Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Sinjali

BBC-ja raporton se Parlamenti Evropian pritet ta pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare me ShBA-në

20 January 2026 at 18:33

Miratimi i marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, për të cilën ishte arritur pajtim në korrikun e vitit të kaluar, pritet të pezullohet nga Parlamenti Evropian, sipas burimeve të afërta me Komisionin për Tregti Ndërkombëtare të këtij institucioni, raporton televizioni britanik, BBC.

Pezullimi i miratimit të marrëveshjes pritet të njoftohet të mërkurën pasdite në Strasburg, sipas transmetuesit publik britanik.

Në korrikun e vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishin arritur një marrëveshje në fushën e golfit në Skoci, pronë e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas marrëveshjes, taksat amerikane ndaj të gjitha importeve nga vendet e BE-së do të uleshin në 15 për qind, gjë që shihej si pakt pozitiv në kohën kur Trumpi ishte duke kërcënuar me tarifë prej 30 për qind ndaj importeve.

Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian, por Komisioni për Tregti Ndërkombëtare nuk e ka përfunduar ende shqyrtimin e saj.

Të shtunën, disa orë pas kërcënimit të Trumpit me taksa amerikane për shkak të kundërshtimit të disa vendeve evropiane që ShBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën, anëtari gjerman me ndikim i Parlamentit Evropian, Manfred Weber, tha se “miratimi [i marrëveshjes tregtare ShBA – BE] nuk është i mundshëm në këtë fazë”.

Përderisa marrëveshja po finalizohej, Bashkimi Evropian i kishte pezulluar taksat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë të 93 miliardë eurove, transmeton gazeta “Nacionale”.

Afati i këtij pezullimi përfundon më 9 shkurt dhe, nëse nuk bëhet një zgjatje tjetër ose nëse nuk ndodh miratimi i marrëveshjes nga Parlamenti Evropian, taksat e BE-së ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 7 shkurt.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post BBC-ja raporton se Parlamenti Evropian pritet ta pezullojë miratimin e marrëveshjes tregtare me ShBA-në appeared first on Sinjali.

Ajova vlerëson partneritetin me FSK-në: Mbi 15 vjet bashkëpunim dhe stërvitje të përbashkëta

20 January 2026 at 18:10

Gjatë fjalimit vjetor “Condition of the Guard 2026”, Gjeneral Major Stephen Osborn, Adjutant Gjeneral i Ajovës, vlerësoi mysafirët e dalluar që përfaqësonin partneritetin e Gardës Kombëtare të Ajovës me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ngjarje u përmendën Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandant i FSK-së, Komandant Rreshter Major Bedri Zuka, udhëheqësi më i lartë nënoficer, si dhe Drilon Zogaj, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Des Moines.

Në njoftimin e Gardës Kombëtare të Ajovës u theksua se ky bashkëpunim ka ndërtuar ndër vite kapacitete dhe besueshmëri të ndërsjellë, duke nënvizuar se “partneriteti me FSK-në ka forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë e të dy forcave”.

Tutje u tha se, për më shumë se 15 vjet, ushtarët dhe aviatorët e Ajovës kanë bashkëpunuar ngushtë me FSK-në për të rritur ndërveprimin dhe gatishmërinë operacionale.

“Vetëm gjatë vitit 2025, partneriteti përfshiu 26 shkëmbime bilaterale me mbi 500 pjesëmarrës, në fusha si manovrat, mjekësia ushtarake, logjistika, mbrojtja kibernetike dhe zhvillimi profesional”, u tha në njoftim.

Si moment i rëndësishëm u veçua momenti kur FSK-ja bashkëngjiti një kompani këmbësorie në Brigadën e 2-të Luftarake të Divizionit të 34-të të Këmbësorisë së Ajovës, gjatë rotacionit në “Joint Readiness Training Center”. Ky hap, siç u theksua, “shënon pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një mision stërvitor të përmasave të mëdha jashtë kufijve të saj”.

Po ashtu, në vitin 2025, Garda Kombëtare e Ajovës tha se rekrutoi qytetarin e parë nga Kosova, Andren Gashi, i cili iu bashkua Krahut të 132-të të Gardës Ajrore të Ajovës si pjesëtar i Forcave të Sigurisë. 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ajova vlerëson partneritetin me FSK-në: Mbi 15 vjet bashkëpunim dhe stërvitje të përbashkëta appeared first on Sinjali.

Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029

20 January 2026 at 18:09

Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve (CPS-S) në Zvicër, ka shprehur mbështetjen për zgjatjen e angazhimit të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë deri në vitin 2029, si dhe për rritjen e numrit të tyre.

Sipas një njoftimi të shërbimeve parlamentare, komisioni vlerëson se “prania e KFOR-it dhe e kontingjentit zviceran Swisscoy në Kosovë mbetet e domosdoshme, pasi situata në terren, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë”.

CPS-S, që është Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës, thekson se prania e KFOR-it është “ende e nevojshme edhe për të kontribuar në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“Stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është edhe në interes të Zvicrës, ku jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, prej të cilëve mbi 150 mijë janë me origjinë kosovare”, u tha në njoftimin e shërbimeve parlamentare të Zvicrës, raporton CDT.

Në këtë kuadër u tha se “CPS-S mbështet edhe rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215”.

Po ashtu, sipas njoftimit, propozohet që Këshilli Federal të ketë kompetencë që, gjatë mandatit, ta rrisë kontingjentin me deri në 30 ushtarë shtesë, pa afat të caktuar, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të ardhshme të KFOR-it.

Parashikohet edhe mundësia e angazhimit të përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për mirëmbajtje, si për shembull të helikopterëve zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për sigurinë e vetë kontingjentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029 appeared first on Sinjali.

Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë

20 January 2026 at 18:04

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi rëndësinë që të respektohen afatet e parapara për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai tha se procesi i rinumërimit të votave është shumë i rëndësishëm për integritetin e procesit.

“Kjo dëshmon aftësinë e sistemit për të identifikuar dobësitë dhe për t’i adresuar ato, në mënyrë që të ruhet integriteti i zgjedhjeve. Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai për T7.

Hargreaves tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas kësaj, partitë politike të bashkohen, Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të nisë punën, në mënyrë që buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratohen sa më shpejt”.

“Po ashtu, është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, tha ai.

Ambasadori britanik tha se Kosova këtë vit duhet të bëjë përparim drejt integrimit.

“Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë appeared first on Sinjali.

Trump: Pa mua, sot nuk do të kishte NATO

20 January 2026 at 18:03

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka publikuar këtë të martë një status në rrjetin e tij social Truth Social, ku pretendon se roli i tij ka qenë vendimtar për mbijetesën e NATO-s.

Sipas Trump, pa ndërhyrjen e tij aleanca ushtarake do të ishte shpërbërë dhe do të kishte mbetur pjesë e historisë.

Në postimin e tij, Trump shkruan:

Nëse unë nuk do të kisha ardhur, sot nuk do të kishte NATO!!!

Do të kishte përfunduar në koshin e historisë. E trishtueshme, por e VËRTETË!!

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump: Pa mua, sot nuk do të kishte NATO appeared first on Sinjali.

AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë

20 January 2026 at 17:47

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisionit Evropian njofton se në Poloni është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1), dhe se ka ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë.

AUV ka njoftuar edhe se kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

Postimi:

AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 11.01.2026, njofton se në Republikën e Polonisë është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1).

Sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe te shpezët e egra në regjionet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. Përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura.

Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo ndryshim eventual.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdonë ta monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë appeared first on Sinjali.

Greqia përgatitet për mot katastrofik, mbyllen shkollat në Athinë

20 January 2026 at 17:29

Greqia është përfshirë nga një valë e frikshme e motit të keq, me ulje të forta temperaturash, reshje shiu dhe dëbore, që kanë ngritur alarmin e kuq në vend.

Me vendim të Guvernatorit Rajonal Nikos Hardalias dhe pas një rekomandimi nga anëtarët e Komitetit të Vlerësimit të Rrezikut, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Mjekësore të Emergjencës, të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme publike dhe private, si dhe shkollat ​​e natës në të gjithë Atikën, do të mbeten të mbyllura nesër, të mërkurën, më 21 janar, për arsye paraprake.

Ky vendim u mor me qëllim mbrojtjen e nxënësve dhe stafit mësimdhënës nga rreziqet që mund të lindin nga udhëtimi për në shkolla dhe nga shkollat, pasi priten reshje të dendura shiu me dendësi të lartë nga mesi i ditës e tutje.

