Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 January 2026Gazeta Fjala

22:47 Macron thirrje qeverisë: Ndalimi i mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç të jetë në fuqi deri në shtator

By: Monika
25 January 2026 at 22:47

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që qeveria të përshpejtojë procesin ligjor për të vendosur një ndalim të përdorimit të mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeçare.

Sipas Macron, ky përshpejtim duhet të kryhet me qëllim që ky ligj të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit të ri shkollor në shtator 2026.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje”,-tha Macron.
Macron ka kërkuar që projekt-ligji të procedohet sa më shpejt nga parlamenti dhe të miratohet nga Senati në kohë, duke argumentuar se truri dhe emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve nuk janë për t’u shitur apo manipuluar nga platformat e mëdha teknologjike.

Sipas agjencisë franceze të shëndetit dhe sigurisë ushqimore, gati gjysma e adoleshentëve shpenzon 2-5 orë në ditë në smartphone, ndërsa rreth 90 % e të rinjve midis 12 dhe 17 vjeç përdorin rregullisht internetin përmes këtyre pajisjeve, dhe shumë prej tyre përdorin mediat sociale./mxh

22:35 Gjenden 538 fishekë dhe 9 granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan

By: Monika
25 January 2026 at 22:35

Gjendet municion, fishekë dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në zonën e Zveçanit.

Aksioni nga Policia e Kosovës, rreth orës 11:20, u krye pas disa telefonatash nga qytetarët se në një lokacion në fshatin Rudar i Vogël, komuna e Zveçanit, mund të gjendeshin armë dhe municion,

Pas kontrollit në një shtëpi të braktisur dhe të pabanuar, u gjetën dhe sekuestruan: 9 granata dore, 538 fishekë dhe 3 karikatorë për armë automatike.

Gjenden 538 fishekë dhe 9 granata dore në një shtëpi të

Policia e Kosovës bën me dije se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka trajtuar mjetet shpërthyese në mënyrë të sigurt.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./mxh

22:24 “Për Kosovën s’ka parime”, Vuçiç me tone përçmuese ndaj Trumpit: Publiku nuk reagoi ndaj “akrobacive” të tij në Davos

By: Monika
25 January 2026 at 22:24

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar me tone skeptike dhe herë-herë përçmuese paraqitjen e presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se audienca nuk reagoi ndaj humorit dhe “akrobacive” të tij, në një atmosferë që sipas Vuçiqit ishte e mbushur me frikë dhe pasiguri globale.

Duke folur për përshtypjet nga Davosi, në një intervistë për Novosti, Vuçiq tha se Trump është “simpatik” dhe di si ta bëjë audiencën të qeshë, por se këtë herë përballë kishte një publik shumë serioz, i cili nuk reagoi siç ishte mësuar.

“Trump është simpatik, ai di si ta bëjë audiencën të qeshë, por audienca atje është shumë serioze dhe njerëzit nuk reagojnë gjithmonë ndaj akrobacive. Nuk më ka ndodhur kurrë të dëgjoja kaq pak reagime, kurrë më bosh”, tha Vuçiq.

Ai përshkroi Davosin si një vend ku dominonte frika, duke përmendur drejtuesit e kompanive më të mëdha teknologjike amerikane.

“Pashë humorin e njerëzve. Ishin njerëzit më të fuqishëm, krerët e kompanive si Nvidia dhe gjigantë të tjerë teknologjikë. Kurrë nuk kam parë një botë më të frikësuar, më nervoze dhe me më pak dëshirë për të marrë pjesë. Të gjithë donin të strehoheshin”, u shpreh presidenti serb.

Vuçiq: Trump e nxori hapur se nuk ka parime për Kosovën

Në deklaratat e tij, Vuçiq u ndal edhe te Kosova, duke thënë se sipas tij, politika amerikane, përfshirë atë të Trumpit, nuk bazohet në parime.

“Në lidhje me Kosovën, nuk ka parime. Trump e nxori hapur. Na treguan histori boshe për katastrofa humanitare. Të mëdhenjtë do të vazhdojnë të luftojnë”, tha ai, duke shtuar se Serbia, sipas tij, po përpiqet të shohë drejt së ardhmes përmes analizave strategjike.

Megjithatë, Vuçiq u përpoq të balancojë kritikat me vlerësime pozitive për SHBA-në, duke thënë se është “mirënjohës” për disa vendime amerikane ndaj Serbisë.

