Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

Thelbësor për Trabzonspor, por klubit turk i duket shumë kjo shifër për Muçin

By: Fax Web
27 December 2025 at 10:50

Ernest Muçi po kalon një moment shumë të mirë në karrierë, me futbollistin e Kombëtares që me fanellën e Trabzonspor po shënon vazhdimisht.

Saktësisht në 5 ndeshje ka gjetur rrugën e rrjetës 7 herë, duke u bërë një lider te skuadra turne.

Tashmë është fakt që Trabzonspor kërkon ë blejë nga Beshiktash kartonin e Muçit, gjë e cila pritet t’u kushtojë arkave të tyre 8.5 milionë euro.

Një operacion jo shumë i lehtë për t’u konkretizuar, kështu drejtuesit kanë nisur të ndërtojnë një tjetër plan nëse “pista Muçi” mund të dështojë.

Në radarin e tyre ka rënë futbollisti i Polonisë dhe bëhet fjalë për Kacper Kozłowski.

22-vjeçari aktualisht është pjesë e Gaziantep dhe fakti që luan në Turqi bën që te Trabzonspor ta kenë në konsideratë sulmuesin polak, i cili në 18 ndeshje ka shënuar 3 gola dhe ka dhuruar edhe 1 asist.

Shpëtoi protestuesin që u dogj nga molotovët e protestës/ Proda, certifikatë inspektorit të policisë

By: Fax Web
27 December 2025 at 10:43

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka akorduar “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” inspektorit Marsel Bicja, i cili ndërhyri me fikse zjarri për të shuar flakët që përfshinë një person në protestën e Opozitës para Kryeministrisë më 22 dhjetor, pas shpërthimit të një molotovi të hedhur.

Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”, është motivacioni i certifikatës së dhënë inspektorit.

Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, tha Proda.

Inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

Shqipëria, mes destinacioneve më të mira për pushime/ “Which?” vlerëson rivierën dhe trashëgiminë historike

By: Fax Web
27 December 2025 at 10:37

Shqipëria vijon të ngjitet në hartën botërore të turizmit, duke u renditur në krye të destinacioneve më të preferuara për pushime.

Media prestigjioze britanike “Which?”, një nga autoritetet më të besueshme për udhëtime dhe shërbime turistike, e ka përfshirë Shqipërinë mes tureve më të dashura nga pushuesit ndërkombëtarë.

Pas një sondazhi me mijëra udhëtarë, “Which?” vlerësoi pothuajse 100 kompani turistike dhe zgjodhi më të mirat për eksperienca të ndryshme udhëtimi. Mes tyre, spikat edhe turi në Shqipëri, i ofruar nga kompania britanike” One Traveller”, e specializuar në udhëtime solo për udhëtarë në moshë.

Në artikull thuhet se Shqipëria është shumë më tepër sesa një destinacion ekonomik buzë Mesdheut. Turi përfshin fshatra të mbrojtura nga UNESCO me arkitekturë osmane, peizazhe mbresëlënëse përgjatë Rivierës Shqiptare, lundrim me anije në mini-gadishuj, vizita në kala historike si dhe degustim verërash, në një vend që njihet si një nga djepet më të hershme të vreshtarisë në botë.

Një ndalesë e veçantë i kushtohet edhe zonës së Liqenit të Prespës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një destinacion ende i paprekur masivisht, por me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

“One Traveller” vlerësohet maksimalisht nga anëtarët e “Which?” për shërbimin ndaj klientit dhe guidat turistike, duke ofruar udhëtime pa kosto shtesë për dhoma teke dhe asistencë 24 orë gjatë gjithë turit.

Sipas të dhënave, paketa turistike në Shqipëri nis nga 2 mijë e 190 paund për person, përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, ekskursionet.

Nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë, “One Traveller” rekomandon muajt maj, qershor, shtator dhe tetor.

Shqipëria ndiqet në këtë listë nga Austria, Japonia apo Anglia Veriore. Një tjetër dëshmi se vendi ynë po shndërrohet në një destinacion elitar për turizmin kulturor dhe natyror, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave dhe udhëtarëve ndërkombëtarë.

VIDEO/ U frikësua për ‘fundin e botës’, nëna merr fëmijët dhe zhduket

By: Fax Web
27 December 2025 at 10:06

Një nënë nga Utah është filmuar nga kamerat e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Salt Lake City-t duke shoqëruar me qetësi katër fëmijët e saj të vegjël drejt terminalit përpara se të hipte në një fluturim ndërkombëtar vajtje — dhe më pas të zhdukej jashtë vendit.

Autoritetet amerikane thonë se 35-vjeçarja Elleshia Anne Seymour ka vepruar në shkelje të marrëveshjeve të kujdestarisë së përbashkët, duke organizuar në fshehtësi udhëtimin e fëmijëve pa dijeninë dhe pëlqimin e baballarëve të tyre. Ajo përballet me katër akuza në lidhje me kujdestarinë.

Dyshohet se u largua nga frika e një “ngjarjeje biblike”

Sipas dokumenteve hetimore, Seymour dyshohet se është larguar pasi kishte një frikë irracionale se Salt Lake City do të shkatërrohej nga një “ngjarje biblike” që shënon “fundin e kohërave”.

Hetuesit thonë se planifikimi ka nisur disa javë përpara largimit.

Pamjet filmike tregojnë Seymour-in dhe fëmijët duke udhëtuar drejt një fluturimi vajtje për në Amsterdam, me destinacion përfundimtar Kroacinë. Disa ditë më vonë, ajo i ka lënë një mesazh zanor njërit prej baballarëve, duke thënë se ndodhej në Francë dhe synonte të kërkonte vendbanim të përhershëm atje.

Hetuesit thanë se në banesën e saj është gjetur një fletore me shënime ku përshkruheshin plane për të copëtuar dokumentet dhe për të hedhur telefonat para udhëtimit, si dhe diskutime për marrjen e pasaportave për fëmijët.

