Më 11 janar 1944, në qytetin e Veronës, përpara një skuadre pushkatimi të Republikës Fashiste të Salos, përfundoi jeta e Galeazzo Cianos, njërit prej emrave më të njohur dhe njëkohësisht më tragjikë të elitës politike italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm 40 vjeç, ish-ministri i Jashtëm i Italisë dhe dhëndri i Benito Mussolinit u bë viktimë e të njëjtit regjim që kishte shërbyer për vite me radhë.
Galeazzo Ciano ishte figurë qendrore e diplomacisë fashiste nga viti 1936 deri në vitin 1943. I ri, ambicioz dhe me formim diplomatik, ai përfaqësonte fytyrën moderne të Italisë së Mussolinit në arenën ndërkombëtare. Si ministër i Jashtëm, Ciano ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aleancën me Gjermaninë naziste, në Paktin e Çeliktë dhe në vendimet që e futën Italinë në luftë. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai u shndërrua në një kritik të hapur të varësisë gjithnjë e më të thellë nga Hitleri dhe të aventurës ushtarake që po e çonte vendin drejt katastrofës.
Moment kyç në fatin e tij ishte mbledhja e Këshillit të Madh Fashist më 25 korrik 1943. Atje, Ciano votoi pro mocionit që çoi në rrëzimin e Mussolinit nga pushteti. Ky akt, i konsideruar tradhti nga Duçja dhe besnikët e tij, do të vuloste më vonë dënimin me vdekje të dhëndrit të tij.
Pas kapitullimit të Italisë dhe krijimit të Republikës së Salos, një shtet kukull nën kontrollin gjerman, Ciano u arrestua nga forcat fashiste. Në Verona u organizua një proces i ashtuquajtur gjyqësor, i njohur si “Gjyqi i Veronës”, ku verdikti ishte i paracaktuar. I akuzuar për tradhti ndaj regjimit, ai u dënua me pushkatim së bashku me disa ish-hierarkë të tjerë fashistë që kishin kundërshtuar Mussolinin.
Ekzekutimi i Galeazzo Cianos nuk ishte vetëm një akt hakmarrjeje politike, por edhe simbol i përçarjes së thellë brenda vetë fashizmit italian në momentet e fundit të tij. Ai mbetet një figurë kontradiktore: arkitekt i politikës së jashtme fashiste, por edhe autor i ditarëve të famshëm, ku dokumentoi nga brenda prishjen morale dhe politike të regjimit.
Vdekja e tij në Verona shënoi jo vetëm fundin e një njeriu, por edhe agoninë e një epoke, ku besnikëria ndaj pushtetit u shpërblye me plumb, sapo pushteti filloi të shembet.
Parashikimet sugjerojnë se ngrohja globale mund të krijojë një shkurtore nga Azia drejt Amerikës së Veriut, si dhe rrugë të reja për tregti, transport – dhe sulm.
Gaby Hinsliff*
Edhe një javë tjetër, edhe një fenomen i çuditshëm moti për të cilin ndoshta s’keni dëgjuar kurrë. Nëse nuk është “bomba e motit” me erëra dhe borë ekstreme, për të cilën Britania po përgatitet ndërsa po shkruaj, janë raportimet në Guardian për drerët e Arktikut që po përballen me problemin e kundërt: moti jashtëzakonisht i ngrohtë sjell më shumë shi, i cili më pas ngrin dhe krijon një lloj bore që ata nuk e çajnë dot lehtë me thundrat për të arritur ushqimin. Në një habitat aq të ashpër sa Arktiku, ku mbijetesa varet nga përshtatja e imët, edhe ndryshimet e vogla në modelet e motit kanë pasoja që përhapen pafundësisht – dhe jo vetëm për drerët.
Prej dekadash, politikanët kanë paralajmëruar për luftërat klimatike që po vijnë – konflikte të nxitura nga thatësira, përmbytje, zjarre dhe stuhi, që i detyrojnë njerëzit të lëvizin ose i shtyjnë në konkurrencë me fqinjët për burime natyrore gjithnjë e më të pakta. Për këdo që e ka imagjinuar këtë skenar larg pragut të Evropës me klimë të butë – në shkretëtira të goditura nga thatësira ose në ishuj të Paqësorit që po fundosen ngadalë në det – bisedat këtë javë nga Shtëpia e Bardhë për marrjen e pronësisë së Groenlandës janë një zgjim i ashpër. Siç po u thotë kujtdo që është gati ta dëgjojë Admirali i Parë i Flotës britanike, gjenerali Sir Gwyn Jenkins, shkrirja e veriut për shkak të krizës klimatike ka kohë që ka ndezur një garë të egër në Arktikun që po shkrin, për burime, territor dhe akses strategjikisht jetik drejt Atlantikut. Për të kuptuar se si kjo kërcënon Evropën veriore, shikoni majën e globit, jo një hartë të sheshtë.
Deri në fillim të viteve 2040, parashikimet sugjerojnë se ngrohja globale mund t’i ketë bërë ujërat e ngrira rreth polit të veriut – oqeanin që ndan Rusinë nga Kanadaja dhe Groenlanda – pothuajse pa akull gjatë verës. Kjo hap potencialisht një shkurtore të re nga Azia drejt Amerikës së Veriut, jo rreth mesit të planetit, por mbi krye, duke krijuar rrugë të reja për tregti, transport, peshkim – dhe, më kërcënueshëm, për sulm.
Si pasojë, nga nën akullin që po shkrin po del një teatër i ri konflikti, dhe Kina, Rusia dhe SHBA po përfshihen gjithnjë e më shumë në një betejë për dominim. Ndërkohë, teksa temperaturat në rritje e kthejnë veriun e largët në një shah të autokratëve, territore aq fatkeqe sa të jenë pengesë në këtë rrugë – nga Groenlanda te Kanadaja e deri te arkipelagu norvegjez i Svalbardit, prej kohësh i lakmuar nga Rusia – rrezikojnë të shndërrohen në gurë shahu.
Pothuajse po aq të rrezikshme për këto vende sa kërcënimet që zbardh shkrirja e polit janë, në njëfarë mënyre, edhe mundësitë. Pse, për dreq, SHBA mendon se i duhet të aneksojë Groenlandën mike për të mbrojtur këtë kufi kritik arktik? Në fund të fundit, trupat amerikane janë të stacionuara në këtë territor autonom danez që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Danimarka e ka bërë të qartë se janë më se të mirëpritur të sjellin edhe më shumë. E vetmja përfitim që vjen realisht vetëm me pronësinë, interesantërisht, janë të drejtat mbi pasuritë nëntokësore që mund të çlirohen teksa ky vend i ngrirë ngrohet.
Groenlanda është një burim i rrallë ende i pashfrytëzuar jo vetëm i naftës dhe gazit, por edhe i mineraleve të tokës së rrallë, të përdorura për gjithçka, nga bateritë e makinave elektrike te procesorët e qendrave të të dhënave – po aq jetike për shpresat amerikane për të fituar një garë teknologjike me Kinën sa ishin goma nga Malaja apo pambuku nga India për ekonomitë koloniale të dikurshme. Edhe pse shpesh është gabim të kërkosh shumë logjikë në atë që duket si çmenduri presidenciale, në orbitën e Trumpit nuk mungojnë ideologë dhe “tech bros” të aftë t’ia lidhin të gjitha këto dhe t’ia shesin atij. Dhe, ndërsa nxjerrja minerare në Arktik mund të mos jetë ekonomikisht e vlefshme për shumë vite, ankesat e Trumpit këtë javë se Groenlanda është “plot me anije kineze dhe ruse kudo” sugjerojnë se dikush e ka bindur se nuk mund t’i lërë rivalët t’ia dalin përpara në një mundësi zhvillimi potencialisht shumë të vlefshme – një koncept që çdo ish-magnat i pasurive të paluajtshme e kupton. Në fund të fundit, në Ukrainë Trump kërkoi të drejta për nxjerrjen e mineraleve të tokës së rrallë në këmbim të garancive të sigurisë, dhe në Gaza ai përfytyroi ndërtimin e hoteleve mbi rrënojat e bombarduara: pse të mos nxirret një fitim i shpejtë nga katastrofa mjedisore?
Dhe ndërsa për britanikët e gjitha kjo duket si një epokë e re perandorie, për besnikët e MAGA-s ndoshta tingëllon si jehonë e një historie shumë amerikane: ajo e kolonëve që bënë pasurinë duke ndjekur karvanët drejt perëndimit, duke shtyrë kufijtë e kombit pa pushim, duke marrë tokat e popujve indigjenë dhe duke u mbajtur fort pas tyre përmes një përzierjeje brutale tregtie dhe dhune. Qëllimi nuk është të pushtohet Groenlanda, shpjegon sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio, por ta blejnë, ose të paktën të marrin me qira akses ekskluziv ushtarak. Është tregues i shpejtësisë marramendëse me të cilën është shembur marrëdhënia e SHBA me aleatët e saj të dikurshëm – në pak më shumë se një vit – që kjo të synojë të jetë qetësuese: hej miq, thjesht duam t’ju shfrytëzojmë, jo t’ju vrasim!
Duke pasur parasysh vëmendjen famëkeqësisht të shkurtër të presidentit, është e vështirë të dihet çfarë fati e pret Groenlandën. Ndoshta ai thjesht do të mërzitet dhe do të kalojë te diçka tjetër, sidomos pasi të kenë mbaruar zgjedhjet afatmesme dhe të ketë më pak nevojë për dramë jashtë vendit për të shpërqendruar nga dështimet brenda. Ose ndoshta Shtëpia e Bardhë do të huazojë nga manuali i Putinit, duke shfrytëzuar dëshirën e groenlandezëve për pavarësi nga Danimarka për të nxitur një lloj trazire të brendshme që sot ndizet lehtësisht në epokën e rrjeteve sociale – përpara se SHBA të shfaqet si shpëtimtarja dashamirëse që hyn në skenë për t’i mbajtur të sigurt dhe për t’i bërë të pasur.
Por sidoqoftë, më mirë të mësohemi me idenë se ky është fillimi, jo fundi, i konflikteve që mund të vijnë teksa ngrohja globale ridizenjon hartat tona, shthur aleanca të vjetra dhe krijon rivalitete të reja vdekjeprurëse për tokë, ujë dhe burime natyrore.
Sigurisht që do të jetë më keq për ata që tashmë jetojnë në kufijtë e qëndrueshmërisë – në shkretëtira tepër të thata për të rritur çfarëdo gjëje, ose në qytete bregdetare që tashmë po luftojnë me rritjen e nivelit të detit, ose në vende shumë të varfra për t’u mbrojtur nga stuhitë gjithnjë e më të dhunshme – sesa për Evropën tonë me fat e klimë të butë. Dhe sigurisht që këto rreziqe mund të menaxhoheshin më mirë nga qeveri bashkëpunuese që e trajtojnë shkrirjen e veriut si një sfidë kolektive për njerëzimin, jo si një garë vdekjeprurëse për avantazh kombëtar.
Por në javën kur Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqej nga një sërë nismash ndërkombëtare për klimën, kjo qartazi nuk është bota ku jetojmë. Kështu që, nëse asgjë tjetër, le të shërbejë Groenlanda e përballur me kaq shumë presion si një kujtesë se kriza klimatike do të ketë pasoja gjeopolitike që ende mezi kemi filluar t’i kuptojmë – dhe se çfarëdo që ende mund të bëjmë për të frenuar rritjen e temperaturave ose për të zbutur pasojat e tyre ka rëndësi. Madje, ose ndoshta sidomos, nëse ende nuk mund ta zhbëjmë dëmin që tashmë është bërë me kaq vullnet.
Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
Filmat e tij brutalë e vendosën kinemanë koreane në hartën botërore. Tani, regjisori i Oldboy rikthehet me një satirë therëse për një burrë që shtyhet drejt vrasjes pasi humbet vendin e punës.
Stiv Rouz
Vala koreane po festohet sot në mbarë botën, por Park Çan-uk nuk ndihet aspak festiv. Nga jashtë, Koreja e Jugut duket si një makineri e mirëvajosur që prodhon pa pushim muzikë pop triumfuese, kuzhinë, makina, kinema (sidomos Parasite, fitues i Oskarit) dhe seriale televizive, bashkë me ekranet Samsung ku shihen ato. Por filmi i tij më i fundit, No Other Choice, e shpon këtë tullumbace. Ai e paraqet Korenë e sotme si një terren të paqëndrueshëm të rënies industriale, shkurtimeve, papunësisë dhe brishtësisë mashkullore – pa asnjë KPop Demon Hunters që të vijë ta shpëtojë situatën.
“Nuk kisha për qëllim ta bëja një portret realist të Koresë së vitit 2025,” thotë Parku, një 62-vjeçar i qetë, pothuajse profesor. “Mendoj se është më e saktë të shihet si një satirë mbi kapitalizmin.”
AI është aq e fuqishme sa nuk mund të konkurrosh më me të
Mjedisi i No Other Choice është bota komikisht banale, por pothuajse fytprerëse e prodhimit të letrës, ku një drejtues i sapo pushuar nga puna harton një plan të çmendur për të ecur përpara duke vrarë rivalët e tij për një pozicion të ri – gjë që e bën mjaft keq. Por, siç sugjeron Parku, mund të ishte po aq mirë edhe për industrinë e argëtimit, e cila është shumë më e pasigurt nga sa duket: “Edhe pse filmat dhe serialet koreane janë super-trendy globalisht, publiku korean nuk është kthyer në kinema pas pandemisë, dhe flitet gjithashtu për kërcënimin ndaj industrisë televizive. Dhe kjo rënie ndodhi menjëherë pas suksesit të Squid Game dhe Parasite. Mendoj se ky kontrast është në vetvete shumë ironik.”