Vuçiq përsëriti narrativën e tij të njohur për rënien e fuqisë evropiane, duke theksuar se Serbia, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka alternativë tjetër gjeopolitike.

“Fuqia evropiane do të bjerë, kjo është e qartë për të gjithë. Ne nuk kemi vend tjetër përveç Evropës ku jetojmë. A do të marrim diçka nëse themi se jemi në rrugën lindore? Kemi marrëdhëniet më të mira me Kinën, por çfarë tjetër mund të bëjmë?”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se politika e tij mbetet ajo evropiane, por gjithmonë duke mbrojtur interesat e Serbisë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve politike në të ardhmen, por vetëm përmes zgjedhjeve.

Deklaratat e Vuçiqit nga Davosi reflektojnë një prirje gjithnjë e më të dukshme për distancim retorik nga Donald Trump, duke e portretizuar atë si figurë populiste që nuk gjen më jehonë në qarqet elitare globale, ndërkohë që presidenti serb përpiqet të paraqitet si aktor racional./mxh

22:11 Mamaja e Brikenës flet për herë të parë për Mateon dhe historinë e tyre: Nga ana jonë…

By: Monika
25 January 2026 at 22:11

Pas takimit surprizë me të bijën në shtëpinë e BBV, mamaja e Brikenës ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Fan Club”.
Ajo ka folur për rrugëtimin e Brikenës, raportin e saj me Maton dhe mbështetjen e pakushtëzuar të familjes për çdo vendim të vajzës së tyre. Më tej ajo shprehu respektin që ka për Mateon.

“Jemi të kënaqur me Brikenën. I urojmë suksese. E njëjta Brikenë që është në shtëpi, është edhe këtu. Duhan i thashë mos të pijë shumë. Kemi qenë dakord për të hyrë në BBV. Është një vajzë inteligjente.

Mateo është shumë djalë i mirë, kam respekt. I urojmë shumë suksese. Nga ana jonë nuk ka kurrë gjë. Jemi me Brikenën, ca të vendosë ajo, me atë jemi dhe ne. Nuk jemi kundër kurrë gjëje.

Brikenën e presim me fitore. Çfarë të vendosë Brikena, ne jemi me atë.”, u shpreh ajo./mxh

22:09 Të shtëna me armë zjarri në Berlin, 5 të plagosur, 2 prej tyre në gjendje të rëndë

By: Monika
25 January 2026 at 22:09

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Berlin. Si pasojë pesë persona janë plagosur. Dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Sipas autoriteteve gjermanë në pranga kanë rënë disa persona.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Policia ka rrethuar zonën ndërsa operacioni për kapjen e të gjithë autorëve të përfshirë vijon./mxh

21:58 Sanksionet detyrojnë Rusinë t’i rinxjerrë në përdorim avionët e epokës sovjetike

By: Monika
25 January 2026 at 21:58

Rusia po i rinxjerr në përdorim disa lloje avionësh, për shkak se sanksionet ia kanë kufizuar mundësitë vendit për ta mirëmbajtur flotën e avionëve të udhëtarëve.

Avionët që po rikthehen në shërbim përfshijnë edhe një model të projektuar në Ukrainë, i cili ishte nxjerrë jashtë përdorimin për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë.

Media pro-Kremlinit, Izvestia, raportoi më 19 janar se 12 avionë do të “riaktivizohen” nga linjat ajrore ruse në vitin 2026.

Dhjetë avionë tashmë u janë dorëzuar linjave ajrore për ta përballuar rënien e numrit të avionëve në flotë, “e cila po përkeqësohet nga sanksionet”, sipas raportit.

Sanksionet e vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska e kanë penguar Rusinë të blejë avionë ose pjesë këmbimi të prodhimit perëndimor. Rreth 75 për qind e flotës ajrore komerciale të Rusisë është ndërtuar në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian ose Kanada.

Avionët që po rikthehen në shërbim përfshijnë një avion Antonov An-148, një model reaktiv i projektuar në Ukrainë, i cili ishte ndaluar në Rusi që nga viti 2018 pas një rrëzimi në shkurt të atij viti, ku humbën jetën të 71 udhëtarë në bord.

E gjithë flota ruse prej më shumë se dy duzinë avionësh të këtij modeli u nxor nga shërbimi pas aksidentit dhe, në maj të po atij viti, Kuba ndaloi linjën e saj ajrore kombëtare të fluturonte një version të së njëjtit avion.

