Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Bonus deri në 36,5 mijë euro për një ushtar/ Industria e rekrutimit që po ushqen luftën ruse

By: Fax Web
26 December 2025 at 21:01

Nga Federico Fubini – Corriere della Sera

Vladimir Putin shpesh e krahason agresionin ndaj Ukrainës me “Luftën e Madhe Patriotike” kundër Rajhut të Tretë. Por ndoshta as ai nuk i ka menduar deri në fund pasojat.

Pas 20 ditësh, lufta ndaj Ukrainës e nisur më 24 shkurt 2022 do të ketë zgjatur për Rusinë më shumë se Lufta e Dytë Botërore.

Atëherë “Ushtria e Kuqe”, në 1 mijë e 418 ditë, e zmbrapsi dhe e vuri në ikje Wehrmacht-in, pastaj vazhdoi deri sa pushtoi Evropën qendrore-lindore. 80 vite më vonë, ushtria e Moskës është e bllokuar në disa dhjetëra kilometra katrorë të Donbasit kundër forcave pesë herë më të vogla dhe nuk arrin të konsolidojë kontrollin mbi qendra të vogla të shkatërruara si Pokrovsk dhe Kupiansk.

Konflikti tashmë ka zgjatur aq shumë, sa po formëson mbi vete strukturat e ekonomisë dhe shoqërisë ruse. Lindin përfitime të reja për disa, ndërsa të tjerë dorëzohen në akte të vetëdëmtimit që kujtojnë precedentë fatalë në historinë sovjetike.

Në janar 1969, një student 20-vjeçar nga Praga, Jan Palach, i vuri flakën vetes në sheshin Shën Venceslau si akt denoncimi ndaj pushtimit të Ushtrisë së Kuqe disa muaj më parë.

55 vite më vonë, Vladimir Arsenyev, një sipërmarrës rus aktiv në kompleksin ushtarako-industrial, u lye me benzinë dhe u vetëflijua në Sheshin e Kuq përballë Kremlinit në të njëjtën mënyrë.

Ndërkohë, ka nga ata që nxjerrin zanate të reja nga lufta: për shembull një turmë ndërmjetësish që pasurohen duke i siguruar ushtrisë vullnetarë të gatshëm të firmosin kontrata për të luftuar në Ukrainë.

Rasti i Vladimir Arsenyev e bën atë një përjashtim vetëm për tentativën, të dështuar, për t’i marrë jetën vetes. Jo për kushtet që e çuan në atë akt: sot dhjetëra sipërmarrës rusë të industrisë së luftës janë në burg ose në gjyq për mosarritjen e ritmit të çmendur të dorëzimit të materialit ushtarak të imponuar nga qeveria.

Në rastin e Arsenyev, një shkencëtar 75-vjeçar, kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes parashikonte prodhimin e pajisjeve të komunikimit të integruara në helmetat e ekuipazheve të tankeve.

Kompania që ai drejton, Instituti Qendror i Kërkimeve Shkencore Volna, duhej të dhjetëfishonte prodhimin nga pesë mijë në pesëdhjetë mijë copë në vit për të furnizuar një filial të gjigantit të industrisë ushtarake Rostec. Ky filial mban të njëjtin emër me “shoqatën industriale të kërkimit”, Luch (që përkthehet “rreze drite, rreze lazeri”), e cila para rënies së Murit të Berlinit mblidhte informacione për llogari të KGB-së në Gjermaninë Lindore. Kjo përputhje emrash nuk duket rastësi dhe thotë diçka për strukturën e pushtetit rus që sot udhëheq agresionin ndaj Ukrainës.

Drejtori aktual ekzekutiv i Rostec-it, Sergey Chemezov, punoi për Luch-in e KGB-së në Republikën Demokratike Gjermane në vitet ’80. Ishte atëherë që Chemezov njohu kolegun dhe bashkëmoshatarin e tij Vladimir Putin, dhe ky që nga ajo kohë e ka dashur gjithmonë pranë në detyrat më delikate: në administratën presidenciale të Boris Yeltsin në vitet ’90, pastaj në krye të aparatit ushtarako-industrial kur Putini konsolidoi pushtetin e tij në Kremlin në shekullin e ri.

Pikërisht me njerëz të tillë që u përplas sipërmarrësi dhe shkencëtari Arsenyev me porosinë e tij për radiotransmetuesit e tankeve.

Historia e tij është rindërtuar, për herë të parë, në një shërbim të Reuters. Dorëzimet e Volna për Luch-in, të nisura në vitin 2022, filluan të pësonin vonesa për shkak të disa problemeve të ekonomisë ruse në këto vite lufte.

Me miliona njerëz të përfshirë në përpjekjen luftarake dhe në industrinë ushtarako-industriale, të paktën 650 mijë burra të arratisur jashtë vendit, plus mbi një milion të vrarë e të plagosur në Ukrainë, në ekonominë e formësuar nga Putini mungesa e fuqisë punëtore është tashmë kronike.

Ekonomistët e pavarur Alexander Koryandr dhe Alexandra Prokopenko vlerësojnë se sot kërkesa për punë (përfshirë punësimin aktual) është më e lartë se oferta me disa qindra mijëra njësi.

Për më tepër, sanksionet ngadalësojnë dhe e bëjnë më të shtrenjtë furnizimin me komponentë. Kjo kontribuon në recesionin e rreth tre të katërtave të sektorëve industrialë, sidomos në prodhimet civile, ndërsa edhe prodhimi i armëve, municioneve dhe produkteve metalike të gatshme ngec.

