Donald Trump i cili kohët e fundit përshkallëzoi kërcënimet e tij kundër Kubës, duket se ka ndryshuar qëndrim. Uashingtoni ka filluar dialogun me autoritetet kubane, dhe sipas presidenti amerikan bisedimet mund të çojnë edhe në një marrëveshje.
“Po flasim me kubanezët, zyrtarët e lartë në Kubë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mendoj se do të arrijmë një marrëveshje me Kubën”. Pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, aleatin kryesor të Kubës, Trump e ka kërcënuar vazhdimisht qeverinë e ishullit komunist.
Trump, i cili tashmë ka ndaluar dërgesat e naftës venezueliane në Kubë pas arrestimit të Nicolas Maduros në fillim të janarit, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që thotë se Uashingtoni “mund” të vendosë tarifa, me një shumë të paspecifikuar, për vendet që shesin naftë në Havanë, duke pretenduar se Kuba përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Në dosjen voluminoze të Jeffrey Epstein, e cila përfshin mbi 3 milionë faqe dhe është bërë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, shfaqet edhe emri i një vajze nga Tirana, e cila rezulton të ketë aplikuar për një pozicion pune si asistente personale.
Sipas dokumenteve zyrtare, email-i i vajzës me Egerta Terziu, është dërguar në mars të vitit 2017. Fillimisht, ajo ka kontaktuar një ndërmjetës, emri i të cilit është i redaktuar në dosje, duke i dërguar CV-në dhe duke shprehur interes për vendin e punës.
“Nuk jam me bazë në Shtetet e Bashkuara. A është kjo problem?”, shkruan ajo në email, duke iu referuar një oferte pune që, sipas saj, i ishte komunikuar përmes Evan Luthra-s.
Përgjigjja që ajo merr është se vendndodhja nuk përbën pengesë, ndërsa i kërkohet të dërgojë tre fotografi personale të cilësisë së mirë, si dhe CV-në e saj. Pas dërgimit të materialeve, ndërmjetësi i përcjell informacionin Jeffrey Epstein-it, duke e përshkruar vajzën si 21–22 vjeçe.
Në komunikimin e mëtejshëm me Epstein-in, ndërmjetësi shprehet se vajza jeton në Paris, ndonëse në CV-në e dorëzuar nga ajo thuhet se banon në Tiranë. “A duhet ta intervistoj këtë?”, pyet ai në email-in drejtuar Epstein-it.
Nga lista e bashkëngjitjeve rezulton se, përveç CV-së dhe fotografive, vajza ka dërguar edhe një video prezantuese në kuadër të aplikimit për këtë pozicion.
Dokumentet nuk sqarojnë nëse ky proces aplikimi ka vijuar më tej apo nëse ka pasur kontakte të tjera mes palëve.
Dokumentari “Melania”, që fokusohet në jetën e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, ka shënuar sukses të rëndësishëm në arkëtime, duke gjeneruar 7.04 milionë dollarë gjatë fundjavës hapëse në kinema.
Sipas “Deadline”, kjo shifër përbën hapjen më të madhe të një filmi dokumentar jofiktiv në dekadën e fundit.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga dokumentari “After Death” i vitit 2023, i cili kishte arkëtuar rreth 5 milionë dollarë në fundjavën e parë.
Parashikimet para publikimit kishin qenë më të ulëta.
Variety raportonte se debutimi i filmit pritej të ishte mes 3 dhe 5 milionë dollarësh, ndërsa kompania “National Research Group” e kishte projektuar hapjen rreth 5 milionë dollarë. Edhe më konservatore ishte parashikimi i “Boxoffice Pro”, i cili e ka vlerësuar arkëtimin fillestar mes 1 dhe 2 milionë dollarësh.
Filmi pati premierën të enjten, më 29 janar, në Kennedy Center përpara daljes globale në kinema më 30 janar. Projekti mbështetet nga një marrëveshje prej 40 milionë dollarësh me “Amazon MGM Studios”, si dhe nga një fushatë marketingu që kap vlerën e 35 milionë dollarëve.
Dokumentari ofron pamje të përzgjedhura nga jeta e Melania Trumpit në javët që paraprinë inaugurimin e dytë të Presidentit Donald Trump në janar 2025. Melania Trump, 55 vjeçe, është gjithashtu producente ekzekutive e filmit.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ushtruar kërkesë për masën e paraburgimit ndaj 10 prej 34 kryesuesve të ndaluar, nën dyshimet për manipulime gjatë numërimit të votave.
Prokuroria ka dorëzuar kërkesën në gjykatë dhe seanca dëgjimore pritet të mbahet nesër.
Gjyqtari i procedurës paraprake do të vendos për masën e sigurisë ndaj të dyshuarve.
