Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

12:50 E zhdukur prej disa muajsh/ Gjendet e pajetë 35-vjeçarja shqiptare në Itali

By: Klara
16 January 2026 at 12:50

Një 35-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë ditën e djeshme në bregun e një lumi në Itali. 35-vjeçarja, nënë e dy vajzave ishte raportuar e zhdukur që në datën 22 tetor të vitit të kaluar.

Ajo ishte parë për herë të fundit në Trento dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Ishin familjarët e saj që ngritën alarmin tek autoritetet për largimin e saj. Ende nuk dihen shkaqet e largimit nga shtëpia dhe vdekjes së shqiptares./K.M

12:40 12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë shumë vonë në jetë (lifestyle)

By: Klara
16 January 2026 at 12:40

Presioni që shoqëria u vendos grave është i jashtëzakonshëm. Pritet të jemi të bukura, interesante, inteligjente dhe të suksesshme. Të sigurojmë pavarësi financiare, ndërkohë që duhet të jemi nëna dhe kujdestare natyrale. Dhe, si për ironi, duhet ta bëjmë gjithë këtë pa u lodhur emocionalisht. Të përmbushësh të gjitha këto pritshmëri shpesh duket e pamundur dhe përpjekja për të qenë perfekte zakonisht kthehet kundër nesh.

Ndoshta kjo është arsyeja pse gratë mbi 60 vjeç raportojnë më shumë lumturi: sepse kanë mësuar disa mësime thelbësore të jetës.

Po t’i kishim mësuar këto më herët, ndoshta do t’i kishim hequr vetes shumë barrë të panevojshme. Do të ndalonim së përpjekuri kaq shumë për t’u pëlqyer të tjerëve dhe do të përqendroheshim në ndërtimin e një jete që na shpërblen vërtet.

Ja 12 mësime që shumica e grave i mësojnë shumë vonë:

1. Nuk je e detyruar të tolerosh mungesën e respektit

Të gjithave na ka ndodhur të nënvlerësohemi ose të trajtohemi pa respekt. Ndonjëherë njerëzit janë vërtet toksikë, por shumë herë, mungesa e respektit vjen sepse ne nuk kemi vendosur standarde të mjaftueshme.

Mësimi është ky: ti vendos kufijtë. Nëse dikush të trajton keq, thuaje qartë që meriton më shumë. Nëse nuk ndryshon, largohu. Përndryshe, mungesa e respektit vetëm sa do të përsëritet.

12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë

2. Qëndrimi yt është gjithçka

Të gjithë kemi ditë të këqija. Është njerëzore. Por të ngecësh në negativitet, mund t’i japë një ngjyrë të errët gjithë jetës tënde.

Studimet tregojnë se ndryshimi i mënyrës së të menduarit rrit motivimin, suksesin dhe cilësinë e jetës. Nuk do të thotë të shtirësh lumturinë, por të zgjedhësh të shikosh të mirën edhe në ditët e vështira.

3. Shëndeti vlen më shumë se pasuria

Një ushqyerje e shëndetshme lidhet jo vetëm me trupin, por edhe me shëndetin mendor. Mungesa e disa vitaminave mund të shkaktojë lodhje, nervozizëm dhe rënie humori.

4. Veprimet flasin më fort se fjalët

Të gjithë mund të premtojnë, por pak njerëz veprojnë. Gratë që e njohin këtë mësim nuk mashtrohen nga fjalët e bukura, ato shikojnë sjelljen. Nuk largohen menjëherë, por nuk presin pafund për dikë që nuk shfaqet kurrë.

12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë

5. “Jo” është përgjigje e plotë

Vendosja e kufijve është thelbësore për një jetë autentike. Megjithatë, shumica e grave kanë shumë vështirësi ta thonë këtë fjalë të vogël. Të thuash “jo” nuk të bën egoiste, por të sinqertë. Dhe gratë që e mësojnë këtë herët, janë dukshëm më të lumtura më vonë.

6. Vlerësimi duhet të vijë nga brenda

Nëse gjithë jetën kërkon miratim nga të tjerët, do të mbetesh e varur prej tyre. Mësimi më i vështirë, por më çlirues: ti je e mjaftueshme. Modelet e vjetra mund të ndryshohen. Fillon kur ndalon së thëni “unë kështu jam” dhe fillon të thuash “mund të jem më e mirë”.

7. Vendos veten të parën pa ndier faj

Nuk mund të jesh aty për të tjerët nëse je bosh për veten. Si maska e oksigjenit në avion: fillimisht ti, pastaj të tjerët.

8. Dështimi të afron më shumë me suksesin

Dështimi nuk është fundi. Me një mendësi rritjeje, çdo gabim shndërrohet në njohuri. Balanca mes pranimit të emocioneve negative dhe mësimit prej tyre është çelësi.

12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë

9. Marrëdhëniet duhet të të fuqizojnë, jo të të zvogëlojnë

Dashuria dhe miqësia e shëndetshme të motivojnë, të frymëzojnë dhe të japin energji. Nëse një lidhje të bën të ndihesh e lodhur, e trishtuar ose e pavlerësuar, është shenjë paralajmëruese për t’iu larguar.

10. Ti je përgjegjëse për suksesin tënd

Mos prit që dikush tjetër të ta ndërtojë jetën. Mrekullitë ndodhin, por zakonisht atëherë kur je duke punuar për to. Gratë më të lumtura janë ato që e dinë mirë këtë mësim.

11. Qëndro besnike ndaj vetes, pa kushte

Mos ndrysho për t’u përshtatur. Bëhu gjithnjë e më shumë vetja. Njerëzit e duhur do të të gjejnë dhe duan pikërisht ashtu siç je.

