Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Gazeta Fjala

06:45 Vllaznia mposht Dinamon, shkodranët festojnë në kryeqytet

By: Klara
20 January 2026 at 06:45

Vllaznia triumfoi 2-0 në supersfidën e javës së 20-të në Superiore ndaj Dinamos. Shkodranët ia dolën të marrin 3 pikë të arta në “Air Albania”, në një ndeshje shumë të luftuar.

Sfida nisi me raste në të dyja portat, ndërsa shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 33-të. Bekim Balaj shënoi me penallti, duke mposhtur portierin Aldo Teqja.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa fraksioni i dytë nisi me disa minuta vonesë, për shkak të problemeve me energjinë elektrike në stadium.

Pas rifillimit, Dinamo e kishte të vështirë për të reaguar, pasi nuk gjeti hapësira. Goditjen përfundimtare kryeqytetasve ua dha Kallaku në minutën e 84-t, i cili shënoi pas një kundërsulmi të Kastratit.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në vendin e dytë me 36 pikë, vetëm dy pikë më pak se Egnatia kryesuese.

Dinamo ka zbritur në vendin e katërt me 33 pikë të grumbulluara./K.M

06:30 Problemi në linjën e transmetimit/ OST njofton rikthimin e energjisë në Tiranë

By: Klara
20 January 2026 at 06:30

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes me anë të një deklarate për shtyp ka njoftuar se defekti në linjën e transmetimit është rregulluar dhe është rikthyer energjia elektrike.

Në njoftimin e bërë, OST bën me dije se defekti u riparua rreth orës 22:09 duke rikthyer energjinë në të gjitha lagjet e kryeqytetit.

Njoftimi i OST

Sot në mbrëmje, rreth orës 20:30, u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori” e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Brigadat e OST-së, në gatishmëri të plotë, identifikuan menjëherë defektin në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.

Ndërkohë, nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm u furnizuan me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar, në bashkëpunim me OSHEE-në, përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.

Menjëherë pas identifikimit të defektit, brigadat e linjave në terren morën masat për riparimin e tij. Paralelisht, grupet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes manovruan linjat rezervë përmes skemave unazë, me qëllim minimizimin e ndikimit te konsumatorët.

Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash.

Në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët./K.M

06:15 Parashikimi i motit 20 janar 2026

By: Klara
20 January 2026 at 06:15

Moti në vend pritet kryesisht i vrenjtur, me vranësira të shpeshta dhe reshje të herëpashershme shiu, më të theksuara në zonat bregdetare dhe qendrore.

Temperaturat do të jenë të ulëta dimërore, ndërsa në zonat malore nuk përjashtohet borë e dobët. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare.

Në përgjithësi, një ditë e freskët dhe e paqëndrueshme./KM

06:00 Horoskopi, 20 janar 2026

By: Klara
20 January 2026 at 06:00

Dashi

Do ndiheni aq te lumtur sot ne krahët e partnerit tuaj, saqë nuk do dëshironi te shkëputeni asnjë moment prej tij. Emocionet dhe kënaqësitë do jene te mëdha. Beqaret do fillojnë te pëlqejnë tej mase një person te cilin me pare as qe e konsideronin fare. Ne planin financiar do ndërmerrni sfida te vështira, por ne fund do ja dilni ta stabilizoni situatën.

Demi

Nëse jeni ne një lidhje qe prej kohesh, sot do kaloni një dite shume te veçante dhe te mbushur me surpriza te mëdha. Tregohuni ne çdo moment te disponueshem për partnerin. Beqaret duhet t’i bëjnë sytë katër sepse personi ideal do jete shume afër tyre. Ne planin financiar duhet ta dyfishoni maturinë. Nëse e kaloni me sukses këtë dite do ndiheni me te qete.

Binjaket

Mos kërkoni t’i zgjidhni menjëherë te gjitha problemet e jetës suaj ne çift sot sepse nuk do mund t’ia dilni dot. Mundohuni te paktën te sqaroni gjerat me kryesore. Beqaret nuk duhet te presin shume për te pranuar ftesën qe do iu beje dikush sepse te tjerë persona do jene gati ta bëjnë atë. Ne planin financiar do ketë vetëm disa probleme te vogla.

Gaforrja

Marrëdhënia ne çift nuk do jete aspak ashtu si ju e keni pritur. Do ketë debate edhe për disa gjera elementare dhe kjo për shkak te kokëfortësisë. Beqaret do realizojnë takime pa fund dhe me ne fund do e gjejnë një person te përshtatshëm për t’i qëndruar pranë. Me financat do jeni me te kujdesshëm se kurrë. Gjendja do jete e shkëlqyer.

Luani

Pasioni do ndizet flake gjate kësaj dite për ju qe jeni ne një lidhje dhe do përjetoni kënaqësi te papërshkrueshme. Shfrytëzojeni deri ne maksimum çdo sekonde. Beqaret do jene te paqarte për atë qe duan te bëjnë dhe nuk do guxojnë as te pranojnë ftesa. Financat do jene goxha te qëndrueshme. Nuk do keni për çfarë te qaheni sepse do i kryeni shpenzimet e nevojshme.

Virgjeresha

Do kaloni një dite mjaft interesante sot juve qe jeni ne një lidhje dhe do ndiheni me te vërtetë mire. Disa mund te mendojnë te hedhin edhe ndonjë hap me serioz. Beqaret duhet te presin edhe pak kohe për te ndryshuar statusin e tyre. Ende nuk ka ardhur koha e duhur. Perspektivat financiare do jene goxha te mira. Mund t’i kryeni pa frike shpenzimet e domosdoshme.

Peshorja

Partneri do ju mbaje ne pëllëmbe te dorës gjate gjithë kësaj dite dhe ju nuk do keni aspak për çfarë te qaheni. Nga ana tjetër edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen me te qete. Beqaret do kenë mundësi shume te mira për te filluar lidhje serioze. Ne planin financiar do keni goxha vështirësi, te cilat mund t’i zgjidhni vetëm fale ndihmës se specialisteve.

Akrepi

Ata qe janë ne një lidhje do marrin komplimente te shumta nga parteri dhe do ndiheni mjaft mire. Ne fakt kishin kohe qe ato kishin munguar. Beqaret do kalojnë një dite harmonike dhe plot takime. Se çfarë do ndodhe me pas do e kenë vete ne dore. Ne planin financiar do keni goxha vështirësi nëse nuk tregoheni te kujdesshëm me çdo shpenzim.

