Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Opinion.al

Email-et mes princeshës Mette-Marit dhe Epstein: Më intrigon, je kaq i ëmbël

By: e xh
1 February 2026 at 20:57

Princesha e kurorës së Norvegjisë është përfshirë në një tjetër skandal faqet e reja të dosjes Epstein duket se tregojnë vite kontakti mes saj dhe financierit famëkeq.

Grupi më i fundit i faqeve të dosjes, i publikuar të premten nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, duket se përfshin të paktën 1000 herë princeshës Mette-Marit.

Dosja përfshijnë dhjetëra email-e të shkëmbyera mes të dyve, duke sugjeruar se ata kanë qenë në kontakt nga viti 2011 deri në vitin 2014, raportoi e përditshmja norvegjeze VG. Mette-Marit u martua me mbretin e ardhshëm të Norvegjisë në vitin 2001.

Zbulimet vijnë në një moment kritik për familjen mbretërore. Gjyqi i djalit të Mette-Marit, Marius Borg Høiby, për përdhunim pritet të nisë të martën. Ai ka lindur nga një lidhje para martesës së saj me Princin e Kurorës Haakon.

Høiby përballet me 38 akuza, përfshirë përdhunimin e dyshuar të katër grave, si edhe akuza për sulm fizik dhe vepra penale të lidhura me drogën. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në 16 vite burg. Høiby i ka mohuar akuzat më të rënda, përfshirë ato për abuzim seksual.

Të shtunën, Mette-Marit foli për marrëdhënien e saj me Epstein, i cili vrau veten në burg në vitin 2019, teksa priste gjyqin për krime seksuale ndaj të miturve.

“Kam treguar gjykim të dobët dhe pendohem thellësisht që kam pasur çfarëdo kontakti me Epstein. Është thjesht e turpshme,” tha ajo në një deklaratë të publikuar nga pallati mbretëror.

Media norvegjeze këtë fundjavë u përqendrua te email-et që princesha kishte shkëmbyer me Epstein, vite pasi ai kishte pranuar fajësinë për akuza që përfshinin kërkimin e prostitucionit nga një i mitur në Florida.

Email-et e përfshira në të tregojnë se të dy kishin një marrëdhënie të afërt dhe Mette-Marit i shkruante Epstein-it se “më intrigon” dhe e quante “zemërbutë” dhe “një shpirt kaq i ëmbël” në të tjerë.

Në vitin 2012, Mette-Marit i tha Epstein-it se ai ishte “shumë sharmant” dhe e pyeti nëse ishte “e papërshtatshme që një nënë të sugjerojë dy gra të zhveshura që mbajnë një dërrasë sërfi për sfondin e kompjuterit të djalit tim 15-vjeçar?”. Javë më parë, ajo dhe Epstein kishin shkëmbyer email-e rreth faktit që ai ishte në një “gjueti për gra” në Paris. Ajo u përgjigj se kryeqyteti francez ishte “i mirë për tradhti bashkëshortore” dhe shtoi se “skandinavet (janë) material më i mirë për bashkëshorte”.

Në një tjetër mesazh, ajo e falënderonte Epstein-in për lulet që i kishte dërguar kur ajo ndihej keq, duke e mbyllur mesazhin me “Me dashuri, Mm.”

Shkëmbimet përmendnin rregullisht plane për t’u takuar, ndërsa dosjet tregojnë se ajo gjithashtu qëndroi për katër ditë në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida, në vitin 2013, kur Epstein nuk ndodhej aty.

Përfshirja në dosje nuk nënkupton shkelje ligjore.

Në deklaratën e saj të shtunën, Mette-Marit, 52 vjeçe, shprehu “keqardhje dhe solidaritet të thellë” me viktimat e Epstein-it dhe tha se ishte përgjegjëse “që nuk e kishte kontrolluar më me kujdes të kaluarën e Epstein-it dhe që nuk e kishte kuptuar mjaft shpejt se çfarë lloj personi ishte”.

Megjithatë, dosjet përfshijnë një shkëmbim të vitit 2011 në të cilin Mette-Marit i thoshte  Epstein-it se e kishte “kërkuar në Google”, duke shtuar “nuk dukej shumë mirë”, së bashku me një emoji buzëqeshjeje. Email-i nuk specifikonte se çfarë kishte gjetur ajo gjatë kërkimit online.

Pallati tha se Mette-Marit kishte ndërprerë kontaktin me shkrim me Epstein-in në vitin 2014, pasi ndiente se ai po “përpiqej të përdorte marrëdhënien e tij me princeshën e kurorës si levë ndaj njerëzve të tjerë”.

Ndërsa gjyqi shtatëjavor i djalit të saj nis në Oslo, çifti mbretëror nuk pritet të marrë pjesë. Haakon u ka thënë gazetarëve se Mette-Marit do të ishte larg në një udhëtim privat gjatë asaj periudhe.

