Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Opinion.al

FSHF do të nisë së shpejti ndërtimin e hotelit për ekipet kombëtare

By: e xh
23 December 2025 at 14:02

Federata e Futbollit po përgatitet të realizojë një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, me ndërtimin e një hoteli modern pranë kompleksit “Shtëpia e Futbollit”. Ky projekt do të shërbejë për akomodimin e të gjitha ekipeve kombëtare gjatë grumbullimeve, duke nisur nga Kombëtarja A e djemve dhe vajzave, e deri te ekipet e moshave.

Hoteli do të ketë 5 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë, ndërsa në përbërjen e tij do të përfshihen ambiente funksionale si restorante, salla konferencash dhe gjithsej 87 dhoma. Kapaciteti i tij do të mundësojë akomodimin e deri në katër ekipeve kombëtare njëkohësisht, veçanërisht në raste turnesh.

Po ashtu, hoteli do të përfshijë një kat të dedikuar parkimi, ambiente magazinimi, si edhe facilitete të tjera si pishina apo palestra.

Punimet pritet të nisin menjëherë pas miratimit të lejes së ndërtimit. Federata e Futbollit ka aplikuar tashmë për lejen përkatëse dhe aktualisht ndodhet në proces pritjeje.

Ky investim dëshmon edhe një herë përkushtimin e Federatës së Futbollit për krijimin e kushteve sa më optimale për ekipet kombëtare, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të kompleksit “Shtëpia e Futbollit”, duke e afruar atë me standardet e komplekseve më moderne të futbollit në Europë dhe në botë.

Seks, gënjeshtra dhe mashtrime, origjina e ngritjes së Jeffrey Epstein

By: e xh
23 December 2025 at 13:55

Seks, gënjeshtra dhe marrëdhënie me njerëz të fuqishëm. Ndërsa Amerika përqendrohet te përmbajtja e “dosjeve Epstein” të reja të publikuara pak ditë më parë, një hetim i New York Times rindërton më në fund origjinën e pasurisë së miliarderit pedofil, deri tani të mbuluar me mister. Për vite me radhë kanë qarkulluar teori konspirative, përfshirë edhe atë që e përshkruante si ish-agjent të shërbimeve sekrete në krye të operacioneve të sofistikuara shantazhi. E vërteta, megjithatë, është shumë më prozaike: mashtrues dhe gënjeshtar, Epstein arriti të hapte rrugën e tij duke vepruar si Anna Sorokin, e cila për vite jetoi në kurriz të shoqërisë së pasur të Manhatanit duke u shtirur si trashëgimtare e pasur.

I etur për para dhe pushtet, ai mashtroi edhe ata që i besuan, duke i bindur të gjithë se ishte “një prej tyre”. Në fakt, kishte lindur në një familje hebreje modeste (babai kopshtar, nëna pastruese) dhe ishte rritur në Coney Island, periferia e largët e Nju Jorkut buzë oqeanit, e famshme për lodrat dhe si skenë e “Luftëtarëve të Natës”.

Rasti i tij vjen në vitin 1976. Jeffrey është 23 vjeç dhe siguron jetesën duke dhënë mësim matematikë dhe fizikë në një shkollë private prestigjioze në Manhattan, Dalton, ndonëse pa diplomë universitare. Aty bie në sy për veshjet e bujshme à la Tony Manero dhe afrimitetin me nxënëset në korridore. Mjafton kjo që drejtuesit e shkollës ta pushojnë nga puna. Por nxënësit e pëlqejnë: po ashtu edhe etërit e tyre. Njëri prej tyre, i bindur se është një gjeni i matematikës, i ndryshon jetën. E takon rastësisht dhe e pyet nëse do të donte të punonte në Wall Street. Epstein pranon dhe prezantohet me mikun e tij: Ace Greenberg, drejtues i lartë i Bear Stearns. Ky magjepset menjëherë nga i riu i varfër, agresiv dhe ambicioz dhe i ofron një vend pune me 25 mijë dollarë në vit (rreth 140 mijë sot), duke ia hedhur në krahë edhe vajzën e tij 20-vjeçare, Lynne. Nuk ka rëndësi që zyra e personelit zbulon shpejt se dy diplomat e pretenduara janë të sajuara. Kur Epstein pranon me sinqeritet: “Nuk do të kisha pasur shanse po të thosha të vërtetën”, ai falet.

Në vitin 1980 Jeffrey është tashmë ortak i ri, fiton 200 mijë dollarë në vit dhe revista Cosmopolitan e vendos në kopertinë si “beqari i muajit”. Historia me Lynne Greenberg ka mbaruar (“gënjen për gjithçka”, ankohet ajo), por ndërkohë ai ka krijuar miqësi me një tjetër drejtues të Bear Stearns, Jimmy Cayne, i cili e prezanton me klientë të pasur, duke marrë në këmbim gra dhe droga. Kur kompania e akuzon se ka shpenzuar në mënyrë të papërshtatshme 10 mijë dollarë për bizhuteri e veshje dhe ka marrë edhe 15 mijë të tjerë për t’ia dhënë hua një ish-miku, Epstein thotë se është “i fyer” nga hetimi i brendshëm dhe nga gjoba prej vetëm 2 500 dollarësh e vendosur falë ndërmjetësimit të Greenbergut, tashmë CEO, dhe jep dorëheqjen. Por vazhdon të shpenzojë shuma të mëdha, deri në lëshimin e shumë çeqeve pa mbulim, të cilat askush nuk i kundërshton.

