Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

O DITË TË SHKRETA NË QYTETIN E SHKRETË

8 January 2026 at 11:46


Poezi nga: Alan May
Përktheu: Fadil Bajraj

Shesh qyteti i përgjumur edhe me një statujë
të një babai themeltar teveqel: po pi duhan

me djemtë jashtë sallës së biliardos. Me kë
po tallem? Jam fikall vetëm, duke shikuar

drerët që lëpijnë vitrinat e dyqaneve. Gjuetarët me sy të xhamtë
psherëtijnë zahmetshëm në automobilat e tyre me ajër të kondicionuar.

Pëllumbat çukisin me kujdes në trotuar.
Nuk janë të këtij vendi. Me ngjyra të ndezura,

pedant, me sy të vegjël të etur. Djaloshi
në shkallë përpiqet të ndreq orën e qytetit. Biçikleta e tij

është e lidhur në një nga tri dritat e rrugës. Fëmijët
e shkollës private mërkëmbën derisa dalin nga autobusi i shkollës.

Duken si toptha çamçakëzi. Sot, ra shi,
dhe avulli u ngrit nga asfalti i valë dhe pastaj u zhduk

si shpresa. Vetëtima shkrepëtiu, megjithëse larg
në një fushë ku një fermer kosiste tufat e mbetura

të pambukut. Një dyqan i vogël me pluhur shet
karamele të forta, gjithmonë fruta të pjekura, kikirikë,

dhe revista joshëse. Mendoj se do të shoh
një film. Një në të cilin të gjithë duken

sikur janë në luftë, ama, në të vërtetë, po
dashurohen. Ketri vjen si zemberek.

Më kishte marrë gjumi në një stol parku. “Ti
nuk e ke vendin këtu,” thotë ai. Po, e di,

Z. Ketër, e di. Sherifi është përsëri i dehur.
Ai tundet e lëkundet si një kunj boulingu. Drejtori

i postës po e mbyll postën. Ai po tund krahët
si i çmendur. Pullat kanë dalë nga vrimat e tyre

të vogla dhe po fluturojnë përreth
pas dyerve prej xhami dhe dritareve me hekura.

MBI DASHURINË

29 December 2025 at 10:52


Poezi nga: Gary Snyder
P
ërktheu: Fadil Bajraj

Dhemb të duash
Dhemb të mos duash
Dhemb më së shumti të dështosh në dashuri.
Lindja nuk është asgjë për të dashur.
Mençuria, gjenialiteti, shkelen.
Ata i shikojnë sall paratë.
Paratë i shkatërrojnë vëllezërit,
Paratë i shkatërrojnë prindërit
Shkaktojnë luftëra dhe vrasje,
Çka është edhe më keq,
Paratë na vrasin ne të dashuruarve.

PYETJE ME VEND

12 December 2025 at 10:09


Poezi nga: Gerald Locklin
Përktheu: Fadil Bajraj

Shoqja ime “J” punon në qeverinë lokale.
Tash së voni asaj iu desh të vuloste disa dokumente
Nga Sekretari i Gjykatës, i cili ishte brenda sallës së gjyqit,
Dhe duke vepruar kështu ajo dëgjoi këtë bisedë:

Prokurori: “A nuk është e vërtetë, zotëri, që i thatë
Oficerit se kishit në posedim një
Armë zjarri?”

“Jo, zotëri”, u përgjigj i Pandehuri, “I thashë atij
Se penisi im ishte arma ime, dhe se ai ishte i mirëpritur
Ta shihte nga afër.”

“Ama oficeri dhe dëshmitarët kanë dëshmuar
Se ishin të sigurt se kishit një armë.”

“Ata e dinin që unë nuk kisha armë.
Po të kisha armë, pse do t’i gjuaja
Sall me gurë ata?”

