VIDEO/ Makthi i “Hinkës së Elbasanit”! Nisesh ditën, mbërrin natën
Nisesh nga autostrada me idenë se po futesh në një qytet të madh, por përfundon i bllokuar në një makth urban që zgjat me orë.
“Hinka e Elbasanit”, pika famëkeqe ku tre korsi shndërrohen në një të vetme, është prej vitesh simbol i qëndrimit në rradhë me orë të gjata.
Një vepër infrastrukturore pa sens, pa logjikë dhe pa zgjidhje, që çdo ditë torturon mijëra qytetarë.
Ilir Demalia, në një reagim në rrjetet sociale dhe të ashpër, e quan këtë rrugë “një marrëzi” dhe ngre pyetjet që askush nuk ka dashur t’i dëgjojë: kush është inxhinieri, kush është arkitekti, kush është ministri që e ka firmosur këtë projekt? Pse një autostradë përfundon në një grykë që bllokon qytetin? Dhe pse, pas kaq vitesh, askush nuk mban përgjegjë?
Sipas Demalisë, kjo nuk është thjesht një problem trafiku, por një formë e përditshme torture për njerëzit që kthehen nga puna, që humbasin orë të jetës së tyre në radhë kilometrike, ndërsa premtimet për unazën e Elbasanit mbeten fjalë bosh.
“Këtë punë ose bëjeni tamam, ose mos e bëni fare,” thotë Demalia. Sepse sot, hinka e Elbasanit nuk është thjesht një nyje rrugore, është vuajtje kolektive.
