MPB njofton se mbrëmë në orën 20:00, SPB Shkup ka marrë një njoftim se në bulevardin "Kërste Misirkov" në Shkup, një automjet pasagjerësh "Renault" me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.B. (25) nga Shkupi, ka goditur këmbësorin A.I. (19) nga fshati Haraçinë, rajoni i Shkupit.
Në aksident, 19-vjeçarja A.I. ka pësuar lëndime të rënda, siç është konfirmuar në Kompleksin e Klinikave "Nëna Terezë" në Shkup.
Policia njoftoi se një ekip hetimor nga SPB-Shkup ka kryer inspektim në vendin e ngjarjes./Telegrafi/
Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani parashikon ndalim të plotë të reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit. Këto dispozita ligjore vlejnë për publikimet në media, në internet dhe rrjete sociale, si dhe për ngjarje, lojëra shpërblyese, zbritje dhe dhurata, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
"Qasja e lehtë dhe ekspozimi i produkteve rrisin numrin e përdoruesve të rinj, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Largimi i ekspozimit konsiderohet një nga masat më efektive për parandalim. Mbrojtja e fëmijëve është prioritet absolut", vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Përveç ndalimit të shitjes për të miturit – jo vetëm të cigareve klasike, por edhe të të gjitha produkteve të tjera me nikotinë – ligji parashikon edhe: Ndalim të ekspozimit publik të produkteve të duhanit dhe nikotinës në pikat e shitjes; ndalim të shitjes së tyre në objekte hotelerie, sportive, kulturore dhe në ngjarje publike.
Reklamimi ndikon drejtpërdrejt në fillimin e pirjes së duhanit, sidomos tek të rinjtë. Me këto dispozita ligjore parandalohen format e fshehura të promovimit të këtyre produkteve. "Shëndeti publik ka përparësi ndaj interesit komercial",- thekson Aliu./Telegrafi/
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në një konferencë për shtyp prezantoi "disa nga mijëra titujt toksikë", në plasuara në media. Ai tha se mbledhje tyre nuk ishte aspak e vështirë, sepse kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që oktapodi mediatik i OBRM-PDUKM-së ka prodhuar në një periudhë kaq të shkurtër.
"Shikoni, ja si duket jeta e përditshme e LSDM-së dhe meje personalisht. Kështu zgjohemi, kështu biem në gjumë, kështu funksionojmë. Kjo është ajo kundër së cilës luftojmë çdo ditë. Të pavërteta, gënjeshtra, fyerje, ndjekje, linçim, ofendime, etj. Miliona euro janë investuar në këtë. Ky është ekspozimi i tyre.
Pse po e bën qeveria këtë, për të defokusuar nga problemet e vërteta.
Kur filloi të rritet intensiteti i sulmeve ndaj meje dhe LSDM-së? Kur zbuluam se ekzistonte një marrëveshje "emigrantë për para", kur filluam të publikonim "bomba", 161 tendera për një kompani, 52 milionë euro përmes komunave, 9 milionë euro për një kompani me dy punonjës, 1.2 milionë euro përmes Postës, të gjitha për miqtë e Mickoskit. Kur thamë se mungonin një miliard euro, dhe tani, për fat të keq, mungojnë dy miliardë, dhe janari nuk ka mbaruar ende.
Goditja më e ashpër kundër nesh filloi pas njoftimit tonë për "Alfa TV" dhe lidhjen e tyre me një rrjet të tërë që kalon përmes Beogradit, SNS, në Budapest dhe Orban. Dhe ata na sulmuan me të gjitha forcat.
Në Shoqatat e Gazetarëve, pamë një rreze të fundit shprese se ata do të ishin në gjendje të mbroheshin nga presionet e OBRM-PDUKM-së dhe të qëndronin në anën e së vërtetës. Ende po presim një përgjigje për tetë ankesat e paraqitura për fyerje nga Gerovski. Ai më krahason me një vrasës fëmijësh, imagjinoni një vrasës të 300 fëmijëve. Dhe askush nuk reagon.
