Ekskluzive: Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie në Rahovec, ku u dogj një shtëpi, QMF-ja dhe autoambulanca
Një rast i rëndë zjarrvënieje ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku nga flakët janë përfshirë një shtëpi, objekti i QMF-Ratkoc dhe një autoambulancë, ndërsa i dyshuari ishte në arrati për disa orë.
Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 02:30, në kohën kur policia kishte marrë informacion se i dyshuari Halil Hoti, 45 vjeçar, i cili ishte në kërkim policor, po qarkullonte në zonën e Ratkocit. Gjatë kërkimit në terren, patrullat policore janë njoftuar se një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri, e më pas flakët kanë përfshirë edhe QMF-në e fshatit dhe autoambulancën e parkuar pranë objektit.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit në autoambulancë, janë shkaktuar edhe dëme materiale në objektin e QMF-së, ndërsa te shkolla fillore përreth nuk ka pasur dëme strukturore, përveç djegies së disa drunjve.
Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit penal “Zjarrvënie”. Të gjitha njësitë relevante policore janë angazhuar në menaxhimin e situatës.
Pas disa orësh në arrati, më 21.12.2025 rreth orës 18:50, patrulla policore e SP Gjakovë ka identifikuar të dyshuarin duke lëvizur me një automjet taksi “LUZHA”, në drejtim të Qafë Prushit. Meqë i njëjti rezultonte në kërkim policor, është arrestuar në vend dhe është dërguar në SP Rahovec.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, dhe në konsultim me Prokuroren kujdestare të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të zjarrvënies janë në vazhdim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive: Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie në Rahovec, ku u dogj një shtëpi, QMF-ja dhe autoambulanca appeared first on Sinjali.