Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Main stream

11:54 Irani në errësirë totale online: Blackout-i i internetit zgjat prej 280 orësh

By: Kesjana
20 January 2026 at 11:54

Last Updated on 20/01/2026 by Kesjana

Blackout-i i internetit i vendosur nga autoritetet iraniane ka arritur të zgjasë më shumë se 280 orë, njofton organizata e pavarur për monitorimin e Internetit, Netblocks.

Sipas Netblocks, më shumë se 90 milionë qytetarë të Iranit mbeten të izoluar, duke e pamundësuar komunikimin me familjarët dhe miqtë.

Organizata raporton gjithashtu se trafiku në disa platforma tregon një strategji të re të quajtur “whitelisting”, e përdorur më parë edhe në Rusi.
Sipas kësaj strategjie krijohen lista të selektuara të faqeve, aplikacioneve dhe shërbimeve të konsideruara të sigurta ose të aprovuara, ndërsa pjesa tjetër e Internetit mbetet e bllokuar./kb

10:55 “Sipas burimeve…”, Manjani ironizon teoritë e PD për FBI dhe Ramën: Sot niset për në SHBA me një avokat…

By: Kesjana
20 January 2026 at 10:55

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi ndaj lajmeve dhe spekulimeve të ditëve të fundit që parashikonin një udhëtim të kryeministrit Edi Rama drejt Shteteve të Bashkuara, i shoqëruar nga avokatë dhe nën skenarin e një ndërhyrjeje të menjëhershme të autoriteteve amerikane.

Në një postim në rrjetet sociale, Manjani kujton se sipas një lajmi të publikuar 13 ditë më parë, data 20 janar ishte dita kur Rama pritej të ishte “rrugës për në Amerikë”. Ai ironizon komentet që shoqëruan atë lajm, ku pretendohej me “burime tepër të sigurta amerikane” se kryeministri do të merrej drejtpërdrejt nga FBI për t’u shoqëruar në lidhje me çështje që, sipas tyre, “do të trondisnin Shqipërinë”.
“Sot është 20 janar.
Sipas një lajmi të Ballkanweb të 13 ditëve më parë, sot Rama do jetë rrugës për në Amerikë së bashku me avokat.
Sipas disa komenteve të atyre ditëve rreth këtij lajmi “të sigurtë”, sot i bie që Rama të jetë nisur “si cjapi te kasapi” pasi do ta marrë direkt FBI ta shoqërojë diku për ti bërë pyetje për çështje që “do trondisin Shqipërinë”.
U shurdhuam ato ditë nga “siguria” e lajmit nga “burine tepër të sigurta amerikane”…
Bëni një kërkim të thjeshtë në google dhe do ti gjeni këto “lajme” aty.
Sot pra është dita….
Presim tronditjen…
Ka pak erë sot e as helikopterët nuk sugjerohet të fluturojnë… Por presim..” – shkruan Manjani./kb

10:45 NATO kufizon aksesin e SHBA-ve në informacionet e inteligjencës për Groenlandën

By: Kesjana
20 January 2026 at 10:45

Last Updated on 20/01/2026 by Kesjana

NATO ka kufizuar aksesin e Shteteve të Bashkuara në informacionet e inteligjencës që lidhen me Groenlandën, nga frika se këto të dhëna mund të përfundojnë në duart e presidentit Donald Trump. Sipas shqetësimeve brenda Aleancës, ekziston rreziku që informacionet të përdoren në të ardhmen për një përpjekje të mundshme për pushtimin ushtarak të këtij territori gjysmë-autonom danez.

Lajmi është raportuar nga e përditshmja britanike The i Paper, pjesë e grupit mediatik Daily Mail and General Trust, duke cituar burime të informuara. Sipas këtyre burimeve, përfaqësuesit e NATO-s nuk “komunikojnë më hapur” me homologët amerikanë për çështje që lidhen me Groenlandën.

Groenlanda ka një rëndësi të veçantë strategjike për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Arktik, pasurive natyrore dhe rolit kyç në sistemet e mbrojtjes dhe vëzhgimit ushtarak. Donald Trump ka shprehur publikisht interes për blerjen e Groenlandës nga Danimarka, një ide që u refuzua kategorikisht nga Kopenhaga dhe autoritetet lokale, duke shkaktuar tensione diplomatike mes palëve.

Një burim i inteligjencës britanike, i cituar nga The i Paper, ka deklaruar gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar synon të “dyfishojë përpjekjet” dhe të forcojë partneritetin me vendet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes.
Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Washingtonit ndodhen në nivelin më të ulët që nga vitet 1950, pas kërcënimeve të bëra nga Trump ndaj Danimarkës./kb

10:04 Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes Shqipëri-Itali/ Balla: E mirëpritur prej kohësh

By: Kesjana
20 January 2026 at 10:04

Last Updated on 20/01/2026 by Kesjana

Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme po shqyrtohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e emigracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se kjo marrëveshje sa i përket diasporës vjen pas 35 vitesh. Ai shprehu besimin se marrëveshja do të mbështetet nga të gjithë deputetët e Kuvendit.

Ndër të tjera ai shtoi se në Itali është edhe komuniteti më i madh shqiptar sa i përket diasporës. Balla vlerësoi komunitetin arbëresh, për të cilët tha se janë një inspirim i madh për çdo shqiptar.

“Pas 35 vitesh kemi një marrëveshje mes dy qeverive tona sa i përket diasporës. Është e mirëpritur prej kohësh, nxitja e një marrëveshjeje në fushën e shkëmbimeve kulturore dhe angazhimeve të diasporës. Besoj kjo marrëveshje do të marrë mbështetje nga të gjithë krahët e Kuvendit. Në Itali është dhe komuniteti më i madh shqiptar sa i përket diasporës.