  • ✇
  • CHRIS  

CHRIS

3 December 2025 at 11:11


Poezi nga: Matt Borczon
P
ërktheu: Fadil Bajraj

Ti ishe
goxha i dehur
sa të më lejoje
të ngasja
automobilin tënd
ndërsa edhe unë
isha goxha i
dehur sa të
mundohesha bile edhe
pse nuk kisha
patentë
dhe ne
shkonim lakadredhas
rrugëve
të pashtruara përreth
liqenit të Edinboros
atë natë
përtej
shtëpizave verore
thua se
nuk kishim asgjë
për të humbur
ose për t’u gëzuar

ti ishe student
i degës së anglishtes
që do
të përfundonte
duke punuar
në shitjet e
kompjuterave
me sëmundjen e
Parkinsonit
duke shkruar këngë
që askush nuk do
t’i këndonte
kurrë ndërsa
unë isha student
i degës së Arteve
që do të
mbështjellja
trungjet e ushtarëve në
Afganistan
por atë natë
ne ishim
sall dy
idiotë të dehur
të kolegjit

nuk na ndiente
nëse a
do të jetonim a
vdisnim
para se jeta
të na tregonte
se edhe ashtu nuk kishte
rëndësi fare

LETRA NGA VIETNAMI

24 November 2025 at 10:59


Poezi nga: Peter Mladinic
Përktheu: Fadil Bajraj

Të gjithë në këtë poezi kanë vdekur përveç meje:
Rose, e cila na shkroi mua dhe Robit
kur ishim në Vietnam;
Robi, fqinji i Roses;
Bea, nëna e Robit; dhe Helena,
e cila jetonte përballë rrugës.

Isha duke qëndruar në një rrugë në Da Nang
kur lexova letrën që ma kishte dërguar nëna ime
për vdekjen e parakohshme të djalit të Johnit
“pas kthimit atë në botë.”
Ai jetonte në një foto të kornizuar sipër një televizori,
me sy të errët, me duar të shtrënguara në lutje.

Gjatë natës, tri nëna, Rose, Bea,
dhe Helen, rrinin ulur në karrige metalike
në një lëndinë përpara shtëpisë. Lufta e humbur mbaroi,
Rose vajtonte djalin që ajo
e solli në këtë botë me bërtima.
Letrat e saj u ndalën kur ai vdiq.

MESAZHI

17 November 2025 at 10:32


Poezi nga: John Berryman
P
ërktheu: Fadil Bajraj

Amplitudë,- voltazh, - një mik thërret një tjetër,
tjetri thërret tjetrin, në veprën time;
në vargje dhe prozë. Epo, dreqi e marrtë.
Nuk po shkruaj autobiografi-në-vargje, loci im.

Përshtypje, struktura, rrëfime, nga Kolumbia në vitin ’36,
të ndjekura nga disa më vonë. Nuk është jeta ime.
Kjo gjë është e mbyllur dhe e humbur.

Kjo përbëhej nga leksionet mbi Shën Palin,
kacafytjeve me femra,
momente të veçanta të bërjes
së disa gjërave absolutisht njashtu siç duhet.
Dembelizëm, alkool, ëndrra të këqija.

Kjo përbëhej nga tri gra dhe shumë miq,
teka dhe urgjenca, zbulime, humbje.
Ka qenë një rrugëtim i gjatë. A do ta bëja përsëri?
Por një herë një bukuroshe polake më zbuloi dhe nuk e keqpërdori.

Nuk më kujtohet pse e dërgova këtë mesazh.
Fëmijët! Fëmijët! përbëjnë qëllimin e gjithçkaje.
Fëmijët dhe arti i lartë!
Paratë në bankë janë gjithashtu diçka.

Ne të gjithë do të vdesim, dhe prova
është: Asgjë pas kësaj.
Zemër, ne nuk do të ribashkohemi. Ndërkohë, ma merr mendja se duhet të jemi të guximshëm dhe të sjellshëm.