Në total, sot janë intervistuar 43 të dyshuar, 34 prej të cilëve janë ndaluar për 48 orë.
Hetimi i Prokurorisë ka përfshirë kryesuesit nga qendrat komunale në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Të hënën, transporti publik në Gjermani pritet të përballet me probleme serioze për shkak të grevës së paralajmëruar nga punonjësit e sektorit të transportit. Sipas përfaqësuesve sindikalë, pjesëmarrja në grevë do të jetë shumë e lartë, çka do të sjellë anulimin e shumicës së linjave të transportit publik.
Autobusët, tramvajet dhe trenat urbanë në shumë qytete gjermane pritet të mos funksionojnë ose të qarkullojnë vetëm në raste të rralla. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përdorin alternativa të tjera transporti ose, nëse është e mundur, të punojnë nga shtëpia.
Greva lidhet me kërkesat e sindikatave për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, ndërsa bisedimet me punëdhënësit deri më tani nuk kanë sjellë marrëveshje.
Udhëtarëve në Gjermani u rekomandohet të informohen rregullisht përmes faqeve zyrtare dhe aplikacioneve të transportit publik për zhvillimet gjatë ditës së grevës.
Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në qendër të qytetit të Shkodrës, ku një automjet ka përplasur humoristin Nexho Shabani, i cili po lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, Shabani ka pësuar dëmtime të shumta dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Për lajmin ka shkruar edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.
“Sonte, Nexho Shabani, Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sjell humorin tipik shkodran kudo ku ulet, ka nevojë për lutjet tona.
Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht”.
Autoritetet e komunës së Prishtinës bëjnë të ditur se ekipet përkatëse janë në terren dhe plotësisht të gatshme për të ndërhyrë sipas nevojës, me qëllim garantimin e sigurisë në rrugët e Kryeqytetit.
Megjithatë, për shkak të rënies së temperaturave, qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, ku paraqitet rrezik nga ngricat dhe rrëshqitjet e rrugëve.
Autoritetet rekomandojnë përdorimin e pajisjeve dimërore, ngasje me shpejtësi të reduktuar si dhe respektimin e sinjalistikës rrugore dhe udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse.
Ekipet komunale do të vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet e nevojshme për të siguruar qarkullim sa më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Kënga e re e Gjestit, “Memories”, po shënon sukses të madh ndërkombëtar.
Artisti ka ndarë në rrjetet sociale një postim ku tregon se projekti i tij muzikor është renditur në ‘trending’ në disa vende të Evropës, duke zënë pozita shumë të larta në platformat muzikore.
Sipas postimit, “Memories” është numër një në Shqipëri, Zvicër dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka arritur gjithashtu pozita të larta në shtete si Gjermani, Suedi, Belgjikë, Austri, Norvegji, Greqi, Slloveni, Itali, Maltë, Mbretëri e Bashkuar, Danimarkë, Finlandë, Francë dhe Kroaci.
Në mesazhin shoqërues, Gjesti ka falënderuar fansat për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ky sukses është rezultat i dashurisë dhe përkrahjes së publikut.
“Me pa këngën trending në kaq shumë shtete dhe gjithë këtë dashuri prej juve. S’kam fjalë”, ka shkruar ai.
Projektin ia ka dedikuar vëllait të tij të ndjerë, Eldionit, i cili vdiq në shtator të vitit të kaluar nga një aksident me motoçikletë.
Carlos Alcaraz (22), tenisti më i mirë në botë, ka triumfuar në Australian Open, duke mundur Novak Djokovic me rezultatin 2:6, 6:2, 6:3, 7:5 në një finale që zgjati tre orë e dy minuta.
Ky është titulli i parë i Alcaraz në Australian Open, duke e bërë atë tenistin më të ri në histori që ka fituar të katër turnetë Grand Slam. Deri më tani, ai ka nga dy tituj nga Wimbledon, US Open dhe Roland Garros.
Për këtë sukses, Alcaraz do të shpërblehet me 4.15 milionë dollarë australianë (rreth 2.44 milionë euro).
Kjo vjen si pjesë e fondit rekord prej 111.5 milionë dollarë australianë këtë vit, që është rritja më e madhe në historinë e turneut.
Humbësi do të fitojë 2.15 milionë dollarë australianë, që është afërsisht 1.26 milionë euro.
Gjeneralët më të lartë amerikanë dhe izraelitë zhvilluan bisedime në Pentagon të premten mes tensioneve në rritje me Iranin, thanë dy zyrtarë amerikanë për Reuters të dielën, duke folur në kushte anonimiteti.
