Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ndarë një qëndrim lidhur me rezultatet e deritanishme nga numërimi i votave nga zgjedhjet e së dielën në Kosovë.
Teksa nga të dhënat më të fundit, nga numërimi kryeson Lëvizja Vetëvendosje, Abdixhiku ka deklaruar se nuk përjashton dorëheqjen ng drejtimi i LDK-së, si shenjë reflektimi.
Ndërkohë, Abdixhiku ka ndarë një mësazh urimi për kreun e LVV, Albin Kurti.
“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e Përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja, pa diskutim. E uroj fituesin, sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”,-tha Abdixhiku./mxh
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pak minuta më parë, pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në fjalën e tij në një deklaratë për shtyp, Kurti theksoi se kjo shënon fitore për popullin e Kosovës.
Kurti ftoi partitë opozitare që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve.
“Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet. Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”,-tha Kurti./mxh
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Vlorë, nga qytetarët që shprehin shqetësimin e mungesës disa-ditore të ujit të pijshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha akuzon socialistët për vjedhje, ndërsa vetë marrin pjesë në festa të mëdha të fundvitit.
“Ju lumtë qytetarëve të Vlorës, që ua zunë galanë në fyt, hajdutëve që i kanë lënë banorët 3 ditë pa ujë dhe vetë zhgërryhen në festa e salltanete”,-shkruan Berisha./mxh
Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka reaguar mbi situatën në qytetin e Vlorës, ku shumë qytetarë protestuan për mungesën e ujit të pijshëm prej ditësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vokshi shprehet se banorët mbetën pa ujë në mes të dimrit, teksa përgjegjësit heshtin ndaj mungesës së kësaj nevoje jetike.
“Vlorë, qytet që nuk dorëzohet.
Qytetarët e Vlorës kanë dalë në protestë sepse prej disa ditësh janë lënë pa ujë.
Në mes të dimrit, në një qytet bregdetar, uji mungon, ndërsa përgjegjësit heshtin.
Kjo nuk është politikë, kjo është nevojë jetike.
Kjo nuk është luks, është e drejtë.
Mesazhi është i qartë: “Ju gala, ne pa la!”
Vlorë, zëri yt është i drejtë dhe i fortë”,-shkruan Vokshi./mxh
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar Dinamon për fitimin e Superkupës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i FSHF-së ka përgëzuar ekipin kryeqytetas për suksesin e arritur. Duka ka vlerësuar faktin që Dinamo, brenda një viti kalendarik, ka arritur të fitojë dy trofe të rëndësishëm, pas suksesit edhe në Kupën e Shqipërisë.
“Urime Dinamo City-t për fitimin e Superkupës së Shqipërisë, një tjetër trofe që pason suksesin në Kupën e Shqipërisë 2024–2025 dhe dëshmon punën e bërë gjatë gjithë sezonit futbollistik. Urime stafit, futbollistëve dhe drejtuesve për këtë triumf të merituar. Urime edhe për Egnatian, fituesja e fundit e këtij trofeu, për një duel shumë korrekt dhe sportiv. Suksese të dyja ekipeve në vazhdimin e kampionatit”, shkruan Armand Duka./mxh
KQZ Kosovë ka ndarë të dhënat më të fundit lidhur me numërimin e kutive të votimit nga zgjedhjet e kësaj së diele.
Sipas të dhënave, janë përpunuar 874,327 vota nga 1,999,204 në total ose 43,73%.
Deri më tani janë procesuar 2,458 vendvotime nga 2,557 gjithsej ose 96,13%.
Të dhënat në përqindje sipas partive:
Lëvizja VETËVENDOSJE! me 49,80% ose 422,002 vota
Partia Demokratike e Kosovës – PDK me 21,18% ose 179,489 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK me 13,77% ose 116,712 vota
Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës- AAK me 5,74% ose 48,612 vota
Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Florida për takimin me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump. Përmes këtij takimi priten përparime pas javësh bisedimesh të intensifikuara që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare me Rusinë.
