Normal view

NY Times: Gaza? Lufta e Netanyahut…

By: user 8
11 July 2025 at 14:34

Pse ka zgjatur kaq shumë lufta në Gaza? Në një profil investigativ madhor të publikuar këtë mëngjes, Times Magazine shpjegon se Benjamin Netanyahu e ka zgjatur atë pjesërisht për arsye personale politike. Shefi i zyrës së “New York Times” në Jeruzalem, Patrick Kingsley, së bashku me kolegët Ronen Bergman dhe Natan Odenheimer, kaluan gjashtë muaj duke intervistuar mbi 110 persona dhe duke shqyrtuar dhjetëra dokumente ushtarake dhe qeveritare.

Gazeta bisedoi me Patrick (i cili këtë verë do të largohet nga detyra e tij pas katër vitesh e gjysmë në atë që shumë e quajnë puna më e vështirë në gazetari) rreth Netanyahut, luftës dhe mënyrës se si arritën të bindin kaq shumë njerëz të ndajnë sekrete.

Sot është dita e 643-të që nga sulmet e 7 tetorit. Askush nuk e kishte imagjinuar që lufta do të zgjaste kaq shumë. Pse vazhdon ende? 

Argumenti strategjik ishte se (kjo kohë) do t’i jepte Izraelit një shans më të mirë jo vetëm për të mposhtur Hamasin, por edhe aleatët rajonalë të Hamasit, Hezbollahun dhe Iranin. Pavarësisht nëse besoni ose jo këtë justifikim, raportimi ynë tregon qartë se Netanyahu shpeshherë është motivuar nga interesat e tij personale, dhe jo vetëm nga ato kombëtare.

Ka pasur pika kyçe kur Netanyahu ka zgjedhur të vazhdojë luftën për të mos e rrëzuar qeverinë e tij të koalicionit. Nga frika e një reagimi të brendshëm, Netanyahu refuzoi gjithashtu të hartonte një plan të qartë për Gazën pas luftës, duke çuar në një strategji të paqartë ushtarake që shkaktoi dhjetëra mijëra viktima, një dëm të madh për reputacionin ndërkombëtar të Izraelit, dhe gjithsesi lejoi Hamasin të mbijetojë.

Artikulli hapet me një skenë të jashtëzakonshme në një mbledhje të kabinetit në prill 2024. Një armëpushim ishte në tryezë pothuajse. Çfarë ndodhi? 

Pas muajsh zvarritjeje, Netanyahu ishte zbutur në pozicionin e tij negociues, duke e rritur mundësinë e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Stafi i tij ishte duke u përgatitur për ta paraqitur këtë pozicion të ri para ministrave të qeverisë. Por një minister i së djathtës ekstreme kërcënoi se do të rrëzonte qeverinë nëse marrëveshja do të miratohej. Netanyahu zgjodhi të vazhdojë luftën në vend që të lejonte rënien e qeverisë.

Kur e mbuloja Netanyahun një dekadë më parë, vlerësimi i përgjithshëm ishte se ai ishte i kujdesshëm ndaj rrezikut, që i linte konfliktet të zjenin në sfond më mirë sesa të futej në luftë të plotë, si ato që kemi parë këto dy vitet e fundit. Çfarë ka ndryshuar? 

Në njëfarë kuptimi, ai është ende i njëjti Netanyahu që njihje, ende mban shumë opsione hapur dhe i shmanget vendimeve kyçe deri në momentin e fundit. Këtë e pamë në shtyrjen për muaj të tërë të përplasjes së drejtpërdrejtë me Hezbollahun dhe Iranin vitin e kaluar. Por gradualisht, ai ka marrë më shumë rreziqe. Në fund, zgjodhi të pushtonte Libanin, të vriste udhëheqësinë e Hezbollahut, të pushtonte Sirinë dhe të bombardonte Iranin në mënyrë të hapur.