Diaspora shqiptare në Itali, numri më i madh i votuesve jashtë vendit që morën pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Më vjen mirë që janë parashikuar kanale televizive dhe digjitale që synojnë të forcojnë identitetin kulturor dhe gjuhësor, qoftë të diasporës shqiptare në Itali, por edhe një komuniteti italian në Shqipëri. Këtu nuk duhet të harrojmë edhe komunitetin arbëresh që është një inspirim i madh për çdo shqiptar.

Pas 500 vitesh arbëreshët që jetojnë në shumë rajone të Italisë janë një model i shkëlqyer i ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe gjuhës shqipe. Besoj se biem të gjithë dakord se një arritje mes dy qeverive tona ishte përmbyllja, firmosja dhe hyrja në fuqi për njohjen e ndërsjellë të kontributeve dhe sigurimeve shoqërore”, tha Balla. /Kb

08:49 Si në parajsë/ Ky është ishulli italian pa rrugë, pa sinjal telefoni dhe pothuajse pa turistë

By: Kesjana
20 January 2026 at 08:49

Palmarola nuk ka qytet dhe as rrugë. Nuk ka energji elektrike, nuk ka mbulim telefonie celulare dhe as terminal tragetesh. Shumicën e ditëve, e vetmja mënyrë për të arritur në ishull është me varkë të vogël nga Ponza, pesë milje larg përtej Detit Tirren.

Shtrihet në perëndim të Romës, mjaftueshëm afër sa mund të arrihet me një udhëtim njëditor, por mjaftueshëm larg saqë trafiku, turmat dhe lëvizja e vazhdueshme e kryeqytetit italian ndihen si një planet fqinj. Ndërsa forumet, shatërvanët dhe sheshet e Romës tërheqin miliona vizitorë, Palmarola mungon kryesisht në itineraret. Shumë turistë nuk dëgjojnë kurrë për të. Shumë romakë nuk shkojnë kurrë atje.

Ajo që i tërheq njerëzit që e bëjnë kalimin nuk është infrastruktura apo komoditeti, por mungesa e të dyjave. Palmarola ngrihet nga uji në shkëmbinj vullkanikë, të thyer nga shpella detare dhe gjire të ngushta. Ka një plazh të vetëm, një rrjet shtigjesh këmbësorësh që të çojnë në brendësi të vendit dhe pak shenja të zhvillimit modern.

Si në parajsë/ Ky është ishulli italian pa rrugë, pa

Arritja në ishull nga Roma përfshin një tren për në portin e Anzios, një traget për në Ponza dhe më pas negocimin me një peshkatar ose pronar privat varke për një udhëtim në të dyja drejtimet. Pa banorë të përhershëm, Palmarola është një destinacion i formësuar më shumë nga moti, gjeologjia dhe stinët sesa nga turizmi.

Ekziston një restorant, O’Francese, që shërben peshk të freskët dhe jep me qira një numër të kufizuar dhomash. Vizitorët rezervojnë muaj më parë dhe qëndrojnë në dhoma që fillojnë nga 150 euro ose 175 dollarë.

Shtigjet për këmbësorë të çojnë në brendësi të vendit nga plazhi, duke u ngjitur drejt rrënojave të një manastiri mesjetar dhe mbetjeve të një vendbanimi prehistorik.

Si në parajsë/ Ky është ishulli italian pa rrugë, pa

Pronësia e ishullit daton që nga shekulli i 18-të, kur familjeve napolitane të dërguara për të kolonizuar Ponzën iu lejua ta ndanin Palmarolën midis tyre. Sot, ishulli është në pronësi private, i ndarë në parcela të shumta që mbahen nga familje që ende jetojnë në Ponzë.

Lart në shkëmbinj, shpella të vogla janë shndërruar në banesa të thjeshta private, disa të lyera me të bardhë dhe blu. Peshkatarët historikisht i kanë përdorur ato si strehimore gjatë stuhive dhe shumë pronarë ende i mbajnë të mbushura me furnizime në rast se moti pengon kthimin në Ponza./ kb

08:38 Trump publikon fotomontazh me flamurin amerikan në Groenlandë: Territor i SHBA-ve nga 2026

By: Kesjana
20 January 2026 at 08:38

Donald Trump rikthen tensionet me një postim provokues në rrjetin e tij social Truth. Presidenti amerikan ka publikuar një fotomontazh ku shfaqet duke ngulur flamurin e Shteteve të Bashkuara në tokën e Groenlandës.

Në imazh, Trump mban në dorë flamurin me yje dhe shirita, ndërsa pas tij qëndrojnë zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Në sfond, bie në sy edhe një pankartë me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Groenlanda, territor i SHBA-së nga 2026-a”.

Ndër të tjera ai ka postuar edhe një tjetër fotomontazh nga takimi me liderët e BE-së në Zyrën Ovale ku e gjithë Amerika e Veriut, duke përfshirë Kanadanë dhe Groendlandën, si dhe Venezuelën në jug, janë të ngjyrosura me flamurin amerikan.

Postimi ka ngjallur reagime të menjëhershme, duke u interpretuar si një sinjal politik i fortë në një moment kur çështja e Groenlandës është kthyer në një nga pikat më të nxehta të përplasjes mes Uashingtonit dhe Evropës. Fotomontazhi shihet si një provokim i hapur, që ushqen më tej frikën për një përshkallëzim diplomatik dhe politik mes aleatëve tradicionalë.

Nga Shtëpia e Bardhë nuk ka ende një sqarim zyrtar nëse bëhet fjalë për një mesazh simbolik apo për një qëndrim politik të mirëllogaritur, por postimi i Trump ka mjaftuar për të ndezur debat në arenën ndërkombëtare./kb

08:32 Meloni në lojë diplomatike me Londrën dhe Berlinin për Groenlandën, kundër “bazukës” franceze

By: Kesjana
20 January 2026 at 08:32

Pas gati një jave në Azi, Giorgia Meloni u kthye mbrëmë në Romë, por telefoni i saj nuk ka pushuar. Edhe gjatë fluturimit nga Koreja, kryeministrja italiane ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me aleatët evropianë, në një moment delikat për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe BE-së, me Groenlandën në qendër të përplasjes.

