Nisja e gjysmëvjetorit të dytë në shkollat e Drenasit është shtyrë deri më 14 janar. Vendimi është marrë nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit të pijes në disa pjesë të komunës, Kryetari i Komunës së Drenasit ka marrë vendim që të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe shkollor”, thuhet në njoftim.
“Ky vendim është marrë me qëllim të ruajtjes së sigurisë së nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit arsimor. Ekipet emergjente dhe institucionet tjera lokale janë të përkushtuara për ta normalizuar gjendjen, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qytetarët dhe kompanitë në tërë territorin e komunës së Drenasit”, thuhet tutje në njoftim.
“Komuna e Drenasit do të vazhdojë të njoftojë me kohë për çdo zhvillim të ri”.
Policia e Prizrenit njofton se me datën 10 janar 2026, rreth orës 17:30, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime të rënda në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren.
Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit.
“Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e ngasjes së pakujdesshme dhe mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës”.
“Drejtuesi i një automjeti me targa vendore, gjatë lëvizjes, ka goditur me pjesën frontale të automjetit një këmbësore, e cila po kalonte rrugën në vendkalimin e shënuar për këmbësorë”.
“Si pasojë e goditjes, këmbësorja, femër rreth 57-vjeçare, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Prizrenit. Për shkak të rrezikut për jetë, ajo është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë”.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, dhe me urdhër të tij, drejtuesi i automjetit është ndaluar. Hetimet për përcaktimin e rrethanave të sakta të aksidentit janë duke vazhduar.
Detaje shqetësuese janë zbardhur lidhur me tentim-vrasjen e Jeton Buqukut, i cili u plagos me armë zjarri paraditen e sotme në Pejë, në një ngjarje që ka tronditur qytetin.
Sipas informatave ekskluzive të Sinjalit, incidenti ka ndodhur më 11 janar 2026, rreth orës 09:15, në rrugën “Adem Jashari” në Pejë.
Policia është njoftuar se një person ishte plagosur me armë zjarri, ndërsa patrullat kanë reaguar menjëherë duke siguruar vendin e ngjarjes dhe duke organizuar përcjelljen e viktimës drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal të Pejës, fillimisht me automjet privat.
Burimet bëjnë të ditur se, sipas deklaratave të dëshmitarëve okularë, viktima ishte futur i plagosur brenda lokalit “Buquku”, menjëherë pasi ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Pas tij, në lokal kanë hyrë tre persona: njëri prej tyre me revole në dorë, i dyti me një mjet të fortë, me të cilin e ka goditur viktimën, ndërsa i treti, sipas dëshmitarëve, ka qëndruar pranë dhe ka vëzhguar ngjarjen.
Pas sulmit, të tre personat janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhen në arrati.
Në vendngjarje kanë dalë menjëherë hetuesit dhe krim-teknika e Stacionit Policor të Pejës, udhëheqësi i ndërrimit, komandanti i stacionit, udhëheqësi i hetimeve, si dhe njësitet rajonale të Hetimeve dhe Krim-teknikës. Zona është siguruar dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore përfshirë grumbullimin e provave dhe deklaratave.
Pas trajtimit fillestar në Spitalin Rajonal të Pejës, Jeton Buçuku është transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet janë në zhvillim intensiv për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë ekskluzivisht për këtë rast, sapo të ketë zhvillime të reja nga hetimi.
Biznesmeni nga Peja, Jeton Buquku, pronar i fabrikës për përpunimin e mishit “Buquku”, ka qenë edhe më herët i përfshirë në një skandal.
Në lokalin e vet ‘Buquku Grill House’, Jeton Buquku, dyshohet se ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj një personi për të dëshmuar për disa incidente te bizneset e tij, para më shumë se një viti. Sinjali ka siguruar video ekskluzive të rrahjes dhe gjithë rastit që ndodhi më 21 shkurt të vitit 2023.
Por, a lidhet rasti i sotëm me ngjarjen që ka ndodh më herët mbetet për t’u parë, pasi organet e drejtësisë të merren me hetimin dhe zbardhjen e rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një rast i posedimit të paautorizuar të narkotikëve është zbuluar në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë të Veriut.
Sipas informatave që ka mësuar Sinjali, më 11.01.2026, rreth orës 01:30, njësitë e Stacionit Policor Veri kanë ndaluar një veturë Golf Plus, ngjyrë e bardhë, në rrugën “Kral Petri”, ku brenda ndodheshin katër persona.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, policia ka gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike – marihuanë. Në lidhje me rastin është njoftuar njësiti i hetimeve, i cili ka kontaktuar Prokurorin kujdestar të Shtetit.
