Dje në mbrëmeje Sara Hoxha ndau nje album me momentet me të bukura të pushimeve te saj ne Cortina të Italisë, nga skijimi në borë, ushqimi dhe pjatat pikantet, tek veshjet gjithë stil apo edhe sfidën per t’u shtrire në borë me bikini… Por në këtë album ne të Brodo lexuam dy fakte:
1 – Sara nuk ka qenë çift në pushimet e saj dimërore në Alpe. Pasi hodhi shashka në ajër përmes story-ve që nuk zbulonin dikë, Sara që në foton e parë të albumit në feed i qetësoi njerëzit, ndjekesit, kureshtarët, ata qe e duan dhe ata qe nuk e duan, duke ju treguar personin se me kë kishte udhetuar. Nëj vajze! Mikeshe apo e afërme pak rëndësi ka! Sara ishte në shoqërinë e një vajze!
Apo fotoja me mikeshen është kamuflim?!
2- Një tjeter foto me mesazh të qartë në albumin e së martës mbrëma të Sarës është dhe kjo foto, ku pjata ka si dizajn një unazë diamandi fejsese. Fotoja nuk ështe provokim, por as më shumë e as më pak ajo çfarë Sara dhe çdo vajzë dëshiron: një unazë diamanti nga njeriu i zemrës!
Tani foton mbase Sarës ja ka berë shoqja/ mikeshë me të çilën pushoi, por mesazhi është per atë qe ka sy e veshë!/mxh
Një adoleshent shqiptar, i dyshuar si drejtues i një rrjeti të shpërndarjes dhe trafikut të kokainës, është arrestuar në zonën e Rietit, në Itali.
18-vjeçari ishte prej kohësh nën mbikëqyrje nga policia, pasi dyshohej se qëndronte pas një rrjeti të njohur trafikimi në qendrën historike të qytetit, i cili frekuentohej nga një numër i madh klientësh, përfshirë edhe shumë të rinj.
Operacioni u krye nga njësia antidrogë e Policisë së Rietit pranë “Piazza Cavour”, ku i riu u kap dhe u identifikua menjëherë. Më pas, autoritetet kryen kontrolle të mëtejshme, përfshirë edhe një bastisje në banesën e tij, e cila ndodhet në qendrën historike të qytetit.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti sasi droge dhe para të gatshme, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Lëndët narkotike dhe shuma e parave u sekuestruan.
I riu u arrestua dhe u vendos fillimisht në arrest shtëpiak. Ai pritet të përballet me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimi. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar rrjetin e blerësve dhe bashkëpunëtorëve të tij, nën drejtimin e hetuesit Marco Stamegna.
Gjykatësi hetues e ka konsideruar arrestimin të ligjshëm dhe ka konfirmuar masën paraprake, duke vendosur gjithashtu ndalimin e 18-vjeçarit për të banuar në të gjithë provincën e Rietit./et
Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland, pas një kërkese nga policia norvegjeze, e cila ka nisur një hetim për korrupsion në lidhjet e tij me autorin e dënuar të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein.
Vendimi për heqjen e imunitetit të Jagland u mor unanimisht nga Komiteti i Ministrave i KiE-së të mërkurën në mëngjes.
“Me kërkesë të autoriteteve norvegjeze, organi vendimmarrës statutor i Këshillit të Evropës vendosi të heqë imunitetin z. Thorbjørn Jagland në cilësinë e tij si ish-Sekretar i Përgjithshëm”, njoftoi Këshilli i Evropës të mërkurën.
KiE shtoi se vendimi vjen pas “zbulimeve mediatike që nga nëntori i vitit 2025” që lidhën Jaglandin me Epsteinin.
Hetimet do të fokusohen në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime falas, apo favore të tjera nga Epstein. Kujtojmë që një email të Jagland më 25 maj të 2012-ës, ai i drejtohet Epsteinit me fjalët: “Kam qenë në Tiranë. Vajza të jashtëzakonshme”.
Epstein, për të cilin prokurorët pretendojnë se “krijoi një rrjet të gjerë viktimash të mitura që ai t’i shfrytëzonte seksualisht”, kishte korrespondencë të përsëritur me zyrtarë të fuqishëm në të gjithë Evropën./et
Një darkë e qetë në Paris për këngëtaren Dua Lipa dhe të fejuarin e saj, aktorin Callum Turner, u kthye shpejt në një situatë të tensionuar për shkak të paparacëve të pandërprerë dhe të bezdisur. Një video që u bë virale tregon këngëtaren me origjinë shqiptare mjaft të revoltuar duke kërkuar hapësirë nga fotografët.