Ironia është mënyra bazë e kinemasë së Parkut. No Other Choice nis me rrogëtarin Man-su (luajtur nga Li Bjëng-hun) që përgëzon veten se i ka të gjitha: punë të mirë, shtëpi të bukur, grua të dashur, dy fëmijë dhe dy qen. Ai e mirëpret ardhjen e vjeshtës, pa e kuptuar se ajo paralajmëron rënien e tij: brenda pak ditësh, ai gjendet në gjunjë duke lypur punë, pasi është pushuar nga shefat e rinj amerikanë – gjë që e çon drejt planit të tij të çmendur për vrasje. Tingëllon e zymtë, por filmi është i mbushur me humor të zi, slapstick therës dhe dhunë të ngathët, përfshirë një plan qesharak për të eliminuar një rival duke u dehur deri në shkatërrim me të – përmes teknikës tipikisht koreane të poktanju: një gotë uiski e zhytur në një gotë birre. Parku pranon se në të kaluarën nuk ishte i panjohur me këtë koktejl, “por tani nuk e pi më. E kuptova që nuk duhet t’ia bëja këtë vetes.”
Edhe titulli No Other Choice është ironik: Man-su qartazi ka zgjedhje të tjera. Ai mund t’u kthehej punëdhënësve, jo kolegëve. Ose mund ta pranonte thjesht varfërimin – por ai do të bëjë gjithçka për të mos humbur shtëpinë dhe statusin, sidomos brenda familjes. “Publiku dëshiron me ngulm ta mbështesë dhe ta shohë të gjejë punë, por në momente të tjera kupton se zgjedhjet e tij janë të gabuara,” thotë Parku. “Këto dy ndjenja bashkëjetojnë dhe publiku kalon nga njëra te tjetra. Ky ishte qëllimi i filmit.”
Ironia më e madhe është se vetë Parku është pothuajse poster-boy i fuqisë kulturore koreane. Prej 20 vitesh ai ndodhet në kulmin e valës koreane dhe, bashkë me bashkatdhetarin e tij Bong Xhun-ho, regjisorin e Parasite, ka thyer barriera për kinemanë e vendit. Ashtu si Bongu, filmat e Parkut kanë bashkuar vlerësimin festiv me suksesin komercial, veçanërisht me Oldboy, i cili fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Kanë më 2004 dhe i prezantoi botës një markë të re kinemaje: të gjallë, të përgjakshme, të shtrembëruar, por teknikisht brilante – e mishëruar nga skena ikonike e korridorit me çekan dhe ajo ku protagonisti ha një oktapod të gjallë. Në Mbretërinë e Bashkuar, filmat e Parkut u tregtuan nën etiketën DVD “Asia Extreme”, krahas veprave të Kim Xhi-uun, Kim Ki-duk dhe disa regjisorëve japonezë.
Sot, Parku ndihet i parehatshëm kur kthehet pas: “Ndihesha sikur po futesha në një kuti për shkak të atij brendi. Krijoi një formë të panevojshme paragjykimi.” Ai lehtësohet që etiketa nuk vlen më, pjesërisht sepse estetika e tij “ekstreme” është përthithur nga kinemaja mainstream, por edhe sepse Parku kaloi me lehtësi drejt Hollivudit dhe projekteve anglishtfolëse pak më pak të dhunshme. Mes tyre janë miniseriali i vitit 2018 The Little Drummer Girl, sipas Xhon le Karé-së, me Florens Pju dhe Aleksandër Skarsgord, si dhe The Sympathizer (2024), i nënvlerësuar, për spiunë vietkongë në Amerikën e viteve ’70, ku Robert Dauni Xhunior luan disa role.
“Nuk është se bëj zgjedhje të qëllimshme për ta zbutur dhunën time për të shmangur një reputacion të tillë,” thotë ai. “Nuk e di çfarë filmash do të bëj në të ardhmen, por ata mund të jenë po aq grafikë sa të mëparshmit.”
Regjia në anglisht nuk ishte aq e lehtë sa dukej, shton ai, sidomos në filmin e tij të parë hollivudian, Stoker (2013), një thriller në stilin e Hiçkokut me Nikoll Kidman dhe Methju Gud. “Në fillim kisha frikë, sidomos sa i përket komunikimit përmes përkthyesit,” thotë ai. Aktorët e ndihmuan shumë. “Në fakt nuk ishte aq ndryshe, ndoshta sepse Nikolla u përpoq maksimalisht të përshtatej me mua.” Kidman parapëlqen përgatitjen individuale, shpjegon ai, ndërsa Parku preferon të ulet me gjithë kastin dhe ta punojë skenarin rresht për rresht. “I sugjerova: pse të mos e provojmë? Dhe në fund, ajo tha se ishte shumë e dobishme.”
Ai nuk është rrjedhshëm në anglisht dhe sot flet përmes një përkthyesi, por “anglishtja ime është mjaftueshëm e mirë sa, nëse ndiej se diçka nuk po përkthehet saktë, mund ta vë në dukje,” thotë ai. “Një tjetër problem mund të jetë keqkuptimi nga dallimet gjuhësore ose kulturore, por unë jam përpjekur ta përdor këtë në avantazhin tim, sepse mund të ofroj një perspektivë mbi shoqëritë britanike ose amerikane që njerëzit brenda tyre ndonjëherë nuk e shohin.”
Sot, ashtu si Bongu, ai alternon projekte: disa në anglisht, disa në koreanishte, të tjerë hibride. Trilleri i tij lezbian The Handmaiden e zhvendosi romanin Fingersmith të Sara Uotersit nga Anglia viktoriane në Korenë e fillimit të shekullit XX. Në mënyrë të ngjashme, No Other Choice është përshtatur nga romani The Ax i shkrimtarit amerikan të krimit Donald Westlake, por i vendosur në Ulsan, një qytet bregdetar në juglindje të Koresë. Parku shpjegon se është përpjekur ta adaptojë historinë që kur e lexoi për herë të parë rreth vitit 2005 – afërsisht në të njëjtën kohë kur doli edhe një version francez i saj. “Fillimisht ishte menduar si një film amerikan në anglisht, por kaluan shumë vite të kota dhe përfundimisht u shndërrua në një film korean.”
Vonesa i dha të paktën mundësinë të punonte me Li Bjëng-hunin, i cili bashkëpunoi për herë të parë me Parkun në hitin Joint Security Area (2001) dhe së fundmi ka luajtur në Squid Game dhe ka dhënë zërin e demonit kryesor në KPop Demon Hunters. Parku e përshkruan si “Xhek Lemoni i Koresë” – i pashëm, por ekspresiv dhe i gjithanshëm, një njeri i zakonshëm me të cilin identifikohesh. “Më parë do të kishte qenë shumë i ri për rolin, por me kalimin e kohës arriti moshën e duhur.”
Pavarësisht moshës së historisë, temat e pasigurisë ekonomike dhe mashkullore – dhe fakti që viktimat e kapitalizmit neoliberal kthehen kundër njëri-tjetrit në vend që të përballen me fajtorët e vërtetë – mbeten aktuale, veçanërisht në Kore. Por Parku i ka dhënë një përditësim tipik të shekullit XXI: hija e inteligjencës artificiale shfaqet fuqishëm në këtë peizazh industrial, duke shtuar një tjetër shtresë ironie. “Ndërsa romani origjinal paraqiste konkurrencë mes njerëzve, unë shtova AI-n, e cila është aq e fuqishme sa nuk mund të konkurrosh më me të,” thotë ai.
Këto ankthë nuk kufizohen te prodhimi i letrës – edhe pse mund të shihet si metaforë e epokës analoge që po vdes. Parku e di mirë se AI po i afrohet edhe profesionit të tij. “Tani nuk duket aq kërcënuese, por duke parë shpejtësinë e zhvillimit gjatë vitit të fundit, jam shumë i shqetësuar se sa njerëz në industrinë tonë të filmit do të zëvendësohen nga AI.” Ai shqetësohet për kolegët, thotë, “por edhe për një situatë ku nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse ta përqafoj AI-n – për shembull, nëse studiot vendosin të shkurtojnë buxhetet duke përdorur AI.”
Sidoqoftë, ai vështirë se do të fillojë të eliminojë rivalët si në No Other Choice. Sidomos jo Bong Xhun-ho-n: të dy janë miq të vjetër. Parku, në fakt, i dha Bongut punën e tij të parë. “E ftova të punonte në një skenar për mua dhe patëm diskutime, por nuk u realizua kurrë.” Ata kanë përdorur të njëjtët aktorë, përfshirë Son Kang-ho-n e Parasite, dhe Parku bashkëprodhoi filmin fantastiko-shkencor të Bongut Snowpiercer (2013). “Edhe gratë tona janë shumë të afërta, takohemi shpesh. Edhe familja e Son Kang-ho-s është shumë e afërt me familjet tona. Kështu që shpesh rrihemi bashkë,” thotë ai. “Kur shkrova draftin e parë të No Other Choice, ia dhashë [Bongut] skenarin dhe i kërkova mendim.”
Ndoshta kjo është pjesë e arsyes pse kultura koreane e ekranit ka pasur kaq shumë sukses kohët e fundit. Jo vetëm që nuk janë duke u mbytur në rivalitet, por veprat e tyre shpesh e shohin suksesin ekonomik dhe modelin kapitalist me skepticizëm, në mos me pesimizëm të hapur. Nuk duket se ka një ekuivalent korean të Ëndrrës Amerikane. Mund të thuhet se No Other Choice përballet drejtpërdrejt me të njëjtat ironi dhe pabarazi si Parasite i Bongut, ose komedia e tij e fundit fantastiko-shkencore Mickey 17 – ku një Robert Patinson i klonuar luan punëtorin përfundimtar të flijueshëm. Apo edhe Squid Game e Hwang Dong-hyuk, me lojën e saj jetë-a-vdekje, ku fituesi merr gjithçka, e frymëzuar nga përvojat personale të Hwangut me vështirësitë ekonomike pas krizës financiare të vitit 2008. Ndoshta kinemaja koreane po ofron perspektiva që ne perëndimorët nuk po i shohim.
Jo se Parku ka ndonjë axhendë të deklaruar, filozofike, tematike apo gjeografike. Për ta dëshmuar këtë, ai thotë se dy projektet e tij të ardhshme janë të dyja të mbështetura nga SHBA: njëri është fantastiko-shkencor (i përshtatur nga manga japoneze Genocidal Organ), tjetri një uestern (Brigands of Rattlecreek – tingëllon shumë i dhunshëm).
“Nëse do të merrja një propozim për një histori të mirë që zhvillohet në Francë ose në një vend të Afrikës, do të shkoja atje,” thotë ai. “Unë thjesht ndjek historitë e mira.”
-Për nder, o shoku mësues, nuk ka më të habitshme se jeta. Kështu thoshte Arifi, nipi i Bamkë Qylollarit – personazh i Dritëro Agollit te romani “Komisari Memo”, – që ishte i gënjyer nga Balli, por që nga fundi i luftës mori rrugën e drejtë të Partisë. -Unë kujtova Arif, kush e di ç’do thoshte, – ia pret mësuesi, që ishte njëkohësisht edhe i lapsit, edhe i kobures me mulli. -Po, po… jeta është e habitshme, – këmbëngulte Arifi në filozofinë e tij, duke dredhur cigaren me mbetje duhani.
Kjo batutë e vjetër, – që i përket filmit “I teti në bronz”, me regji të Viktor Gjikës, – vjen në kohë po aq e re, sa herë që realiteti na e servir në formë groteske. Dhe më erdhi ndër mend teksa ndiqja lajmet e Top-it, ku flitej për përmbytje, njerëz të humbur, shtëpi nën ujë, familje që s’dinin ku të fusnin kokën. Një hall i madh, real, i rëndë, që s’ka nevojë për regji televizive. Ujë i pistë, baltë dhe frikë.
Por paralelisht, në të njëjtin kanal televiziv drama tjetër – për disa edhe më e madhe se kaq: – janë të nominuarit e Big-ut, të mbërthyer nga ankthi se kush do të dilte “fishek” jashtë, pa bërë gati as valixhet. Ky është hall, vëlla. Një tragjedi tjetër, sipas rregullave të spektaklit.
Ore meqë ra llafi, këta të përmbyturit ku e shohin spektaklin? Apo në sallën e kooperativës, – që ua ofron Bashkia, – si Luani që ndiqte lajmet e Tiranës te salla e kulturës, se kishte rënë në dashuri me spikeren e televizionit, aty tek filmi “Kur hapen dyert e jetës”.
Dhe më tej, tek emisioni që tashmë mund të cilësohet si versioni adekuat i “Burrat kërkojnë gra e gratë kërkojnë burra”, kemi të bëjmë me një lloj tjetër fatkeqësie kombëtare:
— Ah, sevda na përvëlove — Na mbetën vajzat pa martuar — Halli i djemve më i madh — Mbetën vajzat në shtëpi — Mua djemtë në Australi — Le të vijnë, bëjmë krushqi
Epo, këto batuta janë shkëputur nga një tjetër film emblemë i Kinostudios, “Përrallë nga e kaluara”, me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit.
-Jeta është e çuditshme, – thoshte Arifi i menduar, thua se po shpikte rrotën.