Këto zgjedhje janë pjesërisht pasqyrim i një ndryshimi në psikikën izraelite. Për kritikët e Izraelit, sulmi i Hamasit ishte një reagim i pashmangshëm ndaj bllokadës së Gazës dhe pushtimit të Bregut Perëndimor. Por për shumë izraelitë, sulmi ndodhi si pasojë e ngurrimit të Izraelit, dështimit për të goditur në mënyrë parandaluese kërcënimin që përfaqësonte Hamasi.

Një koleg i yni shkroi kohët e fundit se Izraeli, gjatë dy viteve të fundit, ka arritur të mposhtë armiqtë e tij, por gjithashtu ka larguar aleatët e vet. Çfarë tregon kjo për të ardhmen e tij? 

Në termat diplomatikë, Izraeli ndodhet me një këmbë në dy realitete paralele. Në të parën, pozita globale e Izraelit është më e ulëta në dekada. Në të dytën, Izraeli po i afrohet përparimeve historike me armiqtë e tij të vjetër, duke sfiduar logjikën se lufta në Gaza e ka izoluar atë në mënyrë të pakthyeshme. Edhe pse reputacioni i Izraelit po përkeqësohet në shoqëritë amerikane dhe arabe, diplomatët izraelitë janë njëkohësisht të angazhuar në bisedime të fshehta me zyrtarë në Siri, të cilat mund të forcojnë pozicionin e Izraelit në Lindjen e Mesme. Është një situatë e çuditshme dhe e ndërlikuar.

Netanyahu është 75 vjeç dhe kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, duke shërbyer gati 18 vjet në tri periudha të ndryshme. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë se ai është gati të tërhiqet

Disa nga vëzhguesit më të vjetër të Netanyahut mendojnë se ai mund të tërhiqet vetëm nëse arrin të vendosë marrëdhënie formale me Arabinë Saudite dhe shtete të tjera arabe. Nëse këtë e shoqëron me sulmet ndaj Iranit, ai mund të ketë siguruar mjaft fitore ushtarake dhe diplomatike për të rehabilituar trashëgiminë e tij politike brenda vendit, edhe nëse reputacioni i tij ndërkombëtar mbetet i shkatërruar.

Por për vite me radhë, Netanyahu ka refuzuar të japë dorëheqjen, pavarësisht se është nën akuzë për korrupsion (akuza që ai i mohon). Ai nuk ka dhënë asnjëherë përshtypjen se do të largohet vetë nga skena

Sjellë në shqip nga ©LAPSI.AL 

The post NY Times: Gaza? Lufta e Netanyahut… appeared first on Lapsi.al.

Detajet/ Telefonata e tensionuar Trump – Netanyahu që ndali luftën

By: user 6
25 June 2025 at 23:01

Mediat izraelite kanë zbardhur bisedën dramatike midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në kulmin e tensionit pas shpalljes së armëpushimit me Iranin. Ajo që ndodhi është raportuar “Channel 13” një nga burimet e besueshme mediatike në këtë vend.

Sipas raportit, Trump ndërhyri personalisht për të ndaluar një operacion ushtarak izraelit kundër Iranit. Ai e telefonoi Netanyahun dhe i kërkoi të anulonte sulmin ajror, duke i dhënë urdhrin e qartë: “Thuaju aeroplanëve të kthehen prapa”.

Incidenti ndodhi disa orë pasi Irani shkeli armëpushimin e brishtë duke lëshuar dy raketa balistike. Trump thuhet se i tha Netanyahut: “Ju hodhët të gjithë arsenalin tuaj drejt tyre. Tani mjaft!”. Kryeministri izraelit iu përgjigj duke deklaruar se sulmi iranian ndodhi pasi filloi armëpushimi. “Kjo nuk është e vërtetë, ne nuk kemi sulmuar që kur armëpushimi hyri në fuqi”, thuhet se u përgjigj ai.

