Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

Zelensky: Shpresë dhe besim në fitore për Vitin e Ri

By: A R
31 December 2025 at 20:43

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi besimin e tij për paqen në Ukrainë, në mesazhin e tij të Vitit të Ri.

”Viti i kaluar u karakterizua nga besnikëria dhe vendosmëria, parimet dhe puna e përditshme e ukrainasve”, tha ai në Facebook dhe X.

“Ky vit ishte i mundur falë mbrojtësve tanë”, tha ai, duke falënderuar ata që luftuan jo vetëm në emër të Ukrainës, por për të gjithë ata që vlerësojnë lirinë dhe dinjitetin.

”Ukrainasit po ecnin përpara së bashku me atë që na mban të bashkuar: përvoja dhe kujtesa, gjuha jonë amtare, shpresa dhe besimi”, tha Zelensky në postimet, të shoqëruara me një fotografi të tij duke qëndruar së bashku me gruan e tij Olena para një peme të dekoruar.

“Ne besojmë në paqe, do të luftojmë për të dhe do të punojmë për të”, tha ai.

Toni i fjalimit ishte në kontrast me atë të presidentit rus Vladimir Putin, i cili shprehu besim në fitoren në luftën e Ukrainës në mesazhin e tij të Vitit të Ri.

“I përgëzoj luftëtarët dhe komandantët tanë për fillimin e Vitit të Ri! Ne besojmë tek ata dhe në fitoren tonë”, tha Putin.

Flet Roberto Carlos pas 3 orësh operacion në zemër: Jam mirë dhe nën monitorim të vazhdueshëm

By: A R
31 December 2025 at 20:34

Mbrojtësi brazilian foli për “AS” rreth shëndetit të tij pas operacionit në zemër.

“Jam mirë dhe nën vëzhgim.” Deklaratë për gazetën spanjolle AS e Roberyo Carlos, i cili është shtruar në spital pas një operacioni në zemër. Ambasadori i famshëm brazilian i FIFA-s dhe i Realit të Madridit, po trajtohet në Brazil pasi u diagnostikua me një problem në zemër dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati afërsisht tre orë, më shumë se sa pritej fillimisht për shkak të komplikimeve gjatë operacionit.

Sipas informacionit të publikuar nga gazeta spanjolle AS, ndërsa ishte me pushime në atdheun e tij, ish-lojtari kërkoi ndihmë mjekësore pasi iu nënshtrua analizave në këmbë, ku u zbulua një mpiksje e vogël gjaku.

Një skanim me rezonancë magnetike të të gjithë trupit thuhet se tregoi se zemra e tij nuk po funksiononte siç duhet, duke çuar në shtrimin e menjëhershëm në spital për kateterizim. Ndërhyrja kirurgjikale, e cila fillimisht ishte planifikuar të zgjaste rreth 40 minuta, përfundoi duke zgjatur pothuajse tre orë. Pavarësisht kësaj, operacioni u konsiderua i suksesshëm. Sipas gazetës spanjolle, Roberto Carlos është jashtë rrezikut, por mbetet i shtruar në spital për vëzhgim për dy ditët e ardhshme.

Ky ishte problemi i dytë shëndetësor me të cilin Roberto Carlos u përball në vitin 2025. Në prill, ai u detyrua të shtynte një udhëtim për në Nepal, ku duhej të merrte pjesë në angazhimet e lidhura me Superligën e Nepalit. Në atë kohë, organizatorët e eventit thanë se braziliani kishte pësuar një “sëmundje të papritur”.

Vizita u ricaktua përfundimisht dhe Roberto Carlos mbërriti në Katmandu disa ditë më vonë, duke marrë pjesë në finalet e garës si zakonisht. Në moshën 52 vjeç, Roberto Carlos konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai ishte fitues i Kupës së Botës me ekipin kombëtar brazilian në vitin 2002 dhe fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin në vitet 1998, 2000 dhe 2002.

441 mijë thirrje në QKUM gjatë 2025, Brataj: Festoni me përgjegjësi

By: A R
31 December 2025 at 20:25

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u bëri sot thirrje qytetarëve që të festojnë me përgjegjësi dhe kujdes për jetën tyre dhe të të tjerëve.

Kreu i QKUM, Skënder Brataj theksoi se gjatë këtij viti “patëm 441 mijë thirrje, nga të cilat 144 mijë ishin vizita të kryera në shtëpitë tuaja dhe 50 mijë konsulta mjekësore nga njësia e koordinimit”.

Brataj gjithashtu theksoi se qytetarët duhet të tregohen të kujdeshëm në përdorimin e mjeteve piroteknike.

“Mjetet piroteknike përdoren gjatë festave, por keqpërdorimi i tyre përbën rrezik serioz, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë. Rreziqet kryesore janë djegiet e rënda të duarve, fytyrës dhe trupit, dëmtime të syve deri në humbje shikimi, zjarre në ambiente të hapura dhe të mbyllura”, tha ai.

Brataj theksoi se duhet të përdoren vetëm mjetet e certifikuara dhe të lejuara me ligj.

Gjithashtu ai bëri thirrje që fëmijët të mbahen larg tyre.

“Mbani distancë sigurie, mbani fikëse zjarri afër. Mos i ndizni në dorë, mos i drejtoni nga njerëzit, mos i përdorni në ndikimin e alkoolit. Në rast aksidenti si djegie, ftoheni zonën me ujë të rrjedhshëm për 20-25 minuta. Syrin e dëmtuar mos e fërkoni, por mbulojeni lehtë”, tha Brataj.

Brataj gjithashtu bëri thirrje që mos të teprohet në konsumin e alkoolit.

“Festa mbaron, por pasojat zgjasin gjatë gjithë jetës”, e përmbylli Brataj mesazhin.

Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli presin 2026-n me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale

By: A R
31 December 2025 at 20:16

Qytete të mëdha aziatike e pritën Vitin e Ri 2026 me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale, ndërsa festimet nisën nga Paqësori Jugor dhe u shtrinë gradualisht në mbarë botën.

Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli ishin ndër qytetet që hynë në vitin e ri, secili me mënyrën e vet të festimit.

Në Pekin u organizua një shfaqje spektakolare dritash, ndërsa daullet shoqëruan pritjen e Vitit të Kalit të Zjarrit.

Në Hong Kong, ndërrimi i viteve u shënua më qetë, pasi fishekzjarrët tradicionalë mbi portin ”Victoria” u anuluan pas një zjarri vdekjeprurës në muajin nëntor.

Ndërkohë, në Singapor qielli mbi ”Marina Bay” u ndriçua nga fishekzjarrët, me horizontin e qytetit që krijoi një pamje mbresëlënëse.

Japoni dhe Koreja e Jugut u përqendruan te ritualet tradicionale të rënies së kambanave, ndërsa në Seul valltarë dhe ceremoni kulturore shënuan ardhjen e vitit 2026.

Në Tajlandë, lumi Chao Phraya në Bangkok ishte në qendër të festimeve në mesnatë.

Në Australi, Sidnej e priti Vitin e Ri me një shfaqje madhështore fishekzjarrësh mbi Urën e Portit dhe Shtëpinë e Operës, por edhe me një moment reflektimi.

Qyteti përkujtoi viktimat e sulmit të fundit në plazhin Bondi, me një minutë heshtjeje dhe mesazhe paqeje e uniteti të ndriçuara mbi urë.

Festimet në vetë plazhin Bondi u anuluan në shenjë respekti.

Ishujt e Paqësorit Jugor ishin të parët që hynë në vitin 2026. Banorët e Kiritimatit e pritën Vitin e Ri në mesnatë sipas orës lokale, të ndjekur pak minuta më vonë nga Ishujt Chatham të Zelandës së Re.

Më pas, Zelanda e Re, Samoa dhe Tonga shënuan ndërrimin e viteve me fishekzjarrë dhe shfaqje dritash.

Në Zelandën e Re, vëmendja u përqendrua te Auckland, ku Kulla Sky Tower u ndriçua nga shfaqje të veçanta, si dhe në kryeqytetin Wellington.

Ndërkohë, Samoa Amerikane, në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datës, pritet të jetë vendi i fundit i banuar në botë që do të hyjë në vitin 2026.

“Vend ku ligji të zbatohet”, Meta uron nga qelia: 2026, viti i përkushtimit për një Shqipëri më të drejtë

By: A R
31 December 2025 at 20:08

Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar nga qelia të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka uruar që viti 2026 të jetë i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë dhe ku ligji është i njëjtë për të gjithë.

“Gëzuar Vitin e Ri 2026! Të dashur qytetarë shqiptarë, Nga zemra ju uroj një Vit të Ri me shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë të dashurit tuaj, kudo që ndodhen.

Me besim në vlerat tona të përbashkëta dhe me sytë nga e ardhmja, ta mirëpresim 2026 si vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringritjes së shpresës.

Le të jetë ky një vit që na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe na jep forcën për të ecur përpara, të vendosur përballë sfidave.

Qoftë 2026 viti i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku liritë dhe dinjiteti njerëzor janë të shenjta dhe respektohen plotësisht.

Ku ka mundësi dhe shpresë për çdo qytetar, dhe ku çdo shqiptar të jetojë me dinjitet, siguri dhe mirëqenie në shtëpinë tonë të dashur, Shqipërinë, ku e ardhmja të ndërtohet mbi ndershmërinë, besimin dhe ligjin.

Gëzuar 2026, Vitin e Ndryshimit, të Lirisë dhe të Shpresës së re për të gjithë shqiptarët!”

Iraku merr bazën “Ain al-Asad” pas tërheqjes së koalicionit nën drejtimin amerikan

By: A R
31 December 2025 at 20:01

Iraku njoftoi sot se do të marrë në dorëzim javën e ardhshme një strukturë të rëndësishme ushtarake nga aleanca globale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e angazhuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik (IS), një çështje që prej kohësh ka qenë burim polemikash në vend.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Përbashkët të Operacioneve të Irakut, gjenerallejtënant Qais al-Muhammadawi, deklaroi se koalicioni anti-IS do t’ia dorëzojë forcave irakiane të sigurisë bazën ushtarake “Ain al-Asad” në Irakun perëndimor.

“Do të ketë marrëveshje dypalëshe mes Bagdadit dhe disa vendeve anëtare të aleancës, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe”, shtoi ai.

”Baza ‘Ain al-Asad’ do të shohë javën e ardhshme një tërheqje të plotë dhe do t’u dorëzohet forcave tona irakiane”, tha al-Muhammadawi në një konferencë për shtyp në Bagdad.

“Kjo është një arritje që lidhet me kapacitetet irakiane, sovranitetin e Irakut, si dhe me mirëkuptimin me SHBA-në dhe vendet e tjera të aleancës për ta shndërruar misionin në memorandume dypalëshe për shkëmbim ekspertize dhe informacioni, si edhe për trajnim”, theksoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Iraku po shqyrton nënshkrimin e marrëveshjeve të sigurisë me SHBA-në pas tërheqjes së forcave të saj drejt rajonit autonom të Kurdistanit irakian, raportoi sot televizioni saudit al-Hadath, duke cituar burime të paidentifikuara.

Muajt e fundit, milicitë irakiane të afërta me Iranin kanë bërë thirrje të përsëritura për largimin e trupave amerikane nga vendi.

