Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Transformimi i aktorit/ Nga fëmijëria si yll kinemaje, përfundon i pastrehë

By: e xh
26 December 2025 at 11:44

Ish-aktori i njohur i Nickelodeon, Tylor Chase, është shtruar në një spital në Kaliforninë Jugore, pasi miq, familjarë dhe ish-kolegë u bashkuan për t’i ardhur në ndihmë pas një periudhe të gjatë ku ai jetonte në rrugë. Lajmi vjen pas pamjeve virale që tronditën fansat, ku Chase shihej i pastrehë dhe në gjendje të rënduar shëndetësore e emocionale.

Sipas burimeve për Daily Mail, ndërhyrja u bë pas koordinimit mes babait të Chase, ish-bashkëpunëtorëve dhe influencuesit Jake Harris. Autoritetet shëndetësore vendosën se aktori kishte nevojë për trajtim të menjëhershëm dhe ai u dërgua në spital për një qëndrim 72-orësh nën kujdes mjekësor.

Ish-kolegët e tij nga seriali “Ned’s Declassified School Survival Guide”, përfshirë Daniel Curtis Lee dhe Shaun Weiss, kanë shprehur publikisht shqetësimin dhe shpresën se kjo është një hap drejt rikuperimit të plotë. Weiss, i cili vetë ka kaluar një periudhë të vështirë me varësinë dhe shëndetin mendor, u angazhua personalisht për ta ndihmuar Chase të largohej nga rruga dhe të pranonte trajtimin mjekësor.

Në videot e publikuara së fundmi, Chase dukej në prag të Krishtlindjes, mes shiut të dendur, duke pranuar ndihmë nga qytetarë të rastësishëm që i dhanë ushqim, rroba dhe luteshin për të. Nëna e tij ka kërkuar që njerëzit të mos i japin para drejtpërdrejt, duke theksuar se kjo mund ta rrezikojë më shumë, ndërsa ka bërë të ditur se dera e shtëpisë së saj mbetet e hapur për të birin.

Kevin i “I vetëm në shtëpi”/ Macaulay Culkin zbulon arsyen pse hoqi dorë nga aktrimi

By: e xh
25 December 2025 at 17:22

Macaulay Culkin ka folur së fundmi për jetën e tij larg vëmendjes publike, pasi u tërhoq nga aktrimi në moshën 14-vjeçare.

Culkin, i cili nisi karrierën që fëmijë dhe u shndërrua në një yll global me filmat “Home Alone” (1990) dhe “Home Alone 2: Lost in New York” (1992), vazhdoi më pas me role në “The Good Son”, “The Girl” dhe “Richie Rich” (1994), përpara se të merrte një pushim të gjatë nga industria e filmit.

Në emisionin ‘Mythical Kitchen,’ Culkin tregoi se vendimi për t’u larguar nga aktrimi erdhi nga dëshira për të pasur një jetë normale.

“Çfarë doja ishte të isha me njerëz të moshës sime. Duhet ta mbani mend: shumica e gjërave që kam bërë si fëmijë nuk ishin punë në grup. Isha vetëm unë,” u shpreh ai.

Ai shtoi se shpesh njerëzit e pyesin për bashkëpunimin me aktorë të njohur, si Joe Pesci. “Më thonë: ‘Si ishte të punoje me Joe Pesci?’ Dhe unë u përgjigjem: ‘E keni parë filmin?’ Kemi ndoshta dy skena bashkë. Pastaj jam unë, vetëm, në një shtëpi – pothuajse vërtet ‘Home Alone’.”

Duke folur më gjerë për pauzën nga aktrimi, Culkin tha: “Doja të dilja, të takoja vajza, të rrija me njerëz të moshës sime. Doja të shkoja në festa dhe të bëja gjëra normale. Nuk mund t’ju them sa shumë Bar Mitzvah kam humbur.”

Megjithatë, për famën ai theksoi se ajo nuk mund të zhbëhet: “Nuk mund ta ç’bësh atë që ka ndodhur. Nuk mund ta kthesh dhëmbëzën pas.”

Pas një mungese të gjatë, Culkin u rikthye në aktrim në vitin 2003 me filmin biografik “Party Monster”.

Në jetën personale, Culkin u fejua me aktoren Brenda Song në janar të vitit 2022. Çifti ka dy djem, Dakota dhe Carson.

Gjenden të vdekur regjisori Rob Reiner dhe gruaja e tij, dyshohet se djali i tij…

By: e xh
15 December 2025 at 08:41

Regjisori Rob Reiner, 78 vjeç, dhe gruaja e tij Michele Singer, 68 vjeç, u gjetën të vdekur në rezidencën e tyre në Los Angeles.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, trupat tregonin plagë që përputheshin me një thikë, ndërsa autor i vrasjes, dyshohet djali i tyre Nick.

Lajmet e publikuara në media thonë se alarmi u dha rreth orës 3:30 pasdite sipas orës lokale, por kur mbërritën zjarrfikësit, ata mundën vetëm të konfirmonin vdekjen. Dera e përparme nuk tregonte shenja të hyrjes me forcë.

Rob Reiner është 78 vjeç dhe gruaja e tij, Michele, është 68 vjeçe.

Reiner drejtoi filma ikonikë si “Stand By Me”, “The Princess Bride” dhe “When Harry Met Sally…” — i fundit prej të cilëve e çoi atë te dashuria e jetës së tij.

Ndërsa po drejtonte filmin “When Harry Met Sally”, Rob takoi Michele-n, një fotografe… dhe të dy u martuan në vitin 1989. Marrëdhënia e tyre e bindi Rob-in të ndryshonte fundin e komedisë romantike në mënyrë që personazhet e Billy Crystal dhe Meg Ryan të përfundonin bashkë.

Rob vazhdoi të ishte regjisor gjatë më shumë se 35 viteve të martesës së tyre. Ata kishin tre fëmijë së bashku; Jake, Nick dhe Romy. Rob ka gjithashtu një vajzë, Tracy, nga martesa e tij e parë me regjisoren Penny Marshall.

Shuhet ikona e muzikës italiane, Ornella Vanoni

By: e xh
22 November 2025 at 13:31

Këngëtarja e njohur italiane Ornella Vanoni ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në banesën e saj në Milano, qyteti ku lindi më 22 shtator 1934. Vanoni konsiderohet një ndër figurat më të rëndësishme dhe me ndikim të muzikës italiane, me një karrierë të gjatë që nisi në vitin 1956 dhe u trashëgua për gati shtatë dekada.

Gjatë jetës artistike, ajo publikoi mbi njëqind projekte, përfshirë albume, EP dhe përmbledhje, duke arritur më shumë se 55 milionë kopje të shitura. Ornella Vanoni u identifikua me një timbër vokal unik, që i dha mundësinë të interpretonte stile dhe epoka të ndryshme të muzikës italiane. Ndër këngët më të njohura mbetet “Senza fine”, e lindur nga bashkëpunimi artistik dhe sentimental me kantautorin Gino Paoli në fillim të viteve ’60.

Gjatë karrierës, Vanoni bashkëpunoi me disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës dhe artit italian, mes tyre Toquinho, Fabrizio De André, Paolo Conte, Ivano Fossati, Lucio Dalla, Mogol, Renato Zero e Riccardo Cocciante. Ajo bashkëpunoi edhe me artistë të rinj, si Pacifico dhe Francesco Gabbani. Ornella Vanoni mori pjesë gjithashtu në tetë edicione të Festivalit të Sanremos, duke mbetur një nga zërat më të dashur të skenës italiane.