“Nuk dua gjë tjetër veç t’i gjej fëmijët”

Kendall Seymour, babai i tre prej fëmijëve, tha për mediat lokale se pamjet e aeroportit janë “shkatërruese”. Ai shpreson që urdhri i arrestit të shndërrohet në urdhër federal dhe më pas ndërkombëtar.

“Shpresa ime është të marr një telefonatë që ajo është gjetur, dhe të mund të fluturoj menjëherë për t’i marrë fëmijët,” u shpreh ai.

Kendall tha se i ka parë fëmijët për herë të fundit më 24–25 nëntor, kur i ka dërguar në shkollë përpara se të nisnin ditët e kujdestarisë me nënën. Dyshimet u shtuan kur edukatorja telefonoi për të pyetur pse fëmijët nuk ishin paraqitur në çerdhe.

Ai shtoi se bindjet fetare dhe frika e “fundit të botës” kanë qenë një tronditje për të, duke theksuar se nuk kishte parë shenja të tilla gjatë martesës apo pas divorcit.

Autoritetet të shqetësuara për gjendjen e saj mendore

Sipas dokumenteve të akuzës, dëshmitarë kanë treguar se Seymour më parë ka përjetuar kriza emocionale dhe halucinacione. Për këtë arsye, është kërkuar një urdhër arresti pa mundësi lirimi me kusht.

Më 10 dhjetor, policia lëshoi një njoftim për zhdukjen e fëmijëve dhe e listoi Seymour si person që i ka marrë në shkelje të ligjit. Gjashtë ditë më vonë u ngritën zyrtarisht akuzat për ndërhyrje në kujdestari dhe largim të fëmijëve nga shteti.

Çfarë pritet të ndodhë nëse gjendet?

Avokati i së drejtës familjare, Marco Brown, tha për ABC4 se Seymour mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, por nëse provohet se ka probleme me shëndetin mendor, dënimi me burg mund të shmanget.

Sipas tij, në rast se fëmijët kthehen në SHBA, marrëveshja e kujdestarisë mund të rishikohet dhe pasaportat e fëmijëve të mbahen nga autoritetet.

Autoritetet amerikane po bashkëpunojnë me FBI-në dhe agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për gjetjen e Seymour dhe fëmijëve.

Ndërtime pa leje në Butrint/ Prokuroria Sarandë dërgon në gjyq kryeinspektorin dhe inspektorët e IVMT

By: Fax Web
27 December 2025 at 09:32

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve dhe kryeinspektorin dhe inspektorin e Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Sarandë për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Ndërtim i Paligjshëm’, parashikuar nga nenet 248 dhe 199/a/4 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.416 të vitit 2023 rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit..

Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre (MN) sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare” (të përditësuar), ndryshuar me VKM nr 187 datë 25.03.2021 “Rishikim”

Nga ana e punonjësve të IVMT Bashkia nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative ‘dënim me gjobë’.

Sa më sipër u dërguan në gjyq shtetasit:

  • R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal. “Shpërdorimi i tokës” parashikuar nga neni 199 dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” parashikuar nga neni 202/b i K.Penal;
  • Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/4 i K.Penal, “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal;
  • Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe
  • Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Myslimanët sulmojnë të zhgënjyer Mohamed Salah: “Ki frikë Zotin…për të mirën tënde

By: Fax Web
27 December 2025 at 09:17

Ashtu si dy vitet e kaluara, ylli i Liverpool, Mohamed Salah postoi një foto me një pemë Krishtlindjesh për t’u uruar të gjithëve festat e fundvitit, por bashkëbesimtarët e tij edhe këtë herë nuk e pritën mirë.

Ai është në Marok për ndeshjet e Egjiptit në Kupën e Kombeve të Afrikës, por në Angli familja e tij po relaksohet dhe po shijon sezonin festiv, gjë që ka shkaktuar sulme online kundër yllit të Liverpool-it.

Salah postoi një foto të fëmijëve të tij nën pemën e Krishtlindjeve në rrjetet sociale dhe shkroi “Gëzuar Krishtlindjet”.

Por ndjekësit e tij myslimanë nuk e pritën shumë mirë.

Në fakt, ai mori një mori komentesh që shprehnin zhgënjimin e tyre, duke e kritikuar Salah për zgjedhjen e këtij postimi, me shumë që e përshkruanin këtë akt si “të trishtueshëm” për një “përfaqësues të Islamit”.

Disa nga komentet më karakteristike ishin: ”Mo Salah, të doja si tifoz edhe pse mbështes Manchester Cityn. Të shihja si modelin tim. Edhe pse nuk luajte kurrë për Manchester Cityn, më frymëzove. Por pas kësaj, nuk mund të të shoh më si model. Ma theve zemrën.”

Ti je mysliman…duhet ta respektosh fenë dhe kulturën tënde… çfarë po u tregon miliona njerëzve?”

Vëlla, ki frikë Zotin për të mirën tënde. Ti je mysliman dhe miliona të ndjekin dhe të duan, shumica prej tyre myslimanë dhe të rinj. Dhe ata do ta shohin atë që po bën si diçka normale dhe të parëndësishme, ndërsa është një mëkat i madh, një bidat dhe diçka që nuk i përket myslimanëve.”

Nesër Kosova voton/ AFP ngre pikëpyetje: Çfarë ndodh nëse sërish nuk do të ketë “fitues”?

By: Fax Web
27 December 2025 at 08:58

Kosova shkon në zgjedhje më 28 dhjetor pas një bllokimi politik që ka zgjatur muaj të tërë, pasi votimi i shkurtit nuk solli një shumicë të qartë.

Sipas raporteve të AFP, Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje (VV) mbeten favoritë, por një qeveri stabile duket e vështirë të formohet.

“Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk do të sjellin shumë qartësi,” thotë ekonomisti Mehmet Gjata për AFP, duke parashikuar se VV do të dalë sërish e para. Analistja politike Fatime Hajdari konfirmon: “Shanset janë të larta që VV të marrë më shumë vota, por pjesa tjetër mbetet e paqartë.”

Kurti, figura karizmatike e Vetëvendosjes

Albin Kurti, dikur i quajtur “Che Guevara i Kosovës” për aktivitetin e tij radikal si student dhe më vonë për statusin si i burgosur politik, arriti në pushtet në 2021 me një fitore historike që i dha VV më shumë se 50% të votave.

Kombinimi i nacionalizmit me agjendën e reformave e ka bërë popullor në një vend ku sovraniteti është ende sfiduar nga Serbia.

Megjithatë, Gjata paralajmëron: “Mendoj se kriza aktuale do të përsëritet, sepse VV nuk do të marrë më shumë se 50% të votave. Nuk do të kemi një fitues të qartë.” Partitë kryesore opozitare refuzojnë të hyjnë në një koalicion me Kurti, duke garantuar një parlament të fragmentuar.

Politika ndaj serbëve dhe tensionet në veri

Një nga prioritetet e VV ka qenë reduktimi i ndikimit serb në veri të Kosovës, një politikë që ka fituar mbështetje lokale, por ka shkaktuar tensione me Beogradin dhe kritika ndërkombëtare.

Siç raporton AFP, përpjekjet e qeverisë për të reduktuar strukturat serbe të mbetura pas tërheqjes së forcave serbe në 1999 kanë shkaktuar dënime nga Bashkimi Evropian dhe akuza nga Washingtoni për rritje të “paqëndrueshmërisë”.

Sidoqoftë, për qytetarët e Kosovës, largimi i ndikimit serb shihet si një sukses i madh. “Zgjerimi i sovranitetit atje perceptohet nga qytetarët si një fitore e madhe,” tha Hajdari për AFP.

Një vit i “dëmeve kolosale”

Kriza parlamentare ka bllokuar ratifikimin e marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare dhe ka vendosur në rrezik qindra miliona euro ndihma. Dy zgjedhje kombëtare dhe një vendore kanë kushtuar rreth 30 milionë euro këtë vit, ndërsa mbi një duzinë institucione mbeten pa drejtues.

“Ligjvënësit e ndarë kanë vendosur Kosovën në një gjendje anarkie,” tha Gjata për AFP, ndërsa Hajdari shtoi: “Kjo është arsyeja pse Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe funksionale, që të fokusohet te zhvillimi dhe mirëqenia e qytetarëve.”

Zgjedhjet e dhjetorit do të jenë një test i ri për stabilitetin e një prej vendeve më të reja të Ballkanit, ku rezultatet e tyre mund të përcaktojnë drejtimin politik për muajt e ardhshëm.

VIDEO/ “Boxing Day” i sjell fat, Manchester United i mjafton një gol ndaj Newcastle

By: Fax Web
26 December 2025 at 23:14

Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit në Premier League për “Boxing Day”, pati vetëm një ndeshje, Manchester United – Newcastle, e cila është mbyllur 1-0 për “Djajtë e Kuq”.

Pavarësisht mungesave të rëndësishme për shkak dëmtimesh, por edhe për shkak të Kupës së Kombeve të Afrikës, pjesa e parë u dominua totalisht nga “Djajtë e Kuq”.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 24-të, ku Patrick Dorgu shënoi me një goditje fluturimthi, pas një topi të nisur nga rivënia anësore.

Goli i parë për danezin me fanellën e United. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 për Manchester United.

Në minutën e 62-të, “Qymyrxhinjtë” pretenduan për një penallti, për prekje me dorë të topit nga Lisandro Martinez. Ndërhyn VAR, s’ka penallti, loja rifillon normalisht.

Në minutat në vijim të dyja ekipet patën mundësitë e tyre.

Newcastle pati një rast të mirë me Antony Gordon, ndërsa Manchester United me Diogo Dalot, por portugezi gaboi në finalizim. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Me këtë fitore, Manchester United ngjitet në vendin e 5-të me 29 pikë, Newcastle mbetet në vendin e 11-të me 23 pikë.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

Bonus deri në 36,5 mijë euro për një ushtar/ Industria e rekrutimit që po ushqen luftën ruse

By: Fax Web
26 December 2025 at 21:01

Nga Federico Fubini – Corriere della Sera

Vladimir Putin shpesh e krahason agresionin ndaj Ukrainës me “Luftën e Madhe Patriotike” kundër Rajhut të Tretë. Por ndoshta as ai nuk i ka menduar deri në fund pasojat.

Pas 20 ditësh, lufta ndaj Ukrainës e nisur më 24 shkurt 2022 do të ketë zgjatur për Rusinë më shumë se Lufta e Dytë Botërore.

Atëherë “Ushtria e Kuqe”, në 1 mijë e 418 ditë, e zmbrapsi dhe e vuri në ikje Wehrmacht-in, pastaj vazhdoi deri sa pushtoi Evropën qendrore-lindore. 80 vite më vonë, ushtria e Moskës është e bllokuar në disa dhjetëra kilometra katrorë të Donbasit kundër forcave pesë herë më të vogla dhe nuk arrin të konsolidojë kontrollin mbi qendra të vogla të shkatërruara si Pokrovsk dhe Kupiansk.

Konflikti tashmë ka zgjatur aq shumë, sa po formëson mbi vete strukturat e ekonomisë dhe shoqërisë ruse. Lindin përfitime të reja për disa, ndërsa të tjerë dorëzohen në akte të vetëdëmtimit që kujtojnë precedentë fatalë në historinë sovjetike.

Në janar 1969, një student 20-vjeçar nga Praga, Jan Palach, i vuri flakën vetes në sheshin Shën Venceslau si akt denoncimi ndaj pushtimit të Ushtrisë së Kuqe disa muaj më parë.