12. Intuita jote është një udhërrëfyes i fuqishëm

Ndjesia e brendshme ekziston për një arsye. Kur bashkon intuitën me arsyen, merr vendimet më të forta. Mëso ta dallosh zërin e intuitës nga frika dhe praktiko dëgjimin e saj./K.M

12:30 Italia refuzon dërgimin e trupave në Groenlandë, Roma zgjedh rrugën politike dhe koordinimin me NATO-n

By: Klara
16 January 2026 at 12:30

Italia nuk do të marrë pjesë në operacionin ushtarak “Arctic Endurance” në Groenlandë, të propozuar nga Danimarka dhe i mbështetur nga disa vende evropiane si përgjigje ndaj ambicieve amerikane të ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi është konfirmuar në mënyrë të qartë nga qeveria italiane, me mbështetjen e kryeministres Giorgia Meloni, e cila aktualisht ndodhet në Japoni. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë një deklarate në Senat, ironizoi idenë e një pranie të shpërndarë ushtarake në Arktik: “Çfarë po bëjnë njëqind, dyqind apo treqind ushtarë të çdo kombësie në Groenlandë? Tingëllon si fillimi i një shakaje. Nuk është një garë për të dërguar ushtarë nëpër botë. Qasja jonë është racionale. Ne i kemi kërkuar NATO-s të koordinohet. Duhet të bashkohemi, jo të përçahemi.”

Qëndrimi i Romës u përforcua edhe nga një takim rreth një orë e gjysmë i zhvilluar në Farnesina, mes ministrit të Jashtëm Antonio Tajani dhe ambasadorëve italianë në Danimarkë, NATO dhe Bruksel. Nga çdo këndvështrim, mesazhi mbetet i pandryshuar: asnjë trupë italiane në Groenlandë.

Për Ministrinë e Jashtme italiane, iniciativa e Trump përfaqëson ende “një kërcënim” dhe ekziston ndërgjegjësimi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpara me qëndrimin e tyre. Megjithatë, Italia këmbëngul se zgjidhja duhet të jetë politike, në një përpjekje të vështirë balancimi mes Evropës, NATO-s dhe SHBA-ve, të cilat mbeten partneri kryesor i Aleancës Atlantike.

Sot, më 16 janar, Crosetto dhe Tajani, së bashku me ministren e Universitetit Anna Maria Bernini, pritet të prezantojnë në Villa Madama dokumentin strategjik mbi angazhimin e Italisë në Arktik. Parashikohet edhe një videomesazh nga kryeministrja Meloni, e cila do të theksojë “rëndësinë strategjike” të rajonit.

Sipas dokumentit 52-faqësh të shqyrtuar nga Corriere della Sera, Italia, ndonëse nuk është një shtet arktik, e konsideron stabilitetin e rajonit si thelbësor për sigurinë evropiane dhe euroatlantike. Strategjia italiane parashikon kontribut jo-ushtarak, përfshirë ekspertizë në sigurinë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe bashkëpunim në sistemet satelitore për mbikëqyrje detare, monitorim mjedisor dhe kontroll të rrugëve detare në Arktik.

Dokumenti nënvizon mbështetjen për sovranitetin e Groenlandës dhe Danimarkës, por edhe shqetësimin për praninë dhe manovrat ruse dhe kineze në rajon. Në këtë kuadër, Italia mbështet “një përgjigje të fortë, por të përgjegjshme euroatlantike”, të bazuar në parandalim, bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në një kontekst të ndërlikuar diplomatik, kryeministrja Meloni përballet me një axhendë të ngjeshur ndërkombëtare: nga pjesëmarrja e pritshme në nisma të reja diplomatike të promovuara nga Trump, deri te samiti ndërqeveritar Itali–Gjermani në Romë më 23 janar, me kancelarin Friedrich Merz, i cili është shprehur i gatshëm për dërgimin e trupave në Groenlandë./K.M

12:20 Frikë e panik në qendrën tregtare në Hong Kong/ Tentoi të godiste me thikë një grua, policia neutralizon autorin

By: Klara
16 January 2026 at 12:20

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Hong Kong. Pamjet tragjike kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa shihet momenti kur policia ndërhyn për të neutralizuar një person i cili tentoi të godiste me thikë një grua.

Frika dhe paniku përfshi qytetarët që ndodheshin në qendrën tregtare në Hong Kong të cilën tentuan menjëherë të largohen./KM

12:10 A bëheni edhe ju nostalgjikë me filmin Monte Carlo?

By: Klara
16 January 2026 at 12:10

Në vitin 2011, komedia romantike “Monte Carlo” u kthye në fenomenin e Hollywood-it, por edhe në një nga filmat më të dashur për shikuesit në të gjithë botën. Selena Gomez, Leighton Meester dhe Katie Cassidy ishin pjesë e kastit kryesor, duke kontribuar edhe në suksesin e filmit.

“Monte Carlo” sjell historinë e tre shoqeve amerikane që shkojnë për pushime në Paris. Një ngatërresë e papritur identitetesh me një trashëgimtare të pasur, i çon në një aventurë të veçantë në “Hotel de Paris”, hotelin e famshëm në Monte Carlo.

Filmi ndihet si një arratisje vere dhe shfaq bukur elegancën e Rivierës Franceze nëpërmjet notave të romancës, modës dhe pamjeve luksoze. “Monte Carlo” është filmi që ju shkëput nga monotonia e përditshmërisë dhe ju çon për dy, në një botë më të ndritshme.

Pamjet nga Parisi apo Monaco shërbejnë jo vetëm si sfond, por edhe si pjesë aktive e rrëfimit, duke krijuar ndjesinë e të qenit brenda një “arratisjeje” që i përngjan një përralle moderne. Prandaj njerëzit e kanë përqafuar atëherë dhe me të njëjtën dashuri i rikthehen sot.

