e përafërt e 1.71 miliardë eurove] për kompaninë dhe pesë [vlera e përafërt e 5.73 miliardë eurove] për ekonominë kombëtare.

Edhe më shqetësuese është ajo që studiuesit e shkollave të biznesit e quajnë fenomeni i “meduzës së zezë” - përbindëshi i tmerrshëm nga thellësitë, që duam ta injorojmë derisa të jetë tepër vonë dhe me pasoja fatale. Meduza e zezë në luftë mund të jetë formë e re e armëve biologjike dhe kimike - diçka më vdekjeprurëse dhe më e pakapshme sesa ricini, sarini, poloniumi dhe noviçoku që kemi parë të përdoren si mjete terrori gjatë gjysmës së shekullit të fundit. Në duart e një anëtari kulti apo fanatiku, ato mund të jenë kërcënimi më i madh nga gjithçka tjetër. /Telegrafi/

Kur brilanti vdes i uritur

29 December 2025 at 09:50


Nga: Adrian Thano

Ka artistë që kthehen në tempuj ndjenjash. Nëpërmjet tyre publiku kupton më mirë vetveten. Në këtë mënyrë ata na falin një pasuri të madhe të brendshme, që nuk ka të bëjë me paranë.

Po ne çfarë u japim atyre?

Kadri Roshi nuk ishte i zakonshëm. Zëri i tij i veçantë, sytë që i flisnin para fjalëve ishin tipare të një aktori të madh. Ai nuk luante thjesht personazhe.

Siç del nga një rrëfim publikuar dje në media, kjo ikonë e kujtesës sonë kolektive përballoi në fund të jetës diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ky njeri kaq i talentuar ka qenë në një gjendje të tillë varfërie sa është detyruar të kërkojë ndihmë te një politikan për një copë bukë.

Po pse një artist i madh i një kombi u gjend në një situatë të tillë? Si ndihemi si shoqëri kur i lëmë të vdesin urie ata që na dhanë kaq shumë? A është e mundur që jo vetëm Kadriu që ka merituar gjithë të mirat e kësaj bote, por askush të mos kërkojë bukë për gruan e tij si kërkesë e fundit para se të largohet nga kjo jetë?

Kthehemi te problemi i një shoqërie që po vuan një varësi të egër nga politika. Kjo ka shkuar deri në nënshtrim. Çdo gjë duhet të kalojë nga filtri i pushtetit, ndihma, mirënjohja, mbështetja, karriera, madje edhe mëshira. E vendos pushteti kush meriton të jetojë me dinjitet e kush jo!

Njerëz me vlera reale mbyllin jetën në varfëri dhe harresë. Politikanë cullakë nga çdo meritë dhe mantenutat e tyre përfitojnë miliona euro nga paraja publike si të jenë pesleksha.

I gjithë sistemi shpërblen bindjen dhe respekton pazarxhiun duke e lënë njeriun me dinjitet të vetmuar dhe në heshtje.

Prindërit tanë pensionistë numërojnë qindarkat, deputetët rrisin rrogat dhe pensionet e tyre, duke votuar për veten pa pikë turpi dhe pa asnjë lidhje me realitetin social.

Ky është një rend moral krejtësisht i përmbysur.

Së pari duhet një çarje e madhe në trushplarjen kolektive që politika ka ushqyer për vite. Sa më shumë që shoqëria u dorëzon një apo dy individëve rolin e shpëtimtarit, aq më shumë këta e shpërdorojnë besimin, duke e kthyer shtetin në bankomat vetëshërbimi.

Një shtet funksional nuk ndërtohet mbi figura të vetme, mbi një apo dy liderë që nuk shqiten nga ekrani, ditë e natë, si Vëllai i Madh i romanit “1984”. Është mjerim, është katundari me brirë që politika dhe shteti të identifikohen me një fytyrë të vetme, me një zë të vetëm.

Kadri Roshi na rikujton nga heshtja sa shumë kemi për të bërë jo vetëm në mënyrën si trajtojmë ata që vlejnë.

Duhet një ndryshim i madh kulturor. Por ai nuk do vijë vetëm nga prokurorët apo nga “direktivat nga jashtë”.

Do fillojë kur secili nga ne do refuzojë në forma të vogla të përditshme të jetë pjesë e kësaj “shkathtësisë” epidemike, kësaj gatishmërie kombëtare për të qenë në anën e gabuar për ca para më shumë.

Do vijë kur të fillojmë të vlerësojmë punën e ndershme, kur t’i kthehemi jetës modeste dhe normale. Kjo nuk ka nevojë për heronj.

Do mjaftonin njerëzit e thjeshtë që nuk harrojnë çfarë është e drejtë.

- Lexo po ashtu: Belban nuk linda, u bëra kur isha nëntë vjeç

***

Kërkesa e Kadri Roshit (1924-2007), nga shtrati i spitalit: Më ndihmo me ca para, e kam gruan pa bukë në shtëpi

Nga: Hamdi Jupe, gazetar, ish-shef i kabineti i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Server Pëllumbi, në vitet 2002-2005

Në vend të kartolinës për Vitin e Ri: “Shpërblimi” më i bukur i jetës sime

Në mëngjes më thirri kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, në zyrë. Punoja si shef i kabinetit të tij.

- Do të shkojmë për vizitë në Spitalin Ushtarak. Atje është shtruar i sëmurë Artisti i Popullit, Kadri Roshi. Ka qenë aktor i madh, prandaj meriton respekt - tha ai.

U nisa para tij për të takuar drejtorin e spitalit me qëllim që të ishte aty kur do të vinte kryetari. Eskorta me Pëllumbin mbërriti në orën e caktuar.

Hymë në dhomën ku ishte artisti. Me ne, edhe oficeri i eskortës. Aktori ishte sistemuar i vetëm në dhomë, për të qenë i qetë nga pacientët e tjerë. Pak fjalë përshëndetëse me të dhe papritur ai na u drejtua neve:

- Ju lutem, dilni pak nga dhoma ju, se kam një muhabet vetëm me Servetin.

Ai po fliste sikur kryetarin e Kuvendit ta kishte vëlla. U habitëm nga fjalët e aktorit dhe vështruam nga Kryetari. Mirë ne të tjerët, po edhe drejtori - mjek i spitalit - duhej të dilte jashtë nga dhoma e pacientit!?

- Dilni, dilni - tha kryetari - ne jemi burra të vjetër dhe kemi edhe ne sekretet tona.

Edhe për të ishte e papritur kjo kërkesë e aktorit, por nuk mund ta kundërshtonte.

Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor të habitur, derisa dera u hap dhe kryetari na ftoi të hynim prapë. Qëndruam ca kohë aty, ndërkohë që kryetari po bisedonte me aktorin dhe drejtorin për situatën e tij shëndetësore. Pastaj u kthyem në Kuvend.

Sapo kisha hyrë në zyrë, kur kryetari më thirri të shkoja te zyra e tij. Më habiti kjo, sepse para pak minutash ishim bashkë në spital. Mos vallë kishte ndodhur ndonjë gjë e papëlqyeshme gjatë vizitës sonë atje (çështje protokolli) dhe tani po më thërriste për të më tërhequr vërejtjen për “pakujdesi në detyrë”? U ulëm të dy në kolltukun e gjatë të zyrës së tij. Kryetari heshti për pak çaste, pastaj hapi gojën.

- E more vesh përse ju nxori artisti nga dhoma juve?

- Jo, nga ta merrja vesh? - u përgjigja - ju e patë vetë atë që ndodhi, ne dolëm jashtë.

- Po - tha profesori, gjithnjë me një hije të rëndë trishtimi në fytyrë - Ai ju nxori juve jashtë dhe atëherë kur ngelëm vetëm, më bëri mua një kërkesë të panatyrshme.

Kryetari mori frymë thellë, sikur të donte të thoshte diçka të rënde.

- Më tha: “Të lutem, më ndihmo të gjej ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten time, se e di që do vdes, po kam hallin e saj”.

U habita nga kërkesa e tij - vazhdoi kryetari. - M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë, por shpejt e mblodha veten. Mendova se një njeri në hall, mbi tetëdhjetë vjeç, i shtruar në spital në prag të vdekjes mund të bëjë edhe kërkesa të tilla.

Prandaj të kam thirrur - vazhdoi. - Të shikosh se çfarë mund të bëjmë ne si Kuvend për të nxjerrë diçka, ndonjë fond të vogël, për të ndihmuar aktorin. Bisedo me ata të financave të Kuvendit dhe më sill një përgjigje. Atij i takon pension i posaçëm si një artist i madh, dreqi ta hajë, dhe unë do merrem me këtë çështje pranë qeverisë, derisa ta zgjidh. Në këtë botë ka plot padrejtësi dhe një e tillë është edhe kjo me artistin Kadri Roshi. Por, ai është keq për bukë sot dhe kjo punë më ngeli mua në shpinë tani. Me rrogën time po lajmë një kredi që kemi marrë për shtëpinë e re dhe nuk tepron gjë prej saj.

Më erdhi e papritur kjo kërkese e kryetarit, prandaj thirra menjëherë në zyrë drejtoren e financave të Kuvendit, Dafinën, për të parë se çfarë mund të bënim për ta ndihmuar artistin. Ajo ishte një financiere e vjetër, e rrahur me vaj e me uthull për gati dyzetë vjet me financat e shtetit, prandaj vetëm ajo mund të gjente zgjidhjen e problemit.

- Para për aktorin!? - pyeti ajo sapo hapa gojën për to. - Mos e diskuto! Nuk kemi asnjë hapësirë ligjore për të bërë një gjë të tillë. Është punë që s’bëhet. A, po, ndryshe do të ishte puna nëse artisti do të ishte ndonjë piktor i njohur dhe ne mund të blinim disa vepra arti të tij, për të zbukuruar mjediset e Kuvendit, se i kemi për ibret të zotit, pa një vepër arti në to. Po aktori ... çfarë mund t’i blejmë ne atij? Asgjë.

- Po ti prit njëherë - i thashë. - Mos e thuaj fjalën e fundit në fillim. Kjo është porosi e kryetarit, nuk është imja.

Iu luta ta shikonte edhe një here me kujdes kërkesën, se nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja shefit që po më priste në zyrë për porosinë që më kishte dhënë. Por, ajo nuk luante nga e saja. U ngrit e doli nga zyra, duke më lënë me gisht në gojë, pa asnjë shpresë për atë që kërkoja. Ngela i vetëm dhe i çarmatosur në zyrë. Çfarë të bëja tani? Kur s’e zgjidh dot Dafina këtë punë, nuk e zgjidh dot askush tjetër. Vetë nuk kisha para, kisha dy fëmijët studentë në Itali.