Duke qëndruar pranë Zelensky-t në rezidencën e tij Mar-a-Lago Trump tha se beson që si udhëheqësi ukrainas ashtu edhe Presidenti rus Vladimir Putin duan të arrijnë paqen.
“Unë besoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje që është e mirë për Ukrainën, e mirë për të gjithë. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka asgjë më të rëndësishme në agjendën time”,-tha Trump.
Zelensky ka punuar me delegacione nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë mbi një propozim të rishikuar prej 20 pikash që udhëheqësi ukrainas tha të premten se është rreth 90 përqind gati.
Zelensky u tha gazetarëve se ai erdhi deri në Mar-a-Lago sepse është shumë e rëndësishme që ekipet të flasin për strategjinë./mxh
Deputetja demokrate, Ina Zhupa ka reaguar sot lidhur me protestën e zhvilluar nga qytetarët e Vlorës, prej mungesës disa ditore të ujit të pijshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se socialistët e kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë, teksa shpreh edhe mbështetjen e plotë ndaj protestuesve.
“Brunilda Mersini, kryebashkiakja e Vlorës, mësohet të ketë thënë : Pse ankohet populli për ujë dhe nuk lahen me shampanjë?!
E kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë dhe jetojnë në botën paralele me koncerte, ballo, verë e tendera!!
Ju lumtë protestuesve vlonjat, plot dinjitet dhe qytetari”,-shkruan Zhupa./mxh
Të paktën një person raportohet se ka vdekur pasi dy helikopterë u përplasën në ajër dhe u rrëzuan pranë një aeroporti në New Jersey.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përplasja e tmerrshme ndodhi në orën 11:25 të mëngjesit të dielën pranë Hammonton Municipal Airport.
Shefi i Policisë së Hammonton, Kevin Friel, tha se një person ka vdekur dhe një tjetër u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë me lëndime kërcënuese për jetën.
FAA konfirmoi se përplasja ndodhi midis një helikopteri Enstrom F-28A dhe një Enstrom 280C dhe se vetëm pilotët ishin në bord.
Dhe pamjet e dëshmitarëve okularë të postuara në mediat sociale nga një parking aty pranë tregojnë tym të zi të trashë që ngrihet mbi vendin e përplasjes.
Një tjetër klip kapi një helikopter që dilte nga kontrolli përpara se të përplasej në tokë.
Departamenti i Zjarrfikësve të Hammonton konfirmoi se iu përgjigj një ‘incidenti të lidhur me aviacionin’ pranë Basin Road.
Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve të shmangin zonën ndërkohë që shkaku i përplasjes mbetet i panjohur./mxh
Dinamo fitoi Superkupën e Shqipërisë pas triumfit 3-1 ndaj Egnatias në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Egnatia kaloi e para në avantazh në minutën e 9-të me golin e Ruçit dhe e mbylli pjesën e parë në epërsi. Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi dhe barazoi në minutën e 54-t me Bregun.
Katër minuta më vonë, Nani realizoi golin e përmbysjes për kryeqytetasit. Dinamo vijoi të kontrollojë lojën edhe në minutat pasuese.
Në kohën shtesë, arbitri akordoi penallti për Dinamon pas rishikimit me VAR. Klevi Qefalija e shndërroi në gol, duke vulosur rezultatin 3-1.
Me këtë sukses, Dinamo siguroi trofeun e Superkupës së Shqipërisë./mxh
Pas refuzimit të Mal Retkocerit për ta takuar gjatë spektaklit të djeshëm të “Big Brother VIP Albania”, babai i tij ka folur për mikrofonin e “Fan Club” menjëherë pas daljes nga studio, duke bërë deklarata të forta publike.
Ai ka hedhur akuza direkte ndaj ish-bashkëshortes së tij, këngëtares së njohur nga Kosova, Violetë Kukaj, duke pretenduar se është ajo që nuk lejon ribashkimin e tij me djalin. Sipas tij, dëshira për t’u afruar dhe për të qenë pjesë e familjes ekziston, por pengesa kryesore mbetet ish-gruaja.
