Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

EMRAT/ Anglia kap dy “skifterët” shqiptarë, njërit i vendosin “Rolex” në këmbë

By: Fax Web
25 December 2025 at 15:47

Dy shqiptarë të shpallur në kërkim nga drejtësia franceze për vjedhje janë arrestuar në Angli dhe ndaj tyre ka nisur procesi ekstradimit.

Armando Bella 29 vjeç, me origjinë nga Lezha doli përpara gjykatës së ekstradimeve si person i kërkuar përmes një urdhër arresti europian nga Franca.

Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve, Armando Bella kërkohet nën dyshimin si i përfshirë në 12 akte vjedhje.

Ai do ta ndjekë procesin e ekstradimit i lirë me kusht pasi të afërmit depozituan në gjykatë një garanci pasurore prej 10.000 stërlinash dhe vendosjes të një paisje GPS  në këmbë. Po ashtu ai do të duhet të firmosë në stacionin policor  Southend-on-Sea çdo të shtunë e të diel.

Arben Kananaj është një tjetër shqiptar ndaj të cilit ka nisur në gjykatën e Londrës procesi ekstradimit drejt Francës.

Ai kërkohet nga drejtësia franceze nën dyshimin e përfshirjes në territorin francez të 21 grabitje shtëpish.

Arban Kananaj 50 vjeç,  përdorte emrin Arben Berisha.

Ai është lënë i lirë me kusht deri më  13/03/2026 kur në  Westminster Magistrates Court do të nisë shqyrtimi kërkesës së ekstradimit. Për lirinë me kusht të Kananajt janë vendosur £5,000 garanci pasurore.

VIDEO/ Bombë bankës në Greqi, dëme edhe në apartamente, biznese dhe automjete

By: Fax Web
25 December 2025 at 15:40

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në orët e para të Ditës së Krishtlindjeve jashtë një banke në Evosmos të Selanikut.

Sipas mediave greke, shpërthimi i fuqishëm shkaktoi dëme të shumta materiale në apartamente, dyqane dhe automjete.

Lënda plasëse u vendos rreth orës 3 të mëngjesit të së enjtes, në degën e bankës që ndodhet në kryqëzimin e rrugëve “Karaoli me Dimitriou” dhe “Salaminos”.

Shpërthimi ishte i fuqishëm, pasi vala goditëse dëmtoi shtatë makina të parkuara dhe tre pallate aty pranë, si dhe shkaktoi panik për banorët e zonës.

Sipas raportimeve, karakteristikat e pajisjes shpërthyese dhe mënyra se si ishte vendosur ajo i çojnë autoritetet në përfundimin se ky ishte një akt i organizuar dhe shumë profesional.

Kujtojmë se, një degë e së njëjtës bankë u shënjestrua në maj, ku mbeti viktimë një 38-vjeçare.

VIDEO/ Mosha është thjesht numër, Ibrahimoviç dhuron spektakël në Dubai

By: Fax Web
25 December 2025 at 15:31

Mosha është thjesht çështje numrash, për disa persona.

Një prej tyre është edhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili edhe pse 42 vjeç, vazhdon të tregojë pse konsiderohet një nga ikonat më të mëdha të futbollit modern.

Gjatë pushimeve të tij në Dubai, suedezi është filmuar duke dhuruar spektakël në bregdet me pamjet që kanë bërë xhiron e rrjetit.

Pamjet e shpërndara nga media prestigjioze si “Gazzetta dello Sport”, “Marca” dhe “Sky Sport” tregojnë një Ibrahimoviç që kontrollon topin në mënyrë perfekte dhe më pas godet me saktësi.

Lëvizje me vetëbesimin karakteristik që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Edhe pse i tërhequr nga futbolli i luajtur, Zlatan duket se nuk ka humbur asnjë gram nga talenti i tij natyral.

VIDEO/ Aksident i rëndë në Kamëz, raportohet për 4 të plagosur

By: Fax Web
25 December 2025 at 15:24

Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në zonën e Valiasit në Kamëz.

Dy automjete, një tip Audi dhe një tip Toyota, janë përfshirë në aksident duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Siç mëson Fax News, si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur 4 persona, të cilët janë transportuar në spital.

Ndërkohë, është shoqëruar në polici drejtuesi i “Audit”.

Pritet njoftimi i Policisë mbi dinamikën e ngjarjes.

Digjet banesa në Laç, ja shkaku

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:56

Një banesë në fshatin Sanxhak të Laçit është përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, në shtëpinë që e 64-vjeçarit me iniciale M. L.

