Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Vetëm një aplikim në Kuvend për karrigen e gjyqtarit kushtetues! 30 dhjetori afati i fundit, nevojiten 3 emra në fazën finale që gara të jetë e vlefshme

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:33

Kuvendi do të zgjedhë mes 3 të parëve më të vlerësuar nga KED, gjyqtarin që për 9 vjet do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në karrigen e liruar nga Elsa Toska, dorëhequr në vitin 2024.

Kur kanë ngelur dhe pak ditë për të dorëzuar dosjet në Kuvend për një vend në Gjykatën Kushtetuese, interesi i kandidatëve rezulton i ulët. Report TV ka mësuar se që nga hapja e garës, i vetmi aplikant është Genc Gjonçaj, që mban dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Ai gjithashtu ka garuar edhe për një mandat kushtetues që emërohet nga Presidenti i Republikës.

Afati i fundit për të dorëzuar emrat në Kuvend është 30 dhjetori, dhe duhen të paktën 3 emra në fazën finale që gara të jetë e vlefshme.

Kuvendi do të zgjedhë mes 3 të parëve më të vlerësuar nga KED, gjyqtarin që për 9 vjet do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në karrigen e liruar nga Elsa Toska, dorëhequr në vitin 2024.

Ndërsa Presidenti i ka mbledhur aplikimet dhe i ka dorëzuar për verifikim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Edhe ai do të ketë mundësi të dekretojë një gjyqtar për mandat të plotë, mes tre emrave me më shumë pikë nga KED.

Gjyqtari që do të emërojë Begaj, do të pasojë anëtaren Sonila Bejtja.

Largimi i Toskës, Zaçajt dhe Bejtes është pjesë e skemës së rifreskimin të Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë çdo tre vjet.

“Sot mbyllet një ndër kapitujt më sfidues të karrierës sime”, Dumani besimplotë ndaj Brahos: Do ta çojë përpara misionin e SPAK

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:30

Altin Dumani mban fjalimin e tij për largimin nga detyra si kryeprokuror i SPAK dhe kalimin e saj te Klodian Braho. Ai tha se drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka përfaqësuar një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij, privilegj e përgjegjësi njëkohësisht.

Pavarësisht vështirësive të këtij rrugëtimi, Dumani thotë se SPAK është më i fortë dhe i konsoliduar se më parë. Ai shprehu mirënjohje për këdo që ka kontribuar, përfshirë partnerët ndërkombëtar dhe është besimplotë për vijimësinë e misionit të SPAK nën drejtimin e Brahos.

Para se t’ia lë fjalën z. Braho, t’i kaloj zyrtarisht edhe stafetën, më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit të karrierës sime 26-vjeçare si prokuror. Drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve: prokurorëve, oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesve financiarë, ekspertëve, stafit administrativ, kabinetit dhe të çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri e kurajë. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu dua t’u shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë pranë nesh në çdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve që kemi sot Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri.

“Jemi ndeshur me presione të mëdha”, Altin Dumani i dorëzon stafetën Klodian Brahos

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:14

Altin Dumani i dorëzoi sot zyrtarisht detyrën kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho.

Në një fjalim shkurt, Dumani tha se sot mbyll një nga kapitujt më sfidues në karrierën e tij profesionale. Ai u shpreh se gjatë detyrës së tij është ndeshur edhe me presione, por theksoi se ka punuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën time. Ka qenë privilegj, por edhe përgjegjësi. Jemi ndeshur me presion të mëdha. Kemi punuar me profesionalizëm. Sot SPAK është më i besueshëm. Ju falenderoj për përkushtimin dhe sakrificat. Ju shpreh mirënjohjen partnerëve tanë”, tha Altin Dumani.

Gjatë fjalës së tij, Braho shprehu vlerësim për zgjedhjen e tij në krye të këtij institucioni, duke thënë se misioni i SPAK shkon përtej mandateve.