Høiby nuk ka një titull mbretëror dhe është jashtë linjës së trashëgimisë mbretërore. Më herët këtë vit, oborri mbretëror norvegjez e trajtoi gjyqin në një deklaratë, duke thënë: “Është në dorën e gjykatave ta shqyrtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim. Nuk kemi asnjë koment të mëtejshëm.”

Pas 8 orësh, hapet për qarkullim aksi Elbasan-Qafë Thanë

By: e xh
1 February 2026 at 20:50

Aksi Elbasan-Qafë Thanë është hapur për qarkullimin e mjeteve, pas disa orësh bllokim të shkaktuar nga rrëshqitjet e dherave dhe gurëve në segmentin Librazhd-Qafë Thanë. Policia Rrugore, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, po menaxhon trafikun dhe po orienton drejtuesit e automjeteve për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit.

Situata ka qenë problematike gjatë gjithë ditës, pasi bllokimi i plotë i rrugës në të dyja senset krijoi radhë kilometrike automjetesh. Edhe gjatë ndërhyrjes për pastrimin e rrugës janë regjistruar shembje të tjera, duke vështirësuar ndjeshëm punën e mjeteve dhe zgjatur kohën e zhbllokimit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë udhëzimet e shërbimeve në terren dhe të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, për shkak të rrezikut nga rrëshqitje të tjera.

Përmendet në dosjet e Epstein, Djukanovic mohon njohjen me të

By: dan iela
1 February 2026 at 17:05

Ish- presidenti dhe ish-Kryeministri i Malit të Zi Milo Djuknovic ka mohuar të ketë patur njohje apo komunikim me Jeffrey Epsteinin, edhe pse emri i tij përmendet në dosjet e publikuara nga autoritetet amerikane. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë kontakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me të.

“Në përgjigje të interesimit të shpeshtë të përfaqësuesve të medias lidhur me publikimin e komunikimeve të të ndjerit Jeffrey Epstein, dua të sqaroj se nuk e kam njohur kurrë Epsteinin dhe nuk kam komunikuar asnjëherë me të, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Për rrjedhojë, nuk mund të dëshmoj për vërtetësinë e bisedave të publikuara apo për vizitat e tij të mundshme në Mal të Zi,” u shpreh Djukanovic .

Sipas dokumenteve, emri i Djukanovic shfaqet në një sërë mesazhesh që Epstein dyshohet se ka shkëmbyer me politikanin sllovak Miroslav Lajçak. Në një prej këtyre komunikimeve, Lajçak shkruan se presidenti i Malit të Zi “mezi pret vizitën tonë”.

Në vijim të bisedës, Epstein i përgjigjet: “Ndoshta duhet t’i japë Donaldit një strehë të sigurt”, ndërsa Lajçak thekson se “pika e dobët e Donaldit është Mali i Zi”.

Gjatë këtyre shkëmbimeve, Epstein i ka dërguar Lajçakut edhe një link nga Neë York Times, shoqëruar me një fotografi të Kotorrit, të cilës Lajçak i është përgjigjur: “Të thashë që Mali i Zi ishte i shkëlqyer”. Po ashtu, Epstein e ka pyetur Lajçakun nëse Djukanovic mbante postin e presidentit apo të kryeministrit në atë kohë, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur se ai ishte president.

Gjatë ditës së sotme, Lajçak pikërisht për shkak të publikimit të këtyre dosjeve, ka deklaruar dorëheqjen.

Sipas burimeve, një pjesë e këtyre mesazheve janë shkëmbyer në gusht 2018, ndërsa të tjera më 21 shtator të po atij viti.

Dosja e publikuar nga autoritetet amerikane përfshin rreth 3 deri në 3.5 milionë faqe materiale, mbi 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe që lidhen me aktivitetet e Epstein. Departamenti i Drejtësisë bën me dije se një pjesë e përmbajtjes është redaktuar ose nuk është bërë publike, për shkak të mbrojtjes së privatësisë së viktimave, duke fshirë pjesërisht ose plotësisht emra dhe të dhëna personale.

 

 

 

 

 

 

Rrëshqitje në rrugë, prej orësh i bllokuar aksi Librazhd- Përrenjas

By: dan iela
1 February 2026 at 14:41

Prej të paktën 4 orësh aksi rrugor Librazhd- Përrenjas është i bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut dhe gurëve që kanë bllokuar të dyja drejtimet e e qarkullimit në vendin e quajtur Dragostunjë.

Policia Rrugore e Elbasanit ndodhet në vendngjarje sipas njoftimit zyrtar dhe po bashkëpunon me firmën kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve, me qëllim  pastrimin e sa më shpejtë të akseve dhe rifillimin e qarkullimit.

Nga ana tjetër, u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve.