Duke u shtirur ende si punonjës i Bear Stearns, frekuenton gra të bukura dhe të pasura si socialiten spanjolle Ana Obregón dhe ish-Miss Suedia Eva Andersson. Këto “kredenciale” e çojnë, në vitin 1982, te mashtrimi i tij i parë i madh: i zhvat Michael Stroll-it, CEO i një kompanie fliperash dhe videolojërash, 450 mijë dollarë duke i premtuar një investim në naftë bruto. Sipërmarrësi nuk i merr kurrë më paratë dhe, edhe kur çështja përfundon në gjykatë, Epstein ia hedh pa pasoja. Një gjykatës vendos se ai nuk është personalisht përgjegjës dhe e shpall të pafajshëm.

Ato para bëhen trampolina e tij. Kthehet të bëjë operacione me Bear Stearns me ndihmën e Patricia Schmidt, asistente e shefit me të cilën ka një lidhje dhe që i kalon informacione konfidenciale. Ndërkohë është konsulent i Steven Hoffenbergut, kreu i Towers Financial, një kompani për mbledhjen e borxheve. Së bashku tentojnë madje të blejnë ikoniken Pan American, duke u financuar përmes një skeme të ndërlikuar Ponzi. Por ndërsa miku i tij akuzohet se u ka marrë investitorëve 500 milionë dollarë, Epstein shpëton (pas vetëvrasjes së Hoffenbergut në vitin 2019, ish-ortaku pranon përfshirjen e tij). Ndërkohë ai vazhdon të mashtrojë si në rastin e Stroll-it: tërheq investitorë dhe nuk ua kthen paratë. Në vitin 1990 ka grumbulluar tashmë 15 milionë dollarë. Pikërisht atëherë, gjatë një udhëtimi në Florida, takon Les Wexner-in, CEO të Victoria’s Secret: merr “kartë të bardhë” mbi financat dhe modelet e tij. Pjesa tjetër është histori.

Trump e rikthen vëmendjen te Groenlanda dhe emëron një të dërguar special

By: e xh
23 December 2025 at 13:51

Rriten sërish tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës pasi, gati një vit pas kërcënimeve të para për aneksimin e Groenlandës, Donald Trump ka emëruar një të dërguar special për ishullin më të madh në botë. Bëhet fjalë për guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, veteran i ushtrisë dhe ish-polici, i cili ka qenë anëtar i Kongresit dhe prokuror i përgjithshëm i shtetit deri në vitin 2023.

Në të kaluarën, Landry ka shprehur mbështetjen e tij për idenë që territori i Danimarkës të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. “Presidenti Donald Trump ka absolutisht të drejtë! Duhet të sigurohemi që Groenlanda t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara. Shumë mirë për ta, shumë mirë për ne! Ta bëjmë!”, kishte shkruar ai disa kohë më parë në X. Dhe menjëherë pas emërimit, në një postim tjetër, falënderoi manjatin duke e quajtur “një nder të të shërbej për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.

Reagimi i Kopenhagenit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër: Danimarka thirri menjëherë ambasadorin amerikan dhe paralajmëroi Uashingtonin të respektojë integritetin e saj territorial. “Emërimi konfirmon se interesi amerikan për Groenlandën është ende i gjallë. Megjithatë, ne jemi të bindur fort se të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të respektojnë integritetin territorial të Mbretërisë”, deklaroi ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen. “Kjo është absolutisht e papranueshme. Për këtë arsye, në marrëveshje me kolegët tanë groenlandezë, kam vendosur të thërras ambasadorin amerikan për një bisedë,” shtoi ai. “Qëndrimi ynë është se kemi një ambasador pranë Mbretërisë së Danimarkës dhe ai është personi me të cilin mbajmë marrëdhënie”, theksoi ministri, duke nënvizuar se “kur Trump vendos papritur të emërojë një të dërguar special, kjo është diçka që më shqetëson thellësisht”. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, por edhe gjatë mandatit të parë kur në vitin 2020 rihapi konsullatën në Nuuk të mbyllur që nga viti 1953, Trump ka shfaqur vazhdimisht interes për ishullin.

Shtetet e Bashkuara kanë një bazë në Groenlandë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi pushtuan territorin për të ngritur poste ushtarake dhe stacione radio pas pushtimit të Danimarkës nga nazistët gjatë konfliktit. Zëvendëspresidenti JD Vance vizitoi bazën në mars, duke i ftuar banorët e Groenlandës të “lidhin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”.

Në këtë mosmarrëveshje ka ndërhyrë edhe Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu solidaritet me Danimarkën, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, paralajmëroi: “Siguria e Arktikut mbetet një prioritet themelor për BE-në, brenda të cilit synojmë të bashkëpunojmë me aleatët dhe partnerët”. “Integriteti territorial dhe sovraniteti”, shtoi ai, “janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare. Ato janë thelbësore jo vetëm për BE-në, por për kombet në mbarë botën. Ne jemi plotësisht solidarë me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës.”

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PD mbledh Këshillimin e Mandateve pa PS

By: e xh
23 December 2025 at 13:47

Kërkesa e Partisë Demokratike për të mbledhur këtë të martë Këshillin e Imunitetit e për t’i hapur rrugë votimit në Kuvend të autorizimit SPAK-ut për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku ra në vesh të shurdhët.

Socialistët e injoruan këtë shkresë, dhe vijuan me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, se në Kuvend nuk do të bëjnë asnjë hap derisa Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e fundit për pezullimin e numrit 2 të qeverisë.

Megjithë injorimin e mazhorancës, demokratët u mblodhën në mënyrë simbolike në Këshillin e Mandateve. 5 anëtarët demokratë zunë karriget e tyre dhe i akuzuan socialistët se po tentojnë të pengojnë drejtësinë për arrestimin e Ballukut.