Pa dyshim, njerëzit kanë halle të ndryshme, kjo është e natyrshme. Por media i vë të gjitha në të njëjtën peshore morale: përmbytjen dhe përjashtimin nga shtëpia e Big-ut, hallin e bukës dhe hallin e famës, dramën e mbijetesës dhe dramën e audiencës.
Secili ka hallin e vet. Por halli-hallit nuk i ngjan.
Dhe kur trajtohen njësoj, nuk krijojmë neutralitet, por një konfuzion moral. E kthejmë tragjedinë në sfond dhe spektaklin në qendër. E shesim absurditetin si normalitet.
Në fund, ndoshta Arifi kishte të drejtë kur thoshte: Jeta është e habitshme. Por edhe më e habitshme bëhet kur ne zgjedhim ta shohim pa dalluar çfarë është dramë e vërtetë dhe çfarë është thjesht zhurmë.
Në dimrin e vitit 49 para erës sonë, në veri të Italisë, një lum i vogël dhe i cekët u shndërrua në vijën më të rëndë ndarëse të historisë romake. Rubikoni, i gjatë rreth 80 kilometra, që zbret nga malet Apenine drejt detit Adriatik, nuk ishte një pengesë natyrore madhore. Por për Republikën Romake ai ishte një kufi absolut: një vijë ligjore që asnjë gjeneral nuk lejohej ta kalonte me ushtri të armatosur pa urdhrin e Senatit.
Jul Cezari e dinte këtë. Dhe pikërisht për këtë arsye, kur ai i dha urdhër legjioneve të tij të kalonin Rubikonin, nuk po kryente thjesht një manovër ushtarake — po shpallte hapur luftë civile kundër Romës.
Rubikoni ishte një lum me ujëra të ngjyrosura nga balta dhe dheu i kuq i zonës. Emri i tij vjen nga latinishtja rubeus, që do të thotë “i kuq”. Kjo ngjyrë, e krijuar nga përbërja minerale e tokës — e ngjashme me atë të Rubikut, zonë e pasur me bakër — i dha lumit një simbolikë që do të mbijetonte për shekuj. Nga e njëjta rrënjë gjuhësore vjen edhe fjala “rubrikë”: vendi i veçantë në gazetë, i rrethuar ose i nënvizuar me të kuqe, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit.
Por në vitin 49 p.e.s., Rubikoni ishte shumë më tepër se etimologji. Ai ishte kufiri mes ligjit dhe rebelimit, mes Republikës dhe tiranisë së mundshme.
Pas fushatave të gjata në Galinë, Cezari ishte bërë tepër i fuqishëm për t’u toleruar nga Senati dhe nga rivali i tij politik, Pompeu i Madh. Atij iu kërkua të shpërndante ushtrinë dhe të kthehej në Romë si qytetar i thjeshtë. Për Cezarin, kjo do të thoshte gjyq, përndjekje dhe fund politik. Zgjedhja ishte brutale: bindje dhe shkatërrim personal, ose rebelim dhe luftë.
Në atë natë dimri, kur legjionet romake hynë në ujërat e cekëta të Rubikonit, historia kaloi një prag pa kthim. Sipas historianit romak Suetonius, pasi ushtarët kishin dalë në bregun tjetër, Cezari mërmëriti fjalët që do të bëheshin të pavdekshme: “Alea iacta est” — “Guri i lojës është hedhur.”
Me këtë akt, Republika Romake hyri në një cikël të pamëshirshëm luftërash civile. Roma nuk do të ishte më kurrë e njëjtë. Nga përplasja mes Cezarit dhe Pompeut do të lindte rrëzimi i rendit republikan dhe, pak dekada më vonë, Perandoria Romake.
Që prej asaj nate, shprehja “kalimi i Rubikonit” ka hyrë në gjuhën e historisë dhe të politikës si metaforë universale për një vendim fatal, për një çast kur nuk ka më kthim pas dhe kur ngjarjet nisin të rrokullisen drejt së pashmangshmes.
Një lum i vogël, me ujëra të kuqërremta, u bë kështu simbol i një bote që po ndryshonte përgjithmonë — dhe dëshmi se ndonjëherë, historia nuk shkruhet nga madhësia e pengesës, por nga guximi për ta kaluar atë.
Në vitin 1927, Gjermania i dhuroi kinemasë botërore një nga veprat më ambicioze dhe më vizionare të shekullit XX: Metropolis, filmi futuristik i regjisorit Fritz Lang. I shfaqur për herë të parë në Berlin, filmi u kthye menjëherë në një ngjarje kulturore, duke lënë gjurmë të thella jo vetëm në historinë e kinemasë, por edhe në mënyrën se si arti filloi të imagjinonte të ardhmen urbane, teknologjinë dhe marrëdhënien e njeriut me pushtetin.
Metropolis është një film fantastiko-shkencor i realizuar në kulmin e kinemasë së heshtur gjermane, gjatë periudhës së Republikës së Vajmarit – një epokë e trazuar politikisht, por jashtëzakonisht e pasur artistikisht. Regjia e Fritz Lang dhe skenari i shkruar nga Thea von Harbou, në bashkëpunim të ngushtë me të, ndërtuan një botë distopike që edhe sot mbetet tronditëse për qartësinë e mesazhit dhe madhështinë vizuale.
Ngjarjet zhvillohen në një qytet futuristik, Metropolis, ku shoqëria është e ndarë në dy botë të pakapërcyeshme: elita që jeton në qiellgërvishtës luksoze dhe punëtorët që jetojnë e punojnë nën tokë, në kushte çnjerëzore, për të mbajtur gjallë makineritë e qytetit. Ky dualizëm brutal është zemra ideologjike e filmit.
Në qendër të historisë është Freder Fredersen, i interpretuar nga Gustav Fröhlich, djali i sundimtarit absolut të qytetit, Joh Fredersen (Alfred Abel). Freder bie në kontakt me botën e nëntokës dhe me Maria-n, një figurë profetike dhe humaniste, e luajtur nga Brigitte Helm, e cila predikon pajtimin mes klasave. Por ekuilibri tronditet kur shkencëtari i çmendur Rotwang (Rudolf Klein-Rogge) krijon një robot me pamjen e Maria-s, duke ndezur kaos, rebelim dhe shkatërrim.
Teknikisht, Metropolis ishte një ndër prodhimet më të shtrenjta të kohës. Dekoret gjigante, arkitektura monumentale, përdorimi revolucionar i efekteve speciale dhe i miniaturave krijuan një estetikë që ndikoi breza të tërë regjisorësh – nga filmat noir te fantashkenca moderne, nga Blade Runner te Star Wars. Imazhi i qytetit vertikal, makinerive gjigante dhe robotit humanoid është bërë ikonë globale e kulturës vizuale.
Megjithatë, në kohën e premierës, filmi nuk pati suksesin e pritur komercial. I konsideruar shumë i gjatë, shumë i shtrenjtë dhe ideologjikisht i ndërlikuar, Metropolis u shkurtoi rëndë nga distributorët, duke humbur për dekada skena të tëra. Vetëm në fund të shekullit XX dhe fillim të XXI, falë restaurimeve dhe zbulimit të kopjeve të humbura, filmi u rikthye më afër versionit origjinal të Lang-ut.
Sot, Metropolis konsiderohet një kryevepër absolute e kinemasë botërore dhe një paralajmërim artistik për rreziqet e një shoqërie të ndarë, të nënshtruar ndaj teknologjisë dhe pushtetit pa etikë. Filmi i vitit 1927 vazhdon të flasë me një gjuhë të frikshme aktuale, duke dëshmuar se fantashkenca e madhe nuk parashikon vetëm të ardhmen, por zbërthen të tashmen.
Nën qiellin e pamatë të Teksasit të vitit 1949, aty ku pluhuri i varfërisë përzihej me nxehtësinë përvëluese dhe tensionet racore drithëronin ajrin, lindi një fëmijë që do të mësonte ta shndërronte zemërimin në mburojë…
…Xhorxh Eduard Formën nuk ishte thjesht një djalosh i rritur në rrugët e ashpra të Hjustonit; ai ishte një forcë e fjetur e natyrës. I heshtur, me një vështrim që dukej se peshonte më shumë se grushtet e tij, pak kush mund ta imagjinonte se ky djalë “problematik” do të shndërrohej në një nga figurat më njerëzore të mitologjisë sportive moderne: njeriun që rrëzoi gjigantët dhe, më pas, ringriti vetveten nga hiri.
“Big Xhorxh” ose epoka e shkatërrimit
Karriera e tij shpërtheu si një vullkan. Në Lojërat Olimpike të Meksikos, më 1968, bota pa një 19-vjeçar që lëvizte në ring me egërsinë e një luani të ri. Kur fitoi medaljen e artë, ai valëviti një flamur të vogël amerikan — një gjest që në atë kohë u lexua si patriotizëm i thjeshtë, por brenda tij ziente një ambicie e pangopur: të bëhej mbret i botës.
Kurora erdhi shpejt. Në vitin 1973, në Kingston të Xhamajkës, Formën u përball me kampionin e pamposhtur Xho Frejzhër. Ajo që ndodhi në ring ishte një tronditje globale: brenda dy raundeve, Formën e rrëzoi Frejzhërin gjashtë herë. “Down goes Frazier!”, ulërinte komentatori, ndërsa bota po dëshmonte lindjen e një force të pamëshirshme. Formën nuk boksonte; ai ekzekutonte. Fuqia e tij brutale dukej se sfidonte vetë kufijtë e trupit njerëzor.
Rënia në Kinshasa dhe vdekja e egos
Por çdo mit ka çastin e tij të thyerjes. Për Xhorxh Formën, ai çast ishte Zairi, viti 1974. Në ndeshjen legjendare “Rumble in the Jungle”, përballë tij doli gjeniu Muhamed Ali. Formën hyri në ring si një makinë lufte; doli prej andej si një njeri i zhveshur nga iluzioni i pathyeshmërisë. Strategjia “rope-a-dope” e Aliut nuk goditi vetëm trupin e tij, por edhe egon. Ajo humbje nuk ishte thjesht statistikë sportive; ishte një vdekje shpirtërore.
Pas kësaj, ai humbi busullën. U tërhoq në vetmi, dhe pas një humbjeje tjetër në vitin 1977, përjetoi një kthesë radikale: gjeti besimin, la ringun dhe u bë predikues. Boksi, për një kohë të gjatë, u duk si një kapitull i mbyllur.
Mrekullia e flokëve të thinjur
Për gati dhjetë vjet, dorashkat mblodhën pluhur, ndërsa Formën mbante Biblën në dorë dhe u shërbente të varfërve. Por në fund të viteve ’80, bota u befasua: një Formën më i rëndë, me flokë të thinjur, me bark paksa të lëshuar dhe me një buzëqeshje që kishte zëvendësuar vështrimin e egër, shpalli rikthimin. Skeptikët qeshën; e quajtën një shaka për para.
Më 5 nëntor 1994, ndodhi e pamendueshmja. Në moshën 45-vjeçare, i veshur me të njëjtat mbathje të kuqe si kundër Aliut dy dekada më parë, Formën goditi kampionin e ri Majkëll Murër me një grusht të vetëm, të pastër, në mjekër. Kur referi numëroi deri në dhjetë, Formën ra në gjunjë në cepin e ringut — jo nga lodhja, por në lutje. Ai u bë kampioni më i vjetër i botës në peshat e rënda, duke provuar se mosha është vetëm një numër, kur vullneti është prej çeliku.
Nga grushti te grilli
Jashtë ringut, Xhorxh Formën realizoi një tjetër “knock-out”, këtë herë në botën e biznesit. Me “George Foreman Grill” apo “Grilli i Xhorxh Formën”, ai u shndërrua në një ikonë të marketingut global, duke dëshmuar se pas muskujve fshihej një mendje e mprehtë sipërmarrëse. Emri i tij u transformua nga sinonim i frikës në sinonim besimi dhe afërsie.
Epilog
Sot, Xhorxh Formën është portreti i njeriut që jetoi dy jetë. Njëra ishte jeta e forcës së papërmbajtshme, ku ai u shpall “njeriu më i fortë në botë”. Tjetra, ajo e urtësisë, ku tregoi se forca e vërtetë nuk matet me sa fort godet, por me aftësinë për t’u ngritur sërish pasi jeta të ka rrëzuar përtokë. Ai mbetet një legjendë e gjallë, dëshmi se ringu më i vështirë për t’u fituar është ai me vetveten.
Më 10 janar 1966, në qytetin e Tashkentit, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik, u nënshkrua një dokument diplomatik që synonte t’i jepte fund një prej përplasjeve më të rrezikshme të Azisë Jugore: Luftës Indo-Pakistane të vitit 1965. E njohur si Deklarata e Tashkentit, kjo marrëveshje paqeje u firmos nga kryeministri i Indisë, Lal Bahadur Shastri, dhe presidenti i Pakistanit, Ayub Khan, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Sovjetik dhe veçanërisht të kryeministrit Aleksei Kosygin.
Lufta e vitit 1965 shpërtheu si pasojë e tensioneve të vazhdueshme mes Indisë dhe Pakistanit rreth rajonit të Kashmirit, një konflikt i trashëguar që nga ndarja e Indisë Britanike në vitin 1947. Përplasjet ushtarake, fillimisht lokale, u shndërruan shpejt në një luftë të hapur me përdorim masiv të forcave tokësore, aviacionit dhe artilerisë, duke shkaktuar mijëra viktima dhe një destabilizim serioz të rajonit.