Pavarësisht shpjegimeve, Trump këmbënguli: “Nuk më intereson. Më fajësoni mua. Nuk ishte e qëllimshme, raketat nuk ranë dhe nuk pati dëme”, – tha ai, duke iu referuar sulmeve iraniane dhe duke theksuar nevojën për të shmangur një shpërthim të ri ushtarak.

Sipas gazetës “Times of Israel” ndërhyrja e Trump zbulon tensionin, por edhe ekuilibrin delikat politik midis SHBA-së dhe Izraelit në një kohë tensionesh të larta rajonale. Episodi tregon gjithashtu rolin e drejtpërdrejtë që presidenti amerikan mban në zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe shkallën e ndikimit të tij personal mbi kryeministrin izraelit.

Menjëherë pas bisedës, Netanyahu dha urdhrin për kthimin e avionëve. Sipas raportimeve në Izrael, avionët ishin vetëm “tre minuta larg objektivit” para se kryeministri izraelit të ndryshonte urdhrin, dhe ata synonin goditjen e anëtarëve të Gardës Revolucionare. Vetëm një aeroplan goditi një radar të vjetër, pasi nuk pati kohë të reagonte, dhe pjesa tjetër u kthye mbrapsht. ©LAPSI.al

The post Detajet/ Telefonata e tensionuar Trump – Netanyahu që ndali luftën appeared first on Lapsi.al.

Trump, Netanyahu dhe Khamenei, tre pleq inaçorë që mund të na vrasin të gjithëve

By: user 6
15 June 2025 at 22:00

Qofshin të paaftë, të shtyrë nga mbijetesa apo të korruptuar, ata janë të paaftë të udhëheqin vendet e tyre, e lëre më të marrin vendime që të mos rrezikojnë të gjithë botën.

Nga Simon Tisdall, analist në “The Guardian”

Kjo nuk ishte e pashmangshme. Kjo është një luftë që zgjodhi Izraeli. Mund të ishte parandaluar. Bisedimet diplomatike ishin në vazhdim kur bombarduesit u nisën drejt Iranit. Sulmet ajrore të vazhdueshme, të paligjshme dhe të pajustifikuara të Izraelit nuk kanë gjasa të arrijnë qëllimin e tyre të deklaruar: t’u japin fund përgjithmonë përpjekjeve të supozuara të Teheranit për të ndërtuar armë bërthamore. Madje mund ta përshpejtojnë atë. Ata duhet të ndalen tani. Po tamam kështu. Irani duhet të ndalojë menjëherë hakmarrjen e tij dhe të heqë dorë nga kërcënimet e tij përshkallëzuese për të sulmuar bazat amerikane dhe britanike.

Ky konflikt nuk është i kufizuar, siç ishte rasti vitin e kaluar, në shkëmbime hakmarrjeje dhe “sulme precize” në një gamë të ngushtë objektivash ushtarake. Ka arritur në një nivel krejtësisht të ndryshëm. Potencialisht asgjë nuk është jashtë tryezës. Civilët po vriten nga të dyja palët. Udhëheqësit janë shënjestra. Retorika është jashtë kontrollit. Me Izraelin që lufton në disa fronte dhe regjimin e rrënuar të Iranit të mbështetur pas një muri, Lindja e Mesme është më afër se kurrë një zjarri katastrofik.

Arsyet për të shkuar në luftë mund të gjenden gjithmonë. Rrënjët e konflikteve të mëdha shpesh kthehen në dekada – dhe kjo është e vërtetë për hakmarrjen Izrael – Iran, e cila daton që nga revolucioni islamik i vitit 1979. E ashtuquajtura “luftë në hije” midis të dyve u intensifikua vitet e fundit. Megjithatë, konflikti i plotë ishte shmangur deri më tani. Pra, kush është kryesisht fajtor për këtë shpërthim të papritur dhe të paparë?