Dua Lipa kontribuoi në rritjen e ekonomisë së Britanisë së Madhe me 8 miliardë paund

By: e xh
14 November 2025 at 18:51

Industria muzikore në Mbretërinë e Bashkuar regjistroi vitin e kaluar një ndikim ekonomik prej rreth 8 miliardë paund, me Dua Lipën si një nga kontribuueset kryesore. Albumi i saj i fundit, Radical Optimism, debutoi në vendin e parë dhe u shoqërua me një tur global që shtyu të ardhurat nga eksporti muzikor në 4.8 miliardë £.

Krah “efektit Dua Lipa”, rritjes i kontribuan edhe Taylor Swift, Liam Gallagher, Take That, Bruce Springsteen dhe Charli XCX. Nga totali i të ardhurave, 1.49 miliardë paund vijnë nga shitjet dhe streaming-u, duke mbajtur në këmbë një industri ku punojnë rreth 220 mijë persona.

Raporti i UK Music paralajmëron se rritja po ngadalësohet pas boom-it post-pandemik dhe kërkon masa për të përballuar kostot e larta të turneve dhe sfidat e epokës së streaming-ut.

Ndërkohë, Dua Lipa vazhdon turin në Amerikën e Jugut dhe u pa së fundmi në Buenos Aires, ku ndoqi ndeshjen River Plate – Boca Juniors së bashku me motrën e saj, Rina.

Katy Perry dhe ish-kryeministri kanadez konfirmojnë lidhjen

By: e xh
14 October 2025 at 15:51

Këngëtarja e njohur amerikane Katy Perry dhe ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau duket se nuk po e fshehin më lidhjen e tyre. Çifti i ri është fotografuar duke ndarë momente intime në jahtin “Caravelle” të Perry-t, në brigjet e Santa Barbarës, duke konfirmuar zërat e fundit për një romancë mes tyre.

Në fotot e siguruara nga Fox News Digital, Trudeau shihet duke e përqafuar këngëtaren dhe duke i dhënë një puthje në faqe, ndërsa ajo, e veshur me një rroba banje të errëta, duket e qetë dhe e afërt me ish-udhëheqësin kanadez.

Çaste romantike në jaht, Katy Perry dhe Justin Trudeau

Përfaqësuesit e këngëtares nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar mbi raportin e tyre, por kjo nuk është hera e parë që ata shihen bashkë, përcjell A2 CNN. Dyshja u fotografua për herë të parë në korrik, gjatë një darke intime në restorantin “Le Violon” në Montreal, ku sipas dëshmitarëve, ndanë kokteje dhe disa pjata me ushqim deti.

Pak ditë më vonë, Trudeau u pa në koncertin e Perry-t në “Bell Centre”, së bashku me vajzën e tij 16-vjeçare, Ella-Grace, duke kënduar e buzëqeshur me këngët e saj.

Romanca e re vjen pas ndarjes së Perry nga aktori Orlando Bloom në korrik, pas më shumë se një dekade bashkë dhe një vajze të përbashkët, Daisy Dove. Edhe Trudeau u nda nga bashkëshortja e tij Sophie në vitin 2023, pas 18 vitesh martesë.

Akuza të reja për Diddy, akuzohet për abuzim seksual nga ish-partneri

By: e xh
24 September 2025 at 21:30

Diddy po përballet me një padi të re, pak para shpalljes së dënimit të tij. Sipas raporteve të TMZ, stilisti dhe ish-partneri i reperit, Deonte Nash, e akuzon atë për sulm seksual.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se avokatët e Nash argumentojnë se Diddy shndërroi ëndrrën e tij për t’u bërë stilist i famshëm në një makth, një makth që, sipas tyre, Nash ishte “i detyruar ta duronte pothuajse çdo ditë” gjatë dekadës që punoi për të. Avokatët e tij shtojnë se: “Tmerret që përjetoi Nash vazhdojnë ta përndjekin edhe pas përfundimit të partneritetit të tyre.”

Padia akuzon Diddy për një sërë abuzimesh seksuale dhe fizike gjatë marrëdhënies së tyre profesionale, përfshirë ngacmime verbale dhe seksuale, trafikim, kërcënime për jetën dhe integritetin fizik, mbikëqyrje, dhe manipulim psikologjik.

Image

Një nga incidentet e detajuara në padinë ligjore ndodhi në një festë rreth viteve 2013-2014, ku Diddy dyshohet se është shfaqur lakuriq para Nash dhe punonjësve të tjerë. Po ashtu, pretendohet se Diddy e ka prekur vazhdimisht trupin e Nash pa pëlqimin e tij.

Avokatët e Nash gjithashtu pohojnë se Diddy i fiksuar pas identitetit seksual të Nash, i bënte vërejtje të papërshtatshme dhe seksuale para miqve dhe kolegëve të tyre. Këto komente, sipas tyre, e bënin Nash të ndihej i objektifikuar dhe i poshtër.

Padia thekson gjithashtu se Diddy përdori pushtetin e tij për ta kontrolluar Nash dhe për ta detyruar të duronte sulme fizike dhe kërcënime të vazhdueshme. Avokatët e Nash pohojnë se kërcënimet vazhduan edhe pas përfundimit të bashkëpunimit të tyre, duke i shkaktuar atij ndjenja pasigurie dhe frike.

Gjatë gjyqit penal të Diddy, Nash u pyet nëse kishte ndërmend të ngrinte padi, dhe ai u përgjigj: “Jo, jam i përqendruar të iki që këtej.” Kur u pyet nëse kishte avokatë për të ndërmarrë veprime ligjore kundër Diddy, Nash tha se kishte avokatë “për ta mbrojtur atë”.

 

Ndahet nga jeta aktori i Hollywood, Robert Redford

By: e xh
16 September 2025 at 17:40

Aktori dhe regjisori i Hollivudit, Robert Redford i njohur për filmat si “Butch Cassidy And The Sundance Kid” dhe “The Sting”, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.

Në një deklaratë, përfaqësuesi i tij tha se ai vdiq në shtëpinë e tij në Sundance në malet e Utah-ut – “vendi që ai e donte, i rrethuar nga ata që i donte”.

Suksesi i tij më i madh në Broadway ishte roli i bashkëshortit të ri të mërzitshëm në “Barefoot in the Park” (1963) të Neil Simon.

Redford debutoi gjithashtu edhe në film në “The Hunt for the Wild” (1962). Ai arriti sukses si aktor kryesor në filma të tillë si “Barefoot in the Park” (1967), “Butch Cassidy” (1969), “Jeremiah Johnson” (1972) dhe “The Candidate” (1972).

Ai mori një nominim për Oscar për Aktorin më të Mirë për performancën e tij në dramën kriminale “The Sting” (1973). Redford vazhdoi të luante në filma të tillë si “The Way We Were” (1973), “All the President’s Men” (1976) dhe “The Electric Horseman” (1979).

Redford bëri debutimin e tij si regjisor me filmin ”Ordinary People” (1980), i cili fitoi katër çmime Oscar, duke përfshirë filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë.

Gjatë kësaj kohe, ai luajti në filma të tillë si ”Brubaker” (1980), “The Natural” (1984) dhe ”Out of Africa” (1985).

Në vitin 1981, Redford bashkëthemeloi ”Sundance Resort and Film Institute”.

Ai drejtoi filmin e tij të tretë, “A River Runs Through It”, në vitin 1992.

Rolet e tij të mëvonshme në film përfshijnë ”All Is Lost” (2013), “Truth” (2015), “Our Souls at Night” (2017) dhe ”The Old Man & the Gun” (2018).