Askush nuk reagon ndaj të gjitha këtyre që shihni të mbledhura në një vend sot.
Shikoni këto tituj toksikë dhe të tmerrshëm, ato fjalë, ato shprehje. A mund ta imagjinoni si ndihemi? A kemi deklaruar, thënë apo shkruar ndonjëherë diçka të tillë? Jo, kurrë", tha Filipçe./Telegrafi/
Prokurorja Lence Ristoska ka ngritur padi kundër OBRM-PDUKM-së. Ajo thotë se po përdor të gjitha mekanizmat institucionalë që ka në dispozicion, duke theksuar se është e papranueshme që çdo i akuzuar të ushtrojë presion ndaj një prokurori publik, dhe më pak nga një pozicion pushteti.
"Po marr përsipër të gjitha mekanizmat institucionalë që kam në dispozicion, sepse është e papranueshme që çdo i akuzuar të ushtrojë presion ndaj një prokurori publik, dhe më pak nga një pozicion pushteti, dhe kam ngritur padi kundër partisë politike OBRM-PDUKM. Siç dihet, kam paraqitur një raport për Kryeministrin në Këshillin e Prokurorëve Publikë, si një institucion përgjegjës për mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve publikë", theksoi Ristoska.
Ndërsa gjyqet për "Talir 1" dhe "Talir 2" janë duke vazhduar, raste në të cilat OBRM-PDUKM dhe e gjithë prona e partisë në pushtet janë të ngrira, vazhdojnë fyerjet publike të partisë në pushtet OBRM-PDUKM ndaj Ristoskës.
Kohët e fundit, kryeministri Hristijan Mickoski e quajti prokuroren një "mediokre" me një "matricë korrupsioni politik"./Telegrafi/
Sipas të dhënave të paraqitura në Perspektivën e-Tregtisë në Ballkanin Perëndimor 2025, të përgatitur nga Shoqata e-Tregtisë, 63.2% e përdoruesve të internetit në Maqedoninë e Veriut kanë blerë online në vitin 2024, gjë që e pozicionon Maqedoninë midis tregjeve kryesore në rajon për sa i përket pjesëmarrjes në blerjet online, por është ende nën mesataren evropiane, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga Shoqata e e-tregtisë thonë se ky është një sinjal i fortë i kërkesës në rritje, por raporti tregon se rritja e tregtisë elektronike nuk është e mjaftueshme më vete. Çështja kryesore është nëse ekonomia është gati për fazën tjetër, e cila është e-tregtia e mbështetur nga inteligjenca artificiale (AI).
"Inteligjenca artificiale po ndryshon gjithnjë e më shumë mënyrën se si funksionojnë bizneset dhe tregjet e punës, dhe tregtia elektronike është ndër sektorët ku këto ndryshime janë më të dukshme. Nga ofertat e personalizuara dhe marketingu dixhital i zgjuar, deri te optimizimi i logjistikës, menaxhimi i inventarit dhe zbulimi i mashtrimeve të mundësuara nga mjetet e inteligjencës artificiale, e cila po bëhet një nxitës kryesor i konkurrueshmërisë në tregtinë online.
Në këtë drejtim, Rishikimi i e-Tregtisë në Ballkanin Perëndimor 2025 analizon Indeksin e Gatishmërisë për AI-në (AIPI) - një indeks i prezantuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2023 që mat gatishmërinë e vendeve për të aplikuar inteligjencën artificiale në një mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Me një rezultat prej 0.48, Maqedonia e Veriut mbetet ndjeshëm prapa jo vetëm mesatares së BE-së, por edhe tregjeve të Ballkanit, d.m.th. ajo ka një AIPI më të mirë vetëm se Bosnja dhe Hercegovina. Udhëheqësit evropianë si Danimarka, Holanda dhe Estonia tregojnë gatishmëri me një indeks mbi 0.76. Kjo tregon se ekosistemi i biznesit ende nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të shfrytëzuar plotësisht inteligjencën artificiale në tregtinë elektronike për personalizim, automatizim, analizë të të dhënave, logjistikë dhe menaxhim të riskut", thuhet në njoftim.