Përgjigjja: tre pleq inaçorë, sjellja e të cilëve ngre dyshime serioze në lidhje me gjykimin, logjikën e tyre të shëndoshë, motivet dhe madje edhe shëndetin e tyre mendor.
Fakti që njëri prej tyre – Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit – ka kërkuar në mënyrë aktive një përballje me Iranin për vite me radhë nuk do të thotë se kjo duhej të ndodhte. Fakti që regjimi i Teheranit është jashtëzakonisht i prekshëm pas sulmeve të Izraelit vitin e kaluar dhe humbjes së aleatit të tij, Hezbollahut nuk e legjitimon disi një sulm të papritur në tokën e tij sovrane. Është e vërtetë që inspektorët bërthamorë të OKB-së thonë se Irani po shkel detyrimet e traktatit. Por kjo nuk përbën një dritë jeshile për luftë.

Netanyahu, 75 vjeç, është i papërshtatshëm për të udhëhequr Izraelin, e lëre më të marrë vendime për jetë a vdekje në emër të tij. Ai dështoi të mbronte izraelitët nga sulmet terroriste të vitit 2023, pastaj i shmangu përgjegjësisë. Ai nuk ka arritur të përmbushë premtimin e tij për të shkatërruar Hamasin dhe për të rikthyer pengjet, megjithatë ushtarët e tij kanë vrarë më shumë se 55 000 palestinezë në Gaza gjatë këtij procesi. Ai pushtoi Libanin dhe Sirinë. Tani është Irani. Ku do të ndalet ai? A do të luftojë Turqinë më pas? Nuk përjashtohet.

LEXO EDHE: A do të mësojë ndonjëherë Netanyahu?

Lufta është zgjedhja e Netanyahut. Është ajo që e ngre nga shtrati në mëngjes. Është ajo që e mban atë dhe miqtë e tij të ekstremit të djathtë, të sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar, në detyrë dhe jashtë burgut. Veprimet e tij kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në reputacionin e vendit të tij, duke nxitur antisemitizmin globalisht. Ai pretendon se Izraeli po lufton për ekzistencën e tij, por mbijetesa e tij politike është gjithashtu një konsideratë kryesore. Netanyahu është akuzuar për krime të dyshuara lufte në Gaza. Ai duhet të arrestohet, jo të mbrohet dhe të fuqizohet, përpara se të kryhen krime të tjera.

Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem luftarak i Iranit, është fajtori i dytë kryesor. Ai duhej të ishte nxjerrë në mënjanë që në Qom vite më parë. 86-vjeçari ngulmon në krye të një regjimi teokratik represiv dhe të korruptuar që ka humbur kontaktin me shoqërinë dhe njerëzit që në dukje u shërben. Zgjedhjet janë të manipuluara, gjyqtarët janë të caktuar, censura e medias është e përhapur. Paaftësia ushtarake e regjimit, keqmenaxhimi ekonomik dhe persekutimi brutal i grave të reja, burrave homoseksualë dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut si Nasrin Sotoudeh janë famëkeqe.

LEXO EDHE: Profil/ Kush është Ajatollah Ali Khamenei dhe pse eliminimi i tij s’është fjalë goje

Ashtu si Netanyahu, Khamenei mbështetet nga konservatorët e linjës së ashpër dhe kundërshtohet nga reformatorët, por është ai që vendos për gjithçka. Këmbëngulja e tij për të rritur pasurimin e uraniumit, edhe pse mungojnë aplikimet civile, në fund të fundit i dha Netanyahut një mundësi. Edhe pse thuhet se është i sëmurë, Khamenei është një arsye kryesore pse Irani nuk do ta braktisë programin e tij bërthamor. Edhe pa të, ideja e Netanyahut se ai mund të eliminohet plotësisht është fantazi.