Redford luajti Alexander Pierce në ”Captain America: The Winter Soldier” (2014) dhe ”Avengers: Endgame” (2019).

Rrëfimi i ndjerë i bashkëshortes së Bruce Willis: Kur mjeku na tha diagnozën…

By: e xh
14 September 2025 at 10:37

Bashkëshortja e aktorit rrëfen diagnozën e burrit të saj, përpjekjet për të mbajtur jetën familjare për vajzat e tyre dhe se si Demi Moore ka qenë një mbështetje e fortë për të.

Është e vështirë për Emma Heming Willis të tregojë se kur filloi, ndryshimi i ngadaltë i trurit të burrit të saj, si objekte në një dhomë që zhvendosen një nga një, derisa një mëngjes kupton se i gjithë vendi është ndryshe.

“Nuk ishte më Bruce,” thotë Heming Willis, 47 vjeç, duke kujtuar muajt para se të kishin një diagnozë. “Nuk ishte më burri që unë isha martuar. Ishte si të zgjoheshe me dikë tjetër.”

Në nëntor 2022 ajo ishte ulur në një zyrë mjeku në Los Angeles me burrin e saj prej gati 14 vitesh, aktorin e filmave aksion të Hollivudit dhe babanë e pesë fëmijëve, Bruce Willis, atëherë 67 vjeç. “Demencë frontotemporale, afazi progresive primare,” tha mjeku teksa shikonin një skanim të trurit. Heming Willis u ndje sikur po binte në zbrazëti.

Demenca frontotemporale, ose FTD, është forma më e zakonshme e demencës për personat nën 60 vjeç. Është një sëmundje degjenerative e trurit që prek sjelljen dhe personalitetin, përfshirë humbjen e empatisë, kontrollit dhe gjykimit. Nuk ka trajtim dhe as shërim. Afazia progresive primare është një lloj i FTD që shkakton degjenerimin e gjuhës dhe të kuptuarit.

Ajo doli nga takimi me një broshurë në dorë, e pasigurt nëse ndonjë gjë kishte bërë përshtypje te burri i saj. Një mike i çoi në shtëpi, në Brentwood, me Willis në sediljen e parë dhe bashkëshorten pas tij, duke parë nga dritarja, e hutuar dhe e thyer.

“Thjesht po përpiqesha të kuptoja çfarë do të ndodhte më pas,” thotë ajo. “Çfarë duhet të bëj tani? Si t’ia dal?”. Tre muaj më vonë, në shkurt 2023, Heming Willis e bëri publike diagnozën e tij bashkë me dy vajzat e tyre, Mabel, tani 13 vjeç, dhe Evelyn, 11, si dhe me ish-bashkëshorten e Willis, aktoren Demi Moore, dhe tre vajzat e rritura që kishte me të, Rumer, Scout dhe Tallulah.

Në dy vitet që nga ajo kohë, familja është bashkuar më fort rreth Willis, ndërsa sëmundja e pamëshirshme po përshkon trurin e tij. Në fotot e ndara në rrjete sociale, Willis, tani 70 vjeç, duket i qetë, i lumtur, si në një botë tjetër. Shumë larg burrit që për shumë njerëz ishte mishërimi i mashkullit amerikan, me një karrierë prej katër dekadash dhe mbi 130 filma, sidomos Die Hard, ku ai ecën zbathur mbi qelqe të thyer dhe qëllon me mitraloz në ajër (“Yippee-ki-yay, motherf***er!”).

Tani Heming Willis e përshkruan veten si “partnere kujdesi”. Ajo është e turpshme, flet butë, një ish-modele që u tërhoq nga magnetizmi i Willis dhe u la të rrëmbehej nga energjia e tij e pandalshme. Ajo thotë se realiteti i kujdesit ka qenë shkatërrues, edhe me burimet e tyre të mëdha. Burimi kryesor i ngushëllimit që ka gjetur është fakti se është bërë një aktiviste për demencën. Ditari i saj është i mbushur me fjalime dhe mbledhje fondesh.

Ajo ka shkruar gjithashtu një libër, Udhëtimi i papritur, për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë sëmundje. Pjesërisht është një udhëzues për kujdestarët — si t’u flasësh fëmijëve të tu, si të kujdesesh për veten — dhe pjesërisht është një kujtim për burrin e saj, një rrëfim i pikëllimit për një njeri që po shuhet dalëngadalë, ndërsa dashuron thellësisht atë që ende është aty.

“Bruce dhe unë tani kemi gjuhën tonë, mënyrën tonë për të qenë bashkë,” thotë Heming Willis. “Është thjesht të ulesh me të, të ecësh me të, ta dëgjosh ndërsa përpiqet të shprehet në gjuhën e tij. Ta dëgjosh, ta vërtetosh atë. E di…”. Ajo ndalet, duke qarë lehtë. “Më falni…”

Ajo është ulur në shtëpinë e familjas në Los Angeles, me flokët e errëta të kapura prapa. Mban syze me skelet metalik, lëkura i shkëlqen dhe pa make-up. Pas saj shihen fotografi familjare dhe rafte plot libra për demencën, kujdesin dhe vdekjen. “Është e vështirë,” vazhdon ajo. “FTD është thjesht një sëmundje e pamëshirshme — të merr vazhdimisht. Edhe kur mendon se nuk ka ç’të marrë më, të merr edhe pak.”

Ndryshe nga Alzheimeri, FTD nuk është një sëmundje që të bën të harrosh familjen — përkundrazi, të pengon të komunikosh me ta.

“Sëmundja e Bruce, besoj unë, i ka dhënë këtë hir: të mos dijë çfarë është FTD,” shkruan Heming Willis. Megjithatë, ajo është e kujdesshme për informacionin që jep mbi gjendjen e tij mjekësore, duke u përpjekur të balancojë privatësinë me dëshirën për të ndihmuar të tjerët. Ajo dëshiron t’i shpëtojë njerëzit nga turpi që ka ndjerë vetë — për zhgënjimin dhe pakënaqësinë me jetën e tyre të re; për faktin që nuk kishte parë shenjat më herët; për punësimin e kujdestarëve profesionistë; për faktin që kishte mundësi financiare ta bënte këtë.

Ajo thotë se “një nga vendimet më të vështira që kam marrë ndonjëherë” ishte ta zhvendoste Willis në një shtëpi të dytë, të ndarë, disa hapa më tutje. Kjo është një alternativë ndaj një shtëpie kujdesi, një rregullim që do të thotë se Willis mund të marrë trajtim 24 orë, vajzat e tyre të vogla mund të jetojnë në një shtëpi ku të jenë fëmijë e të bëjnë zhurmë, dhe gjithashtu i jep Heming Willis pak kohë pushim nga kujdesi. “Por mes trishtimit dhe vështirësive, ishte lëvizja e duhur — për të, për vajzat tona, për mua,”thotë ajo. “Në fund, unë mund të kthehesha të isha gruaja e tij. Dhe kjo është një dhuratë e madhe.”

Shtëpia e dytë i jep gjithashtu Willis-it njëfarë pavarësie. Miqtë e tij mblidhen aty çdo të premte në mbrëmje për një “dude hangout” (një mbrëmje mes shokësh). Ajo vazhdon: “Ka bërë një ndryshim të madh fakti që më shumë miq e familjarë mund të përjetojnë kohën me të pa qenë në shtëpinë time, pa mua që rri pezull aty pranë, pa ankthin tim se si të menaxhoj mysafirin dhe pritshmëritë e tyre, dhe pastaj të përballem me reagimet e tyre — trishtimin për atë që është tani.”