“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Kolegët e mazhorancës nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci.

Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve. Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen. Balluku ka interes për të zvarritur çështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove”, tha Bardhi.

Bardhi thotë se procesi që mbahet paralelisht në Gjykatën Kushtetuese kundër masës së parë të SPAK ndaj numrit 2 të qeverisë, ajo për pezullimin si ministre dhe zv.kryeministre është çështje tjetër që nuk ka lidhje me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut, pasi këtë herë pozitat e saj janë rënduar.

SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku.

Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik të vërtetë. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi.

PD do ta bëjë edhe një përpjekje të radhës për ta mbledhur të premten Këshillin për Imunitetin, edhe pse kjo përpjekje pritet sërish të dështojë.

“Gjashtë javë në oborrin mbretëror për të realizuar portretin e Mbretit Zog I”

By: e xh
23 December 2025 at 13:42

Nga Aurenc Bebja

Gazeta norvegjeze “Morgenavisen” ka botuar, të shtunën e 8 gushtit 1931, në faqen n°10, rrëfimin e piktorit hungarez Márton Hosszú rreth vizitës së tij gjashtë javore asokohe në oborrin mbretëror të Shqipërisë.

Në oborrin e Mbretit të Shqipërisë.

Mbreti Zog është një mik i vërtetë i popullit të tij — Një mbretëri po modernizohet.

Burimi: Morgenavisen, e shtunë, 8 gusht 1931, f. 10

Një piktor i famshëm hungarez, Márton Hosszú, ka qenë mysafir i mbretit shqiptar për gjashtë javë në pallatin e Tiranës.

Mbreti Zog e ftoi Hosszún-ë, i cili ishte në një udhëtim studimor në Romë, të qëndronte në pallatin e tij sepse dëshironte që t’i pikturojë portretin e tij.

Hosszú është kthyer tashmë në shtëpi në Budapest dhe ka shkruajtur në një gazetë vjeneze rreth vizitës së tij në Shqipëri :

Udhëtimi nga Roma në Tiranë zgjati pesë ditë. Isha i përgatitur të njihesha me një bej, kultura e të cilit ishte në rënie. Aq më e madhe ishte habija ime kur zbulova se Tirana është një qytet plotësisht modern.

Lagje të tëra që më parë e kishin shpërfytyruar qytetin tani u shembën dhe në vend të ndërtesave të vjetra u ngritën ndërtesa banimi të bukura dhe moderne. Është pothuajse e pabesueshme se si është zhvilluar Tirana në dy vitet e fundit. Kudo që të shikosh, syri të has në bulevarde të reja, rrugë të gjera e të pastra. Dhe shumica e shtëpive të një qyteti të madh do ta kishin zili Tiranën e vogël.

Rindërtimi ende nuk ka përfunduar. Jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e vendit mbizotëron një ethe e vërtetë ndërtimi.

Rrugët kombëtare po shtrohen me makadam. Kudo sheh stacione elektrike të ndërtuara rishtazi, të cilat furnizojnë të gjithë vendin me energji elektrike. I gjithë sistemi telegrafik dhe telefonik po modernizohet.

Mjetet e transportit janë të përshtatshme dhe në përputhje me kërkesat moderne. Ky vend është mjaft i ri për të huajt. Kishte ende pak turistë. Rrjeti hekurudhor është zgjeruar ndjeshëm, janë hapur miniera të reja dhe së fundmi është zbuluar një burim, uji i të cilit thuhet se ka të njëjtat veti si uji i Karlovy Vary-t.

Gjatë gjashtë javëve që qëndrova në Shqipëri, u përuruan një spital i ri dhe tre shkolla. Mbreti Zog I ishte një sundimtar i vendosur dhe energjik, e gjithë jeta e të cilit ishte e orientuar drejt qëllimit për ta bërë Shqipërinë një shtet modern kulturor.

Mbreti, i cili është 37 vjeç, gëzon simpati të sinqertë në të gjitha rrethet. Të gjithë dinë ta vlerësojnë atë.

Ai është një njeri i arsimuar. Ai nuk është vetëm një sundimtar në kuptimin më fisnik të fjalës, por edhe një mik i vërtetë i popullit të tij.

Kur mbërrita në Tiranë, u takova me ministrin e oborrit Ekrem Bej Libohovën, i cili më priti me një mirësjellje të jashtëzakonshme dhe më shoqëroi deri në pallatin mbretëror.

Pallati është një ndërtesë njëkatëshe me dritare të larta, të gjera dhe të harkuara. Nga jashtë, nuk të jep përshtypjen e një rezidence mbretërore. Pallati është dekoruar në mënyrë madhështore. Mobilje të çmuara antike janë të ndërthurura me orendi moderne.

Madhëria e Tij më doli menjëherë përpara. Mbreti lë një përshtypje shumë dinjitoze dhe fisnike. Lëvizjet e tij të qeta e të matura, i gjithë paraqitja e tij e jashtme, nuk mund të mos lënë një përshtypje të fortë tek ai që qëndron përballë tij.

Mbreti Zog është një burrë i pashëm dhe interesant. Fytyra e tij rrezaton inteligjencë të lartë. Njëkohësisht tiparet e tij janë të mbushura me energji.

Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Biseda e tij është rrezatuese.

Pothuajse çdo ditë mbreti pozonte për mua, shpesh për orë të tëra, por ai kurrë nuk e humbi durimin.

