Normal view

Protesta para Kuvendit: Banorët e Kurdarisë kundër hidrocentraleve

9 October 2025 at 16:49

Mëngjesi i së enjtes i gjeti banorët e Kurdarisë së Matit para Kuvendit. Ndryshe nga herët e tjera, deputetët hynë në Kuvend nën thirrjet e megafonit për drejtësi dhe anulim të lejeve për ndërtimin e hidrocentralit ‘Doma” në Kurdari.

“Ju bëj thirrje të gjithëve, të gjithë institucioneve, parlamentit, kryeministrit, kryetarit të bashkisë dhe të gjithë atyre që iu takon pjesa e vetë të na ndihmojnë në këtë drejtim. Ne nuk jemi për politikë, këtu kemi ardhur për hallet tona, ju lutem shumë na ndihmoni”, u shpreh përmes megafonit Enver Dara, banor i zonës.

Përmes pankartave me mesazhe ata shprehën revoltën e tyre dhe pakënaqësitë ndaj përfaqësueve të zonës.

“Kërkojmë drejtësi, mos na detyroni të bëjmë vetëgjyqësi”, “Faleminderit Belinda që na mashtrove”, “Jetojmë me bujqësi dhe blegtori, po na vrisni për së gjalli” ishin disa nga mesazhet e përcjella përmes pankartave që banorët mbanin në duar.

Pasojat e hidrocentralit sipas banorëve janë në bujqësi e blegtori, duke e zhbërë jetesën e tyre në këtë zonë.

“Me këtë ujë jeton fshati, blegtoria. Unë pasi të merret uji të futet në tubacion, ku do t’i marr delet e mia ose lopët, t’i marr me makinë t’i çoj në lumin e Matit? Kjo është poshtërsia më e madhe që i bëhet fshatit Kurdari”, tha njëri nga banorët protestues.

Ata rrëfyen se uji që synon të futet në tuba është një përrua dhe si i tillë përmbush vetëm nevojat e tyre. Së fundmi, zona ka vuajtur dhe thatësira duke mbetur pa ujë.

“Burimet që janë prerë malet, tani duan të na marrin ne ujin ta fusin në tuba. Më mirë merrni armët, ngrëni policinë e të vijë të na vrasë e të jemi të gjithë shqiponjë, më mirë të na zhdukin”, u shpreh një nga banorët e pranishëm.

Rexhep Kuleni tha se në të gjitha mbledhjet dhe dëgjesat që janë kryer, kanë vendosur në shumicë kundër ndërtimit të hidrocentraleve.

“Janë bërë tre dëgjesa reale me përfaqësues të bashkisë, kryepleqtë, njësia vendore. Në 2018 u bë dëgjesa e parë, 19 veta morën pjesë. U bë dëgjesa e dytë në 2020, ku kanë firmosur 631 banorë kundra. Në 2022 u bë dëgjesa tjetër ku 705 banorë kanë firmosur kundra”, u shpreh Rexhep Kuleni.

Abdulla Abdullaj u shpreh se kanë gjashtë muaj që përplasen me firmën, duke mos i lejuar të nisin punimet. Ai kërkoi nga Kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndalojnë hidrocentralet dhe të bëjnë investime që i shërbejnë banorëve në bujqësi e agroturizëm.

“Ne jemi pronarët e atij lumi, nuk është “Doma”. Shteti vjen na kap për zvergu, policia. Jemi në shtëpinë tonë, ku do të ikim”, tha ai.

Dorina Prethi, avokatja e banorëve u shpreh se institucionet që kanë dhënë lejet dhe kanë nënshkruar kontratë për linjat e tubacioneve dhe të tensionit janë në shkelje.

“Ligji parashikon që për çdo vendim të kësaj natyre, kur preket pasuria e përbashkët, kur preket pasuria kombëtare, pasuria publike duhen dëgjuar banorët dhe faktikisht bashkia Klos, Këshilli bashkiak nuk ka organizuar dëgjesë dhe konsultim me publikun, krejtësisht në shkelje me ligjin”, deklaroi avokatja Prethi.

Duke qenë edhe përfaqësuese e partisë “Shqipëria Bëhet”, Dorina Prethi solli edhe mbështetjen e kësaj force politike për banorët dhe kauza të tilla.