Turner po priste jashtë restorantit kur paparacët filluan të rrethojnë çiftin. Ai dëgjohet duke iu drejtuar fotografëve me tone të ashpra
“Çfarë po bëni, duhet të na lini vetëm. Ju lutem, po i tregoni të gjithëve adresën tonë. Kjo gjë nuk është në rregull.”
“Jo, jo,jo, nuk po bëjmë këtë,” u dëgjua duke thënë Lipa, e dukshme e shqetësuar. Përpjekjet për të mbuluar fytyrën u injoruan, duke e bërë atë të bërtasë: “A mund të largoheni, ju lutem?” Më në fund, sigurimi i restorantit ndërhyri, duke i ndihmuar ata përgjatë trotuarit.
Videoja u përhap shpejt online, duke ndezur diskutime mbi privatësinë e personazheve publikë dhe natyrën invazive të paparacëve duke i dhënë të drejtë çiftin për cënimin e privatësisë./mxh
Reperi i njohur Getinjo, ka tërhequr vëmendjen e fansave me një postim të fundit mjaft romantik në InstaStory. Në foton e publikuar ai shfaqet pranë një vajze, por identiteti i saj mbetet i paidentifikueshëm, duke ngjallur më shumë mister.
Ky postim për shumë nga ndjekësit është marrë si një detaje i një lidhje të re romantike pas një periudhe gjatë gjatë së cilës reperi ka mbajtur jetën personale larg syrit të publikut. Fansat po përpiqen të zbulojnë se kush është vajza që duket se ka fituar zemrën e artistit nga Kosova
Lidhje e fundit publike e reperit ajo me Vivien Thano, një histori që ishte në qendër të vemendjes për shkak se u zhvillua gjatë pjesëmarrjes së tyre si konkurrent në Big Brother VIP Kosova, por që nuk zgjati shumë.
Tashmë duket se me këtë postim misterioz, reperi po hap një kapitull të ri në jetën e tij personale, ndërsa vitet e fundit ai ka qenë më i rezervuar edhe në projektet muzikore./mxh
Përfaqësues të Klubit të Popullit Boshnjak në Dhomën e Popujve të Parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinës kanë ngritur padi penale kundër liderit të SNSD-së, Milorad Dodik, të cilin e akuzojnë për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, si dhe për përçarje dhe mungesë tolerance.
Kallëzimi vjen pas deklaratave të fundit të Dodikut, të cilat, sipas tyre, përbëjnë fyerje dhe nënçmim ndaj popullit boshnjak. Dodik kishte deklaruar se “myslimanët dhe Sarajeva janë armiqtë tanë”, si dhe kishte paralajmëruar rikthimin e ushtrisë së Republikës Sërspka.
Në reagimin zyrtar, Klubi i Popullit Boshnjak thekson se këto deklarata janë pjesë e një retorike të vazhdueshme ndër vite, që sipas tyre synon të diskreditojë dhe të poshtërojë boshnjakët.
Ata konsiderojnë se bëhet fjalë për vepër penale dhe se vetëm veprimi i organeve të drejtësisë mund të ndalojë një qasje të tillë.
“E kaluara e Bosnjës dhe Hercegovinës dëshmon se fjalët që nuk ndëshkohen me kohë shpesh paraprijnë ngjarje më të rënda”, thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit boshnjakë kanë paralajmëruar po ashtu se do të kërkojnë nga institucionet kompetente zbatimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila e ka dënuar Dodikun me një vit burg dhe me ndalimin për një periudhë 6 vjecare të ushtrimit të funksioneve publike./et
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, deklaroi se i ka shpëtuar një atentati gjatë një fluturimi me helikopter. Gjatë një mbledhjeje të transmetuar drejtpërdrejt të kabinetit, Petro iu referua një ngjarjeje të ndodhur të hënën në mbrëmje, kur helikopteri i tij nuk mundi të ulej në destinacionin e planifikuar për shkak të frikës se persona të armatosur “do të qëllonin” ndaj tij.
Ai ndodhej në provincën Kordoba për të inspektuar zonat e përmbytura pas reshjeve të dendura të shiut. Petro njoftoi gjithashtu se ka urdhëruar daljen në pension të një gjenerali të policisë, të cilin e akuzon se ka tentuar të “sabotojë” takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 3 shkurt.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2022, Petro ka denoncuar vazhdimisht komplotet e grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës kundër tij, ndërsa sipas mediave, edhe Administrata Amerikane kundër Drogës (DEA) e ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme./et
Këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka reaguar pas eksperiencës tre-ditore në shtëpinë e Big Brother, duke ndarë emocionet dhe falënderimet për fansat që e mbështetën gjatë kësaj aventure të shkurtër, por të mbushur me momente të veçanta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Luiz u shpreh:
“Faleminderit nga zemra për gjithë mbështetjen dhe pozitivitetin që më dhuruat gjatë atyre 3 ditëve në Big Brother ????✨ Çdo mesazh, çdo koment, çdo fjalë e mirë ka pasur vlerë të madhe për mua.”
