Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Risitë e projektligjit “Për prefektin e qarkut”/ Forcohet roli në mbrojtjen e territorit, shtohet pozicioni i “Prefektit Detar”

By: Fax Web
23 December 2025 at 18:34

Propozimet për ndryshime në ligjin “Për prefektin e qarkut”, u diskutuan në një tryezë konsultative të drejtuar nga Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, në të cilën ishin të pranishëm të gjithë prefektët e qarqeve në vend.

Sipas draftit të përgatitur, në ligjin e ri do të forcohet roli i prefektit në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e territorit, po gjithashtu edhe për emergjencat civile e për aspekte të ndryshme të sigurisë publike.

Një risi e propozuar është ajo e funksionit të “Prefektit Detar”, i cili ka në përgjegjësi mbrojtjen e vijës bregdetare.

Gjatë kësaj tryeze konsultative u vlerësuan propozimet e bëra dhe u bënë sugjerime interesante në lidhje me projektligjin e ri.

Duke qenë se po afrohemi drejt fundit të vitit, Ministrja Koçiu u kërkoi prefektëve të qarqeve një angazhim edhe më të fortë për të koordinuar strukturat në garantimin e rendit e sigurisë publike gjatë festave që po afrojnë, por edhe në lidhje me masat që duhen pasur parasysh në raste emergjencash.

Nuk kanë marrë pagat/ Punonjëset e lavanderisë dhe kuzhinës protestojnë para drejtorisë së QSUT

By: Fax Web
23 December 2025 at 18:25

Punonjëset e lavanderisë dhe kuzhinës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë dalë sot në protestë pasi prej një muaji nuk kanë marrë pagat.

Për disa minuta ato janë shkëputur nga puna e tyre dhe kanë protestuar para drejtorisë së QSUT-së duke kërkuar rrogat.

Si fundvit që jemi kemi nevoja dhe familje për të mbajtur“, ka thënë ndër të tjera ato. 

Sipas tyre, pas presioneve të drejtuesve, janë shpërndarë nga protesta pasi u është premtuar se pagat do të hidhen ditën e hënë.

Nëse edhe të hënën nuk marrin pagat, punonjëset kanë paralajmëruar se do të dalin sërish në protestë.

Aksident në aksin Korçë-Pogradec, një i plagosur rëndë

By: Fax Web
23 December 2025 at 18:10

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Maliq, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:20, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec“, në fshatin Sovjan, Maliq, automjeti tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin B. M., ka përplasur shtetasin I. S., rreth 65 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë në rrugë.

65-vjeçari u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Njoftimi i Policisë:

“Maliq/Informacion paraprak

Më datë 23.12.2025, rreth orës 17:20, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në fshatin Sovjan, Maliq, automjeti tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin B. M., ka përplasur shtetasin I. S., rreth 65 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë në rrugë. 65-vjeçari u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”.

Arrestohet sërish aktivistja Greta Thunberg, po merrte pjesë në një protestë pro-Palestinë në Londër

By: Fax Web
23 December 2025 at 17:59

Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, u arrestua në Londër nga policia britanike, teksa po merrte pjesë në një protestë pro-palestineze të zhvilluar në qendër të kryeqytetit britanik.

Sipas mediave ndërkombëtare, arrestimi i saj u konfirmua nga Policia e Qytetit të Londrës, e cila njoftoi se 22-vjeçarja u ndalua për shfaqjen e një pankarte në mbështetje të organizatës Palestine Action, e cila është shpallur organizatë e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar.

Protesta ishte organizuar në shenjë solidariteti me tetë anëtarë të Palestine Action, të cilët ndodhen aktualisht në paraburgim dhe janë në grevë urie prej më shumë se 50 ditësh.

Ata po protestojnë kundër procesit gjyqësor ndaj tyre, si dhe ndaj kushteve të burgimit që, sipas mbështetësve, konsiderohen të padrejta.

Demonstrata u mbajt përpara zyrave të kompanisë Aspen Insurance në Londër.

Organizatorët e protestës pretendojnë se kjo kompani ofron shërbime sigurimi për Elbit Systems, një kompani izraelite e industrisë së mbrojtjes, e cila është shpesh objekt kritikash nga aktivistët pro-palestinezë.