 

Rama flet për kadastrën e Vlorës: Të tjera drejtori do të zhvendosen

By: dan iela
1 February 2026 at 13:01

Në podcastin e tij “Flasim”, Kryeministri Rama ka folur edhe në lidhje me zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë.
Rama u shpreh se situata është ngatërruar qëllimisht ose idiotësisht dhe që sipas tij me heqjen e sporteleve, kadastrat ofrojnë shërbime pa zyra fizike.
Kjtojmë megjithatë, se Vlora prej vitesh nuk po gjen qetësi në zyrat e kadastrës, pasi drejtuesit e saj dorëhiqen pas vetëm pak muajsh punë.
“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. U ngatërrua, qëllimisht ose idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv, me sportele, radhë dhe zvarritje, në një model online, ende i pa mbyllur plotësisht në ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës e-Albania ky model mundëson që shumica e procedurave të mos kenë nevojë për paraqitje fizike në një sportel. Të gjitha ndiqen online. Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje për atë lëvizje lidhet jo vetëm me një perceptim të gabuar apo me një informim të mangët, por edhe me një mendësi e cila duhet përmbysur. Duhet përmbysur duke pasur parasysh se e nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim si një e drejtë themelore, një e drejtë që merret përmes celularit ose kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky nuk është i pari veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ajo që po punojmë çdo ditë është të sigurojmë mbylljen e ciklit: pra, jo më aplikim online dhe më pas marrje e shërbimit me postë, por i gjithë cikli online.”-tha Rama.

Video/ Gjendet një arsenal me armë zjarri në Selitë, 4 persona në pranga

By: dan iela
1 February 2026 at 11:27

Një arsenal armësh zjarri dhe municionesh janë sekuestruar në Tiranë në zonën e Selitës, pas një operacioni policor të koduar “LOCKDOWN”. Sikurse bëhet me dije ky operacon vjen pas një një hetimi 2-mujor nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërkohë që në pranga kanë rënë 4 persona, të cilët shisnin në Tiranë armë  të trafikuara nga Kosova. Sipas policisë në ambjentin ku monoheshin dhe magazinoheshin armët e zjarrit janë gjetur:

5 pistoleta dhe 3 automatikë, pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 celularë.

 

“Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit:

-G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.

 

Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

Rrëzohet kërkesa e Veliajt, GJKKO lë në qeli kryebashkiakun e Tiranës

By: e xh
1 February 2026 at 11:03

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.

Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, ishte i pranishëm në seancë, së bashku me dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado.

Mbrojtja kërkoi ndryshimin e masës duke argumentuar se hetimet kanë përfunduar dhe se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen e tij në arrest.

Pas shqyrtimit të kërkesës, GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke bërë që kryebashkiaku i Tiranës të vijojë qëndrimin në qeli.

Rama: S’do të lejojmë informalitetin, pagat po rriten ndjeshëm

By: e xh
1 February 2026 at 10:59

Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit të përjavshëm në podkastin “Flasim” pohoi se lufta kundër informalitetit në sektorin e ndërtimit po jep rezultate konkrete, duke reflektuar rritje të ndjeshme të pagave dhe kontributeve shoqërore e shëndetësore.

Teska iu referua deklaratës së Ministrit të Financave, Rama nënvizoi se falë qasjes aktive të ministrisë dhe autoriteteve tatimore, po parandalohet goditja e padrejtë e familjeve të punonjësve në ndërtim nga informaliteti.

Sipas Kryeministrit, të dhënat tregojnë një përmirësim të dukshëm në fondin e pagave dhe kontributeve në këtë sektor.

Po ashtu, Rama theksoi se është ulur ndjeshëm numri i pagave të deklaruara në fashën 500 euro, ndërkohë që është rritur numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, me një rritje deri në 18%.

“Një tjetër adresim i javës ishte adresimi që u bë nga Ministri i Financës dhe e sjell këtu sepse ka një subjekt me rëndësi, subjektin e informalitetit në ndërtim. Dhe faktikisht jemi në një proces, ku shohim përmirësime të vazhdueshme, falë qasjes aktive të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve tatimore për të mos lejuar që informaliteti të godasë në mënyrën më të padrejtë familjet e atyre që punojnë në sektorin e ndërtimit.

Dhe kemi të reflektuar në fondin e pagave, të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në sektorin e ndërtimit, një rritje domethënëse. Një rritje domethënëse që do të thotë një deklarim shumë më real të pagave pasi administrata tatimore dërgoi rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara, të cilat dhanë si efekt që për rreth 18  mijë të punësuar, fondi i pagave u rrit me 9%, ndërsa kontributet me 4%.

Po ashtu, ulja e numrit të pagave në fashën e 500 eurove është domethënëse, ashtu siç është rritur ndjeshëm numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, një rritje deri në 18 %, si dhe paga mbi 1200 euro me një rritje mbi 10%.

Këto janë tregues të qartë, jo vetëm të faktit që pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha të faktit se edhe ekonomia informale po ulet ndjeshëm”, theksoi Rama.

Pjesë e dosjes “Epstein”, Miroslav Lajčák dorëhiqet nga detyra si…

By: e xh
31 January 2026 at 23:27

Miroslav Lajçak, një nga figurat më të njohura të diplomacisë sllovake dhe evropiane, ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pas daljes së emrit të tij në dokumentet që lidhen me skandalin e Jeffrey Epstein, financierit amerikan të dënuar për abuzime seksuale dhe trafikim njerëzish.