“Shqipëria Bëhet është jo vetëm në mbrojtje të kësaj kauze, por të çdo kauze që mbështet pasurinë publike, pasuritë kombëtare. Hidrocentrali nuk është për të përfituar një person apo një kompani, ne duhet që pasuritë publike ti përdorim për publikun, ti përdorim për veten tonë, për popullin tonë, për qytetarët tanë”, vijoi ajo më tej në fjalën e saj.

Më 26 shtator banorët patën seancën e parë gjyqësore në Gjykatën Administrative të Tiranës. Deri më tani nuk është mundësuar sigurimi i padisë.

“Kemi kërkuar sigurimin e padisë, që do të thotë pezullimin e punimeve deri në marrjen e një vendimi, por gjykata nuk e pa të arsyeshme që nisja e punimeve për hidrocentral sjell një dëm të pakthyeshëm. Sipas gjykatës, nëse aty nis hedha e betonit nuk ka rrezik për kthimin e gjendjes në situatën e mëparshme, nuk ka rrezik për ujin”, u shpreh avokatja Prethi.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 16 tetor.

Rezistenca e banorëve ndër vite

Pesë fshatrat e njësisë administrative Suç: Suç, Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj dhe e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u konkretizua.

Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.

Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.

Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë. Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e tyre”.

Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mosrealizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u kthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim të ri. Ata refuzuan ta zhvillojnë takimin duke treguar kundërshti.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

“Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja për Citizens.al.

Paralelisht, në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit. Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.

“Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Pesë vite më pas, kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende, për të cilët banorët shprehen se nuk janë pyetur. Banorët janë organizuar sërish në protesta, duke mos lejuar asnjë mjet të rëndë pune të shkojë në terren. Ndërsa së fundi kanë nisur edhe procesin gjyqësor.

Banorët iu drejtuan edhe institucioneve ndërkombëtare, sikurse Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit Evropian në Shqipëri. Në shtator ata morën përgjigje vetëm nga Delegacioni Evropian, i cili shprehej se kanë ndjekur shqetesimet e banorëve dhe i shohin me prioritet të drejtat e qytetarëve, të drejtat e pronës dhe respektimin e mbrojtjes së mjedisit.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk ka mandat ligjor për të ndërhyrë në çështje individuale, por do ta ndjekë këtë rast në kuadër të dialogut që zhvillohet me institucionet e qeverisë shqiptare gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit”, thuhej në komunikimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Lexo gjithashtu:

The post Protesta para Kuvendit: Banorët e Kurdarisë kundër hidrocentraleve appeared first on Citizens.al.

Kurdaria frymëzon rezistencën kundër hidrocentraleve në Mat

14 August 2025 at 20:13

Bar-kafe “Kadiu” në fshatin Kurdari të Matit ishte mbushur plot mëngjesin e së martës. Banorët e zonës ishin mbledhur për të ndarë shqetësimet e tyre të dy muajve të fundit: ndërtimi i hidrocentralit “Doma” dhe shoqërimet e vazhdueshme në polici të atyre që kundërshtojnë punimet.

Rrufitjet e kafeve shoqëroheshin në sfond nga gurgullima e ujit në kanalin vaditës krah rrugës së shtruar gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ndryshe, çezma e lokalit nuk kishte ujë.

“Nuk kemi ujë të pijshëm, jo më ujë për të ndërtuar HEC-e në këtë zonë,” tregoi për Citizens.al Erind Saliaj, banor, njëherësh administrator i njësisë administrative Suç të bashkisë Klos, e cila përfshin pesë fshatra.

Në lumin e Lusës, që kalon mes tre prej këtyre fshatrave – Kurdari, Skënderaj dhe Kurqelaj – parashikohet të hapet 4.4 kilometra trase rruge dhe rrjedha e lumit të futet në tuba.

Ardhja e makinerive të kompanisë “Global Interprise Group”, e cila do të ndërtojë hidrocentralin ka trazuar banorët. Ata i kanë pritur me protesta pasi e shohin projektin me rrezik për jetesën e tyre, të përqendruar kryesisht te bujqësia dhe blegtoria.

“A nuk është gjynah ta kthesh në shkretëtirë, ku asnjë lloj gjallese të mos ekzistojë. Fshati që është në Kurqelaj, dil matanë është HEC, ec në këtë anë është HEC, ku t’i kullosë delet dhe dhitë ai?”, shprehet i revoltuar Abdulla Abdullaj, banor i fshatit.