“Monte Carlo” çel portën e imagjinatës se jeta mund të ndryshoj brenda një nate. Mes porteve të jahteve, dhomave të “Hotel de Paris” dhe seteve të Bvlgari-t me varësen ikonike blu që shkëlqen teksa Selena Gomez e vendos në personazhin e Cordelia-s, ky është filmi që i afrohet ëndrrave./KM

11:00 Ndërprerje e rrjetit hekurudhor në Tokio për shkak të zjarrit në transformator, probleme për 673 mijë pasagjerë

By: Klara
16 January 2026 at 11:00

Një ndërprerje e energjisë elektrike në rrjetin hekurudhor të Tokios këtë mëngjes ndërpreu udhëtimin e gati 673,000 pasagjerëve, pasi dy linja kryesore, Yamanote dhe Keihin-Tohoku, që shërbejnë disa nga stacionet më të ngarkuara në botë, u pezulluan.

JR East, kompania më e madhe hekurudhore e Japonisë, tha se pamundësia për të rivendosur energjinë elektrike gjatë mirëmbajtjes gjatë natës në stacionin Tamachi të Tokios kishte rezultuar në mungesë të energjisë elektrike sot për të dyja linjat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se u pa tym që vinte nga një transformator pranë stacionit. Pasagjerët zbritën nga një tren Keihin-Tohoku që ishte ndaluar midis stacioneve dhe ecën përgjatë shinave për t’u evakuuar me ndihmën e zjarrfikësve dhe stafit të hekurudhës. Një zjarr u raportua në shinat pranë Stacionit Tamachi, ku takohen dy linjat, pak para orës 8 të mëngjesit, raportoi transmetuesi publik NHK. Zjarri në transformator u shua rreth 30 minuta më vonë, tha i njëjti burim.

Linja Yamanote shërben stacione të tilla si Shinjuku, e cila pret rreth 3.5 milionë pasagjerë çdo ditë, ndërsa Linja Keihin-Tohoku lidh qendra të mëdha si Tokio dhe Yokohama./K.M

10:50 Apeli i GJKKO rrëzon Argita dhe Jamarbër Malltezi, lë në fuqi sekuestron e pasurive

By: Klara
16 January 2026 at 10:50

Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Argita dhe Jamarbër Malltezi për heqjen e sekuestros së pasurive. Në këtë mënyrë Apeli I GJKKO ka lënë në fuqi vendimin.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 16.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13, datë 07.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.M. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 662 akti, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për heqjen e sekuestros preventive”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 662 Akti, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pasuritë janë sekuestruar në kuadër të hetimeve për aferën “Partizani”./K.M

10:40 Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe/ Ina Zhupa: Mungesë profesionalizmi. Akademia e Shkencave do të thirret në dëgjesë!

By: Klara
16 January 2026 at 10:40

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësime të forta ndaj draftit të ri të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të hartuar nga Akademia e Shkencave, duke e cilësuar atë si problematik në disa nivele dhe larg standardeve shkencore.

Sipas saj, fjalori, si akt kulturor dhe kombëtar i financuar me fonde publike, duhet të reflektojë seriozitet, përgjegjësi dhe zhvillimin bashkëkohor të shoqërisë, gjë që në këtë rast mungon.

Zhupa rendit disa shembuj konkretë që, sipas saj, dëshmojnë punë jo cilësore: futjen e fjalëve të huaja si “abandonim” dhe “onlajn” pa nevojë reale gjuhësore, si dhe përkufizime thellësisht diskriminuese për fjalët “djalë” dhe “vajzë”, ku vajza paraqitet me nota negative dhe paragjykuese.

Ajo thekson se kjo qasje nuk është vetëm e papranueshme shkencërisht, por edhe e rrezikshme shoqërisht, pasi normalizon një mentalitet maskilist përmes një dokumenti normativ të gjuhës.

 

Në këtë kuadër, Zhupa paralajmëron se do të kërkojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Kulturës, ku Akademia e Shkencave të japë shpjegime të hapura mbi procesin e hartimit të fjalorit, grupet e punës dhe kriteret shkencore të përdorura. Ajo nënvizon se kjo çështje nuk do të trajtohet politikisht, por si një interes publik dhe kombëtar, duke kërkuar një diskutim serioz për një nga shtyllat kryesore të identitetit shqiptar: gjuhën./K.M

foto galeri

10:30 Niveli i ujit në rënie/ Si paraqitet situata nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës

By: Klara
16 January 2026 at 10:30

Prefektura e Shkodrës ka dhënë informacione lidhur me situatën e përmbytjeve në këtë qark. Në zonën e Dajçit në Bashkinë e Shkodrës, ka rënie të nivelit të ujit. Edhe në aksin rrugor të Obotit ka rënie të ujit ndonëse vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm.

Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Raportohet gjithashtu se qarkullimi në akset Qafë Mali-Fierzë dhe K/Hadroj- Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë për shkak të dëborës.

Njoftimi i plotë:

Situata në territorin e Qarkut Shkodër, sot më datë 16.01.2026, paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim gradual.

Në territorin e Bashkisë Shkodër, në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prezencë uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme. Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Kontraktorët e Mirëmbajtjes Rrugore

• Qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

• Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën./K.M

10:20 Yll Limani merr një vendim të rëndësishëm për 2026-ën: Disa këngë nuk janë bërë për klube

By: Klara
16 January 2026 at 10:20

Yll Limani ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij. Këngëtari bën me dije përmes një njoftimi në rrjetet sociale se gjatë vitit 2026 nuk do të performojë në klubet e natës.