Shigjetari

Venusi do jete planeti qe do krijoje një klime harmonike ne jetën tuaj ne çift. Do ndiheni me se miri ne krahët e atij qe dashuroni dhe do i harroni te gjitha problemet e se kaluarës. Beqaret do jene te vendosur ta bëjnë për vete personin qe pëlqejnë dhe do ja dalin mbanë. Dielli do ju ndihmoje ta përmirësoni gjendjen financiare. Ne këtë mënyrë do mund te shpenzoni edhe pak me tepër.

Bricjapi

Dite shume delikate kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Kujdes me çdo gjë qe do i thoni partnerit sepse pa dashje mund ta lëndoni. Beqaret do kenë surpriza pa fund dhe takime mbresëlënëse. Priten ndryshime rrënjësore ne jetën sentimentale. Me financat duhet te merreni me shume sot. Po i late gjerat te përmirësohen me kohen do dilni te humbur.

Ujori

Te dashuruarit duhet te gjejnë mënyrën e duhur për ta joshur sa me shume partnerin he per ta mbajtur gjithë kohës pas vetes. Disa persona do kërkojnë t’ua rrëmbejnë. Ata qe sapo kane mbetur beqare për shkak te një ndarjeje me mire te qëndrojnë ashtu si janë dhe te reflektojnë për te ardhmen. Financat ne përgjithësi do jene te mira dhe pa probleme.

Peshqit

Te dashuruarit do kalojnë një dite te zakonshme dhe pa asgjë te veçante. Gjithsesi e rëndësishme është qe nuk do kenë probleme. Për beqaret priten dashuri me shikim te pare gjate kësaj dite. Gjithçka ka për te ndryshuar njëherë e mire për ta. Ne planin financiar mos shpenzoni kuturu sepse ne një moment situata mund te dale jashtë kontrollit./K.M

Yesterday — 19 January 2026Gazeta Fjala

22:59 Një pjesë e Tiranës pa drita/ Reagon OSHEE: Avari në linjën e transmetimit

By: Monika
19 January 2026 at 22:59

Mbrëmjen e sotme një pjesë e lagjeve të Tiranës kanë pasur shkëputje të energjisë elektrike.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, OSHEE njofton se ka ndodhur një avari në linjën e transmetimit 110kV.

OSHEE bën me dije se në institucionet e rëndësisë së veçantë është rikthyer energjia.

Më tej në njoftim thuhet se grupet e OSSH po manovrojnë përmes skemave unazë në linjat e dyta.

Gjithashtu bëhet me doije se në disa zona është kthyer energjia pas vetëm 30 minutash.

Njoftimi i OSHEE

Avari në linjën e Transmetimit 110kV, rikthehet energjia në institucionet e rëndësisë së veçantë
OSSH po punon për furnizimin me linja të dyta
Rreth orës 20:30 është staktuar linja e transmetimit 110kV Tirana 220 kV – Traktora, ku për disa minuta la pa energji elektrike disa zona të Tiranës.
Aktualisht, grupet e OSSH po manovrojnë me linjat e dyta përmes skemave unazë.
Institucionet e rëndësisë së veçantë kanë marë energji elektrike, si dhe në disa zona është rikthyer brenda 30 minutash.
Aktualisht pa energji elektrike janë një pjesë e rrugës “Ali Demi”, zona pranë Teleferikut, Fresku, zonat pranë “Rruga e Elbasanit”, etj./mxh

22:47 Reali e shkarkoi, Alonso bëhet “okazion” për Premier League

By: Monika
19 January 2026 at 22:47

Xabi Alonso pritet të bëjë një periudhë pushimi nga futbolli pas largimit nga Real Madridi. Trajneri spanjoll u shkarkua pas humbjes në Superkupë ndaj Barcelonës, që i dha fund projektit të tij te “Los Blancos”.

Përveç rezultateve, në Spanjë raportohet edhe për vështirësi në marrëdhëniet me dhomën e zhveshjes. Megjithatë, emri i Alonsos mbetet shumë i kërkuar në tregun e trajnerëve.

Premier League shihet si destinacioni më i mundshëm për të ardhmen e tij. Sipas “The Times”, Alonso synon të pushojë për disa muaj përpara se të rikthehet në fund të sezonit.

Manchester United, Tottenham dhe Liverpool janë klubet më të përfolura. Edhe Manchester City e ndjek situatën, në varësi të së ardhmes së Pep Guardiolës./mxh

22:35 Einxhel hapi arkivat e 2016-s dhe s’e priste të shihte DJ Dagz!

By: Monika
19 January 2026 at 22:35

Si shumë persona nga showbiz-i shqiptar, edhe Einxhel Shkira iu bashkua trendit të kthimit pas në kujtimet e vitit 2016, një vit që interneti në mbarë botën po e kujton me shumë nostalgji, duke e konsideruar shpesh si “i fundit vit shumë i bukur” që kemi dëshmuar kolektivisht.

Einxhel postoi disa foto të saj nga arkiva e 2016-s, me mbishkrimin “mund t’i fshi më vonë”:

Në foton e dytë, ajo thotë se “ka diçka bombastike në atë postim” dhe në sy bie direkt emri i DJ Dagz në listën e njerëzve që kanë pëlqyer postimin:

Pra, na doli që Einxhel ka qenë në radarin e Dagz-it shumë më përpara “Big Brother VIP Albania 1”! Për këtë, edhe Einxhel tha me humor:

“Ja pra vajza, dashuria e jetës tuaj mund të jetë diku aty dhe po të ishit pak më të vëmendshëm, ose ai të kishte guxuar pak më shumë… mund të kishit 4 fëmijë tani. Nejse, kot s’thonë që çfarë është kësmeti yt, s’ta merr njeri.”

Kështu që, ndjekëse të dashura, kijeni pak më shumë mendjen se kush po jua pëlqen fotot që postoni, ose jo…çfarë është e shkruar për ty, do të të gjejë, dhe Einxhel na doli prova e gjallë e kësaj shprehjeje!/mxh

22:27 Nga çështja e Groenlandës, siguria dhe tarifat amerikane/ Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik në Davos

By: Monika
19 January 2026 at 22:27

Në Zvicër do të mbahet Forumi Ekonomik i Davos. I pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent u shpreh se Trump do të jetë prezent në takim dhe se do të përcjellë edhe mesazhet e tij të rëndësishme.

“Ka qenë një vit i ngjeshur dhe presidenti do të jetë këtu të mërkurën dhe të enjten, për të folur për qëndrimet e tij për të ardhmen”, tha ai.