Avionë të tjerë që po kthehen në shërbim komercial janë Ilyushin Il-96 dhe Tupolev Tu-204/214 me rreze të mesme. Të dy këta avionë kryen fluturimet e tyre të para në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik.

Avioni Tupolev aktualisht përdoret nga linjat ajrore kombëtare të Koresë së Veriut dhe Kubës, të cilat janë të prekura nga sanksionet, si dhe nga kompania ruse Red Wings Airlines. Një version i avionit të pasagjerëve Ilyushin për fluturime të gjata shërben si avioni presidencial i Vladimir Putinit.

Avionë të tjerë Tu-204/214 përdoren nga linja ajrore kombëtare e Kubës dhe nga një kompani ruse e transportit ajror të mallrave.

Avionët amerikanë Boeing 747, prodhimi i të cilëve u ndal në vitin 2023, po përgatiten gjithashtu për t’u rikthyer në qiellin rus. Këta avionë për fluturime të gjata raportohet se mund të rikthehen në shërbim relativisht lehtë, për shkak të bollëkut të pjesëve rezervë të prodhuara për më shumë se 1.500 avionë 747 të ndërtuar që nga vitet e ’70-ta.

Pavarësisht se është i shkëputur nga industria ajrore amerikane për dekada, Irani aktualisht mban në operim një flotë të vogël avionësh 747, njëri prej të cilëve është pothuajse 50 vjeç. Aeroflot, linja ajrore kombëtare e Rusisë, më parë i ka dërguar në Teheran për mirëmbajtje avionët e saj Airbus, të prodhuar në BE.

Mungesa e avionëve për linjat ajrore ruse ishte parashikuar të kompensohej me një fushatë për prodhimin e 127 avionëve të rinj nga viti 2023 deri në vitin 2025. Deri në janar 2026, vetëm 13 avionë janë dorëzuar te kompanitë ajrore civile.

Raportohet se Rusia ka krijuar një rrjet kompleks kompanish për t’iu shmangur sanksioneve mbi pjesët e aviacionit. Në shkurt 2025, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se tre persona të lidhur me një kompani në Ohio ishin arrestuar nën akuza se eksportonin pjesë të avionëve në vlerë prej 2 milionë dollarësh drejt Rusisë./mxh

21:47 Ngjitësi amerikan arrin në 101 kate të kullës Taipei pa litarë apo pajisje sigurie

By: Monika
25 January 2026 at 21:47

Ngjitësi i famshëm amerikan i shkëmbinjve, Alex Honnold, u ngjit sot në majën e kullës Taipei në Taivan, një ndërtesë me 101 kate, pa përdorur litarë apo pajisje të tjera sigurie.

Ai ngjiti fasadën e ndërtesës duke përdorur këmbët dhe duart për t’u kapur pas formacioneve të vogla të mureve dhe strukturave dekorative të ndërtesës.

Ngjitja zgjati rreth 90 minuta dhe u ndoq me vëmendje nga spektatorë poshtë ndërtesës, si dhe u transmetua drejtëpërdrejt përmes një eventi të madh televiziv.

Honnold është i njohur ndërkombëtarisht për ngjitjet pa litarë, duke përfshirë ngjitjen e famshme të shkëmbit El Capitan në Yosemite në vitin 2018.

Kjo ngjitje e tij e fundit në një strukturë të lartë urbane tërhoqi vëmendje të gjerë dhe debat mbi rreziqet e kësaj lloj ngjitjeje publike, si dhe mbi mënyrën se si performancat ekstreme transmetohen në media./mxh

21:35 Juventusi jep leksion, fitore e pastër ndaj Napolit

By: Monika
25 January 2026 at 21:35

Juventusi ka arritur një fitore bindëse 3-0 ndaj Napolit në stadiumin “Allianz”, në ndeshjen kryesore të javës së 22-të në Serie A.

Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti kontrolloi lojën që nga fillimi, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 22-të përmes sulmuesit Jonathan David.

Dominimi i bardhezinjve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku Kenan Yildiz dhe Filip Kostic shënuan dy golat që vulosën rezultatin përfundimtar.

Me këtë trepikësh, Juventusi ngjitet në vendin e pestë me 42 pikë, duke iu afruar ndjeshëm zonës së lartë të tabelës.