Kur kthehen nga shkolla, Mabel dhe Evelyn futen me vrap në shtëpi dhe ulen në prehërin e babait, i ngjiten, i vendosin fytyrat e tyre mbi të, vrapojnë nëpër kopsht ndërsa ai i sheh nga karrigia. “E sheh butësinë aty,” thotë ajo. “Vajzave nuk u duhet që ai të bëjë këtë apo atë. Ato janë përshtatur vërtet me sëmundjen e tij dhe e dinë si të sillen rreth tij. Është e bukur, por e vështirë për to. E ndiejnë mungesën e tij.”

“Secili duket se ka një histori me Bruce Willis,” thotë Heming Willis, e cila i dëgjon vazhdimisht — historinë kur ai kërceu pas banakut dhe shërbeu pije për të gjithë të ftuarit; historinë kur ai solli lule në recitalin e një vajze tetëvjeçare.

Willis lindi në bazën ushtarake amerikane Idar-Oberstein në Gjermaninë Perëndimore, ku babai i tij, David, ishte i stacionuar. Ai vinte nga “një linjë e gjatë njerëzish të klasës punëtore”, ka thënë vetë. Kur ishte dy vjeç, familja u zhvendos në Carneys Point në New Jersey, ku babai i tij u bë punëtor fabrike dhe e ëma, Marlene, punoi në një bankë. Willis pati vështirësi në shkollë dhe u quajt “Buck-Buck” për shkak të belbëzimit, i cili thuajse zhdukej kur ngjitej në skenë me klubin e dramës. Pas gjimnazit, ai u shpërngul në New York, punoi me kohë të pjesshme si banakier dhe bënte audicione për role të vogla televizive dhe shfaqje “off-Broadway”.

Pastaj erdhi momenti i madh i Willis-it. Në vitin 1984 ai fluturoi drejt Los Angeles-it dhe bëri audicion për serialin televiziv Moonlighting, një dramë-komedi për një agjenci detektivësh. Karizma e menjëhershme e Willis-it ishte aq e fortë, sa prodhuesi Glenn Gordon Caron i tha Los Angeles Times në vitin 1999 se kur ai ecte në korridorin e zyrës, “të gjitha sekretaret tronditeshin”. Ai luajti në të pesë sezonet, duke fituar një Golden Globe dhe një Primetime Emmy.

Suksesi i Die Hard në vitin 1988 e bëri Willis një emër të njohur botërisht, duke arkëtuar 140 milionë dollarë në kinema, dhe në vitet ’90 ai u bë një yll i klasit të parë. Një vit para premierës së filmit, ai kishte takuar superyllin Demi Moore, me të cilën u martua katër muaj më pas në Las Vegas.

Çifti pati tre vajza dhe u divorcua në vitin 2000. Në kujtimet e saj Inside Out, Moore shkruan se Willis kërkonte stabilitet familjar, ndërkohë që dëshironte edhe “risi”. “Në thelb, ai donte të bënte gjithçka që i tekej,” shtoi ajo. “Ai ishte 36 vjeç atëherë — dhe po të shtosh famën dhe paratë? Llogarite vetë.”

Kur në vitin 2003 Moore nisi një lidhje me Ashton Kutcher, një tjetër yll i Hollivudit dhe 15 vjet më i ri, Willis u bë aq xheloz saqë kolegu i tij, aktori Will Smith, i bëri një bisedë serioze.

“Ai më tha: ‘Shoku im, duhet të bësh gjithçka që duhet për t’i mbajtur fëmijët dhe të gjithë bashkëshortët ose të dashurat bashkë. Duhet t’u tregosh fëmijëve se është në rregull,’ ” rrëfeu Willis për Playboy në vitin 2007. “Ishte si të ndizet një dritë. Ding. Pra, faleminderit Will.”

Moore ka folur hapur për marrëdhënien e tyre të pazakontë por të dukshëm harmonike, duke thënë se ajo dhe Willis ishin “më të lidhur” pas ndarjes sesa para saj.

Willis pati disa kulme të rëndësishme pas Die Hard: ai luajti një kampion boksi sentimental në filmin fitues të Oskarit të Quentin Tarantino-s Pulp Fiction (1994) dhe një psikolog fëmijësh në The Sixth Sense (1999). Në vitet 2000 pati gjithashtu disa dështime me buxhet të madh, si The Kid, Tears of the Sun dhe Perfect Stranger. Sot, vajza e tij Evelyn e do shumë zërin e tij si RJ, rakuni me gjuhë të ëmbël në filmin vizatimor Over the Hedge (2006), ndërsa Mabel adhuron Moonrise Kingdom (2012) të Wes Anderson, ku babai i saj luan një polic që udhëheq kërkimin për dy fëmijë të arratisur.

“Është shumë e vështirë të shohësh filmat e vjetër,”thotë Heming Willis. “Herë të tjera ngec në iCloud, me videot dhe fotot në telefonat tanë. Por pastaj largohem me atë ndjesi, ugh — si të mos e besoj. Nuk e besoj që Bruce ka këtë sëmundje. Nuk e besoj çfarë i ka bërë kjo sëmundje atij.”

Ajo ka lindur në Maltë. Babai i saj britanik punonte për një kompani amerikane nafte dhe e zhvendosi familjen në Liban, Arabinë Saudite, Venezuelë dhe Teksas. Ajo është fëmijë i vetëm, dhe familja u vendos në Kaliforni kur ajo ishte shtatë vjeç. “Isha një ndjekëse e rregullave,” thotë ajo, “gjithmonë duke dashur të bëj gjënë e duhur — një fëmijë e mirë.”

Pas divorcit të prindërve, nëna e saj, Zorina, ia doli mbanë me punë si pastruese, asistente në një dyqan ushqimor dhe më vonë si agjente aktorësh. Në vitin 1993, kur ishte 15 vjeçe, ajo mori pjesë në një konkurs supermodelesh në Britani të organizuar nga revista Elle dhe emisioni televiziv The Big Breakfast. Ajo fitoi dhe e ndërpreu shkollën e mesme në Orange County, Kaliforni, për t’u shpërngulur me të ëmën në Tottenham, veri të Londrës, ku familja e saj nga ana e nënës ishte shpërngulur dekada më parë nga Guajana Britanike.

“Ka qenë gjithmonë vetëm unë dhe nëna ime,” thotë ajo. “Ajo ishte nënë e vetme dhe kishte kaq shumë për të përballuar, ndaj [modelingu] ishte një mënyrë për të ndihmuar që të na mbante.” (Sot e ëma jeton në Los Angeles, dhjetë minuta larg saj.)

Puna e saj e çoi në New York City, ku bleu një apartament në West Village, duke u shfaqur në kopertinat e revistave Elle, Glamour dhe W Magazine, si edhe duke pozuar për marka si Gap dhe La Senza. “Unë bëja punë shumë komerciale,”thotë ajo. “Por pata një karrierë të qëndrueshme deri në fillim të të tridhjetave dhe një reputacion të mirë.”

Në vitin 2005 ajo kishte një orë fitnesi me trajnerin e saj personal në Los Angeles, dhe ndërsa ajo po mbyllte ushtrimet, Willis po ngrohej për seancën e tij. Ajo e dinte kush ishte, sigurisht, por thotë se ai nuk ishte vërtet “në rrethin tim”. Willis, megjithatë, ishte i sigurt për të. Gati dy vjet më vonë ai lexoi në tabloide për ndarjen e saj me të fejuarin e asaj kohe, një pronar klubi nate. Ai i kërkoi një miku të përbashkët numrin e saj dhe e telefonoi. Natën para se ajo të kthehej në New York, ata dolën për darkë. Telefonatat vazhduan.