Sipas hetimeve të para nga policia, dyshohet se zjarri nuk ka qenë i qëllimshëm. Shkaku kryesor mendohet të ketë qenë pakujdesia gjatë gatimit me një bombol gazi, e cila ka shkaktuar përhapjen e flakëve në banesë.

Fatmirësisht, nga raportimet e deritanishme nuk njoftohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të konfirmuar plotësisht shkakun e zjarrit.

PAMJE TË RËNDA/ Raste që përsëriten! Dhunohet edhe TikTok-erja e famshme

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:50

TikTok-erja Suada Muça ka qenë viktimë e një akti dhune.

Një video e cila po qarkullon këtë të enjte në rrjetet sociale dokumenton momentin kur ajo sulmohet nga disa persona.

Sipas raportimeve, dyshohet se dhunimi i saj është porositur nga Xhemal Uka, i njohur në platformën TikTok me nofkën “Fire”, pas disa deklaratave dhe përmbajtjeve ofenduese që Suada  dyshohet se ka bërë ndaj tij në një video-live.

Pas incidentit, Suada Muça ka dalë në një video live në rrjetet sociale, ku është shfaqur me shenja të dukshme në fytyrë.

Ajo ka deklaruar se është sulmuar nga një vajzë dhe tre burra, të cilët, sipas saj, pasi e kanë dhunuar, e kanë detyruar të kërkojë falje publike për ofendimet e drejtuara ndaj Xhemal Ukës.

Ishin 3-4 persona, një e pash që ishte vajzë të tjerët burra,” shprehet ajo në video.

Edhe pse Këshilli i Ministrave miratoi në mars vendimin për mbylljen e e përkohshme të platformës TikTok, me qëllim minimizimin e dhunës ndërmjet, duket se edhe  pas marrjes së kësaj mase episodet e dhunës nuk janë ulur, teksa ekspertët shprehen se kjo i shërbeu më shumë shmangies së përgjegjësisë institucionale por jo zgjidhjes së problemit.

“Tuneli i Llogarasë”, dëshmia e vartëses së Ballukut: Firmosa nën presionin e Evis Berberit

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:43

Vartësja e Belinda Ballukut u ka rrëfyer prokurorëve të posaçëm se është detyruar nga ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, të firmosë dokumentacionin për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Pas kësaj dëshmie, SPAK deklaron se Belinda Balluku ka ushtruar presion ndaj vartëses së saj, fakt që sipas prokurorisë provohet edhe nga përgjimet. Këto rrethana janë pasqyruar në kërkesën që SPAK i ka dorëzuar Kuvendit për marrjen e lejes për arrestimin e zëvendëskryeministres.

E pandehura Mirzeta Kashnica ka deklaruar se i kujtohet se, në procedurën e parë të prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e cila më pas u anulua, ajo, në cilësinë e anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kishte vlerësuar se operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fitues.

Ajo ka deklaruar se këtë qëndrim ua ka përcjellë me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe, për dijeni, edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Sipas saj, menjëherë pasi ka dërguar email-in, rreth orës 17:05, pa u mbyllur ende procesi i vlerësimit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me email.

Ajo ka deklaruar se Berberi i ka komunikuar se, pasi ai të kishte folur dhe procedura të ishte mbyllur, ajo do të anulohej, pasi asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ishte në rregull.

Mirzeta Kashnica ka deklaruar gjithashtu se, në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021 për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo e ka nënshkruar dokumentin pasi është ushtruar trysni ndaj saj nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurën.

 

Sipas deklarimeve të saj, Evis Berberi ishte anëtar i komisionit dhe personi që diktonte vendimmarrjen e tij. Në lidhje me procedurën e rishpallur të prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, ajo ka deklaruar se sa herë që mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë merrnin vendime mes tyre dhe e intimidonin atë për shkak të qëndrimeve të saj.

SPAK thekson se Belinda Balluku po ushtron frikësim ndaj dëshmitarëve dhe se kjo është një nga arsyet kryesore pse ka kërkuar leje për arrestim.

“Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K.(vartëse e saj)”, thotë SPAK.

Drejt një viti në rritje dyshifrore për tregun e sigurimeve

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:27

Tregu i sigurimeve është i projektuar drejt një viti në rritje dyshifrore.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto për 11-mujorin janar-nëntor 2025 arritën vlerën e 25.2 miliardë lekëve, në rritje me 10.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e tregut është përmirësuar në krahasim me nivelin prej 7.3% që shënohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e çmimit mestar për sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm në rritjen më të madhe të tregut.

