Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Çmimi i bakrit arrin nivel rekord

26 December 2025 at 11:15

Bakri arriti një çmim rekord, duke kaluar për herë të parë pragun prej 12.000 dollarësh për ton, pasi shqetësimet për tarifat amerikane dhe mundësinë e mungesave nxitën një rritje që vazhdon që nga tetori.

Ky metal industrial, i cili shihet si tregues i shëndetit të ekonomisë globale, u rrit mbi 1%, duke arritur deri në 12.160 dollarë për ton gjatë ditës në Londër, përpara se të zbriste përsëri rreth 12.065 dollarë.

Ari dhe argjendi gjithashtu u rritën në nivele të reja rekord, të nxitura nga tensionet gjeopolitike dhe pritshmëritë që Rezerva Federale e SHBA-së do të ulë normat e interesit vitin e ardhshëm.

Çmimet e rritura të bakrit po “nxiten nga pritshmëritë për mbështetje të mëtejshme të ekonomisë në Kinë”, tha John Meyer, analist në firmën konsulente SP Angel. Ai shtoi se një dollar më i dobët amerikan po rritte gjithashtu çmimet e metaleve të çmuara dhe bazike.

Ky metal i kuq ka shënuar një seri rritjesh rekord që nga tetori, kur incidente serioze në miniera të mëdha ndikuan në prodhim dhe shkaktuan frikë për mungesa të furnizimit. Edhe më parë, analistët prisnin që mungesat të shfaqeshin në vitet e ardhshme për shkak të rritjes së kërkesës.

“Edhe në një botë me rritje prej 2% të PBB-së globale, ne do të prisnim deficit të konsiderueshëm në tregun e bakrit gjatë vitit të ardhshëm,” thanë analistët e Jefferies këtë javë.

Rritja e fundit është nxitur edhe nga shqetësimet në rritje për mundësinë që administrata e Presidentit Donald Trump të vendosë tarifa shtesë për importin e bakrit vitin e ardhshëm. Tarifat aktuale nuk prekin katodat e bakrit, por shqetësimet se tarifat e ardhshme mund të ndikojnë kanë nxitur tregtarët të dërgojnë sasi të mëdha drejt SHBA-së.

Sasi të mëdha janë grumbulluar tashmë këtë vit në SHBA, dhe fluksi i vazhdueshëm në këtë drejtim mund të “shtypë furnizimin lokal në Kinë dhe në pjesë të tjera të botës”, tha Meyer.

Bakri është në rrugën për të shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga viti 2009, pasi ka shënuar një rritje prej 37% deri më tani në 2025./FinancialTimes

The post Çmimi i bakrit arrin nivel rekord appeared first on Gazeta Si.

180 mln euro për rijetëzimin e minierave në vend. Qeveria kërkon rikthimin e ekspertëve të ikur

26 December 2025 at 11:09

Nga Gazeta ‘SI’ – Me anë të një ligji që ndodhet aktualisht në proces konsultimi, qeveria shqiptare synon të rijetëzojë sektorin minerar, duke e kthyer atë në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare.

Strategjia për sektorin minerar 2026–2040 parashikon fillimisht përmirësimin e kuadrit ligjor, me qëllim ndarjen e qartë të përgjegjësive institucionale dhe funksionale, si dhe rregullimin e çdo hallke të zinxhirit minerar përmes licencave të posaçme. Synimi kryesor është krijimi i një sektori minerar të sigurt, të qëndrueshëm dhe plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.

Deri në 2030, qeveria parashikon që të paktën 30% e xeherorit të kromit, bakrit dhe nikelit të përpunohet brenda territorit shqiptar, si rezultat i investimit në fabrika e rafineri.

Sipas draftit, sektori minerar në Shqipëri përballet aktualisht me problematika serioze, si niveli i lartë i aksidenteve në punë, ndotja mjedisore nga zonat historike minerare, mungesa e rehabilitimit dhe mbikëqyrja institucionale e fragmentuar. Këto faktorë e mbajnë sigurinë teknike dhe mbrojtjen e mjedisit nën mesataren evropiane.

Një tjetër fokus i strategjisë është rigjallërimi i arsimit profesional dhe universitar në degët që lidhen me sektorin minerar. Parashikohet rikthimi i ekspertëve nga diaspora, zbatimi i programeve të mentorimit dhe përmirësimi i shkollave profesionale, me synim përgatitjen e profesionistëve të aftë për të përballuar transformimin teknologjik të industrisë minerare.

Risi e rëndësishme e reformës është edhe ndërtimi i një databaze kombëtare të integruar dhe dixhitale, e cila do të përfshijë të gjitha të dhënat minerare dhe gjeologjike të vendit, duke rritur transparencën, kontrollin dhe efikasitetin në menaxhimin e burimeve natyrore.

Sipas vlerësimeve paraprake, zbatimi i kësaj strategjie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 55 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme dhe të paktën 114 milionë euro-180 mln deri vitin 2040, në varësi të skenarëve të zhvillimit.

The post 180 mln euro për rijetëzimin e minierave në vend. Qeveria kërkon rikthimin e ekspertëve të ikur appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 25 December 2025Main stream

Vendet më të mrekullueshme në botë, ku mund t’i faleni Zotit

25 December 2025 at 13:27

Bordi i Financial Times ka publikuar një listë të vendeve më të magjishme në botë, ku mund të gjeni Zotin. Pavarësisht besimit, këto objekte fetare nga Lindja në Perëndim të tregojnë se besimi vjen në forma të ndryshme.

Manastiri Saghmosavank, Armeni

Kisha e San Giovanni Battista, Mogno, Zvicër

Manastiri Hozoviotissa, Amorgos, Greqi

Pavilioni Khuha Kharuehat, Phraya Nakhon Cave, Tajlandë

Manastiri Vatopedi, Mali Athos, Greqi

Kapela Otaniemi, Espoo, Finlandë

Xhamia Ibn Tulun, Kajro, Egjipt

Sinagoga e Madhe e Edirnesë, Edirne, Turqi

Pagoda Shwedagon, Yangon, Mianmar

Kisha e Të Gjithëve Shenjtë – Tudeley, Mbretëri e Bashkuar

Katedralja e Sienës, Toskani, Itali

Komplekset e tempullit Borobudur, Java Qendrore, Indonezi

Komplekset e tempullit Borobudur, Java Qendrore, Indonezi

The post Vendet më të mrekullueshme në botë, ku mund t’i faleni Zotit appeared first on Gazeta Si.

Sa shpenzojnë europianët për Krishtlindje?

25 December 2025 at 12:59

Shpenzimet e Krishtlindjes në Europë u rritën në 2025 ndërsa inflacioni ngriti çmimet dhe rregullatorët ashpërsuan standardet e sigurisë për lodrat.

Gjermania pritet të bëhet vendi që shpenzon më shumë në Bashkimin Evropian gjatë sezonit festiv, sipas të dhënave nga platforma Statista.