“Shpreh falënderimin tim, marrja e detyrës është angazhim për të respektuar ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK. Vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja, zotin Dumani për guximin duke forcuar profilin e SPAK. Fokusi im do të mbetet respektimi rigoroz dhe respektimin e ligji. Institucioni do komunikojë në mënyrë të qartë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve”, tha Braho.

Qeveria jep 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:08

Këshilli i Ministrave ka miratuar Aktin Normativ të Fundvitit për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Nga ky akt normativ do të shperndahet një bonus prej 15 mijë lekësh të reja per familje që përfitojnë ndihmë ekonomike si edhe personat me aftësi ndryshe apo kujdestarët e tyre.

Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 500 qytetarë me një fond total prej rreth 2.2 miliardë lekësh.

“Disa nga çështjet kryesore që miratuam nëpërmjet këtij akti normativ janë: mbështetje financiare për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe për personat me aftësi të kufizuar, apo dhe kujdestarët e tyre.

Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit do të jetë 15 mijë lekë, apo 150 euro. Në total nga kjo nismë do të përfitojnë  rreth 148 mijë e 500 qytetarë.”, tha Ministri i Financave Petrit Malaj.

Kërkon ta bëjë pjesë të SHBA, Trump emëron guvernatorin e Luizianës të dërguar special në Groenlandë

By: Fax Web
22 December 2025 at 09:53

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht publikisht dëshirën e tij që Groenlanda të bëhet “pjesë” e Shteteve të Bashkuara, edhe pse ishulli është një rajon autonom i Mbretërisë së Danimarkës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi përmes një postimi në Truth Social se do të emërojë guvernatorin e Luizianës, republikanin Jeff Landry, si të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë në Groenlandë.

“Jeff e kupton sa thelbësore është Groenlanda për sigurinë tonë kombëtare dhe do të përparojë me forcë interesat e vendit tonë për sigurinë dhe mbijetesën e aleatëve tanë dhe të botës”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht publikisht dëshirën e tij që Groenlanda të bëhet “pjesë” e Shteteve të Bashkuara, edhe pse ishulli është një rajon autonom i Mbretërisë së Danimarkës, dhe nuk e ka përjashtuar kurrë përdorimin e forcës ushtarake për këtë qëllim.

Gjeografikisht, Groenlanda është pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut që shtrihet në Arktik. Ishulli i gjerë konsiderohet i rëndësishëm për klimën globale dhe për kontrollin ushtarak të Arktikut.

Gjithashtu konsiderohet se ka nëntokën e pasur, veçanërisht me minerale të rralla dhe hidrokarbure, ndërsa rrugët detare që po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi kalojnë nëpër zonën ku ato ndodhen.

Festat e fundvitit, policia publikon planin e masave, gatishmëri dhe prezencë të shtuar të uniformave blu

By: Fax Web
22 December 2025 at 09:39

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për festat e fundvitit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.

Masat konsistojnë në shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale.

Po ashtu do të ketë edhe masa shtesë edhe në pikat kufitare gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Policia sqaron se në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit.

Qarkullimi rrugor do të monitorohet me mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe do të këtë shtim të patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.

Policia e Shtetit/Gatishmëri, shërbim i përforcuar dhe angazhim maksimal, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të vitit të Ri 2026.

Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave të rëndësishëm, si dhe parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të mirëpërcaktuara për çdo strukturë policore vendore dhe qendrore.
Masat konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;

-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;

-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.

(Në këtë kuadër, sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative.
Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve)

-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;

-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;

-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;

-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;

-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;

-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.