Nga ana tjetër, Napoli mbetet në vendin e tretë me 43 pikë, duke pësuar një ndalesë që rrezikon pozicionin e tyre në garën për kreun./mxh

21:21 “Shqiptarët janë zgjuar”/ Noka: Rama i mbërthyer nga paniku, u tërbua nga protesta

By: Monika
25 January 2026 at 21:21

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u ndal sot te protesta e opozitës pasditen e së shtunës para Kryeministrisë.

Noka tha se protestuesit e djeshëm vërshuan furishëm në bulevard kundër qeverisë në pushtet që i ka vjedhur dhe nëpërkëmbur.

Sipas demokratit, opozitarët dje dhanë një mesazh të qartë se qeveria duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes politike.

“Dje një lum njerëzor vërshoi në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe rrugët e Tiranës. Dje një energji e paparë njerëzore shpërtheu në formë revolte ndaj narko-regjimit dhe kusarëve të pushtetit. Dje qytetarët e vendit, opozitarët e këtij vendi, treguan se refuzojnë të pranojnë dhe të qëndrojnë më të vjedhur, të nëpërkëmbur dhe të shtypur. Dje ata shfryen një revoltë. I treguan se kur lumi fillon dhe vërshon furishëm dhe kur del sadopak, jep shenja që po del nga shtrati, ai merr përpara gjithçka.
Pra, ky sinjal dje i shkoi narkosit në pushtet. Qytetarët e vendit të tij i ndihen të vjedhur. Aferat e korrupsionit që kanë shpërthyer tek dosja e tunelit të Llogarasë, ku përfshihet dyshja Rama-Balluku, nuk pranohen dot nga qytetarët të gëlltiten më. Dje qytetarët e këtij vendi vërshuan si një uragan sepse ata nuk mund të pranojnë që siguria kombëtare të ndodhet dhe të lihet në duart e Gys Agasit dhe të karteleve të drogës.
Dje ata vërshuan për një Shqipëri europiane dhe jo për Shqipërinë, narkoshteti i vetëm i Europës. E përsëris, lumi njerëzor, energjia njerëzore, dje vërshoi dhe vetëm sa dha një sinjal që po del nga shtrati. Dhe ne e dimë tashmë të gjithë, lumenjtë kur dalin nga shtrati, marrin përpara gjithçka. Ndaj edhe i dhanë një mesazh shumë të qartë narkosit. Ndaj dhe ai sot reagoi i tërbuar, i nervozuar, në kufijtë e çmendurisë, që s’mund të reagojë kurrë një drejtues i një shteti apo edhe një lider, në çfarëdo niveli qoftë. Pra, paniku i ka mbërthyer. Shqiptarët janë zgjuar dhe shqiptarët dje dhanë një mesazh të qartë që largohu, hapi rrugë zgjidhjes politike, sepse kjo llavë vullkani që po shpërthen, do të djegë. Qartë. Dhe do të djegë, do të djegë më shumë nga të gjithë, do të djegë ata që i dalin përpara kësaj dhe po përpiqen të jenë barrikadë e krimit, e karteleve dhe e korrupsionit në pushtet.
Edi Rama ndjen panik. Pse? Sepse ai e di shumë mirë që kur rinia fillon dhe lëviz, kur rinia fillon dhe përcjell mesazhin e revoltës, ata janë të pandalshëm. Energjia e tyre nuk përballohet dot nga asnjë forcë policore apo çfarëdo lloj pushteti qoftë, formë e pushtetit qoftë. Ata e dinë shumë mirë. Dhe Edi Rama e di shumë mirë këtë, sepse dy herë që rinia ka lëvizur, ai s’ka lënë gurë pa lëvizur, s’ka lënë përpjekje pa bërë për t’i ndaluar dhe për t’i frenuar, sepse e di që s’përballet dot.
Dhe e veçanta e ditës së djeshmë, e kësaj revolte ishte që rinia ishte në ballë, rinia i priu dhe rinia ishte zemra e saj. Ky është një mesazh shumë i qartë për shqiptarët që këtu ka shpresë dhe bijtë e bijat e këtij vendi, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, më në fund kanë vendosur t’i dalin për zot vendit të tyre dhe të mos e lënë më këtë vend të rrokulliset në thepat e honeve të krimit dhe të korrupsionit shqiptar. Kjo për ne është lajm dhe për çdo shqiptar është lajm shumë i gëzueshëm. Sigurisht për narkosin dhe për plaçkitësit kusarë të qeverisë që janë në panik të tmerrshëm, është lajmi më i keq. Të rinjtë janë zgjuar, ata nuk ndalen më.
Në një demokraci funksionale, protestat dhe demonstratat monitorohen nga forcat ligjzbatuese dhe përcillen me një qetësi. Pse? Sepse në demokraci e drejta për të protestuar, për të shprehur indinjata, revolta, pakënaqësi, është tërësisht normale, madje ajo është, është një nga elementët më virtuoz që demokracitë kanë brenda tyre. Por, në narkoregjime paniku është shumë i madh kur shohin që ai lum njerëzish po kthehet, kthehet në një llavë, e shohin si një llavë vullkani që i djeg dhe i merr përpara. Të jeni të sigurtë për një gjë, ju e patë. Të rinjtë nuk stepeshin.
Paniku që mbërtheu narkosin në pushtet, bëri që ata të ushtrojnë terror dhe dhunë. Po askush nuk u ndal, askush nuk u step. Sot gjatë gjithë ditës avokatët tanë dhe ne kemi kontaktuar me çdonjërin prej të arrestuarve. Ata janë me moral të çeliktë. Në çdo qeli sot ku janë kontaktuar ushtonte thirrja ‘Rama ik, qeveri teknike’. Çka do të thotë që rinia nuk mbahet kurrë me dhunë. Qytetarët e lirë të një vendi kurrë nuk mbahen me dhunë. Narkoregjimet, edhe në përgjithësi regjimet, kur janë në grahmat e fundit, ata përpiqen të ushtrojnë dhunën më të madhe dhe terrorin më të madh. Por ama, dje u kuptua qartë nga çdokush, janë në grahmat e fundit. Ato që bën, duke dhunuar dhe arrestuar të rinj, të reja, minorenë, zonja, ajo tregon që këta po i ndjejnë fundin”,-u shpreh Noka./mxh