Ai shtoi se ky përvojë e shkurtër nuk ishte vetëm një mundësi për të njohur më mirë vetveten dhe banorët e tjerë, por edhe një mënyrë për të dhuruar pak lumturi dhe buzëqeshje për publikun. “Jam vërtet i lumtur që arrita t’ju dhuroj sadopak momente humori, buzëqeshje dhe kënaqësie. Në fund të ditës, kjo është ajo që ka më shumë rëndësi ❤️ Mirënjohës për secilin prej jush,” theksoi Luiz.
Ky reagim ka gjetur mbështetje të madhe nga ndjekësit e tij, të cilët e kanë vlerësuar për pozitivitetin dhe energjinë që solli në shtëpinë e Big Brother, edhe pse qëndrimi i tij zgjati vetëm tre ditë./mxh
Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski zhvilloi këtë të mërkurë disa takime me figura të politikës dhe të drejtësisë.
Më konkretisht, ai u takua me presidentin Bajram Begaj, ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Albana Koçiu, kreun e SPAK, Klodian Braho, drejtuesin e GJKKO , gjyqtarin Erjon Bani si edhe figura të tjera të ligjit dhe drejtësisë.
Ka qenë ambasada e SHBA në Tiranë që ka ndarë disa fotografi nga takimet, ndërsa ka zbardhur edhe diskutimet mes tyre. Ambasada thotë se SHBA janë të fokusuara n bashkëpunimin “për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare.”
“Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.
Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare.”, njofton ambasada./et
Ministria e Financave organizoi një takim të zgjeruar në nivel të lartë institucional, në vijim të dialogut të vazhdueshëm mbi përdorimin e Skemës së Garancisë Sovrane të Qeverisë Shqiptare dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro,të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM) nga sektori bankar.
Takimi u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, me pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe Drejtorëve të Përgjithshëm të bankave tregtare që operojnë në vend dhe përfaqësuesve nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i progresit të deritanishëm në zbatimin e instrumenteve të financimit, identifikimi i çështjeve që ndikojnë në transmetimin efektiv të kreditimit drejt ekonomisë reale, si dhe adresimi i sfidave të evidentuara nga sektori bankar dhe subjektet përfituese. Ndër të tjera, takimi synoi gjithashtu edhe përcaktimin e masave konkrete për përmirësimin e aksesit në financim për fermerët, ndërmarrjet bujqësore dhe bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, në përputhje me parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetit financiar.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se sektori bujqësor mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë së Shqipërisë. Me afrimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në tregun e përbashkët evropian është e nevojshme që biznesi shqiptar të përmirësojë produktiviteti dhe të rrisë vlerën e shtuar përgjatë të gjithë zinxhirit prodhues. Si rrjedhojë, Skema e Garancisë Sovrane duhet parë si një mundësi që përshpejton pikërisht këtë proces sa jetik aq edhe imediat.
Ndërkohë, Qeveria do vazhdojë të mbështesë sektorin edhe nëpërmjet kanaleve të tjera, duke synuar përthithjen e investimeve të mëtejshme e duke siguruar kështu sektorin bankar për rentabilitetin afatgjatë të sektorit. Nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë, paketës fiskale si dhe rifillimin e IPARD III, sektori do vazhdojë të jetë në vëmendjen e politikave qeveritare përgjatë gjithë mandatit.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke vlerësuar angazhimin e Bankës së Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes Kuadër për zbatimin e Skemës së Garancisë Sovrane, theksoi rolin e institucionit në mbështetjen e kësaj nisme, në përputhje me objektivat më të gjera të politikave të sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ai nënvizoi se Skema është konceptuar si një instrument plotësues, që kontribuon në përmirësimin e transmetimit të kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur njëkohësisht parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetin financiar.
Guvernatori evidentoi gjithashtu disa vëzhgime mbi zbatimin e Skemës, duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani, si dhe duke theksuar nevojën për adresimin e disa çështjeve operacionale, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe përthithjes së saj. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve publike, sektorit bankar dhe institucioneve të tjera të përfshira, për të siguruar që Skema të vijojë të jetë në linjë me objektivat strategjikë të politikave financiare dhe të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të kreditimit.
Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u shpreh se Skema e Garancisë ka filluar të shfaqë efektet pas një periudhe ku fermerët kishin nevojë të njiheshin me të. Rritja e interesit dhe e aplikimeve nga fermerë apo biznese agro-përpunuese tregon qoftë nevojën që ka sektori për financim, po aq edhe potencial afatgjatë që sipërmarrësit shohin.
