Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Main stream

ITALI – Rriten tarifat e autostradave nga 1 janari

30 December 2025 at 15:26

ROMË, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Shoferët në Itali do të paguajnë më shumë për të përdorur autostradat me pagesë që nga fillimi i vitit 2026.

Tarifat, për pothuajse të gjitha rrugët, që do të rriten mesatarisht me 1, 5%, sipas një urdhri të Gjykates Kushtetuese – që u kundërshtua nga Ministria e Transportit.

Sipas ministrisë, rritja më e madhe prej 1, 9% do të ndikojë në rrugën Salerno-Pompei-Napoli. Në autostradën Brener, e përdorur gjithashtu nga qytetarët e veriut në Itali, është planifikuar një rritje prej 1,46%.

Ministria e Transportit, e kryesuar nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini – i partisë populiste të krahut të djathtë “Lega” – kritikoi ashpër rritjet e çmimeve.

Vendimet për çmimet e tarifave të autostradave në Itali bazohen në një sistem të ndërlikuar llogaritjeje.

Rritjet e çmimeve përcaktohen në kontrata midis shtetit dhe kompanive përkatëse operative.

Një arsye e rritjes së tarifave është inflacioni. Megjithatë, disa rritje të planifikuara të tarifave janë shtyrë vitet e fundit. Salvini gjithashtu mbështeti fuqimisht, parandalimin e rregullimeve.

Në tetor, Gjykata Kushtetuese i shpalli përpjekjet për të ngrirë çmimet si jokushtetuese.

Autoriteti i transportit, “Autorità di Regolazione dei Trasporti” (ART), ka njoftuar se rregullimi i tarifave për inflacionin do të jetë mesatarisht 1,5%. //a.i/

The post ITALI – Rriten tarifat e autostradave nga 1 janari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Latakia nën shtetrrethim pas protestave vdekjeprurëse

30 December 2025 at 14:56

DAMASKË, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Guvernatori sirian i Latakias njoftoi sot një shtetrrethim pas protestave vdekjeprurëse në qytetin bregdetar.

Drejtoria e Sigurisë së Brendshme tha se shtetrrethimi do të zbatohej nga sot në mbrëmje deri nesër në mëngjes, ndërsa Komanda e Përgjithshme shtoi se nuk do të zbatohej për shërbimet e urgjencës, stafin mjekësor ose ekipet e ambulancës dhe zjarrfikësve.

Qyteti u përfshi dje në mbrëmje nga protesta vdekjeprurëse. Drejtoria e Shëndetit në Latakia raportoi katër të vrarë dhe 108 të plagosur për shkak të trazirave.

“Protestat kishin shpërthyer në disa provinca të dielën, përfshirë Latakia, e cila është kryesisht e populluar nga anëtarë të pakicës fetare alevite”, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me seli në BM – duke cituar rrjetin e saj të aktivistëve brenda Sirisë.

“Trazirat pasuan një thirrje nga udhëheqësi i shquar alevit, Ghazal Ghazal për vetëvendosje”, sipas SOHR.

Që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, Siria ka përjetuar shpërthime të shumta të dhunës vdekjeprurëse sektare, pavarësisht premtimeve të presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi rebelët sunitë në përmbysje, për të mbrojtur komunitetet minoritare. //a.i/

 

The post SIRI – Latakia nën shtetrrethim pas protestave vdekjeprurëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Rreth 30 milionë euro të vjedhura në një grabitje historike bankare

30 December 2025 at 14:41

DUSELDORF, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Burime dhe hetues të sigurisë gjermane njoftuan sot se disa hajdutë kanë hyrë me forcë në një bankë në qytetin perëndimor gjerman të Gelsenkirchen-it, duke vjedhur sende me vlerë rreth 30 milionë euro – të vendosura në një kasafortë me rreth 3,200 kuti sigurie.

“Më shumë se 2 500 klientë u prekën nga grabitja”, thanë sot burimet – duke e bërë atë potencialisht një nga grabitjet më të mëdha të bankave në historinë moderne gjermane.

Vjedhja me forcë u zbulua dje në mëngjes pas aktivizimit të alarmit të zjarrit.

Rreth 200 klientë të shqetësuar u mblodhën sot jashtë bankës – duke kërkuar informacion në lidhje me sendet e tyre me vlerë – ndërsa disa prej tyre u përpoqën të hynin me forcë, duke bërë që policia të shpallte degën të mbyllur. //a.i/

The post GJERMANI – Rreth 30 milionë euro të vjedhura në një grabitje historike bankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA premton 2 miliardë dollarë për programet humanitare të OKB-së

30 December 2025 at 14:27

UASHINGTON, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- SHBA-ja premtoi 2 miliardë dollarë për të financuar programet humanitare të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Angazhimi ankorues është pjesë e një paradigme të re me anë të së cilës SHBA-ja do të zëvendësojë batakun aktual të papërgjegjshëm të granteve të projektuara me një sërë fondesh të konsoliduara dhe fleksibile të përbashkëta në nivel vendi ose krize”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë.

