Pep Guardiola ka thënë se do të qëndrojë te Manchester City, mes thashethemeve që e lidhin atë me një largim nga klubi gjatë verës.
Fillimisht, Guardiola la të kuptohej se do të qëndronte për një kohë shumë të gjatë, përpara se të shtonte se nuk e di çfarë do të ndodhë.
“Në tre ose katër vitet e fundit, çdo herë në një periudhë të caktuar më pyetni për të ardhmen time. Pra, po, herët a vonë në moshën 75 ose 76 vjeçare, do të largohem nga Man City”, ka thënë fillimisht Guardiola.
Enzo Maresca ka reaguar për herë të parë ndaj raportimeve të fundit të gazetarit David Ornstein, të cilat e lidhin trajnerin e Chelseat me një kalim të mundshëm te Manchester City si pasues i Pep Guardiolës.
Në konferencën për shtyp, Maresca u shpreh i qartë dhe i prerë:
“Nuk më ndikon aspak. E di që është 100 për qind spekulim dhe në këtë moment nuk ka kohë për këto gjëra”.
Maresca theksoi se është plotësisht i përkushtuar ndaj Chelseat, me kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, duke nënvizuar krenarinë për pozicionin e tij aktual.
“Kam kontratë këtu deri në vitin 2029 dhe fokusi im është te ky klub. Jam shumë krenar që jam këtu. Janë thjesht spekulime. Një javë më parë ishte e njëjta gjë me Juventusin, ndaj nuk u kushtoj vëmendje”.
Trajneri italian i cilësoi zërat për të ardhmen si spekulime pa bazë, të ngjashme me ato të javëve të kaluara.
“Sërish, janë vetëm spekulime. Është e rëndësishme të kuptohet pse doli ky lajm, por nuk është puna ime. Nuk më intereson aspak dhe fokusi im është te ndeshja kundër Newcastle”.
Trajneri italian theksoi edhe një herë përkushtimin e tij ndaj Chelseat, duke lënë të kuptohet se nuk ka asnjë bazë reale për zërat që qarkullojnë rreth të ardhmes së tij. /Telegrafi/
Pep Guardiola thuhet se tashmë i ka bërë të ditur Manchester Cityt se dëshiron që një trajner nga një klub tjetër elitar ta zëvendësojë atë, pavarësisht se kohët e fundit kanë qarkulluar zëra për një lidhje me trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca.
E ardhmja e Guardiolës është sërish e paqartë, edhe pse trajneri i Cityt nënshkroi një kontratë dyvjeçare në nëntor të vitit 2024 për të zgjatur qëndrimin e tij në klub.
Spanjolli është në krye të Manchester Cityt që nga viti 2016 dhe ka fituar gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh, si dhe disa trofe të tjerë madhorë.
Megjithatë, sipas David Ornstein të The Athletic, City tashmë po shqyrton mundësitë për një pasardhës të mundshëm të Guardiolës, në rast se ai vendos të largohet në fund të sezonit aktual.
Në këtë kontekst, trajneri aktual i Chelseat, Enzo Maresca, thuhet se vlerësohet nga hierarkia e klubit, pasi ka punuar dy herë te Manchester City: fillimisht si trajner i akademisë në sezonin 2020/21 dhe më pas si ndihmës trajner i ekipit të parë gjatë sezonit historik 2022/23, kur City fitoi tripletën.
Ndërkohë, vetë Guardiola ka sugjeruar më herët se trajneri aktual i Bayern Munichut dhe ish-kapiteni i Cityt, Vincent Kompany, një ditë do të rikthehet në Etihad si trajner i klubit.
“Fati i tij për t’u bërë trajner i Cityt është tashmë i shkruar në yje. Do të ndodhë. Nuk e di kur, por do të ndodhë”, është shprehur Guardiola.
Në atë kohë, Kompany ishte trajner i Burnleyt, por që atëherë ai është transferuar te gjashtë herë kampionët e Europës, Bayern Munich, me të cilët fitoi titullin e Bundesligës 2024/25.
Kompany zhvilloi 360 paraqitje për Manchester Cityn mes viteve 2008 dhe 2019, një periudhë gjatë së cilës ndihmoi klubin të fitonte 12 trofe madhorë, përfshirë katër tituj të Ligës Premier./Telegrafi/
Kapiteni i Italisë, Gianluigi Donnarumma, ka shprehur kënaqësinë e tij për faktin që po stërvitet nga Pep Guardiola dhe ka theksuar dëshirën për të qëndruar “për shumë vite” te Manchester City nën drejtimin e trajnerit spanjoll.
Sky Sport Italia ka publikuar një pjesë të shkurtër të intervistës me portierin, e cila do të transmetohet e plotë në ditët në vijim.