Ylli shkruan se ajo hapësirë e ka bërë të përjetojë kujtime dhe e ka fuqizuar muzikën e tij, por disa këngë kërkojnë tjetër fokus. Ai thotë se është momenti për përgatitjen e një takimi ndryshe që do të ndodhë së shpejti.

“Për shumë vjet, jemi takuar pothuajse çdo fundjavë në klube të ndryshme, kudo ku ka pasur njerëz që e duan muzikën time. Prania juaj, energjia, afërsia dhe dashuria që më keni dhënë, ma gëzojnë zemrën dhe jam pafundësisht falënderues. Tani, kam vendosur të ndalem pak. Në vitin 2026 nuk do të mbaj performanca në klube. Jo sepse po largohem nga muzika apo sepse klubet nuk janë pjesë e rëndësishme e historisë sime; klubet janë vendi ku muzika ime është rritur, ku kam kënduar bashkë me ju dhe ku kam kujtime të paharrueshme. Disa këngë nuk janë bërë për klube. Disa momente kërkojnë një hapësirë tjetër për t’u ndier ashtu siç duhet. Disa gjëra në jetë kërkojnë kohë. Fokus. Një frymëmarrje tjetër. Ky është thjesht një vendim për të krijuar hapësirë për diçka më të madhe. Për t’u përgatitur. Për t’u takuar ndryshe. Faleminderit për çdo natë që e kemi ndarë bashkë deri sot. Shihemi shumë shpejt, ashtu siç ju pëlqen. Ju dua”, përmbyll artisti./K.M

10:10 Shkencëtarët zbulojnë trupa të mumifikuar gepardi në shpella në Arabinë Saudite

By: Klara
16 January 2026 at 10:10

Shkencëtarët kanë bërë një zbulim të pabesueshëm në Arabinë Saudite. Janë gjetur gepardë të mumifikuar që varionin nga 130 deri në mbi 1,800 vjeç, brenda shpellave.

Studiuesit gërmuan dhe gjetën shtatë kufoma të tëra së bashku me kockat e 54 gepardëve të tjerë në një vend pranë qytetit të Arar.

Procesi i mumifikimit parandalon dekompozimin e një kufome, duke e mbajtur trupin praktikisht të paprekur.

Ndërsa mumjet egjiptiane janë ndoshta më të famshmet, për shkak të ritualeve të lashta, procesi mund të ndodhë edhe natyrshëm në vende si akullnajat, shkretëtirat dhe kënetat./K.M

10:00 Sekuestrohet kokainë me vlerë rreth 20 milionë euro në Itali/ Në pranga dy shqiptarë

By: Klara
16 January 2026 at 10:00

Mbi 160 kilogramë kokainë të fshehur brenda një kamioni, janë sekuestruar në kuadër të një operacioni policor masiv nga Guardia di Finanza midis provincave të Bergamos dhe Brescias. Operacioni u finalizua me arrestimin e dy shtetasve shqiptarë dhe sekuestrimin e sasisë së drogës që nëse shitej në treg, mund të arrinte një vlerë prej afërsisht 20 milionë eurosh.

Në kuadër të operacionit u kryen një sërë kontrollesh në zonat kryesore industriale të dy provincave, zona të konsideruara strategjike për trafikimin e paligjshëm të narkotikëve. Zyrtarët e financave nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare të Brescias vunë re aktivitet të dyshimtë rreth një kamioni me rimorkio të ndaluar në një komunë në zonën e Bergamos.

Sipas raportimeve, shoferi i kamionit, i cili vepronte në mënyrë të dyshimtë, hipi në rimorkio pak para se një makinë të ndalonte pranë kamionit. Pikërisht kur shoferi po i dorëzonte shtatë çanta të mëdha shoferit të makinës, Guardia di Finanza nisi të kontrollonte automjetin.

Brenda çantave u gjetën 150 blloqe kokaine, me një peshë totale prej më shumë se 160 kilogramësh. Dy burrat e përfshirë, të dy me origjinë shqiptare, u arrestuan dhe u transferuan në burgun e Bergamos. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar çdo lidhje të mundshme me organizata më të mëdha kriminale. /K.M

09:50 Komentuesit u tallën me martesën e tij të tretë, Blero s’e kursen përgjigjen!

By: Klara
16 January 2026 at 09:50

Natën e 12 janarit, në rrjet nisën të qarkullonin pamjet nga dasma e Bleros me partneren e tij, Eronita. Çifti i dha fund beqarisë në një event me shumë të ftuar, por komentet s’kanë munguar.

Për Bleron kjo është martesa e tretë pas asaj me Teuta Krasniqin, me të cilën ka vajzën, Tarën që nuk mungoi në dasmë dhe me Afrona Dikën.

Ndryshe prej tyre, bashkëshortja e tij nuk është figurë publike dhe pak dihet për të. Megjithatë, rrjeti reagoi përmes komenteve duke thënë “uroj të jetë torta e fundit”, “si nuk përton të martohesh”, “nuk paska punë tjetër veç të martohet e ndahet” etj.

Blero ua ka kthyer përgjigjen përmes një postimi.

“A ju duket sikur më… gëzuar për dashurinë!”, shkruan ai në një foto nga dasma ku shfaqet duke kërcyer./K.M

09:40 “Heshtja e Kremlinit”/ Reagim i zbehtë nga Moska për ngjarjet në Iran dhe Venezuelë

By: Klara
16 January 2026 at 09:40

Ishte takimi i parë publik i presidentin rus, Vladimir Putin, pas Vitit të Ri. Bastisjet e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë – një aleate e ngushtë e Moskës – dhe kapja e presidentit të saj një javë më parë nuk ishin në rend dite, të paktën jo publikisht.