Takimi i tyre i radhës ishte në natën e Vitit të Ri 2007, kur Willis dërgoi një avion privat që ajo të shkonte në vilën e tij në Turks and Caicos, ku po kalonte pushimet me tre vajzat, Moore dhe Kutcher.

“Më pëlqeu shumë të shihja se si dukej ajo familje — ndryshe, në kuptimin e një ish-bashkëshorteje dhe burrit të saj dhe mënyra se si [Willis] e pranonte të gjithën aq lehtësisht,” thotë ajo. “Jam shumë me fat që kemi këtë familje të përzier dhe është vërtet falë Demi-t dhe Bruce-it që na e krijuan këtë mundësi të lulëzojmë në këtë mënyrë, të mbështesim njëri-tjetrin.” Vetëm pak më shumë se një vit më vonë ajo u martua me Willis në të njëjtin ishull.

Ajo u përfshi nga vitaliteti i tij, u bë më e guximshme falë guximit të tij. “Karizma e tij ishte diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë — thjesht niveli i besimit të tij ishte i jashtëzakonshëm,” thotë ajo. “O Zot, e urreja të shkoja në festa me këtë burrë.”

Në shtëpi ai u linte vajzave të hanin akullore për mëngjes para shkollës dhe hidhej në pishinë, i veshur, bashkë me to kur ato ktheheshin. “Kjo është energjia që ai sjell, dashuria për jetën dhe për t’u argëtuar, për t’u siguruar që njerëzit përreth tij të argëtohen. Për të jeta ishte thjesht e madhe.” Motoja e tij ishte “shijoje jetën”.

Pastaj, rreth pesë vjet më parë, diçka në marrëdhënien e tyre nisi të dukej “jo në rregull”. Bisedat nuk “përputheshin”. Ishte diçka “abstrakte, e paprekshme” që ishte e vështirë të diskutohej me një mjek. “Faleminderit Zotit që e dija kush ishte në thelb — po të mos e dija, nuk e di nëse do të kisha mundur të qëndroja në martesën tonë,” shkruan ajo. “Askush nuk e dyshonte diagnozën, sepse shumica e njerëzve nuk kanë asnjë ide çfarë është FTD.”

Në darkat e mëdha familjare me pesë vajzat, gruan dhe ish-bashkëshorten, ai rrinte mënjanë, i shkëputur. Ata menduan se ishte për shkak të dëgjimit: ai ka humbje të pjesshme dëgjimi pasi qëlloi me armë në Die Hard pa mbrojtëse veshi. Por edhe atmosfera e shtëpisë dukej kaotike, me Willis që nuk arrinte të “lidhte pikat që diçka nuk shkonte”. Një natë, në orën 2 të mëngjesit, u aktivizua alarmi i shtëpisë. Heming Willis ndaloi, duke pritur që burri i saj të zbriste si gjithmonë. Ai nuk lëvizi fare. Ajo zbriti me nxitim dhe qëndroi para tastierës, e vetme. Në atë moment e kuptoi, thotë ajo. Po e humbte atë.

Pas një sërë analizash, konsultimesh me mjekë dhe një diagnoze “të paqartë”, ata morën përgjigjen përfundimtare: FTD në vitin 2022. Shpresa e jetës nga shenjat e para të FTD është mes gjashtë dhe tetë vitesh.

“Të kuptosh se nuk ka trajtim, nuk ka shërim,” thotë Heming Willis, “ishte një nga përvojat më traumatike, duke u ndjerë krejtësisht vetëm.” Ajo nuk mund ta besonte sa shumë vendime duhej të merrte, dhe ishte e paralizuar nga fakti se duhej t’i përballonte e vetme.

“Nuk mund ta pyes si ndihet, çfarë ka, apo nëse diçka i dhemb,” shkruan ajo. “Në vend të kësaj, lexoj gjuhën e trupit të tij ose i shoh sytë për të kuptuar çfarë e shqetëson dhe çfarë po përjeton.”

Gjatë vitit pasues ajo krijoi një ekip kujdesi në shtëpi, si edhe mjekë e specialistë, dhe përpiqet të mos bjerë në “ankth dhe frikë të përhershme”, por të mbështetet tek qetësia dhe koha që kalon me burrin e saj.

“Jeta ime është kjo,” thotë ajo. “Jam gjithmonë brenda saj, është shumë e vështirë të shkëputem. Mendoj gjithmonë për Bruce dhe kujdesin e tij dhe çfarë tjetër mund të bëjmë. Por kjo është demencë, kështu që je mbi tokë të fortë dhe pastaj diçka lëviz, dhe ti duhet të gjesh si ta rikthesh sërish në stabilitet.”

Familja e gjerë dhe e përzier është afruar më shumë, me Willis-in në qendër. “Unë mbështetem shumë tek vajzat e njerkës dhe tek Demi, dhe ato më ndihmojnë shumë të navigoj këtë situatë,” thotë Heming Willis.

Ajo flet me gëzim për ato çaste të rralla kur sheh atë shkëlqimin e adhurimit, një vezullim, kur ai është siç ishte dikur. “Ne kemi këto momente lidhjeje gjatë gjithë kohës,” thotë ajo. “A mendoj se ai e di, ‘Oh, kjo është Emma, dhe kemi kaq vite të martuar’? Nuk e di çfarë procesi është për të. Dhe kur më përqafon, ndihet thjesht si Bruce. Nuk është ndryshe në atë aspekt. Dhe kjo është vërtet, vërtet e bukur dhe vërtet, vërtet e dhimbshme.” Ajo ndalon. “Është një humbje e madhe.”

E dashuruar me Bruce-in e ri — nga Emma Heming Willis

Lidhja ime me Bruce tani është ndryshe nga ajo kur nisëm, por gjithashtu shumë më e thellë. Para së gjithash, është e bukur të dish dhe të ndiesh këtë lloj dashurie dhe mirënjohjeje të pakushtëzuar për bashkëshortin tim. Si dashuria që një prind ka për fëmijët, ajo vjen pa pritshmëri. Ajo që kam kuptuar është se para FTD-së, marrëdhënia ime me Bruce kishte kushte — shumë kushte, në fakt. Prisja që ai të ishte partneri im në çdo kuptim: të ndihmonte në planifikimin e së ardhmes, të ishte prezent dhe emocionalisht i disponueshëm jo vetëm për mua por edhe për të gjithë fëmijët tanë, dhe të plotësonte nevojat e mia në mënyra të caktuara.

Para se ta dija që truri i Bruce po ndryshonte ngadalë për shkak të FTD-së, kaluam një periudhë ku u përballëm me shumë keqkuptime dhe pamundësi për t’u lidhur, diçka tepër e dhimbshme për mua pasi gjithmonë kishim qenë në sinkron. Nuk dukeshim më të përputhur për planet tona për të ardhmen, traditat tona dukej sikur po shuheshin dhe përgjegjësitë e përbashkëta nuk ishin më, pra, të përbashkëta. E gjithë kjo më bëri të mendoja për divorc.