“Një Memorandum Mirëkuptimi (MM) që përshkruan një paradigmë të re për financimin e ndihmës humanitare të OKB-së nga SHBA-ja u nënshkrua dje në Gjenevë”, tha departamenti.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se, ndërsa kontributet vjetore të SHBA-së në programet humanitare të OKB-së ishin rritur ndjeshëm vitet e fundit – duke arritur në 8-10 miliardë dollarë në vit – shumë organe të OKB-së kishin braktisur misionin e tyre të promovimit të paqes dhe sigurisë globale.

Departamenti foli për ideologji radikale sociale, që vepron për të minuar interesat dhe vlerat amerikane, dhe për të minuar paqen, sovranitetin dhe prosperitetin e përbashkët.

Zëvendëssekretari i Trump për Ndihmën e Jashtme, Jeremy Lewin, tha se marrëveshja e nënshkruar e zhvendoste financimin e SHBA-së në mekanizma financimi të përcaktuara qartë, të përgjegjshme, efikase dhe me përparësi të lartë – për të siguruar që çdo dollar i taksapaguesit – i shpenzuar për ndihmë humanitare – të avanconte interesat kombëtare amerikane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se marrëveshja reformonte rrënjësisht mënyrën se si SHBA-ja – programon, financon dhe mbikëqyr punën humanitare të administruar nga OKB-ja – duke siguruar që të shpëtoheshin më shumë jetë.

SHBA-ja kanë qenë për vite me radhë ofruesja më e madhe e ndihmës humanitare në botë, por që kur Trump u rikthye në detyrë në janar, ka shkurtuar miliarda dollarë ndihmë të huaj, duke përfshirë edhe mbylljen e agjencisë ndërkombëtare të zhvillimit USAID. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA premton 2 miliardë dollarë për programet humanitare të OKB-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – SHBA mbron Izraelin nga kritikat për njohjen e Somalilandit si shtet të pavarur

30 December 2025 at 12:56

NJU JORK, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbrojtën dje Izraelin nga kritikat që lidhen me njohjen e Somalilandit si shtet të pavarur.

Të premten, Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu rajonin e shkëputur të Somalilandit si shtet sovran.

Somalilandi, një rajon mysliman në Somalinë veriore me disa milionë banorë, ka qenë praktikisht i pavarur për më shumë se tre dekada.

Gjatë një seance emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (UNSC) dje në Nju Jork, ambasadorja amerikane, Tammy Bruce tha se Izraeli kishte “të njëjtën të drejtë për të zhvilluar marrëdhënie diplomatike” si çdo shtet tjetër sovran.

“Këtë vit, disa vende, përfshirë anëtarët e këtij Këshilli, morën vendimin e njëanshëm për të njohur shtetin palestinez joekzistent. E megjithatë, nuk u thirr asnjë takim emergjent për të shprehur zemërimin e këtij Këshilli”, tha Bruce.

“Takime të tilla si ky i sotmi shpërqendrojnë vëmendjen nga puna serioze për të adresuar çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Bririn e Afrikës”, shtoi ajo.

Bruce tha se nuk kishte asnjë njoftim për të bërë në lidhje me njohjen e Somalilandit nga SHBA-ja.

Vendimi i Izraelit erdhi disa ditë përpara se Somalia të merrte presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në fillim të janarit.

Përfaqësuesi i Somalisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Abu Bakr Dahir Osman, e hodhi poshtë vendimin e Izraelit duke e quajtur atë “të pavlefshëm”.

“Ky akt agresioni synon të inkurajojë fragmentimin e Somalisë”, tha ai, duke u bërë thirrje shteteve anëtare ta dënonin atë “pa mëdyshje”. //a.i/

The post NJU JORK – SHBA mbron Izraelin nga kritikat për njohjen e Somalilandit si shtet të pavarur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – “Boeing” kontratë prej 8,58 miliardë dollarësh me Izraelin për avionët F-15

30 December 2025 at 12:33

UASHINGTON, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Kompania amerikane e prodhimit të avionëve “Boeing” ka siguruar një kontratë prej 8,58 miliardë dollarësh për “Programin Izraelit F-15”, njoftoi dje në mbrëmje Pentagoni.

“Kjo kontratë parashikon projektimin, integrimin, instrumentimin, testimin, prodhimin dhe dorëzimin e 25 avionëve të rinj F-15IA për Forcat Ajrore Izraelite – me një opsion që përfshin 25 avionë të tjerë F-15IA”, tha Pentagoni.

Puna do të kryhet në Saint Louis, Mizuri, dhe pritet të përfundojë deri më 31 dhjetor 2035.

“Kontrata përfshin shitje ushtarake të huaja për Shtetin e Izraelit – e cila u dha si një blerje me burim të vetëm”, shtoi Pentagoni.

SHBA-ja është aleati kryesor dhe furnizuesi i armëve i Izraelit.

Ky njoftim erdhi pas një takimi midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu dje në Florida. //a.i/

The post SHBA – “Boeing” kontratë prej 8,58 miliardë dollarësh me Izraelin për avionët F-15 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 29 December 2025Main stream

UKRAINË – Kievi akuzon rusët për vrasje me armë zjarri të të burgosurve të luftës

29 December 2025 at 15:42

KIEV, 29 dhjetor /ATSH-DPA/- Prokurorët shtetërorë ukrainasë në rajonin e Donetskut, kryesisht të pushtuar nga Rusia, akuzuan sërish sot ushtrinë ruse për vrasje me armë zjarri të të burgosurve të luftës.