Në vitin 2025, shpenzimet me pakicë gjatë sezonit të Krishtlindjes pritet të arrijnë rreth 85.24 miliardë euro në Gjermani.

Franca vjen në vend të dytë me një vlerësim prej 71.65 miliardë euro, ndërsa Italia me mbi 43 miliardë euro.

Në Europën më të gjerë, Mbretëria e Bashkuar kryeson listën, me një sondazh të PwC që parashikon një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2024, pavarësisht nisjes së ngadaltë të shitjeve festive.

Megjithatë, dhuratat e këtij viti mund të jenë më të shtrenjta, pasi inflacioni vjetor i eurozonës u vlerësua të ishte 2.2% në nëntor 2025, sipas Eurostat, nga 2.1% një muaj më parë.

“Shpenzimet festive pritet të reflektojnë një mendësi të kujdesshme, e karakterizuar nga ndjeshmëria ndaj çmimeve dhe preferenca për kënaqësi të përballueshme,” deklaroi Mastercard Economics Institute në parashikimin e tij të fundit.

Cilët janë dhuratat më të njohura në BE?

Bukuria, moda dhe elektronika janë ndër kategoritë më të preferuara të dhuratave gjatë këtij sezoni festiv, sipas institutit ekonomik.

Në tremujorin e fundit të vitit 2024, çekët shpenzuan më shumë për kozmetikë, ndërsa polakët preferuan bizhuteri dhe orë dore.

Ndërkohë, spanjollët investuan më shumë në gjëra të përdorura, ndërsa italianët në pajisje shtëpiake.

Çekët gjithashtu shpenzuan më shumë për lojëra dhe lodra krahasuar me të gjithë evropianët.

Vit i kaluar, kozmetika dhe lodrat ishin produktet që shpesh raportohej për probleme sigurie në BE, me përbërës kimikë të identifikuar si shkaku kryesor i rrezikut në gati gjysmën e këtyre njoftimeve.

Toy Industries of Europe (TIE), një shoqatë tregtare për industrinë evropiane të lodrave, hulumtoi 70 lodra nga faqet e para të rezultateve të kërkimeve në shtatë platforma kryesore online që dorëzonin në Belgjikë dhe Francë.

Rreth 96% e tyre nuk përputheshin me kërkesat e sigurisë të BE-së, dhe 86% kishin probleme serioze sigurie, si pjesë të vogla që mund të shkaktojnë mbytje, magneta të fuqishme dhe bateri me akses të lehtë.

Në tetor të këtij viti, Këshilli Evropian miratoi rregulla të reja për të rregulluar sigurinë e lodrave, duke futur një pasaportë dixhitale për të gjurmuar më mirë lodrat e shitura online dhe duke ndaluar përdorimin e substancave kimike të dëmshme për fëmijët./Euronews

The post Sa shpenzojnë europianët për Krishtlindje? appeared first on Gazeta Si.

Sigurimi i pronës ‘fiton terren’ në tregun e sigurimeve

25 December 2025 at 11:08

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë periudhës janar-nëntor 2025, por pavarësisht shtimit të të ardhurave, dëmshpërblimet për qytetarët kanë shënuar rënie.

Një zhvillim pozitiv në treg është rritja e qëndrueshme e sigurimit të pronës, që në 11 muaj arkëtoi 3.8 mld lekë, ku 67% i përkasin sigurimit nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë. Gjatë janar-nëntor 2025, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës shënoi rritje të primeve me 4.31%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 9.73%. Këto zhvillime mund të përkthehen si rritje e interesit të shqiptarëve për të siguruar pronën e tyre, përballë zjarreve e tërmeteve, por në realitet lidhen me kredimarrjen hipotekore, që ka si detyrim sigurimin e pronës që po financon.

Të ardhurat dhe dëmshpërblimet

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në rreth 24.25 miliardë lekë, ose 10.17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, numri i kontratave të sigurimit arriti në mbi 1.5 milionë, me një rritje vjetore prej 4.69%.

Sigurimi i detyrueshëm motorik mbetet shtylla kryesore e tregut. Gjatë janar-nëntor 2025, primet e këtij segmenti arritën rreth 15.1 mld lekë, ose 12.40% më shumë se një vit më parë.

Në kontrast me rritjen e primeve, pagesat e dëmeve kanë rënë. Gjatë janar–nëntor 2025, dëmshpërblimet e paguara bruto kapën vlerën e rreth 7.49 miliardë lekëve, 3.61% më pak se një vit më parë. Sigurimi motorik vijon të mbajë peshën kryesore të dëmeve, me rreth 5.7 miliardë lekë, ose mbi 76% të totalit të paguar.

Tregu dominohet nga sigurimet e detyrueshme, të cilat përbëjnë rreth 62.4% të totalit të primeve, ndërsa sigurimet vullnetare zënë 37.6%. Po ashtu, sigurimet e Jo-Jetës, kryesisht ato motorike, përfaqësojnë mbi 91% të vëllimit të tregut.

The post Sigurimi i pronës ‘fiton terren’ në tregun e sigurimeve appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kg fileto pule

24 December 2025 at 20:10

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë konstatuar shkelje ligjore në një subjekt ushqimor.

Inspektorët kanë bllokuar 5 ton djathë “Gouda” dhe 944 kg fileto pule për mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe. Subjekti mori gjobë dhe produktet mbeten të bllokuara deri në rregullimin e dokumentacionit dhe etiketimit.

“AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre”, thuhet në faqen zyrtare.

Në fillim të këtij muaji, AKU bllokoi dy ngarkesa me misër që vinin nga Serbia, pasi rezultuan me Aflatoksinë B1. Edhe në nëntor, u bllokuan 25 ton misër po nga Serbia.

Të shumta kanë qenë rastet kur produktet e importuara kanë rezultuar me pesticide, siç ishte rasti i pjeshkëve në shtator apo domateve.

The post AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kg fileto pule appeared first on Gazeta Si.

Rriten çmimet e zhdoganimit për makinat e blera jashtë Shqipërie

24 December 2025 at 14:47

Nga Gazeta ‘SI’ – Një udhëzim i fundit i ministrisë së Financave, ka rritur kostot e zhdoganimit të mjeteve motorike që vijnë nga jashtë.

Sipas vendimit ka një shtrenjtim me 25% për çdo kategori automjeti, në bazë të fuqisë motorike.

Rritja e çmimeve në zhdoganim pritet të sjellë një rritje edhe të çmimit fundor për konsumatorët, por nga ana tjetër mund të sjellë një filtrim të mjeteve në qarkullim

Për autoveturat çmimet e reja janë: a) deri në 1400 cc jo më pak se 162 500 lekë;

 b) mbi 1400-1900 cc jo më pak se 250 000 lekë;

c) mbi 1900-2500 cc jo më pak se 406 000 lekë;

d) mbi 2500-3000 cc jo më pak se 500 000 lekë;

e) mbi 3000-4500 cc jo më pak se 625 000 lekë;

f) mbi 4500 cc jo më pak se 1 000 000 lekë.