Nga atje theksojnë se kufizimet kryesore lidhen me infrastrukturën dixhitale, kapacitetin e inovacionit dhe integrimin në ekonominë globale dixhitale, megjithëse ka sinjale pozitive në fushën e kapitalit njerëzor dhe përshtatjes së tregut të punës.
“e-Tregtia në Maqedoninë e Veriut po përjeton një rritje të fortë, por faza tjetër duhet të përqendrohet në cilësi, besim dhe zhvillim të qëndrueshëm, jo vetëm në sasi. Inteligjenca artificiale nuk është një teknologji e së ardhmes, është një realitet i sotëm që po ndryshon mënyrën se si funksionon ekonomia dixhitale. Detyra jonë është të ndihmojmë tregtarët, institucionet dhe konsumatorët e tregtisë elektronike të jenë të përgatitur për këtë transformim, përmes konvergjencës së trendeve kryesore dhe edukimit të vazhdueshëm, iniciativave dhe fushatave”, tha kryetarja e Shoqatës së e-Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, Nina Angelovska Stankov./Telegrafi/
BDI shpreh shqetësim të thellë lidhur me përkeqësimin serioz, për siç thonë, të gjendjes në luftën kundër korrupsionit dhe degradimin institucional në vend.
"Sipas raportit më të fundit të Transparency International, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, duke u renditur në vendin 88 nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë. Kjo rënie drastike është tregues i qartë i humbjes së besimit publik dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore.
Si opozitë, vlerësojmë se kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të luftojë korrupsionin, por me veprimet e saj e ka normalizuar atë. Alarmante janë edhe të dhënat nga Fakulteti i Sigurisë, sipas të cilave çdo i treti qytetar ose një anëtar i afërt i familjes së tij ka pasur kontakt me një zyrtar të korruptuar. Ky fakt nuk është më vetëm çështje morale apo administrative, por, siç u theksua edhe nga ekspertët, korrupsioni sistemik përbën kërcënim serioz për sigurinë e shtetit, pasi paralizon institucionet dhe minon funksionimin e rendit demokratik.
Paralelisht me këtë dështim institucional, shumica parlamentare ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili, sipas organizatës “Green Humane City”, hap rrugë për skandale të reja mjedisore. Ky ligj u jep industrive të drejtën që, nën arsyetimin e “sekretit tregtar”, të fshehin nga qytetarët informacion jetik për llojin e mbetjeve që digjen në fabrikat e tyre. Me këtë ligj, qytetarëve u mohohet e drejta themelore për të ditur nëse po rrezikohet shëndeti i tyre dhe ambienti ku jetojnë", thonë nga BDI. Nga BDI vlerësojnë se korrupsioni po thellohet dhe po shndërrohet në normë; siguria shtetërore dhe besimi qytetar po dëmtohen rëndë; transparenca dhe mbrojtja e mjedisit po sakrifikohen në favor të interesave të ngushta ekonomike./Telegrafi/
Më së shumti borë ka në Kodrën e Diellit ku janë matur 33 centimetra.
15 centimetra janë në Mavrovë, 13 në Manastir, 8 në Gjurishtë, 7 në Krushevë, 5 në Tetovë, Shtip, 2 në Berovë, Pretor, Strumicë, 1 në Vinicë, Kriva Pallankë.
Më i ftohti mëngjesin e sotëm ka qenë në Kodrën e Diellit ku janë matur -4 gradë, ndërsa -3 është në Krushevë, -2 në Mavrovë, Berovë, Tetovë, Kriva Pallankë, -1 në Shkup-Zajçev Rid, Prilep, Kumanovë, Manastir, Shtip, Kavadar dhe 0 gradë në Shkup-Petrovec, Strumicë,Ohër, Vinicë, Gjevgjeli, Demir Kapi.