Ata thanë se ushtarët rusë kishin marrë dy ukrainas të burgosur në Shakhove, një fshat pranë qytetit të Pokrovskit, dhe kishin detyruar njërin prej tyre të zhvishej.

“Pastaj ata i qëlluan dhe vranë të dy ushtarët e çarmatosur”, thanë ata në një deklaratë zyrtare.

Prokurorët thanë se kishin filluar procedurat për krime lufte.

Ukraina është perballur me pushtimin e plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.

Kievi ka akuzuar vazhdimisht forcat ruse për shkelje të Konventës së Gjenevës mbi trajtimin e të burgosurve të luftës.

Autoritetet ukrainase kanë zbuluar disa raste të të burgosurve të luftës të vrarë me armë zjarri. //a.i/

The post UKRAINË – Kievi akuzon rusët për vrasje me armë zjarri të të burgosurve të luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky kërkon që garancitë e sigurisë nga SHBA-ja të zgjasin 30-50 vjet

29 December 2025 at 15:31

KIEV, 29 dhjetor /ATSH-DPA/- Uashingtoni dhe Kievi kanë rënë dakord për nevojën e garancive të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën, por se sa kohë duhet të zgjasin ato mbetet e diskutueshme.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se plani i paqes i nisur nga administrata amerikane parashikonte një periudhë prej 15 vitesh me mundësinë e një zgjatjeje.

“I thashë presidentit amerikan, Donald Trump se do të donim shumë të shqyrtonim mundësinë e garancive të sigurisëpër 30, 40 ose 50 vite”, tha Zelensky, duke reflektuar qëndrimin ukrainas.

“Trump premtoi se do të mendonte rreth kësaj”, tha ai.

Zelensky e justifikoi kërkesën e tij drejtuar Trump për garanci afatgjata sigurie – me luftën e vazhdueshme kundër Rusisë.

“I thashë se ne jemi tashmë në luftë dhe se ajo ka vazhduar për gati 15 vjet”, tha kreu i shtetit ukrainas.

Presidenti rus, Vladimir Putin lëshoi urdhrin për të pushtuar Ukrainën në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, Moska e kishte aneksuar tashmë ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë në fillim të vitit 2014.

Gjithashtu, separatistët e mbështetur nga Rusia morën pushtetin në disa pjesë të rajonit lindor të Ukrainës, Donbas – i cili përfshin pjesën më të madhe të provincave ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut, gjatë kësaj periudhe.

Për t’i dhënë fund luftimeve, kërkesat ruse përfshijnë tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga Donbasi, heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO dhe një zvogëlim të madhësisë së ushtrisë së Kievit. //a.i/

The post KIEV – Zelensky kërkon që garancitë e sigurisë nga SHBA-ja të zgjasin 30-50 vjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Netanyahu mbërrin në SHBA mes përshkallëzimit të tensioneve në Gaza

29 December 2025 at 14:24

UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH/-Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump është angazhuar për t’i dhënë fund luftës në Evropë, progresi në Lindjen e Mesme ka ngecur, sipas “NBC News”.

Presidenti amerikan pritet të takohet sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në rezidencën e tij në Florida, me shpresën për të çuar perpara armëpushimin që ai ndërmjetësoi në Gaza.

Lideri izraelit ndërkohë pritet t’i paraqesë presidentit amerikan, Trump argumente për veprimet e reja kundër Iranit.

“Këto dy çështje pritet të jenë në qendër të diskutimeve në rezidencën Mar-a-Lago të Trump”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas raportimeve të medieve amerikane, Netanyahu ka mbërritur në Florida me avionin e tij qeveritar.

Axhenda e takimeve parashikon një takim të Netanyahut me Marco Rubio, sekretarin amerikan të Shtetit në 16:00 dhe më pas me presidentin amerikan, Donald Trump rreth orës 19:00.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi në tetor të këtij viti, duke i dhënë fund konfliktit 2-vjeçar në Gaza, por, ka pasur disa lëvizje në fazën e dytë, më komplekse, të procesit të paqes, duke ngritur shqetësime se të dyja palët po dështojnë në ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e fazës së ardhshme të marrëveshjes.

Më shumë se 400 persona janë vrarë në enklavën palestineze që nga nisja e armëpushimit sipas autoriteteve lokale, ndërsa Izraeli ka akuzuar Hamasin për shkeljen e tij, përfshirë dhe vonesat në kthimin e trupave të pengjeve, me një trup që ka mbetur ende për t’u dorëzuar. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Netanyahu mbërrin në SHBA mes përshkallëzimit të tensioneve në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFJE – Bullgaria përgatitet të hyjë në eurozonë mes entuziazmit dhe skepticizmit

29 December 2025 at 13:47

SOFJE, 29 dhjetor /ATSH/- Bullgaria, një vend i Detit të Zi në kufirin juglindor të Bashkimit Evropian, do të jetë vendi i 21-të që do të bashkohet me zonën e monedhës euro pasi përmbushi kriteret zyrtare të hyrjes këtë vit, duke përfshirë inflacionin, deficitin buxhetor, kostot e huamarrjes afatgjata dhe stabilitetin e kursit të këmbimit, sipas “Reuters”.