  • ✇
  • E KUQE  

E KUQE

12 November 2025 at 14:35


Poezi nga: Jack Micheline
Përktheu: Fadil Bajraj

E kuqja është ngjyra e Gjakut
E kuqja është ngjyra e krahut të Robinit
E kuqja është ngjyra e argjilës
Shkëlqimi rreth Charlie Mingusit është i kuq
E kuqja është ngjyra e tokës dhe e maleve
E kuqja është ngjyrë e nxehtë
E kuqja është sensuale
ka shumë nuanca të kuqe
Bill Saroyan, Henry Miller, Bob Dylan, Charlie Mingus mbajnë kapele të kuqe
Kapele të kuqe mbajnë edhe murgjit tibetanë
E kuqja është ngjyra e hënës
Automjeti i zjarrfikësve është i kuq
Qarku i dritave të kuqe është i kuq
E kuqja është dritë semafori
Ndalu kur të sheh të kuqe
Femrat seksipile veshin të kuqe
E kuqja është e thellë
Demonët janë të kuq
Specat janë të kuq
Kur isha i ri e lyeja dhomën time me të kuqe
Aeroplanët natën pulsojnë me të kuqe
Aeroportet janë të kuqe
Majmuni është i kuq
Disa automobila janë të lyer me të kuqe
Këpucët e kuqe është titulli i një filmi
E kuqja është ngjyra e verës
Lumi i Verës së Kuqe ishte titulli i librit tim të parë
Aniss Nin, Charles Bukowski, Allen Ginsberg të gjithë kanë fytyra të kuqe
Domatet, Mollët, Qershitë dhe Luleshtrydhet janë të kuqe
Buzët joshëse janë të kuqe
Oxhaqet janë të kuqe
Shtëpitë në ferma janë të kuqe
Hambaret janë të lyera me të kuqe
Disa ndërtesa janë të kuqe
Nju Jorku dhe Nju Meksiko janë të mbuluara me të kuqe
Kinezët janë të kuq
Trëndafili është i kuq
E kuqja është ngjyra e dhunës dhe e pasionit
Qielli mbi Franz Klinen ishte i kuq
Qielli mbi Kerouacun, Mingusin dhe Bob Kaufmanin ishte i kuq
Qielli mbi Paris është i kuq
Qielli mbi Londër është i kuq
Qielli mbi Pekin është i kuq
Qielli mbi Moskë është i kuq
Lumi i Kuq është i kuq
E kuqja është ngjyra e dashurisë sime goxha të bukur
Salamandra është e kuqe
Kur Charlie zemërohet, fytyra e tij është e kuqe
Dora e mësuesit është gjithmonë e kuqe
Rrugët e Kalkutës janë të kuqe
Burgjet janë të kuqe
Rusët janë të kuq
Babadimri vesh të kuqe
Hëna mbi Majami është e kuqe
Vampirët janë të kuq
Trëndafili është i kuq.

8 maj 1980

FYERJEVE

8 November 2025 at 13:02


Poezi nga: Kenneth Koch
Përktheu: Fadil Bajraj

Më parë, në njëfarë mase, jetoja pranë jush. Kur
Kisha nevojë për njërën nga ju, ju veç ishit hazër,
Do të dilnit poshtërsisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë
dhe me qëllimin për të më lënduar.
Ah, çfarë kënaqësie e madhe
Për një çast që jep!
Jeni të shquara midis disa njohësve –
Të merrni frymë shpejt se ata janë të vetëdijshëm me entuziazëm.
Ju jeni të rrezikshme! Viktima juaj mund të lëndohet
Rëndë dhe/ose, e nxitur për hakmarrje, të kundërsulmojë
Me forcë fizike. Po aq e habitshme për t’u parë sa një aksident me automobil
Ngandonjëherë vakitë dhe pasojat janë të gjitha tuajat! Kur ju buroni nga unë
Kam frikë, sikur të kisha shkelur ndonjë premtim
Për kënaqësinë e afshit tuaj të paqytetëruar. Si, ndonjëherë sërish,
Të rifitoni territorin e miqësisë, bile edhe të mirësjelljes?
(Keni një cilësi të lavdërueshme.
Që jeni absolute dhe mund të pastroni vendin
Nga mbeturinat e grumbulluara, megjithëse rrallëherë, nëse veç e bëni ndonjëherë,
A jeni të domosdoshme.)
Disa fëmijë janë të aftë me ju, edhe oborrtarët francize
Me sa duket ishin. Perënditë dhe shumë të fuqishmit nuk kanë nevojë për ju.
“Shpëtimtari ynë nuk njihej kurrë për buzëqeshje”, shkroi Baudelaire.
As nuk ju përdori.

UNGJI SAM

3 November 2025 at 10:46


Poezi nga: Kenneth Rexroth
Përktheu: Fadil Bajraj

Njashtu si njëbrirëshi, Ungji
Sam është ajo që quhet mit.
Platoni shkroi një libër që është
Një komplot okult
Për zotërinj pederast.
Në të ai tha se idetë
Janë fisnikërisht më reale se vetë
Realiteti, ndërsa mitet
Ndihmojnë në mbajtjen e njerëzve në vendin e tyre.
Meqenëse ju kurrë nuk do të bëheni,
Në asnjë rrethanë,
Zotërinj pederast, do të ishte
Më mirë t’ua lini këto nocione të përgjakshme
Atyre që i gjejnë të dobishme.