Përpjekjet e OBRM-PDUKM-së për të shkatërruar LSDM-në nga brenda vazhdojnë përmes Petre Shilegovit. Kjo është tashmë e qartë për të gjithë, akuzojnë sot nga LSDM.
"Duke marrë parasysh prirjet, veset, dobësitë private dhe borxhet e tij, tradhtia e Shilegovit ndaj partisë së tij dhe anëtarëve të LSDM-së është e pritshme.
Siç njoftoi edhe kryetari Filipçe. Gjithçka është dakordësuar, koordinuar dhe sinkronizuar me OBRM-PDUKM-në, kuzhinat e tyre dhe oktapodin mediatik "Alfa-Alta".
Shilegovi përdori të njëjtën retorikë sonte nga konferencat për shtyp dhe njoftimet e OBRM-PDUKM-së, se ne ishim një "parti e izoluar" (term i Mickoskit) që "ulej me Gruevskin". Pse? Për të shpëtuar Mickoskin nga akuzat se është kriminel! Ky operacion special nga OBRM-PDUKM-ja ka vazhduar për disa javë, çdo ditë.
Po e godasin fort LSDM-në: Gero, Ivona, Batman, Naum, kuislingu Despotovski dhe së fundmi Shilegov. Të gjithë komandohen nga një qendër: OBRM-PDUKM. Qëllimi është shkatërrimi i LSDM-së", thonë nga atje./Telegrafi/
Ministria e Brendshme po merr raportime nga qytetarët për një mesazh me email që kanë marrë, gjoja në emër të Drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, ku jepen udhëzime brenda 24 orëve për të shkuar në një stacion policie ose për të dërguar një email kthimi, sepse gjoja, marrësi i mesazhit është subjekt i hetimeve penale për një sërë krimesh të sajuara që ai nuk i ka kryer, siç janë pornografia e fëmijëve, pedofilia dhe trafikimi i drogës.
Qëllimi është që marrësi i mesazhit të regjistrohet përmes emailit dhe të japë të dhënat e tij personale, njoftojnë sot nga Ministria e Brendshme.
"Ministria e Brendshme i informon qytetarët se ky është një mesazh i rremë që nuk është dërguar nga Byroja e Sigurisë Publike - Ministria e Brendshme dhe as nga Departamenti për Krimin dhe Sigurinë Kibernetike. Këto emaile janë një përpjekje klasike për mashtrim ku qëllimi i mashtruesve është të marrin të dhënat personale të qytetarëve me qëllim keqpërdorimin e tyre të mëtejshëm.
Ftesat drejtuar qytetarëve për procedura hetimore nga Ministria e Brendshme nuk dërgohen me email dhe nëse këto mesazhe lexohen me kujdes, menjëherë mund të vërehen gabime në tekst, në kuptimin e faktit se është bërë me një përkthim të dobët në internet, kështu që kuptimi i përmbajtjes së mesazhit tregon se është i dyshimtë, ose më saktë - një mashtrim", thuhet në njoftimin e MPN-së./Telegrafi/
Një në katër të rinj në Evropë punon dhe studion njëkohësisht. Të dhënat më të fundit të EUROSTAT-it për vitin 2024 tregojnë se 25.4 për qind e të rinjve të moshës 15–29 vjeç ishin të punësuar gjatë arsimit formal, duke reflektuar një model ku shkollimi dhe tregu i punës ndërthuren gjithnjë e më shumë. Në shumë vende të BE-së, puna gjatë studimeve shihet si pjesë normale e zhvillimit profesional dhe pavarësisë financiare të të rinjve.
Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut, ky realitet mbetet larg. Të dhënat në vend tregojnë se pjesëmarrja e të rinjve në tregun e punës është dukshëm më e ulët dhe tranzicioni nga arsimi në punësim vazhdon të jetë një nga pikat më të dobëta të sistemit socio-ekonomik. Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve ndërkombëtare, vetëm rreth 20 për qind e të rinjve të moshës 15–24 vjeç në vend janë të punësuar. Edhe në grupmoshën më të gjerë 15–29 vjeç, shkalla e aktivitetit në tregun e punës arrin rreth 46–47 për qind, shumë më poshtë se mesatarja evropiane. Këto shifra tregojnë se një pjesë e madhe e të rinjve ose mbeten të përqendruar vetëm në arsim, ose përjashtohen plotësisht nga tregu i punës.
Një nga treguesit më shqetësues është përqindja e lartë e të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim. Në Maqedoninë e Veriut, norma e të rinjve NEET lëviz mes 20 dhe 24 për qind, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e BE-së. Në kontrast, të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se në vendet e Evropës Veriore dhe Qendrore, si Holanda, Danimarka dhe Gjermania, përqindja e të rinjve që punojnë gjatë studimeve arrin nga 45 deri në mbi 70 për qind. Në këto vende, punësimi studentor është i rregulluar, i mbështetur institucionalisht dhe shpesh lidhet drejtpërdrejt me profesionin që të rinjtë ndjekin në arsim.
Në vendin tonë, puna gjatë studimeve ekziston, por kryesisht në formë joformale dhe jashtë statistikave zyrtare. Shumë studentë punojnë në sektorë me paga të ulëta, pa kontrata të qëndrueshme dhe pa sigurim social, gjë që e bën këtë përvojë më shumë një mekanizëm mbijetese sesa një hap drejt zhvillimit profesional. Pikërisht për këtë arsye, statistikat zyrtare nuk arrijnë të pasqyrojnë realisht përmasat e punësimit gjatë studimeve.
Dimensioni gjinor thellon edhe më tej pabarazitë. Edhe pse vajzat në vend janë më të përfaqësuara në arsimin e lartë, ato përballen me shkallë më të ulët punësimi dhe me pasivitet më të lartë krahasuar me burrat, sidomos pas përfundimit të studimeve. Ky trend përputhet me gjetjet e EUROSTAT-it për Evropën, por në kushtet e tregut vendor, pasojat janë më të theksuara.
Ndryshe, krahasimi me Evropën nxjerr në pah një dallim thelbësor, ku derisa në BE sfida kryesore është balancimi mes punës dhe arsimit, në Maqedoni, sfida mbetet vetë përfshirja e të rinjve në tregun e punës. Papunësia e lartë e rinisë, mungesa e punës së rregulluar studentore dhe përqindja e madhe e NEET-ve tregojnë për një sistem që ende nuk arrin t’i shoqërojë të rinjtë nga shkolla drejt punësimit. (koha.mk)
Avokati Skender Mehmedi, avokat mbrojtës i ish-drejtorit të ISHP-së Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative, Muhsin Arifi, dhe Blerim Amiti, punonjës në institucion, shprehu pakënaqësi me vendimin për dy të akuzuarit në rastin "Geriatria" dhe njoftoi se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup.
"Nuk jam i kënaqur me lartësinë e dënimit që iu shqiptua dy të akuzuarit dhe rrjedhimisht, është e drejta jonë të paraqesim ankesë dhe do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit - Shkup", tha Mehmedi, pasi sot Gjykata Themelore Penale e Shkupit dënoi Arifin me katër vjet burg dhe Amitin me një vit e dhjetë muaj.
Sipas tij, Gjykata mund t'i kishte kushtuar më shumë vëmendje sjelljes së të akuzuarit kur mori vendimin, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me vendimin për paraburgimin e tyre.