Bankat, bizneset dhe blerësit bullgarë po përgatiteshin këtë javë t’i thoshin lamtumirë monedhës lev përpara një lëvizjeje për të adoptuar euron më 1 janar, një moment i shumëpritur me entuziazëm, skepticizëm dhe, nga disa kritikë me zemërim.

Kjo vjen dy vjet pasi Kroacia iu bashkua eurozonës në janar 2023 – vendi i fundit që e bëri këtë – dhe do ta çojë numrin e evropianëve që përdorin monedhën euro në më shumë se 350 milionë.

Të bëhesh anëtar i zonës euro, përveç përdorimit të kartëmonedhave dhe monedhave euro, do të thotë gjithashtu të jesh një vend në Këshillin Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane që përcakton normat.

Ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme bullgare janë përpjekur të hyjnë eurozonë që nga bashkimi me BE-në në vitin 2007, vendi ballkanik me 6,7 milionë banorë është i ndarë për këtë çështje, megjithëse bizneset janë kryesisht në favor.

Megjithatë, disa kritikë druhen se kjo do të rrisë çmimet, ose janë dyshues ndaj një establishmenti politik vendas mes një krize që bëri që qeveria të jepte dorëheqjen këtë muaj mes protestave të përhapura kundër rritjes së propozuar të taksave. //a.i/

 

 

The post SOFJE – Bullgaria përgatitet të hyjë në eurozonë mes entuziazmit dhe skepticizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Kremlini: Ukraina të tërheqë trupat nga Donbasi nëse dëshiron paqe

29 December 2025 at 13:24

MOSKË, 29 dhjetor /ATSH/- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga Donbasi nëse dëshiron paqe, sipas “Reuters”.

“Nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë më shumë territor”, theksoi Peskov.

Gjithashtu, Peskov refuzoi të komentonte mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas kur u pyet nga gazetarët.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump zhvilluan dje një bisedë telefonike përpara takimit të Trump në Miami me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se kontrolli mbi rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës mbetej një tjetër çështje e pazgjidhur.

Ndërkohë, Moska kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe rreth 99% të Luhanskut, i njohur si Donbas.

“Ne duhet të respektojmë ligjin dhe popullin tonë dhe territorin që kontrollojmë”, tha Zelensky duke folur dje pasdite me gazetarët.

“Dhe sigurisht, qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kjo është arsyeja pse presidenti amerikan, Donald Trump tha se kjo është një pyetje shumë e vështirë”, tha ai.

Trump e përshkroi gjithashtu Donbasin si një çështje “të pazgjidhur”, por tha se ishin shumë afër arritjes së një marrëveshjeje. //a.i/

The post MOSKË – Kremlini: Ukraina të tërheqë trupat nga Donbasi nëse dëshiron paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kinemaja feston 130-vjetorin e shfaqjes së parë publike të filmit

29 December 2025 at 12:22

ROME, 29 dhjetor /ATSH/- Një pamje unike e punonjësve që largohen nga një fabrikë. Ky ishte imazhi i parë i parë që publiku pa në bodrumin e “Grand Café” në Paris, në “14 Boulevard des Capucines”, më 28 dhjetor të vitit 1895, sipas “Skytg24”.

Një datë historike që shënon lindjen e kinemasë. 130 vjet më parë, Vëllezërit Lumière organizuan shfaqjen e parë publike të shpikjes së tyre të re të quajtur “kinematografi” në Paris.

Nga imazhet në dritën e projektuar, u krijua një formë e re arti: arti i kinemasë dhe krijimit të filmave.

Magjistari Georges Méliès, i cili më vonë u cilësua si themeluesi i vërtetë i formës së shtatë të artit, pati privilegjin të merrte pjesë në atë shfaqje të parë filmi.

Nëse Méliès konsiderohet themeluesi i tij, pararendësit e vërtetë ishin padyshim vëllezërit Louis Marie dhe Auguste Nicolas Lumière.

Filmi i parë i shkurtër që ata xhiruan, i shfaqur për publikun më 28 dhjetor 1895, titullohej “La sortie des usines Lumière” (“Dalja nga Fabrikat Lumière”): një imazh i punonjësve gjatë ndërrimit të turneve tyre në fabrikat.

Ata ishin krijuesit e vërtetë të kinematografit, një shpikje e prezantuar tashmë në qarqet shkencore më 22 mars të të njëjtit vit.

Një shpikje që i bëri shumë njerëz të habiteshin: çfarë mund të kishte më shumë sesa fenerët magjikë që ishin të njohur në atë kohë?

E megjithatë, pas prezantimit të parë publik në “Grand Café”, tani “Hôtel Scribe” në lagjen e “Operas Parisiane”, pati një sukses të menjëhershëm.

Që atëherë, njerëzit filluan të prisnin në radhë për të parë shfaqjet, të cilat zgjasnin rreth 20 minuta dhe përmbanin skeçe të ndryshme: nga “Dalja” te “Mësim akrobacie mbi kalë” deri te “Peshkimi i Peshqve të Artë”.