NËSE DUAM TË DIMË KU JETOJMË

28 October 2025 at 11:59


Poezi nga: Kenneth Patchen
Përktheu: Fadil Bajraj

Erdha në shtëpi. Ishte terr.
Të rrija aty ishte ferr.
Askush nuk iu përgjigj trokitjes sime.

ÇKA PO BËJNË ATA NË SHTËPINË TIME

Trokita në dritare. I rashë derës.
Ata i kishin lëshuar perdet. Kishin mbërthyer bravën e rëndë.

Ama unë e dija se çka donin
Dhe pashë atë që nuk duhej të shihja
Dhe dëgjova atë që nuk duhej ta dëgjoja.

Ata donin ta vrisnin atë frymë brenda shtëpisë.
Pashë fytyrën time me thikat sipër saj.
Dëgjova britmat e mia derisa më torturonin.

Dhe unë isha gjithsecili. Dhe të gjithë qëndruam aty.

10 TETOR 2005

10 October 2025 at 10:21


Poezi nga: Leonard Cohen
P
ërktheu: Fadil Bajraj

më lër jashtë të gjitha historive të tua
ky nuk është kurrfarë problemi për mua

jam po aq i duruar si klima
ndryshoj kur më thonë

Faleminderit për
mikpritjen tënde
zemra më bëhet dritë
kur kujtoj vitet
që kemi qenë bashkë

sikur ta kishe menduar ndonjëherë
se ke qenë njëfarë lloj
mësuesi

kur lindi ajo ide
budallaqe?
kur nuk kishim mënyrë tjetër
për ta arritur?

L’ENVOI

6 October 2025 at 13:39


Poezi nga: Irving Layton
Përktheu: Fadil Bajraj

Nëse kjo do të ishte poezia
e fundit
absolutisht e fundit
që do të shkruash ndonjëherë,
çfarë do të shkruash?

“Oj Botë, oj ti kurva plakë qelbanike
ka qenë fantastike të të njoh;
të njoh diellin, hënën, yjet, femrat e bukura
dallgët dhe varret

Tash po të lë
për një që nuk ka kurrfarë ere
një urnë greke
Natën e mirë dhe lamtumirë”

NJASHTU SIÇ ISHTE

29 September 2025 at 10:34


Poezi nga: Brian Rihlmann
Përktheu: Fadil Bajraj

nuk të kam parë dhe as që kam folur me ty
që pesë vjet
ama mbrëmë në ëndërr
ti qëndrove para meje
kolopuç dhe i zbehtë
i ngathët dhe me puçrra
si në shkollën e mesme
aspak i pompuar me stereoide
i tatuazhuar dhe i nxirë si tash
dhe qan
sepse ajo ka ikur
ndërsa unë të vë krahun
si mik
si vëlla
njashtu siç ishte
para mediave sociale
para se të ishim kaq të “lidhur”
para se të dinim ndonjë gjë
për politikën e djathtë/të majtë
dhe botën
dhe sa të ngatërruara
mund të bëhen gjërat
atëherë kur ne dinim gjithçka
ose bile të paktën diçka më shumë
se sa dimë tash

Pyete dritën e diellit mbi një qen që fle: “Një letër për Xhevdet Bajrajn” nga Jeff Weddle

28 September 2025 at 11:48


Recension (Weddle, Jeff. 2025. Letter to Xhevdet Bajraj. Ellicott City: UnCollected Press.)