"Lidhur me paraburgimin, gjithashtu nuk jemi të kënaqur, sepse besojmë se në përputhje me lartësinë e dënimit, mënyrën e ekzekutimit dhe të gjitha rrethanat e rastit, si dhe sjelljen e vetë të të akuzuarit, në kushtet kur njëri nga të akuzuarit po mbrohet nga liria, gjykata të paktën mund të kishte caktuar një masë arresti shtëpiak ose masa të tjera sigurie", tha Mehmedi./Telegrafi/
Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet në seancën e sotme miratoi unanimisht propozim-vendimin për zgjedhjen e Kryetarit, Zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
"Në përputhje me nenin 27, paragrafi 4 i Kodit Zgjedhor, nga kandidatët në listën e propozuar, partitë politike propozojnë një Kryetar dhe dy anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa partitë në pushtet propozojnë një Zëvendëskryetar dhe tre anëtarë të KSHZ-së", tha Kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Gjorgjija Sajkoski.
OBRM-PDUKM propozoi tre anëtarët Aleksandar Dashtevski, i diplomuar në drejtësi nga Shkupi, Angelço Ristov, i diplomuar në drejtësi dhe magjistër në të drejtën administrative dhe administratë publike nga Dellçeva, dhe Svetlana Karapetrova, ekonomiste dhe magjistër në ekonomi, financa, kontabilitet dhe auditim nga Tetova.
LSDM propozoi ish-ministrin dhe ish-zëvendëskryeministrin, Bojan Mariçiq, për kryetar të KSHZ-së, ndërsa Boris Kondarko, i cili më parë ishte pjesë e KSHZ-së, për anëtar të saj.
BDI propozoi Ditmire Shehun, e diplomuar në drejtësi nga Gostivari, për anëtar të KSHZ-së. Lëvizja Besa, e cila është pjesë e koalicionit VLEN, propozoi Abdush Demirin, ekonomist i diplomuar dhe magjistër në ekonomi dhe financa nga fshati Neproshten – Komuna e Tearcës, për nënkryetar të KSHZ-së.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përbëhet nga shtatë anëtarë (kryetar, nënkryetar dhe pesë anëtarë të tjerë)./Telegrafi/
Në seancën e sotme kuvendare deputeti Halil Snopçe ka akuzuar ministrin e MPB-së, Pançe Toshkovski se me sistemin e "Safe City" po dëmtohen xhepat e qytetarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Hipotetikisht, nëse nuk do të ishte për fazën e testimit, sa para do të mblidhte Ministria e Brendshme nga gjobat që qytetarët do të duhej të paguanin? Sa paga minimale do të nevojiteshin ose sa shporta konsumatori do të duhej të mbushnim duke mbledhur gjobat. Mendoj se i keni këto statistika”, tha deputeti Halil Snopçe, drejtuar Ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, në seancën e sotme për çështje parlamentare.
Snopçe e pyeti Toshkovskin nëse ishte në dijeni të shifrave të mëdha në krizën ekonomike me të cilën po përballen qytetarët dhe, siç thotë ai, “po i ngarkoni me këto gjoba”.
Ministri Toshkovski u përgjigj se me sistemin "Safe City" po shpëtohen jetë njerëzish.
"Në periudhën testuese të projektit "Safe City" u shpëtuan nëntë jetë njerëzore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur u regjistruan 11 vdekje nga aksidente trafiku në territorin e SPB Shkup.
Në periudhën testuese, kemi dy aksidente trafiku me viktima, pra dy vdekje. Nëntë më pak, krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm në periudhën testuese, pa gjoba", tha sot Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Halil Snopçe.
Dhe kjo është meritë e qytetarëve të Maqedonisë, e të gjithë atyre që drejtojnë automjete në territorin e SPB Shkup dhe atyre që vijnë nga Gostivari, Velesi dhe atyre që jetojnë në Shkup dhe drejtojnë një automjet", tha Toshkovski./Telegrafi/
Zv. kryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski deklaroi sot në Kuvend se pajtohet me qëndrimin që futja e sistemit EES për transportuesit duhet të shtyhet.