21:14 E tradhëtoi me shoqen e ngushtë, martesa e futbollistit sërish në krizë, largohet nga shtëpia!

By: Monika
25 January 2026 at 21:14

Ish-sulmuesi i Chelsea-t dhe kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata, raportohet se është larguar nga shtëpia ku jetonte me bashkëshorten Alice Campello dhe katër fëmijët e tyre, vetëm pak ditë pasi ajo mohoi publikisht zërat për një tradhëti të tijën me një mike të saj.

Sipas revistës spanjolle Hola, përpjekja e çiftit për të shpëtuar martesën ka dështuar, pavarësisht ribashkimit të tyre në fillim të vitit të kaluar. Morata dhe Campello, të cilët u ndanë pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, kishin njoftuar anulimin e divorcit në janar, duke dhënë shpresë për një fillim të ri.

Megjithatë, burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata kanë jetuar të ndarë prej disa javësh, ndërsa Morata është zhvendosur në një tjetër banesë në një nga zonat më ekskluzive të Milanos.

Pavarësisht ndarjes fizike, thuhet se marrëdhënia mes tyre mbetet korrekte dhe e qetë, kryesisht për hir të fëmijëve: Alessandro, Leonardo dhe Edoardo (binjakë), si dhe vajzës Bella./mxh

20:50 Alfio Rrotani dhe partnerja e tij në pritje të një vajzë, zbulojnë emrin dhe historinë e dashurisë!

By: Monika
25 January 2026 at 20:50

Jeta personale e shefit të njohur të kuzhinës, Alfio Rrotani, po shkëlqen po aq sa suksesi i tij profesional. Prej disa kohësh ai ndan jetën me Joana Gjonajn, një inxhiniere ndërtimi, larg vëmendjes mediatike, por shumë pranë botës së tij. Sot, historia e tyre e dashurisë ndodhet në pragun e një kapitulli të ri: ardhjen në jetë të fëmijës së parë. Në një intervistë në programin “Rudina” ata kanë zbuluar detajet më të bukura të marrëdhënies së dashurisë.

Njohja mes tyre nuk nisi si romancë, por si një bashkëpunim pune, i ndërmjetësuar nga miq të përbashkët. Takimet profesionale u shoqëruan me biseda të gjata, humor dhe një mirëkuptim të rrallë, që gradualisht u kthye në ndjenja të sinqerta. Edhe pse gjithçka nisi pa pritshmëri, lidhja e tyre u ndërtua natyrshëm dhe pa nxitim.