Më 23 shtator 1965, nën presionin e drejtpërdrejtë të fuqive të mëdha dhe të Kombeve të Bashkuara, u arrit një armëpushim. SHBA, Bashkimi Sovjetik dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë kishin frikë se konflikti mund të përshkallëzohej në një luftë më të gjerë rajonale, në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj. Rreziku i përfshirjes indirekte të superfuqive e bëri urgjente nevojën për një zgjidhje politike.
Deklarata e Tashkentit erdhi si përpjekje për të formalizuar paqen dhe për të krijuar një kornizë stabiliteti. Marrëveshja parashikonte tërheqjen e trupave të të dyja vendeve në pozicionet para luftës, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, respektimin e sovranitetit dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të njëra-tjetrës. Një element kyç ishte angazhimi për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, pa përdorur forcën.
Roli i Bashkimit Sovjetik ishte vendimtar. Moska kërkonte të forconte pozicionin e saj diplomatik në Azinë Jugore dhe të paraqitej si faktor paqeje në një botë të ndarë nga blloqet ideologjike. Tashkenti u zgjodh si një terren “neutral”, larg presioneve direkte të rajonit të konfliktit.
Megjithatë, marrëveshja nuk u prit njësoj në të dy vendet. Në Indi, Deklarata e Tashkentit u kritikua nga disa qarqe politike si një kompromis i tepruar, pasi nuk solli zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kashmirit. Në Pakistan, gjithashtu, pati pakënaqësi për mungesën e përfitimeve konkrete pas një konflikti të kushtueshëm.
Një ngjarje dramatike e lidhi përgjithmonë Deklaratën e Tashkentit me historinë: vetëm disa orë pas nënshkrimit të saj, kryeministri indian Lal Bahadur Shastri vdiq papritur në Tashkent, duke i dhënë marrëveshjes një ngarkesë edhe më të rëndë simbolike.
Edhe pse nuk e zgjidhi konfliktin themelor mes Indisë dhe Pakistanit, Deklarata e Tashkentit mbetet një moment kyç në diplomacinë e Luftës së Ftohtë dhe një shembull i ndërhyrjes së fuqive të jashtme për të frenuar një luftë që rrezikonte të shpërthente përtej kufijve rajonalë. Ajo dëshmoi se, në një botë të ndarë dhe të armatosur, paqja shpesh nuk është fitore, por domosdoshmëri.
Më 10 janar 1920, pas më shumë se katër vitesh shkatërrim të paparë, Traktati i Versajës hyri zyrtarisht në fuqi, duke i dhënë fund në mënyrë formale Luftës së Parë Botërore. Megjithëse armët kishin heshtur që më 11 nëntor 1918 me nënshkrimin e armëpushimit, Evropa dhe bota jetonin ende në një gjendje pasigurie juridike dhe politike. Paqja, për herë të parë, mori formë ligjore.
Traktati ishte nënshkruar më 28 qershor 1919 në Pallatin e Versajës, në të njëjtën sallë ku, gati gjysmë shekulli më parë, ishte shpallur Perandoria Gjermane. Zgjedhja e vendit nuk ishte rastësi: ajo ishte një akt simbolik i hakmarrjes historike dhe poshtërimit politik për Gjermaninë e mundur.
Një paqe e diktuar, jo e negociuar
Traktati i Versajës nuk ishte rezultat i një dialogu të barabartë. Fuqitë fituese — Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre — hartuan kushtet, ndërsa Gjermanisë iu dha vetëm mundësia t’i pranonte ose t’i refuzonte. Refuzimi do të nënkuptonte rifillimin e luftës.
Në thelb, traktati shpalli Gjermaninë fajtore për shpërthimin e luftës, përmes nenit famëkeq 231, të njohur si “klauzola e fajësisë së luftës”. Ky nen u bë baza ligjore për dëmshpërblimet e rënda financiare që Berlini duhej t’u paguante vendeve fituese — shuma kolosale që do të rëndonin ekonominë gjermane për dekada.
Copëtimi i një fuqie
Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Versajës në vitin 1920, Gjermania humbi territore të konsiderueshme: Alsace-Lorraine iu kthye Francës, zona të tjera iu dhanë Polonisë së sapokrijuar, Danimarkës dhe Belgjikës, ndërsa të gjitha kolonitë e saj jashtë Evropës u konfiskuan. Ushtria gjermane u kufizua në 100 mijë trupa, pa aviacion ushtarak, pa tanke dhe pa artileri të rëndë. Rajoni i Rheinlandit u çmilitarizua, duke i hequr Gjermanisë një nga zonat e saj strategjike.
Ky reduktim drastik nuk ishte thjesht ushtarak; ai ishte një përpjekje për të thyer përgjithmonë ambicien gjermane për dominim në Evropë.
Një Evropë e re, e brishtë
Traktati i Versajës shënoi gjithashtu lindjen e një harte të re politike në Evropë. Perandoritë e vjetra — ajo Austro-Hungareze, Osmane dhe Ruse — u shpërbënë, duke lënë pas shtete të reja, por shpesh të dobëta dhe etnikisht të përziera. Kufijtë u vizatuan më shumë mbi tavolina diplomatike sesa mbi realitete historike apo kulturore.
Në të njëjtën ditë që traktati hyri në fuqi, u krijua edhe Lidhja e Kombeve, organizata e parë ndërkombëtare që synonte ruajtjen e paqes globale. Ironikisht, Shtetet e Bashkuara, ideatorja kryesore e kësaj organizate përmes presidentit Uudrou Uillson, nuk u anëtarësuan kurrë, pasi Senati amerikan refuzoi ratifikimin.
Paqe që mbolli luftë
Edhe pse Traktati i Versajës i dha fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore, ai nuk solli një paqe të qëndrueshme. Në Gjermani, ndjenja e poshtërimit, kriza ekonomike dhe inflacioni shkatërrues krijuan terrenin për radikalizëm politik. Shumë historianë e shohin këtë traktat jo si fundin e një konflikti, por si parathënien e Luftës së Dytë Botërore.
Kur hyri në fuqi në vitin 1920, Traktati i Versajës mbylli një kapitull gjakderdhjeje globale, por hapi një tjetër, më të errët. Ishte një paqe e shkruar me bojë diplomatike, por e ngarkuar me plagë, zemërim dhe hakmarrje — një paqe që historia do ta gjykonte si të paplotë dhe thellësisht të brishtë.
Pamje nga prapaskenat e serialit të vëllezërve Duffer në Netflix, që publikohet më 12 janar.
Për fansat e Stranger Things vjen së shpejti një surprizë e re: Netflix ka caktuar datën e publikimit dhe ka publikuar trailerin e një dokumentari të panjoftuar më parë, i cili ofron një vështrim ekskluziv pas skenave të realizimit të sezonit të fundit të serialit jashtëzakonisht të suksesshëm, të krijuar nga vëllezërit Matt dhe Ross Duffer.
I titulluar One Last Adventure: The Making of Stranger Things 5, dokumentari do të debutojë më 12 janar dhe, sipas Netflix, do të ofrojë “një vështrim nga brenda në vitet e punës dhe mjeshtërisë krijuese që u deshën për të realizuar kapitullin e fundit të serisë ikonike të vëllezërve Duffer”.
Finalja e madhe e serialit, e drejtuar nga Martina Radwan, u publikua nga Netflix natën e Vitit të Ri, njëkohësisht në platformë dhe në mbi 600 kinema në Amerikën e Veriut. “Jam pafundësisht mirënjohëse ndaj vëllezërve Duffer që më besuan dhe më dhanë një vend në rreshtin e parë të këtij udhëtimi të pabesueshëm,” tha regjisorja. “Të kaloja një vit të tërë në sheshxhirim me ta ishte një privilegj i vërtetë. Do të doja vetëm të kthehesha pas në kohë dhe të dokumentoja edhe sezonet e para deri tek i katërti. Nga kasti te bashkëpunëtorët e hershëm, të gjithë më pritën me bujari të jashtëzakonshme, duke ndarë hapur përvojat e tyre personale dhe kolektive të fituara gjatë një dekade krijimi.”
Traileri hapet me pamje nga leximi përfundimtar i skenarit të Stranger Things, ndërsa Ross Duffer dëgjohet të thotë: “Të shkruaje rreshtat e fundit që këta personazhe do të thoshin ndonjëherë ishte vërtet e vështirë.”
Gjatë leximit, Noah Schnapp (Will Byers) dhe Millie Bobby Brown (Eleven) shpërthejnë në lot, teksa janë ulur në një divan, ndërsa Schnapp përqafohet me Cara Buono, e cila interpreton Karen Wheeler.
Më pas, traileri sjell pamje arkivore nga fillimet e serialit, kur aktorët ishin ende fëmijë. Në sfond dëgjohet kënga ikonike “Heroes” e David Bowie, e përdorur disa herë në Stranger Things, përfshirë edhe gjatë titrave përmbyllës të finales së serialit.
Dokumentari ndalet gjithashtu në dhomën e shkrimtarëve, ku vëllezërit Duffer diskutojnë fatin e personazhit Eleven. Në një nga momentet më emocionale, Millie Bobby Brown dëgjohet të thotë: “Nuk jam gati ta lë.”
SHBA po avancon një rend të ri global. Gjatë tetë dekadave të fundit, Uashingtoni ka ndjekur – kur i ka shërbyer interesave amerikane – një rend të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, liberalizëm, multilateralizëm dhe vlera demokratike. Rendi i ri, përkundrazi, bazohet në autokraci dhe përdorimin e forcës, dhe mbështetet nga nacionalizmi ksenofob.
Për marrëdhënien transatlantike, kjo përbën një ndryshim rrënjësor: do të thotë se veprimi shtrëngues tani drejton ndryshimin e politikave. Varësia e Evropës nga SHBA për sigurinë kthehet në një levë që mund të shfrytëzohet pa mëshirë. Interesat e biznesit të kompanive teknologjike të Silicon Valley-t përputhen me ato të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa SHBA instrumentalizon politikanë të ekstremit të djathtë në Evropë për të arritur objektivat e saj të politikës së jashtme.
Duke mbështetur rizgjedhjen e Donald Trump dhe zëvendëspresidentit të tij, JD Vance, libertarianët radikalë kanë siguruar që disa nga bindjet e tyre të ndikojnë drejtpërdrejt në kthesën ideologjike që po formëson mandatin e dytë të Trump-it dhe rendin e ri global. Ide të përhapura mes drejtuesve radikalë libertarianë të Silicon Valley-t – si pronatalizmi, mbështetja për eugjenikën dhe madje zëvendësimi i demokracisë me një “monarki” të drejtuar nga CEO-t – po shkrihen me nativizmin MAGA.
Siç e parashikova në qershor, bashkimi i këtyre forcave do të thotë se kjo administratë do të kërkojë të sjellë një revolucion kulturor transatlantik të bazuar në vlera nativiste, i mirëpritur nga disa segmente të ekstremit të djathtë evropian, me një objektiv dytësor: fragmentimin dhe shkatërrimin e institucioneve të BE-së.
Ndërsa partitë e ekstremit të djathtë në të dy anët e Atlantikut kanë kohë që i përqafojnë idetë nativiste, sot qeveria amerikane po kërkon aktivisht ta eksportojë këtë ideologji në Evropë si pjesë e rendit të ri që imagjinon.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare (NSS) e SHBA-së, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar, është formulimi më i qartë deri më tani i këtij objektivi. Ajo ofron një kornizë për ndërhyrje politike dhe ideologjike në Evropë, duke u mbështetur në mendimin e Vance-it dhe të mbështetësve të tij libertarianë radikalë.
Kapja e paligjshme e presidentit të Venezuelës tregon se deri ku është e gatshme të shkojë SHBA për të siguruar “interesat” e saj dhe për të zbatuar NSS-në në ndjekje të këtij rendi të ri.
Në rastin e Evropës, strategjia në praktikë do të thotë që financimet e Departamentit të Shtetit për ambasadat amerikane dhe aktivitete të tjera mund të orientohen posaçërisht drejt promovimit të partive të ekstremit të djathtë. Kjo mund të nisë me ato në katër vende – Austri, Hungari, Itali dhe Poloni – që një version jozyrtar dhe i rrjedhur i dokumentit strategjik i identifikoi si kandidatë të mirë për t’u “shkëputur” nga BE-ja.
Financime private, përfshirë nga think tank-e të djathta me fonde të mëdha, mund të kanalizohen gjithashtu drejt të ashtuquajturave OJQ të organizuara nga qeveria – shumë prej të cilave janë krijuar nga regjimi i Viktor Orbán në Hungari për të avancuar objektiva nativiste. Think tank-u amerikan Heritage Foundation, arkitekti i Project 2025, një agjendë e ekstremit të djathtë për presidencën Trump, raportohet se po kërkon aktivisht lidhje me think tank-e evropiane.
Në të njëjtën kohë, miliarderët e teknologjisë amerikane kanë financuar prej kohësh nisma për të avancuar ide nativiste në Evropë dhe për të dobësuar e përçarë BE-në. Së fundmi, Elon Musk ka përdorur platformën e tij sociale, X, për të mbështetur hapur partinë Alternative für Deutschland (AfD) në Gjermani.