Sipas buletinit të ri të emergjencës së Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, karakteristikat kryesore të motit të keq janë:

Shira dhe stuhi të rrëmbyeshme nga mëngjesi i hershëm i së mërkurës në shumë zona të vendit qendror dhe jugor dhe nga pasditja e së njëjtës ditë në Egje.

Reshje të dendura dëbore lokalisht të mërkurën në zonat malore-gjysmëmalore të Greqisë kontinentale dhe në zonat e Thesalisë dhe Maqedonisë me lartësi të ulët dhe

Erëra të forta lokalisht dhe ulje e ndjeshme e temperaturave.

Qendra Kombëtare e Koordinimit për Operacionet dhe Menaxhimin e Krizave (ESKEDIK) njoftoi se është tashmë në komunikim me Autoritetet Vendore të Shkallës së Parë dhe të Dytë , si dhe me të gjitha organet e përfshira në mënyrë që të informohet plotësisht rreth fenomeneve të afërta të motit, në mënyrë që të mund të ndërmarrin veprime operative nëse është e nevojshme.

Rajonet më të rrezikuara janë:

-Atikë

-Peloponez

-Greqi Qendrore

-Thesalia

-Maqedonia Perëndimore

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Greqia përgatitet për mot katastrofik, mbyllen shkollat në Athinë appeared first on Sinjali.

Centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë humbi të gjithë energjinë nga burimet e jashtme pas sulmeve ruse

20 January 2026 at 17:28

Centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë, vendi i katastrofës më të rëndë bërthamore civile në botë, humbi të gjithë energjinë elektrike nga burimet e jashtme pas aktiviteteve të gjera ushtarake të martën në mëngjes, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) në një postim në platformën X.

Sipas IAEA-s, disa nënstacione elektrike ukrainase, jetike për sigurinë bërthamore, janë prekur nga aktivitetet ushtarake, ndërsa linjat e energjisë drejt disa centraleve të tjera bërthamore janë gjithashtu të dëmtuara, raporton Reuters.

Ndërkohë, Rusia ka ndërmarrë një sulm të kombinuar me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës herët të martën, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje për mijëra ndërtesa banimi në Kiev, në mes të temperaturave të ulëta, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë humbi të gjithë energjinë nga burimet e jashtme pas sulmeve ruse appeared first on Sinjali.

Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me ShBA-në për Ballkanin

20 January 2026 at 17:03

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe se është e gatshme t’i zhvillojë ato kontakte.

“Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe Bashkimin Evropian për koment dhe është në pritje të përgjigjeve.

Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë në një periudhë kur figura të rëndësishme në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani paralajmërojnë për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, ndërsa Serbinë e portretizojnë si “dorë të zgjatur të Rusisë” në rajon.

Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.

Analistë të çështjeve politike kanë përsëritur disa herë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara, janë tri elementet kyç përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan dhe që Serbia e Republika Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – janë më të rrezikuarat në rajon nga ndikimi rus, pasi në to mund të rritet sentimenti i nacionalizmit ekstrem.

Kurti: Serbia nuk mund t’iu thotë “jo” urdhrave të Kremlinit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të martën gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në Shtëpinë e Kosovës në Davos të Zvicrës se vendi ynë rrezikon të përballet me ndonjë pushtim nga Serbia për faktin se i ka 48 baza operative të avancuara rreth kufijve të këtij shteti.

“Por, nuk e besoj që do të ndodhë. Gjasat janë shumë të vogla. Përveç nëse Kremlini urdhëron diçka. Nuk mendoj se Beogradi guxon t’iu thotë ‘jo’ urdhrave të presidentit [rus, Vladimir] Putin për ta destabilizuar rajonin”.

Mes tjerash, Kurti e ka përmendur se Kosova “ka ushtri të fortë tash”, duke përmendur rritjen e numrit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Është viti i tretë që shpenzojmë mbi 3 për qind të GDP-së [bruto prodhimit të brendshëm] për mbrojtje dhe definitivisht ata duhet të mendojnë dy herë para se të na bëjnë diçka neve. Kur mendon dy herë, nuk vepron shumë. Jam shumë optimist për periudhën në ardhje”.

