Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 December 2025Main stream

15:56 Rusia zvarrit çështjen e avionit të pasagjerëve të Azerbajxhanit

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:56

Ndër të gjitha ngjarjet e rëndësishme që lidhen me rajonin e Kaukazit të Jugut gjatë vitit të kaluar, dy prej tyre spikasin në mënyrë të veçantë: procesi i paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe kriza midis Moskës dhe Bakusë pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh të Azerbajxhanit mbi Grozny. Të dy proceset u zhvilluan në mënyrë të qëndrueshme, secili me dinamikin e saj — procesi i paqes me Armeninë në një trajektore pozitive dhe kriza me Moskën duke u anuar më shumë drejt negatives. Është pikërisht ky i dyti që meriton një vështrim më të afërt.

Një rreze shprese për rivendosjen e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Azerbajxhanit u shfaq më 9 tetor në Samitin e CIS në Dushanbe. Gjatë takimit me Presidentin Ilham Aliyev, Presidenti Vladimir Putin deklaroi se “do të bëhet gjithçka që kërkohet në situata të tilla tragjike në aspektin e kompensimit. Gjithashtu do të jepet një vlerësim ligjor për veprimet e të gjithë zyrtarëve.”

Kanë kaluar dy muaj e gjysmë nga ai takim, por Moska nuk ka ndërmarrë asnjë nga hapat e shpallur nga Putini. Siç theksoi Farhad Mammadov, drejtues i Qendrës për Studime të Kaukazit të Jugut, në kanalin e tij në Telegram Mneniye-FM, “po afrohet përvjetori i tragjedisë, kur komisioni që heton shkaqet e rrëzimit pritet të përfundojë punën e tij. Megjithatë, sipas deklaratave nga pala kazake, procesi ende vazhdon dhe pala ruse nuk ka përfunduar ende pjesën e saj të punës .”

Në të vërtetë, shoqëria azerbajxhanase kishte pritur që deri në përvjetorin e tragjedisë — më 25 dhjetor — pala ruse të kishte përmbushur të paktën një pjesë të angazhimeve të saj. Edhe nëse hetimi nuk është përmbyllur plotësisht, detajet kryesore të rrëzimit janë tashmë të njohura — pikërisht ky fakt i lejoi Putinit të pranonte shkaqet e tij që në tetor. Disa lexues veçanërisht të vëmendshëm  mund të pyesin: sot është vetëm 23 dhjetor, pse po shkruhet për këtë çështje kur kanë mbetur ende dy ditë deri në përvjetor? Ndoshta Moska do të shpallë zbatimin e masave të premtuara pikërisht më 25?

Së pari, një pedantizëm i tillë do të ishte i papërshtatshëm në vetvete. Por edhe kjo nuk është pika kryesore. Ajo që ka vërtet rëndësi është fakti se përvjetori i rrëzimit të avionit u parapri nga samiti informal i CIS-it, i mbajtur më 22 dhjetor në Shën Petersburg. Vlen të kujtohet se Presidenti Aliyev ishte nisur për të marrë pjesë në këtë takim tradicional më 25 dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, sapo mori vesh për tragjedinë e avionit të AZAL-it, ai urdhëroi menjëherë që Fluturimi nr. 1 të  bënte kthim dhe të rikthehej në atdhe, duke zhvilluar një mbledhje emergjente që në aeroport.

Kështu, në përputhje me protokollin diplomatik, çdo veprim nga pala ruse duhej të ishte sinkronizuar me samitin informal të CIS-it. Kjo do të kishte qenë një sinjal i fortë i qëllimit të sinqertë të Kremlinit për të rivendosur marrëdhëniet dhe për të pritur ngrohtësisht Ilham Aliyevin në kryeqytetin verior. Megjithatë, Moska nuk ndërmori asnjë veprim. Natyrisht, në këto rrethana — dhe duke pasur parasysh axhendën e ngjeshur — Ilham Aliyev nuk mundi të udhëtonte drejt Shën Petersburgut. Sidoqoftë, sinjali i pakënaqësisë së Bakusë është i drejtuar ekskluzivisht ndaj Moskës; ai nuk shtrihet aspak ndaj partnerëve të tjerë të CIS-it, me të cilët Azerbajxhani ka pasur zhvillime shumë pozitive në bashkëpunim gjatë vitit të kaluar.

Ne e përmendëm qëllimisht procesin e paqes midis Bakusë dhe Jerevanit në fillim të këtij shkrimi. Nuk kërkohet analizë e thellë për të parë se ekziston një lidhje e prekshme midis këtyre dy ngjarjeve — zgjidhjes me Jerevanin dhe krizës me Moskën, ose më saktë, vonesës së Rusisë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të pranuar përgjegjësinë e saj.

Duke zgjidhur kundërshtitë që lidhen me konfliktin armen-azerbajxhanas, Moska rrezikon të humbasë një instrument kyç të menaxhimit të konflikteve në rajon. Armenia, tashmë e çliruar nga barra e çështjes së Karabakut, po e afirmon gjithnjë e më shumë pavarësinë e saj nga ish-suzerani. Nëse procesi i normalizimit arrin përfundimin e tij logjik, Turqia nuk do të perceptohet më nga Armenia si një kërcënim ekzistencial. Të gjitha këto zhvillime të pritshme mund të përmbysin më shumë se dy shekuj prani ruse në Kaukazin e Jugut.

Ndërkohë, Moska nuk ka hequr dorë nga shpresa për të rifituar ndikimin mbi Jerevanin duke mbështetur lëvizje të ndryshme opozitare të lidhura me Kishën Armene përpara zgjedhjeve të verës së ardhshme në Armeni. Megjithatë, dinamika që po shpaloset tregon se partia në pushtet po i përballon me sukses këto presione.

Megjithatë, është ende herët për të folur për humbjen e Kaukazit të Jugut nga Rusia. Nëse Moska arrin të sjellë njerëzit e saj në pushtet në Jerevan, Armenia ka shumë gjasa të mbetet një rrugë pa krye në rajon. Por për momentin, hezitimi i Moskës për të përmbyllur siç duhet çështjen e avionit të rrëzuar azerbajxhanas sugjeron pasiguri për suksesin e asaj që quhet operacioni “Riktheni Armeninë”. Kremlini i kushton një rëndësi të tepruar simbolikës. Ndëshkimi i përgjegjësve për rrëzimin e avionit dhe më pas humbja e Kaukazit të Jugut do të dukej, në sytë e tij, si një dobësi e dyfishtë. Duket se nga dy përfundimet e mundshme, ai është i gatshëm të pranojë vetëm njërin — ose ndoshta asnjërin.