Tani do të duhej të shkoja t’i jepja kryetarit lajmin e keq, që Kuvendi nuk ka asnjë mundësi ligjore të nxirrte diçka për aktorin e madh në prag të vdekjes. Por, nuk më bëhej të shkoja tek ai me duar bosh, nuk më bëhej. M’u faneps në mendje cironka e tharë në xhepin e poetit arbëresh De Rada, në ditën e nisjes së tij për në parajsë. Ra zilja e telefonit të zyrës.

- Dafina jam - u dëgjua zëri i saj në anën tjetër të tij. - Në zyrë je? Dua të vij edhe një herë atje.

Çfarë lajmi tjetër të zi donte të më jepte tani femra me shpirtin prej akulli, me detyrën “gardiane” e financave publike të Kuvendit?

- Po hajde pra, në zyrë jam siç e sheh. Ti këtu ishe tani.

Ajo erdhi me një frymë. Pasi u mendua pak, hapi gojën:

- Shiko, ka vetëm një rrugë për të nxjerrë ca para nga arka e Kuvendit për artistin, por kjo bëhet vetëm me urdhër të kryetarit.

- Natyrisht që me urdhër të kryetarit do të bëhet, nuk do bëhet me urdhrin tim. Po cila është rruga? - e pyeta.

- Po ja, kryetari ka të drejtë të të japë ty si shef i kabinetit dy rroga mujore shpërblim për punë “shumë të mirë” që ke bërë në shërbim të institucionit. Futja kot domethënë. Ti pastaj i merr ato para dhe ia çon artistit. Vetëm kjo është rruga ligjore. Duket si diçka që nuk shkon, e kuptoj, por bëj be që nuk ka asnjë rrugë tjetër të mundshme, asnjë rrugë tjetër.

Ajo sikur u çlirua më në fund nga tensioni që e kishte pushtuar, pas asaj që tha. I kërkova të ma shpjegonte edhe një herë “zgjidhjen” e saj ligjore që ta kuptoja më mirë dhe ajo ma shpjegoi.

Nuk kisha bërë ndonjë punë “të shquar” për institucionin për të marrë shpërblim të veçantë. Kisha bërë punën e zakonshme për të cilën merrja rrogën, por ... Shkova te kryetari dhe ia thashë “zgjidhjen”.

- Bëhet kjo punë? - pyeti.

- Bëhet. Kështu thotë Dafina. - iu përgjigja.

- Epo mirë pra, ma sillni urdhrin ta firmos.

Bashkë me Dafinën formuluam urdhrin: “Në bazë të nenit kaq e aq ... shpërblehet shefi i kabinetit (emri im) me dy rroga mujore për punë shumë të mirë në shërbim të Kuvendit të Shqipërisë. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Kryetari: Servet Pëllumbi”.

Ia çova urdhrin për firmë. E vulosa në protokoll dhe çdo gjë ishte gati. Mora paratë në llogari dhe ia çova artistit në spital. Kishte kaluar mesdita dhe ai ishte vetëm në dhomën e tij. Ia dorëzova zarfin me “porosinë e Servetit” në dorë. Ai më fallnderoi me lot në sy. Ishte një sasi parash sa për një “ngushëllim” të çastit, të cilat nuk mund të zgjidhnin problemin e tij për gjatë.

Nuk dihej nëse artisti do të dilte më i gjallë prej andej. Drejtori i spitalit e kishte thënë ketë kur dolëm nga dhoma e të sëmurit. Merreni atë shtatore dhe kushtojani ndonjë ministri a deputeti që ka më shumë “merita”, duke e lënë Artistin e Popullit pa bukën e gojës në ditët e fundit të jetës së tij, në nisje të shekullit të njëzetenjë.

Kisha frikë se mos në dhomën e tij hynte ndonjë nga ata që bëjnë “kontrolle të paautorizuara”, kur pacienti ishte në gjumë dhe atëherë na shkonte “shpërblimi” për dhjamë qeni. Ai tha se pasdite atje do të shkonte gruaja e tij dhe do t’ia jepte asaj zarfin.

U ktheva në institucion dhe i raportova kryetarit për detyrën e kryer.

- Oh, ç’më ke shpëtuar nga një siklet shumë i madh! - tha i lehtësuar. Kryetari ishte te të shtatëdhjetat.

Urdhri për shpërblimin tim për punë “shumë të mirë” ndodhet në arkivin e Kuvendit prej më shumë se njëzetë vjetësh. Është “shpërblimi” më i bukur i jetën sime. Me firmën time në bordero ishte bërë e mundur të ndiheshin mirë për pak çaste dy njerëz të shquar të këtij kombi. Dëshmitare është Dafina, drejtorja “shpirtakull” e financave!

Marrëdhënia BE-ShBA: Ndërgjegjësimi i BE-së se ka mbetur vetëm

29 December 2025 at 09:44


Helga Schmidt

As një vit nuk është mbushur nga ardhja në detyrë e Donald Trumpit, por nga perspektiva e Brukselit, kjo kohë është një përjetësi. Valë tronditëse njëra pas tjetrës i kanë mbajtur evropianët në ankth; çdo javë solli kërkesa të reja, akuza dhe më pas ndryshime rrënjësore.

Tronditja e 4 dhjetorit ishte kulmi i ri i përkohshëm dhe ka të ngjarë të jetë më e zgjatura. Një tronditje që e godet në palcë Evropën.

Strategjia e re e sigurisë kombëtare e ShBA-së mbarti disa befasi për aleatët e saj. Kina nuk është më një rivale sistematike, por thjesht një konkurrente ekonomike. Rusia pranohet si një fuqi e madhe me një treg premtues, veçanërisht për lëndët e para. Dhe, nëse lindin konflikte me presidentin e saj, Vladimir Putin, Donald Trumpi ofron shërbimet e tij si ndërmjetës. Po Koreja e Veriut? As që përmendet më. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Kim Jong-uni ishte ende armiku numër një publik.

Strategjia e re amerikane e sigurisë tregon ndarjen më radikale që ka ndodhur me evropianët. ShBA-ja, vendi që çliroi Evropën nga terrori nazist gjerman më shumë se 80 vjet më parë me një kosto të madhe, më pas u bë edhe fuqia mbrojtëse e kontinentit dhe, në veçanti, gjithmonë e mbështeti projektin e Bashkimit Evropian - tani janë armiku i tij. Paragrafët kushtuar BE-së lexohen si një aktakuzë. Ato paraqesin një pamje të një BE-je plotësisht të rrënuar në prag të kolapsit civilizues, të gërryer nga migrimi masiv, shtypja e opozitës, normat e ulëta të lindshmërisë dhe censura.

"Askush prej nesh nuk duhet të tronditet nga fjalët që thonë të tjerët për ne", rekomandoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhjetë ditë pasi u njoftua strategjia e re. Paragraf pas paragrafi, ajo i çmontoi deklaratat nga Uashingtoni. Evropa rezervon të drejtën për të nxjerrë ligjet e veta - refuzim ky i presionit amerikan për të lejuar kompanitë amerikane të teknologjisë të operojnë sa më lirshëm të jetë e mundur, të papenguara nga rregulloret evropiane.

Në Evropë, vazhdoi Presidentja e Komisionit, të gjithë mund të votojnë për "kë të duan", pa presion apo manipulim të jashtëm. Kjo duhet të kuptohet, pa dyshim. Por, von der Leyen e bëri të qartë se çfarë rrezikohet: "liria për të jetuar siç duam".

Që presidenti i Amerikës e përçmon thellësisht Bashkimin Evropian, bëhet e qartë në një nga konferencat e tij të pafundme për shtyp. "BE-ja u themelua", deklaroi Trump në samitin e NATO-s në Hagë këtë verë, "për të shkatërruar ShBA-në".

Trumpi e shikon suficitin tregtar të evropianëve si një fyerje personale: "Ata nuk i duan makinat tona"! Tarifat drastike janë përgjigja e tij; BE-ja duhet të dobësohet. Dhe, ai mbjell pasiguri duke vënë vazhdimisht në pikëpyetje angazhimin besnik ushtarak të ShBA-së tek aleanca e NATO-s.

Strategjia e sigurisë kombëtare e 4 dhjetorit e ShBA-së shkon edhe më tej. Aty pretendohet se liria e shprehjes censurohet në BE dhe opozita shtypet. Kjo i referohet partive të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në BE - të cilat duhet të forcohen. Kjo është arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance nuk u takua me kancelarin gjerman në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt, por me Alice Weidelin, drejtuesen e AfD-së.

"Rrjeti i partive të ekstremit të djathtë dhe konservatore të krahut të djathtë në Evropë, përfshirë lëvizjen MAGA, është bërë më i rrënjosur gjatë katër viteve të fundit", shpjegon politologia gjermano-amerikane, Cathryn Clüver Ashbrook, në një intervistë me studion e ARD në Bruksel. Ajo shton se partitë, por edhe politikanët individualë, marrin mbështetje.

Për shembull, fondet nga Fondacioni “Heritage” shkuan për politikanin britanik të ekstremit të djathtë, Nigel Farage. "Tani duhet ta presim këtë në kontekstin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare për Evropën kontinentale", vëren Clüver Ashbrook. Partitë e krahut të djathtë në Evropë po mbështeten - në Hungari, ku ato janë tashmë në pushtet, dhe në vendet si Gjermania, ku ato janë në opozitë.

Mbështetjes së drejtpërdrejtë për partitë politike i shtohet edhe rrjetëzimi nëpërmjet medias, përfshirë në Gjermani. Para zgjedhjeve federale në shkurt, Elon Musku vlerësoi AfD-në jo vetëm në platformën e tij X, por gazeta e përditshme Die Welt, në pronësi të shtëpisë botuese “Springer”, botoi gjithashtu mbështetjen e Muskun për AfD-në si artikull i të ftuarit. Drejtori ekzekutiv i “Springer”-it, Matthias Döpfner, ndërhyri personalisht pas publikimit të strategjisë së re të sigurisë të Trump-it. “Evropa duhet ta dëgjojë Trumpin”, shkroi Döpfner në një editorial në Die Welt; asnjë fjalë kritike nuk gjendet në editorial. /Tagesschau/ ARD/DW/

Ky ishte viti kur “Perëndimi” vdiq - viti 2026 mund të jetë edhe më i keq

27 December 2025 at 16:41


Nga: Francis Dearnley / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Javën e fundit të punës, para Krishtlindjeve, udhëheqësit e BE-së u mblodhën për atë që u cilësua si samit historik. Siç pritej, u përsëritën klishetë. “Vetëm Ukraina mund të përcaktojë kushtet e paqes”, këmbëngulën ata, duke bërë me dije progresin drejt anëtarësimit të Kievit në BE. Por, pas kësaj retorike, disa prej tyre - disa haptazi të rreshtuar me Moskën, të tjerët të paralizuar nga frika - kundërshtuan. Rezultati nuk ishte vendosmëria, por ekspozimi: një Evropë e përçarë për atë se si do të përballet me luftën që po riformëson të ardhmen e saj. Vërtet, asgjë nuk ndryshoi.