Rezultati është një përzierje toksike, ku dëshira e kompanive teknologjike amerikane për ta shtyrë BE-në drejt çrregullimit të rrjeteve sociale bashkohet me kthesën nativiste të Shtëpisë së Bardhë. Algoritmet e platformave si X dhe Instagram (në pronësi të Meta-s) lulëzojnë mbi pikëpamje ekstreme, përfshirë ato që shpesh artikulohen nga e djathta ekstreme. Sulmet ndaj BE-së synojnë të dobësojnë vendosmërinë e saj për të rregulluar bizneset e gjigantëve amerikanë të teknologjisë. Sanksionimi i fundit nga SHBA i liderëve të shoqërisë civile evropiane ilustron qartë konvergjencën mes interesave të Silicon Valley-t dhe atyre të Shtëpisë së Bardhë. Synimi është të krijohet një efekt frikësues ndaj organizatave pro-demokraci që punojnë për të kundërshtuar dezinformimin online.
Ndërsa SHBA po përpiqet ta ndryshojë njëanshëm rendin botëror, normat dhe ligjet që përfaqësojnë demokracitë evropiane – demokracia, të drejtat e njeriut, shteti i së drejtës – tashmë të tendosura pas vitesh ndikimi të ekstremit të djathtë, po vihen nën presion edhe më të madh.
Demokracitë evropiane po përballen me një sulm me darë: nga jashtë, goditen nga administrata amerikane dhe kompanitë e Silicon Valley-t; nga brenda, nga e djathta ekstreme evropiane – mbi të gjitha, nën hijen e një varësie paralizuese nga SHBA për sigurinë.
Shtëpia e Bardhë as që ka nevojë ta përdorë këtë levë, pasi udhëheqësit evropianë tashmë vetëcensurohen, nga frika se mos komprometojnë sigurinë e tyre ose të Ukrainës. Për aq kohë sa Evropa kufizohet nga kapacitetet ushtarake që mund të përdorë në mënyrë të pavarur nga SHBA, varësia e sigurisë do të errësojë çdo kurs veprimi ose reagimi ndaj politikave amerikane që udhëheqësit evropianë mund të marrin në konsideratë. Operacioni në Venezuelë rrit seriozitetin e kërcënimeve të administratës Trump për aneksimin e Groenlandës, duke demonstruar rreziqe shumë reale për sovranitetin dhe sigurinë përtej ideologjisë.
Orientimi i rolit të Evropës në një rend që promovon ide kundër raison d’être-it të saj do të jetë kompleks. Izolimi i kontinentit nga ideologjia nativiste është i pamundur, dhe ndërtimi i autonomisë strategjike do të kërkojë kohë që Evropa nuk e ka. Ndërsa administrata amerikane bashkon kërcënimet ndaj sovranitetit me promovimin e forcave të ekstremit të djathtë që përbëjnë kërcënim për demokracinë, dhe shtyn drejt çrregullimit të teknologjisë, Evropës i mbeten pak mjete në arsenalin e saj për t’u përballur me këtë sfidë shumëdimensionale.
Ajo që i nevojitet janë aleatë të vërtetë që mund të ndihmojnë në kundërvënien ndaj rendit alternativ që SHBA po hedh në tryezë. Ata gjenden në Australi, Kanada, Japoni, Kore të Jugut dhe demokraci të tjera liberale që kanë mbetur. Baza industriale e mbrojtjes e Koresë së Jugut mbështet përpjekjet evropiane për riarmatimin. Australia zotëron depozita të mineraleve kritike, thelbësore për zinxhirët e furnizimit të mbrojtjes.
Evropa nuk mund t’i bëjë ballë SHBA-së e vetme; e vetmja rrugë është të thellojë dhe forcojë urgjentisht partneritetet me vendet që ndajnë vlerat dhe interesat e saj në një rend të bazuar në rregulla, për të ndërtuar një mburojë politike dhe ushtarake të qëndrueshme kundër rendit të ri amerikan.
*Armida van Rij është studiuese e lartë kërkimore në Centre for European Reform.
Në vitin 1941, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, qielli britanik pa ngritjen e një avioni që do të shndërrohej shpejt në simbol të fuqisë ajrore aleate: Avro Lancaster. Fluturimi i tij i parë shënoi hyrjen në skenë të një bombarduesi të rëndë, të projektuar për misione shkatërruese në zemër të territorit armik.
Avro Lancaster ishte një avion bombardues katërmotorësh, i ndërtuar për Forcat Ajrore Mbretërore britanike (RAF). Me kapacitet të madh mbajtës bombash, rreze të gjatë veprimi dhe qëndrueshmëri në fluturim, ai u bë shtylla kryesore e flotës bombarduese britanike. Ndryshe nga modelet pararendëse, Lancaster-i ishte në gjendje të transportonte ngarkesa shumë më të rënda, përfshirë bombat gjigante që do të ndryshonin strategjinë e luftës ajrore.
Avioni u përdor gjerësisht në teatrin evropian të Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht gjatë fushatave të bombardimit strategjik kundër Gjermanisë naziste. Ai luajti një rol vendimtar në operacionet e Bombardimit Aleat, duke goditur qendra industriale, baza ushtarake dhe infrastrukturë jetike, sidomos në fazën përfundimtare të luftës në vitin 1945.
Megjithëse shpesh lidhet gabimisht me Betejën e Britanisë, e cila kishte ndodhur më herët (1940), Avro Lancaster u bë simbol i kundërofensivës ajrore britanike dhe i kalimit nga mbrojtja në sulm. Për shumë historianë, ai nuk ishte thjesht një avion, por një mjet që mishëronte vendosmërinë industriale dhe ushtarake të Britanisë në përballjen me Gjermaninë naziste.
Trashëgimia e Avro Lancaster mbetet e gjallë edhe sot: një ikonë e aviacionit ushtarak dhe një dëshmi se si teknologjia dhe strategjia ajrore ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e historisë botërore.
Synimet e Trumpit ndaj Grenlandës risjellin në kujtesë ëndrrat e pushtimit – të realizuara më pas me para ose me armë – të disa prej paraardhësve të tij. Rast pas rasti: nga Luiziana te Alaska.
Donald Trump, në krye të Shteteve të Bashkuara që nga 20 janari 2025 (pasi kishte qenë tashmë në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri më 2021), ka ndezur sërish zjarrin e polemikave ndërkombëtare me ambiciet e tij “imperiale”. Pasi shprehu dëshirën që Kanadaja të bëhej vullnetarisht ylli i 51-të në flamurin amerikan, Trump tani po synon aneksimin e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, duke lënë të kuptohet edhe përdorimi i mjeteve të forta.
Në këto deklarata ekspansioniste, ai frymëzohet nga presidentë të tjerë imperialistë, të cilët kanë hyrë në histori për përvetësime të mëdha territoriale, të realizuara – me marrëveshje ose, më shpesh, me forcë – mes viteve 1803 dhe 1898.
Luiziana: Jeffersoni “ia hedh” Napoleonit
Është ironike të mendosh për përpjekjet e përgjakshme të Napoleon Bonapartit për të ndërtuar një perandori të madhe evropiane, kur ndalemi te ajo që ndodhi në vitin 1803. Pa para, pas dhjetë vitesh luftërash dhe me rifillimin e konfliktit kundër Anglisë në horizont, Bonaparti nuk hezitoi t’u shiste Shteteve të Bashkuara të sapolindura një territor prej mbi 2,1 milionë km², përgjatë pellgut të madh të lumit Misisipi, nga gryka e tij deri në kufirin kanadez.
Një perandori me potencial të jashtëzakonshëm – që mund të zhvillohej dhe mbrohej me shumë më pak burime sesa ato të shpenzuara në Evropë – u (ri)shit për të financuar një perandori shumë më jetëshkurtër, e cila do të shembej 12 vjet më vonë në Vaterlo.
Se Blerja e Luizianës, e shpallur më 4 korrik 1803, ishte një marrëveshje e mirë për Francën, kjo është shumë e diskutueshme. Është e vërtetë që 15 milionë dollarët (rreth 80 milionë franga) i shërbyen përpjekjes ushtarake franceze. “Paraja bën luftën”, thotë një shprehje franceze; dhe pa ato dollarë “të gjelbër”, perandori nuk do të kishte vënë në lëvizje Armatën e Madhe, as do të kishte arritur fitoret spektakolare të Ulmës dhe Austerlicës në vitin 1805. Por… me çfarë çmimi?
Përgjatë Misisipit
Edhe pse në vitin 1803 territori i shitur ishte i banuar nga vetëm disa mijëra francezë, mjafton të shihen emrat e shteteve që u krijuan më pas për të kuptuar se kush fitoi realisht: republika e re amerikane dhe presidenti i saj i tretë, Thomas Jefferson.
Të lidhura nga “babai i lumenjve” dhe degët e tij, lindën realitete si Luiziana me qytetin shkëlqyes të Nju Orlinsit; Arkansas me blegtorinë e tij; Oklahoma me rezervat e ardhshme të naftës dhe gazit. Pastaj një varg rajonesh bujqësore dhe minerare: Missouri, Kansas, Iowa, Nebraska, dy Dakotat, Wyoming, Minesota e mbuluar nga dëbora, e kolonizuar nga emigrantë suedezë, Kolorado dhe Montana.
Ky ishte zemra e burimeve ushqimore dhe natyrore të Amerikës, e zgjeruar më tej me ekspedita drejt Perëndimit, përmes luftërave kundër popullsive autoktone dhe duke ia rrëmbyer Floridën Spanjës.
Meksika dhe Kalifornia: Polk dhe “fati i paracaktuar”
Rënia e perandorive koloniale iberike hapi perspektiva të reja në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Me shpalljen e Doktrinës Monroe në vitin 1823, SHBA-të nisën të shtyhen fuqishëm në Amerikën Latine. Në shënjestër përfundoi sidomos Meksika, trashëgimtare e mëkëmbësisë së gjerë të Spanjës së Re, por e dobët dhe e përçarë.
Fillimisht interesat amerikane kufizoheshin në tregti me portet kaliforniane dhe në vendosjen e rreth 300 familjeve kolonësh në Teksas, me pëlqimin e qeverisë meksikane. Por në 1836, Teksasi u shkëput pas një konflikti të shkurtër, i njohur për rrethimin e Fort Alamos.
Në ato vite, gazetari John O’Sullivan formuloi doktrinën e “Destinit Manifest”, sipas së cilës zgjerimi i SHBA-ve ishte një mision i caktuar nga Providenca.
Vjen Kalifornia
Në vitin 1844, president u zgjodh James Polk, përfaqësues i elitës jugore skllavopronare. Ai bëri të vetat objektivat e Destinit Manifest: Oregonin, Teksasin dhe territoret veriperëndimore të Meksikës. Me Britaninë veproi diplomatikisht, por me Meksikën jo.
Më 25 prill 1846, një përleshje kufitare u shfrytëzua si pretekst për luftë. Polk deklaroi se “gjak amerikan ishte derdhur në tokë amerikane”, duke e çuar vendin në një konflikt të përgjakshëm që përfundoi me pushtimin e Qytetit të Meksikos në 1847 dhe me Traktatin e Guadalupe Hidalgo më 1848.
Shtetet e Bashkuara morën Kaliforninë, Nevadën, Utahun, pjesë të Kolorados, Nju Meksikon dhe Arizonën – një perandori e vërtetë kontinentale.
Karaibet dhe Filipinet: McKinley dhe perandoria përtej detit
Nga mesi i shekullit XIX, ambiciet amerikane u shtrinë edhe në dete. Me Guano Island Act (1856), SHBA-të pretenduan dhjetëra ishuj. Në 1867, blenë Alaskën nga Rusia për 7,2 milionë dollarë.
Por në 1898, armët folën sërish. Preteksti ishte fundosja e anijes USS Maine në portin e Havanës, ku humbën jetën 261 marinarë. Edhe pse shkaqet ishin të paqarta, u fajësua Spanja dhe shpërtheu lufta.
Rezultati: Kuba formalisht e pavarur, por nën ndikim amerikan; Porto Riko i aneksuar; Panamaja e shkëputur nga Kolumbia për ndërtimin e kanalit; dhe zgjerimi drejt Paqësorit.
Filipinet dhe Hawaii
Në Paqësor, SHBA-të mbështetën grushtin e shtetit në Hawaii (1893) dhe, pas luftës hispano-amerikane, pushtuan Filipinet. Lufta guerile vazhdoi deri më 1913, me mizori që parathoshin Vietnamin e viteve ’60.
Viti 1898 shënon për Shtetet e Bashkuara lindjen e perandorisë, pas një shekulli zgjerimesh territoriale të jashtëzakonshme.
Burimi: focus.it/ Nga Giuliano Da Frè/ Përgatiti për botim: L.Veizi
Ata janë tashmë thellë në zonën vdekjeprurëse. Tre persona që mbahen në burg për akuza të lidhura me grupin protestues Palestine Action janë në grevë urie prej 45, 59 dhe 66 ditësh. Një e burgosur e katërt, Teuta Hoxha, e ndërpreu grevën këtë javë pas 58 ditësh. Ajo mund të vuajë pasoja shëndetësore të përjetshme. Grevistët që vazhdojnë – Heba Muraisi, Kamran Ahmed dhe Lewie Chiaramello – mund të vdesin në çdo moment. Dhjetë grevistët e urisë të IRA-s dhe INLA-s që vdiqën në vitin 1981 mbijetuan nga 46 deri në 73 ditë. Muraisi, greva e së cilës ka zgjatur më shumë, sipas mbështetësve, tani ka vështirësi në frymëmarrje dhe po vuan spazma të pakontrollueshme muskulore – shenja të mundshme të dëmtimit neurologjik. Megjithatë, qeveria refuzon të angazhohet.