Për kamionçina, furgona dhe kamionë, sipas kapacitetit mbajtës çmimet janë:

 a) deri në 1.5 tonë jo më pak se 500 000 lekë;

b) nga 1.5 tonë deri në 3.5 tonë jo më pak se 750 000 lekë;

c) nga 3.5 tonë deri në 10 tonë jo më pak se 1 062 500 lekë;

d) nga 10 tonë deri në 15 tonë jo më pak se 1 250 000 lekë;

e) mbi 15 tonë jo më pak se 1 500 000 lekë.

The post Rriten çmimet e zhdoganimit për makinat e blera jashtë Shqipërie appeared first on Gazeta Si.

Fati i ekonomisë së vendit në ‘dorë’ të administratës. Zhgënjen turizmi

24 December 2025 at 12:40

Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se modeli i rritjes së ekonomisë së Shqipërisë po vihet në provë.

Sipas INSTAT, gjate periudhës së verës, pra qershor-korrik, konsumi i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi shënoi rënie prej 0.97%. Një vit më parë ky tregues ishte me rritje 0.83%. Në rënie po ashtu raportohet konsumi i qeverisë, 0.98% kur një vit më parë u rrit me 6.8%.

Rënia e konsumit final në zemër të sezonit veror është një “flamur i kuq”, duke konsideruar dhe faktin që tregtia dhe shërbimet e konsumit janë shtylla e dytë më e rëndësishme e ekonomisë së vendit, pas administratës publike. Dobësimi i konsumit final të familjeve është veçanërisht shqetësues, pasi ky tregues përfshin të gjitha mallrat dhe shërbimet e përdorura drejtpërdrejt për të përmbushur nevojat individuale të familjeve rezidente. Paralelisht, rënia e konsumit final të administratës publike dhe institucioneve jofitimprurëse, që përfshin shërbimet jotregtare në funksion të komunitetit, tregon një ngadalësim më të gjerë të shpenzimeve në ekonomi.

Konkretisht, gjatë periudhës, administrata dhe tregtia+shërbimet e ushqimit dhe akomodimit, kontribuan e 1.7 p.p dhe 0.62 p.p në PBB.

Matur sipas ecurisë, administrata ka kryesuar rritjen, me 15%, ndjekur nga tregu imobiliar me 10.55% dhe tregu i informacionit e komunikimit me 10.4%. Ndërtimi shënoi një rritje me 4.75%. Shërbimet dhe tregtia u rritën me vetëm 2.6%, ndërsa grupi i aktiviteteve industri, energji dhe ujë shënuan rënie prej 4.75 % dhe bujqësia e  peshkimi u ul me 1.73 %.Gjatë së njëjtës periudhë,

Konsumi final i familjeve: Llogarit të gjitha mallrat dhe shërbimet që përdoren direkt për të plotësuar kërkesat individuale të familjeve rezidente. Konsumi final i administratës publike dhe Institucioneve jo fitim prurëse: Përmban vlerën e shërbimeve jotregtare të kryera nga administrata publike dhe nga institucionet jofitimprurëse në përfitim të komuniteteve ose grupe familjesh.

The post Fati i ekonomisë së vendit në ‘dorë’ të administratës. Zhgënjen turizmi appeared first on Gazeta Si.

FMN ngre alarmin për shpenzimet publike, rritjen e kredisë dhe “Paqen Fiskale”

24 December 2025 at 10:52

Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, në raportin e tij më të fundit për Shqipërinë, ngre alarmin për menaxhimin e shpenzimeve publike, duke paralajmëruar se presionet në rritje mund të rrezikojnë stabilitetin fiskal të vendit.

Për të mbrojtur rezervat fiskale, FMN rekomandon zbatimin e reformave të favorshme për rritjen e të ardhurave, përfshirë thjeshtimin e përjashtimeve tatimore, modernizimin e sistemit të taksës mbi pronën dhe forcimin e administratës tatimore, të shoqëruara me përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike dhe rritjen e transparencës fiskale.

Fondi rikthen vëmendjen edhe te nisma e qeverisë Rama për “Paqen Fiskale”, duke theksuar se kjo skemë rrezikon të minojë progresin e arritur më parë në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore. Sipas FMN-së, ndihma sociale e targetuar do të ishte një instrument më efektiv për mbështetjen e familjeve në nevojë sesa bonuset mujore të planifikuara për pensionistët.

Në aspektin monetar, FMN vlerëson se Banka e Shqipërisë duhet të jetë e gatshme të reagojë me shpejtësi ndaj ndryshimeve të kushteve të tregut. Fondi thekson se ndërhyrjet në tregun valutor duhet të kufizohen vetëm për adresimin e luhatjeve jo-fundamentale. Duke qenë se forcimi i kursit të këmbimit nxitet kryesisht nga faktorë themelorë, Banka e Shqipërisë duhet të lejojë fleksibilitet më të madh dhe të mbështetet te normat e interesit për garantimin e stabilitetit të çmimeve.

FMN ndalet gjithashtu te rreziqet që lidhen me zgjerimin e kredisë, duke kërkuar monitorim të shtuar të sektorit financiar. Dobësitë që lidhen me huamarrës të mëdhenj, ekspozimet në valutë dhe ndaj borxhit sovran, si dhe rritja e shpejtë e kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme, kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme dhe politika prudenciale proaktive. Fondi vlerëson se masat e fundit të bazuara te huamarrësi për kreditë e reja rezidenciale janë një instrument i rëndësishëm strukturor, ndërsa kërkon përmirësim të disponueshmërisë së të dhënave për kreditimin e pasurive të paluajtshme komerciale.

Sa i përket Bankës Shqiptare të Zhvillimit, FMN thekson nevojën për standarde të forta të mirëqeverisjes dhe mbikëqyrje të rreptë institucionale, për të shmangur rreziqe potenciale për stabilitetin financiar.

The post FMN ngre alarmin për shpenzimet publike, rritjen e kredisë dhe “Paqen Fiskale” appeared first on Gazeta Si.

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për ‘Shpresa-AL’ pasi rriti çmimet e biletës në urbanet e Kamzës dhe Paskuqanit

23 December 2025 at 14:59

Nga Gazeta ‘SI’-  Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak ndaj ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK, për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve në transportin urban të Bashkisë Kamëz.

Ky vendim vjen pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit dhe pas shqetësimeve të shprehura në media nga qytetarë dhe përdorues të transportit. Hetimi do të analizojë kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive, veçanërisht për linjat: Kamëz – Tiranë – Kamëz dhe Paskuqan – Babrru – Tiranë.

Sipas dokumentacionit zyrtar, SHPRESA – AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Nga vlerësimi paraprak i Autoritetit, rezulton se nuk ka prova të mjaftueshme ekonomike apo financiare që justifikojnë rritjen e çmimeve mbi baza objektive. Hetimi do të përfshijë periudhën 1 janar – 12 dhjetor 2025, për të vlerësuar nëse veprimet e ndërmarrjes mund të përbëjnë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, sipas Ligjit nr. 9121/2003.

