Gazetari Mentor Kikia komentoi sot ngjarjen e 21 janarit, në këtë 15-vjetor në të cilin bëhen ende thirrje për drejtësi.
Në një studio televizive, Kikia e cilësoi si një njollë të errët të politikës shqiptare, që sipas tij tregoi se shkel edhe mbi gjakun e shqiptarëve për interesat e veta.
Kikia hodhi dyshimet se për këtë ngjarje me katër viktima ka interes që të mos zbardhet e vërteta.
“Janë bërë vite tashmë që shikojmë të njëjtin ritual. Gjithë drejtuesit e PS-së, ministrat, etj, vihen në rresht me karafila dhe bëjnë atë traditën e homazhit. Të njëjtat fjalime. Besoj se deri tani, 21 Janari, nuk di se çfarë do të sjellë hetimi i fundit që ka SPAK në dorë. Ka çështje për të cilën të gjithë kanë qenë të interesuar të mos shkohej deri në fund. Përgjegjësitë shkojnë të ata që qëlluan dhe e organizuan. Historia e zhytur në një zinxhir të fundëm gjyqesh e ndëshkimesh. Tri procese gjyqësore janë zhvilluar. Vetëm çështja për atë plumbin që nuk dihej nga kshte dale dhe çështja ka kaluar për hetim për të gjetur provat për të gjetur urdhëruesit që qëlluan. Një njollë e errët në politikën në politikën shqiptare, por edhe të drejtësisë në kushtet e pafuqisë ose mungesës së vullnetit për ta çuar deri në fund, por edhe për të dëshmuar se politika shqiptare ka shkelur edhe mbi gjakun e shqiptarëve për interesat e saj për të shkuar atje ku ka dashur”,-tha Kikia./mxh
Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha sot presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndërsa kritikoi fjalimin e kryeministrit kanadez Mark Carney në të cilin ai dënoi masat shtrënguese nga fuqitë e mëdha, sipas “CBC News”.
Duke folur në Davos të Zvicrës, ku Trump këmbënguli për blerjen e Greonlandës nga SHBA-ja, ai tha se i duhej territori danez për “Kupolën e Artë” të propozuar nga vetë ai, një sistem mbrojtjeje nga raketat që mund të mbulojë Amerikën e Veriut.
Trump tha se kupola do ta mbronte Kanadanë për shkak të gjeografisë dhe vendi nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës që një sistem i tillë ishte në proces.
Carney nuk ka qenë i angazhuar në të kaluarën në lidhje me pjesëmarrjen ose pagesën e Kanadasë për atë që Trump po propozon.
“Kanadaja merr shumë dhurata falas nga ne. Ata duhet të jenë mirënjohës, por nuk janë”, tha Trump.
“E pashë kryeministrin tuaj dje. Ai nuk ishte aq mirënjohës – ata duhet të jenë mirënjohës ndaj SHBA-së. Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Trump, një referencë e dukshme për mbrojtjen ushtarake që SHBA-ja i ofron kontinentit.
“Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që do të bësh deklaratat e tua”, tha ai, duke iu referuar kryeministrit kanadez, i cili u largua nga samiti para se Trump të mbante fjalimin e tij. Të dy nuk u takuan në margjinat e samitit.
Pa e përmendur Trump me emër, Carney iu referua “hegjemonisë amerikane” dhe tha dje se fuqitë botërore po e përdornin integrimin ekonomik si “armë”.
“Kanadezët e dinë se supozimi ynë i vjetër dhe i rehatshëm se gjeografia dhe anëtarësimi ynë në aleancë automatikisht na jepnin prosperitet dhe siguri nuk është më i vlefshëm”, tha Carney.
Ndërsa përballet me këtë dinamikë të re, Carney tha se Kanadaja duhet të ishte “parimore dhe pragmatike” dhe të kthehej për të ndërtuar vendin dhe për të diversifikuar marrëdhëniet tregtare – për t’u bërë më pak e varur nga vende si SHBA-ja, tani që është e qartë se integrimi mund të çojë në “nënshtrim”.
“Kjo qasje izolacioniste, ku ekziston një “botë fortesash”, do t’i bëjë vendet më të varfra, të brishta dhe më pak të qëndrueshme”, tha Carney.
“Por, kjo po vjen gjithsesi dhe Kanadaja duhet të punojë me aleatë me të njëjtat mendje, aty ku është e mundur, për të kundërshtuar dominimin nga vendet më të mëdha, më të pasura dhe më të armatosura mirë”, shtoi ai.
“Rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është një strategji. Por nga thyerja, ne mund të ndërtojmë diçka më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë”, tha dje Carney në Davos.
Gjatë fjalimeve të tij të gjata dhe të paqarta, Trump iu referua sërish Kanadasë ndërsa po reklamonte përfitimet e supozuara të regjimit të tij global të tarifave.
Në një konferencë për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, Trump përmendi problemet në industrinë automobilistike të Kanadasë si një nga arritjet e tij.
Trump u tha punonjësve në fabrikën “Ford në Dearborn”, javën e kaluar se amerikanët nuk kishin nevojë për makina të prodhuara në Kanada.
Automjetet janë eksporti i dytë më i madh kanadez për nga vlera, me 46,5 miliardë dollarë në vitin 2024, nga të cilat 92 % u eksportuan në SHBA.
Fabrikat e montimit të automjeteve në Brampton dhe Ingersoll, Ont., kanë qenë të bllokuara që kur Trump nisi luftën e tij tregtare.
Dhe disa prodhues makinash si “General Motors” dhe kompania mëmë e “Chrysler, Stellantis”, kanë njoftuar investime të reja në SHBA.
Megjithatë, pavarësisht retorikës së presidentit, të dhënat paraprake nga Byroja e Statistikave të Punës në SHBA tregojnë se në fakt ka pasur një tkurrje të vendeve të punës në industrinë e automobilave në jug të kufirit gjatë vitit të kaluar.
Fjalët e fundit të Trump vijnë gjithashtu një ditë pasi ai postoi një imazh të ndryshuar në media sociale të flamurit të SHBA-së mbi Kanadanë dhe Groenlandën./mxh
Çmimi i arit arriti nivelin më të lartë në histori, mbi 4,800 dollarë për 28 gramë ndërsa tregjet e aksioneve ranë.
