“Realisht”, tha Albin Kurti gjatë një tubimi zgjedhor në Therandë, “ne s’kemi nevojë as të premtojmë. Sepse ju po e jetoni trendin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies”.
Slloganit burimisht agimbahtiresk “mos lësho pe” iu ndërrua origjina me një të grua të moshuar që ia thotë Albin Kurtit si idiomë pastërtisht shqiptare.
Por, ndonëse Bahtiri e kishte mos-lësho-penë referuar Zajednicës ndaj të cilës u-lëshua-pe në Bruksel/Ohër (shkurt, 2023 / Neni 7 dhe 10), në fjalët e Kurtit “ka Asociacion”, tash kjo frazë i drejtohet edhe mos-lëshimit-pe edhe ndaj “begatisë”. Parë dhe dëgjuar në adresimet zgjedhore të Vetëvendosjes “siguria dhe begatia” nuk jepen për synim ose gjë-në-bërje, por si gjë-e-arritur, ndaj të cilës nuk-duhet-lëshuar-pe. Kësaj ‘begatie’ në kohën e tashme të vazhdueshme i thurri rima edhe vetë Faton Peci, kryetari i deleguar i Albin Kurtit për Mitrovicën.
“Sofrat tona kanë bekim, falemnderit ty Albin”, tha Peci, duke ia njohur bekueshmërinë e sofrës së bukës në Kosovë, shefit të vet.
Çka të tjerët premtojnë, pretendon Albin Kurti, ai veçse e ka “arritur”. Pagat 50%? Kurti tha se “kjo veçse ka ndodhur, 47%”. Ndonëse shifrat e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, që funksionojnë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit vlerësojnë se zhvleftësimi i parasë, inflacioni, gërryerja e fuqisë blerëse, i bën 100 eurot e 2019-ës për rreth 35 euro më të vlefshme në mundësi dhe kapacitet blerjeje në krahasim me 100 euro të sotit. Përkatësisht, çka blen sot me 100 euro, para ardhjes së tij në qeveri, është blerë me 65 euro. Por, premtimet e rivalëve të tij, i quajti ekonomikisht të palogjikshme, dhe pyeti “kush u ka dhënë ekonomi këtyre njerëzve” dhe u mahit se “ndoshta kanë ikur prej ore”.
Paga e 13-të në muajin e tretë
Një nga zotimet e para që do ta realizojë “me të krijuar qeverinë”, paragjykoi Albin Kurti, tha se do të jetë paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Jo në fund të vitit, as në kohë pushimesh, po qysh në muajin e tretë tha ai.
“Do të vijë në fillim të vitit. Pas numrit 1 ose 2. Pra punëtorët që janë në sektorin publik, vitin e ardhshëm nuk numërojnë 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,12,13 por numërojnë 1,2,13. Ky do të jetë një ndër vendimet e para që do t’i marrim ne si qeveri”, tha Albin Kurti.
Xhamia e Ibrit
Në Mitrovicë, aty ku shkoi të përurojë urën e re mbi Ibër, si ungjill-të-sovranitetit, ai e nisi me një sulm ndaj kundërshtarëve politikë “për të cilët vendosin të tjerët”.
“Të dashur mitrovicas. Mitrovica s’është problem i Kosovës. Ish-qeveritë kanë qenë problemi i Mitrovicës. E tash ne e bëjmë Mitrovicën zgjidhje për Republikën e Kosovës”, tha Albin Kurti. Premtim që e dha “enkas për Mitrovicën” ai tha se do të jetë rindërtimi i Xhamisë së Ibrit të djegur nga ushtria serbe në maj të 1999-ës. Prandaj, kërkoi ai, “fitoren duhet ta kemi edhe më të madhe se më 9 shkurt”.
Çmimet tavan
Nga vendimet e para që, sipas tij, do t’i merrte porsa të niste qeverisjen, do të ishte ligji për kontrollimin e çmimeve të gjësendeve ushqimore elementare, “që na e rrëzoi Gjykata Kushtetuese”.
Ndonëse GjK s’e ka rrëzuar, por ka konstatuar se ajo duhet të bëhet përmes një organi të pavarur, e jo nga kabineti qeveritar – Kurti tha se “kurrë nuk e harroj atë ditë”.
“Kurrë s’e harroj atë ditë, por duhet ta harroj atë ditë, por duhet të ecim përpara me çmime tavan, që shporta ët jetë e kufizuar dhe e përballueshme, pë rklasën e mesme dhe të varfër”, tha ai.
“Prokurori të Re të Specializuar”
Nuk harroi as ta godasë sistemin prokurial duke premtuar “prokurori të re të specializuar” – temë kjo që e ka rrahur edhe gjatë fushatës së kaluar, pas refuzimit të tij për t’u paraqitur në prokurori për hetimet, tash edhe në aktakuzë, ndaj Rozeta Hajdarit.
“Përveç Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, do të kemi edhe Prokurori të Re të Specializuar, sipas modeleve të shteteve evrpoiane që e kanë fituar betejën përkatëse”, tha Albin Kurti./Nacionale
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Pagë të 13-të në mars dhe “begatia” veçse e arritur ndaj të cilës “mos lëshoni pe”: Çka po premton Kurti? appeared first on Sinjali.