Të gjitha këto probleme rënduan edhe mbi ndërmarrjen e Arsenyev, por pushteti në Rusi nuk pranon justifikime. Dmitry Medvedev, që përfaqëson Putinin në një organ koordinues mes ushtrisë dhe kompanive të quajtur “Këshilli ushtarako-industrial”, në mars 2023 u lexoi sipërmarrësve një telegram të Josif Stalinit që datonte nga Lufta e Dytë Botërore: prodhuesit që do t’u dorëzonin me vonesë armë ushtrisë, pohonte diktatori atëherë, do të “shtrydheshin si kriminelë”.

Që nga 2017, vonesa në dorëzimet ushtarake “për kërkim të fitimit personal” në Rusi është krim i dënueshëm me 10 vjet burg; por nga 2023 refuzimi për të firmosur një kontratë furnizimi për ushtrinë ose vonesat në dorëzime janë të ndjekshme penalisht edhe pa “kërkim të fitimit personal” nga i akuzuari. Këto mekanizma ndëshkues u vunë në lëvizje kundër Arsenyev.

Rostec rishikoi kontratat me kompaninë e tij, duke ulur pagesat dhe duke e çuar Volna-n në prag të falimentimit. Atëherë Arsenyev i vuri flakën vetes disa hapa larg mauzoleumit të Vladimir Leninit, në Sheshin e Kuq.

Dhe rasti i tij nuk është i izoluar. Sipas Reuters, sot në Rusi të paktën 34 sipërmarrës dhe menaxherë të zinxhirit ushtarako-industrial janë në burg: të dënuar ose nën gjyq për “dëmtim” kontratash, porosish dhe dorëzimesh ushtarake që nga fillimi i luftës totale ndaj Ukrainës në 2022.

Ndërkohë, ka nga ata që në luftë kanë gjetur burime të reja fitimi. Faqja ruse e gazetarisë së pavarur Vazhnye Istorii (“Histori të rëndësishme”) raporton për një zanat të ri të lindur në këto vite: ndërmjetësi ose rekrutuesi i burrave për ushtrinë, që për çdo “vullnetar” të ri të destinuar për thertoren e Ukrainës mund të fitojë deri në ekuivalentin e 6 mijë e 100 eurove (ose edhe më shumë në rastet e shpeshta të mashtrimeve ndaj rekrutëve).

Modeli i rekrutimit për luftën synon të shmangë mobilizimet, nga të cilat Putini ka frikë për shkak të papëlqyeshmërisë së tyre. Ushtarët formalisht janë gjithmonë vullnetarë që firmosin një kontratë me ushtrinë, me një bonus hyrës që në disa rajone mund të arrijë deri në 36 mijë e 500 euro dhe një pagë mujore deri në 2 mijë e 200 euro.

Në rastin e rekrutëve të rajonit të Moskës, në disa raste parashikohet edhe fshirja e borxheve personale deri në dhjetë milionë rubla (107 mijë euro). Shumat që mund të ndahen janë pra të konsiderueshme dhe ushqejnë një ekonomi të tërë rreth firmosjes së kontratave.

Faqet ruse të shpalljeve si Avito janë plot me oferta për pozicione si “rekrutues për Operacionin ushtarak special” të publikuara nga agjenci të specializuara. Këta rekrutues mund të punojnë personalisht ose thjesht online, duke u përpjekur të kapin në rrjetet sociale kandidatë të mundshëm për luftën me premtime shpesh të rreme. Reklamohen vende pune si “kuzhinier” ose “shofer kamioni” apo si punonjës i një kompanie furnizimi të ushtrisë në prapavijë. Oferta është gjithmonë mbi bazën e kontratave vjetore, duke lënë të kuptohet se pas dymbëdhjetë muajsh vullnetarët mund të kthehen në shtëpi. Natyrisht, kjo është krejtësisht e rreme.

Pothuajse kurrë agjencitë dhe ndërmjetësit nuk shpjegojnë se kthimi në shtëpi nuk është i parashikuar: pas vitit të parë rinovimi i kontratave është automatik, pa mundësi dorëheqjeje, ndërsa komandanti i njësisë ku caktohesh ka pushtet absolut të dërgojë “kuzhinierët” ose “shoferët e kamionëve” në vijën e parë (siç ndodh rregullisht). Ndërkohë, ndërmjetësit marrin pjesë të bonuseve që u jepen rekrutëve në momentin e firmosjes.

Ata vetë pastaj ndajnë shpërblimin me agjencinë që i ka rekrutuar për të shfrytëzuar rrjetin në kërkim të viktimave.

Dhe meqë Rusia duhet të zëvendësojë çdo muaj rreth 30 mijë të vrarë dhe të plagosur në luftë, tashmë kanë rënë të gjitha barrierat: ndërmjetësit kanë të drejtë të shtyjnë edhe alkoolistët, të varurit nga droga, persona të prekur nga viruse si HIV, hepatiti ose sifilisi të firmosin kontratat.

Shpesh dërgojnë në ushtri burra të sëmurë mbi pesëdhjetë vjeç, të paaftë të ecin njëqind metra me çantën e ushtrisë.

Pas samitit të Anchorage mes Putinit dhe Donald Trump dhe me shkrirjen e marrëdhënieve ruso-amerikane, tani ndërmjetësit përdorin shpesh edhe një argument tjetër: i ftojnë rekrutët e mundshëm të nxitojnë të firmosin dhe të marrin bonusin, sepse një marrëveshje do të ishte “afër” dhe mund të mos ketë më raste të tjera. Ata u lënë të kuptohet se rekrutët mund të dërgohen në shtëpi para se të mbërrijnë në front, sepse, thonë, ditët e betejës po shkojnë drejt fundit. Pak rëndësi ka që ushtria e Putinit është e bllokuar mes rrënojave të Donbasit tashmë për më shumë kohë sesa iu desh Stalinit për të krijuar një perandori në Evropë.