Nikolloski në seancën për çështjet e opozitës tha se Qeveria mbështet qëndrimin e Odës së Investitorëve të Huaj në Maqedoni në lidhje me sistemin EES për hyrje dhe dalje nga BE-ja dhe njoftoi se pas seancës, do të ketë një takim me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Branko Azeski, për këtë temë.
"Shpresoj që një presion i përbashkët do të japë rezultate. Gjithashtu, në seancën e djeshme të Qeverisë, i ngarkuam detyrë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme që t'i drejtohet përsëri BE-së me një kërkesë për shtyrjen e këtyre rregullave, kështu që shpresoj që ky problem të zgjidhet sepse është i madh dhe sepse paraqet një goditje serioze për ekonomitë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor", tha Nikolloski.
Ai theksoi se kjo është diskutuar me Bashkimin Evropian për më shumë se një vit, por tha gjithashtu se ata nuk kanë gjetur mirëkuptim.
"Do t’u them atyre se ajo që po bëjnë praktikisht do të thotë vdekje për ekonominë në rajon, por do të thotë edhe mbyllje e investimeve të shumta të huaja që veprojnë në rajon, dhe vijnë pikërisht nga vendet anëtare të BE-së. Unë qëllimisht përdor fjalën nga rajoni sepse kjo vlen për të gjithë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Maqedoninë", tha Nikolloski./Telegrafi/
Menjëherë pasi u gjetën 350 mijë euro të fshehura në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit Gjoko Ristov, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar informoi se ky hetim i gjerë për shkak të dyshimeve për korrupsion të nivelit të lartë mbështetet nga informacionet dhe raportet nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Në deklaratën e ASK-së thuhet se në periudhën e kaluar, nëpërmjet kapaciteteve të forcuara operative dhe analitike, bashkëpunimit të përmirësuar ndërinstitucional dhe një qasje proaktive të inteligjencës, Agjencia ka zbuluar disa raste me implikime serioze në siguri dhe institucionale.
"Në këtë drejtim, bazuar në informacionin nga Agjencia, institucionet kompetente po veprojnë në një rast që lidhet me krime të rënda financiare dhe tatimore me dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Paralelisht, po trajtohet një rast që lidhet me dyshimet për korrupsion të nivelit të lartë në sistemin e drejtësisë, në të cilin u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme parash. Këto dy raste tregojnë qartë se krimet e rënda financiare dhe korrupsioni i nivelit të lartë nuk janë vetëm çështje krimesh individuale ose dëmesh buxhetore, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin institucional, sundimin e ligjit dhe sigurinë e shtetit", thuhet në deklaratën e ASK-së.
Javën e kaluar, Prokuroria ndërmori gjithashtu një veprim të veçantë, të ndryshëm, pas një raporti nga ASK, pas të cilit u nis një hetim kundër 20 personave të dyshuar se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me 4.8 milionë euro./Telegrafi/
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thekson se grupi parlamentar i partisë së tij nuk do ta mbështesë Ligjin për Kundërvajtjet, i cili është i rëndësishëm për zbatimin e sistemit "Safe City".
Ai përsëriti se nuk janë kundër sigurisë në trafik, por, thotë ai, nuk mund të lejojmë që sistemi të zbatohet pjesërisht.
"Ne jemi gjithashtu për sigurinë e të dhënave personale, të cilat qeveria përsëri nuk po i komenton dhe as nuk po përpiqet t'i rregullojë. Pamë që u ulën në mbledhjen e liderëve, u pajtuan, kështu që do të shohim se çfarë do të sjellë tregu.
Ne jemi një opozitë konstruktive, por nuk jemi të kontrolluar. Nuk do të lejojmë veten të mbështesim një ligj në të cilin nuk rregullohen aspekte serioze, siç është baza e të dhënave e madhe", tha Filipçe në një konferencë për shtyp në selinë e LSDM-së.
