Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayLapsi

DASH e konfirmon: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e migrantëve

By: user 6
6 June 2025 at 23:08

Vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar, konfirmoi Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk i komentoi raportimet e mediumit amerikan, Bloomberg, se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet t’i bindë vendet e Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar – kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në përgjigje, nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

“Siç ka thënë sekretari i Shtetit, [Marco] Rubio, ne mbetemi të vendosur në përpjekjet tona për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm dhe masiv dhe për të forcuar sigurinë e kufijve amerikanë. Në këtë drejtim, çdo shtet duhet urgjentisht të pranojë kthimin e shtetasve të vet, që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara”, theksoi Departamenti i Shtetit.

Në disa raste, thuhet po ashtu në përgjigje, mund të bashkëpunohet edhe me vende të tjera për të lehtësuar largimin nga Shtetet e Bashkuara të shtetasve të vendeve të treta që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në SHBA.

Çka raportoi Bloomberg?

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

LEXO EDHE: Edhe Trump kërkon të shkarkojë refugjatë në vendet e Ballkanit

Po atë ditë, Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, por nuk mori përgjigje.

Në prill, edhe Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dëbimit të migrantëve në Moldavi, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

The post DASH e konfirmon: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e migrantëve appeared first on Lapsi.al.

Si duhet kuptuar qëndrimi i Dash për Non Gratan e Berishën

By: user 2
8 May 2025 at 09:03

Lajmi se Sali Berisha mund të udhëtojë lirshëm përtej Atlantikut, i ardhur pothuajse plot katër vite pas shpalljes së tij Non Grata, nuk pritet të ketë ndonjë efekt të madh mbi të. 

Fushata elektorale për 11 majin është në fundin e saj dhe zvenitja e këtij akti, që u stis për të shkallmuar opozitën vendase, zor se ofron kohë për të rikuperuar gjithë dëmin që i është bërë në katër vite. Pra në këtë kuptim ai është i vonuar. 

Së dyti, procesi gjyqësor ndaj tij, i kurdisur nga mashat politike të SPAK, për të justifikuar juridikisht fermanin që fnënshkroi sekretari Blinken, është zhytur në zvarritje diskredituese, dhe të gjitha manovrat që u bënë për ta izoluar tashmë kanë rënë. Pra në këtë kuptim ai është i tejkaluar.

Së treti, përdorimi i sanksionit për ti hequr drejtimin e PD-së dhe për ta fragmentatizuar atë, sipas një strategjie që vijon të aplikohet, ka dështuar prej kohësh, sepse Berisha edhe u rikthye në krye të partisë edhe i bashkoi pjesët e saj të mëdha. Pra në këtë kuptim ai është i pavlerë. 

Departamenti i Shtetit: Sali Berisha mund të vijë në SHBA

Me përjashtim të përkëdheljes së egos së plagosur të një lideri, ambicia kryeore e të cilit duket se është gjurma që kërkon të lërë në histori, lajmi i ardhur nga Uashingtoni nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe as në fatin politik, as në atë juridik të Berishës.

Sikur këto të mos mjaftonin, përmasën e të gjithë asaj që ka ndodhur e redukton më tepër edhe mënyra se si u shpall ky lajm. U gjet metoda e pyetjes së një gazetari në Departamentin e shtetit. 

Sado i njohur në rrethet politike në SHBA, ai nuk mund ta zëvendësojë nxjerrjen e një dekreti zyrtar. Pra, ne ende nuk kemi një heqje, anullim, apo zhbërje të Non Gratës. Në pikën ku gjendemi flitet thjeshtë për një zhvlerësim të saj. Kjo kuptohet lehtë po të kalosh në filigran komunikimin konciz që Departamenti i Shtetit ka pasur me korespondentin për Shtëpinë e Bardhë të agjensisë Axios, Marc Caputo. I instruktuar qartë nga lobuesit ai nuk pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë, se a është hequr sanksioni, por nëse Berishës i lejohet të udhëtojë drejt Amerikës. Përgjigjja që merr është kombinimi i një gjuhe sa perfekte aq edhe të drunjtë diplomatike. Ajo flet për rastet “përjashtuese” kur dikush mund të shkelë në ShBA. Përkthimi popullor është: Non Grata nuk është hequr ende, por ajo nuk ka më vlerë, për sa kohë Berishën, këtej e tutje, nuk e ndalon dot askush të kapërcejë oqeanin.