Ndryshimet e ndjeshme u shkaktuan nga ankthi i investitorëve për rreziqe globale, sidomos për tensionet rreth planeve të SHBA-së për Groenlandën dhe tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Evropës, që po shtojnë edhe më shumë pasigurinë në tregje.
Bursat kryesore europiane pësuar rënie, përfshirë CAC 40 i Francës dhe DAX i Gjermanisë që shënuan ulje.
Edhe aksionet amerikane u ndikuan nga udhëtimi i Presidentit të SHBA, Donald Trump, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Investitorët janë ende të shqetësuar për pasojat e mundshme të masave tregtare dhe tensioneve diplomatike./mxh
Situata aktuale te Lazio po konsiderohet ndër më të ndërlikuarat e viteve të fundit, me marrëdhënien mes trajnerit Maurizio Sarri dhe presidentit Klaudio Lotito që ndodhet në një fazë të tensionuar. Raportet mes palëve janë në nivele minimale dhe zhvillimet e fundit kanë lënë të hapur çdo skenar për të ardhmen e klubit.
Në qendrën stërvitore është zhvilluar një takim mes drejtuesve dhe stafit teknik, por ky takim nuk ka ndryshuar thelbin e problemit.
Sarri vazhdon të gjendet në një situatë ku duhet të menaxhojë një skuadër mbi të cilën nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë gjatë verës, për shkak të bllokimit të merkatos që ka prekur klubin. Edhe tani, kur ekziston mundësia që presidenti të investojë në merkato, trajneri nuk ka garanci se do të përfshihet në procesin e vendimmarrjes.
Sarri ka qenë i qartë në qëndrimin e tij, duke bërë të ditur se disa lojtarë janë afruar pa miratimin e tij. Nga ana tjetër, Lotito ka përsëritur një qëndrim të njohur, duke nënvizuar se kontrolli përfundimtar mbi klubin i takon presidencës. Kjo përplasje e hapur ka krijuar pasiguri si brenda skuadrës, ashtu edhe te tifozët.
Edhe përbërja aktuale e ekipit shihet si problematike, me një balancë që ngre pikëpyetje në disa reparte. Në këtë kuadër, nuk përjashtohen largime të tjera të rëndësishme.
Një rast konkret është ai i Alessio Romagnoli, i cili po shqyrton një ofertë të rëndësishme financiare nga Al Sadd, me një kontratë trevjeçare prej 6 milionë eurosh në sezon. Mungesa e një oferte rinovimi nga Lotito e shtyn mbrojtësin drejt një largimi të mundshëm.
Situata prek edhe lojtarë të tjerë kyç, si Guendouzi, i cili kishte vendosur të qëndronte në verë kryesisht për shkak të Sarrit, ndërsa u largua në merkaton e dimrit. Vetë trajneri, i afruar gjatë verës për të përballuar presionin dhe për të garantuar stabilitet, është gjendur në një realitet të papritur, pa qenë i informuar plotësisht për zhvillimet strukturore të klubit.
Sarri ka konsideruar mundësinë e dorëheqjes, një vendim që e ka marrë edhe më parë, në vitin 2024, por hezitimi lidhet me idenë e braktisjes së skuadrës në një moment të vështirë. Premtimi i dhënë tifozëve për të qëndruar të paktën deri në fund të sezonit mbetet një faktor vendimtar.
Nga ana tjetër, Lotito nuk e ka shkarkuar trajnerin, pasi kjo do t’i kushtonte klubit rreth 12 milionë euro bruto për pjesën e mbetur të kontratës trevjeçare. Situata ka marrë formën e një përplasjeje të hapur, që aktualisht nuk i shërben asnjërës palë dhe, mbi të gjitha, dëmton interesat e Lazios./mxh
Një stuhi e quajtur Harry ka ndikuar në disa pjesë të Mesdheut, duke shkaktuar shira të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe dëme të mëdha.
Në Maltë, banorët u zgjuan me pemë të rrëzuara dhe dëme në ndërtesa, sidomos në zonat bregdetare si Marsascala, Sliema dhe Birzebbuga për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të larta.
Në ishullin italian të Liparit, dallgë të mëdha u përplasën në breg, duke çuar në mbyllje të disa zonave dhe ndërprerje të shërbimeve detare.
Në Korsikë, shirat e rrëmbyeshëm bënë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të përmbytën pjesë të ishullit pas mbi 200 mm shi në një ditë.
Në rajonin spanjoll të Katalonisë, dallgë deri në 6 metra goditën bregdetin, ndërsa shirat e furishëm përmbytën rrugë në Girona./mxh
Kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha mbajti sot një bashkëbisedim me qytetarët në njësinë nr.2 Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit një qytetar i tha Berishës se ka ardhur koha të ndalojnë denoncimet lart e poshtë sepse sipas tij tashmë dihet mirë se kush janë hajdutërit dhe kërkoi ndryshim konkret nga PD për të fituar elektoratin që nuk e voton.
“Që PD të fitojë mbështetjen e popullit ka vetëm një ka vetëm disa rrugë të qarta. Kam dëgjuar disa foltore doktor dhe nuk më kanë pëlqyer sepse nuk duhet të vendosim gishtin te Rama apo Balluku, por të tregojmë se çfarë do bëjmë ndryshe sepse kështu i mbushet mendja asaj pjesës tjetër që nuk na voton. Janë hajdutër mjafton një herë t’ua themi një herë. Na mungon uji, energjia, ilaçet etj., por kemi 30 vite që i dëgjojmë, kur kemi dalë në 90’ kishim shumë shpresa, dhe këto shpresa i përdhosi si PD, PS dhe i gjithë rangu politik. Asnjë nuk punon për interes kombëtar, por për të pasuaruar veten dhe të gjitha ithtarët që i rrinë pas. Më falni për kritikën, por dua të jem i sinqertë sot”, tha qytetari.
Më tej ai i tha kryedemokratit se nëse vjen në pushtet duhet të kontrollojë pasurinë e të gjithë politikanëve shqiptar dhe t’iu ngrihen asete që kanë vjedhur nga populli.