VIDEO/ “Një muaj pa ty”! Bashkëshortja e Shpat Kasapit ndan pamje prekëse të artistit me të birin

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:50

Selvije Jao ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke përkujtuar bashkëshortin e saj të ndjerë, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta një muaj më parë si pasojë e një ataku kardiak.

Përmes një postimi në InstaStory, ajo publikoi një video ku shihet këngëtarin i cili ishte duke luajtur me djali e tij ku shkruan: “Një muaj pa ty”, duke e vendosur dhe një emoji me zemër të thyer.

Kujtojmë se Shpat Kasapi ndërrojë jetë me datë 26 nëntor, ku ishte në Itali së bashku me familjen për kurim të djalit të tij.

Rruga e Shqipërisë drejt Botërorit 2026, Sylvinho për “ESPN Brasil”: Poloninë e njohim mirë…

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:43

Kur flitet për Kupën e Botës 2026, Sylvinho mund të jetë i vetmi trajner brazilian në pankinën e një kombëtareje europiane, një kontrast me Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti. Kjo ka tërhequr vëmendje në Brazil, ku futbolli konsiderohet pjesë e identitetit kombëtar.

Në një intervistë ekskluzive për podcast-in e ESPN Brasil, trajneri i kombëtares shqiptare ka folur për planet e ekipit dhe për mundësinë historike që Shqipëria ka për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për të gjithë vendin. Që nga Europiani kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet për të arritur objektivat,” tha Sylvinho.

“Nga janari do të monitorojmë më nga afër lojtarët tanë dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre.”

Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në gjysmëfinalen e “playoff”-it më 26 mars në Varshavë, një hap kyç drejt Botërorit.

Në rast fitoreje, Shqipëria do të luajë më 31 mars finalen vendimtare kundër fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi.

Sylvinho thekson se ndeshjet e këtij niveli vendosen nga detajet më të vogla.

“Poloninë e njohim mirë, kemi luajtur me ta kohët e fundit. Kanë ndërruar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe të cilësisë së lartë. Ata janë në fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të dukshëm, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutash.”

Në përfundim, trajneri brazilian shprehu besim te skuadra: “Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të forta. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Një përballje e madhe, një mundësi historike dhe një Shqipëri që synon Botërorin. Rruga kalon nga Varshava, ku çdo detaj do të jetë vendimtar.

Sa kushton nata e ndërrimit të viteve në restorante? Çmimet në Tiranë dhe në zonat turistike

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:18

Teksa viti I ri po troket, e gjithë vëmendja shkon tek mbrëmja festive. Disa vite më parë për shqiptarët shihej si një darkë ku familja mblidhej në shtëpi dhe festonte ndërrimin e viteve, tashmë gjithmonë e më shumë për të festuar po preferohen restorantet, të cilët ofrojnë paketa të ndryshme festive.

Çmimet varijojnë nga njëra zonë në tjetrën.

Nga qytetet e mëdha te zonat turistike, çmimi zakonisht lidhet me atë që përfshihet në paketë, menu fiksë, muzikë live, pije pa limit dhe në shumë raste, edhe akomodim e SPA.

Në kryeqytet, ofertat shfaqen kryesisht si menu festive me disa pjata dhe ëmbëlsirë, ku çmimet lëvizin zakonisht nga rreth 8,000- 13.000lekë për person në lokalet e mesme, ndërsa në vendet më të sofistikuara apo me program të plotë, çmimet rriten ndjeshëm. Në disa raste çmimi ndahet qartë mes vetëm darkë dhe darkë plus paketë festive.

Në juglindje, mbrëmjet gala shfaqen shpesh si menu tradicionale e bollshme, e kombinuar me atmosferë festive.

Për Korçën e zonat përreth, çmimet e afishuara shfaqen kryesisht në intervalin 8,500–10,000 lekë për person, shpesh me formulën pije pa limit dhe me tarifa të veçanta për fëmijët.

Në Voskopojë, shumë oferta jepen me rezervim dhe çmimi shpesh komunikohet drejtpërdrejt, sidomos kur paketa lidhet me akomodimin.

Në Durrës, tregu dominohet nga paketat e hoteleve dhe resorteve. Këtu dallimi kryesor është nëse merr vetëm darkën gala apo edhe akomodim.

Çmimet e afishuara nisin nga rreth 80–100 euro për person për darkën, ndërsa paketat me akomodim shkojnë zakonisht në 125–170 euro për person.

Në Vlorë çmimete publikuara varijojnë nga rreth 80-100 euro në opsionet standard, ndërsa resortet që shesin paketa me më shumë shërbime, ofrojnë çmime në nivele më të larta, rreth 159–299 euro, sipas gjatësisë së qëndrimit.

Në veri, qasja duket më e balancuar.

Në Shkodër mund të gjenden paketa nga  80  euro, rreth 80–95 euro, sidomos kur lidhen me akomodim.

Çmimet në restorante nuk lidhet vetëm me menunë, por me paketën e plotë, duke nisur nga ushqimi,pijet e deri tek show apo akomodimi, shkruan Scan.

Mashtrimi me dekoderat piratë dhe IPTV pa licencë, aksion i gjerë i policisë në disa qytete

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:02

Duken si një zgjidhje perfekte: qindra kanale televizive, filma pa fund, sporte “live” dhe gjithçka me një çmim qesharak. Por pas kësaj oferte joshëse fshihet një mashtrim i rrezikshëm që po prek mijëra konsumatorë shqiptarë.

Bëhet fjalë për dekodera IPTV pirate, të shitur në mënyrë të paligjshme nga individë apo subjekte fantazmë, madje edhe nga disa ofrues shërbimesh interneti. Pa licencë, pa kontroll dhe pa përgjegjësi, këto pajisje po përhapen masivisht përmes rrjeteve sociale dhe tregut informal.