Në këtë fragment, Donnarumma flet për përshtatjen e tij te Man City dhe raportin me Guardiolën, duke nënvizuar respektin e madh që ka për të dhe ndikimin pozitiv që trajneri ka në vendimmarrjen dhe qetësinë e tij në fushë.
“E respektoj jashtëzakonisht shumë, kemi një raport të shkëlqyer dhe ai më ndihmon shumë në vendime. Më mban të qetë në çdo situatë. Është ëndrra e të gjithëve të stërvitesh prej tij. Jam me fat që jam këtu dhe shpresoj të kaloj shumë vite me të dhe të shkruaj historinë e këtij klubi. Ai është vërtet i veçantë”, ka thënë Donnarumma.
Portieri italian iu bashkua Man Cityt në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar, pasi i kishte mbetur vetëm një vit kontratë me Paris Saint-Germain dhe palët nuk kishin arritur marrëveshje për rinovim.
Këtë sezon në Ligën Premier, Donnarumma ka regjistruar gjashtë ndeshje pa pësuar gol në 13 paraqitje, duke pranuar gjithsej 12 gola.
Kontrata e tij me Man Cityn skadon në qershor të vitit 2030, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Në moshën 26-vjeçare, kapiteni i Italisë ka tashmë 79 paraqitje me kombëtaren. /Telegrafi/
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, vlerësoi performancën e mesfushorit Rayan Cherki në ndeshjen kundër Brentford në çerekfinalet e Kupës së Ligës Angleze (2-0).
Futbollisti francez hapi rezultatin në minutën e 32-të të ndeshjes me një gjuajtje në këndin e sipërm nga jashtë zonës së 16-të metërshit.
Paraqitja e tij e mirë ndaj Brentfordit, por edhe vazhdimësia e tij kanë bërë që Guardiola ta lavdëroj Cherkin, duke e cilësuar si lojtar fantastik.
“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm pranë zonës së penalltisë së kundërshtarit”, ka thënë fillimisht Guardiola pas ndeshjes.
“Ishte një gol fantastik, dhe madje edhe një burrë ose grua e verbër mund ta kuptojë se ai është një lojtar fantastik; nuk duhet të jesh gazetar apo trajner për ta parë këtë”.
“E kam parë Phil Foden të shënojë gola të tillë shumë herë, dhe Kevin De Bruyne e ka bërë këtë edhe më parë, kështu që jam i lumtur që rezultati u hap në atë mënyrë”, përfundoi trajneri i Cityt. /Telegrafi/
Ish-ylli i Manchester Cityt, David Silva, ka folur hapur për ndikimin që Pep Guardiola pati në karrierën e tij, duke e përshkruar punën nën drejtimin e trajnerit aktual të Cityt si "një nivel tjetër".
Silva është njëri nga legjendat e mëdha të Cityt, pasi luajti te klubi nga Etihad për 10 sezone, teksa fitoi 13 trofe, ndër to katër Liga Premier.
Ai erdhi si një djalë i ri nga Valencia, por u rrit shpejt duke u bërë njëri nga mesfushorët më të mirë sulmues në botë.
Megjithatë, Silva ia ka atribuuar suksesin e tij trajnerit Guardiola, i cili sipas tij e ripërcaktoi rolin e tij në fushë.
"Unë kam luajtur shumë në krah, megjithëse lëvizja në qendër, dhe ai më vendosi në mes. Ai pozicion më përshtatej në mënyrë të përkryer", ka thënë fillimisht Silva.
"Puna me të ishte në një nivel tjetër, sepse ai tashmë dinte gjithçka që do të bënte skuadra tjetër, ai i kishte të gjitha të përgatitura dhe gjërat thjesht ranë në vendin e tyre gjatë ndeshjes. Është një nivel tjetër", përfundoi spanjolli. /Telegrafi/
Ish-trajneri i famshëm i Liverpoolit, JUrgen Klopp, ka zbuluar “Malin Rushmore” të trajnerëve më të mëdhenj në historinë e futbollit në profilin e tij në Instagram, duke përzgjedhur katër legjenda që sipas tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sport.
Në këtë listë, 58-vjeçari gjerman nuk përfshiu as veten, as disa emra të tjerë të njohur të Ligës Premier, shkruan Daily Mail.
Një vizionar dhe rival i madh
Klopp e filloi përzgjedhjen me dy trajnerë që revolucionarizuan futbollin modern dhe që të dy kanë udhëhequr Barcelonën: Johan Cruyff dhe Pep Guardiola.
“Ky është ‘trajneri im i futbollit’ në Mount Rushmore dhe është vërtet e vështirë të zgjedh katër, por do të përpiqem”, deklaroi Klopp.
“Johan Cruyff është trajneri më me ndikim që kam njohur ndonjëherë. Mënyra se si e shihte dhe e kuptonte futbollin është thjesht e pakrahasueshme”.