Meloni është plotësisht e rreshtuar me Ursula von der Leyen: objektivi është i qartë, të shmanget çdo përshkallëzim që mund të çojë në pasoja të paparashikueshme. Madje, ajo ka marrë edhe vlerësime, të drejtpërdrejta dhe indirekte, si nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, për një veprim që kërkon guxim politik: telefonatën ndaj Donald Trump, për t’i thënë se po gabon.

Në prag të Këshillit Evropian të së enjtes, Meloni po ndjek një linjë maksimalisht diplomatike. Në kontaktet me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe liderin gjerman Friedrich Merz, ajo shtyn për një marrëveshje të gjerë, edhe pse të ndërlikuar, mes Danimarkës, BE-së dhe SHBA-ve për shfrytëzimin e Groenlandës. Por sipas saj, një shpërshkallëzim real mund të ndodhë vetëm nëse palët kalojnë nga kërcënimet në tryezën e dialogut.

Pikërisht këtu lind përplasja me Francën. Edhe pse Meloni i kupton shqetësimet e Parisit, ajo nuk e ka mirëpritur reagimin e menjëhershëm francez për aktivizimin e të ashtuquajturit “Instrument anti-koercizues”, një “bazukë” tregtare që do t’i lejonte Brukselit të mbyllë tregun evropian për kompani amerikane. Procedura është e gjatë dhe komplekse, por në këtë kohë, sipas Romës, Trump nuk do të rrinte duarkryq.

Italia, në këtë pikë, rreshtohet me Berlinin, i cili e sheh “bazukën” si mjet ekstrem, një “ultima ratio”. Meloni po përpiqet të ndërtojë një bosht minimal mes Romës, Berlinit dhe Londrës. Një mision i vështirë, sidomos pasi, sipas saj, dërgimi i trupave evropiane në Groenlandë ka minuar përpjekjet e nisura më herët në kuadër të NATO-s, në bashkëpunim me SHBA-të.

Në Bruksel, Meloni nuk dëshiron as ta dëgjojë fjalën “bazukë”. Ajo e konsideron një reagim ku humbasin të gjithë. Ndërsa në korridoret e BE-së ka zëra që flasin për masa drastike, si mbyllja e tregut për Google apo X, Roma e sheh këtë skenar si tepër të rrezikshëm.

Nëse Parisi këmbëngul, Italia mund të lërë të kuptohet se krijimi i një pakice bllokuese është i mundur, veçanërisht pasi “Instrumenti anti-koercizues” kërkon një shumicë super të kualifikuar për t’u miratuar.

Ndërkohë, në bisedimet me Uashingtonin po merr formë një bindje e re: interesi real i Trump për Groenlandën nuk lidhet aq me bazat ushtarake, por me zonat ekonomike ekskluzive dhe shfrytëzimin e platformës kontinentale, pra pasuritë nënujore dhe burimet natyrore.

Sipas Palazzo Chigi, Trump beson se Danimarka e vetme nuk është në gjendje t’i mbrojë këto të drejta përballë manovrave të mundshme të Rusisë dhe Kinës. Kjo e zhvendos fokusin nga një konflikt politik apo ushtarak, drejt një marrëveshjeje ekonomike.

Me këtë dosje në dorë, Giorgia Meloni do të ulet në tryezën e Këshillit Evropian pas dy ditësh, duke u përpjekur të ftohë tensionet dhe të mbajë Evropën larg një përplasjeje të hapur me SHBA-të./kb

08:18 Kupchan: Europa duhet t’i thotë “mjaft” Trump-it për Groenlandën para se të jetë vonë

By: Kesjana
20 January 2026 at 08:18

“Nuk është më koha për ta ledhatuar Donald Trump-in apo për t’iu nënshtruar kërkesave të tij”. Kështu shprehet Charles Kupchan, ish-këshilltar i Barack Obama-s për politikën e jashtme dhe sot një nga politologët më të njohur të Universitetit Georgetown dhe Council on Foreign Relations në Uashington.

Sipas Kupchan, vendimi i Trump-it për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që janë rreshtuar në mbrojtje të Groenlandës tregon se kërcënimet e tij nuk janë thjesht retorikë.

“Ai është realisht i gatshëm të përdorë mjete shtrënguese edhe kundër aleatëve të vet”,paralajmëron ai, duke theksuar se përgjigja e Evropës duhet të jetë e fortë dhe e menjëhershme, përpara se tarifat të hyjnë në fuqi më 1 shkurt.

Sipas politologut amerikan, nëse Evropa qëndron e bashkuar dhe e vendosur, reagimi i Trump-it është i vështirë të parashikohet.

“Jemi në territor të panjohur. Por është momenti që evropianët, si dhe demokratë e republikanë në Kongresin amerikan, t’i bëjnë të qartë Trump-it se aneksimi i Groenlandës kundër vullnetit të banorëve dhe aleatëve do të ishte një akt jashtëzakonisht shkatërrues”,shprehet Kupchan.

Ai beson se Trump nuk udhëhiqet nga një strategji e qartë, por nga instinkti dhe impulsi.

“Me një telefonatë dhe një marrëveshje sigurie me Danimarkën, ai mund të siguronte baza ushtarake, radarë apo sisteme mbrojtëse. Groenlanda është e hapur për biznes dhe për shfrytëzim të burimeve. Por Trump mendon në terma pronësie, si një sipërmarrës imobiliar: për të, toka dhe zotërimi i saj kanë rëndësi psikologjike”, shpjegon ai.