Pogradeci përfshihet nga atmosfera e festave

By: Fax Web
22 December 2025 at 09:07

Atmosfera e festave të fundvitit ka përfshirë edhe qytetin e Pogradecit, ku janë ndezur dritat festive që do të shoqërojnë gjithë muajin dhjetor, duke i dhënë qytetit një pamje të ngrohtë dhe plot gjallëri. Rrugët kryesore, sheshet dhe zonat më të frekuentuara janë zbukuruar me elementë festivë, duke krijuar një ambient të këndshëm për banorët dhe vizitorët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri ndau pamje nga atmosfera festive në qytet, ku shihen fëmijë që kërcejnë dhe argëtohen të veshur me kostume festive, duke reflektuar gëzimin dhe emocionet që sjellin festat e fundvitit. Këto pamje pasqyrojnë një atmosferë pozitive dhe festive, ku qyteti merr jetë përmes aktiviteteve dhe ngjyrave.

Atmosfera e krijuar nga zbukurimet dhe dritat shumëngjyrëshe do ta shoqërojë gjatë gjithë këtij muaji qytetin e Pogradecit, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm të qytetarëve vendas, por edhe të vizitorëve nga qytete të tjera. Festat e fundvitit shndërrohen kështu në një mundësi për të promovuar qytetin dhe për të gjallëruar jetën kulturore e turistike.

Në çdo qytet të Shqipërisë ndjehet atmosfera e festave gjatë këtij muaji, ku sheshet dhe rrugët janë dekoruar me pemë Krishtlindjeje, drita vezulluese dhe elementë simbolikë të festave. Kjo atmosferë festive krijon një ndjenjë bashkimi dhe gëzimi mes qytetarëve, duke e bërë dhjetorin një nga muajt më të veçantë të vitit.

Gjatë ditëve të dhjetorit, në sheshet kryesore të qyteteve po zhvillohen aktivitete të shumta festive, me muzikë, performanca artistike dhe aktivitete për fëmijë e familje, të cilat do të kulmojnë në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor, duke shënuar mbylljen e një viti dhe pritjen e vitit të ri në një atmosferë feste dhe shprese.

Kreu i ri i SPAK-ut, Klodian Braho, merr sot detyrën nga Altin Dumani

By: Fax Web
22 December 2025 at 09:05

Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbahet këtë të hënë, në orën 10:00, ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri, Klodian Braho. Ky i fundit është zgjedhur në krye të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) gjatë seancës maratonë të 11 dhjetorit.

Klodian Braho u votua nga 7 anëtarë të KLP-së, duke siguruar shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit. Në garë ishin pesë kandidatë. Përveç Brahos, kandiduan edhe Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj. Nga votimi përfundimtar, tre anëtarë të KLP-së mbështetën Adnan Xholin, një votë shkoi për Elvin Gokajn, ndërsa asnjë votë nuk u dha për Doloreza Musabelliun.

Mandati i drejtuesit të SPAK-ut është 3-vjeçar dhe nuk parashikon të drejtë rizgjedhjeje.

Altin Dumani, i cili mori drejtimin e institucionit pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të SPAK-ut, përfundon kështu detyrën e tij drejtuese dhe do të vijojë punën si prokuror i SPAK-ut deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.

Në kërkim ndërkombëtar për kultivim të bimëve narkotike 37-vjeçari arrestohet në Tiranë

By: Fax Web
22 December 2025 at 09:04

Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga Operacionalja në Tiranë.

Gjykata e Malagës në Spanjë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

37-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Spanjës.

“Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni i radhës, i koduar “Operacionalja 76”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në Tiranë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:

Gj. C. alias Gj. K., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, njoftoi sot policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

Nga emigrantë në faktorë ekonomikë/ Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, një histori suksesi

By: Fax Web
21 December 2025 at 19:04

Në nëntorin e Festave kuqezi, Bad Homburg, një qytet spa pranë Frankfurt, u shndërrua në pikëtakimin e rradhës të sipërmarrjes shqiptare në Gjermani, teksa priti takimin vjetor të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.

Ky event i përvitshëm mblodhi dhjetëra biznesmenë, profesionistë dhe përfaqësues institucionesh, të cilët ndanë përvoja, ide dhe vizione për forcimin e bashkëpunimit mes anëtarëve dhe jo vetëm.

