Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Prokuroria: Denonconi çdo keqpërdorim apo manipulim të votës

28 December 2025 at 08:51


Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vend janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Prokuroria tutje njofton se prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.

Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë. /Telegrafi/

Radoniqi sqaron procesin e votimit me asistencë

28 December 2025 at 07:39


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi votoi sot në Pejë në zgjedhjet nacionale sqaroi edhe mënyrën e votimit me asistencë dhe ata që nuk dinë shkrim dhe lexim.

Ai theksoi se për votim me asistencë çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqes një dokument përkatës që dëshmon se ai nuk ka mundësi të votojë vetë.

“Për votim me asistencë çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqes një dokument përkatës që dëshmon se ai nuk ka mundësi të votojë vetë…për personat që nuk dinë shkrim dhe lexim nuk ka rregulla ligji këtë kategori në 2023 e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. Sa i përket KQZ kemi një procedurë standarde edhe për këta persona, këtyre nuk iu mohohet e drejta e votimit për këtyre personave asistimi nuk mund të bëhet prapa kutisë së votimit asistimi i tyre bëhet vetëm deri tek kutia e votimit", tha ai.

Edhe në Pejë gjithçka gati, hapet qendrat e votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”

28 December 2025 at 07:35


Në qendrën e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, tashmë gjithçka është gati për të nis procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Menaxherja e kësaj qendre të votimit, Mejreme Kolica-Shatri tha se materiali zgjedhor ka arritur me kohë dhe gjithçka është gati për të nisur procesi zgjedhor.

Ajo shtoi se kjo qendër e votimit i ka 5 vendvotime.

“Materiali ka ardhur me kohë, gjithçka është në rregull dhe jemi të gatshëm për të filluar votimi. Këtu kanë të drejtë të votojnë 3945 votues. I pari që do ta hap qendrën e votimit është kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Në këtë shkollë janë 5 vendvotime”, tha ajo.

Drejtoresha e kësaj shkolle tha për KosovaPress se tavolina ndihmëse mungon edhe në këtë proces zgjedhor, por që është rregulluar pjerrina për qasje për personat me nevoja të veçanta.

“Tavolina ndihmëse është prapë në mungesë tjera janë kemi pas pak problem me shkallët për njerëz me nevoja të veçanta edhe ajo pjesë është realizuar”, tha ajo.

Numri i votuesve më të drejtë vote në komunën e Pejës është 117 mijë e 413 votues në gjithsej 30 qendra të numërimit në 139 vendvotime me 1 qendër votimi me kusht me gjithsej 2 vendvotime.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 999 mijë e 24 persona.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2557 vendvotime. Pra në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht”

Fillon procesi i votimit në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë

28 December 2025 at 07:26


Ka filluar procesi zgjedhor në Fakultetin e Filologjisë, në Prishtinë, ku të drejtë vote kanë 6791 qytetarë.

Numri i votuesve në Prishtinë është mbi 219 mijë, ndërkaq të regjistruar jashtë Kosovës mbi 7500 qytetarë.

Prishtina ka 54 qendra të votimit dhe 262 vendvotime.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,086 votues.

Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në Zgjedhjet Lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Kryetari i KQZ-së, Radoniqi fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës

28 December 2025 at 07:19


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi pasi ka hedhur votën e tij sot në Pejë për zgjedhjet nacionale u ka bërë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Radoniqi në një deklaratë për media tha se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndonëse koha ishte e shkurtër dhe kishte sfida.

“Nga ana e KQZ-së të gjitha përgatitjet janë bërë përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pas, kemi arritur që procesi të fillojë me kohë, trajnimet, çështjet logjistike janë përfunduar me kohë...”, tha ai, raporton Telegrafi.

I pari i KQZ-së tutje tha se edhe procesi i votimit në diasporë ka shkuar mirë.

Ai uroi që dita e zgjedhjeve të shkojë qetë e mbarë për të gjithë dhe të mos ketë probleme gjatë procesit të votimit. /Telegrafi/

Hapen vendvotimet

28 December 2025 at 07:16


Në ora 07:00 janë hapur vendvotimet, ndërsa rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do t’i drejtohen sot kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Votimi do të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës, saktësisht në 2,557 vendvotime, ndërkaq të drejtë vote kanë 1,999,024 persona.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një deklaratë për media tha se përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave, KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që procesi të nisë me kohë.