MBZHR dhe agjencitë e saj të varësisë do vazhdojnë të bashkëpunojnë me fermerët për informimin e tyre dhe për t’i asistuar ata përgjatë procesit të aplikimit. Rritja e këtij bashkëpunimi trepalësh mes agjencive publike, bankave dhe fermerëve po krijon mundësi për të njohur dhe hulumtuar më tej potencialin zhvillimor të sektorit.
Drejtuesit e sektorit bankar ndanë përshtypjet e tyre për ecurinë e dy skemave. Ata ranë dakord që pas një periudhe njohje, për sipërmarrësit dhe për bankat, muajt e fundit kanë treguar një gjallërim të skemës. Për më tepër, sipas të dhënave të brendshme, bankat konfirmojnë se një sërë aplikimesh të tjera janë aktualisht në proces vlerësimi.
Nga ana e sektorit bankar u ofruan disa opinione mbi ndërhyrje të ndryshme që mund të ndërmerren në të ardhmen me synim rritjen e efikasitetit të përdorimit të skemave. Ministrat dhe Guvernatori u angazhuan për vlerësim serioz të këtyre opinioneve dhe vazhdimin e diskutimit në takimet e ardhshme.
Pjesëmarrësit u bënë thirrje bankave që të intensifikojnë përpjekjet për orientimin e fermerëve drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit dhe investimit në sektorin bujqësor. Në këtë kontekst, autoritetet publike bëjnë thirrje që bizneset dhe fermerët të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit, duke përfituar nga programet dhe skemat ekzistuese, për të zhvilluar aktivitetet e tyre dhe për të kontribuar në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.
Institucionet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm, në funksion të rritjes së aksesit në financim, nxitjes së investimeve dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik, me fokus të veçantë sektorin e bujqësisë dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Skema e Garancisë sovrane për bujqësinë, për herë të parë, mbështet drejtpërdrejt fermerët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor dhe agropërpunues, me një fond prej 3 miliardë lekësh (30 milionë euro).
Garancia Sovrane mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë, me normë interesi të kufizuar në 2%, periudhë grace minimale 12 muaj dhe pa penalitete për shlyerje të parakohshme./et
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka një ndryshim orari në ndeshjen e javës së 24-t të kampionatit “Kategoria Superiore”, Partizani – Tirana.
Derbi i kryeqytetit do të zhvillohet të dielën, në orën 16:30, në stadiumin “Air Albania”.
Ky ndryshim është miratuar nga Komisioni i Ligave dhe Garave./et
Parlamenti Evropian ka miratuar një propozim të Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, për të financuar shpenzimet ushtarake dhe buxhetore.
Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan kredinë për Ukrainën për periudhën 2026-27 me 458 vota pro, me 140 ligjvënës që votuan kundër dhe 44 abstenime, transmeton Telegrafi.
Kredia për Ukrainën përbëhet nga 60 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro mbështetje buxhetore të financuara përmes huamarrjes së BE-së.
Vota në Parlamentin Evropian ishte planifikuar më parë për një seancë të posaçme plenare të thirrur më 24 shkurt për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por u shty për më 11 shkurt.
Më 19 dhjetor, samiti i Bashkimit Evropian miratoi një vendim për një kredi të përbashkët për t’i siguruar Ukrainës 90 miliardë euro, të cilat mbulojnë dy të tretat e nevojave të Ukrainës në periudhën 2026-27 si në sektorin buxhetor ashtu edhe në atë të mbrojtjes.
Më 4 shkurt, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ranë dakord mbi mekanizmat për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh në vitet 2026-27, duke përfshirë edhe lejimin e vendeve të treta për të marrë pjesë./et
Gjykata Administrative do të zhvillojë më datë 3 prill seancën përgatitore lidhur me kërkesë-padinë e Erion Veliajt për prokurorin e posaçëm, Ols Dado.
Kryebashkiaku pretendon se është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin, pasi nuk kishte kryer Magjistraturën.