“Unë jam i gatshëm të bashkohem me familjen, por ajo nuk dëshiron”, u shpreh ai, duke shtuar se Malin nuk e lejojnë të takohet me të. I pyetur për mesazhin që kishte për të birin, ai tha shkurt: “Ktheu jetës së mbarë, realitet, mbarësisë, rehatllëkut”.
Deklaratat u bënë edhe më të forta kur ai foli për marrëdhënien me ish-bashkëshorten në aspektin profesional. Sipas tij, ai ka qenë personi që e ka ndihmuar Violetë Kukajn të ndërtojë karrierën e saj muzikore.
“Unë e kam bërë yll. Kur e kam marrë për nuse, ajo kishte vetëm një këngë të incizuar. Unë ia kam incizuar mbi 300 këngë, me ajkën e Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi ai, duke shtuar gjithashtu se ajo vinte nga një familje me kushte të vështira ekonomike para martesës së tyre.
Këto deklarata vijnë në vazhdën e situatës së tensionuar familjare që u bë publike gjatë spektaklit, pas vendimit të Mal Retkocerit për të mos e realizuar takimin me babanë e tij para kamerave. Deri tani, nga ana e Violetë Kukaj nuk ka pasur një reagim publik lidhur me akuzat e bëra./mxh
Tottenham u rikthye te fitorja në Premier League duke mposhtur minimalisht Crystal Palace në javën e 18-të të kampionatit.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga Gray në minutën e 42-të të pjesës së parë. Me këtë rezultat, Tottenham është ngjitur në vendin e 11-të të renditjes me gjithsej 25 pikë të grumbulluara. Crystal Palace mbetet në vendin e nëntë me 26 pikë, pavarësisht kësaj humbjeje në fushën e tyre.
Sunderland barazoi 1-1 me skuadrën e Leeds në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi. Ky ishte barazimi i dytë radhazi për ekipin e Sunderland, pjesë e të cilit është edhe mesfushori Granit Xhaka.
Sunderland aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë me 28 pikë, ndërsa Leeds ndodhet në vendin e 16-të me 20 pikë./mxh
Atë që nuk mundi dot të bëjë ditën e shtunë në Slalomin gjigant në Semmering të Austrisë, Lara Colturi arrin ta bëjë këtë të dielë teksa i shtoi një tjetër podium karrierës së saj në këtë sezon, këtë radhë në Slalomin Special.Skiatorja kuqezi bëri një garë të shkëlqyer në këtë disiplinë duke u renditur në vendin e tretë me kohën 1 minutë 49 sekonda e 32 të qintat. Më mirë se ajo bënë vetëm Mikaela Shiffrin dhe Camille Rast që u pozicionuan në dy vendet e para.
Në zbritjen e parë, Lara Colturi ishte në kufijtë e perfektes teksa e mbylli këtë fraksion në vendin e dytë me kohën 54.79 sekonda, vetëm 9 të qindtat më shumë se Camille Rast duke lënë pas edhe mbretëreshën e këtij sporti, Mikaela Shiffrin. Edhe në zbritjen e dytë Lara Colturi bëri një paraqitje shumë të mirë teksa shënoi kohën e 5 më të mirë me 54.79 sekonda për të siguruar vendin e tretë në këtë garë pas përfundimit të të dyja zbritjeve.
Vendi i tretë në garën e Slalomit special në garën e Semmering i jep Lara Colturit 60 pikë të tjera për klasifikimin e Kupës së Botës. 19 vjecarja shkon në kuotën e 362 pikëve dhe ngjitet në vendin e 7 të klasifikimit, ndërkohë që në krye vazhdon të jetë Mikaela Shiffrin me 698 pikë, e ndjekur nga Camille Rast me 503 pikë në vendin e dytë, ndërkohe që në vendin e tretë është Alice Robinson me 484 pikë./mxh
Adriana Kalaja, një nga kandidatet për Avokatin e Popullit, ka njoftuar se ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpallje të pavlefshme dhe antikushtetuese të zgjedhjes së Avokatit të popullit.