Pra kemi të bëjmë me një fshirje njolle, por jo me një revansh triumfal. Në këtë dyzim, në këtë akt, as kështu as ashtu, duket se ka ndikuar fuqishëm influenca ende e pa fikur e atyre që e gatuan katër vite më parë Non Gratën. Përpjekjet në Uashington, trysnia e disa mediave të lobuara aty e pse jo dhe lumi i pashtershëm i parave të zeza nga Tirana janë faktorë të ndërthurur që Berishës mos i jepej sadisfaksioni moralo-politik që priste. Shikuar kështu, ajo që ka ndodhur nuk ka ndonjë ndikim kush e di se çfarë mbi të ardhmen e tij të afërt.

 

Por nëse personalisht për Berishën masa është gjysmake, vlera e saj për opinionin publik, për debatin që është zhvilluar furishëm këtej nga anët tona është e pa imagjinueshme.

 

Për katër vite me radhë skena e debatit politiko gazetaresk u nda në dy grupime skajshmërisht antagoniste. Të parët, përbetoheshin për besueshmëri ndaj një Amerike të pagabueshme. Ata i mvishnin asaj deri atribute hyjnore, duke mos i vënë në diskutim fermanët e zyrtarëve të saj më të rëndomtë. Falë një koalicioni ramistësh të pasinqertë dhe opozitarësh të cilët nuk emancipoheshin dot nga hija që u bënte Saliu, mjedisi ynë u infektua nga shumfishimi i broçkullave që lëshonte Eskobari, apo debilllëqeve prej çupëline të vonuar të Yuri Kim-it.

Kundër kësaj furie të sponsorizuar me mjete të mëdha ishte e vështirë të dëgjoheshin pak zëra, në minorancë, që nuk e përtypnîn dot si të mirqenë dogmën se Amerika ka gjithmonë të drejtë, se ajo është e pagabueshme, se vullnetit të alearit të madh strategjik, i duhej shkuar pas me çdo çmim. Në emër të kësaj çmendurie, disa pranuan të silleshin si lshko, nga frika se mos u jepnin të hanin bar, të tjerë u bënë qesharakë, duke mohuar votën, nga frika e pjesmarrjes në kuvende anti amerikane, sistemi i drejtësisë u bë pis, duke i mohuar opozitës reale simbolet e përfaqësimit, ndërsa militantët rilindas forcuan pushtetin autokratik duke u fshehur pas slloganit “nuk bashkëpunojmë me Non Grata-t”.

Deklarata e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit ka një vlerë të jashtëzakonshme se ajo e azgjeson virusin e kësaj dalldie kolektive. Po të lexohet me kujdes ajo i jep tërësisht të drejtë grupimit të dytë, asaj pakice që mbrojti idenë e një sanksioni të padrejtë dhe të lobuar. Ajo i jep fund fabulës së idiotëve të dobishëm të Amerikës së pagabueshme. Aty ka një frazë kyçe, ku akti i Non Grata-s trajtohet si një vendim politik i administratës Biden, që merr peng marëdhëniet shqiptaro- amerikane. Shprehje më e fortë për të kaluar të drejtën tek ata që e kritikuan, apo e përbuzën vendimin e sorosistit Blinken nuk mund të kishte.

Pikërisht për këtë ajo që ka ndodhur ka një rëndësi të veçantë, që e tejkalon rastin vetjak të Berishës, apo debatin se ç’deri në pikë u shpëla ai.