E vendosur në provincën perëndimore al-Anbar, baza “Ain al-Asad” ka qenë disa herë objekt sulmesh nga grupe irakiane të lidhura me Iranin.

Forcat amerikane vazhdojnë të jenë të dislokuara pranë aeroportit të Bagdadit dhe në bazën ajrore të Erbilit, në Kurdistanin irakian.

VIDEO / “Sot s’kemi lidhje me Shqipërinë e damkosur të…”, Rama uron Vitin e Ri 2026 dhe premton BE-në

By: A R
31 December 2025 at 19:47

Kryeministri Edi Rama ka bërë urimin e tij për vitin e ri 2026, duke përmendur arritjet e viti që lam pas.

Ai tha se kjo është një Shqipëri tjetër, e dalë nga errësirat kronike të ikjes së dritave, falë vizionit dhe projekteve e punës këmbëngulëse.

Rama theksoi se ky është momenti që do iu sigurojë se “kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë”.

“Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kudo ku jeni,

Ja edhe një vit tjetër mbërriti tek dera për të dalë, duke e lënë Shqipërinë më lart, se në ditën kur hyri.

Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush, në Shqipëri, Europë, gjetkë nëpër botë, e bekoi përpjekjen e përbashkët të dekadës së fundit, duke i dhënë qeverisë sonë, fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve.

Faleminderit edhe njëherë nga unë sot, për atë fuqi me të cilën falë jush, unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.

Në një dekadë kemi bërë çfarë nuk imagjinohej kur nisi numërimi i viteve tona në qeverisje.

Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike, nga Parisi në Ankara, dhe nga Kievi në Londër për të diskutuar të nesërmen e kontinentit tonë.

Një Shqipëri tjetër, ku për 18 muaj do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e NATO-s, për Samitin vjetor të Aleancës, që plot vende të tjera, të cilat kanë hyrë në NATO, kohë përpara nesh, ende s’e kanë patur privilegjin ta mikpresin.

Një Shqipëri tjetër, e cila ndryshe nga jo shumë vite më parë, nuk ia ul më kokën asnjë shqiptari kur del jashtë kufijve të saj, prej ku tanimë vërshojnë drejt këtij vendi miliona e miliona turistë.

Një Shqiperi tjetër, më e prekshme se kurrë në çdo skaj të saj, me Dibrën e kthyer në zgjatim të Tiranës, falë rrugës së Arbrit; me Vermoshin, Thethin e Valbonën, të kthyera në destinacione turistike, falë kthimit të shtigjeve të vjetra të dhive në akse me standarte europiane; me Shkodrën e rilindur, falë kthimit të shpresës dhe rikthimit të turizmit si burim ekonomie i tharë qysh prej viteve‘30; me Lezhën, Beratin, Korçën, Pogradecin, Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën, Kolonjën, e me radhë, të kthyera në qytete të rilindura e fshatra rrotull tyre, ku vejevijnë njerëz nga Shqipëria e mbarë bota dhe hapen për t’i mikpritur, dyer pas dyersh, e ku numrat e turistëve, kanë arritur në shifra që nuk imagjinoheshin kur nisi kjo dekadë; me luginën e Lumit të Vlorës, të kthyer në një aks panoramik i Shqipërisë tjetër, ku të tjera e të tjera akse të reja, autostradash, rrugësh, tunelesh të hapur në veri e në jug, me standarde europiane e ritëm të pandalur gjatë këtyre viteve, i kanë dhënë kësaj Shqipërie, jo thjesht infrastrukturë më të mirë, po energjinë ripërtëritëse të një vendi në ngjitje.

Të gjithë këtë transformim, që vazhdon e do të vazhdojë pa ndalim, me kantiere të hapura e projekte të reja, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, nuk e solli koha siç thonë disa, nuk e sollën as alienët apo bandat siç bërtasin disa të fantaksur të tjerë, po e solli forca jonë qeverisëse, besimi juaj tek ne dhe besimi ynë i përbashkët tek Shqiperia, e solli puna pa orar e mijëra e mijëra njerëzve, e ministrisë, agjencive shtetërore dhe kompanive private, përpjekja e madhe në shumë frontet e betejës për Shqipërinë Europiane, ku të metat, dobësitë, gabimet apo edhe rrëshqitjet ose mëkatet e disave brenda nesh, nuk e zvogëlojnë dot kurrsesi përmasën historike të një transformimi të tillë.

Kjo është një Shqipëri tjetër, edhe falë kthimit të infrastrukturës digjitale nga një dorë kioskash me internet, në një shtyllë qeverisëse me maturitet të lartë, siç e vlerësojnë organizmat më prestigjozë ndërkombëtarë të fushës.

Një Shqipëri që tre vitet e fundit ka ngjitur plot 54 vende, duke u renditur e 14-ta ndër 197 vende të botës për qeverisjen digjitale dhe duke vendosur në dispozicion të qytetarëve, një platformë shërbimesh publike në kohë reale, falas nga çdo cep i globit.

E-Albania u ka kursyer shqiptarëve 620 milione euro dhe 7500 vjet radha nëpër sportele, ose e thënë ndryshe, një radhë të gjatë sa 25 mijë rrotullime rreth tokës.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e cila pas sulmit terrorist kibernetik mbi pikërisht këtë infrastrukturë moderne digjitale, ngriti një nga muret më të fortë të mbrojtjes kibernetike në Europë, ku deri më sot kanë dështuar të gjitha sulmet e vazhdueshme që kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë më pas e askush nuk flet për to.