Me anë të një postimi në Facebook, Kalaja ka njoftuar se po ashtu ka kërkuar pezullimin e efekteve juridike të këtij procesi, që sipas saj është antikushtetues dhe antiligjor, deri kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të botohet në Fletoren Zyrtare.
“Të Nderuar Miq dhe Mbështetës.
Duke uruar të jeni shumë mirë, si dhe duke ju falënderuar për gjithë mbështetjen pa kushte dhe të pakufishme që më keni dhënë lidhur me kandidaturën time për postin kushtetues të Avokatit të Popullit, Ju bëj me dije se nesër, më datë 29.12.2025, depozitoj në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën time me objekt:
– Konstatimin e antikushtetutshmërisë dhe pavlefshmërisë, së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 11 dhjetor 2025.
Po kështu, kam kërkuar edhe pezullimin e efekteve juridike të këtij procesi antikushtetues dhe antiligjor, deri kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të botohet në Fletoren Zyrtare.
Për më shumë detaje, më ndiqni nesër në ora 10.00, në deklaratë për media nga Gjykata Kushtetuese.
Kush është hapi i rradhës? Së shpejti……”, shkruan Kalaja./mxh
Fermerët grekë duket se janë të vendosur të përshkallëzojnë luftën e tyre, pasi do të vendosin për lëvizjet e tyre të ardhshme me tubime të njëpasnjëshme në bllokada.
Mediat greke shkruajnë se të hënë në orën 12:00, qarkullimi për në Athinë do të mbyllet për një kohë të pacaktuar në bllokadën kryesore të Malgarit. Bllokimi është planifikuar gjithashtu në kryqëzimin e Kalcedonës për tre orë në pasdite. Si pjesë e protestave, fermerët po mbyllin edhe zyrën doganore Evzone.
Megjithatë, ura ajrore në Nikea, Larisa do të mbyllet sot, me fermerët që përgatisin propozimet e tyre për takimin në bllokadën kryesore. Mbikalimi u hap për trafik të mërkurën, duke lehtësuar ndjeshëm kalimin e automjeteve. Megjithatë, që nga sot, fermerët kanë vendosur që ajo të rihapet, ndërsa do të mbyllet përsëri në natën e Vitit të Ri.
Të hënën, fermerët theksojnë se do të mbyllin rrugët anashkaluese, ndërsa do të hapen përsëri për t’i lehtësuar ato.
Ditën e Vitit të Ri, qytetarët do të lëvizin lirshëm si në Krishtlindje, pasi siç raporton transmetuesi publik ERT, mbikalimi është i hapur dhe automjetet që devijohen nga kryqëzimi i Platikambos që lëvizin nga Selaniku në Athinë, nëpërmjet Rrugës së Vjetër Kombëtare do të rihyjnë në autostradë në kryqëzimin e Kileer./mxh
Edhe një vit tjetër deri në Tomorricë?
Pyetja që rëndon si faj politik mbi PS dhe një emergjencë infrastrukturore e vonuar.
Tomorrica nuk është thjeshtë një krahinë e harruar në hartën administrative të Shqipërisë. Është truall historie, sakrifice dhe identiteti, një hapësirë ku natyra dhe shpirti shqiptar janë lidhur në mënyrë organike me malin e shenjtë të Tomorrit. E megjithatë, sot Tomorrica gjendet shumë e izoluar, shumë e braktisur dhe dhumë e përdorur politikisht vetëm në fushata!
Në qendër të këtij realiteti qëndron sigurisht vetëm Partia Socialiste.
Është e papranueshme që një zonë me këtë peshë historike dhe simbolike të trajtohet sot si një fund rruge, pa rrugë.