Me vendim të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa i dyshuari Arianit Pllana është proceduar në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Aeroporti kryesor i Oslos mbylli një nga pistat e tij të dielën pasi një dron u pa duke fluturuar në zonën e aeroportit. Kështu thuhet në një njoftim të policisë norvegjeze.
Incidenti është i fundit në një seri pamjesh të pashpjegueshme në disa vende evropiane që nga shtatori. Disa dronë kanë ndërprerë trafikun ajror civil, ndërsa të tjerë kanë fluturuar pranë bazave ajrore dhe instalimeve të tjera ushtarake.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se besojnë se Rusia qëndron pas të paktën disa prej incidenteve, por asnjë dron nuk është gjetur ose rrëzuar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk do të përdorë forcën ushtarake për të marrë Groenlandën, ka deklaruar ish-ambasadori britanik në SHBA, Lord Peter Mandelson.
Gjatë një interviste për BBC Mandelson tha se e admiron faktin që Trump është i drejtëpërdrejtë në politikë, por theksoi se ai “nuk është budalla” dhe se këshilltarët e tij do ta paralajmëronin për rreziqet serioze që një veprim i tillë do të sillte për interesin kombëtar amerikan.
Deklaratat vijnë pasi Trump ka rikthyer vëmendjen ndaj Groenlandës, duke thënë se SHBA duhet ta “zotërojë” territorin gjysmë-autonom danez për të frenuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës. Danimarka dhe Groenlanda kanë reaguar duke theksuar se territori nuk është në shitje, ndërsa Kopenhaga ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak do të rrezikonte vetë NATO-n.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë bisedime me Danimarkën javën e ardhshme për çështjen e Groenlandës. Një sondazh në Danimarkë sugjeron se 38% e qytetarëve besojnë se SHBA mund të ndërmarrë një pushtim nën administratën Trump.
Mandelson theksoi se Arktiku po kthehet në një zonë gjithnjë e më të kontestuar dhe se SHBA do të udhëheqë përpjekjet për sigurinë në rajon. Ai shtoi se Groenlanda ka rëndësi strategjike për paralajmërimin e hershëm raketor dhe monitorimin ushtarak, si edhe për burimet natyrore që po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit.
Aleatët e NATO-s kanë dalë në mbështetje të Danimarkës, duke deklaruar se vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e territorit.
Është liruar për qarkullim rruga Ferizaj-Gjilan, konkretisht në fshatin Sojevë e cila ishte e bllokuar për shkak të sasive të mëdha të ujit.
Lajmin e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt.
Veseli deklaroi se sipas informatave nga njësitë në terren, të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt, përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë aktualisht të kalueshme dhe qarkullimi zhvillohet normalisht.
“Autoritetet rrugore dhe njësitë në terren apelojnë tek qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe të udhëtojnë me kujdes, duke pasur parasysh kushtet e ndryshueshme atmosferike dhe mundësinë e grumbullimit të ujit në disa zona”, deklaroi ai.
Mot i ftohtë dhe temperaturat nën zero kanë ngrirë liqenin e Olympia Park në Mynih, duke e kthyer atë në një atraksion të ri për vizitorët dhe banorët e qytetit.
Banorët dhe turistët tashmë po shfrytëzojnë sipërfaqen e ngrirë për aktivitete dimërore, si shëtitje mbi akull dhe lojëra rekreative, ndërsa autoritetet e parkut paralajmërojnë për kujdes dhe respektimin e masave të sigurisë.
Ngjarja ka sjellë një atmosferë festive në park, duke ofruar një mundësi unike për të përjetuar bukuritë dimërore të Mynihut.
Komuna e Prishtinës njoftoi se nesër do të rifillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit.
Procesi mësimor do të vazhdojë pa u shtyer më shumë, pasi Komuna thotë se ka ndërhyrë dhe menaxhuar suksesshëm situatën pas reshjeve të shumta.
“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Katër persona, mes tyre dyshohet se tre adoleshentë, kanë humbur jetën pas një aksidenti të rëndë rrugor mes një makine dhe një taksie në Bolton, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Sipas Policisë së Mançesterit të Madh, një automjet tip “Seat Leon” i kuq u përplas me një “Citroen C4 Picasso” në Wigan Road rreth orës 00:45. Si pasojë e përplasjes, humbën jetën drejtuesi i Seat-it dhe dy pasagjerë, të gjithë të moshës 18 dhe 19 vjeç, si edhe drejtuesi i Citroen-it, një burrë rreth të 50-ave, i cili rezultoi të ishte shofer taksie.
Të katër personat u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa pesë pasagjerë të tjerë, të plagosur, u transportuan me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Kryeinspektorja e Mançesterit të Madh, Helen McCormick, konfirmoi se po kryhet identifikimi formal i viktimave dhe se familjarët janë njoftuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
Besfort Racaj, përfaqësues i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, ka reaguar publikisht lidhur me një zhvillim të fundit që, sipas tij, po tenton të politizohet në mënyrë të hapur.