Sfida është shumë më e madhe. Duke dëshmuar se Amerika na sheh në mënyra të ndryshme: në vartësi se cila forcë politike është atje në fuqi, në funksion të preferencave apo interesave të momentit, qëndrimi i mbajtur së fundmi, e relativizon në mënyrë të skajshme peshën që ne i japim fermaneve që na vijnë nga Uashingtoni. Vetëm budallenjtë mund të përdorin këtej e tutje argumentin “e ka thënë Amerika”, kur vetë kjo e fundit ka hedhur poshtë në mënyrë drastike vendimin e marrë para katër vitesh, të clin sot e quan si shkatrimtar në mardhëniet me shqiptarët.

Pra këtej e tutje, për të gjykuar Sali Berishën, ne nuk kemi nevojë të ndikohen as nga Blinken, madje as nga Rubio. Të dy mund ta kenë mirë, apo gabim. Por askush nuk ka monopolin e të vërtets absolute. Për ne, Berisha është ai që njohim vetë. Ai i përmbysjes së komunizmit në ‘92, por edhe ai rrëzimit të piramidave të ‘97; ai i heqjes së vizave e i antarësimit në NATO, por edhe ai i 21 janarit. Memoria kolektive për të as imagjinohet dot se mund të përcaktohet nga një dekret momental i një burokrati amerikan.

Për analogji, e njëjta gjë do të vlente edhe nëse, psh Edi Rama, do të përfshihej në një vorbull të ngjashme nesër. Ai nuk do duhej të qe më pak i adhuruar për tifozët e tij të sotëm, nëse përtej oqeanit e sankskonojnë për McGonigalin. Ai nuk do duhej të bëhej as më i zi, për ata që e kritikojnë, nëse Amerika ndryshon qëndrim kur të bjerë nga pushteti.

Asjnë ferman zyrtarësh kalimtarë nuk mund të ketë fuqi ndikuese mbi historinë që ka përjetuar mbi shpinën e tij një popull.

Dhe ky është lajmi i madh i zhvlerësimit që administrata Trump i bëri vendimit të paraardhëses për Non Grat-ën. Ajo e relativizoi edhe më tepër fuqinë hyjnore që disa u rekën ti veshin “aleatit tonë të madh”. Këtej e tutje, dekrete si ai i Blinkenit nuk mund ti shiten me shqiptarëve ashtu si pasqyrat indianëve.

©Lapsi.al

The post Si duhet kuptuar qëndrimi i Dash për Non Gratan e Berishën appeared first on Lapsi.al.

Departamenti i Shtetit: Sali Berisha mund të vijë në SHBA

By: user 6
7 May 2025 at 23:29

Gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara.

Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.

“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.

I asked State about Berisha’s visa status & was told he could come to the US

“We routinely grant waivers to facilitate designated individuals’ travel to the U.S. consistent with international obligations and our national interests. As such, we won’t let our foreign policy… https://t.co/b0pDezTJuv

— Marc Caputo (@MarcACaputo) May 7, 2025

Caputo ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “Wall Street Journal” ku ka dhënë një intervistë drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita.

Ish-kryeministri Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj të vitit 2021. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken.

Sipas tij, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Vetë Berisha nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat dhe madje ngriti edhe një padi ndaj Blinken në një gjykatë të Parisit. Për këtë vendim, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe miliarderin George Soros. ©LAPSI.al

The post Departamenti i Shtetit: Sali Berisha mund të vijë në SHBA appeared first on Lapsi.al.

Sanksionet për naftën, DASH i përgjigjet Vuçiç: S’ka biznes të zakonshëm me Rusinë

By: user 5
11 January 2025 at 12:26

Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

“Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiç.

DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

“Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL

The post Sanksionet për naftën, DASH i përgjigjet Vuçiç: S’ka biznes të zakonshëm me Rusinë appeared first on Lapsi.al.

Reagon DASH: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK kundër korrupsionit të nivelit të lartë

By: user7
23 October 2024 at 08:48

SHBA thotë se mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.

Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me zotin Meta në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.

Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.

Zoti Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, zoti Xhixho dhe zonja pritet të dalin nesër para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.
Krahas akuzave nga SPAK-u për zotin Meta, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standarteve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë./VOA

The post Reagon DASH: SHBA mbështet përpjekjet e SPAK kundër korrupsionit të nivelit të lartë appeared first on Lapsi.al.

❌
❌