Bileta e hyrjes kushtonte 1 frang, dhe qiraja e teatrit ishte 30 franga në ditë.

Megjithatë, me publikimin e filmave të rinj të shkurtër siç ishte i famshmi, “Mbërritja e trenit në stacionin La Ciotat” – një qytet në jug të Francës ku familja e industrialistit kishte një shtëpi pushimi – i shfaqur në janar të vitit 1986, ata arritën të shisnin deri në 2,500 bileta çdo ditë. //a.i/

 

 

The post Kinemaja feston 130-vjetorin e shfaqjes së parë publike të filmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“La Repubblica”: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk heq dorë nga asgjë

29 December 2025 at 11:47

ROMË, 29 dhjetor /ATSH/- Historiani ruso-britanik Sergej Radchenko, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” dhe ekspert i Luftës së Ftohtë, vlerëson se pavarësisht përpjekjeve për ta përafruar planin prej 28-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump me qëndrimin e Kievit, realisht situata nuk ka ndryshuar, sipas “La Repubblica”.

Sipas tij, sot bisedimet janë në të njëjtën pikë si një muaj më parë, kur Trump përpiqej të ndërmjetësonte armëpushimin duke ushtruar presion mbi të dyja palët.

Tonet mund të jenë më të buta, por realiteti mbetet i njëjtë…

Radchenko tha se ekzistojnë dy skenare: nëse Ukraina tërhiqet nga Donbasi, kjo do të ishte një fitore e madhe për Putinin. Nëse kjo nuk ndodh, nuk pritet asnjë progres i shpejtë.

Sipas tij, Trump po e tepron me optimizmin, pasi nuk ka shenja që Rusia është gati të pranojë një plan të ri paqeje.

Pse armëpushimi nuk shihet si zgjidhje?

Sipas Radchenko, Putini e ka dhënë përgjigjen e tij me bombardimet e fundit në Kiev.

Mesazhi është i qartë: Rusia ka kapacitet të vazhdojë luftën. Qëllimi është të ushtrohet presion mbi Ukrainën që të pranojë kushtet ruse. Putini nuk pranon ndërmjetësime dhe nuk ka hequr dorë nga kërkesat maksimale, ndërsa Ukraina është detyruar të bëjë lëshime.

A mund ta ndalojë SHBA-ja Putinin?

Gjithçka varet nga reagimi i Trump nëse Putini refuzon planin dhe vazhdon luftën.

Radchenko ngre dyshime se nëse Trump vazhdon mbështetjen për Ukrainën apo tërhiqet, duke ia lënë barrën Evropës dhe Kievit, ekziston edhe rreziku që presioni të shtohet mbi Zelensky për lëshime të tjera.

A do të përfundojë shpejt lufta?

Sipas Radchenko, lufta nuk do të përfundojë. Edhe nëse SHBA-të dhe Ukraina bien dakord, Rusia do të paraqesë kërkesa të reja. Putini nuk është i gatshëm të bëjë as lëshime minimale.

Çfarë kërkon në të vërtetë Trump?

Ai kërkon fundin e luftës që të paraqitet si njeriu që solli paqen, pa u shqetësuar shumë për kushtet. Kjo e vendos Zelensky në një pozitë shumë të vështirë: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk lëshon pe për asgjë.

Garancitë e sigurisë

Zelensky ka nevojë për garanci sigurie për t’ia justifikuar popullit lëshimet territoriale.

Por, Radchenko paralajmëron se këto garanci pritet të jenë të paqarta dhe jo detyruese për SHBA-në. Trump nuk dëshiron të rrezikojë një përballje me një fuqi bërthamore si Rusia.

Roli i Evropës

Sipas Radchenkos, evropianët janë anashkaluar dhe kjo është shumë problematike.

Ata duhet të ishin pjesë aktive e negociatave, pasi kanë një rol kyç në sanksione dhe garancitë e sigurisë. Megjithatë, deri tani, Evropa nuk ka ditur t’i përdorë siç duhet mjetet që ka në dorë. //a.i/

The post “La Repubblica”: Ukraina shtyhet drejt kompromiseve të mëdha, ndërsa Rusia nuk heq dorë nga asgjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Eksperti rus: Bisedimet SHBA-Rusi janë çelësi i paqes

29 December 2025 at 09:54

MOSKË, 29 dhjetor /ATSH-DPA/- Eksperti rus i politikës së jashtme, Konstantin Kosachev i sheh si pozitive bisedimet midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, si dhe takimin e Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Konstantin Kosachev, nënkryetar i Dhomës së Lartë të parlamentit të Rusisë, Këshillit të Federatës, tha sot se çelësi për t’i dhënë fund luftës mbeten bisedimet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – jo me evropianët.

“Një gjë është e qartë: çelësat e një zgjidhjeje janë në duart e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Evropianët do të vazhdojnë të shkaktojnë probleme”, tha ai në Telegram.

Ai vlerësoi qëndrimin e SHBA-së si të ekuilibruar dhe të orientuar drejt qëllimit, duke thënë se ekziston një ndjesi se lëvizja është në horizont.