Kur e kuptova që ndryshimet te Bruce shkaktoheshin nga diçka përtej kontrollit të tij, u zbut shpejt. Kuptova që burri i mirë, i kujdesshëm dhe i dhembshur me të cilin u dashurova, kishte qenë aty gjatë gjithë kohës. Ishte sëmundja ajo që kishte filluar t’i merrte tiparet që e bënin atë vetvetja. Munda ta fal dhe ta harroj, dhe rashë përsëri në dashuri me Bruce, në një mënyrë të re, të ripërfytyruar dhe pa kushte. Çfarë dhurate që është kjo, sidomos sepse kisha kaluar gjithë jetën duke dashur të dija dhe të ndjeja dashurinë pa kushte me një partner.

Një pjesë e kësaj është se edhe pritshmëritë e mia janë zbutur. Para sëmundjes së Bruce, ai gjithmonë i kthente ngjarjet si përvjetorët dhe ditëlindjet në diçka shumë të veçantë. Më dërgonte dhjetëra trëndafila. (Edhe pse i dua lulet, nuk munda kurrë t’i thoja që në fakt nuk më pëlqejnë trëndafilat, sepse qëllimi i tij ishte aq i ëmbël.) Ose bënte një rezervim për darkë në restorantin tim të preferuar dhe porosiste një shishe të bukur cabernet sepse e dinte që nuk më pëlqente shampanja. Më pëlqente se si Bruce festonte gjithçka në mënyrë aq të madhe.

Ishte e çmendur dhe argëtuese dhe një botë që nuk e kisha njohur para tij. Pjesa e vështirë ishte se ai ia kishte ngritur shumë lart vetes nivelin, kështu që ndërsa sëmundja përparonte, nuk mund ta mbante më ritmin, dhe kjo për mua ishte konfuze dhe e trishtueshme. Sidomos pasi ai ishte romantiku në marrëdhënien tonë. Tani, kur vjen përvjetori apo ditëlindja ime, nuk e kam më atë pritshmërinë se çfarë mund të ndodhë. Por bukuria e kësaj është se ne thjesht jemi. Mund të ulem me Bruce dhe të vlerësoj jetën dhe familjen që kemi krijuar dhe përpjekjet për ta mbajtur gjallë. Po, e vajtoj atë që ishte, por gjithashtu ndihem jashtëzakonisht mirënjohëse që përjetoj një dashuri që është e pakufizuar dhe nuk vjen me asnjë pritshmëri.

Kush do ta trashëgojë “perandorinë” Armani?

By: e xh
7 September 2025 at 16:51

Grupi Armani nuk do t’i shitet asnjë gjiganti të huaj dhe do të mbetet i pavarur. Kjo nuk është një dëshirë apo qëllim, por një strategji e përcaktuar nga Giorgio Armani shumë kohë para vdekjes së tij.

Themeluesi i shtëpisë së famshme të modës krijoi një strukturë të fortë dhe të mbrojtur të korporatës, duke ia besuar kontrollin një fondacioni me kompetenca të mbrojtura dhe një bordi drejtorësh të përbërë nga anëtarë të familjes dhe ndjekës besnikë.

Plani është kompleks, i strukturuar në nivele të shumëfishta, por ka një objektiv të qartë: të sigurojë që marka të mbetet autonome, italiane dhe besnike ndaj vlerave të saj origjinale edhe pas vdekjes së tij.

Në një peizazh mode të dominuar gjithnjë e më shumë nga grupe të mëdha ndërkombëtare, Armani përfaqëson një përjashtim. Një kompani që ka mbetur fort në duart e themeluesit të saj dhe tani është projektuar në të ardhmen sipas direktivave të tij.

Në vitin 2016, stilisti themeloi Fondacionin Giorgio Armani, duke përcaktuar rolin, strukturën dhe qëllimin e tij. Ky institucion tani është gurthemeli i sistemit të qeverisjes së kompanisë: jo thjesht një instrument testamentar, por një entitet ligjor i plotë me kompetenca mbikëqyrjeje dhe drejtimi.

Ky vendim largpamës, rezultat i viteve të reflektimit dhe planifikimit, tregon angazhimin e Armanit për të mbrojtur integritetin e markës së tij përtej pranisë së tij.

Fondacioni zotëron 12.6% të kapitalit aksionar, por mban një klasë të veçantë aksionesh që i jep peshë më të madhe në mbledhjet e aksionarëve. Aksionet e mbetura mbahen nga anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët, sipas një strukture të kalibruar me kujdes të hartuar për të shmangur përqendrimet e jashtme dhe për të siguruar një ekuilibër të brendshëm të fortë dhe të qëndrueshëm.

Për më tepër, fondacioni ka një statut që i detyron anëtarët e tij të respektojnë vizionin e themeluesit, duke parandaluar shitjet, bashkimet ose zgjedhjet strategjike që janë në kundërshtim me filozofinë e markës.

Aktualisht, ende nuk është njoftuar zyrtarisht se kush do t’i marrë aksionet A dhe F, por sipas thashethemeve të raportuara nga burime të shumta, ka shumë të ngjarë që këto aksione kryesore t’u shkojnë individëve shumë të afërt me themeluesin: anëtarëve të familjes së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij prej shumë kohësh.

Në veçanti, emrat që qarkullojnë janë Rosanna Armani, Leo Dell’Orco, Andrea Camerana dhe Silvana dhe Roberta Armani. Megjithatë, vetëm me zbulimin e testamentit do të jetë e mundur të dihet shpërndarja e saktë dhe përfundimtare e aksioneve me fuqi votuese të zgjeruar.

Dwayne Johnson shpërthen në lot në Venecia, spekulime për një nominim në Oscar

By: e xh
2 September 2025 at 18:15

Dwayne Johnson ka lënë një shenjë të thellë në Festivalin e Filmit të Venecias me performancën e tij si luftëtari i viteve ’90, Mark Kerr, në filmin “The Smashing Machine”.

53-vjeçari shpërtheu në lot ndërsa publiku në Lido e shpërbleu me një ovacion prej 15 minutash, një nga më të gjatë në këtë edicion të festivalit.

I njohur më parë si “The Rock” në WWE dhe për filmat komercialë si “The Mummy”, “Black Adam” dhe “Baywatch”, Johnson tregon anën e tij më dramatike dhe të ndërlikuar në këtë projekt të ri të A24, duke portretizuar një sportist me demone të brendshme. Ai ndan ekranin me Emily Blunt, që luan të dashurën e Kerr, Dawn Staples.

Gjatë ovacionit, regjisori Benny Safdie përqafoi të dy aktorët dhe iu bashkua Johnson në lot gëzimi, ndërsa Kerr vetë u duk i prekur nga emocioni në fund të titrave. Ky moment është konsideruar si premierë më emocionale në Lido që nga koha kur Brendan Fraser shpërtheu në lot katër vjet më parë, duke hapur rrugën për kandidaturën e tij në Oscar për “The Whale”.

“The Smashing Machine” shënon debutimin solo të Safdie si regjisor, ndërsa filmat e mëparshëm me vëllain e tij Josh, si “Good Time” dhe “Uncut Gems”, ishin sukses kritik. Pritet që roli i Johnson të hapë diskutime serioze për Oscar dhe të tregojë një anë më të thellë të karrierës së tij, larg blockbuster-ëve dhe aksionit.