Nëse kjo ta kujton takimin e BE-së javën e kaluar - ku Brukseli dështoi të zhbllokojë asetet e ngrira shtetërore ruse, humbi një mundësi të rrallë për t’i shkaktuar një goditje serioze Moskës dhe në vend të kësaj detyroi taksapaguesit të garantojnë një hua prej 90 miliardë dollarëve për Ukrainën - atëherë gabohesh. Po përshkruaj një samit nga një vit më parë, në dhjetor të vitit 2024, kur për herë të fundit më kërkuan të shkruaja një reflektim për vitin që vjen.

Atëherë paralajmërova se, pavarësisht prej më shumë se një viti me sinjale të qarta se presidenca Trump ishte një mundësi reale, Evropa - përfshirë Britaninë - kishte dështuar të zhvillonte një strategji serioze dhe të pavarur për sigurinë e saj. Nuk pati riarmatim të shpejtë, as ashpërsim të qëndrimit për Ukrainën, as vija të kuqe për të penguar rezultatet më të këqija. Fati i Evropës - dhe i Ukrainës - mbeti i lidhur me vullnetin e mirë të një aleati i cili, siç argumentova, “së shpejti mund të tregojë se nuk është i besueshëm”.

Dymbëdhjetë muaj më pas, pasojat e atij dështimi kanë qenë më të rënda sesa shumëkush kishte imagjinuar. Një Rusi e trimëruar, e inkurajuar nga tapeti i kuq që Trumpi ia shtriu Putinit në samitin katastrofik të Alaskës, tani haptazi provokon Evropën. Sulmet hibride janë intensifikuar, duke kulmuar me një inkursion të dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë, gjë që detyroi NATO-n të përfshihej për herë të parë - në historinë e aleancës - në një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, duke ndier dobësinë, ka poshtëruar vazhdimisht ish-aleatët e saj evropianë, ndërsa sinjalizon qartë një dëshirë për pajtim me Moskën.

Vitin e kaluar shkrova se Evropa “nuk ia kishte lënë vetes asnjë zgjedhje tjetër përveçse të kërkonte një mrekulli festive përtej Atlantikut”, duke mbështetur shpresat e saj te një paqe e negociuar me Putinin. Kjo shpresë mbështetej në një supozim të vetëm të brishtë: se Rusia do të negocionte - me mirëbesim. “Ajo që duket se askush nuk po pyet”, shkrova atëherë, “është çfarë ndodh nëse ajo nuk e bën këtë”.

Kjo pyetje mbetet e nënvlerësuar në mënyrë të rrezikshme. Pavarësisht provave dërrmuese se Putini nuk ka asnjë synim për të përfunduar luftën, përveçse nëse plotësohen kërkesat e tij - kërkesa që do të copëtonin sovranitetin e Ukrainës dhe do të dobësonin përgjithmonë sigurinë evropiane - në shumë kryeqytete vazhdon një iluzion kokëfortë. Se lufta do të përfundojë shpejt. Se një marrëveshje e keqe e imponuar ndaj Kievit mund të përballohet. Ose se ruajtja e ndihmës në nivelin e tanishëm do ta lodhë përfundimisht Rusinë deri në një armëpushim.

Po, ekonomia e Rusisë është nën trysni. Dhe, po, është e mundur që Putini në një moment të vendosë të pezullojë luftën e tij. Por, historia ofron pak ngushëllim. Regjimet që kalojnë me sukses në një ekonomi lufte rrallëherë tërhiqen vullnetarisht. Në fakt, shpenzimet ushtarake të Kremlinit janë rritur ndjeshëm, industria e tij është rikalibruar dhe ndonëse ky model nuk është pafundësisht i qëndrueshëm, ai krijon nxitje të fuqishme për të vazhduar. Lufta premton jo vetëm përfitim strategjik, por edhe shpëtim financiar - borxhe të shtyra ose të shlyera përmes pushtimit.

Kjo është arsyeja pse paralajmërimet e dhëna nga krerët e shërbimeve inteligjente, në të gjithë Evropën, kërkojnë vëmendje urgjente. Nuk ka asnjë shenjë që Moska ka ndërmend të zmbrapset, as në Ukrainë, as në fushatën e saj të frikësimit të Evropës. Disa vlerësime shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se Rusia tashmë po provokon përtej Ukrainës - veçanërisht në shtetet baltike - duke testuar vendosmërinë e NATO-s, duke gërryer besimin te Neni 5 dhe duke llogaritur se Evropa do të hezitojë nëse Rusia sajon një krizë atje - duke vendosur “njerëz të vegjël të gjelbër” dhe më pas trupa, siç ka bërë më parë, teksa Shtetet e Bashkuara shikojnë diku tjetër.

Tani që besueshmëria amerikane s’është më e sigurt, përfundoi bota të cilën brezat evropianë e merrnin si të mirëqenë. Kështu, viti 2025 mund të mbahet mend si viti kur “Perëndimi” pushoi së funksionuari si një koncept politik që ka kuptim. Vizioni i Woodrow Wilsonit për një “komunitet demokratik fuqie” është zëvendësuar nga fjalori për “sfera ndikimi” - gjuhë që ia dorëzon terrenin moral regjimeve autoritare dhe legjitimon pushtimet atje ku nuk duhet lejuar kurrë.

Sepse, këtu qëndron thelbi. T’ua mohosh njerëzve të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre - ashtu siç duket se bëjnë bisedimet aktuale për paqe - do të thotë të braktisësh vetë demokracinë. Ukrainasit e bënë zgjedhjen e tyre nëpërmjet votës. Putini nuk ka asnjë të drejtë ta përmbysë atë me forcë, përveç nëse jemi të gatshëm të kthehemi te rregullat e shekullit XIX. Dhe, ky është rreziku më i thellë: jo një luftë me Rusinë në izolim, por një luftë e ardhshme - ndoshta me Kinën - e lindur nga erozioni i qëllimshëm i parimeve që ruajtën paqen për dekada.

Në fund të artikullit tim, të vitit të kaluar, paralajmërova se, në vitin 2025, Rusia do të mund të refuzonte krejtësisht negociatat, ose të shtirej sikur negocion me mirëbesim teksa i zvarrit ato. Në fund, Putini bëri të dyja - duke llogaritur që padurimi amerikan do ta bënte pjesën tjetër. Skenari më i mirë ishte që keqbesimi i Moskës të dilte më në fund haptazi, duke nxitur Uashingtonin të shtonte mbështetjen për Ukrainën. Sot, kjo duket pothuajse e pamundur. Ndryshimi ideologjik në Shtetet e Bashkuara është i thellë. Gati përditë Trumpi lëvdon “marrëdhënien e mirë” me Putinin, duke mos humbur asnjë rast për të sulmuar presidentin Zelensky. Është, pa dyshim, një botë e re.

E mbylla artikullin e vitit të kaluar me një paralajmërim për koston e mosveprimit: nëse heq dorë nga parimet, më pas heq dorë nga territori - “dhe vdesin njerëzit e pafajshëm”.

Që atëherë, shumë më tepër njerëz të pafajshëm kanë vdekur. Dhe, më shumë do të vdesin vitin e ardhshëm nëse asgjë nuk ndryshon. Dhe, një ditë, mund të mos jenë njerëz të pafajshëm në një “vend të largët”, por bijtë dhe bijat tona që do të paguajnë çmimin për dështimin tonë për të vepruar kur ende kishte kohë. /Telegrafi/

Skepticizmi im mbi titullin “Poet Laureat”

27 December 2025 at 15:43


Nga: Mujë Buçpapaj

Në historinë e letërsisë, titulli Poet Laureat nuk ka qenë kurrë një dekor ceremonial, por një akt simbolik i konsolidimit të një hierarkie estetike. Që nga Ben Jonsoni i vitit 1616 në Angli, deri te modeli amerikan ku presidenti vepron mbi rekomandimin e Bibliotekës së Kongresit, poeti laureat ka qenë gjithnjë një figurë që përfaqëson jo vetëm lirinë krijuese, por edhe një standard të njohur estetik, etik, kulturor dhe kombëtar. Në Shqipëri, kjo praktikë është ende e brishtë, e pakonsoliduar dhe fatkeqësisht e ekspozuar ndaj ngatërrimit të vlerës estetike me zhurmën publike, të guximit poetik me provokimin banal, dhe të emancipimit me marketingun kulturor. Shpallja e Rita Petros si “Poete Laureate” për dyvjeçarin 2025-2027, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, e rihap këtë problem jo si debat personal, por si çështje parimore të kriterit letrar.

I. Problemi nuk është poetja, problemi është kriteri

Dua ta bëj të qartë që në fillim: skepticizmi im nuk buron nga mohimi i së drejtës së Rita Petros për të shkruar çfarë të dojë, as nga një moralizëm provincial. Letërsia është e lirë. Autori është sovran në territorin e vet. Por, institucioni nuk është autor dhe çmimi nuk është akt krijues, por akt gjykimi. Kur një institucion shtetëror shpall një poet laureat, ai nuk po shpërblen vetëm një stil individual, por po propozon një model, një referencë për kanonin bashkëkohor, një figurë përfaqësuese për edukimin letrar, sidomos kur ky titull shoqërohet me nisma në shkolla dhe hapësira publike. Dhe, pikërisht këtu fillon problemi.