Mbrojtja e votës, rreth 100 prokurorë sot në detyrë

28 December 2025 at 06:50


Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Zgjedhjet sot, Policia me plan operativ për mbarëvajtjen e tyre

28 December 2025 at 06:45


Policia e Kosovës me qëllim të mbarëvajtjes së ditës së zgjedhjeve ka hartuar dhe është në zbatim të urdhrit operativ ‘Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës’.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës janë mbajtur dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e urdhrit operativ lidhur me procesin zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Takimi i parë është mbajtur me drejtorë rajonal dhe drejtorë të departamenteve të Policisë së Kosovës, ndërsa në takimin e dytë morën pjesë edhe përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe të institucioneve të tjera relevante ndërkombëtare, të cilat u njoftuan lidhur me përgatitjet dhe planifikimet policore për mbarëvajtje në aspektin e sigurisë të procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional.

Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha foli rreth përgatitjeve të deritashme, rreth angazhimeve policore në procesin zgjedhor (fushatë), në aspektin e sigurisë.

Ndër të tjera, pos angazhimeve konkrete nga zyrtarë policorë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor në aspekt të sigurisë, nga drejtori Hoxha, u kërkua nga të gjithë menaxherët rajonal e ata qendrorë mbikëqyrje dhe porosi konkrete që policia të kryej edhe këtë aktivitet, angazhim me profesionalizëm e integritet sa më të lartë.

Policia e Kosovës tutje u tha se në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët.

Me këtë rast, Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike info@kosovopolice.com apo në stacionet policore më të afërta. /Telegrafi/

Moti sot, vranët dhe intervale me diell

28 December 2025 at 06:28


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

IHK njofton se temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri -6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare. /Telegrafi/

Yesterday — 27 December 2025Main stream

Serbia vazhdon pengesat në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

27 December 2025 at 16:15


Serbia po angazhohet për ta ndryshuar marrëveshjen për të pagjeturit dhe nuk është përgjigjur thirrjes së Bashkimit Evropian për takime të përbashkëta me Kosovës.

Kështu kanë thënë anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të cilët theksuar se nuk do të pranojnë ndryshimin e marrëveshjes së arritur, raporton kp.

Kryetari i këtij komisioni Andin Hoti tha se vazhdojnë të kenë sfida sepse Serbia vazhdon të mos bashkëpunojë për dhënien e informacioneve kredibile dhe dhënien e arkivave. Ai tha se Serbia ka refuzuar për tri herë radhazi të marrë pjesë në komisonin e përbashkët dhe Bashkimit Evropian, me arsyetimin se nuk pajtohen me disa pika të marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njëra prej pikave shkruan se udhëheqësi i këtej komisioni të përbashkët obligohet të njoftojë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mos punën apo mosbashkëpunimin apo mos dakordimin, apo mos dhënien e informacioneve të njërës apo tjetrës palë që në këtë rast Serbia po tenton ta largojë këtë pikë nga termat e referencës sepse ajo po tenton t’i ikë përgjegjësisë që e ka për këtë çështje. Ne natyrisht që nuk do të pajtohemi dhe nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ne do të vazhdojmë presionin tonë të vazhdueshëm bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimin Evropian, qoftë Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka qenë me ne gjatë këtyre viteve, që Serbia të pranojë patjetër hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht, në të cilat ne pretendojmë që përmban të dhëna për fatin e mbi 1571 personave që ne vazhdojmë me i pasur të zhdukur sot“, tha ai.

Sipas tij, brenda këtij viti kanë arritur t’i përfundojnë 32 lokacione në Kosovë.

“Kur flasim për dokumente që ne i kemi pranuar nga Tribuni i Hagës, janë konfidente nga Komiteti i Kryqit të Kuq, të cilat neve si komision nuk na lejohet t’i shpërndajmë as t’i përdorim për zbardhjen e krimeve, na lejohet në mënyrë të kufizuar vetëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo lloj informacioni që e marrim nga ato 150 gigabajt për ne do të shërbej vetëm për zbardhje e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.

Viktor Haliti nga Instituti për Mjekësi Ligjore foli për angazhimin që e kishin ata në kërkimin e lokacioneve të parapara në Kosovë.

Ndërkaq, Kushtrim Gara nga komisioni tha se mbetet prioritare dhe imediate për t'u rikthyer në lokacione të tjera në territorin e Serbisë, lokacione tanimë të shënuara, apo për të vazhduar gërmime në lokacione që janë trajtuar gjatë këtyre viteve.

Sipas tij, janë varre masive të konfirmuara qysh në vitet e para të pasluftës.

“Për ne me prioritet të veçantë mbetet kërkesa për t’u rikthyer në varrin masiv në Batajnicë, afër Beogradit, meqë sipas analizave, informative, kemi kolauduar se në këtë lokacion vazhdojnë të jenë kufomat e të paktën 58 viktimave gjatë luftës në Kosovë…Të dhënat që po i shqyrtojmë prapë na kthejnë në ato territore por fatkeqësisht edhe gjatë vitit 2025 nuk është që kemi pas ndonjë datë se kur mund të rikthehemi në këto lokacione apo të vazhdojnë gërmimet në lokacione tjera të Serbisë”, tha Gara.