Kupchan vëren edhe kontradiktat brenda vetë elektoratit të Trump-it. Nga njëra anë, ka një prirje izolacioniste që kërkon largimin nga Evropa dhe ndalimin e ndihmës për Ukrainën; nga ana tjetër, një impuls neo-imperialist që e shtyn drejt zgjerimit territorial.

“Janë dy impulse të shekullit XIX, që sot përplasen mes tyre”, thotë ai.

Sipas tij, agresiviteti i Trump-it lidhet edhe me dobësinë e tij politike në rritje: Rënie në sondazhe, rezultate më të mira të demokratëve dhe pakënaqësi në rritje te baza republikane për shkak të rritjes së çmimeve dhe goditjes së shtresave që e kanë votuar.

“Një nga arsyet e këtij agresiviteti është nevoja për të mbajtur të bashkuar elektoratin e tij”,paralajmëron Kupchan.

Ndërkohë, Rusia dhe Kina, sipas tij, janë përfitueset kryesore të kësaj situate.

“Putin dhe Xi nuk kanë pse të bëjnë asgjë. Ata shohin nga larg se si Trump po përçan Amerikën dhe Perëndimin, duke krijuar një kaos që u shkon për shtat kundërshtarëve”, thekson ai.

Megjithatë, Kupchan shprehet disi më optimist se disa muaj më parë.

“Po shoh rezistencë në rritje: në Kongres, në Bashkimin Evropian dhe edhe në rrugët e SHBA-së. Edhe disa republikanë po gjejnë guximin të kundërshtojnë. Nuk mjafton ende, por është një fillim”, thotë ai.

Në fund, politologu amerikan fton Evropën të mendojë edhe për epokën pas Trump-it.

“Një ditë ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Atëherë do të na duhet të rindërtojmë demokracinë amerikane dhe rendin ndërkombëtar. Menaxhimi i çështjes së Groenlandës është kyç për të shpëtuar NATO-n dhe për të gjetur zgjidhje edhe për Ukrainën. Momenti është shumë i rëndë. Shpresa jonë janë evropianët”, përfundon Kupchan./kb

Yesterday — 19 January 2026Main stream

13:59 “‘Smart City’, cenon lirinë dhe privatësinë e qytetarëve”/ Berisha: Dënojmë projektin, është korruptiv

By: Kesjana
19 January 2026 at 13:59

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për mediat. Berisha është shprehur kundër projektit “Smart City”, pasi sipas tij cenon privatësinë e shqiptarëve dhe survejon lëvizjen e tyre.

Ndër të tjera shtoi se ky projekt është vjedhje në përmasa madhore dhe me çmime të fryra. Kryedemokrati është shprehur se PD do ta ngrejë çështjen e këtij projekti edhe në institucione ndërkombëtare.

“Jam para jush për të denoncuar projektin “Smart City”. Synon survejimin e plotë të çdo qytetari.  Me këtë projekt Ed Rama kompleton survejimin më të paligjshëm të shqiptarëve dhe privatësisë së tyre. Ky projekt është vendosje e qytetarëve në kontroll dhe është fund e krye korruptiv. Sistemi ‘Smart City’ regjistron jo vetëm vendodhjen por dhe imazhin e plotë të qytetarëve. Çmimet e ofruara për realizimin ë këtij projekti janë nga 10 deri ne 30-fishin e çmimeve për këto aparatura në treg. Nëqoftëse se ka kamera e trupit të policit kushton në këtë projekt 15 700 euro, ajo blihet kudo me 1500 euro.

Në rast se kamera e rrugës kushton 52 mijë euro, kjo kamerë blihet lirshëm me 2 mijë euro. Pra është 25 herë më e shtrenjtë. Vjedhje në përmasa madhore, ky projekt ka kushtuar 157 milion euro, 15 fish më shumë se në Indi. Dënoj më forcën më të madhe një projekt të tillë si një vjedhje të përmasave të papërmbajtura, si një dhunim dhe cënim i mad hi sigurisë dhe privatësisë së shqiptarëve. Ata nuk mund të shkojnë më te njëri-tjetri pa Syrin e Ciklopit mbrapa. PD do ta ngrejë këtë çështje edhe në institucionet ndërkombëtare pasi është shkelje e të drejtave të njeriut”,tha Berisha. /Kb

13:45 “E hëna Blu”/ Mit marketingu apo ndikim real i dimrit në humorin tonë?

By: Kesjana
19 January 2026 at 13:45

E hëna, 19 janar, njihet shpesh si “E hëna Blu” dhe konsiderohet dita më e trishtuar e vitit. Megjithatë, nuk ka prova shkencore që e vërtetojnë këtë pohim, dhe ai mbetet më shumë një koncept popullor sesa një fakt i bazuar në kërkime.

Termi “E hëna Blu” u krijua për herë të parë në vitin 2005 nga psikologu Cliff Arnall për kompaninë britanike të udhëtimeve Sky Travel, si një mënyrë për të promovuar pushimet dimërore.

Arnall e llogariti këtë datë, zakonisht të hënën e tretë të janarit duke kombinuar disa faktorë, si moti dimëror, borxhet pas festave, koha që ka kaluar që nga Krishtlindjet, nivelet e motivimit dhe vendimet e Vitit të Ri. Megjithatë, formula e tij nuk ka mbështetje shkencore dhe konsiderohet më shumë një ide marketingu sesa një matje reale e lumturisë. Pavarësisht nga kjo, stina e dimrit dhe fundi i vjeshtës shpesh sjellin një “sezon blu” më të gjerë, që mund të ndikojë te humori dhe energjia e njerëzve, duke e bërë perceptimin e “E hënës Blu” më të kuptueshëm në kontekstin e ndryshimeve sezonale të motit dhe aktivitetit shoqëror.

Trishtimi dimëror dhe Çrregullimi Afektiv Sezonal (ÇAS)

Shumë njerëz përjetojnë trishtimin dimëror, një ulje sezonale dhe e përkohshme e humorit dhe energjisë gjatë stinës së ftohtë dhe më të errët.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë:

Humor të ulët

Vështirësi përqendrimi

Ndjenjë lodhjeje

Humbje interesi për aktivitetet që zakonisht i shijojnë.