The post Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për ‘Shpresa-AL’ pasi rriti çmimet e biletës në urbanet e Kamzës dhe Paskuqanit appeared first on Gazeta Si.

INSTAT: Më pak shqiptarë festuan festat e nëntorit në atdhe

23 December 2025 at 14:45

Nga Gazeta ‘SI’ – Më pak shqiptarë festuan festat e nëntorit në atdhe. Të paktën kështu tregojnë shifrat e sapopublikuara nga INSTAT.

Më shumë se 677 mijë shqiptarë dolën nga vendi gjatë muajit nëntor. Kjo rritje vjetore me 7.5% lidhet me festat e 28-29 nëntorit dhe planet e shqiptarve për të festuar jashtë vendit. Por nga ana tjetër, INSTAT tregon se numri i shqiptarëve që u futën në Shqipëri gjatë së njëjtës periudhë është reduktuar me 1.3%, 652 mijë.

Në total, gjatë nëntorit në Shqipëri hynë më shumë se 1.28 mln persona, me rritje të moderuar 1.4% nga nëntori i shkuar. 29.968 ishin të huaj, me një rritje prej 4.2%, kryesisht nga vendet e Europës.

Sipas INSTAT, 96% e të huajve që hynë në Shqipëri në nëntor 2025 ishin nga Europa, ku Europa Jugore përbën 86% të hyrjeve nga ky kontinent.

Qëllimi i hyrjes për 97% të shtetasve të huaj ishte personal, me rritje 4.5%, ndërsa hyrjet për biznes dhe arsye profesionale ranë me 3.6%.

The post INSTAT: Më pak shqiptarë festuan festat e nëntorit në atdhe appeared first on Gazeta Si.

Ku është varrosur Babagjyshi?

23 December 2025 at 12:15

Vetëm 20 minuta në jug të qytetit Kilkenny, në Irlandë, ndodhet një fshat mesjetar i braktisur që, sipas legjendës, fsheh një histori misterioze të lidhur me Krishtlindjet.

Mes kullotave të gjelbra dhe varreve që datojnë që nga shekulli XIII, rrënojat e Kishës së Shën Nikollës ngrihen mbi pronën e familjes Maeve dhe Joe O’Connell. Sipas gojëdhënave vendase, mes atyre që prehen aty ndodhet edhe Shën Nikolla i Mirës, shenjti që njihet si frymëzimi i Santa Claus-it.

Familja O’Connell është sot pronarja e vetme e Jerpoint Park, një qytet mesjetar i braktisur i shekullit XII, që shtrihet në rreth 120 hektarë tokë dhe ndodhet 20 kilometra në jug të Kilkenny-t. Vendbanimi, i njohur dikur si Newtown Jerpoint, mendohet të jetë themeluar nga normanët rreth vitit 1160. Dokumentet e trashëgimisë kulturore tregojnë se qyteti lulëzoi deri në shekullin XV, me shtëpi, treg, rrugë, ura, mullinj dhe një sistem të avancuar menaxhimi uji. Megjithatë, në shekullin XVII, banorët e tij u zhdukën, me shumë gjasë për shkak të sulmeve të dhunshme dhe murtajës.

Se si vendi i supozuar i prehjes së Shën Nikollës përfundoi në këtë qytet të braktisur mbetet ende një mister. Megjithatë, familja O’Connell dhe banorë të zonës besojnë se legjenda ka rrënjë të vërteta historike.

Sipas Maeve O’Connell, gojëdhënat thonë se relikja e Shën Nikollës ka qenë gjithmonë aty. Në varrezën e kishës ndodhet një figurë guri e gdhendur, ku paraqitet një burrë me duart e bashkuara në një gjest bamirësie, simbolikë që lidhet drejtpërdrejt me natyrën dhuruese të shenjtorit.

Edhe pse Santa Claus jeton sot si një figurë simbolike në imagjinatën e fëmijëve, personi që qëndron pas kësaj legjende ishte Shën Nikolla i Mirës, një figurë historike reale. I lindur në qytetin antik Patara, ai ia kushtoi jetën ndihmës për të varfrit dhe u bë peshkop i Mirës, në territorin e Turqisë së sotme. Ai mori pjesë në Këshillin e Nikesë në vitin 325, ndërroi jetë më 6 dhjetor të vitit 343 dhe u varros në Mirë. Megjithatë, vendndodhja e trupit të tij vazhdon të mbetet e paqartë.

Disa studiues besojnë se varri i tij ndodhet ende në Turqi, të tjerë pretendojnë se eshtrat u zhvendosën në Bari të Italisë, ndërsa ka edhe nga ata që mendojnë se relike të trupit të tij u shpërndanë në vende të ndryshme të botës.

Në relievin e varrezës së Jerpoint Park shfaqen edhe dy figura kalorësish, të cilët sipas legjendës transportuan trupin e shenjtorit nga Lindja drejt Evropës. Gjatë këtij udhëtimi, një relike thuhet se përfundoi në Irlandë dhe u varros në Newtown Jerpoint.

Sot, Jerpoint Park është një fermë funksionale dhe një zonë ende e paprekur nga gërmimet arkeologjike. Sipas historianit Nathan Mannion, vendndodhja e varrit është zhvendosur në vitin 1839, çka e bën edhe më të vështirë verifikimin e asaj që ndodhet realisht nën gurin e gdhendur.

Megjithatë, familja O’Connell nuk ka ndërmend të hapë varrin. Ata besojnë se relikja e shenjtorit ndodhet aty, duke argumentuar se një monument i tillë nuk do të ishte ndërtuar pa një arsye të fortë.

Sipas Mannion, pa prova shkencore, është e pamundur të thuhet me siguri se çfarë ndodhet në varr, por kjo nuk e zbeh vlerën e legjendës. Çdo vit, rreth 10 mijë turistë vizitojnë Jerpoint Park, të tërhequr nga historia e Shën Nikollës.

Edhe pse parku nuk është një destinacion tipik i Krishtlindjes, vizitat private janë të mundshme me rezervim. Për familjen O’Connell, Krishtlindjet janë një festë e qetë familjare, ndërsa 6 dhjetori, dita e Shën Nikollës, shënohet me një mbledhje të thjeshtë dhe biskota tradicionale.

“E dua Krishtlindjen,” thotë Maeve. “Ka diçka vërtet magjike në të.”/BBC

The post Ku është varrosur Babagjyshi? appeared first on Gazeta Si.

Konfindustria: Mos e miratoni Kodin e ri Penal! Cënon seriozisht biznesin

23 December 2025 at 10:20

Nga Gazeta ‘SI’- Konfederata e Industrive në vend, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të tërheqë Kodin e ri Penal, pasi cënon seriozisht klimën e investimeve dhe juridike në Shqipëri.