Erindi tregon se tentativat e para për hidrocentrale në këtë zonë kanë qenë që nga vitet 2006 e 2013, me dokumente të plotësuara më pas në vitin 2018. Ai thotë se ato janë shoqëruar pa dëgjesa publike dhe me kontrata të nënshkruara pa transparencë.

Rexhep Kuleni, gjithashtu banor, i angazhuar që në fillim kundër projektit, thotë se procesverbalet e dëgjesave janë manipuluar.

“Në listën me 19 veta të dëgjesës së vitit 2018 figurojnë edhe dy 14-vjeçarë që s’kanë firmosur as vetë,” kujton ai teksa shton se Drejtoria e Mjedisit Dibër e pati cilësuar dëgjesën me shumicë “pro”, pavarësisht se të paktën 12 prej pjesëmarrësve ishin shprehur “kundër”.

Vonesa në konkretizimin e projektit bëri që kompanisë t’i përfundonte leja dhe për këtë ajo provoi sërish të merrte një leje të re duke thirrur një dëgjesë tjetër në korrik të vitit 2020. Por kësaj here falë angazhimit të banorëve, kompania mori një refuzim masiv prej 613 personash.

“Unanimisht e kanë refuzuar kompaninë për të ardhur dhe për të ndërtuar HEC-et,” u shpreh Erindi.

Mirëpo, pavarësisht këtij refuzimi, kompania u kthye sërish në vitin 2023 duke iu shmangur dëgjesave me pjesëmarrje të gjerë.

Rexhepi thotë se dëgjesat e reja u bënë pa praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe pa një prezencë të zgjeruar të banorëve prej qindra vetash si në rastin e vitit 2020.

“Unë nuk e di, ata që kanë firmosur… të besosh katër-pesë persona pa dëgjesë dhe të mos besosh një popull që kanë thirrur mbi 1,450 vetë kundër, vetëm pesë pro,” kujton i revoltuar Rexhepi.

Banorët i kanë ndaluar makineritë e kompanisë “Global Interprise Group” të hyjnë në fshat. Disa prej tyre janë shoqëruar në polici, mirëpo ata theksojnë se do të vijojnë të rezistojnë dhe nuk do ta lejojnë hidrocentralin që të ndërtohet.

“Nuk do ta lejojmë,” këmbënguli Enver Dara, banor, i cili theksoi se dëgjesat publike do të kishin shmangur përplasjet me kompaninë.

“Të vijë të na pyesë, nëse e jep populli, edhe nëse 51%, i 52-ti do jem unë, do t’ia jap unë vetë ta bëjë, dhe unë do rri në shtëpinë time, nuk do të dal më as në protestë, asgjë.”

Kabina e hyrjes së kantierit të hidrocentralit në anën perëndimore të lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

Ikja e ujit, shpërngulje e banorëve

Për Ferik Topallin, futja e ujit në tuba është “vdekje për fshatin”. Ai paralajmëron shpërngulje masive dhe e argumenton këtë me faktin se shumica e banorëve merren me bujqësi dhe blegtori.

“Duhet të porosisim 200 arkivolë dhe të zhduket njerëzimi këtu në Kurdari”, tha ai, ndërsa shtoi se përpiqet prej kohësh për të siguruar të ardhmen pa u larguar nga vendi.

“Këta duan të na marrin pikën e ujit, të na marrin shpirtin, të na masakrojnë. Duan të na telendisin!”, vijoi Feriku.

Sipas Erind Saliajt, zona është “hambari i Matit”, me prodhim bujqësor që furnizon tregjet e Burrelit, Klosit e Bulqizës.

“Të gjitha produktet tona bujqësore dhe blegtorale ne i hedhim në treg. Kemi disa hektarë vreshta, plantacione me pemë frutore dhe ka shumë që merren me kopshtari, me zarzavate dhe perime. Punojnë në tokën e tyre, shfrytëzojnë këtë ujë që na ka falur natyra dhe nxjerrin një ndihmë të vogël për familjet e tyre”, tregon Erindi.

Enver Dara na shoqëroi përmes tokave të tij duke na treguar trasetë e rrugëve të hapura anës rrjedhës së lumit. Ai na tha se kompania nisi të punojë në dy drejtime të ndryshme, lindje-perëndim për të shpejtuar në vendosjen e tubave.