Kur ka folur për vendet e rajonit, Kurti është ndalur te Bosnje-Hercegovina, duke thënë se situata tani është më e komplikuar për shkak të Republikës Sërpska – entitet serb – i cili ka lidhje direkte me Moskën dhe nuk e lejon Bosnjën që të përparojë.

“Është e vështirë të shohim se si do të zhvillohet situata… është mundësi e artë për Brukselin ta dëshmojë veten duke e afruar Bosnjën më afër rrugës së anëtarësimit në BE”.

Qasja e ShBA-së dhe BE-së ndaj Ballkanit

Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump e ka firmosur ligjin e ashtuquajtur Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili, mes tjerash përcakton se ShBA-ja nuk mbështet asnjë politikë që synon ndryshimin e kufijve në Ballkan përgjatë vijave etnike.

Për Kosovën, ShBA-ja është partnerja e saj më e rëndësishme dhe mbështetja e saj është jetike.

Prej vitit 1998, Uashingtoni i ka ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën.

Ky vend ka investuar në vlera të konsiderueshme edhe në vendet tjera të Ballkanit.

ShBA-ja është prezente në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me ambasadat e saj, për dallim prej Moskës e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës – ashtu sikurse Serbia – dhe e ka vetëm një zyre ndërlidhëse në Prishtinë.

Raporte me vendet e rajonit gëzon edhe Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit synojnë të bëhen të gjashtë vendet e Ballkanit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Kosova është e vetmja që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar në fund të vitit 2022.

Brukseli është i angazhuar në rajon edhe si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Për çka tjetër foli Lavrovi?

Përgjatë konferencës për media, ministri rus Lavrov është pyetur edhe nëse Moska do të përfitojë nga një marrëveshje e MOL-it të Hungarisë për t’i blerë aksionet e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).

Ministrja e Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq ka bërë të ditur të hënën se gjiganti rus, Gazprom Neft ka arritur marrëveshje të përkohshme për t’ia shitur kompanisë hungareze aksionet që i ka në NIS-in serb.

Gazpromi rus zotëron rreth 11.3 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa njësiti i tij i sanksionuar i naftës, Gazprom Neft, 44.9 për qind.

Pjesën tjetër të aksioneve e zotërojnë Qeveria serbe dhe aksionarë tjerë.

Uashingtoni e ka sanksionuar Gazprom Neft-in për t’ia pamundësuar Moskës përdorimin e të hyrave nga nafta për ta financuar luftën në Ukrainë./REL

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me ShBA-në për Ballkanin appeared first on Sinjali.

Policia kërkon Isen Kurtin për “Vrasje në tentativë” në Gjakovë

20 January 2026 at 16:30

Policia në Gjakovë publikon fotografinë e një personi të dyshuar për vrasje në tentativë, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve

Gjakovë, 20 janar 2026 – Hetuesit policorë në kuadër të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë publikuar fotografinë e një personi të dyshuar në lidhje me veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën janë duke u zhvilluar hetime.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, i dyshuari, përkundër thirrjes policore dhe kërkimeve të realizuara në disa lokacione, nuk është paraqitur para organeve të rendit dhe aktualisht gjendet në arrati.

Në këtë drejtim, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e personit të paraqitur në fotografitë e publikuara.

Policia apelon që çdo informacion i mundshëm të raportohet në numrin emergjent 192 (pa pagesë), në stacionin më të afërt policor ose përmes adresës zyrtare elektronike info@kosovopolice.com.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia kërkon Isen Kurtin për “Vrasje në tentativë” në Gjakovë appeared first on Sinjali.

Elezi: Shpallja e rezultateve përfundimtare në fillim të shkurtit

20 January 2026 at 16:20

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave po vijon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe pritet të përmbyllet deri në fund të muajit janar, ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në fillim të muajit shkurt.

Elezi tha se procesi i rinumërimit të vendvotimeve po vazhdon bazuar në dy vendimet e KQZ-së.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi”, tha ai për EO.

Elezi ka sqaruar se aktualisht janë angazhuar dhjetëra ekipe për të përshpejtuar procesin e rinumërimit dhe për të respektuar afatet e parapara nga KQZ-ja.

“Aktualisht, numri i ekipeve të numërimit të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të gjithë procesin e rinumërimit të arrijmë ta përmbyllim deri në fund të muajit janar”, tha Elezi.