Kjo pikë e verbër mund të jetë shkatërrimi përfundimtar i regjimit. Sulmet e Izraelit kanë vrarë udhëheqës të lartë ushtarakë dhe kanë dëmtuar objekte bërthamore, raketa balistike dhe baza dronësh. Vetë Khamenei dhe eksportet jetësore të energjisë së Iranit mund të jenë të radhës. Në një video paternaliste, Netanyahu u bëri thirrje iranianëve të ngrihen dhe të shfrytëzojnë “lirinë” e tyre. Shumë do të donin ta bënin këtë. Vështirësia me këshilla të tilla, që vijnë nga një burim i ndotur, është se ato mund të kenë efektin e kundërt të mbledhjes së publikut dhe udhëheqësve arabë rreth regjimit.

Kërcënimet e Iranit për të sulmuar bazat dhe anijet amerikane, britanike dhe franceze nëse ato ndihmojnë në mbrojtjen e Izraelit, dhe për të mbyllur ngushticën e Hormuzit, rrisin rrezikun e një lufte në shkallë të gjerë dhe një tronditje globale të energjisë që mund të dëmtojë perëndimin dhe t’i sjellë dobi Rusisë. Këto janë disa nga pasojat e drejtpërdrejta të qëndrimit të dobët dhe të lëkundur të Donald Trump.

Trump, 79 vjeç, është njeriu i tretë në këtë tragjedi të shmangshme. Ai më parë kishte thënë se preferonte të negocionte një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, pasi e kishte hedhur poshtë në mënyrë idiote atë të mëparshmen. Por ai nuk mund të vendoste për kushtet dhe negociatorët e tij amatorë vazhdonin të ndryshonin qëndrimin e tyre. Kjo ndodhi pjesërisht sepse Trump, ashtu si me Palestinën dhe me Ukrainën, është shumë dembel për të studiuar detajet. Ai i anashkalon ato, duke u mbështetur në instinkte që janë gjithmonë të këqija. Kjo e bën atë pre të lehtë për operatorë dinakë si Netanyahu.

LEXO EDHE: Kthesë historike/ Si e shkatërroi Trump rendin botëror

Paaftësia e Trump u tregua kur udhëheqësi i Izraelit këmbënguli javën e kaluar se ishte koha e duhur për një sulm të plotë ndaj Iranit, ai u tërhoq. Zakonisht, sapo filloi sulmi, ai ndërroi qëndrim, duke u përpjekur të merrte meritat dhe duke lëshuar kërcënimet e veta të padurueshme. Sa herë që hap gojën, Trump pa dashje konfirmon dyshimet e Iranit se SHBA-të dhe Izraeli po veprojnë në bashkëpunim të ngushtë.

Një mesazh urgjent për Keir Starmer: kushdo që ende mendon se Trump ka edhe idenë më të vogël se çfarë po bën kur përballet me pyetjet e mëdha ndërkombëtare të ditës, duhet të studiojë ngjarjet alarmuese të javës së kaluar. Pavarësisht nëse ai po ia shet Vladimir Putinit, po i përdor tarifat si armë, po prish armëpushimin në Gaza apo po ngacmon fqinjët, Trump është një kërcënim i plotë. Shumë më mirë dhe më e sigurt që Britania ta anashkalojë atë dhe të përpiqet sa më shumë të veprojë në mënyrë të pavarur nga SHBA-ja që nga tani e tutje.

Këta pleq të zemëruar mund të na vrasin të gjithëve. ©“The Guardian”, Përshtati në shqip LAPSI.al

The post Trump, Netanyahu dhe Khamenei, tre pleq inaçorë që mund të na vrasin të gjithëve appeared first on Lapsi.al.

Telefonata Trump-Netanyahu/ Presidenti: Ishte bisedë e mirë, diskutuam disa çështje

10 June 2025 at 07:17

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se pati një telefonatë “shumë të mirë” me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun. Sipas informacionit të dhënë nga vetë presidenti amerikan, të dy udhëheqësit diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat bërthamore që po zhvillohen me Iranin. Trump zbuloi se SHBA-të kanë një takim me Iranin të enjten, pa specifikuar nëse ky është një raund tjetër negociatash bërthamore.

“Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me Iranin në mënyrë që të mos ketë shkatërrime dhe vdekje”, tha Trump, duke shtuar se iranianët janë “negociatorë të vështirë”.

I pyetur për pengesën kryesore për arritjen e një marrëveshjeje, Trump u tha gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë se ata po kërkojnë gjëra që nuk mund t’i bësh.

Ai tha gjithashtu se Irani nuk dëshiron të heqë dorë nga aftësia e tij për të pasuruar uranium, diçka që Trump thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë, edhe pse propozimi i Uashingtonit për një marrëveshje bërthamore thuhet se i lejon Teheranit të pasurojë uranium në nivele të ulëta në tokën e tij për një periudhë të përkohshme.

“Ata na i kanë bërë të ditura pikëpamjet e tyre mbi marrëveshjen dhe unë u kam thënë atyre se ato janë thjesht të papranueshme”, shtoi ai, pa specifikuar nëse Irani ka paraqitur përgjigjen e tij ndaj propozimit të SHBA-së për një marrëveshje bërthamore.

I pyetur në lidhje me negociatat ende të bllokuara mbi pengjet midis Izraelit dhe Hamasit, Trump tha se ato ishin duke vazhduar dhe se Irani është me të vërtetë i përfshirë, pa specifikuar se çfarë donte të thoshte, pasi Irani nuk ka qenë i përfshirë në bisedimet e armëpushimit në Gaza deri më sot.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë me Gazën. Duam t’i kthejmë pengjet”, shtoi Trump.

The post Telefonata Trump-Netanyahu/ Presidenti: Ishte bisedë e mirë, diskutuam disa çështje appeared first on Lapsi.al.

Izraeli thotë se ka vrarë udhëheqësin e Hamasit

By: user 5
28 May 2025 at 20:47

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha më 28 maj se ushtria e tij e ka vrarë Mohammed Sinwar, udhëheqësi i supozuar i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë. Ai është vëllai i shefit të vrarë të këtij grupi, Yahya Sinwar.

“Në 600 ditët e ‘Luftës të Rilindjes’, ne me të vërtetë e kemi ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme”, tha Netanyahu para Parlamentit.

“Kemi larguar terroristët nga territori, kemi hyrë me forcë në Rripin e Gazës, kemi eliminuar dhjetëra mijëra terroristë, kemi eliminuar Mohammed Sinwarin”.

Mediat izraelite kishin raportuar se Sinwar ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite në qytetin jugor të Gazës, Han Junis më 13 maj.

Atëbotë, ushtria izraelite tha se kishte kryer “një sulm preciz ndaj terroristëve të Hamasit në një qendër të komandës dhe kontrollit që gjendej në një infrastrukturë nëntokësore nën spitalin evropian në Han Junis”.

Vëllai i madh i Sinwarit, Yahya, është akuzuar nga Izraeli si arkitekti i sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 kundër Izraelit, që nxiti luftën në Gazë. Ai u vra në jug të Gazës në tetor të vitit 2024.

Ekspertët kanë thënë se me gjasë Mohammed Sinwar mori udhëheqjen e krahut të armatosur të Hamasit, të njohur si Brigada al-Kasam, pasi udhëheqësi i krahut, Mohammed Deif u vra.

Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 u vranë afër 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe Hamasi mori peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur dhjetëra pengje, ndërsa shumë të tjerë janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 55.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.

Pas vrasjes të disa udhëheqësve të Hamasit që nga 7 tetori, Mohammed Sinwar konsiderohej se ishte njeriu kryesor që merrte vendime në negociatat indirekte me Izraelin, për çështjen e pengjeve dhe menaxhimin e krahut të armatosur të Hamasit.

Hamasi ende nuk ka konfirmuar ose mohuar pretendimin e Izraelit për vrasjen e Sinwarit./REL

The post Izraeli thotë se ka vrarë udhëheqësin e Hamasit appeared first on Lapsi.al.