Statistikat e AMF-së tregojnë se primet e shkruara bruto nga ky produkt u zgjeruan me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pesha e këtij produkti ka arritur në 57.6% të tregut (nga 55.8% një vit më parë), ndërsa sigurimet e detyrueshme motorike në tërësi (duke përfshirë kartonin jeshil dhe policën kufitare) sollën 68.2% të primeve të shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës.

Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit, në terma mesatarë.

Rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” hyri në fuqi në fillim të vitit 2025 dhe parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Klasat e tjera të sigurimit po shfaqin përgjithësisht ecuri të dobët, me përjashtim të sigurimit Kasko të mjeteve tokësore, që është në rritje vjetore me 10.5%.

Ndërkohë, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore vazhdon të shfaqë një rritje anemike, me 4.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i vogël në përmasa, por në rritje më të lartë krahasuar me tregun e Jo-Jetës. Shifrat tregojnë një rritje me 13.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ndërsa vazhdon të mbështetet gjerësisht te sigurimi i jetës së debitorit. Ky produkt sjell pothuajse 83% të volumit total të primeve të shkruara bruto. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare.

Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë afatgjatë. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme dhe janë kusht i detyrueshëm për marrjen e kredisë, shkruan “Monitor”.

VIDEO/ Përmbytje masive, Los Angeles në gjendje emergjente

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:19

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë Kaliforninë Jugore, duke shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje dherash dhe mbyllje të disa akseve kryesore rrugore.

Situata është përkeqësuar ndjeshëm në Los Angelos, ku autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës lokale.

Kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, njoftoi se mijëra banorë janë detyruar të evakuohen në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjes, pas paralajmërimeve për rrezik të menjëhershëm nga përmbytjet.

Sipas autoriteteve, në disa zona janë regjistruar mbi 28 centimetra reshje shiu brenda pak ditësh.

Stuhitë e fuqishme dimërore kanë shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se 61 mijë banorë, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar në dhjetëra operacione shpëtimi për largimin e civilëve nga zonat e rrezikuara.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik paralajmëron se kushtet mbeten kërcënuese për jetën, me rrezik të lartë për përmbytje të menjëhershme edhe në ditët në vijim.

Autoritetet theksuan se reshjet intensive  mbi toka e dëmtuara nga zjarret e vitit të kaluar kanë rritur ndjeshëm rrezikun për komunitetet.

Gjendje emergjence është shpallur gjithashtu nga autoritetet e qarkut dhe nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ndërsa qytetarët u bëjnë thirrje autoriteteve të ndjekin udhëzimet dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

VIDEO/ Aksident në dalje të Bulqizës, një i plagosur

By: Fax Web
25 December 2025 at 14:08

Një aksident automobilistik ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, në dalje të qytetit të Bulqizës në drejtim të Dibrës.

Dy automjete janë përplasur ballë për ballë, duke shkaktuar plagosjen e një personi.

I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Bulqizës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin që lidh qytetin e vjetër të Bulqizës me Rrugën e Arbrit, një segment i njohur për rrezikshmëri të lartë, ku më parë janë regjistruar edhe aksidente të tjera, disa prej tyre me pasoja fatale.

Zyrat e IdentiTek do të jenë të hapura ditën e premte, 26 dhjetor, në 12 qarqet kryesore të vendit

By: Fax Web
25 December 2025 at 12:07

IdentiTek njofton se ditën e premte, zyrat e aplikimit për dokumente identifikimi do të jenë të hapura dhe në shërbim të qytetarëve nga ora 09:00 deri në 12:00, në 12 qarqet.

Shërbimi do të ofrohet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, Dibër, Berat, Kukës dhe Gjirokastër.

Në qytetin e Tiranës, qytetarët do të mund të marrin shërbim pranë:

IdentiTek – Njësia 2
IdentiTek – Njësia 4

Në çdo zyrë, që do të jetë e hapur gjatë këtij orari, qytetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet, pavarësisht gjendjes civile.

Ky orar shërbimi është vendosur për të lehtësuar fluksin gjatë festave të fundvitit dhe për t’iu përgjigjur nevojave të shtetasve, që vijnë nga jashtë vendit për një periudhë të shkurtër qëndrimi në Shqipëri, duke u ofruar akses më të shpejtë në shërbimet e identifikimit.