II. Guximi poetik apo inflacioni i provokimit?

Si studiues i letërsisë jam i habitur nga motivacioni i jurisë i cili flet për “trajtim të temave të guximshme”, “kapërcim tabush moralistike”, “energji ndikuese për emancipim individual dhe shoqëror”. Këto janë formulime ideologjike, jo kategori estetike. Në estetikë, guximi nuk matet me çfarë thuhet, por me si thuhet. Poezia erotike, trupore, intime ka një traditë të gjatë nga Katuli te Neruda, nga Bataille te poezia bashkëkohore feministe, por ajo gjithnjë e ka ndarë qartë kufirin midis erotikës dhe pornografisë, midis transgresionit estetik dhe shokut verbal. Problemi i librave si Vrima i Rita Petros, nuk është se “tronditin tabutë”, pasi janë libra mesatarë, por se shpesh nuk ndërtojnë një tension poetik që ta justifikojë tronditjen. Kur gjuha reduktohet në emërtim biologjik, pa metaforë, pa ambiguitet, pa shtresëzim simbolik, poezia humbet autonominë dhe bëhet thjesht deklaratë. Tabutë nuk përmbyten duke i thënë me emër, por duke i transformuar përvojat në formë estetike.

III. Estetika nuk është energji, por formë

Një tekst letrar nuk vlerësohet nga “energjia që çliron”, siç thuhet në motivacionin e jurisë, por nga kënaqësia estetike që prodhon, nga forma që i jep përvojës, nga inventari gjuhësor, nga aftësia për të krijuar domethënie të shumëfishta. Motivacioni i jurisë tingëllon më shumë si një deklaratë sociologjike ose terapeutike, sesa si gjykim letrar. “Emancipim individual dhe shoqëror” është gjuhë që e kemi dëgjuar edhe më pare, në forma të tjera, në sisteme ku letërsia përdorej për qëllime jashtëletrare. Ironia është se, dikur, poezitë e realizmit socialist shpërbleheshin për “ndikim shoqëror”, por zakonisht me çmime të treta, që të mos komprometohej plotësisht gjykimi estetik. Sot, duket se kemi bërë një hap pas: jo vetëm që kriteri është politizuar, por është banalizuar.

IV. Poeti laureat dhe shkolla: një marrëdhënie delikate

Ideja që poeti laureat të shkojë në shkolla është në vetvete e mirë. Por, jo çdo profil poetik është automatikisht i përshtatshëm për edukim letrar. Kjo nuk është censurë; është përgjegjësi pedagogjike. Në një shoqëri të tronditur nga tranzicioni, ku familja, shkolla dhe autoriteti kulturor janë dobësuar, modeli që i ofrohet të rinjve duhet të jetë estetikisht i konsoliduar dhe etikisht i padiskutueshëm. Debatet e shumta që ka prodhuar vepra e Rita Petros, përfshirë peticione publike dhe reagime nga figura tani si Natasha Lako, tregojnë se ky konsensus nuk ekziston. Poeti laureat nuk është rebel kundër gjithçkaje; ai është pikë reference.

Vëllimi Vrima (2014), i interpretuar nga juritë institucionale si thyerje e tabuve moraliste, u perceptua nga një pjesë e konsiderueshme e kritikës si shembull i asaj që Theodor W. Adorno do ta quante negativitet i pafiltruar estetikisht: një shfaqje e drejtpërdrejtë e përmbajtjes, pa ndërmjetësimin e formës. Temat ekstreme, përfshirë edhe aluzione të diskutueshme ndaj incestit, nuk përpunohen në nivel simbolik, por ekspozohen në mënyrë deklarative, çka e zhvendos poezinë nga fusha e artit në atë të gjestit provokues. Tronditja, në këtë rast, nuk është rezultat i një strukture poetike të fuqishme, por zëvendësim i saj. Natyrisht, autorja ka të drejtën e plotë të kësaj zgjedhjeje; liria krijuese është e panegociueshme në një shoqëri të lirë, biles të shformësuar - siç është shoqëria shqiptare. Unë kam respekt për Riten si njeri, si familjare dhe botuese e shkëlqyer e librit shkollor. Problemi lind në momentin kur kjo krijimtari, me gjithë ambiguitetin e saj estetik, ngrihet nga institucioni shtetëror në rang modeli kulturor dhe moral.

V. Alegoria e fundit: Laureati dhe Vrima

Në fund, nuk mund të mos përdor një alegori poetike. Poeti laureat, në traditën klasike, është ai që ngre kupolën e gjuhës mbi kaosin e kohës. Por, kur kriteri estetik shndërrohet në vrimë, ku bien njësoj vlera, miqësi, pushtet dhe zhurmë, atëherë nuk kemi më kanon, por vakum. Dhe, vakumi nuk prodhon poezi; prodhon vetëm jehonë. Skepticizmi im, si poet dhe studiues i letërsisë, nuk është nostalgji për moralizma të vjetra, por ankth për humbjen e kriterit. Sepse, kur gjithçka shpallet guxim, atëherë asgjë nuk është më e tillë. Dhe, kur çdo provokim quhet poezi, poezia mbetet pa mbrojtje. Për të mos riprodhuar dhe legjitimuar poezinë mediokre, sidomos në kontekste ku ndërhyjnë institucione shtetërore, është e domosdoshme një rishikim rrënjësor i mekanizmave të vlerësimit estetik dhe i marrëdhënies së tyre me pushtetin politik.

Në vend që të funksionojnë si hapësira autonome seleksioni dhe konkurrimi, këto institucione po shfaqen gjithnjë e më shumë si instrumente të shpërndarjes së kapitalit simbolik për subjekte të afërta me qeverisjen, duke e zhvendosur vlerësimin letrar nga fusha e estetikës në atë të klientelizmit kulturor. Në këtë skemë, juria e cila teorikisht duhet të mishërojë kompetencën kritike dhe pavarësinë profesionale, ka dështuar të ushtrojë funksionin e saj normativ, duke u reduktuar në një instancë formale që maskon vendime të paracaktuara dhe i vesh ato me një gjuhë pseudo-estetike. Ky kapitullim i gjykimit të pavarur përballë mediokritetit zyrtar përbën jo vetëm një krizë kriteresh, por edhe një degradim etik të vetë aktit kritik, duke vënë seriozisht në dyshim mundësinë që mendimi estetik autonom të mbijetojë në një klimë ku çmimi paraprin vlerën dhe jo anasjelltas.

Institucioni i Poetit Laureat nuk është një shpikje lokale apo një improvizim administrativ, por një praktikë kulturore e konsoliduar në një sërë shtetesh me traditë të gjatë letrare, ku ai funksionon si mekanizëm simbolik i kanonizimit estetik dhe i ndërmjetësimit midis poezisë dhe sferës publike. Përveç Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara, modele të qëndrueshme të poetit laureat hasen në Kanada, Uells, Skoci, Irlandë, Zelandë të Re, Australi, si dhe në vende të tjera të Komonuelthit, ku ky rol mbështetet mbi kritere profesionale, procedura transparente dhe një konsensus kritik relativisht të gjerë. Në këto kontekste, poeti laureat nuk përzgjidhet për efektin e zhurmës mediatike apo për përputhshmëri ideologjike me pushtetin, por për peshën e dëshmuar të veprës, për autoritetin estetik dhe për aftësinë për të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze kompleksitetin e traditës letrare kombëtare.

Pikërisht kjo e bën këtë institucion një filtër të rëndësishëm kulturor, jo një dekor ceremonial: ai funksionon si instrument seleksioni, jo si shpërblim klientelist; si akt gjykimi estetik, jo si kompromis administrativ. Çdo devijim nga ky parim e zhvesh titullin nga funksioni i tij kulturor dhe e shndërron në një simulakër prestigji, duke e ekspozuar poezinë ndaj inflacionit të vlerës dhe institucioneve ndaj krizës së besueshmërisë. /Gazeta “Panorama”/

Mbreti ynë, prifti ynë, feudali ynë - si po na kthen inteligjenca artificiale në Mesjetë

26 December 2025 at 15:28


Nga: Joseph de Weck / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Këtë verë, u përballa me trafik në rrugët përvëluese të Marsejës. Në një kryqëzim, mikesha ime në ulësen e pasagjerit më tha të kthehesha djathtas drejt një vendi të njohur për supën e peshkut. Por, aplikacioni i navigimit Waze na udhëzonte të vazhdonim drejt. I lodhur, dhe me Renault-n që ndihej si një saunë me rrota, ndoqa këshillën e Waze-it. Pak çaste më vonë, mbetëm të bllokuar në një kantier ndërtimi.

Një moment i parëndësishëm, mbase. Por, një i tillë që përmbledh ndoshta pyetjen përcaktuese të epokës sonë, ku teknologjia prek thuajse çdo aspekt të jetës: kujt i besojmë më shumë - njerëzve të tjerë dhe instinkteve tona, apo makinerisë?

Filozofi gjerman Immanuel Kant, e përkufizoi epokën e Iluminizmit si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetëshkaktuar”. Papjekuria, shkroi ai, është “paaftësia për të përdorur arsyen pa udhëheqjen e dikujt tjetër”. Për shekuj me radhë, ky “tjetri” që drejtonte mendimin dhe jetën e njeriut ishte shpesh prifti, monarku apo feudali - ata që pretendonin se vepronin si zëri i Zotit në Tokë. Në përpjekjet për të kuptuar fenomenet natyrore - pse shpërthejnë vullkanet, pse ndryshojnë stinët - njerëzit i drejtoheshin Zotit për përgjigje. Në formësimin e botës shoqërore, nga ekonomia te dashuria, feja na shërbente si udhërrëfyes.

Sipas Kantit, njerëzit gjithmonë kishin aftësinë për të arsyetuar. Thjesht, nuk e kishin gjithmonë guximin për ta përdorur atë. Por, me Revolucionin Amerikan dhe më vonë atë Francez, një epokë e re po agonte: arsyeja do të zëvendësonte besimin dhe mendja njerëzore, e çliruar nga autoriteti, do të bëhej motori i përparimit dhe një bote më morale. “Sapere aude” ose “Guxo të përdorësh mendjen tënde” - i nxiste Kanti bashkëkohësit e tij.

Dy shekuj e gjysmë më vonë, mund të pyesim nëse po rrëshqasim sërish në papjekuri. Një aplikacion që na thotë se cilën rrugë do të marrim është një gjë. Por, inteligjenca artificiale [IA] rrezikon të bëhet “tjetri” ynë i ri - një autoritet i heshtur që udhëheq mendimet dhe veprimet tona. Rrezikojmë të heqim dorë nga guximi i fituar me mund për të menduar - dhe këtë herë jo ndaj perëndive apo mbretërve, por ndaj kodit.