"Safe City" do të fillojë më 1 shkurt. Pas njoftimeve të BDI-së se do të japë dritën jeshile, ajo do të ketë shumicën e nevojshme prej dy të tretash për korrigjime ligjore në Parlament. Megjithatë, ata kërkojnë që vërejtjet e tyre të zbatohen.
Për momentin sistemi "Safe City" është në fazën testuese./Telegrafi/
MPB njofton se ka ndodhur një aksident magjistralen Deve Bair - Kriva Pallankë, në të cilën ka humbur jetën shoferi i kamionit, shtetas i Kosovës.
"Më 21.01.2026, në orën 04:50, në NJPB Kriva Pallankë është denoncuar se në rrugën magjistrale Vendkalimi Kufitar Deve Bair - Kriva Pallankë, në zonën e f. Uzem, rrethina e Kriva Pallankës, një mjet transportues "Skania" me targa të Kosovës, i drejtuar nga N.H. (56) nga Kosova, doli nga rruga dhe ra në greminë.
Nga lëndimet e pësuara në vendin e fatkeqësisë ndërroi jetë shoferi N.H., ndërsa mjeku i Ndihmës Urgjente Mjekësore konstatoi vdekjen.
Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dhënë për autopsi", thonë nga MPB./Telegrafi/
Policia ka ndaluar një punonjës nga Gjykata Themelore e Gostivarit, për shkak se dyshohet se ka marrë ryshfet për të fshirë gjobat e një personi tjetër.
"Më 20.01.2026 në orën 20:10, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Rostushës kanë ndaluar personin A.J.(49) nga fshati Prisojnicë, komuna e Mavrovës dhe Rostushës, për shkak të dyshimit për vepër penale "marrje e ryshfeti" sipas nenit 357 të Kodit Penal.
Sipas denoncimit nga N.A. nga fshati Kalishtë, komuna e Vrapçishtit, A.J. – punonjës në Gjykatën Themelore të Gostivarit, ka kontaktuar mikun e tij S.M. nga Gostivari dhe i ka ofruar që për shumën prej 100 eurosh të fshijë një gjobë gjyqësore prej 200 eurosh dhe ndalesën për drejtim të automjetit prej gjashtë muajsh, duke pretenduar se dokumentet kanë arritur tek ai për ekzekutim dhe se mund t'ia kryejë punën.
Siç është denoncuar, N.A. në emër të shokut të tij ka kontaktuar personin A.J. dhe kanë rënë dakord për një takim në një objekt hotelerik në Gostivar, ndërsa pasi janë takuar, e ka informuar se është gazetar dhe se po xhiron, pas së cilës A.J. ka tentuar të arsyetohet se po bën shaka dhe është përpjekur të arratiset.
A.J. është ndaluar në stacionin policor dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës", thuhet në njoftimin e SPB Tetovë./Telegrafi/
SPB Tetovë njofton se një person ka denoncuar se i janë keqpërdorur të dhënat e tij personale.
"Më 20.01.2026 në DPB Gostivar, një 72-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se i janë keqpërdorur të dhënat e tij personale.
Sipas denoncimit, gjatë marrjes së një vërtetimi për të ardhurat e realizuara nga Drejtoria e të Hyrave Publike, ai ka vërejtur se në dosjen e tij janë regjistruar fitime nga lojërat e fatit në vlerë prej 74.294 denarëve për vitin 2024, të cilat ai nuk i ka tërhequr kurrë.
Siç është denoncuar, ai dyshon se punonjësit në një bastore sportive kanë shfrytëzuar të dhënat e tij nga letërnjoftimi për t'u paguar fitime personave të tretë dhe për shkak të këtyre të ardhurave fiktive ai është përballur edhe me shkurtime financiare të pensionit të tij në Itali. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit", njoftojnë nga SPB Tetovë./Telegrafi/