Së fundmi, një aksion i gjerë i nga Drejtoria e Krimit Kibernetik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka zbuluar një skemë mashtrimi ku disa subjekte përdornin në mënyrë të paligjshme edhe logon e kompanisë “DigitAlb”, duke përfituar shuma parash nga qytetarët.

Hetimet tregojnë se programet televizive transmetoheshin pa licencë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), duke i shkaktuar kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar.

Në kuadër të operacionit “Anti-Pirateria” janë ushtruar kontrolle ndaj shtatë subjekteve në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, ku janë sekuestruar pajisje për kodimin dhe shpërndarjen e paligjshme të kanaleve televizive, si dhe dekodera e pajisje të tjera elektronike.

Hetimet po vijojnë për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të autorit”. Personat e përfshirë do të përballen me përgjegjësi penale sipas legjislacionit në fuqi.

Për konsumatorët, pasojat janë të drejtpërdrejta: në momentet më të rëndësishme sinjali ndërpritet, ekrani bëhet i zi dhe shitësi zhduket. Nuk ka kontratë, nuk ka faturë, nuk ka ankesë dhe as rimbursim.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rreziqe serioze sigurie, pasi disa nga këta dekodera mund të përmbajnë aplikacione të pasigurta që rrezikojnë të dhënat personale dhe rrjetin e shtëpisë. Përveç rrezikut financiar, ekziston edhe rreziku ligjor, pasi përdorimi i shërbimeve pirate e bën përdoruesin pjesë të një aktiviteti të paligjshëm.

Autoritetet e cilësojnë këtë fenomen si një mashtrim të organizuar, që shfrytëzon mungesën e informacionit dhe çmimet e ulëta. Apeli për qytetarët është i qartë: të shmangin burimet e dyshimta dhe të zgjedhin vetëm platforma të licencuara, me shërbim të sigurt dhe transparent.

Sepse ajo që nis si kursim, mund të përfundojë si mashtrim dhe humbje.

Superkupa e Shqipërisë/ Egnatia – Dinamo City, ku dhe kur luhet sfida që mbyll vitin 2025

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:53

E diela e fundit e këtij viti vjen me një ndeshje speciale për futbollin shqiptar, ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë.

Përballja Egnatia – Dinamo City nuk është thjesht një sfidë futbolli, por një spektakël 90-minutësh që meriton të përjetohet nga afër, në shkallët e stadiumit më modern dhe më të bukur në vend, “Air Albania”, duke nisur në ora 19:00.

Një sfidë që shkon përtej një trofeu. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të sezonit aktual dhe të atij që lamë pas, të vendosura për të mbyllur vitin me një sukses madhor dhe për të fituar trofeun e fundit të vitit futbollistik.

Për tifozët e futbollit është thjesht një ndeshje, për tifozët e Egnatias dhe Dinamo City është emocioni i radhës, ndërsa për vetë skuadrat është një dhuratë e vërtetë fundviti.

Dhe kush nuk do të donte ta përmbyllte vitin me një trofe në duar?

Biletat për finalen e Superkupës së Shqipërisë mund të blihen fizikisht në pikën pranë stadiumit “Air Albania”, si dhe online në ebileta.al.

VIDEO/ Aksident me 50 makina, merr flake autostrada në Japoni

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:40

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të premten në autostradën Kanetsu, në zonën e Gunmas të Japonisë, ku janë përfshirë më shumë se 50 automjete.

Sipas raportimeve paraprake nga autoritetet lokale, të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa 26 të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes zinxhir.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë re të dendura tymi që ngrihen në qiell dhe disa automjete të përfshira nga flakët, duke krijuar skena kaotike në autostradë.

Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar të lënduarit dhe për të neutralizuar zjarret.

Autoritetet japoneze kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment të autostradës është ndërprerë përkohësisht.

VIDEO/ Sulmuesi shqiptar rigjen golin në Angli

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:24

Anis Mehmeti u rikthye te goli duke shënuar në fitoren 2-1 të Bristol City në transfertë ndaj West Bromwich, në javën e 23-të të Championship.

Sulmuesit shqiptar i mjaftuan vetëm 4 minuta lojë për të zhbllokuar rezultatin me një goditje nga jashtë zone. Goli i tij i dha avantazhin Bristol City, që më pas shënoi edhe golin e dytë me McCrorie në minutën e 22-të.

Në fund, rrjeta e Mehmetit rezultoi vendimtare për suksesin e skuadrës. Falë kësaj fitoreje, Bristol City u ngjit në vendin e gjashtë me 36 pikë.

Mehmeti ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit këtë sezon. Në 23 ndeshje, ai ka realizuar 7 gola dhe ka dhënë 6 asiste.

Raporti/ SHBA paralajmëron një valë të dytë sanksionesh “Non Grata”

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:18

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë Shqipërinë, ku sipas vlerësimeve konstatohet një nivel i lartë korrupsioni, shtrembërim i konkurrencës dhe ndërhyrje e krimit të organizuar, shpesh e lidhur me politikanë dhe zyrtarë të caktuar.

Në këtë kuadër, Kongresi amerikan paralajmëron një valë të dytë sanksionesh “Non Grata”, si edhe një proces vlerësimi 90-ditor në sektorë strategjikë që kanë qenë së fundmi në qendër të hetimeve ose dyshimeve për abuzime nga SPAK, përfshirë AKSHI-n, KESH-in, OST-në, si dhe institucione dhe ndërmarrje të tjera publike.

“Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, i miratuar nga Kongresi i SHBA-së, evidenton problematikat kryesore në Shqipëri dhe përcakton rrugë konkrete për adresimin e tyre, me synimin e goditjes së korrupsionit dhe fenomeneve kriminale përpara zgjedhjeve të vitit 2027.

Në raport theksohet se, përmes identifikimit të përkrahësve ekonomikë të korrupsionit, figurave të biznesit dhe “ndërmjetësve”, SHBA po ofron një udhërrëfyes të qartë për SPAK-un, për të kaluar nga ngrirja e aseteve drejt arrestimeve në nivele të larta, me qëllim pastrimin e tregut nga konkurrenca e shtrembëruar.

Në fokus të veçantë do të jenë kontratat e AKSHI-t, sektori i energjisë, pastrimi i parave, krimi i organizuar, projektet luksoze bregdetare dhe ndërtimet shumëkatëshe, PPP-të, monitorimi i sistemit bankar si dhe projektet që kanë përfituar status “strategjik”.

Sipas vlerësimeve amerikane, këto masa synojnë të krijojnë kushte për konkurrencë të ndershme dhe institucione më të forta, në prag të një procesi zgjedhor të konsideruar vendimtar për të ardhmen demokratike të vendit.

Pjesë nga raporti i Kongresit Amerikan:

Afati 90-ditor (që përfundon në mars 2026) pas miratimit të Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor shënon një zhvendosje nga goditja e politikanëve individualë drejt çmontimit të rrjeteve financiare që i mbështesin ata.

Në Shqipëri, rezultati më i mundshëm është një “valë e dytë” sanksionesh që lidh statusin Non Grata politik me ndjekjen penale. Duke emërtuar përkrahësit ekonomikë, figurat e biznesit dhe “ndërmjetësit” që lehtësojnë korrupsionin, SHBA po ofron në mënyrë efektive një udhërrëfyes për SPAK-un që të kalojë nga ngrirja e aseteve drejt arrestimeve në nivele të larta, me synimin për të “pastruar” tregun nga konkurrenca e shtrembëruar përpara zgjedhjeve të vitit 2027.

Sektorët kryesorë nën vëzhgim:

Rishikimi 90-ditor i Departamentit të Shtetit synon sektorët ku fluksi i “parave gri” është më i lartë:

-Teknologjia dhe infrastruktura digjitale: Fokus te kontraktorët e AKSHI-t dhe “taksa e korrupsionit” në shërbimet shtetërore digjitale.

-Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi: Shqyrtim i projekteve luksoze bregdetare dhe kullave të larta në Tiranë.

-Energjia dhe shërbimet publike: Mbikëqyrje e korporatave shtetërore të energjisë (KESH, OST) dhe koncesioneve në energjinë e rinovueshme.

-Partneritetet Publike-Private (PPP): Auditimi i kontratave për menaxhimin e mbetjeve dhe infrastrukturën.

-Bankat dhe financat: Monitorim i bankave vendase për të siguruar shkëputjen e tyre nga “lehtësuesit” e rinj të sanksionuar.

-Turizmi strategjik: Rishikim i projekteve që kanë marrë status “strategjik” përmes favorizimit politik”.

Tonali drejt rikthimit në Serie A? Nisin kontaktet mes Newcastle dhe rivalëve të Milanit

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:09

Kërcimi cilësor që Juventusi synon për vitin 2026 ka një emër të qartë në mendjen e Luciano Spalletti-t: Sandro Tonali.

Trajneri bardhezi, i cili po monitoron gjithashtu situatën e Davide Frattesit te Interi, e ka identifikuar ish-mesfushorin e Milanit si profilin ideal për të ngritur nivelin e mesfushës dhe për ta kthyer Juventusin në garë për vendin e parë.

Bëhet fjalë për një operacion të ndërlikuar dhe shumë të kushtueshëm, por drejtori ekzekutiv Damien Comolli po punon për ta zhbllokuar me një ide konkrete: përfshirjen e Jonathan Davidit në një marrëveshje shkëmbimi me Newcastle.

Sulmuesi kanadez nuk ka arritur ende të përmbushë pritshmëritë në Torino. David ka hasur vështirësi për t’u përshtatur me skemat taktike, si nën drejtimin e Igor Tudor ashtu edhe të Spalletti-t, duke mos gjetur vazhdimësinë e golave që e karakterizonte në periudhën e tij në Francë. Për këtë arsye, qëndrimi i tij te Juventusi nuk konsiderohet i sigurt.

Në të njëjtën kohë, Newcastle është në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv. Profili i ish-lojtarit të Lille, me një pagë rreth 6 milionë euro në sezon, shifër plotësisht e përballueshme për standardet e Premier League – shihet si një opsion serioz për “Magpies”.

Strategjia e Comolli-t synon të përdorë Jonathan Davidin për të ulur ndjeshëm kërkesën financiare të Newcastle për Tonali-n, i cili vlerësohet aktualisht mes 80 dhe 85 milionë eurove.

Largimi i sulmuesit kanadez do të sillte gjithashtu një përfitim të dyfishtë për Juventusin: lirimin e hapësirës në kufirin e pagave dhe krijimin e kushteve për të përballuar pagën e Tonali-t, e cila pritet të jetë rreth 7 milionë euro neto në sezon, plus bonuset.

Operacioni mbetet i vështirë, por Juventusi duket i vendosur të luajë kartat e tij për të sjellë në Torino një nga mesfushorët më të kërkuar të futbollit europian.

2025, vit i mbarë për Dua Lipën/ Ja sa milionë i ka shtuar pasurisë së saj

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:55

Viti që po lemë pas ka qenë shumë i suksesshëm për yllin e muzikës pop me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

30-vjeçarja i shtoi 29 milionë dollarë këto 12 muaj pasurisë së saj rreth 170 milionëshe, vetëm nga kontratat me marka luksoze si “Porsche” dhe “Versace”.