Ndërsa pikturoja, bisedonim për probleme nga më të ndryshmet. Është karakteristike për shijen e mirë të këtij sundimtari që ai nuk dëshironte të pikturohej me uniformë ushtarake dhe me dekorata.

Madhëria e Tij fliste me dashuri për temat artistike. Ai më tregoi se kishte njohuri të thella për thesaret artistike të shumicës së muzeve evropiane.

Portreti im i mbretit fitoi miratimin e tij të plotë dhe ai më dha detyrën të pikturoja edhe nënën e tij.

Nëna Mbretëreshë jeton në një shtëpi, shumë të zakonshme dhe të mobiluar thjesht, me pesë vajzat e saj dhe nipin e saj shtatëvjeçar.

Motrat e mbretit janë janë bukuri tipike me prejardhje të pastër shqiptare, të cilat kanë marrë një arsim të plotë.

Shqiptarët janë gjithashtu një popull i mrekullueshëm, mikpritës dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.

Qëndrimi im në Tiranë nuk do të më dalë kurrë nga kujtesa.

https://www.darsiani.com/la-gazette/morgenavisen-1931-rrefimi-i-piktorit-hungarez-marton-hosszu-gjashte-jave-ne-oborrin-mbreteror-te-shqiperise-per-te-realizuar-portretin-e-mbretit-zog-i/

Çmimi i arit arrin rekord të ri

By: e xh
23 December 2025 at 13:37

Është rekordi i parë që nga çmimi më i lartë deri tani i shënuar në tetor, kur kursi kapi shifrën pak mbi 4.380 dollarë për onse (31,1 gram): Ari sot mbërriti çmimin 4.420 dollarë. Kësisoj ky metal i çmuar pak para fundit të vitit shënon një plus vjetor prej gati 70 përqind. Eshtë një nga klasat më të fuqishme të depozitave të vitit dhe rritja më e madhe e çmimit që nga vitit 1979. Kjo rritje konsiderohet se ka të bëjë kryesisht me pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike si dhe me luftrat dhe doganat. Shumë depozitues në kohë të tilla preferojnë të ashtuquajturit porte të sigurta si ar dhe argjend. “Ari prej shekujsh ka një stabilitet të madh tek fuqia blerëse – pavarësisht sistemeve politike, apo krizave monetare dhe ekonomike”, shpjegon York Tetzlaff, shef i shoqatës së degës se shoqatave profesionale të metaleve të çmuara, me seli në Pforzheim.

Bankat qendrore blerësit kryesorë të arit
Në rritjen e kursit të arit ka ndikuar edhe zhvillimi i normave reale të interesit si dhe dobësimi i dollarit. Gjithashtu kërkesa e bankave të rezervave ka të bëjë me shtimin e rezervave të tyre të arit gjatë këtij viti. Sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE) bankat qendrore kombëtare më 2024 mbulonin mbi 20 përqind të kërkesës globale për ar.

Doganat faktori vendimtar
Kërkesa e bankave qendrore për ar, sipas ekspertëve do të mbetet konstante e sigurt në sfondin e pasigurisë gjeopolitike dhe të politikave tregtare si ajo e doganave World Gold Council në një raport për perspeoktivën vëren, se nëse ngadalësohet rritja ekonomike ose ka një rënie të fuqishme, janë të mundura fitime të moderuara ose të mëdha. “Në të kundërt nëse një sukses i politikës që po ndjek administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump do të përshpejtonte rritjen ekonomike duke ulur reziqet gjeopolitike, kjo do të çonte në rritje e intereave dhe fuorcimin e dollarit që do të ndikonte në uljen e çmimit të arit.”/DW

 

Dhunuan dy punonjës policie dhe drejtorin e IMT, zbulohen emrat e 3 të arrestuarve

By: e xh
23 December 2025 at 13:12

Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës pasi ushtruan dhunë fizike ndaj Drejtorit të IMT-së në Bashkinë Vlorë dhe më pas edhe ndaj punonjësve të Policisë, gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë Irfan Dalipaj (58 vjeç), Drisild Dalipaj (27 vjeç) dhe Ilfabio Dalipaj (23 vjeç), banues në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur më 22 dhjetor 2025, në zonën e rrethrrotullimit të Nartës, ku ata ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos.

Gjatë kontrolleve të strukturave të Bashkisë Vlorë, tre shtetasit kanë sulmuar fizikisht drejtorin e IMT-së, D. K., 33 vjeç. Pas ndërhyrjes së Policisë Rrugore për të ndaluar veprimet e paligjshme, dhuna është përshkallëzuar edhe ndaj efektivëve të Policisë, të cilët kanë pësuar dëmtime trupore.

Në përpjekje për të neutralizuar situatën, një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, për të zbrapsur autorët, pa shkaktuar pasoja. Dy punonjës policie ndodhen aktualisht të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Zbardhen dokumente të tjera, Trump udhëtoi të paktën 8 herë me avionin e Epstein

By: e xh
23 December 2025 at 13:09

Sipas dokumenteve të fluturimeve, presidenti amerikan Donald Trump ka udhëtuar “të paktën tetë herë” me avionin privat të Jeffrey Epstein midis viteve 1993 dhe 1996.

Informacioni vjen nga një email i datës 8 janar 2020, i shkruar nga një ndihmës prokuror federal i Distriktit Jugor të Nju Jorkut.

Në email thuhet se Trump ishte pasagjer në disa fluturime më shumë nga sa ishte raportuar më parë. Në të paktën katër prej tyre, në avion ndodhej edhe Ghislaine Maxwell.