Shkaku i saktë i ÇAS nuk është plotësisht i njohur, por ekspertët e lidhin me mungesën e dritës natyrore, e cila ndikon te kimikatet e trupit, si serotonina dhe melatonina, të cilat rregullojnë humorin dhe energjinë.

Si të përmirësojmë gjendjen gjatë dimrit

Sipas Stephanie Davies, eksperte e lumturisë, për të kapërcyer trishtimin dimëror nuk duhen ndryshime drastike, por veprime të vogla dhe të qëllimshme që mbështesin mirëqenien mendore.

Këshilla praktike:

Dalja për shëtitje jashtë

Telefonata ose biseda me miq

Ushtrime të rregullta (edhe 20 minuta në ditë janë të mjaftueshme)

Ekspozimi ndaj dritës natyrore

Mbajtja e një ore gjumi të rregullt (7–9 orë)

Ambient sa më i ndriçuar dhe, kur është e mundur, terapia me dritë.

Bashkëveprimi shoqëror është gjithashtu një antidot i fuqishëm kundër izolimit dhe ndjenjës së trishtimit gjatë muajve të ftohtë. Një bisedë e shkurtër, një mesazh ose telefonatë mund të përmirësojnë ndjeshëm humorin.

Përfundimi

Edhe pse “E hëna Blu” është më shumë një koncept marketingu, ndikimi i dimrit te humori i njerëzve është real. Veprime të thjeshta si lëvizja, ekspozimi ndaj dritës natyrore dhe lidhja me të tjerët ndihmojnë në ruajtjen e energjisë dhe mirëqenies mendore gjatë muajve më të errët./Kb

13:30 Ftesa dhe heshtja e Berishës

By: Kesjana
19 January 2026 at 13:30

Nga ARTUR  AJAZI

E ndërsa opozita kishte kohë priste reagime “pro” saj nga përtej Atlantikut, duket se ka ndodhur ajo nuk pritej, sidomos nga Sali Berisha. Nga përtejAtlantikut, ka ardhur Ftesa, jo e ndonjë zyrtari thjeshtë, por nga vetë Donald Trump, për Edi Ramën. Ishte një Ftesë e sinqertë, ku shpreheshin gjitha. Ishte një Ftesë e hapur, e cila vleresonte kryeministrinRama, por vleresonte edhe punën dhe arritjet e deritashme qeverisjes tij dhe Shqipërisë. Nuk ishte e papritur, por habia e madhe ngjau (edhe pse nukduan ta japin vehten) tek selia blu. Ishte si një“tornado” e fuqishme, e cila shkundi PartinëDemokratike, dhe i kujtoi asaj force politike se “Donald Trump punon vërtetë për interesat e SHBA, por punon jashtë saj me njerëz aftë, vleresues, dhedinjitozë”. Kjo pasi, ndryshe Edi Rama kurrë nuk do ishte vleresuar dhe kurrë nuk do kishte marrë Ftesënnga Donald Trump. Dhe nuk është e vetmja, nuk ështëhera e parë Edi Rama (ki inatin dhe jepi hakun Sali) merr vleresime exelente nga burra shteti, kryeministradhe presidentë vendesh Europiane apo dhe nga SHBA. Habia e madhe thonë, “3 ditë zgjat”, por besoj se Ftesa do ta shkundë dhe habisë deri moskuptim, përnjë kohë gjatë opozitën e braktisur nga faktorinderkombetar. Mungesa e reagimit nga Edi Rama, e atyrepalo-akuzavendaj qeverisjes dhe kryeministrit, tanimë e ka një përgjigje nga përtej Atlantikut. Amerikanët apo dhe europianët, janë me njeriun e punës, me aftin, me liderin gëzon popullaritet dheintegritet, dhe jo me akuzuarit nga drejtesia përkorrupsion dhe afera tjera. Ai nuk e ka kuptuarakoma, le ta mësojë tani. Amerika dhe Europa, nukbëhen kurrë palë, dhe nuk mbështesin kurrë liderë konsumuar nga paditë penale, liderë hetuar, dhegjykuar, pasi ata janë besnikë lirive dhe demokracivefunksionale. Pas vajtjes SPAK, ku firmos 2 herë muaj, vajtja e fundit e Berishës, ishte joentuziaste, dhekjo u konstatua kur ai doli prej andej. Ishte i mërzitur, izhgënjyer, dukej jo “optimist për fitoren e PD”, madjenuk e zgjati shumë, edhe kur u pyet nga gazetarja përFtesën e Trump për Edi Ramën. Politikani i njohurrumun Nestor Pompiliu ka thënë se “sa shumë hiqesh naiv politikë, aq shumë largohet fitorja dhe mundësia për fituar zemrat e popullit”. Kjo vlenpër Berishën, i cili ndryshe nga realiteti, apo domosdoshmëria e disa rrugëtimeve politike, ka zgjedhur hiqet sikur nuk ka ndodhur asgjë deri sot, as PD dhe as Shqipëri. Ai ka zgjedhur rrugën e tij, mbretërimin e përjetshëm PartinëDemokratike, kurse Edi Rama mbetet konseguent misionin historik, për Shqipërinë dinjitoze NATO dhe BE

13:00 Kaos me pronën publike, Shqipëria 12 vite pa inventar asetesh

By: Kesjana
19 January 2026 at 13:00

Për rreth 12 vite qeveria e Shqipërisë ka shmangur krijimin e një regjistri në formën e një inventari për asetet fizike pronë publike.

Donatorët dhe Banka e Botërore e kanë asistuar Ministrinë e Financave prej vitesh për të krijuar një regjistër bashkëkohor të pronës publike, por Ministria e Financave po dështon viti pa viti.