Kjo situatë është krijuar prej saj. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) thotë se koha maksimale që një i burgosur mund të qëndrojë në paraburgim është 182 ditë (gjashtë muaj). Por Muraisi dhe Ahmed u arrestuan në nëntor 2024 dhe nuk pritet të gjykohen para qershorit në rastin më të hershëm – çka do të thotë 20 muaj paraburgim. Chiaramello, i arrestuar në korrik 2025, ka një datë paraprake gjyqi në janar 2027 – 18 muaj burg pa gjyq.
Limboja e paraburgimit është shpesh shkatërruese për mirëqenien e të burgosurve. Të dhënat qeveritare tregojnë, për shembull, se shkalla e vetëvrasjeve te të paraburgosurit është më shumë se dyfish i asaj te të dënuarit. Periudha ekstreme paraburgimi si këto janë një fyerje ndaj drejtësisë.
Kjo është një pjesë e asaj që aktivistët e quajnë “procesi si ndëshkim”, një qasje që sot dominon trajtimin e grupeve protestuese. Edhe nëse nuk dënohesh kurrë për ndonjë krim, jeta jote shndërrohet në ferr nëse guxon të kundërshtosh hapur dhe publikisht.
Tre të burgosurit – dhe të tjerë të akuzuar për të njëjtat vepra – po mbahen nën “kushte terroriste”. Kjo do të thotë komunikime dhe vizita minimale. Ata janë ndaluar edhe nga punët në burg për “arsye sigurie”, u janë mohuar librat, gazetat, biblioteka dhe palestra, dhe janë vënë nën urdhra mos-shoqërimi. Në tetor, Muraisi u transferua papritur nga burgu HMP Bronzefield, 18 milje larg Londrës ku jeton familja e saj, në burgun New Hall në Yorkshire – shumë larg për t’u vizituar nga nëna e saj e sëmurë. Pas transferimit, iu tha se arsyeja ishte rreziku i shoqërimit me një tjetër të burgosur në të njëjtin repart në Bronzefield.
Megjithatë, asnjë nga grevistët e urisë nuk është akuzuar – e lëre më dënuar – për vepra terroriste. Ata janë akuzuar për vepra të zakonshme penale, si vjedhje me thyerje, dëmtim prone dhe prishje të rendit me dhunë. Muraisi dhe Ahmed akuzohen se kanë hyrë në një fabrikë të drejtuar nga Elbit Systems, prodhuesi më i madh izraelit i armëve, dhe kanë dëmtuar pajisje; ndërsa Chiaramello akuzohet se ka hyrë në bazën RAF Brize Norton gjatë një proteste ku aktivistët e Palestine Action spërkatën avionë ushtarakë me bojë. Këto ngjarje ndodhën përpara se Palestine Action të shpallej organizatë terroriste – një vendim tepër i diskutueshëm që po sfidohet në gjykatë dhe për të cilin pritet vendim së shpejti. Por harrojeni prezumimin e pafajësisë, harrojeni ndalimin e zbatimit prapaveprues të ligjit: sepse CPS thotë se ka një “lidhje me terrorizmin”, ata trajtohen sikur të ishin terroristë të dënuar.
Më 26 dhjetor, një grup raportuesish të Kombeve të Bashkuara – njerëz që dikur dëgjoheshin nga qeveritë – shprehën shqetësim të thellë për trajtimin e këtyre të burgosurve. Ata përmendën “vonesa të raportuara në aksesin në kujdes mjekësor, përdorim të tepruar të kufizimeve gjatë trajtimit spitalor, mohim të kontaktit me familjarët dhe avokatët, si dhe mungesë mbikëqyrjeje të pavarur mjekësore, veçanërisht për të paraburgosurit me gjendje serioze shëndetësore të mëparshme”. Ata ngritën “pyetje serioze” për përputhjen e qeverisë me të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, “përfshirë detyrimin për të mbrojtur jetën dhe për të parandaluar trajtimin mizor, çnjerëzor ose poshtërues”. Por sapo dikë e etiketon si terrorist, duket se mund t’i bësh pothuajse gjithçka dhe të shpëtosh pa pasoja. Heshtja e pothuajse të gjitha mediave për këtë çështje është tronditëse.
Qeveria mban përgjegjësi morale për këta të burgosur. Megjithatë, duket se nuk ka asnjë synim ta ushtrojë atë. Avokatë, deputetë dhe mjekë u janë lutur vazhdimisht ministrave të angazhohen. Ata refuzojnë prerazi, duke pretenduar se një angazhim i tillë do të “krijonte stimuj të gabuar që do të inkurajonin më shumë njerëz të rrezikonin veten përmes grevave të urisë”. Nuk ka asnjë provë për këtë dhe, duke pasur parasysh natyrën jashtëzakonisht të rrallë të këtij veprimi (greva më e madhe e koordinuar dhe e qëndrueshme e të burgosurve që nga ajo e IRA-s në 1981), kjo duket shumë pak e besueshme.
Qeveria ka kërkuar të krijojë përshtypjen se raste të tilla janë të zakonshme – “gjatë pesë viteve të fundit kemi pasur mesatarisht mbi 200 incidente grevash urie çdo vit” – prandaj nuk kërkohet ndonjë reagim i veçantë. Por ajo që duket se i referohet janë refuzime të shkurtra ushqimi nga individë të veçantë, një situatë krejt tjetër nga rreziku i menjëhershëm i vdekjes nga uria.
Më shumë se 800 profesionistë mjekësorë kanë nënshkruar tashmë një letër drejtuar sekretarit të drejtësisë, David Lammy, duke paralajmëruar se të burgosurit përballen me një “emergjencë mjekësore” që “po menaxhohet gabimisht”. Letra u shkrua më 27 nëntor. Qeveria ende nuk ka reaguar.
Në vend të kësaj, duket se tall situatën e grevistëve të urisë. Kur deputeti Jeremy Corbyn e pyeti ministrin e drejtësisë Jake Richards në parlament nëse do të takonte përfaqësuesit e tyre ligjorë për të zgjidhur situatën, Richards u përgjigj shkurt “Jo”, duke shkaktuar të qeshura në sallë. Në dhjetor, kryetari i Dhomës së Komuneve vërejti se mosreagimi i Lammy-t ndaj deputetëve që kërkonin një takim për këtë çështje ishte “krejtësisht i papranueshëm”. Por mosreagimi vazhdon.
Kërkesat e grevistëve të urisë më duken të arsyeshme: lirimi me kusht; e drejta për një gjykim të drejtë (ata pretendojnë se qeveria ka mbajtur dokumente kyçe); heqja e ndalimit ndaj Palestine Action; dhe mbyllja e Elbit Systems në Mbretërinë e Bashkuar, kompani që ka furnizuar me armë një shtet të përfshirë në gjenocid. Të gjitha këto, sipas mendimit tim, duhej të ndodhnin gjithsesi. Dhe, sigurisht, ato janë pozicione negociuese. Nëse të gjitha duhet të plotësohen që greva të përfundojë, nuk mund të dihet derisa qeveria të angazhohet. Refuzimi i saj për të folur mund t’i dënojë grevistët me vdekje.
Nuk duhet të jetë e nevojshme të rrezikosh jetën për të kërkuar trajtim të drejtë dhe vendime të drejta. Por kur të gjithë ata që janë në pushtet kanë pushuar së dëgjuari, mbeten shumë pak alternativa.
George Monbiot është kolumnist i gazetës The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
Më 8 janar 1996, kryeqyteti i Zairesë – sot Republika Demokratike e Kongos, – Kinshasa, u përfshi nga një prej katastrofave ajrore më të rënda në historinë urbane të Afrikës. Një avion rus mallrash i tipit Antonov An-32, i operuar nga forca ajrore e Zairesë, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i qytetit, duke u përplasur mbi një treg të tejmbushur me njerëz, ku tregtarë dhe qytetarë kishin dalë për blerjet e përditshme. Bilanci ishte shkatërrues: 223 persona humbën jetën në tokë, ndërsa dy nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit gjetën gjithashtu vdekjen.
Një ngritje që u shndërrua në makth
Avioni Antonov An-32, një aeroplan sovjetik i projektuar për transport mallrash dhe operacione në kushte të vështira, ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Ndjili në Kinshasa. Sipas raportimeve zyrtare, avioni ishte i mbingarkuar, duke transportuar mallra dhe pajisje ushtarake, ndërsa ekuipazhi përbëhej nga pilotë rusë dhe ukrainas, një praktikë e zakonshme në Zairen e asaj kohe, e cila mbështetej fort te kontraktorë të huaj për operimin e flotës ajrore.
Vetëm pak çaste pas ngritjes, avioni humbi fuqinë në një nga motorët. Piloti tentoi të rikthente kontrollin dhe të kthehej drejt pistës, por në një lartësi shumë të ulët, aeroplani u bë i pakontrollueshëm. Ai u përplas drejtpërdrejt mbi zonën e tregut Masina, një nga zonat më të populluara dhe më të varfra të Kinshasës.
Ferr në mes të qytetit
Përplasja shkaktoi një shpërthim të menjëhershëm. Trupat e avionit, mbushur me karburant, u copëtuan mes tezgave të tregut, duke përfshirë gjithçka në flakë. Zjarri u përhap me shpejtësi mes ndërtesave të improvizuara dhe stendave prej druri e llamarine. Njerëzit që ndodheshin aty nuk patën asnjë mundësi shpëtimi.
Skenat që pasuan u përshkruan nga dëshmitarët si apokaliptike: trupa të pajetë në rrugë, mallra të djegura, britma dhe kaos i plotë. Shumë nga viktimat ishin gra dhe fëmijë, tregtarë të vegjël dhe klientë të rastësishëm, që nuk kishin asnjë lidhje me fluturimin fatkeq.
Shërbimet e emergjencës mbërritën me vonesë dhe me mjete minimale. Zjarri u shua pas orësh të tëra, ndërsa autoritetet u përballën me vështirësi të mëdha për identifikimin e viktimave, pasi shumë trupa ishin djegur plotësisht.
Bilanci dhe heshtja zyrtare
Sipas shifrave zyrtare, 223 persona humbën jetën në tokë, ndërsa dy anëtarë të ekuipazhit vdiqën nga plagët e marra. Katër pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit arritën të mbijetojnë, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Megjithatë, organizata humanitare dhe burime të pavarura pohuan se numri real i viktimave mund të ketë qenë edhe më i lartë, duke qenë se shumë nga të vdekurit nuk ishin të regjistruar zyrtarisht dhe tregu ishte tej mase i mbipopulluar në momentin e aksidentit.
Qeveria e presidentit Mobutu Sese Seko reagoi me një deklaratë të shkurtër dhe shpalli një ditë zie, por nuk u zhvillua asnjë hetim i plotë dhe transparent. Ngjarja u harrua shpejt, e mbuluar nga censura, kaosi politik dhe shpërbërja graduale e regjimit të Mobutut, që vetëm një vit më vonë do të rrëzohej.
Një simbol i kolapsit shtetëror
Tragjedia e 8 janarit 1996 nuk ishte thjesht një aksident ajror. Ajo u bë simbol i kolapsit të shtetit zaireas: infrastrukturë e degraduar, standarde minimale sigurie, korrupsion sistemik dhe një indiferencë e thellë ndaj jetës së qytetarëve të zakonshëm.
Avionët e vjetër sovjetikë, të operuar nga ekuipazhe të huaja, fluturonin mbi qytete të tejpopulluara pa masa sigurie, ndërsa pasojat e gabimeve paguheshin gjithmonë nga më të varfrit.
Sot, më shumë se tri dekada më vonë, rrëzimi i Antonov An-32 mbi tregun e Kinshasës mbetet një nga tragjeditë ajrore më vdekjeprurëse për civilët në tokë, një kujtesë e dhimbshme se si dështimi i institucioneve dhe neglizhenca shtetërore mund të shndërrojnë një aksident teknik në një masakër njerëzore.
Në një nga sheshet e Zaragozës — qytet që shtrihet me krenari në verilindje të Spanjës — mbi të cilin kalimtari shkel pa shumë ceremoni, ngrihet një skulpturë me një titull brutal në sinqeritetin e vet: “La Mujer Que Nunca Hizo Nada”. Në shqip: “Gruaja që nuk bëri kurrë asgjë”…
…E realizuar në vitin 2001 nga skulptori José Luis Fernández, kjo vepër i ngjan një pasqyre që shoqëria, shpesh pa dashur, e vendos përballë vetes. Në atë pasqyrë reflektohet një ironi e hidhur: ajo që “nuk bën asgjë” është, në fakt, figura që mban mbi supe peshën e të gjithëve.
Arkitektura e një sllavërie të heshtur
Figura e gruas, me shpinën e përkulur nën peshën e një lavatriçeje, fshesës, kovave dhe gjithë arsenalit të punëve të shtëpisë, mban në duar edhe fëmijët e saj — simboli i pafajshëm i detyrimit më të rëndë dhe më të bukur njëkohësisht. Kjo skulpturë nuk ka nevojë për fjalë; ajo flet me një gjuhë që çdo njeri e kupton, por që pak kush ka guximin ta pranojë: puna e amvisës është një punë e padukshme, e papaguar, e pamatshme dhe jetike.