“Unë kërkoj që pas ardhjes së saj në pushtet nëse ndodh, PD të kërkojë shqyrtimin e pasurisë së politikanëve nga cila anë të jetë sepse vetëm kështu krijojmë besim te populli, ku prospetriteti të jetë mes nesh. Sot nuk mund të tregoni sot nga PS, është e saktë kjo që bëni, por nuk keni aftësi juridike të denonconi sepse i gjithë sistemi gjyqësor është i kapur, është e kotë, ju denonconi lart e poshtë gjëra që dihen qartë, nëse prokuroria nuk punon ndaj atyre që shkelin ligjin, por merret se i kujt partie është, s’ka vlerë. Për të gjitha këta që denonconi ju është shume e thjeshtë, kur të vini në pushtet, bëhet një ligj për të analizuar nga kanë ardhur këto para, të ngrihen dhe t’iu kthehen atyre që iu janë marrë, premtojani popullit këtë. Ka nevojë populli për qaje serioze ndoshta s’do keni sukses”, u shpreh demokrati./mxh
Mirë se u riktheve, 2016. Po, jemi në 2026, por mjaftoi pak “scrolling” këto ditë që të kuptojmë: kolektivisht, kemi vendosur ta injorojmë të tashmen dhe të kthehemi dhjetë vjet pas, në një epokë kur jeta dukej më e lehtë, më e thjeshtë, më pak e rënduar. E vështirë për t’u shpjeguar; duhej të ishe aty. Më mirë akoma, po të ishe adoleshent.
Nostalgjia është kaq e fortë, sa edhe njerëz të zakonshëm, edhe të famshëm po nxjerrin nga sirtarët fotot ikonike të asaj kohe, sikur po shfletojmë një album të përbashkët kujtimesh ku gjithçka duket më “light”.
Ishte mbretëria e skinny jeans aq të ngushta sa duhej të kërcenim për t’i veshur dhe të shtriheshim në shtrat për t’i mbyllur. Leggings-at ishin “uniformë” dhe askush s’e mendonte se një ditë do të demonizoheshin nga moda baggy. Pastaj bomber jacket, bikini Triangl super të ndezur (nëse e di, e di), print ushtarak, këmisha me kuadrata të lidhura në bel, suede, crop tops, t-shirt me grafika… dhe ai boho-chic-i që dukej sikur ishte bërë për Coachella.
Në atë (dis)komfort, choker-at ishin detaj i detyrueshëm: gjerdanë të ngushtë në qafë, të çdo lloji. Sot, me mendjen mbrapa, ndoshta ishte më mirë ta shtrëngonim qafën atëherë me chokers, sesa ta ndjenim sot “nyjën në fyt” nga përgjegjësitë e jetës së rritur. Dhe po sado “decluttering” të bëjmë çdo vit, një palë skinny dhe një choker diku i mbajmë, si hajmali, si relike, si provë që e dinim: një ditë do ktheheshin prapë.
Harroje “clean girl era”-n që dominon sot. Në 2016, skincare ende s’ishte fe popullore. Flitej më shumë për make-up: koleksione të pafundme tinti buzësh, nga nude te ngjyra ekstreme si vjollcë, e zezë, blu. Zgjatnin ditë të tëra më të qëndrueshme se çdo premtim dhe shumica prej nesh sot e paguajmë ende faturën e asaj kohe me buzë të thata dhe një balsam në xhep 24/7.
Edhe flokët ishin “playground”: ngjyra, paruke, eksperimente (me frymëzim nga Kylie Jenner dhe epoka e saj e re në beauty), plus gërsheta, gërsheta, gërsheta. Ishte koha kur shoqet në shkollë të preknin flokët mes orëve, si të ishe në backstage, jo në korridor.
Edhe interneti dukej më i pafajshëm. Snapchat ishte revolucion: postonim duke ditur që gjithçka zhdukej pas 24 orësh. Filtri i qenit, kurora me lule “cringe”? Ndoshta. Por shumë më pak toksik se filtrat e sotëm që të ndryshojnë fytyrën dhe të ngatërrojnë kufirin mes realitetit dhe fantazisë. Plus, Snapchat të njoftonte kur dikush bënte screenshot: avangardë.
Dhe pastaj erdhën Instagram Stories në verën e 2016-s. Ishin fëmija i Snapchat-it: ecën sepse Snapchat vrapoi. Por ta themi: atëherë postonim më shumë për qejf, për eksperiment, për vete. Sot shpesh postojmë për të tjerët, me më shumë kalkulim, sikur po shesim një estetikë, jo po ndajmë një copëz jete.
Edhe filtrat kishin një “shije” tjetër: ai Rio de Janeiro që e bënte gjithçka rozë. Ndërsa sot, me kamera super të avancuara në xhep, po kthehemi prapë te kamerat digjitale për “moments”, thjesht që të kapim atë ndjesinë e vjetër. Në 2016, një iPhone rozë dukej kulmi i cool-it aq sa s’donim as t’i vinim mbrojtëse, edhe sikur të thyhej te rrëzimi i parë. Sot, kur dëgjon që ekziston iPhone 17, të kap një ndjesi e lehtë “mosha po ecën”.
S’kishte TikTok kishte Musical.ly. Vine ishte burimi kryesor i të qeshurave: meme që lëviznin, të shkurtra dhe brilante. “Doomscrolling” nuk ishte epidemi. Algoritmi s’dukej sikur të njihte më mirë se shoqëria. Online dhe offline kishin ende kufi. Interneti ishte argëtim, jo zgjatim i identitetit.
Edhe shopping-u bëhej kryesisht “live”, jo me një klik. Dhe kjo, çuditërisht, na duket sot si luks.
2016 kishte edhe një soundtrack të pareplikueshëm: këngë që s’ishin thjesht hite, por “momente”. Pop-i ishte në epokën e artë: Sia, Coldplay, Drake, Chainsmokers, Shawn Mendes, Justin Bieber në “Purpose era”, Ariana Grande me super-hite… dhe Rihanna, kudo. Ishte koha kur një koncert të mbetej në trup, jo në galerinë e telefonit. Dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse na duket më e bukur: sepse e jetonim më shumë sesa e dokumentonim.
Në 2016, ideja e një pandemie globale dukej fantashkencë. Në kinema shkonim më shpesh, qanim me “Me before you”, ëndërronim me “La La Land”. Netflix sapo kishte nisur të bëhej “gjë” dhe askush s’e kuptonte se po vinte një revolucion i tërë në mënyrën si konsumojmë filma e seriale. Stranger Things sapo hapej si epokë.