Në një deklaratë publike, Konfindustria thekson se ka një mungesë të plotë mbi ndikimin ekonomik dhe social të penalizimeve të reja, veçanërisht për personat juridikë.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me tendencën për të kriminalizuar shkelje që kanë natyrë administrative, si parregullsitë tatimore formale, mungesat dokumentare apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare. Sipas përfaqësuesve të biznesit, këto raste duhet të trajtohen me masa administrative ose civile dhe jo përmes ndëshkimeve penale, të cilat rrisin presionin mbi aktivitetin ekonomik.

Konfindustria Albania kundërshton gjithashtu zgjerimin e përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke argumentuar se drafti parashikon ndëshkime edhe për vepra që nuk lidhen logjikisht me natyrën e subjekteve tregtare. Një qasje e tillë, sipas saj, bie ndesh me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, ku përgjegjësia penale e bizneseve kufizohet në fusha specifike si korrupsioni, krimi i organizuar apo shkeljet mjedisore.

Një tjetër problematikë e ngritur është mbivendosja e projektit me legjislacionin ekzistues, përfshirë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Tentativa për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg, sipas Konfindustria Albania, mund të krijojë pasiguri juridike, interpretime arbitrare dhe të frenojë investimet e reja.

Kodi i ri Penal u prezantua gjatë pranverës dhe u shoqërua me kritika të shumta, për të cilat askush nuk mori përgjegjësi. Ministri i Drejtësisë atëkohë, Ulsi Manja, tha se ka mbajtur shënim të gjitha kritikat dhe propozimet për t’i sintetizuar në dokument.

The post Konfindustria: Mos e miratoni Kodin e ri Penal! Cënon seriozisht biznesin appeared first on Gazeta Si.

PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin

23 December 2025 at 10:08

Nga Gazeta ‘SI’- Pavarësisht nismave të ndërmarra ndër vite, menaxhimi i mbetjeve të prodhuara nga familjet dhe bizneset vazhdon të jetë një “dhimbje koke” për institucionet përgjegjëse.

Së fundmi, Ministria e Mjedisit ka hartuar një projekt të ri, i cili synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve përmes aplikimit të tarifës për trajtimin e tyre, bazuar në parimin “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT). Sipas projektaktit, përpara zbatimit të këtij parimi, parashikohet vendosja e një tarife fikse të dedikuar për trajtimin e mbetjeve, e diferencuar për qytetarët, bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Vendosja e tarifës synon të rrisë ndërgjegjësimin se trajtimi i mbetjeve ka një kosto reale dhe se kjo kosto lidhet drejtpërdrejt me sasinë e mbetjeve të prodhuara. Tarifat mund të mblidhen përmes mekanizmave të ndryshëm, përfshirë përfshirjen e tyre në faturat e ujit ose të energjisë elektrike, ndërsa mënyra konkrete e mbledhjes mbetet në diskrecion të bashkive.

Një fokus i veçantë i programit të ri i kushtohet parandalimit të shpërdorimit të ushqimit dhe reduktimit të mbetjeve bio, proces që sipas qeverisë është më efektiv dhe ekonomik sesa vetë trajtimi i mbetjeve. Masat përfshijnë parandalimin e mbetjeve përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nxitjen e dhurimit të ushqimit përmes stimujve ligjorë dhe fiskalë, si dhe promovimin e kompostimit në banesë si një zgjidhje praktike për reduktimin e mbetjeve organike.

Në tërësi, masat e propozuara janë në përputhje me politikat kombëtare ekzistuese dhe synojnë përforcimin e kuadrit rregullator për parandalimin e mbetjeve, krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset në zbatimin e praktikave të ekonomisë qarkulluese, si dhe promovimin e konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm përmes ripërdorimit dhe riparimit.

The post PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin appeared first on Gazeta Si.

Ari thyen një tjetër rekord

22 December 2025 at 13:52

Ari kaloi për herë të parë nivelin prej 4.400 dollarësh për onz këtë të hënë, i nxitur nga pritshmëritë për ulje të normave të interesit në SHBA dhe blerjet e vazhdueshme si aset i sigurt, ndërsa argjendi ndoqi të njëjtën rrugë, duke arritur një nivel rekord të ri.

Ari u rrit 1.7% në 4,410.54 dollarë për onz, pas arritjes së një rekordi prej 4,420.01 dollarësh më herët.

Ari ka shënuar një rritje prej rreth 68% këtë vit, duke regjistruar ngritjen më të madhe vjetore që nga viti 1979, të nxitur nga blerjet e forta të bankave qendrore, flukset drejt aseteve të sigurta dhe normat më të ulëta të interesit.

Argjendi u rrit 2.9% në 69.05 dollarë, pas arritjes së një rekordi të ri prej 69.44 dollarësh gjatë seancës. Argjendi është rritur 139% që nga fillimi i vitit, për shkak të deficitit të vazhdueshëm të furnizimit, nevojave në rritje industriale dhe kërkesës së fortë për investime.

“Normat më të ulëta po mbështesin kërkesën për asete reale si ari dhe argjendi. Por gjithashtu kemi bakër në nivel rekord, që tregon dëshirën e investitorëve për të mbajtur ekspozim ndaj mallrave më të gjera, ndoshta për shkak të pritshmërive se inflacioni mund të qëndrojë i lartë për një kohë më të gjatë,” tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.

Guvernatori i Këshillit Ekonomik, Stephen Miran, riafirmoi të premten se banka qendrore e SHBA duhet të ulë normat e interesit, pasi inflacioni është zbutur dhe politika monetare duhet të kompensojë rreziqet për tregun e punës.

Ndërsa ari shihet si një mbrojtje kundër inflacionit dhe si një aset i sigurt në kohë pasigurie, ky aset pa përfitim nga interesi gjithashtu përfiton zakonisht në mjedise me norma interesi të ulëta.

“KY është një moment i vetë-përmbushur, por nëse do të përmendja një element kyç, do të ishte përdorimi i fjalës ‘luftë’ nga Presidenti Trump javën e kaluar për sa i përket Venezuelës, pas një fushate zgjedhore që pjesërisht kishte përqendrim tek fjala ‘paqe’,” tha analistja e StoneX, Rhona O’Connell.

“Parashikimi ynë për arin mbetet që metali i verdhë duhet të arrijë nivele edhe më të larta vitin e ardhshëm, me një objektiv prej 4.500 dollarësh për onz,” shtoi Staunovo.

Në tregjet e tjera, platini u rrit 5% në 2.072.01 dollarë, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se 17 vjet, ndërsa paladiumi u rrit 3.7% në 1,776.69 dollarë, duke arritur një nivel afër trevjeçar./Reuters

The post Ari thyen një tjetër rekord appeared first on Gazeta Si.

Lançohet portali ‘EuroAgro Albania’ për fermerët, Rama: 100 mln€ mbështetje për bujqësinë

22 December 2025 at 11:25

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar çeljen e një kapitulli të ri të negociatave me BE-në që do të thotë nisja e reformimit të bujqësisë.

Në një aktivitet me fermerët, Rama prezantoi mekanzimat e reja në funksion të bujqve duke theksuar rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë deri në 100 milionë euro dhe krijimin e platformës “Euro Agro Albania”, si një instrument të ri koordinimi dhe informacioni për fermerët.

“Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë që duam ta çojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit dhe të Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një kredi inovative dhe patjetër me mbështetje e AZHBR-së dhe të BE, do të kemi mundësinë që t’i vëmë në dispozicion fermës shqiptare një fakt që për askënd nuk do të jetë çështje lekësh dhe fondesh, për gjithkënd do të jetë një çështje të projekteve të duhura. Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme. Është udhërrëfyes për të gjithë ju në çdo hap të procesit të negociatave, është burim informacioni për standarde, afate e detyrime konkrete”, tha kryeministri.

Ndër të tjera, ai tregoi edhe hapat konkretë që do të ndiqen për modernizimin e bujqësisë.

“Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administratave të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrin kombëtar të fermave, parcelave dhe kafshëve. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE-ja. Sot kemi një nivel komplet tjetër të cilësisë së analizave, por na duhet të përfundojmë projektin dhe do të shtyjmë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren, ku do të mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës.”

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dha më shumë detaje nga platforma në shërbim të fermerëve.

“Sot ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi.

  • Platforma konkretisht do të sjellë:
  • Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
  • Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
  • Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime.

Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë. Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot. Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje. Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish”, përfundoi ministri.

The post Lançohet portali ‘EuroAgro Albania’ për fermerët, Rama: 100 mln€ mbështetje për bujqësinë appeared first on Gazeta Si.

Mësimet financiare që shkolla nuk na i mësoi

22 December 2025 at 11:08

Cilat janë dy rregullat më të rëndësishme të parasë? Pse një monedhë në të ardhmen vlen më pak sesa një monedhë sot? Si mundet pagesat e vogla t’ju rëndojnë më shumë se sa mendoni? Dhe a janë vërtet njerëzit më të pasur në botë më të lumtur se ne të tjerët?

Këto janë vetëm disa nga “mësimet për paranë” që figura të njohura të botës financiare do të kishin dashur t’i mësonin në moshë më të re, për të ndërtuar njohuri të vlefshme dhe për të shmangur gabime të kushtueshme.

“Financial Times” ka udhëhequr fushatën që çdo fëmijë të përfitojë nga edukimi financiar dhe disa nga këto mësime po i ndan dhe me lexuesit e saj.

Shijoni këto këshilla për paranë dhe ndajini me të rinjtë në jetën tuaj!

Kuptoni rregullat e parasë

Paraja dhe financat mungojnë shpesh në edukimin shkollor, edhe pse janë thelbësore për jetën e përditshme. Kontrolli i parasë fillon me të kuptuarit e fluksit financiar: sa para hyjnë, sa dalin dhe kur ndodh kjo. Buxhetimi, menaxhimi i shpenzimeve dhe krijimi i një fondi sigurie ndihmojnë në shmangien e borxheve dhe në ndërtimin e një marrëdhënieje të shëndetshme me paranë që në moshë të re.

Çfarë mund të mësojmë nga më të pasurit?

Pasuria nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Ndryshe nga tiparet fizike, ajo përqendrohet tek një numër shumë i vogël njerëzish. Miliarderët nuk janë domosdoshmërisht shumëfish më të zgjuar se të tjerët; pasuria e tyre shpesh vjen nga trashëgimia, rreziku, shkallëzimi i bizneseve dhe fati. Kuptimi i kësaj ndihmon të shmangim krahasimet e gabuara dhe ndjenjat e panevojshme të dështimit.

Fillimi i hershëm shpërblehet

Shumë njerëz e kuptojnë rëndësinë e kursimit dhe investimit vetëm vonë. Edhe shuma të vogla, të vendosura rregullisht, rriten me kalimin e kohës. Ashtu si stërvitja fizike, përkushtimi i vazhdueshëm financiar sjell rezultate të mëdha në planin afatgjatë.

Pasurimi është një proces i ngadaltë

Nuk ekzistojnë rrugë të shpejta drejt pasurisë. Pasurimi kërkon aftësi të vlefshme, punë të palodhur, kursim dhe investim të mençur. Skemat për t’u pasuruar shpejt zakonisht përfundojnë me humbje. Thjeshtësia dhe disiplina janë çelësi.

Kostoja e fshehur e mikropagesave

Shpenzimet e vogla, por të shpeshta, veçanërisht në lojëra apo ushqim të shpejtë, krijojnë iluzionin e shpenzimit minimal. Në realitet, të mbledhura gjatë vitit, ato mund të arrijnë shuma të konsiderueshme. Ndërgjegjësimi për këtë ndihmon në marrjen e vendimeve më të zgjuara financiare.

Fuqia e interesit të përbërë

Interesi i përbërë është aleati më i madh i investitorëve dhe armiku kryesor i borxhit. Investimet rriten mbi rritje, ndërsa borxhet shtohen përmes interesit. Sa më herët të kuptohet kjo, aq më e fortë bëhet baza financiare për të ardhmen.

Investimi nuk është vetëm për të pasurit

Investimi nuk është luks. Edhe kontribute mujore të vogla mund të rriten ndjeshëm me kalimin e viteve. Mbajtja e parave vetëm në kursime shpesh nënkupton humbje reale për shkak të inflacionit. Tregjet financiare janë mjete ndërtimi pasurie, jo lojë fati.

Automatizoni vendimet financiare

Mendimi i vazhdueshëm për paranë është stresues. Automatizimi i kursimeve dhe investimeve ul lodhjen mendore dhe përmirëson disiplinën financiare. Kur procesi funksionon vetë, vendimet e tjera bëhen më të zgjuara.

Inflacioni dhe vlera e parasë

Një njësi monetare sot vlen më shumë sesa e njëjta njësi nesër. Inflacioni rrit çmimet dhe, në mënyrë të fshehtë, edhe barrën tatimore. Kuptimi i këtij mekanizmi ndihmon jo vetëm në menaxhimin personal të parasë, por edhe në kuptimin e politikave ekonomike.

Qiraja nuk është domosdoshmërisht humbje

Blerja e një shtëpie nuk është gjithmonë zgjedhja më e mirë. Interesat e kredisë, taksat dhe mirëmbajtja shpesh barazojnë ose tejkalojnë koston e qirasë. Përfitimi nga pronësia varet kryesisht nga rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, e cila nuk është e garantuar.

Çfarë na mëson pasuria ekstreme për lumturinë

Përvoja tregon se pasuria e madhe nuk garanton lumturi. Shpesh, kënaqësia më e madhe vjen nga gjërat e thjeshta dhe jo nga luksi apo konsumi i tepruar.

Të bësh pyetje është forcë

Mos hezitoni të bëni pyetje për produktet financiare dhe të kërkoni mendime alternative. Mungesa e informacionit mund të kushtojë shtrenjtë, ndërsa kurioziteti financiar është një mbrojtje e fuqishme.

Asetet kundrejt detyrimeve

Asetet rrisin vlerën dhe gjenerojnë të ardhura, ndërsa detyrimet zakonisht sjellin kosto. Fokusimi tek blerja e aseteve është një nga themelet kryesore të ndërtimit të pasurisë afatgjatë.