Sipas dokumenteve, në një fluturim të vitit 1993, të vetmit pasagjerë të listuar ishin Trump dhe Epstein. Në një tjetër fluturim, pasagjerët ishin vetëm Epstein, Trump dhe një 20-vjeçar/e në atë kohë. Në dy fluturime të tjera, mes pasagjerëve ishin gra që mund të shërbenin si dëshmitare të mundshme në çështjen penale ndaj Maxwell.

Ndihmës prokurori thekson se zyra e tij kishte shqyrtuar mbi 100 faqe dokumentesh me shkrim të imët dhe kishte për qëllim që këto të dhëna të mos ishin “një surprizë në të ardhmen”.

Për kontekst, autoritetet amerikane nuk e kanë akuzuar Trump për ndonjë shkelje penale lidhur me Epstein. Përmendja e emrave në dokumentet e shumta të çështjes Epstein nuk nënkupton automatikisht përfshirje në veprimtari kriminale.

Trump ka tentuar prej vitesh të distancohet nga Epstein, duke e quajtur atë “një person të neveritshëm” dhe duke deklaruar se nuk kishin kontakt prej vitesh para vdekjes së tij. Megjithatë, sipas një analize të gjerë të CNN, marrëdhënia mes tyre ka vazhduar deri në mesin e viteve 2000, pavarësisht përpjekjeve të Trump për ta minimizuar këtë lidhje.

Hetimet e SPAK, Mirlinda Karçanaj delegon kompetencat e saj si drejtoreshë e AKSHI

By: e xh
23 December 2025 at 13:05

Mirlinda Karçanaj ka deleguar kompetencat e saj si drejtoreshë e AKSHI, pasi u la në masën arrest shtëpie.

Me firmën e saj, ajo ka urdhëruar delegimin e kompetencave të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe nëpunësit të autorizuar, Romina Kostani, Drejtor, Drejtoria e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde te Huaja.

Po ashtu delegimin e kompetencave të Titullarit të Autoritetit Kontraktor për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Romina Kostani, Drejtor, Drejtoria e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde te Huaja.

Delegimin e kompetencave të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit mbi vendimmarrjet në çështjet e sigurisë kibernetike Enis Ylli, Drejtor, Drejtoria e Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov dhe Marko Cela, Drejtor, Drejtoria e Infrastrukturës e-Gov.

Kompetencat e deleguara të titullarit do të ushtrohen nga data 18.12.2025 deri në shfuqizimin e këtij urdhri.

Rama takim me komunitetin e biznesit: Paqja Fiskale, s’do ketë më inspektime

By: e xh
23 December 2025 at 12:15

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me komunitetin e biznesit.

Ai foli për Paqen Fiskale, ku tha se nuk do të ketë më inspektime apo burokraci.

Sot është ligj, pavarësisht disa debateve të cilat nuk e adresuan dot thelbin e kësaj nisme, ne jemi në kushtet kur, duke filluar nga janari, mund ta zbatojmë këtë nismë. Është nismë për të ndërtuar një urë të re besimi dhe veprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Nuk është një shpikje e jona; vetë togfjalëshi Paqe Fiskale ka lindur në Romën e vjetër dhe është instrument i përdorur me mijëra vjet. Një instrument për t’i dhënë sipërmarrjeve që s’janë në konflikt me ligjin dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontribuues legjitim. Ky rishikim i jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjohen, vetëkorrigjohen. Për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%.

Kjo rrit formalizmin, nuk cenon integritetin ligjor të këtij ndërveprimi dhe ndihmon një proces ku sipërmarrja fokusohet te puna dhe te sfidat e veta, pa pasur barrën e të metave të së shkuarës. Shkon paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave, të cilat sipas periudhave dhe vjetërsisë shkojnë nga fshirja totale te pagimi përmes kësteve, prapë me lehtësira.

Në themel ka marrëveshjen me sipërmarrjen mbi përcaktimin e tavanit të ri të fitimit, bazuar në një projeksion shkencor të fitimit mbi fitimin e viteve të shkuara, plus mbi propozimin për të pranuar si fitim të vitit një shifër X. Administrata bie dakord dhe s’ka asnjë lloj inspektimi që rëndon shpesh herë shumë më tepër se barra fiskale“, shprehet Rama.

Kaosi në Kuvend, përjashtohen për 30 ditë 6 deputetë të PD

By: e xh
23 December 2025 at 11:26

Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Elda Hoti dhe Fidel Kreka, janë përjashtuar për 30 ditë nga punimet e Kuvendit, pas skenave kaotike në seancën e fundit.

PS kishte kërkuar përjashtimin e 29 deputetëve, por Sekretariati i Etikës përfundimisht ka përjashtuar vetëm gjashtë, ndërsa për të tjerët është dhënë masa tërheqje vëmendje.

Protesta e opozitës, Policia arreston 4 persona

By: e xh
23 December 2025 at 09:34

Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë nga policia, pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e të hënës në Tiranë.

Që pas përfundimit të protestës, policia shoqëroi disa persona, pasi në fund të u hodhën molotovë e mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa u tentua që të kalohej kordoni i policisë në rrethim të godinës duke u përplasur edhe me forcat e rendit.

Policia njoftoi se si pasojë e hedhjes së molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga ana e protestuesve, janë dëmtuar dy efektivë. Pas shoqërimeve në komisariat, shkuan dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike, që kërkuan të sqarojnë mbi rrethanet se përse u shoqëruan protestuesit.

Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.

Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike.