ChatGPT u lansua vetëm tre vjet më parë dhe, megjithatë, një sondazh global i publikuar në prill zbuloi se 82 përqind e të anketuarve e kishin përdorur IA-në gjatë gjashtë muajve të fundit. Qoftë kur vendosnin të përfundonin një marrëdhënie apo për kë të votonin, njerëzit u drejtoheshin makinerive për këshilla. Sipas OpenAI-së, 73 përqind e kërkesave të përdoruesve lidhen me tema që nuk kanë të bëjnë me punën. Edhe më intriguese, sesa varësia jonë nga gjykimi i IA-së në jetën e përditshme, është ajo që ndodh kur e lejojmë atë të flasë në emrin tonë. Tani, shkrimi është ndër përdorimet më të zakonshme të ChatGPT-së, menjëherë pas kërkesave praktike si “bëje vet” apo këshillat për kuzhinë. Autorja amerikane Joan Didion ka thënë njëherë: “Shkruaj vetëm për të zbuluar se çfarë mendoj”. Por, kur ndalojmë së shkruari? A ndalojmë së zbuluari?

Ajo që shqetëson është se disa prova sugjerojnë se përgjigjja mund të jetë një po. Një studim i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit [MIT] përdori elektroencefalografi (EEG) për të monitoruar aktivitetin e trurit të eseistëve që kishin qasje në IA, në motorë kërkimi si Google, ose nuk kishin fare ndihmë. Ata që mund të mbështeteshin tek IA-ja shfaqën aktivitetin më të ulët kognitiv dhe kishin vështirësi në citimin e saktë të punës së tyre. Më shqetësuese ishte se, pas disa muajsh, pjesëmarrësit që përdorën IA-në u bënë gjithnjë e më dembelë, duke kopjuar blloqe të tëra teksti në esetë e tyre.

Studimi është i vogël dhe jo i përsosur, por Kanti do ta kishte njohur këtë model. “Dembelia dhe frika”, shkroi ai, “janë arsyet pse një pjesë kaq e madhe e njerëzve ... mbeten në papjekuri gjatë gjithë jetës, dhe pse është kaq e lehtë që të tjerët të vendosen si kujdestarë të tyre. Është kaq e lehtë të jesh i papjekur”.

Sigurisht, interesantja e IA-së qëndron te rehatia që ofron. Kursen kohë, shmang përpjekjen dhe - ç’është më e rëndësishmja - ofron një mënyrë të re për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Në librin e tij të vitit 1941, Arratisje nga liria, psikanalisti gjerman Erich Fromm argumentoi se ngritja e fashizmit mund të shpjegohej pjesërisht nga dëshira e njerëzve për të dorëzuar lirinë e tyre në këmbim të sigurisë së nënshtrimit. IA-ja ofron një mënyrë të re për të dorëzuar atë barrë të mendimit dhe vendimmarrjen personale.

Tërheqja më e madhe e IA-së është se mund të bëjë gjëra që mendja jonë nuk mundet - të përpunojë oqeane me të dhëna dhe ta bëjë këtë me shpejtësi të paprecedentë. Ulur në makinë në Marsejë, kjo ishte, në fund të fundit, arsyeja pse zgjodha t’i besoja makinerisë dhe jo shoqes time (një vendim të cilin ajo e mori si fyerje). Me gjithë qasjen e saj në të dhëna, mendova unë, sigurisht që aplikacioni duhet ta dijë më mirë.

Problemi është se IA-ja është një kuti e zezë. Ajo prodhon dije, por pa e thelluar domosdo kuptimin njerëzor. Ne nuk e dimë realisht si arrin në përfundimet e veta - edhe vetë programuesit e pranojnë këtë. Dhe, as nuk mund ta verifikojmë arsyetimin e saj sipas kritereve të qarta e objektive. Kështu që kur ndjekim këshillat e IA-së, nuk udhëhiqemi nga arsyeja. Po rikthehemi në mbretërinë e besimit. In dubio pro machina - kur dyshon, beso makinën - mund të bëhet parimi ynë udhëheqës në të ardhmen.

IA-ja mund të jetë aleate e fuqishme e njerëzve në kërkimin racional. Mund të na ndihmojë të shpikim ilaçe, të na çlirojë nga “punët e kota” ose nga detyrat e taksave - gjëra që kërkojnë pak mendim dhe ofrojnë edhe më pak kënaqësi. Aq më mirë. Por, Kanti dhe bashkëkohësit e tij nuk e mbështetën arsyen mbi besimin vetëm që njerëzit të mund të sistemonin më mirë ose të kishin më shumë kohë të lirë. Mendimi kritik nuk kishte të bënte vetëm me efikasitetin - ishte praktikë e lirisë dhe emancipimit njerëzor.

Mendimi njerëzor është i çrregullt dhe plot gabime, por na detyron të debatojmë, të dyshojmë, të testojmë ide kundrejt njëra-tjetrës - dhe të njohim kufijtë e të njohjes tonë. Ndërton vetëbesimin, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Për Kantin, ushtrimi i arsyes nuk ishte kurrë vetëm për dije; ishte për t’ua mundësuar njerëzit të bëheshin veprues të jetës së tyre dhe të rezistojnë ndaj dominimit. Ishte për të ndërtuar një bashkësie morale të mbështetur në parimin e përbashkët të arsyes dhe debatit dhe jo në besimin e verbër.

Me gjithë përfitimet që sjell IA-ja, sfida është kjo: si mund të shfrytëzojmë premtimin e saj për inteligjencë mbinjerëzore, pa cenuar arsyen njerëzore - gurin themeltar të Iluminizmit dhe të vetë demokracisë liberale? Kjo mund të jetë një nga pyetjet më përcaktuese të shekullit XXI. Dhe, është një pyetje që nuk duhet t’ia delegojmë makinës. /Telegrafi/

DJALË NË MUZG

26 December 2025 at 11:56


Nga: Yu Hua
Përktheu nga anglishtja: Kadia Dedja

Ishte mesi i një dite vjeshte. Sun Fu u ul ndanë një tezge frutash, me sytë e picërruar në diellin vezullues. Ai u përkul përpara, me duart në gjunjë, dhe flokët e tij të përhimë dukeshin gri nën rrezet e diellit, gri si rruga që ndehej përpara tij, një rrugë e gjerë që shtrihej nga një distancë e largët dhe pastaj zgjatej në kahun tjetër. Ai e kishte zënë këtë vend prej tre vjetësh tashmë, duke shitur fruta afër vendit ku ndalonin autobusët e udhëtimeve të gjata. Kur një makinë kaloi pranë, e mbuloi me pluhurin e trazuar nga kalimi i saj, duke e kredhur në errësirë, dhe ishte një çast përpara se ai dhe frutat e tij të rishfaqeshin, sikur të ishin zbuluar nga një ag i ri.

Pasi reja e pluhurit kishte kaluar, ai pa një kaçul me rroba të pista përballë tezgës, që po e shihte me sy të zinj e përshkënditës. Teksa e kundroi edhe ai, djali vuri njërën dorë mbi fruta, një dorë me thonj të gjatë të zinj. Kur pa thonjtë të ceknin mollën e kuqe të ndritshme, Sun Fu ngriti dorën që t’i bënte shenjë të largohej, sikur do të trembte një mizë. “Hiqmu”, - tha.

Djali tërhoqi dorën e tij të pistë dhe u lëkund pak teksa çapitej, me krahët që i vareshin plogështas anash. Në një trup kaq të dobët koka e tij dukej më e madhe.

Njerëz të tjerë tashmë po i afroheshin tryezës dhe Sun Fu u kthye të shihte. Ata ndaluan në anën tjetër të tezgës dhe i hodhën atij një shikim. “Sa kushtojnë mollët?” - pyetën. - “Po një kilogram banane?”

Sun Fu u ngrit, peshoi mollët dhe bananet në kandarin e tij dhe mori paratë. Pastaj u ul dhe vuri duart në gjunjë. Djali ishte kthyer. Këtë herë nuk po qëndronte bash përballë, por në njërën anë, me sytë përshkënditës të ngulitur te mollët dhe bananet, ndërsa Sun Fu e shihte me të njëjtën vëmendje. Pasi kundroi frutat për pak, djali ngriti sytë nga Sun Fu. “Kam uri”, - tha.

Sun Fu heshti. “Kam uri”, - përsëdyti djali, me një notë nguti që zvarritej në zërin e tij.

Sun Fu u hakërrye. “Hiqmu”.

Trupi i djalit u duk se u rrëqeth. “Hiqmu”, - tha Sun Fu përsëri, me zë më të lartë.

Djali shtangu. Trupi i tij u lëkund ndërdyshas përpara se këmbët e tij të fillonin të lëviznin. Sun Fu hoqi sytë nga djali dhe e zhvendosi vëmendjen në autostradë. Një autobus i udhëtimeve të largëta kishte ndaluar në anën tjetër të rrugës dhe njerëzit brenda u ngritën në këmbë. Përmes dritareve të autobusit, ai mund të shihte një varg shpatullash që grumbulloheshin drejt dyerve; një çast më vonë, pasagjerët vërshuan nga të dyja skajet e autobusit. Pastaj, me bisht të syrit, Sun Fu pa djalin tek ia mbathte aq shpejt sa i hanin këmbët. Ai pyeti veten pse, dhe më pas pa dorën e djaloshit tek frushkullonte: po shtrëngonte diçka, diçka të rrumbullakët. Tashmë e kuptoi se çfarë ishte. Ai brofi në këmbë dhe u vu ta ndiqte. “Ndalojeni hajdutin”, - bërtiti. - “Ndalojeni atë hajdut atje…”.

Ishte pasdite tashmë. Teksa djali arratisej përgjatë autostradës, ngrihej pluhur. Ai dëgjoi britma prapa tij dhe shikoi përreth për të parë Sun Fu-në që e ndiqte këmba-këmbës. Ai shllapuritej dëshpërimisht, duke gulçuar, dhe kur këmbët filluan t’i këputeshin, e kuptoi se e kishin lënë energjitë. Tek shihte prapa për herë të dytë, ai pa Sun Fu-në që ende i qepej pas, duke klithur e duke tundur krahët furishëm. Krejtësisht i pashpresë, djali ndaloi dhe u kthye, duke dihatur rëndshëm. Ai shikoi derisa Sun Fu ishte ngjitur me të dhe pastaj çoi mollën te goja e i dha një kafshatë të madhe.

Sun Fu shkundi krahun dhe e qëlloi djalin, duke ia rrëzuar mollën nga dora dhe duke goditur aq fort mjekrën e tij sa ai u shemb përtokë. Ai e mbronte kokën me duar, duke u përtypur fort gjatë gjithë kohës. Sun Fu, i xhindosur, e mbërtheu djalin për jake dhe e ngriti në këmbë. Fyti i djalit ishte aq i shtrënguar nga jaka e tendosur sa e kishte të pamundur të përtypej; sytë filluan t’i zgurdullohen dhe faqet t’i fryhen, pak mollë ende në gojë. Tek i kapte jakën me njërën dorë, Sun Fu shtrëngoi qafën e djalit me dorën tjetër. “Pështyje! Pështyje!” - klithi.