Greta Thunberg, e njohur ndërkombëtarisht për angazhimin e saj në çështjet klimatike, ka zgjeruar vitet e fundit aktivizmin e saj edhe në fusha të tjera, përfshirë të drejtat e njeriut dhe konfliktet ndërkombëtare.

VIDEO/ Nuk qëndronin më shumë se 15 minuta, policia italiane çmonton bandën e “skifterave” shqiptarë

By: Fax Web
23 December 2025 at 17:50

Policia e Veronës në Itali ka shkatërruar një bandë hajdutësh, e përbërë nga 4 shtetas shqiptarë, të moshës 25–28 vjeç, të specializuar në vjedhje të shpejta në banesa.

Vjedhja e fundit e dokumentuar nga autoritetet ndodhi më 19 dhjetor, kur dy banesa në qytet u grabitën. Nga shtëpitë u vodh një kasafortë që përmbante bizhuteri dhe para cash.

Të dyshuarit u arrestuan nga Skuadra Lëvizëse e Policisë së Veronës, ndërsa po ktheheshin në bazën e tyre, me sendet e vjedhura ende në automjet, raporton TgCom.

Arrestimi erdhi pas disa javësh ndjekjeje dhe mbikëqyrjeje, që çuan në identifikimin e mjetit të përdorur nga autorët.

Sipas policisë, hajdutët vepronin me saktësi dhe shpejtësi, duke mos qëndruar më shumë se 15 minuta në çdo banesë. Ata përdornin gjithmonë të njëjtën mënyrë veprimi dhe mjete profesionale për të hapur dyert dhe kasafortat.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre jashtë qytetit, policia sekuestroi sende të tjera me vlerë dhe para cash.

Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e pronarëve dhe kthimin e sendeve të vjedhura tek poseduesit.

PAMJET/ Ferrari përplaset dhe merr flakë pasi del nga tuneli, humb jetën krijuesi i “Call of Duty”

By: Fax Web
23 December 2025 at 17:37

Vince Zampella, drejtuesi ekzekutiv me ndikim i videolojërave dhe bashkëkrijuesi i “Call of Duty”, ka vdekur në moshën 55 vjeçare pas një aksidenti me makinë në Kaliforni.

NBC Los Angeles raporton se aksidenti ndodhi në autostradën Angeles Crest, rreth orës 12:45.

Shoferi u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa një pasagjer u dërgua me urgjencë në spital, ku më vonë u konfirmua i vdekur.

Momenti i aksidentit

Vdekja e Zampella ka tronditur komunitetin global të video-lojërave, ku ai konsiderohej si një nga udhëheqësit më të rëndësishëm.

Ai luajti një rol qendror në formësimin e “Call of Duty”, një nga video-lojërat më të suksesshme në histori, me shitje globale që tejkalonin 500 milionë kopjet.

Ai hyri në industrinë e videolojërave në mesin e viteve 1990, duke punuar me “Medal of Honor” përpara se të bashkëthemelonte “Infinity Ward” në vitin 2002, së bashku me Grant Collier dhe Jason West.

Nën udhëheqjen e tij, studioja zhvilloi disa nga hyrjet më të vlerësuara në serinë “Call of Duty”duke përfshirë Modern Warfare (2007) dhe Modern Warfare 2 (2009).

Beqaj “shpërthen” ndaj Avokatit të Popullit: Nuk më habit vota, por puthja

By: Fax Web
23 December 2025 at 17:14

Ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, nën akuzë për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal, foli në gjykatë për denoncuesin e koncesionit të sterilizimit, sot Avokat i Popullit.

Me SPAK-un përballë Beqaj njoftoi Endri Shabanin se do të jetë i parë në listën e dëshmitarëve përderisa ka bërë deklarime publike dhe që e kallëzoi ndonëse ishte i informuar që hetimi ishte pushuar.

Beqaj dha një mesazh për deputetët: “ata që e zgjodhën e dinë vetë. Unë personalisht me të do përballem këtu në proces.. Ajo që më habiti nuk ishte vota, ishte puthja para atyre deputetëve” deklaroi Beqaj, i cili u ndërpre nga gjykata mbasi u vlerësua se çfarë po thoshte i pandehuri nuk ka lidhje me procesin.

Ilir Beqaj po gjykohet veç, ndërsa tetë të tjerë ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi u gjykuan me procedurë të shkurtuar. Ndërsa Beqaj që po bën gjykim të zakonshëm ka ngecur tek kërkesa për të lexuar fashikujt

Për sterilizimin ish ministri kishte masën e detyrimit me paraqitje, ndërkohë që ai përfundoi nën arrest për një dosje të dytë atë të SASPAK.