Një Shqipëri tjetër, e shërbyer në këto vite transformimi me dijen dhe përkushtimin e skuadrave të AKSHI-t e të AKCESK-ut, ku vajza e djem të talentuar, e kanë rritur vit pas viti aftësinë e këtij shteti për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit, duke e bërë Shqipërinë një histori suksesi edhe ndërkombëtarisht.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e dalë nga errësirat kronike të ikjes së dritave, falë vizionit, projekteve e punës këmbëngulëse të mbështetur nga investime të vazhdueshme, që kanë transformuar krejt panoramën e sektorit, duke rritur kapacitetet prodhuese, diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme, ulur çmimin për konsumatorët familjarë, e duke u ngjitur vit pas viti drejt majës së sovranitetit energjetik, të cilën do ta mbërrijmë brenda këtij mandati për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për të importuar energji nga jashtë.

Kjo Shqipëri tjetër, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e pikënisjes së kësaj dekade, kur ishim të shpërfillurit e damkosur të Europës.

Ky vit mbyllet për Shqipërinë, jo vetëm me negociatat e anëtarësimit të hapura në çdo kapitull, po edhe me ngjitjen e Shqipërisë në pozicionin e të ashtuquajturit front-runner, pararendës, i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

As këtë rezultat shembullor, fantastik për emrin e vendit tonë dhe për dinjitetin e kombit tonë, nuk e solli koha, por përkushtimi i ekipit kombëtar të negociatave dhe dija, puna, këmbëngulja e më shumë se 1000 patriotëve publikë në ministritë e në institucionet e pavarura të shtetit shqiptar.

Dekada e fundit ka qenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një kohë me një shpejtësi të re shqiptare, një përpjekje e madhe për të fituar kohën e humbur të një tranzicioni të çartur përplasjesh me muret e prapambetjes, një projekt kombëtar reformash transformuese për të hapur rrugën e të vërtetës sonë si popull europian, që meriton të ulet në sofrën e përbashkët europiane.

Nuk është sot gjëkundi koha për një nga ato fjalimet e mia të gjata. Ky është momenti për mua qe t’ju siguroj se kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët; që t’ju garantoj se viti i ardhshëm e ata pas tij, do të sjellin edhe me shumë frute se sa ka sjellë deri më sot puna transformuese e kësaj dekade dhe që t’ju uroj gëzuar, kudo ku jeni, me këdo që keni pranë, e me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë.

Gëzuar!”

 

Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: Kosova të ecë përpara me unitet, siguri dhe zhvillim

By: A R
31 December 2025 at 19:37

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin që po përmbyllet dhe angazhimin për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Osmani ka vlerësuar vitin që lamë pas si një periudhë me sfida, por edhe me vendime të rëndësishme dhe përparime të dukshme në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Presidentja theksoi se Kosova ka treguar vendosmëri në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit shtetëror, duke u përballur me përpjekje destabilizuese dhe duke u dëshmuar si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani përmendi gjithashtu se, ndonëse viti ka qenë sfidues edhe për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve, ai ka dëshmuar forcën e demokracisë dhe të qytetarëve të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e punëtorëve, policëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve, grave, si dhe mërgatës shqiptare.

Duke folur për vitin 2026, Osmani tha se Kosova hyn në Vitin e Ri me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta, duke përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë, avancimin e pozitës ndërkombëtare, mbështetjen e familjeve dhe rinisë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në fund të mesazhit, Presidentja uroi shëndet, paqe dhe begati për të gjithë qytetarët, duke ftuar që viti 2026 të nisë me besim, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Le të jetë viti 2026 një vit suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën tonë,” përfundoi Osmani, duke uruar Gëzuar Vitin e Ri për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Tajlanda liron 18 ushtarë kamboxhianë pas armëpushimit në kufi

By: A R
31 December 2025 at 19:28

Tajlanda ka liruar 18 ushtarë kamboxhianë që ishin kapur në muajin korrik gjatë përplasjeve të përgjakshme në kufirin mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të arritur të shtunën.

Dorëzimi i ushtarëve u shty për një ditë, pasi autoritetet tajlandeze shprehën shqetësime për shkelje të dyshuara të armëpushimit. Megjithatë, procesi u përmbyll pas presionit të vazhdueshëm diplomatik nga Kina, e cila ka luajtur rol ndërmjetësues për ruajtjen e marrëveshjes.

Tensionet përgjatë kufirit Tajlandë–Kamboxhi u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji dhe zgjatën për disa javë, duke detyruar afro një milion civilë të largohen nga banesat e tyre.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të dyja palët janë angazhuar të ngrijnë pozicionet ushtarake aktuale, të ndalojnë përforcimet dhe të lejojnë kthimin e banorëve në zonat kufitare sa më shpejt të jetë e mundur. Ushtarët e liruar, të veshur me rroba civile, u shoqëruan përmes një pike kufitare dhe iu dorëzuan autoriteteve kamboxhiane.

Mbajtja e tyre në paraburgim që nga korriku kishte nxitur reagime të forta nacionaliste në Kamboxhia dhe lirimi i tyre ishte një nga kërkesat kryesore të qeverisë së Phnom Penhit në bisedimet me Tajlandën.

Ministria e Jashtme e Tajlandës e cilësoi lirimin si një “gjest vullneti të mirë”, duke shprehur shpresën që Kamboxhia të përgjigjet me “veprime konkrete”. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi se mbetet “shpresëplotë” se ky hap do të ndihmojë në ndërtimin e besimit të ndërsjellë.

Sipas kushteve të marrëveshjes, ushtarët duhej të dorëzoheshin brenda 72 orësh, por Bangkoku akuzoi Phnom Penhin për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se mbi 250 dronë kamboxhianë kishin fluturuar mbi territorin tajlandez të dielën.

Pavarësisht akuzave, armëpushimi duket se po mbahet deri më tani. Mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve datojnë prej më shumë se një shekulli, por tensionet u rritën ndjeshëm këtë vit pas incidenteve në një tempull të kontestuar. Përplasjet e korrikut lanë dhjetëra të vrarë dhe mijëra të zhvendosur.