Situata mori vëmendje të madhe kur u bë e ditur se Lajçak kishte komunikuar më parë me Epstein, duke ngritur pikëpyetje për natyrën e këtyre kontakteve.

Si ndodhi gjithçka?

Emri i Lajçakut u përmend në disa komunikime me Epstein, duke ngjallur debat publik dhe shqetësime për figurën e tij diplomatike. Pavarësisht se Lajçak ka një karrierë të gjatë dhe të shquar diplomatike, duke përfshirë detyra si Ministër i Jashtëm dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, reagimi ndaj këtyre zbulimeve ishte i menjëhershëm.

Deklarata e Lajçakut

Në deklaratën e tij, Lajçak mohoi se mesazhet apo komunikimet me Epstein ishin të natyrës kompromentuese. Ai theksoi se kontaktet ishin rastësore dhe jo profesionale, dhe se nuk ka përfituar ndonjë gjë nga këto ndërveprime. “Nëse do të kisha ditur më parë për natyrën kriminale të veprimeve të Epstein, nuk do të kisha ndërvepruar me të”, u shpreh Lajçak. Ai po ashtu tha se nuk mund të konfirmojë saktësinë e të gjitha mesazheve, duke i përshkruar ato si informale.

Reagimi i kryeministrit Fico

Kryeministri Robert Fico pranoi dorëheqjen e Lajçakut, duke e përshkruar atë si një diplomat të jashtëzakonshëm. Fico kritikoi reagimet publike, duke i konsideruar të ekzagjeruara dhe të bazuara në spekulime dhe tha se dorëheqja është një hap për të shmangur rrezikun e reputacionit të keq për shtetin sllovak në këtë periudhë të ndjeshme.

Yesterday — 31 January 2026Opinion.al

Video/ Torino, polici rrethohet nga turma, dhunohet dhe goditet me çekiç

By: e xh
31 January 2026 at 22:46

Në Torino, një efektiv i policisë nga një repart mobil u rrethua dhe u sulmua nga një grup antagonistësh gjatë përplasjeve pranë kampusit universitar Einaudi. 

Në video duken dhjetëra protestues të dhunshëm që i afrohen policit dhe e godasin me shkelma, grushte dhe një çekiç, duke ia drejtuar edhe një dritë lazer jeshile. Polici, i shtrirë në tokë, humbet helmetën dhe përpiqet të largohet duke mbuluar kokën me duar. Më pas ai shpëtohet nga disa kolegë, ndërsa antagonistët largohen.

Edhe një automjet i blinduar i policisë u përfshi nga flakët gjatë përplasjeve. Gjatë sulmeve, protestuesit hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit në mënyrë të vazhdueshme dhe intensive.

Demonstruesit shtynë dhe çuan në mes të rrugës kontenierë mbeturinash, tërhequr nga skaji i rrugës, si dhe karroca të dyqaneve.

Një ekip gazetarësh u sulmua fizikisht, u kërcënua dhe u detyrua të largohej me forcë, ndërkohë që gurë hodheshin dhe pajisjet e tyre të punës u shkatërruan.

Protestë e dhunshme në Torino, qytetarët përplasen me policinë

By: e xh
31 January 2026 at 21:51

Më 18 dhjetor 2025, forcat e policisë italiane evakuuan dhe bllokuan qendrën sociale Askatasuna në Corso Regina Margherita 47, një objekt që ishte zaptuar që nga viti 1996 dhe që funksiononte si një hapësirë kulturore, sociale dhe politike për pothuaj 30 vjet.

Për këtë ishte njoftuar sot një protestë kombëtar e thirrur në përgjigje të boshatisjes së qendrës sociale Askatasuna. Pjesë ishin grupe në Torino nga e gjithë Italia dhe madje edhe nga jashtë vendit.

Këto janë imazhet të ndarë në mediat sociale nga Ministri italian i mbrojtjes Guido Crosetto dhe ish-senatori i Partisë Demokratike Stefano Esposito.

Pamjet janë filmuar në Corso Regina Margherita në Torino, pranë hyrjes së kampusit të Universitetit Luigi Einaudi dhe ish-selisë së qendrës sociale Askatasuna, e cila u evakuua më 18 dhjetor.

Në këtë zonë për gati një orë pati një përplasje të fortë, ku një grup i madh protestuesish nxorën papritmas mburoja të bëra vetë, duke shkaktuar një përplasje me policinë.

Tensionet u përshkallëzuan shpejt, duke pasuar me djegien e koshave të mbeturinave, hedhje e gurëve dhe bombave molotov e transformuan rrugën në një fushë beteje.

Në këtë rrëmyjë, pati edhe një ofekt polcie të lënduar pasi u sulmua nga protestuesit.