Sipas tij, pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja do të vazhdojë me hapat ligjorë për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke respektuar afatet për ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët.

“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ, në fillim të muajit shkurt do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, bëri të ditur zëdhënësi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit, në vendvotimet e 28 komunave.

Sipas vendimit të 13 janarit 2026, ishte vendosur që në 10 komuna të bëhet rinumërimi i plotë, kurse në 28 të tjera vetëm 10% e vendvotimeve.

Me 11 vota për, u miratua propozimi për rinumërim në të gjitha komunat tjera dhe shkarkimi i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal në Prizren.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Elezi: Shpallja e rezultateve përfundimtare në fillim të shkurtit appeared first on Sinjali.

Policia në Gjilan kërkon bashkëpunimin e familjeve që kanë pranuar trajtime shëndetësore nga Arianit Sllamniku

20 January 2026 at 16:07

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, ka nisur veprime fillestare hetimore lidhur me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë për qëllim verifikimin e rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtimin shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.

Në këtë drejtim, Policia e Kosovës fton të gjitha familjet dhe qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore, konsulta, terapi apo medikamente nga personi i lartcekur dhe që konsiderojnë se kanë pësuar dëm, qoftë material apo shëndetësor, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia në Gjilan kërkon bashkëpunimin e familjeve që kanë pranuar trajtime shëndetësore nga Arianit Sllamniku appeared first on Sinjali.

Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet

20 January 2026 at 15:41

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurdo më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Kurti ka thënë se Rusia kërcënon rajonin përmes Serbisë.

“Nga katër fqinj, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurdo herë më parë që jemi shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu edhe ajo për Perandorinë Ruse apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por kjo është e pamundur”, ka thënë ai.

Tek ka folur për veriun e Kosovës, Kurti ka thënë se para “5-10 vjetësh nuk ka pasur as liri për të ecur e folur shqip lirshëm”.

Kurti ka deklaruar se kjo është arsyeja përse duhet më shumë solidaritet brenda kontinentit Evropian dhe vetë NATO-s. Sipas tij, “Rusia dëshiron që t’i shkatërrojë të dyja, e Kina të arrijë fuqinë e SHBA-së”.

Ai ka thënë se “kushdo që ndihmon fqinjin tonë në përpjekjet për të destabilizuar, na shkakton edhe neve probleme”.

“Kërcënimi jonë për këtë është Rusia”, ka thënë Kurti.

Duke folur për ndryshimet gjeopolitike, ai ka thënë se ka turbulenca që janë të paparashikueshme.
Kurti ka shtuar se duhet të ketë bashkëpunim më të shtuar brenda NATO-s, por edhe aleanca rajonale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet appeared first on Sinjali.

Nga Davosi, Kurti: Ne duhet të udhëheqim duke qenë shembull

20 January 2026 at 15:22

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka folur për qeverisjen e tij të deritanishme dhe planet ekonomike, politike e gjeo-strategjike në udhëheqjen e ardhshme, në një bisedë bashkë me Rory Setwart OBE në `Shtëpinë e Kosovës` në kuadër të Forumit në Davos.

Rritja e kualitetit të shërbimeve, transparenca e proceseve e llogaridhënia qenë pretimet e Kurtit nga Davosi, teksa tha se ekziston një rezistencë e madhe te njerëzit që të mos kthehen te një sistem korruptiv politik.

Ne duhet të udhëheqim duke qenë shembull, asnjë por asnjë nga kabineti qeveritar nuk mund të kenë as imagjinatën më të vogël të punojnë në mënyrë korruptive. Kosova është shtet i monitoruar edhe nga ndërkombëtarët edhe nga sistemi ynë. Unë besoj që llogaridhënia do të jetë në nivel”, tha ai.  

Kryeministri në detyrë deklaroi se politika e tyre të udhëheqjes u shtrinë kryesisht mbi politikat sociale, investimet kapitale e investimet ekonomike.

Kurti gjithashtu foli për bllokadën politike disa mujore në Kosovë, që çoi edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe solli rezultatin prej 51% të votave për LVV-në, shkruan RTK.