Në daljen e tyre të parë televizive në programin “Rudina” në Tv Klan, Alfio dhe Joana ndanë emocionet e kësaj periudhe të veçantë, siç është pritja e ëmbël e fëmijës së parë. Çifti tregoi se baza e marrëdhënies së tyre janë vlerat e përbashkëta, respekti dhe parimet familjare, të cilat i kanë bërë të ndihen më shumë si shokë jete sesa thjesht partnerë.

Sot, Joana ndodhet në javët e fundit të shtatzënisë dhe çifti po pret me padurim ardhjen e një vajze. Lajmi i ëmbël ka qenë i menduar dhe i dëshiruar nga të dy, një hap i natyrshëm për një çift që e sheh të ardhmen si projekt të përbashkët. Momentin e zbulimit të shtatzënisë, ata e përshkruajnë si një përzierje emocionesh të forta, ku lotët e gëzimit dhe qetësia u ndërthurën në mënyrë perfekte.

Prindërit e ardhshëm kanë menduar edhe për emrin e vogëlushes, e cila do të mbajë dy emra. Njëri prej tyre do të jetë Maria, si një homazh prekës për gjyshen e ndjerë të Alfios, një figurë që ka lënë gjurmë të thella në jetën e tij. Emri i parë, megjithatë, do të zbulohet vetëm pas lindjes.

Teksa numërojnë ditët e fundit të pritjes, Alfio Rrotani dhe Joana Gjonaj po shijojnë një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre, të bindur se vajza e tyre do të jetë simboli më i pastër i dashurisë, harmonisë dhe bashkimit që i karakterizon./mxh

20:47 Bora Zemani flet hapur për Donaldin dhe Beatrixën

By: Monika
25 January 2026 at 20:47

Bora Zemani është e ftuara e radhës në podcast-in e Grida Dumës, ku do të zhvillojë një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, ashtu siç sugjeron edhe videoja promovuese që ka ngjallur reagime të shumta.

Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Bora zgjedh të flasë për herë të parë publikisht për mënyrën se si e koncepton faljen, duke dhënë mesazhe që për shumëkënd u lexuan si një reflektim personal mbi marrëdhënien e saj me aktorin Donald Veshaj.

E pyetur nga Grida Duma se deri në çfarë pike është e gatshme të falë, Bora shprehet qartë se falja për të nuk lidhet me mashtrim ndaj vetes apo me mbyllje sysh përballë gabimeve:

“Nuk fal me naivitet dhe as sepse dua të gënjehem. Fal vetëm kur jam plotësisht e vetëdijshme për atë që ka ndodhur dhe kur vendos ta tejkaloj me ndërgjegje.”

Biseda thellohet më tej në idenë se falja nuk duhet të cenojë parimet personale. Sipas Borës, kufijtë nuk zhduken vetëm sepse dikush vendos të falë:

“Kufijtë mbeten të njëjtë. Pyetja është nëse, pavarësisht gabimeve, ekziston ende një mundësi që një marrëdhënie të mos marrë fund, por të shpëtohet.”

Këto deklarata u interpretuan gjerësisht si një referencë indirekte ndaj historisë së saj të njohur me Donald Veshajn. Kujtohet se gjatë pjesëmarrjes së tij në “Big Brother VIP 1”, aktori krijoi një lidhje brenda shtëpisë me Beatrix Ramosaj, duke e kthyer situatën në një nga episodet më të diskutuara të show-t.

Intervista e plotë pritet të sjellë më shumë qartësi dhe reflektime mbi vendimet personale, faljen dhe rindërtimin e marrëdhënieve pas krizave./mxh

20:36 SHBA bën thirrje për përparim në marrëveshjen e paqes/ Izraeli vijon sulmet në Gaza, raportohet për viktima dhe të plagosur

By: Monika
25 January 2026 at 20:36

Një sulm izraelit ka lënë të vdekur dy palestinezë në lagjen Tuffah, në veri të Rripit të Gazës, teksa katër të tjerë kanë mbetur të plagosur në një incident të veçantë në qytetin e Gazës, kanë njoftuar autoritetet lokale shëndetësore.

Punonjësit mjekësorë kanë thënë se një dron izraelit ka shpërthyer mbi tarracën e një ndërtese shumëkatëshe në qytetin e Gazës, duke plagosur katër civilë që ndodheshin në rrugën aty pranë.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar asnjërin nga incidentet. Gaza është kthyer në gërmadha nga lufta që shpërtheu pas sulmit të grupit militant palestinez Hamas ndaj Izraelit jugor më 7 tetor 2023, sulm që vrau 1.200 persona, sipas shifrave izraelite.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se më shumë se 71.000 njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë nga ofensiva izraelite që prej asaj kohe.