Një ekip xhirimi i RAI-t u sulmua gjithashtu. Gazetarët u vunë në shënjestër, u sulmuan fizikisht, u kërcënuan dhe u detyruan të largoheshin, ndërsa u hodhën gurë dhe pajisjet e tyre të punës u shkatërruan.

Protesta, Lapaj: Rama, i ka vjedhur këtij populli palcën në këto 13 vite

By: e xh
31 January 2026 at 20:39

Adriatik Lapaj, gjatë fjalës së tij në protestën e “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, deklaroi se kryeministri Edi Rama “është një mashtrues i cili i ka vjedhur këtij populli palcën në këto 13 vite duke i kanalizuar paratë e vendit tonë në pak duar”.

“Sot është simbol i korrupsionit dhe i tillë do të mbahet mend gjatë. Ai sot njihet si Edi që drejton bandën që e ka vjedhur më së shumti Shqipërinë. Edi Rama pretendon se ai është autor i Reformës në Drejtësi dhe se është krah drejtësisë. Edi Rama pretendon se është njeriu që po modernizon shtetin shqiptar. Edi Rama pretendon se është njeriu që ka luftuar korrupsionin. Edi Rama pretendon se në spitalet tona ka ilaçe dhe shërbimet janë më të mira se më parë. Edi Rama pretendon se bujqësia është vijuar nën qeverisjen e tij. Edi Rama pretendon se ka luftuar korrupsionin. Edi Rama pretendon se ka rritur pensionet dhe se prindërit tanë jetojnë më mirë se në të shkuarën. Edi Rama premton dhe pretendon se është njeriu që mund ta fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe se po ndërton Europën këtu në vatrat tona. Edi Rama është një mashtrues i cili i ka vjedhur këtij populli palcën në këto 13 vite duke i kanalizuar paratë e vendit tonë në pak duar. Ndaj, ne sot sërish njëzëri i themi: “Edi Rama, o hajdut, o hajdut, o hajdut”, tha Lapaj.

“Ju që jeni në këtë shesh jeni dallëndyshet e para të ndryshimit që do t’i japë udhë tranzicionit të stërzgjatur shqiptar. Ju jeni qëndrestarë që guxuat të dilni përtej egove personale, përtej frikës, duke e vrarë atë. Ndaj unë sot përulem përpara jush. Ndaj, është detyrë kombëtare rreshtimi krah drejtësisë dhe përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij. Siç e morët vesh, ju do të dënoheni edhe për parkimin dysh të makinave. Ndaj, kjo duhet të marrë fund dhe të bashkuar do t’i japim fund. Ata kanë pritur të dorëzohemi. Ata kanë pritur që shiu do na largojë. Ata kanë pritur që i ftohti -7 apo -3 gradë të na bëjë të dridhemi e të ikim natën. Nuk e kanë menduar që do të rezistojmë plot 55 ditë duke i thënë se ai është hajdut. Kjo qëndresë nuk ndalon. Kjo qëndresë po përhapet në çdo fshat, në çdo qytet. Është diskutuar e po diskutohet në çdo tavolinë. Kjo qëndresë do të prodhojë një bashkim të madh popullor për të ndalur një herë e mirë regjimin autokratik hajdut të Edi Ramës dhe bandës që ai drejton. Ndaj, unë sot i flas ndërgjegjes së çdo prindi që fëmijët nuk i kanë në vatrën e vet. I flas ndërgjegjes së çdo fëmije që shikon se si familjarët e tij, prindërit e tij në spital nuk gjejnë ilaçe për sëmundjet e rënda. I flas çdo kryefamiljari, ndërgjegjes së nënës dhe babait për faktin që po e lë fëmijën të rritet në një vend me korrupsion, me padrejtësi, me dhunë, me krim të organizuar. I thërras ndërgjegjes së çdo qytetari të këtij vendi. A do të heshni, a do ta pranoni këtë gjendje apo do të bashkoheni kundër hajdutërisë? Nuk ka më kohë. Koha është tani. Bashkimi duhet të ndodhë tani”, shtoi Lapaj.

Testamenti i Jeffrey Epstein, ja si do shpërndahej pasuria e tij marramendëse

By: e xh
31 January 2026 at 20:09

Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Jeffrey Epstein planifikonte ta shpërndante pasurinë e tij te një sërë miqsh, të afërmish, punonjësish dhe bashkëpunëtorësh pas vdekjes së tij.

Ai donte t’i linte partneres së tij të fundit, Karina Suljak, 42,194,100 dollarë, një unazë diamanti gati 33 karatësh, ishullin Little St. James, shtëpinë e tij në Nju Jork, ndër të tjera.

Të dhënat e publikuara tregojnë se Jeffrey Epstein nënshkroi testamentin e tij më 8 gusht 2019, dy ditë para se të gjendej i vdekur në qelinë e tij të burgut në Manhattan, sipas ABC. Tetë ditë pas vdekjes së Epstein, testamenti u nënshkrua nga avokati i tij i hershëm, Darren Indyke, dhe u nënshkrua gjithashtu nga kontabilisti i tij, Richard Kahn.