Dwayne Johnson cries during the 15-minute standing ovation for his new movie ‘THE SMASHING MACHINE’

Read our review: https://t.co/ejtQIs1Usz pic.twitter.com/17pQYebeat

— DiscussingFilm (@DiscussingFilm) September 1, 2025

Çudit aktori hollivudian: Nuk shoh më filma, jam lodhur prej tyre

By: e xh
29 August 2025 at 15:41

Aktori i njohur amerikan, Denzel Washington, ka habitur fansat me një deklaratë të sinqertë gjatë një bisede me reperin A$AP Rocky dhe regjisorin Spike Lee. Dy herë fituesi i çmimit “Oscar” ka pranuar se, pavarësisht dhjetëra roleve të tij në kinematografi, ai vetë nuk i sheh filmat, as të tijtë, as të të tjerëve. “Nuk shoh filma, vërtet nuk shoh”, tha Washington me humor, duke shtuar: “Nuk shkoj në kinema. Nuk shoh filma fare. Mbase sepse i bëj vetë, jam lodhur prej tyre”.

Kur Spike Lee e pyeti sa filma ka realizuar gjatë karrierës, aktori u përgjigj me shaka: “Shumë. Besoj rreth 50”.

Washington dhe A$AP Rocky do të shfaqen së bashku në filmin e ri Highest 2 Lowest, një thriller neo-noir me regji të Spike Lee, i cili pritet të dalë në kinematë amerikane dhe në AppleTV+ muajin e ardhshëm. Ky është bashkëpunimi i pestë mes Washington dhe Lee, që nga drama e vitit 1990 Mo’ Better Blues.

I pyetur për filmin e tij të preferuar nga bashkëpunimet me Lee, aktori tha: “Nuk kam të preferuar. Gjithmonë u them njerëzve: filmi im i preferuar është ai që do të bëj më pas. Nuk jam i interesuar për të kaluarën. Në fakt, nuk e kam parë Mo’ Better që nga premiera”. Ai madje pranoi se nuk ka parë asnjë nga filmat e tij nga fillimi deri në fund.

Ndërkohë, projektet e ardhshme të Denzel Washington përfshijnë filmin aksion Here Comes the Flood, një prodhim i Netflix, ku do të luajë përkrah aktorëve Robert Pattinson dhe Daisy Edgar-Jones.

Aktori britanik përballë drejtësisë nën akuzat për përdhunim

By: e xh
28 August 2025 at 20:02

Aktori britanik Micheal Ward, fitues i çmimit prestigjioz BAFTA, është paraqitur këtë të enjte, 28 gusht,  në Gjykatën e Magjistraturës në Thames. Ai akuzohet për përdhunim dhe abuzim seksual.

Ward, 27 vjeç, i njohur për rolet e tij në serialet dhe filmat Top Boy, Small Axe dhe Blue Story, përballet me dy akuza për përdhunim dhe tre të tjera për sulm seksual. Ai është liruar me kusht, ndërsa çështja është kaluar për shqyrtim të mëtejshëm në Gjykatën e Lartë në Snaresbrook, ku pritet një seancë më 25 shtator.

Sipas autoriteteve, akuzat lidhen me një grua dhe ngjarjet dyshohet të kenë ndodhur në janar të vitit 2023. Aktori, me banim në Cheshunt të Hertfordshire, nuk është kërkuar ende të deklarojë një qëndrim zyrtar ndaj akuzave, por më herët ka mohuar plotësisht çdo përfshirje. Në një deklaratë të bërë publike në korrik, ai shprehu besim të plotë në procesin ligjor dhe tha se ka bashkëpunuar në çdo hap me policinë gjatë hetimeve.

Ward u paraqit në gjykatë i veshur me syze të errëta dhe xhaketë të zezë, duke konfirmuar vetëm emrin, adresën dhe datëlindjen e tij.

Aktori me origjinë nga Xhamajka u bë i njohur për publikun në vitin 2019 me filmin Blue Story, ndërsa një vit më pas fitoi çmimin Ylli në Ngjitje në ceremoninë e çmimeve BAFTA. Ai interpretoi rolin e Jamie-t në serialin e suksesshëm të Netflix-it Top Boy (2019–2022), si dhe u nominua për aktorin më të mirë dytësor në çmimet BAFTA TV për rolin në Small Axe më 2021.

Në vitin 2022, Ward ishte pjesë e dramës së vlerësuar Empire of Light, ndërsa së fundmi është shfaqur në filmin amerikan Eddington.

Doli në rrugë vetëm me të brendshme, arrestohet këngëtari

By: e xh
23 August 2025 at 17:07

Reperi i njohur amerikan, Lil Nas X është vënë në pranga nga policia pas një përplasje të dhunshme që pati me efektivët në bulevardin Ventura në Los Angeles, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Policia u thirr nga banorët për një burrë që po ecte në rrugë me të brendshme, duke shkaktuar probleme. Pasi oficerët mbërritën në vendngjarje, këngëtari i Old Town Road i sulmoi dhe për këtë arsye u arrestua për dhunë.

Ai u dërgua më pas në spital për trajtim për një mbidozë të mundshme.

Një video e paverifikuar u publikua nga TMZ, e cila e shfaqte këngëtarin duke kërcyer në rrugë vetëm me të brendshme dhe çizme kaubojsh, duke i ftuar njerëzit që kalonin aty pranë të “vinin në festë”.

Këngëtari ka shkaktuar polemika gjatë gjithë karrierës së tij, me konservatorët në SHBA që e quajnë videoklipin e këngës së tij hit Montero (Call Me By Your Name) “të shthurur” dhe “të ligë”.

Kontrata paramartesore e Ronaldos me Georginën, në rast divorci ajo…

By: e xh
23 August 2025 at 15:34

Cristiano Ronaldo do i jap fund beqarisë duke u martuar me bashkëshorten e tij, Georgina Rodriguez. Mediet në Portugali kanë zbuluar se çifti ka një kontratë paramartesore të firmosur, në rast divorci. Nëse diçka e tillë ndodh, Georgina do merrte një pension të përjetshëm prej 100 mijë eurosh në muaj dhe pronësinë mbi rezidencën e CR7 në Madrid, e cila vlerësohet me 5.2 milionë euro.

Kontrata paramartesore

Sipas revistës portugeze TV GUIA, Ronaldo dhe Rodriguez kanë nënshkruar tashmë një kontratë paramartesore, pas lindjes së vajzës së tyre të parë, Alana Martina.

Kontrata parashikon që, në rast ndarje, Georgina do të marrë pension mujor të përjetshëm prej 100,000 eurosh, si dhe pronësinë e vilës luksoze të Ronaldos në La Finca, Madrid, me vlerë mbi 5.2 milionë euro.

Sipas të njëjtit medium, kjo marrëveshje ka për qëllim sigurinë financiare të Georginës dhe fëmijëve, duke garantuar që familjes të mos i mungojë asgjë, pavarësisht rrethanave.

Pasuria e CR7

Me një pasuri të vlerësuar mbi 671 milionë dollarë, Cristiano Ronaldo është sportisti më i paguar në botë.

Vetëm të ardhurat vjetore nga kontrata me klubin Al-Nassr arrijnë në 230 milionë dollarë, ndërsa dhjetëra milionë të tjera vijnë nga sponsorizime dhe kontrata reklamash.

Modelja argjentinase filloi një lidhje me futbollistin portugez në vitin 2016, pasi e takoi atë në një dyqan në Madrid, ku punonte si asistente shitjesh. Në qershor 2017, Ronaldo pati binjakë, Eva dhe Mateo, nëpërmjet nënës surrogate. Në nëntor 2017, vetë Rodriguez lindi vajzën e tyre, Alana Martina dhe më 18 prill 2022, ajo lindi binjakë; djali, Angel vdiq gjatë lindjes, ndërsa vajza, Bella Esmeralda, mbijetoi.