“Bie Shteti Online”, nuk kryhet dot asnjë veprim! Ankohen bizneset

By: Fax Web
23 December 2025 at 17:06

Bizneset po hasin vështirësi të shumta gjatë ditëve të fundit për kryerjen e shërbimeve online, po ashtu dhe individët.

Ndonëse tashmë kemi dhe Ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, me emrin “Diella”, që vepron në formë virtuale, dhe Shqipëria doli në lajmet ndërkombëtare për këtë risi, realiteti është krejt ndryshe.

Në orën 14.00 nëse hap faqen e E-Albania, faqja hapet normalisht, por nëse kërkon të bësh një shërbim, faqja del e padisponueshme.

Bizneset ankohen se prej disa ditësh nuk po funksionojnë sistemet bazë operative të punës dhe kjo është një situatë e patolerueshme.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk bëhen dot aplikime për regjistrim të shoqërive të reja, ose ndryshime (shitje kuotash, kapitali), sistemi “self care” përmes të cilat nxirren faturat punon me vështirësi, ose nuk punon fare.

Ndërkohë sistemi i tatimeve punon normalisht, por sistemet e tjera, ku ndërlidhja bëhet përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nuk janë funksionale.

Nga kjo situatë janë prekur dhe individët. Është e pamundur të bësh rezervim për pasaportë e karta pasi sistemi i gjendjes civile nuk punon fare (në E-Albania njoftohet që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile gjatë ditës së sotme do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj dhe kjo mund tw ndikojw te shwrbimet). Kjo ka ndikuar dhe bizneset, që nuk arrijnë të aplikojnë për raportet e përfitimeve afat shkurtra për punonjësit si raporte barrë lindje.

Rënia e njëkohshme ose mosfunksionimi i sistemeve kryesore online të shërbimeve për biznesin, si e-Albania, QKB dhe SelfCare, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo e profesionistëve me klientët e tyre”, thotë Julian Saraçi, ekspert fiskal.

“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale. Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla”, shton ai.

Në këtë kontekst, bizneset vlerësojnë si të domosdoshme:

• transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre;
• forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale;
• parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave;
• komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.

Digjitalizimi është një arritje e rëndësishme, por ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe qasje serioze ndaj riskut operacional. Ne inkurajojmë institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, në dialog me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme”, thotë Saraçi. /Monitor

Hakeroi kompjuterat e SPAK, mbyllen hetimet/ Ish-kreu i Burgjeve del pas më shumë se dy orësh nga Prokuroria e Posaçme

By: Fax Web
23 December 2025 at 18:39

Ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili është paraqitur sërish sot në SPAK ku ka qëndruar për më shumë se dy orë.

Ndaj ish zyrtarit dhe Zambak Gjoni e Arnold Rrokaj janë mbyllur hetimet për përgjim i paligjshëm në kuadër të grupit kriminal.

Më herët, ish-drejtuesi i burgjeve ishte në hetim nga SPAK për tre vepra penale, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, kryerje e veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe grup kriminal.

Hakerimi i kompjuterëve u sinjalizua në 12 mars të këtij viti dhe brenda pak kohësh përfunduan në pranga ish zyrtari i burgut Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.

Ky i fundit është personi që theu kodet e sigurisë së kompjuterëve dhe materialet e përftuara ja përcolli Gjonit, që nga ana e tij ja përcolli Ismailajt.

Nga hetimet e SPAK rezulton se personat e përfshirë dyshohet se kanë tentuar të ndërhyjnë në kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, me synimin për të siguruar të dhëna sensitive.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, tentativa për depërtim në sistemin e brendshëm të IT-së ka dështuar dhe hakerët nuk kanë arritur të hyjnë në databazat kryesore të institucionit.

SPAK ka sqaruar se të arrestuarit kanë mundur të sigurojnë disa të dhëna të pjesshme, të cilat më pas dyshohet se janë shpërndarë te persona të tjerë.

Në këtë rreth përfshihen dy gazetarë, si edhe Agim Ismaili, ish-kreu i Burgjeve, dhe Dritan Palnikaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.

 

Hetimet janë fokusuar në rolin konkret të secilit person, mënyrën e sigurimit të informacionit dhe qëllimin e përdorimit të tij.

