A po e ndryshojnë rrjetet sociale dhe AI mënyrën e dezinformimit gjatë zgjedhjeve? Flasin Mulliqi dhe Rizanaj
Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë mbetet një rrezik serioz për integritetin medial dhe proceset demokratike, ndërsa format e tij po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, veçanërisht përmes mediave sociale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Kështu u tha në episodin e pestë të serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku u diskutua roli i organizatave të shoqërisë civile në luftën kundër dezinformimit, me fokus të veçantë periudhën zgjedhore.
- YouTube www.youtube.com
Në këtë episod të ftuar ishin Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhe Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.
Ajo nënvizoi se AGK-ja, përveç mbrojtjes së gazetarëve, ka zgjeruar rolin e saj edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit, përmes trajnimeve, akademive dhe bashkëpunimit me platforma të verifikimit të fakteve.
Foto: Ridvan Slivova
“Gazetarët kanë qenë të përgatitur për t’i demantuar dezinformatat, por problemi kryesor është mungesa e edukimit mediatik te qytetarët,” theksoi ajo.
Sipas Mulliqit, mungesa e edukimit medial në sistemin arsimor dhe shfaqja e portaleve të përkohshme gjatë fushatave e bëjnë mjedisin informativ edhe më të brishtë.
Ndërsa hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj, tha se mediat sociale kanë ulur autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”.
“Sot shumica e njerëzve informohen përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata,” tha Rizanaj në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai paralajmëroi se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe dhe llogari që shpërndajnë përmbajtje të rreme, përfshirë deklarata të vjetra, imazhe të manipuluara dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi edhe video të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat imitojnë intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme,” shtoi ai.
Narrativa nga mediat ruse dhe serbe
Rizanaj prezantoi edhe gjetjet e hulumtimeve të fundit të HIBRID.info, duke theksuar ndikimin e mediave ruse dhe serbe në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor.
“Narrativat e Russia Today dhe Sputnik në gjuhën serbe amplifikohen nga tabloidet në Serbi dhe arrijnë te komuniteti serb në Kosovë,” tha ai.
Sipas tij, këto narrativa shpesh e paraqesin Listën Serbe si të vetmen alternativë politike për serbët në Kosovë, ndërsa institucionet e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë si kërcënim për mbijetesën e tyre.
Foto: Ridvan Slivova
Thirrje për edukim medial
Të dy panelistët u pajtuan se zgjidhja afatgjate nuk qëndron vetëm te demantimi i dezinformatave, por te edukimi medial i qytetarëve.
“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur problemin, por edukimi medial duhet të institucionalizohet,” tha Mulliqi.
Ndërsa Rizanaj theksoi rëndësinë e orientimit të publikut drejt mediave kredibile.
“Media serioze kanë ekipe, burime dhe verifikim. Faqet në rrjete sociale me prapashtesa ‘info’ apo ‘gazeta’ nuk janë domosdoshmërish media,” tha ai.
Diskutimi u mbyll me thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet mediave tradicionale, organizatave të shoqërisë civile dhe platformave të fakt-checking-ut, për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe proceset demokratike në Kosovë./Telegrafi/.
Ky është episodi i pestë i serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/