Kosachev tha se procesi i vërtetë i negociatave ishte iniciuar nga telefonata midis presidentëve Trump dhe Putin.

“Marrëveshja për dy aspekte të negociatave – çështjet e sigurisë dhe ekonomike – ishte e rëndësishme”, tha ai.

Takimi i djeshëm midis Trump dhe Zelensky, i mbajtur pas telefonatës, nuk dha ndonjë rezultat të prekshëm.

Mbi të gjitha, çështja e dorëzimit të territoreve ukrainase, të cilat Rusia nuk ka qenë në gjendje t’i pushtojë ushtarakisht në luftën që filloi gati katër vjet më parë, mbetet e pazgjidhur. //a.i/

The post MOSKË – Eksperti rus: Bisedimet SHBA-Rusi janë çelësi i paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump takohet sot me Netanyahun për të diskutuar planin e paqes në Gaza

29 December 2025 at 09:30

UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të presë sot kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Florida për të diskutuar fazën tjetër të planit të paqes të Trump në Gaza.

Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në Rripin e Gazës që nga 10 tetori, pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një plan rrugor prej 20 pikësh, të mbështetur nga Uashingtoni, për t’i dhënë fund më shumë se dy viteve luftime.

Por, zbatimi i fazës së dytë të planit, sipas të cilit Hamasi duhet të dorëzojë armët dhe të vendoset një forcë ndërkombëtare stabilizimi, pritet të jetë shumë më i ndërlikuar. Hamasi deri më tani ka hedhur poshtë të gjitha thirrjet për çarmatim.

Trump dhe Netanyahu, të cilët do të takohen në Mar-a-Lago për herë të gjashtë këtë vit, pritet gjithashtu të diskutojnë për Iranin, i cili Izraeli thotë se ka qenë duke rimbushur rezervat e tij të raketave pas sulmeve tregtare me vendin në fillim të këtij viti.

Dy udhëheqësit do të flasin gjithashtu për Libanin dhe Sirinë, me SHBA-në si një ndërmjetës kyç në përpjekjet izraelite për të arritur marrëveshje sigurie me fqinjët e saj veriorë.

Netanyahu do të shoqërohet nga prindërit e pengut të fundit izraelit, trupi i të cilit mbahet ende në Gaza.

Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi pranoi të lirojë të gjithë pengjet e rrëmbyera gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Sipas marrëveshjes, faza e dytë e marrëveshjes së paqes do të hyjë në fuqi vetëm pasi të gjithë pengjet, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, të jenë kthyer në Izrael.//a.i/

The post SHBA – Trump takohet sot me Netanyahun për të diskutuar planin e paqes në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media izraelite “Ynet news” rekomandon Shqipërinë për pushime autentike kundrejt destinacioneve tradicionale

29 December 2025 at 07:36

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/- Ndërsa vendet e njohura turistike bëhen më të shtrenjta, alternativa të reja po hyjnë në lojë! Në konsultim me ekspertët e turizmit, ju sugjerojmë disa nga destinacionet më të mira për të udhëtuar në vitin 2026 – të ngjashme me vendpushimet e njohura tradiconale, shkruan Iris Lifshitz-Klieger në një artikull të botuar në revistën izraelite “Ynet news”.

Sipas ekspertëve, ekzistojnë vende të krahasueshme me pikat e njohura turistike – ku mund të shijoni një përvojë të ngjashme por me një kosto shumë më të ulët.

Viti 2026 mund të jetë viti i zgjedhjeve më të zgjuara për udhëtime – me më pak preferencë për destinacionet klasike dhe më shumë kërkime për alternativa që ofrojnë një përvojë të ngjashme dhe me një çmim dukshëm më të ulët.

Pas një periudhe, gjatë të cilës izraelitët u dyndën drejt destinacioneve të njohura – kryesisht për shkak të pasigurisë – një gamë më e gjerë fluturimesh, falë konkurrencës në rritje të linjave ajrore – po rihap hartën drejt destinacioneve të reja dhe të pazbuluara.

Këto vende ofrojnë pushime evropiane ekzotike me një buxhet të përballueshëm.

Në vend të Budapestit – zgjidhni Tiranën, në Shqipëri:

Tirana mund të jetë më pak e njohur, por ofron një ndërthurje të mahnitshme të një qyteti të ri evropian, kafeneve në modë, çmimeve të ulëta dhe aksesit të lehtë në natyrë dhe plazheve aty pranë.

Midis 12 dhe 15 korrikut, akomodimi në “Hotel Albanopolis” ka një kosto duke filluar nga 499 dollarë për person.

“Eshet Tours” gjithashtu ofron një paketë pushimi ku përfshihen katër netë qëndrimi në Shqipëri, në korrik në një hotel me katër yje për 492 dollarë për person.

Përveç kësaj, “Eshet Tours” ofron një paketë për pesë netë në Tiranë nga 23 deri në 28 korrik, duke mbuluar fluturimin dhe akomodimin në “Hotel Boutique Arbnor” me katër yje, me mëngjesin e përfshirë, duke filluar nga 490 dollarë për person.