Kurti foli edhe për planet destabilizuese të Serbisë e Rusisë për Kosovën, duke specifikuar luftën hibride ruse gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ai tha se përgjigja më e mirë ndaj çdo sulmi shtetëror e hibrid është të paturit njerëzit më profesionistë në Agjencinë e Inteligjencës, në mënyrë që reagimi të jetë në nivel.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Nga Davosi, Kurti: Ne duhet të udhëheqim duke qenë shembull appeared first on Sinjali.

Man City bën një ofertë milionëshe për yllin e Real Madridit

20 January 2026 at 15:16

Vinicius po përgatitet për një verë që mund të shënojë një pikë kthesë të rëndësishme në karrierën e tij te Real Madridi.

Pas viteve të një marrëdhënieje të ngushtë me klubin, situata duket se është prishur, duke krijuar një skenar që aktualisht shihet si shumë i vështirë për t’u rikthyer.

Lidhja e brazilianit me tifozët e Real Madridit ka arritur në pikën më të ulët.

Sjelljet e tij dhe disa episode të fundit kanë shkaktuar një largim të dukshëm nga ‘Bernabeu’, ndërsa performanca e tij ka qenë e papërputhshme me pritshmëritë.

Në të njëjtën kohë, negociatat për rinovimin e kontratës janë bllokuar, duke e lënë klubin përballë një vendimi kritik: të shesë tani apo të rrezikojë të humbasë një nga lojtarët më të vlefshëm pa kompensim.Klubet e mëdha ndërkombëtare kanë shfaqur interes për situatën e tij, duke përfshirë Chelsean dhe Bayern Munich, ndërsa skuadrat nga Arabia Saudite janë të gatshme të ofrojnë shuma të jashtëzakonshme.

Megjithatë, favoriti kryesor mbetet Manchester City, i cili raportohet se ka dorëzuar një ofertë prej rreth 150 milionë eurosh, një shifër që konsiderohet e përshtatshme për të siguruar një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë.

Nga ana e Real Madridit, shuma dhe konteksti i kontratës e bëjnë të vështirë refuzimin e ofertës.

Një shitje e tillë jo vetëm që sjell përfitime financiare, por gjithashtu hap mundësinë për të ristrukturuar skuadrën dhe për të përforcuar pozicione të tjera kyçe.

Largimi i brazilianit, megjithëse i dhimbshëm nga perspektiva emocionale, mund të ofrojë një fillim të ri për projektin sportiv të klubit.

Për momentin, duket se e ardhmja e Vinicius është larg ‘Santiago Bernabeu’.

Përveç tensionit me tifozët dhe bllokimit të rinovimit, presioni i tregut dhe oferta e Manchester Cityt sugjerojnë se Real Madridi do të pranojë transferimin.

Kjo do të shënojë fundin e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një aventure të re për sulmuesin në Ligën Premier.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Man City bën një ofertë milionëshe për yllin e Real Madridit appeared first on Sinjali.

Policia italiane godet organizatën e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndalohen 8 shqiptarë

20 January 2026 at 15:13

Policia e Shtetit e Reggio Emilia-s ka ekzekutuar një urdhër paraburgimi paraprak të lëshuar nga Gjykata e Bolonjas, me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias, ndaj nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian. Ata dyshohen për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Operacioni u realizua nga policia italiane e cila aktivizoi kanalet e Interpolit për shpërndarjen ndërkombëtare të urdhër-arresteve, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri.

Arrestimet dhe kontrollet po zhvillohen në disa provinca italiane, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si dhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit operacional me autoritetet policore të huaja, në veçanti me Departamentin e Policisë Kriminale të Shqipërisë.

Operacioni, i koduar me emrin “STURL ONE”, përbën vazhdimësinë e hetimeve të mëparshme të njohura si TREXIT 2019 dhe BLACK MAMBA, të cilat kishin çuar, në janar 2021 dhe shtator 2022, në ekzekutimin e gjithsej 35 masave kufizuese.

Hetimi TREXIT 2019 kishte zbuluar ekzistencën e tre organizatave kriminale aktive në provincën e Reggio Emilia-s. Njëra prej tyre, e përbërë nga shtetas me origjinë nga Magrebi dhe e njohur si “grupi Rubiera”, ishte e përfshirë në shitjen me pakicë të kokainës. Dy grupet e tjera përbëheshin nga shtetas shqiptarë, të cilët furnizonin në mënyrë të vazhdueshme sasi të mëdha kokaine për grupin e Afrikës së Veriut.