Bessent hodhi poshtë sugjerimet se shtytja e Trump për Grenlandën është e motivuar nga përpjekja e tij publike për një Çmimin Nobel për Paqen, duke e quajtur atë një “mashtrim të plotë”.

Ai nënvizoi se presidenti e sheh Grenlandën si një “aset strategjik” për Amerikën dhe nuk do t’ia “delegojë sigurinë e hemisferës askujt tjetër”.

Në një letër të raportuar të hënën, Trump i tha kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store se nuk ndihet më i detyruar të përqendrohet ekskluzivisht te paqja pasi “vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen” dhe përsëriti kërkesat për kontroll të SHBA-së mbi Groenlandën. Lidhur me tarifat amerikane, sekretari i Thesarit nënvizoi liderët europianë duhet të dëgjojnë fjalën e presidentit amerikan.

Në Davos do mbahet takimin vjetor i WEF, një takim global ku liderët politikë, drejtuesit e kompanive globale, akademikët dhe figurat publike diskutojnë çështje ekonomike, gjeopolitike dhe sociale./mxh

22:16 Më shumë se 160 besimtarë të rrëmbyer në Nigeri

By: Monika
19 January 2026 at 22:16

Banda të armatosura kanë rrëmbyer dhjetëra njerëz që ndiqnin dy kisha në shtetin Kaduna të Nigerisë, sipas policisë lokale. Një udhëheqës i lartë i kishës tha se më shumë se 160 besimtarë u rrëmbyen nga persona të armatosur gjatë shërbesës së të dielës.

Ky është rrëmbimi masiv i fundit në Nigeri, ku janë shënjestruar si të krishterë ashtu edhe myslimanë. Bandat, të njohura në vend si “banditë”, kryejnë shpesh sulme të tilla në pjesët veriore dhe qendrore të vendit për të marrë pagesa shpërblimi. Duke përshkruar sulmin e së dielës, policia lokale tha se persona të armatosur me “armë të sofistikuara” hynë me forcë në dy kishat në Kurmin Wali, një komunitet pyjor në lagjen Afogo, rreth orës 11:25 me kohën lokale.

“Sulmuesit erdhën në numër të madh, bllokuan hyrjen e kishave dhe i detyruan besimtarët të dilnin në shkurre”, tha të hënën për agjencinë e lajmeve AFP, Reverend Joseph Hayab, kreu i Shoqatës së Krishterë të Nigerisë për veriun e vendit.

Duke folur për Reuters, Hayab shtoi: “Më erdhi informacion nga pleqtë e kishave se 172 besimtarë u rrëmbyen, ndërsa nëntë të tjerë ikën”.

Në nëntor, më shumë se 300 nxënës dhe mësues u rrëmbyen nga një shkollë katolike. Ata u liruan më vonë në dy grupe të njëpasnjëshme. Kjo ishte ndër një sërë rrëmbimesh që bënë bujë në mediat ndërkombëtare. Nigeria po përballet me sfida të shumta sigurie, duke përfshirë rrëmbime për shpërblim nga bandat kriminale, një kryengritje islamiste në verilindje, dhunë separatiste në juglindje dhe një betejë midis barinjve dhe fermerëve në qendër për aksesin në tokë dhe ujë.

Ekspertët thonë se korrupsioni, ndarja e dobët e informacionit të inteligjencës dhe policia lokale e financuar dobët kanë penguar përpjekjet për të trajtuar krizat e ndryshme. Ministri i Mbrojtjes i Nigerisë dha dorëheqjen muajin e kaluar në kulmin e krizës së rrëmbimeve, zyrtarisht për arsye shëndetësore, sipas zyrës së presidentit.

SHBA-të janë përfshirë kohët e fundit ushtarakisht në Nigeri, duke nisur sulme ajrore ditën e Krishtlindjeve në dy kampe të drejtuara nga një grup militant islamik në Nigerinë veriperëndimore.

Më herët këtë muaj, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi për sulme të tjera nëse të krishterët vazhdojnë të vriten në kombin e Afrikës Perëndimore.

Në Nigeri ka më shumë se 250 grupe etnike, e cila është e ndarë përafërsisht në një veri kryesisht mysliman, një jug kryesisht të krishterë, me grupe të përziera në mes dhe qeveria thotë se njerëz të të gjitha besimeve kanë qenë viktima të sulmeve./mxh

22:07 Mark Rutte: NATO vazhdon bashkëpunimin me Danimarkën dhe Groenlandën në fushën e sigurisë

By: Monika
19 January 2026 at 22:07

“NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me Danimarkën dhe Groenlandën për çështjet e sigurisë në rajonin e Arktikut”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Mark Rutte.

Rutte është takuar me Ministrin danez të Mbrojtjes Threls Lund Poulsen dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Groenlandës Vivian Motzfeld, për të cilën tha se diskutuan për Groenlandën dhe sigurinë.

“Diskutuam se sa i rëndësishëm është Arktiku, përfshirë Groenlandën, për sigurinë tonë kolektive dhe se si Danimarka po rrit investimet në kapacitetet kyçe. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku si aleatë për këto çështje të rëndësishme”, shkroi Rute në Platformën X.

Sipas mediave daneze, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk iu drejtua gazetarëve pas takimit, por nga ana e tij ministri danez theksoi se takimi ishte “produktiv, pavarësisht situatës së tensionuar”./mxh

21:57 IGJEUM: Të martën rikthehen reshjet, temperaturat disa gradë nën zero

By: Monika
19 January 2026 at 21:57

nstituti i Gjeoshkencave ka ndarë sot një parashikim për kushtet e motit, që pritet të ndryshojnë nga e marta e në vijim.

Sipas të dhënave, të martën në mbrëmje priten reshje shiu në disa zona të vendit.

Po ashtu, sipas IGJEUM, temperaturat në vend do të vijojnë të ulen me disa gradë nën atë minimale.

Reshjet:

Sot, e hënë, datë 19, nuk priten reshje ndërsa nesër (e martë, datë 20) priten reshje të dobëta në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Temperatura:

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 4 / 12 °C

në vendet e ulëta: 0 / 12 °C

në vendet malore: -5 / 5 °C

Era:

Sot dhe nesër, era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare./mxh

21:47 Sulme me peshkaqenë në Sidnei, dy persona në gjendje të rëndë

By: Monika
19 January 2026 at 21:47

Dy persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, raportohet se janë në gjendje kritike për jetën pas sulmeve të ndara nga peshkaqenët në Sidnei, Australi, incidenti i tretë brenda dy ditësh.