Zyrtarët nuk ofruan detaje rreth diskutimeve me dyer të mbyllura midis gjeneralit amerikan Dan Caine, kryetarit të Shtabit të Përbashkët, dhe Eyal Zamir, shefit të shtabit të forcave të armatosura izraelite. Takimi nuk është raportuar më parë.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë e tyre detare dhe kanë rritur mbrojtjen e tyre ajrore në Lindjen e Mesme pasi Presidenti Donald Trump kërcënoi vazhdimisht Iranin, duke u përpjekur ta ulë atë në tryezën e negociatave. Udhëheqja e Iranit paralajmëroi të dielën për një konflikt rajonal nëse SHBA-të do ta sulmonin atë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u takua të dielën me Zamir pas bisedimeve të tij në Uashington, tha zyra e Katz, për të shqyrtuar situatën në rajon dhe “gatishmërinë operacionale të ushtrisë izraelite për çdo skenar të mundshëm”.
Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën 655 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, stoku i mbitërheqjeve apo overdrafteve në fund të vitit 2025 ka arritur vlerën prej 655 milionë eurove, një rritje prej 11.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Pjesën më të madhe të kësaj vlere e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat në vitin 2025 janë rritur për rreth 49 milionë euro apo 10 për qind.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, si pasojë e reshjeve atmosferike, ngricave në rrugë dhe dukshmërisë së reduktuar, të cilat kanë vështirësuar kushtet e trafikut në shumë segmente rrugore të vendit.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, Policia e Kosovës ka apeluar që drejtuesit e automjeteve të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës, të mbajnë distancë të sigurt nga mjetet përpara, si dhe të përdorin dritat në kushte të dukshmërisë së zvogëluar.
Po ashtu, qytetarët këshillohen të shmangin manovrat e rrezikshme, si parakalimet e panevojshme dhe frenimet e papritura, si dhe të sigurohen që automjetet e tyre të jenë të pajisura dhe teknikisht të rregullta për kushtet dimërore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar në terren për monitorimin dhe menaxhimin e trafikut, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve konsiderohet thelbësor për ruajtjen e sigurisë së përbashkët.
“Udhëtoni me kujdes. Siguria juaj është prioriteti ynë”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), i janë bashkuar Forcave Tokësore për të kërkuar të riun që dyshohet të jetë zhdukur në lumin Mat në Shqipëri.
Forcat Tokësore thanë se “shpresa nuk shuhet”, FSK është bashkuar në këtë mision.
“Operacioni i kërkimit në lumin Mat vazhdon — shpresa nuk shuhet Prej shumë ditësh, efektivët e b3k të RKV, po vijojnë pa u lodhur dhe pa ndërprerje kërkimet për të riun e zhdukur në lumin Mat”.
“Prej disa ditesh në këtë mision u bashkuan edhe trupat e FSK, duke rritur kapacitetet dhe koordinimin në terren. Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëveprim, ekipet e përfshira në terren po bëjnë maksimumin. Bashkë, me shpresë dhe mbështetje, deri në fund të këtij operacioni”, thuhet në njoftim.
Në dokumentet e radhës të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-së për Jeffrey Epstein, përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Por të dy e kanë mohuar ta kenë njohur ose takuar Epsteinin.
Dy ish-presidentë të Kosovës përmenden në dosjet e fundit të publikuara të financierit të ndjerë amerikan Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për përfshirje në trafikim dhe abuzim seksual të vajzave të mitura.
Departamenti i Drejtësisë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara në fund të janarit publikoi mbi 3 milionë dokumente të Epstein, e në to përmenden edhe ish-presidentët Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Në një e-mail të dërguar në adresën e Epsteinit, nga Daniel Siad – emër që përmendet shpesh në korrespodencat e tij, përmendet presidenti i Kosovës.
“Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York te Kombet e Bashkuara me Presidenten e Kosovës, ajo do të dëshironte të të takonte”, thuhet në e-mailin e nisur në adresë të Epsteinit.
Ky e-mail mban datën 16 shtator 2012. Atë kohë postin e presidentit e mbante Jahjaga.
Valentina Abazi, këshilltare e Jahjagës është përgjigjur në emër të ish-presidentes dhe ka mohuar të ketë pasur takim mes Epsteinit dhe Jahjagës.
“Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është”, ka thënë Abazi për Kohën.
Një e-mail tjetër i dërguar nga Daniel Siad në adresë të Epsteinit mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?”, e në të është i bashkëngjitur edhe një link i një videoje në Youtube, i cili tani nuk hapet.
Në këtë e-mail shkruan “Përshëndetje Jeffrey, princesha do të donte që ti ta shihje këtë video”.
Princesha e përmendur në këtë korrespodencë është Mom Luand Rajadarsri Jayankura, anëtare e familjes mbretërore të Tajlandës, e cila shpesh në e-maile dhe korrespodenca të tjera me Epsteinin, prezantohet si Konsullja e Nderit e Republikës së Kosovës në Tajlandë.