Johan Cruyff
Sa i përket Pep Guardiolës, Klopp shtoi: “Mund të thuash të njëjtën gjë për të. Kam pasur mundësinë të përballem me të dhe e di sa e vështirë ishte. Rivaliteti ynë zgjati për gati një dekadë, si në Gjermani ashtu edhe në Angli, ku ekipet tona garuan për trofetë më prestigjiozë vendas dhe evropianë”.
Edhe pse Guardiola ka fituar më shumë tituj kampionati (gjashtë ndaj njërit të Klopp), gjermani ka një rekord më të mirë në ndeshjet kokë më kokë: 11 fitore për Klopp ndaj 10 për Guardiolën, më shumë humbje se sa spanjolli ka pësuar kundër ndonjë trajneri tjetër në karrierën e tij.
Guardiola telegrafi.com
Legjenda nga "Old Trafford" dhe zgjedhja e katërtë
Anëtarin e tretë të “Malit Rushmore”, Klopp e zgjodhi Sir Alex Ferguson, trajnerin që dominoi futbollin anglez me Manchester United dhe që në një periudhë rrëzoi Liverpoolin nga froni, përpara se vetë Klopp t’i kthente Reds në krye në vitin 2020.
Për anëtarin e katërt, Klopp shqyrtoi disa emra të mëdhenj, përfshirë dy legjenda të Liverpoolit që kishin lënë gjurmë të mëdha në klub para tij. Në fund, vendosi për Bill Shanklyn, njeriun që hodhi themelet e dinastisë së Liverpoolit në vitet 1960.
“Dhe tani mezi mund të vendos. Carlo Ancelotti është padyshim në mendjen time. Bill Shankly, Bob Paisley, kam dëgjuar kaq shumë për ta, sa nuk i kam parë kurrë. Por po, dua ta shoh Bill Shankly në Malin Rushmore. Kaq është”, pranoi Klopp.
Në listën e Klopp nuk kishte vend për disa nga trajnerët më të mëdhenj të epokës moderne. Veçanërisht të dukshme janë mungesat e ish-trajnerëve, Jose Mourinho dhe Arsene Wenger, të cilët së bashku kanë fituar gjashtë tituj të ligës angleze.
Gjermani e la jashtë edhe bashkëkombësi i tij legjendar, Franz Beckenbauer, të cilin dikur e quante “personi më me ndikim në futbollin që Gjermania ka pasur ndonjëherë”.
Edhe pse Beckenbauer nuk u përfshi në listë, Klopp theksoi pas vdekjes së tij se e vlerësonte jashtëzakonisht kontributin e tij.
Jurgen Klopp
Në këtë mënyrë, Jurgen Klopp ka ofruar një vështrim personal dhe të thellë mbi historinë e futbollit dhe figurat që e kanë formuar atë, duke krijuar një listë që kombinon vizionin, inovacionin dhe ndikimin afatgjatë në sport. /Telegrafi/
Real Madridi mund të përballet me një vendim të rëndësishëm në afatin kalimtar, pasi Rodrygo Goes është rikthyer në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdha evropiane.
Sulmuesi brazilian 24-vjeçar po kalon një sezon të paqëndrueshëm, ku pavarësisht minutave të shumta në dispozicion, nuk ka arritur të reflektojë pritshmëritë me shifra vendimtare, duke rihapur debatet rreth rolit të tij në skuadër.
Klubi madrilen është i vetëdijshëm për vlerën e lartë të Rodrygos në tregun ndërkombëtar.
Interesimi për të nuk ka munguar asnjëherë, me klube nga Liga Premier, Bundesliga dhe Arabia Saudite që kanë monitoruar situatën e tij.
Në këtë kontekst, Real Madridi mund të jetë i gatshëm të dëgjojë oferta, veçanërisht nëse ato përputhen me strategjinë e rinovimit të skuadrës dhe balancimit financiar.
Manchester City shfaqet si kandidati më konkret për shërbimet e brazilianit.
Pep Guardiola e vlerëson lart profilin e tij dhe beson se Rodrygo do të përshtatej në mënyrë perfekte me filozofinë e lojës së kampionëve të Anglisë.
Klubi anglez është i gatshëm të ofrojë rreth 80 milionë euro, një shifër që konsiderohet serioze dhe që mund ta vendosë Real Madridin përballë një dileme të vështirë.
Nga njëra anë, drejtuesit e “Los Blancos” e vlerësojnë kontributin dhe përkushtimin e Rodrygos në vitet e fundit, por nga ana tjetër, një ofertë e tillë për një lojtar që nuk po kalon momentin më të mirë sportiv mund të përfaqësojë një mundësi të rrallë tregu.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim, ndërsa e ardhmja e Rodrygos mbetet e hapur mes qëndrimit në “Santiago Bernabeu” dhe një kapitulli të ri të mundshëm në Manchester City. /Telegrafi/
Pavarësisht fitores së thellë 3-0 të Mançester Sitit ndaj Kristal Palas, Pep Guardiola nuk ishte plotësisht i kënaqur me performancën e ekipit të tij, veçanërisht me atë të Fill Foden.