55 vite më vonë, Vladimir Arsenyev, një sipërmarrës rus aktiv në kompleksin ushtarako-industrial, u lye me benzinë dhe u vetëflijua në Sheshin e Kuq përballë Kremlinit në të njëjtën mënyrë.

Ndërkohë, ka nga ata që nxjerrin zanate të reja nga lufta: për shembull një turmë ndërmjetësish që pasurohen duke i siguruar ushtrisë vullnetarë të gatshëm të firmosin kontrata për të luftuar në Ukrainë.

Rasti i Vladimir Arsenyev e bën atë një përjashtim vetëm për tentativën, të dështuar, për t’i marrë jetën vetes. Jo për kushtet që e çuan në atë akt: sot dhjetëra sipërmarrës rusë të industrisë së luftës janë në burg ose në gjyq për mosarritjen e ritmit të çmendur të dorëzimit të materialit ushtarak të imponuar nga qeveria.

Në rastin e Arsenyev, një shkencëtar 75-vjeçar, kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes parashikonte prodhimin e pajisjeve të komunikimit të integruara në helmetat e ekuipazheve të tankeve.

Kompania që ai drejton, Instituti Qendror i Kërkimeve Shkencore Volna, duhej të dhjetëfishonte prodhimin nga pesë mijë në pesëdhjetë mijë copë në vit për të furnizuar një filial të gjigantit të industrisë ushtarake Rostec. Ky filial mban të njëjtin emër me “shoqatën industriale të kërkimit”, Luch (që përkthehet “rreze drite, rreze lazeri”), e cila para rënies së Murit të Berlinit mblidhte informacione për llogari të KGB-së në Gjermaninë Lindore. Kjo përputhje emrash nuk duket rastësi dhe thotë diçka për strukturën e pushtetit rus që sot udhëheq agresionin ndaj Ukrainës.

Drejtori aktual ekzekutiv i Rostec-it, Sergey Chemezov, punoi për Luch-in e KGB-së në Republikën Demokratike Gjermane në vitet ’80. Ishte atëherë që Chemezov njohu kolegun dhe bashkëmoshatarin e tij Vladimir Putin, dhe ky që nga ajo kohë e ka dashur gjithmonë pranë në detyrat më delikate: në administratën presidenciale të Boris Yeltsin në vitet ’90, pastaj në krye të aparatit ushtarako-industrial kur Putini konsolidoi pushtetin e tij në Kremlin në shekullin e ri.

Pikërisht me njerëz të tillë që u përplas sipërmarrësi dhe shkencëtari Arsenyev me porosinë e tij për radiotransmetuesit e tankeve.

Historia e tij është rindërtuar, për herë të parë, në një shërbim të Reuters. Dorëzimet e Volna për Luch-in, të nisura në vitin 2022, filluan të pësonin vonesa për shkak të disa problemeve të ekonomisë ruse në këto vite lufte.

Me miliona njerëz të përfshirë në përpjekjen luftarake dhe në industrinë ushtarako-industriale, të paktën 650 mijë burra të arratisur jashtë vendit, plus mbi një milion të vrarë e të plagosur në Ukrainë, në ekonominë e formësuar nga Putini mungesa e fuqisë punëtore është tashmë kronike.

Ekonomistët e pavarur Alexander Koryandr dhe Alexandra Prokopenko vlerësojnë se sot kërkesa për punë (përfshirë punësimin aktual) është më e lartë se oferta me disa qindra mijëra njësi.

Për më tepër, sanksionet ngadalësojnë dhe e bëjnë më të shtrenjtë furnizimin me komponentë. Kjo kontribuon në recesionin e rreth tre të katërtave të sektorëve industrialë, sidomos në prodhimet civile, ndërsa edhe prodhimi i armëve, municioneve dhe produkteve metalike të gatshme ngec.

Të gjitha këto probleme rënduan edhe mbi ndërmarrjen e Arsenyev, por pushteti në Rusi nuk pranon justifikime. Dmitry Medvedev, që përfaqëson Putinin në një organ koordinues mes ushtrisë dhe kompanive të quajtur “Këshilli ushtarako-industrial”, në mars 2023 u lexoi sipërmarrësve një telegram të Josif Stalinit që datonte nga Lufta e Dytë Botërore: prodhuesit që do t’u dorëzonin me vonesë armë ushtrisë, pohonte diktatori atëherë, do të “shtrydheshin si kriminelë”.

Që nga 2017, vonesa në dorëzimet ushtarake “për kërkim të fitimit personal” në Rusi është krim i dënueshëm me 10 vjet burg; por nga 2023 refuzimi për të firmosur një kontratë furnizimi për ushtrinë ose vonesat në dorëzime janë të ndjekshme penalisht edhe pa “kërkim të fitimit personal” nga i akuzuari. Këto mekanizma ndëshkues u vunë në lëvizje kundër Arsenyev.

Rostec rishikoi kontratat me kompaninë e tij, duke ulur pagesat dhe duke e çuar Volna-n në prag të falimentimit. Atëherë Arsenyev i vuri flakën vetes disa hapa larg mauzoleumit të Vladimir Leninit, në Sheshin e Kuq.

Dhe rasti i tij nuk është i izoluar. Sipas Reuters, sot në Rusi të paktën 34 sipërmarrës dhe menaxherë të zinxhirit ushtarako-industrial janë në burg: të dënuar ose nën gjyq për “dëmtim” kontratash, porosish dhe dorëzimesh ushtarake që nga fillimi i luftës totale ndaj Ukrainës në 2022.

Ndërkohë, ka nga ata që në luftë kanë gjetur burime të reja fitimi. Faqja ruse e gazetarisë së pavarur Vazhnye Istorii (“Histori të rëndësishme”) raporton për një zanat të ri të lindur në këto vite: ndërmjetësi ose rekrutuesi i burrave për ushtrinë, që për çdo “vullnetar” të ri të destinuar për thertoren e Ukrainës mund të fitojë deri në ekuivalentin e 6 mijë e 100 eurove (ose edhe më shumë në rastet e shpeshta të mashtrimeve ndaj rekrutëve).