Rusia zvarrit çështjen e avionit të pasagjerëve të

Perandoritë e dikurshme kanë veçoritë e tyre. Azerbajxhani, megjithatë, duhet të jetë i përgatitur që marrëdhëniet me Moskën të shkrijnë ngadalë, derisa Kremlini të ndërmarrë hapat e premtuar — pavarësisht klimës gjeopolitike përreth. Baku pret veprime pozitive nga Moska në këtë drejtim, por në mungesë të tyre është i gatshëm të mbrojë pozicionin e tij të ligjshëm përmes mekanizmave ndërkombëtarë. Ndërkohë, duket pak e mundshme që në të ardhmen e afërt të priten vizita të nivelit të lartë në Rusi. /Kb

15:45 Nga ideja studentore në agroturizëm/ Jetmiri, vetëm 24 vjeç po ringjall fshatin

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:45

Nga një ide studentore tek një sipërmarrje që sot po rritet çdo ditë, ky është rrëfimi i Jetmirit nga fshati Melgushë që zgjodhi të ndërtojë të ardhmen në vendlindje. I frymëzuar nga një profesor universiteti dhe i mbështetur nga familja, ai hodhi hapat e parë drejt agroturizmit në një kohë të vështirë, në vitin 2021, vetëm 20 vjeç. Aty ku dikur kishte pemë frutore dhe një punishte djathi familjare, sot funksionon një agroturizëm që mishëron punën, këmbënguljen dhe dashurinë për tokën

“Sapo kisha mbaruar studimet e shkollës së mesme dhe nisa Universitetin. Një profesor i imi më shtyente drejt Agro-turizmit. Aq më shumë fliste ai aq më shumë unë u fiksova me këte ide. Ia shpjegova edhe babit këtë dëshirë edhe kështu nisi për ne Agroturizmi. Më herët këtu ishte tokë me fruta. Po ashtu ne kishim një punishte djathi që merrej babi, ajo ishte faktor kryesor sepse na ndihmonte. Në 2021 ishte kohë e vështirë dhe ne nisëm këtë Agroturizëm. Në atë kohë isha 20 vjeç, nuk isha mesuar shumë me biznes dhe ishte i vështirë. Edhe tani mbetet i vështirë sepse është diçka që vazhdon. Unë e kam provuar jetën jashtë dhe nuk është diçka që më përshtatej. Doja të isha afër familjes. Edhe pse shpesh herë behem pesimist sërish qëllimet i kam të qarta”, është shprehur Jetmir Harapi, pronar i agroturizëm “Harapi”.

Fillimisht i konceptuar si restorant, biznesi u ndërtua gradualisht, me investime të kujdesshme dhe fokus të fortë te lënda e parë. Produktet bio lokale janë zemra e këtij agroturizmi: qumështi grumbullohet nga zona, mishi sigurohet nga fermerët vendas, ndërsa baxhoja e djathit mbetet një shtyllë e rëndësishme. Kjo jo vetëm që garanton cilësi, por ndihmon edhe ekonominë e komunitetit përreth

“Si fillim e kemi nis si restorant e më pas kemi ardhur gradualisht duke investuar. Jemi fokusuar tek lënda e parë, produktet bio lokale. Baxho e djathit na ka ndihmuar pastaj grumbullojmë qumshtin e zonës, mishin. Kjo ndihmon ne por edhe banorët e zonës. Jemi biznes i vogël por në rritje. Çdo gjë ka në fokus ushqimet bio, mish kemi mish viçi, qingji, keci dhe pule. I bëjmë me jufka ose pilaf. Kemi edhe shpend të tjere si rika, pata e gjel deti. Katundi shyqyr i ka të gjitha të mirat dhe ne i mbulojmë 90% te nevojave me to”, shprehet i riu.

Edhe pse ka pritur turistë nga e gjithë bota, Jetmiri thekson se klientët vendas janë më të rëndësishmit. Ata janë ata që e mbajnë biznesin gjallë gjatë gjithë vitit, ndaj mesazhi i tij është i qartë: vlerësimi i klientëve shqiptarë është çelësi i qëndrueshmërisë për çdo sipërmarrje vendase.

“Kemi pas turistë nga e gjithë bota por klientët vendas janë primar për mua. I huaj vjen 1 herë në vit apo 1 herë në jetë por klientët vendas vijnë shumë më shumë ndaj u bëj thirrje bizneseve të tjera që të vlersojnë më shumë klientët vendas. Sepse ne jemi biznese që punojmë 12 muaj dhe na mbajnë klientët shqiptar”, tha Harapi.

Sot, në moshën 24-vjeçare, Jetmiri ka qëllime të qarta dhe plane ambicioze për të ardhmen. Agroturizmi tashmë është zgjeruar me camping, zona pikniku, shitje të produkteve tradicionale,teksa synon dhe iniciativa të reja si ture me biçikleta, kampe verore dhe aktivitete në natyrë.

“Unë jam 24 vjeç, qëllimet i kam te qarta e kryesore është të shërbej këtu. Kemi hapur edhe një camping dhe shpresoj që në pranverë të nisim edhe turet me biçikleta në zona të ndryshme për këdo që dëshiron të shohë fshatrat. Po investojmë edhe në kampe verore. Po ashtu kemi hapur pjesen piknik, ushqime që mund ti bëjnë vetë si dhe kemi hapur pjesën e shitjeve të produteve tradicionale. Nuk kemi menu fikse por jemi me ushqime të stinës”, theksoi ai.

Agroturizmin “Harapi” mund ta vizitoni çdo ditë në fshatin Melgushë vetëm disa minuta larg Shkodrës.Në këtë fundvit vjen si një ftesë për këdo sepse është një vend ku koha ngadalësohet dhe gjithçka merr kuptim tjetër. Nga pjata e përgatitur me produkte të sapo ardhura nga ferma, te qetësia e fshatit dhe kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën, ky agroturizëm ofron një arratisje të vërtetë nga rutina. Është destinacion për ata që kërkojnë shije autentike, eksperienca të sinqerta dhe një histori frymëzuese që ndihet në çdo cep të saj./kb

15:35 Bisedimet mbi planin e paqes, konfirmohet takimi Trump-Zelensky në SHBA! Ja kur do të mbahet

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:35

Takimi mes Volodymyr Zelenskyt dhe Donald Trump pritet të zhvillohet të Dielën më 27 dhjetor, siç e konfirmoi vetë presidenti ukrainas. 