Siti kontrolloi posedimin e topit për periudha të gjata dhe bëri përshtypje me cilësinë e lojtarëve të tyre më të mirë, Erling Haland shënoi dy herë dhe goli i Foden në minutën e 69 ë, i asistuar nga Rajan Çerki, vulosi një ndeshje që nuk kishte qenë kurrë në dyshim.
Megjithatë, pas përfundimit të sfidës, vëmendja e Guardiolës u përqendrua te anglezi i ri. Ndërsa pranoi ndikimin e tij vendimtar, trajneri katalanas theksoi aspekte të lojës së tij që nuk e bindën.
“Ai e humbi topin shumë herë, ishte shumë i nxituar në çdo vendim”, shpjegoi Pep. “Fill duhet të mësojë të menaxhojë më mirë ritmin, të luajë më qetësisht, të ruajë posedimin, të lëvizë topin dhe të ndryshojë ritmin vetëm në momentin e duhur”, përfundoi ai.
Me 10 gola gjithsej në të gjitha garat, Foden mbetet një lojtar kyç në ekipin e Sitit, por Guardiola, besnik ndaj filozofisë së tij, nuk është i kënaqur.
Edhe kur fiton me autoritet, qëllimi është t’i çojë talentet e tij në një nivel edhe më të lartë përsosmërie.
Pep Guardiola, ka be fasuar të gjithë, pasi nuk është paraqitur në konferencën për media para ndeshjes së fundjavës ndaj Kristal Palas.
Befasisht para gazetarëve doli legjenda, Kolo Toure. Toure është asistent i Pepit dhe ai tregoi arysen pse trajneri mungon.
“Pep Guardiola është mirë, mungesa e tij është për shkak të një çështjeje të vogël personale. Ai do të jetë në stol gjithsesi kundër Kristal Palas për kampionat”, u shpreh Toure.
Gjithashtu, ish-lojtari i Sitit foli edhe për ndeshjen që pret “Citizens” pas asaj me Realin, teksa u shpreh se do të përballen me një kundërshtar të fortë.
“Mund të them se Palas është një skuadër shumë e fortë, e vështirë për t’u thyer. Por, fokusi është ta bëjmë futbollin tonë”, vazhdoi Toure.
Kujtojmë se Mançester Siti në Premier Ligë rikthehet pas një fitoreje të madhe në “Santiago Bernabeu” ndaj Real Madridit në UEFA Champions League.
Pikërisht me atë rast, tekniku spanjoll, Guardiola, pak ditë më parë zbuloi përgëzimet sidomos për Rodrigon e Realit. Braziliani shënoi golin e tij të pestë kundër Sitit në karrierë, duke thyer një seriprej 32 ndeshjesh pa gol me fanelën e madrilenëve. Guardiola ishte shprehur: “Shkova te Rodrygo dhe i thashë: çfarë lojtari, je i pabesueshëm”.
Rodrygo ka qenë prej kohësh në radarët e Guardiolës. Dhe sipas raporteve, Siti tentoi ta transferojë në verën e kaluar, por marrëveshja nuk u realizua.
RODRI, KUR KTHEHET?! – Ndërkaq, mesfushori spanjoll Rodri vazhdon të ketë probleme me rikuperimin pas dëmtimit dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme të Manchester Cityt. Situata është e vështirë për kampionët e Anglisë, pasi lojtari ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës në vitet e fundit.
Statistikat e fundit të Rodrit pas dëmtimit të rëndë, që e la gati 1 vit jashtë, janë këto: Vetëm 1 minutë lojë më 2 nëntor; 22 minuta më 5 tetor; Vetëm 5 ndeshje si titullar që nga gushti.
Rodri po punon fort për t’u rikthyer sa më shpejt, veçanërisht në këtë sezon të rëndësishëm ku përkon edhe me përgatitjet për Kupën e Botës. Mungesa e tij është një goditje e madhe për Pep Guardiolën, i cili e sheh si lojtar kyç në mesfushën e skuadrës së tij.
Autor i një prej golave që i siguruan Manchester Cityt fitoren në ‘Santiago Bernabeu’, Erling Haaland rikthehet në qendër të vëmendjes.
Sulmuesi norvegjez konsiderohet një nga lojtarët më të kërkuar, pavarësisht kontratës së tij afatgjatë me Manchesterin.