Revista izraelite ka sugjeruar disa destinacione të reja – të cilësuara si më të mirat për të udhëtuar në vitin 2026 – që mund të zëvendësojnë vendpushimet e njohura tradicionale:

•Në vend të Budapestit – Tirana, Shqipëri
•Në vend të Pragës – Bukureshti, Rumani
•Në vend të Mikonos – Batumi, Gjeorgji
•Në vend të Berlinit – Varshava, Poloni
•Në vend të Budapestit ose Romës – Sofje, Bullgari
•Në vend të Tajlandës – Sri Lanka
•Në vend të Amsterdamit – Sllovaki ose Slloveni
•Në vend të Romës ose Selanikut – Baku, Azerbajxhan

Çfarë thotë industria e turizmit?

“TAL Aviation” – kompania lidere e linjave ajrore, udhëtimeve dhe turizmit – tha për “Ynet news” se është shfaqur një trend i ri përpara verës së vitit 2026: Turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa të reja kundrejt destinacioneve tradicionale verore, të nxitur kryesisht nga kostoja e lartë e jetesës dhe rritja e çmimeve në destinacionet e njohura.

Sipas kompanisë, një numër në rritje izraelitësh po zgjedhin destinacione që ofrojnë një përvojë të ngjashme me pikat e njohura turistike por, me një çmim dukshëm më të ulët.

Tali Noy, nënkryetar i strategjisë dhe marketingut në “Issta” tha: “Në epokën aktuale, familjet po kërkojnë përvoja unike përtej destinacioneve tradicionale si Greqia dhe Qiproja. Po shohim një kërkesë në rritje për udhëtime verore në vende të tilla si, Shqipëria, Uzbekistani, Rumania, Lituania dhe Mali i Zi. Ky trend pasqyron një dëshirë për pushime autentike që kombinojnë natyrën, kulturën dhe historinë, së bashku me çmime të arsyeshme”.

Shirly Cohen Urkabi, nënkryetare në “Eshet Tours” tha se destinacionet që pritet të kryesojnë në vitin e ardhshëm përfshijnë Greqinë, Ballkanin, Malin e Zi, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Evropën Lindore, si dhe Azinë Qendrore, Marokun dhe Kaukazin: Azerbajxhanin, Kirgistanin, Uzbekistanin, Armeninë dhe Gjeorgjinë, së bashku me Lindjen e Largët. //a.i/

The post Media izraelite “Ynet news” rekomandon Shqipërinë për pushime autentike kundrejt destinacioneve tradicionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Tyler Perry akuzohet sërish për ngacmim seksual, Rodriguez kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim

27 December 2025 at 14:01

LOS ANXHELES, 27 dhjetor /ATSH/- Tyler Perry, regjisori dhe producenti i njohur, po përballet me një tjetër padi për ngacmim seksual nga aktori dhe modeli Mario Rodriguez, i cili pretendon se është ngacmuar seksualisht dhe i janë bërë propozime të padëshiruara nga Perry, në këmbim të një karriere në industrinë e filmit, sipas “People”.

Rodriguez ka kërkuar një dëmshpërblim prej 77 milionë dollarësh.

Padia përshkruan se ngacmimet kishin filluar në vitin 2015, kur një trajner në një palestër në Los Anxheles i kishte thënë Rodriguez se Perry dëshironte ta takonte.

Incidentet e mëtejshme, sipas padisë, përfshinin takime në shtëpinë e Perry, ku dyshohet se regjisori e ka ngacmuar seksualisht Rodriguez, përfshirë një rast në nëntor 2018 kur dyshohet se i ka prekur organet gjenitale pavarësisht kundërshtimeve.

Pasi këtyre incidenteve, Perry i ka kërkuar falje Rodrigues dhe i ka dhënë 5,000 dollarë, por ngacmimet dyshohet se kanë vazhduar deri në prill 2019.

Padia pretendon gjithashtu se Perry ka patur komunikime me ndërprerje me Rodriguez deri në vitin 2024, dhe kur mësoi për ngritjen e padisë, i dërgoi një mesazh duke thënë se ndihej “i tradhtuar” dhe se kishte bërë shumë për ta ndihmuar.

Mario Rodriguez foli publikisht për ngacmimet seksuale përmes një videoje në “Instagram” më 13 dhjetor, duke shpjeguar se frika dhe turpi e kishin penguar të fliste më parë, pa përmendur emrin e Perry.

“Heshta për një kohë të gjatë. Nëse do të kisha folur më herët, ndoshta mund të kisha shpëtuar dikë tjetër”, tha ai.

Kjo padi vjen disa muaj pas padisë së aktorit Derek Dixon, i cili ka akuzuar Perry për ngacmim seksual, sulm dhe hakmarrje, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 260 milionë dollarësh.

Avokati i Perry ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar sto si të sajuara dhe të bazuara mbi mashtrim.

Ky rast rrit sërish vëmendjen ndaj akuzave të përsëritura për ngacmim seksual kundër Tyler Perry dhe ndikimit që këto pretendime kanë mbi karrierën dhe imazhin e tij publik. //a.i/

 

The post Tyler Perry akuzohet sërish për ngacmim seksual, Rodriguez kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës

27 December 2025 at 13:44

KIEV, 27 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përdorte blloqe apartamentesh të zakonshme në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë, për të sulmuar objektivat ukrainase dhe për të anashkaluar mbrojtjen e Kievit, sipas “Reuters”.