Po mblidhej një turmë njerëzish. “Ai ende po përpiqet ta hajë atë!” - u tha Sun Fu atyre. - “Më vodhi mollën dhe e kafshoi, dhe tani po përpiqet ta gëlltisë!”

Sun Fu e goditi fort me shuplakë në fytyrë. “Jepi, pështyje!”

Por djali thjesht e shtrëngoi gojën edhe më fort. Sun Fu ia vendosi njërën dorë në fyt dhe filloi ta këndirrte edhe një herë. “Pështyje!” - thirri.

Teksa goja e djalit u hap, Sun Fu mund të shihte copa të përtypura molle brenda. Ai e forcoi shtangimin si morsë në fytin e djalit, derisa sytë e tij filluan të mbufaten. “Sun Fu, - tha dikush, - shiko, gati po i dalin kokërdhokët vendit. Do ta mbysësh”.

“Mirë t’i bëhet”, - tha Sun Fu. - “Mirë t’i bëhet nëse mbytet”.

Më në fund, e lëshoi. “Nëse ka një gjë që e urrej, - tha ai, duke treguar qiellin, - është një hajdut. Pështyje!”

Djali filloi të pështyjë mollën pjesë-pjesë. Mënyra se si ai i pështyu copat në pjesën e përparme të këmishës, ishte pak a shumë si të shtrydhte pastë dhëmbësh nga një tubet. Pasi e mbylli gojën, ia hapi sërish me forcë dhe u përkul për të parë brenda. “Nuk e ke pështyrë të gjithën”, - tha. - “Ka mbetur edhe ca”.

Djali pështyu sërish - pothuajse e gjitha pështymë këtë herë, por me disa grimca molle aty-këtu. Djali pështyu e pështyu, derisa më në fund mbeti vetëm një zhurmë e thatë, nuk kishte më pështymë. “Mjafton”, - tha Sun Fu.

Ai pa shumë fytyra të njohura mes njerëzve që ishin mbledhur për të parë. “Dikur ne kurrë nuk i mbyllnim dyert, apo jo?” - tha ai. - “Nuk kishte një familje në të gjithë qytetin që mbyllte dyert, apo jo?”

Ai pa njerëzit duke tundur kokën. “Tani, pasi ta keni mbyllur derën një herë, duhet të përdorni edhe një shul të dytë”, - vazhdoi ai. - “Pse? Për shkak të hajdutëve të tillë. Nëse ka një gjë që e urrej, është një hajdut”.

Sun Fu e pa djalin fytyrënxirë, i cili e shikoi i magjepsur, si i mahnitur nga ajo që po thoshte. Pamja e djalit zgjoi një padurim tek ai. “Nëse ndjekim praktikat e vjetra, - tha ai, - duhet t’ia thyejmë njërën nga duart, t’i thyejmë dorën që vodhi…”

Sun Fu uli sytë te djali. “Cila dorë ishte?” - bërtiti.

Djali u rrëqeth dhe e kaloi nxitimthi dorën e djathtë pas shpine. Sun Fu ia kapi dorën dhe ua tregoi të gjithëve. “Ishte kjo dorë. Përndryshe, pse do të përpiqej ta fshihte kaq shpejt?”

“Nuk ishte ajo dorë!” - briti djali.

“Atëherë ishte kjo dorë”. Sun Fu kapi dorën e majtë të djalit.

“Jo, nuk ishte”.

Teksa tha këtë, djali u përpoq ta tërhiqte dorën. Sun Fu i dha një shuplakë në fytyrë që e bëri t’i merren këmbët. Pas një shuplake të dytë, djali qëndroi në vend. Sun Fu e kapi për flokësh, duke ia ngritur kokën lart. “Cila dorë ishte?” - klithi ai, duke ia ngulur sytë në fytyrë.

Sytë e djalit u gapërruan teksa shikoi Sun Fu-në, dhe një çast më vonë ai shtriu dorën e djathtë. Sun Fu e mbërtheu për kyçi dhe me dorën tjetër kapi gishtin e mesit të dorës së djalit. “Nëse ndjekim praktikat e vjetra, - u tha soditësve, - duhet t’ia thyejmë këtë dorë. Nuk mund ta bëjmë më këtë. Tashmë ne i mëshojmë edukimit. Si të edukojmë?”

Sun Fu shikoi djalin. “Kështu edukojmë ne”.

Ai mëshoi fort me të dyja duart. U ndie një kërcitje e papritur teksa ai theu gishtin e mesit të djalit. Djali klithi me një piskamë të mprehtë si thikë. Tek uli sytë, pa gishtin e thyer tek lëvarej në pjesën e pasme të dorës dhe u shemb përtokë i tronditur.

“Kështu duhet vepruar me hajdutët”, - tha Sun Fu. - “Nëse nuk u thyeni njërin nga krahët, të paktën duhet t’u thyeni një gisht”.

Duke thënë këtë, Sun Fu u përkul dhe e ngriti djalin në këmbë. Ai vuri re se sytë e tij ishin mbyllur fort nga dhembja. “Hapi sytë!” - klithi. - “Jepi, hapi!”

Djali hapi sytë, por ishte ende në agoni dhe goja e tij ishte shtrembëruar në një formë të çuditshme.

Sun Fu e goditi me shkelm në këmbë. “Lëviz!”

Sun Fu e kapi për jake dhe e shtyu përpara tryezës së frutave. Ai rrëmoi përreth në një karton për një litar dhe e lidhi tek tezga. “Bërtit”, - i tha djalit kur pa njerëzit që shikonin. - “Bërtit: ‘Unë jam një hajdut’!”

Djali shikoi Sun Fu-në. Kur ai nuk iu bind, Sun Fu mbërtheu dorën e tij të majtë dhe e shtrëngoi gishtin e mesëm të majtë. “Unë jam një hajdut!” - briti djali.

“Nuk dëgjohet mjaftueshëm”, - tha Sun Fu. - “Ngrije zërin!”

Djali shikoi Sun Fu-në, pastaj shtyu kokën përpara dhe klithi me gjithë fuqitë: “Unë jam një hajdut!”

Sun Fu pa se si dolën enët e gjakut në qafën e djalit. Ai pohoi me kokë. “Shkëlqyeshëm”, - tha. - “Kështu duhet të bërtasësh”.

Gjithë pasditen dielli i vjeshtës e lau djalin në dritë. Dy duart e tij ishin lidhur pas shpine dhe litari ishte mbledhur rreth qafës së tij, kështu që e kishte të pamundur të ulte kokën. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të qëndronte aty si i ngrirë, me sytë nga autostrada. Pranë tij qëndronte fruta që ai kishte lakmuar, por me qafën e ngulët në vend as nuk mund t’i hidhte një shikim. Sa herë që dikush kalonte pranë - ndonjë kalimtar me gjasë - me këmbënguljen e Sun Fu-së ai do të bërtiste: “Unë jam një hajdut!”

Sun Fu u ul pas tavolinës së frutave në stolin e tij, duke e parë me kënaqësi djalin. Ai nuk ishte më aq i indinjuar për humbjen e një molle dhe kishte filluar të ndihej i kënaqur me një punë të bërë mirë, sepse e kishte kapur dhe ndëshkuar hajdutin e mollës dhe ndëshkimi ende nuk kishte përfunduar. Ai u sigurua që djali të klithte me sa zë kishte sa herë që dikush kalonte pranë. E kishte vënë re që britmat e djalit tërhiqnin një rrëke të vazhdueshme njerëzish në tavolinën e tij të frutave.

Shumë njerëz e shihnin me kureshtje djalin që klithte. Atyre u dukej e çuditshme që një rob i lidhur të thërriste aq fort: “Unë jam një hajdut.” Sun Fu ua sqaronte të gjithë historinë, duke shpjeguar pa u lodhur se si djali kishte vjedhur një mollë, se si ishte kapur dhe se si ishte ndëshkuar. “Është për të mirën e tij”, - do të shtonte Sun Fu.

Dhe do ta bënte të qartë çfarë nënkuptonte me këtë. “Dua që ai të kuptojë se nuk duhet të vjedhë më kurrë”.

Pastaj Sun Fu do t’i drejtohej djalit. “A do të vjedhësh më?” - ia priste ai.

Djali tundte kokën me vrull. Për shkak se qafa e tij ishte shtrënguar aq fort, ai e tundte vetëm pak kokën, por shumë shpejt.

“A e patë atë?” - thoshte Sun Fu triumfalisht.

Gjatë gjithë pasdites, djali bërtiti dhe klithi. Buzët e tij u thanë e u plasaritën në diell dhe zëri iu ngjir. Në buzëmbrëmje, djali nuk ishte në gjendje të nxirrte një britmë të plotë dhe mundi të bënte vetëm një zhurmë gërvishtëse, por prapëseprapë vazhdoi të briste: “Unë jam një hajdut.”

Pasagjerët nuk mund ta kuptonin më se për çfarë po bërtiste. “Ai po bërtet: ‘Unë jam një hajdut.’”, - tha Sun Fu.

Pas kësaj, Sun Fu e zgjidhi litarin. Tashmë ishte pothuajse errësirë. Sun Fu i kaloi frutat në karrocën e tij të sheshtë dhe kur gjithçka ishte në rregull, e zgjidhi robin e tij. Pikërisht kur Sun Fu po vendoste litarin e mbështjellë mbi karrocë, dëgjoi një zhurmë të mbytur prapa tij, dhe shikoi përreth për të parë që djali ishte shembur përtokë. “Pas kësaj, - tha ai, - vë bast që nuk do të guxosh të vjedhësh më”.

Teksa fliste, Sun Fu hipi në biçikletë në pjesën e përparme të karrocës dhe u nis tatëpjetë autostradës së gjerë, duke e lënë djalin të shtrirë përtokë sa gjerë gjatë. I ligështuar nga uria dhe etja, ai ishte shembur sapo u zgjidh. Ai tashmë thjesht vazhdonte i shtrirë atje, me sytë paksa të hapur, sikur të shihte rrugën ose sikur të mos shihte asgjë. Ai qëndroi pa lëvizur për disa minuta dhe pastaj u ngrit ngadalë këmbadoras dhe u mbështet pas një peme. Më në fund, filloi të zvarritej rrugës tatëpjetë, në drejtim të perëndimit.