“Ky është një vend i vështirë për t’u vizituar, por kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer. Mund të kishim shënuar edhe më shumë gola”, ka thënë fillimisht Haaland.
“Ndeshja ishte shumë kaotike, nuk e kontrolluam dot plotësisht, por fituam dhe jemi të kënaqur”, përfundoi Haaland pas ndeshjes kundër Real Madridit, që përfundoi me fitoren e Cityt në fushën e kundërshtarit.
Norvegjezi shënoi golin e tij të 21-të në po kaq ndeshje këtë sezon, duke kontribuar edhe me 3 asistime.
Ai është një golashënues kyç, një prej më të mirëve në momentin aktual, por i mbrojtur mirë nga Pep Guardiola dhe stafi i tij, falë kontratës së re të nënshkruar deri në vitin 2034.
Sipas gazetës AS, Haaland ka lënë një përshtypje shumë të mirë nga vizita në 'Santiago Bernabeu', duke lënë gjithmonë të hapur mundësinë e një transferimi të mundshëm në të ardhmen.
Gazeta kujton gjithashtu klauzolën e zgjidhjes që sulmuesi negocoi me agjenten e tij, Rafaela Pimenta, gjatë rinovimit të fundit.
Kjo i jep Haalandit mundësinë të konsiderojë opsione të tjera, përfshirë një transferim të mundshëm te madrilenët, edhe pse aktualisht kjo duket larg realitetit. /Telegrafi/
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk e fshehu aspak admirimin e tij për një nga lojtarët më të spikatur të Real Madridit pas ndeshjes së së mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve në “Bernabeu”.
Skuadra e Guardiolës u ngjit në vendin e katërt në tabelën e fazës së ligës së Ligës së Kampionëve pasi golat e Nico O’Reilly dhe Erling Haaland siguruan fitoren 2-1 ndaj Madridit.
Rodrygo, i cili gjatë verës u lidh fuqishëm me një transferim te City, shënoi golin e tij të parë pas 32 ndeshjesh duke kaluar Los Blancos në epërsi në minutën e 28-të.
Por miqtë përmbysën rezultatin me dy gola në pjesën e parë, duke e lënë Xabi Alonson në prag shkarkimi pas raportimeve për një takim “krize” me presidentin e Madridit, Florentino Perez.
Pas përfundimit të ndeshjes, Pep Guardiola, i entuziazmuar, u pa duke iu afruar menjëherë golashënuesit Rodrygo.
Në fakt, Guardiola foli për admirimin e tij ndaj sulmuesit brazilian, vetëm disa muaj pasi City raportohej se po “konsideronte” një lëvizje për të.
“I thashë Rodrygos sa i mirë është. Ai është një lojtar nga një nivel tjetër. Ky djalë është në një nivel tjetër. Jam i lumtur që është rikthyer nga dëmtimi. Është shumë, shumë i mirë”, ka deklaruar tekniku spanjoll.
Që në gusht, City dukej se ishte futur në garë për të nënshkruar me Rodrygon, në prag të largimeve të James McAtee dhe Jack Grealish.
Megjithatë, një lëvizje e mundshme për të u përjashtua pasi ‘Los Blancos’ kërkonin rreth 100 milionë euro për kartonin e tij./Telegrafi/
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola , e vlerësoi lart Rodrygon e Real Madridit pas fitores 2-1 në Ligën e Kampionëve në Bernabeu.
Ylli brazilian kishte hapur rezultatin në minutën e 27-të me një kundërsulm të shkëlqyer duke kaluar Real Madridin në epërsi 1-0.
City u kundërpërgjigj në fund të pjesës së parë nëpërmjet Nico O'Reilly për 1-1 dhe Erling Haaland për 1-2 për të siguruar pikët dhe për t'u ngjitur në tetë vendet e para.
Guardiola pranoi se Real Madridi dominoi në fillim, me Rodrygon që po rezulton një kërcënim i vazhdueshëm së bashku me Vinicius Jr.
“I thashë Rodrygos sa i mirë është. Ai është një lojtar nga një nivel tjetër... ky djalosh është një lojtar në një nivel tjetër”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“Jam i lumtur që është rikthyer nga lëndimi. Ai është vërtet i pabesueshëm", përfundoi trajneri i Cityt.
Admirimi i Guardiolës pasqyron komentet e kaluara, duke e quajtur Rodrygon lojtarin e tij të preferuar të Real Madridit. /Telegrafi/
Manchester City ka marrë fitore me përmbysje ndaj Real Madridit 2-1 në një ndeshje spektakolare në Ligën e Kampionëve.
Pep Guardiola u shpreh për TNT Sports pas fitores 2-1 të Manchester Cityt ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, një triumf i rëndësishëm në një nga stadiumet më të vështira në botë.