Ka potenciale natyrore dhe shpirtërore të pashfrytëzuara.
Mali i Tomorrit nuk është vetëm një destinacion turistik. Ai është simbol shpirtëror, mitologjik dhe fetar, i njohur ndër breza dhe komunitete. Tomorrica ka peizazhe alpine unike,
burime ujore,tradita kulturore e mikpritëse,potencial për turizëm malor, fetar dhe ekologjik.
Por pa rrugë, asnjë potencial nuk zhvillohet. Turizmi nuk ecën mbi lutje politike, por mbi asfalt, ura dhe lidhje funksionale.
Emergjenca infrastrukturore: rrugë që nuk vijnë kurrë!
Lidhja rrugore:
Tomorricë – Gramsh
Tomorricë – Moglicë
nuk është luks. Është domosdoshmëri jetike.
Çdo vit që kalon pa këto investime është një vit i humbur, një premtim i thyer dhe një përgjegjësi politike e pambajtur e Deputetëve jo vetëm të Skraparit, por edhe të Qarkut Berat.
Tomorrica ka nevojë për avokat politik, jo për menaxher pritjeje.
Edhe një vit tjetër deri në Tomorricë?
Kjo pyetje nuk është retorike. Është akuzë morale dhe politike. Sa vite të tjera do të presë Tomorrica? Sa banorë të tjerë do të largohen? Sa mundësi do të humbasin?
Tomorrica nuk kërkon lëmoshë. Kërkon drejtësi!Kujtesë!
Nëse nuk veprohet sot, nesër nuk do të ketë më kë të lidhësh me rrugë.
Me pankarta në duar ku shkruhej “Duam ujë” dhe “Vlora do ujë”, si dhe me thirrje “Poshtë qeveria”, përfaqësues të së djathtës dhe qytetarë mbështetës u mblodhën dhe marshuan drejt skenës së Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, ku ishte planifikuar të mbahej mbrëmjen e sotme Gala e festave të fundvitit.
Protesta tensionoi situatën në zonë, duke detyruar organizatorët të ndërpresin aktivitetin. Artistët u larguan nga skena për arsye sigurie, ndërsa eventi u anulua./mxh
Negociatorët amerikanë zhvilluan të shtunën takime në Florida me zyrtarë rusë, në kuadër të një iniciative të re të administratës së Donald Trump për të çuar përpara përpjekjet drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Takimet, të mbajtura në Majami, vijnë vetëm një ditë pas kontakteve që Shtetet e Bashkuara patën me përfaqësues të Ukrainës dhe vendeve evropiane, si pjesë e një plani paqeje që ka krijuar pritshmëri të kujdesshme për uljen e tensioneve në konfliktin e nisur me pushtimin rus në shkurt të vitit 2022.
I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, mbërriti në Majami për bisedime me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në një pjesë të këtyre takimeve.
Takime të ngjashme janë zhvilluar edhe më herët në klubin e golfit të Witkoff në Hallandale Beach, pranë Majamit. Zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë kanë raportuar progres gjatë javës, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë për Kievin, megjithatë mbetet e paqartë nëse këto kushte do të pranohen nga Moska. Një burim rus theksoi se nuk parashikohet takim mes Dmitriev dhe negociatorëve ukrainas./mxh
Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjeve parakohshme parlamentare të Kosovës.
Në daljen e exit poll-eve të para, ai që kryeson është Albin Kurti me Vetëvendosjen me 44.1% që përkthehet në 49 deputetë.
Në vendin e dytë është PDK me 23.9% që përkthehet në 27 deputetë ndërsa e treta është LDK-ja me 16.1% që do të thotë 18 deputetë.
Exit Poll-i i parë (Klan Kosova)
LVV 44.1%- 49 deputetë
PDK 23.9%- 27 deputetë
LDK 16.1%- 18 deputetë
AAK 5.8%- 6 deputetë
Nisma 1.1%- 0 deputetë
Të tjera 9%- 20 deputetë/mxh