Të dhënat e fundit mbi inventarin e aseteve publike i përkasin vitit 2014, me një vlerë totale 353 miliardë lekë ( shiko linkun https://financa.gov.al/pasqyrat-financiare/). Mirëpo që nga ajo kohë miliarda euro janë injektuar për shtimin dhe mirëmbajtjen e pronës publike nga financimet buxhetore nëpërmjet investimeve kapitale dhe shpenzimeve operative të mirëmbajtjes.

Ministria e Financave në një raport monitorim për Strategjinë e Menaxhimit të Financave në 2025 referoi se, inventari i pronave nuk po krijohet për shkak të vonesave në mbledhjen e të dhënave dhe verifikimin e inventarit, veçanërisht në institucionet me kapacitete të kufizuara administrative.

“Llogaritë Kombëtare të Qeverisë po përballen me sfida të përbashkëta, si mbështetja e kufizuar buxhetore, vonesat në mbledhjen dhe strukturimin e të dhënave, si dhe mungesa e sistemeve të integruara për shkëmbimin ndërinstitucional të informacionit. Për të përparuar, kërkohet sigurimi i financimit për infrastrukturën e Web Service, zbatimi i mekanizmave të raportimit në përputhje me SNKSP dhe forcimi i bazës së të dhënave për PPP-të dhe koncesionet, përmes bashkëpunimit më të ngushtë me ATRAKO-n dhe institucionet përkatëse” argumenton Ministria e Financave.

Por ndërkohë që buxheti në dy vitet e fundit është mbyllur me suficit dhe miliona euro hidhen në projekte që nuk ekzistojnë (inceneratorët) krijimi i regjistrit të pronave publike ka vështirësi në financim.

Regjistri i aseteve është jetik për transparencën e qeverisë, pasi pa këtë inventar shteti nuk di realisht çfarë zotëron, ku ndodhen asetet, sa vlejnë dhe si përdoren.

Regjistri u jep institucioneve mbikëqyrëse, Kuvendit, KLSH-së dhe publikut mundësinë të verifikojnë ekzistencën, vlerën dhe përdorimin e pronave publike dhe kjo ul hapësirat për abuzime dhe keq-menaxhim.

Mungesa këtij regjistrit krijon rrezik për humbje, përdorim pa autorizim ose transferime informale të pasurisë publike, ndërkohë që regjistri vepron si mekanizëm kontrolli.

Në mungesë të regjistrit qytetarët nuk kanë mundësi të dinë se çfarë zotëron qeveria, si menaxhohet kjo pasuri dhe nëse ajo përdoret në interes publik.

Asetet që nuk janë të regjistruara dhe të publik janë më të ekspozuara ndaj humbjes, përdorimit pa transparencë, dhënies me koncesion ose transferimeve joformale, shpesh pa një vlerësim të qartë të kostos dhe përfitimit për publikun.

Praktikat kanë treguar se pa një pasqyrë të saktë të aseteve, qeveria mund të investojë në mënyrë joefikase, të ndërtojë infrastrukturë të panevojshme, ose të shesë pasuri publike nën vlerë, duke transferuar kosto te taksapaguesit.

Mungesa e regjistrit ka bërë që qytetarët jo vetëm të humbasin kontrollin mbi pasuritë publike, por edhe një informacion formal për pronat publike të vendit ku jetojnë./ Monitor/kb

12:45 Ftesa e Trump/ Spiropali për deklaratat e opozitës: Sulmuan opinionin publik me fantazi

By: Kesjana
19 January 2026 at 12:45

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka zhvilluar një konferencë për mediat lidhur me ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump që Shqipëria t’i bashkohet “Bordit të Paqes” për Gazën.

Spiropali tha se ndërsa Shqipëria mori këtë ftesë nga aleati i saj më i madh, opinioni publik u sulmua nga brenda me ato që ajo i quajti fantazi të opozitës.

“Ndërkohë që Shqipëria ftohet si një bashkëndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar që synon paqen e qëndrueshme në botë, opinion publik shqiptar sulmohet nga brenda më fantazi të kundërshtarëve të kësaj qeverie. Periferia e skenës tonë politike ndizet a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo se u ftua me nder. Aftësia për ti kontribuar paqes dhe sigurisë, çka Shqipërisë ja çmojnë prej vitesh, në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj lloj tregimesh që do paguakemi për bordin, me palestinezë që do sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës në Bordin e Paqes. Tamam kur kjo ftesë e Trump për kryeministrin konfirmon besimin e ndërsjellë në partneritetin strategjik SHBA-Shqipëri, në Tiranë pasqyrat mediatike mbushen me shëmbëlltyrat e dëshpërimit a thua së në tryezë do të ulet Shqipëria e një partie dhe jo Shqipëria e gjithë shqiptarëve. Shqipëria po vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj i madh, SHBA. Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike u turrën të helmojnë publikun, e morën përgjigjen direkt nga presidenti Trump, i cili ka nënshkruar se Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, u shpreh Spiropali. /Kb

12:30 Ryanair refuzon WI-FI nga Starlink/ Musk paralajmëron se do të blejë linjën për të pushuar CEO-n e saj

By: Kesjana
19 January 2026 at 12:30

Vendimi i Ryanair për të anashkaluar WiFi-n e Starlink është kthyer në një sherr të madh publik mes Elon Musk dhe drejtorit ekzekutiv të Ryanair, Michael O’Leary.

Përplasja shpërtheu në publik pasi O’Leary e hodhi poshtë Musk dhe biznesin e tij të internetit satelitor në një intervistë radiofonike në “Newstalk të Irlandës”.

Duke iu përgjigjur Musk-ut që e quajti atë “të keqinformuar” për refuzimin e Ryanair për të instaluar Starlink Wi-Fi, O’Leary u tha dëgjuesve se nuk do t’i kushtonte aspak vëmendje Elon Musk.