SPAK vlerëson se rasti përbën një ngjarje serioze që synon cenimin e sigurisë së institucioneve të drejtësisë dhe ka theksuar se mbrojtja e sistemeve informatike dhe e pavarësisë së prokurorëve mbetet prioritet.

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet për rritjen e çmimit të biletës për dy linjat urbane të Kamzës

By: Fax Web
23 December 2025 at 16:41

Këtë të martë, më 23 dhjetor, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj kompanisë së linjave të transportit Urban të Kamzës, pas rritjes së çmimit nga 40 lekë në 50 lekë.

“NJOFTIM PER SHTYP – HETIMI NDAJ SHPRESA AL – TRANSPORT URBAN KAMEZ

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak në transportin urban në Kamëz

Pas ankesave dhe shqetësimeve publike për rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak ndaj SHPRESA – AL SHPK.

Linjat e përfshira

  • Kamëz – Tiranë – Kamëz
  • Paskuqan – Babrru – Tiranë

SHPRESA – AL SHPK rezulton operatori i vetëm i licencuar, duke zotëruar pozitë dominuese në treg.

Nga vlerësimi paraprak, mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave.

Periudha e hetimit: 1 janar 2025 – 12 dhjetor 2025

Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë me trajtimin e çështjes dhe do të informojë publikun për rezultatet e procedurës dhe çdo vendimmarrje të mëtejshme”.

Kujtojmë se, me vendim të Këshillit Bashkiak të Kamzës, duke nisur nga data 1 nëntor, qytetarët paguajnë 10 lekë më shumë për të përdorur autobusët e dy linjave.

Aksidentohet motra e Messit, shtyhet dasma…

By: Fax Web
23 December 2025 at 16:25

Maria Sol Messi, motra e yllit argjentinas së futbollit, Lionel Messi, është përfshirë në një aksident rrugor në Miami, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

32 vjeçarja ka marrë disa plagë duke dëmtuar edhe 2 vertebra, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Megjithatë situata nuk është ndër më të mirat, pasi sipas asaj që publikohet në median argjentinase, Maria Sol u ndje keq teksa ishte duke drejtuar automjetin e saj një makinë model SUV dhe në momentin kur humbi kontrollin e tij u përplas me një mur.

Ajo u kthye në vendlindje ku do të nisë procesin e riaftësimit që do të jetë i gjatë në kohë, ndërkohë që martesa e parashikuar të mbahej në 3 janar është shtyrë për një datë tjetër.

5 euro për frymë në vit/ Procesi i zgjerimit kushton 46.6 miliardë euro

By: Fax Web
23 December 2025 at 16:16

Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, çdo banor i Bashkimit Evropian do të duhej, mesatarisht, të paguante pesë euro dhe 29 cent euro në vit gjatë një periudhe 7-vjeçare për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Nëse e llogarisim koston totale të integrimit të Ballkanit Perëndimor, ajo shkon në 46.6 miliardë euro, nëse e shpërndajmë për frymë të BE-së gjatë shtatë viteve, e përkthyer ndryshe rezultati arrin në çmimin e një kafeje dhe një kroasani në vit.

Mesatarisht, barra për secilin shtet anëtar të BE-së do të ishte 0.015% e të ardhurave kombëtare bruto.

Ekspertët gjermanë shprehen se shqetësimi kryesor mes qytetarëve të BE-së është fakti se nëse shtysa e re e zgjerimit do ta bënte unionin më të fortë apo më të dobët.

Sipas këtij studimi mbi kostot dhe përfitimet e procesit te zgjerimit anëtarësimi i shteteve të rajonit do të sillte përfitime ekonomike si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për BE-në.

Shtetet e reja anëtare nuk ishin vetëm marrëse të fondeve të BE-së, por ato do të kontribuonin edhe në familjen evropiane, prandaj zgjerimi nuk ishte kurrë vetëm një kosto në një drejtim.

“Ku ka shqiptarë, ka shpirt kuqezi”, Spiropali viziton Komunën e Tetovës: Qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon

By: Fax Web
23 December 2025 at 16:03

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali vijoi vizitën e saj zyrtare në Komunën e Tetovës të Maqedonisë së Veriut.

Spiropali u prit në Komunën e Tetovës nga Kryetari i saj Bilall Kasami.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon.

Më tej, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës.

Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët”, theksoi Spiropali nga shkolla e mesme mjekësore.

Postimi i plotë:

Ku ka shqiptarë, ka atdhedashuri, patriotizëm, shpirt kuqezi! Pritja në Komunën e Tetovës nga Kryetari Bilall Kasami ishte një ndalesë me shumë domethënie, ku folëm për zhvillimin lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon.

Me emocione shijuam performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës, aty ku një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët”.

VIDEO/ Quhet Breno Bidon, talenti brazilian që po çmend rrjetin me driblimin e tij

By: Fax Web
23 December 2025 at 15:54

Breno Bidon e mbylli sezonin si një nga lojtarët më të spikatur të Corinthians, e cila arrit të fitojë Kupën e Brazilit.

Në finalen e zhvilluar në “Marakana” ndaj Vasco da Gama, mesfushori 20-vjeçar ishte vendimtar në golin që siguroi fitoren 2-1.

Aksioni i golit nisi nga këmbët e Bidon, i cili realizoi një driblim shumë të bukur ndaj Cauan Barros dhe vazhdoi lojën që përfundoi me golin vendimtar për ekipin bardhezi, përcjell Fax News.

Pikërisht ky driblim është shndërruar tashmë në “hit” në rrjetet sociale.

 

Loja e futbollistit ka patur jehonë edhe në Evropë me skuadra të ndryshm që kanë nisur interesimin për të.

Por plani i Corinthians-it është i qartë: nuk ka asnjë qëllim për të negociuar mbi “xhevahirin” e tij në këtë moment. Madje, sipas asaj që ka mësuar ESPN, vlerësimi i disa specialistëve është se Bidon ende nuk ka arritur potencialin e tij maksimal.

Vlera e lojtarit aktualsht sillet mes 15 dhe 20 milionë euro. Ai ka kontratë deri në fund të vitit 2029 dhe një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh.

Në muajt e fundit, dy klube evropiane janë shfaqur të interesuara për Bidon: PSV nga Holanda dhe, së fundmi, Sporting nga Portugalia. Megjithatë, ende nuk ka asgjë konkrete.

Kinezet prostitucion në Vlorë/ Arrestohen dy, një tjetër shpallet në kërkim

By: Fax Web
23 December 2025 at 15:35

Policia e Vlorës ka goditur një rast të trafikimit dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion, duke vënë në pranga dy shtetas kinezë, ndërsa një tjetër shtetase është shpallur në kërkim.

Sipas policisë, këta shtetas dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në apartamentin e marrë posaçërisht për këtë qëllim.

Shtetasja J. G. dhe një shtetas shqiptar, E. B., i cili u gjet në ambientet e apartamentit, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.

“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion. Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. 2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim”, njofton policia.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Medalje e Artë” për maturantët ekselentë, Rama: Kjo sallë ka tru më shumë sesa asnjëherë tjetër

By: Fax Web
23 December 2025 at 15:06

Kryeministri Edi Rama mikpriti në mjediset e Kryeministrisë maturantët ekselentë nga i gjithë vendi, të cilët kanë shkëlqyer me rezultatet e tyre në mësime, duke merituar Medaljen e Artë të dorëzuar nga vetë Kryeministri së bashku me certifikatën shoqëruese.

Në ceremoninë, e cila është kthyer në një traditë vjetore të vlerësimit të ekselencës akademike, ishte edhe Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e cila ndau me të rinjtë mesazhe frymëzuese nga vepra “Letër bijës time” e shkrimtares Maya Angelou, teksa theksoi se suksesi është rezultat i përpjekjes së vazhdueshme dhe i zgjedhjes për të ndjekur rrugën e dijes.

Ndërsa, Kryeministri Rama nënvizoi se numri i medaljeve të arta këtë vit është më i larti që nga krijimi i këtij eventi, një tregues i qartë i rritjes së performancës akademike, i cili përkon edhe me rritjen e numrit të studentëve shqiptarë që pranohen në universitete prestigjioze ndërkombëtare.

Kryeministri uroi të rinjtë për rrugëtimin e tyre të ardhshëm, duke i inkurajuar të ndjekin ëndrrat me guxim dhe këmbëngulje, si dhe të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre dhe kontributin që, në të ardhmen, mund t’i japin Shqipërisë.