Dhe, si çdo nostalgji e madhe, kishte edhe notat e hidhura: One Direction shpallnin pauzë dhe ne besonim realisht se “do ribashkohen”. Bota dukej më e qëndrueshme: edhe disa figura që sot s’janë më, atëherë të dukeshin të përjetshme.
Ndoshta s’mund të kthehemi mbrapa. Ndoshta as s’duhet. Por mund të kujtojmë si ndihej të ishe më i lehtë dhe, herë pas here, ta provojmë ta bëjmë prapë. Të postojmë më pak për të “dukur”, e më shumë për të “qenë”. Të shijojmë më shumë momentin, jo vetëm ta ruajmë.
Sepse ndoshta ajo që na mungon nga 2016 nuk janë skinny jeans, filtrat rozë apo Snapchat-i. Na mungon ndjesia se jeta s’ishte gjithmonë një provë, një garë, një performancë. Na mungon një lloj pafajësie digjitale. Dhe një frymëmarrje më e lirë./MXH
Japonia ka riaktivizuar reaktorin e centralit bërthamor më të madh në botë për herë të parë që nga tërmeti dhe cunami shkatërrues i Fukushimës në vitin 2011, që mbyllën të gjithë reaktorët e vendit.
Vendimi ka të bëjë me reaktorin nr. 6 në centralin bërthamor Kashiwazaki-Kariwa, në veriperëndim të Tokios, dhe u mor pavarësisht shqetësimeve të forta për sigurinë nga banorët. Rinisja u vonua me një ditë për shkak të një mosfunksionimi në një sistem alarmi, ndërsa prodhimi i energjisë pritet të fillojë muajin tjetër.
Rinisja e centralit Kashiwazaki-Kariwa është hapi i fundit në përpjekjet e Japonisë për të rinisur programin e saj bërthamor, një proces që është ende larg përfundimit.
Gati 15 vjet pas aksidentit të Fukushimës më 11 mars 2011, shumë banorë ende nuk mund të kthehen në shtëpi për shkak të niveleve të larta të rrezatimit. Edhe pse Japonia i është përmbajtur planit të saj për çmontimin e centralit bërthamor Fukushima Daiichi deri në vitin 2051, ajo e ka shtyrë vazhdimisht procesin për shkak të vështirësive të ndryshme./MXH
Luksemburgu hyri në histori jo me një rekord sportiv apo një nismë simbolike, por me një vendim që prek përditshmërinë e çdo njeriu: e bëri transportin publik falas në shkallë kombëtare. Që nga 1 marsi 2020, autobusët, tramvajet dhe trenat në klasën standarde brenda territorit të vendit mund të përdoren pa biletë, pa abonim dhe pa asnjë pagesë.
Në një kohë kur shumë kryeqytete europiane flasin për ndotjen, trafikun dhe kostot e jetesës, Luksemburgu zgjodhi një rrugë të drejtpërdrejtë: të heqë barrierën financiare dhe ta kthejë lëvizjen në shërbim publik real. Për banorët, për ata që udhëtojnë çdo ditë për punë dhe për turistët, kjo do të thotë më pak stres, më pak procedura dhe një arsye më shumë për ta lënë makinën mënjanë.
Skema e transportit falas është e qartë: çdo udhëtim me autobus, tramvaj dhe tren të klasës së dytë brenda Luksemburgut është pa pagesë. Përjashtim bëjnë trenat e klasës së parë dhe linjat ndërkombëtare që dalin jashtë kufijve. Me fjalë të thjeshta, brenda vendit mjafton të hipësh dhe të udhëtosh.
Ky model ka edhe një efekt praktik që shpesh harrohet: e thjeshton në maksimum përvojën e përdoruesit. Nuk ka nevojë të kërkosh ku blihet bileta, nuk ka radhë, nuk ka konfuzion me tarifat dhe zonat, sidomos për vizitorët. Transporti publik shndërrohet në një zgjedhje spontane, jo në një detyrë logjistike.
Luksemburgu është një vend i vogël, por me një ritëm të lartë lëvizjeje. Trafiku rrugor ka qenë prej vitesh një nga sfidat e përditshme, i ndikuar edhe nga fluksi i udhëtarëve që hyjnë e dalin çdo ditë për arsye pune. Në këtë kontekst, transporti publik falas nuk është thjesht “dhuratë” për qytetarët, por një pjesë e një strategjie më të gjerë: ta bëjë alternativën publike aq të lehtë dhe tërheqëse sa të konkurrojë realisht makinën private.
Një tjetër shtysë është dimensioni social. Kur transporti kushton, ai bëhet pengesë për shumë familje, studentë, të rinj apo të moshuar. Kur transporti është falas, lëvizja për punë, shkollë, shërbime apo aktivitete sociale bëhet më e aksesueshme. Në këtë kuptim, politika nuk synon vetëm mjedisin, por edhe barazinë në mundësi.
Për turizmin, ky ndryshim i jep Luksemburgut një avantazh të rrallë: vizitori mund ta shohë vendin pa pasur një kosto të shtuar për lëvizjen. Një udhëtim në qytetin e Luksemburgut, një ndalesë në lagjet historike, një vizitë në kështjella apo zona natyrore bëhet më e thjeshtë, sepse transporti nuk është më “pjesë e buxhetit” që të detyron të bësh kompromis.
Kur lëvizja është e lirë dhe e lehtë, rritet edhe fleksibiliteti. Turistët nuk ndihen të lidhur vetëm pas qendrës, por mund të dalin jashtë saj, të eksplorojnë më shumë, të qëndrojnë më gjatë dhe të krijojnë një përvojë më të pasur. Në mënyrë indirekte, kjo mund të shpërndajë më mirë flukset turistike dhe t’i japë frymëmarrje edhe zonave jashtë itinerareve klasike.
Transporti falas është një sinjal i fortë, por vetë Luksemburgu e ka të qartë që vetëm falas nuk mjafton. Nëse autobusët vonohen, nëse trenat janë të mbushur, nëse frekuenca nuk i përgjigjet ritmit të qytetit, njerëzit prapë do ta zgjedhin makinën. Prandaj, masa lidhet me një ide më të gjerë të mobilitetit të qëndrueshëm: më shumë investim në rrjet, më shumë shërbim, më shumë kapacitet, më shumë lehtësi për qytetarin.