“Ai është një idiot shumë i pasur, por prapëseprapë një idiot”, tha O’Leary. Ai gjithashtu e përshkroi platformën e mediave sociale X të Musk si një pus uji.

Musk iu kundërpërgjigj X, duke shkruar: “CEO i Ryanair është një idiot i madh. Pushojeni nga puna këtë budalla”

Ryanair në platformën X u bashkua gjithashtu në këtë debat, duke tallur Musk gjatë një ndërprerjeje të raportuar në platformën e tij, duke u përgjigjur: “ndoshta ke nevojë për Wi-Fi?”

Pas fyerjeve qëndron një mosmarrëveshje thelbësore në lidhje me kostot dhe performancën e avionëve. Ryanair ka përjashtuar publikisht instalimin e Starlink në më shumë se 600 Boeing 737 të saj, duke argumentuar se antenat e jashtme do të rrisnin rezistencën ndaj ajrit dhe konsumin e karburantit.

O’Leary ka thënë se teknologjia do të impononte një gjobë prej rreth 2 përqind për karburantin dhe mund t’i kushtonte linjës ajrore qindra miliona dollarë në vit, një kompromis që ai thotë se nuk ka shumë kuptim në fluturimet me distanca të shkurtra ku pasagjerët nuk ka gjasa të paguajnë për lidhje.

Musk i kundërshton këto shifra, duke iu referuar linjave ajrore që tashmë fluturojnë me avionë të pajisur me Starlink dhe duke argumentuar se interneti i shpejtë do të formësojë gjithnjë e më shumë zgjedhjen e pasagjerëve.

Teksa përplasjet vijonin në platformën X një përdorues sugjeroi që Musk thjesht të blinte Ryanair dhe të pushonte nga puna CEO, ndërsa Musk u përgjigj: “Ide e mirë”. /Kb

12:15 E pazakontë në Sarandë! Çifti i moshuar plagos me thikë të miturit. Djali i tyre…

By: Kesjana
19 January 2026 at 12:15

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Sarandë, ku një çift i moshuar kanë plagosur me thikë një të mitur.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit me inicialet L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, bashkëshortë, banues në Sarandë, pasi dyshohen se për motive të dobëta, kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në pjesën e dorës. Po ashtu ka nisur procedimi për djalin e tyre 37-vjeçar.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, bashkëshortë, banues në Sarandë, pasi dyshohen se për motive të dobëta, kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në pjesën e dorës, një shtetas të mitur, si dhe nuk janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për shoqërim. Në kuadër të këtij rasti është proceduar penalisht edhe shtetasi E. B., 39 vjeç, (djali i çiftit të bashkëshortëve), pasi dyshohet se ka kanosur gjithashtu të miturin me mjet prerës”, sqaron policia./kb

12:12 Zhupa në Konferencën e Kryetarëve: Asnjë nga projektligjet e opozitës nuk ka datë për shqyrtim, nuk e lejon qeveria

By: Kesjana
19 January 2026 at 12:12

Last Updated on 19/01/2026 by Kesjana

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është zhvilluar me debate mes opozitës dhe mazhorancës.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka akuzuar mazhorancën se asnjë nga projektligjet e propozuara nga opozita nuk janë marrë parasysh për shqyrtim.

Sipas deputetes, është qeveria ajo që e pëngon këtë.

“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.

Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?

Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit public

S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar. Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës”, tha ajo./kb

12:11 Detaje nga Konferenca e Kryetarëve/ Balla-opozitës: Do ta vazhdojmë punën për reformat edhe pa ju

By: Kesjana
19 January 2026 at 12:11

Last Updated on 19/01/2026 by Kesjana

Ditën e sotme është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, ndërsa janë zbardhur edhe diskutime nga brenda takimit.

Lidhur me bojkotin e opozitës në komisionet e posaçme për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se ata nuk mund të bllokojnë punën.

Duke iu drejtuar opozitës, Balla ka paralajmëruar se punimet për reformat do të vazhdojë pa ata, nëse do të zgjedhin të tërhiqen nga komisionet.

“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër.

Duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund të bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nese ju sot thoni tërhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë te njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.

Gjithashtu të gjithë ia themi njëri-tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027. Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë.

Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare”, është shprehur Balla. /Kb

12:00 Fitoi Shqipëria nga ftesa e Trump?

By: Kesjana
19 January 2026 at 12:00

Nga Fatos Çoçoli

Ftesa e Presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar Kryeministrit Edi Rama për të qenë pjesë e Bordit të Paqes së Gazës nuk është thjesht një akt protokollar. Ajo përfaqëson një fitore diplomatike për Shqipërinë dhe përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë strategjike për vendin tonë.

Dhe jo vetëm për marrëdhëniet Shqipëri–SHBA, por edhe për pozicionimin ndërkombëtar të vendit, në një nga çështjet më delikate të sigurisë globale. Ka disa arsye pse kemi dalë të fituar. Së pari, kjo ftesë është një njohje e drejtpërdrejtë e rolit dhe besueshmërisë së Shqipërisë si një aktor i përgjegjshëm në politikën ndërkombëtare. Një vend i vogël në përmasa, por i qëndrueshëm në orientimin e tij euroatlantik, Shqipëria shihet si palë që kontribuon në paqe, dialog dhe stabilitet.

Përfshirja e Kryeministrit Rama në një strukturë që synon paqen në Gaza tregon se Tirana zyrtare konsiderohet një zë i moderuar dhe konstruktiv në arenën globale. Së dyti, ftesa e Presidentit Trump thekson marrëdhënien strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Historikisht, Shqipëria ka qenë një nga aleatët më të besueshëm të SHBA-së në Ballkan, duke mbështetur iniciativat amerikane në NATO, në luftën kundër terrorizmit dhe në misionet ndërkombëtare të paqes.