Festa e Krishtlindjes, Ministria e Shëndetësisë dhe deputetë të Kuvendit dërgojnë dhurata në Shtëpinë e Foshnjës

By: Fax Web
25 December 2025 at 12:04

Në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, ku Krishtlindja festohet me buzëqeshje, përqafime dhe momente gëzimi për 138 fëmijët pa kujdes prindëror në institucionet sociale- përmes nismës së MSHMS “Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur”, mbështetur nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga i burgosur politik në armik të demokratëve, metamorfoza e Ervin Salianjit sipas Sali Berishës

By: Fax Web
25 December 2025 at 12:00

Ky ndryshim i kursit nuk është as i rastësishëm dhe as i pari në historinë e PD. Ai është pjesë e një modeli të njohur të sjelljes së Sali Berishës ndaj figurave brenda PD-së që guxojnë t’i dalin kundër.

Në politikën shqiptare, memoria shpesh është selektive dhe e shkurtër. Por rrallëherë kontradiktat kanë qenë kaq të dukshme, kaq të dokumentuara dhe kaq të papërgënjeshtrueshme sa në rastin e Ervin Salianjit dhe mënyrës se si Sali Berisha e ka ripërkufizuar figurën e tij brenda vetëm një viti.

Në shtator të vitit 2024, pak ditë pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me një vit burg për ish-deputetin Ervin Salianji për veprën penale të kallëzimit të rremë, Berisha e shpalli atë publikisht simbol të represionit politik.

“Një përshëndetje të përzemërt t’i dërgojmë ne deputetit, Ervin Salianjit. Që është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën. Ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë”, shkruante Berisha.

Në atë kohë, Salianji nuk ishte thjesht një ish-deputet i dënuar. Ai ishte, sipas Berishës, i burgosuri politik i vetëm në Europë, një dëshmi e gjallë e hakmarrjes së qeverisë ndaj opozitës dhe e vazhdimësisë së një regjimi që, sipas tij, trashëgonte dhunën e diktaturës.

Narrativa u thellua edhe më tej në një tjetër reagim publik të Berishës, ku dënimi i Salianjit u cilësua si sulm frontal ndaj gjithë opozitës.

“Goditja me proces politik e Ervin Salianjit është një akt i shëmtuar, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Është një kushtrim për çdo opozitar, që konsideron krimin, konsideron drogën si rrezik madhor për qenien e tij, ekzistencën e tij. Kjo goditje, në serinë e goditjeve të opozitës, të arrestimeve dhe burgosjeve politike, është një kushtrim, është një apel për të gjithë opozitën, të ngrihet në këmbë o sot o kurrë”.

Salianji ishte kthyer në kauzë. Në flamur. Në provë se opozita po persekutohej dhe se kushdo që guxonte të denonconte krimin, përfundonte pas hekurave.

Por mjaftoi vetëm një vit kalendarik që e njëjta figurë politike të përjetojë një transformim brutal në diskursin e të njëjtit lider.

Sot, Ervin Salianji shpallet nga Sali Berisha jo më si i burgosur politik, por si armik i demokratëve dhe bashkëpunëtor i krimit të organizuar.

“Që një anëtar i korruptuar i Kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, organizoi me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e njërit prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim, kjo është absolitisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë. Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë, ai tejkalon vijën e kuqe dhe ai është përgjegjës për veten e tij. Për sa i përketë takimit që thoni ju, kemi pasur informacione jo një por disa të cilat pohojnë që Suel Çela ka qenë organizator në hijet kryesore të këtij takimi”. – thotë kryetari Sali Berisha për atë që një vit më parë ishte simboli i rezistencës opozitare.

Kështu nga simbol i rezistencës ndaj krimit, Salianji u shndërrua në bashkëpunëtor të tij. Nga viktimë e regjimit, në rrezik për Partinë Demokratike.

Ky ndryshim i kursit nuk është as i rastësishëm dhe as i pari në historinë e PD. Ai është pjesë e një modeli të njohur të sjelljes së Sali Berishës ndaj figurave brenda PD-së që guxojnë t’i dalin kundër. Mjaftuan vetëm disa takime të ish-deputetit me demokratët e bazës, ku u kërkua përgjegjësi për humbjen e 11 majit dhe ndryshime në lidershipin e partisë, që arsenali i plotë i akuzave të vihej në funksion.

Në këtë kontekst, përjashtimi politik shoqërohet gjithmonë me demonizim moral.

Megjithatë, ajo që bie realisht në sy nuk janë veprimet e zakonshme ndëshkuese ndaj “armiqve të brendshëm”, por paradoksi i hapur publik. I njëjti njeri, me të njëjtën histori dhe të njëjtën çështje penale, përshkruhet brenda një viti si hero dhe si tradhtar, si i burgosur politik dhe si ortak i karteleve.