Ministri Salla uron fermerët dhe qytetarët për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim!

By: A R
31 December 2025 at 19:20

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përcolli një mesazh urimi për qytetarët dhe fermerët shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve, duke vënë theksin te roli i fermerëve në zhvillimin e vendit dhe te objektivat për vitin e ri.

Në mesazhin e tij, ministri Salla theksoi se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke shprehur mirënjohjen për punën, sakrificën dhe kontributin e përditshëm të fermerëve në ndërtimin e një bujqësie më të fortë dhe të një Shqipërie më të zhvilluar.

Ai nënvizoi se fermerët shqiptarë janë shtylla e sigurisë ushqimore dhe e ekonomisë rurale, duke mbajtur gjallë tokën, traditën dhe prodhimin vendas edhe në kohë të vështira.

Ministri Salla bëri të ditur se Viti i Ri nis me ambicie të reja për sektorin bujqësor, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë investime, rritje të digjitalizimit dhe zgjerim të mundësive për produktet shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

“Lëmë pas një vit me sfida dhe suksese, me urimin dhe shpresën për një Vit të Ri më të begatë dhe më të mbarë! Një vit i ri nis me më shumë vizion, përgjegjësi dhe angazhim për zhvillimin e vendit. Me politika të qëndrueshme, mbështetje për sektorët prodhues dhe fokus te modernizimi, vijojmë punën për një sektor bujqësor të qëndrueshëm dhe konkurrues, me standarde evropiane. Gëzuar Vitin e Ri2026 ! Qoftë një vit i paqtë, me begati dhe lumturi për çdo familje shqiptare!”, shkruan Salla.

Në përmbyllje të mesazhit, ai uroi që viti i ri të shënojë një hap përpara drejt zhvillimit, bashkëpunimit dhe mirëqenies për çdo familje shqiptare, duke përcjellë urimet për shëndet, paqe dhe mbarësi.

Pas 9 largimeve, Tirana prezanton një mesfushor sllovak

By: A R
31 December 2025 at 18:54

Pas 9 largimeve në skuadër, Tirana prezantoi afrimin e parë në merkaton e dimrit: Patrik Myslovic.

Lajmin e bëri publik vetë faqja e klubit që me anë të një njoftimi zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes, shkruan A2.

Mesfushori sllovak i kushtoi bardhebluve 500 mijë euro dhe bëhet lojtari më i vlerësuar në skuadër.

Myslovic ka firmosur një kontratë 3-vjeçare dhe vjen nga skuadra bullgare e Levski Sofias.

Një tjetër emër që po qarkullon në kampin bardheblu është Fredi Alvarez. Fantazisti nga Kosta Rika ndau rrugët me Liberian dhe mund t’i bashkohet Tiranës për shumën e 700 mijë eurove.

Mesfushori në fjalë është shpallur “Lojtari i Vitit” në Maqedoninë e Veriut për vitin 2022 dhe 2023.

Avokatët hedhin poshtë spekulimet: Dionis Teqja nuk ka asnjë status kërkimi, njoftimet publike janë thjesht procedurë normale në një gjyq civil

By: A R
31 December 2025 at 18:41

Në lidhje me disa publikime të fundit në portale të ndryshme mediatike, ku pretendohet se z. Dionis Teqja është shpallur në kërkim apo se po njoftohet përmes shpalljeve publike, përfaqësimi i tij ligjor i konsideron këto lajme tërësisht të pavërteta, të pavërtetuara dhe keqinformuese.

Përmes një komunikimi zyrtar me mediat, avokati Erind Troka, përfaqësues ligjor i z. Teqja, sqaron se Gjykata ka proceduar vetëm me njoftim përmes shpalljes, në kuadër të një çështjeje civile, dhe jo për asnjë situatë që lidhet me kërkim apo procedim penal.

Bëhet fjalë për çështjen civile me Nr. 1234, datë 10.12.2025, e cila ndjek rrjedhën normale procedurale të gjykimit. Avokati Troka thekson se z. Dionis Teqja është drejtues i disa kompanive të mëdha në vend dhe se kjo procedurë është thjesht një formalitet ligjor, pa asnjë lidhje me shpallje në kërkim apo çështje penale.

Gjithashtu, përfaqësimi ligjor ka informuar zyrtarisht Gjykatën se z. Dionis Teqja ka marrë dijeni për seancën gjyqësore të planifikuar për datën 13.02.2026, ora 13:00, çka përjashton çdo interpretim dashakeq apo spekulativ mbi mungesë komunikimi apo fshehje.

Sipas avokatit Troka, çdo përpjekje për të paraqitur këtë procedurë të zakonshme si një çështje kërkimi apo penaliteti përbën keqinformim serioz të opinionit publik dhe cenim të rëndë të figurës dhe reputacionit të z. Dionis Teqja.

Për këtë arsye, përfaqësimi ligjor njofton se po ndjek hapat e mëtejshëm ligjorë ndaj çdo subjekti apo platforme që përdor këtë çështje për qëllime të tjera, të ndryshme nga informimi i drejtë i publikut, duke shtrembëruar faktet dhe duke dëmtuar imazhin e klientit të tij.

Ndryshojnë shpërblimet në sport, rregulla të forta për peshëngritjen dhe dopingun

By: A R
31 December 2025 at 18:27

Këshilli i Ministrave ka mbyllur vitin 2025 me një vendim të rëndësishëm që riformaton skemën e shpërblimeve dhe trajtimit financiar për sportistët elitarë.

Vendimi i ri sjell një ndarje të qartë mes sporteve olimpike dhe atyre jo-olimpike, si dhe rrit dietat ditore ushqimore.