Në të njëjtën linjë është edhe objektivi afatgjatë për uljen e emetimeve dhe orientimin drejt një modeli më të pastër lëvizjeje, me fokus te transporti publik, biçikletat dhe infrastruktura urbane që i jep prioritet njerëzve, jo vetëm automjeteve. Ideja është që qyteti të funksionojë më mirë, jo thjesht të ketë bileta falas.
Shumë qytete europiane kanë eksperimentuar herë pas here me transport falas në nivel lokal, në ditë të caktuara ose për kategori të veçanta. Ajo që e bën Luksemburgun të veçantë është shkalla: një vend i tërë, me një politikë të unifikuar, e zbatuar në mënyrë të vazhdueshme.
Pikërisht për këtë arsye, Luksemburgu shihet sot si një laborator i hapur. Jo sepse ka gjetur një zgjidhje magjike për trafikun, por sepse ka vendosur një standard të ri se si mund të mendohet shërbimi publik: më i thjeshtë, më i arritshëm dhe më i lidhur me të ardhmen e qyteteve./MXH
Pas muajsh të tërë spekulimesh për tensione dhe drama brenda familjes Beckham, story-ve të Brooklyn Beckham, ku u nxorri “të palarat” prindërve, u zbuluan shumë më tepër sesa kushdo e kishte imagjinuar.
Mes akuzave, Brooklyn pretendoi se familja e tij është kontrolluese, se e urren gruan e tij pa asnjë arsye dhe se ka tentuar t’i ndajë. Ai madje shkoi deri aty sa deklaroi se nëna e tij, Victoria Beckham, “kërceu në mënyrë shumë të papërshtatshme” me të gjatë dasmës.
Për t’ju rifreskuar kujtesën: Brooklyn dhe Nicola Peltz nisën lidhjen në vitin 2019, u fejuan në 2020 dhe u martuan në 2022. Pak pas dasmës, nisën të qarkullonin thashetheme se ceremonia ishte një nga ato dasma VIP që gati sa nuk u shkatërrua fare nga momentet e sikletshme. Thuhet se Victoria dhe David Beckham nuk ishin shumë entuziastë për anëtaren e re të familjes dhe se Victoria kishte tentuar të linte në hije Nicola-n në ditën e saj të madhe.
Pa deklarata zyrtare nga asnjëra palë, gjithçka mbeti në nivel spekulimi… deri në gusht 2025, kur Brooklyn dhe Nicola rinovuan betimet e martesës. Në ceremoni ishin të pranishëm prindërit miliarderë të Nicola-s, por asnjë nga familja Beckham nuk ishte i ftuar.
Nga aty, thashethemet vetëm sa u përshkallëzuan. Në dhjetor 2025, vëllai më i vogël i Brooklyn, Cruz Beckham, pretendoi në Instagram se Brooklyn e kishte bllokuar atë dhe pjesën tjetër të familjes pa asnjë paralajmërim. As Brooklyn dhe as Nicola nuk reaguan publikisht… deri më 19 janar 2026, kur Brooklyn publikoi postimin “bombë”.
Siç pritej, interneti u nda në dy kampe: fansat e Brooklyn & Nicola kundër fansave të David & Victoria. Por pavarësisht ndarjes së opinionit, një gjë është e qartë për të gjithë: disa aspekte të martesës së Nicola Peltz dhe Brooklyn Beckham janë vërtet të çuditshme dhe flamuj të kuq.
Nicola Peltz është akuzuar më parë për sjellje abuzive
Një nga arsyet kryesore pse një pjesë e madhe e internetit mban anën e David dhe Victoria Beckham është fakti se Nicola Peltz, e cila është katër vite më e madhe se Brooklyn, është përballur më herët me akuza serioze.
Në vitin 2009, blogu Gawker publikoi pretendime se Nicola (vetëm 14 vjeçe në atë kohë) kishte bullizuar vazhdimisht dadot, shërbëtorët dhe stafin e familjes së saj. Madje u tha se ajo kishte shtyrë një dado nga shkallët dhe se disa punonjës kishin arritur në gjendje depresive ekstreme prej saj.
Megjithatë, këto akuza nuk u vërtetuan kurrë. Në vitin 2022, Daily Mail publikoi një artikull ku familjarë të dados së përfolur mohonin gjithçka, duke deklaruar se Nicola nuk kishte keqtrajtuar askënd. Sërish, kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar opinionin publik, pasi shumë komentues spekuluan se intervista mund të ishte e paguar.
Përtej kësaj, qarkulluan edhe thashetheme se Nicola e kontrollonte totalisht ish-partnerin, Anwar Hadid, vëllanë e motrave Hadid, gjatë lidhjes së tyre. Anwar ishte asokohe 17 vjeç, ndërsa Nicola 22, por edhe këto mbeten pa prova konkrete.
Sidoqoftë, për shumë njerëz vlen parimi “ku ka zë, s’del pa gjë”, dhe kjo ngre shqetësime për martesën e saj me Brooklyn.
Brooklyn Beckham ka mbi 70 tatuazhe të dedikuara për Nicola Peltz
Brooklyn Beckham është i njohur për pasionin e tij për tatuazhet. Por ajo që habit është fakti se mbi 70 prej tyre janë të lidhura drejtpërdrejt me Nicola-n. Po, 70.
Mes tyre janë betimet e martesës, fjala “i martuar”, emri i gjyshes së saj dhe fytyra e Nicola-s. Nicola, nga ana tjetër, ka vetëm një tatuazh me emrin e Brooklyn në shpinë, një kontrast i qartë.
Psikologu Dr. Raffaello Antonino i tha PopSugar se tatuazhet në çift mund të lidhen me stile ankthioze të lidhjes, ku tatuazhi shërben si një mënyrë për të ulur frikën nga braktisja, diçka që mund të jetë “potencialisht e dëmshme”. Sigurisht, askush nuk mund të diagnostikojë Brooklyn vetëm nga tatuazhet, por 70 tatuazhe tingëllojnë paksa obsesive, intensive dhe pasiguri nga ana e tij.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe Brooklyn ishte shumë i ri.