Një nga këto organizata drejtohej nga një shtetas shqiptar me banim në Itali, i cili udhëtonte shpesh jashtë vendit dhe në Shqipëri, duke vepruar që nga viti 2018 si ndërmjetës kryesor për furnizimin me kokainë në rajonin Emilia-Romagna.

Hetimet kanë treguar se organizata kriminale ishte e strukturuar në disa nivele, me disponueshmëri të lartë personeli, mjetesh dhe burimesh financiare. Ajo ishte e aftë të importonte dhe shpërndante sasi të mëdha kokaine, marijuane dhe kanabisi nga Amerika e Jugut, Evropa Veriore dhe Spanja, duke i fshehur lëndët narkotike në kamionë të ngarkuar me produkte bujqësore dhe më pas duke i shpërndarë në të gjithë Italinë përmes një rrjeti korrierësh.

Për komunikim të fshehtë, anëtarët e organizatës përdornin platformën e koduar SKYECC, të instaluar në telefona të specializuar me kosto shumë të lartë. Gjatë operacioneve të mëparshme, Policia sekuestroi disa prej këtyre pajisjeve. Platforma SKYECC ishte dekriptuar nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, çka lejoi aksesin në komunikimet e anëtarëve të rrjetit kriminal.

Në vitin 2022, Drejtoria Antimafia e Distriktit të Bolonjës hapi një procedim të ri penal me qëllim identifikimin e drejtuesve kryesorë të organizatës. Nëpërmjet një Urdhri Hetimor Evropian, u analizuan bisedat e koduara dhe u kryen hetime teknike të avancuara ndaj të dyshuarve të pranishëm në Itali.

Këto hetime mundësuan dokumentimin e një numri të madh veprash penale dhe vërtetimin e rolit të qëndrueshëm dhe funksional të secilit anëtar brenda organizatës, duke çuar në formulimin e 44 akuzave penale.

Vetëm gjatë gjashtë muajve monitorim, organizata kishte arritur të lëvizte dhe shpërndante mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1,000 kilogramë hashash dhe marijuanë, duke gjeneruar miliona euro fitime. Të dyshuarit, të bindur për sigurinë e komunikimeve të tyre, diskutonin hapur negociatat, mënyrat e shpërndarjes dhe madje komentojnë edhe sekuestrimet e kryera nga Policia.

Falë punës së detajuar hetimore, Policia e Shtetit arriti të identifikojë përdoruesit e PIN-eve SKYECC dhe t’i lidhë ata me identitetet reale, duke ndërtuar një bazë të fortë provash, e cila u pranua plotësisht nga Autoriteti Gjyqësor.

Në total, 15 persona janë nën hetim. Përveç nëntë arrestimeve, u kryen kontrolle të shumta në të gjithë territorin italian, me pjesëmarrjen e rreth 50 efektivëve të Policisë së Shtetit, shkruan Euronews.al.

Gjatë një kontrolli të veçantë në provincën e Brescias, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë pasi iu gjetën mbi 2 kg marijuanë, 1 kg hashash dhe 5,800 euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia italiane godet organizatën e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndalohen 8 shqiptarë appeared first on Sinjali.

Pamje tronditëse: Rrota e përparme e aeroplanit këputet gjatë uljes në Orlando

20 January 2026 at 15:05

Pamje të tmerrshme janë publikuar kur rrota e përparme e një aeroplani të United Airlines u këput plotësisht ndërsa ulej ashpër në një aeroport në Orlando, Florida.

Fluturimi 2323 i United Airlines kishte përjetuar një “problem mekanik” gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos të dielën, rreth orës 12:35, pasi kishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Çikagos, O’Hare, sipas një deklarate të linjës ajrore për Fox 35.

Pamjet dramatike treguan Airbus A321neo, i cili po zbriste me ingranazhin e uljes që dukej i funksionuar, por në momentin e uljes ai dëmtohet. Ky avion transportonte 200 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit.

Duket të jetë një ulje rutinë derisa rrotat e pasme prekën, duke përplasur pjesën e përparme të aeroplanit mbi rrotat nën hundën e tij.