Veliaj pretendon gjithashtu se zoti Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet ligjore. /et
Kanë kaluar vetëm 48 orë, nga momenti kur jo vetëm katër përfaqësuesit e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, por gjithë kombi shqiptar e jo vetëm u shokuan tërësisht nga aktakuza e Prokurosisë Speciale. Madje, jo vetëm formulimi i saj, por edhe shkalla e dëmimit të kërkuar ishte jashtë çdo logjike dhe ndoshta do të kishte qenë me burrërore prejt tyre të kërkonin dënime të përjetshme se sa të fshiheshin pas numrave. Duke dashur të eleminoj çdo emocion apo zëmratë njerëzore, krejtësisht të natyrshme, ndrydha reagimin e menjëhershëm që është krejtësisht normal në një rast të tillë. Por, nuk mundesha ta kapërdij në asnjë moment që njerëzit të cilët rrokën armët për të mbrojtur jetën e tyre e të familjarëve të tyre, shfarosjen që kishte planifikuar regjimi millosheviçian dhe ultranacionalistët serbë jo verëm që ia paskan dalë të realizojnë këtë mbrojtje, por paskan pasur edhe gjithë predispozicionin për të kryer krime. Absurditet të tillë rrallë dëgjon të artikulohet. Por, gjithsesi, aludimet apo interpretimet emocionale nuk përbëjnë argumentet dhe është e vërtetë. Le të fillojmë me argumentet thelbësore. Pyetja shtrohet se çfarë konsiderohen në të drejtën ndërkombëtare “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”?
Dhe nëse konsulton këtë aspekt mëson se:
Në të drejtën ndërkombëtare, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit janë dy kategori të ndryshme, por shumë serioze, të parashikuara kryesisht në:
-Konventat e Gjenevës (1949)
-Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN / ICC)
-Të drejtën zakonore ndërkombëtare
Krimet e luftës
Janë shkelje të rënda të ligjeve dhe zakoneve të luftës, që kryhen gjatë një konflikti të armatosur (ndërkombëtar ose civil).
Përfshijnë:
1-Sulme kundër civilëve;
Vrasja e qëllimshme e civilëve;
Bombardime pa dallim;
Sulme ndaj spitaleve, shkollave, objekteve humanitare.
2-Keqtrajtimi i robërve të luftës;
Tortura;
Trajtim çnjerëzor;
Ekzekutime pa gjyq;
3-Përdorimi i armëve të ndaluara
Armë kimike
Armë biologjike
Disa lloje minash ose armësh që shkaktojnë vuajtje të panevojshme
4-Marrja e pengjeve
5-Plaçkitja dhe shkatërrimi i panevojshëm i pronës
6-Rekrutimi i fëmijëve nën 15 vjeç në luftë
Kusht paraprak: duhet të ketë konflikt të armatosur aktiv.
Krimet kundër njerëzimit
Janë akte shumë të rënda të kryera si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile, edhe jashtë një lufte.
Përfshijnë:
1- Vrasje masive
2- Shfarosje (extermination)
3- Skllavëri
4- Deportim ose zhvendosje me forcë
5- Burgim arbitrar
6- Torturë
7- Dhunë seksuale e organizuar
8- Përndjekje për motive politike, etnike, fetare
9- Apartheid
10-Zhdukje me forcë e personave
Kusht paraprak: duhet të jetë sulm i organizuar, i gjerë ose sistematik ndaj civilëve.
Dallimi kryesor
Krime lufte
Ndodhin gjatë luftës
Lidhen me shkelje të ligjeve të konfliktit
Krime kundër njerëzimit
Mund të ndodhin edhe pa luftë
Lidhen me sulm sistematik ndaj civilëve
Është një sqarim i domosdoshëm sepse opinioni publik, duhet të jetë shumë i qartë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht dhe jo emocionalisht.
Nisur nga këto definicione është absolutisht marrëzi të akuzosh pjestarët apo drejtuesit e UÇK-së për këto krime mizore sepse, edhe sikur të kishin dashur, e kanë pasur të pamundur t’ kryejnë sepse ishin në kushtet e ekzistencës pa pushim. Përballë kishin një nga ushtritë më të organizuara, të armatosur deri në dhëmbë dhe të përgatitur psikologjiisht për spastrim etnik së bashku me paramilitarët e frikshëm. Ishte pikërisht ky fakt, këto krime lufte dhe kundër njerëzimit të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë që detyruan opinionin botëror të reagonte me forcë dhe më pas ndërhyrjen e NATO-s, nga ajëri dhe toka që bënë të mundur eksistencën e shqiptarëve. Krimet e tyre monstruoze ndaj shqiptarëve janë dokumentuar dhe pranuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare politike apo të së drejtës ndërkombëtare. Ku dhe ku kanë kryer sulme sistematike kundër civilëve, ku dhe kur kanë bombarduar spitale, shkolla etj., ku dhe ku kanë kryer torturat çnjerëzore, kur ata lëviznin papushim si për mbijetës ashtu edhe për të ndalur krimet kundër bashkëqytetarëve të tyre. Të trajtosh UÇK-në, një nga lëvizjet më legjitime për mbrojtjen e jetës dhe atdheut njëlloj me ushtrinë sërbe dhe paramilitarët e tyre famëkeqë nuk është më absuditet, por tradhëti ndaj vlerave univerale dhe të drejtave univerale të njeriut. Të vesh kaq qorrazi shenjën e barazimit midis kriminelëve të regjur si Karaxhiç, Arkan e shumë të tjerë me Thaçin, Veselin etj., është ligësi njerëzore, juridike dhe historike. Nuk e di dhe as dua të di se çfarë motivesh i kanë shtyrë prokurorët specialë të shkrijnë kufijtë sublimë midis kriminelëve dhe viktimave, por ajo që del si konkluzion është një precedent i frikshëm dhe i rrezikshëm, pasi agresori do trajtohet si viktimë e viktimat si kriminelë. A thua se UÇK e organziaur dhe e armatosur deri në dhëmbë sulmoi Serbinë dhe kreu gjëma të tilla.