Po ashtu nuk u përmendën as protestat që po përshkallëzohen dhe po e tronditin Iranin – një tjetër aleat i rëndësishëm i Moskës. As Kuba, Qeveria e së cilës është nën presion për shkak të krizës në Venezuelë, nuk u diskutua.

Agjenda e takimit publik të Putinit më 12 janar – me një zëvendëskryeministër teknokrat – ishte për prodhimin industrial rus, së bashku me programin hapësinor rus, tashmë të vjetruar.

Dikush ka mundur të mendojë se një sërë aleatësh që po destabilizohen ose po shemben do ta shtynin Moskën të kishte një reagim më të fortë. Kremlini i ka kultivuar këto raporte për vite të tëra, në mos dekada, pjesërisht për arsye ekonomike dhe ushtarake, e pjesërisht për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara.

Për vite me radhë ajo ka kundërshtuar po ashtu të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra” – protesta antiqeveritare për të cilat Moska pretendon se janë thjesht përpjekje të orkestruara nga SHBA-ja për të minuar qeveritë miqësore ndaj Rusisë.

Por, deklaratat jo fort të zëshme nga zyrtarët rusë – për të mos përmendur heshtjen e Putinit – lidhur me ngjarjet në Venezuelë dhe Iran kanë befasuar vëzhguesit që përcjellin Rusinë.

“Rusët duhet të thonë diçka për këto çështje dhe kështu [Ministria e Jashtme] do të dalë me gjuhën e pritshme dhe kritikat e zakonshme, por në përgjithësi sistemi rus nuk dëshiron ta kritikojë Shtetet e Bashkuara tepër hapur, prandaj kemi një heshtje të plotë nga Kremlini dhe nga Putini”, tha Hanna Notte, drejtoreshë e Programit për Mospërhapjen e Armëve në Euroazi në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes së Armëve.

“Kjo administratë amerikane që vepron me pandëshkueshmëri në mënyrë mjaft efektive, duke ndjekur interesat e saj, përfshirë edhe me mjete ushtarake, dhe duke mos pasur pasoja, e bën Rusinë të duket e dobët”, tha Notte. “Mendoj se Rusia në të vërtetë nuk mund të bëjë shumë për të ndryshuar kursin e veprimit të SHBA-së apo për ta frenuar atë. Dhe, në një situatë të tillë: çfarë do të thotë Vladimir Putini? Prandaj ai nuk thotë asgjë”.

“Nuk do të thosha se ata po heshtin”, u shpreh Nicole Grajewski, eksperte për Lindjen e Mesme dhe profesoreshë në Sciences Po, në Universitetin e Parisit. “Do të thosha se ndoshta, thjesht nuk po shohim se çfarë po bëjnë ata prapa skenës, veçanërisht në Iran”.

Ruslan Suleymanov, ish-gazetar dhe ekspert për Lindjen e Mesme, theksoi se mungesa e dënimeve të ashpra – sa i përket Iranit, Venezuelës apo edhe diktatorit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad – po ashtu pasqyron prioritetin kryesor që Moska ka aktualisht: Ukrainën.

“Qartësisht, Kremlini është i zënë me probleme krejtësisht tjera tani”, tha për Current Time, Ruslan Suleymanov, nga Qendra për Strategji të Reja Euroaziatike, me seli në Gjermani.

“Për Putinin, kapja edhe e një fshati tjetër në Ukrainë është shumë më e rëndësishme sesa shpëtimi i regjimit të Assadit, siç e kemi parë, apo i Maduros në Venezuelë, ose edhe më shumë se kaq, i ajatollah Ali Khameneit në Iran”.

“Kategorikisht e papranueshme”

Në të kaluarën, kur ndodhte një ngjarje e madhe gjeopolitike – një sulm ushtarak, protesta destabilizuese antiqeveritare apo një zgjedhje e kontestuar – dhe Uashingtoni ishte i përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi, zyrtarët rusë reagonin shpejt, duke bërë thirrje për përmbajtje ose duke u kërkuar vendeve të huaja – pra, SHBA-së – të mos ndërhynin.

Fjalimi, tashmë i famshëm, i Putinit në Munih në vitin 2007, ku ai sulmoi politikën e jashtme amerikane, ishte karakteristik: “Një shtet – Shtetet e Bashkuara – i ka tejkaluar kufijtë e tij kombëtarë në çdo sferë”.

Që nga rikthimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit të kaluar, Kremlini e ka zbutur kritikën e tij të ashpër ndaj Uashingtonit, dhe duke e drejtuar vëmendjen nga Evropa dhe NATO-ja, veçmas sa i përket luftës në Ukrainë.

Pasi forcat speciale amerikane ndërhynë në Karakas më 3 janar, duke vrarë dhjetëra roje, duke kapur Nicolas Maduron dhe bashkëshorten e tij dhe duke i dërguar me nxitim në një anije luftarake amerikane që po i priste, Ministria e Jashtme e Rusisë e quajti këtë “një akt agresioni të armatosur… që ngjall shqetësim të thellë dhe kërkon dënim”.

Kur forcat amerikane sekuestruan një cisternë nafte më 7 janar, e cila ishte nisur disa javë më parë nga ujërat pranë Venezuelës – duke pretenduar se po lundronte nën flamurin rus – reagimi i parë i Moskës erdhi nga Ministria e Transportit, përmes një postimi, me përmbajtje juridike, në Telegram, i cili më pas u rishpërnda nga Ministria e Jashtme.

Kur dy shtetas rusë, që ishin ndaluar në anije u liruan nga autoritetet amerikane, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme që njihet për gjuhë të ashpër, Maria Zakharova, e falënderoi personalisht presidentin Donald Trump.

Në Iran, ku protestat antiqeveritare janë përshkallëzuar që nga shpërthimi i demonstratave më 28 dhjetor, deklaratat publike ruse kanë qenë të kufizuara.