Takimi shërbeu jo vetëm si një platformë rrjetëzimi, por edhe si një hapësirë reflektimi mbi sfidat, arritjet dhe perspektivat e reja të biznesit në Gjermani.

Më pas, në një prej restoranteve më të famshëm të Bad Homburg, pjesë e UNESCO dhe që menaxhohet nga një shqiptar, Kryetari i Unionit, Nazmi Viqa, përballë moderatores Marlbora Gurra dha më shumë detaje rreth punës së Unionit, rrugëtimit të tij dhe çfarë synohet.

Sipas tij, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane po tërheq gjithnjë e më shumë sipërmarrje shqiptare dhe gjermane, duke u shndërruar në një platformë reale bashkëpunimi.

Sot Unioni nuk është vetëm i shqiptarëve për shqiptarët, por një hapësirë serioze ekonomike,” thotë Viqa.

40 anëtarësime të reja vetëm gjatë vitit 2025

Një nga shifrat që bie më shumë në sy në intervistën me Viqën, është numri i anëtarësime gjatë vitit që po lemë pas, plot 40 hyrje të reja.

Është dëshmi e qartë se Unioni po forcohet dhe po fiton besimin e biznesit,” thekson Kryetari i Unionit Shqiptaro-Gjerman të Biznesit.

1000 biznese në databazë, një fuqi që nuk injorohet

Aktualisht, Unioni ka rreth 1000 biznese të regjistruara në databazën e tij, duke u konsideruar tashmë një forcë reale ekonomike.

Shumë anëtarë ja kanë parë hajrin këtij rrjeti bashkëpunimi“.

Investimet në Shqipëri dhe Kosovë, fokusi i radhës

Unioni synon të luajë një rol më aktiv edhe në investimet në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht në sektorë strategjikë.

Vetëm në Kosovë, diaspora sjell rreth 1.3 miliardë euro remitanca në vit, shifër që tregon potencialin e jashtëzakonshëm ekonomik. Ndaj dhe z.Viqa kërkon më shumë projekte që përfshijnë bizneset nga Diaspora.

Bizneset e diasporës duhet të përfshihen drejtpërdrejt në projektet zhvillimore,” thotë Viqa.

Reportazhi i plotë:

Policisë i “zhduket” kantina e verës 400 mln lekë e Ergys Agasit: Prokuroria shpall në kërkim kushëririn e tij Eno Agasin

By: Fax Web
21 December 2025 at 13:41

Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasin, i dyshuar për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë mallrash që paguajnë akcizë dhe magazinim të paligjshëm të tyre.

Eno Agasi rezulton të jetë kushëriri i Ergys Agasit, ky i fundit i shpallur më herët në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen e “AKSHIT”.

Sipas hetimeve, gjatë kontrollit të BKH në banesën e Agasit është zbuluar një kantinë vere, e dyshuar kontrabandë. Doganat kanë kryer inventar disa orë dhe kanë përllogaritur një dëm prej rreth 400 milionë lekësh nga mospagimi i akcizës.

Për shkak të orarit të natës, malli u la në ruajtje në vilë. Gjatë natës, dyshohet se Eno Agasi ka larguar verën dhe ka hequr serverin e kamerave të sigurisë.

Kur furgonët e Doganës u rikthyen për sekuestrimin, kantina ishte bosh.

Before yesterdayMain stream

Inteligjenca amerikane: Putin dëshiron të gjithë Ukrainën dhe po synon vendet baltike

By: Fax Web
20 December 2025 at 16:42

Raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-perandorisë sovjetike.

Raportet paraqesin “një pamje krejtësisht të ndryshme” nga ajo e paraqitur nga Donald Trump dhe negociatorët e tij, të cilët pretendojnë se presidenti rus synon t’i japë fund konfliktit.

Ato gjithashtu kundërshtojnë mohimet e udhëheqësit rus në lidhje me akuzat se ai përbën një kërcënim për Evropën.