Media britanike: Shqipëria mes destinacioneve kryesore për të udhëtuar në 2026

By: e xh
23 December 2025 at 07:59

Pallate të lashta, dete të kristalta dhe plazhe të pazbuluara me çmime të përballueshme – ekspertët tanë të udhëtimit rekomandojnë destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, shkruan Elle Hammond në të përditshmen britanike “Saga”.

Po kërkoni alternativa të përballueshme për të kaluar pushimet tuaja në vitin 2026, ekspertët e “Saga Holidays” ju sugjerojnë shtatë destinacionet kryesore për të vizituar këtë vit.

Nëse ju pëlqejnë aventurat e guximshme në një vend të largët apo një vendpushim i qetë diku më familjar, këto shtatë destinacione të rekomanduara ofrojnë diçka për çdo lloj vizitori

Shqipëria

Shqipëria rekomandohet si një nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, falë plazheve të pazbuluara, ujërave ngjyrë bruz dhe çmimeve të përballueshme.

Ekspertët e udhëtimit e kanë krahasuar Shqipërinë me Kroacinë.

Shqipëria po bëhet me shpejtësi një nga vendet më të njohura në Evropë.

Vendi i bukur mesdhetar i ka të gjitha – nga plazhet te kultura bizantine por me një çmim të shkëlqyer.

Vendet kryesore përfshijnë:

  • Plazhet me ujërat ngjyrë bruz të Ksamilit – të cilin mund ta vizitoni duke bërë një udhëtim me traget nga Korfuzi.
  • Berati – i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve” është i famshem për arkitekturën e tij osmane dhe shqiptare.
  • Gjithashtu, mos humbisni një vizitë në kryeqytetin plot jetë të Shqipërisë, Tiranën.

Ndërsa popullariteti i Shqipërisë rritet, kjo është koha e përkryer për ta eksploruar atë përpara se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Pse duhet ta vizitoni Shqipërinë në vitin 2026?

Interesi për Shqipërinë vazhdon të rritet, ku sipas një raporti, turizmi u rrit me 5% në fillim të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Shqipëria është aktualisht një nga vendet më të lira në Evropë.

Vendi mesdhetar tërheq turistë nga e gjithë bota falë akomodimit, ushqimit dhe transportit cilësor dhe të përballueshëm.

Revista britanike e udhëtimeve “Saga” e ka renditur Shqipërinë ndër shtatë vendet më të mira për pushime në vitin 2026:

1. Shqipëria
2. Japonia
3. India
4. Afrika e Jugut
5. Kosta Rika
6. Uzbekistani
7. Italia

Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës

By: e xh
23 December 2025 at 07:58

Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente në orët e mëngjesit fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe gradualisht do të shtrihen në të gjithë vendin.

Reshjet parashikohet të jenë me intensitet kryesisht të ulët e lokalisht reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe në jugperëndim të vendit.

Në Alpe e relievet malore në verilindje-lindje-juglindje duke filluar prej orëve të pasdites reshje bore me intensitet të ulët.

Mjegull e dendur/mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/sek, përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 12m/s .

Deti – Valëzimi forcës 2-3 ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: e xh
23 December 2025 at 07:56

Dashi

Do jeni gjithë ditës me humor të mire sot dhe gati për të bërë edhe ndonjë çmenduri te vogël me partnerin. Do qëndroni gjithë kohës pranë njeri-tjetrit. Beqarët do ndërmarrin edhe rreziqe vetëm për ta bërë për vete personin që kanë pëlqyer. Financat do jenë të kënaqshme kështu që nuk keni çfarë të kërkoni më shumë.

Demi

Nëse tregoheni realiste sot në jetën tuaj në çift do e kuptoni se lidhja juaj është vërtet e mrekullueshme dhe problemet që keni janë shume të vogla. Beqarët nuk do parapëlqejnë të fillojnë një histori dashurie pa qenë të sigurt se ai është personi i duhur. Me financat duhet të tregoni sa më shumë maturi që të mundeni. Po gabuat do i vuani gjatë pasojat.

Binjaket

Sot do kaloni shumë peripeci juve që jeni në një lidhje. Partneri nuk do ndihet gati te hedhe hapat qe doni ju dhe kjo do ju mërzitë paksa. Beqarët do e takojnë në momentin që më pak e presin personin ideal.

Mos e humbni këtë rast. Në planin financiar situata do jetë e paqëndrueshme. Nuk rekomandohet të kryeni shpenzime të pamenduara.

Gaforrja

Ndryshimet në jetën tuaj ne çift do jenë rrënjësore sot. Do i shihni gjërat ndryshe tashmë. Ata që kanë pasur probleme të mëdha do i zgjidhin një e nga një. Beqarët nuk do kenë aspak dëshirë ta fillojnë sot një lidhje edhe pse mundësitë do jenë të mëdha. Situata financiare do jetë goxha e qëndrueshme.

Luani

Ditë mjaft harmonike kjo e sotmja për të gjithë ata qe janë në një lidhje. Do ndiheni të bekuar nga yjet. Beqarët nuk duhet të nxitohen dhe të krijojnë menjëherë një lidhje sepse do zhgënjehen pa mase dhe do vuajnë. Financat do jenë goxha të mira. Të gjithë do habiten sesi ju do arrini ta përmirësoni aq shpejt situatën pas vështirësive të kaluara.

Virgjëresha

Do merrni kritika të shumta nga partneri juaj gjatë kësaj dite dhe do ndiheni paksa keq. Mundohuni të shihni anën pozitive të gjithë kësaj. Beqarët do kenë mundësi pa fund për aventura kalimtare. Shfrytëzojini nëse dëshironi. Në planin financiar do e keni të vështirë te ruani ekuilibrin sado që do mundoheni. Kërkoni ndihmën e të afërmve.