Më 12 janar, po të njëjtën ditë kur Trump paralajmëroi se Uashingtoni po shqyrtonte “disa opsione shumë të ashpra” kundër Iranit, Sergei Shoigu, kreu i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Ali Larijani.

Shoigu, një njeri i afërt me Putinin që një kohë të gjatë, dënoi “edhe një përpjekje tjetër të forcave të jashtme për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit”.

Një ditë më vonë, Ministria e Jashtme reagoi në mënyrë më tipike, duke thënë se kërcënimet e Shtëpisë së Bardhë ndaj Teheranit ishin “kategorikisht të papranueshme”.

Zakharova gjithashtu i përshkroi protestat iraniane si një “revolucion me ngjyra”- një tregues se Moska beson që protestat janë nxitur nga forca të jashtme, të paspecifikuara.

“Irani është shumë më i rëndësishëm për Rusinë sesa ishte Venezuela”

Sa i përket Kremlinit, megjithatë, nuk ka pasur asgjë tjetër përveç heshtjes për ngjarjet e fundit.

Takimi i Putinit më 12 janar me zëvendëskryeministrin Denis Manturov ishte kryesisht teknik dhe ekonomik. Nuk u përmendën trazirat e jashtme.

Në një tjetër takim publik, të mbajtur më 14 janar, Putini diskutoi për sigurinë rrugore me një tjetër zëvendëskryeministër dhe e përgëzoi për “arritjet në industrinë e ndërtimit në vitin 2025”.

Pjesërisht, mungesa e bujës mund të shpjegohet se ato përkuan me festat ruse. Dy javët e para të janarit zakonisht janë një periudhë e qetë në Rusi, për shkak të Vitit të Ri dhe Krishtlindjes Ortodokse.

Pushtimi i Ukrainës, i cili po i afrohet përvjetorit të katërt, është po ashtu një prioritet që konsumon të gjitha burimet për Kremlinin. Konflikti ka kufizuar gjithashtu aftësinë e Moskës në mënyra të tjera, duke bërë që të shfrytëzojë burimet njerëzore dhe armatimet dhe duke tronditur ekonominë ruse.

“Nuk ka asnjë arsye që rusët të përqendrohen tepër në këto çështje”, tha Sergey Radchenko, historian dhe profesor në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins. “Nëse gjërat shkojnë keq, ata nuk mund të bëjnë shumë për ta. Prandaj, ata thjesht ofruan mendime dhe lutje sa u përket sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe qëndruan të heshtur për Venezuelën”.

Si Notte, Radchenko argumentoi se Kremlini po përpiqet ta ketë mirë me administratën e Trumpit.

“Nuk ekziston më një botë revolucionare, dhe Kremlini është shumë larg nga pretendimi që të ketë një rol udhëheqës aty”, tha Radchenko. “Prandaj, ata mund ta trajtojnë në mënyrë pragmatike këtë çështje, duke e kuptuar se krijimi i kaosit nuk u sjell asnjë dobi dhe mund të minojë diplomacinë e Rusisë ndaj SHBA-së sa i përket konfliktit në Ukrainë”.

Mungesa e retorikës së ashpër përputhet me një model që daton nga dhjetori i vitit 2024, kur një tjetër aleat i Rusisë – Assadi i Sirisë – u rrëzua papritur nga pushteti, duke e privuar Moskën nga një partner i madh në Lindjen e Mesme, ku ajo kishte ndërhyrë për ta mbajtur në pushtet një dekadë më parë.

Me Venezuelën që është në pjesën tjetër të botës, aftësia e Moskës për të ndikuar te ngjarjet është më e kufizuar.

Nëse veprimet e SHBA-së në Venezuelë çojnë në rrëzimin e Qeverisë komuniste në Kubë – lidhet e të cilës me Moskën datojnë që nga vitet ’60 – një gjë e tillë do të ishte gjithashtu problematike. Por, sipas ekspertëve, Rusia me gjasë nuk do të mund të përgjigjej as në një rast të tillë.

Megjithatë, me Iranin, që Rusia ndan kufi detar, situata është potencialisht më urgjente, tha Grajewski.

“Nëse Irani bie, për Rusinë nuk do të ishte vetëm poshtërim, por ndoshta edhe vendi i fundit autoritar që ka aleancë me ta… përveç Koresë së Veriut”, shtoi ajo.

“Irani është shumë më i rëndësishëm për Rusinë sesa ishte Venezuela”, tha Grajewski. “Prandaj, rusët kanë interes të madh që regjimi të mbijetojë”. /K.M

08:50 Përmbytjet/ Si paraqitet situata në qarkun e Korçës

By: Klara
16 January 2026 at 08:50

Last Updated on 16/01/2026 by Klara

Prefektura e Korçës ka dhënë detaje lidhur me situatën e përmbytjeve në qarkun e Korçës. Sipas informacioneve nga OSHEE ka ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në fiderin Frigorifer NST/Gjanç, ku aktualisht janë pa energji 2 abonentë ruralë.

Bëhet me dije se ekipet teknike po punojnë për riparimin e defektit. Në akset rrugore nuk raportohen problematika dhe qarkullimi vijon pa problem. Në aksin Qafë Plloçë – Qukës po punohet për pastrimin e materialeve inerte.

Në argjinaturën e lumit Devoll vijon puna për forcimin e çarjes.

Njoftimi i plotë:

Prefektura e Qarkut Korçë

Nga strukturat përgjegjëse raportohet se:

OSHEE

Raportohet ndërprerje e pjesshme e energjisë elektrike në fiderin Frigorifer NST/Gjanç, ku aktualisht janë pa energji 2 abonentë ruralë, Kabina Krushovë.