Një tjetër aspekt i çuditshëm i martesës së tyre është shpejtësia me të cilën ndodhi gjithçka. Kur u njohën në 2019, Brooklyn ishte 20 vjeç dhe Nicola 24. Ata u puthën për herë të parë vetëm dy ditë më vonë, e bënë lidhjen zyrtare në Instagram pas tre muajsh dhe u fejuan vetëm gjashtë muaj më pas. Në momentin e fejesës, Brooklyn ishte vetëm 21 vjeç, ndërsa Nicola 25.
Në jetën reale, një diferencë prej katër vitesh nuk është e madhe. Por në këtë rast, shumë njerëz ngritën vetullat. Vetë Brooklyn ka pranuar se nuk është ndier kurrë i qetë në shtëpinë ku u rrit. Kjo, e kombinuar me moshën e tij, ngre pikëpyetje nëse ai ishte emocionalisht i pjekur për një angazhim kaq serioz me një partnere më të madhe në moshë.
Ai ka lënë të kuptohet se martesa me Nicola-n i dha guximin të largohej nga një ambient familjar ku nuk ndihej mirë, por të martohesh për t’i shpëtuar familjes, rrallëherë përfundon mirë.
Për më tepër, marrëdhëniet me diferencë moshe mund të krijojnë pabarazi pushteti, veçanërisht kur Nicola ka qëndrueshmëri të madhe financiare dhe mbështetje nga familja e saj miliardere, ndërsa Brooklyn ende nuk ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe mund të jetë distancuar nga pasuria e familjes Beckham./MXH
Dushi është një zakon i përditshëm, por pyetja mbetet: a është më mirë ta fillosh ditën me një dush në mëngjes apo ta mbyllësh me një dush në mbrëmje?
Siç pohon Health, përgjigjja nuk është aq e thjeshtë dhe do të varet nga preferencat dhe stili juaj i jetesës, pasi të dyja kanë avantazhet e tyre.
“Nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjithë. Një dush në mëngjes mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për t’u zgjuar, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të filluar një jetë të re, veçanërisht nëse jeni më të prirur ndaj djersitjes gjatë natës. Ndërkohë, një dush natën ndihmon në largimin e djersës, ndotjes, kremit mbrojtës nga dielli dhe mbeturinave mjedisore”, thotë dermatologia Hannah Kopelman.
Dush në mëngjes
Dermatologia Anne Andrienko thotë se një dush në mëngjes mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut, t’ju zgjojë dhe të largojë djersën pas gjumit.
Një dush në mëngjes mund t’ju ndihmojë të filloni ditën duke u ndjerë të fuqizuar dhe të rifreskuar. Sipas një studimi nga Fondacioni i Gjumit, 73.3 përqind e njerëzve thonë se ndihen të rifreskuar ose plot energji pasi bëjnë dush në mëngjes.
Gjithashtu, dushi në mëngjes përmirëson qarkullimin e gjakut, zvogëlon inflamacionin dhe lehtëson dhimbjen, veçanërisht nëse kaloni në ujë më të freskët para se të dilni jashtë.
Të përdredhurit dhe të rrotulluarit gjatë natës mund t’i lërë flokët të ngatërruar në mëngjes, por dushi në mëngjes mund t’ju ndihmojë të mbani flokët në vendin e duhur. Nëse keni tendencë të djersitni ndërsa flini, një dush në mëngjes mund të zvogëlojë erën e trupit dhe t’ju ndihmojë të ndiheni të freskët dhe të pastër.
Dushi në mëngjes ndihmon gjithashtu në largimin e ënjtjes nga lëkura, si dhe e përgatit atë për rruajtje ose aplikimin e grimit.
Disavantazhet e një dushi në mëngjes
Edhe pse një dush në mëngjes mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të filluar ditën, ka disa disavantazhe.
Të japësh përparësi dushit të mëngjesit do të thotë që akumulimi i papastërtisë, djersës, polenit, kremit kundër diellit dhe ndotjes nga dita mbetet në lëkurën tënde dhe në shtrat ndërsa fli.
Nga perspektiva e shëndetit të lëkurës, dermatologia Kopelman thotë se preferon dushin çdo natë për të parandaluar grumbullimin e njollave që mund të bllokojnë poret ose të çojnë në acarim.
Nëse dushi juaj i mëngjesit përfshin larje të përditshme me shampo të ndjekur nga stilimi me nxehtësi, mund të jeni duke i stresuar flokët, veçanërisht nëse flokët tuaj janë tashmë të prirur ndaj këputjes. Në fakt, dermatologët thonë se flokët e thatë ose me teksturë mund të mos kenë nevojë për larje të përditshme.
Dush mbrëmjeje
Një dush i ngrohtë në mbrëmje mund t’ju ndihmojë të relaksoheni dhe të qetësoheni, duke i sinjalizuar trurit tuaj se është koha për t’u çlodhur. Mund të lani papastërtitë dhe mbeturinat e ditës dhe të flini duke u ndjerë të pastër. Edhe nëse zgjidhni të bëni dush në mëngjes, është ende e rëndësishme të keni një rutinë të kujdesit të fytyrës në mbrëmje.
Një dush në mbrëmje njihet për ndihmën që ju jep për t’u çlodhur dhe për të përmirësuar gjumin tuaj. Një dush natën ju ndihmon të relaksoheni. Gjithashtu nxit temperaturën e trupit tuaj të bjerë më shpejt dhe i sinjalizon trurit tuaj të flejë.
Dushi natën nxit higjienën e lëkurës duke larguar gjithçka, nga kremi mbrojtës nga dielli dhe grimi, deri te ndotja dhe poleni. Gjithashtu zvogëlon irritimet dhe shpërthimet e akneve.
Lëkura juaj ripërtërihet brenda natës, kështu që aplikimi i kremit hidratues pas dushit mund të mbështesë shëndetin e lëkurës suaj, të ndihmojë në ruajtjen e lagështisë dhe ta hidratojë atë.
Disavantazhet e dusheve në mbrëmje
Edhe pse një dush në mbrëmje mund të jetë i shkëlqyer për t’u çlodhur, ka disa disavantazhe.
Nëse i lani edhe flokët, të shkoni në shtrat me flokë të lagur mund të shkaktojë fërkime ose edhe probleme me kërpudhat në skalpin e kokës nëse nuk thahen siç duhet. Gjithashtu mund të kërkojë më shumë kohë, veçanërisht nëse duhet t’i thani flokët me tharëse flokësh.