Në agjendën e takimit do të jenë çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë. “Ky takim zhvillohet posaçërisht me qëllim që të finalizojmë sa më shumë çështje të jetë e mundur”, u shpreh Zelensky. 

Më herët, faqja amerikane Axios kishte raportuar për një takim Trump–Zelensky në Florida, konkretisht në resortin e presidentit amerikan në Mar-a-Lago. 

Ditën e sotme, Zelensky shkroi se ekziston një marrëveshje për një takim mes dy liderëve në një të ardhme të afërt. “Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, kishte theksuar ai. 

“Rustem Umerov më informoi për kontaktet e tij të fundit me palën amerikane. Nuk po humbasim asnjë ditë. U dakorduam për një takim në nivelin më të lartë – me Presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri. Lavdi Ukrainës!”, shkroi Zelensky. /kb

15:23 SPAK kërkon ta arrestojë për aferat miliona euro, Balluku sfidon drejtësinë, shfaqet duke festuar

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:23

Zëvendës kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga festimet e Krishtlindjes.

Krahas fotove, Balluku e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje në 11 procedura tenderuese, të cilat kapin vlerën e 1.1 mld eurosh, shkruan se ka kremtuar festën mes familjeve lushnjare

“Gëzimi i festave është akoma më i madh kur ndahet me njerëzit që duam. Zërat e gëzuar të fëmijëve, aroma e ëmbël e gatimeve dhe bisedat e zhurmshme të miqve, krijojnë një atmosferë magjike.
E kalova ditën sot mes ngrohtësisë së familjeve lushnjare, miq të mirë, me zemër të bardhë e mikpritës të rrallë.
Gëzuar këtë ditë të bekuar! Paqja, shëndeti e lumturia të ulen këmbëkryq në vatrat tuaja!”, shkruan Balluku.

Kujtojmë se opozita ka kërkuar sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut, çka i hap rrugë procedurës së arrestimit të saj./kb

15:15 Një nga problemet më të mëdha sociale në Gjermani, projekti që lufton vetminë me…letra

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:15

Mjaft studime në Gjermani e kanë konstatuar vetminë si fenomen mjaft të përhapur në Gjermani, jo vetëm tek mosha e thyer, por edhe mes të rinjve. Por në ditët e festave, vetmia bëhet therëse për mjaft persona që nuk kanë familje, i kanë humbur kontaktet me të apo të dashurit kanë ndërruar jetë. Shumë njerëzve në këto ditë u mungon ngrohtësia e familjes. “Një dritë për Ty” synon të jetë një projekt shpresëdhënës për të vetmuarit në Gjermani. Dy gra nga Baden-Württemberg, Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger iniciuan një projekt të shkrimit të letrave anonime, “Një Dritë për Ty” për të arritur njerëzit e vetmuar. Një angazhim, që tregon se si gjestet e vogla mund të kenë ndikim të madh.

Projekti “Një Dritë për Ty” filloi gjatë një takimi të rastësishëm në një kafene, rrëfejnë Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger. Ato po flisnin për Krishtlindjet, për ritualet, familjen dhe sa shumë kjo festë lidhet me ngrohtësi njerëzor. Në të njëjtën kohë kuptuan se sa shumë të moshuar e kalojnë këtë kohë vetëm, sidomos gjatë sezonit të Krishtlindjeve. Iniciativa e letrave për këta njerëz synon të jetë një dritë kundër vetmisë dhe një ndjesi e lidhjes me shoqërinë.

“Fjalët shkojnë më thellë se çdo gjë që mund të blihet me para”
Sandra Gründlinger, e cila ka punuar në infermieri, e ka përjetuar nga afër se sa intensivisht ndihet vetmia, veçanërisht gjatë festave. Katharina Claus donte të përfshinte fëmijët që nga fillimi. Qëllimi ishte të krijoheshin pika kontakti dhe të rritej ndërgjegjësimi për këtë çështje në moshë të re. Ideja evoluoi në një iniciativë të hapur. Kushdo mund të shkruajë një letër, nuk kërkohej regjistrim ose donacione, vetëm një stilolaps dhe letër. Të dy iniciatoret theksojnë: “Nuk ka të bëjë me gjëra materiale. Fjalët shkojnë më thellë se çdo gjë që mund të blihet me para.”

Letrat dërgohen në qendrat e kujdesit për të moshuarit si në Johanniterhaus-Tannenhof në Mosbach. Olga (89 vjeç), e cila jeton në këtë qendër të moshuarish rrëfen momentin, kur hapi letrën e shkruar me dorë nga Anna, të cilën nuk e njihte, dhe sa u emocionua. “Më shkoi ndërmend menjëherë përfytyrimi për dikë,” tha ajo. “Dikush që shkruan me kaq dashuri dhe respekt.” “Ju urojmë një Krishtlindje të gëzuar dhe të bekuar. Edhe nëse jeni në një azil pleqsh, kjo nuk do të thotë se jeni harruar.” – Anna. Mbi 90 letra anonime iu shpërndahen banorëve aty në prag të Krishtlindjeve.
Në projekt marrin pjesë edhe fëmijë nga rrethi i miqve dhe familjarëve të dy iniciatoreve. Të pyetur, të gjithë thanë se më parë kishin menduar shumë pak për temën e vetmisë. Por duke shkruar letrën, kuptuan se sa shumë mund të arrijnë edhe gjestet e vogla./kb

15:02 Tare president i FSHF-së? Duka: Përvojën që ka mund ta sjellë këtu! Shqipëria më mirë se Kosova, duhet të kemi një Kombëtare..

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:02

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) foli për disa tema në një bisedë për moderatoren Arbana Osmani. Në intervistën e publikuar nga institucioni i futbollit, Duka shprehet qartë se dëshiron një Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo për momentin duket e pamundur. 

Duka tha se Shqipëria ka një ekip më të mirë, por Dardanët kanë bërë arritje madhore në një kohë shumë të shkurtër. Kreu i futbollit në Shqipëri u ndal edhe te zgjedhjet për president të FSHF-së në vitin 2026. Duket se Duka pas 23 vitesh në krye të këtij institucioni, do garojë sërish i vetëm, pasi deri tani askush nuk ka dalë përballë. 

Në fund edhe një pyetje për Igli Taren, drejtorin sportiv të Milanit që ka një përvojë të madhe në futbollin ndërkombëtar. 