Peshorja

Ata që janë në një lidhje do kalojnë një nga ditët me te veçanta te javës. Gjithçka do ju realizohet si me magji kështu qe nuk do keni për çfarë te merakoseni. Beqarët duhet të pranojnë ftesat para se ata persona të fillojnë të joshin të tjerë. Në planin financiar do kaloni një krize goxha te vështirë. Do ju duhet ndihmë e miqve për t’ia dalë.

Akrepi

Do e thelloni edhe me tepër lidhjen tuaj gjatë kësaj dite dhe do ndiheni mirë për këtë fakt. Me partnerin do ndani gjithçka, madje edhe sekretet që keni mbajtur nga e kaluara. Beqarët nuk do ndihen ende gati te fillojnë një lidhje edhe pse mundësitë do jenë të mira. Në planin financiar duhen mare disa masa para se situata të bëhet delikate.

Shigjetari

Pas një periudhe paksa delikate për jetën tuaj ne çift, sot me në fund do i kuptoni gabimet qe keni bere dhe do mundoheni ta ndryshoni situatën. Beqarët do realizojnë takime mbresëlënëse të cilat do ua ndryshojnë te ardhmen. Në planin financiar do duhet ta shtrëngoni pak rripin në mënyrë që të mos keni probleme serioze.

Bricjapi

Klima nuk do jete shume e ngrohte sot për ata qe janë ne një lidhje. Here pas here do kapeni pas disa detajeve te vogla dhe do debatoni me partnerin. Beqaret me ne fund do e takojnë personin tyre te ëndrrave i cili do ua ndryshoje jetën. Urani do ndikojë negativisht tek financat. Ai do iu bëjë më të papërgjegjshëm me shpenzimet dhe aspak të kujdesshëm.

Ujori

Priten shumë mosmarrëveshje sot në jetën tuaj ne çift për shkak te kokëfortësisë suaj. Duhet me patjetër të ndryshoni sjellje. Beqarët do njihen me persona interesante gjatë një udhëtimi që do realizojnë. Përfitoni sa më shume që te mundeni. Ne planin financiar duhet te ruani sa më shume gjakftohtësinë sepse përndryshe nuk do arrini dot ta stabilizoni gjendjen.

Peshqit

Nuk do i rezistoni dot tundimit ndaj një personi që do iu vije rreth e rrotull sot dhe ka rrezik ta tradhtoni partnerin. Në fakt do shkatërroni gjithçka thjesht për disa emocione momentale. Beqarët do kenë njohje te reja dhe do mund të fillojnë histori dashurie afatgjata. Shpenzimet duhet t’i kufizoni deri ne maksimum sepse në të kundërt gjendja mund t’iu përkeqësohet.

Yesterday — 22 December 2025Opinion.al

Hetimet për Ballukun dhe AKSHI-n, Haxhiu: Drejtësia po ngjall shpresë

By: e xh
22 December 2025 at 22:50

Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan komentoi hetimet e fundit të SPAK, atë për çështjen Balluku, si dhe për tenderat tek AKSH-i.

Haxhiu u shpreh se SPAK duhet lavdëruar. Sipas tij, SPAK tashmë nuk konsiderohet më institucion që është kapur nga Rama, siç pretendohej më herët, por se godet dhe vetë qeverinë, duke ngjallur shpresë tek qytetarët.

“Duhet lavdëruar SPAK-u për guximin, për të gjitha që ka bërë. Nuk është e lehtë, që ndërtohet edhe një rrëfim, por gjithashtu edhe të bëhen që në fillim të mandatit të katërt të gjitha këto akuza. Ka qenë një periudhë, kur nuk ka pasur institucione të opozitës, as në bashki nuk ka qenë. Me gjithë mosbesimin që kanë pasur të gjithë ndaj SPAK-ut, po rreshtohen të gjithë për guximin që po bën SPAK-u. Kjo është përparësi e jashtëzakonshme në diskursin shoqëror në këto kohë. Derisa është quajtur si institucion drejtësie i Ramës, tashmë është kthyer në institucion që është kthyer në shpresë për shoqërinë. Por ajo që më bën përshtypje është fakti që janë dërguar 16 mijë faqe nga SPAK në parlament për të kërkuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Por, SPAK mund të dërgonte pak faqe dhe të përmblidhte atë që kërkonte”, tha Haxhiu.

Kujtojmë se SPAK ka nisur hetimet për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën kërkon edhe heqjen e imunitetit në parlament. Ndërkaq, po SPAK po heton tenderët e dyshuar korruptivë tek AKSHI.

Hetimet për Ergys Agasin, plan për dhunimin e Gjiknurit dhe një ministri tjetër

By: e xh
22 December 2025 at 22:48

Në emisionin “Opinion” po diskutohen hetimet e SPAK për çështjen e AKSHI, si dhe për vetpërgjimet që ka bërë Ergys Agasi me zyrtarë apo dhe biznesmenë.

Sipas regjistrimeve që disponon drejtësia të cilat kanë rrjedhur në media ka një episod ku Agasi flet për pengesat që kishte krijuar Damian Gjiknuri në lidhje me një emërim në një post të një personi tjetër.

Nga përmbajtja e bisedave të sekuestruara, SPAK identifikon se personi i quajtur “Labi” është Elgerti Bixha. Sipas dosjes, Agasi synonte ta emëronte Bixhën administrator në një shoqëri private, e cila kishte fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga Gjiknuri.

Hetimi thekson se Gjiknuri konsiderohej si “pengesë” për realizimin e këtyre përfitimeve, çka çon në diskutime për mënyra të tjera presioni për ta “hequr” këtë pengesë.