Djali ishte duke notuar me miqtë vonë të dielën pasdite, pranë plazhit Shark në Vaucluse, kur u kafshua.

Policia tha se ai u nxor nga uji nga miqtë dhe shërbimet e urgjencës me lëndime të rënda në të dyja këmbët.

“Ai është në betejë me jetën tani”, tha policia e vendit.

Dy incidente të tjera u raportuan gjithashtu në Sidnei. Australia sheh rreth 20 sulme peshkaqenësh në vit, me pak më pak se tre prej tyre që janë fatale, sipas të dhënave nga grupet e ruajtjes së natyrës – numra që janë shumë më të vogël nga mbytjet dhe aksidentet e tjera në plazhet e vendit./mxh

21:36 “Dëgjoja vetëm ulërima” pas tragjedisë pasagjerja e trenit në Spanjë jep dëshmi!

By: Monika
19 January 2026 at 21:36

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje mes dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës, mbrëmjen e së dielës. Zyrtarët lokalë e përshkruajnë ngjarjen si aksidentin më të rëndë hekurudhor në vend në më shumë se një dekadë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:45, një orë pasi një nga trenat u nis nga Málaga drejt Madridit. Sipas operatorit të linjës, Adif, treni doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, duke u përplasur me një tren tjetër që po udhëtonte nga Madrid drejt Huelvës. Ministri i Transportit, Óscar Puente, tha se përplasja detyroi trenin e dytë të dilte në një argjinaturë pranë shinave. Shumica e viktimave dhe të plagosurve ishin në vagonët e parë të trenit që shkonte drejt Huelvës.

Arsyeja e daljes nga shinat mbetet e paqartë. Hetimet fillestare tregojnë se një nyje e dëmtuar në hekurat e shtratit të hekurudhave mund të ketë shkaktuar përplasjen. Trenat e përfshirë ishin: Iryo, që po udhëtonte nga Malaga në Madrid me 110 km/orë, dhe një tren tjetër me destinacion Huelva, me shpejtësi 200 km/orë.

Pasagjerët që udhëtonin drejt Madridit përshkruan momente tmerri gjatë përplasjes. Një nga pasagjerët tha se treni “u përplas si tërmet”, xhamat u thyen, bagazhet u përplasën dhe njerëzit u hodhën në dysheme. Një tjetër pasagjer, Lucas Meriako, i ndodhur në vagonin e pestë, tha se ndjeu “goditje të forta dhe dridhje të trenit”, duke shtuar se kishte ndier sikur treni do të shpërbëhej.

Një dëshmitare, Ana, tha për Reuters se treni “u rrokullis në një anë, gjithçka u errësua dhe dëgjova vetëm ulërima.” Ajo dhe motra e saj u shpëtuan nga pasagjerë dhe zjarrfikësit.

Álvaro Fernández Heredia, presidenti i operatorit shtetëror Renfe, theksoi se përjashtohet mundësia që aksidenti të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë ose gabimit njerëzor. Ai shtoi se treni ishte i pajisur me sisteme që do të korrigjonin gabime të mundshme, dhe se të dy trenat po lëviznin nën kufirin e lejuar të shpejtësisë. Heredia sugjeroi se një problem mekanik ose infrastrukture mund të ketë qenë shkaku kryesor.

Të dy trenat transportonin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit. Nuk dihet ende nëse ka njerëz të bllokuar brenda vagonëve, pasi metali i deformuar ka penguar shpëtimin. Shefi i zjarrfikësve në Cordoba, Francisco Carmona, tha se shpesh nxirrnin viktima për të arritur tek pasagjerë të gjallë, duke e bërë operacionin të ndërlikuar dhe delikat.

Numri i të vdekurve, 39 persona, nuk është identifikuar ende dhe mund të ndryshojë pasi hetimet janë në fillim. Shërbimet lokale raportuan se 112 persona kishin marrë ndihmë mjekësore, 43 prej tyre mbetën në spital, katër të mitur dhe njëri në kujdes intensiv, ndërsa dymbëdhjetë të rritur ndodhen gjithashtu në kujdes intensiv./mxh

21:25 A ekziston një problem i tillë si të “ ngrënit shumë proteina”? Po, ja kur e tepron

By: Monika
19 January 2026 at 21:25

Duket sikur të gjithë flasin për “targetin” e proteinës. Dhe ka arsye: proteina është thelbësore sepse ndihmon në ndërtimin dhe riparimin e muskujve, lëkurës, flokëve dhe thonjve, si edhe në funksione jetike të metabolizmit, si prodhimi i hormoneve dhe mbështetja e sistemit imunitar.

“Proteina duhet të jetë protagonistja e çdo diete,” thotë mjekja María José Crispín. “Por nuk duhet të mbështetesh te një burim i vetëm, si p.sh. pulë ose vezë çdo ditë. Synimi është shumëllojshmëria.” Ajo përmend si opsione peshkun nga burime të qëndrueshme, vezët dhe produktet organike të qumështit, si edhe burime bimore si arrat, quinoa dhe thjerrëzat.

Dhe ka edhe një paralajmërim: po, mund të hash edhe më shumë proteina seç të duhen. Sidomos tani që “proteina” po i shtohet edhe karameleve, kafesë, kokoshkave e të tjera, bëhet edhe më e rëndësishme të dish çfarë sasie të shkon.

Sa proteina të duhen?
Nuk ka një përgjigje fikse për të gjithë. Si rregull i përgjithshëm për një person aktiv, shpesh përmendet rreth 2 gramë për kilogram peshë trupore, por kjo ndryshon nëse je shtatzënë, nëse synon të shtosh masë muskulore, ose nëse je shumë aktive. Nëse s’të pëlqejnë llogaritjet, një kalkulator mund të të japë një vlerësim më të saktë.

Dietologia e regjistruar Lisa McDowell jep një rregull praktik: “Proteina në pjatë të jetë të paktën sa madhësia e pëllëmbës tënde.” Rreth 30 gramë, afërsisht.

Si ta kuptosh që të duhet më shumë proteinë
Katër shenja tipike kur proteina mungon janë: lodhje, humbje e masës muskulore, rënie e fortë e flokëve dhe ndjesia që je gjithmonë e uritur edhe pasi ke ngrënë. Vaktet e balancuara, përfshirë proteinën, janë të rëndësishme për imunitetin dhe rregullimin e hormoneve.