“Çfarë të bën të ndjesh “përfaqësuesja e Kosovës“?  Ka një skuadër të mirë. Një pjesë e tyre ka luajtur edhe për Kombëtaren shqiptare. Rrahmani, Rashica, Muriqi. 

Shqipëria apo Kosova? Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin.

A duhet të kemi një Kombëtare? Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete me një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll. 

A e mendon Igli Taren si President? Çdo njeri mund të mendojë të bëjë çdo lloj pozicioni, jo veç president. Me eksperiencën që ka fituar në menaxhimin e futbollit atje, mund ta sjellë edhe në Shqipëri. Qoftë në federatë, në një klub apo kudo tjetër. Federata e Futbollit është një aktivitet shumë i gjerë. 

Duket vetëm si kampionat i Kategorisë Superiore, por sot FSHF organizon 600 ndeshje në javë, ku aktivizohen rreth 4000 zyrtarë. Por këta nuk menaxhohen vetëm me gishta, duhen edhe para. Duhen prodhuar para, duhet prodhuar një ekonomi. 

Sot FSHF është një institucion solid, me baza të shëndosha financiare dhe ka një të ardhme të sigurt. Unë e konsideroj si një nga gjërat më të mira të FSHF. Është një institucion që mund të vazhdojë të përballojë në të ardhmen”, tha Duka mes të tjerash. /kb

 

14:55 Shqipëria “pushtohet” nga acari i fundvitit, ja sa do jenë temperaturat për Vitin e Ri

By: Kesjana
26 December 2025 at 14:55

Sinoptikani Elvi Jahaj në një lidhje live në Top Channel, foli për parashikimin e motit për ditët në vazhdim dhe në ditët e ndërrimin të viteve. 

‘Moti në fundjavën e fundit të vitit parashikohet të jetë i ftohtë. Në Korçë reshjet e dëborës pritet të ndërpriten me kalimin e orëve, ndërsa vendi ynë në përgjithësi do të ndikohet nga kushte ajrore të ftohta dhe të acarta. Moti do të jetë i kthjellët por i ftohtë në të gjithë territorin me vranësira të pakta në relievet malore. Temperaturat në vlerat minimale për fundjavën priten të kapin vlerat -3 deri në -4 gradë celcius në vendet malore, ndërsa në ultësirën perëndimore -1 deri 0 gradë celcius.
Por duke filluar nga dita e hënë dhe e martë deri në ditët e ndërrimit të viteve kryesisht datat 31 dhjetor dhe 1 janar pritet të jenë të acarta, në relievet malore do të jenë -8 dhe -9 gradë, në vendet e ulëta -4 dhe -5 gradë, ndërsa në bregdet 0 deri në -1 gradë celcius. Temperaturat e mesditës gjatë fundjavës do të jenë 13 dhe 14 gradë, ndërsa për ditët e ndërrimit të viteve pritet të mos kalojnë vlerat 7 dhe 8 gradë përgjatë ultësirës perëndimore. Era do të fryjë nga kuadrati i veriut‘, tha Jahaj. /kb

14:52 Sulm me thikë në një fabrikë në Japoni/ 15 persona të plagosur

By: Kesjana
26 December 2025 at 14:52

Pesëmbëdhjetë persona janë plagosur dhe shtruar në spital pas një sulmi me thikë në një fabrikë gomash të rënda në Japoninë qendrore. Sipas një raporti të ri nga shërbimet e emergjencës, disa nga të plagosurit pësuan plagë të shkaktuara më thikë, ndërsa të tjerë u sulmuan me një lëng që thuhet se ishte zbardhues.

Një zëdhënës shpjegoi se kishin marrë një telefonatë nga një fabrikë gome fqinje me informacion se pesë ose gjashtë persona ishin therur dhe se në sulm ishte përdorur edhe një lëng në formë spreji.

Mediat japoneze raportuan se lidhur me ngjarjen është arrestuar dhe autori i dyshuar me akuzën për tentativë vrasjeje. Nga 15 të plagosurit, të paktën gjashtë vijojnë të trajtohen me ndihmë mjekësore në spital. Krimi i dhunshëm është relativisht i rrallë në Japoni, ku shkalla e vrasjeve është e ulët dhe ligjet për armët janë ndër më të rreptat. /kb

13:58 Rama ndan pamjet nga punimet për Teatrin e ri Kombëtar: Hapësirë ikonike për artin dhe kulturën në Shqipëri

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:58

Projekti i Teatrit të ri Kombëtar ka hyrë zyrtarisht në etapën e realizimit ndërtimor, ndërsa punimet po vijojnë me intensitet pas përfundimit të fazës komplekse të ndërhyrjeve nëntokësore dhe hedhjes së themeleve. 

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë pamje nga kantieri i ndërtimit në rrjetet sociale, duke theksuar se godina e re po merr formë si një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën. 

“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG. Pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën”, shkruan Rama në Facebook.  

Teatri i Ri Kombëtar është vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels, dhe studios daneze BIG. 

Godina e re po ndërtohet në vendin ku ndodhej teatri i vjetër dhe, sipas projektit arkitektonik, është e ndarë në dy pjesë funksionale: një pjesë e dedikuar për aktorët dhe administratën dhe një tjetër për publikun. 

Më herët, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e prezantoi projekin si “nga teatrot më të bukur dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”. /kb

13:47 Shifër rekord e emigrantëve që kalojnë Kapshticën për festat e fundvitit

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:47

Pika kufitare e Kapshticës ka shënuar këtë vit një fluks të shtuar emigrantësh gjatë vigjiljes së Krishtlindjes.

Gazetarja e Klan News Daniela Zisi, në një lidhje të drejtpërdrejtë tha se gjatë javës së fundit kanë hyrë rreth 40 mijë emigrantë për të kaluar festat e Krishtlindjes, Vitin e Ri dhe pushimet dimërore.

Ndërkohë që rreth gjysma e këtij numri, ka lëvizur nga Shqipëria drejt Greqisë, ku në pikën kufitare shqiptare është angazhuar personel i shtuar për të përballuar fluksin.

Në ditët me lëvizje të madhe, janë hapur shtatë sportele në hyrje dhe dy në dalje, ndërsa pala greke ka pasur vetëm katër sportele, duke krijuar vonesa dhe fluks në territorin grek.