Nga: Peter Mladinic
Përktheu: Fadil Bajraj

Jeff Weddle është poet që lexon poetë të tjerë. Jeff Weddle është filozof, idetë e të cilit nuk vijnë nga librat, por nga jeta e jetuara, nga miqtë e së tashmes dhe të së kaluarës, nga familja dhe nga njerëzit e takuar gjatë rrugës. Një udhëtar, një kërkues, një bir, një bashkëshort dhe një baba, ai flet për të kaluarën dhe për të tashmen. Libri i tij i ri, Letter to Xhevdet Bajraj [Një letër për Xhevdet Bajrajn], flet për njerëzit me të cilët ka kaluar kohë. Përvojat e tij të veçanta - dehjet në bare me miq, shikimi i lindjes së diellit në Ki-Uest, imagjinimi i një shkrimtari nga vitet 1940 duke shëtitur në park - pasqyrojnë gjendjen njerëzore. Dashuria familjare dhe vëllazërore, dashuria seksuale, dhe dashuria për jetën janë temat e Jeff Weddleit. Po e citoj Ron Whiteheadin: “Poezitë e tij janë vërtet të mrekullueshme.”

Poezitë për dashurinë ndaj jetës sugjerojnë se njerëzit ndikohen nga fati dhe, nëse janë mjaft me fat, njerëzit jetojnë sipas zgjedhjeve të tyre. Kujdesi për të tjerët është çelësi, jo për një marrëdhënie personale me një fuqi më të lartë, por për një marrëdhënie personale me veten. “Kështu ishte” me përsëritjet e saj si këngë, imazhet e sakta dhe elementët prekës narrativë, hap librin.

Dëgjoni muzikën në zërin e dikujt që ka qenë në prag të vdekjes.
I dehur në San Francisko, i dehur në Ki-Uest,
i dehur në Dejtona, në Shën Agustin,
Nju Orlins, Denver, Nju-Jork, Boston,
Kolumbus, Konkord, Memfis, Sent-Luis,
Kanzas-Siti, Neshvill, Luisvill, Leksington.
Në të gjithë Mejnin. Aty-këtu në Kanada.
Bare të mira, bare të këqija, bare ku dëshpërimi
është standard, bare ku mund të të vrasin
dhe klube të trishta striptizi.
Po gardhohem. Thika më e keqe
për zemër. Curtis po flet me mua
sikur të isha esëll dhe zgjuar
që të mos më arrestonin policët
në atë gjellëtore në Uest Virgina.
I dehur në trotuare që nuk më kujtohen.

Ritmi i Weddleit ndërtohet e ndërtohet derisa lexuesi i tij është pikërisht aty në dritën fluoreshente të asaj luge të yndyrshme, dëshmitar i një akti të vogël dhembshurie që ndryshon rrjedhën e gjërave. Ndërsa ka një trishtim në këtë fragment, nuk ka keqardhje. Në fund të poezisë lexuesi arrin te “Unë jam ... aq i mirë sa mundem të jem”, gjë që flet për të gjithë. Dashuria për jetën është çështje malli dhe festimi privat, “cilësia e dritës / që ngulitet në gjoks / dhe e bën frymëmarrjen / pothuajse të shenjtë.” Të duash jetën do të thotë të jetosh në botën reale, të hidhur dhe të ëmbël. “Pranoje” fillon, “Ti gjithmonë do të jesh përbindëshi / për mizën” dhe përfundon: “Miza të urren, megjithëse ti / je plot dashuri. Bota është pikërisht kështu, e padrejtë.”

Dashuri seksuale. Në “Një takim rastësie”, poeti flet për “një qytet / që të gjithë e dinë përmendësh / por nuk mund ta gjejnë kurrë?” Pikëpyetja e lë vargun të hapur, një referencë për jetën e papërfunduar të dy personave në poezi. Dashuria seksuale shpreh dëshirë. “Ménage à Trois” përfshin një djalë dhe një vajzë me të cilën është, dhe vajzën me të cilën dëshiron të jetë. “Takim i humbur në motel” flet për dashurinë dhe vdekjen. Një çift i ri është në një dhomë që ishte zënë nga një person që tash është i vdekur, dhe kufoma e të cilit, pa dijeninë e tyre, është ende atje. “Edhe kjo nuk i ka penguar. / Lakuriq, në ekstazën e tyre, ata e thithnin atë, gëlltitnin ajrin e ndotur.” “Në kujtim të një gruaje që nuk e kam njohur kurrë” është spekulative. “Nata, a të kujtohet, ishte e mbushur me nevojë të mbytur dhe dëshirë të zbehtë.” “Gjithçka që ju nevojitet është dashuria” tregon një histori dëshire, “vajza që punonte në dyqanin e luleve / gjakonte për prekjen / e djalit kroat / i cili ia sillte qumështin.” Në “E doja Lucyn”, dashuria është romantike. Folësi i jep një vajze lule në një shishe pijesh që i kishte “mbledhur / buzë rrugës”. Në “Dashnorët e dashuruar”, dashuria është e dëshpëruar, “Është ai lloj i dashurisë / që shkatërron gjumin / por që ushqen ëndrrat. Dhe në “Në Winn Dixie”, dashuria është e përkohshme. “Arkëtarja e bukur” ka dy konsumatorë: njëri ka të veshur fanellën me mbishkrimin “Lexo libra të ndaluar” ndërsa ai tjetri largohet i pakënaqur.