Ndryshimi më thelbësor në VKM është diferencimi financiar. Qeveria ka vendosur që shpërblimet e plota t’u shkojnë vetëm sporteve olimpike.

Për sportet jo-olimpike, shpërblimi financiar për rezultatet në aktivitete ndërkombëtare (si Kampionate Botërore apo Evropiane) do të jetë sa 40% e vlerës që përfitojnë sportet olimpike. Megjithatë, për thyerjen e rekordeve, masa e shpërblimit mbetet 100%.

Rregulli i ri për peshëngritjen

Qeveria ka saktësuar se në sportin e peshëngritjes, sportisti do të shpërblehet vetëm për rezultatin përfundimtar në dygarësh (masa 100%). Kjo do të thotë se, sipas vendimit, „nuk do të ketë më shpërblime të veçanta për stilet e shkëputjes apo të shtytjes nëse ato nuk shoqërohen me rezultat në total”.

Gjithashtu, vendoset limiti që një sportist paguhet vetëm për një rezultat sportiv të arritur brenda vitit kalendarik në një disiplinë (për Kampionat Botëror, Evropian apo Ballkanik).

Rritet dieta ushqimore

Lajmi i mirë për të gjithë sportistët e nivelit të lartë është rritja e trajtimit ushqimor. Vlera e dietës ditore ndryshon nga 2,500 lekë që ishte, në 3,500 lekë në ditë.

Filtri i dopingut dhe e-Albania

Procedurat digjitalizohen dhe ashpërsohen. Federatat duhet të aplikojnë për shpërblimet vetëm përmes portalit e-Albania.

Aplikimi duhet të shoqërohet detyrimisht me konfirmimin nga Organizata Kombëtare Antidoping që sportisti është i pastër.

Afati për federatat, pagesa brenda 30 ditëve

Për t’i dhënë fund vonesave nga ana e federatave pasi marrin fondet nga shteti, qeveria ka vendosur një afat prekluziv.

“Federata duhet të kryejë pagesën e shpërblimit të sportistit dhe trajnerit brenda 30 ditëve nga disbursimi i fondeve nga ministria,” thuhet në vendim.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit pritet të njoftojë hapjen e sistemit online për aplikimet e reja.

Qeveria rrit pagesën për paketën higjieno-sanitare të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, efektet nisin nga 1 Janari

By: A R
31 December 2025 at 18:19

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që sjell rritje të mbështetjes financiare për kategorinë e invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Vendimi i marrë me propozim të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale prek paketën e veçantë higjieno-sanitare, një zë i rëndësishëm për mbulimin e kostove të kujdesit ditor për këta individë.

Sa bëhet pagesa e re?

Sipas ndryshimit të bërë në vendimin nr. 78 (të vitit 2007), masa e përfitimit mujor pëson një rritje. Deri më tani, pagesa për paketën higjieno-sanitare ishte në vlerën 20,000 lekë. Me vendimin e ri, kjo shumë indeksohet dhe bëhet 20,480 (njëzet mijë e katërqind e tetëdhjetë) lekë në muaj.

Hyrja në fuqi

Vendimi saktëson se efektet financiare të kësaj rritjeje do të fillojnë të llogariten menjëherë, duke nisur nga data 1 janar 2026.

Zbatimi Për implementimin e këtij vendimi dhe shpërndarjen e fondeve me vlerën e re, qeveria ka ngarkuar Ministrinë përgjegjëse për Çështjet Sociale, Shërbimin Social Shtetëror, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), të cilat menaxhojnë listat dhe pagesat për këtë kategori.

Ky ndryshim vjen në mbështetje të ligjit “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, me qëllim përshtatjen e ndihmës ekonomike me nevojat e shtuara të kësaj kategorie.

Minus 52 mijë vota, si shpjegohet rënia e LDK-së?

By: A R
31 December 2025 at 18:06

Rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë vende në Kuvendin e Kosovës – ky është bilanci i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse krahasohen dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë vit.

Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.

Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.

LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”

Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.

Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.

LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.

“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë… Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.

Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.

Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.

Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.

Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.

Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.

“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.

Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.

“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.

Ku shkuan votuesit e LDK-së?

Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.

Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.

Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.

“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.

Ku humbën e ku fituan partitë e mëdha?

Si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti, ashtu edhe në ato të parakohshme të dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese. Madje, ajo arriti ta përmirësojë rezultatin në çdo komunë.

Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.

“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.

E ardhmja e mundshme e LDK-së

Në mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.

Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.

Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.

Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.

Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.

Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.

Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.

Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.

Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë./ Marrë nga REL

Ndryshojnë tarifat e ndërtimit, 300 mijë lekë për certifikatën e karabinasë, zbardhen kostot për ndryshimin e lejeve

By: A R
31 December 2025 at 17:59

Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë ndryshimesh financiare që prekin zhvilluesit e pronave dhe kompanitë e ndërtimit që aplikojnë pranë Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Nëpërmjet një vendimi, qeveria ka shtuar shërbime të reja me pagesë dhe ka saktësuar formulën e tarifimit për rishikimin e lejeve të zhvillimit.

Tarifa e re për “karabinanë”

Një nga risitë kryesore të vendimit është vendosja e një tarife specifike për një shërbim të ri: pajisjen me vërtetim për përfundimin e strukturës së objektit.

Sipas vendimit, tarifa për shqyrtimin e kërkesave për lëshimin e “certifikatave për përfundimin e punimeve të karabinasë” do të jetë fikse, në masën 300,000 (treqind mijë) lekë.

Vendimi sjell qartësi edhe për kostot që duhet të paguajnë subjektet kur kërkojnë të ndryshojnë apo rishikojnë një leje zhvillimi ekzistuese. Tarifat ndahen në dy kategori, në varësi të ndryshimit të sipërfaqes së ndërtimit.