Si ta kuptosh që po e tepron me proteinën
Çfarë ndodh kur e shton pa kriter? Sipas Brittany Towers Lewis, e njohur si “The Black Food Scientist”, Shoqata Ndërkombëtare e Ushqyerjes Sportive ka studiuar se, mesatarisht, trupi përdor rreth 20–30 gramë proteina pas një vakti. Kjo shifër mund të rritet nëse ushtron shpesh dhe ke nevojë për më shumë riparim muskulor. Por nëse rri ulur gjithë ditën, trupi nuk ka të njëjtën kërkesë, dhe një pjesë e proteinës nuk përdoret “me vlerë”.

Përveç faktit që mund të “shpërdorosh” lëndë ushqyese, ka edhe shqetësime të tjera fizike: teprica mund të rrisë rrezikun për gurë në veshka. Dietat shumë të larta në proteina shtazore dhe të ulëta në karbohidrate mund të rrisin aciditetin në veshka. Nëse ke probleme ekzistuese me veshkat, situata mund të përkeqësohet.

Lewis shton se produktet “me proteina të shtuara” si karamele, kokoshka apo kafe, për shumicën e njerëzve nuk janë të nevojshme dhe shpesh hyjnë te kategoria e teprimit. “Mesatarisht, njeriu nuk ka pse t’i konsumojë çdo ditë. Më e rëndësishme është cilësia e proteinës.”

Në fund, ideja s’është “sa më shumë, aq më mirë”, por “sa duhet dhe nga burime të mira”./mxh

21:00 A po i merrni vitaminat B6, E dhe C pa këshillë mjeku? Ja kur “ndihma” mund të kthehet në problem

By: EL
19 January 2026 at 21:00

Pse vitaminat B6, E dhe C nuk janë gjithmonë të padëmshme dhe kur doza e gabuar bëhet rrezik

Në vitet e fundit, suplementet ushqimore janë bërë pjesë e përditshme e shumë njerëzve. Vitamina B6, E dhe C merren shpesh “për nerva”, “për imunitet” ose “për zemrën”, pa u menduar shumë për dozën dhe kohëzgjatjen. Megjithatë, studimet shkencore dhe përvoja klinike tregojnë se vitaminat nuk janë gjithmonë të padëmshme, sidomos kur merren në doza të larta dhe për një kohë të gjatë.

Ekspertët e National Institutes of Health (NIH) dhe European Food Safety Authority (EFSA) theksojnë se, në megadoza, disa vitamina nuk sillen më si ushqyes, por si substanca me efekt farmakologjik, të afta të shkaktojnë pasoja të padëshiruara. Pikërisht vitaminat B6, E dhe C janë shembuj të mirë se pse parimi “më shumë është më mirë” nuk vlen gjithmonë.

Vitamina B6, e njohur si piridoksinë, është e nevojshme për funksionimin e nervave dhe metabolizmin, por vetëm në sasi shumë të vogla. Nevoja ditore për një të rritur është rreth 1.3 deri në 1.7 mg. Kur merret për muaj ose vite në doza të larta, sidomos mbi 25–50 mg në ditë, studimet e publikuara në revista neurologjike dhe të përmbledhura nga NIH kanë treguar rritje të rrezikut për dëmtime të nervave periferikë. Këto dëmtime shfaqen me mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash, djegie në duar dhe këmbë, madje edhe vështirësi në ecje. Në disa raste, përmirësimi pas ndërprerjes së suplementit është i ngadalshëm dhe jo gjithmonë i plotë.

Edhe vitamina E, e njohur si antioksidant i fuqishëm, nuk është pa rrezik kur merret pa kontroll. Doza ditore e rekomanduar është rreth 15 mg, ndërsa shumë suplemente përmbajnë qindra njësi ndërkombëtare (IU). Meta-analiza të publikuara në BMJAnnals of Internal Medicine dhe rishikime të Cochrane Collaboration tregojnë se përdorimi i dozave të larta, veçanërisht mbi 200–400 IU në ditë, lidhet me rritje të rrezikut për gjakderdhje dhe goditje hemorragjike në tru. Ky rrezik është edhe më i madh te personat që përdorin aspirinë ose barna për hollimin e gjakut. Studimi i madh SELECT, i botuar në JAMA, nuk gjeti përfitime mbrojtëse nga vitamina E, por ngriti shqetësime për përdorimin e saj afatgjatë në doza të larta.

Vitamina C, ndoshta më e përdorura nga të gjitha, konsiderohet relativisht e sigurt, por edhe këtu doza bën diferencën. Nevoja ditore është rreth 75–90 mg, ndërsa shumë njerëz marrin 1 ose 2 gramë në ditë “për imunitet”. Sipas NEJM, BMJ dhe JAMA Internal Medicine, dozat e larta të vitaminës C mund të shkaktojnë shqetësime gastrointestinale dhe diarre, ndërsa te personat e predispozuar rrisin rrezikun për formimin e gurëve në veshka. Studimet tregojnë se përfitimi imunitar nuk rritet proporcionalisht me dozën, ndërsa rreziku po.

Mesazhi që del nga literatura shkencore është i qartë: suplementimi nuk duhet të bëhet sipas këshillave të internetit apo trendeve, por sipas nevojës reale të organizmit. Vitaminat duhen marrë në dozat e duhura, për kohën e duhur dhe me qëllim të qartë. Analizat laboratorike, gjendja shëndetësore dhe terapia që përdorni janë faktorë kyç që duhen marrë parasysh.

Në fund, ekspertët theksojnë një parim të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm: suplementet nuk janë karamele dhe vitamina nuk është gjithmonë sinonim i sigurisë. Kur keni dilema, këshilla mjekësore është gjithmonë zgjidhja më e sigurt. /et

20:50 Antonela Roccuzzo, gruaja që e fitoi Messin para se ta fitonte bota

By: EL
19 January 2026 at 20:50

Magjistre e stomatologjisë, modele dhe nënë e tre djemve, ajo është dashuria e parë e Lionel Messit dhe shtylla emocionale e familjes që qëndron pas një prej historive më të bukura të futbollit botëror

Antonela Roccuzzo, bashkëshortja e Lionel Messit, shpesh përshkruhet si një nga gratë më të arsimuara dhe më të bukura në botën e sportit. Ajo është rritur në Rosario, qytetin e tretë më të madh të Argjentinës, pikërisht në të njëjtën lagje ku Lionel Messi kaloi fëmijërinë e tij. Historia e tyre është shumë më tepër sesa një përrallë dashurie, është një tregim për miqësinë, dashurinë që zgjat me dekada dhe mbështetjen e ndërsjellë.