Prej dekadash, gratë që zgjedhin — ose detyrohen nga rrethanat — të qëndrojnë në shtëpi, janë përballur me etiketime të padrejta: “nuk bëjnë asgjë”, “janë vetëm në shtëpi”, “s’kanë karrierë”. Në fakt, ato mbajnë në këmbë një ekonomi të tërë të heshtur. Rritja e fëmijëve, kujdesi për të moshuarit, menaxhimi i kaosit të përditshëm — kjo është një infrastrukturë njerëzore që, po të paguhej sipas tarifave të tregut, do t’i falimentonte buxhetet tona familjare dhe shtetërore.
Psikologjia e “vdekjes sociale”
Titulli i kësaj vepre nuk është thjesht një përshkrim; është një ironi therëse ndaj shoqërisë sonë “produktiviste”. Nga pikëpamja social-psikologjike, kjo skulpturë përfaqëson miliona gra që sistemi ekonomik i ka klasifikuar si “pasive” vetëm sepse kontributi i tyre nuk u përkthye kurrë në kapital, tituj apo pushtet publik.
Në aspektin psikologjik, këtu flitet për “vdekjen sociale”. Të thuash që një person “nuk bëri asgjë”, ndërkohë që ai ka konsumuar jetën dhe mishin e vet duke u shërbyer të tjerëve, është një formë e egër e dhunës simbolike. Skulptura pasqyron lodhjen ekzistenciale të një brezi që e ka humbur “Unin” e tij brenda detyrave të “Tyre”. Pamja e saj e qetë, por e rënduar, tregon koston e tmerrshme psikologjike të mohimit të meritës.
“Gruaja që nuk bëri kurrë asgjë” është, në të vërtetë, personi që bëri gjithçka që ne të tjerët të kishim lirinë për të bërë diçka.
Një qortim që na përket të gjithëve
Skulptura e Zaragozës është më shumë se një vepër arti; është një qortim publik. Ajo na kujton se brenda mureve të shtëpive tona zhvillohet një punë kolosale që shpesh e marrim për të mirëqenë. Është një thirrje për t’i rikthyer dinjitetin rolit të amvisës dhe nënës, duke e parë atë për çfarë është në të vërtetë: themeli i shoqërisë.
Ndoshta prandaj kjo vepër ka bërë jehonë shumë përtej kufijve të Spanjës. Sepse secili prej nesh njeh një “grua që nuk bëri asgjë” — një nënë, një gjyshe, një motër apo bashkëshorten — që në heshtje mban mbi shpinë botën tonë të vogël.
Në këtë skulpturë, më shumë se në çdo deklaratë politike apo statistikë sociologjike, shfaqet e vërteta e tyre e madhe. Një e vërtetë që kemi tentuar ta anashkalojmë: Ato kanë bërë gjithçka. Dhe koha ka ardhur që këtë “gjithçka” ta pranojmë, ta nderojmë dhe ta paguajmë — të paktën me mirënjohje dhe dinjitet.
Më 8 janar 1918, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, mbajti një fjalim historik përpara Kongresit, në të cilin shpalli programin e tij të famshëm me “14 pika”, një platformë politike dhe morale për përfundimin e luftës dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Evropë dhe më gjerë.
Në këtë fjalim, Wilson shpalosi jo vetëm objektivat amerikane në luftë, por edhe një vizion idealist për rendin e ri ndërkombëtar pas përfundimit të saj. Pesë pikat e para kishin karakter të përgjithshëm dhe synonin të korrigjonin shkaqet strukturore që, sipas tij, kishin çuar Evropën drejt katastrofës së vitit 1914. Ato parashikonin:
– Marrëveshje paqeje të hapura dhe transparente, pa pakte sekrete ndërkombëtare, ku diplomacia do të zhvillohej publikisht dhe në shërbim të interesit të përgjithshëm;
– Liri absolute të lundrimit në dete, si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë lufte, jashtë ujërave territoriale, përveç rasteve kur detet mbylleshin për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare;
– Heqjen, sa më shumë të ishte e mundur, të barrierave ekonomike, dhe vendosjen e barazisë së kushteve tregtare midis kombeve që pranonin paqen;
– Reduktimin e armatimeve kombëtare, në nivelin më të ulët të nevojshëm për sigurinë e brendshme të shteteve;
– Zgjidhjen e drejtë dhe të paanshme të çështjeve koloniale, duke respektuar parimin që interesat e popullatave vendase të kishin peshë të barabartë me pretendimet e fuqive koloniale.
Pikat e tjera të programit trajtonin riorganizimin territorial të Evropës mbi bazën e vetëvendosjes së kombeve, duke përfshirë Ballkanin, Europën Qendrore dhe Lindore. Ndërsa pika e fundit, e katërmbëdhjeta, ishte ndoshta më vizionare nga të gjitha: ajo kërkonte krijimin e një organizate ndërkombëtare të përhershme, që do të garantonte pavarësinë politike dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve, dhe do të zgjidhte konfliktet përmes mjeteve paqësore. Kjo ide do të konkretizohej më vonë me krijimin e Lidhjes së Kombeve.
Fjalimi i Wilson-it u përkthye dhe u shpërnda gjerësisht, përfshirë edhe në radhët e ushtarëve dhe qytetarëve të Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Ai ndikoi ndjeshëm në klimën politike dhe psikologjike të kohës, duke kontribuar në pranimin e armëpushimit nga Fuqitë Qendrore në nëntor të vitit 1918.
Pas përfundimit të luftës, Wilson udhëtoi në Francë, ku drejtoi delegacionin amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë. Ai u përpoq të vepronte si një autoritet moral mes aleatëve fitues, duke mbrojtur parimin e një paqeje të drejtë dhe jo hakmarrëse. Megjithatë, shumë nga idetë e tij u kundërshtuan nga Franca dhe Britania e Madhe, të cilat kërkonin dëmshpërblime të rënda dhe masa ndëshkuese ndaj Gjermanisë.
Traktati përfundimtar i Versajës, me kushtet e tij të ashpra ekonomike dhe politike ndaj ish-Fuqive Qendrore, do të mbillte farat e pakënaqësisë dhe destabilitetit që, dy dekada më vonë, çuan në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, disa prej ideve thelbësore të Wilson-it – veçanërisht vetëvendosja kombëtare dhe krijimi i një organizmi ndërkombëtar për ruajtjen e paqes – mbetën si trashëgimi e tij politike.
Për përpjekjet në ndërtimin e një rendi ndërkombëtar më paqësor, Woodrow Wilson u nderua në vitin 1920 me Çmimin Nobel për Paqen, duke u shndërruar në një nga figurat më emblematike të diplomacisë idealiste të shekullit XX.
Ai ka shkruar suksese kinematografike si Dune dhe Killers of the Flower Moon. Ndërsa Eric Roth zhytet në teatër, ai flet për westernët klasikë, për faktin se u shkarkua nga Robert Redford – dhe pse të shkruarit për Martin Scorsese është një ëndërr.
Ryan Gilbey
Eric Roth qesh lehtë nën mjekrën e tij të argjendtë dhe të ashpër kur e quaj “fëmija i ri i lagjes”, por kjo nuk e bën më pak të vërtetë. Drama e tij e parë, një përshtatje e western-it të vitit 1952 High Noon, është gati të ketë premierën botërore, dhe fakti që ai mbushi 80 vjeç vitin e kaluar nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë. “Ndoshta jam fëmija i ri i vjetër i lagjes,” pranon ai nga shtëpia e tij në Los Anxhelos. Kapela e tij e bejsbollit ka një figurë makine shkrimi, sikur të kishte ndonjë dyshim se mendja e tij është e përqendruar te shkrimi.
Natyrisht, Roth është më me përvojë se një debutues tipik. Pas tij nuk qëndron thjesht një terren i gjerë karriere, por një varg malor imponues – i tëri në kinema. Ai fitoi një Oscar në vitin 1995 për skenarin e Forrest Gump: është ai që mund ta falënderoni (ose ta fajësoni) për rreshta të tillë si: “Jeta është si një kuti me çokollata. Kurrë nuk e di çfarë do të marrësh.”
CV-ja e tij ka diçka nga ajo kuti çokollatash, duke përzier karamele të forta – drama e Michael Mann The Insider, trilleri i Steven Spielberg për Mossadin Munich – me bonbone si The Curious Case of Benjamin Button i David Fincher-it, ku Brad Pitt lind i moshuar dhe plaket mbrapsht, si edhe versionet e fundit të A Star Is Born dhe Dune. Të gjitha i sollën nominime për Oscar. Film apo teatër, kënaqësia është e njëjtë. “Më pëlqen të vendos një fjalë përpara tjetrës,” thotë ai. “Të shoh nëse mund ta gjej atë të duhurën.”
Kalimi i tij drejt teatrit u nxit nga bindja se western-ët pa muzikë janë një gjë e rrallë në skenë. “Mendova: ‘Cili mjet do të ishte më i mirë se kjo parabolë?’” Regjisorët ranë dakord: në një moment ishte i përfshirë Ivo van Hove; tani frenat i mban Thea Sharrock. Shumica e aktorëve, thotë Roth, kishin frikë të vishnin çizmet e kaubojsit të Gary Cooper-it, yllit të filmit. Cooper luante Will Kane, sherifin që përpiqet me dëshpërim të mbledhë një skuadër ndihmëse në ditën e martesës së tij, pasi mëson se një bandit hakmarrës po kthehet në qytet me trenin e mesditës. Billy Crudup, megjithatë, nuk u tremb. Interpretimi i tij i Will-it, thotë Roth, është “pak më njerëzor. Jo se Gary Cooper nuk ishte njerëzor, por ai mbante një maskë. Tani mësojmë më shumë për Will-in dhe frikërat e tij.” Denise Gough luan gruan e tij, një kuakere pacifiste që e nxit të largohet me të, në vend që të qëndrojë dhe të përballet.
Filmi shërbeu si një alegori për jetën gjatë gjuetive antikomuniste të shtrigave në SHBA në fillim të viteve 1950. Skenaristi i tij, Carl Foreman, u fut në listën e zezë për shkak se refuzoi të përmendte emra. “Është për frikacakërinë dhe guximin,” thotë Roth. “Ka shumë frikacakëri në Amerikë sot, me njerëz që votojnë kundër interesave të tyre. Racizmi i fshehtë po ushqehet nga veprimet e udhëheqësve tanë. High Noon vlen për këtë, por edhe për epoka të tjera, si njerëzit që patën guximin të fshehin hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.”
Roth ka shprehur shpesh një preferencë për të përshtatur materiale burimore të papërsosura ose mediokre. Ai e quajti romanin origjinal të Forrest Gump “farsë”, e cilësoi Benjamin Button si një nga veprat më të dobëta të F. Scott Fitzgerald-it dhe u mërzit nga Dune kur e lexoi në adoleshencë. Ai e kupton se ku po shkoj me këtë. “Është një pyetje e padrejtë,” ankohet me humor, duke pranuar se High Noon është një përjashtim. Përshtatja e tij ishte “1000% një sfidë. Është kulmi i asaj që mund të jetë një western.”
Ai u përball gjithashtu me kërkesat e teatrit. “Filmat shkruhen në plan të afërt. Në versionin tim të parë të High Noon, shkrova udhëzimin skenik: ‘Ai fërkon këmbët.’ Regjisori më pyeti: ‘Dhe si e shohim këtë nga ballkoni?’” Një përzgjedhje këngësh nga Bruce Springsteen do ta dallojë më tej shfaqjen nga filmi. “Janë anakronike, gjë që krijon një kombinim interesant.”
Fatmirësisht, versioni skenik ruan avantazhin strukturor të filmit: ngjarja zhvillohet në kohë reale, ndërsa banorët e qytetit përgatiten me ankth për përballjen e mesditës. Në këtë kuptim, ajo vazhdon magjepsjen e shkrimtarit me ngjeshjen dhe elasticitetin e kohës. Forrest Gump dhe Benjamin Button përfshijnë dekada; filmi i mbushur me CGI Here, që ribashkoi Roth-in me ekipin e Gump-it (regjisori Robert Zemeckis, aktorët Tom Hanks dhe Robin Wright), përshkoi miliona vjet nga parahistoria deri te pandemia. Pakkujt iu interesua. “Menduam se kishim diçka të veçantë, por kritikët ishin të ashpër dhe askush nuk erdhi ta shihte.”
Një nga idetë e tij ende të pafilmuara sillet rreth një vejë që i jepet mundësia të rijetojë 24 orët e fundit të burrit të saj të ndjerë. “Teksa dita ecën, bëhet gjithnjë e më prekëse, derisa në fund ai i lë çizmet poshtë dhe ngjitet në dhomë – dhe ti e di që ai ka ikur.” Kevin Costner e bleu idenë dhe, çdo vit, Roth shpreson që ai ta realizojë.
A do t’i besonte ai Costner-it, pas katastrofës që aktori-regjisori bëri me The Postman, një nga skenarët e mëparshëm të Roth-it? “Vërtet je një mi, djalë!” thotë ai me një të qeshur të hidhur, pastaj shpjegon: ai e kishte shkruar skenarin, për një postier që endet në një Amerikë distopike, si një mjet për Tom Hanks – por Costner e bleu dhe kërkoi një rishkrim. “Unë i kisha dhënë një ton sarkastik. Ishte si Udhëtimet e Gulliverit. Kevin e bëri shumë serioz.” Filmi fitoi pesë çmime Golden Raspberry, përfshirë – siç e kujton Roth me humor – çmimin për skenarin më të keq.