Ronaldo dhe Georgina Rodriguez drejt altarit, sa kushtoi unaza

By: e xh
12 August 2025 at 19:28

Vetëm Cristiano Ronaldo mund t’i jepte një unazë kaq të shtrenjtë si propozim martese partneres së tij, pasi ekspertët vlerësuan se unaza që mori Georgina Rodriguez nga ylli portugez së fundmi vlen diku midis 2 dhe 5 milionë dollarëve.

Në foton e publikuar nga Georgina në rrjetet sociale, shihet dora e saj duke prekur atë të partnerit të saj, ndërsa unaza që Ronaldo i dhuroi duke i kërkuar të martohej me të shkëlqen.

“Po, pranoj. Për të dhe për të gjithë jetën time”, shkroi ajo përkrah fotos.

Page Six kontaktoi dy ekspertë bizhuterish pasi krijuesi i solitaire-it të Rodriguez nuk është identifikuar ende. Drejtori ekzekutiv i Rare Carat, Ajay Anand, vlerësoi se guri qendror ishte diamant dhe me qartësi të përsosur, me një peshë të mundshme prej mbi 30 karatësh, gjë që do ta çonte vlerën në 5 milionë dollarë.

Nga ana e saj, specialistja e unazave të fejesës në Lorel Diamonds, Laura Taylor, tha për unazën: “Prerjet ovale njihen për fasetat e tyre të shkëlqyera, të cilat maksimizojnë shkëlqimin dhe i japin gurit një pamje të ndritshme dhe të gjallë nga çdo kënd.”

Ajo vlerësoi se guri qendror peshonte midis 15 dhe 20 karatësh dhe kushtonte mbi 2 milionë dollarë.

“Guri qendror është i rrethuar nga diamante të konsiderueshme në anët, të cilat shtojnë edhe më shumë shkëlqimin dhe e bëjnë mbresëlënës, por të duket edhe më i madh. Kjo është një unazë mahnitëse, lehtësisht ndër më mahnitëset që kemi parë vitet e fundit, dhe i përshtatet në mënyrë të përkryer njërit prej çifteve më të famshme të futbollit”, vazhdoi ajo.

U rrah nga dasmorët, reagon për herë të parë Shpat Kasapi: Ishte keqkuptim

By: e xh
10 August 2025 at 10:57

Këngëtari i njohur Shpat Kasapi është dhunuar nga disa persona, gjatë një dasme mbrëmjen e 8 gushtit në Prishtinë.

Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, Shpat Kasapi ishte ftuar të këndonte në një dasmë, por vonesa e tij u bë shkak që ahengu të kthehej në një skenë dhune.

Së fundmi këngëtari ka reaguar në rrjetet sociale pas shqetësimit të fansave të tij, ku shprehet se është mirë me shendët dhe se gjithçka ishte një keqkuptim me dasmorët, pa treguar më shumë detaje.

“Të dashur miq, unë jam mirë me shëndet, falë zotit ju lutem mos e egzagjeroni lajmin, ishte një keqkuptim me dasmorët, asgjë tjetër për t’u shqetësuar”.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe policia, e cila tha se të lënduar nga ky incident mbetën Shpat Kasapi, rreth 40 vjeç, dhe Albin Kasapi, rreth 47 vjeç. Të dy kanë deklaruar se janë sulmuar nga tre persona: Feim Kicaj 62 vjeç, Bledar Kicaj 36 vjeç dhe Blerim Kicaj 29 vjeç.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt, sipas policisë.

John Cena tregon arsyen e transplantit të flokëve: Më ndryshoi jetën…

By: e xh
10 August 2025 at 08:10

Aktori dhe ylli i wrestling-ut, John Cena, ka folur për herë të parë rreth vendimit për t’iu nënshtruar një transplanti flokësh.

Në një intervistë të fundit, 48-vjeçari pranoi se komentet për pamjen e tij, sidomos ato që i referoheshin rënies së flokëve, e shtynë të ndërmarrë këtë hap.

”Pashë tabela ku shkruhej ‘Bald John Cena’. Kjo më bëri të mendoj për opsionet që kisha”.

Cena shpjegoi se procedura përfshinte zhvendosjen e qimeve një nga një nga një zonë e kokës në tjetrën dhe theksoi se nuk ka asnjë pendesë për këtë vendim.

”Do ta kisha bërë 10 vite më parë nëse nuk do të ishte kaq e sikletshme. Mendoja se isha i vetëm, por shtatë ose tetë nga dhjetë burra vuajnë nga rënia e flokëve. Nuk ka pse të turpërohemi. Kjo më ndryshoi jetën”, u shpreh ai.

Finem prezanton “Bugatti”, fotoja që po çmend rrjetin

By: e xh
1 August 2025 at 21:46

Finem sapo ka hedhur në story një video që ka ngritur në këmbë gjithë rrjetin.

Ai shfaqet krah një vajze që e prezanton me fjalët:

“Bugatti? My Bugatti.”

Por nuk është thjesht një frazë ironike – është një deklaratë.

Vajza që ndodhet pranë tij është përfolur më herët si ish-partnerja e stilistit të famshëm Philip Plein, por sot, ajo është në krah të Finem, dhe detaji që ka tërhequr më shumë vëmendje është fakti që mban në qafë një varëse me inicialin “F”, e cila thuhet se kap vlerën e rreth 200,000 eurove.

Videoja është bërë virale brenda pak orësh, dhe komentet nuk kanë munguar: nga fansat te portalet, të gjithë po flasin për të njëjtën gjë – Finem është në një lidhje.

Ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë, por kur një vajzë mban simbolin tënd rreth qafës, nuk ka nevojë për fjalë të tjera.

Bugatti nuk është më thjesht një makinë – është ajo.

Publikohen fotot, Katy Perry dhe ish-kryeministri i Kanadasë në një romancë?

By: e xh
29 July 2025 at 19:36

Këngëtarja e njohur Katy Perry është fotografuar në një darkë intime me ish-kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, vetëm pak javë pasi u konfirmua ndarja e saj nga aktori Orlando Bloom. Dyshja u pa duke darkuar në restorantin “Le Violon” në Montreal të hënën, gjatë turneut të Perry në Kanada.

Në pamjet e siguruara nga TMZ, Perry dhe Trudeau duken të përfshirë në një bisedë të afërt, me buzëqeshje dhe gjeste miqësore, duke ndezur menjëherë spekulimet për një lidhje të re.

Perry, 40 vjeçe, është aktualisht në qendër të vëmendjes jo vetëm për jetën private, por edhe për albumin e saj të fundit “143”, i cili është pritur negativisht nga publiku dhe është cilësuar si “i krijuar nga inteligjenca artificiale”. Shto këtu edhe reagimet kundër fluturimit të saj hapësinor me Blue Origin në prill, që shumë e konsideruan si të pavend dhe të dramatizuar.

Nga ana tjetër, Trudeau, 53 vjeç, është larguar nga detyra si kryeministër në janar 2025, pas një rënie të madhe në popullaritet dhe përplasjesh me partinë e tij. Ai u zëvendësua nga Mike Carney pas një periudhe të tensionuar me administratën e Donald Trump, i cili e ka sulmuar publikisht në disa raste dhe ka kërcënuar me tarifa të rënda ndaj Kanadasë.

Perry ka një vajzë me Orlando Bloom, me të cilin u nda në mënyrë paqësore për të fokusuar marrëdhënien e tyre në bashkëprindërim. Nga ana tjetër, Trudeau është i divorcuar nga Sophie Grégoire Trudeau, me të cilën ka tre fëmijë.

❌
❌