SHBA – Trump: Netanyahu pranon të mos dërgojë trupa në Bejrut, pas bisedës mes tyre
UASHINGTON, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti i amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se kishte ndërhyrë për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke bërë të ditur se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte rënë dakord të mos dërgonte trupa në Bejrutin jugor.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha se pas një bisede që e cilësoi “shumë produktive” me Netanyahun, trupat izraelite që ishin nisur drejt kryeqytetit libanez janë kthyer mbrapsht. Ai shtoi se ka zhvilluar kontakte edhe me përfaqësues të Hezbollahut dhe se grupi libanez është zotuar të ndalojë sulmet ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli nuk do të ndërmarrë veprime të reja ushtarake kundër tij.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm. Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se mund të hapë “fronte të reja” në rajon në përgjigje të ofensivës izraelite në Liban dhe Gaza.
Sipas medieve shtetërore iraniane, Teherani e konsideron tejkalimin e “vijave të kuqe” në këto territore si një hap drejt një lufte të drejtpërdrejtë. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar gjithashtu se mund të ruajnë presionin mbi rrugët strategjike të transportit të energjisë, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
Ndërkohë, presidenti Trump u shpreh se nuk është i shqetësuar nga njoftimet se Irani ka pezulluar bisedimet indirekte me SHBA-në. Në intervista për mediet amerikane, ai tha se palët kanë folur mjaftueshëm dhe se një periudhë heshtjeje mund të jetë më e dobishme sesa vazhdimi i negociatave pa rezultate konkrete.
Sipas tij, Uashingtoni nuk ka ndërmend të përshkallëzojë menjëherë situatën ushtarakisht, por do të vazhdojë të mbajë presionin ndaj Teheranit.
Mediet izraelite raportuan gjithashtu se Trump dhe Netanyahu zhvilluan sot një bisedë telefonike, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim më të gjerë rajonal vazhdojnë. /Ad.Ab./
The post SHBA – Trump: Netanyahu pranon të mos dërgojë trupa në Bejrut, pas bisedës mes tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.