Tashmë ka pak rëndësi ç’mendojnë demokratët për Ervin Salianjin. Ata që aderojnë zyrtarisht në PD vështirë se do kenë mundësi të votojnë më për ish simbolin e rezistencën ndaj regjimit. Së bashku me të tjerë, Sali Berisha e ka flakur Salianjin në koshin e armiqve të brendshëm të PD. Dhe kjo ndodh në kohën kur çdo element opozitar, parti apo lëvizje qoftë duhet të bashkohet në një front të vetëm për t’u përballur me nje qeveri të sakatuar nga skandalet dhe telendisur nga llumi që e ka pushtuar në 13 vite qeverisje

Gëzuar Krishtlindjen! Besimtarët lutje e mesazhe në meshë! Kryepeshkopi Joan: Bota ka nevojë për dritën e Krishtit! Dodaj: Ecim me shpresë përballë çdo zhgënjimi

By: Fax Web
25 December 2025 at 11:12

Besimtarët e krishterë festojnë sot Lindjen e Krishtit, një nga ngjarjet më të mëdha të kësaj feje, që shënon zbritjen e Perëndisë në tokë, për të shpëtuar njerëzimin. Katolikët dhe Ortodoksët në Tiranë morën pjesë në ceremonitë kishtare. Festime në të gjithë vendin. 

    • Kryepeshkopi Joan: Mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit
    • Festa e Krishtlindjes, Begaj: Le të jetë kjo ditë burim paqeje dhe gëzimi! Rama: Gëzuar
    • Spektakël fishekzjarrësh, si u kremtua Lindja e Krishtit në Shkodër
  • Mesha e parë e Krishtlindjeve e Papa Leone XIV: Një ekonomi e shtrembëruar i trajton njerëzit si mallra

Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë lindjen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar. Qindra besimtarë katolikë e pritën Lindjen e Krishtit në Katedralen ‘Shën Pali’ në Tiranë meshën e mbajtur nga imzot Arjan Dodaj. Duke iu bashkuar lutjeve të besimtarëve, Imzot Dodaj u tha se të gjithë duhet “të ecim me shpresë e gëzim përballë çdo zhgënjimi njerëzor”.

“Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon vetë, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sikurse kemi shtegtuar në këtë vit jubilear të shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari. Jezusi mbetet për ne gjithmonë Zoti ynë, por edhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate, që sapo kemi dëgjuar, na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht premtimi i një përkujtimi të një ngjarjeje të kaluar. Sot shumë njerëz përjetojnë errësirën, siç dëgjojmë dhe shohim në luftë”, tha Imzot Arjan Dodaj gjatë predikimit.

Me masë sigurie për mbajtje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, arrestohet një 25-vjeçar

By: Fax Web
25 December 2025 at 10:57

Policia e Shkodrës ka zhvilluar një operacion për kapjen e personave në kërkim. Në pranga është vënë një 25-vjeçar si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

25-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit”, thotë policia.

Ndërkohë vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale të këtyre dy shtetasve.

Plagoset me thikë pronari i një agjencie udhëtimesh në Kavajë

By: Fax Web
25 December 2025 at 10:55

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme, 25 dhjetor, në lagjen nr. 2 të Kavajës.

Burime bëjnë me dije se shtetasi Artur Ligeja, pronar i një agjencie udhëtimesh dhe disa bizneseve të tjera, është plagosur me thikë.

Mësohet se autori i ngjarjes është ndaluar, ndërsa dyshohet se ai është një person me probleme të shëndetit mendor.

Ai raportohet se ka hyrë në një nga bizneset e Artur Ligejas, dhe nuk ka pranuar të dalë jashtë.

Policia ka marrë në pyetje edhe personin e plagosur, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet janë në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e incidentit.

Besimtarët ortodoksë në meshën e Krishtlindjes, Kryepeshkop Joani: Festa vjen si rreze shprese e paqeje

By: Fax Web
25 December 2025 at 10:52

Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua mëngjesin e kësaj të enjteje të 25 dhjetorit, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit.

Mesha e Shenjtë e Krishtlindjeve u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.

Besimtarët e shumtë që mbushën Katedralen, morën mesazhe shprese në ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Në urimin e tij, Kryepeshkop Joani tha se “ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”.

“Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore, për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë”, u shpreh ai.

“Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje”, vijoi Kryepeshkopi.

Kryepeshkop Joani theksoi se tani më shumë se kurrë bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

“Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë”, tha ai.

Kryepeshkopi shtoi se “për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore”.

“Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi”, përfundoi ai.

Politika uron Krishtlindjen

By: Fax Web
25 December 2025 at 09:57

Urime me rastin e festës së Krishtlindjes ka patur edhe nga radhët e politikës.

Presidenti Bajram Begaj, nëpërmjet një postimi në X, uroi që kjo festë të sjellë shpresë e begati për të gjithë besimtarët e krishterë.

Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”, shkroi ai.

Edhe Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Ai postoi në rrjetet sociale një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës së Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

Dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Rama.

Nuk ka munguar urimi as nga lideri i Opozitës, Sali Berisha.

Gëzuar Krishtlindjet!

Të dashur miq, sonte është nata e lindjes së Hyjit, Krishtit Mbret, nata më magjepse për të gjithë besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe mbarë botën. Prandaj le të urojmë ne së bashku përzemërsisht miqtë tanë të krishterë kudo që janë: Gëzuar Krishtlindjet, magjia e kësaj nate le të shndërrohet në mirësi, gëzime, shpresë, besim e forcë për çdo njerin prej jush, për të gjithë besimtarët e Zotit, për mbarë shqiptarët. Krishti Mbret ju bekoftë! Gëzuar“, shkruan Berisha.

Krishtlindja, festa që shënon lindjen e Jezusit, mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të krishtërimit, duke kujtuar zbritjen e Perëndisë në tokë për shpëtimin e njerëzimit dhe duke sjellë dritë e shpresë në çdo familje.

Besimtaret e krishtere festojne Krishtlindjen

By: Fax Web
25 December 2025 at 07:23

Krishtlindja është një nga kremtimet më të rëndësishme për miliona besimtarë në të gjithë botën, të cilët kanë Jezu Krishtin në qendër të besimit të tyre fetar.

Për të krishterët, 25 dhjetori shënon ngjarjen në të cilën Zoti u bë njeri, i lindur si një foshnjë e pafuqishme në një stallë për bagëti. Mishërimi i Zotit është një moment kyç në historinë e shpëtimit dhe kuptohet si fillimi i një akti dashurie hyjnore për njerëzimin që kulmon me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit në Pashkë. Lindja e Krishtit zbulon paradoksin e madhështisë hyjnore të shprehur përmes një foshnjeje të brishtë dhe varfërisë njerëzore.

Historia e Krishtlindjeve është e mbushur me mrekulli dhe kontraste simbolike: një virgjëreshë shtatzënë, barinjtë që lajmërohen nga engjëjt dhe një foshnjë të cilës i dhurojnë pasuri tre mbretër.

Teologjikisht, këto ngjarje e identifikojnë Jezusin si Mesinë e profetizuar dhe të shumëpritur që do të sjellë shpëtimin shpirtëror. Si një përmbushje e tillë e profecisë së Dhiatës së Vjetër, Jezusi quhet edhe Emanuel në Mateu 1:23, që do të thotë “Zoti është me ne”, një emër që shpreh besimin e krishterë se Zoti hyri fizikisht në historinë njerëzore. Keshtu, sezoni i Krishtlindjes është i mbushur me shpresë dhe gëzim për të krishterët që besojnë në një Zot të dashur dhe të pranishëm.

Që nga fillimi i shekullit të 20-të, Krishtlindja u transformua gjithashtu në një festë laike familjare, e respektuar edhe prej jo-të krishterëve e karakterizuar nga një shkëmbim dhuratash. Pjesë e kësaj feste u bë edhe një figurë mitike e quajtur Babagjyshi i Krishtlindjes. Periudha festive nis me Adventin deri në Epifani dhe është një sezon i pasur me tradita të panumërta fetare dhe laike që bashkojnë familjen, besimin dhe kulturën, duke theksuar temat e shpresës, gëzimit, bujarisë dhe vullnetit të mirë.

Nga kthimi i bujshëm i Trump te…/ AFP publikon 10 ngjarjet më të rëndësishme të vitit

By: Fax Web
25 December 2025 at 09:50

Nga kthimi i bujshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ekuilibrat e brishtë në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, te kryengritjet sociale të Gjeneratës Z, investimet kolosale në inteligjencën artificiale dhe fenomenet ekstreme të motit që thyen rekorde, AFP ka publikuar listën me dhjetë ngjarje që shënuan vitin 2025 dhe formësuan skenën ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah një epokë pasigurie të fortë dhe ndryshimesh të thella.