Ekipet teknike janë në gadishmëri dhe po punojnë për riparimin e defektit.

Të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje pune.

ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje

Nuk raportohen problematika. Qarkullimi rrugor vijon normalisht.

Vijon puna në aksin Qafë Plloçë – Qukës për pastrimin e materialeve inerte.

Njësitë Vendore (Bashkitë)

Nuk raportohen problematika të reja.

Vijon puna për neutralizimin e plotë të pikave të konstatuara më parë.

Në argjinaturën e lumit Devoll, Bashkia Maliq vijon punën për forcimin e çarjes.

Bashkia Pogradec

Vijon puna për pastrimin e rrugës që lidh fshatrat Osnat, Niçë, Lekas dhe Dërdushë.

Prefektura e Qarkut Korçë do të vijojë të informojë në kohë reale për çdo përditësim të mëtejshëm./K.M

08:40 “Çdo vit kostoja për taksapaguesit rritet”/ Inceneratori i Tiranës merr 1,4 miliardë lekë më 2025, totali arrin në 92 milionë euro

By: Klara
16 January 2026 at 08:40

Në vitin 2025, Integrated Energy BV SPV, kompania që mban kontratën PPP të inceneratorit të Tiranës rezulton financiarisht aktive me rreth 1,4 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, sipas Open Data, ndërkohë që totali i fondeve publike të transferuara deri më tani ka arritur në 9,1 miliardë lekë rreth 92 milionë euro.

Fondet janë alokuar teksa objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë pohuar Monitor më parë se, pagesat kryhen mbi bazën e faktit se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë ligjërisht në fuqi. Në këto kushte, ministria argumenton se ka detyrim të zbatojë kontratën dhe të kryejë pagesat e parashikuara, pavarësisht se objekti i saj nuk është realizuar.

Pagesat nuk lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e inceneratorit, por me ofrimin e asaj që në kontratë quhet “shërbim i integruar i menaxhimit të mbetjeve”.

Kontrata për ndërtimin e inceneratorit është reduktuar në depozitim të mbetjeve në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë që përbën thelbin e projektit me PPP.

Megjithatë, kontrata është hartuar në mënyrë të tillë që shteti paguan një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kjo do të thotë se kompania përfiton fonde publike edhe në mungesë të impiantit, mjafton të deklarojë se është në “gatishmëri” për ofrimin e shërbimit.

Në terma të menaxhimit të financave publike, kjo bie ndesh me parimin bazë të eficiencës dhe të pagesës kundrejt rezultatit. Rreziku i projektit, që në një PPP normale duhet të mbahet kryesisht nga privati, është transferuar pothuajse plotësisht te shteti.

Çdo vit që kalon pa ndërprerje ose rinegocim të kontratës, kostoja për taksapaguesit rritet, pa asnjë përmirësim në trajtimin e mbetjeve urbane.

Aktualisht kompania e inceneratorit të Tiranë është në sekuestro administrohet nga Agjencia për administrimin e Pasurive të Sekuestruara.

Në këtë fazë Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk është pronare e pasurive që administron. Ajo vepron si kujdestare e përkohshme për pasuri që janë nën sekuestro preventive, pra për pasuri që ende nuk janë konfiskuar me vendim të formës së prerë.

Kjo do të thotë se, ligjërisht, shteti nuk i konsideron këto pasuri si të vetat, por thjesht si asete që duhet të ruhen dhe të mos humbasin vlerë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Në këtë kuadër aktiviteti ekonomik i Integrated lejohet të vazhdojë dhe të ardhurat që krijohen nuk trajtohen si të ardhura buxhetore. Ato regjistrohen në llogaritë e vetë shoqërisë së sekuestruar dhe përdoren për shpenzime operative, paga, detyrime kontraktore ose mbahen të bllokuara financiarisht në pritje të një vendimi përfundimtar. /Monitor/K.M

08:30 Von der Leyen: BE po shqyrton forcimin e sanksioneve kundër Iranit

By: Klara
16 January 2026 at 08:30

Bashkimi Evropian (BE) nuk e përjashton mundësinë e ashpërsimit të mëtejshëm të sanksioneve kundër Teheranit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e bëri këtë deklaratë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin qipriot Nikos Christodoulides, i cili mori pjesë në një takim dy-ditor të komisionerëve të BE-së që filloi të enjten në Qipro.

E pyetur nëse priste që SHBA-të dhe Izraeli të ndërhynin ushtarakisht në Iran, von der Leyen tha: “Nuk mund të komentoj për veprimet e vendeve të tjera – kjo është puna e tyre. Por ne po shqyrtojmë shtrëngimin e sanksioneve kundër Iranit.”

Sipas kreut të Komisionit Evropian, pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare në Iran i kanë bërë thirrje autoriteteve të Bashkimit Evropian që të shtojnë individë të tjerë nga vendi i tyre në listën e sanksioneve. Ajo tha gjithashtu se e kupton shumë mirë se çfarë po ndodh në Iran dhe premtoi të përmbushë kërkesat e protestuesve. “Po, ne do ta bëjmë”, tha von der Leyen.

Kujtojmë se trazirat në Iran filluan më 29 dhjetor pas protestave në rrugë që filluan me rënien e ndjeshme të rialit iranian dhe u përhapën në shumicën e qyteteve të mëdha. Autoritetet raportuan vdekjen e rreth 40 oficerëve të zbatimit të ligjit. Sipas Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi, terroristë të armatosur janë shfaqur midis demonstruesve që nga 8 janari. Autoritetet iraniane kanë akuzuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për organizimin e trazirave. Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka paralajmëruar më parë se po e shqyrton seriozisht përdorimin e forcës kundër Republikës Islamike./K.M

08:20 Kursi i këmbimit valutor, 16 janar 2026

By: Klara
16 January 2026 at 08:20

Këtë të premte, një dollar amerikan do të blihet me 82.7 lekë dhe shitet me 83.7 lekë.