Ne e shikuam atë duke u larguar
dhe pastaj ajo më tha:
“Kjo ndodh ndoshta sepse thashë
se më pëlqente fanella jote.”
Unë u pajtova dhe ajo buzëqeshi për merak.
Ai tipi ishte i moshuar
ndërsa unë jam i sigurt se jam më i vjetër se ai,
ama unë mora një buzëqeshje nga vajza e bukur
dhe ai ndihej i mjerë si mut i dhjerë.
Kjo është ajo që unë e quaj një udhëtim
të suksesshëm në dyqan.

Dashuria për miqtë është kalimtare, aq më e çmuar sepse një ditë nuk do të jetë më, ashtu siç nuk do të jemi as ne. “Mbi gjetjen e Fernando Pessoas në një me diell në maj” feston dhuratën e miqësisë. Poeti mëson se miku i tij Fadili është gati të botojë një përkthim të poezive nga një poet me të cilin ky nuk është i njohur. Kështu që ai gjen poezitë e poetit Pessoa dhe kënaqësia e tij reflektohet në mënyrën se si e përshkruan oborrin e tij dhe “dielli / ende shkëlqen në lëndinën time. / Pessoa bëhet ombrellë e madhe e kuqe / që i lidh të gjitha së bashku”. Duke folur për vendin, “Ditë për ditë” është një poezi “foleje bosh”, për “filxhanë kafeje dhe kujtime”, dhe fëmijë të rritur që janë larguar nga shtëpia. Poezia titullare e librit, “Një letër për Xhevdet Bajrajn”, është prekëse. Ajo i drejtohet vëllait të ndjerë të mikut të dashur (dhe përkthyesit) të Jeff Weddleit, Fadil Bajraj. “Fadili është i mahnitshëm, dhe ti / duhet të jesh vëllai i tij”. Poezia e Weddleit “Kur të bëhem gjashtëdhjetë e katër vjeç”, kushtuar gruas së tij, Jillit, është një deklaratë dashurie, pasionante në ndërgjegjësimin e saj se, në fund të fundit, “bota“ nuk “do të na mbajë.” Libri përfundon me një kujtim të nënës së poetit si vajzë, e cila pati mundësinë të shkonte nga Kentaki në Çikago dhe të takonte një nga zemërthyesit më të famshëm të kohës, këngëtarin Vic Damone. Është edhe një poezi për poetin që qëndron pranë shtratit të të atit në momentet e tij të fundit në spital, dhe një kujtim të të qenit me të atin në një berberhane, një nga poezitë më të forta dhe më të dashura në këtë libër ose në cilindo libër tjetër. Babai i tij në fund u bë “profesor i psikologjisë”. Në poezinë “Qethja”, ai thotë:

Ama mua më kujtohet
se si m’i prente flokët,
m’i lante me shampo
dhe me shkumë
m’i bënte brinat në kokë.

Nuk mund të isha më shumë
se tri a katër vjeç
ndërsa babai im ishte i madh dhe i fortë
dhe i përjetshëm.

Dhe tash, këtu po rrimë ulur.

Një alamet force kujtimesh, e denjë për t’u antalogjizuar, kjo poezi dashurie nga një bir për të atin e vendos lexuesin “pikërisht aty”.