Madje, edhe në momentin që ushtria serbe u largua nga territori i Republikës së Kosovës, ishin trupat e NATO- dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë që kishin kontroll mbi gjithë territorin. Si ka mundësi që nuk konstatuan apo u vunë në dijeni për krime të tilla. Si ka mundësi që me dhjetra gazetarë apo reporterë lufte nuk dhanë asnjë lajm që të tregonte për krime të ndryshme të kryera nga pjestarë të UÇK? Si ka mundësi që përçartje si trafiku organeve apo marrëzi të tilla të besohen kaq kollaj, kur edhe më i painformuari e di se këto janë absolutisht të pamundura të ndodhin objektivisht dhe subjektivisht?!
Por ja që edhe ky absurditet ndodhi. Ndodhi në mes të Europës, kontinentit që ka kaluar kalvare luftrash pafund e dy konflikte botërere në territorin e saj, ku çështja agresor-viktimë është më e qartë se kudo tjetër. Nuk janë emocionet që shkaktuan këtë reagim të gjithë shqiptarëve kudo janë, por është klithmë ndaj padrejtësisë që nuk i bëhet vetëm shqiptarëve, por çdo kombi që ka përjetuar genocidin skundër shqiptarët në çdo cep të planetit.
Është klithmë e viktimave në atë botë e në këtë botë, është klithma e të pafajshmeve të sfarit njerëzor, në Sarajevë, është klithma e çdo viktime të torturuar, abuzuar seksualisht, klithma e fëmijëve të mbetur jetimë e të gjymtuar nga bombardimet apo aktet barbare, është klithma e familjeve të zhdukura dhe gurrëve të rrënojva, është klithma e së drejtës për jetë e liri, që nuk ka aktakuzë burokratësh të llastuar e mirëpaguar ta ndalë për të oshëtirë golbalisht.
Kjo aktakuzë cinike dhe e ligë nuk ka shokuar shiptarët, por çdo njeri të lirë në planet, çdo institucion ndërkombëtar!
Krenarë dhe mirënjohës pa fund për çdo pjestar të UÇK-së, çdo drejtues të saj, për çdo shqiptar që ishte pjesë aktive e rezistencës për mbijetesë dhe lirinë e Kosovës sepse janë shembull që do të gjëmojë përjetë në histori, se si mbijetoi një komb nga shfarosja e nacionalizmit serb!
Sepse Lirika ka emër- UÇK, por po ashtu edhe Krimi ka emër dhe autorë- Millosheviç-Serbi!
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar si skandaloze deklaratat e Sali Berishës lidhur me protestën e zhvilluar të martën. Sipas tij, ka një kontradiktë të hapur mes asaj që thuhet publikisht dhe asaj që ndodh në terren.
“Vjen një moshë që besoj se njeriu nuk mundet ta tejkalojë më vetveten. Dhe doktori këtu, për mua, këto janë deklarata skandaloze që ka bërë. Vetë militantët, militantët e urdhëruar prej tij, hedhin zjarr, hedhin molotovë ndaj policëve, dhe ai thotë që qeveria po i vë zjarrin policisë”, tha Bido.
Deputeti i PS shtoi se Berisha i ishte rikthyer retorikës së përdorur në 21 janarin e vitit 2011. “U kthye dhe filloi të fliste prapë për ato stilolapsat pistoletë, siç doli pas 21 janarit, duke thënë që zjarri ndaj kolegut të Neës24 ishte hedhur nga policia, ndërkohë që ne pamë se kush po e hidhte zjarrin. Filloi të fliste për policët që janë bërë mish për top dhe nuk e kuptoj, kur e kishte vetë në dorë që të mos hidheshin molotovët. Thotë se polici bën detyrën e vet atje. Mjafton që të mos hidhet molotovi dhe nuk ka policë të plagosur. Dhe këto skenat me “Azem, ti je gjallë” i kemi parë edhe në të shkuarën. Shfrytëzimi i dëmtimit të Bledionit, për mua, është i rëndë”, tha Bido. /et
Vendimet për legalizimin e ndërtimeve informale do t’u dërgohen qytetarëve drejtpërdrejt në profilin e tyre në platformën e-Albania. Agjencia Shtetërore e Kadastrës informon se dokumenti do të mbërrijë menjëherë në telefon apo kompjuter, duke eliminuar nevojën për paraqitje fizike në sportele apo pritjen në radhë.