Vdekja e Papës/ Asnjë ngushëllim nga Izraeli dhe bota hebreje: Ishte problematik

By: user 6
21 April 2025 at 21:25

Papa Francesku, i cili ishte i pari Papë në 2 mijë vjet të krishterimit që kremtoi një meshë në Lindjen e Mesme. Ai e bëri këtë në vitin 2019 në Abu Dhabi. Në ditën e vdekjes së tij, mori homazhe nga krerët e të gjitha vendeve myslimane të rajonit.

Edhe pse dita ka mbërritur në fund asnjë mesazh ngushëllimi nuk mbërri nga qeveria izraelite apo nga kryeministri i saj Benyamin Netanyahu.

“Ai ishte një papë jashtëzakonisht problematik për botën hebraike. Një Papë që rizgjoi disa probleme në marrëdhëniet midis judaizmit dhe krishterimit që ne i kemi ndjerë shumë, veçanërisht pas 7 tetorit, me deklaratat e tij” – tha Alexander Meloni, kryerabini i komunitetit hebre të Triestes.

Papa Francesku kishte dënuar shpesh sulmet izraelite në Gaza. Vrasjen e fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm ai e kishte quajtur mizori dhe krim kundër njerëzimit. Papa ishte akuzuar shpesh nga bota hebraike për qëndrimet e tij. ©LAPSI.al

The post Vdekja e Papës/ Asnjë ngushëllim nga Izraeli dhe bota hebreje: Ishte problematik appeared first on Lapsi.al.

Netanyahu bëhet lideri i parë që do të negociojë me Donald Trump për tarifat

5 April 2025 at 21:12

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga homologu i tij amerikan Donald Trump, ku tema kryesore e diskutimeve do të jenë tarifat e reja të vendosura nga ky i fundit. Mediat izraelite e quajnë këtë vizitë si të papritur të Netanyahut në Uashington.

Ai do të jetë lideri i parë që do të takohet me Presidentin Trump, për të negociuar mbi tarifat e SHBA-së. Përveç tarifave, pritet që të diskutohet edhe për luftën e Izraelite kundër Hamasit në Gaza dhe ‘rrezikun iranian’. Kjo është hera e dytë që Netanyahu viziton Shtëpinë e Bardhë që kur Donald Trump mori detyrën si president.

The post Netanyahu bëhet lideri i parë që do të negociojë me Donald Trump për tarifat appeared first on Lapsi.al.

(FOTO) Netanyahu i pandehur në gjykatë/ Gjithçka duhet të dini

By: user 8
10 December 2024 at 15:29

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu del për herë të parë në gjyqin e tij të gjatë për korrupsion. Ja çfarë duhet të dini për akuzat që kanë përçarë publikun izraelit në një kohë trazirash në Lindjen e Mesme.

Cilat janë akuzat?

Netanyahu u padit në vitin 2019 me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim detyre. Të gjitha këto Netanyahu i mohon. Gjyqi filloi në vitin 2020 dhe përfshin tre çështje penale. Ai i mohon akuzat dhe ka deklaruar veten të pafajshëm.

Çështja 4000

Prokurorët pretendojnë se Netanyahu ka dhënë favore rregullatore me vlerë rreth 500 milionë dollarë për kompaninë Bezeq Telecom Israel. Në këmbim, thonë prokurorët, ai kërkoi mbulim pozitiv për veten dhe gruan e tij Sara në një faqe interneti lajmesh të kontrolluar nga ish-kryetari i kompanisë, Shaul Elovich. Në këtë rast, Netanyahu është akuzuar për ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim detyre.

Çështja 1000

Netanyahu është akuzuar për mashtrim dhe shkelje të besimit mbi akuzat se ai dhe gruaja e tij kanë marrë në mënyrë të jashtëligjshme pothuajse 210,000 dollarë dhurata nga Arnon Milchan, një producent hollivudian dhe një shtetas izraelit, dhe biznesmeni miliarder australian James Packer. Prokurorët thanë se dhuratat përfshinin shampanjë dhe puro dhe se Netanyahu e ndihmoi Milchan me interesat e tij të biznesit. Packer dhe Milchan nuk përballen me asnjë akuzë.