“Jo ai, por askush me qenë, edhe Edi Rama s’ka për të kaluar në tokën time, është e imja ajo. Ai mund të më marrë dhe shpirtin se është shteti, por unë nuk e lej”, theksoi Enveri.

Reduktimi i ujit të zonës duket se rrezikon edhe rezervuarin kryesor të Kurdarisë, i prekur ndjeshëm nga thatësira e verës së këtij viti.

“Sot kalojmë lumin me këpucë, jo më me çizme,” kujton Abdulla Abdullaj, teksa na tregon për situatën.

Beteja e komunitetit të Matit kundër HEC-eve

Pesë fshatrat e Njësisë Administrative Suç: Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj, Suç e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u përfundua.

Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.

Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.

Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë.

Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e komunitetit”.

Makineritë e kompanisë bllokuar në anën lindore të lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mos realizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u rikthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim, por ata refuzuan ta zhvillojnë takimin.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja në përgjigjen për Citizens.al.

Në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit.

Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.

Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Pesë vite më pas situata duket shqetësuese për banorët. Kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende. Ata pretendojnë se nuk janë pyetur dhe për këtë po shqyrtojnë ngritjen e një padie për ta ndjekur edhe në rrugë ligjore pretendimin e tyre.

Por deri atëherë, ata zotohen se nuk do ta lënë kompaninë të vijojë punimet.

Lexoni gjithashtu:

The post Kurdaria frymëzon rezistencën kundër hidrocentraleve në Mat appeared first on Citizens.al.

“Rezistenca e të moshuarve ndaj largimit nga rrënjët!”

16 June 2025 at 17:26

Nën hijen e pemëve të parkut “Mbretëresha Geraldinë” në Burrel, takojmë 78-vjeçaren Fatmira Sulaj. Me ikjen në masë të banorëve nga fshati i saj, Batër e Vogël, pas vdekjes së bashkëshortit, ajo është zhvendosur në qendër të qytetit për t’u afruar me fëmijët dhe shërbimet kryesore.

Batër e Vogël, i formuar nga familje që për arsye bujqësore u shkëputën nga Batra e Madhe, tani është gati i braktisur. Tre fëmijët e Fatmirës jetojnë në emigracion, vajza në Itali, një djalë në Angli dhe tjetri në Turqi ku po trajtohet pas një operacioni të ndërlikuar.

“Jam me qira këtu! I kam në kurbet fëmijët”, thotë ajo për Citizens.

Shtysë për t’u larguar nga vendlindja ishte gjithashtu distanca nga spitali – në fshatin Batër taksia nuk vinte deri pranë shtëpisë dhe nevojitej barela.

Fatmira tregon se fëmijët i kanë kërkuar që ajo t’u bashkohet jashtë shtetit, por thotë se nuk e përballon dot jetën në një vend të huaj.

“Për Zotin në Angli nuk rrihet, se nuk njeh njeri; fëmijët janë në punë, vijnë në mbrëmje të lodhur.. ndenja një herë një muaj e gjysmë, herën tjetër dy muaj e gjysmë, por nuk rri dot më gjatë,” thotë ajo.

Burreli, pjesë e Bashkisë Mat, është një nga zonat më të prekura nga migrimi drejt Tiranës dhe emigrimi jashtë shtetit, një prirje që ka prekur gjithë qarkun e Dibrës. Sipas censit të popullsisë, në rreth një dekadë, Burreli humbi rreth 27% të banorëve të saj – nga 10,862 (2011) në 7,928 (2023).

Megjithatë mosha e tretë “duket rezistente” ndaj ikjes. Kjo më shumë për faktin se hasin vështirësi në integrimin në një zonë të re, që nuk është ajo ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Nuk largohemi nga Mati. Nga Burreli shkojmë në Gurrë të Vogël, 19 km më larg qytetit, për t’u takuar me 82-vjeçarin Imer Kurti. Ai dhe bashkëshortja refuzojnë të largohen nga kulla mbi 400-vjeçare, në pronësi të familjes. Me humor Imeri thotë se Gurra e Vogël është Evropë për të, që kur kushtet minimale si rruga, apo furnizimi me drita, janë siguruar.

“Ajri! Kur shkoj në Tiranë, se ju jeni mësuar, por unë nuk mbushem me frymë”, rrëfen Imeri, i cili ka tre fëmijë, – një djalë i jeton në Burrel, ndërsa djali tjetër dhe vajza në Tiranë. Tek ata mban shpresa për të ruajtur trashëgiminë.