Një punë është më shumë se paga

Paga është vetëm një pjesë e paketës së karrierës. Pensionet, sigurimet, pushimet, trajnimet dhe mundësitë e zhvillimit profesional kanë vlerë të madhe dhe duhen marrë parasysh në zgjedhjet e karrierës.

Mësoni gjuhën e financës

Financa është një gjuhë që mund të mësohet. Kur e kupton, fiton qartësi, kontroll dhe fuqi për të naviguar më mirë jetën personale dhe botën përreth. Edukimi financiar nuk është privilegj,  është domosdoshmëri.

The post Mësimet financiare që shkolla nuk na i mësoi appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Euro dhe Bitcoin me ‘të kuqe’

22 December 2025 at 10:14

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet nën nivelin 1.173, trendi mbetet rënës, me target 1.165. Një reagim negativ në këtë zonë mund të thellojë rënien drejt 1.162. Tregtimi mbi nivelin 1.173 do të pasohet nga tentativa për testimin e rezistencës në 1.1785.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën nivelin 1.34, trendi mbetet negativ, me objektiv 1.33. Tregtimi mbi nivelin 1.34 hap rrugën për avancim të mëtejshëm, me target 1.344.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet mbi nivelin 157.4, trendi mbetet bullish, me target 162. Tregtimi nën nivelin 156.4 do të frenonte përkohësisht këtë tendencë, duke u paraprirë nga testimi i suportit në 157.

Për sa kohë Dow Jones do të tregtohet nën nivelin 48.300, trendi mbetet rënës, me target 4.240. Tregtimi mbi nivelin 48.300 do të ndiqej nga testimi i rezistencës në 48.450.

Për sa kohë Crude Oil do të tregtohet mbi nivelin 60.14, trendi mbetet pozitiv, me target 61.5. Tregtimi nën nivelin 60.14 rikthen tendencën negative drejt suportit në 59.5.

Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën nivelin 88.600, trendi mbetet negativ, me objektiv 84.400. Tregtimi mbi nivelin 88.600 do të pasohej nga rritje të mëtejshme, me synim rezistencën në 93.700.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Euro dhe Bitcoin me ‘të kuqe’ appeared first on Gazeta Si.

150 euro bonus fundviti edhe për familjet në nevojë e invalidët

22 December 2025 at 10:06

Nga Gazeta ‘SI’ – Pak ditë para mbylljes së vitit, qeveria ka vendosur t’i japë bonus edhe individëve me aftësi të kufizuar, të cilët nuk ishin përllogaritur fillimisht dhe për familjet me ndihmë ekonomike.

Sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, janë 148 mijë përfitues të bonusit prej 150 mijë lekë.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha Malaj.

Kur qeveria njoftoi në nëntor bonusin për pensionistët, tha se invalidët nuk janë përfshirë në këtë skemë përshkak të pamjaftueshmërisë së fondeve.

Nga ana tjetër, janë më shumë se 700 mijë pensionistë që përfitojnë bonusin nga 100 në 150 euro, sipas nivelit të pensionit që ata marrin.

Po ashtu, ministri tha se është vendosur që të gjitha ato fonde që kanë betur pa shpenzuar nga ministritë apo institucionet buxhetore, do të kalojnë në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, vlerësohet se shuma që minimalisht do të kalojë në këtë llogari do të jetë në masën 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve të cilën kjo qeveri tashmë e ka nisur”, tha ministri i Financave.

The post 150 euro bonus fundviti edhe për familjet në nevojë e invalidët appeared first on Gazeta Si.

Gjërat që do të doja t’i dija kur isha i ri

20 December 2025 at 13:41

Në ditëlindjen e tij të 70-të, në vitin 1905, Mark Twain mbajti një fjalim mbi sekretin e plakjes së suksesshme. (Nëse 70 nuk ju duket moshë e madhe, duhet të keni parasysh se për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë infantile, jetëgjatësia mesatare për dikë të lindur para vitit 1850 ishte më pak se 40 vjet.) “Kam arritur 70 vjet në mënyrën e zakonshme,” deklaroi ai sipas një raporti në The New York Times, “duke iu përmbajtur rreptësisht një skeme jetese që do të vriste çdo tjetër person.” Maksima që ai ofroi ishte kjo: “Nuk mund të arrijmë moshën e tretë duke ndjekur rrugën e dikujt tjetër.”

Tipike për Twain-in, kjo ishte urtësi popullore e fortë e mbështjellë në një shaka. Sekreti i një jete të gjatë dhe të lumtur padyshim nuk është pirja e duhanit, alkoolit dhe shfrenimi. Por ai ka të drejtë kur thotë se nuk ka një formulë universale që funksionon për të gjithë. Brenda parametrave të qartë, secili prej nesh duhet të eksperimentojë me ide të ndryshme dhe mënyra specifike të jetesës, një propozim që unë e kam diskutuar më parë. Disa njerëz janë më të shëndetshëm duke ndjekur një dietë vegjetariane; të tjerët duke konsumuar ushqime të stilit Mesdhetar. Disa janë më të lumtur duke jetuar në një metropol të madh si Nju Jorku apo Los Anxhelos; të tjerët e gjejnë jetën e tyre më të mirë në fshat.

Përveç këtyre detajeve, disa zakone të përgjithshme kanë rëndësi. Nuk do t’ju lodh me këshillat e zakonshme për shëndetin që mund t’i dëgjoni nga mjeku juaj: lëreni duhanin dhe dilni për një shëtitje, për hir të Zotit. Dua të tërheq vëmendjen tuaj tek disa modele të sjelljes që nuk janë kaq të dukshme, por që ndihmojnë të shpjegojnë pse të moshuarit zakonisht janë më të lumtur se të rinjtë. Sa më shpejt të mësoni dhe të adoptoni këto rregulla të jetesës së mirë, aq më shpejt mund të përfitoni nga frytet e tyre.

Pa dyshim, do të ndeshni disa të moshuar të mërzitur dhe të pakënaqur, por mesatarisht në Shtetet e Bashkuara, të rriturit më të moshuar kanë një nivel mirëqenieje ndjeshëm më të lartë se të rinjtë. Të moshuarit përjetojnë më pak stres psikologjik dhe emocione negative, dhe më shumë emocione pozitive. Kam shkruar më parë se të moshuarit zakonisht përjetojnë ndryshime pozitive në personalitet: mirësjellja dhe ndërgjegjshmëria rriten me moshën; neurotizmi zvogëlohet. Shpjegimi i këtij modeli nuk është menjëherë i qartë. Pa dyshim, urtësia e fituar me përvojë luan një rol: të moshuarit kanë më shumë të dhëna nga jeta dhe bëjnë më pak gabime. Por tre modele të veçanta sjelljeje që shfaqin të moshuarit kanë rëndësi të madhe.