Pa shtesë sipërfaqjeje

Nëse kërkesa për ndryshimin e lejes bëhet brenda kufirit të miratuar më parë (pra nuk shtohet sipërfaqe ndërtimi, ose ka zvogëlim të saj), zhvilluesi do të paguajë një tarifë fikse prej 300,000 lekësh.

Me shtesë sipërfaqjeje

Nëse rishikimi i lejes shoqërohet me rritje të sipërfaqes së përgjithshme të pronës, llogaritja bëhet e kombinuar: Paguhet tarifa fikse prej 300,000 lekësh, plus një vlerë prej 100 lekësh për çdo metër katror shtesë.

Tarifat për situacionet përfundimtare

Qeveria, në vendim, ka saktësuar edhe pagesat në fazën përfundimtare të investimit. Në rastet kur vlera e situacionit përfundimtar të punimeve është e njëjtë ose më e vogël se preventivi fillestar i deklaruar, tarifa e shërbimit do të jetë fikse: 500,000 (pesëqind mijë) lekë. E njëjta tarifë aplikohet edhe për rastet e certifikatave të veçanta të përdorimit.

Këto ndryshime hyjnë në fuqi menjëherë dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) është ngarkuar të lëshojë faturat me tarifat e reja për të gjitha vendimmarrjet e KKT-së që do të nënshkruhen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Pagat si pensionet, do të indeksohen për të mbuluar efektet e inflacionit

By: A R
31 December 2025 at 17:49

Pagat e atyre që punojnë në shtet, nga viti i ardhshëm do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet. Për këtë qëllim, qeveria ka parashikuar një fond prej 4,3 miliardë lekësh.

Kjo shumë është sa 0,2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Fondi do të përfshihet në buxhetin e vitit 2026 i cili pritet të depozitohet në Kuvend në fund të këtij muaji.

Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, u shpreh për A2: “Kjo do të thotë se të punësuarit nuk do të jenë më vulnerabël dhe në varësi të dëshirave të qeverisë për të rritur kur ata duan pagat”.

Erald Pashaj, ekspert i tregut të punës, thotë: “Pra, duhet parë inflacioni në vitin 2025, ai inflacion do të merret për bazë për indeksimin e pagave në sektorin publik në vitin 2026. Sigurisht që kjo është një shifër minimale dhe në parim fuqi blerëse mbetet po e njëjtë. Pra një punonjës i administratës publike, pas indeksimit merr të njëjtën gjë”.

Ndërkohë, pas objektivit për “pagë mesatare 900 euro”, qeveria duket se ka hequr dorë nga reforma të ngjashme. Për vitin 2026 nuk është parashikuar asnjë fond për politika të reja pagash.

“Tashmë do të veprohet me këtë politikë të re e cila do të amortizojë thjesht efeketet e inflacionit”, thekson Gjokutaj.

Ndërsa Erald Pashaj shprehet: “Në radhë të pare, pagat duhet të rriten çdo vit, pra jo të grumbullohet rritja dhe të bëhet në një vit të caktuar kur vjen situata ekonomike apo njerëzit largohen. Nuk duhen bërë ndryshimet kur jemi keq. Ndryshimet duhet të bëhen paraprakisht”.

Me gjithë retorikën e madhe për rritje pagash, një shqiptar pavarësisht nëse është rrogëtar në shtet apo privat, merr mesatarisht 3.6 euro në orë. Një orë punë në Shqipëri vlerësohet më pak se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.

“Sepse ne priremi nga sensacioni dhe jo nga dëshira për të krijuar mirëqenie në popullatë”, thotë Gjokutaj.

“Paga jepet për sa paguhet një punë në treg. Nëse një punë në treg paguhet X, aq duhet të paguhen edhe punët e ngjashme me të. Kush pastaj ka performancë më të lartë, do të duhet të marrë diçka më shumë”, thekson Pashaj.

Ndërkohë, nga punëtorët e fabrikave e rrobaqepëset te shitëset, kamerierët apo punëtorët e ndërtimit, cilido i punësuar në Shqipëri nga fillimviti i ardhshëm do të paguhet me jo më pak se 50 mijë lekë. Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë. Premtimi i qeverisë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit është përfshirë në programin qeverisës të socialistëve për t’u zbatuar nga 1 janari 2026.

Mund të jetë fatale! Çfarë duhet të keni patjetër parasysh nëse festoni me fishekzjarre

By: A R
31 December 2025 at 17:38

Fishekzjarret janë kthyer në një traditë prej vitesh në natën e ndërrimit të viteve. Por herë pas here ka patur edhe lëndime e në rastin më të keq edhe fatale.

Prandaj ekspertën kanë renditur një listë me këshilla për ju që nuk ia dilni të festoni dot pa fishekzjarre.

Në përgjithësi lëndimet e lidhura me fishekzjarre janë djegie. Duart dhe gishtat janë pjesët më të shpeshta të trupit të dëmtuara. Këto lloj lëndimesh ndodhin shpesh kur njerëzit mbajnë fishekzjarre të ndezura. Shkëndijat gjithashtu mund të shkaktojnë djegie në duar dhe krahë, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Sytë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj lëndimit nga fishekzjarrët.

Nëse ndodh një dëmtim i syrit, mos e shpëlani, mos e fërkoni ose shtypni syrin. Kjo mund të bëjë që irrituesit, si qymyri ose baruti, të lëvizin rreth syrit, duke çuar në dëmtime të mëtejshme. Në vend të kësaj, kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor.

Ndiqni këto këshilla sigurie kur përdorni fishekzjarre:

*Asnjëherë mos u përpiqni të rindizni një pajisje që nuk u ndez herën e parë.

*Mbani një kovë me ujë afër për të ftohur fishekzjarrin e përdorur, shkëndijat dhe për të shuar fishekzjarre të tjera.