Kremlini përdori territorin bjellorus për të nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022 dhe Bjellorusia mbetet një aleat i palëkundur, megjithëse presidenti i hershëm Alexander Lukashenko është zotuar të mos angazhojë trupa në konflikt.

“Rusët duket se po përpiqen të anashkalojnë pozicionet tona mbrojtëse të interceptimit përmes territorit të Bjellorusisë fqinje. Kjo është e rrezikshme për Bjellorusinë”, tha dje Zelensky në Telegram pas një takimi të stafit ushtarak.

“Është për të ardhur keq që Bjellorusia po heq dorë nga sovraniteti i saj në favor të ambicieve agresive të Rusisë”, shtoi ai.

Zelensky tha se shërbimet sekrete ukrainase kishin vërejtur se Bjellorusia po dislokonte pajisje për të kryer sulmet e saj në vendbanimet bjelloruse pranë kufirit, duke përfshirë edhe ndërtesat e banimit.

“Antenat dhe pajisjet e tjera janë të vendosura në çatitë e ndërtesave të zakonshme pesëkatëshe, të cilat ndihmojnë në drejtimin e dronëve rusë “Shahed” drejt objektivave në rajonet tona perëndimore. Kjo është një shpërfillje absolute për jetët njerëzore dhe është e rëndësishme që Minsku të ndalojë së luajturi me këtë”, tha presidenti ukrainas. //a.i/

 

The post KIEV – Zelensky: Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PHENIAN – Kim Jong Un vlerëson marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë në mesazhin e Vitit të Ri

27 December 2025 at 13:05

PHENIAN, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un vlerësoi lidhjet e vendit të tij me Rusinë, duke thënë se ato forcohen duke “ndarë gjak, jetë dhe vdekje në të njëjtën llogore”, në një mesazh të Vitit të Ri drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin.

“Askush nuk mund t’i prishë tani lidhjet midis popujve të dy vendeve”, tha Kim duke iu referuar mbështetjes së Koresë së Veriut për Rusinë në luftën kundër Ukrainës.

Disa ditë më parë, presidenti Putin falënderoi Kim në mesazhin e tij të Vitit të Ri për përpjekjet “heroike” të ushtarëve të Koresë së Veriut.

Vitin e kaluar, Koreja e Veriut u angazhua në një bashkëpunim ushtarak me Rusinë.

Vlerësimet e inteligjencës së Koresë së Jugut sugjerojnë se rreth 15 000 ushtarë të Koresë së Veriut u vendosën në zona të shumta për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës – ndërsa Pheniani gjithashtu furnizoi Moskën me sasi të mëdha municionesh dhe artilerie.

Vëzhguesit besojnë se Koreja e Veriut mund të marrë para, pajisje ushtarake dhe garanci sigurie nga Rusia në këmbim.

Diplomatët, gjithashtu vënë në dukje se përvoja e fituar në Ukrainë u lejon forcave të Koresë së Veriut të testojnë sistemet e armëve, në praktikë dhe të fitojnë përvojë operacionale, veçanërisht në luftën moderne me dronë.

Nuk është e qartë se sa aktivisht janë të angazhuara trupat e Koresë së Veriut në luftimet në Ukrainë. //a.i/

The post PHENIAN – Kim Jong Un vlerëson marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë në mesazhin e Vitit të Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump

27 December 2025 at 12:20

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia nisi sulme të mëtejshme me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën gjatë natës, duke synuar disa rajone dhe kryeqytetin, Kiev.

Të paktën 19 persona u plagosën, sipas një raporti të kryebashkiakut, Vitali Klitschko.

“Zjarre të mëdha shpërthyen në dy ndërtesa të larta në qytet si rezultat i sulmeve”, tha Klitschko në “Telegram”.

Në qytetin me 3 milion banorë raportua ndërprerje e energjisë elektrike.

“Aktualisht, ka më shumë se 2 600 ndërtesa banimi, 187 kopshte, 138 shkolla dhe 22 institucione sociale pa ngrohje qendrore”, tha Klitschko.

“Furnizuesit e energjisë dhe shërbimet komunale po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji dhe ngrohje”, shtoi ai.

“Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë vendin gjatë sulmeve, të cilat prekën edhe rajonet, Chernihiv, Mykolaiv, Kharkiv dhe Zhytomyr”, thanë Forcat Ajrore Ukrainase.

Media ukrainase raportoi se raketat hipersonike Kinzhal ishin ndër armët e përdorura, me infrastrukturën energjetike që thuhet se ishte në shënjestër.

Ukraina është mbrojtuar kundër pushtimit të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.

Me sulmet e fundit, Rusia po ushtron presion ushtarak përpara bisedimeve midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, të planifikuara sot në Florida.

Nga ana tjetër, Zelensky ka të ngjarë t’i bëjë edhe një herë të qarta vijat e kuqe të Kievit në negociatat me Trump.

Udhëheqësi ukrainas refuzon të dorëzohet për një paqe të diktuar sipas kushteve të Moskës. //a.i/

The post KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