Koha e ka pyetur edhe Pacollin se a e ka njohur Epsteinin, a është takuar me të dhe a ka vizituar ndonjëherë ishullin e tij.
Por Pacolli ka mohuar të ketë dëgjuar për të.
“Asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani (kur përflitet për të v.j.) dëgjoj për ekzistencën e tij”, ka thënë Pacolli.
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit sot në Sllatinë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, si dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë ndihmuar në prerjen e veturës.
Gazeta Sinjali merr vesh se si pasojë e aksidentit janë lënduar dy persona, derisa Policia po merret me rastin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet dhe kandidatët për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para së të bëhet certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Një ankesë tashmë e ka paralajmëruar kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe me pjesën tjetër të anëtarëve të KQZ-së që abstenuan nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.
Ligji për Zgjedhjet e parasheh që për trajtimin e ankesave, PZAP-ja i ka katër ditë afat.
E dy ditë pas marrjes së vendimit, palët kanë të drejtë të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, derisa gjykata i ka tri ditë kohë për vendimmarrje.
Andaj me përllogaritjen e afateve ligjore i bie që vendimmarrja finale mund të zgjasë deri në mesin e shkurtit.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se gjatë kësaj jave moti në vendin tonë do të jetë i ndryshueshëm, i vranët, intervale me diell dhe me reshje shiu.
Sipas IHMK-së, do të fryjë erë nga juglindja dhe verilindja me shpejtësi 1-7m/s.
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme:
E hënë
Moti i vranët dhe vende- vende me riga te dobeta shiu dhe fjolla bore. Në mëngjes parashihet të ketë ngrica dhe mjegull. Temperaturat minimale: -5 deri -2°C Temperaturat maksimale: -1 deri 2°C Era: Kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s.
E martë
Mot i vranët dhe me intervale me diell.Në mëngjes parashihet të ketë ngrica.
Temperaturat minimale: -4 deri -2°C Temperaturat maksimale: 4- 7°C Era: nga verilindja me shpejtësi 1-7m/s
E mërkurë
Moti kryessiht i vranët .Në mëngjes parashihet mjegull, kryesisht në zonat mesatare dhe per gjatë relievit malor Temperaturat minimale: -1 deri 2°C Temperaturat maksimale: 7-11°C Era: kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s.
E enjte
Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale: 4 deri 6°C Temperaturat maksimale: 7deri 12°C Era: nga verilindja 1-6m/s.
E premte
Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale: 2 deri 5°C Tmperaturat maksimale: 8 deri 11°C Era: nga drejtimi i veriperendimit 1-3m/s.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 1 shkurt se shteti nuk ka asnjë lidhje me aferën që bërë e ditur pas kapjes së pesë tonëve të marihuanës në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Ai ka thënë se policia “ka arrestuar njerëz” dhe që kundërshtarët e tij politikë “kanë kthyer gjithçka mbrapsht” dhe pretendojnë se shteti është mbrapa aferës.
“Njerëzit nga Policia gjetën pesë tonë të një lloj droge. Tani, nëse vetëm djali e ka ditur për këtë apo të dy, edhe djali edhe babai, kjo është çështje tjetër, le ta vendosin autoritetet kompetente, nuk dua të pretendoj asgjë. Ne e kemi kryer atë operacion”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink.
Më 29 janar, Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar ka konfiskuar pesë tonë marihuanë në zonën e fshatit Konjuh afër Krushevcit, në Serbinë qendrore.
Të dyshuar për këtë rast janë Aleksandar Mijajlloviq, Nebojsha Spasojeviq, Rade Spasojeviq, Ivan Dragniq and Urosh Mlladenovski.
Autoritetet kanë kërkuar lëshimin e një fletarrestimi, përfshirë edhe atë ndërkombëtar për Aleksandar Mijajlloviqin, i cili është identifikuar si organizator i grupit të organizuar kriminal dhe tani është në arrati.
Sipas autoriteteve serbe, grupi ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe ka përvetësuar pesë tonë të marihuanës në territorin e Maqedonisë së Veriut përgjatë muajit janar.
Presidenti i partisë opozitare Lëvizja Popullore e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter, se njëri prej të arrestuarve gjatë sekuestrimit të drogës ishte një këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe, parti në pushtet, në Krushevc.
Aleksiq ka thënë se personi i arrestuar është “mik dhe ndihmës i ngushtë” i familjes së ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq.
Ministri Gashiq nuk ka bërë ndonjë koment pas akuzave dhe as nuk e ka përmendur emrin e personit të arrestuar.
Përmes një deklarimi të publikuar në gazeta serbe, ai i ka përgëzuar autoritetet policore dhe të sigurisë për aksionin, duke thënë se veprime si këto tregojnë se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi”.