*Krijoni një perimetër sigurie. Për fishekzjarre me bazë tokësore, si shatërvanët, lërini spektatorët të shohin nga të paktën 35 metra larg. Për fishekzjarrët ajrore, kjo distancë duhet të jetë së paku 150 këmbë.

*Sigurohuni që të lexoni dhe ndiqni të gjitha informacionet e sigurisë dhe udhëzimet për përdorimin e duhur.

*Mbajini fëmijët e vegjël larg fishekzjarrëve.

*Përdorni fishekzjarre vetëm në një zonë të hapur që është larg kafshëve, ndërtesave ose materialeve të djegshme.

*Pasi të ndizni një fishekzjarre, largohuni shpejt. Etiketat paralajmëruese në fishekzjarrë janë atje për një arsye.

*Mbani kafshët shtëpiake brenda. Për sigurinë e tyre dhe redukton stresin për ju dhe kafshët tuaja shtëpiake.

*Asnjëherë mos lejoni që dikush nën ndikimin e alkoolit ose drogës të përdorë fishekzjarre.

*Asnjëherë mos mbani ose vendosni një pjesë të trupit mbi një fishekzjarre të ndezur.

*Futini të gjitha fishekzjarret e përdorura dhe të papërdorura në ujë për disa orë përpara se t’i hidhni për t’u siguruar që nuk do të ndizen aksidentalisht gjatë asgjësimit.

Qeveria miraton krijimin e sistemit SMIAL, të gjitha të dhënat për studentët nga regjistrimi deri te diploma në një regjistër unik

By: A R
31 December 2025 at 17:30

Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për arsimin e lartë, duke shënuar një hap vendimtar drejt digjitalizimit të plotë të universiteteve.

Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM), miratohet krijimi i Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), i cili do të shërbejë si “truri” elektronik për çdo të dhënë akademike në Republikën e Shqipërisë.

Çfarë është SMIAL dhe kush e menaxhon?

Sipas vendimit, institucioni që do të ketë “çelësat” e këtij sistemi është Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Kjo qendër do të administrojë bazën e të dhënave ku do të grumbullohet çdo informacion, duke nisur nga regjistrimi i studentit në vitin e parë, numri i matrikullimit, ecuria e notave, e deri te lëshimi i diplomës.

Sistemi i ri i jep fund epokës së regjistrave të shkëputur fizikë, duke detyruar të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), publike dhe private, që të hedhin të dhënat në këtë sistem të centralizuar.

Lidhja me Gjendjen Civile

Një nga risitë më të mëdha të SMIAL është ndërveprimi automatik me regjistrat e tjerë shtetërorë. Sistemi do të marrë të dhëna në kohë reale nga:

Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (për identitetin e studentëve);

Sistemi i Tatimeve dhe Regjistri Tregtar;

Regjistri i të Huajve.

Kjo do të thotë se studentëve nuk do t’u kërkohet më të dorëzojnë dokumente që shteti i disponon tashmë, si certifikata personale apo vërtetime të tjera administrative, pasi sistemi i “thith” ato automatikisht.

Transparencë për diplomat dhe kuotat

Vendimi përcakton qartë rolet: Universitetet janë “krijuesit” e të dhënave (hedhin notat, strukturën, diplomat), ndërsa Ministria e Arsimit dhe QSHA konfirmojnë dhe certifikojnë.

Kjo strukturë pritet të rrisë sigurinë juridike të diplomave, duke eliminuar mundësitë për falsifikime apo lëshim diplomash fiktive, pasi çdo diplomë duhet të gjenerohet dhe regjistrohet përmes numrit unik të matrikullimit në sistem.

Gjithashtu, sistemi do të monitorojë rreptësisht kuotat e pranimit dhe tarifat.

Mbrojtja e të dhënave

VKM-ja sanksionon se përpunimi i të dhënave në SMIAL do të kryhet në përputhje të plotë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Aksesi do të jetë i hierarkizuar, ku çdo institucion (Ministria, QSHA, ASCAL, AKFAL) do të ketë të drejta specifike vetëm për sferën e tij të kompetencës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon institucionet përkatëse arsimore për zbatimin e tij, duke hapur rrugën për një menaxhim modern dhe transparent të arsimit të lartë në vend.

374 miliardë lekë deri në nëntor. Kredia zgjerohet pavarësisht kufizimeve të Bankës së Shqipërisë

By: A R
31 December 2025 at 17:23

Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën mbi 32 miliardë euro në nëntor. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se marrë që nga fillimi i vitit, kredia e re e marrë kapi shifrën e mbi 374 miliardë lekëve.

Në raport me janar-nëntorin e vitit të shkuar, huatë janë zgjeruar me 42.5 miliardë lekë apo 12.8 për qind, shkruan A2.

Artur Ribaj, pedagog dhe ekspert i sistemit banker, u shpreh: “Kjo rritje tregon një besim më të madh të qytetarëve dhe biznesit ndaj sistemit bankar, por edhe një nevojë të shtuar për financim në një periudhë me inflacion të ulët dhe interesa më të qëndrueshme”.

Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën mbi 250 miliardë lekë kredi në 11 muaj. Pjesa tjetër e huave iu takon qytetarëve dhe institucioneve publike.

Artur Ribaj theksoi: “E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu, ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 11-mujorin janar-nëntor, u morën në banka nga qytetarët mbi 60 miliardë lekë kredi: “Është një rritje që vjen edhe si reflektim i urbanizimit dhe migrimit të brendshëm. Shtimi i ndërtimeve ka gjeneruar kërkesë të lartë për kredi banesash, veçanërisht në qytetet e mëdha”.

Zgjerimi i kreditimit po ndodh në një kohë që Banka e Shqipërisë ka kufizuar dhënien e huave për blerje të banesave që prej korrikut.

❌
❌