Data 24 dhjetor shënoi pikun e lëvizjes, me rreth 10 mijë emigrantë që hynë në territorin grek. Aktualisht fluksi ka rënë, duke lehtësuar kalimin, ndaj momentalisht janë në funksion katër sportele në hyrje dhe dy në dalje. Zisi tha se autoritetet shqiptare i kanë kërkuar palës greke që në ditët pas ndërrimit të viteve, kur pritet të shtohet fluksi, të bëjnë të mundur shtimin e sporteleve për të shmangur vonesat e mundshme.

Atmosfera festive në Korçë

Ndërkohë, në Korçë, të gjitha strukturat akomoduese janë rezervuar që nga fillimi i dhjetorit, madje siç shprehet Zisi thuajse në “100% për festën e Krishtlindjes” dhe po ashtu natën e ndërrimit të viteve. Zona e Korçës, përfshirë Dardhën dhe Voskopojën, ka regjistruar një shtim të turistëve, jo vetëm nga Europa, por edhe nga Azia. Përveç kësaj, ka pasur një ulje të çmimeve të akomodimeve, ndryshe nga vitet e tjera, për të tërhequr vizitorë më të shumtë./kb

13:37 10 vite burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:37

Prokurori Special ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, pas përpjekjes së dështuar për të shpallur ligjin ushtarak në vitin 2024.

Avokatët e ish-presidentit e kanë cilësuar kërkesën për 10 vite burg si “të tepruar”.

Yoon Suk Yeol përballet edhe me akuza të tjera të rënda, përfshirë korrupsion, abuzim me pushtetin dhe rebelim, një vepër penale që në Korenë e Jugut dënohet me burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.

Shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon solli trupa të armatosura në rrugët e Seulit, duke shkaktuar krizën politike më të rëndë në dekada. Masa zgjati vetëm disa orë, pasi deputetët arritën të hyjnë në Parlament dhe votuan për shfuqizimin e saj.

Në dhjetor të vitit 2024, Yoon u shkarkua nga Parlamenti, ndërsa në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e hoqi zyrtarisht nga detyra.

Sipas prokurorisë, pas shkarkimit, ish-presidenti u mbyll për javë të tëra në rezidencën e tij, duke penguar zbatimin e urdhrit për arrestim.

Prokurorët e cilësuan veprimin e tij si një pengim të paprecedentë të drejtësisë.

Yoon akuzohet gjithashtu se anashkaloi një mbledhje të plotë të kabinetit, siç kërkohet nga ligji, përpara shpalljes së ligjit ushtarak, si dhe se falsifikoi dokumente dhe urdhëroi fshirjen e të dhënave nga telefonat e personave të përfshirë.

Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim mobilizimin e opinionit publik kundër opozitës liberale, të cilën e akuzon për bllokimin e qeverisjes së tij.

Ndërsa hetimet pretendojnë se Yoon kishte planifikuar për më shumë se një vit shpalljen e ligjit ushtarak, me synim eliminimin e rivalëve politikë dhe përqendrimin e pushtetit./kb

13:29 Greqia drejt mbylljes së termocentraleve që përdorin qymyrgurin si lëndë të parë

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:29

Greqia po shkon me hapa të shpejtë drejt mbylljes në vitin 2026 të termocentraleve që përdorin qymyrgurin si lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike.

Kjo reformë po shkakton papunësi dhe largim të fuqisë punëtore nga vendi.

Qytetet industriale rreth këtyre termocentraleve rrezikojnë të bëhen si Detroiti, metropoli amerikan i goditur nga rënia e industrisë automobilistike.

Në veri të vendit, aktualisht vetëm dy termocentrale me qymyrguri kanë mbetur funksionale. Njëri do të mbyllet në maj, ndërsa tjetri do të shndërrohet në gaz natyror deri në fund të vitit 2026.

Njëmbëdhjetë termocentrale kanë ndërprerë tashmë veprimtarinë në këtë rajon, i cili për dekada të tëra ishte qendra e prodhimit të energjisë nëpërmjet qymyrgurit në Greqi.

Kjo zonë ka shkallën më të lartë të papunësisë në Greqi, me 16.5%, dyfishi i mesatares kombëtare, sipas zyrës së statistikave.

Është gjithashtu rajoni që ka përjetuar rënien më të ndjeshme të popullsisë gjatë dekadës së fundit, me 10,1%.

Sipas vlerësimeve, më shumë se 10 mijë vende pune janë humbur tashmë dhe kjo shifër pritet të arrijë në 20 mijë sapo plani i tranzicionit të gjelbër të zbatohet plotësisht.

Vitin që po vjen, Greqia do të përfundojë heqjen e shpejtë të qymyrit nga përdorimi në funksion të tranzicionit energjetik. Në vend të qymyrit, ky shtet po ndërton kapacitete prodhimi të energjisë, kryesisht nëpërmjet parqeve me panele të energjisë diellore.

Prodhimi i qymyrit në Greqi ka rënë që nga fillimi i viteve 2000. Termocentralet tashmë janë shumë të kushtueshme për t’u përdorur, falë rregullave të reja për të reduktuar ndotjen. Greqia synon që, krahas mbylljes së dy termocentraleve të saj të fundit me qymyr, të ndalë edhe prodhimin e qymyrit nga shumica e minierave të saj, përfshirë një që është ndër më të mëdhatë në Evropë.

Maqedonia Perëndimore, një rajon pa dalje në det dhe me popullsi të rrallë, shumë në veri të Athinës, nxori qindra miliona tonë metrikë qymyr, duke prodhuar pjesën më të madhe të energjisë elektrike të Greqisë dhe duke sjellë edhe pasoja shkatërruese mjedisore dhe shëndetësore./kb

13:18 “Na zhvishnin lakuriq”- Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:18

-Një rrëfim i pazakontë nga Kujtim Kaziu, për policët e kampit që torturuan mizorisht të burgosurit dhe i lanë të vdisnin nëpër galeritë e minierës-   

Ishte dimri i vitit 1979, kur Kujtim Kaziu, kishte përfunduar në burgun Spaçit, si i burgosur politik. Përveç torturave nga xhelatët, puna në minierë ishte shumë e rëndë për të burgosurit e pangrëne, e të paveshur. Kujtim Kaziu, i kujton me shumë dhimbje shokët e tij që u mbijetuan torturave çnjerëzore në atë burg, por më shumë në mendje, i kanë mbetur dy të rinjtë, që vdiqën në zgafellet e asaj miniere, në burgun e Spaçit. 