Së pari mirë se keni ardhur këtu në Kryeministri. E them çdo herë në përsëritjen e kësaj ceremonie tanimë tradicionale, që ky është momenti kur kjo sallë  ka brenda më shumë tru sesa asnjëherë tjetër. Është një ceremoni tradicionale që është dhe momenti më i bukur i fundvitit për mua këtu në këtë zyrë, sepse besoj që nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh detyrën të vlerësosh mundin, përpjekjen dhe rezultatet e njerëzve si ju. Sot, ju keni plotësisht të qartë se çfarë përfaqëson suksesi juaj.  

Me siguri keni të qartë pjesën që ka të bëjë me prindërit. Keni të qartë pjesën që ka të bëjë me vëllezërit, me motrat, me gjyshen, gjyshin, të cilët pa diskutim, rezultati juaj i bën shumë të lumtur, por nuk besoj se keni plotësisht të qartë atë që ky rezultat dhe ky sukses do të thotë për shoqërinë tonë, do të thotë për të gjithë brezin tuaj dhe s’ma ha mendja se juve e mendoni se çfarë do të thotë për mua personalisht. Unë besoj që për ne të gjithë si njerëz, pavarësisht moshës, pavarësisht statusit, pavarësisht vendndodhjes, shembujt janë shumë të rëndësishëm.

Shembujt janë shumë të rëndësishëm për të na nxitur që të vazhdojmë më tutje. Dhe shembujt na nxisin në forma të ndryshme dhe nga drejtime të ndryshme. Shembulli i një fqinji që mbjell lule dhe bën që oborri i tij të duket bukur, na nxit që edhe ne të mbjellim lule, që të bëjmë të bukur oborrin tonë dhe kështu me radhë. Dhe besoj që shembujt na ndikojnë dhe i kemi shumë të nevojshëm“, tha ndër të tjera Rama.

“Luajnë mirë futboll”/ Trajneri i Polonisë: Rruga drejt Botërorit kalon nga Shqipëria

By: Fax Web
23 December 2025 at 14:56

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, i ka thurur elozhe Kombëtares shqiptare, që do të jetë rivali i tij në gjysmëfinalen e “Play Off”-it.

Ai thotë se dueli nuk do të jetë aspak i lehtë, sepse kuqezinjtë janë një skuadër që dinë të luajnë mirë futboll dhe këtë e tregon fakti që ndodhen në këtë fazë të eliminatoreve.

Shqipëria është një skuadër që ia ka dalë të kalojë grupin. Ata dinë të luajnë mirë futboll, ashtu si pjesa më e madhe e skuadrave që kanë siguruar Botërorin. Është një ndeshje dhe mund të ndodhë gjithçka. E di shumë mirë që gjatë kësaj kohe duhet të monitoroj jo vetëm lojtarët e mi, por edhe të Shqipërisë“, ka thënë ai për mediat polake.

Megjithatë, Urban e konsideroi shortin të lehtë dhe avantazhin për të luajtur në shtëpi të rëndësishëm.

Shorti është i mirë, edhe pse do të më pëlqente t’i luanim të dyja ndeshjet në shtëpinë tonë. Por unë mendoj vetëm për ndeshjen me Shqipërinë. Për të shkuar në Botëror gjithçka fillon nga aty”, shton ai.

Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të luhet në Varshavë më 26 mars, ndërsa skuadra e kualifikuar do të përballet në finale me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.

LEXO EDHE“Unë mbart në gjak futbollin brazilian”, Sylvinho për median italiane: Shqipëria ka posedimin spanjoll, intensitetin britanik…

FOTO-EMRI/ Karburant, biznese, troje, banesa…Konfiskohen 3 milionë euro pasuri në Gjirokastër

By: Fax Web
23 December 2025 at 15:40

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, u konfiskuan tre milionë euro pasuri të shtetasit Drini Aliko, i cili nga hetimet rezultoi se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive.

Shtetasi në fjalë është arrestuar në nëntor 2014, në afërsi të fshatit Lazarat.

Ndalimi i tij u bë për arsye se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi më datë 21.06.2014, në karburantin e tij “IP”, si dhe mbrapa karburantit që është një sipërfaqe toke e blerë nga Drini Aliko, në rrugën Kordhocë- Lazarat , mbi ish ndërtesat e Pularisë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armë luftarake të kalibrit të ndryshëm, granata dhe municione të ndryshme, tritol , e lëndë narkotike, tre automjete, nëntë gëzhoja arme zjarri luftarake, armë dhe mjete të cilat dyshohet se janë perdorur nga ky shtetas e persona të tjerë për të kundërshtuar me armë forcat e policisë gjatë zhvillimit të aksionit kundër kultivimit të Cannabis Sattiva në fshatin Lazarat”, njoftonte asokohe Policia.