Nëse përdorni ujë të nxehtë, ai mund të pakësojë yndyrnat e lëkurës suaj dhe ta lërë atë të thatë dhe të kruar./et
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff – duke folur në emër të administratës Trump – tha se SHBA-ja nuk është në bisedime me Iranin tani për tani, megjithëse “kemi pasur kontakt me ta”.
Duke folur në një intervistë për CNBC, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Witkoff tha se “Irani është një marrëveshje që duhet të ndodhë”.
I pyetur për hollësi, ai e shmangu përgjigjen, por e përsëriti se ka mundësi për një marrëveshje.
Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor 2025, në tregjet e kryeqytetit Teheran, nga tregtarë të zemëruar për kushtet e këqija ekonomike, përfshirë inflacionin e madh dhe rënien e lirë të monedhës.
Trazirat u përshkallëzuan me shpejtësi, duke u shndërruar në demonstrata të gjera kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardeve të jetesës dhe shtypjes të lirive themelore.
Tensionet e kahershme mes Uashingtonit dhe Teheranit po thuajse kanë arritur pikën kulmore gjatë kësaj krize.
Presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “të gatshme dhe të armatosura” dhe të përgatitura për të vepruar nëse forcat iraniane të sigurisë do të vrisnin protestues.
Më vonë, ai u zotua për “veprime shumë të fuqishme”, nëse Irani do të vazhdonte me ekzekutimin e protestuesve.
Trump më pas tha se kishte zgjedhur personalisht të mos urdhëronte sulme ushtarake kundër Iranit, duke ia atribuuar këtë vendim anulimit të raportuar nga Teherani të qindra ekzekutimeve të planifikuara.
Në një tjetër intervistë në Davos, Witkoff i tha Arab News se Irani duhet të vijë dhe të ulet në tryezën diplomatike.
“Kjo duhet të ndodhë [që Irani të negociojë]”, tha ai. “Është e rëndësishme. Nëse shkon Irani, shkon edhe rajoni, ndaj duhet ta sqarojmë këtë”.
Witkoff këmbënguli se Lindja e Mesme po lëviz në drejtimin e duhur.
“Mendoj se është e jashtëzakonshme ajo që po ndodh. Të gjithë, mendoj, po punojnë së bashku drejt paqes”, tha ai. “Të gjithë janë angazhuar me idetë e presidentit Trump për paqen kufitare dhe jam kam shumë shpresa”./mxh
Fitorja për herë të dytë e Kupës së Afrikës ka kthyer lojtarët e përfaqësueses së Senegalit në heronj të mirëfilltë kombëtarë. Sadio Mane dhe shokët e tij shkëlqyen duke marrë një fitore historike në finale ndaj Marokut, mes kaosit dhe sjelljes jashtëzakonisht të turpshme të vendasve.
Pas kthimit me trofeun në atdhe, parada e tyre me autobus u ndoq nga qindra mijëra njerëz që festuan si të çmendur me ekipin. Dhe festa pastaj është kurorëzuar me vendimet e shtetit të Senegalit, që ka nderuar protagonistët e këtij suksesi.
Presidenti i Senegalit, Basiru-Diomaje Faje, u ka akorduar një premio prej rreth 115 mijë eurosh për secilin futbollist. Por jo vetëm kaq, ai u ka caktuar edhe nga një terren prej 1500 metrash katrorë në zonën popullore bregdetare të Petite-Côte, në jug të Dakarit.
Premio ekonomike dhe terrene me të vogla janë dhënë edhe për trajnerin Pape Ccau dhe anëtarët e stafit të tij si dhe delegacionit të Federatës së Senegalit. Ndërkohë, trajneri dhe i gjithë ekipi janë nderuar edhe me gradat e “Komandantit të Urdhrit Kombëtar të Luanit”, që është nderimi më i lartë në vend./mxh
Për të gjithë qytetarët të cilët i drejtohen institucioneve të mikrofinancës për kredi konsumatore, një lehtësim vjen nga banka e Shqipërisë.
Normat maksimale të interesit do të ulet duke prekur më së shumti vlerat deri në 200 mijë lekë të huave.
Ndryshimet e fundit prekin një sër vlerash. Për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë, interesi maksimal do të jetë afro 54.8%, nga 62.2% që ishte. Për 200 deri në 600 mijë lekë është 35.4% nga 35.2% që ishte deri në fund të janarit. Në rënie janë edhe interesat për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë interesat do të jenë 14.7%.
Por për çfarë marrin më shumë kredi konsumatore qytetarët shqiptarë?
Nga shpenzimet personale tek ato familjare si shlyerja e borxheve, shpenzime shëndetësore arsimore, blerje pajisjesh shtëpiake dhe celulare e deri tek pushime me kredi janë faktorët që i nxisin qytetarët të marrin më shumë hua.
Por kujdes sipas ekspertëve duhet bërë në rritjen e numrit të kredive me probleme.
Ndonëse nga njëra anë raportohet për një rënie të interesave për kredi konsumatore, nga ana tjetër bankat po tregohen më të rrepta në dhënien e kredive për banesa. Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit erdhi si pasojë e kërkesave më të larta për kolateral nga ana e këtyre institucioneve në raport më kredinë e marrë për banesa./mxh
Një raport i ri që vjen nga burimet e zinxhirit të furnizimit të ETNews, thotë se Apple po planifikon të prezantojë panele të përparuara LTPO+ OLED me modelet e ardhshme iPhone 18 Pro dhe 18 Pro Max.
Përveç natyrës së supozuar më efikase nga ana e energjisë të ekraneve LTPO+, ato do t’i lejojnë gjithashtu Apple të vendosë skanerin IR, të përdorur për Face ID, pas ekranit.
Për më tepër, disa njerëz të njohur me çështjen dyshojnë se Apple do ta zhvendosë edhe kamerën selfie pas ekranit pa bërë kompromis me cilësinë, transmeton Telegrafi.
Është interesante se kjo do ta nxirrte prodhuesin kinez të paneleve BOE nga zinxhiri i furnizimit të Apple për modelet Pro, pasi vetëm LG dhe Samsung mund të prodhojnë ekrane LTPO+ OLED.
Megjithatë, BOE mund të prodhojë ende panele për modelet jo-Pro.
Raporti gjithashtu sugjeron që Apple do të përfshijë panele LTPO+ në M6 MacBook Pro të ridizajnuar. /et
Google po prezanton një ridizajnim dhe modernizim të rëndësishëm të kërkimit me zë në Android.