Britanikja prestigjioze “The Sun” shkruan se kjo shumë është si të fitosh bingo.

Shifra pritet të rritet sërish sapo të arkëtohen fitimet 9-shifrore nga turneu botëror për albumin e saj të fundit “Radical Optimism”, i publikuar vitin e kaluar, prej të cilit pritet të arkëtojë 140 milionë dollarë bruto.

Suksesin ia faturon “mentalitetit të emigrantit” dhe disiplinës së rreptë të trashëguar nga prindërit e saj kosovarë. “Nëse nuk punoj mjaftueshëm, tapeti mund të më tërhiqet nga këmbët në çdo moment”, citohet të ketë thënë ajo në një nga intervistat e fundit.

Dua dhe i fejuari i saj, aktori Callum Turner, po kërkojnë një “strehë” luksoze në Spanjë ose Portugali, me një buxhet që shkon deri në 11 milionë dollarë.

Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:52

Serbia po përgatitet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak pas më shumë se një dekade, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura.

Shërbimit të detyrueshëm ushtarak do t’i nënshtrohen burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç, ndërsa ky shërbim do të mbetet vullnetar për gratë.

Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, ka deklaruar se afati stërvitor për rekrutët do të jetë 75 ditë.

“Është bërë gjithçka e nevojshme që ne të mund të kthejmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kemi bërë analiza dhe teste të panumërta, duke filluar me kohën optimale që këta të rinj të marrin trajnim bazë ushtarak”.

Gashiç theksoi se ata që do ta kryejnë këtë shërbim do të paguhen.

“Sigurisht që do të jetë ndryshe nga më parë, pasi ata do të marrin një pagë duke shërbyer në ushtrinë serbe. Është planifikuar që 60 ditët e para ata do të flenë në kazermë dhe 15 ditë do të jenë në pozicione kampi në strukturën e stërvitjes. Nga viti 2000 deri në vitin 2012, Ushtria Serbe u reduktua në nivelin e mbrojtjes civile, me vetëm 3,500 burra, pa aviacion dhe me depo bosh”.

Ministri serb i mbrojtjes kujtoi se që nga viti 2012 janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të rindërtuar infrastrukturën dhe pajisjet, gjë që është thelbësore për sigurinë e Forcave të Armatosura Serbe.

“Duhet të kemi një Kombëtare”, Duka: Tare president i FSHF-së? Përvojën që ka…

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:38

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka foli për disa tema në një bisedë për moderatoren Arbana Osmani.

Në intervistën e publikuar nga qeveria e futbollit, Duka shprehet qartë se dëshiron një Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo për momentin duket e pamundur.

Duka tha se Shqipëria ka një ekip më të mirë, por Dardanët kanë bërë arritje madhore në një kohë shumë të shkurtër.

Kreu i futbollit në Shqipëri u ndal edhe te zgjedhjet për president të FSHF-së në vitin 2026.

Duket se Duka pas 23 vitesh në krye të këtij institucioni, do garojë sërish i vetëm, pasi deri tani askush nuk ka dalë përballë.

Në fund edhe një pyetje për Igli Taren, drejtorin sportiv të Milanit që ka një përvojë të madhe në futbollin ndërkombëtar.

Çfarë të bën të ndjesh “përfaqësuesja e Kosovës“? 

Ka një skuadër të mirë. Një pjesë e tyre ka luajtur edhe për Kombëtaren shqiptare. Rrahmani, Rashica, Muriqi.

Shqipëria apo Kosova? Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin.

A duhet të kemi një Kombëtare? 

Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete me një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll.

A e mendon Igli Taren si President? 

Çdo njeri mund të mendojë të bëjë çdo lloj pozicioni, jo veç president. Me eksperiencën që ka fituar në menaxhimin e futbollit atje, mund ta sjellë edhe në Shqipëri. Qoftë në federatë, në një klub apo kudo tjetër. Federata e Futbollit është një aktivitet shumë i gjerë.

Duket vetëm si kampionat i Kategorisë Superiore, por sot FSHF organizon 600 ndeshje në javë, ku aktivizohen rreth 4000 zyrtarë. Por këta nuk menaxhohen vetëm me gishta, duhen edhe para. Duhen prodhuar para, duhet prodhuar një ekonomi.

Sot FSHF është një institucion solid, me baza të shëndosha financiare dhe ka një të ardhme të sigurt. Unë e konsideroj si një nga gjërat më të mira të FSHF. Është një institucion që mund të vazhdojë të përballojë në të ardhmen”.

Kamioni del nga rruga dhe përmbyset, dy të lënduar në Malësi të Madhe

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:23

Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në Malësi të Madhe.

Sipas policisë, rreth orës 16:00, në fshatin Rrjoll, shtetasi N. P., duke drejtuar një automjet tip kamion, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar.

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi N. P., si dhe pasagjeri G. P., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Malësi e Madhe / Informacion paraprak

Rreth orës 16:00, në fshatin Rrjoll, Malësi e Madhe, shtetasi N. P., duke drejtuar një automjet tip kamion, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar.

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi N. P., si dhe pasagjeri G. P., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Letrat nga Kongresi amerikan për Kurtin: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:17

Dy kongresistë amerikanë, një republikan dhe një demokrat, kanë riafirmuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën vazhdon të jetë e fortë dhe dypartiake në Kongresin amerikan. Këtë ata e kanë shprehur në letra të ndara drejtuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Kongresisti republikan, Mike Lawler, në një letër të publikuar të premten nga Qeveria në detyrë, thekson se veprimet e fundit legjislative në SHBA-të tregojnë qartë përkushtimin afatgjatë të Amerikës ndaj Kosovës.