Në këtë mënyrë qytetarët mund të marrin vendimin për legalizimin në kohë reale, me gjurmueshmëri elektronike dhe siguri më të lartë.
Po ashtu në mënyrë elektronike tashmë do të ofrohet edhe një tjetër shërbim siç është aplikimi online për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim.
Aplikimi kryhet elektronikisht, pa nevojë paraqitjeje fizike, duke ngarkuar dokumentacionin përkatës në sistem. Ky shërbim pritet të përshpejtojë proceset e kalimit në pronësi, të rrisë formalizimin dhe të ulë hapësirat për vonesa apo keqkuptime procedurale./et
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka uruar për emërimin në detyrën e Prefektit të Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdarin.
Balla e cilëson një përgjegjësi të rëndësishme në shërbim të qytetarëve dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se prefekti ka një rol kyç si përfaqësues në nivel qarku dhe si garant i zbatimit të ligjshmërisë nga organet e pushtetit vendor.
Postimi i Ballës
Urime Prefektit të ri të Qarkut Tiranë!
I urova sot Shkelqim Hajdarit suksese në detyrën e re Prefektit të Qarkut Tiranë, një përgjegjësi e rëndësishme në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Prefekti ka një rol të rëndësishëm si përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave në nivel qarku dhe garant i zbatimit të ligjshmërisë nga organet e pushtetit vendor. Tirana, si zemra administrative, politike dhe ekonomike e vendit, kërkon përkushtim, integritet dhe vendimmarrje të drejtë në zbatim të ligjit. Jam i bindur se me profesionalizëm dhe përgjegjësi Shkelqim Hajdari do ta përmbushë me dinjitet këtë mision në shërbim të komunitetit.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka emëruar prokurorin e njohur si i diskutueshëm, Akın Gürlek, si Ministër të Drejtësisë të Turqisë — një lëvizje që ka nxitur reagime të ashpra politike dhe kritika nga opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Kush është Akın Gürlek
Akın Gürlek është një jurist turk dhe ish-prokuror i Përgjithshëm i Stambollit, i cili ka fituar famë e kritikë për rolin e tij në çështje gjyqësore që prekën zyrtarë të lartë dhe figura politike, përfshirë anëtarë të Partisë Republikane Popullore (CHP) — partisë kryesore opozitare në Turqi.
Ai ka lindur më 1982 në Nevşehir të Turqisë dhe ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në sistemin gjyqësor, duke shërbyer si gjyqtar në disa gjykata të rëndësishme para se të emërohej prokuror kryesor i Stambollit.
Pse është figurë e diskutueshme
Akın Gürlek u bë i njohur në publik për hetimet dhe çështjet penale ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të partisë opozitare CHP, veçanërisht ndaj kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga kundërshtarët më të fortë politikë të Erdoganit. Gjatë kohës së tij si prokuror, janë ngritur akuza dhe janë bërë arrestime që sipas kritikëve janë politike dhe të motivuara nga interesi i qeverisë, një pretendim që vetë autoritetet turke i mohojnë.
Opozita e ka quajtur emërimin e tij si një “shpërblim për operacionet ligjore që ka ndërmarrë kundër tyre”, duke argumentuar se kjo lëvizje forcon kontrollin e pushtetit ekzekutiv ndaj sistemit të drejtësisë.
Çfarë nënkupton emërimi i tij si Ministër i Drejtësisë
Akın Gürlek mori detyrën e Ministrit të Drejtësisë më 11 shkurt 2026, duke zëvendësuar Yılmaz Tunç në një ndryshim kabineti — pjesë e një riorganizimi të qeverisë nga Presidenti Erdoğan.
Ky është ndryshimi i parë i madh në Kabinet që nga zgjedhjet e vitit 2023, dhe shumë analistë e shohin këtë si një sinjal se qeveria dëshiron të forcojë drejtësinë penale në qendër të agjendës politike, veçanërisht në kohë kur ka debate për reforma kushtetuese dhe sfida politike nga opozita.
Reagimet politike
– Opozita e ka kritikuar ashpër emërimin, duke argumentuar se ai përfaqëson një instrumentalizim të drejtësisë për qëllime politike.