Por në vend që miliona të shkonin te përfituesit, pasuria e Epstein u transferua në një fond besimi dhe që atëherë është përdorur për të kompensuar viktimat dhe për të paguar taksat dhe tarifat ligjore. Sipas shifrave të fundit, mbeten 127 milionë dollarë nga shuma origjinale.

Pasuri të paluajtshme dhe para

Partneres së tij të fundit të njohur, Karina Suljak, Epstein i la 42,194,100 euro dhe planifikoi t’i jepte asaj një fermë në New Mexico, pronën e tij në Little St. James dhe pronën e tij në Great St. James. Përveç kësaj, ai i la asaj apartamentin e tij në një nga zonat më të shtrenjta të Parisit, pranë Harkut të Triumfit, si dhe pronën e tij në Palm Beach dhe rezidencën e tij në Upper East Side të Manhattanit. Sipas Daily Mail, Suljak, e cili është me origjinë nga Bjellorusia, besohet se ka pasur një lidhje me Epstein për tetë deri në dhjetë vjet.

Suljak do të merrte gjithashtu diamantet e Epstein, duke përfshirë një unazë diamanti 33 karatësh të përshkruar me kujdes, për të cilën Epstein se i ishte dhënë asaj “në pritje të martesës”.

Unaza përmbante një diamant 32.73 karatësh, të prerë drejtkëndëshe, të rrethuar nga diamante më të vegjël të prerë në bagetë. Ajo gjithashtu do të merrte “të gjitha diamantet e mia falas”, siç kishte ndërmend Epstein, duke renditur 48 prej tyre në detaje.

Ai planifikoi t’u jepte avokatit të tij të hershëm Indyk dhe kontabilistit të tij Kahn, të cilët ishin gjithashtu bashkë-ekzekutivë të testamentit të Epstein, 42,194,100 € dhe 21,097,050 €.

Partnerja e tij, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim me 20 vjet burg për mashtrimin, do të merrte 8,438,820 €. Vëllai i tij, Mark Epstein, dhe piloti i tij, Larry Wysocki, do të merrnin secili nga 8,438,820 €.

Disa nga përfituesit e tjerë janë emëruar, por quhen “ata” dhe secilit prej tyre i jepen disa milion dollarë. Disa milion dollarë do t’u shpërndaheshin gjithashtu punonjësve të ndryshëm, përkatësisht, sipas marrëveshjes.

Mbyllet sërish qeveria amerikane, ngërçi te financimi i Departamentit të Sigurisë

By: e xh
31 January 2026 at 17:48

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pjesërisht, pavarësisht një marrëveshjeje financimi të miratuar nga Senati.

Ndërprerja e financimit filloi në mesnatë nga e premtja në të shtunë sipas kohës lokale, disa orë pasi senatorët ranë dakord të financonin shumicën e agjencive deri në shtator. Projektligji përfshin vetëm dy javë financim për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjit për emigracionin, në vend që ta mbyllë atë tërësisht.

Marrëveshja ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila aktualisht nuk po mban seanca.

Presidenti amerikan Donald Trump, arriti marrëveshjen me demokratët pasi ata refuzuan të jepnin më shumë fonde për zbatimin e ligjit për emigracionin pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis nga agjentët federalë.

Kjo është mbyllja e dytë e qeverisë brenda një kohe të shkurtër dhe vjen vetëm 11 javë pas përfundimit të bllokimit të mëparshëm të financimit që zgjati 43 ditë, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Mbyllja e qeverisë në vitin 2025, nga 1 tetori deri më 14 nëntor, pati ndikime të gjera në shërbimet thelbësore qeveritare, përfshirë udhëtimin ajror, dhe la qindra mijëra punonjës federalë pa paga për javë të tëra.

Por kjo mbyllje e pjesshme nuk ka gjasa të jetë kaq e gjatë ose e përhapur në shumë shërbime, pasi Dhoma e Përfaqësuesve do të rifillojë seancën të hënën.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë u ka udhëzuar disa agjencive, përfshirë departamentet e transportit, arsimit dhe mbrojtjes, që të zbatojnë planet e mbylljes.

Ligjvënësit planifikojnë të përdorin periudhën dy javore gjatë së cilës Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të financohet për të negociuar një marrëveshje. Demokratët duan që kjo marrëveshje të përfshijë politika të reja për agjentët e zbatimit të ligjit për emigracionin.

Dosjet e “Epstein”/Demokratët në SHBA: Po mbahen të fshehura miliona dokumente

By: e xh
31 January 2026 at 16:18

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se publikimi i dokumenteve nga dosja Epstein, “shënon fundin e një procesi shumë gjithëpërfshirës të identifikimit dhe shqyrtimit të materialeve”, duke sinjalizuar se, për Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, çështja konsiderohet e mbyllur.

Megjithatë, demokratët vazhdojnë të argumentojnë se departamenti ka mbajtur të fshehura një numër të madh dokumentesh, potencialisht rreth 2.5 milionë pa dhënë një justifikim të mjaftueshëm.