Modeli i rekrutimit për luftën synon të shmangë mobilizimet, nga të cilat Putini ka frikë për shkak të papëlqyeshmërisë së tyre. Ushtarët formalisht janë gjithmonë vullnetarë që firmosin një kontratë me ushtrinë, me një bonus hyrës që në disa rajone mund të arrijë deri në 36 mijë e 500 euro dhe një pagë mujore deri në 2 mijë e 200 euro.

Në rastin e rekrutëve të rajonit të Moskës, në disa raste parashikohet edhe fshirja e borxheve personale deri në dhjetë milionë rubla (107 mijë euro). Shumat që mund të ndahen janë pra të konsiderueshme dhe ushqejnë një ekonomi të tërë rreth firmosjes së kontratave.

Faqet ruse të shpalljeve si Avito janë plot me oferta për pozicione si “rekrutues për Operacionin ushtarak special” të publikuara nga agjenci të specializuara. Këta rekrutues mund të punojnë personalisht ose thjesht online, duke u përpjekur të kapin në rrjetet sociale kandidatë të mundshëm për luftën me premtime shpesh të rreme. Reklamohen vende pune si “kuzhinier” ose “shofer kamioni” apo si punonjës i një kompanie furnizimi të ushtrisë në prapavijë. Oferta është gjithmonë mbi bazën e kontratave vjetore, duke lënë të kuptohet se pas dymbëdhjetë muajsh vullnetarët mund të kthehen në shtëpi. Natyrisht, kjo është krejtësisht e rreme.

Pothuajse kurrë agjencitë dhe ndërmjetësit nuk shpjegojnë se kthimi në shtëpi nuk është i parashikuar: pas vitit të parë rinovimi i kontratave është automatik, pa mundësi dorëheqjeje, ndërsa komandanti i njësisë ku caktohesh ka pushtet absolut të dërgojë “kuzhinierët” ose “shoferët e kamionëve” në vijën e parë (siç ndodh rregullisht). Ndërkohë, ndërmjetësit marrin pjesë të bonuseve që u jepen rekrutëve në momentin e firmosjes.

Ata vetë pastaj ndajnë shpërblimin me agjencinë që i ka rekrutuar për të shfrytëzuar rrjetin në kërkim të viktimave.

Dhe meqë Rusia duhet të zëvendësojë çdo muaj rreth 30 mijë të vrarë dhe të plagosur në luftë, tashmë kanë rënë të gjitha barrierat: ndërmjetësit kanë të drejtë të shtyjnë edhe alkoolistët, të varurit nga droga, persona të prekur nga viruse si HIV, hepatiti ose sifilisi të firmosin kontratat.

Shpesh dërgojnë në ushtri burra të sëmurë mbi pesëdhjetë vjeç, të paaftë të ecin njëqind metra me çantën e ushtrisë.

Pas samitit të Anchorage mes Putinit dhe Donald Trump dhe me shkrirjen e marrëdhënieve ruso-amerikane, tani ndërmjetësit përdorin shpesh edhe një argument tjetër: i ftojnë rekrutët e mundshëm të nxitojnë të firmosin dhe të marrin bonusin, sepse një marrëveshje do të ishte “afër” dhe mund të mos ketë më raste të tjera. Ata u lënë të kuptohet se rekrutët mund të dërgohen në shtëpi para se të mbërrijnë në front, sepse, thonë, ditët e betejës po shkojnë drejt fundit. Pak rëndësi ka që ushtria e Putinit është e bllokuar mes rrënojave të Donbasit tashmë për më shumë kohë sesa iu desh Stalinit për të krijuar një perandori në Evropë.

VIDEO/ “Një muaj pa ty”! Bashkëshortja e Shpat Kasapit ndan pamje prekëse të artistit me të birin

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:50

Selvije Jao ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke përkujtuar bashkëshortin e saj të ndjerë, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta një muaj më parë si pasojë e një ataku kardiak.

Përmes një postimi në InstaStory, ajo publikoi një video ku shihet këngëtarin i cili ishte duke luajtur me djali e tij ku shkruan: “Një muaj pa ty”, duke e vendosur dhe një emoji me zemër të thyer.

Kujtojmë se Shpat Kasapi ndërrojë jetë me datë 26 nëntor, ku ishte në Itali së bashku me familjen për kurim të djalit të tij.

Rruga e Shqipërisë drejt Botërorit 2026, Sylvinho për “ESPN Brasil”: Poloninë e njohim mirë…

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:43

Kur flitet për Kupën e Botës 2026, Sylvinho mund të jetë i vetmi trajner brazilian në pankinën e një kombëtareje europiane, një kontrast me Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti. Kjo ka tërhequr vëmendje në Brazil, ku futbolli konsiderohet pjesë e identitetit kombëtar.

Në një intervistë ekskluzive për podcast-in e ESPN Brasil, trajneri i kombëtares shqiptare ka folur për planet e ekipit dhe për mundësinë historike që Shqipëria ka për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për të gjithë vendin. Që nga Europiani kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet për të arritur objektivat,” tha Sylvinho.

“Nga janari do të monitorojmë më nga afër lojtarët tanë dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre.”

Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në gjysmëfinalen e “playoff”-it më 26 mars në Varshavë, një hap kyç drejt Botërorit.

Në rast fitoreje, Shqipëria do të luajë më 31 mars finalen vendimtare kundër fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi.

Sylvinho thekson se ndeshjet e këtij niveli vendosen nga detajet më të vogla.

“Poloninë e njohim mirë, kemi luajtur me ta kohët e fundit. Kanë ndërruar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe të cilësisë së lartë. Ata janë në fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të dukshëm, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutash.”