– Qeveria dhe mbështetësit e Erdoganit thonë se emërimi reflekton besimin në përvojën dhe aftësitë e tij profesionale. (përmendet në raporte të mediave ndërkombëtare) /kb
Kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, tha sot se protesta e djeshme e opozitës ishte një kapitull i ri për vendin, përmes kryengritjes paqësore kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një konferencë nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se pjesëmarrja e djeshme bindi shqitparët për gjendjen e qeverisë dhe fitoren e sigurt mbi të.
“Protestuestit dje i zbardhën faqen Shqipërisë. Shënuan një kapitull të ri në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narkoregjimit të Edi Ramës. Pas 20 shkurtit 1991, 10 shkurti 2026 do të shënohet në përpjekjen e shqiptarëve për dinjitet kombëtar e njerëzor si ngjarja më e rëndësishme dhe faqja më e ndritur për çlirimin nga autodiktatura kriminale që kryesohet nga Edi Rama. Mirënjohje atyre, që dje rikthyen shpresën dhe besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre mbi narkoshtetin. Shqipëria është tjetër sot, nuk është kurrë më ajo e një dite më parë. Kjo është meritë e madhe e njerëzve të idealeve dhe sakrificës, të gatshëm në mbrojtjen e idealeve më të çmuara. Bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt dhe se Rama është kufomë politike e pakallur. Regjimi i i tij kundërmon dhe duhet hedhur sa më parë”,-tha Berisha./Kb
Reshjet e shumta të javëve të fundit në juglindje kanë krijuar probleme serioze në tokat bujqësore, veçanërisht për kulturat e lashta si gruri dhe elbi. Lagështira e tepërt dhe mungesa e kullimit po rrezikojnë drejtpërdrejt rendimentin e këtij sezoni, sidomos në zonat fushore.
Specialistët e bujqësisë theksojnë se kullimi është kushti kryesor që këto kultura të shprehin potencialin e tyre prodhues. Teprica e ujit në tokë dëmton rrënjët, ul aktivitetin mikrobiologjik dhe prish strukturën e saj, duke i bërë bimët më të ndjeshme ndaj sëmundjeve.
“Gruri, elbi dhe të lashtat e tjera duhet të plotësojnë një sërë kushtesh për të shprehur aktivitetin e tyre prodhues. Ndër këto kushte, rëndësia më e madhe është kullimi, për shkak edhe të reshjeve të shumta kohët e fundit. Teprica e ujit shkakton dëme të mëdha në këto kultura: rrënjët mbeten në sipërfaqe, ulet aktiviteti mikrobiologjik i tokës, prishet struktura e saj nga prania e tepërt e ujit dhe bimët janë më të predispozuara të preken nga sëmundjet”,-thekson Përparim Kuqo, Specialist pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore.
Specialistët kërkojnë ndërhyrje urgjente për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, si dhe planifikimin e plehërimit plotësues, për të minimizuar humbjet.
“Duhen hapur me patjetër kanalet kulluese dhe të jenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Kjo duhet të jetë një masë urgjente. Fermerët duhet të planifikojnë edhe plehërimin plotësues, sepse është një masë e domosdoshme”,-shprehet Kuqo.
Situata paraqitet më problematike në Bashkinë e Maliqit, ku sipërfaqe të konsiderueshme vijojnë të jenë të mbuluara me ujë. Nëse situata e lagështirës vazhdon, rendimenti i këtij viti për grurin dhe elbin pritet të jetë i kufizuar, me ndikim më të theksuar në parcelat që kanë mbajtur ujë për një kohë të gjatë.
“Dëmi që kemi, sidomos në Bashkinë e Maliqit, është goxha i konsiderueshëm. Ka ende sipërfaqe të mbuluara me ujë. Edhe në Qendrën e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore kemi deri në 2 hektarë të mbuluar me ujë, pavarësisht masave që kemi marrë. Rendimenti i sivjetshëm do të jetë i kufizuar, sidomos në ato parcela që kanë mbajtur lagështi, më i theksuar në Bashkinë e Maliqit”,-tha specialisti.
Ndërsa fushat në disa zona vijojnë të jenë të mbuluara nga uji, sfida për fermerët mbetet rikthimi i tokës në kushte normale prodhimi. Specialistët theksojnë se vetëm përmes masave të menjëhershme për kullimin dhe kujdesit të shtuar agroteknik mund të zbuten dëmet, në të kundërt, prodhimi i grurit dhe elbit këtë vit do të jetë dukshëm më i ulët në zonat më të prekura.
Në këto kushte, fermerët mbeten në pritje të përmirësimit të motit dhe ndërhyrjeve të shpejta në sistemet kulluese, me shpresën për të shpëtuar sa më shumë nga prodhimi i këtij viti./Kb