BRUKSEL, 30 qershor, ATSH/ Agjencitë evropiane të lajmeve kanë bërë thirrje për forcimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian për të drejtën e autorit, duke kërkuar që përmbajtja gazetareske të mbrohet më mirë nga përdorimi i paautorizuar nga platformat dhe modelet e inteligjencës artificiale (AI).
Në një deklaratë të përbashkët drejtuar Komisionit Evropian, anëtarët e “European Alliance of News Agencies” (EANA), shprehin mbështetjen për nismën e Komisionit për rishikimin e kuadrit evropian të së drejtës së autorit, duke theksuar se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka krijuar sfida të reja për industrinë e medias dhe për prodhuesit e përmbajtjes origjinale.
Sipas deklaratës, gazetaria profesionale përbën një investim të konsiderueshëm ekonomik dhe njerëzor, ndërsa përmbajtja e krijuar nga agjencitë e lajmeve po përdoret gjithnjë e më shumë për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale, shpesh pa transparencë, pa autorizim dhe pa kompensim për mbajtësit e të drejtave.
EANA vlerëson se kuadri aktual ligjor nuk është më i mjaftueshëm për të garantuar mbrojtjen efektive të përmbajtjes mediatike në epokën e AI-së dhe kërkon që rishikimi i Direktivës për Copyright në Tregun e Vetëm Digjital të shoqërohet me masa konkrete që forcojnë të drejtat e botuesve dhe agjencive të lajmeve.
Në deklaratë kërkohet që kompanitë që zhvillojnë modele të inteligjencës artificiale të jenë plotësisht transparente mbi materialet që përdorin për trajnim, duke u dhënë mundësi pronarëve të të drejtave të verifikojnë nëse përmbajtja e tyre është përdorur. Gjithashtu, theksohet nevoja që çdo përdorim i materialeve të mbrojtura të bazohet në marrëveshje licencimi dhe në një shpërblim të drejtë për krijuesit e përmbajtjes.
Agjencitë argumentojnë se mbrojtja e pronësisë intelektuale nuk është në kundërshtim me zhvillimin e inteligjencës artificiale, por përkundrazi krijon kushtet për një ekosistem të qëndrueshëm, ku inovacioni teknologjik dhe gazetaria profesionale zhvillohen paralelisht.
Deklarata vjen në një moment kur Komisioni Evropian ka nisur një proces konsultimi për rishikimin e rregullave të BE-së mbi të drejtën e autorit, me synimin për t’i përshtatur ato zhvillimeve teknologjike, veçanërisht sfidave që lidhen me inteligjencën artificiale gjeneruese, licencimin e përmbajtjes dhe mbrojtjen e krijuesve. Konsultimi është pjesë e një iniciative më të gjerë për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për kreativitetin dhe inovacionin evropian.
Për agjencitë e lajmeve, çështja ka rëndësi strategjike, pasi ato prodhojnë çdo ditë informacion të verifikuar, fotografi dhe materiale të tjera origjinale, të cilat përbëjnë bazën e informimit publik. Sipas tyre, nëse këto materiale përdoren nga sistemet e inteligjencës artificiale pa respektuar të drejtat e autorit, rrezikohet jo vetëm modeli ekonomik i mediave profesionale, por edhe vetë qëndrueshmëria e gazetarisë cilësore.
Përmes kësaj deklarate, EANA u bën thirrje institucioneve evropiane që në çdo reformë të ardhshme të garantojnë një ekuilibër mes inovacionit teknologjik dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, duke siguruar që krijuesit e përmbajtjes të mbeten në qendër të ekonomisë digjitale.
ATSH, si anëtare e European Alliance of News Agencies (EANA), i bashkohet deklaratës së aleancës, e cila u bën thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian të forcojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit për përmbajtjen gazetareske në epokën e inteligjencës artificiale.
The post EANA i bën thirrje BE-së të forcojë mbrojtjen e copyright-it për mediet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.