“Mund të ishte më mirë. Shumë e vështirë këtu. Katër ose pesë lojtarë luajtën për herë të parë në këtë stadium. Duke fituar këtu, duhet të jemi të lumtur, veçanërisht për sa i përket pikëve".
"Kemi 13 dhe tani gjithçka është në duart tona për të përfunduar mes tetë ekipeve të para. Ky është objektivi. Të fitosh këtu, sidomos pas Leverkusenit, është shumë mirë", tha Pep.
Trajneri spanjoll vlerësoi paraqitjen e lojtarëve të rinj në këtë sfidë.
“Matheus Nunes ishte shumë i mirë. Mbrojtësit e krahut po ashtu. Rayan Cherki luajti për herë të parë këtu. Nico O’Reilly pati një performancë të jashtëzakonshme".
"Jeremy Doku na ndihmoi shumë me energjinë dhe lëvizjet e tij. E nisëm me një gabim, por prisja që ata të bënin presion më të lartë. Në fakt, ranë më poshtë dhe për ne u bë më e vështirë, por e pranuam këtë ritëm".
Guardiola foli edhe për cilësitë e jashtëzakonshme të lojtarëve të Real Madridit.
telegrafi.com
“Rodrygo, Vinicius Jr, Jude Bellingham… lojtarë të shkëlqyer. Shpejtësia që ata kanë në sulm është shumë e rrezikshme. Prandaj nuk mund të qëndrosh lart, duhet të jesh i përkushtuar në mbrojtje. Në disa momente na mungoi diçka, kështu që ka ende hapësirë për t’u përmirësuar”, përfundoi Pep.
Real Madrid kaloi i pari në avantazh, por Manchester City arriti të përmbyste rezultatin para pushimit të pjesës së parë me golat e Nico O’Reilly dhe Erling Haaland, duke vulosur një fitore të rëndësishme në rrugën drejt objektivave të sezonit. /Telegrafi/
Estevao Willian është bërë objektivi kryesor i Manchester Cityt dhe klubi thuhet se është i përgatitur të thyejë kufirin e vet financiar për ta nënshkruar atë. Burime në Angli pretendojnë se “Qytetarët” po përgatisin një ofertë afër 120 milionë eurosh, të bindur se braziliani është një nga talentet e rinj më premtues në botë.
Projekti i Pep Guardiolës synon të forcojë më tej strukturën e sulmit dhe ata besojnë se Estevao zotëron të gjitha cilësitë për të udhëhequr një epokë të re. Menaxhmenti i Cityt e ka bërë të qartë brenda klubit se do të bëjë çdo gjë për të fituar garën për lojtarin, madje duke marrë në konsideratë dyfishimin e pagës së tij për ta vendosur atë midis lojtarëve më të paguar në skuadrën e tyre.
Sipas gazetës Sport, për gjigantin e Ligës Premier, anësori brazilian përfaqëson një investim strategjik: i ri, ndikim të menjëhershëm dhe një potencial rritjeje që pak lojtarë në tregun aktual mund ta ofrojnë.
🚨 Manchester City are prepared to make Estêvão their most expensive ever signing with an offer of £105M on the table. City would also be willing to double his wages believing him to be the most exciting young player on the planet.
Aftësitë e tij në driblim, kuptimi i lojës dhe aftësia e tij për të bërë diferencën në hapësira të ngushta e bëjnë atë një përshtatje të përsosur për sistemin e Guardiolës, i cili gjithmonë përqendrohet te lojtarët dinamikë dhe teknikisht të talentuar.
Emri i Estevaos ka qenë i pranishëm në diskutimet e menaxhmentit sportiv të Cityt për muaj të tërë, por vendimi i fundit për ta rritur ofertën te shifrat më të larta në historinë e klubit tregon se nuk bëhet fjalë më vetëm për interes, por për një ofensivë të plotë.
Ndërkohë, Chelsea ka vendosur të shtrëngojë radhët rreth sulmuesit të tyre të ri. Klubi londinez e konsideron brazilianin një pjesë thelbësore në rindërtimin e tyre sportiv dhe nuk dëshiron të ndahet prej tij në asnjë rrethanë.
Menaxhmenti i Bluve pohon se potenciali i tij mund të përcaktojë një epokë në ‘Stamford Bridge’, kështu që çdo përpjekje për negociata është, për momentin, jashtë diskutimit.
Edhe pse 120 milionë euro është një shifër që mund të joshë çdo klub, Chelsea e kupton se shitja e një lojtari 18-vjeçar të destinuar të udhëheqë sulmin e tyre do të dobësonte planin që ata janë përpjekur ta forcojnë prej vitesh. Ata e shohin Estevaon si një simbol të projektit, jo vetëm si një aset financiar. /Telegrafi/
Pep Guardiola nisi mesazhin e tij duke theksuar përvojën e madhe që ka në garën për titull dhe rëndësinë e qëndrueshmërisë në Liga Premier.