Pas kamerës, një çift që shikonte uljen mund të dëgjohet duke reaguar ndërsa aeroplani u ul ashpër, një burrë dëgjohet të thotë: ‘O Zot i madh’.

Aeroplani u lëkund përpara se një rrotë të shihej duke u rrëshqitur në anën e djathtë të fluturakes.

United Airlines i tha People se incidenti u shkaktua nga një ‘problem mekanik gjatë uljes’.

Për fat të mirë, askush nuk u lëndua; megjithatë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) i tha medias se “aeroplani u çaktivizua pasi bëri një ulje të fortë”.

Pasagjerët u detyruan të transportoheshin me autobus nga aeroplani i çaktivizuar në terminal. FAA i konfirmoi People se po hetojnë incidentin. 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pamje tronditëse: Rrota e përparme e aeroplanit këputet gjatë uljes në Orlando appeared first on Sinjali.

Supremja: Institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit për pensionistët

20 January 2026 at 14:44

Gjykata Supreme e Kosovës ka theksuar se përgjegjësia për implementimin e vendimit lidhur me lajmërimin e pensionistëve i takon institucioneve përkatëse.

Në një shpjegim për opinionin, një ditë pas njoftimit të Ministrisë së Financave se disa kategori pensionistësh duhet të paraqiten për të konfirmuar se janë ende gjallë, Supremja ka sqaruar se ka përmbushur plotësisht detyrat e saj përmes aktgjykimit P.A.nr.16/2025.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Pas nxjerrjes së aktgjykimit vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik. Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme”, thuhet nga Gjykata Supreme.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se disa kategori të pensionistëve nuk kanë më nevojë për paraqitje të rregullt para zyrave të pensioneve.

Këto kategori janë përfituesit e pensioneve: kontributive,parciale kontributive, dhe familjare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Supremja: Institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit për pensionistët appeared first on Sinjali.

Shefi i OKB-së anulon udhëtimin për në Davos

20 January 2026 at 14:40

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka anuluar planet e tij për të marrë pjesë në takimin e Davosit në Zvicër.

Atje, Guterresh ishte paraparë të mbante një fjalim të veçantë, tha të martën një zëdhënës i OKB-së.

“Sekretari i Përgjithshëm, për fat të keq, është detyruar të anulojë pjesëmarrjen e tij në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ishte planifikuar për nesër, por ai ka një ftohje të keqe”, tha zëdhënësi i OKB-së, Rolando Gomez, në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shefi i OKB-së anulon udhëtimin për në Davos appeared first on Sinjali.

Rinumërimi i votave: Kurti e Abdixhiku humbin vota, Hamzës e Haradinajt i’u shtohen votat

20 January 2026 at 14:21

Skandali lidhur me votat e kandidatëve për deputetë ka çuar në një rinumërim të plotë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyra të marrë këtë vendim për të siguruar një verifikim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet e rregullta.

Nuk ka pasur mospërputhje të rëndësishme te top 5-shet e secilës parti.

Deri tani janë numëruar mbi 700 vendvotime në kuadër të vendimit të parë të KQZ-së, duke vazhduar me verifikimin e plotë në 2 mijë e 557 vendvotime.

Te Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka humbur 176 vota, ndërsa Glauk Konjufca, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla kanë fituar shtesa të votave nga 22 deri në 130.

Te  Partia Demokratike e Kosovës pati plus vota në kandidatët më të votuar.

I pari i partisë, Bedri Hamza, deri më tash ka 51 vota më shumë, ndërsa Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili e Sala Jashari kanë qindra vota shtesë.

Ndryshime ka edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, ku Lumir Abdixhiku ka minus 12 vota, më pak ka edhe Avdullah Hoti, ndërsa Hykmete Bajrami, Ukë Rugova dhe Doarsa Kica – Xhelili, kanë më shumë vota nga rinumërimi.

Edhe te partia e Ramush Haradinajt ka pak lëvizje.

Kreu i AAK-së deri tani ka 1 votë më shumë, ndërsa Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj kanë dhjetëra më shumë, veç Bekë Berishës që aktualisht ka dy më pak.

The post Rinumërimi i votave: Kurti e Abdixhiku humbin vota, Hamzës e Haradinajt i’u shtohen votat appeared first on Sinjali.

❌
❌