“Në galeri temperatura ishte 60 gradë dhe plasje vape, kurse jashtë temperatura ishte -17 gradë dhe sapo nxirrnim vagonin, mbuloheshim në avull bore nga kondensimi i temperaturës së trupit, me atë që ishte jashtë. Në këto fronte, kam punuar me Haxhi Hoxhën (ish-kreu i organizatës antikomuniste në Shkozet, që ra në burg në moshën 18 vjeç), Sokrat Manen, Bujar Gjinin, Ali Gjuzin, etj. 

Dy vetë shtynim deri në 1 km, vagonin 2 tonësh të mbushur me pirit. Ishim të rinj dhe e përballonim mundin e madh. Në front kishte edhe djem të fuqishëm, që ndihmonin të tjerët, si: Bedri Blloshmi, Zef Bushgjoka, Foto Stefani. Në galeri, rrinim lakuriq dhe këmbët na qulleshin nga uji që depërtonte në çizme. 

Na trajtonin si skllevër. Ushqeheshim shumë keq, me 700 gr. – 800 gr. bukë në ditë dhe supë me spinaq, që kur fusnim lugën, mbushej me zhavorr, ngase spinaqi nuk lahej fare, futej në kazan me gjithë baltë” – rrëfen ish- i burgosuri Kujtim Kaziu, me origjinë nga rrethi i Krujës. 

Për ish-të burgosurin politik, Kujtim Kaziu, nuk mund të harrohen fytyrat e egra të policëve – xhelatë të burgut të Spaçit, që kurrë nuk u ngopën me torturat, urinë dhe keqtrajtimin e atyre djemve dhe burrave, që padrejtësisht po vuanin dënimin në burgun famëkeq të Spaçit. Pjetër Koka është një prej tyre. 

“Xhelati i Spaçit, Pjetër Koka edhe për të ngrënë bukën e mykur dhe supën me krimba, miza e gurë, na mbante dy orë në rresht, jashtë në të ftohtin e Spaçit, në temperaturë deri në –20 gradë. Kur ktheheshim në kamp, të rraskapitur e të torturuar, na zhvishnin lakuriq, për të parë nëse kishim me vete ndonjë mjet të fortë, levë, dërrasë a sende të tjera. 

Në vitin 1984, gjatë punës, theva këmbën. Ndenja dy javë në Rrëshen dhe më pas në spitalin e burgut në Tiranë. Më vunë në allçi dhe më transferuan në burgun e Shënkollit në Lezhë. Dy vite më pas, transferohem në kampin e ndërtimit të Bulqizës së Re. Më kishte marrë malli të shikoja një krutan. Me kamion, vjen një shofer nga Fushë-Kruja, i cili sillte materiale ndërtimi. 

Ishte Sejfulla Halili dhe unë e njihja. Ishim rritur me të dhe më kishte marrë malli. Edhe ai dukej se donte të fliste me mua, pasi kishte të njëjtin mall. Mora guximin dhe fola me të. Sapo iku kamioni, më janë sulur oficeri i punës, Kol Toska, polici Beqir Vreneçi dhe polici tjetër, Ndue Jaku. Më futën në kapanon dhe më lidhën për krevati. 

Morën një ristelë dhe më nxinë trupin, duke më qëlluar sa njëri-tjetri, deri sa u lodhën. Nuk lëviza dot për më shumë se një javë, nga plagët. Në vitin 1988, një pjesë të të burgosurve na dërguan për të bërë kampin e Tërnovës, pastaj tek Reparti 325 (burgu) në Tiranë, për ndërtime të reja, në kampin e Bardhorit në Kavajë dhe së fundi, për të bërë vilat tek “Blloku”, në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, te Plepat në Plazhin e Durrësit. 

Këtu edhe u lirova, në 31 mars 1990, duke dalë gjallë, pasi kishin nisur të ndiheshin proceset e përmbysjes së atij sistemi të ndyrë, vrasës e barbar”, kujton Kujtim Kaziu. 

Torturat dhe synimi për të na eliminuar fizikisht…!

“Unë kam parë më sytë e mi se si kanë mbetur në galeri të burgosur, si kanë vdekur ata duke kërkuar ndihmë dhe si janë gjymtuar e masakruar. Në vitin 1983, isha në front, në galeri. Pranë frontit tim, punonte Luc Vukaj nga Vermoshi i Shkodrës dhe Manush Çuka nga Erseka. Fronti kishte vetëm 4 vagonë pirit. Polici i punës, quhej Dod Ndreka, kurse brigadier i lirë, Preng Deda. 

Ata panë frontin dhe duhej të vendosnin për të lejuar punimet, apo jo. Galeria kishte dhënë shenja shembje të dukshme dhe këtë, si Luca, edhe Manushi, i’a bënë të qartë. Të dy ishin djem të rinj, ishin dënuar për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Polici dhe brigadier, u dha urdhër të futeshin në galeri. “O normën, o shpirtin”, – u thanë ata dy të rinjve. 

Luc Vukaj dhe Manush Çuka, u frikësuan pasi u kërcënuan se, nuk dilnin gjallë nga galeria nëse nuk futeshin në front. Kishte kaluar mesi i natës. Ishim turni i tretë. Galeria dha shembjen tjetër dhe pas pak, një masiv i madh ra mbi të dy. Dëgjova britmat e Lucës, që erdhën e u shuan. 

Manushi kishte tub ajri në gojë dhe meqë tubi i mbeti jashtë masivit të shembur, ne mundëm ta çanim materialin e ta nxirrnim të gjallë. Luc Vukajn e nxorën pas tre ditësh që kishte mbetur në galeri. Mesa më kujtohet, asnjëri prej tyre nuk i kishte mbushur 20 vitet. Pas kësaj ngjarje, Manushi nuk u bë më njeri. Tmerri që pa dhe që përjetoi, i dha goditje të sistemit mendor”, kujton me lot në sy Kujtim Kaziu. 

Kujtimi tregon dhe se si protestonin pas aksidenteve të qëllimshme apo dhe vrasjeve në burg. “Sa herë që ndodhnin aksidente të rënda dhe vdekje, për shkak të mossigurimit të kushteve teknike, ne gjenim mënyra e protestonim. Nuk ishte i pari Luc Vukaj që mbeti në galeri. Meqë unë e pashë me sytë e mi të gjithë skenën e vdekjes së llahtarshme të Lucës, i shkrova një letër Hekuran Isait. 

Atëherë Hekurani ishte ministër i Brendshëm. I tregova me hollësi se si kishte ndodhur ngjarja. Unë shkrova në këtë letër, që ia dërgova ministrit (për ta postuar, i dhashë korrierit të burgut), se; polici Dod Ndreka dhe brigadieri Preng Deda, ishin shkaktarët e vdekjes së të burgosurit Luc Vukaj. Por letra, nuk kishte dalë nga burgu i Spaçit. Këtë e mësova jo shumë ditë më pas. 