Ai përmend miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, i cili, sipas tij, nënvizon mbështetjen e SHBA-së për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

Sipas Lawlerit, këto nisma janë thelbësore për garantimin e stabilitetit afatgjatë, forcimin e sigurisë dhe sundimin e ligjit në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Edhe kongresisti demokrat, George Latimer, ka rikonfirmuar në letrën e tij “mbështetjen e fortë” të SHBA-së për Kosovën. Ai thekson se, sipas Ligjit për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare, të miratuar së fundmi, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Po ashtu, Latimer vë në dukje se SHBA-të mbështetën përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se një proces i tillë do të kontribuonte ndjeshëm në rritjen e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Të dy kongresistët i referohen Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili u nënshkrua në ligj javën e kaluar nga presidenti Donald Trump. Në këtë akt, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet gjithashtu që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në vitin 2023.

Letrat u dërguan pas një takimi që Lawler dhe Latimer patën me Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington, në shtator.

Këto deklarata vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara u përballën me tensione gjatë vitit 2025. Këto u shkaktuan kryesisht nga vendimet e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit, të banuar kryesisht nga serbë, pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Si pasojë e këtyre veprimeve, u pezullua pa afat dialogu strategjik i planifikuar mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Kryeministri Kurti i ka arsyetuar këto vendime si veprime në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Së fundmi, ai ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-të janë “shumë të mira” dhe se mospajtimet kanë qenë gjithmonë të lidhura me çështje që kanë të bëjnë me Serbinë dhe strukturat e saj, e jo me marrëdhëniet dypalëshe.

Më 11 dhjetor, Kurti ka theksuar se raportet mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit zhvillon me shumë vende të botës, me synim forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Ky dialog përfshin takime të nivelit të lartë, të mbajtura në Uashington ose në vendin përkatës, ku diskutohen tema si mbrojtja, siguria, ekonomia, energjia dhe mjedisi.

Kurti po synon një mandat të tretë në krye të Qeverisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve synon të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë e re për të avancuar prioritetet e përbashkëta. Një zëdhënës i Ambasadës ka shprehur shpresën se partneriteti mes dy vendeve do të thellohet, përfshirë edhe rinisjen e dialogut strategjik.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë ndihmë për Kosovën që nga viti 1998, ndërsa udhëheqësit kosovarë kanë theksuar vazhdimisht se SHBA-të mbeten partneri më i rëndësishëm strategjik i vendit. /REL

6 lojtarë mund të largohen nga Chelsea, Maresca përgatit “pastrimin” gjatë merkatos së dimrit

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:53

Tekniku italian Enzo Maresca po përgatit ndryshime në përbërjen e Chelseat, me synimin për të riorganizuar skuadrën gjatë merkatos së janarit.

Sipas “Football London”, gjashtë lojtarë mund të largohen nga “Stamford Bridge” gjatë merkatos së dimrit.

Në listën e mundshme të largimeve përfshihet Tosin Adarabioyo, pas një fillimi jo bindës me blutë.

Benoit Badiashile po has vështirësi për të siguruar një vend titullari dhe ka pasur hapësira të kufizuara aktivizimi gjatë këtij sezoni.

Gjithashtu, Filip Jorgensen ka humbur pozicionin në formacion ndaj Robert Sanchez.

Axel Disasi dhe Raheem Sterling kanë një të ardhme të paqartë pas përjashtimit nga ekipi i parë.

Largimet e mundshme synojnë të krijojnë hapësirë për afrime të reja në vazhdim të sezonit.

100 mijë viza të lëshuara nga Gjermania gjatë 2025-ës, ja sa kanë shkuar për shqiptarët

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:47

Tashmë në Gjermani nuk shkohet për punë, por dhe për bashkim familjar.

Gjermania ka miratuar gjatë vitit 2025 mbi 100 mijë viza për bashkim familjar, pavarësisht shtrëngimit të përgjithshëm të politikave të emigracionit.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga autoritetet gjermane, deri në fund të nëntorit janë dhënë gjithsej 101,756 viza, duke e bërë bashkimin familjar një nga kanalet kryesore të migracionit drejt këtij vendi.

Në krye të listës së aplikuesve renditen shtetasit turq, të ndjekur nga sirianët dhe indianët, ndërsa qytetarët nga Ballkani mbeten gjithashtu shumë të pranishëm.

Kosova renditet mes vendeve me numrin më të lartë të vizave të miratuara, ndërsa shqiptarët kanë përfituar mbi 4,400 viza, duke u pozicionuar ndër kombësitë kryesore në këtë kategori.

Bashkimi familjar u jepet kryesisht bashkëshortëve dhe fëmijëve të mitur të personave që jetojnë ligjërisht në Gjermani, ndërsa prej marsit 2024 janë zgjeruar mundësitë edhe për prindërit e punëtorëve të kualifikuar që plotësojnë kushtet ekonomike.

Megjithëse në korrik 2025 u vendos një pezullim dy-vjeçar për bashkimin familjar për personat me status mbrojtjeje të kufizuar, me përjashtim të rasteve të veçanta humanitare, statistikat tregojnë se fluksi i aplikimeve dhe aprovimeve ka mbetur i lartë.

Këto shifra konfirmojnë se për shqiptarët dhe komunitetet e tjera të rajonit, bashkimi familjar vazhdon të jetë një nga arsyet kryesore të emigrimit drejt Gjermanisë, duke reflektuar lidhjet e forta familjare dhe praninë e konsoliduar të diasporës në këtë vend.