Kthimi i bujshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë

Sulme proteksioniste, deportime masive të emigrantëve të paligjshëm, çmontim i pjesëve të tëra të qeverisë federale…

Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar për një mandat të dytë, republikani Donald Trump ka nisur një breshëri masash sipas doktrinës së tij “Amerika e Para”, duke përdorur gjerësisht urdhra ekzekutivë, megjithëse gjykatat kanë bllokuar disa nga vendimet e tij.

Armëpushimi i brishtë në Gaza

Presioni amerikan çoi në një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, dy vjet pas fillimit të luftës shkatërruese në Rripin e Gazës, e cila shpërtheu pasi lëvizja islamiste palestineze Hamas nisi një sulm në territorin izraelit më 7 tetor 2023.

Armëpushimi ka lejuar një tërheqje të pjesshme të trupave izraelite nga Rripi i Gazës, shkëmbimin e pengjeve të fundit të mbajtura gjallë në Gaza me palestinezët e burgosur në Izrael dhe rritjen e ndihmës humanitare për Gazën, megjithëse kjo ndihmë është ende dukshëm më e ulët se ajo që nevojitet, sipas OKB-së dhe organizatave joqeveritare.

Përpjekjet për paqe në Ukrainë

Kthimi i Donald Trump në pushtet shënoi përpjekjet e para serioze për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt të 2022-it.

Lëvdatat dhe fajësimet e presidentit amerikan janë luhatur midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Në shkurt, Donald Trump sulmoi ashpër presidentin ukrainas para kamerave në Zyrën Ovale, duke e akuzuar atë për mosmirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara.

Bisedimet e drejtpërdrejta midis rusëve dhe ukrainasve në Stamboll dhe një samit pasues midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska nuk kanë rezultuar në ndonjë përparim konkret drejt paqes dhe Uashingtoni njoftoi sanksione kundër sektorit rus të naftës në tetor.

Negociatat ndërkombëtare u mbajtën në fund të nëntorit në bazë të një drafti amerikan, versioni fillestar i të cilit u konsiderua nga Kievi dhe aleatët e tij europianë si shumë i favorshëm për Moskën. Pas një raundi të ri bisedimesh me të dërguarit e Trump në dhjetor, Ukraina deklaroi se ishte bërë “përparim”, megjithëse çështja e territoreve ukrainase të kontrolluara nga Rusia mbetet e bllokuar.

Lufta globale tregtare

Duke përmendur praktikat tregtare që ishin të pafavorshme për vendin e tij, Donald Trump njoftoi një sërë tarifash shtesë për produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara, të cilat varionin sipas vendeve ose rajoneve të origjinës. Ai gjithashtu vendosi tarifa specifike për sektorët që konsiderohen strategjikë (çeliku, alumini ose bakri).

Ndërsa vendet e synuara shqyrtonin ose zbatonin hakmarrje tregtare, filluan negociata të ashpra, duke rezultuar në marrëveshje të shumta, të tilla si me Bashkimin Europian ose në fund të tetorit, me Kinën, duke shënuar fillimin e një armëpushimi në një konflikt që kishte tronditur ekonominë globale.

Megjithatë, negociatat dypalëshe u pezulluan me Kanadanë, pas një reklame që presidentit amerikan iu duk ofenduese.

I presionuar për të ulur koston e jetesës për amerikanët, Donald Trump pranoi në mesin e nëntorit të anulonte tarifat doganore për ushqime të caktuara, të tilla si kafeja dhe mishi i viçit që importohen.

Një papë i ri, Leoni XIV

Robert Francis Prevost u bë papa i parë amerikan më 8 maj, në moshën 69-vjeçare, pas vdekjes së paraardhësit të tij, Francis, të cilit ai i shërbente si këshilltar. Tymi i bardhë që njoftonte zgjedhjen e kreut të 267-të të Kishës Katolike u ngrit mbi Kapelën Sistine pas një konklave të shkurtër të kardinalëve që zgjati më pak se 24 orë.

I qeshur dhe diskret, Prevost, i lindur në Çikago dhe një nga kardinalët e moderuar, mori emrin Leoni XIV. Papa i ri, i cili kaloi pothuajse 20 vjet si misionar në Peru, vazhdon punën e paraardhësit të tij me veprime shoqërore në favor të të varfërve, emigrantëve dhe ekologjisë.

Në të njëjtën kohë, ai i qetësoi qarqet konservatore duke lejuar përsëri një shërbim tradicional në Vatikan pas tre vitesh kufizimesh. Ai përjashtoi në afat të shkurtër shugurimin e grave si dhjake ose njohjen e martesës së personave të të njëjtit seks.