Djali u drejtua nga perëndimi, me trupin e tij imcak që lëkundej lehtë në muzg teksa dilte nga qyteti me gjysmë hapi. Disa e shihnin tek largohej dhe e dinin që ai ishte hajduti që Sun Fu kishte kapur atë pasdite, por ata nuk e dinin emrin e tij ose nga kishte ardhur, dhe sigurisht as që ia kishin idenë se ku po shkonte. Ata panë se si gishti i tij i mesit varej në pjesën e pasme të dorës së djathtë dhe shikuan se si çapitej në muzgun e largët dhe u tret.

Atë mbrëmje, si zakonisht, Sun Fu shkoi në dyqanin e vogël ngjitur për të blerë gjysmë litri me verë orizi, më pas përgatiti disa ushqime të thjeshta dhe u ul në tryezën katrore të ngrënies. Në këtë orë të ditës, dielli në perëndim shndriti nga dritarja dhe u duk sikur e ngrohu dhomën. Sun Fu u ul atje në muzg, duke hurbur verën e tij.

Shumë vite më parë, ai e kishte ndarë dhomën me një grua të bukur dhe një djalë pesëvjeçar. Në ato ditë dhoma gumëzhinte vazhdimisht nga zhurma dhe gjallëria, dhe nuk kishin të mbaruar gjërat për të cilat ata bisedonin. Ndonjëherë ai thjesht do të ulej brenda dhe shikonte se si gruaja e tij ndizte një zjarr jashtë në sobën me qymyr. Djali i tyre do t’i ngjitej asaj nga pas si mastikë, duke ia tërhequr xhaketën dhe duke e pyetur a duke i thënë diçka me zërin e tij të paktë të ngjirur.

Më vonë, një drekëherë vere, disa djem hynë me vrap brenda, duke thirrur emrin e Sun Fu-së. Ata thanë që djali i tij kishte rënë në një pellg jo shumë larg që aty. Ai vrapoi si një njeri i xhindosur, me gruan që e ndiqte pas me klithma therëse. Nuk kaloi shumë kur u bë më se e qartë se kishin humbur djalin e tyre përgjithmonë. Atë natë ata u ulën së bashku duke dënesur e duke ofsharë në errësirë dhe në zabullimë.

Më vonë akoma, ata filluan të rifitojnë qetësinë, duke e vazhduar jetën si më parë, dhe kështu kaluan me shpejtësi disa vite. Pastaj, një dimër, një berber shëtitës ndaloi jashtë shtëpisë së tyre. Gruaja e Sun Fu-së doli përjashta, u ul në karrigen që i dha berberi, mbylli sytë në rrezet e shndritshme të diellit dhe e la berberin t’ia lante e t’ia priste flokët, t’ia pastronte veshët e t’ia masazhonte krahët dhe shpatullat. Asnjëherë në jetën e saj nuk ishte ndier kaq e relaksuar sa atë ditë: dukej sikur po i shkrihej i gjithë trupi. Më pas i futi rrobat e saj në një çantë dhe priti derisa të errësohej qielli, pastaj u nis përgjatë rrugës që kishte marrë berberi.

Sun Fu ishte vetëm tashmë, e shkuara e tij ngjishej në një foto të zbardhulët bardhë e zi që varej në mur. Ishte një portret familjar: ai, gruaja e tij dhe djali i tyre. Djali ishte në mes, me një kapelë pambuku disa masa më të madhe. Në të majtë, me gërsheta, gruaja e tij buzëqeshte gëzimplotë. Sun Fu ishte në të djathtë, me fytyrën e tij rinore citazi me jetë. /Gazeta “ExLibris”/

Çfarë realisht arriti Trumpi këtë vit?

26 December 2025 at 10:33


Nga: Matt Robison / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Për rivalët, tallja e presidentit Donald Trump është bërë thuajse refleks automatik, aq bajat saqë mezi shkakton interesim edhe kur është plotësisht e merituar. Por, ajo që po bëhet interesante në fund të vitit është se sa shumë po përhapet ky sentiment: duket se shumë prej mbështetësve të Trumpit po e kuptojnë se gjithçka që kanë marrë gjatë vitit 2025 ka qenë vetëm zhurmë.

Viti i Trumpit, me fjalët e Makbethit, “nuk është veç se prrallë, prej budallaj, plot buj’ e plot tërbim” [sipas përkthimit të Nolit - shën. i Telegrafit]. Në një çështje pas asaj tjetrës kryesore nga fushata e vitit 2024, presidenti ka ofruar shumë gjeste teatrale me zë të lartë. Por, bilanci i tij real për ato që premtoi shkon nga zeroja absolute deri te dështimi befasues.

Keni dyshime? Le ta shqyrtojmë, sepse është një gjë që është e lehtë, meqë prioritetet e Trumpit nuk ishin ndonjë mister (programi i Partisë Republikane për vitin 2024 thoshte me germa të mëdha, si i dehuri i fundit në fund të natës: “NDALO INFLACIONIN DHE BËJE AMERIKËN SËRISH TË PËRBALLUESHME ... OPERACIONI MË I MADH I DEPORTIMIT NË HISTORINË AMERIKANE ... NDALO ARMATIMIN E QEVERISË”)

Sa i përket ekonomisë, pavarësisht fjalimit të zjarrtë të Trumpit në orar kryesor televiziv javën e kaluar - përmbledhja e të cilit dukej të ishte “Do të vazhdoj t’ju bërtas derisa të përmirësohet morali” - Amerika po e përmbyll vitin 2025 me papunësinë më të lartë në katër vjetët e fundit dhe me çmime rreth tre përqind më të larta. Shumica e kësaj rritjeje vjen për shkak të politikave të Trumpit. Trumpi mendon se përballimi i jetës është mashtrim. Votuesit nuk mendojnë kështu: për ta është gjëja më e rëndësishme dhe ata fajësojnë në masë të madhe presidentin për problemet e tyre ekonomike.

Sa për synimin e tij për të “ndalur zhvendosjen e prodhimit jashtë vendit dhe për ta kthyer ShBA-në në superfuqi prodhimi” (le ta kursejmë veten nga germat e mëdha) - që thuhej se ishte arsyeja për bombardimin e ekonomisë me tarifa - vendet e punës në prodhim kanë rënë, zhvendosja jashtë vendit është rritur dhe deficiti ynë tregtar është 112 miliardë dollarë më i lartë.

Po programi i deportimeve i Trumpit? Me siguri të gjitha ato operacione të ICE-së [Shërbimi i Doganave dhe Emigracionit - shën. i Telegrafit] të projektuara posaçërisht për rrjete sociale, ato zbarkime të Gardës Kombëtare në pika të nxehta dhe shfaqja për kamerat e sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, në një burg famëkeq në Salvador, janë shenja se gjërat po funksionojnë?

Pritni pak, sepse Trumpi është në rrugën për të realizuar më pak deportime në vitin 2025 sesa bëri Joe Biden më 2024 - dhe shumë më pak se Barack Obama në kulmin e tij. Mendoni për këtë ... sepse zyrtarët e Trumpit padyshim që po mendojnë: ata vazhdojnë të pushojnë zyrtarë të lartë dhe të mbledhin "seanca vetëkritike" ku këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Stephen Miller, bërtet në panik. Fakti që kryeredaktorja e CBS-it, Bari Weiss, u përpoq të mbulonte programin 60 Minutes për deportimet në gulagët e huaj, tregon se sa e frikësuar është bërë Shtëpia e Bardhë teksa votuesit po lodhen nga spektakli mizor i imigracionit.

Paqja dhe siguria? Pretendimet e Trumpit për përfundimin e shtatë luftërave janë fantazi (CBS News i hodhi poshtë këto budallallëqe që në shtator, por mos i tregoni Bari Weissit). Të jemi të drejtë, edhe pse ende vazhdon lufta në Ukrainë - të cilën Trumpi premtoi ta përfundonte për 24 orë - ai duhet të marrë merita për armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Por, duke qenë të drejtë, le të fokusohemi edhe në vlerësimin e besueshëm se shkatërrimi i USAID-it, nga ana e tij, do të shkaktojë vdekjen e 330 mijë njerëzve këtë vit - 230 mijë prej tyre fëmijë. Është e sëmurë ideja e tij se do të marrë Çmimin Nobel për Paqen pasi ka shkaktuar kaq shumë dhimbje për më të mjerët e botës dhe për ata që festojnë lindjen e Jezusit dhe po reflektojnë mbi Mateun 25:40 [Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua - shën. i Telegrafit] fati i më të vegjëlve prej vëllezërve e motrave tona duhet të jetë burim i thellë hidhërimi.

Përfundimi i “armatimit të qeverisë”? Reuters dokumentoi të paktën 470 persona, organizata dhe institucione të cilat Trumpi i ka në cak për hakmarrje. Lufta kundër “kontrollit qeveritar” [deep state - shën. i Telegrafit] dhe “tharjes së kënetës”? Trumpi pushoi shumë njerëz, por kryesisht ata që ishin të aftë, dhe Departamenti i Drejtësisë nuk uli aspak shpenzimet. Lufta kundër zgjimit [woke - shën. i Telegrafit] në shkolla? Harvardi e riemëroi qendrën e tij për DEI [Diversitet, Barazi dhe Përfshirje - shën. i Telegrafit] dhe bashkoi disa faqe që merreshin me racën dhe gjininë. E merituat, liberalë.

Për krimin, të paktën mund të thuhet që Trumpi nuk i ka prishur trendët kombëtarë të rënies së shpejtë të niveleve të krimit që nisën nën Bidenin - dhe, në disa raste madje janë përshpejtuar këtë vit. Nga ana tjetër, faljet e Trumpit dhe ndjekjet penale me motive hakmarrëse kanë krijuar një sistem drejtësie me dy nivele: një për Trumpin dhe miqtë e tij, dhe një tjetër për të gjithë të tjerët. Vështirë të besohet se kjo ishte në listën e dëshirave të votuesve të MAGA-s [Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore - shën. i Telegrafit].

Trumpi duket se jeton sipas tekstit të këngës Razzle Dazzle nga mjuzikli Çikago që këshillon mashtruesit t’ia japin turmës “hokus-pokusin” dhe “kur të jesh në telashe, vallëzo”. Por, ajo gjithashtu pyet në aspektin retorik: “Po nëse të gjitha shpresat të janë ndryshkur ... po nëse, në fakt, je thjesht i neveritshëm”?

