EMRA/ Përfundon aksioni i SPAK për “Call Center”-at, 8 persona të arrestuar dhe 3 të shpallur në kërkim
Përfundon operacioni i “Call Center”-ave në Tiranë, i cili nisi mbrëmjen e djeshme.
Mbrëmjen djeshme, oficerët e policisë dhe të BKH-së, përfshirë kreun Joni Keta, zbarkuan në disa kulla luksoze në Tiranë. Nga kontrollet, të paktën 12 persona janë arrestuar deri pasditen e së shtunës.
Më kryesorët, tre vëllezër nga Tropoja, të cilët konsiderohet organizatorë të këtij aktiviteti, janë shpallur në kërkim për skemë mashtrimi, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan kompjuterë dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me mashtrimin e qytetarëve të Bashkimit Europian.
Hetimet në Shqipëri po ndiqen nga prokurori i SPAK, Ened Nakuci dhe një prokuror i huaj.
Mësohet se ky grup përdorte një skemë të mirë menduar për të humbur gjurmët, duke ndërruar herë pas herë ambientet me qira ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm.
Hetimet kanë pasur si indicie edhe një investigim të bërë nga emisioni italian “Le Lene”, ekipi i të cilëve ishte dje në Tiranë gjatë aksionit. Ekipi kishte infiltruar një person, i punësuar si operator në një call center që ndodhej në katin e 13 të kullës “4Ever Green Tauer”, pranë Gjykatës së Lartë në qendër të Tiranës. Por kur zbarkoi BKH dhe policia, aktiviteti i paligjshëm ishte zhdukur.
Sipas investigimit italian, i përfshirë në këtë rrjet është edhe një polici italian i cili rekrutonte të rinj në Itali të cilët më pas dërgoheshin për të punuar si operatorë në call centerat mashtruese në Tiranë, dhe disa shtete të tjera.
Skema bazohet në telefonata që përmes një investimi fillestar 250 euro, premtohen fitime të lehta dhe platforma dixhitale që simulojnë investime në situata të cilat në fakt nuk ekzistojnë.