Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka dalë në një deklaratë për media, ku ka akuzuar qeverinë për shpërdorim masiv të fondeve publike përmes kontratave të klasifikuara të AKSHI-t.
Sipas saj, mungesa e parave për shtresat në nevojë, pensionistët, fermerët dhe sektorin e shëndetësisë lidhet drejtpërdrejt me klientelizmin dhe abuzimet në prokurime, duke kërkuar që SPAK të thellojë hetimet.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Nëse sot mungojnë paratë për ndihmën ekonomike, për barnat, për fermerët apo për pensionet, arsyeja është e thjeshtë: paratë e shtetit përfundojnë në duart e pushtetit.
Partia Demokratike ka kryer dhjetëra denoncime të lidhura drejtpërdrejt me AKSHI-n, ku është evidentuar qartë klientelizmi dhe abuzimi sistematik me prokurimet.
Për publikun dhe në vëmendje të SPAK, sot sjellim numrin e lartë të kontratave të klasifikuara që AKSHI ka lidhur me kohëzgjatje mbi 24 apo 36 muaj. Këto kontrata kanë nisur pas marrjes së detyrës si drejtuese e AKSHI-t nga Mirlinda Karçanaj.
Kontratat e klasifikuara, sipas ligjit, përjashtohen nga prokurimi publik vetëm kur kanë ndikim të veçantë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Ndërsa kontratat e klasifikuara të AKSHI-t kanë si objekt shërbime sigurimi, ruajtjeje dhe, në pjesën dërrmuese të tyre, shpenzime për mirëmbajtjen e pajisjeve të zyrave.
Sipas të dhënave zyrtare të Spending data, nga viti 2016 e deri më sot, për 10 vite, shqiptarët kanë paguar plot 104 milionë euro për kontrata të tilla.
Pa asnjë njoftim publik, pa transparencë, pa publikuar të dhëna apo drafte kontratash dhe përmes kontraktimeve të mbyllura pa garë, rezulton se pagesat më të larta për kontrata të klasifikuara nga AKSHI kanë shkuar për:
ABS shpk, me pronar Gerond Meçe (aktualisht kaluar në emër të nënës së tij), e cila ka përfituar 17 milionë euro, kryesisht për shpenzime mirëmbajtjeje të pajisjeve të zyrave.
FIRST shpk, me pronarë prestanome dhe shtetasin Gëzim Hoxha, ka përfituar 18.5 milionë euro, nga të cilat 3.5 milionë nga AKSHI dhe 15 milionë euro me një pagesë të vetme nga Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
Infosoft Systems, me pronarë Armand Sharra dhe Bledar Dhima-12.6 milionë euro.
TBS 96 shpk, me pronar Artan Xhori-11.8 milionë euro.
AES Communication shpk, me pronar Jani Angjeli-6.7 milionë euro.
Soft Solution shpk, me pronar Ermal Beqiri-5 milionë euro.
IKUBINFO, me pronarë Romeo Sherko dhe Armand Sharra-3.8 milionë euro.
Alisa Albania, me pronarë vëllezërit Dulaku-2.1 milionë euro.
Image Communication Development, me pronar Igli Gjelishti-2 milionë euro.
Intech +, ish-pronar Ilir Beqaj, aktualisht Sokol Sinani-1.6 milionë euro.
Fastech shpk, me pronar Andis Papa-1.2 milionë euro.
Trezhnjeva shpk, me pronar Adem Trezhnjeva-1.2 milionë euro.
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të finalizojë hetimet për AKSHI-n, duke marrë në konsideratë kontratat e kategorizuara si ‘të klasifikuara’, dhe hetimi të shkojë tek Edi Rama, si eprori i AKSHI-t dhe përgjegjësi kryesor për planifikimin dhe organizimin e këtyre skandaleve që kanë sjellë shpërdorimin e miliona eurove të shqiptarëve.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe ajo nuk mund të ekzistojë për sa kohë Edi Rama nuk i dorëzohet drejtësisë.