Antonela dhe Messi njihen që nga fëmijëria, ndërsa rrugët e tyre u kryqëzuan përmes mikut të Messit, Lucas Scaglia, i cili ishte edhe kushëriri i Antonelës dhe luante me Messin në ekipet e reja të Newell’s Old Boys. Thuhet se që në fillim ata ishin miq shumë të afërt, ndërsa dashuria u zhvillua natyrshëm, hap pas hapi, teksa rriteshin së bashku në qytetin e tyre të lindjes. Miqtë e familjes shpesh tregojnë se lidhja e tyre ka qenë gjithmonë e qetë, larg skandaleve dhe vëmendjes së panevojshme publike.

Dashuri që zgjat me dekada

Çifti e bëri publike lidhjen e tyre për herë të parë në vitin 2009, pas ndeshjes Barcelona – Espanyol, kur u shfaqën së bashku në një festival në Sitges. Vite më vonë, në intervista të ndryshme, ata kanë treguar se ndjenjat e tyre u ndërtuan ngadalë, mbi themelet e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë.

Në vitin 2017, Lionel Messi dhe Antonela Roccuzzo u martuan në një ceremoni madhështore në Rosario, e cila nga mediat u quajt “dasma argjentinase e shekullit”. Mes të ftuarve ishin shumë yje të njohur botërorë, përfshirë Shakirën dhe Gerard Piqué, ish-bashkëlojtarin e Messit. Sot, çifti ka tre djem: Thiago (lindur më 2012), Mateo (2015) dhe Ciro (2018). Të tre djemtë duket se e kanë trashëguar pasionin për futbollin nga i ati, ndërsa më i madhi, Thiago, tashmë stërvitet me ekipet e reja të Inter Miami. Ata që i njohin nga afër tregojnë se Thiago është më i qetë dhe i matur, Mateo më energjiku dhe shakaxhiu i familjes, ndërsa Ciro është “i vogli i përkëdhelur”, që sjell gjithmonë gjallëri në shtëpi.

Antonela është e njohur për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj rolit të nënës dhe shpesh ka theksuar se prioriteti i saj absolut janë fëmijët. Ajo dhe Messi përpiqen t’u ofrojnë atyre një fëmijëri sa më normale, larg presionit të famës dhe kamerave, duke ruajtur një stil jetese të thjeshtë dhe familjar, pavarësisht pasurisë dhe statusit që kanë.

Antonela Roccuzzo – e arsimuar, e suksesshme dhe e përkushtuar

Antonela nuk është vetëm partnerja e një legjende të futbollit, ajo është edhe një grua shumë e arsimuar. Pas përfundimit të studimeve bazë në fushën e shkencave humane dhe shoqërore, ajo vendosi të vazhdojë studimet pasuniversitare në stomatologji dhe u diplomua si magjistre e stomatologjisë.

Edhe pse në një moment vendosi t’i vërë ambiciet akademike në plan të dytë për të qenë pranë Messit, Antonela arriti të ndërthurë jetën profesionale me atë familjare. Ajo u shpërngul nga Argjentina në Barcelonë, ku ishte pranë Lionel Messit gjatë viteve të tij më të suksesshme, por njëkohësisht ndërtoi edhe profilin e saj profesional dhe publik. Për shumë vite ajo ka refuzuar ta përdorë famën e bashkëshortit për publicitet personal, duke pranuar vetëm më vonë bashkëpunime të zgjedhura me marka të mëdha ndërkombëtare.

Modele, influencuese dhe entuziaste e fitness-it

Antonela është gjithashtu një modele e njohur, që ka bashkëpunuar me shumë marka të mëdha ndërkombëtare. Në Instagram ajo numëron mbi 40 milionë ndjekës, ndërsa popullariteti i saj nuk lidhet vetëm me pamjen, por edhe me stilin e shëndetshëm të jetesës dhe përkushtimin ndaj aktivitetit fizik. Ajo shpesh publikon fotografi nga palestra, shumë herë edhe së bashku me Messin, duke promovuar disiplinën, këmbënguljen dhe kujdesin për trupin.

Miqtë e përshkruajnë si një person shumë të thjeshtë, jo snob, dhe si njeriun që arrin ta mbajë familjen të bashkuar dhe jetën e Messit të balancuar, larg kaosit të famës dhe presionit të vazhdueshëm mediatik.

Krenari dhe mbështetje në sukseset e Messit

Kur Lionel Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të kampionit të botës në vitin 2022 në Katar, Antonela ishte pranë tij, duke e mbështetur nga tribunat. Pas finales dramatike kundër Francës, që përfundoi 3-3 dhe më pas me fitoren e Argjentinës 4-2 me penallti, Antonela i dërgoi një mesazh emocional bashkëshortit të saj, duke theksuar këmbënguljen, përpjekjen dhe luftën e tij frymëzuese deri në fund.

Për Antonelën, suksesi i Messit nuk është vetëm një fitore sportive, është dëshmi e mbështetjes së ndërsjellë, e dashurisë dhe e forcës për t’i kapërcyer së bashku të gjitha sfidat e jetës. Miqtë e çiftit shpesh thonë se Messi e konsideron Antonelën personin e vetëm që e qetëson vërtet para ndeshjeve të mëdha dhe vendimeve të rëndësishme.

Kombinimi perfekt i bukurisë, inteligjencës dhe dashurisë

Sot, Antonela është shumë më tepër sesa “gruaja e një legjende të futbollit”, ajo është simbol i gruas moderne që arrin të balancojë familjen, karrierën dhe jetën publike. Historia e saj tregon se është e mundur të bashkohen arsimi, disiplina personale, familja dhe dashuria, dhe se mbështetja e vërtetë mund t’i bëjë edhe ëndrrat më të mëdha të realizueshme. /et

20:39 “Ju zhgënjeva, më falni”, Brahim Diaz reagon për herë të parë pas penalltisë së humbur ndaj Senegalit

By: EL
19 January 2026 at 20:39

Brahim Diaz ka kërkuar falje për penalltinë e humbur në finalen e Kupës së Afrikës ndaj Senegalit.

Ylli i Real Madridit kishte një mundësi të artë për t’ia fituar Marokut trofeun e Kupës së Afrikës pas mbi 50 viteve, por në kohën shtesë tentoi një “parabolë” që nuk rezultoi e suksesshme.

Për herë të parë, Diaz ka reaguar në rrjetin social “Instagram” duke i kërkuar falje të gjithë popullit maroken si dhe shtoi se do të provojë që në të ardhmen t’ia kthejë.