Të rishkruhesh është pjesë e lojës, por kjo nuk e bën më të lehtë. “Mund të jetë dërrmuese,” pranon Roth. Largimi i tij nga The Horse Whisperer ishte veçanërisht i dhimbshëm dhe ndodhi pasi ai ishte shpërngulur për të jetuar me regjisorin dhe aktorin kryesor, Robert Redford. “Zgjoheshim në nëntë dhe ai thoshte: ‘Mendoj të dal për vrap.’ Kthehej në 10:30 dhe thoshte: ‘Do të ha diçka të vogël.’ Pastaj bëhej mesditë dhe kishte telefonata. Deri në 2:30 nuk fillonim punë.
“Nuk dua të flas keq për të sepse tani nuk jeton më, por do të doja të kishte qenë pak më i guximshëm me filmin. Më pëlqente shumë të punoja me të dhe më dukej një njeri magjepsës. Një nga njerëzit më të vetmuar që kam takuar ndonjëherë. Por e dija se një ditë do të shihte veten në pasqyrë dhe nuk do të donte të më shihte mua aty.” Dhe kështu ndodhi: Roth u zëvendësua. “Atë ditë po mbaja një fjalim kryesor në festivalin e filmit në Austin. I thashë vetes: ‘Çfarë mashtruesi je. Sapo u pushove nga puna!’”
Natyrisht, jeta shkon me ulje-ngritje. Roth ka bërë më shumë se pjesën e tij të rishkrimeve për të tjerët, shpesh pa u kredituar, nga Black Hawk Down i Ridley Scott-it deri te Arrival i Denis Villeneuve-it. Do të ishte gabim të mos e pyesje për regjisorët e mëdhenj me të cilët ka punuar. Fjala është se Michael Mann është më i vështiri në Hollywood.
“Michael zemërohet kur mendon se njerëzit po ia pengojnë krijimtarinë,” thotë ai. “Është i ashpër me ekipet. I them gjithmonë të mos jetë. Ai kërkon përsosmërinë. Askush nuk është më i rreptë se David Fincher, por unë do të punoja me të deri në fund të jetës. Natyrën e tij obsesive ndoshta e bën një regjisor më të mirë. Në Mank, ai xhironte 40 herë një aktor që ecte nëpër dhomë. E pyesja: ‘Pse po bën kaq shumë dubla?’ Ai përgjigjej: ‘Sepse nuk e ka bërë ende siç duhet.’”
Kjo është krejt e kundërta e Martin Scorsese-s, me të cilin Roth shkroi Killers of the Flower Moon, një triller i trishtë për anëtarët e fisit Osage në Oklahoma në vitet 1920, të mashtruar dhe vrarë për naftën e zbuluar në tokën e tyre. “Marty të lë të bësh gjithçka. Nëse i thosha: ‘Pse të mos e bëjmë këtë film mbrapsht?’, ai do të thoshte: ‘Ta provojmë! Vazhdo të shkruash!’”
Aktualisht, Roth është i ngarkuar me punë: një triller me Sydney Sweeney (I Pretended to Be a Missing Girl), një dramë mafioze nga jeta reale për Scorsese-n (Midnight Vendetta), si dhe rolin e producentit ekzekutiv në Heat 2 të Mann-it. “Nuk kam shkruar asgjë për të, por ndoshta do të shkruaj,” thotë ai, me qetësinë e dikujt që është mësuar t’u japë një dorë miqve.
Megjithatë, është High Noon ajo që sot i jep shkëlqimin më të fortë syve të tij. “Më ka bërë të ndihem sërish 22 vjeç,” thotë ai. “Teatri është si një fshat i vogël. Të gjithë luftojnë për mënyrën më krijuese për të treguar historinë. Nuk jam mësuar të trajtohem me kaq shumë respekt. Nuk e kalojnë asnjë ‘t’ pa më pyetur. Ndërsa në kinema thonë: ‘Kujt i intereson çfarë mendon Eric Roth?’”
Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara u përballën me një nga momentet më të tensionuara politike të dekadës: gjyqin ndaj presidentit të 42-të, Bill Klinton. Ai u akuzua zyrtarisht për dy vepra: dhënien e dëshmisë të rreme dhe pengimin e drejtësisë. Akuza lidhej me skandalin Monica Lewinsky, një çështje që kishte tronditur jo vetëm jetën private të presidentit, por edhe politikën amerikane dhe opinionin publik.
Fillimi i procesit në Senat
Senati amerikan nisi procedurat më 7 janar 1999, duke hapur një gjyq historik që do të përcaktonte jo vetëm fatin e një presidenti në detyrë, por edhe precedentët për çdo krim ose keqadministrim nga një udhëheqës amerikan. Procesi ishte i ndarë mes argumenteve ligjore dhe debatit politik, ndërsa televizioni dhe mediat e transmetonin çdo moment, duke e kthyer gjyqin në një ngjarje me spektakël publik.
Vendimi i pafajësisë
Pas javësh dëgjimesh dhe debatesh, Senati shpalli presidentin Klinton të pafajshëm më 12 shkurt 1999. Ai mbeti në detyrë dhe përfundoi mandatin e tij presidencial, por vendimi nuk zgjidhi tensionet politike dhe perceptimin publik. Edhe pse ligjërisht i liruar, imazhi personal i Klintonit pësoi dëme të konsiderueshme, duke cenuar besimin e publikut në moralin dhe integritetin e tij.
Pasojat politike dhe distancimi i Al Gore
Skandali dhe gjyqi krijuan një ndjenjë të papëlqyeshme tek publiku amerikan. Nënpresidenti Al Gore, i cili kishte shërbyer ngushtë me Klintonin gjatë të dy mandateve, u detyrua të distancohej nga presidenti, duke ruajtur profilin e tij politik për fushatën presidenciale të vitit 2000. Kjo ndarje dhe tronditje morale mes elitës politike kontribuoi në favor të kandidatit republikan George W. Bush, duke ndikuar indirekt në rezultatin e zgjedhjeve të ashpra dhe të debatueshme që pasuan.
Një precedent historik
Gjyqi ndaj Bill Klintonit mbetet një moment i veçantë në historinë amerikane, jo thjesht për akuzat e bëra, por për mënyrën se si politikë, ligj dhe media u ndërfutën në jetën private të një presidenti. Ai tregoi se edhe presidentët më të fuqishëm janë të ndjeshëm ndaj presionit publik dhe se reputacioni personal mund të ndikojë drejtpërdrejt në skenën politike kombëtare.
Më shumë se kushdo, bota perëndimore u trondit kur lajmi u përhap rrufeshëm se të paktën 12 persona, staf i një reviste të njohur franceze, u ekzekutuan në një akt terrorist nga dy persona që shkurt u cilësuan si radikalë myslimanë. E pra ishin vëllezër gjaku dhe të lindur në Francë. Por kjo nuk do të thotë asgjë…
…7 janari i vitit 2015 u kthye në një nga ditët më të errëta në historinë moderne të Francës dhe botës mbarë. Në nisje të shekullit XXI, që në Shtator 2001 bota hyri në një epokë të re terrorizmi. Imazhet e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, që shkrumbohej në zjarr e shembej po aty shënuan kujtesën kolektive të njerëzve. 14 vite më pas shënjestra do të ishte Parisi kur në mëngjesin e 7 Janarit, dy persona të armatosur hynë në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris dhe kryen një sulm brutal, duke vrarë 12 persona dhe plagosur disa të tjerë. Ky akt terrorist padyshim u cilësua gjerësisht jo vetëm si një sulm kundër jetëve njerëzore, por edhe kundër vetë themelit të demokracisë – lirisë së fjalës dhe të shprehjes.
Autorët e sulmit, vëllezërit Said dhe Sherif Koashi, u futën me dhunë në redaksi, duke synuar kryesisht karikaturistët e revistës. Pas sulmit, deklaruan se po hakmerreshin për publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed nga revista, të cilat kishin shkaktuar polemika të mëdha ndër vite.
Ç’është e vërteta për vite me radhë, gjithfarë gazetash në Perëndim ishte tallur me fenë e profetët, duke përfshirë Islamin dhe Muhamedin, pasi nuk kishin kursyer as Jezusin.
Publikimi i karikaturave të Profetit Muhamed nga revista Charlie Hebdo ngjalli debate të ashpra mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë që vjen me të. Franca, një vend me traditë të gjatë në mbrojtjen e laicizmit dhe lirisë së shprehjes, i sheh këto si vlera të paprekshme. Për redaktorët e “Charlie Hebdo”, sfidimi i dogmave fetare përmes humorit ishte jo vetëm një e drejtë, por një detyrë morale për të demaskuar çdo formë autoritarizmi, përfshirë atë fetar. Në këtë kontekst, botimi i karikaturave nuk shihej si provokim, por si mbrojtje e kësaj lirie.
Megjithatë masakra në “Charlie Hebdo” ngjalli një debat të thellë mbi kufijtë e fjalës së lirë dhe përgjegjësinë që ajo sjell. Disa argumentuan se satira e revistës kishte kaluar kufijtë, ndërsa të tjerë mbrojtën pa kushte të drejtën për të sfiduar me humor çdo besim apo ideologji. Në thelb, sulmi tregoi sa e brishtë mund të jetë liria e fjalës përballë fanatizmit.
Karikaturat që përshkruanin Profetin Muhamed u konsideruan thellësisht fyese nga shumë myslimanë në mbarë botën, pasi paraqitja vizuale e Profetit është e ndaluar sipas traditës islame. Për ta, publikimi i tyre nuk ishte një akt lirie, por një sulm i qëllimshëm ndaj besimit të tyre. Kjo perceptohej si mungesë respekti dhe si provokim i panevojshëm.
“Charlie Hebdo” ishte plotësisht i vetëdijshëm për rrezikun. Revista kishte marrë kërcënime edhe më parë, sidomos pas publikimit të karikaturave në vitin 2006, që u ribotuan nga një gazetë daneze. Në vitin 2011, zyrat e revistës u dogjën pas publikimit të një numri satirik të titulluar “Sharia Hebdo”. Redaktori Stefan Sharbonie kishte pranuar se po jetonte nën kërcënim, por ai shpesh thoshte se nuk do të hiqte dorë nga parimet e lirisë së shprehjes.
Disa argumentojnë se revista kaloi kufijtë e përgjegjësisë dhe provokoi pa arsye tensione. Kjo linjë mendimi sugjeron se, ndërsa liria e fjalës është e shenjtë, ajo duhet të shoqërohet me ndjeshmëri kulturore dhe respekt për të tjerët, veçanërisht në një kohë kur marrëdhëniet midis Perëndimit dhe botës myslimane ishin veçanërisht të tensionuara.
Të tjerë argumentojnë se heqja dorë nga botimi për shkak të frikës do të kishte krijuar një precedent të rrezikshëm, duke inkurajuar vetëcensurën dhe dhunën si mjete për të kufizuar lirinë. Për mbrojtësit e Charlie Hebdo, çmimi i lirisë ishte i lartë, por i domosdoshëm për të mbrojtur një shoqëri të hapur.
Masakra shkaktoi një tronditje të thellë në Francë dhe në botë. Miliona njerëz dolën në rrugë për të protestuar dhe për të mbështetur lirinë e fjalës, duke mbajtur parullën simbolike “Je suis Charlie“. Kjo frazë u bë një thirrje globale për solidaritet, duke theksuar se liria e shprehjes është një e drejtë që nuk mund të mposhtet nga dhuna apo terrori.
Sulmi terrorist në “Charlie Hebdo” kishte një vlerë të fortë simbolike për civilët francezë, sepse liria e shprehjes është një nga parimet kryesore të Republikës Franceze të rrënjosur në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve, e themeluar në 1789.
Më 11 janar 2015, Paris u bë qendra e një marshimi historik ku morën pjesë më shumë se 4 milionë njerëz, përfshirë liderë botërorë. Ishte një moment uniteti kundër frikës dhe ekstremizmit, duke riafirmuar vlerat e demokracisë.
Edhe pas masakrës, “Charlie Hebdo” vazhdoi publikimin, duke dashur të tregojë se lapsi është më i fortë se plumbi. Edicioni pas sulmit, i quajtur “Numri i të mbijetuarve,” shiti më shumë se 7 milionë kopje – një rekord botëror. Në kopertinë, një karikaturë e Profetit Muhamed mbante një pankartë ku shkruhej “Je suis Charlie“, apo thënë në shqip “Unë jam Sharli” nën të cilën qëndronte mesazhi “Tout est pardonné” apo ndryshe “Gjithçka është falur”.
Masakra e 7 Janarit 2015 mbetet një kujtesë e hidhur e rreziqeve me të cilat përballet liria e fjalës, por gjithashtu simbolizon forcën e pakapërcyeshme të artit, humorit dhe kurajës për të thënë të vërtetën. Në një botë ku fjalët dhe imazhet janë armë, mbrojtja e tyre është një betejë që nuk duhet të ndalet kurrë.
Nëse “Charlie Hebdo” rrezikoi “mjaft” duke botuar karikaturat e Profetit apo jo, mbetet një çështje diskutimi. Nga njëra anë, guximi i revistës për të sfiduar kufijtë e humorit dhe dogmat ishte një mbrojtje e fortë e lirisë së fjalës. Nga ana tjetër, shumë e shohin këtë si një provokim të tepruar që kishte pasoja tragjike. Pyetja nuk ka një përgjigje të thjeshtë, por pasojat e këtij akti tregojnë sa komplekse dhe të ndërlikuara janë tensionet midis lirisë, përgjegjësisë dhe respektit në shoqëritë moderne.