Një i burgosur, më tregoi se asnjë letër nuk shkonte as në shtëpitë tona, pa u lexuar nga komanda e burgut. Kështu, kishte ndodhur edhe në këtë rast, edhe pse unë i drejtohesha ministrit. Më thërritën në komandë, më bën presion, më këshilluan, se po të hapja gojë, për atë që kisha parë, do të më vrisnin. Policia e burgut, pra ata që kishin miqësi me dy autorët e krimit, donin të më eliminonin fizikisht. 

Kur e morën vesh të burgosur që më njihnin, nuk më linin vetëm asnjë çast dhe aksidenti që pësova në galeri një vit më pas, më shpëtoi nga vrasja. Unë nuk u futa në galeri për 2 javë. Nuk flija gjumë dhe u bëra me fiksime. Më dilnin para Luc Vukaj dhe Manush Çuka, britmat dhe lëngimet e fundit të Lucës, të burgosurit që gërmonin materialin, me lopata e thonj. Shumë nga të burgosurit e ndërgjegjes, janë ndeshur në këto kampe, me të tilla gjëra që nuk besohen. 

Shumë u ekzekutuan në një formë a në një tjetër, duke u deklaruar si: “vdekje aksidentale”, të tjerë u gjymtuan apo humbën kujtesën. Shumë u ndanë nga gratë e fëmijët dhe pësuan depresion. Por, pati edhe nga ata që mbijetuan për të dëshmuar krimet dhe masakrat e atij regjimi”, shprehet me dhimbje në fund të rrëfimit të tij, ish-i burgosuri politik, Kujtim Kaziu, nga rrethi i Krujës. Memorie.al/ Nga Xhevahir Gradica/kb

 

13:07 Shëndetësia shqiptare ngre nivelin, investimet moderne në transfuzionin e gjakut

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:07

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi këtë të premte, më 26 dhjetor, një vizitë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku u njoh nga afër me investimet e reja moderne që synojnë rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të transfuzionit në vend.

Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se gjatë vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka realizuar një sërë investimesh kyçe, përfshirë pajisjen me teknologji të re për gjenotipizimin e grupeve të gjakut, e cila u vjen në ndihmë pacientëve me nevoja të veçanta transfuzionale dhe shërben për parandalimin e sëmundjes hemolitike të fetusit dhe të porsalindurit.

Po ashtu, është realizuar digjitalizimi i plotë i të dhënave dhe proceseve që lidhen me dhurimin, testimin dhe shpërndarjen e gjakut, si dhe centralizimi dhe automatizimi i testimit të grupeve të gjakut, duke rritur standardet e cilësisë dhe ulur ndjeshëm rrezikun e gabimeve njerëzore.
Po ashtu, është realizuar digjitalizimi i plotë i të dhënave dhe proceseve që lidhen me dhurimin, testimin dhe shpërndarjen e gjakut, si dhe centralizimi dhe automatizimi i testimit të grupeve të gjakut, duke rritur standardet e cilësisë dhe ulur ndjeshëm rrezikun e gabimeve njerëzore.

“Kur punon mirë, ke financim më tepër…”, u shpreh ministrja gjatë kësaj vizite.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 është shënuar edhe një rritje e ndjeshme e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, me 12 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë, ose 16.5 dhurime për çdo 1 mijë banorë./kb

12:58 Peleshi mbyll dyert e Kuvendit, Gazment Bardhi: Po pengojnë drejtësinë

By: Kesjana
26 December 2025 at 12:58

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, tha se socialistët po përpiqen të pengojnë drejtësinë për të luftuar korrupsionin, duke mos lejuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“Ta harrojnë. Nuk ka për të ndodhur. Belinda Balluku mund ta hajë Vitin e Ri në shtëpi, por ju siguroj që nuk do t’i shtyjë ditët dhe do të përfundojë në burg. Nuk mund t’u vjedhësh shqiptarëve, në një vend në mes të Europës, por që është më i varfri në Europë, 1.1 miliardë euro dhe pastaj ta shndërrosh institucionin në bunker që mbron korrupsionin e këtyre”, tha Bardhi.

I pyetur kur do ta kërkojë opozita mbledhjen e radhës, Bardhi tha: “Në fillim të javës që vjen. Absolutisht, të pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve janë 24 orë në 24 në dispozicion të këtij procesi. Ne besojmë që pranimi i kërkesës së prokurorisë është detyrim përcaktim ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ne nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin e Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit. Ne kemi marrë mandat nga qytetarët për ta luftuar korrupsionin”.

Ai shtoi se kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po vepron me urdhra politikë të Edi Ramës. “Më vjen keq që thotë: “Kur të plotësohen kushtet procedurale do ta mbledh Këshillin”. Kur do të plotësohen kushtet? Kur t’i japë leje Edi Rama? Nuk funksionojnë kështu institucionet. Të korruptuarit nuk të japin kurrë leje për të luftuar korrupsionin. Të korruptuarit bëjnë gjithçka për të mbrojtur korrupsionin e tyre, siç po bëjnë edhe në këtë rast”, shtoi Bardhi.

12:46 Ra në kontakt me rrymën elektrike teksa vendoste panele diellore, humb jetën 27-vjeçari në Koplik

By: Kesjana
26 December 2025 at 12:46

Një 27-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në Shkodër pasi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. 

Policia tha se ngjarja ndodhi rreth mesditës në qytetin e Koplikut, ku shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se duke punuar në një magazinë për të vendosur disa panele diellore, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si  pasojë, ka humbur jetën. 

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /kb

12:35 “Më duket i mbushi brekët!”- Futbollisti i kombëtares u bë baba për herë të parë, shfaqet me vajzën në krah!

By: Kesjana
26 December 2025 at 12:35

Futbollisti i njohur i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku, dhe partnerja e tij Vesa Vllasaliu, ditë më parë dhanë publikisht lajmin e gëzueshëm se janë bërë prindër për herë të parë. 

Ishte vetë Daku ai i cili zbuloi që është bërë baba i një vajze, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Miresa. 

mirlind-daku-babaDeri më tani çifti nuk e ka zbuluar portretin e vajzës së tyre, por Vesa nuk ka lënë pa ndarë me ndjekësit e saj momente të ëmbla të së bijës me babain.