“Shpirti më dhemb. E kam ëndërruar këtë titull falë të gjithë dashurisë që më keni dhënë, secili mesazh, secila shenjë mbështetje që më bëri të ndihem se nuk jam vetëm. Luftova me gjithçka që kisha, me zemër mbi të gjitha”.

“Dje dështova dhe marrë përgjegjësi të plotë. I kërkoj falje të gjithëve me tërë zemrën. Do të jetë vështirë që të shërohem sepse kjo plagë nuk shërohet lehtë, por do të provoj. Jo për mua, por të gjithë që më besuan dhe të gjithë që vuajtën me mua”.

“Do të vazhdoj derisa ta rikthejë të gjithë dashurinë dhe krenarinë për njerëzit e mi të Marokut”, shkroi ai.

Ndërkohë, Diaz është kritikuar tejmase në rrjetet sociale si dhe e akuzuan se me qëllim e ka humbur penalltinë./et

20:30 Vendim historik te Fenerbahçe, 1% e pagës së çdo lojtari të ri shkon për kauza humanitare

By: EL
19 January 2026 at 20:30

Gjigandi turk i futbollit, Fenerbahçe, ka prezantuar një rregull të ri për transferimet e ardhshme, duke vendosur një standard të fortë të përgjegjësisë sociale.

Sipas këtij vendimi, çdo lojtar i ri që i bashkohet ekipit të parë do të ndajë 1% të pagës së tij për projekte humanitare në ndihmë të fëmijëve në nevojë.

Klubi bëri të ditur se fondet e mbledhura do të dedikohen për një program që synon edukimin, zhvillimin dhe ndërtimin e së ardhmes së fëmijëve, duke theksuar se nuk do të zhvillohen negociata me lojtarë që nuk e pranojnë këtë parim dhe që nuk bien dakord të kontribuojnë me një pjesë të pagës së tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, iniciativa ka nisur si ide e drejtorit sportiv Devin Ozek, ndërsa hapi i parë i projektit i është kushtuar kujtesës së nënës së tij, Cornelia Ozek.

Fenerbahçe thekson se synimi është që ky program të mos mbetet një veprim simbolik, por të shndërrohet në një model të qëndrueshëm dhe afatgjatë të përgjegjësisë sociale, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat përkatëse.

Qëndrimi i klubit është i qartë dhe i prerë. Fenerbahçe ka publikuar të plotë njoftimin zyrtar.

“Si Fenerbahçe, ne e konsiderojmë marrjen e përgjegjësisë jo vetëm në fushë, por edhe në çdo aspekt të jetës, shtimin e vlerës në shoqëri dhe të qenit burim shprese për të ardhmen si një nga detyrat tona themelore. Në përputhje me këtë kuptim, ne po lançojmë një projekt të qëndrueshëm të përgjegjësisë sociale, i cili filloi me idenë vizionare të drejtorit tonë sportiv, Devin Ozek, dhe që është përqafuar plotësisht nga klubi ynë”.

“Që tani e tutje, të gjitha transferimet hyrëse në ekipin e parë do të kenë 1% të pagave të tyre të ndara për një program mbështetës që synon përmirësimin e jetës së fëmijëve në nevojë dhe kontributin në arsimimin, zhvillimin dhe të ardhmen e tyre. Negociatat me lojtarë që nuk e pranojnë këtë parim të përgjegjësisë sociale dhe që nuk bien dakord të kontribuojnë nuk do të zhvillohen”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet gjithashtu se, pas takimeve me institucionet dhe organizatat përkatëse, ky program nuk do të zbatohet si një fushatë e përkohshme, por si një traditë e re dhe e qëndrueshme e klubit, e cila reflekton vlerat themelore të Fenerbahçes.

“Udhëtimi i këtij projekti, hapi i parë i të cilit është hedhur në kujtim të Cornelia Ozek, nënës së Devin Ozek dhe burimit të frymëzimit për këtë iniciativë, do të shndërrohet në një traditë të Klubit Sportiv Fenerbahçe – duke simbolizuar një ide të ushqyer me dashuri dhe dëshirë për të lënë shpresë dhe një gjurmë të qëndrueshme në jetën e mijëra fëmijëve”.

“Ashtu si në të kaluarën, Fenerbahçe do të vazhdojë ta masë suksesin jo vetëm me trofe, por edhe me vlerën që i shton jetës së njerëzve. Si një klub që mban përgjegjësinë e të qenit një komunitet i madh në zemër të tij, ne do të vazhdojmë ta mbështesim dhe ta mishërojmë këtë mirëkuptim në çdo fushë”.

“Ashtu siç Fenerbahçe jeton në zemrat e miliona njerëzve, ne do të vazhdojmë të jemi Fenerbahçe edhe në jetën e fëmijëve që po ndërtojnë të ardhmen e tyre me shpresë”, thuhet në njoftim. /et

20:24 Shqipëria më 1981: Rakia me ujë frenon hovin revolucionar për të shkuar në punë!

By: EL
19 January 2026 at 20:24

Nga: Kastriot Dervishi

Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve në Mëzez, më 26 tetor 1981 denoncoi se banakieri i klubit të punëtorëve të Minierës së Priskës, i cili nuk kish mbushur muajin në punë ende, i kishte hedhur ujë rakisë të llojit “Rrashbull” që tregtonte për arsye përfitimi.

Konstatimin e kish bërë banakieri tjetër.

Po ashtu punëtorët ankoheshin se nuk e ndjenin që rakia të kishte bërë efektin e vet për të rritur entuziazmin te ata, në mënyrë që me hov revolucionar të shkonin në punë.

Fillimisht u bllokuan në cilësinë e provës materiale katër shishe me raki. U dërguan në laborator. Atje u konstatua se rakia nga 18 gradë kish zbritur në 15 gradë.

Ndërmarrja bisedoi fillimisht me shokët e gjykatës popullore e më pas me shokët e hetuesisë së rrethit. Filloi çështja penale bazuar në nenin 75 të Kodit Penal (shitja e mallrave të cilësisë së lartë për cilësi më të ulët). Mirëpo, nga hetimi rezultoi se banakieri “rridhte nga një familje punëtorësh me përbërje të mirë moralo-politike”, e për këtë arsye çështja duhej parë në një sy tjetër, me një skenar larg atij armiqësor. U vendos të thuhej banakieri e kishte derdhur pa dashje rakinë dhe nga frika e zëvendësoi me ujë. Në këto rrethana, duke lidhur me pendesën e tij, partia vendosi që çështja të pushohej. Për këto arsye, meqë “nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore”, hetuesia vendosi pushimin e çështjes, duke rekomanduar për të akuzuarin një punë me pagë më të ulët brenda ndërmarrjes, veprim të cilin e miratoi edhe Prokuroria, “për politikë penale”./et

20:11 Burrat që njoh e duan IA-në – gratë jo dhe e kuptoj pse (Lifestyle)

By: EL
19 January 2026 at 20:11

Nëse burrat me të cilët kam dalë gjatë vitit të fundit kanë pasur ndonjë gjë të përbashkët, është ajo se të gjithë duan të flasin me mua për inteligjencën artificiale [IA].