Reagimi nga Washingtoni/ DASH ‘merr nën vëzhgim’ AKSHI-n, kullat në Tiranë dhe…

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:09

Ligji i miratuar së fundmi nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor përbën një sinjal të fortë politik edhe për Tiranën zyrtare, në një kohë kur Shqipëria përballet me akuza të përsëritura për korrupsion sistemik, deformim të zgjedhjeve dhe kapje të institucioneve shtetërore.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur nën vëzhgim AKSHI-n dhe ndërtimet e kullave në Tiranë, si dy nga sektorët që janë përmbytur nga lekët e korrupsionit.

Pas miratimit të Aktit të Prosperitetit dhe Demokracisë në Ballkanin Perëndimor SHBA-të janë fokusuar tek çmontimi i rrjeteve financiare që mbështesin politikanët e korruptuar.

DASH ka caktuar edhe një afat prej 90 ditësh ku në lupën e tij do të kalojë edhe sektori i energjetikës, duke mbikqyrurur korporatat shtetërore të energjisë KESH dhe OST por edhe koncesionet e energjisë së rinovueshme.

Partneritetet Publiko-Private gjithashtu do të jenë në fokusin e DASH, ku pritet të ketë një auditim të plotë të kontratave të menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës.

Departamenti Amerikan i Shtetit do të nisë një monitorim strikt të bankave lokale për të zbuluar lidhjet e mundshme dhe financat e grupeve kriminale dhe shoqërive të dyshimta.

Edhe pse Shqipëria përmendet si aleate e NATO-s dhe vend aspirant për Bashkimin Europian, dokumenti i SHBA-së e bën të qartë se partneriteti strategjik ‘nuk është çek i bardhë për pushtetin, por kushtëzohet me standarde reale demokratike.’

Pika më domethënëse e ligjit është kodifikimi i sanksioneve amerikane në ligj federal, duke i bërë ato më të forta dhe më të qëndrueshme. Këto masa vlejnë edhe për individë nga Shqipëria, që janë përfshirë në korrupsion manipulim zgjedhor dhe përdorim të pushtetit për destabilizimin e institucioneve demokratike.

Ligji thekson nevojën për:

  1. zgjedhje të lira dhe të ndershme,
  2. institucione zgjedhore të pavarura,
  3. drejtësi funksionale dhe të paanshme

Në thelb, ligji përcjell një mesazh të qartë: Shqipëria mbetet partnere e SHBA-së vetëm nëse respekton rregullat e demokracisë. Mbështetja amerikane shoqërohet me presion politik, sanksione dhe kushte konkrete, duke sinjalizuar se periudha e tolerancës ndaj autokracisë së maskuar si stabilitet ka marrë fund.

EMRAT/ Kush janë përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike nga AKSHI?

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:23

Vijon të publikohen të dhëna të reja nga skandali i tenderëve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Detajet nxjerrin në pah një fakt kyç: fondet publike janë përqendruar ndër vite te i njëjti rreth i ngushtë kompanish dhe biznesmenësh në sektorin e teknologjisë.

Sipas të dhënave të procedurave të prokurimit, një numër i kufizuar subjektesh rezultojnë përfituesit kryesorë të kontratave të AKSHI-t, duke ngritur dyshime për konkurrencë të kufizuar dhe favorizim sistematik.

Përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike nga AKSHI, sipas asaj që shkruan JOQ ALBANIA, janë:

  • Ermal Beqiri – HORIZON
  • Gentian Likaj – Communication Progress
  • Grigor Joti – INFOSOFT
  • Laert Kasaj – RATECH
  • Nursen Metuli – A-T-D (Albanian Technology Distribution)
  • Sokol Sinani – DATA LOG, ortak i ish-ministrit Ilir Beqaj
  • Andis Papa – FASTECH, kompani pas së cilës dyshohet se fshihet Ilir Beqaj
  • Gerond Meçe – Advanced Business Solutions
  • Igli Gjelishti – Image & Communications Development
  • Artan Dulaku – Albanian Satellite Communications
  • Endri Meksi – MC Networking

Përqendrimi i kontratave te këto subjekte ka shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën e funksionimit të AKSHI-t dhe mbi ndikimin e lidhjeve politike apo institucionale në shpërndarjen e parave publike.

Hetimet në vijim pritet të sqarojnë nëse ky model ka qenë thjesht rezultat i dominimit në treg, apo një skemë e mirëorganizuar që ka përjashtuar konkurrencën reale dhe ka cenuar transparencën në përdorimin e fondeve shtetërore.

LEXO EDHE: Pas skandalit të AKSHI-t/ DW: Çfarë po ndodh me e-Albania?

Vit i Ri i acartë, sa parashikohen temperaturat në ditët e ndërrimit të viteve

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:15

Fundjava e fundit e vitit dhe ditët e ndërrimit të viteve do të karakterizohen nga mot i ftohtë dhe temperatura të ulëta në të gjithë territorin e vendit.

Sipas parashikimeve, gjatë fundjavës së fundit të vitit pritet mot i kthjellët, por i ftohtë.

Temperaturat minimale parashikohen të zbresin në -3 deri -4 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa në ultësirën perëndimore nga -1 deri në 0 gradë Celsius.

Sinoptikanët theksojnë se nga dita e hënë dhe e martë, deri në ditët e ndërrimit të viteve, veçanërisht më 31 dhjetor dhe 1 janar, moti do të jetë edhe më i ashpër.

Në relievet malore temperaturat minimale do të arrijnë në -8 dhe -9 gradë Celsius, në zonat e ulëta -4 deri -5 gradë, ndërsa në bregdet 0 deri në -1 gradë Celsius.

Temperaturat e mesditës gjatë fundjavës do të luhaten në 13–14 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditëve të ndërrimit të viteve nuk pritet të kalojnë 7–8 gradë në ultësirën perëndimore. 

❌
❌