Sipas BBC’, Departamenti i Drejtësisë ka qenë nën shqyrtim të fortë kritikash pasi nuk arriti të përmbushë afatin e 19 dhjetorit për publikimin e plotë të dosjeve, siç parashikohet nga Akti i Transparencës së Dosjeve Epstein, i miratuar nga Kongresi dhe i nënshkruar në ligj në muajin nëntor.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo sagë ka përfunduar.

Prej kohësh, shumë njerëz përfshirë edhe brenda bazës së mbështetësve të Presidentit Donald Trump kanë besuar se ekziston një përpjekje për të mbrojtur individë të pasur dhe të fuqishëm që kanë pasur lidhje me Jeffrey Epstein.

Blanche pranoi se publikimi i dokumenteve nuk do ta plotësojë kërkesën për më shumë informacion. Ai theksoi se dosjet nuk përmbajnë emra konkretë të burrave që kanë abuzuar me gratë dhe se, në rast se Departamenti i Drejtësisë do t’i kishte këta emra, ata do të ndiqeshin penalisht.

OKB paralajmëron kolapsin, Guterres: Mund të mbetemi pa para

By: e xh
31 January 2026 at 15:02

Organizata e Kombeve të Bashkuara po përballet me një krizë financiare alarmante, që sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, mund ta çojë institucionin ndërkombëtar drejt një kolapsi të afërt.

Shkaku kryesor lidhet me mos shlyerjen e detyrimeve financiare nga disa shtete anëtare dhe me rregulla buxhetore që e detyrojnë OKB-në të kthejë fondet e pashpenzuara, duke e lënë atë pa fleksibilitet financiar. Në një letër drejtuar ambasadorëve më 28 janar, Guterres paralajmëron se kriza e likuiditetit po thellohet me shpejtësi, duke rrezikuar zbatimin e programeve kyçe dhe funksionimin normal të organizatës. Sipas tij, pa ndërhyrje të menjëhershme, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë në muajt në vijim.

Ky paralajmërim vjen në një moment delikat, kur Shtetet e Bashkuara -kontribuesi më i madh financiar i OKB-së ,kanë reduktuar ndjeshëm fondet vullnetare për disa agjenci dhe nuk kanë kryer pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe misionet paqeruajtëse. Presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar hapur OKB-në, duke e cilësuar si një organizatë që nuk po arrin të shfrytëzojë potencialin e saj dhe duke promovuar iniciativa alternative, të cilat sipas kritikëve mund të dobësojnë strukturat ekzistuese multilaterale.

Guterres thekson se janë bërë njoftime zyrtare për mosrespektimin e kontributeve të detyrueshme që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të miratuar, pa përmendur konkretisht shtetet përgjegjëse. Sipas rregullave të OKB-së, niveli i kontributit përcaktohet nga fuqia ekonomike e çdo vendi anëtar, ku SHBA-ja mbulon rreth 22% të buxhetit bazë, ndërsa Kina 20%. Deri në fund të vitit 2025, shuma e detyrimeve të papaguara kishte arritur një rekord prej 1.57 miliardë dollarësh.

Përballë kësaj situate, Guterres ka qenë i prerë: ose shtetet anëtare përmbushin detyrimet e tyre financiarisht dhe në kohë, ose rregullat financiare të organizatës duhet të ndryshohen rrënjësisht për të shmangur falimentimin. Sipas tij, pa zgjidhje urgjente financiare, organizata mund të mbetet pa fonde që në muajin korrik.

Sauditët mbështesin Trump: Nuk e kundërshtojmë sulmin ndaj Iranit

By: e xh
31 January 2026 at 14:48

Në publik bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe zgjidhje diplomatike, por pas kuintave. Arabia Saudite duket se nuk i kundërvihet një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

Axios citon informacione të siguruara gjatë një takimi privat në Uashington, ku ministri saudit i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman, ka dhënë sinjale se Riadi nuk do t`i kundërvihej një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së ndaj regjimit të ajatollahëve.

Madje, përkundrazi, sipas katër burimeve që ishin të pranishme në takim, princi Khalid ka shprehur bindjen se nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë ndaj Teheranit, regjimi iranian do të dalë edhe më i fuqishëm nga situata aktuale. Analistët vlerësojnë se ky “dualizëm diplomatik” pasqyron frikën e vazhdueshme të sauditëve nga shtrirja e influencës së Iranit në Lindjen e Mesme.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa çdo veprim i SHBA-së ndaj Republikës Islamike pritet të ketë pasoja të gjera jo vetëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit. Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thuhet se do të kishin mbështetjen e një aleati kyç të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, në rast se presidenti Donald Trump autorizon një sulm amerikan ndaj Iranit. Sipas Drop Site Neës, sulmet mund të nisin që të dielën, nëse SHBA vendos të veprojë.