E përdor për të shkruar artikujt e mi? Jo.

A jam e shqetësuar se do të ma zaptojë punën? Në fakt jo.

A do të vazhdoj të shkruaj libra nëse të gjithë duan të lexojnë ato që janë shkruar nga IA-ja? Po.

A e kam përdorur ndonjëherë për t’i shkruar mesazh dikujt në një aplikacion takimesh? Jo.

A duhet ta pyesim ChatGPT-në të na përshkruajë për ndonjë partnerë të mundshëm? Oh, Zot.

Këto biseda rrallëherë janë të rastësishme. Kam pasur edhe debate. Një herë hyra në një bisedë të zjarrtë me një burrë nëse njerëzit duhet të kërkojnë këshilla mjekësore te ChatGPT-ja, dhe me një tjetër që pranoi se e kishte përdorur për ta ndihmuar për ta shkruar një mesazhe ndarjeje.

Ndërkohë, sa herë që kam postuar në Instagram në mbështetje të krijimtarisë njerëzore mbi përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja, marr një lumë reagimesh – dhe ato gjithmonë nga burrat e etur për të përmbysur përsiatjet e mia rreth asaj se çfarë do të thotë të krijosh dhe të konsumosh art.

Kjo nuk do të thotë se gratë që njoh nuk e përdorin IA-në – shumë nga to e shohin si mjet të paçmuar për këshilla për karrierë, mbështetje financiare dhe, në disa raste, mbështetje emocionale – por, nuk besoj se e përdorin, apo qoftë edhe mendojnë për të, aq shumë.

Të dhënat e mbështesin këtë. Megjithëse kërkimet ndryshojnë, disa studime kanë treguar se burrat e përdorin IA-në gjeneruese më shumë se gratë. Në vitin 2024, një punim i titulluar Hendeku gjinor në Gen IA ka përshkruar se të dhënat nga Anketa e Pritshmërive të Konsumatorëve tregonin që 50 për qind e burrave përdorin mjete të IA-së gjeneruese, në krahasim me 37 për qind të grave.

Një studim nga Danimarka zbuloi se gratë kanë më pak gjasa të përdorin ChatGPT-në për punë sesa burrat, ndërsa kërkimi i kryer në Shkollën e Biznesit të Harvardit zbuloi se, ndërmjet nëntorit 2022 dhe majit 2024, gratë përbënin 42 për qind të 200 milionë përdoruesve mesatarë mujorë të faqes së internetit të ChatGPT-së.

Po shfaqet një hendek i qartë – i tillë që shumëkush ka frikë se do të thellojë pabarazitë ekzistuese ekonomike në vendin e punës.

Shpjegimet më të zakonshme përfshijnë faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në karrierat STEM [Shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] dhe në rolet specifike të IA-së, si një industri që kryesisht mbahet nga burra; vetëm 14 për qind e pozicioneve ekzekutive të larta në IA mbahen nga gratë.

Por, sinqerisht, mendoj se arsyeja pse gratë nuk e përdorin AI-në aq shumë shkon shumë më thellë sesa përfaqësimi i thjeshtë.

Si fillim, kjo teknologji është përdorur kundër nesh – që nga fillimi. Ka trillime pornografike [deepfake]të krijuar nga Grok-u dhe platforma të tjera; të dashurat e IA-së që burrat përdorin për të zhvilluar biseda dhe për të realizuar fantazi në hapësira ku pëlqimi nuk ekziston; dhe, një mori paragjykimesh gjinore që teknologjia vazhdon të përforcojë.

Ajo i nënvlerëson problemet e shëndetit të grave, shpesh i portretizon gratë në role shtëpiake ose nënshtruese, dhe mbështetet në asistente që janë në thelb të feminizuara – mos harroni që ChatGPT-ja përdori (dhe më pas hoqi) një ndërfaqe zanore që tingëllonte në mënyrë të frikshme si zëri i Scarlett Johanssonit nga filmi Her?

Me gjithë këtë në mendje, a është për t’u habitur që disa gra mund të ndihen të rezervuara për të përqafuar IA-në me të njëjtin entuziazëm që duket se po shfaqin burrat?

Kam disa shokë që janë gjithashtu të pavendosur, por, si unë, ata punojnë në fusha krijuese ku IA-ja aktualisht përbën më shumë kërcënim sesa ndihmë. Edhe kështu, disa prej tyre janë të lumtur t’i bëjnë pyetje ChatGPT-së, gjatë gjithë ditës, ashtu siç nuk i kam parë kurrë gratë.

Ndoshta ekziston një nivel i natyrshëm i besimit në lojë – një supozim se kjo platformë mund të  ndihmojë sepse  favorizon.

Është një vetëbesimqë gratë nuk janë inkurajuar ta zhvillojnë. Dhe, megjithatë, përderisa teknologjia evoluon, IA-ja do të formësojë dhe përcaktojë gjithnjë e më shumë jetën tonë.

Mbetet vetëm të shpresojmë që përgjatë rrugës të bëhet një hapësirë më e sigurt për gratë. Ndërkohë, do të mund t’u bënte mirë përdoruesve të zjarrtë meshkuj që të jenë të vetëdijshëm për këtë – ose, të paktën, të kenë një shkallë të shëndetshme skepticizmi gjatë përdorimit të saj.

Kjo më kthen te takimi ku një burrë sugjeroi të përdornim ChatGPT-në për të na përshkruar si partnerë të mundshëm. Ia dërgova timen: një listë e çrregullt me klishe të parashikueshme të gjeneruara nga ajri i nxehtë i internetit (“Olivia është altruiste, bujare dhe e ngrohtë”).

Bëra shaka për faktin që nuk isha asnjë nga këto gjëra. Ai nuk dukej se e kuptoi dhe u përgjigj se në të vërtetë do të donte shumë të ishte me një altruiste, bujare dhe të ngrohtë. “Sa keq”, shtoi ai.

Nuk jam edhe aq e sigurt që ishte. /et

❌
❌