Në një mesazh të datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Ergys Agasi shprehet tekstualisht:

“Do ja *i robt do fusim cunat pastaj.”

Gjatë emisionit,  Blendi Fevziu mori një mesazh në telefon me informacionin se Ergys Agasi ka planifikuar edhe dhunimin e një ministri tjetër, por që nuk është realizuar për shkak se ishte i shoqëruar nga eskorta.

Protesta e opozitës, reagon Balla: Sali, ti nuk e djeg dot më Shqipërinë

By: e xh
22 December 2025 at 22:00

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i dërgon një mesazh kryetarit të PD, Sali Berisha pas molotovëve të hedhur në drejtim të kryeministrisë.

Përmes një postimi të shkurtër, por të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, me pamje të Berishës që valëvit flamurin përballë flakëve, Balla shkruan:

“Sali, ti nuk e djeg dot më Shqipërinë!”

Balla, i cili njihet për mesazhet e forta që adreson në drejtim të Berishës në sallën e kuvendit dhe jo vetëm edhe kësaj here me një frazë të vetme i kujton atij të kaluarën, duke iu referuar ngjarjeve të ‘97-ës, shpërthimit në Gërdec dhe vrasjeve në bulevard kur ishte kryeministër.

Berisha: Në fokusin e protestave do jetë parlamenti, kryeministria dhe Surreli

By: e xh
22 December 2025 at 21:04

Partia Demokratike ka mbajtur këtë të hënë protestën  kombëtare, e inicuar në fakt pas ngjarjeve të fundit të lidhura me hetimin dhe masat e prokurorisë speciale ndaj Zv. Kryeministres Belinda Balluku.

Në fjalën e tij përpara pjesëmarrësve të vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i PD Sali Berisha tha ndër të tjera kryeministri Rama duhet të largohet e se ai është në rrethim. “Nuk jep dorëheqjen ai, do ta heqim ne”, tha Berisha, ndërsa e konsideroi jashtëzakonisht të kënaqshme pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. “Pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e kënaqshme. Ishte historike edhe mbështetja, edhe entuziazmi, edhe të gjitha”, u shpreh ai.

Berisha tha se ne fokusin e tyre do të jenë parlamenti, kryeministria dhe Surreli.

“Bashkëluftëtarët e mi duhet të dinë të gjitha drejtimet se cilat do të jenë fushat e demonstratave dhe protestave të fuqishme të ardhshme. E thashë edhe njëherë, do jetë kryeministria, do jetë parlamenti, do jetë Surreli, se këto janë qëndrat e krimit.Ky parlament është i ndërtuar mbi farsën elektorale dhe është pushtuar komplet nga Edi Rama. Kryeministria është sot ndërtesë krimi të shëmtuar, të gjithanshëm, dhe Surreli, siç e patë ju, del me aferat më të paimagjinueshme, me pengmarrje dhe gjëra të tilla.Këto tre qendra do jenë në fokusin e popullit protestues. Me radhë. Me një fjalë, shpëtim nuk ka. Edi Rama është në rrethim, Edi Rama nuk ka shpëtim. Nuk jep dorëheqjen ai, do ta heqim ne”, tha kreu i PD në fjalën e tij..

Protesta e opozitës u mbyll tek selia e PD, ndërkohë që në largim, protestuesit hodhën molotovë para godinës së Kryeministrisë. /Opinion.al

 

VIDEO/ Deputetët sherr me grushte në Parlamentin e Turqisë

By: e xh
22 December 2025 at 17:05

Seanca e fundit e diskutimeve plenare për buxhetin e shtetit në Parlamentin turk u shënua nga tensione të larta dhe përplasje të dhunshme mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Mbrëmjen e së dielës, përplasjet verbale mes përfaqësuesve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partisë Republikane Popullore (CHP) u përshkallëzuan në përleshje me grushte brenda sallës së Kuvendit.

Për rreth 10 minuta, deputetët e mbledhur rreth podiumit kryesor në qendër të sallës, u përplasën me njëri tjetrin fizikisht dhe verbalisht, në skena që bënë shumë shpejt xhiron e botës.

Sipas mediave turke, incidenti nisi pas një debati të ashpër mes deputetit të partisë në pushtet, AKP nga qyteti i Bursës, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të opozitës, CHP-së, Gökan Günaydin. Nga foltorja, Varank kritikoi drejtimin e CHP-së dhe politikat e bashkive të drejtuara nga opozita, deklarata që u konsideruan provokuese nga deputetët opozitarë.

Reagimi i Günaydin ishte i menjëhershëm, duke akuzuar mazhorancën për nxitje të tensioneve dhe sulme të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor të opozitës. Situata u përkeqësua edhe më tej me përfshirjen e Ali Mahir Başarır, një tjetër nënkryetar i grupit parlamentar të CHP-së, gjë që shërbeu si katalizator i përleshjes fizike mes deputetëve të dy krahëve.

Në sallë ndodheshin edhe kryetari i CHP-së, Özgür Özel, si dhe kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahçeli, por asnjëri prej tyre nuk ndërhyri drejtpërdrejt për të ndalur incidentin.

Kryetari e Parlamentit, Numan Kurtulmuş, u detyrua të ndërpresë seancën ndërsa forcat e sigurisë e patën të vështirë të përmbanin deputetët e zemëruar të përfshirë në konflikt. Përplasjet vazhduan edhe gjatë pezullimit të përkohshëm të seancës. Pas rifillimit të punimeve, Kuvendi miratoi Buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër.

❌
❌