Çështja 2000

Netanyahu dyshohet se negocioi një marrëveshje me Arnon Mozes, pronar i gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, për mbulim më të mirë në këmbim të disa ligjeve për të ngadalësuar rritjen e një gazete rivale. Netanyahu është akuzuar për mashtrim dhe shpërdorim detyre.

A do të arrihet shpejt në një vendim? 

Nuk ka gjasa. Nëse Netanyahu nuk kërkon një marrëveshje për pranimin e fajësisë, mund të kalojnë edhe shumë muaj përpara se të vendosin gjyqtarët.

Si mund të jetë njëkohësisht edhe duke u gjykuar, edhe kryeministër?

Sipas ligjit izraelit, një kryeministër nuk ka asnjë detyrim të tërhiqet nëse nuk dënohet. Nëse ai ose ajo apelon dënimin e tyre, ata mund të mbajnë zyrën e tyre gjatë gjithë procesit të apelimit.

A mund të shkojë në burg?

Akuzat për ryshfet parashikojnë një dënim me burg deri në 10 vjet dhe/ose gjobë. Mashtrimi dhe shpërdorimi i detyrës dënohen deri në tre vjet burg.

Cili ka qenë impakti?

Sulmi tronditës nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe lufta e Gazës që pasoi, e hoqën nga agjenda gjykimin e Netanyahut, teksa izraelitët u bashkuan në pikëllim dhe traumë. Para luftës, problemet ligjore të Netanyahut ndanë ashpër izraelitët dhe tronditën politikën izraelite përmes pesë raundeve të zgjedhjeve.

Reuters, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 

The post (FOTO) Netanyahu i pandehur në gjykatë/ Gjithçka duhet të dini appeared first on Lapsi.al.

Netanyahu: Urdhër-arresti i ICC-së është “akt antisemitik”

22 November 2024 at 07:17

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të lëshuar një urdhër-arresti për krime të dyshuara lufte kundër tij ishte një “akt antisemitik”.

Në vendimin e tyre, gjykatësit thanë se kishte baza të arsyeshme për të besuar se Netanyahu dhe ish-ministri i tij i mbrojtjes Yoav Gallant ishin penalisht përgjegjës për akte duke përfshirë vrasjen, persekutimin dhe urinë si një armë lufte si pjesë e një “sulmi të gjerë dhe sistematik kundër civilëve.

“Ky është një akt antisemitik që ka një qëllim: të më pengojë mua, të na pengojë nga ushtrimi i të drejtës sonë natyrore për t’u mbrojtur kundër armiqve tanë që ngrihen kundër nesh për të na shkatërruar. Duke akuzuar shtetin e Izraelit për “genocid” ndërsa ne po punojmë për të mbrojtur veten nga një armik që po përpiqet të kryejë genocid kundër nesh. Kjo është një ditë e zezë në historinë e kombeve.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila u krijua për të mbrojtur njerëzimin, sot është bërë armiku i njerëzimit. Kjo gjykatë e njëanshme ka vendosur të lëshojë urdhër-arreste kundër meje dhe ish-Ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, mbi akuzën thellësisht të pabazë se ne kemi kryer gjoja “krime kundër njerëzimit”, ndërsa e vërteta është krejtësisht e kundërta. Ky është një falimentim moral demokracitë për të mbrojtur veten kundër terrorizmit vrasës. Dua t’ju informoj se asnjë vendim i egër anti-izraelit nuk do të na pengojë – dhe nuk do të më pengojë – të vazhdojmë të mbrojmë vendin tonë në çdo mënyrë. Ne nuk do t’i dorëzohemi presionit.”

The post Netanyahu: Urdhër-arresti i ICC-së është “akt antisemitik” appeared first on Lapsi.al.

❌