“Fëmijët, ose vijnë-ose s’vijnë, punë tjetër, por më kanë thënë se ‘nuk e lëmë shtëpinë’. Bën vaki edhe e gënjejnë babanë, por më kanë thënë nuk e lëmë!” thekson Imeri.

Kurti me ironi shprehet se në Tiranë nuk ja di shtëpinë fëmijëve, duke nënkuptuar për një lidhje të fortë me fshatin dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për tu zhvendosur atje, ai shpreson se një ditë ata do të kthehen.

“Çfarë të bëj në Tiranë? Nuk mund ta lë vendin tim këtu!” thotë Imeri. “Kalamajtë nëse duan le të vijnë!”

Sistemi shëndetësor, plagë e hapur

Infrastruktura në fshatra nuk është kudo e lehtë, rruga na solli deri tek kulla e Imer Kurtit, por për të takuar kryeinfermierin e qendrës shëndetësore të Gurrës, Ibrahim Ahmatin, u detyruam të përshkruanim një pjesë në këmbë, pasi rruga nuk ishte shtruar ende deri në banesën e tij.

Ahmati e ushtron profesionin e infermierit që prej vitit ’98, ndërsa në këtë fshat e ka nisur aktivitetin në shërbim të komunës Rripë që prej vitit ’97.

“Është një lagje këtej, përtej malit, lagja Lezaj, janë 120 frymë, e ka vështirë edhe helikopteri për dimër. Madje një infermier një rast, i kishte thënë në telefon të sëmurit që merr Ibrahimin, se unë isha në Rripë, se deri kur të vi unë atje, o ke vdek, o je shëndosh, s’ke nevojë më,” tregon Ibrahimi.

Në tetë vitet e fundit, nga të dhënat e Urdhrit të Infermierit janë mbi 5,400 infermierë që kanë plotësuar dokumentacionin për Gjermani dhe Itali. Mungesa e personelit mjekësor ka sjellë që edhe shumë qendra shëndetësore të shkrihen me njëra – tjetrën.

“Suç-Gurra tashmë janë shkrirë në një qendër dhe mbulojnë 11 fshatra. Kanë bashkuar edhe Xibrin me Klosin (qendrat shëndetësore), edhe Bazin me Ulzën, që kanë qenë dy” shpjegon ai.

Mungesa e ilaçeve përveç auditimeve nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit, artikulohet edhe vetë nga specialistët e fushës.

“Ka pas raste që kam pasur nevojë për oksigjen, që nuk e kam pasur. Kam pasur nevojë për kateter, për t’u kataterizuar, që nuk e kam pasur, ka munguar dhe jam detyruar ta çoj në spital (rajonal, pacientin),”vijon Ibrahimi.

Edhe infermier Ibrahimi ka fëmijë emigrantë, njëri në Angli, tjetri iu kthye së fundmi. “Ka tetë muaj që ka ardhur, pa asnjë punë […] e vret sedra vetë”, rrëfen ai për vështirësitë e të rinjve që rikthehen nga emigracioni.

“Gjithë ky eksod nuk është pa shkak! Nuk falet!” vijon Ibrahimi.“Më dhimbset t’ja kthej shpinën fshatit! Sa të kem këmbën dhe dorën, jam duke ndenjur këtu, kur të ngel pastaj, me shku ke fëmijët…” përfundon ai.

Fatmira, Imeri dhe Ibrahimi bluajnë të njëjtën bindje për të mos i braktisur vendbanimet. Për ata, gjithçka fillon me ajrin, historinë, rrënjët dhe shpresën se dikur fëmijët do të rikthehen dhe do t’i japin jetë shtëpive të vjetra.

Qëndrimi i tyre është simbol i rezistencës në sfondin e infrastrukturës së dobët, mungesës së investimeve dhe “ikjes” së resurseve njerëzore, që përshpejton degradimin e fshatrave.

Dëshira e brezit të tretë është për mos ti lënë sofrat, por sesa do ti rezistoj kjo dëshirë vetmisë dhe pamundësive fizike që sjell mosha, kjo mbetet për tu parë. Të vetmit që humbim nga kjo boshatisje e fshatrave drejt qytetit, qytetit drejt perëndimit, jemi ne.

The post “Rezistenca e të moshuarve ndaj largimit nga rrënjët!” appeared first on Citizens.al.

❌