I pari lidhet me rrjetet sociale. Në fillim të jetës, ndoshta ju këshilluan të zhvilloni një gamë të gjerë miqësish me njerëz të ndryshëm, për hir të lumturisë suaj. Kjo ishte këshillë e mirë sepse mësonit mënyra të reja të të menduarit dhe jetuarit nga njerëz jashtë rrethit tuaj social tipik. Por kjo nuk do të thotë se duhet të shpenzoni përpjekje të veçanta për të ruajtur lidhje me shumë njerëz me të cilët keni marrëdhënie sipërfaqësore. Kjo thjesht do t’ju mbushte kohën e lirë me ndërveprime pa shpërblim. Megjithatë, kjo lloj shoqërie e gjerë por e cekët karakterizon shumë të rinj. Të moshuarit ngushtojnë në mënyrë selektive rrethin e tyre social për të përqendruar energjitë tek ata me të cilët ndajnë pasione të përbashkëta, përjetojnë emocione pozitive dhe marrin kënaqësi. Njëkohësisht, njohjet rastësore që nuk përmbushin këto kritere mbeten pas.

Kjo mund të duket egoiste, por njerëzit në fakt bëhen më altruistë me moshën, modeli i dytë i sjelljes që rrit lumturinë e të moshuarve krahasuar me të rinjtë. Në një studim të vitit 2021 mbi altruizmin e vetë-raportuar dhe sjelljen e vëzhguar bamirëse, katër psikologë zbuluan se nga 16 studime të shqyrtuara, 14 treguan se të moshuarit janë më të përqendruar tek të tjerët se të rinjtë. Në një demonstrim veçanërisht i zgjuar, studiuesit i kërkuan të rriturve të moshave të ndryshme të shtypin një pajisje matëse të forcës së duarve, dinamometër, për të fituar shpërblime për veten ose për të tjerët. Të rinjtë shtypnin më fort për shpërblime për veten; të moshuarit shtypnin më fort për të fituar shpërblime për të tjerët.

Modeli i tretë lidhet me mënyrën se si të moshuarit reagojnë ndaj ngjarjeve të vështira në jetë. Me moshën, zakonisht njerëzit mësojnë të shmangin dhe të përballojnë stresin. Një studim i vitit 2023 me gati 3,000 të rritur nga 25 deri 74 vjeç gjeti se 70-vjeçarët përjetonin stres në 40% më pak ditë se 25-vjeçarët. Pjesërisht kjo ndodh sepse të moshuarit i ekspozohen më pak ngjarjeve stresuese, por edhe sepse reagojnë më pak ndaj situatave stresuese. Disa nga këto përfitime lidhen me rrethanat e jetës: pensionistët nuk kanë më detyrime pune të ngarkuara. Por një faktor tjetër është se kur të moshuarit përballen me një situatë stresuese, ata thjesht e injorojnë atë. Vendimi për të reaguar ndaj një ngjarjeje sfiduese mund të mos duket i vetëdijshëm, por në fakt mund të jetë dhe kur stresi është i pashmangshëm, të moshuarit reagojnë më pak duke u shqetësuar më pak.

Ndërsa shkruaja këtë ese, më erdhi në mend një përvojë që forcoi këto pika, nga një takim dy-ditor në Romë rreth 25 vjet më parë për një organizatë të madhe bamirëse ndërkombëtare. Konferenca mblodhi një grup të vogël specialistësh të mirëqenies disa shumë të rinj (si unë atëherë), disa më të moshuar dhe më të famshëm. Mes tyre ishte një grua 60-vjeçare me reputacion global në fushën e saj. Duke u ndjerë i nderuar të isha pranë saj, vura re sjelljen e saj me vëmendje. Në atë kohë dukej pak e çuditshme; tani nuk duket më.

Ajo kishte udhëtuar gjatë natës për të marrë pjesë në takim, pa kompensim, dhe kishte marrë pjesë në çdo sesion. Por kur erdhi puna tek darka e fundit luksoze e konferencës që për mua ishte një përfitim i madh ajo hyri në bistro dhe deklaroi: “Ky vend është shumë i zhurmshëm” dhe u largua. Kjo grua e jashtëzakonshme po shfaqte të tre modelet e lumturisë: kalonte kohë profesionalisht me njerëz që ndanin pasionin e saj për një kauzë, bënte përpjekje personale dhe dhuronte ekspertizën e saj, dhe thoshte jo ndaj diçkaje që nuk ia vlente për stres dhe sakrificë.

Në moshën 36-vjeçare, më habiti që nuk shkoi në darkë. Sot, në 61, ndjek shembullin e saj: përpiqem shumë të shërbej për kauza që më interesojnë dhe të diskutoj çështje me rëndësi shpirtërore ose shkencore për orë të tëra. Por biseda e rastësishme në një bar të zhurmshëm? S’ka shanse!

Pra, tre rregulla të përgjithshme që kam mësuar nga të moshuarit për një jetë më të mië janë:

1. Futu thellë ose ik.
Përpiqem që marrëdhëniet e mia shoqërore ato vullnetare dhe me kohë të lirë të përqendrohen vetëm tek aspektet e jetës që kanë rëndësi: dashuria, besimi, filozofia, virtyti, kultura, estetika. Nuk dua të flas për pushimet e mia në plazh apo të tuat, përveç nëse ka ndodhur një çudi e madhe.

2. Shërbe më shumë.
Një kanal unik i mirëqenies është shërbimi ndaj të tjerëve në kauza që më interesojnë. Kjo mund të nënkuptojë dhurimin e kohës dhe parave, sigurisht. Por gjithashtu përfshin testimin e rregullt të veprimtarisë së punës time: A ndihmon ky aktivitet të tjerët dhe i ngre ata?

3. Shqetësohu më pak.
Mendoj për gjërat që më mbajtën zgjuar si të ri, konfliktet në punë, shqetësimet për para dhe tund kokën. Tani, kur diçka më shqetëson ose më shkakton stres, pyes veten nëse do të më shqetësojë edhe pas një jave. Nëse përgjigjja është jo, përpiqem të filloj menjëherë të mos kujdesem.

Si satirist, Twain preferonte të tallë të gjithë biznesin e të moshuarve që u japin këshilla të rinjve, siç bëri në esenë e tij të vitit 1882 “Advice to Youth”: “Nëse dikush të ofendon dhe ke dyshime nëse ishte me qëllim, mos merr masa ekstreme; thjesht prisni rastin dhe goditeni me një tullë.”

Megjithatë, unë dyshoj fort se Twain ndiqte rregulla më të mira kur mbushi 70 vjeç. Duke mbyllur fjalimin e tij të ditëlindjes, piloti i vjetër i anijeve në lumin Mississippi tha se kishte ndjekur një kurs “drejt perëndimit të diellit me zemër të kënaqur” padyshim duke ndjekur parimet e lumturisë.

Shkruar nga Arthur C. Brooks, autor dhe akademik amerikan, për “The Atlantic”

The post Gjërat që do të doja t’i dija kur isha i ri appeared first on Gazeta Si.

❌
❌