Kërkimi me zë mund të aksesohet nga vegël e ekranit kryesor (duke përfshirë Pixel Launcher) ose nga çdo shirit i Kërkimit në Google brenda aplikacionit.
Pyetja juaj trajtohet nga Kërkimi në Google me një faqe standarde rezultatesh që hapet, ndërsa përgjigjja shqiptohet me zë të lartë. Ndërfaqja me një formë vale me katër pika është disa vjeçare, transmeton Telegrafi.
Ky ridizajnim fillon me një gradient të qendrës ‘G’ të rrethuar nga një buton kthimi dhe një menu me tre pika që ju çon te cilësimet e Zërit.
Mund të vendosni Gjuhët, të aktivizoni/çaktivizoni rezultatet e Folura dhe të zgjidhni një zë: Cosmo, Neso, Terra ose Cassini. Tema e errët është përditësuar gjithashtu.
Shpjegimi vëren se Google “Dëgjon” me të njëjtin ilustrim të fytyrës si më parë. Në fund, do të gjeni një hark me katër ngjyra që është direkt nga Modaliteti AI dhe Search Live, ndërsa pyetja juaj transkriptohet sipër tij.
Ekziston një buton më i madh “Kërko një këngë” që ju çon në një ndërfaqe përdoruesi të kërkimit të këngëve që ju fton të “Luaj, Këndo, Humor”.
Kjo zëvendëson animacionin e mëparshëm të globit. Në këndin e sipërm djathtas, do të gjeni një shkurtore për historikun e Kërkimit të Këngëve.
Po e shohim këtë të fillojë të lansohet me versionin 17.1 (stabil) dhe 17.2 (beta) të aplikacionit Google në Android. Ende nuk është gjerësisht i disponueshëm. Shpresojmë që Google do ta përmirësojë më pas ndërfaqen e kërkimit të tekstit. /et
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, është në qendër të zërave për një transferim të mundshëm drejt kampionatit turk te Besiktas.
Sipas raportimeve të fundit, klubi nga Stambolli ka shfaqur interes për huazimin e lojtarit nga Interi, pasi aventura e tij aktuale te Torino nuk ka sjellë rezultatet e pritura.
Bëhet me dije se oferta e Besiktas përfshin një pagë prej 1.2 milionë eurosh për lojtarin deri në fund të sezonit, ndërsa Interi do të përfitonte 1 milion euro nga kjo marrëveshje.
Negociatat aktualisht janë fokusuar te vlera e opsionit të blerjes, ku pala turke synon një shifër mes 10 dhe 12 milionë eurove. Përveç interesit nga Turqia, Asllani mbetet në monitorimin e klubit francez Paris FC, i cili po konsideron një blerje direkte në ditët e fundit të merkatos.
Situata e futbollistit te Torino mbetet e vështirë, pasi ai nuk është përfshirë në formacion në ndeshjet e fundit, duke nxitur bisedimet për një ndryshim mjedisi. Ditët e ardhshme pritet të jenë përcaktuese për të ardhmen e mesfushorit 23-vjeçar./mxh
Shitjet e Dodge ranë për 28 për qind vitin e kaluar. Tani Dodge ka mbetur vetëm me tre modele. Dy modele i ka Chrysler, gjithashtu pjesë e grupit Stellantis, i cili ka arritur të tejkalojë Dodgen në shitje për 24.446 njësi, pavarësisht faktit që shet monovolumet e vjetëruara Pacifica dhe Voyager.
Nuk duhet përmendur se perspektivat nuk janë të mira për Dodge dhe Chrysler. Stellantis planifikon të investojë 13 miliardë dollarë në Amerikë, por kryesisht në markat fitimprurëse Jeep dhe Ram.
Dodge ka njoftuar planet për prodhimin e SUV-it Durango të gjeneratës së ardhshme në fabrikën Jefferson Assembly në Detroit.
Megjithatë, prodhimi nuk do të fillojë deri në vitin 2029, që do të thotë se modeli aktual atëherë do të ketë qenë pothuajse njëzet vjeç, shkruan Carscoops.
Pavarësisht moshës, Durango ka regjistruar shitjet më të mira që nga viti 2005.
Vitin e kaluar, Dodge ka shitur 81,168 njësi, që përbën një rritje prej 37 për qind.
Në portofolin e Dodget janë edhe muscle car Charger dhe Hornet, i cili në fakt është Alfa Romeo Tonale. /et
Klubi i Flamurtarit ka zyrtarizuar afrimin e dy futbollistëve të rinj për pjesën e mbetur të sezonit.
Mbrojtësi malazez Momcilo Raso dhe mesfushori brazilian Leo Melo janë vendosur tashmë në dispozicion të trajnerit Françesko Moriero.
Raso vjen nga kampionati i Uzbekistanit, ku së fundmi ishte pjesë e Lokomotiv Tashkent, dhe luan në pozicionin e qendërmbrojtësit.
Nga ana tjetër, Leo Melo transferohet në Vlorë pas eksperiencës së tij me ekipin e Egnatias në Superiore. Braziliani luan si mesfushor ofensiv dhe pritet të rrisë forcën sulmuese të vlonjatëve./mxh
Monika Kryemadhi, në një intervistë të dhënë këtë pasdite në ‘Ftesë në 5’, ka rrëfyer rolin e saj te ri si opinioniste e “Big Brother”.
“Nuk është e thjeshtë, se ndryshe në politikë që mendimet i thua në kuadër të grupimit politik, ndërsa aty jep mendimet e tua personale.
Në Big intriga është për klikime për çmim, ndërsa në politikë është për pushtet dhe ti me pushtet merr çdo gjë. Në një farë mënyrë është më e dhimbshme sepse bëhet në kurriz të njerëzve”, u shpreh ajo.
E pyetur nga Bieta Sulo se cili prej banorëve i duket më intrigant, Monika zgjodhi Kristin… e ndërsa në skenën politike, këtë ‘etiketë’, ia vendosi Edi Ramës.
“Kristi për mua është shumë provokator, i kalkuluar, artistik… është artist në shpirt. Në politik e dimë kush është intrigant, Edi Rama, që ka më shumë kohë në politikë dhe ua ka futur shokëve të tij”, tha ajo./et