Euro blihet me 96.2 lekë dhe do të shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane blihet me 102.9 lekë dhe shitet me 104 lekë.

Paundi britanik blihet me 110.6 lekë dhe shitet me 111.6 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje./K.M

Kursi i këmbimit, e premte, 16 janar 2026

08:10 INSTAT: Kërkesat për azil nga shqiptarët në BE rriten sërish në tetor, niveli më i lartë nga janari

By: Klara
16 January 2026 at 08:10

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pasi kishin qene në rënie gjatë periudhës së verës.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, që është niveli më i lartë që nga muaji janar. Në gusht numri i kërkesave ishte rënë në 315.

Pavarësisht rritjes së tetorit, për 10 mujorin 2025, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare kanë qenë në rënie. Për periudhën janar-tetor ishin gjithsej 4345 persona që kërkuan azil, me një rënie prej 29.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raport me vitin 2022, kur u shënua një kulm i ri emigracioni, pas pandemisë, me 11 mijë aplikime për 10 mujorin, tashmë ato mëse janë përgjysmuar. Franca vijon të mbetet vendi më i preferuar për të kërkuar azil për shkak të politika sociale, e ndjekur nga Gjermania.

Ndërsa kërkesat për azil për 10 mujorin janë në rënie, të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se forma më e preferuar për të ikur janë lejet e punës. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

Numri i atyre që po ikin me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ata që kërkojnë të largohen përmes azilit. Të dhënat e tjera të Eurostat bëjnë të ditur se në vitin 2022 kishte 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në 2023 numri i tyre zbriti në 11 mijë dhe në 2024-n ishte 9.3 mijë.

Europa

Në tetor 2025, 62 010 aplikantë për herë të parë për azil (shtetas jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian, duke shënuar një rënie prej 28% krahasuar me tetorin 2024 (86 470) dhe një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2025 (58 495).

Ndërkohë, u regjistruan edhe 14 495 aplikantë të përsëritur, që përfaqësojnë një rritje prej 80% krahasuar me tetorin 2024 (8 075) dhe një ulje prej 10% krahasuar me shtatorin 2025 (16 185).

Grupi më i madh i azilkërkuesve nga Venezuela

Në tetor 2025, venezuelianët ishin grupi më i madh i personave që kërkuan azil (8 140 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga afganët (5 920), bangladeshasit (3 400) dhe sirianët (2 915).

Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania morën 74% të aplikantëve për herë të parë

Spanja (12 885), Italia (12 650), Franca (11 245) dhe Gjermania (8 815) regjistruan numrin më të lartë të aplikantëve për azil për herë të parë, duke përfaqësuar 74% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE.

Në tetor 2025, kishte 13,8 aplikantë për herë të parë për azil për çdo 100 mijë banorë në BE. Krahasuar me popullsinë e secilit vend të BE-së (më 1 janar 2025), normat më të larta të aplikantëve për herë të parë u regjistruan në Greqi (58,1), e ndjekur nga Qiproja (33,9) dhe Spanja (26,3).

1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil

Në tetor 2025, gjithsej 1 710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil në BE. Numri më i lartë i të miturve të pashoqëruar vinte nga Somalia (245), Egjipti (215), Eritrea (200), Afganistani (190) dhe Venezuela (180).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215).

Vendet e Bashkimit Europian që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215)./Monitor/K.M

08:00 Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh programit të vlerësimit të sektorit financiar

By: Klara
16 January 2026 at 08:00

Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Anke Weber, shefe e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, u shpreh në një intervistë për “Monitor” se vlerësimi do të kryhet gjatë vitit 2026 dhe do analizojë në mënyrë të thelluar qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj goditjeve, do të identifikojë cenueshmëritë e fshehura dhe do të vlerësojë efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, duke siguruar që sistemi financiar i Shqipërisë të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.

Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i themeluar në vitin 1999, është një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i thelluar i sektorit financiar të një vendi.

Në ekonomitë e zhvilluara, FSAP kryhet nga FMN-ja, me fokus në vlerësimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, cilësinë e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, si dhe kapacitetin për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat financiare.

Në ekonomitë në zhvillim, FSAP kryhet së bashku me Bankën Botërore.

Bazuar në gjetjet e tyre, programet FSAP prodhojnë rekomandime me natyrë mikro dhe makroprudenciale dhe rekomandime mbi nevojat e zhvillimit, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit.

Programi FSAP vjen në një moment kur Shqipëria ka avancuar më tej në procesin e integrimit europian. Në veçanti, vitet në vazhdim do të jenë të rëndësishme për përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Europian.

Në fund të vitit të kaluar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se në periudhën 2026-2027, kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me atë të Bashkimit Europian. Guvernatori tha se, në këtë proces, është i domosdoshëm mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i industrisë bankare, në mënyrë që ndryshimet të adoptohen drejt dhe përfitimet të materializohen sa më shpejt.

Ndërkohë, duke iu referuar programit FSAP, Sejko tha se ky vlerësim do të shërbejë si një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit të përgjithshëm ligjor dhe nënligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut për veprimtarinë financiare, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar drejt përmirësimeve të nevojshme.

Rekomandimet e FSAP 2013

Programi i fundit FSAP për Shqipërinë u zhvillua në vitin 2013, ndërsa FMN i publikoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore në fillim të vitit 2014.

Në atë periudhë, sektori financiar në vend ndodhej në rrethana të ndryshme nga sot, veçanërisht nën trysninë e krizës së kredive me probleme./K.M

❌
❌