Në përfundim, trajneri brazilian shprehu besim te skuadra: “Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të forta. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Një përballje e madhe, një mundësi historike dhe një Shqipëri që synon Botërorin. Rruga kalon nga Varshava, ku çdo detaj do të jetë vendimtar.

Sa kushton nata e ndërrimit të viteve në restorante? Çmimet në Tiranë dhe në zonat turistike

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:18

Teksa viti I ri po troket, e gjithë vëmendja shkon tek mbrëmja festive. Disa vite më parë për shqiptarët shihej si një darkë ku familja mblidhej në shtëpi dhe festonte ndërrimin e viteve, tashmë gjithmonë e më shumë për të festuar po preferohen restorantet, të cilët ofrojnë paketa të ndryshme festive.

Çmimet varijojnë nga njëra zonë në tjetrën.

Nga qytetet e mëdha te zonat turistike, çmimi zakonisht lidhet me atë që përfshihet në paketë, menu fiksë, muzikë live, pije pa limit dhe në shumë raste, edhe akomodim e SPA.

Në kryeqytet, ofertat shfaqen kryesisht si menu festive me disa pjata dhe ëmbëlsirë, ku çmimet lëvizin zakonisht nga rreth 8,000- 13.000lekë për person në lokalet e mesme, ndërsa në vendet më të sofistikuara apo me program të plotë, çmimet rriten ndjeshëm. Në disa raste çmimi ndahet qartë mes vetëm darkë dhe darkë plus paketë festive.

Në juglindje, mbrëmjet gala shfaqen shpesh si menu tradicionale e bollshme, e kombinuar me atmosferë festive.

Për Korçën e zonat përreth, çmimet e afishuara shfaqen kryesisht në intervalin 8,500–10,000 lekë për person, shpesh me formulën pije pa limit dhe me tarifa të veçanta për fëmijët.

Në Voskopojë, shumë oferta jepen me rezervim dhe çmimi shpesh komunikohet drejtpërdrejt, sidomos kur paketa lidhet me akomodimin.

Në Durrës, tregu dominohet nga paketat e hoteleve dhe resorteve. Këtu dallimi kryesor është nëse merr vetëm darkën gala apo edhe akomodim.

Çmimet e afishuara nisin nga rreth 80–100 euro për person për darkën, ndërsa paketat me akomodim shkojnë zakonisht në 125–170 euro për person.

Në Vlorë çmimete publikuara varijojnë nga rreth 80-100 euro në opsionet standard, ndërsa resortet që shesin paketa me më shumë shërbime, ofrojnë çmime në nivele më të larta, rreth 159–299 euro, sipas gjatësisë së qëndrimit.

Në veri, qasja duket më e balancuar.

Në Shkodër mund të gjenden paketa nga  80  euro, rreth 80–95 euro, sidomos kur lidhen me akomodim.

Çmimet në restorante nuk lidhet vetëm me menunë, por me paketën e plotë, duke nisur nga ushqimi,pijet e deri tek show apo akomodimi, shkruan Scan.

Mashtrimi me dekoderat piratë dhe IPTV pa licencë, aksion i gjerë i policisë në disa qytete

By: Fax Web
26 December 2025 at 20:02

Duken si një zgjidhje perfekte: qindra kanale televizive, filma pa fund, sporte “live” dhe gjithçka me një çmim qesharak. Por pas kësaj oferte joshëse fshihet një mashtrim i rrezikshëm që po prek mijëra konsumatorë shqiptarë.

Bëhet fjalë për dekodera IPTV pirate, të shitur në mënyrë të paligjshme nga individë apo subjekte fantazmë, madje edhe nga disa ofrues shërbimesh interneti. Pa licencë, pa kontroll dhe pa përgjegjësi, këto pajisje po përhapen masivisht përmes rrjeteve sociale dhe tregut informal.

Së fundmi, një aksion i gjerë i nga Drejtoria e Krimit Kibernetik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka zbuluar një skemë mashtrimi ku disa subjekte përdornin në mënyrë të paligjshme edhe logon e kompanisë “DigitAlb”, duke përfituar shuma parash nga qytetarët.

Hetimet tregojnë se programet televizive transmetoheshin pa licencë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), duke i shkaktuar kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar.

Në kuadër të operacionit “Anti-Pirateria” janë ushtruar kontrolle ndaj shtatë subjekteve në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, ku janë sekuestruar pajisje për kodimin dhe shpërndarjen e paligjshme të kanaleve televizive, si dhe dekodera e pajisje të tjera elektronike.

Hetimet po vijojnë për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të autorit”. Personat e përfshirë do të përballen me përgjegjësi penale sipas legjislacionit në fuqi.

Për konsumatorët, pasojat janë të drejtpërdrejta: në momentet më të rëndësishme sinjali ndërpritet, ekrani bëhet i zi dhe shitësi zhduket. Nuk ka kontratë, nuk ka faturë, nuk ka ankesë dhe as rimbursim.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rreziqe serioze sigurie, pasi disa nga këta dekodera mund të përmbajnë aplikacione të pasigurta që rrezikojnë të dhënat personale dhe rrjetin e shtëpisë. Përveç rrezikut financiar, ekziston edhe rreziku ligjor, pasi përdorimi i shërbimeve pirate e bën përdoruesin pjesë të një aktiviteti të paligjshëm.

Autoritetet e cilësojnë këtë fenomen si një mashtrim të organizuar, që shfrytëzon mungesën e informacionit dhe çmimet e ulëta. Apeli për qytetarët është i qartë: të shmangin burimet e dyshimta dhe të zgjedhin vetëm platforma të licencuara, me shërbim të sigurt dhe transparent.

Sepse ajo që nis si kursim, mund të përfundojë si mashtrim dhe humbje.