Po, vërtet? Këtë vit, “mashtrimi” i Trumpit u konsumua, sepse nuk kishte asgjë poshtë sipërfaqes. Ka një arsye pse 14 përqind e votuesve të Trumpit tashmë pendohen për votën e tyre. Me republikanët në Kongres që po rrëzohen në kaos përsëri dhe me presidentin pa asnjë plan për të bashkëpunuar për ndonjë gjë konstruktive në vitin 2026, pyetja e vetme tani është: sa do të zgjasë derisa edhe të tjerët t’i hapin sytë? /Telegrafi/

URTËSI

26 December 2025 at 09:32


Poezi nga: Ada Negri
Përktheu: Anton Papleka

Kur ti nuk do të bësh dallimin më të vogël
Midis armikut tënd dhe mikut tënd, kur këngët
Dhe të qarat do të kenë për ty një zë të përbashkët,
Kur asgjë në botë nuk mund të të plagosë më,
Ty që t’u desh të bëje një luftë të ashpër
Dhe që u lëndove aq shumë; kur të japësh dashuri
Në këmbim të urrejtjes dhe kur, për të mirën që bëre,
Mund të buzëqeshësh duke marrë mosmirënjohje, harresë;
Kur ti nuk do të kesh asgjë tjetër përveç Zotit
Në zemrën tënde dhe brenda teje, pa dyshin atëherë
Ti do të kesh sosur te jeta e vërtetë ose te vdekja.

A ekziston Babadimri?

25 December 2025 at 11:25


Sqarimi i mistereve tuaja “të pashpjegueshme” ...

Nga: Sarah Knapton dhe Joe Pinkstone / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndërsa hetonin gjithçka, nga rastësitë e çuditshme deri te takimet e habitshme, Sarah Knapton, redaktore shkencore, dhe Joe Pinkstone, korrespondent shkencor i gazetës sonë [The Telegraph], kanë zbuluar se përvojat në dukje të mbinatyrshme priren të kenë shpjegime krejtësisht racionale.

Tani ata duan t’ju ndihmojnë edhe juve.

Në këtë seri ata zbërthejnë historitë tuaja më të çuditshme personale, duke përdorur shkencën, psikologjinë dhe paksa mendjen e shëndoshë për të gjetur logjikën prapa çmendurisë - megjithëse ndonjëherë në fund mbetet edhe një grimcë misteri.

Sot, për një botim të veçantë të Krishtlindjes, dyshja jonë peshojnë një pyetje të vjetër sa vetë koha: A ekziston Babadimri? [Is Santa Claus real?]

Të dashur Sarah dhe Joe,

“Nëse Babadimri është i vërtetë, si ia del ai të shpërndajë të gjitha dhuratat për fëmijët e botës për një natë të vetme? Mua nuk më duket e mundur, dhe asnjëherë nuk e kam parë, ndaj mendoj se është i trilluar”.

Isobel, shtatë vjeçe.

Sarah dhe Joe përgjigjen:

Sigurisht që Babadimri është i vërtetë, Isobel, por po, aventurat e tij në mbrëmjen e Krishtlindjes priren të sfidojnë fizikën, kështu që e kuptojmë pse mund të vësh në dyshim ekzistencën e tij.

Në fakt, deri vonë askush nuk e dinte se si ia dilte mbanë Babadimri të vizitonte të gjithë fëmijët e botës - derisa shkencëtarët nuk e kombinuan Teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit dhe mekanikën kuantike në atë që tani njihet si Teoria e Madhe e Bashkuar e Babadimrit [Grand Unified Theory of Santa] - ose shkurt, GUTS.

Në vitin 2016, Dr. Katy Sheen, fizikane në Universitetin e Ekseterit, zbuloi se Babadimri dhe drerët e tij udhëtojnë nëpër botë me një shpejtësi aq të lartë saqë ata tkurren, duke mundësuar që Babadimri dhe thesi i tij i madh i dhuratave të futen edhe në oxhaqet më të ngushta.

Dr. Sheen zbuloi gjithashtu një shpjegim shkencor përse Babadimri rrallëherë shihet nga fëmijët - edhe pse miliona prej tyre përpiqen të qëndrojnë zgjuar, në Natën e Krishtlindjes, për të kapur një pamje të kostumit të tij të kuq.

Është aq i shpejtë saqë bëhet i padukshëm

Fizikania përllogariti se Babdimri do të duhej të udhëtonte me rreth 10 milionë kilometra në orë, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë që pritet të festojë Krishtlindjet brenda 31 orëve - duke marrë parasysh zonat kohore në botë.

Një shpejtësi e tillë do ta bënte atë të ndryshonte nga ngjyra e kuqe në të gjelbër dhe, me rritjen e shpejtësisë, përfundimisht do të zhdukej plotësisht. Në këtë rast, është efekti i Doplerit ai që e bën Babadimri të ndryshojë ngjyrën, sepse valët e dritës që reflektohen mbi të shtrydhen në një shpejtësi kaq të madhe.

Efekti i Doplerit gjithashtu shpjegon se pse fëmijët nuk e dëgjojnë Babadimri kur ai mbërrin.

Teksa Babadimri dhe saja e tij afrohen, tingulli i zileve dhe “ho, ho, ho”-ja e thellë do të ngrihen gjithnjë e më lartë në tonalitet derisa bëhen të padëgjueshme, sepse zëri i tij lëviz përtej diapazonit të dëgjimit njerëzor.

Dhe, nëse fëmijët dëgjojnë një zhurmë të fortë Natën e Krishtlindjes, mund të jetë ndonjë dre i Babadimrit që ka thyer murin e zërit, duke krijuar një bum sonik.

Dr. Sheen ka thënë: “Ndodhin disa gjëra të çuditshme, pasi fillon të udhëtosh kaq shpejt. Së pari, koha ngadalësohet. Së dyti, Babadimri ngjeshët, që do të thotë se ai mund të futet më lehtë në një oxhak”.

Ekspertët gjithashtu besojnë se Babadimri ndonjëherë përdor ndërlidhjen kuantike për të qenë i sigurt se të gjithë fëmijët do ta marrin dhuratën në kohë.

Mekanika kuantike merret me sjelljen e grimcave shumë të vogla, dhe ato mund të ekzistojnë në një gjendje të ndërlidhur - që do të thotë se mund të jenë të lidhura, pavarësisht se sa larg ndodhen në botë.

Shkencëtarët mendojnë se Babadimri ndonjëherë i vendos dhuratat në një gjendje të veçantë “të ndërlidhur”, që do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, të gjithë fëmijët marrin dhuratën e tyre në të njëjtën kohë.

Për shkak se ndërlidhja është e brishtë, Babadimri shqetësohet nëse ajo mund të prishet, që do të thotë se do të humbasë lidhja speciale që garanton shpërndarjen e dhuratave. Kjo është arsyeja se pse fëmijët duhet të jenë në shtrat dhe në gjumë - herët në Natën e Krishtlindjes.

Pamja e konfirmuar

Ekzistenca e Babadimri u konfirmua në vitin 2023, kur një video rrodhi nga një bisedë mes zonjës Angela McClean, këshilltare kryesore shkencore e Qeverisë, dhe Michelle Donelanit që ishte ministre e Shkencës në atë kohë.

- YouTube Sekreti i fuqisë magjike të Babadimrit zbulohet nga këshilltarja kryesore shkencore e Qeverisë ...

Zonja Angela, duke menduar se kamerat ishin fikur, u xhirua duke thënë se ishte thelbësore që fëmijët të binin herët në gjumë në Natën e Krishtlindjes, për të mos e prishur metodën shkencore të Babadimrit.

E pyetur nëse ajo e dinte se si ia del mbanë Babadimri të futet në të gjithë oxhaqet e botës, ajo tha: “Është e qartë që ai nuk mund të shkelë ligjet e fizikës, por ka disa gjëra që mendojmë se ai mund të jetë duke i përdorur për ta ndihmuar në atë punë të rëndësishme, për të dorëzuar dhuratat për çdo fëmijë në gjithë botën. Pra, ajo që mendojmë se ai bën është se ai merr lodrat që ka prodhuar në Polin e Veriut dhe i vendos ato në një gjendje të veçantë - që quhet gjendje e ndërlidhur - dhe kjo do të thotë se kur fëmija i parë hap dhuratën në mëngjesin e Krishtlindjes, kjo siguron që çdo fëmijë në botë do të marrë një dhuratë. Kjo ndodh sepse ai përdor këtë lidhje shumë të veçantë midis gjërave, gjë që dimë se mund të ndodhë sipas fizikës kuantike dhe që quhet ndërlidhje”.

Shkenca funksionon vetëm nëse fëmijët janë në kohën e duhur në gjumë

E pyetur nëse kjo metodë shkencore funksionon vetëm nëse fëmijët flenë me kohë, zonja Angela shtoi: “Oh, absolutisht po, nëse dikush do ta shihte Babadimrin, kjo do të prishte gjendjen e ndërlidhur. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të këmbëngulim që fëmijët të jenë me kohë në shtrat në Natën e Krishtlindjes”.

Në atë kohë, Departamenti për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) tha se ishte “i zhgënjyer” që pamjet e një bisede private ishin bërë publike dhe fajësoi elfët e Babadimrit të cilët nuk komentuan për akuzën kur u kontaktuan nga ditorja The Telegraph.

Në vitin 2017, Universiteti i Uorikut sugjeroi gjithashtu se Babadimri mund të përdorë "tunelin kuantik" për të hyrë dhe për të dalë nga shtëpitë.

Dr. George Knee, fizikan teorik, argumentoi se duke ngrënë shumë ëmbëlsira me fruta, Babadimri është shëndoshur shumë për të hyrë nëpër oxhaqe, ndaj ka nevojë të përdorë mekanikën kuantike.

“Sipas fizikës kuantike, atomet në trupin e Babadimrit kanë një pozicion të pasigurt - një lloj mjegulle që mund të lëvizë si lëng”, tha ai. “Megjithëse tingëllon absurde, është plotësisht e mundur që pasiguria e trupit të Babadimrit të rrëshqasë përmes hapësirave të cilat përndryshe janë të pamundura. Kjo do të thotë që, në teori, Babadimri kuantik mund të shfaqet drejtpërdrejt në oxhak. Kjo teori shpjegon gjithashtu se si arrin Babadimri te njerëzit që nuk kanë oxhak. Ai thjesht përdor tunelin kuantik për të rrëshqitur poshtë derës ose përmes deriçkës së maceve”.

Përfundimi: Gjithçka e shpjegueshme!

/Telegrafi/

❌
❌