Përveç qëllimit për të goditur objekte bërthamore, balistike dhe ushtarake, sulmet do të synonin gjithashtu shënjestrimin e qeverisë iraniane, dhe sidomos udhëheqjen dhe kapacitetet e Gardës Revolucionare.

Arrihet kompromis për azilin në Gjermani, shtohen kthimet, por edhe punësimet

By: e xh
31 January 2026 at 14:26

Partitë në pushtet në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD, kanë arritur një kompromis për zbatimin e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit-GEAS-, me qëllim kufizimin e emigracionit të paligjshëm dhe përshpejtimin e procedurave të azilit.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes ka të bëjë me të ashtuquajturat “raste të Dublinit”, apo azilkërkuesit që janë regjistruar ose kanë aplikuar për azil në një vend tjetër të BE-së. Këta persona mund të mbahen deri në tre muaj në qendra të posaçme azili, me qëllim lehtësimin e kthimeve dhe parandalimin e zhdukjes së tyre para deportimit. Vendimi për hapjen e këtyre qendrave u lihet lëndëve federale dhe kërkon gjithashtu miratimin e Bundesratit, apo dhomës së përfaqësimit të lëndëve.

Masat e reja nuk do të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë. Sipas SPD-së, fëmijët, familjet dhe grupet e cenueshme duhet të mbrohen nga kufizime të panevojshme. Parashihet që të mos ketë ndalim për fëmijët, të sigurohet kujdes shëndetësor i përshtatshëm dhe që familjet, si rregull, të mund të largohen nga qendrat e pritjes pas gjashtë muajsh. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me tregun e punës. Azilkërkuesit dhe personat e toleruar do të kenë mundësi të punojnë pas tre muajsh qëndrimi, në vend të gjashtë muajve si më parë.

Qeveria synon gjithashtu të përmirësojë kujdesin shëndetësor për fëmijët refugjatë, duke ofruar ekzaminime më të gjera gjatë 36 muajve të parë të qëndrimit. Megjithatë, marrëveshja është kritikuar ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut. PRO ASYL paralajmëron se ligji i ri sjell masa më shtrënguese sesa kërkon vetë legjislacioni i BE-së, përfshirë kufizime të lëvizjes dhe ndalime, që sipas kritikëve mund të prekin edhe fëmijët dhe grupet e cenueshme.

Reforma e GEAS-it, e miratuar nga BE-ja në vitin 2024, synon ta bëjë sistemin evropian të azilit më efikas dhe të zhvendosë procedurat kryesisht në kufijtë e jashtëm të Unionit. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në të gjitha vendet e BE-së deri në qershor 2026, ndërsa në Gjermani miratimi ligjor mund të ndodhë që në shkurt.

Ndërron jetë Catherine O’Hara, “mamaja” e Kevinit

By: e xh
31 January 2026 at 14:24

Bota e filmit dhe televizionit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të aktores së njohur Catherine O’Hara, e cila u shua në moshën 71-vjeçare. Ikona e komedisë, e dashur për rolet e saj në Schitt’s Creek, Home Alone, Best in Show dhe Beetlejuice, ka ndërruar jetë të premten në mëngjes, sipas burimeve të afërta për TMZ. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.

Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikëses së Los Angeles konfirmoi për Daily Mail: “Në orën 4:48 të mëngjesit iu përgjigjëm një thirrjeje për ndihmë mjekësore dhe transportuam një grua rreth 70 vjeç në gjendje serioze.”

O’Hara lë pas bashkëshortin e saj prej më shumë se 30 vitesh, Bo Welch, si dhe dy djemtë, Matthew dhe Luke. Paraqitja e saj e fundit publike ishte në ceremoninë e Emmy-t në shtator, ku u shfaq e dobësuar në tapetin e kuq.

Aktorja u bë një emër i njohur botërisht si nëna e Kevin McCallister në dy filmat e parë Home Alone, “I vetëm në Shtëpi”, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me rolin e Moira Rose në serialin Schitt’s Creek, duke fituar një çmim Emmy në vitin 2020.

Rey Manaj i jep fund aventurës në Emiratet e Bashkuara Arabe,largohet nga Al Sharjah

By: e xh
31 January 2026 at 14:21

Rey Manaj i ka dhënë fund zyrtarisht aventurës së tij në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi i Al Sharjah përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka njoftuar për zgjidhjen e kontratës në mënyrë konsensuale me Manaj.

Klubi i uruar gjithashtu fat dhe sukses në karrierën e tij në të ardhmen sulmuesit të Kombëtares shqiptare.

Kujtojmë se prej javësh përflitej për largimin e Rey Manajt nga Al Sharjah, por tani u konfirmua gjithçka.

Futbollisti shqiptar në këtë mënyrë hoqi dorë nga një kontratë prej 3.9 milionë eurosh në mënyrë që të largohej nga ekipi.

Mbetet për t’u parë tani se cili do të jetë destinacioni i ri i Manajt, megjithëse përflitet se sulmuesi të kthehet sërish në Turqi, te skuadra nga e cila edhe u largua Sivasspor.

❌
❌