Ai u shpreh se nuk dëshiron të tingëllojë arrogant, por përvoja e ka mësuar se suksesi vjen vetëm nga stabiliteti gjatë gjithë sezonit.
Ky është një paralajmërim i qartë për liderin aktual të Ligës Premier, Arsenalin pas gabimit të bërë dhe City tani është vetëm dy pikë mbrapa.
“Nga përvoja ime, më vjen keq që nuk dua të ndihem arrogant, por kam mjaft përvojë në fitimin e Ligës Premier dhe titujve, është qëndrueshmëria”.
Më pas, ai e shpjegoi se qëndrueshmëria nuk ndërtohet nga një ndeshje e vetme apo një rezultat i izoluar, por nga mënyra se si skuadra performon çdo javë dhe rritet gradualisht gjatë vitit.
"Dhe qëndrueshmëria vjen vetëm nga një gjë: mënyra se si luan. Jo nga një rezultat një ditë, apo një fitore për të shkuar dy pikë prapa ose katër pikë përpara, qëndrueshmëria është mënyra se si performon, sa shumë rritesh gjatë vitit", tha Guardiola.
Guardiola nënvizoi gjithashtu se për Cit-n kjo ishte një nga paraqitjet më të mira të sezonit, duke shtuar se edhe nëse Arsenali ka qenë i fortë, ai pret që ata të humbasin shumë pak pikë gjatë rrugës.
"Dhe sot ndoshta ishte një nga performancat më të mira të sezonit gjatë 94 minutave. Kam ndjesinë - edhe nëse sot humbën pikë - Arsenali do të humbasë pak, pak, pak, pak pikë", u shpreh trajneri spanjoll.
“Jam shumë i vjetër dhe lojtarët nuk më respektojnë!”, Guardiola i nervozuar me rrezikimin e fitores ndaj Fulhamit telegrafi.com
Në fund, tekniku spanjoll përsëriti se rruga drejt titullit kërkon fitore të njëpasnjëshme dhe se këto fitore nuk varen nga fati, por nga mënyra se si luan skuadra çdo javë.
"Nëse duam të jemi atje, duhet të fitojmë ndeshje, ndeshje dhe ndeshje. Dhe ndeshjet vijnë nga mënyra se si luan, jo vetëm nga një ditë me fat apo veprim me fat", përfundoi Pep. /Telegrafi/
Ylli argjentinas, Lionel Messi ka folur hapur për vlerësimin e tij për legjendën e Barcelonës, Pep Guardiola.
Guardiola dhe Messi krijuan një nga partneritetet më të suksesshme të futbollit në Barcelonë.
Nga viti 2008 deri në vitin 2012, ata fituan 14 trofe së bashku, duke përfshirë dy trofe të Ligës së Kampionëve, tre tituj të La Ligës, dy trofe të Kupës së Mbretit, tre Superkupa të Spanjës, dy Superkupa të Evropës dhe dy Kupa të Botës për Klube.
Arritja e tyre më e madhe erdhi në vitin 2009 kur ata përfunduan një sezon të paprecedentë, duke fituar gjashtë trofe në një vit kalendarik.
Kjo kohë e suksesshme ka bërë që Messi të ketë vlerësimet me të larta për aktualisht trajnerin e Manchester Cityt, Guardiola.
“Gjithmonë e them, për mua, ai është unik. Ka trajnerë jashtëzakonisht të mirë, por ai ka diçka ndryshe. Për mua, Guardiola është më i miri nga të gjithë”, ka thënë Messi. /Telegrafi/
Manchester City mund të humbasë dy lojtarë në të njëjtin pozicion gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi është raportuar se të dy janë të hapur për t’u larguar.
City bëri një ristrukturim të thellë të skuadrës në verë, me afrimet e rëndësishme të Tijjani Reijnders, Rayan Cherki, Rayan Ait-Nouri dhe Gianluigi Donnarummës.
Donnarumma, një transferim prej 26 milionë eurosh nga Paris Saint-Germain në ditën e fundit të afatit kalimtar, u bë përforcimi i shtatë i Cityt këtë verë. Ai ishte gjithashtu portieri i tretë që iu bashkua ekipit, pas rikthimit të James Trafford nga Burnley për 27 milionë euro dhe transferimit të Marcus Bettinelli nga Chelsea.
Lëvizjet në portë çuan edhe në largimin e portierit afatgjatë Ederson drejt gjigantëve turq të Fenerbahçes.
Megjithatë, pesë muaj pasi Trafford u rikthye te City, 23-vjeçari po kërkon të largohet për herë të dytë,
Sipas Daily Mail, si ai edhe portieri tjetër Stefan Ortega po e shohin afatin e janarit si mundësinë e duhur për t’u larguar.