Ky hap konfirmon vazhdimësinë e këtij partneriteti dhe besimin politik që Uashingtoni ka ndaj udhëheqjes shqiptare. Së treti, përfshirja e Kryeministrit Rama në bordin e Paqes së Gazës rrit profilin diplomatik të Shqipërisë përtej rajonit të Ballkanit. Gaza dhe konflikti izraelito-palestinez janë çështje me ndikim global, ku përfshihen interesa të mëdha gjeopolitike. Prania e një përfaqësuesi shqiptar në këtë tryezë e vendos vendin tonë në një nivel më të lartë të diplomacisë shumëpalëshe dhe e bën Shqipërinë pjesë të diskutimeve, ku merren vendime me rezonancë ndërkombëtare.

Ftesa nuk ka asnjë detyrim financiar për buxhetin e Shtetit tonë, as edhe nuk kushtëzohet me kontribute financiare, pasi dihen kufizimet dhe mundësitë financiare të Shqipërisë. Së katërti, kjo ftesë ka edhe një dimension simbolik dhe moral. Vendi ynë njihet ndërkombëtarisht për traditën e tij të tolerancës fetare dhe bashkëjetesës paqësore. Ky model shoqëror përbën një vlerë të shtuar në çdo nismë që synon paqen në zona konfliktesh të thella, si Gaza. Ftesa e Trump mund të shihet edhe si një përpjekje për të sjellë në tryezë këtë përvojë unike shqiptare. Në fund, ftesa e Presidentit Trump për Kryeministrin Rama nuk është vetëm një ngjarje protokollare, por një sinjal i qartë politik.

Ajo dëshmon se Shqipëria po fiton hapësirë dhe peshë në diplomacinë ndërkombëtare dhe se lidershipi i saj po perceptohet si pjesë e zgjidhjeve, jo e problemeve. Në një botë të trazuar nga konflikte dhe tensione, ky është një kapital politik dhe diplomatik që i shërben interesave afatgjata të vendit. Së pesti, vendi ynë nuk paraqitet thjesht si përfitues i sigurisë ndërkombëtare, por si kontribuues aktiv. Anëtarësimi në Bordin e Paqes së Gazës e shfaq vendin si faktor dialogu, ndërmjetësimi dhe zëri i moderuar në konflikte të ndërlikuara, duke ndërtuar një imazh pozitiv dhe afatgjatë. Angazhimi në misione paqeruajtëse dhe forume ndërkombëtare rrit kredibilitetin e Shqipërisë edhe në sytë e Bashkimit Europian. Kontributi për stabilitet global është një element i rëndësishëm politik që forcon argumentin se Shqipëria është gati të marrë përgjegjësi si vend anëtar i ardhshëm i BE-së.

Së gjashti, pjesëmarrja në këtë bord krijon mundësi për kontakte të reja diplomatike, bashkëpunim shumëpalësh dhe rol më aktiv në iniciativat ndërkombëtare për rindërtim, ndihmë humanitare dhe zhvillim ekonomik në rajone konflikti. Së shtati, ftesa e Presidentit Trump për Shqipërinë është gjithashtu një mesazh për Ballkanin: vendet që mbështesin paqen, stabilitetin dhe aleancat perëndimore shpërblehen me rol dhe besim. Kjo e veçon Shqipërinë pozitivisht nga vendet që ndjekin politika të paqarta dhe që pjellin tension. Ftesa rrit peshën ndërkombëtare të vendit, forcon aleancën me SHBA-të dhe e pozicionon Shqipërinë si një aktor të përgjegjshëm në skenën globale të paqes dhe të sigurisë. Në një botë të trazuar, Shqipëria fiton zë, rol dhe respekt./kb

11:45 Vendimi i GJK për arrestin shtëpiak/ Berisha: I turpshëm, ajo gjykatë është një seksion i PS-së

By: Kesjana
19 January 2026 at 11:45

Në deklaratën për mediat pas daljes nga SPAK-u, kryetari i PD-së, Sali Berisha, foli sërish lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e tij për arrestin shtëpiak.

Berisha akuzoi Gjykatën si “një seksion të Partisë Socialiste”, ndërsa shtoi se ajo çështje u trajtua me shumë vonesë. Sipas tij, gjykata shpalli jokushtetues vendimin, por nuk e shfuqizoi. Ai theksoi se ai vendim ishte i turpshëm.

“Gjykata Kushtetuese është një seksion i Partisë Socialiste. Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajsh paraqitje, ndërkohë që në rastin e zyrtarëve duhet trajtuar pas dy ose tri javësh. Gjykata shpalli jokushtetues vendimin ndaj meje, por nuk e shfuqizoi. Ai vendim ka pasoja edhe sot. Nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por janë në fuqi pasojat e tij. Vendimi është i turpshëm”, tha Berisha. /Kb

11:30 “Operacioni në ‘call center’ u dekonspirua”/ Berisha akuza policisë: Morën para që të mbyllin sytë

By: Kesjana
19 January 2026 at 11:30

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka folur për operacionin në “call center” duke hedhur akuza ndaj policisë se kanë marrë para për të mbyllur sytë para një veprimtarie të tillë që ka vjedhur dhe mashtruar qytetarët e vendeve të huaja. Ai shtoi se operacioni u dekonspirua.

“Dekonspiruan operacionin dyvjeçar të një grupi gazetarësh hetimorë ndër më të shkëlyqerit në Europë. Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, Europë dhe botë.

Mashtrojnë qytetarët dhe ‘call center’-i i cili u kontrollua sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim. Kjo veprimtari kriminale është e tëra në mbikëqyrjen e narkopolicisë.

Njëlloj si dikur për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa 300 euro kur ishin të shëndetshëm, çdo qendër për çdo kompjuter u paguan tarifa zyrtarëve të policisë që mbyllin sytë para një veprimtarie të tillë. Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkëqij”, tha Berisha./Kb

❌
❌