Ajo ka publikuar në “Instastory” një videot të Dakut teksa ai mban në krahë të bijën duke e përkundur dhe përkëdhelur.
Teksa e përkëdhel dhe i këndon të bijës “nina-nana”, Daku dëgjohet që në një moment thotë: “Më duket i mbushi brekët” dhe të dy ata shpërthejnë në të qeshura.

Prej kohësh, fansat kishin dyshuar se Vesa ishte në pritje të ëmbël, por modelja është kujdesur që ta mbajë të fshehtë këtë lajm deri në lindjen e vajzës.

Megjithatë, në një fotografi të publikuar disa javë më parë, pas një vëzhgimi më të kujdesshëm, vihej re barku i rrumbullakosur i saj.

Vesa Vllasaliu kishte bërë të ditur për ndjekësit e saj se ndodhej në një lidhje me Mirlind Dakun vetëm disa javë më parë.

Edhe pse për më shumë se një vit romanca e tyre ishte mbajtur larg syrit të publikut, ishte vetë modelja ajo që e konfirmoi lidhjen në përvjetorin e tyre, duke publikuar fotografi me lulet e dhuruara nga Daku dhe momente intime mes tyre./kb

11:47 Berisha: Nuk ka zgjedhje me Ramën

By: Kesjana
26 December 2025 at 11:47

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti nga Manza, aty ku zhvilloi foltoren e radhës, se me kryeministrin Edi Rama nuk ka zgjedhje.

“Erdhëm në zgjedhje, zhvilluam fushatën elektorale më të bukur, programin më të shkëlqyer që ka njohur ky vend, ekspertizën, më të madhe. Unë, kisha deklaruar në mënyrat më të përsëritura se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Sepse kur një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, ai pastaj ka të gjitha mjetet në dorë për të shtypur votën, për të manipuluar votën, për të blerë votën”, tha Berisha.

Ai u shpreh se tentuan që opozitën ta sulmonin në të gjitha mënyrat, por dështuan.
“U ngritët së bashku, si viganë, në një akt të pashembullt në histori, rezistuam padrejtësitë më të mëdha”, tha Berisha./kb

11:32 Tabaku: Shqipëria ka nevojë për një ligj serioz për shqyrtimin e investimeve të huaja, në linjë me BE dhe SHBA

By: Kesjana
26 December 2025 at 11:32

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot ndaj propozimit të fundit të qeverisë për të ashtuquajturin shqyrtim të investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si një nismë të vonuar, të pjesshme dhe larg standardeve euroatlantike që Shqipëria ka detyrim të zbatojë.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kërkesa për një mekanizëm real dhe funksional të screening-ut të investimeve të huaja ka qenë prej kohësh e qartë nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Sipas saj, propozimi aktual i qeverisë nuk i përgjigjet as seriozitetit të momentit dhe as rreziqeve reale me të cilat përballet vendi.

“Shqyrtimi serioz i investimeve të huaja nuk është një ushtrim formal, por një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e të dhënave dhe orientimin strategjik të Shqipërisë,” u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se vitet e fundit kanë nxjerrë në pah abuzime serioze me të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve, si edhe skandale të rënda në institucione kyçe të shtetit.

Deputetja demokrate vuri theksin se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik: ose zgjedh rrugën europiane, me rregulla të qarta, transparencë dhe investime nga vende mike e aleate, ose rrezikon të rrëshqasë drejt marrëveshjeve të errëta, pa standarde dhe pa garanci sigurie.

Duke krahasuar nismën e qeverisë me rregulloren e Bashkimit Europian për screening-un e investimeve të huaja, Tabaku evidentoi se propozimi qeveritar kufizohet në mënyrë të pakuptimtë vetëm në sektorin e medias, duke lënë jashtë sektorë jetikë për sigurinë kombëtare, si infrastruktura portuale, teknologjia e informacionit, sistemet kritike softuerike dhe industria e mbrojtjes.

“Shqipëria nuk ka nevojë për ligje ‘sa për të kaluar radhën’, por për një legjislacion të fortë, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së,” deklaroi Tabaku, duke theksuar se vetëm një qasje serioze dhe transparente mund të garantojë sigurinë kombëtare dhe të forcojë orientimin euroatlantik të vendit.

Në përfundim, Tabaku riafirmoi angazhimin e opozitës për të mbështetur një kuadër ligjor modern dhe gjithëpërfshirës për shqyrtimin e investimeve të huaja, që mbron interesin publik, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë./kb

11:19 Turqia i dhuron avionin qeveritar Shqipërisë

By: Kesjana
26 December 2025 at 11:19

Turqia ka vendosur t’i dhurojë Shqipërisë një avion qeveritar, me vlerë rreth 11.9 milionë dollarë, si pjesë e një marrëveshjeje bilaterale për forcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.

Lajmi është publikuar fillimisht në mediat turke, ku thuhet se avioni Airbus A319-115J, i prodhuar në vitin 2000 dhe i regjistruar si TC-GVC, do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për Shqipërinë, ndërsa kostot do të mbulohen nga pala turke.

Marrëveshja Turqi–Shqipëri synon partneritet strategjik

Sipas Turkiye Today, marrëveshja bilaterale synon të forcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992. Të dyja palët shprehën dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe mbrojtës.

Dokumenti pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për thellimin e partneriteteve institucionale në fushën e aviacionit civil, logjistikës së mbrojtjes dhe sektorëve strategjikë më të gjerë, duke shërbyer gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet e integrimit të Shqipërisë. Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën pritëse, ndërsa Turqia do të mbulojë kostot e transferimit.

Avioni i bashkohet flotës shqiptare

Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, pjesë e familjes A320, një nga seritë më të përdorura të avionëve me një korridor në botë.

Avioni ka një peshë maksimale prej 75 mijë e 900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44 mijë e 790 kilogramësh. Ai fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P, secili me mbi 7 mijë cikle të mbetura, dhe është i pajisur me sistemin AS400 airshow, megjithëse nuk ka sisteme argëtimi apo lidhjeje gjatë fluturimit.

Edhe pse nuk klasifikohet si avion komercial në oraret publike, A319-115J përdoret shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, përfshirë ato të vendeve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.

Në pronësi të fondit sovran të Turqisë, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në botë, me gjithsej 515 avionë sipas të dhënave më të fundit. Ndër ta, gjenden gjashtë avionë Airbus A319-100, të përdorur kryesisht për linja të shkurtra dhe mesatare rajonale./kb

❌
❌