Sipas saj, të paktën 480 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që kur marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi tetorin e kaluar./mxh

20:27 Zelensky: Garancitë e sigurisë nga SHBA‑ja janë 100% gati, po presim t’i nënshkruajmë

By: Monika
25 January 2026 at 20:27

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi këtë të diel se dokumenti i garancive të sigurisë që janë propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tërësisht i përgatitur dhe Ukraina pret të vendoset data dhe vendi ku ai do të nënshkruhet.

Zelenski bëri këtë deklaratë gjatë një konferencë për shtyp në Vilnius, Lituani.

Në fjalën e tij, presidenti ukrainas theksoi se për Ukrainën, garancitë e sigurisë do të jenë mbi të gjitha ato që sigurohen nga SHBA?ja, teksa shtoi se sapo nënshkrimi të kryhet, dokumenti do të dërgohet për ratifikim në Kongresin e SHBA?s dhe në parlamentin ukrainas.

“Qëndrimi ynë në lidhje me territorin tonë, integritetin territorial të Ukrainës duhet të respektohet”,-tha Zelensky.
Zelensky tha se SHBA-të po përpiqen të gjejnë një kompromis, por se “të gjitha palët duhet të jenë të gatshme për kompromis./mxh

20:18 Pjesa e parë e derbit Arsenal-Manchester United mbyllet në barazim

By: Monika
25 January 2026 at 20:18

Pjesa e parë e derbit mes Arsenalit dhe Manchester Unitedit në “Emirates Stadium” është mbyllur me barazim 1-1, pas 45 minutave të luftuara dhe me raste në të dyja anët.

Arsenali kaloi në epërsi në minutën e 29-të, kur Lisandro Martínez devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë avantazhin “Topçinjve” prej 1-0.

Skuadra e Mikel Artetës ishte më kërkuese në fazën e parë, ndërsa vetëm pak minuta më herët Martin Zubimendi rrezikoi me kokë, por portieri Senne Lammens u tregua vendimtar me një pritje spektakolare.

Manchester United reagoi dhe arriti barazimin në minutën e 37-të. Një gabim në mbrojtjen e Arsenalit u shfrytëzua nga Bryan Mbeumo, i cili tregoi qetësi dhe realizoi nga afërsia për 1-1.

Me këtë rezultat, të dyja skuadrat shkojnë në pushim, ndërsa pjesa e dytë pritet të jetë edhe më intensive në kërkim të golit të fitores./mxh

20:10 “Trump do të më deportojë”/ Incident gjatë një festivali në Florida, kongresmeni demokrat goditet me grusht

By: Monika
25 January 2026 at 20:10

Në një postim në rrjetin X, Frost tha se sulmuesi i kishte thënë se “Trump do të më deportojë”, përpara se ta godiste. Sipas tij, autori bërtiste komente raciste ndërsa largohej nga vendi i ngjarjes. “Personi u arrestua dhe unë jam mirë”, shkroi kongresmeni 29-vjeçar.

Policia e Park City konfirmoi arrestimin e të dyshuarit, Christian Young, i cili u akuzua për hyrje të paligjshme dhe dy akuza për sulm të thjeshtë, me rrethana rënduese. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lokal ku po mbahej një event privat në kuadër të festivalit.

Sipas policisë, Young kishte tentuar më parë të hynte në festë pa ftesë dhe ishte larguar. Më pas ai u rikthye, hyri në mënyrë të paligjshme dhe sulmoi Frost-in si edhe një grua tjetër që ndodhej në ambient.

Mediat amerikane raportuan se sulmi ndodhi në një event të organizuar nga agjencia e talenteve CAA dhe se i dyshuari kishte shprehur hapur komente supremaciste racore përpara agresionit.

Frost, i cili ka bërë histori si afro-kubani i parë dhe përfaqësuesi i parë i Gjeneratës Z në Kongresin amerikan, tha se ndodhemi në “kohë të frikshme” dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë urrejtjes.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e dënoi ashpër sulmin, duke kërkuar ndjekje penale të fortë ndaj autorit dhe duke theksuar se dhuna politike nuk ka vend në SHBA./mxh

19:58 Zjarr i madh pranë bazës së Pashalimanit në Orikum

By: Monika
25 January 2026 at 19:58

Një vatër e madhe zjarri ka rënë në mbrëmjen e sotme pranë bazës ushtarake të Pashalimanit në zonën e Orikumit.
Raportohet se zjarri po përhapen masivisht për shkak të erës që favorizon flakët.