Gjetjet e inteligjencës amerikane “janë kryesisht në përputhje me pikëpamjet e udhëheqësve evropianë dhe agjencive të inteligjencës”, sipas të cilave Putini lakmon të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e NATO-s, sipas burimeve.

“Inteligjenca ka treguar vazhdimisht se Putini dëshiron më shumë”, theksoi Mike Quigley, një anëtar demokrat i rangut të lartë i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, në një intervistë me Reuters.

“Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur për këtë. Vendet baltike mendojnë se janë të parët”, shtoi ai.

Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luganskut dhe Donetskut, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, dhe të gjithë Krimenë.

Putin pretendon se Krimea dhe të katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që është ende nën kontrollin e tij, si pjesë e një marrëveshjeje të propozuar paqeje.

Dje, Putin, megjithëse deklaroi se ishte gati të diskutonte paqen, tha se kushtet e tij do të duhej të respektoheshin, duke pretenduar se forcat e tij kanë përparuar 6,000 kilometra katrorë këtë vit.

Rubio: Marrëdhëniet SHBA-Evropë në rrezik nëse humbasin vlerat e përbashkëta

By: Fax Web
20 December 2025 at 16:30

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, paralajmëroi se Evropa mund të humbasë vlerat e saj të përbashkëta me SHBA-në.

Rubio po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, në të cilën qeveria amerikane i frikësohet faktit, ndër të tjera, të një humbjeje të supozuar të demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Evropë.

”Themeli i marrëdhënies me Evropën është fakti që ne kemi një kulturë, qytetërim të përbashkët, një përvojë të përbashkët dhe vlera e parime të përbashkëta mbi gjëra si të drejtat e njeriut, liria, pavarësia, demokracia”, tha Rubio në një konferencë për shtyp.

“Nëse kjo zhduket, sepse, për çfarëdo arsye, nuk është më një përparësi, mendoj se kjo e tendos dhe e kërcënon aleancën në planin afatgjatë dhe në pamjen e përgjithshme”, shtoi ai.

“Atëherë ke thjesht një marrëveshje të drejtpërdrejtë mbrojtjeje. Kjo është e gjitha që ke”, theksoi Rubio.

Në strategjinë e saj të re të sigurisë kombëtare, administrata e presidentit Donald Trump e cilësoi peizazhin politik në BE si një kërcënim për interesat amerikane, duke kritikuar deficitet e supozuara demokratike dhe kufizimet e lirisë së shprehjes.

Ukraina shkatërron dy aeroplanë luftarakë rusë në Krime

By: Fax Web
20 December 2025 at 15:35

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka kryer një sulm të suksesshëm ndaj dy aeroplanëve luftarakë rusë të tipit Su-27 në bazën ajrore Belbek, e cila ndodhet në territorin e Krimesë së pushtuar nga Rusia.

Ky veprim konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj kapaciteteve ajrore ruse në rajon dhe tregon aftësinë e Ukrainës për të kryer operacione të synuara edhe në zona të fortifikuara.

Sipas informacionit të bërë publik, njëri prej aeroplanëve ishte plotësisht i armatosur dhe i gatshëm për të kryer një mision luftarak në momentin e sulmit.

Ky aeroplan u shkatërrua plotësisht, duke eliminuar menjëherë mundësinë e përdorimit të tij në operacione ushtarake.

Aeroplani i dytë gjithashtu pësoi dëme serioze, duke e nxjerrë jashtë funksionit.

Vlera totale e dy aeroplanëve luftarakë Su-27 vlerësohet të jetë rreth 70 milionë dollarë, çka përfaqëson një humbje të konsiderueshme financiare dhe strategjike për forcat ruse.