Rebelimet e Gjeneratës Z

Në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, të rinjtë e Gjeneratës Z kanë shumëfishuar mobilizimet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe kundër bllokimit të mediave sociale ose korrupsionit të elitave.

Ata marshuan në Peru kundër pasigurisë në rritje dhe rendit të politikanëve ose në Marok, ku autoritetet nisën përpjekje në sektorët socialë, si dhe ndjekjen penale të më shumë se 2,000 personave.

Në vende të tjera, demonstratat, të cilat u shtypën me dhunë, u zhvilluan në një sfidë më të gjerë ndaj pushtetit, pas trazirave në Nepal, kryeministri maoist K. P. Sharma Oli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të jepte dorëheqjen. Në Madagaskar, mobilizimi çoi në përmbysjen nga ushtria të Presidentit Andry Rajoelina, i cili iku jashtë vendit.

Investime kolosale në inteligjencën artificiale

Gjigantët e teknologjisë dhe startup-et e specializuara po shpenzojnë shuma gjithnjë e më kolosale për të financuar zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Sipas firmës amerikane të kërkimit dhe konsulencës Gartner, shpenzimet globale për inteligjencën artificiale pritet të arrijnë rreth 1.5 trilion dollarë deri në vitin 2025 (+50% në një vit) dhe të kalojnë 2 trilion dollarë vitin e ardhshëm.

Vjedhja spektakolare në Luvër

Më 19 tetor, hajdutët me jelekë punëtorësh hynë në muzeun e famshëm të Luvrit në Paris në mes të ditës, duke përdorur një ashensor që përdoret normalisht për lëvizje, pasi thyen një xham. Pastaj ata hynë me forcë në vitrina dhe vodhën xhevahire mbretërore, me vlerë rreth 88 milionë euro, të gjitha në një kohëzgjatje prej tetë minutash. Ndërsa ata ikën me një skuter, ata humbën kurorën e Perandoreshës Eugenie (gruaja e Napoleonit III), e cila u gjet e dëmtuar.

Kjo vjedhje spektakolare në Luvër u komentua në të gjithë botën dhe nxori në dritë mangësitë e sigurisë së muzeut më të famshëm në botë.

U ngritën akuza kundër katër burrave të dyshuar si pjesë e grupit të vjedhjeve, por xhevahiret nuk janë gjetur ende.

Sulmet amerikane në Karaibe dhe Paqësor

Uashingtoni ka vendosur një forcë të konsiderueshme ushtarake në brigjet e Venezuelës që nga gushti, me sa duket për të luftuar trafikun e drogës me destinacion Shtetet e Bashkuara.

Një seri sulmesh në javët e fundit në Karaibe dhe Paqësor kundër anijeve të dyshuara për trafik droge kanë vrarë gati 100 persona në operacione, ligjshmëria e të cilave vihet në dyshim nga ekspertët.

Karakasi e sheh këtë si një pretekst për të rrëzuar Presidentin Nicolas Maduro dhe për të sekuestruar rezervat e naftës së vendit.

Pas sekuestrimit të një cisterne nafte që transportonte naftë bruto venezueliane më 10 dhjetor, Uashingtoni njoftoi një “bllokim të plotë” të “cisternave të sanksionuara të naftës” që hyjnë ose dalin nga Venezuela.

Uashingtoni akuzon Nicolas Maduron se është kreu i një karteli dhe po ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Ngjarjet ekstreme të motit

Përmbytje vdekjeprurëse, stuhi katastrofike… Ngjarjet ekstreme të motit kanë ndjekur njëra-tjetrën, për shkak të çrregullimit të klimës të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, sipas shkencëtarëve.

Cikloni Melissa, një nga më të fuqishmit që ka përfshirë ndonjëherë Karaibet, shkatërroi rajone të tëra të Xhamajkës dhe përmbyti Haitin dhe Kubën.

Në Azinë Juglindore, Filipinet u goditën në më pak se dy muaj nga tajfunët Ragasa, Kalmagi dhe Phung-wong. Vietnami pësoi shkatërrime nga stuhitë, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, ndërsa dy stuhi tropikale vranë qindra njerëz në fund të vitit në Sri Lanka dhe Indonezi.

Ndërsa temperaturat rriten, zjarret në pyje janë intensifikuar në Europë dhe hektarë rekord pyjesh janë djegur gjatë verës.

Në SHBA, zjarret e shkaktuara nga rrufetë shkaktuan mbylljen e pjesës veriore të Kanionit të Madh në Arizona për pjesën tjetër të sezonit turistik në mesin e korrikut.

❌
❌