Deri më tani, në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Vlorës kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara.

Forcat zjarrfikëse në terren po punojnë për vënien e flakëve nën kontroll./mxh

19:45 Garë e ashpër për kreun dhe mbijetesën, si ndryshon renditja në Superiore

By: Monika
25 January 2026 at 19:45

Java e 21-të e Superiores dhuroi rivalitet të fortë, ndeshje të luftuara dhe rezultate që ndikuan drejtpërdrejt në renditje, duke e bërë edhe më interesante garën për kreun.

Vllaznia doli fituese nga supersfida ndaj Partizanit, duke triumfuar 1-0 në stadiumin “Loro Boriçi”. Ky sukses i ngjiti shkodranët në vendin e parë të renditjes me 39 pikë, po aq sa Egnatia, e cila mban vendin e dytë.

Në Ballsh, Bylisi dhe Egnatia ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2, në një ndeshje të luftuar dhe me ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat treguan forcë në fazën sulmuese.

Fitore të rëndësishme arriti edhe Tirana, e cila mposhti Flamurtarin 1-0 në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke konfirmuar momentin pozitiv dhe duke siguruar tre pikë të vlefshme në vazhdimësinë e kampionatit.

Barazim 1-1 u regjistrua në përballjen mes Teutës dhe Vorës, një ndeshje e ekuilibruar ku të dyja skuadrat arritën të marrin pikë në një duel të luftuar deri në fund.

Java u mbyll në “Elbasan Arena” me fitoren e Elbasanit ndaj Dinamos 2-0, një sukses shumë i rëndësishëm për verdheblutë ndaj një kundërshtari direkt. Elbasani mban vendin e tretë në renditje me 38 pikë, një më pak se Vllaznia dhe Egnatia./mxh

19:38 Princesha Kate Middleton bën debutimin e saj në modë si stiliste (Lifestyle)

By: Monika
25 January 2026 at 19:38

Një moment i rëndësishëm ka mbërritur në stilin personal të princeshës Kate Middleton, e cila është parë si Mbretëreshë e ardhshme e Britanisë së Madhe, që tani po bën një lëvizje të dukshme në botën e modës.

Gjatë një vizite në Skoci me princin Uilliam, princesha veshi një pallto të veçantë që mban vulën e saj krijuese, një model me linja të pastra, supe të theksuara dhe mbyllje kryqëzuese, që thekson siluetën e saj elegante.

Pallto u zhvillua në bashkëpunim me rrobaqepësin e njohur Chris Kerr dhe markën e famshme skoceze Johnstons of Elgin, një kombinim që shërben si homazh për traditën tekstile të Skocisë.

Princesha e kombinoi këtë pallto me një pulovër të zezë me golf të lartë, fund të gjatë dhe këpucë elegante Gianvito Rossi, si dhe bixhu me safire e diamante që lidhen me stilin klasik britanik dhe historinë e unazës së saj të fejesës.

Kjo lëvizje e princeshës britanike drejt një roli aktiv krijues në modë tregon një epokë të re ku anëtarët e familjes mbretërore jo vetëm që shfaqin trendet, por edhe i kontribuojnë zhvillimit të industrisë vendase të modës./mxh

19:24 Elbasani fiton duelin direkt, Dinamo pëson humbjen e dytë radhazi

By: Monika
25 January 2026 at 19:24

Elbasani u rikthye te fitorja në Superiore pas katër ndeshjeve pa sukses, duke mposhtur Dinamon me rezultatin 2-0.

Sfida direkte për zonën e sipërme të renditjes u vendos nga dopieta e sulmuesit Ibrahima Diallo. Verdheblutë kaluan në avantazh që në minutën e 5-të, pas një gabimi të portierit Aldo Teqja.

Në minutën e 25-të, Diallo realizoi golin e dytë, duke përfituar nga topi i kthyer pas një penalltie të humbur.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të Elbasanit. Në fraksionin e dytë, loja ishte më e qetë dhe me pak raste shënimi.

Me këtë fitore, Elbasani mban vendin e tretë me 38 pikë. Dinamo mbetet në vendin e katërt me 33 pikë, duke pësuar humbjen e dytë radhazi./mxh

❌
❌