I dërguari rus niset drejt SHBA-së për bisedime për luftën në Ukrainë

By: Fax Web
20 December 2025 at 15:28

I dërguari rus, Kirill Dmitriev, tha më 20 dhjetor se po niset drejt Majamit të Shteteve të Bashkuara ku do të mbahet një rund i ri i bisedimeve për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Ekipet ukrainase dhe evropiane ishin gjithashtu në qytetin amerikan për negociatat e ndërmjetësuara nga i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

“Rrugës për në Miami”, shkroi Dmitriev në një postim në X, duke shtuar një emoji pëllumbi dhe duke bashkëngjitur një video të shkurtër të diellit të mëngjesit që depërtonte përmes reve mbi një plazh me palma.

“Teksa nxitësit e luftës vazhdojnë të punojnë pa pushim për të minuar planin amerikan të paqes për Ukrainën, më erdhi ndër mend kjo video nga vizita ime e mëparshme, drita që depërton përmes reve të stuhisë”, shtoi ai.

Përfshirja ruse dhe evropiane në bisedime shënon një hap përpara krahasuar me fazën e mëparshme, kur amerikanët zhvillonin negociata të ndara me secilën palë në vende të ndryshme.

Megjithatë, ka pak gjasa që Dmitriev të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët ukrainas dhe evropianë, pasi marrëdhëniet mes dy palëve mbeten të tensionuara.

Moska, që nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, argumenton se përfshirja e Evropës në bisedime vetëm do ta pengojë procesin dhe tenton t’i paraqesë udhëheqësit e kontinentit si pro luftës.

Bisedimet e fundjavës vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua të vazhdojë ofensivën ushtarake në Ukrainë, duke lavdëruar përparimet e Moskës në fushëbetejë, gati katër vjet pas nisjes së luftës, gjatë një konference vjetore për shtyp të zhvilluar një ditë më parë.

Të dërguarit e Trumpit kanë shtyrë përpara një plan, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara do t’i ofronin Ukrainës garanci sigurie, por nga Kievi ka të ngjarë të pritet të heqë dorë nga një pjesë e territorit, një ide që kundërshtohet nga shumë ukrainas.

Shkodra, epiqendër e festimeve të fundvitit

By: Fax Web
20 December 2025 at 15:01

Shkodra është kryeqyteti i festimeve të fundvitit në Shqipëri. Rezervimet në hotele dhe bujtina janë në nivele rekord.

Turistë dhe qytetarë mbushin sheshet dhe rrugët e qytetit. Festimet shtrihen deri në zonat malore të Thethit.

“Turizmi nuk është vetëm në qendër. Ai është i shpërndarë në të gjithë territorin, duke kthyer rajonin në destinacion të kërkuar për festat,” tha Drejtori i Turizmit, Renato Lumçi.

Çdo natë ofrohet muzikë live, performanca dhe aktivitete për fëmijë. Bujtinat qëndrojnë të hapura çdo ditë për shkak të kërkesës së lartë nga turistët vendas dhe të huaj.

Me moton “Shkodra në festë”, qyteti ofron një atmosferë festive për banorët dhe vizitorët.

IKD: 28 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale

By: Fax Web
20 December 2025 at 14:27

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se 28 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në vepra penale dhe numri më i lartë i tyre vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Raporti i IKD-së, që analizoi listat e kandidatëve për deputetë, gjeti se nga 1.179 kandidatë, përveç 28 kandidatëve të përfshirë për vepra penale, janë edhe 19 kandidatë kanë aktakuza aktive. Po ashtu, 12 kandidatë për deputetë në të kaluarën kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë.

Në Listën e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas IKD-së, janë 13 kandidatë që janë të përfshirë në raste penale, apo 11.81 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka gjashtë kandidatë që janë të përfshirë në raste penale, apo 5.45 për qind, pasuar me Nismën Socialdemokrate me tre kandidatë (2.72 për qind), Partinë Demokratike të Kosovës me dy kandidatë (1.81), sa ka edhe Lista Serbe (6.06 për qind), dhe me një kandidat të përfshirë në raste penale janë Lidhja Demokratike e Kosovës (0.9 për qind) dhe partia turke KDTP (6.25 për qind).

“Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’”, tha IKD-ja.

Sipas Ligjit për zgjedhje, një personi i kufizohet e drejta e garës për deputet vetëm nëse është i dënuar me vendim të formës së prerë me një vit e më shumë burgim në tre vjetët e fundit.

“Përkundër, kësaj IKD me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe integritetit personal të përfaqësuesve të popullit në vazhdimësi ka lobuar që partitë politike të pastrojnë listat e deputetëve edhe nga persona të cilët kanë potencialisht probleme me ligjin në kuptim të dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza, apo dënime të shqiptuara nga gjykatat por që nuk hyjnë në kuadër të kufizimit ligjor”, tha IKD-ja.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit janë certifikuar 24 subjekte politike.

IKD-ja tha se duke iu referuar gjetjeve të hulumtimit lidhur me kandidatët që janë të përfshirë në vepra penale, del se krahasuar me zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, është pësuar regres sa i përket numrit të kandidatëve për deputetë të cilët janë të përfshirë në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale.

Mjetit i transportit të parave përplas për vdekje këmbësorin, arrestohet shoferi

By: Fax Web
20 December 2025 at 14:25

Një 57-vjeçar, shofer i mjetit të transportit për vlerat monetare të një kompanie private, është arrestuar në Elbasan këtë të shtunë, 20 dhjetor, pasi ka përplasur për vdekje një këmbësor të moshuar.

Sipas njoftimit të uniformave blu, 57-vjeçari, përgjatë manovrimit të mjetit të blinduar, aksidentoi këmbësorin, 77 vjeç, e më pas është larguar nga vendi.

I moshuari humbi jetën përgjatë transportit për në Spitalin e Traumës.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 57 vjeç, pasi dje, në fshatin Shushicë, gjatë manovrimit me mjet të blinduar për transportin e vlerave monetare, të një shoqërie private sigurie, ka aksidentuar shtetasin Xh. E., 77 vjeç, këmbësor, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, shtetasi Xh. E. ka humbur jetën gjatë transportimit për në Spitalin e Traumës”, njofton policia.

I dënuar në mungesë për dhunë në familje dhe mbajtje armësh, arrestohet 40-vjeçari

By: Fax Web
20 December 2025 at 13:56

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit në kërkim:
Q. D., 40 vjeç, banues në fshatin Mamëz.

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 5 vite e 8 muaj burgim, ku i kanë mbetur për vuajtje 3 vite, 6 muaj e 3 ditë burgim, për veprat penale: “Dhuna në familje“, “Ngacmimi seksual“ dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit“.

Në prill të vitit 2024, ky shtetas u arrestua pasi bashkëshortja e tij kishte bërë kallëzim për dhunë në familje, si dhe dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy vajzat e tij të mitura.

Prishet karburanti pa leje, nuk ndalet puna për lirimin e hapësirave publike

By: Fax Web
20 December 2025 at 13:53

Pikat e shitjes së karburanteve të ndërtuara pa leje pranë qendrave të banuara përveç uzurpimit të hapësirave publike përbëjnë kërcënim edhe për jetën e banorëve.

Në fokus të nismës së ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike kanë qenë po ashtu edhe pikat e karburanteve dhe lavazhot e makinave të ndërtuara në shkelje të ligjit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga aksioni për prishjen e një karburanti pa leje, ndërsa theksoi se puna për lirimin e hapësirave publike vijon në çdo ditë të javës.

Sipas ligjit, pikat e karburanteve duhet të marrin një licencë të posaçme që lëshohet nga autoritetet vendore dhe certifikon plotësimin e kushteve teknike për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Subjekti i interesuar duhet të paraqesë ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ku të ketë të përcaktuar veprimtarinë e tregtimit të nënprodukteve të naftës bruto.

Po ashtu, nga subjekti kërkohet certifikata e përdorimit të objektit të lëshuar nga institucionet përkatëse, si dhe vërtetimi për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike.

❌
❌