Ai shtoi se shumë shpejt do të kthehen në Rahovec për të vazhduar gërmimet, pasi ata dyshojnë se në gërmimet që kanë bërë, mund të ketë deri në tetë persona.

Ata kanë paraqitur edhe një hartë ku thanë se të gjitha institucionet e angazhuara, kanë realizuar mbi 2500 gërmime në territorin e Kosovës.

Zjarr në një zonë parkimi autobusësh në Durrës, tymi i zi mbulon zonën

27 December 2025 at 15:18


Një zjarr i madh ka rënë mesditën e sotme në Fllakë, Durrës, në një zonë të vjetër parkimi autobusësh, ku disa mjete të amortizuara dhe të papërdorura kanë marrë flakë.

Sipas burimeve në terren, autobusët kanë qenë të parkuar prej kohësh dhe ndodhen pranë zonës së Fllakës, raporton euronews.al

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse për të monitoruar situatën. Nuk raportohet për persona të lënduar.

Jeta Dida Bujari hyn në garën për deputete, për përfaqësim real në një politikë të shkëputur nga njerëzit

27 December 2025 at 15:12



Në një politikë të mbushur me premtime dhe retorikë, Jeta Dida Bujari po veçohet për një arsye të thjeshtë: ajo flet për përfaqësim.

Tashmë e njohur si gruaja, asamblistja më e votuar në Prishtinë, Jeta Dida Bujari hyn në garën për Kuvendin e Kosovës me besimin e fituar përmes punës dhe rezultateve konkrete.

“Ky sukses nuk është rastësi. Ai vjen nga një profil i ndërtuar në arsim dhe kulturë, nga përvoja menaxheriale dhe nga një autoritet i fituar pa zhurmë politike. Jeta Dida Bujari përfaqëson gratë dhe vajzat profesioniste, të rinjtë, mësimdhënësit, artistët dhe muzikantët, si dhe klasën punëtore që kërkon drejtësi, meritë dhe institucione funksionale.

Si drejtoreshë në arsim, ajo ka dëshmuar se di të udhëheqë institucione komplekse, të menaxhojë në mënyrë efikase dhe të krijojë standarde të qëndrueshme. Përvoja e saj e bën këtë kandidaturë relevante për arsimin, kulturën, politikat sociale dhe zhvillimin institucional.

Në një kohë kur qytetarët ndihen gjithnjë e më pak të përfaqësuar, Jeta Dida Bujari ofron një alternativë të qartë: politikë që buron nga puna reale dhe i shërben njerëzve realë.

Kjo nuk është vetëm një kandidaturë e fortë në numra.

Është një kandidaturë ku qytetarët po e shohin veten”, thuhet në komunikatën e lëshuara nga ekipi i saj për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

​Plagoset me armë zjarri një person në Suharekë

27 December 2025 at 14:49


Sot rreth orës 11:40 është raportuar për një përleshje mes disa personave, e cila ka eskaluar me plagosjen e një personi me armë zjarri.

Lajmi për KosovaPress është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren Shaqir Bytyqi.

“I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Njësitet policore, menjëherë pas pranimit të informatës, i janë përgjigjur rastit dhe janë duke vepruar në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me procedurat standarde policore”, ka thënë ai.

Diaspora voton, deri në ora 13:00 votuan 36,89 për qind e votuesve të regjistruar

27 December 2025 at 14:36


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në ora 13:00, sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike nga 19,187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues

Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

“Pra, procesi i votimit është duke zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosur në 18 shtete të ndryshme të botës... Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë”, tha ai.

Elezi sqaroi tutje se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve që janë dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. /Telegrafi/

Ismaili fton qytetarët në tubimin përmbyllës të PDK-së sonte në Prishtinë

27 December 2025 at 13:57


Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës së PDK-së, i cili do të mbahet sot në AMC Hall në Prishtinë.

Tubimi do të fillojë në ora 17:30, ku kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së do të shpalosë për herë të fundit në këtë fushatë programin dhe prioritetet qeverisëse.

“Mbrëmë në Mitrovicë, sot në Prishtinë. Ju ftoj me zemër sot në ora 17:00 në AMC Hall në Prishtinë për përmbylljen madhështore të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Ismaili në rrjetet e tij sociale.

SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”

27 December 2025 at 13:44



Mbyllen 34 kontrollet e urdhëruara nga SPAK për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, shumica e te cilëve janë staf i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Top Channel bën me dije se në vendimin e gjyqtarin Erjon Çela do të procedohen në ditët në vijim edhe 20 kontrolle të tjera, ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve.