Talenti i Weddlet për të përfshirë lexuesin buron nga leximi i poetëve të tjerë dhe nga shkrimi pa zëra të tjerë në kokën e tij përveç të vetit. Një kërkues, ai shkon direkt te “ajo që ka rëndësi” dhe e shndërron atë në një gjuhë elegante. Në “PNP George”, një kujtim i mikut të tij e ka shtyrë të thotë: “Brenda pesë minutash qeshnim / dhe na dukej vetja si leckë, ama ishte e vërtetë.” “Dëgjomë tash”, që flet për shkrimin, është një metaforë për të jetuarit. Dëgjoji të tjerët, ama pastaj vazhdo dhe bëj atë që mendon se është e drejtë për ty. Ai e thotë troç: “Thuaj çfarëdo gjëje të hamamtë / që dëshiron të thuash.” Jij vetvetja, në këtë të ndërlikuar, tragjike dhe të bukur. Në Një letër për Xhevdet Bajrajn, shumë të vërteta fshihen në sipërfaqet e poezive të shkruara sepse duhej të ishin të shkruara, dhe për gëzimin që Jeff Weddle ndjeu duke i shkruar ato. /Telegrafi/

Kopertina e librit "Letter to Xhevdet Bajraj"UnCollected Press

TATUAZH

26 September 2025 at 09:13


Poezi nga: Milan Mladenović
Përktheu: Fadil Bajraj

dua ta harroj
këtë ditë dhe ditën e djeshme

po bëhem indiferent
e shikoj veten nga brenda

nevojitet një nxitje
jam bosh dhe i lodhur

dua të jem atje
ku është e lehtë të thuash se është mirë

ta-tu
trëndafil në gjoks
ta-tu
në leshtore
rrena dhe mimika
ta-tu
tatu shumë e mirë

jam fshehur mire
nuk mund të më gjesh
nuk mund të më prekësh
nuk mund të më arrish

dua ta harroj
këtë ditë dhe ditën e djeshme …

DUKE QESHUR ME LETRAT

19 September 2025 at 08:29


Poezi nga: Peter Mladinic
P
ërktheu: Fadil Bajraj

Shkrova një letër duke shpjeguar të pashpjegueshmen.
U hodh në plehra. E pra, t’i shkruaj A-së një letër duke i treguar
se si ndihem, ta vendos në një zarf dhe t’ia dërgoj me
postë, pyes veten se çfarë hairi do të kisha prej saj.

E dashur A, kur të pashë për herë të parë e dije që ishe
e bukur; pastaj, nuk të pashë për një kohë të gjatë.
Pastaj, herën tjetër kur të pashë e dija që je personi
më i bukur në botë. Të dua.

Dashuria e njëanshme nuk është dashuri. Jam pothuajse dy
herë më i vjetër se ti, jetoj me dikë, të desha që nga momenti
që të pashë. Mendoj për ty ditë
e natë. Dua gjithçka tek ti:

si tingëllon, si dukesh, si ecën.
Femra të tjera, ndoshta njëra, me një fytyrë më të bukur,
tjetra me një trup më të fortë, ato nuk janë ti,
femra më e bukur në botë.

Askush nuk më detyroi të të dua; kjo është zgjedhja ime.
Mund të ndihmojmë kë duam dhe kë jo.
Ama a mund të ndihmojmë me çka ose me kë ose ku mund
të gjejmë bukuri? Unë gjej bukuri tek ti, një pasuri

bukurie. Buzëqeshja jote është më e bukur se tea to të tjerat,
dhe zëri yt, vithet e tua, qafa jote, supet e
tua, flokët e mbledhur lart, fytyra jote.
Nga koka te këmbët, krejt ti. Parajsa
do të ishte të ulesha nën një pemë dhe të të puthja.
Të isha pjesë e jetës tënde, jo sall në buzë, por edhe
në zemrën tënde, do të ishte e mrekullueshme.
Unë jetoj me dikë, jam dy herë më i vjetër se ti,

pothuajse. Dua të jem me ty natë e ditë.
E shoh këtë letër që bile as nuk është hapur,
as nuk është lexuar dhe mund të hidhet. Po çka nëse A
nuk më do. Kjo nuk është asgjë në krahasim

me një sëmundje ligështuese ose ndonjë aksident
që e lë një person të paralizuar. Nuk është asgjë
në krahasim me tërmetin, zjarrin dhe përmbytjen,
me pamundësinë për të paguar faturën e energjisë elektrike, ose

me faktin që një person e gjen veten në rrugë. Epo nëse A
nuk më do, bile as nuk dëshiron të flasë me mua
nuk është asgjë në krahasim me këto gjëra. Megjithatë
dashuria ime për të është diçka, dashuria ime për A-në.

❌
❌