Kërkesa për konfiskim erdhi në kuadër të hetimit pasuror nr.2 të vitit 2019 dhe u konfiskuan pasuritë si më poshtë:

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 350m2, me vendndodhje në qytetin Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1500m2 dhe ndërtim 23 m2 me vendndodhje në Lazarat, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 450 m2, me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1646 m2 me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 7000 m2 me vendndodhje në fshatin Arshi Lengo, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Banesë” me sipërfaqe 120 m2 ndërtim, dhe pasuria e llojit “Sipërfaqe sheshi” 600 m2 me vendndodhje në Lazarat;

– Pasuria e llojit “Karburant” me sipërfaqe 148 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Ndërtesë e zyrave dy-katëshe” me sipërfaqe 69 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Lokal” me sipërfaqe 94 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 437 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 98 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 542 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Vendroje” me sipërfaqe 5 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Nyje betoni” me sipërfaqe 55 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Vend afrimi i materialeve të ngurta” me sipërfaqe 424 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 2224 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër; dhe

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1608 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore si dhe për sekuestrimin/konfiskimin e pasurive në zbatim të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.

“Ka vetëpërjashtuar veten”/ Berisha: Salianji ka kaluar linjat e kuqe

By: Fax Web
23 December 2025 at 14:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur nga gazetarët në lidhje me ish deputetin Ervin Salianji, është përgjigjur se ai ka kaluar vijën e kuqe dhe së është vetëpërjashtuar.

Salianji sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe”, tha Berisha.

LEXO EDHE: Salianji nuk mungon në protestën e Opozitës: Nuk më përjashton njeri nga partia, duhet përjashtuar Rama

“Çka lidhje Salianji me këtë?! Salianji ishte i burgosur politik kur u bënë zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo?! Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë. Kaq është e gjithë puna”.

Çfarë funksioni ka Salianji sot?

Akoma mendja tek Salianji. Ne këtu jemi për enciklpedinë e krimit që nuk është paraqitur kurrë. Çka lidhje Salianji me këtë?! Salianji ishte i burgosur politik kur u bënë zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo?! Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë. Kaq është e gjithë puna”, vijoi Berisha.

Pra është përjashtuar, ka një vendim të shkruar?

Nuk ka një vendim të shkruar, por ka vetëpërjashtuar veten. Ka kaluar linjat e kuqe”, u shpreh kreu i PD.

“Nuk shkoni në kërkim të justifikimeve por në kërkim të suksesit”, Rama i jep medaljen e artë gjimnazistit nga Pogradeci

By: Fax Web
23 December 2025 at 14:29

Kryeministri Edi Rama ndau sot “Medaljet e Arta” për gjimnastët, të cilët kanë përfunduar ciklin shkollor pa asnjë 9.

Gjatë fjalës së dhe ndarjes së medaljes, kryeministri Rama nuk i kurseu as batuta me një djalë nga Pogradeci, i cili ka një vëlla tjetër binjak, por që sipas Ramës nuk e merr dot medaljen sepse ka një 9.

“Nuk shkoni në kërkim të justifikimeve por në kërkim të suksesit. Për këtë arsye ju jeni shembull frymëzues edhe për mua dhe unë ju falenderoj për këtë.

Më thanë që këtu ka një djalë që vjen nga Pogradeci dhe është vëllai binjak i një djali tjetër dhe nuk e merr medaljen e artë sepse ka marrë një 9. Kjo 9 bën që në atë shtëpi të shkojë vetëm një medalje

Nuk dua t’i them djalit që do marrë medaljen asgjë, por dua ti them atë që nuk do ta marrë medaljen që ajo 9 nuk e ben aspak që të ndihet i dyti pas vëllait.

Unë kam bindjen që ajo 9 në pjesën tjetër të rrugës ta kalojë vëllain.

Nuk i japim dot medaljen se nuk na takon, por do ta gjejmë një zgjidhje që ai të mos mjaftohet me fjalët e tua, por ta ketë një shenjë për ta lënë në shtëpi” tha Rama.

❌
❌