Kontrolle janë ushtruar në dy kompani ndërtimi dhe shumë punonjës të Autoritetit të Rrugëve dhe Korporatën Elektro-energjetike. Dy kompanitë e ndërtimit janë të njohura për tenderët që fitojnë pranë këtyre dy kompanive shtetërore.

Ndërkohë mësohet se aksioni i kontrollit është kryer nga vetëm agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke mos lejuar asnjë punonjës të policisë së shtetit, të paktën në tre kontrolle që janë zhvilluar në zonën që është në juridiksionin e komisariatit numër tre ku ka ndodhur ky fenomen.

Mes personave që u janë kontrolluar banesat dhe ambientet e punës, por edhe të banimit të drejtuesve të kompanive ndërtuese. Në një rast agjentët e BKH e kanë lënë tek dera punonjësin e policisë pa i lejuar që të marrin pjesë në kontroll. Ndërkohë që mes emrave të personave që u janë kontrolluar banesat janë edhe familjarë të drejtuesve të kompanive.

Mësohet se është kontrolluar banesa e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesa e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, banesa e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie si dhe banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.

Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku për të cilën SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë. /tch/

Derisa ishte duke udhëtuar me veturë, disa persona ia bllokuan rrugën dhe tentojnë ta sulmojnë – arrestohen dy persona

27 December 2025 at 13:36


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka raportuar se derisa ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, një automjet me targa të Austrisë në vazhdimësi i ka bllokuar rrugën ndërkohë nga i njëjti kanë dalë katër persona dhe kanë tentuar ta sulmojnë.

Rasti ka ndodhur në Balincë, Malishevë më 25.12.2025 në ora 22:40.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, një automjet me targa të Austrisë në vazhdimësi i ka bllokuar rrugën ndërkohë nga i njëjti kanë dalë katër persona dhe duke kanosur kanë tentuar ta sulmojnë”, thuhet në raport.

Ankuesi ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim te prokurorit janë liruar ne procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Kandidati për deputet Lahi Brahimaj merr mbështetje nga aktori Kreshnik Ibrahimi

27 December 2025 at 13:29


Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj ka marr mbështetje nga aktori Kreshnik Ibrahimi.

Në një video në Facebook, aktori Ibrahimi thekson se Lahi Brahimaj ka dhënë shumë për të dhe për Kosovën.

“...E kam udhërrëfyes të jetës sime...”, tha aktori.

Aktori Ibrahimi tha tutje se ata që votojnë AAK—në, të mbështesin edhe Lahi Brahimaj.

Diaspora voton, pamje nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës

27 December 2025 at 12:58


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e mbajtur lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sipas të dhënave gjatë orëve të para të votimit nga 24 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 8.64% % apo 1,659 votues.

Në këtë konferencë u bë e ditur se në orën 05:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.

Përfaqësitë diplomatike, në të cilat ka filluar dhe po zhvillohet procesi i votimit, janë: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt.

“Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun", thuhet në komunikatë.

Tutje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson se në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit.

Disa nga ambasadat e Kosovës kanë publikuar fotografi nga procesi i votimit.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka njoftuar se që nga ora 07:00 ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës të regjistruar për votim pranë kësaj Ambasade.

Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ftohen të gjithë votuesit e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Për ushtrimin e së drejtës së votës, votuesit duhet të jenë të regjistruar për votim në Ambasadë dhe të posedojnë një nga dokumentet zyrtare të identifikimit të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi, edhe në rast se dokumenti ka afat të skaduar.

Fotografi nga procesi i përgatitjes për ditën e zgjedhjeve në diasporë ka publikuar edhe Ambasada e Kosovës në Slloveni.

Edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka ftuar votuesit e regjistruar që të marrin pjesë në votim.

“Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Ftojmë të gjithë votuesit e regjistruar me sukses që të marrin pjesë në votim, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja, çdo votues duhet të jetë i regjistruar për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, dhe të posedojë një nga dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi”, thuhet tutje. /Telegrafi/



Votimi në përfaqësitë diplomatike, fotografi nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb

27 December 2025 at 12:24


Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka njoftuar se që nga ora 07:00 ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës të regjistruar për votim pranë kësaj Ambasade.

Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ftohen të gjithë votuesit e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Për ushtrimin e së drejtës së votës, votuesit duhet të jenë të regjistruar për votim në Ambasadë dhe të posedojnë një nga dokumentet zyrtare të identifikimit të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi, edhe në rast se dokumenti ka afat të skaduar. /Telegrafi/






❌
❌