Trafford u rikthye te City me bindjen se do të ishte portieri numër një dhe se kjo do t’i rriste shanset për të rivalizuar Jordan Pickfordin për fanellën e Anglisë.
Ndërkohë, Ortega, një figurë kyçe në triumfin e Cityt në Ligën Premier gjatë sezonit 2023/24, dukej se do të largohej në verë, por marrëveshja nuk u arrit dhe ai tani është degraduar në portierin e katërt të skuadrës.
Dikur i kërkuar nga Bayern Munich, Ortega tashmë konsiderohet i tepërt dhe nuk udhëton me ekipin në ndeshjet jashtë fushe.
Donnarumma ka treguar vlerat e tij me disa paraqitje të shkëlqyera, por disiplina e tij ka ngritur shqetësime pasi ka marrë katër kartonë të verdhë dhe rrezikon seriozisht një pezullim prej një ndeshjeje./Telegrafi/
Pep Guardiola ka pranuar se Manchester City po përballet me një krizë serioze në mesfushë, pasi fitorja dramatike 5-4 ndaj Fulhamit zbuloi varësinë e tepruar nga Nico Gonzalez.
Mesfushori spanjoll, i vetmi që ka luajtur titullar në tre ndeshjet e fundit, u largua nga loja kur City po fitonte 5-2.
Pas daljes së tij, mesfusha u dobësua ndjeshëm dhe Fulham u rikthye fuqishëm, duke rrezikuar disa herë. City u shpëtua vetëm falë ndërhyrjes vendimtare të Josko Gvardiol.
Me Rodrin që i afrohet rikthimit, por me Mateo Kovacic të dëmtuar për një kohë të gjatë, Guardiola pranoi se mungesa e një mesfushori të natyrshëm mbrojtës e vë skuadrën në vështirësi.
“Kemi një problem. Kemi tre mesfushorë mbrojtës dhe dy prej tyre janë jashtë për një periudhë të gjatë. Nuk kemi asnjë alternativë, dhe sot këtë e pamë qartë. Duhet të mendoj për zgjidhje”, ka thënë Guardiola.
Guardiola po konsideron ndryshime pozicionesh brenda skuadrës, përfshirë përdorimin e Nico O’Reilly, Rayan Ait-Nouri ose Nathan Ake në krahun e majtë të mbrojtjes, si dhe spostimin e Tijjani Reijnders në një rol më të avancuar. /Telegrafi/
Shtypi britanik shpërthen pas katastrofës evropiane të Manchester Cityt. Një stuhi e vërtetë kritike ka shpërthyer në Angli ndaj Pep Guardiolës.
Humbja e Manchester Cityt ndaj Bayer Leverkusenit me rezultat 2-0– me një formacion titullar të mbushur me rezerva – i ka dhënë “municion” të bollshëm shtypit britanik, i cili këtë herë nuk ka treguar asnjë mëshirë për trajnerin katalanas.
As trofetë e fituar, as ndikimi historik që ai ka lënë në "Etihad" nuk po mjaftojnë për ta mbrojtur: për shumicën, ajo që vlen është e tashmja – dhe e tashmja po shihet si alarmante.
Kritika të ashpra për zgjedhjet e Guardiolës
The Independent shkruan se, në ndeshjen e tij të 100-të në Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn, Guardiola “i qëlloi vetes në këmbë”, duke marrë një rrezik të panevojshëm me një formacion tepër të dobët për një natë evropiane.
Goal.com shkon edhe më tej, duke e akuzuar teknikun katalanas se “poshtëroi garën” me zgjedhjet e tij taktike.
Media britanike në përgjithësi bie dakord për një gjë: Man City u rrëzua nga një arrogancë e vetëshkaktuar.
“Nga zhgënjim në poshtërim” – reagimet në tabloidët anglezë
Daily Mail kujtoi me ironi se eksperimente të ngjashme taktike i kushtuan shtrenjtë Man Cityt edhe sezonin e kaluar.
Mirror shkroi se Guardiola “kaloi nga zhgënjimi në poshtërim”.
The Sun u shpreh prerazi: “Fiaskoja ka vetëm një fajtor”, duke aluduar në emrin e trajnerit.
BBC, më e kujdesshme në ton, e quajti humbjen “një disfatë të vetëshkaktuar”.
Fund i ‘muajit të mjaltit’ me shtypin anglez
Atmosfera rreth Guardiolës ka ndryshuar ndjeshëm. Kritikat janë të ashpra, të drejtpërdrejta dhe tregojnë se durimi i mediave britanike me trajnerin e Man Cityt është venitur.
Për momentin, duket se “muaji i mjaltit” midis Guardiolës dhe shtypit anglez ka përfunduar – dhe presioni tani është më i madh se kurrë. /Telegrafi/