Racaj tha se një organizatë studentore, e ndikuar nga partia në pushtet, ka paralajmëruar sigurimin e donatorëve për renovimin e bibliotekës së fakultetit, brenda vetëm tre ditëve. Megjithatë, ai ngriti pikëpyetje për mënyrën se si është mundur që kjo organizatë të ketë siguruar një plan të tillë pa dijeninë e Menaxhmentit të Fakultetit dhe të Universitetit të Prishtinës.
“Studentët e Fakultetit të Mjekësisë nuk kanë paralajmëruar bojkot dhe protesta vetëm për bibliotekë. Biblioteka është vetëm një nga tetë kërkesat tona”, tha Racaj, duke theksuar se përmes këtij premtimi selektiv, po tentohet të zbehet revoltimi i ligjshëm i studentëve për të drejtat e tyre.
Ai renditi disa nga çështjet kryesore për të cilat po kërkohet zgjidhje: papunësia e mjekëve të rinj pas diplomimit, mungesa e mundësive për specializim, stazhi obligativ i papaguar, kriteret e padrejta për bursa, kushtet e dobëta të procesit mësimor dhe mungesa e literaturës akademike.
“Ne studentët nuk kërkojmë privilegje. Ne kërkojmë dinjitet, trajtim të drejtë dhe të ardhme në profesionin që shërben shëndetit të vendit”, tha Racaj, duke bërë thirrje për mbështetje dhe bashkim rreth këtyre kauzave.
Ai paralajmëroi se nëse kërkesat nuk merren parasysh, reagimi i studentëve do të vazhdojë: “Ose të gjitha, ose pason reagimi ynë!”
Pesë pompistë kujdestarë të Ndërmarrjes “Trepça” kanë mbetur për disa orë brenda minierës si pasojë e problemeve teknike me furnizimin me energji elektrike.
Kryesindikalisti i Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka njoftuar se punëtorët kanë qëndruar rreth 8–9 orë në vendet e tyre të punës, deri në stabilizimin e situatës.
“Janë pesë pompistë kujdestarë, të cilët kanë mbetur në vendet e tyre të punës në minierë për shkak të problemeve teknike me energjinë elektrike. Ata kanë qëndruar rreth 8–9 orë”, ka deklaruar Jonuzi.
Ai ka bërë të ditur se të gjithë pompistët kanë dalë nga miniera pa asnjë incident dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre. Sipas Jonuzit, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk raportohet për asnjë pasojë.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të marrë së shpejti edhe një post tjetër, la të kuptohet presidenti amerikan, Donald Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë spekuloi se Rubio, i cili dikur mbante njëkohësisht katër poste të rëndësishme në administratë dhe është përfolur edhe për role të tjera, mund të bëhet president i Kubës – vend nga i cili prindërit e tij u larguan në vitet 1950 gjatë regjimit brutal të Batistës, shkruan New York Post.
“Më duket ide e mirë”, shkroi Trump të dielën në platformën e tij Truth Social, në përgjigje të një përdoruesi të rastësishëm që kishte bërë shaka se Rubio mund të bëhej udhëheqës i Kubës pasi qeveria atje të rrëzohet.
Njësia e Trafikut të Kryeqytetit ka identifikuar dhe ka gjobitur një shofer për shkak të vozitjes së rrezikshme në Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, shoferi është hasur duke kryer manovra të rrezikshme me veturë, veprime të cilat kanë rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Pas identifikimit të tij, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe ndaj shoferit është shqiptuar gjobë për kundërvajtje në komunikacion, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në sigurinë rrugore.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pejë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, raportoi në mëngjes ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, tre persona dyshohet se kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Jeton Buqukut, duke e plagosur atë.
I plagosuri fillimisht ka pranuar trajtim mjekësor në spitalin rajonal, por për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, mjekët kanë vendosur transferimin urgjent të tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të specializuar.
I njëjti edhe në këto momente po trajtohet në QKUK.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha se viktima do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë.
“Është duke u trajtuar në QE, janë kry ekzaminimet e nevojshme dhe konsultat, gjendje stabile, do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtutjeshëm”.
Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës ka njoftuar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë deri më 19.01.2026.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të krijuar nga kushtet atmosferike, ku reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar qarkullimin, si dhe për shkak të problemeve me sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore.
DKA ka vlerësuar se aktualisht nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Vendimi është marrë me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e rregullt të procesit arsimor.
Drejtuesit e institucioneve arsimore janë lutur që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit për këtë vendim, ndërsa për çdo informatë shtesë, publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar bashkëpunimin parazgjedhor ndërmjet Partisë së Drejtësisë (PD) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke theksuar korrektësinë, respektin reciprok dhe partneritetin e sinqertë politik gjatë gjithë fushatës.