Superkupa e Shqipërisë/ Egnatia – Dinamo City, ku dhe kur luhet sfida që mbyll vitin 2025

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:53

E diela e fundit e këtij viti vjen me një ndeshje speciale për futbollin shqiptar, ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë.

Përballja Egnatia – Dinamo City nuk është thjesht një sfidë futbolli, por një spektakël 90-minutësh që meriton të përjetohet nga afër, në shkallët e stadiumit më modern dhe më të bukur në vend, “Air Albania”, duke nisur në ora 19:00.

Një sfidë që shkon përtej një trofeu. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të sezonit aktual dhe të atij që lamë pas, të vendosura për të mbyllur vitin me një sukses madhor dhe për të fituar trofeun e fundit të vitit futbollistik.

Për tifozët e futbollit është thjesht një ndeshje, për tifozët e Egnatias dhe Dinamo City është emocioni i radhës, ndërsa për vetë skuadrat është një dhuratë e vërtetë fundviti.

Dhe kush nuk do të donte ta përmbyllte vitin me një trofe në duar?

Biletat për finalen e Superkupës së Shqipërisë mund të blihen fizikisht në pikën pranë stadiumit “Air Albania”, si dhe online në ebileta.al.

VIDEO/ Aksident me 50 makina, merr flake autostrada në Japoni

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:40

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të premten në autostradën Kanetsu, në zonën e Gunmas të Japonisë, ku janë përfshirë më shumë se 50 automjete.

Sipas raportimeve paraprake nga autoritetet lokale, të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa 26 të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes zinxhir.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë re të dendura tymi që ngrihen në qiell dhe disa automjete të përfshira nga flakët, duke krijuar skena kaotike në autostradë.

Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar të lënduarit dhe për të neutralizuar zjarret.

Autoritetet japoneze kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment të autostradës është ndërprerë përkohësisht.

VIDEO/ Sulmuesi shqiptar rigjen golin në Angli

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:24

Anis Mehmeti u rikthye te goli duke shënuar në fitoren 2-1 të Bristol City në transfertë ndaj West Bromwich, në javën e 23-të të Championship.

Sulmuesit shqiptar i mjaftuan vetëm 4 minuta lojë për të zhbllokuar rezultatin me një goditje nga jashtë zone. Goli i tij i dha avantazhin Bristol City, që më pas shënoi edhe golin e dytë me McCrorie në minutën e 22-të.

Në fund, rrjeta e Mehmetit rezultoi vendimtare për suksesin e skuadrës. Falë kësaj fitoreje, Bristol City u ngjit në vendin e gjashtë me 36 pikë.

Mehmeti ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit këtë sezon. Në 23 ndeshje, ai ka realizuar 7 gola dhe ka dhënë 6 asiste.

Raporti/ SHBA paralajmëron një valë të dytë sanksionesh “Non Grata”

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:18

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë Shqipërinë, ku sipas vlerësimeve konstatohet një nivel i lartë korrupsioni, shtrembërim i konkurrencës dhe ndërhyrje e krimit të organizuar, shpesh e lidhur me politikanë dhe zyrtarë të caktuar.

Në këtë kuadër, Kongresi amerikan paralajmëron një valë të dytë sanksionesh “Non Grata”, si edhe një proces vlerësimi 90-ditor në sektorë strategjikë që kanë qenë së fundmi në qendër të hetimeve ose dyshimeve për abuzime nga SPAK, përfshirë AKSHI-n, KESH-in, OST-në, si dhe institucione dhe ndërmarrje të tjera publike.

“Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, i miratuar nga Kongresi i SHBA-së, evidenton problematikat kryesore në Shqipëri dhe përcakton rrugë konkrete për adresimin e tyre, me synimin e goditjes së korrupsionit dhe fenomeneve kriminale përpara zgjedhjeve të vitit 2027.

Në raport theksohet se, përmes identifikimit të përkrahësve ekonomikë të korrupsionit, figurave të biznesit dhe “ndërmjetësve”, SHBA po ofron një udhërrëfyes të qartë për SPAK-un, për të kaluar nga ngrirja e aseteve drejt arrestimeve në nivele të larta, me qëllim pastrimin e tregut nga konkurrenca e shtrembëruar.

Në fokus të veçantë do të jenë kontratat e AKSHI-t, sektori i energjisë, pastrimi i parave, krimi i organizuar, projektet luksoze bregdetare dhe ndërtimet shumëkatëshe, PPP-të, monitorimi i sistemit bankar si dhe projektet që kanë përfituar status “strategjik”.

Sipas vlerësimeve amerikane, këto masa synojnë të krijojnë kushte për konkurrencë të ndershme dhe institucione më të forta, në prag të një procesi zgjedhor të konsideruar vendimtar për të ardhmen demokratike të vendit.

Pjesë nga raporti i Kongresit Amerikan:

Afati 90-ditor (që përfundon në mars 2026) pas miratimit të Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor shënon një zhvendosje nga goditja e politikanëve individualë drejt çmontimit të rrjeteve financiare që i mbështesin ata.

Në Shqipëri, rezultati më i mundshëm është një “valë e dytë” sanksionesh që lidh statusin Non Grata politik me ndjekjen penale. Duke emërtuar përkrahësit ekonomikë, figurat e biznesit dhe “ndërmjetësit” që lehtësojnë korrupsionin, SHBA po ofron në mënyrë efektive një udhërrëfyes për SPAK-un që të kalojë nga ngrirja e aseteve drejt arrestimeve në nivele të larta, me synimin për të “pastruar” tregun nga konkurrenca e shtrembëruar përpara zgjedhjeve të vitit 2027.

Sektorët kryesorë nën vëzhgim:

Rishikimi 90-ditor i Departamentit të Shtetit synon sektorët ku fluksi i “parave gri” është më i lartë:

-Teknologjia dhe infrastruktura digjitale: Fokus te kontraktorët e AKSHI-t dhe “taksa e korrupsionit” në shërbimet shtetërore digjitale.

-Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi: Shqyrtim i projekteve luksoze bregdetare dhe kullave të larta në Tiranë.

-Energjia dhe shërbimet publike: Mbikëqyrje e korporatave shtetërore të energjisë (KESH, OST) dhe koncesioneve në energjinë e rinovueshme.

-Partneritetet Publike-Private (PPP): Auditimi i kontratave për menaxhimin e mbetjeve dhe infrastrukturën.

-Bankat dhe financat: Monitorim i bankave vendase për të siguruar shkëputjen e tyre nga “lehtësuesit” e rinj të sanksionuar.

-Turizmi strategjik: Rishikim i projekteve që kanë marrë status “strategjik” përmes favorizimit politik”.

Tonali drejt rikthimit në Serie A? Nisin kontaktet mes Newcastle dhe rivalëve të Milanit

By: Fax Web
26 December 2025 at 19:09

Kërcimi cilësor që Juventusi synon për vitin 2026 ka një emër të qartë në mendjen e Luciano Spalletti-t: Sandro Tonali.

Trajneri bardhezi, i cili po monitoron gjithashtu situatën e Davide Frattesit te Interi, e ka identifikuar ish-mesfushorin e Milanit si profilin ideal për të ngritur nivelin e mesfushës dhe për ta kthyer Juventusin në garë për vendin e parë.

Bëhet fjalë për një operacion të ndërlikuar dhe shumë të kushtueshëm, por drejtori ekzekutiv Damien Comolli po punon për ta zhbllokuar me një ide konkrete: përfshirjen e Jonathan Davidit në një marrëveshje shkëmbimi me Newcastle.

Sulmuesi kanadez nuk ka arritur ende të përmbushë pritshmëritë në Torino. David ka hasur vështirësi për t’u përshtatur me skemat taktike, si nën drejtimin e Igor Tudor ashtu edhe të Spalletti-t, duke mos gjetur vazhdimësinë e golave që e karakterizonte në periudhën e tij në Francë. Për këtë arsye, qëndrimi i tij te Juventusi nuk konsiderohet i sigurt.

Në të njëjtën kohë, Newcastle është në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv. Profili i ish-lojtarit të Lille, me një pagë rreth 6 milionë euro në sezon, shifër plotësisht e përballueshme për standardet e Premier League – shihet si një opsion serioz për “Magpies”.

Strategjia e Comolli-t synon të përdorë Jonathan Davidin për të ulur ndjeshëm kërkesën financiare të Newcastle për Tonali-n, i cili vlerësohet aktualisht mes 80 dhe 85 milionë eurove.

Largimi i sulmuesit kanadez do të sillte gjithashtu një përfitim të dyfishtë për Juventusin: lirimin e hapësirës në kufirin e pagave dhe krijimin e kushteve për të përballuar pagën e Tonali-t, e cila pritet të jetë rreth 7 milionë euro neto në sezon, plus bonuset.

Operacioni mbetet i vështirë, por Juventusi duket i vendosur të luajë kartat e tij për të sjellë në Torino një nga mesfushorët më të kërkuar të futbollit europian.

2025, vit i mbarë për Dua Lipën/ Ja sa milionë i ka shtuar pasurisë së saj

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:55

Viti që po lemë pas ka qenë shumë i suksesshëm për yllin e muzikës pop me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

30-vjeçarja i shtoi 29 milionë dollarë këto 12 muaj pasurisë së saj rreth 170 milionëshe, vetëm nga kontratat me marka luksoze si “Porsche” dhe “Versace”.

Britanikja prestigjioze “The Sun” shkruan se kjo shumë është si të fitosh bingo.

Shifra pritet të rritet sërish sapo të arkëtohen fitimet 9-shifrore nga turneu botëror për albumin e saj të fundit “Radical Optimism”, i publikuar vitin e kaluar, prej të cilit pritet të arkëtojë 140 milionë dollarë bruto.

Suksesin ia faturon “mentalitetit të emigrantit” dhe disiplinës së rreptë të trashëguar nga prindërit e saj kosovarë. “Nëse nuk punoj mjaftueshëm, tapeti mund të më tërhiqet nga këmbët në çdo moment”, citohet të ketë thënë ajo në një nga intervistat e fundit.

Dua dhe i fejuari i saj, aktori Callum Turner, po kërkojnë një “strehë” luksoze në Spanjë ose Portugali, me një buxhet që shkon deri në 11 milionë dollarë.

Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

By: Fax Web
26 December 2025 at 18:52

Serbia po përgatitet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak pas më shumë se një dekade, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura.

Shërbimit të detyrueshëm ushtarak do t’i nënshtrohen burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç, ndërsa ky shërbim do të mbetet vullnetar për gratë.

Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, ka deklaruar se afati stërvitor për rekrutët do të jetë 75 ditë.

“Është bërë gjithçka e nevojshme që ne të mund të kthejmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kemi bërë analiza dhe teste të panumërta, duke filluar me kohën optimale që këta të rinj të marrin trajnim bazë ushtarak”.

Gashiç theksoi se ata që do ta kryejnë këtë shërbim do të paguhen.

“Sigurisht që do të jetë ndryshe nga më parë, pasi ata do të marrin një pagë duke shërbyer në ushtrinë serbe. Është planifikuar që 60 ditët e para ata do të flenë në kazermë dhe 15 ditë do të jenë në pozicione kampi në strukturën e stërvitjes. Nga viti 2000 deri në vitin 2012, Ushtria Serbe u reduktua në nivelin e mbrojtjes civile, me vetëm 3,500 burra, pa aviacion dhe me depo bosh”.

Ministri serb i mbrojtjes kujtoi se që nga viti 2012 janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të rindërtuar infrastrukturën dhe pajisjet, gjë që është thelbësore për sigurinë e Forcave të Armatosura Serbe.

❌
❌