Përmbytjet në vend, Ministria e Mbrojtjes me reagim zyrtar: Ja qarqet ku pritet të ketë problematika
Ministria e Mbrojtjes njofton se situata më problematike si pasojë e reshjeve të dendura paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.
Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve kur është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Shkoder;
Në fshatin Obot niveli i ujit ka arritur rreth 60 cm mbi rrugën kryesore, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë dhe 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në disa zona të Malësisë së Madhe janë evidentuar rrugë të bllokuara, ndërsa në bashkinë Fushë-Arrëz janë shënuar shkarje dherash dhe rënie gurësh.
Lezhë:
Rreth 3,000 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Janë evakuuar dy familje dhe rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Janë raportuar rrëshqitje dherash në Torovicë dhe Tresh, ndërsa po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Droje në fshatin Dukagjin.
Vlorë:
Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë, pa prezencë uji në banesa.
Durrës:
Situata po shkon drejt përmirësimit, por vijon puna për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonat e burgut, ish-Kënetës, Shkozetit dhe Nishtullës. 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura në Durrës dhe 55 persona në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones, janë në kuota maksimale, ndërsa disa rrugë mbeten të bllokuara.
Bashkia Krujë:
Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, ka vërshime uji në fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në Miliskë uji ka hyrë në banesa, duke prekur rreth 50 familje.
Bashkia Shijak:
Janë raportuar përmbytje në 15 banesa, kryesisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Gjirokastër:
Reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në disa zona malore, ndërsa niveli i lumit Vjosë mbetet i lartë në Memaliaj dhe Përmet.
Kukës:
Lumenjtë janë në kuota të larta, por pa problematika aktuale.
Tiranë:
Ka rritje të niveleve të lumenjve në zonat e Rrogozhinës dhe Kavajës, pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Korçë:
Disa rrugë janë të pakalueshme në Devoll. Janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në Maliq.
Berat:
Rreth 95 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Është shënuar rritje e nivelit të lumit Osum, ndërsa në lagjet “22 Tetori” dhe “Goricë” po merren masa për mbrojtjen e bizneseve dhe largimin e ujit me pompa thithëse.
Fier:
Janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore dhe ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.
Në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse. Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat e prekura të:
ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile;
shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara;
raportojnë çdo situatë emergjente pranë strukturave përgjegjëse;
bashkëpunojnë gjatë proceseve të evakuimit.
Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.