Edhe pse ky bashkëpunim nuk rezultoi me përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për Partinë e Drejtësisë në përbërjen e re të Kuvendit, Agani theksoi se kjo nuk e zbeh vlerën e bashkëpunimit politik dhe as përgjegjësinë e PD-së për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe proceset e ardhshme shtetformuese.
Ai u shpreh se, pavarësisht faktit që personalisht nuk arriti të sigurojë mandat deputeti, përkrahja qytetare e marrë përbën një motiv shtesë për angazhim të mëtejmë politik dhe institucional.
Sipas Aganit, Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave dhe programit të saj politik dhe shpreh gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në funksion të interesit publik, konsolidimit demokratik dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në kontekstin e zhvillimeve të ardhshme politike, Agani theksoi se vendi përballet me vendime të rëndësishme institucionale, duke nënvizuar nevojën për maturi, dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak, parime që, sipas tij, Partia e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbrojë dhe promovojë.
Në fund, Kryetari i PD-së falënderoi votuesit për mbështetjen e dhënë, strukturat e Partisë së Drejtësisë për angazhimin e tyre, si dhe partnerët politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës për korrektësinë dhe bashkëpunimin gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Altin Meçaj, banues në Vjosë, emigrant në Gjermani, është bërë prehë e një sulmi të dhunshëm mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, pasi ka bërë një koment në Messenger, një bashkëfshatareje, motra e një punonjësi policie të zonës.
Ai rrëfen momentet e tmerrit, ndërsa kërkon drejtësi.
“Mbrëmë në orën 11 të natës kam arritur në shtëpi. Kur isha te lokali i fshatit më kishte ardhur një mesazh kërcënues për një “like”. Mesazhi më erdhi nga një bashkëfshatari im që ai sot është komandant me forcat RENEA në Fier. Like i bëra motrës së tij në Facebook. Në 11 që kam arritur në shtëpi, janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe unë jam thirrur në emër që të dal jashtë. Porta e madhe me portën e shtëpisë janë në një distancë prej 50-60 metra.
Ai ishte tek porta e shtëpisë, jo tek porta e madhe. Unë dola se mendova se ishte vëllai. Mesazhi thoshte që nuk e di se me kë je mpleksur. Unë dal në derë dhe aty më qëllon direkt dhe më përsërit ato të mesazhit. Ishin të paktën 3 persona. Më kanë qëlluar pa mëshirë dhe më kanë rrëzuar përtokë pa ndjenja. Nëse unë jam gabim për një like apo koment ka dhe falje. Port ë arrijë deri në këtë gjendje sat ë më bëjë mua për spital. Qëlluan edhe babanë, sapo doli jashtë.
Unë kam punuar në shtëpinë e tyre, kemi pasur marrëdhënie të mira. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin. Më that ë njëjtat gjëra si në mesazh. Unë kam rënë pa ndjenja dhe kur u përmenda e ash veten në ambulancë. Unë kërkoj që kjo mos përsëritet më dhe dua të drejtën time, më është shkelur prona.
Telefoni im është marrë me vete, unë atë telefon nuk e gjej. Sot ka vajtur edhe policia atje po e kërkon, por nuk po e gjen. E logjikshme është që e kanë marrë këta”, tha Altin Meçaj.
Ndërkohë , babai i tij 80- vjeçar, Ylli Meçaj tregon se si e ka gjetur të birin të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja, ndërsa thekson se kurrë më parë në fshat nuk kanë patur kontradita me askënd.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se pas reshjeve rekorde që e kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve.
Sipas parashikimit të motit nga IHMK-ja, java nis me depërtimin e masave të ftohta ajrore, të cilat do të përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të temperaturave.
Temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës parashihet të jenë deri në 7 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, e lehtë deri mesatare. Mëngjeset do të jenë të ftohta me ngrica, ndërsa vende-vende pritet të ketë edhe mjegull.
Tutje, ky institut, ka kërkuar kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik.
Të hënën parashihet mot kryesisht i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga -11 deri në -8, ndërkaq maksimalet -5 deri në -1.
Të martën do të mbajë mot kryesisht i vranët me temperatura minimale -12 deri në -7 ndërkaq maksimalet -2 deri në 2 gradë celsius.
Të mërkurën parashihet mot kryesisht i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga -5 deri në -2 ndërkaq maksimalet 1-5 gradë celsius.
Të enjten do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të jenë -5 deri në -1 ndërkaq maksimalet 3-7 gradë celsius.
Kurse, të premten, do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimal do të shkojnë në -5, maksimalet në 7 gradë celsius.